SHEMAIL
PARAQITJA, JETESA, MORALI I PROFETIT MUHAMED — PAQJA QOFTË MBI TË!
Titulli origjinal: Şemail
Dr. Faruk Vural
MORALI I BUKUR I PROFETIT TONË
KURAJA DHE GUXIMI I PROFETIT
Personalitetet liderë që do të udhëheqin njerëzit, duhet të përfshijnë në natyrën e tyre të krijimit kurajën dhe guximin. Nuk mund të bëhet udhëheqës një njeri që nuk është guximtar. Udhëheqësi duhet të ketë sy të mprehtë dhe zemër të madhe. Mund të vijë një kohë kur ai të mbesë vetëm. Guximi i trashëguar do ta shpëtojë nga poshtërsia në të cilën ndodhet për momentin. I detyruar, të përballet i vetëm për idealin dhe çështjen e tij, lideri duhet të veprojë sikur ka me mijëra ndjekës pas tij që të mund t’ia arrijë qëllimit. Udhëheqësi nuk duhet të frikësohet kurrë nga vdekja. Edhe nëse fshehtazi frikësohet nga gjithçka, atëherë nuk mund të jetë një drejtues e udhëheqës.
Para së gjithash, Profeti ynë paqja qoftë mbi të! ishte një monument i kurajës dhe i guximit. Hz. Aliu (r.a.), heroi i fushëbetejave, e tregon këtë anë të Profetit me këto fjalë: “Kur e shihnim veten ngushtë gjatë luftës, të gjithë strehoheshim tek Profeti.226 Kjo shpreje dëshmon më së mirë guximin e tij duke treguar se në këtë fushë askush s’mund të krahasohej me Të.
Ngjarja e ndodhur mes Profetit dhe një qafiri me emrin Gavres, na mjafton si shembull i përcaktimit të madhështisë së kurajës dhe guximit të Tij. Kur Profeti paqja qoftë mbi të! po pushonte nën hijen e një peme, Gavresi, duke përfituar nga fakti se ai po flinte, ia merr shpatën dhe i drejtohet me një ton tallës: “Kush do të të shpëtojë ty tani nga duart e mia?” Si përgjigje, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të!, pa treguar asnjë shenjë paniku dhe i sigurt në vetvete, i thotë: “Allahu”. Një përgjigje e tillë, pasqyruese e dorëzimit, e sigurisë dhe e besimit tek Zoti, e tronditi Gavresin që qëndronte para Tij me shpatë në dorë dhe atë çast shpata i bie poshtë. Tabloja e krenarisë njerëzore merr shpatën e rënë në tokë dhe e pyet: “Po tani, kush do të të shpëtojë ty tani?” Ai nis të dridhet si një i sëmurë me malarie dhe ndërkohë, drejt Profetit vrapojnë ata që kishin dëgjuar zërin e tij dhe çuditen me situatën që u përballën. I shtohet dhe një herë më shumë besimi dhe përkushtimi ndaj Zotit. Gavresi, me gjithë gjërat që kishte parë e dëgjuar, i jep fjalën e besës ‘Besnikut’ dhe largohet që andej me ndjenja mbresëlënëse për guximin dhe trimërinë e të Dërguarit të
Zotit.227
Një nga shembujt e pashoq të guximit të Dërguarit të Zotit, është ngjarja në shpellën Theur, gjatë hixhretit. Theuri është një shpellë në lartësi ku edhe të rinjtë mund të ngjiten me vështirësi. Por Ai, pavarësisht moshës 53 vjeçare, ngjitet deri në majë duke e nderuar shpellën dhe duke i dhënë asaj një rëndësi të veçantë. Ndërkohë që mushrikët sillen rreth shpellës, Hz. Ebu Bekri është i shqetësuar për Profetin dhe ishte zverdhur krejt në fytyrë. Ndërkohë që te buzëqeshja e lehtë e Profetit, i cili ndante të njëjtën atmosferë me të, nuk kishte asnjë ndryshim. Ai iu drejtua kështu shokut të shqetësuar: “Mos u shqetëso! Zoti është me ne”, “Ç’mendon ti për ata të dy, i treti i tyre është Zoti”.228
Enes b. Malik transmeton: “Profeti ynë ishte njeriu më trim dhe më bujar ndër njerëz. Pasha Zotin, një natë kur populli i Medinës ishte frikësuar nga armiku, Profeti kishte marrë shpatën, hipur mbi kalë dhe ishte nisur në atë drejtim nga vinin zëra. Njerëzit e Medinës kishin mbetur të gjithë mbrapa. Pas njëfarë kohe, kthehet dhe u thotë njerëzve se nuk kanë përse të shqetësoheshin.229
Po zhvillohej lufta e Hunejnit. Në radhët e ushtrisë myslimane pati ca zmbrapsje. Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! i hipur mbi një kalë të bardhë, u thotë: “Unë jam Profet, nuk po ju gënjej.” Pas kësaj sahabet ishin ribashkuar dhe kishin fituar.230
I shquari Bernard Show, duke treguar guximin dhe dorëzimin e Profetit Muhamed paqja qoftë mbi të! ndaj Zotit, i shpreh ndjenjat e tij me këto fjalë lavdëruese: “Muhamedi, me aspektet e Tij të shumta është një person me virtyte që të habisin. Këtë person të fshehtë është e pamundur ta kuptosh krejtësisht. Pikërisht Ai ka një anë të pakuptueshme ndër virtytet e tij dhe ajo është besimi dhe mbështetja tek Zoti.”
