JETA PAS VDEKJES
Titulli origjinal: Ölüm Ötesi Hayat
M. Fethullah Gülen · Përktheu Dr. Mithat Hoxha
EDHE DHEMBSHURIA E BËN TË DOMOSDOSHËM AHIRETIN
Mbi tokë vëzhgojmë shumë qartë se vepron një dhembshuri. Dhembshuria është ndjenjë dhimbjeje ndaj dikujt ose diçkaje tjetër. Ajo është ndjenja e mëshirës ndaj të dëmtuarit ose viktimës, është ndjenja e dëgjimit të qarjes së atij që qan. Dhembshuria është ndjenja e mjekimit të plagës së një njeriu të plagosur e të sëmurë. Kjo ndjenjë dhembshurie vepron nga korniza më e vogël gjer në kornizat më të mëdha.
Po qe se ju plagoset dora dhe ju viheni ta mjekoni, duhet të besoni se pa mëshirën dhe dhembshurinë e Allahut, nuk do ndodhë që gjaku ta kurojë e të riparojë pjesën e plagosur dhe ju nuk do ta mbyllni dot plagën. A nuk ju tregojnë gjë juve plagët që nuk shërohen e nuk mbyllen? Para se ta shtrojnë në tryezën e operacionit të sëmurin, sëmundja e të cilit kërkon një ndërhyrje shumë të vështirë e serioze, mjekët mblidhen kokë më kokë, mendohen e këshillohen. Ka raste kur ata, pas një arsyetimi dhe këshillimi të gjatë, mund të thonë: “Po ta operojmë këtë të sëmurë, mbyllja e kësaj plage do të jetë shumë e vështirë!” Gjithashtu ju mund të shihni se ka njerëz që kanë kaluar operacione të tilla, plagët e të cilave mbyllen vetëm pas disa muajsh ose pas disa vitesh. Po të mos e mbyllë Allahu, nuk mbyllet. Në mes do të dalë ndonjë pengesë: ose do të rritet sheqeri në gjak, ose në pankreas do të ndodhë ndonjë anomali, etj., dhe plaga nuk do të mbyllet dot!
Ja pra, a mund ta kuptoni dhembshurinë vetëm në këtë pikë të Zotit që siguron shërimin brenda një kohe të shkurtër edhe të plagëve të njeriut që mund të konsiderohen të mëdha? Zoti (xh.xh.) na mëshiron ne. Por me çfarë? Duke na dërguar në ndihmë qenie të vogla që mund t’i shohim vetëm me anë të mikroskopëve!
Pa le gjendja e fëmijëve të vegjël ose foshnjave. Ato e lënë njeriun krejtësisht të mahnitur. Allahu (xh.xh.) i mëshiron foshnjat në një mënyrë të veçantë. Është fjala për një kujdes të veçantë për ata vogëlushë që vijnë në këtë botë, që kanë nevojë për ushqimet më të pastra e më të kulluara. Zoti e ushqen në fillim atë në mitrën e nënës. Muret e mitrës i sjell në mjet me anë të të cilit foshnja mund të ushqehet. Këto mure të mitrës që quhen placentë, pajisen me lëndë ushqyese. Nëna kthehet në shërbëtore për fëmijën. Ndërsa foshnja vjen në këtë botë, Zoti prodhon për të një lëndë ushqimore të tillë që është nevoja e parë e domosdoshme për gjallesën kafshë ose njeri që sapo vjen në jetë: qumështin e nënës! Po, qumështi i nënës ushtron një ndikim të tillë pozitiv mbi foshnjën, që s’mund ta ushtrojë asnjë lëndë tjetër ushqimore ose ushqim. Madje, po ta milni atë qumësht nga nëna e ta fusni në një enë, nuk do t’ia ruani dot freskinë dhe cilësinë e parë, nuk do t’ia ruani dot përbërjen vitaminoze. Po qe se ju, qumështin e marrë nga gjinjtë e pastër të dhenve dhe lopëve që ruani, e fusni në enë të dezinfektuara që më parë dhe pastaj këtë qumësht ua jepni të vegjëlve të tyre, nuk do t’i ushqeni më mirë. Po qe se bëni një analizë dhe shqyrtim, do të vëreni se mes viçave të ushqyer drejtpërsëdrejti nga nënat dhe viçave të ushqyer me qumështin e futur në enë, do të shfaqen ndryshime të konsiderueshme rritjeje. Ja pra, ajo që bën të rrjedhë nga gjinjtë e nënës qumështi si një eliksir dhe që me këtë i ushqen të vegjlit që janë shumë nevojtarë për dhembshuri, a s’është dhembshuria e pafund e Allahut? Dhe, nëse s’është kjo, ç’është? Po të mos ishte mëshira e pafund e Allahut (xh.xh.), a do të kryheshin gjithë këto mirësi?
Po, siç shohim ylberin, shohim sesi në të katër anët sundon një dhembshuri e madhe dhe e paepur. Ujërat vrapojnë duke gjëmuar në ndihmë të nevojave të bimëve. Mëshira ua ledhaton kokën atyre. Ajri që është tejet i domosdoshëm për to, thithet me anë të gjetheve që janë goja dhe hundët e bimëve. Ashtu siç mund të bëheni shkak për vdekjen e njerëzve nëse ua pengoni dhe ndërprisni frymëmarrjen, ashtu dhe bimët e humbin gjallërinë dhe kthehen në shkarpa nëse mbeten pa ajër. Pasi të mos kemi pranuar se ekziston dhe vepron një dhembshuri gjithëpërfshirëse për të gjitha organizmat e gjalla mbi tokë, të gjitha shpjegimet që do të përpiqemi të bëjmë nuk do të shkojnë më tej se një dialektikë. Dhe, tani, ju lutem kini vëmendjen! A është e mundur që Zoti i cili i përgjigjet me dhembshuri thirrjes për ndihmë të gjallesave të dukura kështu, pa rëndësi, a mundet që të mos ia plotësojë kërkesën njeriut që digjet nga dëshira e përjetësisë shumë nevojtar për atë dhembshuri? A është e mundur që ta pajisë njeriun në këtë botë me kaq dhunti dhe, pastaj, ta asgjësojë me dënimin me vdekje të përjetshme, t’i japë fund jetës dhe ekzistencës së njeriut në varr e jo t’i hapë kopshte e parajsa të përjetshme, e jo ta stolisë me dhunti të përjetshme?
Duke argumentuar mbështetur tek të gjitha veprat dhembshurore mbi tokë, ne arrijmë në këtë konkluzion: Allahu (xh.xh.) që i ka hapur horizontet e Tij të dhembshurisë në të gjitha anët, nga molekulat te globi tokësor, nga qelizat te organizmat më komplekse, do ta hapë jetën tjetër, ahiretin, do t’i ringjallë njerëzit dhe, siç i ka pajisur në këtë botë me dhunti të ndryshme, do t’i pajisë dhe do t’i stolisë edhe në jetën e përtejme, me ato të mira e dhunti që s’dinë të konsumohen e të mbarojnë!