ESE • PERSPEKTIVA • OPINIONE
Titulli origjinal: Essays, Perspectives, Opinions
M. Fethullah Gülen
ARTIKUJ TË PËRZGJEDHUR NGA FETHULLAH GYLEN
NJË PËRQASJE KRAHASUESE PËR ISLAMIN DHE DEMOKRACINË
Feja, në veçanti Islami, është bërë një nga temat më të vështira që i është nënshtruar gjykimit në vitet e fundit. Kultura bashkëkohore, nëse propozohet nga perspektiva e antropologjisë, psikologjisë ose psikanalizës, e vlerëson fenë me metoda empirike. Në njërën anë, feja është përjetim në vetvete dhe fenomen i ndjerë që, për pjesën më të madhe, lidhet me aspektet permanente të jetës. Në anën tjetër, besimtarët mund ta shohin fenë e tyre si një filozofi, si një formë të parimeve racionale ose thjesht si misticizëm. Vështirësia e ngritjes dhe e trajtimit të çështjes së Islamit qëndron në faktin që disa myslimanë dhe politikanë e konsiderojnë dhe e prezantojnë atë më shumë si një ideologji politike, sociologjike dhe ekonomike, sesa si një fe.
Nëse dëshirojmë ta analizojmë saktë fenë, demokracinë apo çdo sistem ose filozofi tjetër, duhet të fokusohemi tek natyra njerëzore dhe jeta njerëzore. Nga kjo perspektivë, feja në përgjithësi dhe Islami në veçanti, nuk mund të krahasohen në të njëjtat baza me demokracinë apo me çdo sistem tjetër politik, social ose ekonomik. Feja fokusohet së pari në aspektet e pandryshueshme të jetës dhe ekzistencës, ndërsa sistemet apo ideologjitë politike, sociale dhe ekonomike interesohen vetëm për ca aspekte të paqëndrueshme shoqërore të jetës sonë tokësore.
Aspektet e jetës me të cilat është e lidhur së pari feja, janë sot po aq aktuale sa ishin me lindjen e njerëzimit dhe do të vazhdojnë të
jenë të tilla edhe në të ardhmen. Sistemet tokësore ndryshojnë në përputhje me rrethanat dhe, si rrjedhojë, mund të jenë vlerësuar vetëm në pajtim me kohën e tyre. Besimi në Zot, jeta e përtejme, profetët, librat e shenjtë, engjëjt dhe fati hyjnor mbeten të njëjtë, pavarësisht nga ndryshimi i kohërave. Gjithashtu, standardet universale dhe të pandryshueshme të adhurimit dhe moralitetit kanë të bëjnë pak me kohën dhe jetën tokësore.
Prandaj, kur krahasojmë fenë ose Islamin me demokracinë, ne duhet të kujtojmë që demokracia është një sistem që zhvillohet dhe revizionohet vazhdimisht. Ajo gjithashtu ndryshon në përputhje me vendet dhe rrethanat ku është ushtruar. Në njërën anë, feja ka vendosur principe të pandryshueshme në lidhje me besimin, adhurimin dhe moralitetin. Prandaj, vetëm aspektet temporale të Islamit duhet të jenë të krahasueshme me demokracinë.
Qëllimi madhor i Islamit dhe i dimensioneve të tij të pandryshueshme ka të bëjë me normat e tij duke përcaktuar aspektet e ndryshueshme të jetës sonë. Islami nuk parashtron një formë të sigurt të pandryshueshme të qeverisjes ose të përpjekjeve për ta modeluar atë. Në vend të kësaj, Islami vendos principet fundamentale që orientojnë një karakteristikë të përgjithshme të qeverisjes, duke i lënë njerëzit të zgjedhin modelin dhe formën e saj në përputhje me kohën dhe rrethanat. Nëse ne e shohim çështjen nga ky këndvështrim dhe e krahasojmë Islamin me demokracinë moderne liberale të ditëve të sotme, do të jemi edhe më të aftë për ta kuptuar pozicionin e Islamit dhe demokracisë në lidhje me respektin ndaj njëri-tjetrit.
Idetë demokratike vijnë nga kohët e hershme. Demokracia moderne liberale lindi në Amerikë (1776) dhe me revolucionin francez (1789-1799). Në shoqëritë demokratike, popujt qeverisin vetveten siç kundërshtojnë të jenë drejtuar nga dikush më lart. Individi ka përparësi mbi komunitetin në këtë model të sistemit politik, duke qenë i lirë për të vendosur si ta jetojë jetën e tij ose të saj. Megjithëse individualizmi nuk është absolut. Njerëzit jetojnë një jetë më të mirë duke ekzistuar brenda një shoqërie dhe kjo kërkon që ata të korrigjojnë dhe kufizojnë liritë e tyre në përputhje me kriteret e jetës shoqërore.
