JETA PAS VDEKJES
Titulli origjinal: Ölüm Ötesi Hayat
M. Fethullah Gülen · Përktheu Dr. Mithat Hoxha
VËMENDJA E TREGUAR EDHE PËR GJËRAT MË TË THJESHTA
Kam mendimin se rreth kësaj çështjeje, parashtrimi i vetëm një shembulli të vogël është i mjaftueshëm.
Celuloza përbën njërin nga elementët kryesorë të lëndës drusore.
Celuloza e cila përdoret në lëndë të ndryshme industriale, zë një vend të veçantë në industrinë e letrës. Me elasticitetin e saj karakteristik celuloza i jep mundësi drurit të përkulet pa u thyer.
Ajo është shumë e vështirë për t’u tretur dhe për t’u përvetësuar nga organizmi. Celuloza nuk tretet në stomakun dhe zorrët e njeriut. Vetëm enzimat që sekretohen te kafshët ripërtypëse mund ta zbërthejnë lëndën celulozoike. Celuloza shndërrohet në trupin e kafshëve në lëndë të dobishme, nga e cila përfitojmë edhe ne. Madje fekalet e kafshëve i përdorim me përfitim si pleh organik. Kafshët punojnë pothuaj si fabrikë për ta shndërruar celulozën në lëndë të dobishme.
Ndërkaq, kafshët nuk munden ta hanë të gjithë lëndën celulozike që ekziston. Celuloza që bie në tokë, falë veprimtarisë së baktereve të caktuara, thërrmohet dhe sillet në gjendje molekulare. nga njëra anë toka përfiton nga këto, nga ana tjetër sipërfaqja e tokës shpëton prej lëndëve me kundërmim të keq dhe pastrohet.
Nuk duhet t’i nënvleftësojmë bakteret duke folur për to si për diçka pa ndonjë vlerë të veçantë. Le të mendojmë vetëm kaq: Po qe se njerëzit e vdekur nga Profeti Ademi e këtej, po qe se kafshët e ngordhura dhe bimët e thara e të rrëzuara qysh nga krijimi i botës e gjer më sot, nuk do të ishin kalbur, a do të ekzistonte më jeta sot, a do të mbetej më sot shenjë jete? Madje nuk është nevoja për ta zgjatur çështjen kaq. Po qe se mizat e dy-tre vjetëve nuk do t’i nënshtroheshin procesit të dekompozimit, sipërfaqja e tokës do të mbulohej me një shtresë mizash të trashë disa centimetra dhe njeriu nuk do të gjente dot vend ku të hidhte hapin!
Siç shihet, Zoti u jep mundësi qenieve më të vogla për të kryer punë të mëdha. Me anë të miliona baktereve që ndodhen në një grusht dhé, kryhet detyra e pastrimit të sipërfaqes së tokës.
Ja kështu, Allahu (xh.xh.) që nuk i lë kot celulozën dhe bakteret, që u jep rëndësi të madhe këtyre qenieve të thjeshta e të vogla, si mund ta lërë kot një qenie të tillë si njeriu që është mbreti i gjithësisë? Kjo, kurrë s’është e mundur!
ARGUMENTE, ARGUMENTE DHE PRAPË ARGUMENTE...
Po qe se një plagë e hapur në trup mbyllet, zë kore pastaj e hedh atë duke e shëruar vetveten, kjo argumenton se në organin ose gjymtyrën ku ndodhet plaga, ka jetë.
Fruti tregon pemën që e prodhon atë frut. Gjurmët në rrugë tregojnë për atë që ka ecur në atë rrugë. Po qe se në vendet ku kalojmë e shëtisim ka rrjedhje uji, kjo do të thotë se aty ka vija uji. Edhe te njeriu ka gjurmë të tilla, rrjedhje të tilla dhe shërime të tilla që ai që e vëren atë, e ka të pamundur të mos shohë te ai jetën tjetër, ahiretin!
