SHEMAIL
PARAQITJA, JETESA, MORALI I PROFETIT MUHAMED — PAQJA QOFTË MBI TË!
Titulli origjinal: Şemail
Dr. Faruk Vural
HYRJE
Hadithi është shkenca e cila studion fjalët, veprat dhe sjelljet e Profetit Muhamed paqja qoftë mbi të!. Me fjalët e Profetit kuptojmë fjalët e vyera përveç Kuranit. Me veprat e Tij kuptojmë veprat e kreut të profetëve, pjesën më të madhe të të cilave jemi të ngarkuar t’i zbatojmë. Pavarësisht se nuk jemi të detyruar të praktikojmë veprat e lidhura me personalitetin dhe traditën e Profetit tonë, mund t’ i bindemi me një qëllim të pastër. Nuk ka asnjë dyshim se kthimi i traditës në një adhurim dhe arritja e pikave të synuara me anë të sjelljeve të Tij të bekuara, është një burim mirësie dhe begatie.
Edhe pse në fushën e fikhut nuk studiohen këto vepra të llojit të dytë, në fushën e hadithit janë bërë shumë kërkime. Sipas studiuesve të hadithit, sjelljet e Profetit përfshihen në brendinë e hadithit, por sipas studiuesve të fikhut jo. Fakihët thonë: “Nëse sjellja e Profetit hyn në veprat e kryera me dijeni, atëherë ajo përfshihet automatikisht në veprat e Profetit. Ndërsa ato që përmenden në librat e sijerit, si viti i lindjes së profetit, paraqitja e jashtme, koha dhe vendet e tij, ato nuk përbëjnë ndonjë bazë për jurisprudencën dhe mbesin jashtë qëllimit të fakihëve dhe nuk merren parasysh për ndonjë vendim.” Sipas studiuesve të hadithit, çdo gjë që i përket dhe ka të bëjë me Profetin tonë, paqja qoftë mbi të!, është hadith dhe hyn në fushën e studiuesit të hadithit.1
Përsa i përket sunetit, ai është çdo fjalë, vepër dhe miratim i Profetit tonë, sipas dijetarëve të fikhut është sinonim i hadithit. Ajo që duam të theksojmë pas një përkufizimi të përgjithshëm të hadithit dhe sunetit, janë degët e shkencave të lidhura me Profetin dhe vendi i Shemailit mes tyre.
Duke u bazuar tek tema e degëve te shkencës që analizojnë Profetin tonë:
Hadithi
Sijeri
Megazi
Shemail
Delail
Këto degë, pavarësisht se mbështeten në hadith, me kalimin e kohës kanë pasuruar përmbajtjet dhe janë kthyer në një letërsi të veçantë.2
Nga këto, tema kryesore e hadithit është personaliteti i Profetit, hadithet, transmetimi i haditheve (rivajet), transmetuesit (ravi) dhe përpilimi i haditheve në libra.
Sijer është shumësi i fjalës siret, analizon jetën 63 vjeçare të Profetit, është një shkencë të cilën mund ta quajmë biografia e Profetit tonë.
Megazi vjen nga fjala gaz, e cila ka kuptimin ‘të shkosh të luftosh me armikun’, shpjegon luftërat në të cilat ka marrë pjesë Profeti.
Ndërsa disiplina që analizon aspektin njerëzor të Profetit tonë, quhet Shemail.
Ajo degë e shkencës e cila merret me aspektin profetik të shpalljes, quhet Delail ose Hasais.
Ndërkohë, duhet të theksojmë që gjithë këto degë janë shkenca më vete të cilat shpjegojnë drejtpërdrejtë Profetin. Përveç këtyre, ka dhe shkenca të tjera si Tefsiri, Tasavufi, Fikhu, Kelami, Historia e Medhhebeve, Historia islame, Mjekësia e Profetit, Fjalori dhe Kultura e përgjithshme që i japin hapësirë fjalëve, veprave dhe sjelljeve të Profetit.
Meqë ka lidhje të drejtpërdrejtë me librin tonë, do ishte me vend të jepnim ca detaje në lidhje me Shemailin.
SHEMAIL
Fjala ‘shemail’ është shumësi i fjalës ‘shimal’. Në kuptimin etimologjik do të thotë analiza e historisë se jetës së një personi, më vonë, duke u përmbledhur, është përdorur si një term që shpjegon aspektin njerëzor, mënyrën e jetesës dhe jetën personale të Profetit.
Për të shpjeguar aspektin njerëzor të Profetit, përdoren gjithashtu dhe fjalët sifat, menakib, fezail. Por nga aspekti i shpjegimit të aspektit njerëzor të Profetit, fjalën Shemail për herë të parë e ka përdorur Tirmidhiu (v.892), i cili ka përcaktuar përmbajtjen dhe e ka sistemuar.
Ndër burimet më të rëndësishme të letërsisë së Shemailit është vepra e Tirmidhiut “Kitabu Shemail”. Librat e tjerë shemail ndodhen të shpërndarë në mënyrë të çrregullt në degët e shkencave të tjera.
Libri i Tirmidhiut përbëhet nga 55 kapituj dhe një epilog. Në vepër flitet për formën e trupit të Profetit, sjelljet e tij, jeta e adhurimit, morali, mënyra e jetesës, disa aspekte të tjera dhe fundi i jetës të cilat mund të përmblidhen në kapitujt kryesorë. Mbi Shemailin e Tirmidhiut janë bërë mëse 61 punime, ndërmjet tyre shumë komente, analiza, përkthime dhe shënime.
Përveç Tirmidhiut kemi edhe vepra të tjera të Shemailit të Belhit (911), Bagdatit (1014), El Mustagfiri (1041) dhe Bagavi (1122). Vepra “Esh Shifa bi ta’rifi Hukukil Mustafa” e Kadi Ijazit (1149), pavarësisht se mund të përfshihet në degën e Delailit, zë një vend të rëndësishëm në degën e Shemailit. Edhe dijetarët e shquar si Ibn Kethiri dhe Kastalani kanë vepra të çmuara në këtë fushë.3
Shemaili ka zënë një vend të rëndësishëm në fushën e hadithit dhe në degë të tjera si: në historitë e qyteteve, në librat e moralit, në vepra letrare dhe në kërkime të veçanta.