JETA E SAHABËVE 1
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
RËNDËSIA QË I JEPNIN SAHABËT FISNIKË UNITETIT DHE PËRBASHKIMIT
Si u kujdesën sahabët që ta ruanin fare të paprekur unitetin dhe bashkimin mes tyre? Si u shmangën ata nga të ngatërruarit me njëritjetrin, apo nga rënia në përçarje, ndërsa i ftonin njerëzit dhe luftonin në rrugën e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij?
1. ÇFARË MENDONIN SAHABËT PËR PËRÇARJEN ME NJËRI-TJETRIN
Mendimet e Ebu Bekrit (r.a.) në lidhje me këtë temë
Na e transmeton Ibni Is’haku: “Pasi ishte ndarë nga jeta Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), sahabët po diskutonin me njëri-tjetrin rreth çështjes së përçarjes në kuvendin e fisit të Beni Saides, të cilët ishin prej ensarëve dhe Ebu Bekri (radijallahu anhu) pati thënë këto fjalë lidhur me këtë temë:
“Nuk është e lejuar që mbi kryet e myslimanëve të qëndrojnë dy imamë njëherësh. Në raste të tilla, punët dhe gjykimet e myslimanëve nisin të dyzohen, prishet uniteti dhe mes tyre fillojnë të shfaqen mosmarrëveshje dhe ngatërresa nga më të ndryshmet. E, për rrjedhojë, njerëzit zënë të braktisin traditën profetike (sunetin), shfaqen gjëra të reja, që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë më parë në fe dhe mendimet ngatërrestare sa vijnë e shtohen më shumë. Me një fjalë, nuk ka asnjë kuptim dhe nuk i bën askujt dobi, që ne të vazhdojmë të këmbëngulim në një çështje si kjo e udhëheqjes së vendit nga dy prijës të ndryshëm njëherësh!”
Fjalët e Omerit (r.a.) për këtë çështje
Salim bin Ubejdi përcjell se: “Atëherë kur po diskutohej çështja e lidhjes së besës me Ebu Bekrin (radijallahu anhu), njëri prej ensarëve u hodh dhe tha:
“Le të ketë dy imamë, njëri të jetë nga ne dhe njëri të jetë nga ju muhaxhirët.” Omeri (radijallahu anhu) e dëgjoi propozimin dhe i dha këtë përgjigje këtij njeriu:
“Ashtu siç është e pamundur që dy shpata të qëndrojnë në të njëjtin mill, pa u fërkuar me njëra-tjetrën, po aq e pamundur është edhe që të merren vesh mirë me njëri-tjetrin dy imamë!”
Qasjet e Abdullah bin Mesudit (r.a.) lidhur me këtë çështje Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë këto fjalë:
“O njerëz! Bindjuni drejtuesve që ju janë caktuar mbi krye e mos u ndani nga bashkësia; sepse bashkësia (xhemati) është litari i Allahut. Allahu ju ka urdhëruar ju që të mbaheni fort pas atij litari. Ato gjëra që nuk ju pëlqejnë në mesin e xhematit janë shumë herë më të mira sesa ato gjëra që do t’ju pëlqenin e ju të ishit të përçarë me njëritjetrin. Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) ka caktuar një fund për çdo krijesë që ka krijuar. E ardhmja e Islamit është e ndritur dhe ajo tashmë është fiksuar fort! Nuk do të zgjasë shumë dhe Islami do të mbërrijë në majat e caktuara për të. Mandej, deri kur të vijë Kiameti, herë do të forcohet e herë do të dobësohet. Tregues të dobësisë janë varfëria dhe skamja. Ka për të ardhur një ditë, që skamja do të thellohet aq shumë, saqë një i varfër nuk do të gjejë dot askënd, të cilit do të mund t’i kërkojë ndihmë. Kurse i pasuri do të mendojë se ajo pasuri që ai ka nuk i mjafton as për veten. Njeriu do t’ia tregojë vuajtjen dhe vështirësinë e vet të vëllait, apo djalit të xhaxhait, por ata nuk do t’i vijnë në ndihmë. Lypësi do ta mbajë dorën të zgjatur, duke kërkuar diçka, por askush nuk do t’i vërë asgjë në dorë. Pasi të ndodhin të gjitha këto, nga toka do të dëgjohet një zë buçitës. Të gjithë do të mendojnë se ai zë erdhi vetëm në zonën e vet. Pastaj, Toka do të gjejë qetësinë, ashtu siç do të dojë vetë Allahu i Madhërishëm. Pas kësaj periudhe të qetësisë, rruzulli tokësor do t’i nxjerrë jashtë gjithë ç’mban brenda saj.”
“O Eba Abdurrahman, çfarë do të thuash me ‘gjithë ç’mban brenda saj?’”, – e pyetën ata që ishin të pranishëm dhe Abdullah bin Mesudi u ka dhënë atyre këtë përgjigje:
“Damarët e arit dhe të argjendit! Megjithëse, që prej asaj dite e deri në ditën e Kiametit as ari, as argjendi nuk do të përftojnë kurrfarë dobie.”
Ibni Mesudi (r.a.): “Përçarja është vetë e keqja!”
Nga Katadeja (radijallahu anhu) na është transmetuar: “Si Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ashtu edhe Ebu Bekri, Omeri, por edhe Osmani (radijallahu anhum) në fillimet e kalifatit të tyre, kur ishin në Mekë dhe në Mina, meqenëse ishin udhëtarë, ata i falnin namazet e detyruara me nga dy rekate në secilën kohë të namazit. Më vonë, Osmani (radijallahu anhu) filloi t’i falë ato me nga katër rekate. Kur kjo gjë erdhi në vesh të Ibni Mesudit (radijallahu anhu), ai tha njëherë ‘Inna lil’lahi ue inna ilejhi raxhiun’, dhe filloi edhe ai t’i falë namazet e detyruara me nga katër rekate. Kur e pyetën:
“Po ti, edhe e gjykove edhe vetë namazin po e fal po me katër rekate; si do të na e shpjegosh, pse e bën këtë?” Atëherë, Ibni Mesudi u dha atyre këtë përgjigje:
“Përçarja është vetë e keqja!”
Aliu (r.a.): “Unë e urrej përçarjen.”
Na është transmetuar se Aliu (radijallahu anhu) ka thënë: “Namazet t’i falni njësoj siç i keni falur gjer më tani, sepse mua nuk më pëlqen përçarja. Ashtu siç populli nuk u copëtua e nuk u përça asnjëherë më parë, në kohën e shokëve të mi, po ashtu, derisa të vdes unë, myslimanët do të vazhdojnë të jetojnë në unitet dhe të përbashkuar!”
Sulejman bin Kajs el-Amiriu tregon se: “Ibnu’l-Keuaja, i cili ishte nga paria e Harixhijve, shkoi tek Aliu (radijallahu anhu) dhe e pyeti për domethënien e fjalëve “sunet, bidat, xhemat dhe përçarje mes myslimanëve”. Aliu (radijallahu anhu) iu përgjigj:
“Shiko, o Ibnu’l-Keua, mbaje mend e fiksoje mirë përgjigjen, ashtu siç e ke mësuar mirë përmendësh edhe domethënien e këtyre fjalëve që po më pyet. Ajo që ti e quan sunet, uallahi, është rruga e Muhamedit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Bidat do të thotë të largohesh prej asaj rruge. Xhemat, uallahi, do të thotë, që edhe pse mund të përbëjnë pakicën, ata qëndrojnë të bashkuar, pa u ndarë nga e drejta dhe janë gjithmonë në anën e atyre që kanë të drejtë. Ndërsa, përçarje, do të thotë që edhe pse mund të jenë në anën e atyre që janë më të shumtë në numër, të bëhesh bashkë me ata që mbajnë anën e asaj që është e rreme!”
2. QËNDRIMET E SAHABËVE PËR ÇËSHTJEN E KALIFATIT PAS NDARJES NGA JETA TË PROFETIT TONË TË NDERUAR
Bashkimi në një mendje i sahabëve tanë (r.a.) se kalifatin duhet ta merrte Ebu Bekri (r.a.)
Nga Urue bin Zubejri (radijallahu anhu) na është transmetuar se: “Kur u nda nga kjo jetë Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Ebu Bekri (radijallahu anhu) doli nga shtëpia e tij në lagjen e Sunhut (Në rrethinat e Medinës gjendeshin disa mëhalla, të cilat kishin marrë emrin e përbashkët Auali. Sunhi është emri i vetëm njërës prej tyre.), i hipi kalit dhe erdhi në Medinë, duke zbritur mu te porta e xhamisë. Dukej, ishte i shqetësuar. Kërkoi leje të hynte në dhomën e vajzës së tij, Aishes (radijallahu anha). Aishja (radijallahu anha) i dha leje. Kur hyri Ebu Bekri (radijallahu anhu), Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte aty, i shtrirë mbi jastëk. Edhe gratë e tij ishin ulur në anën e tij. Ebu Bekri (radijallahu anhu) e ngriti mbulesën prej fytyrës së bekuar të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), u përkul në gjunjë, e puthi atë në ballë (mu midis dy vetullave) dhe duke qarë tha:
“Omeri nuk di se ç’flet! I Dërguari i Allahut ka vdekur, unë i betohem Allahut (xhel’le xhelaluhu) që e ka në dorë shpirtin tim, se ka vdekur! O Resulullah, mëshira e Allahut qoftë mbi ty. Sa të bukur e ke edhe vdekjen, ashtu siç kishe edhe jetën!” Pastaj, ai e mbuloi edhe njëherë fytyrën e bekuar të të Dërguarit të Allahut. Fill pas saj, doli me nxitim në drejtim të xhamisë dhe sikur të ishte duke kërcyer mbi shpatullat e njerëzve doli përpara të gjithëve, në anën e minberit. Omeri (radijallahu anhu), kur e pa se Ebu Bekri (radijallahu anhu)po shkonte drejt tij, u ul. Ebu Bekr Besniku qëndroi aty, ndanë minberit dhe filloi t’i fliste bashkësisë që ishte mbledhur aty me zë të lartë. Njerëzit u afruan edhe më shumë duke u ngjeshur me njëri-tjetrin. Zhurmat e zërave u ndërprenë, sepse njerëzit u dhanë fund bisedave kalimtare që ishin duke bërë. Ebu Bekri (radijallahu anhu) tha këto fjalë:
“O njerëz! Allahu e mori pranë Vetes Profetin e Tij. Mirëpo, Allahu është i Përjetshëm, Ai është në mesin tuaj. Ejani në vete, kjo është vdekja; askush prej jush nuk do të shpëtojë prej saj, e të mbetet i gjallë. I vetmi që do të jetë përherë i gjallë është Allahu! Mandej, ai u këndoi atyre ajetin:
“Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Al ‘Imran, 3/144)
Omeri (radijallahu anhu) e tregon kështu, se si është ndierë atë ditë:
“Uallahi, derisa Ebu Bekri këndoi atë ajet nga sureja “Al ‘Imran”, unë nuk e besoja se Profeti kishte ndërruar jetë. Sikur ta kisha harruar fare, që ai ajet ishte zbritur kohë përpara asaj dite!”
Veç tij, në ligjëratën që mbajti, Ebu Bekri këndoi edhe disa ajete të tjera, një e nga një:
“Sigurisht që edhe ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht edhe ata do të vdesin.” (Zumer, 39/30)
“Mos adhuro zot tjetër, krahas Allahut! S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij! Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Fytyrës (Ekzistencës) së Tij! Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë!” (Kasas, 28/88)
“Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm
Fytyra (Ekzistenca) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” (Rahman,
55/26-27)
“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Al ‘Imran, 3/185)
Pasi këndoi njëherë këto ajete, Ebu Bekri (radijallahu anhu) vijoi t’u thoshte besimtarëve këto fjalë:
“Besimtarë! Allahu i dha jetë Muhamedit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), për aq kohë sa Ai ta nxirrte fitimtare fenë e Tij, duke u shpallur të gjithë njerëzve mesazhet e përjetshme të Allahut. E, tani që ai i përplotësoi të gjitha këto detyra hyjnore, Allahu e mori pranë Vetes shpirtin e tij. Muhamedi (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ju la ju në një rrugë të gjerë e të hapur. Ata që do të zvarriten drejt shkatërrimit janë ata që do të zgjedhin të rremen pasi ka ardhur Muhamedi dhe Kur’ani Famëlartë. Kushdo që njeh Allahun si Zot, ta dijë mirë, se Allahu është i Gjallë, Ai është Jetëdhënësi, e nuk vdes. E, kushdo që gjer më sot ka adhuruar Muhamedin, duke e ngritur atë drejt ndonjë shkalle hyjnore, kjo nuk ka më dyshim, ai ka vdekur!
