SHEMAIL0%

SHEMAIL

PARAQITJA, JETESA, MORALI I PROFETIT MUHAMED — PAQJA QOFTË MBI TË!

Titulli origjinal: Şemail

Dr. Faruk Vural

USHQIMET DHE PIJET

USHQIMET

SI ISHTE TRYEZA DHE KULTURA E USHQIMIT E PROFETIT?

Me tryezën e Profetit paqja qoftë mbi të! nuk duhet të kuptohet një tryezë tradicionale me njerëz që vijnë e shkojnë. Në jetën e Tij, paqja qoftë mbi të! nuk ka pasur asnjëherë një tryezë/sofër të mirëfilltë. Shërbëtori i Tij, Enesi, që i është gjendur gjithnjë pranë, tregon për tryezën e Profetit: “I Dërguari i Zotit nuk ka ngrënë bukë me pjata të veçuara apo mbi tryeza me këmbë të bëra prej druri. Nuk ka ngrënë bukë prej mielli të pastruar nga krundet ose bukë me petë brumi. Pas kësaj e pyeta Kataden se mbi çfarë hanin bukë? Katade u përgjigj: “Mbi këto sofra të rrumbullta të bëra prej lëkure.”284

Në shtëpinë e Profetit paqja qoftë mbi të! nuk ka pasur asnjëherë tryeza të ngarkuara. Ai jetën e kësaj bote e shihte si kapital për botën tjetër dhe ky parim ka qenë në qendër të jetës së Tij. Në të vërtetë këtu ka një udhëzim dhe këshillë për umetin e Tij. Ka një paralajmërim për ata që janë kërkues ndaj botës dhe pasurisë. Sipas asaj që tregohet në pjesën ‘Kitabul Et’ime’ të Sahihut të Buhariut, Profeti paqja qoftë mbi të! gjatë jetës së Tij, jo vetëm që nuk ka ngrënë ndonjëherë bukë prej gruri, por as nuk e ka parë.

Pëlqente shumë disa lloje gjellësh. Parapëlqente uthullën, ëmbëlsirën me mjaltë, vajin e ullirit dhe disa gjellë me zarzavate. Një herë kishte shkuar në shtëpinë e Umu Hanit:

“A ka ndonjë gjë për të ngrënë?”, e kishte pyetur.

“Uthull.”

“Në atë shtëpi ku ka uthull nuk mund të thuhet se nuk ka asgjë”, - i ishte përgjigjur. Në vendet arabe gatuhet një lloj gjelle që e quajnë ‘his’. Përgatitet duke përzjerë gjalpin me djathë dhe hurma. Profeti e pëlqente shumë këtë gjellë.

Një ditë, Hasani dhe Abdullah ibn Abasi kishin shkuar te Umu Seleme dhe i kishin thënë:

Sot na gatuaj gjellën më të preferuar të Profetit.

Mirë, po a do ta pëlqeni? - i pyeti ajo. Meqë ata këmbëngulën, Umu Seleme siti miellin e elbit, e vendosi në kusi dhe kusinë në oxhak. Pasi u bë, ua serviri duke u thënë:

Ja, kjo është gjella më e preferuar e Profetit. Nga llojet e mishit Profeti ka ngrënë mish dashi, dhie, pule, deveje, lepuri dhe peshk.

Kur Profeti paqja qoftë mbi të! u martua me Safijen (r.a.), në dasmë gostia përbëhej vetëm nga hurma dhe supë me miell të skuqur. Shalqirin e hante me hurma. I pëlqente kastraveci. Një ditë, Muavidh ibn Afra i kishte sjellë hurma dhe kastravecë. Ndonjëherë hurmën e ka ngrënë edhe me bukë.

Pëlqente shumë ujin e ftohtë. Ndonjëherë pinte qumësht të papërzier dhe ndonjëherë e pinte mbasi i hidhte pak ujë. Ndonjëherë i ziente bërthamat e hurmës, të kajsisë dhe të rrushit, pastaj pinte lëngun e tyre. Mes enëve të ushqimit kishte edhe një pjatë druri të lidhur me tela. Kështu transmetohet, por mund të ketë qenë e lidhur sepse ka qenë e thyer.