BUJARIA E PROFETIT
‘Kerem’ do të thotë bujari, bamirësi dhe gostitje. Në arabisht kerem është një virtyt i pëlqyer. Madje kur analizojmë poezitë e periudhës para Islamit, mund të shihni se arabët e asaj periudhe janë lavdëruar në këto pika: Ne premë kaq dele, kaq lopë dhe kaq deve / dhe ia servirëm mysafirëve. Gostitja me bujari e mysafirit ishte shkak për t’u lavdëruar dhe në këtë pikë fiset bënin gara me njëri-tjetrin. Sigurisht që ata e bënin çdo gjë në emër të egoizmit të tyre. Në një kohë kur mes tyre vlerësohej bujaria dhe bamirësia, u shfaq një njeri, më bujari mes bujarëve. Të gjithë shtangën kur panë bujarinë e tij. Ky njeri bujar, gjithçka e bënte për hir të Zotit dhe nëse i dhuronte dikujt botën, nuk fliste as dhe një fjalë për të. Madje dhe poezitë e poetëve që tregonin për bujarinë e Tij, nuk i pranonte në asnjë mënyrë dhe fjalët e tyre ia dedikonte Zotit, “Ekremul Ekremin”- Më Bujari i Bujarëve.
Ai ishte një pasqyrë e ndritshme në të cilën pasqyrohej dhe dëshmonte veten emri i Zotit ‘Kerim’. Ashtu si në çdo fushë tjetër, edhe në këtë fushë, Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! ishte përfaqësuesi më i lartë Zotit të Madhëruar. Dhe nuk mund të kishte njeri më bujar se Ai mbi tokë.
Nëse bujaria merret si një normë morale që të afron me Zotin, si të mos ishte bujar i Dërguari i Zotit? Ai kishte lënë mbrapa dhe Xhebrailin, madje në udhën drejt tek Zoti. Dhe pikërisht Ai shprehet me këto fjalë: “Bujari është afër njerëzve, afër xhenetit dhe larg xhehenemit. Ndërsa koprraci është larg njerëzve, larg xhenetit dhe afër xhehenemit.”231
Në jetën e tij personale Ai kishte zgjedhur varfërinë. Kjo nuk do të thotë se ai dëshironte që të gjithë të ishin të varfër. Por në të njëjtën kohë nuk i pëlqente njerëzit e fryrë dhe përherë me mendjen tek stomaku. Me mësimet e Tij, myslimanët u bënë populli më i pasur në botë për një kohë të shkurtër. Nuk gjenin njerëz mes tyre të cilëve t’u jepnin sadakanë dhe zekatin. Aq të larta ishin të ardhurat personale të një personi! Por mes tyre kishte dhe aq njerëz modestë, saqë në shtëpi mbanin ushqimet ditore dhe nuk pranonin diçka tjetër që mund t’u jepej. Ky është një altruizëm dhe çështje e lartësimit shpirtëror. Është dashuria për të dhuruar jetë. Ideali i braktisjes së dëshirës për të jetuar. Nuk është i mundur kuptimi i këtyre gjërave nga njerëz të cilët s’janë mbushur me këto ndjenja.
Në një hadith të transmetuar nga Ibn Abasi (r.a.), ai tregon për bujarinë e Profetit: “I Dërguari i Zotit ishte njeriu më bujar ndër njerëz. Kur vinte muaji i Ramazanit dhe takohej me Xhebrailin, bëhej edhe më bujar. Xhebraili vinte çdo natë dhe përsëriste Kuranin bashkë me të. I Dërguari i Zotit ishte dhe më bujar se era që fryn.”232
Profeti ynë, me urdhrin e Zotit, mbante një të pestën e të gjithë pasurive. Domethënë një e pesta e pasurive mbaheshin nën administrimin personal të Profetit. Autorizimin për ta përdorur pasurinë sipas dëshirës ia kishte dhënë drejtpërdrejtë Zoti i Madhëruar. Megjithatë, Omeri (r.a.) do të hynte një ditë në dhomën e tij të lumturisë dhe do të qante me dënesë. Kur Profeti e kishte pyetur se çfarë kishte, Omeri i madh ishte përgjigjur kështu:
“O i Dërguari i Zotit! Mbretërit e botës po notojnë në mes të pasurisë. Ndërsa Ti nuk ke as dhe një shtrojë për t’u ulur... shtratin e ke prej rrogozi dhe në fytyrë shenjat e tij. Megjithëse gjithësia u krijua për ty.
I Dërguari i Zotit i përgjigjet kështu:
“A nuk dëshiron, o Omer, që ahireti të jetë i yni dhe kjo bota e tyre?”233
Kur Profeti fliste kështu, nuk fliste me fjalët e një të varfri i cili nuk ka mundësi të jetojë ndryshe, apo me fjalë që pasqyrojnë dëshpërim, vuajtje të një njeriu. Siç e theksuam më sipër, po të dëshironte, mund të ishte njeriu më i pasur. Për ta kuptuar dhe më mirë, le të shohim një të pestën e pasurisë së Tij të mbledhur në luftën e Hunejnit: 40.000 dele, 24.000 deve, 6.000 robër, 4.000 oka me argjend, ku një okë është 4 kg.”234
Butësia dhe çelësat e ndjenjave të tjera hyjnore të Profetit paqja qoftë mbi të! kanë hapur shumë zemra të mbyllura dhe Safvan bin Umeje është një nga ato. Hz. Enesi (r.a.) tregon: “Kur i Dërguari i Zotit po shkonte në Hunejn, kishte marrë borxh armën nga një person. Safvan e sheh i habitur pasuritë e përfituara në Hunejn. Mirëpo kjo gjë kishte tërhequr vëmendjen e Profetit. Ai iu drejtua me këto fjalë: “Le të jenë të tuat ato deve të cilat po i sheh me ëndje.” Pas kësaj i dha shumë gjëra. Safvani u çudit përballë bujarisë së Tij. Ky njeri që e kishte zemrën të mbushur me urrejtje dhe zili për Profetin, papritmas ndryshoi. Bujaria e Profetit e kishte larguar nga zilia e urrejtja dhe për të, Profeti i nderuar ishte bërë më i dashuri ndër njerëz. Fitimi i Safvanit ishte më i rëndësishëm se mijëra deve dhe dhen. Safvani kishte shkuar shpejt tek fisi i tij dhe i kishte thënë: “O fisi im! Vraponi dhe hyni në Islam. Sepse Muhamedi dhuron jashtëzakonisht shumë dhe këtë mund ta bëjë një njeri që nuk frikësohet nga varfëria dhe beson verbërisht Zotin.”235
Pavarësisht nevojave të tij, ai jepte gjithçka që i kërkohej. Sehl bin Sa’d transmeton: Një ditë, një grua i solli Profetit një triko të punuar vetë.
