DËSHMIA E TRADITËS NË EPOKËN MODERNE
Studim i Lëvizjes Gylen
Titulli origjinal: Geleneğin Modern Çağa Tanıklığı — Gülen Hareketinin Analizi
Mehmet Enes Ergene
PARATHËNIE
Ky studim përbën një përpjekje për të kuptuar përse lëvizja Gylen, e emërtuar si “lëvizje” sipas dijetarit të shquar turk Fethullah Gylen, ka një fushë të tillë ndikimi që ka marrë përmasa globale. Aktive në mëse 150 vende nëpërmjet shkollave dhe qendrave ndërkulturore, lëvizja Gylen konsiderohet si një nga lëvizjet më domethënëse shoqërore që ka lindur ndonjëherë në botën myslimane.
Duke pasuar disa valë krejt të ndryshme nga ato të propagandës së pas 11 shtatorit, ekziston një interes në rritje si për Islamin ashtu edhe për myslimanët dhe lëvizjet e tyre shoqërore. Kontakti i Islamit me Perëndimin u përjetua edhe njëherë tjetër në rrethana të dhunës dhe terrorit, domethënë brenda një situate krize. Personalitetet e shquara, karizmatike dhe prodhues idesh, ashtu sikurse edhe veprimtaritë e tyre politike, sociale, kulturore dhe fetare, janë bërë objekt studimi dhe analizash të shumta. Valët e propagandës së padrejtë, të drejtuar kundër Islamit dhe myslimanëve, janë reflektuar negativisht në marrëdhëniet politike dhe kulturore ndërmjet vendeve perëndimore nga njëra anë dhe vendeve myslimane nga ana tjetër. Disa burime mediatike botërore e paraqesin Islamin si një ideologji agresive duke e njëjësuar shpesh me dhunën dhe terrorin. Ekziston një fushatë psikologjike për të pikturuar një portret të Islamit si fe monolitike, në kundërshtim me demokracinë dhe pluralizmin.
Koncepti i “Rendit të Ri Botëror”, bën të mundur pozicionimin e këtij realiteti në një kontekst të caktuar.
Shkaktarët e tragjedive të ditëve tona nuk do të njihen kurr . Sasia e vogël e informacionit të besueshëm në lidhje me këto ngjarje e bën këtë portret inkoherent në skenën e konflikteve ndërkombëtare, pra, ka tendencën të pikturojë një portret falso. Është e pamundur që masat e gjera të mbledhin aktualisht informacion të plotë dhe korrekt. Kur vërejmë valën e propagandës sistematike kundër Islamit, nxjerrim si konkluzion se Lufta e Ftohtë nuk ka përfunduar; ajo thjesht ka ndryshuar drejtim. E ndërsa qëllimi im nuk është të spekuloj mbi koncepte të reja ndërkombëtare, ekzistojnë shumë njerëz të cilët përpiqen të fabrikojnë një koncept të ri: “Përplasjen e Qytetërimeve.” Qytetërimet që sipas tyre janë të destinuara të përplasen, janë Islami dhe Perëndimi. Shumica e analistëve ndërkombëtarë i shohin ngjarjet e ditëve tona si pjesë e koncepteve të rendit të ri botëror. Edhe në SHBA ka mjaft të tillë. Ne do të shohim nëse kjo është e vërtetë apo jo. SHBA është e angazhuar qartësisht për një projekt të rafinuar që mund të luajë një rol më të madh, pse jo primar, në modelimin e botës së sotme. Dyshimet, teoritë konspirative dhe krizat politike, kërkojnë analiza të thelluara, ndaj Islami qëndron në mes të kësaj axhende të re botërore. Në këtë kontekst, rëndësia e studimit të lëvizjeve shoqërore myslimane, vijon të rritet. Unë e trajtoj këtë çështje brenda kontekstit të marrëdhënieve më të gjera ndërkombëtare, prandaj disa prej shprehjeve dhe komenteve të mia duhet të shihen në shkallë globale dhe nuk duhen perceptuar si vërejtje që kanë për bazë hamendësimin, ekzagjerimin apo inkoherencën.