O njerëz! Kijeni frikë Allahun dhe lidhuni fort pas fesë suaj, besojini Zotit. Feja e Allahut është e shëndoshë, në këmbë dhe e palëkundur. Fjala e Tij u plotësua dhe Allahu gjithmonë ka për të qenë ndihmëtari më i madh i atyre që ndihmojnë fenë e Tij. Ai do ta lartësojë fenë e Tij. Ne Fjalën e Allahut e kemi tashmë në mesin tonë. Ajo është vetë drita, ajo është vetë shërimi. Allahu, Profetit tonë të nderuar, me atë, me Librin, ia tregoi rrugën e së drejtës dhe të së vërtetës, e brenda tij gjenden të shkruara, si ato që janë të lejuara, ashtu edhe ato që janë të ndaluara. Uallahi, mos ua vini veshin atyre që do të ngrenë krye ndaj nesh. Shpatat e Allahut kanë dalë njëherë prej millit dhe ne nuk na ka hije që t’i fusim prapë në të e të tërhiqemi. Ne do të vazhdojmë të luftojmë me ata që dalin kundër nesh, njësoj siç kemi luftuar deri më sot, krah për krah me të Dërguarin e Allahut. Ata që dalin kundër nesh, nuk do t’i bëjnë keq askujt përveçse vetes së tyre.”
Ebu Bekri (radijallahu anhu) e përfundoi fjalën e tij dhe zbriti nga minberi, për të shkuar, bashkë me muhaxhirët, pranë xhenazes së të
Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).
Ligjërata e Omerit (r.a.) dhe besëlidhja e përbashkët e sahabëve ndaj Ebu Bekrit (r.a.)
Sipas transmetimit, Enesi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Në ditën e dytë pas ndarjes nga jeta e Profetit tonë, Omeri (radijallahu anhu) u ngjit në minber dhe mbajti një ligjëratë (hutbe) përpara besimtarëve. Në atë kohë aty ishte i pranishëm edhe Ebu Bekri, mirëpo po ruante qetësinë dhe nuk tha asgjë. Omeri foli kështu:
“Unë vetë shpresoja që Profeti ynë do të vdiste pas të gjithëve ne. Edhe pse Muhamedi (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk është më mes nesh, Allahu është i Përhershëm! Ai ju ka lënë juve pas një dritë që do t’jua ndriçojë pandërprerë rrugën e jetës. Allahu (xhel’le xhelaluhu), pikërisht me këtë dritë e pati udhëzuar edhe Muhamedin. Ebu Bekri është shoku më i mirë i Profetit tonë, sepse ai ishte i dyti i dy personave që ishin bashkë në shpellë. Në mesin e të gjithë myslimanëve, nuk ka tjetër që të jetë më i denjë dhe që ta meritojë më shumë sesa ai udhëheqjen e jetës dhe të punëve. Çohuni dhe lidhni besën me të!”
Pak çaste para se të mbante këtë fjalë Omeri (radijallahu anhu), besën e kishin lidhur edhe një bashkësi nga kuvendi i bashkësisë së Beni Saides. Ndërsa, besëlidhja e përgjithshme u mbajt te shkallët e minberit. Pastaj, (pasi kishte mbaruar hutben) Omeri iu drejtua Ebu Bekrit duke i thënë:
“Ngjitu lart, në minber!”, – me këmbëngulje. Më në fund, Ebu Bekri u ngjit mbi minber dhe populli i shprehu atij lidhjen e besës, duke e konsideruar atë, tani e tutje, imamin e kalifin e tyre.”
Betimi ndaj Ebu Bekrit (r.a.) në kuvendin e Beni Saides
Enesi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Ebu Bekri (radijallahu anhu), në ditën e dytë pas lidhjes së besës me të, u ngjit mbi minber dhe u ul. Ende pa e nisur mirë fjalën Ebu Bekri, Omeri (radijallahu anhu) u ngrit në këmbë. Pasi e lëvdoi Allahun e Madhërishëm me cilësitë më të denja të Tij, tha këto fjalë:
“O njerëz! Dje, unë ju pata thënë juve disa gjëra. Ato nuk janë as në librin e Allahut, as ndër ato porosi që na i ka lënë trashëgim i Dërguari i Allahut të gjithëve ne. Megjithatë, unë kam pandehur gjithmonë se i Dërguari i Allahut do të shkonte në atë botë kohë pas nesh. Allahu ju ka lënë në mesin tuaj librin e Tij. Edhe Muhamedin, me të e pati udhëzuar në rrugën e drejtë. Nëse ju kapeni e përqafoheni fort pas tij, atëherë, nuk ka dyshim, se Allahu do t’ju udhëzojë edhe ju në rrugën e drejtë, njësoj siç pati udhëzuar në të drejtën e në të vërtetën edhe Muhamedin. Allahu i Madhërishëm misionin tuaj e ngarkoi mbi shpatullat e Ebu Bekrit, shokut të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), të atij që ishte i dyti i atyre të dyve që gjendeshin në shpellë. Ngrihuni tani dhe lidhni besën me të.”
Kësisoj, njerëzit u ngritën dhe lidhën besën me Ebu Bekrin (radijallahu anhu). Pas mbledhjes së kuvendit në ballkonet e Beni Saides, u krye betimi i përgjithshëm i njerëzve. Menjëherë pas kësaj, Ebu Bekri u çua dhe pasi lëvdoi Allahun, duke e përmendur me cilësitë e Tij, ai iu drejtua njerëzve me këto fjalë:
“O njerëz! Megjithëse unë nuk jam më i virtytshmi ndër ju, ju më zgjodhët mua për t’jua drejtuar punët. Nëse sillem mirë dhe veproj drejt me ju, ju lutem më ndihmoni; nëse sillem keq, atëherë tregomëni rrugën e drejtë. E drejta dhe e vërteta janë amanet, ndërsa gënjeshtra nuk është asgjë veçse tradhti. Ai që është i dobët ndër ju, në krahun tim do të jetë i fortë e i fuqishëm, dhe, dashtë Zoti, që unë t’ia kthej të drejtat që i ka shkelur i forti. Ashtu siç edhe ai që është i fortë mes jush, në sytë e mi është fare i dobët dhe, dashtë Zoti, unë do t’ia marr hakun e të dobëtit prej tij. Të mos e braktisni luftën, sepse Allahu e lë të zhytur në poshtërim atë popull që braktis përpjekjet dhe luftën në rrugën e Allahut. Nëse në mesin e një populli fillon të përhapet imoraliteti gjerësisht, atëherë Allahu i dërgon fatkeqësi të gjithë atij populli. M’u bindni mua për aq kohë sa unë do t’i bindem Allahut dhe të Dërguarit të Tij. E, nëse unë ngre krye dhe kundërshtoj Allahun dhe të Dërguarin e Tij, atëherë nuk ka nevojë që të më bindeni. Tani, ejani çohuni të falim namazin! Allahu ju mëshiroftë.”
Një tjetër transmetim lidhur me besëlidhjen në kuvendin e Beni Saides
Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Kur njerëzit filluan të flisnin për ndarjen nga jeta të Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), neve na erdhi një lajm: “Ensarët janë mbledhur në ballkonet e bijve të Saides; po lidhin besën me Sad bin Ubaden!” - Pas këtij lajmi, ne, unë, Ebu Bekri dhe Ubejde bin Xherrahu, u çuam dhe u vumë në rrugë për të shkuar atje. Ishim të shqetësuar se mos mes myslimanëve lindte ndonjë ngatërresë. Në rrugë rastisëm Uejm bin Saiden dhe Man bin Adijin, të cilët ishin prej ensarëve. Të dy njiheshin si burra të drejtë. Ata na pyetën:
“Për ku jeni nisur kështu?”
“Po shkojmë për te njerëzit tuaj, se na kanë ardhur ca fjalë për ta.” Ata na u përgjigjën:
“Kthehuni pas! Më kot e keni, ata nuk bëjnë asgjë kundër jush; nuk guxon askush të bëjë diçka që nuk do t’ju pëlqejë juve.”
Ne vazhduam rrugën. Duke qenë se unë kisha menduar të flisja atje, në mendje po bluaja disa mendime që doja t’i shprehja medoemos.
Mbërritëm, më në fund, tek ensarët. Pamë njëherë, ensarët ishin mbledhur mbi kryet e Sad bin Ubades. Sadi ishte shtrirë mbi një rrobë të ngritur pakëz lart. Kur ne hymë, ensarët filluan të na flisnin: - “O njerëz të Kurejshit, le të ketë një prijës nga ju, një prijës nga ne.” Hubab bin Mundhiri:
“Unë jam njësoj si trungu i shëndoshë i hurmës, ku qasen devetë për t’u kruar, që të gjejnë rehat, me një fjalë, sa herë që njerëzit kanë ndonjë shqetësim, ata vijnë tek unë; unë përpiqem t’u gjej zgjidhje problemeve të tyre. Uallahi, o banorë të Eusit, po deshët, të bëjmë edhe njëherë një luftë të madhe.” Ebu Bekri (radijallahu anhu):
“Ndaluni pak, mos u nxitoni.” Edhe pse u përpoqa edhe unë të merrja fjalën, Ebu Bekri më tha:
“Omer, ti hesht!”, – pastaj lëvdoi dhe përgëzoi emrin e Allahut dhe u tha ensarëve:
“O ensarë! Uallahi, askush nga ne nuk i mohon dot virtytet që ju keni, apo vendin e veçantë që zini ju në fenë islame, e aq më pak nuk i mohojmë dot ato që ne ju detyrohemi. Mirëpo, edhe ju, e dini mjaft mirë, se askush nuk e mohon dot vendin që zënë kurejshët ndër fiset e arabëve dhe arabët vetëm rreth dikujt që i përket fisit të Kurejshit do të mblidheshin e do të qëndronin të përbashkuar. Ne jemi prijës, ndërsa ju do të jeni ndihmësit e përfaqësuesit tanë në çdo punë. Kijeni frikë Allahun. Mos e përçani Islamin. E mos u bëni ju ndër ata që do të sjellin përçarjen e parë në Islam. Më dëgjoni me kujdes. (Dhe duke bërë me shenjë nga unë dhe Ebu Ubejde bin Xherrahu) Unë dua që ju t’i bindeni njërit nga këta të dy. Lidheni besën me kë të doni prej këtyre të dyve, sepse të dy janë besnikë dhe tejet të zotë.”
Ebu Bekri, atë ditë, hiq fjalinë e fundit, i preku të gjitha ato që doja të thosha edhe unë. I betohem Allahut, se po të mos bëhej shkas për kryengritje, do të doja që më mirë të vritesha, pastaj të ringjallesha, pastaj të vritesha prapë e pastaj të ringjallesha prapë, sesa të bëhesha prijës i një populli, në mesin e të cilit do të ishte edhe Ebu Bekri. Mandej u çova unë dhe u thashë:
“O bashkësi e ensarëve, o bashkësi e myslimanëve! Ai që e meriton më së shumti t’i prijë misionit të të Dërguarit të Allahut, pas Resulullahut, është Ebu Bekri, që ishte bashkë me të në shpellë gjatë mërgimit, që është më i pari për të bërë mirë dhe që është edhe më i vjetri ndër ju.”, – dhe, sakaq, e mora dorën e Ebu Bekrit, mirëpo Beshir bin Sadi nga ensarët u tregua më i shkathët dhe e përplasi më përpara dorën mbi dorën e Ebu Bekrit, për të lidhur besën me të.”
3. SAHABËT SJELLIN EBU BEKRIN (r.a.) NË KRYE TË KALIFATIT DHE NUK U LËNË SHKAS PËRÇARJES DHE PËRPLASJEVE
Vlerësimi i Ebu Ubejdes për kalifatin e Ebu Bekrit (r.a.)
