SHEMAIL0%

SHEMAIL

PARAQITJA, JETESA, MORALI I PROFETIT MUHAMED — PAQJA QOFTË MBI TË!

Titulli origjinal: Şemail

Dr. Faruk Vural

MËNYRA E JETESËS E PROFETIT

I Dërguari i Zotit, ishte më besimtari i besimtarëve. Frika që ndjente Ai, po ta themi më thjeshtë, largimi nga gjërat e dyshuara, nuk ekzistonte te ndonjë njeri tjetër në të njëjtin nivel. E gjithë sjellja dhe lëvizjet e tij kontrolloheshin nga ato principe. Aq shumë kishte frikë nga Zoti, saqë zemra dukej se do t’i pushonte së rrahuri. Ishte aq i brishtë e aq i ndjeshëm, saqë ishin të pakta çastet kur nuk derdhte lot dhe nuk frikësohej. Kur entuziazmohej, ishte si një oqean, dhe kur ishte i qetë, si një det.

Tani, me një shikim nga lart, duam të prekim thellësitë e Tij:

Pikësëpari, zuhdi (asketizmi): Është një gjendje në të cilën, Profeti nuk gëzohej edhe nëse kishte botën në dorë dhe nuk hidhërohej nëse i ikte nga duart. Kjo ndjenjë tek Profeti kishte arritur piedestalin më të lartë. Edhe nëse e gjithë bota do të ishte e Tij, nuk do të gëzohej më shumë sesa po të kishte gjetur një kokërr grurë. Përsëri, nëse ajo botë do t’i ikte nga duart, nuk do të hidhërohej më shumë sesa të kishte humbur një kokërr grurë. Në këtë mënyrë e kishte braktisur Ai botën me zemër. Por kjo braktisje asnjëherë nuk do të thoshte të hiqte dorë nga ajo. Sepse rrugët më të bukura dhe më logjike të fitimit na i ka treguar Muhamedi paqja qoftë mbi të!. Nuk mund të mendohet asnjëherë se Ai kishte hequr dorë nga bota dhe për këtë i ka këshilluar edhe njerëzit. Braktisja e botës duhet të bëhet vetëm me zemër.

I Dërguari i Zotit, që kur hodhi hapin në klimën e ndritur të profetësisë, deri në çastin kur e gjithë bota me madhështinë e saj u përul para këmbëve të tij, nuk e ndryshoi asnjëherë sjelljen. Madje, kur ndërroi jetë, nuk kishte atë pasuri që pati kur kishte lindur. Pasi kishte shpërndarë dhe dhënë gjithçka kishte pasur. Pa shikoni trashëgiminë e lënë, vetëm ca dhen dhe dhomat e vogla në të cilat banonin gratë e tij. Dhe ato ishin të popullit. Kur bashkëshortet e Profetit, nënat e besimtarëve vdiqën, dhomat u përshinë në xhami. Ashtu siç e di çdokush që ka shkuar atje, ato dhoma mund të përbënin vetëm një qoshe të ngushtë të xhamisë.

MËNYRA E ECJES SË PROFETIT

Transmetimin e parë në lidhje me ecjen e Profetit e ka bërë Ebu Hurejre (r.a.). Ai shprehet kështu: “Nuk kam parë njeri më të bukur se Profetin tonë. Dukej sikur dielli shkëlqente në fytyrën e tij. Ecja e tij ishte e shpejtë dhe nuk kam parë njeri tjetër të ecë kaq shpejt. Kjo shpejtësi nuk vinte nga e ecura shpejt, por dukej sikur toka palosej e mbështillej nën këmbët e tij. Ai asnjëherë nuk bënte asgjë që t’i sillte vështirësi.”68

Hazreti Ali (r.a.) kur përshkruan ecjen e tij, shprehet: “Kur hidhte hapat, e ngrinte këmbën rëndë dhe e mbështeste rëndë në tokë. Dukej sikur ulej nga një tatëpjetë.”69

MËNYRA E ULJES SË PROFETIT

Çdo gjendje e Profetit ishte e natyrshme. Kajle binti Mahreme (r.a.) transmeton: “Një ditë kisha hyrë në xhaminë e Profetit. E pashë të ulur me gjunjë të ngritur, kofshët i kishte ngjeshur tek barku dhe duart i kishte lidhur tek kockat e këmbëve.”70 Ndërsa në një transmetim tjetër: “Njërën këmbë e kishte vendosur mbi tjetrën dhe ishte mbështetur mbrapa.”71

Këto transmetime duhet të kenë lidhje me ndonjë gjendje specifike të Profetit. Sepse ne dimë që në disa hadithe të tjera, Profeti i ka ndaluar këto mënyra të uluri. Prandaj sahabet i kanë transmetuar këto hadithe ngaqë nuk kanë qenë të informuar më parë rreth kësaj mënyre të uluri.

Ndonjëherë, kur Profeti qëndronte i ulur, mbështetej mbi diçka. Nëse do të ulej nga ana e djathtë, vendosnin një mbështetëse nën dorën e djathtë. Ai e ka ndaluar mbështetjen tek diçka gjatë të ngrënit për arsye se praktikohej shumë para Islamit. Ai ka thënë: “Unë asnjëherë nuk ha duke u mbështetur.”72 “Nuk do të ha duke u mbështetur diku. Nuk do të ha duke u mbështetur.”73 Arsyeja e thënies së këtyre këshillave është kjo:

Një ditë, pranë Profetit të nderuar, erdhi një sahabe i quajtur Abdullah ibn Jusr. Me vete kishte sjellë një dash të pjekur si dhuratë për të. Profeti ynë u ul mbi dy gjunjët dhe filluan të hanin bashkë me sahaben që kishte pranë. Ndërkohë, vjen një bedevi nga jashtë:

“O i Dërguari i Zotit! Ç’je ulur kështu?” - e pyet, që nënkuptonte: pse një njeri si ju të ulet si të varfrit?

“Zoti më bëri një rob të nderuar, nuk jam një tiran”74, - i përgjigjet ai.

Profeti ynë na ka tërhequr vërejtjen me të tilla paralajmërime.

Sahabet e shpjegojnë kështu mënyrën e të ulurit të Profetit tonë, zotërisë së gjithësisë:

“Një ditë, Profeti i nderuar u sëmur. Doli nga dhomat dhe erdhi në xhami. Ndërkohë ishte mbështetur tek Usame ibn Zejdi. Kishte veshur rroba të trasha. Ishte mbështjellë me ato rroba sikur mbështillej kur hynte në ihram. Pavarësisht veshjes, na priu për namaz. Në disa transmetime thuhet se kjo gjendje është sëmundja e frikës nga vdekja.”75

MËNYRA E FJETJES SË PROFETIT

Profeti paqja qoftë mbi të! falte namazin e jacisë me sahabet dhe nëse nuk kishte ndonjë gjë të rëndësishme për të bërë, pa folur me askënd, shkonte të pushonte.76 Gjithashtu lutej para se të flinte.

Profeti ynë e ka cilësuar gjumin si vëllai i vogël i vdekjes.77 Me fjalët “syri im fle, por zemra jo78”, i Dërguari i Zotit ka shfaqur sjellje të cilat janë shembull për umetin e tij rreth mënyrës së fjetjes.

Kur përgatitej për të fjetur, Profeti ynë sillej në krahun e djathtë, shputën e dorës së djathtë e vendoste nën faqen e djathtë dhe lutej kështu: “O Zoti im! Më largo nga dënimi yt ditën kur do të ringjallësh dhe mbledhësh robërit e tu!”79

Kur zgjohej lutej kështu: “Lavdi Zotit i cili na vuri në gjumë, vëllain e vogël të vdekjes dhe na ktheu përsëri në jetë. Padyshim kthimi ynë tek Ai do të jetë.”80

I Dërguari i Zotit këndonte këto sure para se të shtrihej në shtrat:

Pjesën e parë të sures Bekare dhe dy ajetet e fundit (Amene resulu),81

Ajetul Kursi,82

Suren Jasin,83

Suren Sexhde,84 dhe suren Mulk.85

Pas tyre lexonte nga tri herë suret Ihlas dhe Muavidhetejn (Felek-Nas) dhe një herë suren Kafirun86, duke i bashkuar duart i frynte shputave dhe pastaj prekte çdo pjesë të trupit deri ku arrinin duart.87

Pasi shtrihej në shtrat lexonte 33 herë “Subhanallah”, 33 herë “Elhamdulil’lah” dhe 33 herë (sipas një transmetimi 34) “Allahu Ekber” dhe pastaj lexonte shumë lutje.88

Sipas Abdullah b.Abasit Profeti gërhiste kur flinte. Kur vinte Bilali për ta zgjuar për namaz ngrihej dhe falej.89

Hz. Aishja (r.a.) na ka transmetuar se lënda e shtratit që përdorte Profeti përbëhej nga një lëkurë e mbushur me fije hurmash.

Kur e pyetën Hz. Hafsën si ishte shtrati që kishte përdorur Profeti, ajo u përgjigj: “Vendi ku flinte Profeti ishte një qilim i palosur më dysh nga ne. Një natë menduam ta palosnim katër herë në mënyrë që të ishte më e butë dhe më e rehatshme për Profetin dhe ashtu bëmë. Në mëngjes Profeti na pyeti: “Ç’ishte ai dyshek që më kishit përgatitur mbrëmë?” Ne i thamë se ishte e njëjta gjë, vetëm se kësaj here e kishim palosur katër herë. Pas kësaj Profeti na tha: “Tani e mbrapa përgatiteni siç e keni përgatitur gjithmonë. Sepse mbrëmë, për shkak të butësisë së shtratit, nuk munda të ngrihem për namazin e natës.”