Një nga vështirësitë e studimit të bashkësive dhe lëvizjeve myslimane vjen nga dështimi për të dalluar retorikën që është si pasojë e rrethanave të çastit nga traditat fetare dhe dinamikat e brendshme të një bashkësie të caktuar. Për shkak të këtij problemi, bashkësitë dhe lëvizjet myslimane shpesh akuzohen se kanë qëllime të fshehta. Nëse ne i lexojmë trajtime të tilla në mënyrë të gabuar, apo edhe më keq, nëse nuk i dallojmë dot ndryshimet e tyre, analizat do të jenë subjekt i manipulimeve në aspekte të ndryshme.
Marrëdhëniet që hasen në Turqi mes kulturës, fesë dhe përbërjeve etnike të ndryshme, kanë qenë problematike në shumë aspekte. Turqia përfshin një përvojë të gjatë dhe tepër të përhapur historike; megjithatë nuk ka qenë e mundur të vendosej një rend shoqëror që garanton pluralizmin paqësor në këtë vend. Në demokracitë e brishta dhe problematike si Turqia, argumentet dhe besimet e bashkësive fetare janë artikuluar gjithmonë me një lloj shqetësimi në lidhje me ligjshmërinë e tyre. Kur është fjala për të vërtetën, të gjitha lëvizjet që nisin me kujdesin për legjitimitet, ndjekin të njëjtën rrugë. Këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u habitur. Por problemi qëndron këtu: Kur ideologjitë zyrtare paraqiten si një lloj “besimi politik” dhe kur njerëzve u kërkohet që ta shprehin mbështetjen ndaj tyre haptas, gjithsecili është njëherazi subjekt i hetimeve të vazhdueshme në lidhje me qëllimet e veta. Kjo do të thotë se kur sistemi e mbyll vetveten brenda qarqeve të caktuara, në besime të caktuara dhe shkolla të caktuara të mendimit, çfarëdo argumenti i ligjshëm që buron nga jashtë “linjës zyrtare të mendimit” do të konsiderohet i dëmshëm.
Ky problem nuk është i veçantë vetëm në Turqi. Nëpër të gjithë botën islame është shfaqur i njëjti problem ndërmjet sistemit dhe bashkësive islame. Një mjedis i tillë krijon një botëkuptim paranojak në lidhje me demokracinë. Natyrisht, nëse ekziston një hendek midis argumenteve shoqërore dhe parimeve bazë që burojnë nga një lëvizje e caktuar, kjo përbën një çështje që duhet hetuar me hollësi. Një analizë sociologjike e një lëvizjeje të caktuar shoqërore duhet të bazohet në referencat e veta intelektuale, fetare dhe kulturore, po ashtu si edhe në traditat, dinamikat e brendshme dhe çështjet e ligjshmërisë. S pari dhe mbi të gjitha, analistët duhet të llogarisin faktin që referenca bazë për sferën intelektuale dhe për veprimtarinë e bashkësisë islame, është Islami. Ajo çfarë është e rëndësishme, ka të bëjë me mënyrën sesi këto bashkësi e perceptojnë, interpretojnë dhe zbatojnë këtë referencë islamike. Është gjithashtu e rëndësishme të vëzhgojmë dhe analizojmë si lidhen këto referenca islamike me vlerat bashkëkohore shoqërore, qytetërimin modern, proceset kulturore ndërkombëtare dhe pikëpamjet e ndryshme. Ky studim fokusohet në lëvizjen Gylen në një mënyrë të tillë që bën të mundur një kategorizim tredimensional të saj. Me synimin për të treguar që lëvizja Gylen nuk është thjesht një organizatë fetare, unë e vë theksin tek aspektet e saja sociologjike, kulturore dhe fetare, ndaj unë përpiqem të nxjerr në dritë identitetin social-kulturor të lëvizjes krahas aspektit të saj fetar.