Nga i erdhi njeriut të shtrënguar mes kallëpesh të kufizuar e të ngushtë, ideja e pafundësisë dhe e përjetësisë? Nuk mund të thuhet se ai e ka nga vetja këtë mendim. Në këtë gjithësi e në këtë botë nuk ka as edhe ndonjë qenie që t’ia frymëzojë atij këtë gjë. Në është kështu, atëherë themi se kjo ndjenjë te ai është, në fakt, një nga mesazhet e dërguara nga gjithësi dhe botë të tjera. Siç është kategorik argumenti se atje ku ka lagështirë dhe rrjedhje uji, ka një linjë uji apo ujësjellës, ashtu është kategorik edhe argumenti se gjurmët e botëve të tjera tregojnë për ato botë.
Me karakterin madhështor të botës së tij të brendshme, njeriu arrin fryte që nuk i arrin dot në botën materiale. Njeriu entuziazmohet në atë mënyrë, botës dhe gjërave të saj ua kthen shpinën në atë mënyrë dhe del mbi vanitetet (çdo gjë përveç Allahut), në atë mënyrë që gjendja ku arrin dhe cilësia që fiton i tregojnë për marrëdhëniet me një qenie që qëndron mbi mundësitë dhe caqet e kësaj bote të kufizuar. Kjo botë e kufizuar, e shembshme dhe e fundme, argumenton ekzistencën e një bote të kundërt me të, pra të pakufizuar, të pashembshme e të pafundme. Me gjendjen e saj të posaçme, çdo qenie, nga njëra anë tregon për të zotin e saj dhe, nga ana tjetër, aludon për meritat e botës tjetër.
Në trupin e njeriut qelizat vendosen pranë e pranë dhe formojnë lidhje e bashkëpunim me njëra-tjetrën, shkojnë në ndihmë të një dëmtimi në ndonjërën prej tyre, trupi funksionon si një e tërë e përbërë prej qarqesh të ndryshme që funksionojnë më vete dhe kur duhet, qarqet bashkëpunojnë për ta përballuar armikun, pastaj për ta sulmuar, përzënë dhe asgjësuar. Në të njëjtën mënyrë, nga trupat më të vegjël qiellorë, gjer te nebulozat më të mëdha, tërë gjithësia është si një trup i vetëm i përbërë prej organesh dhe gjymtyrësh që diku pulsojnë si zemër në gjoks të gjithësisë, diku shpërthejnë e shpërndajnë dritë, diku mblidhen e diku zgjerohen. Ndoshta ekziston një engjëll dorëzanës për tërë gjithësinë që është fryma dhe shpirti i gjithësisë. Me cilësinë e saj të shkëlqyer e madhështore dhe si qenie e gjallë në individualitetin e njeriut që është modeli i saj i vogël, gjithësia shërben si pasqyrë e emrave të Zotit. Krejt siç ndodh me gjymtyrët e njeriut, edhe gjithësia plagoset dhe i shëron plagët e saj. Ajnshtajni thotë: “Me një fshehtësi që nuk mund ta dimë, në skajet e largëta të gjithësisë formohen vazhdimisht trupa të rinj...” Sigurisht, pas ngritjes së këtij pallati të quajtur gjithësi ose univers, Zoti do ta plotësojë atë si një trup njeriu, kurse ajo do të vazhdojë të funksionojë gjersa ta mbarojë detyrën e saj.
Kjo botë do të pulsojë si një zemër, do të shohë si një sy dhe do të shpërndajë dritë si një diell, gjersa detyra e njerëzve të marrë fund. Detyrën që i është ngarkuar, kjo botë do ta kryejë me pamjen dhe qëndrimin e një besimtari të vetëdijshëm, prandaj dhe do t’i meremetojë vendet e prishura ose do të bëjë shtesa në vend të atyre që janë dëmtuar dhe kanë dalë jashtë funksionit dhe kjo do të vazhdojë kështu gjersa të marrë fund detyra e saj, pra, dhe të shkatërrohet, dhe, pastaj, në një skaj tjetër të gjithësisë, do të ngrihet një botë tjetër për të cilën aludon kjo botë dhe si alternativë e kësaj.