FJETJA E PROFETIT MBI RROGOZ

Një ditë, Hz. Omeri (r.a.) shkoi tek i Dërguari i Zotit. Profeti po qëndronte mbi rrogozin mbi të cilin kishte fjetur dhe në një anë të fytyrës kishte ende shenjat e rrogozit. Në një anë të dhomës kishte një lëkurë të punuar, ndërsa në një qoshe tjetër, një torbë me ca grushte grurë. Ja, këto ishin gjërat që gjendeshin në dhomën e të Dërguarit të Zotit. Hz. Omeri (r.a.) u prek dhe qau. Kur i Dërguari i Zotit e pyeti përse po qante, Omeri (r.a.) iu përgjigj: O, i Dërguari i Zotit! Ndërkohë që mbretërit flenë në shtretër me pupla, Ti (gjithësia u krijua për hir të tij) fle vetëm mbi një rrogoz që të lë shenjë në fytyrë. U preka nga çka pashë. Pas kësaj, i Dërguari i Zotit iu drejtua Omerit(r.a.): “A nuk dëshiron, o Omer, që ahireti të jetë i yni dhe kjo botë të jetë e tyre.”90

Në një transmetim tjetër, Profeti ynë ka thënë: “Ç’lidhje kam unë me jetën e kësaj bote. Unë jam si një udhëtar. Një udhëtar që prehet nën hijen e një peme, pastaj largohet prej aty dhe vazhdon udhëtimin.”91

Ai kishte ardhur me një mision në jetë. U kishte sjellë njerëzve frymën ringjallëse në ndjenja dhe në mendime. Kur të kryente misionin, do të largohej nga kjo botë. Të hamendësosh në ndryshimin e disa gjërave, në emër të botës nga një njeri kaq i painteresuar ndaj botës, duket se është pak absurde. Ai kurrë nuk u përkul përpara botës dhe Ai asnjëherë nuk hapi velat për të ndryshuar kahe.

QËNDRIMI ME DITË TË TËRA PA NGRËNË DHE PA PIRË

Ishin të shumta rastet kur Profeti nuk vinte as edhe një kafshatë në gojë. Gjatë jetës së tij nuk ka ndodhur që të jetë ngopur qoftë dhe një herë me bukën prej elbi. Muajt kalonin dhe në shtëpinë e tij nuk ndizej soba as për të bërë një supë.92

Një ditë po falej ulur. Po falte namaz nafile. Ebu Hurejre (r.a.) e pyeti pas namazit:

O i Dërguari i Zotit! Mos jeni i sëmurë? Po faleni ulur.

Përgjigja e dhënë do të drithëronte gjithësinë.

O Ebu Hurejre! Kam ditë të tëra që nuk kam gjetur diçka për të ngrënë. Uria m’i preu fuqitë, nuk munda të qëndroj më në këmbë, ndaj dhe po falem ulur.

Ebu Hurejre thotë: “Menjëherë zura të qaj. I Dërguari i Zotit kishte harruar gjendjen e tij dhe po më ngushëllonte.

Mos qaj, o Ebu Hurejre! Uria e hequr këtu, e shpëton njeriun nga dënimi i ahiretit.93

Ai ishte një lider. Kishte dhe të tjerë të uritur në mes të grupit të tij. Ja, pra, i Dërguari i Zotit e kishte caktuar standardin e jetës së tij sipas më të varfërve.

Nga aspekti i jetës materiale, ai bënte jetën më të varfër brenda komunitetit. Dhe këtë e bënte me dëshirën e tij. Po të dëshironte, mund të bënte një jetesë të rehatshme. Kjo nuk ishte aspak e vështirë për të. Sepse po të mos i kishte shpërndarë dhe po t’i kishte mbajtur dhuratat që i ishin bërë, mund t’i mjaftonin për të bërë jetën më të lumtur. Por Ai nuk mendoi asnjëherë të bënte një gjë të tillë.

Kjo, në mënyrë të prerë, nuk duhet të kuptohet si një ndarje e Tij dhe e bashkësisë së tij nga kjo botë, apo si braktisje e saj. Çështja nuk qëndron tek tallja e disa ogurzinjve me kriterin e moralit të të Dërguarit të Zotit duke thënë ‘një kafshatë’, ‘një triko’. Ai që dëshiron, fiton, bëhet i pasur dhe jep zekatin në masën e përcaktuar nga Zoti, dhuron diçka, dhe askush nuk është kundër një fitimi të tillë. Madje fitimi i përfituar në rrugë të lejuara është stimuluar në Islam. Megjithatë, një pjesë e shokëve të Dërguarit të Zotit duhet t’i qëndrojnë besnikë kuptimit dhe perceptimit të shembujve të dhënë më sipër. Përkundrazi, kjo bashkësi që rritej dita ditës me shpejtësi të madhe, që po kalonte kufijtë e

Mekës dhe Medinës, nuk mund ta mbante më pastërtinë dhe qëndrueshmërinë e ditës së parë. Ky komunitet nuk është komuniteti i materiales, i lidhur me trupin apo materien. Ky komunitet ishte njëherësh komuniteti i shpirtit, i zemrës, i mendimit dhe i ndërgjegjes. Dhe ja, i Dërguari i Zotit përpiqej ta mbante në këmbë bashkësinë e tij me këto dinamika. Çdo sakrificë të kërkuar nga ata, pikësëpari e tregonte vetë dhe, pastaj, si në çdo çështje tjetër, i bëhej shembull nxënësve të tij. Ja një tablo nga shembujt më të shquar:

Ishte mesnatë. Uria ia kishte fikur gjithë shpresën të Dërguarit të Zotit dhe tani nuk mund të flinte. Ndoshta po të kishte fjetur paksa, do të shpëtonte sadopak nga ajo vuajtje e tmerrshme e urisë. Por dukej që uria nuk do ta braktiste. Doli nga shtëpia dhe nisi të ecë në një drejtim. Pas pak iu errësua pamja. Po vinte dikush. U drejtua andej dhe e kishte njohur. Ishte njeriu i cili nuk ishte ndarë prej tij në asnjë çast të jetës. Kishte qenë bashkë me të, në mendime dhe veprime. Tani, në mes të natës, në këtë cep të qetë të Medinës, dukeshin sikur kishin lënë takim. Ai që po vinte ishte Ebu Bekri (r.a.) dhe i Dërguari i Zotit e përshëndeti. Pastaj e pyeti: “O Ebu Bekir! Ç’të ka nxjerrë jashtë në këtë orë të natës?” Ebu Bekri e kishte harruar problemin e tij kur kishte parë të Dërguarin e Zotit paqja qoftë mbi të!. Ashtu bënte gjithmonë. Nëse ju kujtohet, sa rëndë ka qenë pas grindjes për të shpëtuar të Dërguarin e Zotit në Mekë. Një ditë i kishte rënë të fikët dhe kur kishte hapur sytë, gjëja e parë që kishte pyetur, ishte: “Çfarë i ka ndodhur të Dërguarit të Zotit?” Nëna e tij, Umu Uzare, ishte nevrikosur dhe i kishte thënë: “Ti po vdes, por akoma e ke mendjen tek Ai.” Ajo nuk e dinte se Ebu Bekri vdiste kur nuk mendonte për të. Sepse i Dërguari i Zotit ishte burimi i jetës. Dhe ja, tani, nuk kishte qëndruar i ndarë nga Ai dhe një ndjenjë e panjohur e kishte sjellë deri aty. E kishte sjellë deri aty dhe pyetjes së Profetit i ishte përgjigjur: “uria”. “Nuk gjeta asgjë për të ngrënë në shtëpi, nuk mund të flija dhe dola.” E njëjta botë!

Menjëherë më pas tha:

- Nëna dhe babai im, të qofshin falë, o i Dërguari i Zotit, ti përse ke dalë?

Përgjigja ishte e njëjtë. Edhe i Dërguari i Zotit kishte dalë nga uria.

Ndërkohë u duk dhe dikush tjetër. Dukej që ishte Omeri, i gjatë dhe madhështor. Në të vërtetë, duhej të plotësohej tabloja. I Dërguari i Zotit kishte marrë Ebu Bekrin në krahun e djathtë, por nuk ishte i ftuari i anës së majtë. Sikur ai po vraponte që të mos linte përgjysmë tablonë. Vërtet, ai që po vinte ishte Hz. Omeri (r.a.). Edhe ai u habit kur pa para vetes dy miqtë e tij. I përshëndeti dhe e përshëndetën. Dhe mbreti i fjalës e pyeti dhe Omerin për arsyen e daljes në këtë orë të vonë. Edhe ai dha të njëjtën përgjigje: “Uria, o i Dërguari i Zotit, uria më nxori jashtë.”

Profetit tonë i erdhi në mendje Ebu Hejthemi (r.a.). Kishte shtëpinë andej. E kishte parë dhe ditën në vreshtin e tij. Të paktën do t’i jepte ndonjë hurmë për të shuar urinë.

“Le të shkojmë te Ebu Hejthemi”, tha Profeti.

Arritën te shtëpia e Ebu Hejthemit. Ebu Hejthemi (r.a.) dhe bashkëshortja e tij po flinin. Në shtëpi kishin dhe një fëmijë të vogël. Ishte pesë ose gjashtë vjeç. Në fillim trokiti Hz. Omeri (r.a.). Thirri me zërin e tij të trashë: “O Ebu Hejthem!” As Ebu Hejthemi e as e shoqja nuk e dëgjuan. Por vogëlushi i cili po flinte i qetë në shtratin e tij, u ngrit menjëherë. “Babi! Zgjohu, ka ardhur Omeri”, i tha të atit. Ebu Hejthemi duke menduar se djali kishte parë ndonjë ëndërr, i tha: “Fli bir, është mesnatë, ç’punë ka Omeri këtu!” Djali u shtri. Kur dera nuk u hap, atëherë thirri Ebu Bekri (r.a.) me zërin e tij të butë: “O Ebu Hejthem!” Djali përsëri u ngrit dhe i tha të atit: “Babi! Ka ardhur Ebu Bekri”. I ati e shtriu edhe një herë. Por zëri tjetër ishte zë që ngjallte dhe të vdekurit, ishte zëri i të Dërguarit të Zotit. Kur Profeti thirri: “O Ebu Hejthem!”, djali u ngrit si një shigjetë nga shtrati. Vraponte drejt derës duke thërritur të atin: “Babi, zgjohu! Ka ardhur Profeti!” Ebu Hejthemi (r.a.) e kishte humbur krejt. Vrapoi menjëherë te dera. Nuk u besonte syve. Në mes të natës, në shtëpinë e tij, kishte ardhur mbreti i mbretërve. Menjëherë i ftoi brenda. Ky nder mund të vinte një herë në jetën e njeriut. Po jetonte çastin më të lumtur të jetës së tij. Edhe shpirti i tij do të qe pak po të vihej në tryezë. Solli hurma, qumësht, mish dhe ia serviri përpara këtyre mysafirëve të nderuar.

Hëngrën sa të shuanin urinë. Më pas, sytë e Profetit ishin të përlotur. Nga çdo ngjarje nxirrte një dimension dhe thellësi të veçantë dhe nga buzët e tij rrodhën këto fjalë:

“Betohem në Zot, nesër do të jepni llogari për gjitha këto mirësi.”95

Ja, ai ishte një njeri i veçantë që e kalonte jetën brenda disa kritereve të thella dhe të ndjeshme. Të përpiqesh të ndryshosh drejtimin e jetës të një njeriu të tillë, është injorancë ose armiqësi.