Në kapitullin e parë unë jap një vështrim të përgjithshëm mbi personalitetin dhe misionin e Fethullah Gylenit. Ky studim, sigurisht që nuk përbën një biografi të Gylenit. E ndërsa një studim biografik gjithëpërfshirës i Gylenit - një njeri me vlera të gjithanshme - do të përbënte një përpjekje mjaft të çmuar, ajo do të ishte përtej aspiratave dhe kapaciteteve të mia intelektuale të momentit. Studimet biografike tentojnë dhe përpiqen të grumbullojnë gjithë materialin jetësor brenda një libri duke u kujdesur të mos lënë jashtë tij asnjë lloj informacioni. Analizimi i një personaliteti si Gyleni mund të jetë shumë më i vështirë se analizimi i një lëvizjeje. Gylen është përfaqësues i traditës ulema. Gylen është dëshmia e tradicionales në epokën moderne. Ai posedon një botë shpirtërore të thellë dhe një identitet shoqëror të përcaktuar qartë. Siç theksova më lart, jeta dhe vepra e Gylenit duhet të analizohet nga dijetarë që e identifikojnë veten me lëvizjet ndërkombëtare. Në këtë pikëpamje, ai përbën një shembull ideal për t’u studiuar, për arsye se ka frymëzuar një lëvizje globale që synon pajtimin, tolerancën dhe respektimin e çdo njeriu ashtu siç është, në një kohë kur epoka moderne është duke u ndeshur me Islamin dhe kulturën myslimane në gjithë botën dhe kur marrëdhëniet ndërmjet qytetërimeve janë acaruar së tepërmi. Fethullah Gylen dhe lëvizja që ai ka frymëzuar, i ofrojnë botës një këndvështrim të ri islam në lidhje me Perëndimin, sidomos në botën e pas 11 shtatorit.
Një tjetër dimension i lëvizjes Gylen që dëshiroj ta trajtoj në kapitullin e parë, ka të bëjë me traditën oratorike. Përçimi i dijes nëpërmjet traditës oratorike përbën një prej shfaqjeve më të rëndësishme social-kulturore të shoqërisë myslimane. Në historinë e Islamit, shërbimi dhe përkushtimi, janë zhvilluar në formën e artit të folurit; kjo është një prej rrugëve me anë të të cilëve Islami u është transmetuar brezave. Aktiviteti i hershëm fetar dhe shoqëror i Gylenit, gjeti jehonë tek kjo traditë oratorike. Gylen fillimisht tërhoqi vëmendjen e publikut me fuqinë e tij oratorike. Ajo kontribuoi mjaft për konturimin e lëvizjes. Ligjëratat e tij aktivizuan mekanizmat e dijes po aq sa stimuluan ndjenjat njerëzore. Mund të themi se ai ishte një orator i cili fliste përmes mendjes dhe zemrës. Për këtë arsye, Gylen duhet të konsiderohet brenda ligjeve të traditës oratorike përkrah shkrimeve dhe veprimtarive të tij shoqërore. Në përputhje me këtë fakt, unë e analizoj rolin e kësaj tradite në konturimin e bashkësive myslimane në një pjesë të veçantë të librit. Ne mund të shohim gjurmët e kësaj tradite oratorike edhe në strukturat social-kulturore të bashkësive myslimane të periudhës moderne. Kur arrijmë të identifikojmë efektet sociale të kësaj tradite, ne jemi në gjendje të kuptojmë sesi fjalët dhe këshillat e një udhëheqësi opinionesh si Gylen, arrijnë të sigurojnë një ndikim kaq të madh mbi masat e njerëzve. Gylen nuk është ndonjë pjesëtar aktiv i strukturës hierarkike të ndonjë organizate, prandaj ne duhet të kërkojmë arsyet e efektit kaq të gjer dhe pranimit të fjalëve, ideve dhe këshillave, duke u bazuar në këtë traditë oratorike jetëgjatë. Meqenëse domethënia e kësaj tradite nuk është e njohur sa duhet, kohë pas kohe Gylen është i detyruar të shpjegojë se ai nuk ka ndonjë lidhje me komunitetin apo strukturat zyrtare të tij në ndonjë kuptim organik.