Profeti thotë që të gjithë njerëzit janë të njëjtë si dhëmbët e një krehri. Islami nuk bën dallime të bazuara në racën, ngjyrën, moshën, nacionalitetin apo në veçoritë fizike. Profeti deklaronte: “Ju jeni të gjithë nga Ademi dhe Ademi është nga dheu. O shërbëtorë të Zotit, jini vëllezër (dhe motra)”!
Ata që kanë lindur më parë, që kanë më shumë pasuri ose pushtet se të tjerët, apo që bëjnë pjesë në familje ose në grupe etnike të sigurta, nuk kanë ndonjë privilegj të natyrshëm për të sunduar të tjerët.
Islami gjithashtu miraton parimet fundamentale në vijim:
Pushteti krijon përshtypjen e gabuar sikur e vërteta mbështetet te fuqia.
Drejtësia dhe normat e ligjit janë esenciale.
Liria e besimit dhe e drejta e jetës, pasuria personale, riprodhimi dhe shëndeti (mendor dhe fizik) nuk mund të dhunohen.
Jeta private dhe imuniteti individual duhet të jenë të paprekshëm.
Askush nuk mund të dënohet për një krim pa prova ose të akuzohet dhe ndëshkohet për krimet e dikujt tjetër.
Një sistem këshillimor i qeverisjes është esencial.
Të gjitha të drejtat kanë rëndësi të njëjtë dhe të drejtat e individëve nuk mund të sakrifikohen për hir të shoqërisë. Islami konsideron që një shoqëri të jetë ndërtuar me individë të ndërgjegjshëm të pajisur me vullnet të lirë dhe që kanë përgjegjësi për veten dhe të tjerët. Islami shkon një hap më tutje duke shtuar një dimension kozmik. Ai e vështron njerëzimin si “motorin” e historisë, në kundërshtim me mënyrat fataliste të disa filozofive perëndimore të historisë së shekullit të nëntëmbëdhjetë, të tilla si materializmi dialektik dhe historik. Pikërisht siç ndodh që vullneti dhe qëndrimi i çdo individi përcakton pasojat për jetën e tij ose të saj në këtë botë dhe në botën e përtejme, progresi ose rënia e një shoqërie përcaktohet nga vullneti, botëkuptimi dhe mënyra e jetës e banorëve të saj. Kurani shprehet:
“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë veten e tyre (besimi, pikëpamjet, stili i jetës).” (Kuran,13:11)
Me fjalë të tjera, çdo shoqëri e ka fatin në duart e veta. Tradita profetike thekson këtë ide: “Ju do të keni atë qeverisje që meritoni.” Ky është tipari themelor dhe fryma themelore e demokracisë dhe një ide që nuk bie në kundërshtim me asnjë parim islam.
Siç i vlerëson Islami individët dhe shoqëritë si përgjegjës të fateve të tyre, popujt duhet të jenë përgjegjës për qeverisjen e vetes. Kurani i drejtohet shoqërisë me fraza të tilla, si “o njerëz!” dhe “o besimtarë!” Detyrimet që përmbajnë sistemet demokratike moderne janë ato që Islami ka ngarkuar dhe rezervuar për shoqërinë, sipas rëndësisë, si “absolutisht të nevojshme, relativisht të nevojshme dhe të lavdërueshme për t’u zbatuar.” Teksti i shenjtë përmban pasazhet e mëposhtme:
“O ju që keni besuar, hyni të gjithë në paqe!” (Kuran, 2:208)
“Jepni pa u kursyer nga të mirat që keni fituar dhe nga ato që jua kemi nxjerrë Ne nga frytet e tokës...”(Kuran, 2:267)
“Nëse disa nga gratë tuaja janë akuzuar për imoralitet, ju duhet të keni katër dëshmitarë (për ta provuar atë)…” (Kuran, 4:15) “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt…” (Kuran, 4:58)
“...vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë për hir të Allahut edhe nëse është kundër (interesit) vetvetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve tuaj…” (Kuran, 4:135)
“Në qoftë se ata anojnë nga paqja, atëherë ano edhe ti nga ajo…” (Kuran, 8:61)
“Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje...” (Kuran, 49:6)
“Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet tyre, pajtojini ata!” (Kuran, 49:9)
Më shkurt, Kurani u adresohet të tërë bashkësive dhe lë pothuajse hapur të gjitha detyrat që janë vënë në sistemet demokratike moderne. Njerëzit bashkëpunojnë me njëri-tjetrin duke i ndarë këto detyra dhe duke vënë themelet bazë për t’i zbatuar ato. Qeverisja është kompozuar nga të gjithë këto elemente esenciale. Prandaj Islami propozon një qeverisje të bazuar në një kontratë sociale. Popujt zgjedhin administruesit dhe vendosin një këshill për të diskutuar çështjet e përbashkëta. Veçanërisht përgjatë sundimit të katër kalifëve të parë (632-661), parimet fundamentale të qeverisjes të përmendura më lart - duke përfshirë edhe zgjedhjet e lira - qenë respektuar plotësisht. Sistemi politik u transformua në një sulltanat pas vdekjes së Aliut, kalifit të katërt, për shkak të konflikteve të brendshme dhe të kushteve të përgjithshme në atë kohë. Ndryshe nga kalifati, pushteti i sulltanatit pati kaluar përmes familjes së sulltanit. Ndonëse zgjedhjet e lira nuk ishin mbajtur për një kohë të gjatë, shoqëria u përmbahej parimeve të tjera që gjenden sot në thelbin e demokracive liberale.