Ebu Bekri (radijallahu anhu) i dërgoi Ebu Ubejdes këtë njoftim:
“Eja, të të vendos ty në krye të kalifatit, sepse unë e kam dëgjuar vetë Resulullahun (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) që ka thënë: “Çdo popull i një profeti ka njeriun e sigurt e besnik të vetin. O Ubejde, më i sigurti i popullit tim je ti!” Ndërsa Ebu Ubejdeja i ktheu atij këtë përgjigje:
“Unë nuk dal kurrsesi përpara atij që Resulullahu e ka urdhëruar të na prijë neve të gjithë në namaz.”
Mendimi i Osmanit (r.a.)
Humrani ka transmetuar se Osman bin Afani (radijallahu anhu) ka thënë kështu:
-“Ebu Bekri e meriton më shumë se kushdo kalifatin, sepse ai është besniku, i dyti i dy vetëve të shpellës dhe shoku i rrugës së mërgimit i të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).”
Një bisedë e zhvilluar mes Aliut (r.a.) dhe
Ebu Sufjanit rreth kalifatit të Ebu Bekrit (r.a.)
Suejd bin Gafleja (radijallahu anhu) transmeton: “Ebu Sufjani erdhi tek Aliu (radijallahu anhu), i cili në atë kohë ishte me Abasin (radijallahu anhu) dhe i tha:
“O Ali dhe ti, o Abas! Pse kalifati është duke kaluar në duart e fisit më të dobët e më të vogël në numër të Kurejshit? Uallahi, po deshët ju, unë mund ta mbush gjithë Medinën me kalorës dhe luftëtarë, gati për t’u sulur mbi Ebu Bekrin.” Atëherë, Aliu (radijallahu anhu) i dha Ebu Sufjanit këtë përgjigje:
“Uallahi, punë që nuk bëhet! Nuk dua ta mbushësh Medinën me kalorës dhe luftëtarë, e aq më pak që të sulmojmë Ebu Bekrin, sepse, nëse ne nuk do ta kishim parë Ebu Bekrin si të denjë për këtë punë, atëherë nuk e linim që ta merrte ai në dorë kalifatin. O Ebu Sufjan! Islami është i vetmi popull që përbëhet nga besimtarë, të cilët sillen ngrohtë e me sinqeritet karshi njëri-tjetrit, e që nuk duan vetëm se të mirën për të tjerët. Besimtarët, edhe sikur të jenë larg në distancë, ata duhen me njëri-tjetrin. Krejt ndryshe, hipokritët, ata janë, që edhe pse mund të jenë shumë afër njëri-tjetrit, ata e mashtrojnë shoku-shokun dhe përpiqen si e si ta rrëzojnë vëllanë e tyre.”
Sipas një tjetër transmetimi, Aliu (radijallahu anhu) i është përgjigjur kështu Ebu Sufjanit:
“Ti ke qenë për një kohë të gjatë armik i Islamit dhe i ndjekësve të tij! Mirëpo, ajo armiqësia nuk u bëri asnjë dëm as Islamit, as ndjekësve të tij. Ebu Bekrin e pamë ne të denjë për pozicionin e kalifit të mbarë myslimanëve!”
Një bisedë e zhvilluar mes Omerit (r.a.) dhe Halid bin Saidit (r.a.) lidhur me zgjedhjen si kalif të Ebu Bekrit (r.a.)
Tregon Sakhri, rojtari i të Dërguarit të Allahut: “Halid bin Said bin Asi (radijallahu anhu) ishte në Jemen kur Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte ende në jetë. Atje ishte edhe kur u nda nga jeta i Dërguari i Allahut. Një muaj pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, ai u kthye për në Medinë dhe mbi trup kishte hedhur një xhybe prej mëndafshi. Atje ai u takua me Omerin dhe Aliun (radijallahu anhuma). Omeri (radijallahu anhu) po u fliste atyre që i kishin vajtur nga pas:
“Grisjani këtij këtë xhybe! Çfarë ka veshur kështu, mëndafsh ka veshur? Si guxon ky të veshë mëndafsh tani që jemi në kohë lufte, kur mëndafshi ne na është ndaluar që ta veshim edhe kur jemi në kohë paqeje?” Kështu, ata u bënë bashkë dhe ia grisën xhyben Halidit. Halidi iu drejtua Aliut (radijallahu anhu):
“O Ebu’l-Hasen, dhe ju o bijtë e Abdi Menafit! Ç’ju ka gjetur kështu, dolët të humbur në çështjen e zgjedhjes së prijësit?” Aliu (radijallahu anhu) tha:
“Po ti, si e sheh këtë çështje, si një çështje të të dalit i fituar ose i humbur, apo si një çështje të kalifatit të mbarë myslimanëve?” Halidi:
“O bijtë e Abdi Menafit! Po kush e meriton më shumë se ju atë detyrë!” Atëherë, Omeri (radijallahu anhu)iu drejtua Halidit, duke i thënë:
“Zoti ta marrtë atë shpirt! Uallahi, edhe sikur t’i thoshte një gënjeshtar kësi fjalësh, si këto që thua ti, vetëm vetes do t’i bënte dëm!”
Një ngjarje e ndodhur mes Ebu Bekrit dhe Halid bin Saidit (r.a.)
Vajza e Halid bin Saidit, Umu Halidi tregon: “Pasi u krye besëlidhja me Ebu Bekrin, në Medinë erdhi babai, i cili asokohe ishte në Jemen, e iu drejtua Aliut dhe Osmanit (radijallahu anhuma):
“O bijtë e Abdi Menafit! Si ndiheni tani, jeni të kënaqur që erdhën të tjerët dhe jua morën misionin e kalifatit?” Omeri (radijallahu anhu) ia përçoi Ebu Bekrit (radijallahu anhu) këto fjalë, mirëpo ai as nuk ia përplasi në fytyrë ato fjalë, e as nuk e gjykoi pse i kishte thënë. Kaluan plot tre muaj dhe Halidi nuk e kishte lidhur ende besën me Ebu Bekrin (radijallahu anhu). Derisa, një ditë, në drekë, në shtëpinë e Halidit erdhi vetë Ebu Bekri (radijallahu anhu). Halidi e pyeti:
“Do që unë të lidh besën me ty?” – Dhe Ebu Bekri (radijallahu anhu)iu përgjigj:
“Patjetër, se dua që t’u bashkohesh edhe ti gjithë myslimanëve të tjerë.”
“Po mirë, atëherë, unë po vij në xhami pas dreke, që të lidh besën me ty.” Kur Halidi erdhi në xhami, Ebu Bekri (radijallahu anhu) qëndronte i ulur në minber: aty u betua Halidi ndaj kalifit të ri të myslimanëve.
Mendimet që kishte Ebu Bekri për Halidin ishin shumë të mira dhe ai e vlerësonte shumë babanë. Kur dërgoi ushtritë në drejtim të Sirisë, ai e pati vendosur atë në krye të ushtrisë së myslimanëve, madje ia pati sjellë vetë, me duart e tij, flamurin e Islamit. Omeri (radijallahu anhu) pati dalë kundër zgjedhjes së Halidit si komandant:
“Ebu Bekr, mora vesh se si komandant ke zgjedhur Halidin, mirëpo ti e di shumë mirë se çfarë ka thënë ai për ty.”, – madje, këmbënguli për një kohë shumë të gjatë në kundërshtimin e tij. Pas kësaj, Ebu Bekri (radijallahu anhu)dërgoi te Halidi Ebu Erua edDeusi. Ebu Erua ed-Deusi i tha Halidit:
“Kalifi i të Dërguarit të Allahut thotë që të na e kthesh flamurin që të ka sjellë.” Halidi e nxori flamurin dhe teksa po ia dorëzonte Ebu Erua ed-Deusit, i dërgoi Ebu Bekrit këto fjalë:
“Uallahi, t’ju them të vërtetën, nuk u gëzova aspak kur u zgjodha komandant, ndaj as lirimi nga detyra nuk më mërzit aspak. Unë e di, nuk je ti që e bën këtë, por tjetërkush.”
Më kujtohet fare mirë, te babai pati ardhur vetë Ebu Bekri (radijallahu anhu) dhe me ngulm e pati porositur që të mos thoshte asnjë fjalë të keqe për Omerin (radijallahu anhu). Uallahi, edhe babai, derisa vdiq, nuk tha veçse fjalë të mira për Omerin.”
Orvatja e Ebu Bekrit për të marrë pjesë edhe vetë në luftë dhe qortimi i Aliut (r.a.) për këtë
Aishja (radijallahu anha) tregon: “Babai kishte veshur shpatën, kishte hipur mbi kalë dhe u nis për rrugë drejt Dhu’l-Kasasë. Aty erdhi Ali bin Ebi Talibi (radijallahu anhu), e kapi kalin e babait nga frerët dhe i tha:
“Për ku je nisur kështu, o kalif i të Dërguarit të Allahut! Unë do të të kujtoj ato fjalë që Resulullahu t’i pati thënë atë ditë që u zhvillua lufta e Uhudit: ‘Vëre në mill shpatën, që të mos na vijë ndonjë fatkeqësi as ty, as ne bashkë me ty!’ O kalifi i të Dërguarit të Allahut! Unë i betohem Allahut, se po të humbëm ty dhe na gjen ndonjë e keqe, atëherë Islamin e kaplon anarkia dhe përçarja!” Ky qortim i Aliut (radijallahu anhu) e bëri babanë të kthehej pas dhe ta dërgonte ushtrinë vetëm në luftë.”
Kur Ebu Bekri (r.a.) do që ta kthejë pas detyrën e ngarkuar të kalifatit
Ebu Bekri (radijallahu anhu), gjatë një ligjërate që pati mbajtur me xhematin, u pati thënë atyre:
“O njerëz! Nëse ju pandehni se unë e mora përsipër këtë detyrë të kalifatit se e ndiej veten më të lartë se ju, apo se të gjithë myslimanët e tjerë, atëherë ta dini se gaboheni! Jo, uallahi! Unë i betohem Allahut, se unë nuk e mora përsipër këtë barrë të të qenët kalif i mbarë myslimanëve nga dëshira, apo ngase e shihja veten time sipër jush. Nuk e kam pasur kurrë ambicien për të qenë kalifi juaj, as edhe për një ditë të vetme. Kam Allahun dëshmitar, që nuk e kam kërkuar diçka të tillë as haptazi, as në fshehtësi. Mbi supe m’u lëshua një barrë shumë e rëndë, që e kapërcen disa herë fuqinë e shpatullave të mia, e i mjeri unë, jam i mbaruar sikur të mos kem ndihmesën e Allahut. Tani, unë, këtë detyrë të të qenët kalif i të Dërguarit të Allahut dua që ta marrë përsipër njëri prej sahabëve, të cilin e di që do të sillet me ju me drejtësi! Tanimë, ja ku po jua them, unë jua kam kthyer pas detyrën e kalifatit. Ju nuk keni më besëlidhje me mua. Atë mund t’ia ngarkoni kujt të doni. Këtej e tutje, unë jam njësoj si ju, njëri prej jush!”
Përgjigjja që i dhanë sahabët Ebu Bekrit (r.a.)
Isa bin Atijeja tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu), një ditë pasi njerëzit i kishin dhënë besën, mbajti një ligjëratë ndaj njerëzve, ku, ndër të tjera, ai u tha atyre:
“O njerëz! Unë e zhbëra besën që ju më dhatë, sepse unë nuk jam më i miri nga ju, andaj, unë them që ju duhet të lidhni besën me atë që është më i miri dhe më i mbari në mesin tuaj.”
Pas këtyre fjalëve të tij, xhemati u ngrit në këmbë dhe thanë:
“O kalif i të Dërguarit të Allahut! Të betohemi, në mesin tonë ti je më i miri dhe më i mbari!” Ebu Bekri, i dëgjoi ato fjalë dhe tha:
“O njerëz! Njerëzit e pranuan Islamin dhe u bënë myslimanë, me dëshirë ose pa dëshirë. Megjithatë, tani ata kanë të gjithë mbrojtjen e Allahut. Përpiquni, që Allahu të mos ju kërkojë llogari për njëri-tjetrin, për shkak të detyrave që ju ka ngarkuar. Unë kam me vete një djall që më shoqëron gjatë gjithë kohës e që nuk më ndahet për asnjë çast. Prandaj, më qëndroni larg sa herë që të shihni se jam i nevrikosur, në mënyrë që të mos ju rëndoj.
