SHEMAIL0%

SHEMAIL

PARAQITJA, JETESA, MORALI I PROFETIT MUHAMED — PAQJA QOFTË MBI TË!

Titulli origjinal: Şemail

Dr. Faruk Vural

SENDET E PËRDORA NGA PROFETI

MESTET E PROFETIT

Duket qartë që Profeti gjatë viteve të jetës ka bërë një jetë të thjeshtë. Kjo është pasqyruar edhe tek mestet e tij. Hadithi i transmetuar nga Burejde, është një argument për këtë. Ai thotë: “Nexhashiu i dhuroi Profetit dy meste të zeza, të pazbukuruara dhe të paqëndisura. Profeti i veshi ato, mori abdest dhe u dha mes’h sipër.

Emri i mbretit të Habeshit, Nexhashit, atij që i dërgoi dhuratën, ishte ‘As’hame‘356 Kur ky njeri vdiq, Profeti tha:

“Sot në Habesh vdiq një rob i mirë. Të ngrihemi dhe t’i falim namazin e xhenazes.”357

Edhe Dihjetul Kelbi i ka dhuruar meste Profetit. Profeti paqja qoftë mbi të! i ka veshur këto meste derisa janë vjetruar.358

Në librat e hadithit tregohet një ngjarje e tillë. Profeti paqja qoftë mbi të! një ditë shkon poshtë një peme për nevoja personale. I heq mestet e bekuara dhe i vendos në tokë. Ndërkohë që kishte marrë abdest dhe po vishte njërin prej mesteve, një zog nga lart ia merr mestin tjetër me sqep dhe fluturon lart. Pastaj zogu e ktheu mbrapsht mestin. Nga brenda doli një gjarpër. Pas kësaj, Profeti u shpreh kështu: “Zoti im! Kërkoj mbrojtje prej Teje nga e keqja e krijesave që ecin me dy këmbë, me katër këmbë dhe ato që zvarriten.”359

KËPUCËT E PROFETIT

Në jetën e Profetit tonë të nderuar, janë të dukshme edhe këpucët e tij të thjeshta. Katade (r.a.) pyeti shërbëtorin e Profetit paqja qoftë mbi të! Enesin (r.a.):

“Si ishin këpucët e Profetit?”

“Këpucët e tij ishin me dy rripa. Njëri rrip ndante gishtin e madh nga gishti anash. Tjetri kalonte nga gishti i mesit dhe e ndante atë me gishtin pas tij.360 Ndërsa në transmetimin e Ibn Abasit (r.a.) ai na tregon se këpucët e Profetit përmbanin dy lidhëse. Isa ibn Tahman thotë: “Enesi nxori këpucët e Profetit. Nuk kishte asnjë qime mbi to. Këto këpucë kishin dy lidhëse.”361

Përveç kësaj, ruajtja e ndonjë veshjeje të Profetit pas vdekjes së Tij nga Enesi (r.a.) bëhej për të ruajtur kujtimin dhe mbarësinë.

Abdullah ibn Omerit, njëri nga shokët e Profetit, i frymëzuar të vepronte si Ai, Ubejd ibn Xhurejxh, i tha:

“Ti vesh këpucë pa qime.”

“Unë kam parë Profetin të vishte këpucë pa qime. Madje kur merrte abdest, vishte këto këpucë kur i kishte këmbët ende të lagura”, iu përgjigj ai.

Ibn Omeri thotë: “Edhe unë kam dëshirë t’i vesh këto këpucë në shenjë afërsie me

Profetin.362

Në lidhje me llojin e këpucëve ,transmetohet nga Amr ibn Hurejsi (r.a.) i cili thotë:

“Unë e kam parë Profetin paqja qoftë mbi të! duke falur namaz me këpucë të qepura me dy shtresa lëkure.”363

Profeti ynë ndalon veshjen e një këpuce të vetme. Hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre është ky: Profeti ynë thotë:

“Asnjëri prej jush të mos ecë me një këpucë. Ose t’i veshë të dyja ose t’i heqë të dyja.”364 Arsyeja e një paralajmërimi të tillë është: Një njeri i cili shëtit me një çorape ose me një këpucë, mund të konsiderohet një njeri i dobët nga aftësitë mendore. Përveç kësaj, ky ekuilibër duhet të ruhet nga pikëpamja e natyrshmërisë mes organeve.

Kur veshim këpucët, duhet të fillojmë me këmbën e djathtë, kur i heqim, duhet të fillojmë me të majtën. Kemi dhe një hadith tjetër nga Ebu Hurejre (r.a.): “Secili prej jush le të veshë këpucët duke filluar me këmbën e djathtë. Ndërsa kur t’i heqë le të fillojë me këmbën e majtë.”365 Ndoshta hadithi që do të parashtrojmë tani do të tregojë se Ai nuk ka dashur t’i sjellë vështirësi umetit të Tij. Nëna e besimtarëve, Aishja (r.a.) thotë: “Profeti me aq sa mundte, pëlqente të përdortë të djathtën dhe të fillonte me të djathtën. Kështu vepronte kur krihte flokët, përdorte këpucët dhe merrte abdest.”366

Një çështje për të cilën Profeti është përpjekur shumë, kërkohet respekti dhe bindja nga umeti i tij. Meqë ai e ka nisur nga e djathta si krehjen e flokëve, marrjen e abdesit dhe veshjen e këpucëve, atëherë nga pikëpamja e respektit ndaj sunetit të Profetit, umeti i Tij duhet t’i bindet dhe ta zbatojë.