Islami është një fe përfshirëse. Ai është bazuar në besimin në një Zot si Krijuesi, Ushqyesi dhe Administruesi i universit. Islami është një fe për të tërë universin. Kjo do të thotë se mbarë universi u bindet ligjeve të vendosura nga Zoti. Gjithçka në univers është “islame” dhe i bindet Zotit duke iu nënshtruar ligjeve të Tij. Edhe një person që refuzon të besojë në Zot ose që ndjek një tjetër fe, ka për të qenë një mysliman me detyrim ngaqë ekzistenca fizike është e interesuar për këtë. E tërë jeta jonë, nga faza embrionale deri tek tretja dhe kthimi i trupit në hi pas vdekjes, çdo ind i muskujve dhe çdo gjymtyrë e trupit ndjekin rrjedhën e caktuar nga ligjet e Zotit. Prandaj në Islam, Zoti, natyra dhe njerëzimi nuk janë as të veçuar dhe as të papranueshëm për njëri-tjetrin. Zoti e bën të njohur Veten për njerëzimin përmes natyrës dhe vetë krijesës njerëzore dhe natyra dhe njerëzimi janë dy librat (e krijimit) përmes së cilëve çdo fjalë e Zotit është bërë e njohur. Kjo e drejton njerëzimin që ta shohë gjithçka si mall të të njëjtit Zot, të cilit ata vetë i përkasin dhe, për pasojë, duke mos vlerësuar asgjë në univers si të huaj. Pëlqimi, dashuria dhe thirrja e Tij nuk kufizohen në popujt e një race, ngjyre apo etnie të veçantë. Profeti e përmbledh këtë me porosinë: “O shërbëtorë të Zotit, jini vëllezër (dhe motra)!”
Një aspekt i veçantë por po aq i rëndësishëm është që Islami i njeh të gjitha fetë që kanë ardhur para tij. Ai i pranon që të gjithë profetët dhe librat e shenjtë që u dërguan për popuj të ndryshëm në epoka të ndryshme të historisë. Jo vetëm i pranon ato, por gjithashtu e vlerëson besimin tek ato si një princip esencial për të qenët mysliman. Në këtë mënyrë, Islami pohon unitetin thelbësor të të gjitha feve. Një mysliman është, në të njëjtën kohë, një ndjekës besnik i Ibrahimit (Abrahamit), Musait (Moisiut) dhe Davudit (Davidit), i të gjithë profetëve të tjerë hebrenj dhe i Isait (Jezusit). Ky besim shpjegon pse krishterët dhe çifutët u janë gëzuar të drejtave të tyre fetare që burojnë nga sundimi i qeverisjeve Islame përgjatë historisë!
Sistemi shoqëror islam kërkon të formojë një shoqëri të virtytshme dhe, si rrjedhim, të fitojë pëlqimin e Zotit. Ai njeh të drejtën dhe jo forcën në themel të jetës shoqërore. Armiqësia është e papranueshme. Marrëdhëniet duhet të bazohen në besim, dashuri, respekt reciprok, ndihmë dhe në mirëkuptim në vend të konflikteve dhe kërkimit të interesave personale. Edukimi shoqëror i nxit njerëzit të jenë në kërkim të idealeve të larta dhe të përpiqen për t’u përsosur, jo vetëm për të vrapuar pas dëshirave të tyre. Thirrjet e mbështetura në bashkimin dhe ndershmërinë sjellin ndihmë të ndërsjelltë dhe solidaritet dhe besimi siguron vëllazërinë. Duke inkurajuar shpirtin të arrijë përsosmërinë, sjellim lumturinë në të dy botët.
Demokracia ka përparuar së bashku me kohën. Ashtu siç ka përshkuar stade të ndryshme në të kaluarën, ajo do të vazhdojë të evoluojë dhe të përmirësohet edhe në të ardhmen. Gjatë rrugës, ajo do të jetë shndërruar në një sistem më të drejtë dhe human bazuar në drejtësinë dhe realitetin. Nëse krijesat njerëzore janë konsideruar si një e tërë, pa shpërfillur dimensionin dhe nevojat shpirtërore të ekzistencës së tyre dhe pa harruar që jeta njerëzore nuk është e kufizuar me këtë jetë të vdekshme dhe që të gjithë njerëzit lakmojnë amshimin, demokracia mund të arrijë kulmin e perfeksionit dhe të sjellë edhe më shumë lumturi për njerëzimin. Parimet islame të barazisë, tolerancës dhe drejtësisë mund ta ndihmojnë atë për ta arritur saktësisht këtë.