Ne nuk mundemi t’i njohim dhe t’i zotërojmë me kompetencë në tërësi materien, dukuritë dhe ngjarjet. Ne sillemi mes tyre si spektatorë dhe dëshmitarë që nuk kuptojnë nga gjendja dhe gjuha e tyre. Prandaj dhe nuk e dimë ende se ç’gjëra ndodhin dhe nga ç’gjëra. Ndoshta, po qe se një ditë e rrokim frymën dhe shpirtin e materies, ngjarjeve dhe dukurive, e zotërojmë plotësisht dhe me kompetencë cilësinë e formimit dhe ekzistencës së tyre, atëherë do të na hapen dyert për të përfituar maksimalisht, veç të tjerash edhe nga mikrobet që na i kanë ngritur kurth jetës. Atëherë ndoshta, do të ngremë fabrika që prodhojnë mikrobe të ndryshme dhe do të kemi zbuluar më të madhin burim të ardhurash për vendin! Por në këtë çast ne jemi në pozitën e njeriut që vetëm e sodit lumin që rrjedh pa qenë në gjendje të përfitojë nga aspektet e ndryshme të tij. Po, materia, dukuritë dhe ngjarjet vazhdojnë ecurinë e tyre si lumi që rrjedh, kurse ne vetëm i sodisim. Mirëpo i Dërguari i Allahut (s.a.s.), në një lutje të tij, ka kërkuar nga Zoti që të mund t’i zotërojë me kompetencë materien, ngjarjet dhe dukuritë, duke u shprehur kështu: “Allahu im, ma trego mua të vërtetën e materies!” Njëri prej horizonteve ideale për njeriun dhe, mbase, më i pari, është fitimi i cilësisë për ta njohur dhe zotëruar me kompetencë të vërtetën e materies, ngjarjeve e dukurive! Ja pra, po qe se gjithësia do të shqyrtohej me këtë cilësi (me cilësinë e zotërimit me kompetencë të së vërtetës së materies, ngjarjeve e dukurive), atëherë, pas çdo gjëje materiale ose pjese të materies, pas dukurive e ngjarjeve, pas një perdeje të hollë, do të duket dhe vëzhgohet jeta e pasme.
Në tokë janë bashkë gjembi me trëndafilin, bilbili me korbin. Gjërat që në esencë duken si antagonistë të njëri-tjetrit, e plotësojnë njëri-tjetrin, alternativin e vet. Në gjithësi nuk ka asnjë gjë, asnjë dukuri e asnjë ngjarje boshe e të kotë. Për shembull, sikur t’i asgjësonim të gjithë qentë që gjenden mbi tokë, në gjithësi do të krijohej një boshllëk. Dikur, një mendimtar perëndimor pati njoftuar me anë të një shkrimi gazete se një lloj zogu apo shpendi kishte filluar të pakësohej e asgjësohej, gjë që do të shkaktonte një të çarë me rëndësi në univers.
Në ecurinë normale të gjithësisë, çdo gjëje dhe çdokujt i bie një detyrë e caktuar. Për këtë arsye, çfarëdo që të hiqni nga gjoksi i gjithësisë, në vendin e saj do të formohet një boshllëk, një pështjellim dhe kjo gjendje do të informojë me gjuhën e saj kështu: “Në gjithësi u formua një boshllëk”!
Sipas Buhariut dhe Muslimit, profeti Muhamed (s.a.s.) ka thënë: “Sikur qentë të mos ishin një popullatë më vete, do të kisha urdhëruar të vriteshin të gjithë!” Edhe qentë, ashtu si njerëzit, janë një popullatë (biologjike) më vete. Edhe popullata e qenve ka marrë përsipër detyra të mëdha dhe zë vendin e vet të pazëvendësueshëm në gjithësi. Ndoshta, qentë që i sulmojnë njerëzit, që pengojnë hyrjen e engjëjve nëpër shtëpi dhe që është bartës i një sërë mikrobesh të dëmshme për trupin dhe shëndetin e njeriut, do të duhej të vriteshin gjer në asgjësim. Por nuk vriten e nuk asgjësohen, sepse edhe ata kanë vendin e tyre në pallatin e gjithësisë. Thelbësore është jo të vriten e të asgjësohen qentë, por të njihet vendi i tyre në gjithësi dhe të vihen ata në vendin që u takon. Po të vriten e të asgjësohen, do të shkaktohet një dëm i madh i papërballueshëm e i pakompensueshëm.