O njerëz! Pyetni mirë për plaçkën dhe pasurinë që do t’ju sjellin skllevërit tuaj, sepse një trup që ushqehet me pasuri të ndaluar nuk është i denjë të hyjë në Xhenet. Më dëgjoni me kujdes, më ndiqni me kujdes, si mua, ashtu edhe për punët që unë do të bëj. Nëse tregohem i drejtë dhe veproj me drejtësi, atëherë më ndihmoni. Por, nëse shikoni që unë devijoj nga ajo që është e drejtë, atëherë dua që të më korrigjoni e të m’i ndreqni të metat. Bindmuni për aq kohë sa unë do t’i bindem Allahut të Madhërishëm. E, nëse unë ngre krye ndaj Allahut, atëherë mos iu bindni fjalës sime.”
Fjalët e Aliut (r.a.) drejtuar Ebu Bekrit (r.a.): “Ne nuk e pranojmë dorëheqjen tënde dhe nuk duam që ti të tërhiqesh!”
Zejd bin Aliu na ka përcjellë nga gjyshërit e tij se: “Një ditë Ebu Bekri (radijallahu anhu) u ngjit mbi minber dhe tha:
“A ka ndonjë prej jush që nuk më do mua për kalif? Më thoni, që, nëse ka, t’ia kthej pas besën që ai më ka dhënë!” Dhe këto fjalë i përsëriti plot tri herë. Sa herë e përsëriti, po aq herë u ngrit Aliu (radijallahu anhu)dhe iu përgjigj duke i thënë:
“Jo, uallahi as nuk pranojmë të heqësh dorë, as nuk duam që ti të tërhiqesh. E kush mund të kërkojë të të lërë ty pas, kur në krye të ka nxjerrë vetë i Dërguari i Allahut?!”
Ebu Bekri (r.a.) mbyllet në adhurim pasi e vendosin në krye të kalifatit
Tregon dikush nga familja e Rabias: “Kur e vunë në krye të detyrës së kalifatit, Ebu Bekri (radijallahu anhu) i trishtuar dhe i mërzitur u mbyll në shtëpi, për të adhuruar Zotin. Tek ai shkoi Omeri (radijallahu anhu), por Ebu Bekri e kundërshtoi Omerin (radijallahu anhu), duke i thënë:
“Këtë punë ti ma ngarkove mbi supe!”, – duke iu ankuar se gjykimi për njerëzit ishte një detyrë shumë e vështirë. Omeri (radijallahu anhu) iu përgjigj:
“O Ebu Bekr! Po ti, a nuk e di se i Dërguari i Allahut ka thënë: ‘Ta dini se për vendimmarrësin që gjykon në lidhje me një çështje dhe gjen e rrok atë që është më e drejta, ka dy shpërblime, dhe nëse ai gjykon dhe gabon, atëherë për të ka vetëm një shpërblim.’?, – dhe këto fjalë e qetësuan shumë atë.
4. KUR KALIFI CAKTON PASARDHËSIN E TIJ
Ebu Bekri (r.a.) këshillohet me shokët se çfarë do të bëjnë kur ai të jetë i sëmurë
Ebu Seleme bin Abdurrahmani dhe shumë të tjera na kanë përcjellë se: “Kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte i sëmurë rëndë, thirri Abdurrahman bin Aufin (radijallahu anhu) dhe i tha atij:
“Ç’mendim ke për Omer bin Hatabin si kalif?” Dhe ai iu përgjigj:
“Po ti, mua më pyet për Omerin, kur ti e njeh atë më mirë se kushdo tjetër!” Ebu Bekri (radijallahu anhu) tha:
“Prapëseprapë, ti më thuaj mendimin tënd!” Abdurrahman bin Aufi tha:
“Uallahi, ndër të gjithë ata që ti i mendon se mund të jenë kalifë të të Dërguarit të Allahut, pa dyshim, ai është më i miri.” Mandej, Ebu Bekri (radijallahu anhu) thirri Osman bin Afanin (radijallahu anhu) dhe e pyeti:
“Ç’mendim ke për Omerin si kalif?”
“Po, nga ne askush nuk e njeh atë më mirë sesa ti.”, – iu përgjigj Osmani (radijallahu anhu).
“Megjithatë, ti më thuaj mua mendimin tënd.”, – ia priti Ebu Bekri (radijallahu anhu).
“Të ta them hapur: Ajo që di unë është se ai është më i mirë nga brenda sesa nga jashtë dhe vështirë të gjesh një të dytë si ai në mesin tonë.”
“Zoti të faltë, uallahi, po të qëllonte që të hiqja dorë prej Omerit, unë nuk do të mendoja askënd tjetër përpara teje.”
Lidhur me këtë çështje, Ebu Bekri (radijallahu anh) thirri me radhë, Said bin Zubejrin, Usejd bin Hudajrin, si dhe të gjithë ata që gëzonin më shumë respekt në radhët e muhaxhirëve dhe të ensarëve, për t’u këshilluar edhe me ta se si duhej të vepronte. Usejd bin Hudajri i tha atij:
“Kam Allahun dëshmitar, pas teje, Omeri është më i zgjedhuri e më i veçanti në mesin tonë. Gjithë ç’do, për Allahun e do, dhe vetëm për hir të Allahut gëzohet, sa herë që gëzohet; e po për Allahun nevrikoset; është më i mirë nga brenda sesa nga jashtë. Nuk njoh askënd tjetër, që të jetë më i denjë sesa ai për një detyrë të këtillë!”
Testamenti i Ebu Bekrit (r.a.), që zgjedh Omerin (r.a.) si pasardhës të tij “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Ky është testamenti i Ebu Bekr bin Ebi Kuhafes, në çastet e fundit të jetës, pikërisht në ato çastet e fundit, kur njeriu bëhet gati të përfshihet në ahiret, kur mohuesi bëhet besimtar, kur mëkatari kupton të vërtetën e zhveshur, ashtu siç është, e që edhe ai që është gënjeshtar nuk thotë vetëm se të vërtetën. Pas meje, në krye të kalifatit ju kam zgjedhur Omer bin Hatabin. Ta dëgjoni dhe t’i bindeni atij. Unë jam përpjekur që të mos lë asgjë mangët në kërkim të asaj që është më e mira dhe më e virtytshmja, si për Allahun, të Dërguarin e Tij, fenë e Tij dhe për veten time, ashtu edhe për të gjithë ju. Nëse vepron me drejtësi, që unë jam i bindur se asisoj do të sillet, atëherë sa mirë! Por, nëse ndryshon dhe i largohet së drejtës, atëherë ta dini, se çdo mëkat që do të bëjë do të ketë ndëshkimin e tij. Unë thjesht u përpoqa të kërkoja për atë që do të ishte më e mira për ju, por të ardhmen e të panjohurën e kam të pamundur që t’i di.”
Testamentin e tij Ebu Bekri (radijallahu anhu) e përmbylli me ajetin e dyqindenjëzeteshtatë, dhe të fundit, të sures “Shu’ara”: “Përveç atyre (poetëve) që besojnë, bëjnë vepra të mira, e përmendin shumë Allahun dhe mbrohen, vetëm pasi u është bërë padrejtësi. Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).” (Shu’ara, 26/227)
Përgjigjja që iu dha Talhasë (r.a.), i cili e kundërshtoi caktimin Omerit (r.a.) si pasardhës të Ebu Bekrit
[...] Kur u dëgjua se si pasardhës i Ebu Bekrit (radijallahu anhu) ishte caktuar Omeri (radijallahu anhu), Talha bin Ubejdullahu shkoi pranë Ebu Bekrit dhe i tha:
“Unë kam ardhur këtu tek ti në emër të popullit. Ata më kërkuan të të thosha: ‘Ti e di mjaft mirë, se sa ashpër është sjellë Omeri me ne që në gjalljen tënde. Imagjino se ç’mund të na bëjë pasi të kesh ikur ti, nëse ti na lë ne në dorën e tij! Ta dish, se Allahu ka për të të pyetur ty edhe për këtë vendim që po merr sot, ndaj mendohu mirë se ç’përgjigje do të japësh!’”
“Më ngrini, se dua të qëndroj i ulur.”, – tha Ebu Bekri (radijallahu anhu). Dhe ata kështu bënë, e ngritën, që të qëndronte ulur.
“Ju po më bëni thirrje, që unë t’i frikësohem Allahut, kështu? Allahu më shkatërroftë e poshtëroftë mua si njeri, nëse unë nuk jam duke i dhënë shumë rëndësi çështjes suaj! Nëse Allahu i Madhërishëm do të më pyesë atje, unë do t’i përgjigjem: ‘O Zot! Unë robërve të Tu u lashë si kalif atë që ishte më i miri e më i mbari ndër ta!’ Hajde, shko tani dhe bëjua të ditura njerëzisë të gjitha sa të thashë!”, – u përgjigj Ebu Bekri (radijallahu anhu).
5. ZGJEDHJA E ATIJ QË DO TË VIHET NË KRYE TË SHTETIT DUKE U KËSHILLUAR ME TË GJITHË
Kur e plagosën, Omeri (r.a.) ua la gjashtë vetëve çështjen e zgjedhjes së një kalifi
Tregon Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Omerin (radijallahu anhu) e pati plagosur Ebu Lu’luja, duke i ngulur kamën e tij në dy vende të ndryshme të trupit. Omeri (radijallahu anhu), kur i ndodhi kjo, mendoi se kushedi seç gabim duhet të kishte bërë ndaj njerëzve pa dashje, ndaj thirri menjëherë Ibni Abasin. Babai e donte shumë Ibni Abasin, e mbante gjithmonë afër dhe herë-herë i kërkonte edhe këshilla për shumë çështje nga më të ndryshmet. Ai i kërkoi atij:
“Dua të di se si qëndron puna për këtë që ndodhi, kush e bëri këtë, ndonjë grup nga mesi i popullit? Dil e kërko.” Ibni Abbasi filloi të vërtitej sokak më sokak, në kërkim të zbardhjes së asaj ngjarjeje. Kudo që shkoi, njerëzit i gjeti duke qarë. U kthye pranë Omerit (radijallahu anhu)dhe i tha:
“O Prijësi i Besimtarëve! Kudo që shkova e me këdo që u takova, e gjeta duke qarë njësoj sikur t’u kishte vdekur ndonjë nga fëmijët.”
“Po mirë, kush më qëlloi mua, atëherë?”, – pyeti Omeri (radijallahu anhu).
“Ty të paska qëlluar skllavi i Mugire bin Shubes, Ebu Lu’luja, i cili vetë është prej atyre që adhurojnë zjarrin.”
Ibni Abasi thotë se: “Kur dëgjoi këto fjalë, Omeri (radijallahu anhu) u gëzua tejmase dhe lëvdoi Allahun, duke thënë:
“Lëvduar qoftë Allahu, që nuk më sprovoi me ndonjë mysliman që ka dëshmuar njëherë, duke thënë ‘La ilahe il’lallah’.” Mandej, ai më tha mua:
“Unë e pata ndaluar që në mesin tonë të afroheshin mohuesit që nuk ishin arabë dhe që janë të fortë; mirëpo ju nuk i qenkeni bindur fjalës sime. Tani më thirr vëllezërit e mi, të vijnë këtu!”, – urdhëroi.
“Po kush janë vëllezërit e tu?”, – e pyetën, e ai u përgjigj:
“Vëllezërit e mi janë Osmani, Aliu, Talhaja, Zubejri, Abdurrahman bin Aufi dhe Sad bin Ebi Uekasi.” Pastaj e vendosi kryet mbi prehrin tim dhe ashtu qëndroi derisa erdhën ata që ai kishte kërkuar të vinin. Kur erdhën, i thashë:
“Erdhën të gjithë ata që ti kërkove të vinin.”