UNAZAT E PROFETIT

Fjala ‘hatem‘ mbart kuptimin e vulës dhe të unazës. Në zonën e Hixhazit unaza kishte përdorim të gjerë. Çfarë unaze ka përdorur Profeti i Nderuar?

Mbreti i profetëve, Profeti ynë Muhamed, paqja qoftë mbi të!, i dërgonte letra thirrjeje në fenë islame mbretërve dhe udhëheqësve të ndryshëm. Kur disa sahabe me eksperiencë në çështje zyrtare i thanë se gjatë dërgimit të letrave duhet edhe vula, atëherë Profeti urdhëroi përgatitjen e një vule. Vula e parë ishte prej argjendi, ndërsa guri ishte akik (një lloj guri i çmuar).

Në një hadith të transmetuar nga Enesi (r.a.) Profeti ka thënë: “Vula e parë e Profetit ishte prej argjendi ndërsa guri ishte etiopian.”367 Guri etiopian quhet dhe akik dhe gjendet më së shumti në Jemen dhe Etiopi. Ndërsa Ibn Omeri thotë: “Profeti kishte një unazë argjendi, e përdorte për të vulosur, por nuk e mbante në gisht.”368

Vula e njohur e Profetit ishte kështu. Në një rresht shkruhej ‘Allah’, në një rresht ’Muhamed’, në një rresht ‘Resul’.369 Në rreshtin e parë shkruhej emri ‘Muhamed’, në rreshtin e dytë ‘Resul’ dhe në rreshtin e tretë emri i Zotit ‘Allah’, që nënkuptonte: “Muhammedun resulAllah”- Muhamedi, i Dërguari i Zotit.

Përsa i përket heqjes së unazës dhe gjërave të ngjashme me to kur hyjmë në banjë, Profeti ka urdhëruar heqjen e tyre. Kjo bëhet kur në unazë apo diku tjetër ka të shkruar emrat e Zotit. Profeti ynë e ka hequr unazën edhe kur ka kryer nevojat personale.370 Unaza e përdorur nga Profeti dhe si vulë pas Tij, i ka kaluar Ebu Bekrit, pastaj Omerit, pastaj Osmanit. Më vonë ka rënë në pusin Eris. Në gurin e kësaj unaze ka qenë e shkruar “Muhammedun Resulallah’.371

SI E PËRDORTE PROFETI UNAZËN?

Kemi transmetime të ndryshme në lidhje me mënyrën si e ka përdorur Profeti unazën. Kjo tregon se Ai nuk ka përdorur vetëm një lloj unaze. Dhëndri i Profetit, Hz. Aliu thotë:

“Profeti paqja qoftë mbi të! e mbante unazën në dorën e djathtë.”372 Të njëjtin hadith transmeton dhe Ebu Seleme.373 Ndërsa hadithin në Ebu Davud që e transmeton Ibn Omeri (r.a.): “Profeti e mbante unazën në dorën e majtë.”374 Madje dhe Hasani dhe Hyseni (r.a.) e kanë mbajtur unazën në dorën e majtë.”375

SHPATAT E PROFETIT

Profeti ynë paqja qoftë mbi të! është Profeti i paqes. Në një hadith të tij thotë: “Unë jam profeti i mëshirës, në të njëjtën kohë jam dhe profeti i shpatës.”376 Kemi këto transmetime në lidhje me shpatat e përdorura prej Tij: Hz. Enesi (r.a.) transmeton që “Mbajtësja e shpatës së bekuar të Profetit ishte prej argjendi.”377 Te shpata që Profeti ka përdorur gjatë çlirimit të Mekës, ka pasur zbukurime prej ari dhe argjendi.378 Madje Semure ibn Xhundub thotë: “Unë për dëshirën time kam bërë një shpatë të njëjtë me shpatën që ka përdorur Profeti. Shpata e Tij i ngjasonte shpatave të përdorura nga fisi Beni Hanife.”379 Në këtë fis ka pasur mjeshtër të shpatave. Madje shpata të cilën Profeti e ka përdorur në çlirimin e Mekës, thuhet se ka qenë dhuratë e fisit Beni Hanife.