Po qe se asgjësohen bakteret e bimëve, pas disa vjetëve mbi frutat do të bien fatkeqësi të tilla që do të jetë e pamundur të shpëtohen. Me anë të qenieve që janë antagonisti dhe alternativi i njëra-tjetrës, Zoti ka ngritur një regjim rregulli dhe ekuilibri në gjithësi. Po qe se ju zhdukni njërin antagonist dhe alternativ, do të mbeteni ballëpërballë me invazionin e antagonistit dhe alternativit tjetër.
Sigurisht, gjithësia është një ndërtesë e tillë, gurët përbërës të së cilës janë të lidhur e të ndërvarur nga njëri-tjetri. Po qe se ju shkon mendja të hiqni një gur prej saj, do të bëni që ndërtesa t’ju shembet mbi krye!
Në mënyrë të veçantë, në dukuritë dhe ngjarjet sundojnë ciklet ose regjimi ciklik. Një shkencëtar ka zbuluar dhe përcaktuar se te të lashtat, prodhimet më të mëdha merren në cikle shtatëvjeçare, kurse te peshqit, në cikle katërmbëdhjetëvjeçare. Po qe se çështja e regjimeve ciklike do të shqyrtohej dhe njihej në mënyrë plotësisht shkencore, shumë probleme ekonomike e shoqërore të njerëzimit do të zgjidheshin. Në Kuran dhe veçanërisht në suren Jusuf, aludohet mbi këtë çështjen e cikleve e të regjimit ciklik. Fakti që ciklet funksionojnë dhe përsëriten në mënyrë të rregullt, aludojnë dhe vërtetojnë faktin se edhe jeta e kësaj bote është një cikël ose pjesë e një regjimi ciklik. Një ditë, cikli i jetës mbi tokë do të marrë fund dhe do të fillojë një cikël tjetër. Njeriu që jeton në këtë botë mes begatisë e bollëkut, do të jetojë edhe jetën e varrit që bart kuptimin e ngushticës, mospasjes, zisë dhe urisë. Pas saj, njeriu do të kalojë ciklin e ringjalljes dhe në ciklin tejet të vështirë të llogaridhënies. Pastaj do të vijë cikli i kalimit nëpër të ashtuquajturin Sirat, do të arrijë në Xhenet, nëse do të arrijë dot aty, dhe do ta shohë bukurinë e mundshme për t’u parë të Zotit. Por në të mirat e dhëna ose, në të kundërt, në mundimet e hequra, nuk do të ketë ambientim. Edhe në Xhenet apo Xhehenem, njeriu do të përballet me cikle të ndryshme.
Adijj b. Hatem (r.a.) ka qenë i biri i njeriut më bujar në botë, Hatem Taiut. Në fillim pati ndjekur krishterimin, pastaj pati gjetur fenë e vërtetë, Islamin. Ai thotë kështu: “I Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati njoftuar disa ngjarje përkatëse të kësaj bote para se të ndodhnin. Veç kësaj, pati njoftuar edhe ngjarje përkatëse të jetës tjetër, ahiretit. Njoftimet që kishin lidhje me këtë botë u vërtetuan identikisht. Nga kjo kuptoj se edhe njoftimet e tij mbi jetën tjetër, ahiretin, do të vërtetohen në të njëjtën mënyrë”!
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) qe lutur kështu për Enesin (r.a.): “Allahu im, jepi jetë të gjatë dhe shumë fëmijë! Dhe fute këtë në Xhenet!” Enesi (r.a.) jetoi mbi njëqind vjet dhe, siç tregon vetë, njëqind bij të barkut të vet i varrosi me duart e veta! Enesi (r.a.) thoshte: “Dy nga lutjet që pati bërë për mua i Dërguari i Allahut, i pashë të realizohen; edhe për të tretën kam shpresë!”
Ne jetojmë brenda një bote ciklesh të vendosura nga Zoti. Mirëpo bota jonë e këtushme mbaron si një vjershë e parimuar. Bota tjetër do ta plotësojë rimimin e kësaj bote. Realizimi identik i njoftimeve të dhëna (të paralajmëruara) për këtë botë vërteton plotësimin edhe të një ngjarjeje që do t’i gëzojë besimtarët dhe do t’i hidhërojë mohuesit.