Nëse nuk e pëlqente gjellën në tryezë, nuk e zgjaste dorën. Por asnjëherë nuk thoshte që është e keqe. Nuk luante me gjellën para tij. I ndalonte dhe të tjerët të bënin diçka të tillë. Asnjëherë nuk ka ngrënë duke u mbështetur diku apo duke u shtrirë dhe nuk e ka pëlqyer. Nuk ka ngrënë në tryezë apo në një tepsi. Sofra e tij ishte një tepsi e madhe, pak e ngritur nga toka. Iranianët e përdornin për të vendosur gjellët dhe për të ngrënë. Kjo ishte një shenjë e qartë lavdërimi dhe mburrjeje dhe i përkiste njerëzve të pasur apo atyre që kërkonin të dukeshin. Për këtë arsye Profeti nuk preferonte të hante bukë mbi të. Hante vetëm me tre gishta.285 Mishin ndonjëherë e ka ngrënë duke e ndarë me thikë.286

AI QË HA QEPË DHE HUDHRA DUHET TË QËNDROJË LARG XHAMIVE

Sipas një transmetimi të Xhabirit (r.a.), Profeti ka thënë: “Ai i cili ha qepë, hudhra apo presh, të mos u afrohet xhamive tona. Sepse melekët shqetësohen nga gjërat që i bezdisin njerëzit.”287

Xhabir ibn Semure (r.a.) në transmetimin e tij thotë: Kur i Dërguari i Zotit emigroi në Medinë, qëndroi si mysafir në shtëpinë e Ebu Ejubit. Mbasi hante, pjesën që i tepronte ia dërgonte Ebu Ejubit. Një ditë, Profeti ia kishte kthyer gjithë gjellën, pa e prekur fare. Kur Ebu Ejubi erdhi për të mësuar arsyen, Profeti i tha se “në atë gjellë kishte hudhra”. Ebu Ejubi e pyeti: “A është e ndaluar hudhra, o i Dërguari i Zotit?” Profeti iu përgjigj: “Jo, por mua nuk më pëlqen për arsye të erës së rëndë.”288

Sipas një transmetimi të Aliut (r.a.), Profeti ka thënë: “Përdorimi i hudhrës u ndalua për shkak të shqetësimit të njerëzve nga era e saj. Por ajo mund të hahet nëse është e zier, sepse nuk të shqetëson.”289

Përsëri në një transmetim të Aliut (r.a.), Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Ngrënia e hudhrës nuk është e këshillueshme, por mund ta konsumoni të zier.” 290

Në një transmetim të babait të Ubejdullah ibn Ebi Jezidit, Umu Ejub tregon: “Kur

Profeti emigroi në Medinë, shkoi për vizitë në shtëpinë e tyre. Dhe ata përgatitën një gjellë të rëndë me zarzavate që përmbante qepë e hudhra. Profetit nuk i pëlqeu gjella dhe u tha shokëve të tij: “Hani nga kjo gjellë. Unë nuk jam si ju, kam frikë se mos e bezdis shokun tim, melekun afër meje me atë erë.”291

Sipas transmetimit të Ebu Alijes, ka thënë: “Hudhra është nga begatitë e lejuara.”292

Paralajmërimi i Profetit tonë paqja qoftë mbi të! për shmangien e ushqimeve me erë të rëndë, qepë, apo hudhër, është për arsye të largimit të melekëve nga era e rëndë si dhe të bezdisjes së njerëzve përreth. Përkundrazi, qepa, hudhra, apo preshi, janë ushqime të lejuara nga Zoti (xh.sh).

GJATË NATËS DUHET TË MBULOHEN ENËT DHE TË FIKEN DRITAT

Xhabiri (r.a.) transmeton se Profeti ka thënë: “Mbuloni enët, lidhini bucelat, mbuloni enët me kapak, fikini kandilat sepse shejtani nuk mund të hapë diçka të mbuluar, nuk mund të zgjidhë lidhjen e enëve prej lëkure, nuk mund të ngrejë kapakët e enëve. Sepse miu mund të hajë vajin dhe fitilin brenda kandilit duke shkaktuar djegien e shtëpisë.”293

Në transmetimin e babait të Salimit, thuhet se Profeti ka thënë: “Kur të flini, fikni zjarret në shtëpinë tuaj dhe merrini masat e nevojshme.”294

MOSNGRËNIA E HURMAVE APO FRUTAVE TË NGJASHME ME TO, DY NGA DY

Sipas një transmetimi të Ibn Omerit, thuhet se Profeti ndaloi ngrënien dy e nga dy të hurmave pa lejen e të zotit të shtëpisë.295