MBUROJAT E PROFETIT

Profeti ynë paqja qoftë mbi të! ka përdorur mburojë në luftë. Madje në mbledhjen e bërë para fillimit të luftës së Uhudit për ndryshimin e strategjisë së disa sahabeve, Profeti ka thënë: “Kur një profet vesh mburojën, nuk e heq më atë.”380

Profeti ynë nuk ka lënë pas dore asnjëherë marrjen e masave të nevojshme dhe zbatimin me përpikëri të kushteve të nevojshme, duke u bërë kështu shembull edhe për umetin. Imam Kastalani thotë se Profeti kishte shtatë mburoja. E para ishte ‘Dhatul Fudule.’ I është dhuruar Profeti nga Sad ibn Ubade kur po nisej në luftën e Bedrit. E dyta është ’Dhatul vishah’, e treta ‘Dhatul hivash’. Kjo mburojë ka qenë mburoja e Profetit Davudit (a.s) në luftën me Xhalutin dhe është trashëguar deri tek Profeti ynë. Të tjerat ishin mburoja të quajtura “sa’dejh”, “fidda”, “Tibre” dhe “Hirnik”.381

Hadithi i transmetuar nga Zubejr ibn Avami është kështu: “Profeti paqja qoftë mbi të! ka pasur dy mburoja në luftën e Uhudit. Njëra prej tyre ishte ‘Dhatul Fudul’, tjetra ‘Fidda’. Në një moment kur lufta arriti kulmin, Profeti deshi të dilte mbi një shkëmb dhe t’i jepte kurajë shokëve të tij. Por nuk mundi të dilte për arsye të rëndesës së mburojave. Thirri Talha ibn Ubejdullahun dhe i tha të ulej në tokë. Duke u mbështetur tek shpatullat e tij doli mbi shkëmb. Sigurisht që sahabet e nderuar u gëzuan shumë kur panë që Profeti ishte shëndoshë e mirë. Pas kësaj Profeti tha:

“Talha sot fitoi një shpërblim të madh dhe e meritoi shefaatin tim.”382 Madje mburoja që kishte veshur Profeti ditën e luftës së Uhudit përbëhej nga dy pjesë, pjesa mbrojtëse e jashtme dhe pjesa mbrojtëse e brendshme.383

PËRKRENARJA E PROFETIT

Profeti siç tregonte kujdes në përdorimin e mburojave, përkujdesej gjithashtu edhe në përdorimin e përkrenares. Ditën e çlirimit të Mekës kishte një përkrenare në kokën e Tij.384 Madje kjo helmetë ishte prej hekuri.385

ÇALLMAT E PROFETIT

Në arabisht fjala ‘çallmë’ njihet dhe si ‘destar’, ‘imame’. Profeti ka përdorur shumë çallma. Gjatësia e njërës prej tyre ishte shtatë pash, një tjetër ishte dhjetë pash. Përdorte një qylaf kur mblidhte çallmën. Ka shumë hadithe të transmetuara nga sahabet rreth kësaj teme. Ka transmetime të ndryshme rreth ngjyrës së çallmës dhe mënyrës së mbledhjes së saj.

Në një hadith të transmetuar nga Xhabiri (r.a.) thuhet: “Profeti ynë, ditën e çlirimit të Mekës, mbante në kokë një çallmë të zezë.”386 Përsëri transmetohet se gjatë një hutbeje ka pasur një çallmë të zezë të cilën e ka lëshuar mbrapa tij387. Madje një nga sahabet thotë se kishte parë një burrë në Buhara, hipur mbi kalë që bërtiste me zë të lartë: “Këtë çallmë ma ka dhënë i Dërguari i Zotit.”388

Ndërsa në transmetimin e Ibn Omerit (r.a.) thuhet se kur Profeti mbante çallmë, e lëshonte cepin e saj poshtë shpatullave.389

IDHARI I PROFETIT

‘Idhar’ është veshja e cila mbulon pjesën e poshtme të trupit. Ndërsa ‘rida’ është veshja e cila mbulon pjesën e sipërme. Dhe për dy pjesët e ihramit që përdorin haxhitë përdoren të njëjtat fjalë. Sipas transmetimit të Ebu Burejdes: “Kishim shkuar të vizitonim nënën e besimtarëve, Hz. Aishen (r.a.). Nxori për të na treguar një rida të arnuar dhe një idhar të qepur me pe të trashë.

Ajo na tha: “Krenaria e njerëzimit dhe Zotëruesi i Makamit Mahmud, Profeti ynë, kur ka vdekur, ka pasur këto veshje.”390 Nga kjo kuptohet se Profeti nuk ka hequr dorë nga thjeshtësia dhe modestia edhe në një periudhë të pasur. Ai ka preferuar gjithnjë atë që i shkon robit.

Një herë, kur njëri nga sahabet po ecte, Profeti e thirri nga mbrapa: “Ngrije idharin, kjo është më e mirë për devotshmërinë dhe jetëgjatësinë e veshjes tënde.”

Sahabi iu përgjigj: “O i Dërguari i Zotit, kjo nuk është rrobë e shtrenjtë dhe as e kam veshur në shenjë mburrjeje. Pas kësaj, Profeti i tha: “A mendon se nuk mund të përftosh një moral të bukur nga unë.” Kur sahabi pa Profetin, vuri re se veshja e tij ishte mbi thembra.391 Kur Osmani i tregoi veshjen e tij, tha:

“Ja, kështu ishte dhe veshja e Profetit tim. Në atë çast, Osmani mbante veshur një veshje që i arrinte në mesin e thembrave.”392