“Tani, unë jam menduar gjerë e gjatë lidhur me çështjen se kush do ta marrë përsipër drejtimin e myslimanëve! Ndaj edhe ju kam thirrur ju të gjashtë! Unë ju shoh ju, që të gjashtë, si prijësit dhe udhëheqësit më të mirë që mund të drejtojnë myslimanët. Vetëm në shpatulla si tuajat mund të ngarkohet ky mision. Për sa kohë që ju do të jeni të drejtë, edhe punët e njerëzve kanë për të shkuar siç duhet. Nëse ndodh ndonjë përçarje, ta dini se ajo do të vijë si rezultat i përçarjes që do të ekzistojë mes jush.”, – tha Omeri (radijallahu anhu).
“Kur dëgjova babanë të niste fjalinë: ‘Nëse ndodhin përçarje dhe ndarje...’, e kuptova se kjo medoemos do të ndodhte një ditë, sepse e kisha parë, që të gjitha ato që ai na i kishte thënë se do të ndodhnin në të ardhmen, kishin ndodhur pikërisht ashtu siç na i pati treguar ai. Mandej, nga plaga e babait filloi të rridhte gjaku me vrull. Ata të gjashtë filluan të pëshpëritnin me njëri-tjetrin. Kisha frikë se ata do të lidhnin besën me ndonjërin syresh, andaj me vete thashë: “Prijësi i Besimtarëve është ende gjallë, e nuk ka hije që të ketë dy kalifë njëri mbi tjetrin.”
“Më ngrini!”, – u tha Omeri (radijallahu anhu) atyre. E ngritëm. U drejtua atyre të gjashtëve dhe u tha:
“Këshillohuni me njëri-tjetrin për tri ditë me radhë. Gjatë kësaj kohe, namazin për xhematin ta falë Suhejbi.” Dhe ata e pyetën:
“Me kë të këshillohemi, o Prijësi i Besimtarëve?”
“Pyetini e këshillohuni me muhaxhirët, me ensarët dhe me komandantët e ushtrive që gjenden këtu tani për tani.”, – i këshilloi ata Omeri (radijallahu anhu). Mandej, ai tha se donte pak qumësht për të pirë. Ia sollën dhe e piu të gjithin. Qumështi i doli jashtë, siç e kishte pirë, nga dy plagët që kishte të hapura në trup. E kuptoi se do të vdiste, ndaj tha:
“Në këtë çast, gjithë bota të ishte e imja, do ta kisha dhënë si garanci, vetëm e vetëm që të shpëtoja nga tmerri i ditës së Kiametit.
Lëvduar qoftë Allahu, që më duket se jam më mirë kështu siç jam.” Ibni Abasi tha:
“Edhe pse ti flet kështu, nuk ka dyshim se Allahu ty do të të shpërblejë me më të mirat, sepse, ndërkohë që myslimanët jetonin të frikësuar në Mekë, a nuk iu lut Allahut i Dërguari i Allahut që ta forconte këtë fe dhe myslimanët duke të udhëzuar edhe ty në Islam? Dhe, kur u bëre ti mysliman, Islami u forcua ndjeshëm. Sajë teje i Dërguari i Allahut dhe sahabët e tij filluan ta përhapnin Islamin haptazi. Mërgove drejt Medinës dhe mërgimi yt si një ngadhënjim ishte. Nuk ngurrove të ishe i pranishëm në çdo luftë që luftoi edhe Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe Resulullahu ishte i kënaqur prej teje kur u nda nga kjo jetë. Pas të Dërguarit të Allahut, ti vazhdove të ishe mbështetja kryesore për Ebu Bekrin. Bashkë me myslimanët u tregove vendin të gjithë atyre që vendosën të braktisin Islamin, për t’u kthyer në besimet e mëparshme. Njësoj siç u kujdese e u bëre shkas që edhe ata që ishin të lëkundur të pranonin Islamin, duke u bërë myslimanë. Më tej, pas të Dërguarit të Allahut, edhe kalifi i tij, Ebu Bekri, ishte i kënaqur prej teje, ndërsa përgatitej për t’u larguar nga kjo botë. Pas tij ishe ti që i drejtoi më së miri punët e shtetit të myslimanëve. Nëpërmjet teje Allahu u fali Islamin sa e sa qyteteve të reja. E ishte po në kohën tënde, që thesaret e pasuritë e myslimanëve u shumëfishuan, armiqtë u larguan dhe myslimanët filluan të ndienin qetësi dhe rehati në jetën e tyre të kësaj bote dhe atë të të jetuarit të fesë. Sakaq, më në fund, Allahu të fali edhe ty mundësinë që jetën ta përmbyllësh si dëshmor! Urime për ty, o Omer, dëshmor i Allahut!” Atëherë, prej Omerit (radijallahu anhu) u dëgjuan fjalët:
“Uallahi, më duket sikur po ma ledhatojnë krenarinë gjithë këto fjalë kaq të bukura që ju po më thoni.” Mandej, kthehet nga Ibni Abasi dhe e pyet:
“O Abdullah! Në Ditën e Gjykimit, a do të dëshmosh në të mirën time?”
“Po!”, – u përgjigj Ibni Abasi. Atëherë, pas këtyre fjalëve që i tha Ibni Abasi, Omeri (radijallahu anhu) thirri të birin, Ibni Omerin:
“Abdullah bin Omer, ma vër faqen përdhe!” Kështu, Ibni Omeri e mori me kujdes kokën e të atit, që deri në atë çast e kish mbajtur në prehër dhe e vuri mbi kërci. Ai i kërkoi sërish:
“Ma vendos përdhe, të thashë!” E mori me kujdes dhe e tërhoqi nga këmba dhe e la në tokë. Koka e tij e bekuar preku tokën. Aty, ai filloi të murmurinte me veten:
“Mjerë ti, o Omer, nëse Allahu nuk të fal! Mjerë ti, e mjerë nëna jote!”, – kaq tha, sikur të ish duke iu ankuar vetes për veten dhe nuk kaloi shumë dhe shpirti i tij iu dorëzua Mëshirës së Mëshirëplotit.”
Me ndarjen nga kjo jetë e Omerit (radijallahu anhu), ai grup i sahabëve, të cilëve iu caktua të këshilloheshin me njëri-tjetrin, i dërgoi lajm Abdullah bin Omerit, që në mbledhjen e këshillimit të merrte edhe ai pjesë. Abdullahu u ktheu atyre përgjigjen, në të cilën u bënte të ditur:
“Unë nuk vij pranë jush, nëse ju nuk këshilloheni edhe me parinë e ensarëve, të muhaxhirëve dhe komandantët kryesorë të ushtrisë, të cilët janë sot të gjithë këtu.”
Borxhet e Omerit (r.a.)
Na e tregon Amr bin Mejmuni: “Omeri (radijallahu anhu), pasi u plagos nga Ebu Lu’luja dhe e mjekuan, i tha të birit Abdullahut:
“Më llogarit pak borxhet që u kam njerëzve!” Dhe ai ia llogariti një për një dhe iu përgjigj në çast:
“Tetëdhjetë e gjashtëmijë.”
“Nëse pasuria e familjes së Omerit mjafton për t’i përballuar të tëra këto borxhe, atëherë paguaji. Nëse nuk i përballon dot, atëherë shko dhe kërkoji bijve të Adij bin Kabit. Nëse as ata nuk e përballojnë dot këtë borxh, atëherë shko dhe kërkoji kurejshëve, por pa shkuar tek asnjë tjetër. M’i paguaj menjëherë ato që u detyrohem njerëzve! Shko dhe te nëna e të gjithë besimtarëve, Aishja (radijallahu anha), përshëndete nga unë dhe thuaji:
“Omeri, i biri i Hatabit, kërkon lejen tënde, që ta varrosim pranë dy shokëve të tij.”, – madje edhe duke e paralajmëruar, – “Në asnjë mënyrë të mos i thuash ‘Prijësi i Besimtarëve kërkon leje’, sepse unë nuk jam më Prijësi i Besimtarëve.” Sakaq, kur Abdullah bin Omeri mbërriti tek Aishja (radijallahu anha), Aishen (radijallahu anha) e gjeti të ulur e duke qarë. Abdullahu e përshëndeti nënën e të gjithë besimtarëve dhe i tha:
“Omeri, i biri i Hatabit do lejen tënde, që ta varrosin afër dy shokëve të tij.” Aishja e nderuar (radijallahu anha) i tha:
“Uallahi, unë atë vend e kisha menduar për vete. Megjithatë, sot unë do të zgjedh Omerin përpara vetes.” Kur Abdullahu u kthye pas dhe Omeri (radijallahu anhu) e pyeti:
“Ç’lajme më ke prurë?”
“Ta dha lejen.”, – u përgjigj ibni Omeri.
“Elhamdulil’lah, kjo ishte puna më e rëndësishme që më kishte mbetur pa zgjidhur.”, – tha Omeri (radijallahu anhu) dhe fjalën e vijoi duke e porositur të birin:
“Kur të vdes, siç jam i shtrirë në këtë nim të më çoni në Dhomën e Lumturisë, ku jetoi i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). O bir, kur të më çoni atje, kërkoji sërish leje Aishes. ‘Omer bin Hattabi të kërkon leje’, – t’i thuash. Nëse ajo më lejon, atëherë aty të më varrosni, nëse ajo nuk ju jep leje, atëherë më ço në varrezën e myslimanëve!”
Teksa e patën marrë Omerin (radijallahu anhu) mbi supe dhe po e çonin në Dhomën e Lumturisë, njerëzit i kishte kapluar një mërzi e pikëllim, që sikur nga qielli t’u kishin ardhur gjithë të këqijat dhe fatkeqësitë më të mëdha. Kur mbërritën, Abdullah bin Omeri i tha prapë Aishes (radijallahu anha):
“Omer bin Hatabi të kërkon leje.” Dhe Aishja (radijallahu anha) ua lejoi. Ishte si një mirësi nga ana e Allahut, që Omeri (radijallahu anhu) u varros aty, mjaft afër Profetit tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe Ebu Bekrit (radijallahu anhu).
Ai që e përcjell këtë ndodhi thotë: “Kur Omeri (radijallahu anhu) ishte në çastet e fundit të jetës dhe njerëzit i thanë që të caktonte pasardhësin e tij, ai u përgjigj:
“Unë, për këtë gradë, nuk njoh ndokënd që të jetë më i denjë dhe që ta meritojë më shumë sesa ata prej të cilëve ishte i kënaqur edhe i Dërguari i Allahut dhe ashtu u largua nga kjo jetë, i kënaqur me ta. Njëri prej tyre të zgjidhet kalif.”, – dhe, sakaq, përmendi emrat e Aliut, Osmanit, Talhasë, Zubejrit, Abdurrahman bin Aufit dhe Sad bin Ebi Uekasit (radijallahu anhum) dhe porositi:
“Nëse kalif zgjidhet Sadi, ai është më se i denjë për një detyrë të tillë; nëse nuk zgjidhet, atëherë ai që do të zgjidhet si kalif, të përfitojë prej tij, duke e ngarkuar me detyra të rëndësishme. Unë nuk e lirova atë nga detyra e të qenët valiu i Kufes as se ai kishte ndonjë mangësi, as se ishte i dobët, as se bëri ndonjë gabim.” Omeri (radijallahu anhu), të birin, Abdullahun e pati përfshirë në mbledhje për arsyen e vetme që ai të shprehte ndonjë mendim, duke u vënë të gjithëve kushtin që ai nuk duhet të zgjidhej kalif i të gjithë myslimanëve. Me pak fjalë, në mbledhjen e këshillimit Abdullah bin Omeri po merrte pjesë vetëm si këshillues, e jo për të kërkuar që të zgjidhnin atë vetë si kalif. Kur ata personalitete që iu përmendën emrat, u mblodhën të diskutonin çështjen e kalifatit, Abdurrahman bin Aufi tha:
“T’ia japim të drejtën e vendimit tre vetëve prej nesh.” Sakaq, Zubejri të drejtën e tij ia dha Aliut, Talhaja Osmanit, ndërsa Sadi ia dha vetë Abdurrahman bin Aufit. Kur puna u zvogëlua kësisoj në vetëm tri alternativa, Abdurrahman bin Aufi tha:
“Ka ndonjë prej jush që tërhiqet vetë nga detyra e kalifatit?”, – mirëpo as Aliu i nderuar, as Osmani (radijallahu anhuma), nuk thanë asnjë fjalë. Sakaq, Abdurrahman bin Aufi u tha dy shokëve të tij:
“Atëherë, a do ma lini mua të merrem me zgjedhjen? Kam Allahun dëshmitar, se unë do të bëj çmos për të zgjedhur atë që qëndron më lart nga ju e që është më i hairit e më i dobishmi për të gjithë myslimanët.” Dhe ata e pritën mirë, duke i thënë:
“Dakord, ta kemi dhënë ty zotësinë e zgjedhjes.” Abdurrahman bin Aufi kërkoi të takohej vetëm për vetëm me Aliun, të cilin, në bisedë e sipër, e pyeti:
“O Ali, ti je i afërm e farefis i të Dërguarit të Allahut dhe, për më tepër, je edhe një nga të parët që janë bërë myslimanë. Kjo përbën një përparësi për ty. Unë kam Allahun dëshmitar, që nëse të zgjedh ty si kalif, e di që ti do të na udhëheqësh ne me drejtësi. Ashtu siç edhe po zgjodha Osmanin, e di edhe që ti do t’ia dëgjosh fjalën e do t’i bindesh çdo urdhri të tij; kështu është, apo jo?”