Në Islam, ndjenja e “vullnetit të mirë” bashkohet me ideale të tjera shoqërore duke përftuar një ndikim mjaft të gjerë. Ky është funksioni i traditës oratorike. Për këtë arsye, Islami është një fe e hapur ndaj perceptimeve të ndryshme e të panumërta. Pikërisht kjo e bën Islamin universal. Gyleni u bën thirrje dhe nxit ndjenjën e vullnetit të mirë dhe të tolerancës tek myslimanët turq. Vetësakrifikimi legjendar që mishërohet tek turqit e kësaj lëvizjeje, garanton një program të pastër dhe të pafundmë për përqafimin e Islamit. Kjo është pika ku misioni i Gylenit ka arritur rëndësinë e vet. Ashtu si një fëmijë në rritje, nganjëherë edhe shoqëria përpiqet të përfitojë çdo gjë që mundet, duke shpenzuar pa kriter gjithçka që ka fituar. Turqit janë thellësisht bujarë dhe dashamirës. Gylen ka qëmtuar këtë ndjenjë dashamirësie dhe i ka këshilluar pasuesit të mos e shpërdorojnë atë; përkundrazi, ata duhet ta orientojnë këtë virtyt drejt idealeve të larta shoqërore. Kështu ai ka konceptuar një model të ri për qeniet njerëzore dhe një sistem të ri vetësakrifikimi shoqëror.
Në kapitullin e dytë të kësaj analizë, të titulluar këndvështrime sociologjike, unë i afrohem konceptit të bashkësisë duke u fokusuar në paraqitjen e saj si në mendimin perëndimor, ashtu dhe në atë mysliman. Megjithëse synoj të bëj një analizë e cila merr në konsideratë rrethana shoqërore që kanë hapur rrugën drejt lindjes së formacioneve komunitare dhe pasojat e tyre, qëllimi im kryesor është të kontribuoj në diskutimin që bëhet në lidhje me këtë lëvizje duke u fokusuar kryesisht në metodat e saj të rekrutimit. Kapitujt e këtij libri janë shumë dimensionalë; secili prej tyre mund të përbënte një bazë për studime të veçanta.
As argumentet fetarë, as diskutimet e veçanta nga fusha e shkencave shoqërore, nuk e kanë forcën e mjaftueshme shpjeguese për të siguruar një analizë të kënaqshme të fenomenit të bashkësive moderne myslimane dhe lëvizjet e tyre, si dhe për rrugën nëpërmjet së cilës ato vihen në jetë, nëse i konsiderojmë si fusha të veçuara nga njëra-tjetra. Një nga arsyet bazë për këtë mungesë aftësie është se debatet në lidhje me shkencat shoqërore e kanë origjinën nga konditat materiale dhe shoqërore perëndimore. Në fakt, kjo ka të bëjë me problemin më të madh që ka Islami i sotëm; atë të perceptimit në Perëndim si fé, kulturë dhe qytetërim me vlera të ndryshme nga ato perëndimore. Prandaj problemi shtrihet përtej analizës dhe metodave të studimit. Për këtë arsye trajtimi im prek edhe argumentet fetarë, edhe çështjet që kanë të bëjnë me shkencat shoqërore. Unë i kam dhënë vetes të drejtën të mos kufizohem në ndonjë zhanër standard akademik. Kjo është arsyeja përse përmbajtja nuk ndjek një linjë specifike mendimi, gjë që mund të mos jetë shumë tërheqëse për qarqet akademike. Materiali i paraqitur këtu nuk është rezultat i një synimi akademik personal, por i shumë linjave që ndjek për një studim sa më të hollësishëm të lëvizjes Gylen. Prandaj përmbajtja e këtij libri është menduar të shërbejë si një ngasje për studiuesit, me qëllimin që t’i kthjellojnë aspektet e kësaj lëvizjeje, por edhe të faktorëve të panumërt shumëdimensionalë që konvergojnë në formimin e saj, përpara se ata të përdorin paradigmat social-analitike. Përndryshe, kam frikë se kjo lëvizje mund të keqinterpretohet ashtu si shumë lëvizje të mëparshme me bazë islamike. Edhe pse çka e tillë mund të paraqesë një aspekt dekurajues të studimit tim, qëllimi është prezantimi i
gjithçkaje që mund të thuhet dhe lënia hapur e të gjitha pikave të mundshme për diskutim rreth konceptit të bashkësisë, në mënyrë që të lëmë hapësira për studime të tjera të mëtejshme. Gjithashtu dëshiroj të theksoj se pikëpamjet individuale, nuk rezultojnë në një analizë të mjaftueshme. Nëse ky studim siguron një bazë apo një kontribut për studime të tjera më të thelluara, ai ia ka arritur qëllimit. Thelbi i këtij paralajmërimi të hapur, është: meqenëse konceptet individuale janë në përgjithësi të patestuara, ky studim është i hapur ndaj kritikave e po ashtu edhe ndaj sugjerimeve.