NË PRAG TË MIJËVJEÇARIT TË RI
Pikërisht si çdo agim dhe çdo pranverë që vjen simbolizon një fillim dhe shpresë të re, edhe një shekull dhe mijëvjeçar i ri shprehin të njëjtën gjë. Në këtë kontekst, brenda ingranazheve të kohës, mbi të cilat ne nuk kemi kontroll, njerëzimi ka kërkuar gjithmonë një shkëndijë të re të jetës, një erë të freskët si flladi i agimit, dhe ka shpresuar dhe dëshiruar të hedhë një hap në dritë duke lënë pas errësirën, sikur të ishte duke kapërcyer një prag.
Ne vetëm mund të hamendësojmë rreth shfaqjes së burrit dhe gruas së parë në tokë. Toka është e barasvlerësuar me qiellin meqë qielli nxjerr në pah krijimet hyjnore dhe sepse ai përmban domethënien ontologjike. Vlera e tokës rrjedh para së gjithash nga anëtari i saj: njerëzimi. Në përputhje me kalendarin që ne përdorim sot, jemi në prag të mijëvjeçarit të tretë pas lindjes së Jezusit (Isait), paqja qoftë mbi të! Meqë koha vërtitet dhe ecën përpara me një relativitet helikoidal, ka kritere të ndryshme për matjen e saj në botë. Për shembull, në përputhje me matjen e kohës që rëndom ka një pranim të përgjithshëm, bota është në prag të kapërcimit të një mijëvjeçari të ri. Në përputhje me kalendarin çifut, ne jemi tashmë në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të tetë. Brenda sistemit kohor hindu, ne jemi duke jetuar në epokën e Kali Jugas. Nëse ndjekim kalendarin islam, ne jemi duke iu afruar fundit të gjysmës së parë të mijëvjeçarit të dytë.
Ne, megjithatë duhet të kujtojmë se çdo matje e kohës është asgjë më shumë se një matje relative. Ndërsa një periudhë 100-vjeçare është pranuar të jetë masë për një shekull, ideja e shekullit 60-vjeçar, bazuar në gjatësinë e jetës të një personi të zakonshëm, gjithashtu ia vlen të përmendet. Nga kjo pikë vështrimi, ne jemi tashmë në mijëvjeçarin e katërt pas lindjes së Jezusit (Isait) paqja qoftë mbi të, dhe në mijëvjeçarin e tretë pas hixhretit (emigrimi i Profetit nga Meka në Medine), momenti nga fillon kalendari islam. Unë e ngrita këtë çështje sepse njerëzit nuk po ndjehen të qetë shpirtërisht, veçanërisht në Perëndim, për arsye të ogurit të tmerrshëm që besojnë se lidhet me ardhjen e mijëvjeçarit.
Njerëzit jetojnë gjithmonë me shpresë dhe prandaj ngjajnë fëmijë për të. Në çastin që ata e humbin shpresën, gjithashtu shuajnë “zjarrin” e jetës së tyre, nuk ka rëndësi nëse ekzistenca fizike vazhdon. Posedimi i shpresës është në proporcion të drejtë me posedimin e besimit. Ashtu si dimri vazhdon në një të katërtën e vitit, periudhat e jetës së një njeriu apo të një shoqërie që korrespondojnë me dimrin, janë relativisht të vogla. Mekanizmat e akteve hyjnore sillen rreth urtësive të kuptueshme dhe qëllimeve të mëshirshme. Këta na vënë në dijeni, tamam siç zhvendosjet e ditës dhe natës ndërtojnë shpresën dhe rilindin shpirtin e njeriut dhe çdo vit i ri vjen me mundësinë e pranverës dhe verës, që në jetën e një individi dhe në historinë e një kombi, periudhat shkatërrimtare janë të shkurtra dhe janë ndjekur nga kohë të gëzuara.
Ky cikël i “ditëve të Zotit” që është qendërzuar në Urtësinë Hyjnore, nuk është as i frikshëm dhe as tepër pesimist për ata që kanë besim, intuitë dhe konceptim të vërtetë. Më saktë, ai është një burim për refleksionet e vazhdueshme, kujtesën dhe lutjet e falënderimit për ata që kanë një zemër të zgjuar, një perceptim të brendshëm dhe aftësi për të dëgjuar. Në të njëjtën mënyrë si dita vjen nga zemra e natës dhe si dimri ushqen thellësitë e tokës me të cilat vjen pranvera, jeta e njeriut është pastruar, maturuar dhe jep frytet e saj të shpresuara brenda këtij cikli. Gjithashtu brenda këtij cikli, aftësitë njerëzore të dhëna nga Zoti bëhen prirje dhe talente, mendimi shkencor lulëzon si trëndafilat duke përparuar teknologjinë në bankën e punës së kohës dhe njerëzimi gradualisht i afrohet fundit të paracaktuar.