Omeri (r.a.) ishte një nga njerëzit më të afërt dhe anën askete të Profetit e shpjegon kështu: “Ju betohem për Zotin se unë e kam parë Profetin të dridhej nga mëngjesi deri në mbrëmje, pasi nuk mund të gjente as hurmën më të keqe për të shuar urinë.”96

Megjithatë, po të dëshironte Ai, po të kërkonte prej dikujt, kushedi çfarë sofrash të mrekullueshme do të shtroheshin. S’kishte nevojë për këtë. Dhuratat që i kishin ardhur, i mjaftonin që ai dhe familja e tij të bënin një jetë luksoze. Vetëm se Ai shpërndante çfarë i jepej dhe nuk linte asgjë për të nesërmen.

Kur është pyetur përse nuk përfitonte nga mirësitë e dhuruara të botës, përgjigjej kështu: “Si mund të mendoj për përfitimin nga mirësitë e botës, ndërkohë që Israfili ka marrë në dorë surin dhe pret urdhrin e Zotit. Si mund të përfitojë nga mirësitë kalimtare të botës një njeri i ndodhur në këtë situatë?”97

MËNYRA E JETESËS E PROFETIT

Profeti ynë paqja qoftë mbi të! i dërguar si udhëheqës dhe prijës për njerëzimin, ishte njëherazi dhe kryefamiljar. Ishte njeri si të tjerët. Edhe ai mbante përgjegjësi për mënyrën e jetesës, për plotësimin e nevojave të ndryshme. Pikësëpari ishte përgjegjës për ushqimin dhe mbajtjen e familjes së tij. Atë kohë, nuk kishte një sistem ekonomik si tani, por kishte praktika të ndryshme si ruajtja e ushqimit për një vit, përgatitja, etj. Edhe i Dërguari i Zotit e ndante nafakën në një vjeçare.98

I Dërguari i Zotit e siguronte jetesën e tij dhe të familjes nga këto burime:

Shiste hurmat që i përkisnin si plaçkë lufte nga fisi Benu Nadir dhe siguronte të

ardhurat vjetore të familjes së tij.99

Në këmbim të gjysmës së hurmave ose të drithërave, Profeti dha Hajberin. Grave të tij u jepte çdo vit nga 80 vesk hurma, 20 vesk elb që bënin 100 vesk.100

Ajo që kuptohet nga hadithet, është se Profeti i ruante në një vend ushqimet, apo nevojat ushqimore për një vit. Por kjo pjesë e ndarë, harxhohej shpejt, brenda një kohe të shkurtër, nëpërmjet sadakasë. Për sa kohë Profeti ka parapëlqyer jetën askete, e ka shpërndarë pasurinë që ka pasur si sadaka. Edhe familja e tij, e edukuar me një moral të tillë, ka dhënë dhe nuk ka kërkuar gjëra në emër të kësaj bote. Ndërkohë nuk duhet të harrojmë se brenda vitit kishte dhe të ardhura të tjera nga rrethana të ndryshme.

VLERËSIMI I JETËS TREGTARE NGA PROFETI

Profeti ynë paqja qoftë mbi të! është gjendur brenda jetës tregtare që në fëmijëri. Ai ka shkuar në vende si Siria dhe Jemeni kur ka qenë i vogël bashkë me karvanët e xhaxhallarëve të tij dhe ka qenë në qendër të jetës tregtare. Siç kishte ndodhur edhe në fusha të tjera, edhe në tregti, Ai ishte pranuar si një njeri “i besueshëm dhe i respektuar” dhe u kishte frymëzuar siguri njerëzve përreth.

Edhe para se të martohej me Hz. Hatixhen kishte drejtuar karvanët e kësaj gruaje të pasur dhe të ve dhe kishte marrë pjesë në aktivitete të ndryshme tregtare. Profeti i fundit, krenaria e njerëzimit, ishte person i njohur dhe i shquar në tregti.

Si një njeri që e kishte kuptuar domosdoshmërinë e jetës tregtare që në fëmijëri, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të!, pas hixhretit, kishte menduar një projekt për vendosjen dhe themelimin e një tregu të myslimanëve në Medinë dhe e kishte realizuar atë. Në këtë mënyrë ishte thyer dhe autoriteti i çifutëve që mbizotëronte jetën tregtare të Medinës kohë më parë. Përveç kësaj, besimtarët mësuan të qëndrojnë mbi këmbët e tyre.

Ata të cilët përshkruajnë moralin tregtar të Profetit, shpreheshin kështu: “Ashtu siç ai vetë nuk cenonte të drejtën e tjetrit, ashtu nuk lejonte t’i cenohej edhe e drejta e tij.”

“NUK ËSHTË PREJ NESH AI QË MASHTRON”

Ebu Hurejre (r.a.) transmeton: “Një ditë, kur Profeti paqja qoftë mbi të! kishte dalë në treg, iu afrua një shitësi dhe futi dorën brenda mallit që shiste, pastaj e nxori. Gishtat i ishin lagur pak. “Ç’është kjo?”, iu drejtua shitësit. “Është lagur nga shiu”, ia ktheu shitësi. Atëherë Profeti i tha: “A nuk munde ta nxjerrësh përsipër pjesën e lagur që ta shihnin të gjithë? Nuk është prej nesh ai i cili mashtron.”101 Me anë të këtyre fjalëve, ai kishte vendosur një princip shumë të rëndësishëm në jetën tregtare dhe e kishte praktikuar vetë i pari.

Në fakt, klienti duhet të dijë gjithçka rreth mallit, sido që të jetë dhe pastaj duhet të marrë vendimin e tij. Të mashtrosh njerëzit me dredhi të ndryshme është në kundërshtim me moralin e Muhamedit dhe ata që veprojnë ashtu, veprojnë kundër Profetit tonë. Profeti ynë paqja qoftë mbi të! i ka përforcuar këto fjalë me një hadith tjetër ku thotë: “Një tregtar mysliman e ka të ndaluar t’i shesë me vetëdije një klienti një mall me defekt.”102

KËSHILLONTE NË LEHTËSIMIN E SHITBLERJES

Sipas transmetimit të Hz. Xhabirit (r.a.), Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! ka thënë: ”Zoti e shtoftë mëshirën e Tij për njerëzit që lehtësojnë dhe janë bujarë në shitje, blerje dhe në shlyerjen e borxhit.”103 Ndërsa sipas transmetimit të Tirmidhiut: “Zoti e ka mëshiruar një njeri që jetoi para jush. Sepse ky njeri lehtësonte në shitje, lehtësonte në blerje dhe kur dëshironte të merrte diçka, tregohej i sjellshëm dhe lehtësonte.”

Ebu Hurejre (r.a.) thotë se Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Zoti e do tolerancën në shitje, tolerancën në blerje dhe tolerancën në pagesë.”104

KËSHILLA E PROFETIT PËR ATA QË PUNËSOJNË NJERËZ

Zotëria i gjithësisë, urdhëron ekuilibrimin e sjelljeve ndaj njerëzve që punojnë afër tyre. Nga Suvejd bin Mukarrin el Muzeni transmetohet një episod: “Ne ishim shtatë vëllezër. Nuk kishim asnjë ndihmës, vetëm një robëreshë. Njëri nga vëllezërit e mi një ditë i kishte rënë me shuplakë asaj. Pas kësaj, i Dërguari i Zotit, na urdhëroi ta lironim robëreshën.”105

Madje rreth virtytit të lirimit të robërve, transmetohet: “Nëse një mysliman liron një rob mysliman, atëherë ai bëhet shkak për shpëtimin e tij nga zjarri. Çdo organ i robit shpëton një organ të trupit të tij nga zjarri. Nëse një mysliman liron një robëreshë myslimane, atëherë ajo bëhet shkak për shpëtimin e tij nga zjarri. Çdo organ i saj shpëton një organ të tij nga zjarri. Nëse një grua liron një robëreshë myslimane, atëherë ajo bëhet shkak për shpëtimin e saj nga zjarri. Çdo pjesë e trupit të robëreshës shpëton një organ të trupit të saj.”106

TË FOLURIT, MËNYRA E TË FOLURIT, BUZËQESHJA DHE E QESHURA E PROFETIT

Të folurit e Profetit tonë, më i miri i folësve dhe zotëria i horizontit Levlake Levlake, ka qenë jashtëzakonisht e ëmbël dhe ledhatuese. Fliste qetë dhe i ndante fjalët nga njëra-tjetra me qëllim që çdo fjalë të kuptohej mirë nga ata që e dëgjonin. Kishte zakon të përsëriste tri herë një fjalë të cilën dëshironte ta theksonte. Në shumicën e rasteve, kur fliste, sytë i drejtonte lart nga qielli. Zërin e kishte të lartë. Në një transmetim të Umu Hanit, (r.a.) thuhet kështu: “Profeti paqja qoftë mbi të! lexonte Kuran në Qabe dhe ne e dëgjonim të ulur, në divanet tona në shtëpi.”107

Ndërsa Aishe (r.a.) kur përshkruan mënyrën e të folurit të Profetit, shprehet kështu: “Kur fliste, nuk fliste si ju. Kushdo qoftë ai që e dëgjonte, mund t’i mësonte përmendësh fjalët e Tij.”108 Madje kur fliste Profeti ynë, mund të numëroje dhe shkronjat e nxjerra nga goja e tij. Jo ngaqë fliste ngadalë. Sepse të folurit e ngadaltë mund ta mërzisë dëgjuesin. Por të folurit shkoqur e qartë nga Profeti, nuk vjen në kuptimin e një të foluri të rëndë, të ngadaltë. Madje kur ai dëshironte të theksonte diçka, e përsëriste tri herë.109

