JETA E SAHABËVE 1

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

HYRJE

1. AJETE DHE HADITHE QË URDHËROJNË BINDJEN NDAJ ALLAHUT DHE TË DËRGUARIT TË TIJ

Detyra e profetësisë së Profetit tonë të dashur

“O Profet! Ne të kemi dërguar Ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” (Ahzab, 33/45-46)

“Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk dinë.” (Sebe’, 34/28)

“Ne të kemi dërguar ty vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues.” (Furkan, 25/56)

“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Enbija, 21/107)

“Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët.” (Saf, 61/9)

Profeti ynë i dashur, përshkruhet kështu në Fjalën e Allahut (xh.

sh.), Zotit të botëve:

“Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë. Kjo është rruga e drejtë!” (Al ‘Imran, 3/51)

“Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im më ka udhëzuar në rrugë të drejtë, në fenë e vërtetë, fenë e pastër të Ibrahimit besimplotë, i cili nuk ka qenë adhurues i idhujve.”; Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” (En’am, 6/161-163)

Bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij

“O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos ia ktheni shpinën, ndërkohë që e dëgjoni (të vërtetën)!” (Enfal, 8/20)

“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.”

(Enfal, 8/46)

“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Nisa, 4/59)

Resulullahu (alejhis’salatu ues’selam) thotë: “Kush më bindet mua, nuk ka dyshim që i është bindur Allahut. E kush më kundërshton mua, nuk ka dyshim që ka kundërshtuar Allahun.”

Sërish, Profeti ynë i dashur (alejhis’salatu ues’selam) shprehet: “Përveç atyre që refuzojnë, i gjithë umeti im do të hyjë në Xhenet.” E atyre që e pyesnin: “Po kush janë këta që refuzojnë?!”, - ai u përgjigjej: “Kush më bindet mua hyn në Xhenet, ndërsa refuzues janë ata që tregohen kryengritës (duke mos u bindur).”

“Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: ‘Dëgjojmë dhe bindemi’. Pikërisht këta janë të shpëtuarit.; Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që kanë frikë nga Allahu e i përkushtohen Atij, do të jenë të fituarit e vërtetë.” (Nur, 24/51-52)

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu, me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Teube, 9/71)

Profeti dërgohet për t’iu bindur

“Çfarëdo që Allahu i dhuroi të Dërguarit të Tij si plaçkë (të marrë) nga popujt e vendbanimeve, i takon: Allahut, të Dërguarit, të afërmve të tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve të mbetur rrugës, në mënyrë që ajo të mos qarkullojë vetëm në duart e të pasurve nga mesi juaj. Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’jua ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu dënon vërtet ashpër.” (Hashr, 59/7)

“Ne i kemi nisur të dërguarit vetëm me qëllimin që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre. Dhe, në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe), të vinin te ti për t’i kërkuar falje Allahut dhe i Dërguari t’i lutej Allahut për shfajësimin e tyre, do ta vërenin, se Allahu, me të vërtetë, është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Nisa, 4/64)

Çfarë do të fitojnë ata që u binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij?

“Thuaj: ‘Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit!’ Nëse shmangeni, (ta dini se) ai është përgjegjës për detyrën e tij, ndërsa ju për atë që jeni ngarkuar. E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë, kurse i Dërguari është i detyruar vetëm që të përcjellë qartë (Mesazhin Hyjnor). Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët. Falni namazin, jepni zeqatin dhe bindjuni të Dërguarit, për të fituar mëshirën e Allahut!” (Nur, 24/54-56)

“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, për të shpresuar mëshirën (e Allahut).” (Al ‘Imran, 3/132)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Ahzab, 33/70-71)

“Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë të gjithë këta! Kjo dhunti është nga Allahu, e mjafton që Allahu e di çdo gjë.” (Nisa, 4/69-70)

“Këta janë kufijtë e caktuar prej Allahut. Atë që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai e shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojë përherë. Kjo është fitorja e madhe.” (Nisa, 4/13)

“Thuaju (o Muhamed): ‘Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Al ‘Imran, 3/31)

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzab, 33/21)

“Thuaj (o Muhamed): ‘O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka zot tjetër të vërtetë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!’” (A’raf, 7/158)

Siç na është transmetuar prej Enesit (radijallahu anhu), Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë:

“Kush ringjall një sunet, që pas meje është lënë nga njerëzit, kjo do të thotë për

të se ai më do mua. E ai që më do, është përherë me mua.”