Duke qëndruar në këtë vështrim të përgjithshëm që nuk është as personal dhe as subjektiv, por i saktë në faktin objektiv të historisë njerëzore, nuk do të thotë që ne mirëpresim dimrin ose eventualitetet përkatëse që ngjajnë me të siç janë hidhërimet, sëmundjet dhe katastrofat. Pavarësisht prej faktit të përgjithshëm që sëmundja në fund të fundit rrit rezistencën e trupit, forcon sistemin imunitar dhe i jep shtytje progresit të mjekësisë, ajo është patologjike dhe e dëmshme. I njëjti gjykim vlen dhe për katastrofat tokësore dhe qiellore. Nga këndvështrimi teologjik dhe moral, ato janë rezultat i mëkateve dhe ndjenjave tona mbytëse që janë mjaft të mëdha për të tronditur tokën dhe qiejt, dhe prej përfshirjes në vepra që janë shpallur të ndaluara dhe përbuzjes ndaj ligjit dhe etikës (fetare ose laike). Edhe nëse këto sëmundje i zgjojnë njerëzit që të kuptojnë gabimet dhe neglizhencën e tyre dhe shkaktojnë zhvillimin e gjeologjisë, arkitekturës, inxhinierisë dhe treguesve që lidhen me ta, edhe nëse ato lartësojnë dashuritë e shkatërruara të besimtarëve në nivelin e dhembshurisë dhe vetë besimtarët në nivelin e flijimit, këto katastrofa i sjellin më shumë rrënim dhe dëme njerëzimit.
Në të njëjtën mënyrë, ne lexojmë në Kuran:
“Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat adhurohet Zoti.” (Kuran, 22:40)
Me fjalë të tjera, Zoti do të jetë aq pak i njohur për meshkujt dhe femrat që janë të prirur për të mos pohuar që gjithçka është superiore për vetë ata dhe që nuk besojnë që do të përgjigjen për veprat e tyre në botën e përtejme, do të kenë humbur plotësisht, për pasojë duke e bërë tokën të papërshtatshme për jetën njerëzore. Gjithashtu është dhe dispozita hyjnore:
“Ndoshta e konsideroni diçka si të keqe ndonëse ajo është e mirë për ju; ndoshta e konsideroni diçka tjetër si të mirë ndonëse është e keqe për ju.” (Kuran, 2:126)
Për shembull, lufta është e lejueshme. Ndonëse luftërat të bazuara në parime specifike dhe në synimin për të përmirësuar situatat ekzistuese, mund të jenë të dobishme, ato sjellin dëme, ato lënë pas shtëpi të rrënuara, familje të shkatërruara dhe vajtimin e jetimëve dhe grave të veja.
Përveç kësaj, realitetet e jetës nuk mund të jenë neglizhuar ose të jenë injoruar. Krijesat njerëzore janë pasqyrim i Emrave dhe Atributeve të Zotit dhe prandaj janë dalluar nga krijesat e tjera duke qenë vlerësuar me përgjegjësinë për ta bërë tokën të begatë me emrat e Tij. Nëse ata nuk kuptojnë urtësinë dhe qëllimet prapa çdo të mire ose të keqeje që ka ardhur në udhën e tyre nga Krijuesi i tyre, atëherë nuk mund t’i shpëtojnë dëshpërimit apo pesimizmit. Për njerëzit e tillë, siç mund të jetë vështruar në literaturën ekzistencialiste, jeta kthehet në një proces të pakuptimtë, ekzistenca në një zbrazëti të paqëllimtë, absurditeti në kriterin e vetëm, vetëvrasja në një akt të denjë dhe vdekja bëhet një realitet i pashmangshëm.
Natyra Thelbësore e Njerëzimit
Pasi paraqitëm çështjet që krijojnë bazat e kësaj teme si një hyrje, ne mund të ndryshojmë gjykimet në lidhje me mijëvjeçarin e tretë.
Historia njerëzore fillon me dy njerëz që përbëjnë esencën e njerëzimit dhe plotësuan njëri-tjetrin. Njeriu jetoi qetësisht gjatë kohës së nënës dhe babait të parë dhe familjeve që rridhnin prej tyre. Ata ishin një bashkësi që kishin të njëjtin pikëpamje dhe ndanin të njëjtën jetë dhe të njëjtin mjedis.
Që nga ajo ditë, esenca e njerëzimit ka qëndruar e pandryshuar dhe ashtu do të qëndrojë përsëri. Realitetet rreth jetëve të tyre, struktura fizike, karakteristikat kryesore, nevojat bazë, vendi dhe koha e lindjes dhe vdekjes, seleksionimi i prindërve dhe fizikut të tyre, cilësitë e bashkëlindura si edhe mjedisi natyror përreth, nuk kanë ndryshuar. Të gjitha këto kërkojnë disa realitete dhe vlera esenciale dhe vitale të pandryshueshme. Prandaj zhvillimi dhe ndryshimi i realitetit të dytë të jetës duhet të jetë bazuar në boshtin e këtyre realiteteve dhe vlerave themelore, kështu që jeta do të vazhdojë si një parajsë tokësore nën hijen e parajsës së vërtetë.