O i Dërguari i Zotit! Këtë triko e kam punuar me duart e mia dhe desha t’jua dhuroj, - iu drejtua gruaja. Profeti kishte nevojë për një triko. Dhe e ka veshur trikon në vend të këmishës.
Njëri mes të pranishmëve i thotë:
O i Dërguari i Zotit! A po ma dhuron mua atë triko?
Po, sigurisht, - i përgjigjet Profeti.
Vazhdoi edhe pak bisedën. Pastaj u kthye në dhomën e Tij. Palosi trikon. Më vonë ia dërgoi atij që ia kishte kërkuar. Ata që ndodheshin aty thanë:
Sa me fat je! Profetit i duhej ajo triko. Pastaj ia kërkove ti. Ti e di që ai nuk kthen mbrapsht dëshirën e dikujt.
Dhe ai person u përgjigj kështu:
Ju betohem për Zotin që unë nuk e mora për ta veshur. E mora ta kem qefin për vete.
Sehli thotë që ajo triko u bë vërtet qefini i tij.236
Në një rast tjetër, kishte ardhur një nomad dhe kishte kërkuar diçka nga ai. Dhe Profeti ia kishte dhënë çfarë kishte dashur. Personi në fjalë kishte kërkuar përsëri diçka dhe ai ia kishte dhënë përsëri. Në kërkesën e tretë, Profeti, duke mos pasur ç’t’i jepte, i kishte premtuar për më vonë. Pra, do t’ia jepte sapo të kishte diçka në dorë. Kjo gjë e kishte mërzitur pa masë Hz. Omerin dhe ishte mërzitur për shqetësimin e Profetit në mënyrë të tillë. U ngrit mbi gjunjë dhe tha: “Kërkuan, ti, ia dhe. Përsëri kërkuan, përsëri ia dhe. Përsëri kërkuan, ia premtove. Mos e lodh veten kaq shumë, o i Dërguari i Zotit!”
Por këto fjalë nuk i kishin pëlqyer fare Profetit. Abdullah b. Hudhafetu Sehmi, pasi kishte parë ngrysjen e vetullave të Tij, u ngrit në këmbë dhe tha: “Dhuro, o i Dërguari i Zotit, mos mendo asnjëherë se Zoti do të lërë të varfër dhe të ndërpresë mirësitë e Tij.”
I vetmi i botëve, qëndroi pak i heshtur dhe pastaj foli: “Ja, unë për këtë jam urdhëruar.”237 Sa bukur thotë Ferazdaku:
Përveç shehadetit, ai kurrë nuk ka thënë jo.
Po të mos ishte shehadeti, ‘Jo’-ja e tij do të ishte ‘Po’.
Ai ishte plotësuar aq shumë me po-në. Brenda rrethit të së lejuarës ai i përgjigjej menjëherë dëshirës së një personi dhe i jepte çfarë të donte.
Mbreti i Profetëve ishte i vetëm në bujari dhe me Të nuk kishte të ngjashëm. Një bujari e përmasave të tilla mund të vërehet vetëm tek profetët.
DHEMBSHURIA DHE MËSHIRA E PROFETIT
Mëshira dhe dhembshuria e të Dërguarit të Zotit përbën një dimension të virtytit të tij. Në mëshirën dhe dhembshurinë e Tij njëherazi, fshihej një thellësi e veçantë e një mendimi perfekt. Profeti ynë paqja qoftë mbi të!, si përfaqësuesi i vetëmth në tokë i mëshirës dhe bamirësisë së Zotit të Madhëruar, ka përdorur ndikimin e këtyre dy cilësive të bekuara si një ilaç dhe ka zënë vend në të gjithë zemrat. Nuk ekziston një arsye e dytë për pranimin e një njeriu në shoqëri më shumë sesa dhembshuria, mëshira, butësia dhe sinqeriteti. Ja, pra, i Dërguari i Zotit, me finesën e brendshme, kapacitetin e mrekullueshëm dhe virtytin e tij, ka vlerësuar mëshirën dhe dhembshurinë në një dimension tjetër të virtytit dhe kjo përbën një argument tjetër të profetësisë së Tij.
Zoti i Madhëruar e ka dërguar Atë si mëshirë për botët. Kur i drejtohet atij, Zoti (xh.sh.) thotë: “TaHa. (O i Dërguari im) Ne nuk e zbritëm këtë Kuran të të sjellë vështirësi.”238 Në fakt, Ai transmeton Mëshirën e shndritshme të Zotit. Ai është si një burim uji në mes të shkretëtirës, si hauzi keuther, nga i cili kanë mbushur të gjithë gotën dhe kanë pirë sa kanë mundur. Ja, me dimensionin e tij të mëshirës, Ai është si një burim i hapur keutheri për të gjithë... Çdokush që dëshiron, mund të përfitojë.
Profeti Muhamed paqja qoftë mbi të! ka përqafur njerëzimin me një dashuri që përfshin si një mesazh gjithë njerëzimin dhe krijesat.
“Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!”239 Në këtë ajet Zoti i Madhëruar thekson se Ai duhet të përdorë rrugën e faljes dhe të bashkëpunimit. Sipas transmetimit, kur ka zbritur ky ajet, erdhi Xhebraili (a.s) dhe i Dërguari e pyeti: “O Xhebrail cili është kuptimi, interpretimi i këtij ajeti?”
“Po pyes dhe unë”, tha ai dhe iku. Erdhi pas pak dhe iu përgjigj:
“O Muhamed. Zoti i Lartësuar të urdhëron të vizitosh ata që i kanë prerë lidhjet farefisnore, t’i japësh atij që të privon dhe të falësh atë që të bën padrejtësi.”240
Vetëm se dhembshuria e madhe dhe mëshira e Tij e thellë nuk mbeti vetëm në mendjet apo në faqet e një libri si dashuria dhe mëshira e përfituesve, keqpërdoruesve, përkundrazi, u praktikua brenda një kohe të shkurtër dhe u pasqyrua me të gjitha hollësitë. Në të vërtetë, Profeti ynë nuk ka asnjë mendim të papraktikuar. Ai, me qenien e tij, është një njeri aksioni dhe veprimi.