Sapo të lindë, njeriu fillon të jetojë në një anë e, të vdesë, në anën tjetër. Çdo lindje është lajmëtari i një vdekjeje dhe çdo vdekje është lajmëtari i një lindjeje. Po qe se në përfundim nuk do të ketë një lindje të përjetshme, njeriu është qenia më fatkeqe e tokës. Për rrjedhojë, njerëzit më fatkeqë ndër njerëz do të duhej të konsideroheshin profetët dhe, ndër profetët, Profeti Muhamed (s.a.s.)! Kurse ai është shkaku i krijimit të të gjithë njerëzimit. Pema njerëzore është mbjellë për të dhënë atë frut. Çdo ngjarje qysh nga dalja e njeriut mbi tokë e gjer te profetët që kanë dalë mes njerëzve, e vërteton jetën tjetër, ahiretin, si rezultat përfundimtar.
Veçanërisht, të gjitha argumentet që vërtetojnë Allahun si Zot, Muhamedin si profet dhe Kuranin si fjalë të Allahut, e vërtetojnë, në të njëjtën kohë, edhe jetën tjetër, ahiretin! Sepse besimi është një e tërë dhe nuk pranon fragmentim dhe pjesëtim.
HISTORIA DHE FILOZOFIA THONË: “KA JETË TË MBRAME”!
Po qe se historia trajtohet nga këndvështrimi i besimit mbi ringjalljen dhe jetën tjetër, vihet re se nga njeriu i parë e gjer në ditët e sotme, ka ekzistuar dhe ekziston në përmasa botërore një besim mbi ringjalljen dhe jetën tjetër. Will tregon se në historinë e qytetërimit, opinionet e popujve e të kombeve të ndryshëm mbi ringjalljen pas vdekjes janë zbuluar, identifikuar dhe përcaktuar në mënyrën e varrosjes, në shkrimet murore, në pikturat dhe portretet në muret e korridoreve të shtëpive. Edhe faraonët, madje, njerëzit më materialistë të botës, e trajtonin çështjen e ringjalljes pas vdekjes. Në gërmimet në varret e faraonëve janë gjetur fjalë me këtë kuptim: “Pas vdekjes, fajtorët dhe mëkatarët do të mbeten përjetësisht nën tokë të shndërruar në pamje të shëmtuara, kurse shpirtrat e pastër do të bashkohen me engjëjt dhe do të jetojnë mes shpirtrave të lartë!”
Për shkak të këtij besimi dhe të kësaj bindjeje faraonët varroseshin bashkë me ushqime, pije, veshje të bukura dhe stoli. Ishte, krahas thyerjes shpirtërore, edhe besimi në ringjalljen dhe jetën tjetër si botëkuptim që i çonte ata në veprime të tilla. Veçanërisht ata bënin me porosi në muret e varreve piktura peshqish e gjarpërinjsh duke besuar se zotave u pëlqenin këto. Edhe ky besim vërteton se ata ishin të bindur se pas vdekjes fillonte një jetë tjetër. Ata ishin të bindur se, me vizatimet dhe pikturat në fjalë, do të fitonin pëlqimin e zotave dhe kështu do t’ia kalonin mirë në botën tjetër.
Janë edhe “librat e porosive të vdekjes”, ose shkurt testamentet të groposura bashkë me të vdekurin, ku përmbahen porositë e tij, si dhe epitafet që përmbajnë edhe lutje për të vdekurin. Tekstet e epitafeve janë shpesh monologje të të vdekurit me përmbajtje të tilla, si: “Përshëndetje ty, o Zot i lartë! Po të dal para për të ta parë bukurinë. Ki mirësinë të më lejosh të ta shoh bukurinë, se atë po pres. Unë s’i kam bërë të keqe askujt. Nuk kam tradhtuar askënd. Nuk i kam shkaktuar lot askujt. Nuk e kam shtrënguar askënd dhe nuk kam ushtruar forcën mbi askënd. Të dola para për të ta parashtruar dëshirën time të vetme që të ta shoh bukurinë. Ky është i vetmi halli im!..” Epitafe të tilla na flasin për besimin mbi ringjalljen dhe jetën tjetër në ato kohë.
Megjithëse njerëzit kanë dalë në vende të ndryshme, në kushte kulturore të veçanta dhe në kohë veç e veç nga njëra-tjetra, po ta trazojmë varrin e secilit, do të dëgjojmë të njëjtën thirrje pa zë të së kaluarës: “Përjetësi, përjetësi!..”