Në një hadith të gjatë, një ditë Hz. Hasani e pyet Hind ibn Hale: “Si fliste Profeti paqja qoftë mbi të!?Ai ishte përgjigjur kështu: “Në shumicën e rasteve qëndronte i heshtur, sikur të ishin në prezencën e Krijuesit Hyjnor. Ai nuk pushonte si njerëzit e botës, koha e heshtjes ishte më e gjatë se ajo e të folurit, nuk kish zakon të fliste kur nuk ishte e nevojshme. Kur niste të fliste dhe kur mbaronte fjalën, thoshte “bismil’lah”. Qëllimet e tij i shprehte me fjalë të shkurtra dhe të sakta, ishte lakonik. Kur duhej të shprehte synimet e tij, nuk fliste as pak, as shumë. Gjithmonë respektonte mirësinë edhe nëse ishte e pakët nuk përdorte asnjë shprehje qortuese për të. Falënderonte për çdo mirësi. Nuk shqetësohej për pasurinë e botës, domethënë nuk e zemëronte asnjëherë ndonjë çështje e kësaj bote. Por përballë prekjes dhe cenimit të një të drejte, askush nuk mund t’i dilte para zemërimit të tij. Nuk mërzitej apo zemërohej për ndonjë çështje që kishte lidhje me të. Prandaj nuk ushqente asnjëherë urrejtje dhe armiqësi. Kur do të tregonte diçka, nuk tregonte me gisht, por me duart e tij të bekuara. Kur i pëlqente diçka, nëse pëllëmbën e dorës e kishte të drejtuar drejt tokës, e ngrinte lart, nëse e kishte të drejtuar lart, e drejtonte poshtë. Kur dëshironte të fliste, me gishtin e dorës së majtë godiste pëllëmbën e dorës së djathtë. Nëse zemërohej me dikë, nuk fliste me zë të lartë, që të bërtiste, e pranonte me një të falur. Kur qeshte, mbyllte me përulësi kapakët e syve, në këtë mënyrë nuk e shfaqte të qeshurën. Qeshja e Profetit tonë, më i epërmi i profetëve, ishte gjithnjë buzëqeshje. Kur buzëqeshte, i dilnin dhëmbët e pastër e të bekuar si margaritarë.”110

Ndërsa Xhabir ibn Semure na jep këtë transmetim: “Profeti paqja qoftë mbi të! e kishte kërcirin të hollë. Kur qeshte, shfaqte një buzëqeshje. Në pamje të parë mendoje se Ai mund të kishte përdorur syrme për të lyer sytë, por në të vërtetë, sytë e tij ishin si të lyer me syrme.”111 Profeti ynë ishte një njeri i buzëqeshur. Haris ibn Xhuz thotë: “Nuk kam parë njeri më të buzëqeshur se i Dërguari i Zotit.”112

Ndonjëherë, i Dërguari i Zotit ka buzëqeshur në lidhje me konkluzionin e ndonjë çështjeje. Hadithi që transmeton Ebu Dheri (r.a.) është: Profeti ynë thotë: “Unë e njoh njeriun e parë që do hyjë në xhenet pasi të ketë shpëtuar nga xhehenemi dhe njeriun e fundit që do të shpëtojë nga xhehenemi për të hyrë në xhenet. Në ditën e kiametit, kur njeriu çohet për të dhënë llogari, melekët urdhërohen:

Tregoni këtij njeriu gjithë mëkatet e vogla që ka bërë. Ndërsa mëkatet e mëdha fshijani. Atij i thuhet ke bërë këtë, këtë, këtë. Ai i pranon të gjitha dhe nuk mund të kundërshtojë asgjë nga ato që thuhet. Ndërkohë frikësohet nga mendimi i mëkateve të mëdha. Në atë çast, Zoti u drejtohet melekëve:

Jepini atij të mira përballë këtij mëkati të vogël. Kur e dëgjon vendimin, ky njeri mëkatar dhe i pashpresë, me një ambicie të rilindur, thotë:

Unë kam bërë mëkate edhe më të mëdha. Nuk po arrij t’i shoh në librin e veprave.

Ebu Dheri thotë: “Kur e tha këtë Profeti, pashë nga Ai. Nga e qeshura i dukeshin dhëmballët.”113

Abdullah ibn Mesudi transmeton se Profeti ynë ka thënë: “Zoti më tregoi për njeriun e xhehenemit që do të dalë i fundit nga xhehenemi dhe do të hyjë i fundit në xhenet. Ky njeri do të dalë duke ecur këmbadoras nga xhehenemi. Zoti i Madhëruar do t’i thotë:

“Shko, hyr në xhenet!”

Ai njeri shkon në xhenet, por xheneti është aq i mbushur, saqë çdo njeri ka vendin e tij dhe duket se nuk ka mbetur asnjë vend.

“O Zoti im! Unë e gjeta xhenetin të mbushur plot”, thotë.

Zoti i Madhëruar i thotë sërish:

“Shko, hyr në xhenet!”

Ai hyn në xhenet. Përsëri e gjen të mbushur plot e përplot.

“O Zoti im! E gjeta xhenetin të mbushur plot”, i thotë përsëri Zotit.

Zoti i përgjigjet:

“Shko, hyr në xhenet, vendi yt është sa e gjithë bota dhe dhjetë herë më e madhe se bota.

Ai drejtohet kështu:

Ti po tallesh me mua duke qenë se je Sunduesi i vetëm!”

Abdullah ibn Mesudi thotë: “Për Zotin, Profeti paqja qoftë mbi të! qeshi aq shumë, sa iu dukën dhe dhëmbët e fundit.”114

Në këtë hadith tregohet se si e ka bërë të qeshë Profetin paqja qoftë mbi të! një tablo e lidhur me ditën e fundit.

Një ngjarje tjetër që e ka bërë të qeshë të Dërguarin e Zotit, është:

Ebu Hurejre (r.a.) tregon kështu: “Erdhi njëri te Profeti dhe i tha:

“U shkatërrova, o i Dërguari i Zotit.”

“Çfarë të ka shkatërruar?”, e pyeti i Dërguari i Zotit.

“Kam kryer marrëdhënie seksuale me gruan gjatë Ramazanit.” Pas kësaj Profeti i thotë:

“A mund të lirosh një rob?”

“Jo, nuk mundem”, iu përgjigj ai.

“Atëherë a ke fuqi të agjërosh dy muaj pa ndërprerje?” e pyeti Profeti.

“Jo, nuk mundem”, iu përgjigj. Profeti i tha:

“A mund të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”

Pastaj ai u ul afër Profetit. Të Dërguarit të Zotit i sollën një kanistër me hurma. Profeti iu drejtua:

“Merre këtë dhe jepe si sadaka!” Ai iu përgjigj:

- T’ia jap një njeriu më të varfër se unë? Ndërmjet banesave nga të dy krahët e Medinës, nuk ka familje më në nevojë për këtë se familja ime.

Pas kësaj përgjigjeje, Profeti qeshi sa iu dukën dhëmballët. Pastaj iu drejtua: “Atëherë jepja familjes tënde nëse është kështu.”115

TË QARIT E PROFETIT

Sahabet e nderuar e kanë parë Profetin tonë, Profetin e mëshirës, duke qarë herë pas here. E qara e tij nuk ishte për shkak të humbjes së ndonjë gjëje materiale të kësaj bote. Ndonjëherë ka derdhur lot për vdekjen e një të ndjeri, ndonjëherë për hir të dashurisë për umetin e tij, ndonjëherë ka derdhur lot për frikën dhe respektin ndaj Zotit, ndonjëherë duke dëgjuar leximin e Kuranit.

Nuk e ka konsideruar të shëmtuar të qarin, që është një instinkt natyror dhe i lindur, por nuk e ka pranuar vajtimin apo të qarin që kundërshton caktimin e Zotit dhe kaderin e

Tij.

QANTE ME DËNESË, PËRVËLOHEJ SI TAVË DHEU

Abdullah ibn Auf thotë: “Iu afrova të Dërguarit të Zotit ndërsa po falte namazin. Zëri i të qarit ishte sikur zëri që nxjerr një tavë dheu e valuar mbi zjarr.” Shkaku i të qarit, padyshim që vinte nga frika prej Zotit. Ajo vinte si rezultat i pasqyrimit të cilësive madhështore dhe të bukura të Zotit. Sepse ai vetë ka thënë: “Unë jam i pari në kryerjen e punëve të mira dhe jam Ai që frikësohet më shumë nga Zoti. Po të dinit ato që di unë, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.”

Një herë, në Epokën e Lumturisë, ndodhi dukuria e eklipsit. Përballë kësaj vepre të mrekullueshme të Zotit, i Dërguari i Zotit u ngrit menjëherë dhe fali namaz. Aq shumë ndenji në këmbë (kijam) saqë dëshmitari, Abdullah b. Amr, filloi të mendonte se nuk do shkonte në sexhde. Pastaj ra në ruku. Por edhe në ruku ndenji aq gjatë saqë ai mendoi se nuk do të drejtohej. Pas një farë kohe e ngriti kokën nga rukuja dhe priti për një kohë të gjatë në këmbë. Pastaj ra në sexhde. E zgjati aq shumë saqë menduan se nuk do ta ngrinte kokën. E ngriti kokën nga sexhdja dhe priti për një kohë të gjatë mes dy sexhdeve. Përsëri ra në sexhde. Dhe në sexhden e dytë qëndroi gjatë dhe filloi të qante me dënesë. Ndërkohë i lutej Zotit duke derdhur thellësinë e zemrës: “Zoti im! A nuk më premtove që nuk do t’i dënosh ata sa të jem unë mes tyre? A nuk më premtove se nuk do t’i ndëshkosh për sa kohë të kërkojnë të falur? Ja, shiko, ne po të kërkojmë të falur.”

Pas faljes së këtij namazi dy rekatësh kaq të gjatë, ngjau eklipsi i diellit. U ngrit dhe e falënderoi Zotin (xh.sh). Pastaj tha këto fjalë: “Dielli dhe hëna janë dy nga argumentet e shumta të Zotit. Ato nuk mbulohen për shkak të vdekjes apo të lindjes së një personi. Nëse shihni mbulimin e këtyre dy argumenteve të mëdha, kujtoni menjëherë Zotin dhe vraponi për ta adhuruar.” Me këto fjalë, Profeti na kujton se eklipsi i hënës dhe i diellit, të cilat shihen ditët tona si veprimtari turistike, në të vërtetë janë kohë lutje dhe adhurimi ndaj Zotit.

QANTE KUR DËGJONTE KURAN

I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi të! kërkon nga Abdullah b. Mesud (r.a.) t’i lexojë Kuran. Abdullah b. Mesud (r.a.) çuditet përballë një kërkese të tillë dhe i thotë: “Si mund të të lexoj Kuran, o i Dërguari i Zotit, ndërkohë që ai të ka zbritur Ty dhe i shkon më shumë gojës tënde? Profeti ynë i përgjigjet: “Më pëlqen të dëgjoj leximin e Kuranit nga dikush tjetër”. Abdullah b. Mesudi (r.a.) filloi të lexonte suren Nisa. Kur arrin te ajeti “Si do shkojë puna e tyre o Muhamed kur të sjellim nga një Profet për çdo popull për të dëshmuar dhe ty si dëshmitar për të gjithë?”, pa sytë e të Dërguarit të Zotit të mbushur me lot.