Qëndrimi i Tij brenda umetit është një arsye e Zotit të Madhëruar për të mos e sprovuar me zhdukjen e përbashkët. Në Kuran thuhet: “Në qoftë se Ti i ndëshkon ato, ata janë robtë e tu.”241 Ky ajet është argument i mëshirës dhe i dhembshurisë së Profetit tonë universal. Ai thotë: “Unë nuk jam dërguar si shkatërrues, por si mëshirë për ju.”242
Nëse shihte një fëmijë duke qarë, Ai ulej dhe qante me të. E ndjente vuajtjen e rënkimit të një nëne. Ja një hadith i transmetuar nga Ebu Hurejre i cili tregon mëshirën e jashtëzakonshme të Tij: “Kur prij në namaz, dua ta zgjas faljen. Pastaj dëgjoj një të qarë fëmije. Duke e ditur shqetësimin që ndjen nëna e tij, e mbaroj sa më shpejt namazin.”243
Sidomos dhembshuria ndaj fëmijëve të Tij ishte krejt e veçantë. Shumë herë ka shkuar tek familja e mëndeshës së birit të tij, Ibrahimit, e ka marrë në prehër dhe e ka përkëdhelur për një kohë të gjatë. Pas vdekjes së Ibrahimit ka derdhur lot.244
Në një hadith thotë: “Ju mëshironi krijesat në tokë që t’ju mëshirojnë ata të qiellit.”245
I Dërguari i Zotit shfaqte dashuri dhe dhembshuri jo vetëm ndaj familjes së Tij, por edhe ndaj miqve të afërt e të largët.
Dhembshuria e Tij nuk përfshinte vetëm njerëzit, por edhe kafshët. Kishte lajmëruar për hyrjen në xhehenem të një gruaje e cila nuk kishte ushqyer një mace,246 nga ana tjetër kishte përgëzuar me xhenet një grua imorale e cila i kishte dhënë të pinte ujë një qeni të lodhur dhe të etur.247
Një herë po ktheheshin nga një luftë. Gjatë kohës së pushimit, disa nga sahabet kishin gjetur një fole zogu, kishin marrë të vegjlit dhe po i përkëdhelnin. Ndërkohë erdhi nëna e tyre dhe kur pa se të vegjlit e saj ndodheshin në duart e tyre, filloi të përpëlitej dhe të fluturonte hutueshëm. Kur i Dërguari i Zotit mori vesh ç’kishte ndodhur, u zemërua shumë dhe urdhëroi që t’i shpinin zogjtë në folenë e tyre.248 Vërtet, mëshira e Tij përfshinte dhe kafshët. A nuk është qortuar nga Zoti një nga Profetët e kaluar për shkak të folesë së një milingone?
Ky profet, kishte djegur milingonat pa dashje. Pas kësaj ishte qortuar nga Zoti.249 Tani, a është e mundur të sillet ndryshe Profeti i cili na transmeton këtë dhe raste të ngjashme? Pastaj, brenda umetit të Tij do të edukohen breza të tillë të cilët do kenë parimin: “milingona nuk shtypet zotëri”. Sepse ata do të vendosnin zile në këmbë dhe ashtu do të vazhdonin të ecnin, në mënyrë të tillë që insektet të largoheshin nga zhurma e ziles dhe të mos shtypeshin. O Zot! Çfarë shembulli i lartë e universal i dhembshurisë dhe i mëshirës! Edhe milingonat nuk kanë mbetur jashtë rrethit të Tij mëshirues. A mund të shtypin të tjerët këta njerëz të cilët nuk mund të shtypin qoftë një milingonë. Jo, nuk është e mundur që ata të bëjnë padrejtësi me dijeni ose me qëllim.
Ibn Abasi tregon: “Po shkonim në një vend bashkë me të Dërguarin e Zotit. Njëri kishte lidhur dashin për ta prerë dhe po mprehte thikën para syve të tij. I Dërguari i Zotit i tha: “Mos do ta therësh disa herë atë?”250 Ky ishte një qortim ndaj atij njeriu.
Abdullah ibn Xhaferi (r.a.) tregon: I Dërguari i Zotit hyri në një kopsht bashkë me disa sahabe. Në një qoshe të kopshtit ishte një deve shumë e dobët. Deveja filloi të qante sapo pa të Dërguarin e Zotit. Zotëria i dy botëve iu afrua menjëherë. Qëndroi për pak kohë afër saj, pastaj thirri të zotin e devesë dhe ia tërhoqi vëmendjen për ta trajtuar sa më mirë atë.251 Në të vërtetë, Profeti paqja qoftë mbi të! sfilitej shumë për hir të dashurisë ndaj njerëzve. Përpjekja e tij për të ndryshuar njerëzit shihet si argument dhe në Kuran: “A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)?”252
A nuk e kishte burgosur veten brenda një shpelle sapo atmosfera profetike kishte filluar ta mbështillte? Edhe shpallja i kishte ardhur aty për herë të parë. Domethënë, Ai i donte njerëzit dhe kishte dhënë shpirtin në këtë rrugë.
Kryesisht, kuptimi i xhihadit i të Dërguarit të Zotit rridhte nga ana mëshiruese. Njerëzit mund të kishin humbje të ndryshme në këtë botë për shkak të xhihadit, por në botën e përtejme, do të fitonin aq shumë, saqë humbjet e mëparshme do t’i dukeshin asgjë. I Dërguari i Zotit me majën e shpatës që mbante hapte rrugët që të çonin në xhenet. Ky ishte një dimension tjetër i dërgimit të tij si mëshirë për botët...
MODESTIA E PROFETIT
Modesti do të thotë thjeshtësi, përulësi dhe është e kundërta e mendjemadhësisë. Kjo mund të interpretohet dhe si pranimi i njeriut, si një individ mes të tjerëve, dhe si një pjesë e krijimit, mendimi i të qenurit në prani të Zotit dhe veprimi sipas tij, vlerësimi i këtij mendimi në marrëdhëniet me të tjerët.