Shehristani na përcjell që Zarathustra të ketë thënë kështu: “Njeriu është dërguar në botë me detyrë. Ata që e kryejnë mirë këtë, do të pastrohen dhe do të bashkohen me banorët e botës së lartë, kurse ata që s’e kanë kryer detyrën, do të mbeten të dënuar përjetësisht në fund të dheut!”
Ç’është e vërteta, këto fjalë, duke u përkthyer herë pas here dhe qysh prej kohësh, janë larguar nga teksti origjinal, kurse kuptimi ka mbetur po ai dhe kjo është e rëndësishmja!
Ashtu si faraoni në Egjipt që, me gjithë faraonizmin e tij, përpiqej të fitonte pavdekësinë, ashtu dhe në Iran Zarathustra dhe ndjekësit e tij luftonin për të njëjtën çështje!
India është vendi ku ka qindra fe. Ndoshta njerëzit e mëdhenj të rritur dhe formuar brenda të njëjtës fe, më pas duke u larguar nga kuptimi bazë dhe natyra e saj, janë vlerësuar dhe trajtuar si themelues të feve të veçanta, gjë që është bërë shkak për daljen në shesh të kaq shumë feve. Ndërkaq, është një çast i vetëm që i bashkon të gjitha këto fe ose, më saktë, bindje fetare: besimi dhe bindja mbi pavdekësinë e shpirtrave. Rimishërimi i shpirtrave që është një bindje në kundërshtim me Islamin, është sundues në Indi. Me këtë aspekt, bindja e tyre fetare është e gabuar. Ndërkaq, edhe vetë kjo bindje ka variantet e saj sidomos në lidhje me cilësitë e shpirtrave që pësojnë apo jo rimishërim duke ndërruar kurmin. Pavarësisht nga kontradiktat mes bindjeve të ndryshme, edhe tek ata është një moment i përbashkët: më në fund, shpirtrat, pasi t’i kryejnë të gjitha ciklet, do të fitojnë maturinë e duhur dhe përjetësinë.
Buda nuk e pranon dot vuajtjen e shpirtrave brenda ciklit. Sipas tij, shpirtrat nuk kalojnë ndonjë cikël. Ndoshta një cikël mund të ketë në fillim. Por esenciale është arritja dhe mbështetja e shpirtrave te Nirvana. Kjo do të thotë kthim i trupit te Zoti absolut.
Po qe se shqyrtohet me kujdes krejt letërsia indiane, do të shihet se në të ka pikuar pika-pika besimi mbi ringjalljen dhe përjetësinë, ose shkurt, besimi mbi pavdekësinë e njeriut. Djegia e kufomës ka lindur si pasojë e besimit mbi rimishërimin. Ndoshta qëllimi është që të pengohet shpirti për t’u kthyer edhe një herë tjetër në kufomën e vjetër në mënyrë që të mos rivuajë mundimet e vuajtura një a disa herë më parë. Edhe kjo bindje, madje, është argument i besimit mbi ringjalljen dhe jetën e pasme, ahiretin.
Poeti dhe historiani grek, Homeri, bën fjalë shpesh mbi strehimin e shpirtrave. Ai pranon se shpirtrat që e shfaqin veten këtu duke veshur kufoma apo kurme të përshtatshme ndaj kësaj bote, kanë strehime edhe në vende të tjera.
Njëri nga ata që diskutojnë mbi çështjen e ringjalljes dhe llogaridhënies në botën tjetër, është edhe Pitagora. Sipas tij, po qe se një frymë është e pastër, bashkohet me qeniet e larta të botës së lartë. Në të kundërt, do të mbetet i burgosur në tokë i rrethuar nga të gjitha anët me flakë. Njerëzit do të ringjallen me individualitetet dhe personalitetet e tyre, jo brenda personalitetit të tjetrit, por secili brenda personalitetit të vet origjinal. Ndërkaq, kjo rilindje do të jetë materiale (trupore), qoftë e tejdukshme ose e patejdukshme.