Po ashtu, bashkë me këtë, transmetohen edhe sihariqet e tjera:

“Kush lidhet fort pas sunetit tim hyn në Xhenet.” “Kush i bindet sunetit tim, në një kohë kur umeti im është prishur, merr shpërblimin e njëqind dëshmorëve.” “Kush jetëson sunetin tim, më do mua, e ne do të jemi bashkë në Xhenet me të gjithë ata që më duan mua.”

“T’i bindesh sunetit të Profetit Fisnik, në një kohë kur umeti gjendet në mosmarrëveshje, është si të mbash në duar prush të ndezur.”

Çfarë i pret ata që nuk i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij?

“O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë!” (Enfal, 8/24)

“Thuaju: ‘Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit!’ Në qoftë se kthejnë shpinën, (dijeni se) Allahu, me të vërtetë, nuk i do jobesimtarët.” (Al ‘Imran, 3/32)

“Ndërsa atë që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe shkel kufijtë e vënë prej Tij, Allahu e shpie në zjarr, ku do të qëndrojë përherë dhe për të ka ndëshkim poshtërues.” (Nisa, 4/14)

I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati thënë në lidhje me ngjarjet që do të ndodhnin në të ardhmen: “Ato që u ndodhën bijve të Izraelit, do t’u ndodhin po njësoj edhe umetit tim. Asisoj, që nëse në mesin e tyre të ketë pasur të atillë që të kenë ardhur hapur pranë nënës së tyre, medoemos që edhe prej umetit tim do të ketë të atillë që do ta bëjnë këtë veprim të shëmtuar. Si përfundim, bijtë e Izraelit qenë ndarë në shtatëdhjetë e dy popuj. Edhe umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe. Përveç njërit, të gjithë të tjerët do të jenë të zjarrit e do digjen.”

E patën pyetur, se cili ishte ky grup dhe ai iu qe përgjigjur, se “Janë ata që nuk largohen nga ajo udhë nëpër të cilën jemi unë dhe sahabët e mi.”

Një nga sahabët, të cilin e quanin Irbad ibni Sarije (radijallahu anhu), tregon se: Një ditë, Profeti i nderuar na fali namazin, mandej, me të mbaruar, e ktheu kokën nga xhemati dhe mbajti një ligjëratë tejet retorike dhe kuptimplotë. Asisoj që sytë e dëgjuesve u mbushën me lot, ndërsa zemrat u galduan në emocione. Madje, nga xhemati u dëgjua të thuhej: “O i Dërguari i Allahut, pse po na flet kështu, sikur kjo të ishte një fjalë lamtumire? Çfarë po na këshillon të bëjmë?” - Resulullahu heshti për pak kohë, pastaj u përgjigj: “Unë ju këshilloj që të jeni të devotshëm përballë Allahut; që edhe sikur një skllav nga Abisinia t’ju vihet mbi krye, prapëseprapë ta dëgjoni e t’i bindeni atij. Pasi atyre që do të kenë jetë dhe do të jetojnë gjatë, kanë për t’u parë sytë shumë mosmarrëveshje kur unë të mos jem më. Andaj, unë po ju kujtoj juve sunetin tim dhe jetën e katër kalifëve të mëdhenj, mjafton t’u bindeni duke u përqafuar sa më fort pas tyre. Veç kësaj, ju këshilloj që të tregoheni tejet të kujdesshëm dhe tejet të kthjellët për ato që do të ndodhin e do të shfaqen më pas, sepse çdo gjë e nxjerrë rishtazi, që nuk bën pjesë në sunetin tim është bid’at (sajesë), dhe çdo i tillë është një devijim, një shthurje.”