“Po!”, – iu përgjigj Aliu (radijallahu anhu). Mandej, Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) u takua edhe me Osmanin (radijallahu anhu) vetëm për vetëm dhe edhe atij i tha të njëjtat gjëra që i kish thënë edhe Aliut (radijallahu anhu). Edhe Osmani, të njëjtën përgjigje i ktheu. Abdurrahman bin Aufi, pasi u mori fjalën atyre të dyve, iu drejtua Osmanit dhe i tha:
“Zgjatma dorën, o Osman!” Dhe Osmani (radijallahu anhu) zgjati dorën. Ai lidhi besën me Osmanin (radijallahu anhu). Pas tij, besën e lidhi Aliu (radijallahu anhu) dhe i tërë populli me radhë, duke e pranuar të gjithë se tanimë kalifi i tyre ishte Osmani (radijallahu anhu).”
6. CILËSITË E TIPARET E ATYRE QË ISHIN TË DENJË PËR POZICIONIN E KALIFATIT
Pikëpamjet e Ebu Bekrit (r.a.) lidhur me këtë çështje
Asimi na tregon se: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte sëmurur dhe u urdhëroi atyre që kishte pranë që të mblidheshin njerëzit dhe atë vetë ta ngjitnin në minber, sepse kishte për t’u thënë njerëzve disa gjëra. Kjo ishte edhe hutbeja e fundit e Ebu Bekrit. Lëvdoi dhe përgëzoi emrin e Allahut, pastaj mbajti këtë fjalë të bukur:
“O njerëz! Druhuni prej botës, mos i besoni asaj, sepse ajo është gënjeshtare. Zgjidhni më mirë ahiretin sesa këtë botë; atë të doni ahiretin. Dhe ta dini se dashuria për njërën syresh do të thotë neveri për tjetrën. Gjykimi për mbylljen e kësaj çështjes së kalifatit që na është vënë mbi supe e duhet ta zgjidhim, do të varet edhe nga fakti se sa e shëndoshë do të jetë në krye ajo çështje. Për këtë arsye, detyrën dhe misionin e vështirë të kalifatit duhet ta marrë përsipër ai që është më i forti ndër ju, ai që ka më shumë kontroll mbi veten, ai që është më i vendosuri, kur duhet përdorur forca, e ai që është më i buti, atëherë kur duhet vepruar me butësi e delikatesë, ai që di më mirë se si të përftojë dobi edhe nga mendimet e të tjerëve, që janë të aftë për të gjykuar e për të dhënë mendim; detyrën ta marrë përsipër një njeri që nuk merret me punët që nuk kanë të bëjnë me të, që nuk ka turp të mësojë rreth atyre gjërave që ai vetë nuk i di, që nuk e shushatin ndodhitë e papritura që ia behin, që di ta ruajë plaçkën e të tjerëve, që nuk nxehet e si pasojë e nevrikosjes të tradhtojë atë që i është lënë si amanet, për ta ruajtur, që nuk ka mangësi në largpamësi e që di ta kuptojë se si do të jetë e ardhmja pas çdo vendimi të marrë dhe që cilësi kryesore të vetën ka të vepruarit çdoherë me maturi dhe që i frikësohet pa masë mosbindjes ndaj urdhrave të Allahut. Dhe ai që i mishëron të gjitha këto cilësi është Omeri!”27
Çfarë mendimi kishte Omeri (r.a.) lidhur me këtë?
Na e tregon Abdullah bin Abasi (radijallahu anhu) se: “Unë i
5/879 (14183).
kam shërbyer Omerit (radijallahu anhu). Kisha shumë respekt për të dhe e çmoja shumë si njeri. Një ditë shkova në shtëpinë e tij. Omeri (radijallahu anhu) ishte vetëm, në dhomën e tij. Psherëtiu aq fort, saqë mendova se i doli shpirti nga vendi. Pastaj ngriti kryet lart dhe mori njëherë frymë thellë-thellë. Unë mblodha gjithë forcën brenda vetes dhe me vete po thosha:
“Uallahi, do ta pyes se pse psherëtiu ashtu.” Dhe ashtu bëra, e pyeta:
“O Prijësi i Besimtarëve, uallahi, do të më thuash, çfarë ta shkaktoi atë frymëmarrje ashtu thellë? Çfarë shqetësimi të mundon, që psherëtive aq fort?”
“Po, shqetësimi më bëri të psherëtij; dhe ç’fatkeqësi se! Nuk po gjej që nuk po gjej dot dikë për t’i lënë amanet këtë misionin e epërm të kalifatit. Ka gjasa që edhe ti do të më thuash se më i denji për këtë detyrë është Aliu, të cilin ti e do aq shumë.”, – m’u përgjigj ai.
“O Prijësi i Besimtarëve! Po pse, për ju a nuk është Aliu ai që e meriton më së shumti kalifatin, duke pasur parasysh mënyrën se si ai mërgoi, që ai ka qenë i pranishëm thuajse në të gjitha bisedat me të Dërguarin e Allahut dhe, për më tepër, ai është edhe nga familja e tij?”, – vijova ta pyesja unë.
“Po, ashtu është, e vërtetë. Mirëpo është shumë shakaxhi. Dhe këtë detyrë mund ta përballojë vetëm dikush që di të tregohet i butë pa u shfaqur i dobët, që di të tregohet i rreptë duke iu shmangur dhunës, që sillet bujar pa rënë në shpërdorim dhe që di se si të jetë i matur pa u treguar dorështrënguar.”, – tha ai, duke shtuar:
“Këtë punë mund ta përballojë e ta kryejë me sukses vetëm një njeri që nuk i përulet askujt, që i shmanget dyfytyrësisë, që nuk shkon pas dëshirave të veta, që në vend se të flasë shumë hyn menjëherë në veprim, që nuk devijon nga ajo që është e drejtë, qoftë edhe kundër të afërmve të vet, që di ta ruajë nderin e që nuk e mohon atë as kur është fare vetëm.”28
Ndërsa, në një tjetër transmetim, të cilin na e përcjell Selman
5/907 (14255).
Farisiu (radijallahu anhu), ai na tregon se si Omeri (radijallahu anhu) i ka thënë:
“Çfarë jam unë, mbret, apo kalif?”, – më pati pyetur.
“Nëse ti merr nga toka e myslimanëve taksë qoftë edhe një dirhem më pak ose më shumë dhe nuk e vendos aty ku duhet, atëherë ti nuk je më kalif, por mbret!”, – i qeshë përgjigjur unë.
Kjo përgjigje e Selmanit e pati prekur shumë Omerin (radijallahu anh) dhe e pati futur në të thella, duke e bërë të mendohej gjerë e gjatë për veten.”29
Drejtpeshimi i butësisë me ashpërsinë te një kalif
Said bin Musejebi (radijallahu anhu) tregon: “Kur detyra e kalifatit iu kalua Omer bin Hatabit (radijallahu anhu), ai u ngjit në minberin e të Dërguarit të Allahut; pasi lëvdoi dhe përgëzoi Allahun e Madhërishëm, ai mbajti edhe një fjalë përpara besimtarëve:
“O njerëz! E di, jo pak herë ju më keni parë mua të sillem i ashpër dhe disave prej jush mund t’u jem rënduar jo pak. Shkaku i të gjitha sjelljeve të mia ka qenë ky: unë kam qenë me Resulullahun e dashur; unë kam qenë një shërbëtor i tij. Ai ishte ashtu siç e përshkruan edhe Allahu i Lartësuar në ajetin e njëqindenjëzetetetë të sures “Teube”,
‘i dhembshur dhe gjithë mëshirë ndaj besimtarëve’. Ndërsa unë, krahasuar me të isha si një shpatë e nxjerrë nga brezi. Po të mos më vendoste ai në mill, apo po të mos ishte ai që të më pengonte nga të bërët e ndonjë veprimi, isha unë ai që u jepja njerëzve mësimin e merituar, duke qenë se ai ishte shumë i butë. Derisa vdiq Resulullahu, ky ka qenë pozicioni im pranë tij. Dhe ai u largua nga kjo botë shumë i kënaqur prej meje. Pafundësisht lëvduar qoftë Allahu, e unë jam shumë i kënaqur për këtë. Edhe më pas, të njëjtin pozicion e mbajta edhe pranë kalifit të të Dërguarit të Allahut, Ebu Bekrit (radijallahu anhu). Ju e dini se sa bujar, sa i fisëm dhe se sa i butë ishte ai si njeri. Edhe pranë tij u gjenda si ndihmës. Unë isha si një shpatë e tij. Butësia e tij dhe ashpërsia ime plotësonin një të tërë. Po të mos më pengonte
12/800 (35805).
ai, Ebu Bekri (radijallahu anhu), që unë të tërhiqesha, unë hidhesha menjëherë në sulm. Pra, këtë pozicion kam pasur edhe pranë Ebu Bekrit (radijallahu anhu), derisa Allahu i Madhërishëm ia ndau shpirtin prej trupit. Edhe ai u largua nga kjo jetë i kënaqur me mua. Lëvduar qoftë Allahu, se edhe kjo është diçka që më bën të ndihem fatlum.
Kjo detyrë për t’ju prirë ju sot m’u kalua mua. Unë e di fare mirë, se disa prej jush do të thotë: ‘Ky nuk ishte kalif dhe sillej shumë ashpër me ne; imagjino tani, që u bë kalif, kushedi se sa i egër do të jetë me ne!’ Nuk ka nevojë të pyesni askënd për mua, ju më njihni dhe më keni provuar vetë. Me aq sa di unë, ju e dini mjaft mirë edhe sunetin e Profetit tuaj dhe rrugën e ndjekur prej tij gjatë gjithë jetës. Sot unë nuk kam asnjë çështje, për të cilën të ndihem i penduar, ‘që pse nuk e pyeta Resulullahun tonë të nderuar!’; sepse unë atë kam pyetur për çdo gjë. Ta dini mirë, se, ajo ashpërsi që keni vërejtur tek unë deri më sot, që nga çasti që jam caktuar si kalif mbi të gjithë besimtarët, është shumëfishuar edhe më shumë, derisa të vë në vend të drejtat e myslimanëve që janë të dobët e të pafuqishëm e t’u tregoj vendin të gjithë atyre që i kanë shkelur këto të drejta. Por, krahas kësaj ashpërsie, unë do t’i përulem gjer në tokë të gjithë juve që jeni të ndershëm, që u qëndroni larg të këqijave dhe që u bindeni me përpikëri urdhëresave të Allahut. Nëse bie në kundërshti apo do të kem mosmarrëveshje me ndonjërin prej jush, unë nuk druhem aspak që të shkoj vetë tek ai që pretendon ndonjë të drejtë prej meje (për verifikim). Andaj, kushdo prej jush që do të ketë ndonjë problem me mua, apo ndonjë çështje për t’u zgjidhur, të mos ngurrojë, por t’i kërkojë me ngulm të drejtat e tij.