Sokrati nuk ka ndonjë libër të vetin. Të gjitha idetë dhe mendimet e tij i përcjell Platoni. Fundja, njëri ndër shkaqet që çuan në ekzekutimin e Sokratit me vdekje, ishte besimi në ringjalljen dhe jetën tjetër dhe përçimi i këtyre ideve te rinia. Kurse Platoni është mbrojtësi i tij. Ai sjell shumë argumente rreth kësaj çështjeje. Le t’i parashtrojmë disa prej tyre:
Argumenti i natyrës dhe virtytit. Njeriu është lindur për virtyt. Për t’u bërë i virtytshëm, njeriu duhet të largohet nga ndjenjat kafshërore dhe epshore. Por kjo është për njeriun privim. Kjo do të thotë ndarje e frymës (egos) nga trupi. Atëherë, pranimi nga njeriu i një privimi të tillë në kundërshtim me egon e vet është argument i ekzistencës së një jete, me të cilën ai do të shpërblehet dhe lartësohet më pas.
Argumenti i vargut të të kundërtave. Në këtë botë, të kundërtat ndjekin njëra-tjetrën: pranverën e ndjek dimri dhe dimri, pranverën; errësirën e ndjek drita dhe dritën, errësira; natën e ndjek dita dhe ditën, nata; jetën e ndjek vdekja dhe vdekjen, jeta. Edhe vdekja e kësaj bote kaq të gjatë do ta bëjë të domosdoshme një lindje të re, pra, një ringjallje. Ashtu siç e ndjek drita errësirën, do të jetë një jetë tjetër tërë dritë që do ta ndjekë errësirën e kësaj bote.
Argumenti i kujtesës. Disa herë ndodh që njeriut t’i duket se një pamje me të cilën përballet për herë të parë, e ka parë edhe më parë. Jeta është ndjekje e njëra-tjetrës e kuadrove (sekuencave) të ndryshme nga njëra-tjetra. Kjo do të thotë se ato gjëra që na kujtohen neve këtu, janë gjëra që i kemi jetuar në një botë tjetër para se të vijmë këtu. Atëherë, themi se kjo botë është rezultat i një bote të mëparshme dhe fillimi i një bote që do të vijë më pas.
Ç’është e vërteta, në këtë argumentin e fundit ndjehet pak bindja e rimishërimit. Fundja, Platoni kësaj i beson. Por çështja mbi të cilën u përqendruam dhe e cila na intereson ne, është besimi i jetës tjetër dhe dëshmimi mbi këtë.
Aristoteli thotë kështu: “Përtej lëndës njerëzore është një qenie jokonkrete, që është e pavdekshme.”
Aristoteli është një filozof që materialistët e kanë bërë flamur. Megjithëkëtë, ai diskuton mbi ekzistencën e një qenie të pavdekshme të pakushtëzuar me asgjë. Njeriu mund të kalbet si trup, por varri nuk do ta burgosë dot duke e rrethuar me gjithçka. Është një qenie jokonkrete, jomateriale që, duke kapërcyer varrin, lëndën, kufomën dhe botën, do të fluturojë për në botën tjetër...
Prijësi i shkollës stoiciste, Zenoni, thotë: “Është një frymë tjetër veç trupit të njeriut që do të vazhdojë të ekzistojë edhe pas vdekjes së njeriut.” Stoicizmi ka parimet e veta morale. Ndër parimet në fjalë është edhe ky: “Është e pamundur që Individualiteti që e ka bërë këtë gjithësi kaq të bukur, që e ka rregulluar gjithësinë me dashurinë për njeriun, ta bëjë të vdesë për të mos e ringjallur më!”
Lidhur me këtë çështje, edhe Herakliti thotë kështu: “Në shfaqjen e dytë njerëzit do të ringjallen si rreth flake përqark yjeve. Shpirtrat e këqij që nuk munden të shpëtojnë dot prej aty, do të vuajnë në atë zjarr. Kurse shpirtrat e pastër, duke u shmangur nga trupat e patejdukshëm, do të ngjiten në botën e lartë. Qielli i botës tjetër do të jetë pa yje. Të gjithë yjet do të derdhen, do ta rrethojnë këtë botë përqark duke krijuar kështu ferrin.”