Lidhja mes Resulullahut dhe Umetit të tij

Lidhja mes Allahut dhe umetit të Profetit Muhamed (s.a.s.) i ngjan gjendjes së këtij njeriu: “Dikush ndërton një shtëpi të re, kësodore për shtëpinë e re shtron një gosti, e natyrisht për t’i ftuar njerëzit që ka vendosur të tubojë, dërgon një lajmëtar. Ata që i përgjigjen ftesës, futen brenda dhe përfitojnë prej gjithë të mirave të shtraura në atë gosti. Ndërsa ata që nuk vijnë, as nuk e shohin dot shtëpinë e re, e as nuk shijojnë dot prej ushqimeve të gostisë.” Mësimi i këtij shembulli është ky: Ajo shtëpi është Xheneti, i zoti asaj shtëpie është Allahu (xhel’le xhelaluhu), lajmëtari që çon ftesën është Muhamedi (alejhis’salatu ues’selam). Ai që i përgjigjet ftesës së Tij cilësohet se i është bindur Allahut (xh.sh.), ndërsa ai që nuk i përgjigjet është ai që ka kundërshtuar Allahun e Madhërishëm. Profeti ynë i nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi Të) ka shpërfaqur dallimin mes njerëzve (atyre që besojnë dhe atyre që nuk besojnë).

Po ende Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shprehet kështu: “Gjendja ime me ftesën që Allahu Fuqiplotë ka dërguar përmes meje i ngjan gjendjes së atij njeriut, që: Një burrë shkon njëherë pranë të afërmve të tij dhe u thotë: ‘Unë i pashë ushtritë e armiqve me këta dy sy, kështu që po ju bëj të ditur rrezikun që ju kanoset, duhet të merrni menjëherë të gjitha masat!’ - Një pjesë e popullit e dëgjon këshillën e tij, e me të rënë nata, i mbledh gjithë ç’ka dhe largohet paq. Kurse pjesa tjetër nuk ia vë asfare veshin fjalëve të tij, madje edhe i përgënjeshtron, duke mos lëvizur aspak nga vendi. Mirëpo, vjen mëngjesi dhe që të gjithë zihen robër dhe vriten nga ushtria armike. Ja, ky shembull e paraqet më së miri ndryshimin mes atyre që u binden fjalëve të mia dhe atyre që nuk i pranojnë ato, madje edhe i mohojnë ato që unë i kam sjellë prej Allahut të Madhërishëm.”

Muhamedi, paqja e Allahut qoftë mbi Të, shprehet: “Historia ime është si ajo historia e atij burrit që ndez një zjarr. Kur zjarri bëhet bubulak e zë të ndriçojë rreth e rrotull, fluturat dhe disa gjallesa të tjera, që e duan dritën, vërsulen për t’u hedhur në mes të flakëve. I gjori burrë, ç’të bëjë, orvatet të bëjë ç’të mundë, që t’i pengojë, por ato fillojnë të hidhen tufa-tufa drejt e në zjarr. Edhe unë, porsi ai burri, ju tërheq ju nga pas, që ju të mos bini në flakët e zjarrit, kurse ju vazhdoni të rendni me sa të mundni drejt tyre.”

2. AJETE RRETH PROFETIT (a.s.) DHE SAHABËVE TË TIJ

“A nuk i sheh ata të cilët, edhe pse iu është ndaluar të kurdisin fshehtësisht, kthehen tek ajo që u është ndaluar dhe kurdisin për gjynahe, armiqësi dhe mosbindje ndaj të Dërguarit? Kur vijnë tek ti, ata të përshëndesin me fjalë, me të cilat Allahu nuk të përshëndet kurrë dhe thonë me vete: “Pse nuk na dënon Allahu për këtë që po flasim?” Xhehenemi është një dënim i mjaftueshëm për ata. Në flakët e tij do të digjen. Eh, sa vendbanim i tmerrshëm që është ai! O besimtarë! Kur të bisedoni fshehtas mes jush, mos flisni për gjynahe, armiqësi dhe mosbindje ndaj të Dërguarit; por bisedoni për mirësi dhe drejtësi. Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të tuboheni.” (Fet’h, 58/8-9)

Një umet i mbarë dhe i ekuilibruar

“Ditën kur do të sjellim kundër çdo populli dëshmitarë nga gjiri

i tyre, Ne do të të sjellim ty (Muhamed) dëshmitar kundër këtyre. Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët.” (Nahl, 16/89)

“Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju. Ne nuk e kemi bërë kthimin tënd nga Qabeja (o Muhamed) për tjetër arsye, por vetëm për t’i dalluar ata që i shkojnë pas të Dërguarit, nga ata që kthehen nga thembrat (që tërhiqen nga besimi tek ai). Kjo provë ka qenë e rëndë (për njerëzit), por jo për ata që Allahu i ka udhëzuar. Dijeni se Allahu nuk ua humb besimin tuaj (d.m.th. namazin që keni falur nga Kudsi). Në të vërtetë, Allahu është Përdëllimtar dhe i Mëshirshëm me njerëzit.” (Bekare, 2/143)

“Luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur juve myslimanë qysh më parë (në Shkrimet e Shenjta) dhe në këtë (Kuran), me qëllim që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë. Andaj, faleni namazin, jepni zeqatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!” (Haxh, 22/78)

Profeti i një umeti të mbarë dhe të ekuilibruar

“Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” (Al ‘Imran, 3/164)

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër, që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 9/128)

“Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed)! Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoji falje Allahut për ata dhe këshillohu me ta për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.”

(Al ‘Imran, 3/159)

Veçoritë e sahabëve të tij janë të shkruara edhe në Teurat e Ungjill

“[...] dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe në Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (Araf, 7/157)

“Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.” (Fet’h, 48/29)

Si vlerësohen sahabët në Kur’anin Famëlartë

“Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore.” (Teube,

9/100)

“Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt e me një plaçkë të madhe që do ta fitojnë. Allahu është i plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Fet’h, 48/18-19)

“Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre. Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta.” (Teube, 9/117-118)

Sahabët, përmendore të besnikërisë dhe sinqeritetit në besim

“Një pjesë e plaçkës u takon edhe mërgimtarëve të varfër, të cilët u përzunë nga vendlindja dhe pasuritë e tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Allahut dhe duke ndihmuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht ata janë besimtarët e sinqertë. Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndiejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashr, 59/8-9)

“Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre. Nuk ka dyshim se Allahu do t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre e do t’i dënojë hipokritët, nëse do ose do t’u pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ahzab, 33/23-24)

3. KARAKTERISTIKAT E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT

Sipas transmetimeve, pamja e jashtme e Profetit të profetëve përshkruhet me këto fjalë: Ai kishte një trup të madh, i cili i jepte Atij një pamje madhështore. Gjymtyrët e trupit i kishte në raporte të ekuilibruara, pra krejt të natyrshme edhe në lidhjen që kishin me njëra-tjetrën. Fytyra i ndriçonte, seç kishte një vezullim të veçantë, sikur hëna e plotë. Ashtu siç nuk e kishte fytyrën të shëndoshë, as i rrumbullakët e topolak nuk ishte. Vetëm në fytyrë i dallohej një rrumbullakësi e lehtë. Ajo ishte fytyra më e buzëqeshur ndër të gjithë njerëzit. Trupi i Tij kishte një veçori që nuk bënte asnjëherë hije pas vetes. Edhe kur qëndronte përballë diellit, vezullimi i fytyrës së tij e mposhtte dritën e diellit. Kur kënaqej Krenaria e Njerëzimit, fytyra i shkëlqente sikur të ishte një copë prej hënës. Kësisoj kuptohej nëse ishte apo jo i gëzuar.

Nuk ishte tejet i gjatë, pak më i gjatë se një trup mesatar. Ndërsa ecte, dukej një njeri me trup të mesëm. Kur i afrohej pranë ndokush që ishte më i gjatë në trup, trupi i tij të krijonte përshtypjen se tjetri ishte më i gjatë sesa Ai. Shpatullat i kishte të larguara nga njëra-tjetra. Vendet e kyçeve dhe shpinën i kishte pak sa të fryra. Jeleku që vishte, kur i binte poshtë shpatullave, ngjante njësoj si një mbulojë e argjendtë e derdhur mbi një kallëp të gatshëm. Mes dy kockave të shpatullave, pak më sipër asaj të majtës gjendej vula e profetësisë, e cila ngjante paksa me gjysmëhënën, paksa me vezët e pëllumbit, në një ngjyrë me lëkurën, e që rrinte në formën e një grushti.

Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte një gjoks të gjerë, i cili ishte në të njëjtën vijë me barkun. Nuk kishte bark të madh. Edhe shpinën, nuk e kishte as të mbushur, as shumë të dobët. Në bark kishte tri pjesë si ndarje të lakuara. Nga sipër gjoksit deri në fund të barkut kishte një si vijë të hollë qimesh. Nuk kishte të tjera të tilla, as në pjesë të tjera të gjoksit, as të barkut. Kishte, por më pak, edhe mbi supe apo mbi pjesët pak më sipër zemrës.

Gishtat e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishin të gjatë dhe të hollë si shufra argjendi, me maja paksa të trasha, pëllëmbë të fryrë, ndërsa kockat, si të duarve, ashtu edhe të këmbëve, i kishte krejtësisht të drejta. Me poshtësupe të mbushura, kocka krahësh të gjatë dhe kyçe të fryra mbi kockë.

Këmbët i kishte të mëdha. Thembrat vetëm fare pak të mishta. Nënkëmba ishte gropë, kurse pjesa e sipërme e butë dhe jashtëzakonisht e drejtë.

Koka e Profetit të Universit ishte jo e vogël, me flokët as të drejta e as me kaçurrela; diçka midis të dyjave, i dallgëzuar... Flokët i zbrisnin deri në mes të veshëve, e nganjëherë i kishte më të gjatë, aq sa i kalonin mes dy veshëve deri poshtë, duke u derdhur mbi shpatulla. Nganjëherë e ndante atë në mes, me balluket të lëshuara që i zbritnin deri fare pranë syve. Ndodhte që edhe t’i thurte flokët plot katër herë. Dy syresh i kalonte mbi veshin e djathtë, e dy të tjera mbi veshin e majtë. Veshët, që i dalloheshin pas flokëve të zinj, të kujtonin yjet e vegjël e vezullues. Kur e krihte me krehër, floku i bëhej vija-vija, njësoj si rrathët e formuar mbi rërën e shkretëtirës prej erës, apo valët e formuara mbi sipërfaqen e një uji kur hedhim diçka mbi të. Ngjyra e tyre ishte një e zezë e errët. Krenaria e Njerëzimit kishte një ballë të hapur e të gjerë, me një lëkurë të lëmuar dhe pa as më të voglën shenjë vrazhdësie. .

Me vetullat të holla, të cilat i ktheheshin drejt cepave të syve, herëherë të dukej sikur ato i bashkoheshin me njëra-tjetrën, e sikur nuk ishin të ndara. Në mes vetullave kishte një damar, i cili i fryhej sa herë që i duhej t’i mrrolte vetullat kur mund të ndodhte që të nxehej nga ndonjë gjë e pahijshme. Balli, kur i dukej më i hapur prej ballukeve, apo kur dilte përballë njerëzve në mbrëmje, i shndriste dhe vezullonte porsi një pishtar i ndezur.

E zeza e syve ishte plotësisht e zezë, ndërsa e bardha e bardhë dëborë; një e bardhë si të ish e përzier me të kuqen. Sytë i kishte të mëdhenj. Qerpikët të gjatë dhe të lakuar. Sytë e tij shikonin edhe ç’kishte pas, po ashtu siç shikonin çfarë gjendej përpara.

Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi Të) kishte dëgjim të plotë. Nganjëherë shikonte edhe ato çfarë të tjerët nuk i shihnin dot, e dëgjonte ato çfarë ata nuk kishin mundësi që t’i dëgjonin.

Hunda e Profetit të mbarë njerëzimit (alejhis’salatu ues’selam) ishte e gjatë, me mesin paksa të ngritur, majën të hollë, elegante dhe të drejtë. Kush e shihte për herë të parë, mendonte se e kishte hundën më të lartë dhe më të lakuar sesa një hundë e zakonshme. Faqet nuk i kishte të fryra, por as të zbrazëta. I kishte të drejta. Me pak tul, por me një lëkurë të lëmuar.