O robt e Allahut! Kini frikë e mos ngrini krye ndaj Allahut. Mos m’u bëni mua pengesë në punët e mira që do të bëj, por më ndihmoni, sepse kjo është edhe në interesin tuaj. Më ndihmoni që të jem sa më i drejtë në realizimin sa më mirë të kësaj detyre të udhëheqjes, që Allahu më ngarkoi mbi supe, që t’i urdhëroj njerëzit në të mirë dhe t’i pengoj ata nga çdo keqbërje!”30
Ndërsa Muhamed bin Zejdi (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë,
5/879 (14184).
Aliu, Osmani, Zubejri, Talhaja, Abdurrahman bin Aufi dhe Sadi (radijallahu anhum), u mblodhën në një vend. Në mesin e tyre ai që mund të fliste më lirshëm me Omerin (radijallahu anhu) ishte Abdurrahman bin Aufi. Ata i kërkuan atij:
“Abdurrahman, sikur të shkoje njëherë tek Prijësi i Besimtarëve e të flisje me të dhe t’i thuash: Njerëzit nevojtarë po vijnë deri tek ti; mirëpo nga druajtja prej ashpërsisë sate nuk arrijnë të ta tregojnë dot se çfarë problemi kanë, kështu që kthehen pa e zgjidhur problemin që kanë.” Abdurrahman bin Aufi shkoi menjëherë tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i tha:
“O Prijësi i mbarë Besimtarëve! Duhet të tregohesh më i butë me njerëzit, sepse shumë njerëz që kanë ndonjë nevojë vijnë këtu, deri tek ti, mirëpo, druhen dhe ikin pa ta treguar dot se ç’problem kanë.”
“Shiko, o Abdurrahman.”, – i tha atij Omeri (radijallahu anhu), – “më thuaj, për hir të Allahut, kush të dërgoi ta flasësh këtë me mua, Aliu, Osmani, Talhaja, Zubejri dhe Sadi?”
“Kam Zotin dëshmitar, ata më dërguan.”, – ia priti Abdurrahmani.
“Uallahi, Abdurrahman, në fillim u përpoqa të tregohesha shumë i butë me njerëzit; madje aq tolerant fillova të tregohem, saqë fillova të kem frikë nga Allahu. Kësisoj, nisa të sillem sërish me autoritarizëm. Dhe tani kam filluar të kem frikë nga Allahu për ashpërsinë me të cilën po sillem me njerëzit; më thuaj ti një rrugëdalje, si t’ia bëj?”
Abdurrahmani, pasi mori këtë përgjigje, u ngrit menjëherë në këmbë, kishte filluar të qante. E tërhoqi zvarrë rrobën që kishte hedhur mbi trup dhe teksa ishte duke dalë thoshte:
“Mjerë ky popull kur të vdesësh edhe ti! Mjerë gjendja e këtyre njerëzve kur ti të mos jesh më!”31
Sipas transmetimit të Sha’bit, Omeri (radijallahu anhu) ka thënë kështu:
“Uallahi, për hir të pëlqimit dhe të kënaqësisë së Allahut mua zemra më zbutet aq shumë, saqë më duket më e butë edhe se ajka e qumështit. E po prapë, po për hir të pëlqimit dhe të kënaqësisë së
12/788 (35770).
Allahut, ajo më ashpërsohet aq shumë, saqë më e duket më e ngurtë se guri.”32
Kur kalifi i detyronte disa njerëz të caktuar që të vendoseshin diku tjetër, në mënyrë që ata të mos përfshiheshin
në mesin e umetit, pasi mund të nxirrnin probleme
Sha’biu tregon: “Deri kur Omeri (radijallahu anhu) u nda nga kjo jetë, kurejshët ishin bezdisur jashtëzakonisht shumë nga sjellja e tij, sepse Omeri (radijallahu anhu) i pati detyruar ata që të vendoseshin në Medinë, duke ua ndaluar që të lëviznin në drejtim të ndonjë vendi tjetër. U pati përmbushur çdo nevojë që mund të kishin në ato vende ku i pati vendosur dhe u pati thënë:
“Ajo që kam më shumë frikë se do të më duhet të jap llogari për këtë umet, është që ju mund të përhapeni nëpër vende të ndryshme!”
Kur një prej këtyre muhaxhirëve, që ishin detyruar të jetonin në Medinë, i kërkoi Omerit leje për të marrë pjesë në luftë, Omeri (radijallahu anhu) i qe përgjigjur duke i thënë:
“Ti ke luftuar mjaftueshëm në prani të Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe ke fituar gjithçka që mund të fitoje. Sot, për ty është më e hairit që ti të mos e shohësh botën dhe bota mos të të shohë ty.”
Në kohën që detyra e kalifatit iu kalua Osmanit (radijallahu anhu), ai i la të lirë të mërguarit e kurejshëve. Kësisoj, ata u shpërndanë nëpër rrethinat përreth dhe populli filloi të mblidhej përreth tyre. Dy prej atyre që e përcjellin këtë ndodhi, Muhamedi dhe Talhaja thonë se:
“I pari lëshim dhe e para dobësi që u shfaq në mesin e umetit të Islamit ka qenë lënia e lirë e të mërguarve të Kurejshit.”33
Kajs bin Ebi Hazmi tregon se: “Zubejri (radijallahu anhu) erdhi tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i kërkoi leje për të marrë pjesë në luftë. Omeri (radijallahu anhu) i tha atij:
“Rri më mirë në shtëpi, se ti ke marrë pjesë në luftë edhe në kohën
32. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/51.
33 14/63 (37978).
e të Dërguarit të Allahut, kjo mjafton për ty.” Kur Zubejri (radijallahu anhu) ia përsëriti disa herë rresht lutjen e tij, Omeri (radijallahu anhu) e urdhëroi atë:
“Rri në shtëpi! Të betohem tek Allahu, se nëse ti dhe njerëzit e tu dalin nga Medina, ju do t’i sillni fatkeqësi shumë të mëdha mbi krye umetit dhe sahabëve të Muhamedit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)!”
7. PËRFITIMI NGA MENDIMET E NJERËZVE TË MENÇUR DHE LARGPAMËS
Këshillimi i sahabëve me Profetin tonë të dashur
Na është përcjellë prej Enesit (radijallahu anhu) se: “Profeti ynë, kur mori vesh se karvani i tregtisë i kurejshëve me në krye Ebu Sufjanin po ktheheshin nga Siria, ai u ul të këshillohej me sahabët e tij, për t’u marrë edhe atyre mendimin rreth asaj që do të ishte më e mira.”
Ndërkohë, në një hadith që ai na e ka transmetuar në lidhje me luftën e Bedrit, Omeri (radijallahu anhu) na thotë:
“Për të diskutuar lidhur me robërit e luftës së Bedrit, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u këshillua me mua, me Ebu Bekrin dhe Aliun. Ebu Bekri i tha të Dërguarit të Allahut:
“O Resulullah! Këta janë djemtë e xhaxhallarëve të mi, i kam kushërinj, janë vëllezërit e mi. Unë mendoj që të na paguajnë gjobën e robit të luftës dhe t’i lini të lirë. Me gjobat e mbledhura prej tyre jo vetëm që do të forcohemi më shumë karshi mohuesve, por ku i dihet, ndoshta Allahu u fal atyre mundësinë e udhëzimit dhe ata mund të na bëhen edhe krahë.” I Dërguari Fisnik e pyeti Omerin:
“Omer, i biri i Hattabit! Po ti ç’mendim ke?”
“Uallahi, unë nuk jam i një mendjeje me Ebu Bekrin. Unë them që ju të na urdhëroni e unë t’i pres aksh njeriu kokën, të cilin e kam të afërm, Aliu vëllait të tij Akilit dhe Hamzai vëllait të tij Abasit, në mënyrë që Allahu t’ua tregojë të gjithëve faqeza, se ne nuk ushqejmë as më të imtën ndjenjë të keqardhjes kundrejt idhujtarëve. Këta janë paria e idhujtarëve, janë prijësit e tyre dhe njerëzit më të respektuar ndër ta.”
I Dërguari i Allahut anoi nga mendimi që pati dhënë Ebu Bekri. Nuk i aprovoi fjalët e mia. Dhe, si përfundim, i liroi ata në këmbim të gjobës së robit të luftës. Në ditën tjetër, që në mëngjes, unë shkova tek i Dërguari i Allahut dhe tek Ebu Bekri; të dy ishin duke qarë.
“O Resulullah, çfarë ju ka bërë ty dhe shokun tënd më të mirë për të qarë? Më thoni, që të qaj edhe unë, e edhe nëse nuk qaj dot, të përpiqem të qaj.”
I Dërguari i Allahut tha:
“Qajmë prej ndëshkimit që mund t’u vijë shokëve të tu, të cilët morën gjobën e lirimit të robërve të luftës.” Tregoi një pemë që gjendej aty pranë, m’u tregua se fatkeqësia që do t’u ndodhë është më afër se ajo pemë, dhe më këndoi ajetin Kur’anor: “Asnjë profet s’ka të drejtë të ketë rob për vete, derisa të arrijë fitore të plotë në Tokë. Ju dëshironi të mirat kalimtare të kësaj bote, kurse Allahu dëshiron botën tjetër. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Enfal, 8/67)
Kur Profeti ynë këshillohet me Sad bin Ubaden dhe Sad bin Muadhin për hurmat e Medinës
Zuhriu na tregon: “Gjatë ditëve kur u zhvillua lufta e Hendekut dhe njerëzit u gjendën përballë vështirësish shumë të mëdha, i Dërguari Fisnik u dërgoi lajm të mëdhenjve të fisit të Gatafanit, Ujejne bin Hisnit dhe Harith bin Auf el-Murriut, që të hiqnin dorë së luftuari me myslimanët dhe, në këmbim, u premtoi se do t’u jepte atyre një të tretën e hurmave të Medinës. Si rezultat, mes të Dërguarit të Allahut dhe palës kundërshtare u vendos paqja. Paqen ata e zbardhën edhe në letër. Vetëm se, para se të caktohej nënshkrimi i atij dokumenti, Resulullahu u dërgoi lajm Sad bin Muadhit dhe Sad bin Ubades, për të marrë edhe mendimin e tyre lidhur me këtë vendim. Të dy ata sahabë i thanë të Dërguarit të Allahut:
“O Resulullah, për vete po na e kërkon diçka të tillë? Na thuaj, që
t’i bindemi menjëherë dëshirës sate! Apo, mos bëhet fjalë për ndonjë urdhëresë hyjnore, së cilës ne duhet t’i bindemi me çdo kusht? Apo kjo është pjesë e ndonjë marrëveshjeje që ti po bën për të mirën tonë?”
“Jo, këtë unë po e bëj për ju, sepse po shoh se si arabët po ju shigjetojnë sikur të ishin të gjithë duke goditur nga një hark i vetëm, e po ju zënë ngushtë. Unë desha që t’ua thyej sulmin, të paktën në njëfarë mase të caktuar.”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut.
“O Resulullah! Po ne, edhe kur i bënim Zotit ortakëri, duke adhuruar idhujt, kur nuk e adhuronim Allahun e madje as që e njihnim fare Atë, ata nuk guxonin të hanin qoftë edhe një kokërr të vetme prej atyre hurmave. Tani do t’u japim ne atyre prej mallit tonë, tani që Allahu na nderoi ne me Islamin dhe që na lartësoi duke na bërë ndjekësit e tu dhe të Islamit? Nuk kemi nevojë për një paqe të këtillë. Derisa Allahu të japë vendimin përfundimtar mes nesh dhe atyre, ne nuk kemi asgjë për t’u dhënë atyre veç shpatës!”, – tha Sad bin Muadhi.
“Ti e di.”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut. Dhe, sakaq, letrën e marrëveshjes e mori Sad bin Muadhi dhe tha:
“Hajde, të vijnë të na sulmojnë po ua mbajti!”
Omeri (radijallahu anhu) thotë se: “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më merrte dhe mua me vete, dhe të dy tok shkonim tek Ebu Bekri (radijallahu anhu) dhe me njëri-tjetrin diskutonim për punët e problemet e myslimanëve.”