Janë edhe njerëz të mëdhenj ndër tonët që ka përgatitur shkolla e Pitagorës ose pitagoranizmi. Ndër ta janë Suhreverdiu, Hallaxhi Mansur dhe Muhjiddin Arabiu që e pranojmë si imam të asaj epoke. Pitagoranizmi u pranua edhe në Andaluzi nga filozofët islamë dhe neoplatonizmi mbështolli tërë botën islame. Në të gjitha shkollat, neoplatonizmi theksonte ringjalljen pas vdekjes, domosdoshmërinë e vazhdimit të kësaj jete dhe e pranonte këtë të vërtetë. Nga të gjitha këto kuptohet se në historinë e filozofisë, me përjashtim të pak filozofëve mëngjarashë në mendim dhe fanatikë në pikëpamje, të tillë si Epikuri dhe Demokriti që nuk kanë parë dot asgjë tjetër veç lëndës e materies, sundojnë filozofë me ide e pikëpamje që u besojnë pavdekshmërisë së shpirtit dhe ringjalljes dhe që bëjnë dëshmime rreth këtyre çështjeve.
Dekarti ka një vepër të titulluar “Meditime metafizike” ku flet për ekzistencën e Zotit dhe pavdekshmërinë e shpirtit, ku ai shënon gjërat që i kanë lindur në zemër lidhur me çështjen. Për herë të parë e ka marrë në dorë dhe analizuar seriozisht çështjen se fryma është një shpirt abstrakt dhe i pavdekshëm. Dekarti pati premtuar se çështjen sesi do të bëhet shpirti i pavdekshëm, do ta trajtonte në një vepër tjetër, por ndër veprat e njohura të tij nuk ka ndonjë të tillë. Megjithëkëtë, aq mirë i ka trajtuar çështjet mbi jetën tjetër në veprën e sipërpërmendur, saqë nuk ka mbetur nevojë për një vepër tjetër.
Pas Dekartit janë filozofët idealistë. Nga këta janë Lejbnici dhe Spinoza. Lejbnici (shih vepra “La Monadologie”) përdor argumentin e monadeve. Ai thotë: “Monadet janë në gjendje të zhvillohen pambarimisht. Mirëpo koha këtu është e kufizuar. Për rrjedhojë këtu nuk mund të ndodhë zhvillim i pafund. Për këtë duhet që koha të jetë e pakufizuar. Domethënë do të jetë një botë me kohë të pakufizuar ku monadet do të zhvillohen në mënyrë të pafundme. Prandaj, çdo person do të jetojë si i pavdekshëm dhe i përjetshëm për t’i zhvilluar monadet e tij.”
Kurse Spinoza e përgjithëson çështjen. Ai thotë se do të ketë një mënyrë jetese jopersonale, por të përgjithshme dhe si një trup i vetëm. Me këtë ide, ai ka bindjen e unitetit të qenies. Duke e shtrirë çështjen gjer në ditët tona, mund të themi se edhe Paskali dhe Bergsoni janë filozofë që janë të bindur mbi ringjalljen dhe jetën tjetër.
Maarriu është një poet afetar. Vende-vende ai tallet me çështjet fetare. Megjithëkëtë, në veprën e tij “Risaletul Gufran”, ai është përpjekur të përshkruajë tablonë e ditës së ringjalljes duke huazuar nga Kurani.
Me përshkrimet e tij të parajsës, ferrit dhe purgatorit, duket sikur Danteja ka përshtatur Maarriun.
Janë me mijëra poetë e prozatorë si këta që, megjithëse në thelb kanë qenë armiq të fesë, s’kanë bërë dot pa e prekur bindjen mbi ringjalljen dhe jetën tjetër. Po, besimi mbi ringjalljen dhe jetën tjetër është një e vërtetë e tillë që i ka detyruar edhe armiqtë e vet ta vërtetojnë!
Shënimet
- 45.Ebu Davud, Edahi, 22; Tirmidhi, Sajd, 16-17; Nesei, Sajd, 10; Ibni Maxhe, Sajd, 2; Darimi, Sajd, 3; Ahmed b. Hanbel, 4/85; 5/54, 56, 57.
- 46.Buhari, Menakib, 25; me pak ndryshime në shprehje, Ahmed b. Hanbel, 4/257, 378.
- 47.Buhari, Davaat, 18, 47; Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 141, 142; Mesaxhid, 268; Ahmed b. Hanbel, 3/248.