Goja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) ishte e madhe, e gjerë aq saç duhet të jetë për t’u cilësuar elegante. Ajo bënte që dhëmbët e përparmë të ishin të dukshëm, të bardhë si kristal dhe të mprehtë. Dhëmbët e Tij të dukeshin sikur të ishin disa kokrra breshëri të rreshtuara me rregull njëra pas tjetrës. Kur fliste, dhe ti ishe duke e dëgjuar, dukej sikur nga goja nuk i derdheshin fjalë, por një nur i ëmbël. E po ashtu njomështia e gojës së Tij ishte një tjetër çështje mrekullie apo dhurate e mirësisë hyjnore. Ajo erëmonte përherë një aromë të këndshme. Njëherë patën hedhur pak prej njomështisë së gojës së Tij mbi grykën e një pusi dhe uji i tij pati filluar të mbante një erë të mirë. Pikërisht me këtë pështymë ia pati fërkuar trupin e mbushur me puçrra Utbe ibni Ferkadit, i cili megjithëse nuk qe lyer me kurrfarë erëmire, mbartte një aromë tejet të këndshme. Edhe pusi që gjendej në shtëpinë e Enes ibni Malikut (radijallahu anhu) qe kthyer në depozitën e ujit më të ëmbël në mbarë Medinën.

Ai e kishte fytyrën me një mjekër të dendur, të shpeshtë dhe të madhe Pjesën mes buzës së poshtme dhe mjekrës e kishte të hapur.

Rreth e qark saj dalloheshin dy-tri fije të zbardhura, me një të bardhë si prej kristali. Edhe në flokë apo mjekrën në tërësi, veç tri-katër fije mund t’i dalloheshin si të thinjura. Nuk i pati lyer asnjëherë, as flokët, as mjekrën. Por edhe flokët nuk iu thinjën asnjëherë tërësisht. Allahu nuk ia zbardhi flokët, nuk deshi që ta tregonte të moshuar. Ato pak qime të thinjura të mjekrës rrinin aty pak më sipër fundit të mjekrës.

Lëkurën e kishte më se të lëmuar. Më e lëmuar edhe se mëndafshi. Me një erëmim më të ëmbël edhe se vetë aroma e miskut e amberit. Trupi i Krenarisë së Gjithësisë djersiste mjaft shpesh. Ummu Sulejmi ia mblidhte ndonjëherë djersën nëpër shishe të vockla, që më pas, duke i hedhur nëpër shishkat e aromave të mira, t’i bënte ato që mbanin erë akoma më të këndshme dhe me to bënte parfume. Daç të hidheshin ato parfume, daç të mos hidheshin, dora e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) do të lëshonte përherë një erë shumë të mirë; edhe dora e atij që shtrëngonte dorë me të gjatë ditës, mbante aromë gjer në mbrëmje.

Profeti ynë (s.a.s.) ecte shumë shpejt; sikur toka të përkulej për t’iu përshtatur këmbëve të Tij, që Ai të ecte sa më lehtësisht. Kushdo që rendte pas Tij e kishte të pamundur që ta arrinte. Nuk kishte hije pas Tij, as ditës për diell, e as natës për hënë. I qe pranuar menjëherë lutja që i pati bërë Allahut (xh.sh.): “O Zot, bëmë mua dritë!”

Krenaria e Njerëzisë kishte një zë kumbues, me një ton aq të ëmbël. Sahabët tregonin shpesh: “Na foli në Mina, dhe na bëri që të na hapeshin veshët. Madje ne arrinim t’ia dëgjonim zërin edhe që nga shtëpia.” Ndonjëherë ndodhte që nga çardakët e shtëpive të Medinës të vinte zëri i ëmbël i Profetit fisnik teksa fliste në Faltoren Profetike. Ai ishte folësi më i qartë i gjuhës në mbarë arabët.

4. VEÇORITË E SAHABËVE

Sahabët që Allahu (xhel’le xhelaluhu) ia zgjodhi dhe ia dhuroi të Dërguarit të Tij (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishin individët më të mbarë në krejt shoqërinë. Edhe Kur’ani Famëlartë e shpreh qartë se umeti i Profetit Muhamed (s.a.s.) është më i nderuari ndër gjithë umetet.

“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin, do të ishte më mirë për ata; ka prej atyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë larg udhës së drejtë.” (Al ‘Imran, 3/110)

Sipas asaj që është transmetuar, në kohën e hilafetit, Omeri (radijallahu anhu) ka thënë këto fjalë kur është rrekur që t’i jape kuptim këtij ajeti: “Po të donte Allahu (xh.xh.) në vend të frazës “ju ishit” në ajet, mund të përdorte trajtën e saj “jeni ju” dhe kësodore, në përmbajtjen e këtij ajeti mund të ishin të përfshirë të gjithë. Mirëpo, me atë “ju ishit” del mjaft qartë se me këtë nënkuptoheshin vetëm sahabët. Andaj, kush u ngjan atyre, duke kryer vepra si ato që bënë ata, arrin të bëhet pjesë e bashkësisë më të mbarë, më fisnike e më të përzgjedhur të gjithë njerëzimit.”