Ekzistojnë studime parimore në lidhje me bashkësinë e myslimanëve në Turqi dhe në botë; megjithatë librat nuk mund të shprehin gjithçka. Gjithashtu nuk është e drejtë t’i vishen këtyre lëvizjeve idetë të cilat dikush qëmton prej këtyre botimeve. Librat nuk janë asgjë më tepër sesa komente të zgjeruara, të bazuara në vëzhgimet që burojnë nga këndvështrime të veçanta. Asnjë studim i vetëm nuk mund të shpjegojë tërësinë e një komuniteti apo ekzistencën e një lëvizjeje shoqërore. Për ta kuptuar plotësisht një komunitet fetar apo një lëvizje, një studiues duhet të përqendrohet në raison d’être (arsyen e ekzistencës) fetare, shoqërore dhe kulturore të saj. Kjo është arsyeja përse unë i referohem këtij studimi vetëm si “përpjekje për të kuptuar” e jo si shpjegim përfundimtar.
Kapitulli i tretë, i titulluar këndvështrimi kulturor, i kushtohet kryesisht përpjekjeve për arsim dhe dialog ndërkulturor të lëvizjes Gylen. Me çështje të tilla fillestare si racionalizmi, objektiviteti, pozitivizmi, progresi, feja dhe metafizika në shkollën perëndimore të mendimit, ky kapitull nxjerr në pah rëndësinë që i jep Gyleni reformës në arsim me anë të kalimit nga medresetë tek kolegjet, misionit të gazetarëve dhe fondacionit të shkrimtarëve, si dhe filozofisë së tij sunduese të përputhjes së Islamit me modernizmin.
Padyshim kjo lëvizje e ka një identitet fetar për të cilin bëhet fjalë në kapitullin e katërt. Megjithatë, kur hedhim vështrimin mbi karakteristikat e saj strukturore dhe aktivitetet e saj globale, mund të vërejmë se ajo gjithashtu ka një vizion mjaft të gjerë dhe një identitet të qartë socialkulturor. Theksi mbi identitetin fetar të saj, përqendrohet tek karakteri sufist i lëvizjes Gylen. Megjithatë është e rëndësishme të kuptohet se lëvizja nuk është një “urdhër Sufist”. Ky karakter i butë dhe human, i ka rrënjët në shpirtin e traditës së Anadollit, në një proces i cili filloi kur turqit u njohën fillimisht me Islamin. Ndërsa i kushton vëmendje të veçantë lëvizjeve të hershme Sufiste në Anadoll, lëvizja Gylen fokusohet në projektet e dialogut dhe të tolerancës, të bazuar në një perceptim Sufist islam, të tillë si respekti për njerëzit dhe krijesat në përgjithësi. Lëvizja Sufi është një fenomen social mjaft i përhapur; ajo daton që në shekujt e parë të Islamit dhe ka gjeneruar lloje të ndryshme vëllazërie të institucionalizuara, që varion në përputhje me rrethanat politike dhe shoqërore. Lëvizja Gylen nuk ka veçoritë tipike të një organizate që mund të kishte një urdhër sufist; megjithatë pikëpamjet e Gylenit i japin prioritet absolut kësaj rryme, duke qenë parimisht në sintoni me fabrikën njëmijëvjeçare që vjen nga tradita e Anadollit.
