E VËRTETA E KRIJIMIT DHE EVOLUCIONIT

Titulli origjinal: Yaratılış Gerçeği ve Evrim

M. Fethullah Gülen

Krijimi në hadithet profetike

Buhariu dhe Muslimi përcjellin njëzëri prej Ebu Hurejres se në një pjesë të një hadithi të gjatë ku tregonte për krijimin e gruas, Profeti ka thënë: “Këshillojini gratë për të mirë dhe silluni mirë me to. Ato janë krijuar prej një brinje!”

Siç duket hapur nga hadithi, Profeti nuk e lidh krijimin e gruas me evolucionin.

Në një hadith tjetër të quajtur autentik nga Ibn Ebi Hatimi dhe të përcjellë nga Ibni Asakiri me pak ndryshime, Profeti thotë kështu: “Ati juaj, Ademi, e kishte shtatin si një dru hurmaje, 60 pash të gjatë.”

I Dërguari i Allahut e paraqet Ademin si atin e parë të njerëzimit në një mënyrë aq të qartë e të prerë, sa s’lë vend për interpretim.

Ahmed b. Hanbel, Ebu Davud dhe Tirmidhi përcjellin këtë hadith prej Ebu Musa el-Esh’ariut: “Allahu mori prej gjithë faqes së tokës një grusht dhé dhe e krijoi Ademin.”

Edhe nga ky hadith kuptohet se baza e Ademit është një koncentrat i tërë dherave të tokës. Allahu e ka krijuar atë nga sinteza e këtij koncentrati.

Në një hadith tjetër të përcjellë nga Ahmed b. Hanbel prej Enesit thuhet: “Pasi e krijoi Ademin, Allahu e la për një farë kohe aq sa deshi. Iblisi e shihte Ademin dhe filloi të thurë iluzione rreth tij. Dhe kur e pa bosh, e kuptoi se nuk do të bëhej një krijesë zotëruese e vetvetes.”

Ibn Hibban dhe Bezzari, autori i një Musnedi, përcjellin këtë hadith nga Enesi: “Kur Allahu i fryu Ademit nga fryma e tij, Ademi teshtiu dhe tha pas teshtitjes, “Elhamdulil’lahi Rabbilalemin!”, “Lavdi Allahut, Zotit të botëve!” Kurse Allahu ia ktheu: “Jerhamukellah”, “Allahu të dhëntë shëndet!”

Te Buhariu lexojmë këtë rivajet: “Allahu i Lartë e krijoi Ademin sipas fytyrës së Tij (si qendër të shfaqjes së të gjithë emrave të Tij) dhe me shtat 60 pash...”

Ahmed b. Hanbel përcjell këtë hadith prej Ebu Hurejres: “Njerëzit do të hyjnë në Xhenet në gjendjen e Ademit kur u krijua. Ai ishte lakuriq, pa qime, i ri, lëkurëbardhë, me sy të shkruar, me shtatin 60 pash dhe gjerësinë e shpatullave 7 pash.”

Shënimet

  1. 3.Buhari, Enbija, 1; Muslim, Rada, 61-62; Darimi, Nikah, 35; Musned, 5/88.
  2. 4.Për kuptimin e krijimit të Hz. Havasë prej brinjës së Hz. Ademit, shih F.Gylen, Lëkundjet që solli shekulli, përkthimi shqip.
  3. 5.Ibni Asakir, Tarihi Dimeshk, 7/404-405. Veçanërisht shih Buhari, Istizam, 1. Në një periudhë kur sipërfaqja e tokës ishte e mbuluar me pyje dhe kur nuk ishte formuar ende popullsia njerëzore, është normale që shtati i njeriut të ketë qenë i tillë. Në gjatësinë e shtatit të njeriut ndikojnë si klima dhe kushtet e sipërfaqes, ashtu dhe dendësia e popullsisë, e cila shkakton shkurtimin e shtatit. Ndërkaq, për ta mbajtur të gjerë kuadrin e kuptimit të çështjes, është mirë të mbahet parasysh edhe interpretimi i Ibni Haldunit, i cili thotë se Ademi mund të ketë pasur këtë shtat kur ka qenë në xhennet. Allahu e di se ç’është më e drejtë! 2. Njësia e gjatësisë së pashit merret sa gjatësia e parakrahut (rreth 40 cm.).
  4. 6.Tirmidhi, Tefsiru sure, 1-2; Ebu Davud, Sunnet, 16; Musned, 4/400-406.
  5. 7.Musned, 3/152.
  6. 8.Hejsemi, Mevaridu’z-Zem’an, I/508; Ibn Hibban, Sahih, 14/37, 41.
  7. 9.Buhari, Isti’zan, 1; Enbija, 1; Muslim, Xhennet, 28; Tirmidhi, Tefsiru’l-Kuran, 94; Mustedrek, 1/132.
  8. 10.Musned, 2/295, 343, 415.