Në një transmetim tjetër, Omeri (radijallahu anhu), në kohën e Haxhit, pasi kishte parë disa sjellje të pahijshme prej disa njerëzve, u pati lexuar atyre këtë ajet, duke shtuar: “O njerëz, kush dëshiron që të jetë prej asaj bashkësie të cilën e ka përzgjedhur Allahu (xhel’le sha’nuhu), t’i plotësojë të gjitha konditat që parashtron përfshirja brenda saj.” Kësodore ai e pati këshilluar popullin e tij, që në çdo veprim, qoftë përsa i përket udhëzimit për mirë apo ndalesës nga e keqja, qoftë në çfarëdolloj çështjeje tjetër, ata të merrnin si shembull sahabët, duke bërë çmos që t’u ngjanin atyre sa më shumë.

I Vërteti Allah (xh.sh.), i Cili i njeh më së miri zemrat e njerëzve, zgjodhi pikërisht Muhamedin (s.a.s.), Krenarinë e Njerëzimit, për ta përgëzuar me detyrën e profetësisë. Mandej, sërish duke i vështruar zemrat e njerëzve zgjodhi bashkësinë e sahabëve që të ishte e denjë për të qenë umet i Profetit Muhamed (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), duke bërë që të ishin ata ndihmëtarët e parë të fesë islame, me përfaqësimin sa më të përkryer të asaj që do të ishte feja e madhërishme e Allahut (xh.xh.). Andaj, për sa i përket kënaqësisë së Allahut, kush i pëlqen e i merr shembull sahabët është i pëlqyer, e kush nuk i pëlqen si shembullin, ai nuk mund të jetë i tillë.

Abdullah ibni Omeri (radijallahu anhu), një prej prijësve të sahabëve, teksa flet për ta, ai shprehet me këto fjalë: “Ata që duan të ndjekin një rrugë të drejtë, le të ndjekin rrugën e të parëve të tyre. E ata janë sahabët fisnikë të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ata janë më të mirët e umetit të tij. Më të thellët, për sa i përket dijes, më të pastrit nga zemra; me pak fjalë, njerëz për të cilët është i pamundur kundërshtimi i ndonjë prej cilësive të tyre. Ata janë një shoqëri aq e lartë, sa që Allahu i Madhërishëm i pa ata të denjë për Profetin e Tij më të zgjedhur, Muhamedin (paqja e Zotit qoftë mbi Të). Ishte pikërisht kjo shoqëri me të cilët Ai e mishëroi fenë e Vet. E meqë është kështu, ejani edhe ju, përftoni moral prej moralit të tyre, e ecni në të njëjtën rrugë ku ecën dhe ata, sepse ata nuk janë tjetër, veçse shoqëria më e zgjedhur e Profetit tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ju betohem për Zotin e Qabes, se ata patën ecur në rrugën e drejtë.”

Përmendorja e madhe e dijes, Abdullah ibni Mesudi (radijallahu anhu), i cili ishte i afërm me të, aq sa t’i hynte pa teklif (drojë) në banesë, kaq mprehtë i qorton tabiinët: “Ju si tabiinë ndoshta mund të agjëroni edhe më tepër se sahabët, mund të falni më shumë namaz, e mund të lodheni më tepër sesa ata duke i shërbyer Islamit. Por mos harroni se ata ishin gjithsesi më të mirë e më të mbarë se ju.” E kur e pyetën se përse ishte kështu, ai iu përgjigj: “Sepse ata (me zemër) nuk ishin asfare të interesuar për asgjë të kësaj bote, e jashtëzakonisht të dhënë pas jetës së përtejme.” Çdonjërit prej dijetarëve ndër sahabë që do t’i bënit një pyetje, përgjigjja që do të merrnit do të ishte përherë e njëjta përgjigje. Gishtërinjtë e tyre tregonin përherë kah varret e Ebu Bekrit dhe Omerit të nderuar (radijallahu anhuma).