PAFAJSHMËRIA E LOTËVE QË NUK KUNDËRSHTONIN CAKTIMIN E ZOTIT

Sipas Hz. Aishes (r.a.), kur Profetit i ka vdekur vëllai prej qumështi, Osman b. Maz’un ka qarë dhe e ka puthur.

Profeti ynë paqja qoftë mbi të! kishte një djalë me egjiptianen Marije. E donte shumë dhe e përkëdhelte me dhembshuri. Ky vogëlush i pafajshëm u sëmur rëndë kur ishte dy vjeç dhe sëmundja iu përhap shumë shpejt. Në çastin e fundit, Profeti ynë paqja qoftë mbi të! e përqafoi dhe e puthi për herë të fundit duke e shtrënguar në gji. Ndërkohë nuk mund t’i përmbante lotët dhe ndjenjat e tij i shprehu me këto fjalë: “Nuk kemi ç’të themi përballë kaderit të Zotit, o Ibrahim!” Pasi vogëlushi ndërroi jetë, Profeti paqja qoftë mbi të! me sy të përlotur tha: “Syri loton dhe zemra hidhërohet. Nuk na takon të themi ndonjë fjalë të papërshtatshme me kënaqësinë e Zotit. Vdekja jote na hidhëroi shumë o Ibrahim. Nëse vdekja nuk do ishte caktim nga Zoti, nëse nuk do të vinte exheli dhe ata që do vinin më pas nuk do të takoheshin me të parët, vdekja jote do të na hidhëronte edhe më shumë.”

Sahabet kur panë lotët e të Dërguarit të Zotit, edhe pse Profeti ynë paqja qoftë mbi të! ua kishte ndaluar të qarin, e pyetën për shkakun. Profeti i tha: “Unë nuk kam ndaluar hidhërimin, por kam ndaluar vajtimin me të bërtitura dhe të çjerra, duke hedhur gurë e rrahur veten kundër kaderit. Lotët që shihni janë pasqyrim i dashurisë dhe vuajtjes që kam në zemër...”116

Ibn Abasi (r.a.) transmeton: “Profeti paqja qoftë mbi të! mori në prehër një vajzë të vogël. Fëmija qëndroi pak në prehrin e tij dhe pastaj vdiq. Pas kësaj, Umu Ejmen filloi të qajë me zë të lartë. Profeti ynë u përpoq ta ndalonte vajtimin e saj me zë të lartë. Ajo iu drejtua Profetit: “A nuk të kam parë dhe ty duke qarë, o i Dërguari i Zotit? A nuk qani ndonjëherë ju?” Profeti iu përgjigj kështu: “E qara ime nuk rrjedh nga padurimi dhe nuk është një thirrje kundërshtuese e kaderit. Shkaku i të qarit tim është mëshira ime. Padyshim që besimtari dëshiron të mirën, kudoqoftë. Vuajtja e shpirtit është një e mirë për të, për këtë arsye falënderon Zotin.”

RAPORTET E PROFETIT ME PJESËTARËT E FAMILJES

Profeti paqja qoftë mbi të! bisedonte shpesh me pjesëtarët e familjes. Ashtu siç fliste me secilin prej tyre vetëm, kokë më kokë, ashtu fliste edhe në grup me ta. Bisedat e zhvilluara me gratë mbështeteshin në parime thelbësore. Çdo mëngjes pasi dilte nga xhamia dhe pasi falte namazin e ikindisë, vizitonte një nga një gratë e tij dhe bisedonte për pak kohë me to. Çdo mbrëmje zhvillonte biseda me to me qëllimin e bashkimit të pjesëtarëve të familjes. Transmetohet se në këto mbledhje, Profeti u tregonte grave histori të quajtura ‘hurafe’ dhe gjëra gazmore që i bënin të qeshnin të gjithë.

Hz. Aishja (r.a.) tregon se kishte disa kukulla dhe luante me shoqet e saj kur vinin ta vizitonin dhe Profeti nuk e ndalonte, përkundrazi e ndihmonte117, ndonjëherë bënte shaka nëpërmjet kukullave.118 E kishte lejuar Aishen (r.a.) të shikonte festat e organizuara nga etiopianët për Bajram, madje duke e mbajtur mbi shpinë.119 I ka bërë shaka të ndryshme grave të tij.120 Madje në udhëtime të ndryshme, garonte me Aishen.121

Sipas transmetimit të Hz. Aishes (r.a.), një ditë ajo kishte përgatitur përshesh. Afër tyre gjendej dhe Sevdeja (r.a.). Aishja (r.a.) e fton edhe atë të hajë. Kur ajo nuk pranon, Aishja i përgjigjet: “Nëse nuk e ha, do të ta përplas surratit”. Sevdeja këmbëngul në të vetën dhe Aishja merr pak nga përsheshi dhe ia lyen fytyrën. I gjendur përballë kësaj skene, Profeti qesh dhe duke i vendosur dorën Sevdes, i thotë: “Çfarë pret, lyeja dhe ti fytyrën.” Sevde ja lyen fytyrën Aishes. Profeti qeshi edhe me të.’122

Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! ka bërë shaka edhe me fjalë. Hz. Aishja (r.a.) tregon: “Një natë po kërkoja të Dërguarin e Zotit, e nxitur nga mendimi se mos kishte shkuar tek gratë e tjera, kur dora më preku flokët e tij. Profeti duke e kuptuar situatën, më thotë: ‘Ty duhet të të ketë vizituar përsëri shejtani.’123

Përsëri ka një transmetim tjetër rreth një shakaje me shërbëtoren Umu Ejmen, që mund të konsiderohet pjesë e familjes së Profetit:

Një ditë, Umu Ejmen shkon tek Profeti dhe i thotë:

“Më hip diku.”

“Po të hipi tek i vogli i devesë”, i përgjigjet Profeti.

“O i Dërguari i Zotit! I vogli i devesë nuk mund të më mbajë”, i drejtohet Umu Ejmen.

“Nuk mund të të hip në ndonjë vend tjetër, përveçse te i vogli i devesë”, i thotë Profeti, duke nënkuptuar se ‘çdo deve quhet i vogli i një deveje tjetër’. Transmetuesi i hadithit na thekson se Profeti edhe në shakatë e bëra nuk është ndarë kurrë nga e vërteta.124

Fjalë dhe veprime të ndryshme të Profetit tregojnë për interesimin dhe vlerësimin e pjesëtarëve të familjes dhe tregojnë që Ai i ka dhënë rëndësi edhe kënaqësisë së tyre përsa i përket aspektit shpirtëror. Shumë veprime të Profetit paqja qoftë mbi të! janë të lidhura me gëzimin e grave, si: shprehja e virtyteve grave të tij,125shprehja e dashurisë ndaj tyre,126 marrja në kalë,127 larja bashkërisht me ujin e një ene,128 ndihmesa që u jepte për t’i hipur në kalë,129 përgjigja e ftesës për drekë me kusht që “të ishte edhe gruaja bashkë me të”130, ngushëllimi dhe fshirja e lotëve kur ato ishin të mërzitura131.

Safija tregon se njëherë kishin qenë të hipur të dy mbi një deve, i kishte rrëshqitur këmba devesë dhe ishin rrëzuar të dy. Ebu Talhas (r.a.) që vrapoi për të na ndihmuar, Profeti i thotë: “Kujdesuni për gruan, merruni me të.”132

Edhe pse jo në të njëjtën masë, Profeti paqja qoftë mbi të! ka shfaqur respekt jo vetëm ndaj grave të tij, por ndaj çdo personi që e konsideronte të familjes. Ndërmjet grave, Hz. Aishja (r.a.) arriti një dashuri dhe një respekt të veçantë. Edhe xhaxhai i tij, Abasi, është trajtuar me një respekt ndryshe. I Dërguari i Zotit e ka dashur atë si babanë e Tij, është këshilluar me të për çështje të ndryshme dhe ka pranuar gjithnjë ndërmjetësimin e Tij.133

Dashuria e Profetit tonë ndaj Zejdit dhe djalit të tij Usame (r.a.) ishte e veçantë dhe domethënëse. I njohur ndryshe si “Hibbu Resulullah”- i dashuri i Profetit, Usame ka arritur lartësinë e dashurisë profetike, të njëjtë me dashurinë ndaj nipërve Hasan dhe Hysen134, duke zënë vend mes atyre të cilëve nuk do t’u refuzohet shefaati.135 I nderuar, i vlerësuar nga Profeti duke hipur në pjesën e pasme të devesë së Profetit, në ditët e Çlirimit të Mekës dhe në ditën e haxhit, megjithëse tetëmbëdhjetë vjeç, Usame u caktua si komandant nga Profeti në ushtrinë ku merrnin pjesë edhe të mëdhenjtë e muhaxhirëve si Ebu Bekri, Omeri, Ebu Ubejde ibn Xherrah, etj.136

Profeti nuk i ka nënvlerësuar lidhjet dhe komunikimin jo vetëm ndaj pjesëtarëve të familjes, por edhe ndaj të afërmve të tyre. Kështu që, kur Aishja (r.a.) pa Profetin duke i bërë kompliment një gruaje të moshuar, pasi ajo iku, e pyeti për shkakun e komplimentit. Ai iu përgjigj: “O Aishe, kjo grua është mike e Hatixhes. Na vizitonte kur ajo ishte gjallë. Respekti ndaj miqve rrjedh prej besimit.”137 Hz. Aishja (r.a.) thekson se për shkak të lidhjes së Profetit paqja qoftë mbi të! me të afërmit, çdo herë kur prisnin ndonjë qengj, u dërgonte atyre nga një pjesë.138

I emocionuar tejmase kur sheh varësen e dhënë si dëmshpërblim për dhëndrin e tij mes robërve të Bedrit, Profeti kërkon t’i kthehet mbrapsht dhe i pranohet kërkesa. Këtë varëse, Hatixhja ia kishte dhuruar Zejnebit, vajzës së saj kur ishte martuar.139