Modestia dhe thjeshtësia e Profetit paqja qoftë mbi të! shndrisin si një yll i dimensioneve të veçanta të virtytit. Sa herë që fama e Tij rritej dhe pranohej prej njerëzve, aq më shumë theksohej modestia tek Ai. Thjeshtësia dhe modestia sikur kishin lindur bashkë me të dhe do të vazhdonin të rriteshin me të deri në fund të jetës. Ai thotë: “Kush tregohet modest, Zoti do ta lartësojë, kush tregohet mendjemadh dhe krenohet, Zoti do ta ulë më poshtë.”253 Ai ka pasqyruar dhe praktikuar në mënyrën më të mirë fjalët e thëna.
Ai gjithmonë e ka parë veten si një njeri çfarëdo mes të njerëzve të tjerë dhe asnjëherë nuk është ndarë prej tyre. Është një fjalë e këndshme e Hz. Aliut që tregon se Ai ka ndjekur një vijë gjatë gjithë jetës dhe ka treguar kujdes që të jetë një njeri mes njerëzve të tjerë.
Ja disa fragmente shoqërore që tregojnë përsosmërinë e sistemit:
I Dërguari i Zotit ka qenë plot jetë dhe një njeri me temperament. Shumë herë ata që vinin për herë të parë në tubimet e tij nuk e njihnin Profetin, por e kuptonin se kush ishte Ai nga sjelljet e sahabeve, apo nga të folurit e Profetit. Gjatë hixhretit, shumë prej medinasve, të cilët deri atë ditë nuk e kishin parë asnjëherë të Dërguarin e Zotit, kishin vrapuar të puthnin dorën e Ebu Bekrit (r.a.). Kishin menduar se ai ishte i Dërguari i Zotit. Por kur ai kishte marrë një freskore në dorë dhe kishte filluar t’i bënte pak fresk të Dërguarit, e kishin kuptuar se cili ishte i Dërguari.254 I Dërguari i Zotit nuk sillej apo të bënte ndonjë veprim ndryshe nga Ebu Bekri.
Është shumë e përfolur modestia me të cilën ka hyrë në Mekë ditën e çlirimit. I hipur mbi kalë, i mbledhur, dukej sikur koka i vinte deri tek shala e kalit. Ja, pra, ai Profet i nderuar kishte hyrë në atë zonë të shenjtë me këtë shpirt modest. Shenja e madhështisë tek të mëdhenjtë është thjeshtësia dhe modestia. Ndërsa mendjemadhësia është tipar i vogëlsisë. I Dërguari i Zotit është njeriu më i madh ndër njerëz. Prandaj dhe modestia e Tij duhet të ishte e tillë...
Gjatë ndërtimit të xhamisë, ndërkohë që të tjerët mbanin nga një tullë, Ai mbante dy, kur të tjerët lidhnin një gur nga uria, ai lidhte dy255. Një burri që i kishte dalë përballë duke u dridhur nga dashuria për Të, i kishte thënë këto fjalë: “Mos ki frikë, edhe unë jam si ti, një njeri i cili ha bukë të thatë.” Ai padyshim që ishte më modesti ndër njerëz.
Kadi Ijadi transmeton: Një ditë, erdhi një grua me probleme mendore. Duke e marrë të Dërguarin e Zotit për dore, i tha: “Hajde më rregullo diçka në shtëpi!” Gruaja e tërheq të
Dërguarin prej krahu dhe Ai shkon pas saj. Ndërkohë dhe sahabet shkojnë pas tyre. I Dërguari i Zotit krejt i qetë rregullon në shtëpinë e saj atë ç’kishte për të rregulluar dhe kthehet.256
Të gjithë mund ta shohin Atë më të madh se të mëdhenjtë, por Ai shprehet kështu: “Askush nuk mund të hyjë në xhenet me veprat e tij.” Atyre që e pyesin: “Edhe Ti?”, i përgjigjet: “Po, edhe unë, nëse Zoti nuk do të më mbështjellë me Mëshirën e Tij.”257
Pikërisht Zoti në Kuran urdhëron të qenurit modest nga ana e Profetit: “Dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty.”258
Shoqja e jetës, Hz. Aishja, thotë: Nuk kam parë njeri me moral më të bukur se Profeti.
Kushdo që e ka thirrur atë, nga shokët apo familja qoftë, Ai i është përgjigjur gjithnjë ‘Lebbejk- urdhëroni’.259
BESNIKËRIA E PROFETIT
Pararojës së ushtrisë së shenjtë, të parit në të kaluarën dhe në të ardhmen, iu mundësua udhëtimi përtej hapësirave qiellore, i pamundësuar për të tjerët, për arsye të ndjenjës së besnikërisë në shpirtin e Tij. Me anë të besnikërisë së Tij, Ai arriti në hapësira të paarritura për melekët dhe shkeli në ato vende ku asnjeri nuk kishte mbërritur. Pastaj nga ndjenja e besnikërisë që ushqente ndaj umetit të Tij braktisi botën e lumturisë në të cilën verbohen sytë dhe kënaqen shpirtrat, për t’u kthyer afër miqve të Tij. Do të kacafytej me ngjarje, do të përballonte vështirësitë e dala përpara dhe do t’i ngrinte ato në hapësirat e shenjta. Ndjenja e besnikërisë ndaj miqve dhe shokëve të Tij e bënte të harronte xhenetin dhe bukuritë e tij. Ishte fjala e dhënë atyre, ajo e cila e ktheu përsëri në botën e vuajtjeve dhe të dhimbjes pranë shokëve, duke lënë gjithë nivelet shpirtërore mënjanë, në një kohë kur kishte arritur madhështinë qiellore.
