SHEMAIL
PARAQITJA, JETESA, MORALI I PROFETIT MUHAMED — PAQJA QOFTË MBI TË!
Titulli origjinal: Şemail
Dr. Faruk Vural
PARATHËNIE
Njeriu në jetën e tij përpiqet të realizojë disa synime të caktuara. Dhe padyshim që synimi më i madh është të jetë pjesë e shërbimit në rrugën e Profetit, paqja qoftë mbi të!. Për një njeri, të jesh pjesë e një objektivi të tillë, është një lumturi. Lumturi që pasqyron shpëtimin në të dy botët. Deri tani ka pasur shumë shërbime të vyera dhe të shtrenjta nga ana e atyre që e duan Profetin dhe dashurinë ndaj Tij e kanë pasqyruar në vepra. Në të vërtetë, çdo provë e kaluar nuk është asgjë tjetër përveçse pjesë e qëllimit dhe qëndrimit në rrugën e Tij. Dikush me shkrime, dikush me gjuhë, dikush me pasurinë dhe shpirtin e tij, morën rrugët për të përhapur në të katër anët e botës emrin e Tij të lartësuar. Morën rrugët dhe qëllimi kryesor ishte t’i dhuronin botës mirësinë e veçantë të Tij.
Zotëria i gjithësisë, udhëheqësi i gjithë profetëve, Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të!, është argumenti më i madh i Zotit (xh.sh) midis gjithë atyre argumenteve dhe provave që madje e kemi të pamundur t’i numërojmë. Me personalitetin dhe profetësinë e Tij, Ai është njeriu më i veçantë i të gjitha kohërave. Një njeri i përsosur tek i cili mblidhen dhe pasqyrohen më së miri emrat dhe atributet e Zotit. Njerëzimi sodit vazhdimisht në pasqyrën e Tij vezulluese dëshirën dhe pëlqimin e Zotit. Ai është si një pishtar, kandil i vendosur nga Zoti në qiellin e njerëzimit.
Nëse një ditë dielli nuk do të lindte, atëherë jeta jonë do të mbaronte, por në qoftë se bota jonë ndjesore dhe shpirtërore nuk do të ishte e ndriçuar nga rrezet e profetësisë, atëherë do ishim të destinuar të zhyteshim në kënetën e humbjes. Me ndihmën e Tij kemi kapërcyer rrugë e kodra të paarritshme. Kur kemi kaluar momente të vështira, kemi kërkuar ndihmë nga Zoti i Madhëruar me ndërmjetësimin e Tij. Ai nuk na la në baltë. Shpresojmë nga Zoti të mos na privojë nga ndihma dhe shefaati i Tij në botën tjetër.
Libri që keni në duar mund t’ju duket i vogël për nga vëllimi, por është i madh nga përmbajtja dhe është si një pikë në oqeanin e madh të shërbimit. Qëllimi është njohja dhe kuptimi i Tij. Për këtë arsye, në pjesën e parë, është dhënë Shemaili i Profetit paqja qoftë mbi të!, veçoritë fizike, emrat dhe vula. Në pjesën e dytë, nën një kapitull me titull Mënyra e Jetesës së Profetit Tonë, janë cekur shumë tema nga jeta e Tij e përditshme. Në pjesën e tretë, është analizuar morali i lartë i Profetit, i vlerësuar edhe në Kuran. Në pjesën e katërt, janë dhënë preferencat e Profetit në ushqyerje, në ngrënie dhe pirje dhe në pjesën e fundit, janë analizuar veshjet dhe sendet e përdorura nga Ai.
Vlen të theksojmë që kemi shfrytëzuar shumë libra hadithesh. Kemi shfrytëzuar gjithashtu dhe programe të kompjuterit si ‘El Mektebetul Elfijje li’sunnetin Nebevijje - 1,5’ dhe “El Mektebetush Shamile- 1,0”.
Me lutjen dhe shpresën që të kemi shefaatin e Profetit tonë dhe të zbatojmë fjalën profetike: “Njeriu është me atë që do”...
Dr. Faruk VURAL