Hz. Enesi (r.a.) tregon: “I Dërguari i Zotit ndodhej pranë njërës prej bashkëshorteve. Njëra prej tyre i kishte dërguar ushqim në një pjatë. Zonja e dhomës e thyen pjatën duke i rënë dorës së Profetit. Profeti mblodhi gjellën e derdhur në dy pjesët e ndara të pjatës dhe iu drejtua: “U bëtë xheloze për nënën tuaj, po ejani, urdhëroni, hani tani!” Në një transmetim që vjen më pas, theksohet se si Hz. Aishja thyen pjatën e sjellë nga Hz. Hafsa me një gur. Ndërsa në një transmetim të tretë, Hz. Aishe pasi thekson se nuk kishte parë njeri tjetër të gatuante si Safija, pranon se e kishte thyer pjatën e nevrikosur. Përballë këtyre sjelljeve tregohet se përveç mbledhjes së ushqimit krejt i qetë dhe fjalëve: “U bëtë xheloze për nënën tuaj, urdhëroni hani!”, nuk ka pasur ndonjë reagim tjetër nga ana e Profetit.140

Nga transmetimet e dhëna shohim se si Profeti ka ndihmuar gratë e tij në disa punë të shtëpisë. Kur e pyetën Hz. Aishen (r.a.) se çfarë bënte Profeti në shtëpi, i përgjigjet kështu: “I shërbente familjes dhe dilte kur vinte koha e namazit.” Kur pyetën se me çfarë punësh merrej, përsëri në një transmetim të saj, ajo thotë: “Rregullonte këpucët, arnonte rrobat, qepte, pastronte rrobat, milte delen, rregullonte kovën, kryente punët e veta dhe çdo lloj pune tjetër që mund të bëni ju burrat në shtëpi.”141 Në disa transmetime thuhet se edhe ka gatuar.142

Përveç kësaj, Profeti nuk i ka lënë pas dore edhe komplimentet ndaj grave të tij. Theksojmë edhe kujdesin që tregonte i Dërguari i Zotit për argëtimin e pjesëtarëve të familjes. Profeti ka lejuar argëtimin, dëfrimin në disa ceremoni, si në dasma dhe në ditët e Bajramit. Profeti ynë ka qenë gjithashtu i duruar me gratë e tij.

Përsëri, zotëria i dy botëve, Profeti ynë, ka dhënë një shembull tjetër të bukur, konsultimin me gratë. Ai ishte frikësuar nga ato që kishte parë kur i kishte ardhur shpallja për herë të parë dhe atë frikën e brendshme ia kishte treguar Hz. Hatixhes. Ajo e qetësoi dhe e ngushëlloi Profetin.143 Dihet që edhe martesa mes vajzës së tyre, Zejnebit dhe Ebul Asit, është bërë me propozimin e saj. Madje transmetuesi pasi thekson propozimin për martesë të Hz. Hatixhes për vajzën e tyre me Ebul Asin dhe pranimin e propozimit nga Profeti, kumton një fjali shumë të rëndësishme në lidhje me temën tonë: “I Dërguari i Zotit nuk e kundërshtonte Hz. Hatixhen.”143 Bashkangjitur me këtë, në ngjarjen e shpifjes ndaj Hz. Aishes, e quajtur ndryshe si ngjarja Ifk, Ai ka pyetur rreth Aishes (r.a.), robëreshën e saj, Beriren, dhe Zejneb Bintu Xhahsh.145 Edhe shembulli i Umu Selemes është domethënës.

Pasi bëhet marrëveshja e Hudejbijes dhe pranohet pika për të mos bërë umre atë vit, sahabet nuk kishin mbetur të kënaqur dhe nuk deshën të dëgjonin urdhrin e Profetit për të dalë nga ihrami. Pasi kishte marrë vesh shqetësimin e Profetit, Umu Seleme i drejtohet me këto fjalë: “O, I Dërguari i Zotit! Ngrihu dhe prit kurbanin tënd, ata do të bëjnë si ti dhe do t’i presin kurbanet.” Profeti veproi ashtu dhe sahabet me të vërtetë e ndoqën.146

RAPORTET E PROFETIT ME NJERËZIT

Shembulli më i bukur për njerëzimin, Profeti ynë, ashtu si në çdo fushë të jetës, edhe në jetën sociale, në marrëdhëniet me njerëzit, ishte një shembull i përkryer. Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! kur propozonte diçka, e praktikonte vetë më parë dhe në të njëjtën kohë nuk linte pas dore edukimin e komunitetit për arritjen e tipit të jetës me të cilën Zoti është i kënaqur.

Profeti ynë i vlerësonte njerëzit, jetonte mes tyre dhe bënte një jetë të ngjashme me ta. Përshëndeste (jepte selam) i pari kur takohej me njerëz, u jepte dorën dhe i pyeste rreth shëndetit dhe gjendjes së tyre. Dëgjonte me kujdes fjalët që i thuheshin dhe nuk e kthente kokën në drejtim tjetër derisa folësi të largohej. Enes ibn Maliku (r.a.) na e tregon kështu këtë veçori të Profetit: “Kur Profeti takohej dhe fillonte të fliste me dikë, Ai nuk e kthente kokën derisa personi përballë tij ta kthente i pari. Kur takohej me dikë dhe i jepte dorën, nuk e tërhiqte dorën derisa ta lëshonte tjetri. Kur ulej me shokët e tij nuk i shtrinte kurrë këmbët.”147

Profeti ynë e vlerësonte individin pikësëpari nga të qenit njeri. Një nga shembujt më të bukur dhe tepër të qartë, është ky: Një ditë, kur Profeti qëndronte i ulur bashkë me sahabet, para tyre kaloi një xhenaze dhe Profeti paqja qoftë mbi të! me ta parë, u ngrit në këmbë. Ata që gjendeshin afër tij i thonë se nuk ishte xhenazja e ndonjë myslimani, por e një çifuti dhe për këtë arsye nuk ishte e nevojshme të ngrihej në këmbë. Pas fjalëve të tyre, Profeti u përgjigjet kështu: “Mysliman nuk qenka, po a nuk është njeri?”148

Një dëshmi e vlerësimit të njeriut është edhe ndalimi i të folurit keq për një njeri pas vdekjes149 si dhe i qëndrimit mbi varre.150

Profeti interesohej për problemet e sahabeve dhe u qëndronte shumë afër. Përkrah çështjeve të përgjithshme, ai nuk ka lënë pas dore detajet dhe është interesuar edhe për problemet më të vogla.

Ashtu siç interesohej për problemet e myslimanëve, Profeti gjithashtu i këshillonte ata të bënin të njëjtën gjë. Rreth kësaj teme ka thënë: “Kush i heq një myslimani njërin prej shqetësimeve të kësaj bote, Zoti do t’i heqë atij ditën e kiametit një prej shqetësimeve të tij. Kush e ndihmon dikë që është në gjendje të vështirë, Zoti do ta ndihmojë atë në këtë botë dhe botën tjetër. Kush i fsheh një të metë një myslimani, Zoti do t’ia fshehë të metat e tij ditën e kiametit. Zoti do ta ndihmojë robin e tij për aq kohë sa robi do të ndihmojë vëllanë e tij.”151

Profeti ynë vazhdimisht buzëqeshte, një buzëqeshje që shoqëronte gjithnjë fytyrën e tij.

Ai asnjëherë nuk ka qeshur me zë të lartë. E qeshura e Tij ishte në formën e buzëqeshjes.152 Sahabet e tregojnë gjithnjë të buzëqeshur.153 Xherir b. Abdullah ka thënë: “I Dërguari i Zotit nuk më ka penguar t’i qëndroj pranë që kur jam bërë mysliman. Nuk ka ndodhur asnjëherë që të mos më buzëqeshë sa herë që më shihte.”154

Profeti paqja qoftë mbi të! ishte fytyrëqeshur dhe i nxiste sahabet të ishin të tillë: “Një buzëqeshje e dhuruar është një sadaka për ty.”155 “Mos nënvlerëso asnjë lloj të mirësisë, qoftë kjo dhe një buzëqeshje dhuruar vëllait tënd.”156 Profeti ka kaluar shumë momente të dhimbshme gjatë jetës. Madje mund të thuhet se nuk kishte mbetur vuajtje dhe mundim pa hequr. Ndaj dhe themi që kishte përjetuar të gjitha llojet e mërzisë. Megjithatë, ai bashkë me hidhërimin, gjithnjë kishte një buzëqeshje në fytyrë. Kjo ishte një meritë që i përket vetëm Profetit tonë.157

Një çështje të cilën Profeti e ka vlerësuar shumë dhe e ka pasur si princip në jetën e tij, është shkëmbimi i selamit (përshëndetja islame). “Njeriu më i pranuar te Zoti është ai i cili jep selam i pari në një takim.”158 Profeti gjithnjë jepte i pari selam kur takohej me dikë.159 U ka dhënë selam fëmijëve160 dhe grave161, ndërsa selameve të dhëna nga hebrenjtë dhe të krishterët (ehli kitab) u përgjigjej vetëm me fjalët “ve alejkum”162. Me fjalët: “Selam është një nga emrat e Zotit. E ka vendosur në tokë. Atëherë përhapeni atë mes jush”163, tregon rëndësinë e selamit. Në një hadith tjetër, thotë: “Nuk mund të hyni në xhenet pa besuar dhe nuk do mund të jeni besimtarë të mirëfilltë pa dashur njëri-tjetrin. A t’ju tregoj për diçka të cilën nëse e bëni, do ta shtojë dashurinë mes jush? Përhapeni selamin!”164 Me këto fjalë thekson se përhapja e selamit forcon lidhjet mes individëve dhe zhvillon ndjenjat e dashurisë, të mëshirës dhe dhembshurisë ndaj njëri-tjetrit. Ai ka kërkuar të jepet selam kur hyn dhe kur del nga një tubim apo mbledhje.165 Pyetjes së një sahabe se cila veçori në fenë islame shihet si më e mira, ai i përgjigjet: “Të ushqesh dikë dhe t’i japësh selam të gjithë atyre që njeh dhe atyre që nuk njeh.”166 Duke theksuar gjithashtu se është e përshtatshme që t’i japë selam ai që ndodhet i hipur mbi kalë atij që është në këmbë, ai që është në këmbë atij që është ulur, një grup i vogël njerëzish një grupi më të madh,167 Profeti ynë ka shpjeguar shumë detaje në lidhje me selamin dhe është munduar për përfshirjen e selamit në moralin e komunitetit.