Profeti ynë paqja qoftë mbi të! ishte një simboli i besnikërisë. Mbajtja e fjalës së dhënë, mbajtja e premtimit, mosharresa e atyre që e kishin ndihmuar atë apo të tjerët rreth tij, interesimi dhe përkujdesja për miqtë dhe gjendjen e tyre, respekti ndaj të vdekurve, sakrificat e mëdha, të bëra në emër të umetit, pasqyrojnë në kuptimin më të gjerë besnikërinë e Profetit dhe kjo cilësi mjaftonte për të treguar se Ai ishte Profet. Njeriu i besës i këshillonte vazhdimisht myslimanët të ishin besnikë.
Ai ishte njeri besnik. Në rrugën e hapur prej tij iu përkushtua me besnikëri, deri në frymën e fundit, njerëzve të zemrës. Aq shumë ishte lidhur me ta, saqë edhe kur mendoi se do të shkonte pranë Zotit - gjë që ishte në dëshirën e Tij - mendimi se do të ndahej prej tyre e kishte bërë të qante me dënesë dhe ishte mjaftuar me fjalët: “Së afërmi do të më pyesin për ju.”
Një herë Herakliu e kishte pyetur Ebu Sufjanin rreth Profetit tonë. Njëra nga pyetjet ishte:
Çfarë ju urdhëron të bëni?
Na urdhëron të falim namaz, të jemi të drejtë, të jemi të sjellshëm, të mbajmë fjalën dhe premtimin e dhënë dhe të respektojmë amanetin, - ishte përgjigjur Ebu Sufjani.
Ja, këto janë cilësitë e një Profeti! - kishte thënë Herakliu.260
Kur tregon për gjendjen e njeriut të pabesë, ditën e kiametit, Ai shprehet: “Në ditën e kiametit, do të ngrihet një flamur për atë njeri i cili e ka nëpërkëmbur, shtypur, fjalën dhe betimin. Ja, kjo është gjëja të cilën nëpërkëmbe”, do t’i thuhet.261
NDJESIA E TURPIT TE PROFETI
Turp mbart njëkohësisht dhe kuptimin e druajtjes, ndërsa në tasavuf mbart kuptimin e frikës, druajtjes dhe respektit ndaj Zotit nga gjërat të cilat nuk i dëshiron Ai. Fuqizimi i e një ndjenje të tillë të natyrës njerëzore tek ndjenja e turpit ndihmon që ai person të jetë më i përmbajtur dhe më i pjekur përsa i përket respektit dhe etikës. Ata njerëz të cilët nuk përmbajnë një ndjenjë të tillë apo u cenohet në varësi të rrethanave të mjedisit, e kanë shumë të vështirë të rigjejnë ndjesinë e turpit.
Profeti ynë është i pafajshmi i të pafajshmëve. Prandaj dhe virtyti i tij qëndron mbi të gjithë virtytet. Edhe armiqtë më të betuar nuk kanë mundur të thonë një fjalë cenuese për virtytin dhe ndershmërinë e tij, nuk kanë mundur ta turpërojnë nga ky aspekt dhe nuk do të mundin ta bëjnë asnjëherë. Sepse Ai ishte një monument virtyti dhe një simbol dëlirësie. Si është e mundur të mendosh që të hedhësh pluhur dhe baltë në personalitetin e tij, ndërkohë që Ai ishte krijuar si një simbol i pastërtisë, si një ‘Mustafa’ - i zgjedhur.
Armiqtë shpifën gjëra të ndryshme për të. P.sh., e quajtën të marrë. Në të vërtetë, Ai ishte i marrosuri i Zotit dhe kishte vënë gjithë jetën e tij në këtë rrugë. Kush dëshironte, mund ta kërkonte. Ndërsa përfundimi i kësaj pune do ishte arritja e xhenetit. Përsëri e quajtën magjistar... edhe njerëzit më kokëfortë zbuteshin pranë Tij dhe brenda tyre tronditej nga themelet çdo gjë e lidhur me ateizmin. Ishte i pafund numri i atyre që magjepseshin prej Tij dhe ndiqnin rrugën e Tij. Kur vinte puna tek ateistët që kishin zemrat dhe sytë të mbuluar nuk kishin ç’të thoshin. Kërkonin ngushëllim me fjalët: “Të gjithë këto krahë sillen nga zjarri i magjisë.” Edhe ajo që i bënte të fluturonte ishte forca e besimit, shfaqja e përsosmërisë dhe tërheqja e bukurisë.