Ne përmendëm më sipër disa çështje që ngjajnë të jenë të dëmshme ose të pakëndshme. Gjithashtu, veçoritë njerëzore që duket të jenë të këqija, në fillim shkëlqejnë. Të tilla janë urrejtja, xhelozia, armiqësia, dëshira për të sunduar të tjerët, lakmia, zemërimi dhe egoizmi. Një krijesë njerëzore ka gjithashtu stimuj dhe nevoja të natyrshme që lejojnë vazhdimin e jetës tokësore të tij ose të saj, siç është nevoja për të ngrënë dhe për të pirë dhe stimujt e epshit dhe zemërimit. Të gjithë stimujt, nevojat dhe dëshirat njerëzore duhet të jenë orientuar dhe edukuar në drejtim të vlerave të përjetshme, universale dhe të pandryshueshme që u kushtohen aspekteve fundamentale të njerëzimit. Në këtë kontekst, nevoja për të ngrënë dhe për të pirë dhe dëshirat e bashkëshoqëruara me epsh dhe zemërim mund të jenë shfrytëzuar dhe transformuar në domethënien e së mirës absolute dhe relative.
Gjithashtu, egoizmi dhe urrejtja mund të bëhen burime të cilësive të bukura dhe të mirësisë. Xhelozia dhe rivaliteti mund të jenë shndërruar në një garë të veprave të mira dhe mirëbërëse. Ndjenja e armiqësisë mund të jetë transformuar në armiqësi kundër djallit, armikut më të madh të njerëzimit, dhe kundër ndjenjës së armiqësisë dhe urrejtjes për veten. Lakmia dhe pasioni mund të përdoren për të kryer vepra të mira pa u lodhur. Egoizmi mund të vërë në dukje aspektet e këqija të ndjenjave fizike (nefsit, egos), ndaj duhet të kërkojmë të edukojmë dhe të pastrojmë shpirtin dhe jo të shfajësojmë veprimet e këqija.
Të gjitha ndjenjat negative mund të jenë transformuar në burime të së mirës përmes përpjekjeve dhe edukimit. Në këtë mënyrë, njeriu arrin nivelin e “më të lartit ndër krijesat”, duke udhëtuar në rrugën e transformimit nga një krijesë njerëzore potenciale në një krijesë njerëzore të vërtetë dhe të përsosur, në simbolin, modelin dhe përfaqësuesin e vet më të mirë të krijimit dhe ekzistencës.
Pavarësisht nga ky fakt, realitetet e jetës njerëzore nuk ndjekin gjithmonë këto linja udhëzuese. Ndjenjat dhe veçoritë negative shpeshherë i thyejnë njerëzit duke dominuar me një shtrirje të tillë që, edhe fetë që i drejtojnë njerëzit tek mirësia dhe mirësjellja, janë nëpërkëmbur, jo për të lavdëruar ndjenjat dhe cilësitë që janë burim i së mirës absolute. Jeta njerëzore, në nivelin individual dhe të njerëzimit si një të tërë, është thjesht përmbledhje e përpjekjeve personale të brendshme dhe manifestimit të tyre të jashtëm. Këto drejtime përbëjnë shoqërinë, historinë dhe botën personale të individit në fushën e betejës, përpjekjeve, luftës, shtypjes dhe tiranisë. Si rrjedhim, është përgjithësisht krijesa njerëzore që vuan pasojat.
Ne gjithmonë vjelim frytet e veprave tona. Në periudhën e parë të historisë së tij, njerëzimi jetoi në lumturi si një shoqëri e bashkuar, anëtarët e së cilës ndanin gëzimet dhe hidhërimet e tyre. Por pastaj ata lidhën grykët dhe këmbët e tyre me një zinxhir të ndryshkur të formuar me vargonjtë e shtypjes; ky ishte rezultat i xhelozisë, makutërisë dhe lakmisë për të drejtat dhe pasurinë e të tjerëve. Pasoja ishte vrasja e Habilit nga Kabili (Abelit nga Kaini). Si rrjedhim, njerëzimi hyri shkallë-shkallë në udhën e përçarjes. Pavarësisht se mijëvjeçarët rrjedhin njëri pas tjetrit, ashtu si ditët, stinët, dhe vitet, ky “cikël” vazhdon akoma.
Mijëvjeçari i Dytë
Mijëvjeçari i dytë filloi me kryqëzatat dhe pastaj me invazionin mongol në botën islame, që në atë kohë ishte zemra e botës dhe historisë. Pavarësisht nga luftërat dhe shkatërrimet, pavarësisht nga krimet e kryera, nganjëherë në emër të fesë dhe nganjëherë në emër të epërsisë ekonomike, politike dhe ushtarake, ky mijëvjeçar shihet si kulmi i qytetërimit oriental, një qytetërim i bazuar në vlerat shpirtërore, metafizike, universale dhe të përjetshme, ndërsa qytetërimi perëndimor bazohet në shkencat fizike. Shumë zbulime gjeografike dhe shkencore ndodhën gjatë këtij mijëvjeçari.