Një veçori tjetër specifike e Profetit tonë në marrëdhëniet me njerëzit është mosdallimi mes të pasurve dhe të varfërve. Në këndvështrimin e tij, të gjithë ishin të barabartë, i pasuri, i varfri, fëmija, zotëria, robi. Për këtë arsye, Profeti nuk bënte dallime mes njerëzve.168 Epërsia në Islam nuk lidhet me pasurinë, por me devotshmërinë (takva), siç theksohet në Kuran, të jetosh në përshtatje me pëlqimin e Zotit.169 Shohim se Profeti ka treguar interes të veçantë për të varfrit. Në një hadith thotë: “Kërkojini të varfrit dhe kujdesuni për ta. Sepse ju ndihmoheni dhe furnizoheni me të mira vetëm me ndihmesën ndaj tyre.”170 Një nga këshillat që Profeti i ka dhënë Ebu Dherrit, është: “Duaji të varfrit dhe gjindu pranë.”171 Profeti nuk ka dashur që robërit apo robëreshat të thirreshin me emrat “robi im, robëresha ime”, por të thirreshin me emra si “djalosh, i ri, bir, bijë”.172 Nëpërmjet hadithit: “Ka një njeri me flokë të pakrehur, të përzënë derë më derë dhe të pavlerësuar ndonjëherë, i cili nëse do të betohej, Zoti nuk do ta nxirrte gënjeshtar në betimin e tij (në lidhje me çfarëdo çështje)”173, na bën të ditur se nën një pamje të jashtme, të varfër, mund të fshihet një zemër e vyer për Zotin dhe na fton të tregohemi të kujdesshëm.174 Kryesorja tek hadithi: “Njerëzit janë bijtë e Ademit. Dhe Zoti e krijoi Ademin nga dheu”175, është theksimi i barazisë mes njerëzve.

Profeti ynë ishte njeri i brishtësisë, i delikatesës dhe i mirësjelljes. Ai nuk bënte asnjë veprim apo sjellje që të dëmtonte mjedisin përreth. Nga natyra ishte i butë.176 Hynte në zemrat e njerëzve dhe nuk urrehej nga ta. Përballë njerëzve ishte gjithnjë fytyrëqeshur dhe sillej mirë me ta. Nuk ishte njeri me vese të këqija, zemërgur dhe fjalërëndë. Nuk grindej me askënd, nuk përdorte fjalë të pahijshme dhe nuk turpëronte asnjeri. Distancohej gjithmonë nga koprracia. Nuk merrej me punë që nuk i pëlqenin.177

Ishte shumë i sjellshëm sepse kishte arritur caqet e edukatës hyjnore. Këtë arritje e shpjegon vetë me këto fjalë: “Mua më edukoi Zoti im. Prandaj jam edukuar kaq mirë.”178 Ai ishte shembulli më i përkryer për njerëzimin. Ky ishte dhe qëllimi i dërgimit të tij. Sepse ai vetë thotë: “Unë jam dërguar për të përsosur moralin e bukur.”179 Kurani e përforcon këtë me ajetin: “Padyshim që Ti (Muhamed) je me moral të lartë.”180 Ndërsa Abdullah b. Amr transmeton një pasazh nga Teurati në lidhje me Profetin tonë: “Ai nuk është i ashpër dhe i vrazhdë. Në treg nuk bërtet dhe nuk flet me zë të lartë. Të keqes nuk i përgjigjet me të keqe.”181. Edhe nga kjo kuptojmë se brishtësia dhe mirësjellja e Profetit tonë ka zënë vend dhe në librat e vjetër hyjnorë.182 Hz. Aishja (r.a.) thotë: Një ditë, i Dërguari i Zotit hyri në dhomën time, u kthye nga kibla dhe ngriti duart për t’u lutur: “Zoti im! Unë jam njeri, nëse kam mërzitur apo fyer ndonjë nga robërit e tu, mos më dëno për këtë.”183

Enes b. Malik që i ka qëndruar pranë Profetit për shumë vjet, tregon: “I kam shërbyer për dhjetë vjet Profetit, nuk më ka thënë asnjëherë of. Kur bëja diçka, nuk më ka thënë “pse e bëre?”, kur nuk e bëja “pse nuk e bëre?”184 Sepse Ai, sipas një shprehjeje të Enes b. Malikut, ishte njeriu me moralin më të bukur ndër njerëz.185

Besnikëria është një nga cilësitë më të dukshme të Profetit në marrëdhënie me të tjerët.

Kjo cilësi kristalizohet edhe tek bashkëshortja e parë dhe bashkëvuajtësja e tij, Hz. Hatixhja. Sepse të gjithë dyshuan te Profeti kur u tha të tjerëve se i kishte ardhur engjëlli. Por Hz. Hatixhja, e cila e njihte mirë Profetin e nderuar, e besoi pa asnjë dyshim. Ia besoi atij gjithë pasurinë. E mbështeti të Dërguarin e Zotit me gjithë qenien e saj.186 Sigurisht që një bashkëshorte të tillë që kishte kaluar njëzetekatër vjet bashkë me të, nuk mund ta harronte njeriu besnik. Nuk mund të harroheshin vështirësitë e përjetuara në ditët e para të Islamit dhe përballimi i tyre së bashku. Ndaj dhe Profeti ynë i nderuar e kujtonte në çdo çast dhe respektonte kujtimin e saj.187 Një herë do t’i dërgonte një dhuratë dikujt. Sahabes i drejtohet me këto fjalë: “Këtë dhuratë çojeni në shtëpinë e filan gruaje sepse ajo ishte shoqja e Hatixhes. E donte shumë atë.”188

Profeti ynë ka pasur një respekt të thellë ndaj mëndeshës së Tij. Kur nëna e qumështit, Halimja, e viziton atë pas shumë vitesh, pas çlirimit të Mekës, i shtron pelerinën e tij për t’u ulur dhe e respekton.189 Kur i ka ardhur vëllai prej qumështi, është ngritur në këmbë dhe e ka ulur mbi veshjen e tij.190 Edhe motrën prej qumështi, Shejmën, të sjellë mes robërve të Hevazinit, e ka gostitur, është interesuar për të dhe e ka përcjellë me dhurata të ndryshme kur u kthye tek fisi i saj.191 Ai kujtonte në çdo rast bujarinë e ensarëve të cilët kishin hapur dyert e shtëpive dhe i kishin mirëpritur dhe lutej gjithnjë për ta.192 Frikës që patën ensarët kur u çlirua Meka, mos Profeti nuk kthehej më në Medinë, i përgjigjet: “Jeta dhe vdekja ime do jetë pranë jush.”193

Këto fjalë të cilat tregojnë besnikërinë e Profetit tonë, kishin hequr shqetësimin e myslimanëve ensarë dhe kishte qetësuar shpirtrat e tyre.

Gostitja e mysafirit,194 një nga cilësitë e Ibrahimit (a.s.) e përmendur në Kuran, zë vend mes të cilësive më të larta të Profetit. Mund të themi që mysafirët nuk mungonin asnjëherë në sofrën e tij. Sipas një transmetimi të Ibn Sa’dit, kur Ebu Hurejre thotë se Profeti qëndronte i uritur, A’rexhi e pyet se si qëndronte. Ebu Hurejre tregon se kjo ndodhte për shkak të vizitave të shumta që i bëheshin dhe se me të qëndronte një grup njerëzish të pandarë. Përveç kësaj Ebu Hurejre thotë se Profeti nuk hante asnjëherë pa sahabet apo banorët e Sufes.195 Profeti ynë kujdesej vazhdimisht për banorët e Sufes. Ata nuk kishin ku të rrinin, nuk kishin pasuri dhe kush që t’i mbështeste. Çdo sadaka, dhuruar Profetit, shkonte për ta; Ai nuk mbante gjë për vete. Nëse ishte dhuratë, ia dërgonte përsëri atyre, por këtë herë merrte dhe vetë një pjesë; në këtë mënyrë e ndante dhuratën me ta. Përveç kësaj, Profeti i ftonte për drekë dhe u siguronte ushqimet.196

Profeti ynë në çdo rast gostiste sahabet që ishin të varfër dhe që kishin probleme materiale. Atë e vizitonin vizitues dhe delegatë nga çdo anë e Arabisë. Mysafirët e shumtë në numër qëndronin për një farë kohe në Medinë. Profeti interesohej gjithnjë për mysafirët, qofshin këta delegatë diplomatikë apo njerëz të thjeshtë, siguronte gostitjen e tyre me sa kishte mundësi. P.sh., kur tregojnë për pritjen e delegacionit Beni Hanife, në shtëpinë e Remle b. Haris, thonë se janë pritur një herë me bukë dhe mish në mëngjes e darkë, një herë me bukë e qumësht dhe njëherë me bukë e gjalpë.197

Profeti kishte ngarkuar disa sahabe të merreshin me gostitjen e delegacioneve që vizitonin Medinen198, përgatisnin ushqimet për rrugë199 dhe u jepnin dhurata.200 Profeti ynë, ai i cili i gostiste në mënyrën më të mirë mysafirët, na nxit ta gostitim mysafirin201 dhe thotë që nuk do ketë mirësi ai i cili nuk e gostit atë.202 Në hadithin: “Në shtëpinë ku ka mysafirë, mirësia arrin më shpejt nga sa arrin thika gungën e devesë”203, tregon se në shtëpinë ku gjenden mysafirë ka mirësi dhe begati.

Profeti ynë i puthte fëmijët dhe nipat e tij, i përkëdhelte dhe i donte shumë.204 Ai sillej me dhembshuri dhe mëshirë ndaj fëmijëve. Që ky mesazh të kuptohet dhe përftohet nga të gjithë myslimanët, në një hadith Ai shprehet: “Nuk është prej nesh ai që nuk ka dhembshuri për të vegjlit dhe respekt për të mëdhenjtë.”205 Në periudhën e injorancës, arabët nuk i përkëdhelnin dhe nuk i donin fëmijët e tyre. Një herë, erdhi tek Profeti një nomad që jetonte në shkretëtirë dhe e pyeti: “A i puthni ju fëmijët?” Profeti iu përgjigj: “Po”. Ata iu drejtuan: “Ndërsa ne, për Zotin nuk i puthim.” Profeti u tha: “Ç’mund të bëj unë nëse Zoti ka nxjerrë nga zemrat tuaja ndjenjën e mëshirës e të dhembshurisë!”206 Përsëri, një herë tjetër, Akra b. Habis, kur sheh Profetin duke puthur Hasanin, i thotë se ai kishte dhjetë fëmijë dhe nuk kishte puthur kurrë, asnjërin prej tyre. Profeti i është përgjigjur kështu: “Nuk mëshirohet ai i cili nuk mëshiron.”207

Profeti ka thënë se gratë më të mira ndër gratë arabe janë gratë e Kurejshëve. Ai është shprehur kështu: “Ato janë të dhembshura, i duan fëmijët e tyre dhe mbrojnë në mënyrën më të mirë gjërat që i përkasin burrave të tyre.”208