Kur analizoj dinamikat e brendshme shpirtërore të lëvizjes Gylen, mbështes idenë se ajo është shëmbëlltyrë e traditës historike Sufiste dhe se është në përputhje me rrethanat e sotme shoqërore. Kur kam parm Sunet. Edhe pse këto terma kanë përjetuar një transformim kuptimor në rrugëtimin e tyre përgjatë historisë, gjatë studimit tim s’kam gjetur hapësirë të mjaftueshme për të ofruar një analizë të tillë kuptimore. Prandaj për t’ia arritur qëllimit në këtë studim, unë përdor kuptimin e përgjithshëm të këtyre koncepteve, ashtu siç përdoret gjerësisht në literaturën islame.
Mesazhi i Gylenit ushqehet si nga arsyeja e tij, po ashtu edhe nga zemra. Në këtë mënyrë ne zbulojmë dy aspekte të Gylenit: ai është njëkohësisht dijetar (alim) dhe njeri me zgjuarsi të thellë (arif). Ai është mjaft i përgatitur në shkencat fetare, kulturën dhe filozofinë perëndimore, por edhe në problemet e sotme sociale dhe kulturore të botës. Ne e shikojmë atë, në thelbin e tij si një mendimtar racional në të gjitha këto fusha dhe si një dijetar i shquar. Gylen dëshmon thellësi të mëdha të mprehtësisë dhe dijes së gjerë në lidhje me sufizmin, metafizikën dhe kozmosin. Një lexuesi i duhet të bëjë përpjekje mjaft serioze për t’u përshtatur me dinamikat e jetës shpirtërore dhe koncepteve që udhëheqin qenien e tij, në mënyrë që të qëmtojë apo të përkufizojë bashkësinë e vlerave shpirtërore të Gylenit. Eksperienca islame e rrymës sufiste ka nevojë për një nivel të ndryshëm dhe më të lartë të ndjeshmërisë dhe ndërgjegjes; edhe një analizë e efektshme e terminologjisë sufiste nuk mund ta transmetojë siç duhet “përvojën e misticizmit” në shprehje apo diskutime. Me kalimin e kohës ajo kërkon përjetim të drejtpërdrejtë dhe kontakt me botën shpirtërore islame.
Si teolog, qëllimi im është të nxjerr në pah nivelin e tij të dijes në shkencat islame, aftësinë e tij për të nxjerrë si konkluzion gjykime dhe interpretime kritike (ixhtihat), si dhe kompetencën e tij në mjaft disiplina të ndryshme. E ndërsa shprehja e opinioneve në lidhje me këtë çështje është e mundur brenda kufijve të gjuhës dhe të kulturës, unë heq dorë nga analizimi i aspekteve të jetës së tij shpirtërore për shkak të pamundësisë për të bërë një punë të kënaqshme në këtë aspekt. Si individ, Gyleni nuk duket të jetë asgjë më tepër sesa një mysliman i thjeshtë. Sado e vërtetë të jetë kjo, ai mishëron gjithashtu një jetë të mbushur me tension të lartë shpirtëror dhe metafizik. Ndjekësit e tij ndjehen të lidhur fort me prezencën, shprehjet dhe mënyrën e komunikimit të Gylenit. Ai është shumë i ndjeshëm dhe tmerrësisht i kujdesshëm në lidhje me marrëdhëniet e tij me sendet dhe qeniet përreth. Kudo që ai është, ka një lidhje të fortë me vendin e tij. Kjo dëshmon sferën e ndikimit që ka mbi të tjerët nëpërmjet mençurisë dhe karakterit të tij.
Ky studim nuk synon të mbulojë gjithë hapësirën e pikëpamjeve, apo rrezen e jehonës potenciale, politike, sociale dhe kulturore në lëvizjen Gylen. Ai nuk synon të jetë i kuptueshëm për të gjithë. Studimi është mjaft i kufizuar për shkak të qëllimit specifik që ka dhe të informacionit që paraqet. Tezat e paraqitura në këtë libër, nuk shkojnë aq larg sa të përftojnë një teori të gjerë. Padyshim ekziston nevoja për një studim më të thelluar që të fokusohet në rrënjët sociale të kësaj lëvizjeje dhe në rrjedhojat e koncepteve të saj në bashkësinë njerëzore. Një studim që do t’ia dilte të shpjegonte impaktin e gjerë potencial të kësaj lëvizjeje.