NEVOJSHMËRIA E USHQIMEVE MË ELEMENTARE NË SHTËPI

Sipas transmetimit të Aishes (r.a.), Profeti është shprehur kështu: “Nëse në shtëpi nuk gjenden ushqimore më elementare, si hurma, atëherë njerëzit e asaj shtëpie mund të quhen të uritur.”296

GJELLA PËR DY VETË MJAFTON DHE PËR TRE

Në transmetimin e Ebu Hurejres (r.a.), i Dërguari i Zotit ka thënë: “Gjella e përgatitur për dy vetë mjafton edhe për tre, gjella e përgatitur për tre mjafton edhe për katër.”297 Xhabiri dhe Ibn Omeri kanë transmetuar nga Profeti paqja qoftë mbi të!: “Ushqimi i një personi mjafton dhe për dy, ushqimi i dy njerëzve për katër dhe ushqimi i katër personave për tetë persona.”

A KA NGRËNË PROFETI MISH PULE?

Në transmetimin e Zehdem el Xhermiut thuhet se: “Shkova tek Ebu Musai, po hante mish pule. M’u drejtua: “Afrohu, ha dhe ti, sepse kam parë Profetin duke ngrënë mish pule.”298

Ndërsa Ebu Musai ( r.a) në transmetimin e tij thotë: “Kam parë Profetin duke ngrënë mish pule.”299

A KA NGRËNË PROFETI MISH SHPENDËSH SHTEGTARË?

Sipas një transmetimi të babait dhe gjyshit të Sefines (r.a.), ajo thotë: “Kam ngrënë mish shpendi bashkë me Profetin.”300

Ky ishte një shpend i egër i cili kapet me anë të gjahut.

A KA NGRËNË PROFETI MISH TË PJEKUR?

Nga Umu Seleme transmetohet se ajo i kishte skuqur Profetit paqja qoftë mbi të! një copë mishi dhe i Dërguari i Zotit pasi kishte ngrënë prej saj, kishte falur namazin pa marrë abdest.301

A I PËLQENIN PROFETIT MJALTI DHE HALLVA?

Në një transmetim, Aishja (r.a.) është shprehur: “Të Dërguarit të Zotit i pëlqente mjalti dhe hallva.”302

A ËSHTË I NJËJTË MISHI ME LËNGUN E MISHIT SI USHQIM?

Ebu Dherri (r.a.) transmeton se ka dëgjuar Profetin paqja qoftë mbi të! duke thënë: “Secili nga ju të mos e nënvlerësojë të mirën, qoftë kjo e vogël. Nëse nuk gjen asgjë për të kryer një vepër të mirë, prite vëllanë me buzëqeshje, nëse do të blesh mish dhe ta gatuash, atëherë për të bërë një të mirë, jepi komshiut nga lëngu i mishit të blerë.”303

EPËRSIA E PËRSHESHIT MES GJELLËVE TË TJERA

Sipas transmetimit të Ebu Musait (r.a.), Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Shumë prej burrave arritën përsosmërinë, ndërsa nga gratë, Merjemja e bija e Imranit dhe Asija, gruaja e Faraonit kanë arritur përsosmërinë. Epërsia e Aishes ndaj grave të tjera është si epërsia e përsheshit ndaj gjellëve të tjera.”304

SI DUHET TË HAHET MISHI?

Safvan b. Umeje (r.a.) transmeton se Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Mishin hajeni duke e kafshuar me dhëmbë, sepse kjo mënyrë është mënyra më e shijshme dhe më e mirë.”305

A MUND TË HAHET MISHI DUKE U PRERË ME THIKË?

Amr b. Umejete ed Damri (r.a.) transmeton se ka parë Profetin paqja qoftë mbi të! duke ngrënë kofshën e qengjit duke e prerë me thikë dhe se më vonë është ngritur për t’u falur pa marrë abdest.306

Ç”PJESË TË MISHIT PËLQENTE PROFETI?

Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Profetit paqja qoftë mbi të! i sollën mish të pjekur dhe pjesën e kofshës ia dhanë atij. Atij i pëlqente kofsha dhe e hëngri duke e kafshuar me dhëmbë.307

Ndërsa Aishja (r.a.) transmeton: “Nga pjesët e mishit, Profeti paqja qoftë mbi të! parapëlqente pjesën e kofshës. Por ishin të rralla rastet kur gjente mish apo gjellë me mish për të ngrënë. Për arsye të zierjes së shpejtë, pëlqente pjesën e krahëve të mishit.”308

A MUND TË JETË UTHULLA USHQIM DHE INGREDIENT USHQIMI?

Xhabiri (r.a.) transmeton se Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Sa ingredient i mirë është uthulla.”309 Ndërsa Aishja (r.a.) transmeton se Profeti ka thënë: “Sa ushqim i mirë është uthulla.”310

Umu Hani (r.a.), vajza e Ebu Talibit thotë: “Në ditën e çlirimit të Mekës, Profeti paqja qoftë mbi të! erdhi në shtëpinë tonë dhe pyeti: “A ka ndonjë gjë për të ngrënë në shtëpi?” Unë iu përgjigja: “Jo, nuk ka asgjë. Vetëm ca copa buke të thara dhe uthull.” Pas kësaj, Profeti paqja qoftë mbi të! tha: “Nuk mund të quhet pa ushqim një shtëpi që mban uthull.”311 Xhabiri (r.a.) në transmetimin e tij thotë se Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Sa e mirë është uthulla si ingredient në ushqim.”312 ingredient

A HAHET SHALQIRI ME HURMA TË NJOMA?

Aishe (r.a.) transmeton: “Profeti paqja qoftë mbi të! hante shalqirin me hurma të njoma.”313

A HAHET KASTRAVECI ME HURMA TË NJOMA?

Abdullah b. Xhafer (r.a.) transmeton: “Profeti paqja qoftë mbi të! hante kastravecin me hurma të njoma.”314

A E PËLQENTE PROFETI KUNGULLIN?

Ebu Taluti (r.a.) ka transmetuar në një hadith: Shkova te Enes b. Maliku, po hante kungull dhe tha: “Sa produkt i mirë je ti. Preferenca që kishte Profeti për ty, të bën më të dashur edhe për mua.”315

Enes b.Maliku (r.a.) transmeton: “Pashë të Dërguarin e Zotit duke kërkuar kungull brenda enës së gjellës, prandaj më pëlqen kungulli.”316

Xhabiri transmeton nga babai i tij: “Pranë Profetit paqja qoftë mbi të! pashë një kungull dhe e pyeta: “Çfarë është ky?” Profeti ynë m’u përgjigj: “Ky është kungull. Dhe ne e përdorim shpesh atë në gjellët tona.”317

A PËRDORET VAJI I ULLIRIT PËR USHQIM DHE SHËRIM?

Omer ibn Hatabi transmeton: “I Dërguari i Zotit ka thënë: “Konsumojeni vajin e ullirit dhe lyhuni me të sepse ai është fryt i një peme të begatshme.”318 Në transmetimin e Ebu Esidit (r.a.) tregohet se Profeti ka thënë: “Konsumojeni vajin e ullirit në ushqim dhe lyhuni me të sepse ai është nga një pemë e begatshme.”319

TË NGRËNIT BASHKË ME ROBËRIT DHE SHËRBËTORËT

Ebu Hurejre (r.a.) në një transmetim të tijin na lajmëron se Profeti ka thënë: “Nëse njëri nga shërbëtorët tuaj duron zjarrin dhe tymin e gjellëve të përgatitura, le ta marrë për dore atë shërbëtor dhe ta ulë në një tryezë me të; nëse nuk mund ta bëjë këtë, t’i japë nga ajo gjellë.”320

VLERA E TË USHQYERIT TË DIKUJT

Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Përhapeni selamin, ushqeni të tjerët që të arrini Xhenetin.”321

Abdullah ibn Amr (r.a.) në transmetimin e tij thotë se Profeti paqja qoftë mbi të! është shprehur kështu: “Adhurojeni Allahun, Mëshiruesin, ushqeni të tjerët dhe përhapeni selamin, në mënyrë që të hyni me mirësi në xhenet.”322

Në fakt, në këto këshilla të Profetit theksohen nevojat e një shoqërie që jeton në grup. Shoqëritë e përbëra nga njerëz që nuk përshëndesin, nuk gostitin mysafirin, qofshin në numër të madh, apo të vogël, nuk kanë qenë të qëndrueshme dhe të përhershme.