Ja disa fjalë të të Dërguarit të Zotit për ndjesinë e turpit, të Atij që e kaloi jetën sipas kësaj vije dhe që është një monument i virtytit dhe i ndjenjës së turpit: “Besimi ka gjashtëdhjetë e ca degë. Turpi është një nga degët e besimit.”262
“Ndjesia e turpi i sjell të mira njeriut.”263
“Ka katër veti të cilat janë traditë e të gjithë profetëve. Turpi, përdorimi i erës së mirë, misvaku (larja e dhëmbëve) dhe martesa.”264
“Çdo fe ka një moral. Morali i Islamit është turpi.”265
“Ka një parim të lartë të arritur nga njerëzit dhe me të cilin janë të një mendje profetët e të gjitha kohërave: “Nëse nuk ke turp, bëj ç’të duash!”266
“Kini turp para Zotit! Ai i cili turpërohet para Tij në masën e duhur, le të kontrollojë mendjen dhe ato që ka në mendje, stomakun dhe ato brenda stomakut. Mos të largojë nga mendja vdekjen dhe kalbjen. Ai i cili dëshiron ahiretin, lëshon bukuritë e botës. Ja, kush sillet kështu, do jetë i turpëruar si duhet para Zotit.”267
Megjithëse Profeti jetonte brenda një shoqërie që kishte arritur majat e imoralitetit dhe të poshtërsisë, gjatë gjithë jetës nuk ka dalë nga kufijtë e etikës dhe të turpit. Në kohën e tij, njerëzit shëtisnin të zhveshur në vendet më të shenjta të Zotit dhe përsëri pa pasur fare turp laheshin po të zhveshur para njerëzve. Ndërkohë që niveli moral i shoqërisë ishte në këtë gjendje, në kohën kur Profeti punonte si bari në Mekë, kishte dashur të merrte pjesë në një dasmë dy ditë rresht. Por të dy herët e kishte zënë gjumi dhe kishte qëndruar larg nga ai mjedis amoral.268
Në Kuran, kur flitet për turpin e Tij, thuhet: “Kjo me të vërtetë e shqetësonte të Dërguarin dhe ai turpërohej (që t’jua thoshte këtë) Ndërsa Allahu nuk turpërohet që t’ju thotë të vërtetën.”269
Sipas transmetimit të Ebu Said el Hudriut i cili tregon për monumentin e virtytit, Profetin tonë, thotë se i Dërguari i Zotit ishte më i turpshëm se një vajzë e re pas perdes. Nëse nuk i pëlqente diçka, mund ta kuptonim nga fytyra e Tij.270 Lajmërohej për ndonjë sjellje të shoqërisë dhe nëse nuk mbetej i kënaqur, nuk shprehej: “Çfarë po i ndodh atij populli.” Ndoshta thoshte: “Çfarë po i ndodh këtyre njerëzve?”271
Madje nga pikëpamja e marrëdhënieve familjare, fjala e Aishes (r.a.) është shumë e rëndësishme: “Nuk e kam parë asnjëherë auretin (pjesët e turpshme) e të Dërguarit të
Zotit.”272
HUMORI I PROFETIT
Humori është po aq i vjetër sa edhe historia e njerëzimit. Për nga natyra, njeriu nuk shfaq përherë të njëjtat vepra. Ndonjëherë, kur është shumë i zënë, shfaq disa sjellje çlodhëse. Humori është një nga këto sjellje. Dallimi i humorit nga ironia, apo tallja, është te shakaja e cila nuk i nëpërkëmb të tjerët dhe as nuk ua thyen zemrat. Vetë Profeti paqja qoftë mbi të! duke bërë shaka, ka dëshmuar se humori është i nevojshëm. Nëse Ai do të ishte turivarur dhe të sillej gjithmonë serioz, atëherë njerëzit nuk do kishin mundur t’i afroheshin.
Aishja (r.a.) pasi thekson se Profeti vetë bënte shaka, transmeton se Ai ka thënë: “Pa dyshim që Zoti i Madhëruar nuk qorton askënd për arsye të një shakaje në të cilën nuk ka gënjeshtra.”273
Madje Handhale ibn Rebisë, i cili u pendua për një shaka që kishte bërë, i thotë: “O Handhale! Njeriu nganjëherë është ashtu, e nganjëherë kështu.” 274
Një ditë Ebu Hurejre duke mos e kuptuar atë që kishte bërë Profeti, i drejtohet:
“O i Dërguari i Zotit! Mos është ndonjë shaka?”
“Po, unë bëj shaka, por them vetëm të vërtetën”, i ishte përgjigjur Profeti. ‘275
Madje Ai ka bërë shaka edhe me nipërit e tij, Hasanin dhe Hysenin, i ka hipur në shpinë dhe u ka thënë: “Sa deve të mirë paskeni dhe sa kalorës të mirë jeni ju.”276 Profeti ndonjëherë vizitonte edhe familjen e Enesit. Në një nga këto vizita, vëllai i Enesit mbante një zog. Quhej Nugajr. Duke pyetur: “Ebu Umejr! Ç’thotë Nugajri?”, kishte fituar zemrën e djaloshit.277 Në këto dy raste mësojmë shembujt e shakave të Profetit me fëmijët. Madje Enesit i ka thënë: “O ti me dy veshë.” 278
Qëllimi i humorit të Profetit ishte të paralajmëronte diçka, për të fituar pëlqimin e Zotit, për të forcuar lidhjet me njëri-tjetrin ose për të larguar hidhërimin, mërzinë dhe pikëllimin. Një ditë i ishte drejtuar një sahabe që nuk dëshironte të hipte mbi deve:
“A të të hipi tek i vogli i devesë?” Sahabi ishte çuditur nga pyetja. Më pas i kishte thënë:
“A nuk janë të gjitha devetë vogëlushë të një deveje.” Me këtë përgjigje i kujton se po bënte shaka279. Në kthimin nga haxhi i lamtumirës, Profeti i është drejtuar një sahabe të quajtur Enxheshe, i cili duke bërtitur i hovte devetë të cilat mbanin gratë e Profetit:
“O Enxheshe! Ngite ngadalë se mos na thyhen kristalet.”280
Kur një grua e moshuar nga ensarët kërkoi nga Profeti që t’i lutej për të hyrë në xhenet, Ai i tha:
“Të moshuarit nuk mund të hyjnë në xhenet.” Gruaja u mërzit shumë nga këto fjalë dhe Ai vazhdoi:
“A nuk e di ti se në xhenet nuk do të hysh e moshuar.”281
Dhahiri ishte një njeri që vinte nga provinca. Ndonjëherë vizitonte Profetin dhe i sillte dhurata nga vendi i tij. Dhe Profeti i nderuar, në fund të vizitës, e përshëndeste Dhahirin dhe pranonte dhuratat. Bënte shaka me të duke i thënë: “Dhahiri është provinca jonë ndërsa ne jemi qendra e tij.” Profeti e donte Dhahirin. Nga pamja e jashtme, Dhahiri ishte i shëmtuar, por ishte njeri i mirë. Një ditë, Profeti ia afrua kur ai po shiste në treg. E përqafoi nga mbrapa. Dhahiri nuk mund ta shihte Profetin. “Kush je ti, më lër të qetë!” tha Dhahiri. Ndërkohë përpiqej të kthehej mbrapa dhe të shihte se kush ishte. U kthye pak dhe arriti të shihte se njeriu mbrapa tij ishte i Dërguari i Zotit. Kur u kuptoi se ishte Ai, nuk bëri më rezistencë. Ndërkohë i Dërguari i Zotit tha: “Kush do ta blejë këtë skllav?” Dhahiri ia ktheu: “O i Dërguari i Zotit! Nëse do më shesësh, më shit lirë, sepse askush nuk dëshiron të më blejë.”