Në aspektin e marrëdhënieve me njerëzit, vlen të përmendim rëndësinë që i ka dhënë Profeti vizitës së të sëmurit. Kujdesej për të gjithë sahabet, të mëdhenj apo të vegjël qofshin, pyeste për ta dhe vizitonte të sëmurët. Në vizitat e tij nuk bënte dallime, grua, burrë apo fëmijë. Umul A’la nga ensarët tregon se Profeti e kishte vizituar kur kishte qenë i sëmurë dhe i kishte thënë: “O Umul Ala! Përgëzime, ashtu siç zjarri zhduk papastërtinë e arit dhe të argjendit, ashtu dhe sëmundja e një myslimani ia zhduk mëkatet atij.”209

Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! kishte vizituar nipin e tij, Umamen, kur ishte sëmurë dhe i kishin rrjedhur lot. Një sahabe që kishte kritikuar të qarën e tij, i ishte përgjigjur: “Kjo është mëshirë, Zoti e vendos në zemrën e atij që do. Zoti mëshiron vetëm ata robër që mëshirojnë.”210

Sad b. Ebi Vakas ishte sëmurë rëndë gjatë haxhit të Lamtumirës. I ishin venitur shpresat për t’u kthyer në Medinë. Profeti e kishte vizituar dhe ishte lutur për shërimin e tij.211

Krahas myslimanëve, Profeti ka vizituar edhe të sëmurë jomyslimanë. Ka vizituar fëmijën e një hebreu që i shërbente, i ka kërkuar të bëhej mysliman dhe fëmija është bërë mysliman.212 Profeti ynë ka vizituar dhe kreun e hipokritëve, Abdullah b. Selulin kur ishte sëmurë.213 Ka praktikuar vetë vizitën e të sëmurit dhe ka këshilluar dhe sahabet ta bëjnë.214 Kur i vizitonte të sëmurët, lutej për ta215 dhe u jepte kurajë. Ka këshilluar dhe umetin e tij që t’i përkrahin dhe t’i japin kurajë të sëmurëve.216 Ai gjithashtu u ka kërkuar të sëmurëve që të kuroheshin.217

Profeti ynë ka këmbëngulur gjithmonë që t’i bëhen dhurata të tjerëve. Duke thënë: “Bëni dhurata që t’ju shtohet dashuria mes njëri-tjetrit”218, pranonte dhe jepte dhurata.219 Për të dëshmuar se si dhurata afron dhe shton dashurinë mes njerëzve, ai thotë: “Bëjini dhurata njëri-tjetrit sepse dhurata zhduk zilinë dhe urrejtjen e zemrës.”220 Ka kërkuar që dhurata e marrë të pranohet dhe të mos nënvlerësohet.221 Profeti ka këshilluar që dhurata duhet të kthehet me diçka tjetër: “Kujt i bëhet dhuratë diçka, le t’i përgjigjet me dhuratë. Nëse nuk ka ç’ka të japë, le ta lavdërojë. Kush lavdëron, falënderon. Kush nuk falënderon, është mosmirënjohës.”222

Profeti nuk harronte asnjëherë t’u jepte dhurata delegacioneve. Për shkak të rëndësisë së këtyre dhuratave, edhe në shtratin e vdekjes, ka dhënë këto këshilla: “Delegacioneve që do vijnë jepuni dhurata siç kam bërë unë.”223 Sepse me anë të dhuratës ai ka fituar shumë zemra dhe e ka konsideruar atë një mjet të rëndësishëm për të treguar dhe për të dashur

Islamin.224

Profeti nuk shikonte te shokët e tij të afërt kritere si pasuria, posti, derë a fismë etj. Ai vlerësonte devotshmërinë. Respektonte shumë njerëzit e besuar, të ndershëm dhe të dhënë pas adhurimit dhe bindjes.

Si përfundim, më poshtë po japim disa fragmente nga një përkthim shemaili:

Nipat e Profetit Muhamed paqja qoftë mbi të!, transmetojnë nga babai i tyre Hz. Aliu (r.a.): “... Profeti paqja qoftë mbi të! e ndante kohën ditore në tri pjesë. Një pjesë e ndante për adhurime ndaj Zotit, si: të falurit namaz dhe të lexuarit e Kuran. Pjesën e dytë e ndante për kujdesje ndaj familjes: kryente punët e përditshme në shtëpi, plotësonte detyrat që i takonin rreth nevojave të shtëpisë. Ndërsa pjesën e tretë e ndante për pushim. Vetëm se pjesën e pushimit e ndante në dy pjesë të tjera: në njërën prej të cilave pranonte vizitat e sahabeve dhe u mësonte njohuritë e nevojshme. Shokët, pasi ndaheshin nga Profeti, u mësonin të tjerëve ç’ka kishin mësuar.”

Njerëzit e varfër paraqisnin para Profetit, një, dy ose më shumë kërkesa. Profeti i dëgjonte ata pa u mërzitur, kujdesej për ta dhe interesohej për plotësimin e nevojave. Kur e pyesnin rreth botës apo ahiretit, përgjigjej në mënyrën më të përshtatshme të nivelit të pyetësit dhe në të mirën e tij. Me përgjigjen e dhënë, e drejtonte pyetësin drejt së mirës. Gjithnjë i ka këshilluar të pranishmit: “Mësojani njohuritë e marra atyre që nuk ndodhen këtu. Më përcillni dëshirat, nevojat e atyre njerëzve që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur t’i shprehin në praninë time, qoftë burrë, grua, rob apo robëreshë. Padyshim, Zoti i Madhëruar ditën e kiametit do ta ndihmojë në urën e siratit personin që ndihmon njerëzit që nuk kanë fuqi t’ia shprehin kërkesat e tyre kryetarit të shtetit.”

Nuk lejonte që në praninë e tij të përdoreshin fjalë të pahijshme apo të panevojshme. Edhe kur dilte jashtë, nuk linte mënjanë modestinë. Me fytyrën e tij të qeshur shëtiste kudo, në treg, në rrugë, apo në vende të tjera, i pyeste për shëndetin, u drejtohej me fjalë të ëmbla dhe u hynte njerëzve në zemër. Menjëherë pyeste për gjendjet e sahabeve që nuk i shikonte në xhami, mbledhje apo ditën e xhuma, përpiqej të mësonte mos u kishte ndodhur gjë. Ndërsa atyre që takonte u përforconte njohuritë bazë të fesë dhe u tregonte gjëra që i afronin tek e mira, e bukura dhe që i largonin nga të këqijat.

Kur Profeti paqja qoftë mbi të! hynte te një grup njerëzish të ulur, nuk bezdiste njeri për të dalë në krye të vendit, por ulej menjëherë ku kishte vend bosh, në fund të grupit. Kështu dëshironte që të vepronin edhe të tjerët. Ata që ndodheshin në mbledhje, i përmendte me mirësi dhe i respektonte në një mënyrë të tillë, saqë çdokush afër tij ndihej si më i vlerësuari. Kur dikush qëndronte gjatë pranë tij, saqë i tejkalonte kufijtë, duronte duke mos krijuar probleme dhe krejt i qetë përpiqej t’ia plotësonte tjetrit kërkesat. Nëse i kërkohej diçka që e kishte, e jepte menjëherë, përndryshe, duke i hyrë në zemër, ia premtonte me fjalë të ëmbla. Mëshira, dhembshuria, bujaria dhe modestia e Profetit paqja qoftë mbi të! njihej nga të gjithë. I gjithë populli ishte i sigurt për përkujdesjen dhe lidhjen e fortë mes tyre dhe Profetit paqja qoftë mbi të! Gjithkujt i jepte atë që i takonte dhe në aspektin e të drejtës nuk përzgjidhte askënd para të tjerëve.

Tubimi i Profetit paqja qoftë mbi të! ishte tubim diturie, durimi, amaneti dhe sedre. Të gjithë silleshin me mirësjellje dhe edukatë. Respektonin njëri-tjetrin. Nuk flisnin me zë të lartë dhe jashtë etikës. Çështjet për të cilat flitej aty dhe nuk duhej të merreshin vesh jashtë, nuk i transmetonin jashtë dhe nuk merreshin me thashetheme. Aty nuk flitej kundër tjetrit dhe nuk akuzohej askush. Nëse dilnin në shesh të metat e ndonjë sahabi, njerëz jemi, ato mbeteshin aty dhe nuk përhapeshin. Njerëzit e takimit ishin njerëz të një gjuhe dhe goje të vetme. Të bashkuar në çështjen e zemrës, të mirëkuptuar në fjalët e thëna, ishin njerëz që kishin arritur harmoninë e bashkimit. Në komunitetin e Tij mbizotëronte modestia dhe si rrjedhojë, nxitej respekti për të moshuarit dhe dhembshuria ndaj të vegjëlve. Të gjithë së bashku përpiqeshin pikësëpari të plotësonin kërkesat e njerëzve në nevojë. Për të ndihmuar njerëzit në nevojë, zgjidheshin njerëz që nuk kishin mungesa dhe nevoja.225

TRASHËGIMIA E PROFETIT

Sipas transmetimit të Amr b. Harisit, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! pas vdekjes ka lënë shtizën, shpatën, mburojën, helmetën, mushkën e quajtur ’dyldyl’ dhe tokat e lëna si sadaka.

Në transmetimin e Ebu Hurejres (r.a.), vajza e Tij, Fatime (r.a.) shkon te Ebu Bekri (r.a.) dhe e pyet: “Cilët janë trashëgimtarët e tu?” Ebu Bekri (r.a.) i përgjigjet: “Familja ime dhe fëmijët e mi”. Fatimja e pyet përsëri: “Po me mua ç’do bëhet. Nuk jam trashëgimtare as e babait tim.” Ebu Bekri iu përgjigj kështu: “Kam dëgjuar Profetin e nderuar duke thënë se ne nuk mund të lëmë trashëgimtarë pas nesh. Por unë do të marr përsipër të plotësoj nevojat e njerëzve që më parë i plotësonte Profeti.” Me këto fjalë ai e ngushëlloi Hz. Fatimen.

Sipas një transmetimi të Hz. Aishes (r.a.), Profeti ka thënë: “Ne profetët nuk lëmë trashëgimi. Gjithçka që lëmë prapa, vlerësohet si sadaka.” Përsëri Hz. Aishe (r.a.) thotë: “I Dërguari i Zotit (s,a,s) nuk ka lënë as dinarë, as dirhem, as dele e as deve.”

Shënimet

  1. 1.“leulake leulake lema halaktul eflake - Po të mos ishe Ti, nuk do të krijoja universin.” Hadith kudsi.