SI DUHET TË HAMË?

Sipas transmetimit të Omer ibn Ebi Selemes (r.a.), djali i Ebu Selemes, Omeri, kishte shkuar tek Profeti paqja qoftë mbi të! dhe e gjen atë duke ngrënë. I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi të! iu drejtua djalit me këto fjalë: “Afrohu, thuaj bismil’lah, dhe me dorën e djathtë ha pjesën para teje të gjellës në pjatë.” 323

Hz. Aishe (r.a.) transmeton se i Dërguari i Zotit ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush ha diçka, le të thotë bismil’lah. Nëse harron ta thotë në fillim, atëherë në fund le të thotë: Bismil’lahi fi evvelihi ve ahirihi (bismil’lah në fillim dhe në fund.”324

Profeti paqja qoftë mbi të! sillej shumë thjeshtë kur hante dhe asnjëherë nuk hynte në mundime. Nuk pëlqente të hante duke u mbështetur diku. “Unë asnjëherë nuk ha duke u mbështetur diku”, thoshte. Ndoshta ngrënia, duke u mbështetur diku, mund ta shtyjë njeriun të hajë më tepër dhe kjo do të ishte e dëmshme për të. Madje një mënyrë e tillë të uluri mund të jetë shenjë mendjemadhësie.

LARJA E DUARVE PARA DHE PAS BUKE

Selmani (r.a.) transmeton: “Në Teurat lexova se bereqeti i ushqimit qëndron në larjen e duarve pas buke. Pastaj ia kujtova këtë temë Profetit paqja qoftë mbi të! dhe i thashë që e kisha lexuar në Teurat. Pastaj I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi të! tha: “Bereqeti i ushqimit është në marrjen abdest325 para dhe pas buke.”326

Ebu Hurejre (r.a.) në transmetimin e tij thotë se Profeti ka urdhëruar: “Nëse ndonjëri prej jush fle me duar të pista me gjellë, apo me erën e saj, atëherë të mos fajësojë dikë tjetër nëse i ndodh gjë gjatë natës.”327

NGRËNIA E PJESËS PARA TEJE TË USHQIMIT

Ikrash b. Zubejdi në transmetimin e tij thotë: “Djemtë e Murre b. Ubejd nëpërmjet meje i dërguan Profetit paqja qoftë mbi të! zekatin e mallrave të tyre. Mbërrita në Medinë afër Profetit paqja qoftë mbi të!, e gjeta të ulur mes ensarëve dhe muhaxhirëve. Pastaj Profeti duke më kapur për dore, më çoi në shtëpinë e Umu Selemes dhe e pyeti në kishte ndonjë gjë për të ngrënë. Më pas na solli një pjatë të mbushur me një copë të madhe mishi dhe përshesh. Filluam të hanim nga përsheshi. Unë fillova ta shëtis dorën në çdo cep të pjatës. I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi të! po hante pjesën para tij. Profeti më kapi dorën e djathtë me të majtën e tij dhe më tha: “O Ikrash! Kjo është një gjellë e njëllojshme, prandaj haje te një vend.”

Pastaj na sollën disa gjëra të ndryshme bashkë me hurma të njoma. Unë fillova të ha pjesën para meje. Ndërsa i Dërguari i Zotit, paqja qoftë mbi të! po shëtiste dorën nëpër pjatë dhe u shpreh kështu: “O Ikrash! Ha nga cila anë të duash, ky ushqim nuk është i njëllojshëm.” Pastaj na sollën ujë. I Dërguari lau duart, me lagështinë e pëllëmbëve fërkoi fytyrën, krahët dhe kokën dhe tha: “O Ikrash! Ky është abdesi që duhet marrë për shkak të gjërave të prekura nga zjarri.”328

LËPIRJA E GISHTAVE PAS BUKE

Sipas një transmetimi të Ebu Hurejres (r.a.) Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush ha ushqim, le t’i lëpijë gishtat, sepse nuk mund ta dijë ku është begatia e mirësia e ushqimit.”329

ÇFARË DUHET TË BËJMË ME KAFSHATËN E RËNË PËRTOKË DHE ME PJESËT E USHQIMIT?