Pas këtyre fjalëve, Profeti i tha: “Veçse para Zotit nuk je i pavlerë, je shumë i shtrenjtë.”
Ai donte të theksonte se tek njerëzit nuk është e rëndësishme pamja e jashtme, por morali dhe bukuria e qëllimit.
Ndonjëherë Profeti luante me nipërit. I merrte mbi shpinë, ndonjëherë mbi shpatulla dhe i shëtiste. Ndonjëherë i përkundte në këmbë, ndonjëherë i bënte për të qeshur me mimikën e fytyrës. 282
DINJITETI DHE QETËSIA E PROFETIT
Të jesh dinjitoz, do të thotë të veprosh me maturi, kujdes, seriozitet dhe ndjeshmëri, dhe kjo përbën një nga cilësitë e dukshme të karakterit të Profetit.
Dinjiteti është serioziteti dhe maturia e lindur nga besimi. Nuk duhet të ngatërrojmë dinjitetin me krenarinë dhe mendjemadhësinë. Sjellja serioze e një drejtuesi pranohet si dinjitoze, por nëse ky seriozitet pasqyrohet edhe në familje, atëherë nuk vlerësohet si një sjellje dinjitoze. Përkundrazi, ndaj pjesëtarëve të familjes duhet të sillet me dhembshuri dhe mëshirë.
Nëse tek një njeri dinjiteti kurorëzohet me modestinë, atëherë kthehet në një virtyt të shumëkërkuar. Këto cilësi kanë qenë të bashkuara në një tek Profeti ynë. Ai vazhdimisht pasqyronte një dinjitet të shoqëruar me ndjenjat e respektit dhe në të njëjtën kohë dhuronte dashuri me modesti. Ai, paqja qoftë mbi të! ishte njeri dinjitoz, serioz dhe i nderuar. Ata që e shihnin për herë të parë, dridheshin përballë dinjitetit dhe nderimit të Tij, por kur hynin në klimën mëshiruese, arrinin qetësinë dhe rehatinë.
Njeriu i cili merr përsipër detyrën më serioze dhe të rëndësishme, profetësinë, padyshim që është dinjitoz dhe i fisnik. I Dërguari i Zotit mendonte vazhdimisht për Zotin pa reshtur as edhe një çast, ishte një monument dinjiteti. Kur Abdullah b. Selam, një hebre i ditur e pa për herë të parë, tha: “Nuk kam parë asnjë shenjë gënjeshtre tek ai person” dhe u befasua nga respekti dhe serioziteti i Tij. Pas kësaj vendosi të bëhej mysliman.
Profeti ynë ka qëndruar gjithmonë larg sjelljeve që mund të cilësohen si të shthurura. Gjatë jetës së Tij asnjeri nuk ka dëgjuar ndonjë fjalë, apo të ketë parë ndonjë sjellje të turpshme. Nuk përgojonte njeri, urrente thashethemet dhe përpiqej të kishte një mendim të mirë për të gjithë. I Dërguari i Zotit krahas fjalëve: “Braktisja e punëve që s’kanë lidhje me të, është tregues se sa mysliman i mirë është ai person”, është sjellë brenda kufirit të etikës dhe dinjitetit.
Shakatë e Tij karakterizoheshin nga mençuria dhe mësimi. Nuk fliste sa për të kaluar radhën. Me fjalët: “Ai që beson Zotin dhe ditën e fundit, të flasë drejtë ose të heshtë!”, i nderuari i të nderuarve thekson se nuk duhet harxhuar kot dhuntia e të folurit.
Ai ishte një drejtues, një lider. Duke e ditur se një e çarë e vogël në qendër mund të bëhej shkas për shkatërrime dhe rrënime të mëtejshme, Ai me karakterin dhe moralin e Tij nuk u bë asnjëherë një shembull i keq për ta. Edhe armiqtë më të betuar nuk mundën të hedhin pluhur mbi personalitetin e Tij të veçantë. Nuk mundën të gjenin tek Ai ndonjë të metë që mund të cilësohet si një dobësi morale e Tij. Kur donin të njollosnin Atë dhe çështjen e Tij, kapeshin pas gjërave të pabaza dhe imagjinare.
Ai fliste pak dhe saktë. Fjalët i ndante një nga një. Kur fliste Ai, të gjithë e dëgjonin. Ai që e dëgjonte, mësonte përmendësh fjalët e Tij. Nuk ka qeshur asnjëherë me zë të lartë, as të qeshur në përgjithësi, ka buzëqeshur. Kur qeshte, i qeshnin edhe sytë dhe pasqyronte ngrohtësi. Njerëzve përreth u ka dhuruar siguri. Zakonisht ulej këmbëkryq ose mbi gjunjë. Nuk i shtrinte këmbët në drejtim të kibles dhe nuk ulej duke u mbështetur majtas apo djathtas.
Kishte ecje dinjitoze. Nuk shihte djathtas, apo majtas, por përpara dhe ecte me hapa të shpejtë. Nganjëherë sahabet përballë dinjitetit dhe respektit të Tij nuk kishin guxim ta pyesnin për ndonjë gjë, shpresonin të vinte ndonjë mysafir nga jashtë që të bënte pyetje.
Ebu Malik tregon nga babai i tij rreth të folurit dhe të heshturit e Profetit:
“Kur isha fëmijë, kam marrë pjesë në tubimet e të Dërguarit të Zotit paqja qoftë mbi të!. Unë nuk kam parë njeri më fjalëpakë se Ai. Ai buzëqeshte kur disa sahabe e zgjasnin fjalën.”
Nipi i Tij, Hasani, e tregon kështu gjyshin: “I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi të! ishte gjithmonë i menduar. Në shumicën e rasteve heshtte dhe asnjëherë nuk fliste kur nuk duhej.”
Vehb bin Munebih, një dijetar i shquar, shprehet kështu për personalitetin e Profetit:
“Kam lexuar 71 libra rreth Profetit. Në të gjithë librat e pashë Profetin paqja qoftë mbi të! si më të lartësuarin nga mendja dhe më të vlerësuarin nga pikëpamja e mendimit. ‘283