Një ditë, Aliu (radijallahu anhu) u fali besimtarëve namazin dhe iu drejtua xhematit të tij me këto fjalë: “Unë i kam parë sahabët e Profetit tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i kam njohur shumë mirë të gjithë një e nga një. E sot unë nuk shoh askënd që t’u ngjajë atyre. Uallahi atyre u shterej fuqia nga të falurit namaz pareshtur, flokët u djersiteshin e u shprisheshin, ndërsa fytyra u pluhurosej nga tërë ato ulje të njëpasnjëshme në sexhde. E gdhinin çdo ditë, ose duke lexuar Kur’an, ose duke falur namaz. Me t’u përmendur Allahu në praninë e tyre, ata fillonin të lëkundeshin sikur degët e pemëve kur fryjnë erëra të forta. Nga sytë u derdheshin lot sikur të ishte duke rënë shi i dendur, uallahi, ju betohem, aq shumë lot derdhnin, sa që edhe teshat në trup u lageshin. Të më besoni, më vjen keq, por unë besoj se sot njerëzit i kalojnë netët e tyre të topitur e larg kësi ndjenjash.” Pasi tha këto fjalë, Aliu (radijallahu anhu) u ngrit për t’u larguar së andejmi, e deri në ditën kur ra dëshmor nga dora e të shthururit armik të Allahut, Ibni Mulxhemit.

24

Shënimet

  1. 1.. Buhari, Sahih, 6/2655 (6851).
  2. 2.. Taberani, Muxh’emu’s-Sagir, 2/100.
  3. 3.. Tirmidhi, Sunen, 5/46.
  4. 4.. Mundhiri, et-Tergibu ue’t-Terhib, 1/41.
  5. 5.. Taberani, Muxh’emu’s-Sagir, 2/100.
  6. 6.. El-Hindi, Kenzu’l-Umal, 1/328.
  7. 7.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 8/152.
  8. 8.. Ebu Daud, Sunen, 2/610.
  9. 9.. Buhari, Sahih, 6/2655.
  10. 10.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/60.
  11. 11.. Buhari, Sahih, 5/2379.
  12. 12.. Muslim, Sahih, 11/491.
  13. 13.. Dimashki, Opusi për Profetin, 2/41.
  14. 14.. El-Hindi, Kenzu’l-Um’mal, 7/50.
  15. 15.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/50.
  16. 16.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/314.
  17. 17.. Buhari, Sahih, 1/81.
  18. 18.. El-Hindi, Kenzu’l-Um’mal, 7/314.
  19. 19.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/314.
  20. 20.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 22/155.
  21. 21.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/20.
  22. 22.. Dimashki, Opusi për Profetin, 2/24.
  23. 23.. Dimashki, Opusi për Profetin, 2/22.
  24. 24.. Tirmidhi, Shemail, 1/36.
  25. 25.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 22/155.
  26. 26.. Muslim, Sahih, 4/1280.
  27. 27.. Tirmidhi, Sunen, 5/599.
  28. 28.. El-Hindi, Kenzu’l-Um’mal, 7/1063.
  29. 29.. Tirmidhi, Sunen, 5/599.
  30. 30.. Tirmidhi, Shemail, 1/36.
  31. 31.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 16/27.
  32. 32.. Tirmidhi, Shemail, 1/38.
  33. 33.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 12/65.
  34. 34.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 2/152.
  35. 35.. Muslim, Sahih, 4/1821.
  36. 36.. Dimashki, Opusi për Profetin, 2/24.
  37. 37.. Muslim, Sahih, 4/1814.
  38. 38.. Muslim, Sahih, 4/1816.
  39. 39.. Ahmed, Musned, 2/350.
  40. 40.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/100.
  41. 41.. Muslim, Sahih, 44/1816.
  42. 42.. Muslim, Sahih, 1/525.
  43. 43.. Dimashki, Opusi për Profetin, 2/86.
  44. 44.. Ibn Maxhe, Sunen, 1/429.
  45. 45.. El-Hindi, Kenzu’l-Um’mal, 2/492.
  46. 46.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/375.
  47. 47.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/305-306.
  48. 48.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 136.
  49. 49.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/307.
  50. 50.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 8/6.