Xhabiri (r.a.) transmeton se Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Nëse ndonjërit prej jush i bie një pjesë ushqimi gjatë ngrënies, le ta marrë, ta pastrojë dhe ta hajë, mos t’ia lërë shejtanit!”330

Enesi (r.a.) transmeton se Profeti paqja qoftë mbi të! pasi hante bukë lëpinte tre gishtërinjtë me të cilët kishte ngrënë dhe thoshte: “Nëse ndonjërit prej jush gjatë ngrënies i bie një pjesë nga ushqimi le ta marrë, ta pastrojë nga pluhuri dhe ta hajë, mos t’ia lërë shejtanit.” Enesi (r.a.) thotë se i Dërguari i Zotit na urdhëronte t’i pastronim pjatat mirë dhe shprehej kështu: “Nuk mund ta dini se në cilën pjesë të ushqimit ndodhet bereqeti.”331

Këtu - Zoti e di - Profeti na këshillon të mbarojmë gjellën në pjatë, në mënyrë të tillë shmangim dhe harxhimin e kotë. Nëse mendojmë mirë për konsumin e tepërt të ushqimit në ditët e sotme dhe nivelin e harxhimeve të kota, do ta shihnim sa kuptimplotë është ky urdhër.

Ebu Jeman el Mual’la b. Rashid (r.a.) transmeton: Nga transmetimi i gjyshes sime, robëresha që ka lindur fëmijën e Sinan b. Selemit thuhet: “Nubejshetul Hajr erdhi tek ne. Ne po hanim bukë nga një pjatë. Pas kësaj na tregoi fjalët që kishte thënë i Dërguari i Zotit: “Nëse ndonjëri prej jush ha nga një pjatë dhe e pastron atë, ajo pjatë do të lutet për të, do të kërkojë faljen e mëkateve të atij njeriu.”332

KA NDALUAR NGRËNIEN DHE PIRJEN ME DORËN E MAJTË

Sipas transmetimit të Abdullah ibn Omerit (r.a.) Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: ”Mos hani dhe pini me dorën e majtë, sepse shejtani ha dhe pi me dorën e majtë.”333

Sipas transmetimit të babait të Salimit(r.a.) Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush do të hajë, le të hajë me dorën e djathtë dhe le të pijë me të djathtën. Sepse shejtani ha dhe pi me dorën e majtë.”334

NUK DUHET TË HAHET NGA MESI I PJATËS

Këtij urdhri duhet t’i përgjigjen ata njerëz të cilët hanë bashkë nga e njëjta pjatë apo në rastin kur ha vetëm në një pjatë. Ibn Abasi (r.a.) transmeton se Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Begatia zbret në mes të ushqimit, prandaj ju mos e hani ushqimin nga mesi, por anash.”335

ZOTI ËSHTË I KËNAQUR ME ATË QË FALENDERON PAS BUKE

Enesi (r.a.) transmeton se Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Zoti është i kënaqur me atë njeri që falënderon pasi ka ngrënë apo ka pirë diçka.”336

PIJET

SIGURIMI I UJIT TË ËMBËL PËR PROFETIN

Hazreti Aishja (r.a.) ka thënë: “Për Profetin paqja qoftë mbi të! na sollën ujë të ëmbël nga Sukja (një vend mes Mekës dhe Medinës)” 337

A KA PIRË PROFETI NDONJË GJË NË KËMBË?

Sipas Ibn Abasit (r.a.) thuhet: “Profeti paqja qoftë mbi të! ka pirë ujin e zemzemit në këmbë.”338

Sipas një transmetimi nga babai dhe gjyshi i Amr b. Shuajbit: “Profetin paqja qoftë mbi të! e kam parë duke pirë diçka ulur dhe në këmbë.”339

Hz. Aishja (r.a.) ka thënë kështu: “Profeti ka pirë ujë i ulur dhe në këmbë. Ka falur namaz këmbëzbathur dhe me këpucë. Ai është kthyer nga e djathta dhe nga e majta.”340

MOS FRYRJA BRENDA ENËS KU DO TË PIJMË

Ebu Said el Hudri (r.a.) transmeton: “Profeti paqja qoftë mbi të! ka ndaluar të fryrit në enën ku pijmë. Pas kësaj një burrë tha: “Po nëse shoh ndonjë papastërti brenda enës?” “Hidhe atë!”, iu përgjigj Profeti. Ai përsëri iu drejtua: “Unë nuk ngopem me një frymë.” Profeti iu përgjigj: “Atëherë largoje gojën tënde nga ena dhe merr frymë.”341

Në transmetimin e Ibn Abasit (r.a.) thotë: “I Dërguari i Zotit na e ka ndaluar të fryjmë të marrim frymë brenda enës ku pimë.”342

SI I PINTE PROFETI LËNGJET?