Megjithatë, qytetërimi oriental dhe perëndimor ekzistonin të ndarë nga njëri-tjetri. Kjo ndarje, që nuk duhej të kishte ndodhur, ishte bazuar në faktin që i pari distancohej nga përpjekjet e inteligjencës dhe shkencës, ndërsa i dyti distancohej nga spiritualiteti, metafizika dhe vlerat e përjetshme dhe të pandryshueshme. Si rrjedhim, shekujt e fundit të mijëvjeçarit të dytë dëshmuan katastrofa që për ne janë të vështira për t’u kuptuar. Për shkak të rritjes së arrogancës dhe egoizmit tek njerëzimi, të nxitur nga aftësitë e tij, popujt do të përjetonin kolonializmin botëror, masakrat e egra, revolucionet që flijuan miliona jetë njerëzore, gjakderdhjet e paimagjinueshme dhe luftërat shkatërrimtare, diskriminimin racial, padrejtësitë e pafundme shoqërore dhe ekonomike dhe perdet e hekurta ndërtuar nga regjimet që me ideologjinë dhe filozofinë e tyre kërkonin të mohonin esencën, lirinë, vlerën dhe nderin e natyrës njerëzore. Gjithçka përmendëm më sipër dhe po ashtu disa shenja nga Bibla, janë arsyet e frikës që ka pushtuar perëndimin që bota përsëri do të përmbytet nga lumenjtë e gjakut dhe shkatërrimet. Ata janë plotësisht pesimistë dhe të shqetësuar për faktin se si do të rrjedhë ky mijëvjeçar i ri.
Shpresat Tona
Mjetet moderne të komunikimit dhe transportit e kanë transformuar botën në një fshat të madh global. Kështu, ata që besojnë dhe qëndrojnë të kufizuar në pikëpamjen që çdo ndryshim radikal në një vend përcaktohet për shkak të situatave të brendshme dhe jo nga influencat jashtë tij, janë jashtë realitetit të sotëm. Kjo është koha e marrëdhënieve interaktive. Kombet dhe popujt janë më shumë në nevojë dhe kushtëzohen nga njëritjetri, një situatë që shkakton afërsi në marrëdhëniet e ndërsjella.
Ky rrjet i marrëdhënieve që ka lënë pas periudhën e shëmtuar të kolonializmit dhe ekziston në bazë të interesit të ndërsjelltë, siguron përfitime edhe për pjesën e prapambetur. Përveç kësaj, në sajë të përparimit të teknologjisë, veçanërisht asaj elektronike dixhitale, grumbullimi dhe shkëmbimi i informacionit gradualisht po vjen duke u rritur. Si rezultat, individët dalin në ballë duke e bërë të pashmangshëm zëvendësimin e regjimeve shtypëse me qeveritë demokratike që respektojnë të drejtat e njeriut.
Ashtu siç çdo njeri, ndryshe nga kafshët, simbolizon të gjithë njerëzimin, të drejtat e individit nuk mund të jenë sakrifikuar për shoqërinë, dhe të drejtat shoqërore duhet të jenë të kushtëzuara nga të drejtat e individit. Kjo është arsyeja pse të drejtat dhe liritë themelore njerëzore që gjenden në fetë e reveluara ishin marrë në bordin e një perëndimi të sfilitur nga lufta. Këtyre të drejtave u është dhënë përparësi në të gjitha marrëdhëniet. E drejta e parë është ajo për jetën, e cila është dhënë nga Zoti dhe mund të merret vetëm prej Tij. Për të nxjerrë në pah rëndësinë e kësaj të drejte në Islam, ka një parim themelor në Kuran:
“... e kush e vret një njeri pa të drejtë, ai është si të kishte vrarë të gjithë njerëzit. E kush e ngjall (mbron dikë), është si të kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit.” (Kuran, 5:32)
Të drejta të tjera janë liria e fesë dhe e besimit, liria e mendimit dhe e shprehjes, e drejta e pasurisë dhe shenjtëria e familjes, e drejta për t’u martuar dhe për të pasur fëmijë, për të komunikuar dhe udhëtuar, dhe e drejta e arsimimit të lirë. Parimet e jurisprudencës islame janë bazuar në këto dhe në të drejta të tjera, të cilat tani të gjitha janë pranuar nga sistemet e ligjshme moderne, të tilla si mbrojtja e jetës, fesë, pasurisë, riprodhimit, intelektit si edhe kuptimi thelbësor i barazisë së popujve, që është bazuar në faktin që të gjithë popujt janë krijesa njerëzore dhe prandaj nuk pranohet diskriminimi për shkak të racës, ngjyrës dhe gjuhës. Të gjitha këto do të jenë – dhe duhet të jenë – bazat e domosdoshme të mijëvjeçarit të ri.
