JETA PAS VDEKJES

Titulli origjinal: Ölüm Ötesi Hayat

M. Fethullah Gülen · Përktheu Dr. Mithat Hoxha

MADHËSHTIA DHE DINJITETI I ZOTIT E BËJNË TË DOMOSDOSHME JETËN E PËRTEJME

Zoti që na ka pajisur ne nga koka te thonjtë me kaq shumë të mira e dhunti, ka edhe dinjitetin e vet. Ashtu siç nuk do të pranonte Zoti që dikush tjetër të ndërhynte në të mirat dhe dhuntitë e Tij, nuk do t’i pëlqente edhe që falenderimi dhe mirënjohja për të mirat dhe dhuntitë e Tij t’i bëheshin dikujt tjetër. Krahas kësaj, është edhe kundërveprimi dhe gjykimi ndaj atyre, që, duke bërë të kundërtën, tregohen mosmirënjohës ndaj të mirave dhe dhuntive të Tij!

Mirëpo sa e sa njerëz ka që, ndërsa janë mbytur në mijëra të mira e dhunti, tregohen mosmirënjohës dhe u falen dhe adhurojnë të tjerë veç Allahut! Ata u përgjigjen me sy mbyllur, domethënë duke bërë sikur nuk shohin gjë, para gjithë atyre të mirave që u ka bërë Allahu për ta paraqitur veten. Mohuesit, mizorët, përdhunuesit, tiranët largohen nga kjo botë pa marrë dënim e pa u ndëshkuar.

Mirëpo madhështia dhe dinjiteti i Zotit kërkojnë edukimin dhe ndëshkimin e njerëzve të tillë të paturpshëm. Kjo s’bëhet këtu. Domethënë që do të bëhet në një botë tjetër. Atje mizori do të marrë ndëshkimin e merituar, kurse i dëmtuari dhe viktima do të shpërblehen.

Sigurisht, do të vijë një ditë e tillë që, ata që kanë ditur ta falënderojnë Allahun për të mirat me një falënderim nga lloji i të mirave, do të përballen me komunikimin: “Për punët që bëtë në ditët e kaluara, sot hani e pini me shëndet!” Veçanërisht në një hadith të shenjtë, Zoti urdhëron kështu:

“Robve të mi të mirë u kam përgatitur gjëra që nuk i ka parë syri, që nuk ia ka dëgjuar veshi dhe që nuk ia ka ndjerë as zemra njerëzore!”

Njerëzit me zemrat të zgjuara që bëjnë punë të thella që s’i ka parë syri, që s’i ka dëgjuar veshi dhe që nuk i kanë rënë në mendje njerëzve të zakonshëm, që thellohen gjithnjë e më shumë, që jetojnë me botën e brendshme, larg pakujdesisë dhe indiferentizmit dhe që e vazhdojnë jetën çdo çast në atmosferën e përgatitjes për të qenë në praninë e Zotit, do ta marrin shpërblimin e sjelljeve dhe akteve të veta nga i njëjti lloj me to. Zoti do t’i bëjë ata që të përballen me një sërë të papriturash.

Njerëzit që duke i vlerësuar materien dhe ngjarjet, arrijnë përparime dhe zhvillim në strukturën e tyre ideore, gjithsesi do të trajtohen ndryshe nga njerëzit që jetojnë në këtë botë si çobanë!

Shënimet

  1. 39.Hakka, 24.
  2. 40.Buhari, Tevhid, 35; Muslim, Xhenet, 2, 3, 4, 5; Tirmidhi, Xhenet, 5.