Rabia ibn Eksen tregon kështu: “Profeti paqja qoftë mbi të! e përdorte misvakun herë majtas e herë djathtas, dhe kur pinte diçka, e thithte dhe shprehej kështu: “Kjo është më e mirë, më e shpejtë dhe më e shëndetshme.”343

PIRJA E UJIT DHE E TË NGJASHMEVE ME TË PËR TRI HERË DHE MARRJA DY HERË FRYMË

Sipas transmetimit të Ibn Abasit(r.a.) Profeti kur pinte, merrte frymë dy herë.344

KUSH SHPËRNDAN UJË, PIN I FUNDIT

Nga një transmetim i Ebu Katades (r.a.) Profeti paqja qoftë mbi të! ka thënë: “Një njeri që i shpërndan ujë një grupi, vetë pi i fundit.”345 Ndërsa në një transmetim tjetër, shërbëtori i Profetit, Enesi (r.a.), tregon: Profeti paqja qoftë mbi të! po i jepte ujë shokëve të tij.

“O i Dërguari i Zotit! Pi vetë njëherë!”, iu drejtuan shokët. Profeti iu përgjigj: “Ai i cili shpërndan ujë një grupi, pi i fundit.” 346

PROFETI PËLQENTE GJËRAT E ËMBLA DHE TË FTOHTA

Sipas transmetimit të Aishes (r.a.), pijet më të preferuara të Profetit paqja qoftë mbi të! ishin ato të ëmblat dhe ftohtat.347

Zuhri (r.a.) transmeton se e pyetën Profetin paqja qoftë mbi të! se cila pija ishte më e shijshme. Ai i tha: “E ëmbla dhe e ftohta.”348

Ubane Ibnul Velid transmeton këto fjalë të Xhabir ibn Abdullahut: “Njëri nga ensarët ftohte ujë për Profetin në një gajde të varur në një degë hurme.”349

Aishja (r.a.) është shprehur kështu: “Profetit tonë paqja qoftë mbi të! i pëlqenin pijet e ftohta dhe të ëmbla.”350

GOTA NGA E CILA KA PIRË UJË PROFETI

Isa ibn Tahman transmeton këtë fjalë të Sabitit: Enes Ibn Maliku na tregoi një enë të bërë prej druri me një rreth prej hekuri. Dhe më tha:

- Sabit! Kjo është gota e Profetit.351

Enesi tha: “Me këtë gotë i kam dhënë Profetit të gjitha pijet, ujin, nebizin (lëngun e rrushit të thatë), mjaltin dhe qumështin.”352

Muhamed ibn Ismail tregon: Shkova te Enesi. Në shtëpinë e tij pashë një gotë prej druri. Ai më tha: “Profeti paqja qoftë mbi të! ka pirë ujë dhe ka marrë abdest me të.”353 Ndërsa në transmetimin e ibn Abasit thuhet se Mbreti i Aleksandrisë i kishte dërguar Profetit paqja qoftë mbi të! një gotë prej kristali. Profeti pinte ujë me të.

RADHA E TË PIRIT FILLON NGA E DJATHTA DHE VAZHDON

Enes ibn Maliku (r.a.) transmeton: Profetit paqja qoftë mbi të! i sollën qumësht të përzier me ujë. Në atë moment, në të djathtë të tij ndodhej një nomad, ndërsa në të majtë Ebu Bekri. Profeti paqja qoftë mbi të! piu dhe ia zgjati nomadit në të djathtë dhe tha: “Le të pihet me radhë duke filluar nga e djathta.”354 Ibn Sad tregon: “Profeti i sollën diçka për të pirë dhe e piu. Në të djathtë kishte një fëmijë ndërsa në të majtë disa të moshuar. I Dërguari iu drejtua fëmijës:

“A më lejon t’ia jap këtyre më parë?”

“Për Zotin, nuk preferoj dikë tjetër para kismetit që më vjen nga ti”, iu gjegj fëmija. Pas kësaj, Profeti paqja qoftë mbi të! e la atë në dorën e fëmijës.355