Unë shpresoj dhe besoj që bota e mijëvjeçarit të ri do të jetë lumturisjellëse, do të jetë më e drejtë dhe më e mëshirshme, në kundërshtim me frikën e disa popujve. Islami, krishtërimi dhe hebraizmi, rrjedhin të gjitha nga e njëjta rrënjë, të gjitha kanë në mënyrë thelbësore të njëjtën bazë besimi dhe janë ushqyer nga i njëjti burim. Megjithëse ata kanë jetuar si fe rivale për shekuj me radhë, pikat e përbashkëta dhe ndarja e përgjegjësive për të ndërtuar një botë të lumtur për të gjitha krijesat e Zotit, e bën të nevojshëm dialogun ndërfetar në mes tyre. Ky dialog tani është shpalosur për të përfshirë dhe fetë aziatike dhe të zonave të tjera. Rezultatet janë pozitive.
Siç u theksua më sipër, ky dialog do të zhvillohet si një proces i nevojshëm dhe ndjekësit e të gjitha feve do të gjejnë rrugët për t’u bërë të afërt dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin.
Gjeneratat e shkuara dëshmojnë një përleshje të ashpër që kurrë nuk duhet të zërë vend: shkenca kundër fesë. Ky konflikt që i jep krah ateizmit dhe materializmit, ka ndikuar më shumë se në çdo fe tjetër te krishtërimi. Shkenca nuk mund ta kundërshtojë fenë, qëllimi i saj është të kuptojë natyrën dhe njerëzimin, që janë secili një kompozim i manifestimeve të Atributeve të Zotit si vullneti dhe fuqia. Feja e ka burimin e saj në Atributin Hyjnor të shprehjes, që ishte shprehur në rrjedhën e historisë njerëzore në shkrimet e shenjta, të tilla si Kurani, Ungjijtë, Dhiata e Vjetër dhe e Re dhe të tjera që kanë qenë reveluar nga profetët e vërtetë duke filluar nga Ademi. Në sajë të përpjekjeve të studiuesve dhe teologëve të krishterë dhe myslimanë, duket që konflikti midis fesë dhe shkencës që ka vazhduar për pak shekuj, do të vijë në një fund, ose më e pakta absurditeti i tij do të jetë më në fund i pranuar.
Fundi i këtij konflikti dhe një formë e re e edukimit që i bashkëngjit njohuritë fetare dhe shkencore me moralitetin dhe spiritualitetin, do të krijojë njerëz vërtet pa paragjykime me zemrat të ndriçuara nga shkencat fetare dhe spiritualiteti, me mendjet e ndriçuara nga shkencat pozitiviste, të karakterizuar nga të gjitha llojet e meritave njerëzore dhe vlerat morale, kompetentë për kushtet social-ekonomike dhe politike të kohës së tyre. Bota jonë e vjetër do të përjetojë një “pranverë” të çuditshme përpara vdekjes së saj. Kjo pranverë do të shohë hendekun e ngushtuar midis të pasurve dhe të varfërve; pasuritë e botës do të shpërndahen më me drejtësi, në përputhje me punën, kapitalin dhe nevojat; nuk do të ketë diskriminim të bazuar në racën, ngjyrën, gjuhën dhe botëkuptimin; liritë dhe të drejtat themelore njerëzore do të jenë të mbrojtura. Individët do të dalin në krye dhe duke mësuar se si të shfrytëzojnë mundësitë e tyre, do të fluturojnë në udhën për t’u bërë “krijesa njerëzore më e lartësuar” me krahët e dashurisë, dijeve dhe besimit.
Në këtë pranverë të re, kur progresi shkencor dhe teknologjik është marrë në konsideratë, njerëzit do të kuptojnë që nivelet e sotme të shkencës dhe teknologjisë i ngjasojnë stadit të jetës të një foshnje që është mësuar të ecë këmbadoras. Njerëzit do të organizojnë udhëtime në hapësirë thjesht sikur të ishin duke shkuar në një vend tjetër. Udhëtarët në rrugën e Zotit, të devotshmit e dashurisë që nuk kanë kohë për armiqësi, do të mbajnë brenda shpirtit të tyre frymëzimin për botët e tjera.
Po, kjo pranverë do të lulëzojë në themelet e dashurisë, dhembshurisë, mëshirës, dialogut, pranimit të të tjerëve, respektit të ndërsjellët, drejtësisë dhe të drejtave. Ajo do të jetë koha kur njerëzimi do të zbulojë esencën e tij të vërtetë. Mirësia dhe mirësjellja, drejtësia dhe virtyti do të formojnë bazën esenciale të botës. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh, bota do të vijë herët ose vonë në këtë udhë dhe asnjë nuk mund ta ndalojë këtë.
Ne, lutemi dhe shpresojmë se Mëshira e Pafundme nuk do t’i lërë shpresat dhe pritjet tona pa përgjigje!
Shënimet
- 2.el-Dejlemi, el-Firdeus, 133-38.
- 3.Fragment nga hutbeja e lamtumirës e profetit Muhamed mbajtur në haxhin e tij të lamtumirës para mëse njëqind mijë myslimanëve.
- 4.shih. Karl R. Popper, The Poverty of Historicism.
- 5.el-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6:89.