Këshillimi i Ebu Bekrit (r.a.) me të zotët e fjalës
Ibni Sadi na përcjell nga Kasimi se: “Sa herë që i shfaqej ndonjë problem, Ebu Bekr Besniku (radijallahu anhu) thërriste disa përfaqësues nga mërgimtarët dhe ensarët; veçanërisht Omerin, Osmanin, Aliun, Abdurrahman bin Aufin, Muadh bin Xhebelin, Ubej bin Ka’bin dhe Zejd bin Thabitin (radijallahu anhum). Të gjithë këta ishin njerëz që jepnin mendime dhe këshilla për çështje nga më të ndryshme në kohën e kalifatit të Ebu Bekrit. Pyetjet që bënin njerëz u çoheshin t’i gjykonin ata njëherë. Edhe kur pas Ebu Bekrit (radijallahu anhu) në krye të kalifatit erdhi Omeri (radijallahu anhu), ai vazhdonte t’i thërriste këta personalitete dhe këshillohej me ta për çdo gjë. Në kohën e udhëheqjes së Omerit (radijallahu anhu) çështjet e ndryshme që kishin nevojë për fetva i trajtonin Osmani, Ubeji dhe
Zejdi (radijallahu anhum).”
Dialogu i Ebu Bekrit (r.a.) me Omerin (r.a.) për dhënien e një toke thesari të thatë
Tregon Abideja: “Ujejne bin Hisni me Akra bin Habisin erdhën pranë Ebu Bekrit dhe i thanë:
“O kalifi i të Dërguarit të Allahut! Shumë afër nesh gjendet një fushë shterpë, nuk mbin as bar as ndonjë gjë tjetër me vlerë. Nëse e sheh me vend, na e jep neve atë tokë, që ta punojmë e të përpiqemi të mbjellim në të.”
Menjëherë, Ebu Bekri ua caktoi atyre atë tokë, madje u lëshoi edhe një dokument për të dëshmuar vullnetin e tij; veç kësaj, ai u kërkoi atyre që të shkonin njëherë të merrnin edhe mendimin dhe nënshkrimin e Omerit (radijallahu anhu). Mirëpo, në atë kohë, Omeri (radijallahu anhu) nuk gjendej aty. Megjithatë, ata të dy e morën letrën që u dha Ebu Bekri (radijallahu anhu) dhe shkuan të gjenin Omerin (radijallahu anhu). Omeri (radijallahu anhu), kur dëgjoi ato që thuheshin në atë letër, ua mori atë nga dora dhe e grisi. Ujejneja me Akranë u nevrikosën, madje edhe thanë fjalë të pahijshme për Omerin (radijallahu anhu). Megjithatë, Omeri (radijallahu anhu) u tha atyre:
“Profeti ynë i nderuar, për t’i ngrohur zemrat tuaja me Islamin në ato ditë kur Islami ishte shumë i dobët, ju pati njohur një varg privilegjesh. Mirëpo, sot, Allahu e ka bërë Islamin të fuqishëm. Kështu që, ejani tani, kthehuni nga keni ardhur a shkoni ku të doni! Bëni ç’t’u vijë ndoresh, e më ngrini edhe pusi po deshët. E nëse bëni ndonjë gjë kundër meje, Allahu jua ktheftë juve të keqen që do të çoni nëpër mend!” Të nevrikosur, siç ishin, ata dy vetë u kthyen tek Ebu Bekri (radijallahu anhu), për t’i thënë atij:
“Uallahi, nuk kuptuam asgjë; ti je kalif këtu, apo Omeri?”, – e pyetën ata Ebu Bekrin (radijallahu anhu).
“Përkundrazi, ai është kalifi!”, – u përgjigj Ebu Bekri (radijallahu anhu).
“Po të donte ai, do të ishte bërë edhe ajo që kërkonit ju, e për të cilën keni ardhur deri këtu.” Në atë kohë, tek Ebu Bekri (radijallahu anhu) hyri Omeri (radijallahu anhu) gjithë nerva, qëndroi te kryet e Ebu Bekrit dhe i tha:
“Pa më thuaj njëherë, pasurinë tënde e kishe atë tokë që deshe t’ua jepje atyre dy njerëzve, apo ishte ndonjë nga tokat e përbashkëta, që u përkasin të gjithë myslimanëve?”
“Ishte pronë e përbashkët e të gjithë myslimanëve.”, – u përgjigj Ebu Bekri (radijallahu anhu).
“Atëherë, pse ua caktove atyre të dyve dhe jo ndonjë bashkësie tjetër prej myslimanëve?”, – iu kundërvu Omeri (radijallahu anhu). Mirëpo Ebu Bekri (radijallahu anhu)tha:
“U këshillova me aksh e aksh person që i kisha afër në atë kohë dhe ata më këshilluan që t’ua jepja.”
“Po pse, mos vallë, kur këshillohesh me ndonjë grup të caktuar njerëzish që ke afër në atë kohë, kjo do të thotë që ke marrë pëlqimin e të gjithë myslimanëve?”
“Unë ty ta pata thënë, që ti je më i denjë për këtë detyrë të kalifit, mirëpo ti ishe ai që më bindi mua dhe unë ia vura vetes këtë barrë mbi supe.”, – u përgjigj Ebu Bekri (radijallahu anhu).
Këshillimi i Ebu Bekrit (r.a.) me sahabët gjatë luftës
Abdullah bin Amri (radijallahu anhu) na tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) i pati shkruar Amr bin Asit këtë letër: “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) këshillohej vazhdimisht me ata që kishte përreth në lidhje me luftën, aman, as ti mos e lër pas dore këshillimin me të tjerët!”
Këshillimi i Omerit (r.a.) me të zotët e fjalës
E tregon Ebu Xhaferi: “Omeri (radijallahu anhu) i kërkoi Aliut (radijallahu anhu) dorën e së vajzës, Ummu Kulthumit. Aliu (radijallahu anhu) tha:
“Vajzat kisha menduar t’ua jepja djemve të Xhaferit.”
“O Ali, martoje atë me mua! Uallahi, mbi tokë nuk ka njeri që mund të kujdeset për të më mirë sesa unë.”
“Në rregull, ta dhashë dorën e saj.”, – tha Aliu (radijallahu anhu).
Pas njëfarë kohe, Omeri (radijallahu anhu) erdhi në Xhaminë e Profetit, ku gjendet edhe varri i bekuar, ku ishin ulur muhaxhirët. Aty ishin ulur bashkë Aliu, Osmani, Zubejri, Talhaja dhe Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhum). Dhe, sa herë që vinte ndonjë lajm nga jashtë, Omeri (radijallahu anhu) vinte pranë tyre, u bënte të ditur se si qëndronte puna dhe u kërkonte t’i jepnin mendim se çfarë të bënin. Kësaj here, kur erdhi, ai u tha atyre:
“Dua të më martoni!”
“E kë kërkon për nuse?”, – e pyetën ata.
“Vajzën e Ali bin Ebi Talibit!”, – dhe shkakun ua përshkroi atyre me fjalët:
“Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na ka thënë se ‘në ditën e Kiametit të gjitha lidhjet farefisnore do të zhbëhen, përveç lidhjeve farefisnore të familjes së tij. Unë kam qenë shoku i tij në këtë botë; desha të jem afër tij edhe në jetën e përtejme, duke u lidhur me të nëpërmjet farefisnisë.”
Këshillimet e Omerit (r.a.) dhe Osmanit (r.a.) me Ibni Abasin Ata bin Jesari tregon: “Omeri (radijallahu anhu), por edhe Osmani (radijallahu anhu), e thërrisnin Ibni Abasin pranë dhe këshilloheshin me të, duke i kërkuar mendim lidhur me ndonjë çështje që i shqetësonte. Megjithëse Ibni Abasi ishte ende një djalë i ri, ai kishte qenë këshilltari i dy kalifëve që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe u jepnin njerëzve gjykime dhe fetva në lidhje me çështje nga më të ndryshmet. Derisa vdiqën, ata ishin njerëzit që u morën me dhënien e gjykimit dhe të lejimeve.”
Jakub bin Jezidi tregon: “Omeri (radijallahu anh), për çdo çështje që i dukej e një rëndësie të posaçme këshillohej me Ibni Abasin dhe i thoshte:
“Pa eja këtu, o zhytës! Zhytu njëherë në këtë çështje, shih si mund ta zgjidhim!”
Sad bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu) thotë se: “Unë nuk kam parë ndonjëherë ndonjë njeri që t’i kuptonte çështjet më shpejt se Ibni Abasi, njeri më të ditur dhe, përveçse të ditur edhe po aq të butë në temperament. Më kujtohet mjaft mirë, edhe Omeri (radijallahu anhu), për ato çështje që i dukeshin shumë të vështira për t’u zgjidhur, megjithëse pranë vetes i rrinin njerëz që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit, atë thërriste dhe i thoshte:
“Ja ku të erdhi edhe një tjetër çështje e vështirë për t’u zgjidhur.”, – dhe kurrë nuk dilte nga fjala e tij.”
E tregon Ibni Shihabi: “Omeri (radijallahu anhu), kur i dilte ndonjë problem i vështirë për t’i gjetur zgjidhje, thërriste të rinjtë dhe këshillohej me ta, për t’u peshuar mprehtësinë e mendjes (zgjuarsinë).”
Ibni Sirini thotë se: “Omeri (radijallahu anhu) këshillohej me të gjithë, madje edhe me gratë. Ndonjëherë qëllonte që i pëlqente mendimi i ndonjërës prej tyre dhe ashtu vepronte, sipas fjalës së saj.”
Një hutbe plot retorikë e Omerit (r.a.) për këshillimin me të tjerët
Se si ka ndodhur na e tregojnë Muhamedi, Talhaja dhe Zijadi (radijallahu anhum): “Omeri (radijallahu anhu) ishte nisur për në luftë. Në vendin e quajtur “Uji i Sirarit” ndaluan dhe e ngritën aty vendpushimin e ushtrisë. Njerëzit nuk e dinin qëllimin e Omerit (radijallahu anhu): Omeri (radijallahu anhu), do të vazhdonte rrugën, apo do të qëndronte aty për njëfarë kohe? [...] Osmani (radijallahu anhu) e pyeti atë:
“Çfarë ke ndërmend të bësh?” Dhe Omeri (radijallahu anhu) iu përgjigj duke i thënë:
“Essalatu xhamiatun.” dhe i ftoi sakaq njerëzit të bëheshin gati për të falur namazin. Të gjithë u mblodhën përreth tij. Omeri (radijallahu anhu) u dërgoi fjalë edhe Aliut (radijallahu anhu), të cilin e kishte lënë në Medinë si mëkëmbësin e tij, ashtu si edhe Talhasë (radijallahu anhu), të cilin e kishte vendosur në krye të forcave pararojë, që të vinin aty edhe ata. Pastaj në krahun e djathtë të ushtrisë caktoi Zubejrin (radijallahu anhu), ndërsa në të majtin caktoi Abdurrahman bin Aufin (radijallahu anhu). Paskëtaj u çua në këmbë dhe mbajti këtë fjalë:
“O njerëz! Allahu i bashkoi zemrat e të gjithë myslimanëve nëpërmjet Islamit, ua ngrohu atyre zemrat kundrejt njëri-tjetrit, duke i shndërruar ata në vëllezër në fe. Ata që besojnë janë të gjithë si një trup i vetëm dhe çdo lëvizje në një organ të caktuar të trupit ndihet menjëherë edhe në çdo organ tjetër. Andaj, myslimanët duhet të jenë përherë në unitet e të përbashkuar, dhe çdo punë që do të bëjnë, duhet ta kryejnë atë duke u këshilluar ndërmjet veti, duke marrë edhe mendimin e të gjithë atyre që janë të zgjuar dhe largpamës. Për sa kohë që ky popull të jetë i bashkuar, të gjithë do t’i binden atyre që u është caktuar detyra për t’i drejtuar të tjerët. Ashtu siç edhe drejtuesi është përgjegjës dhe duhet t’u bindet vendimeve të grupeve të këshillimit.
O njerëz! Edhe unë një individ si ju isha, e kisha shumë dëshirë, që bashkë me ju, të merrja edhe unë pjesë në luftë. Mirëpo të zotët e fjalës e të mendimit në mesin tuaj më bënë të hiqja dorë nga kjo dëshirë. Prandaj, e pashë me vend që vetë të qëndroj në qytet dhe në krye të ushtrisë t’ju caktoj një tjetër si komandant. Prandaj edhe kërkova që kur t’jua bëja të ditur këtë vendim, këtu të ishin të pranishëm edhe Aliu, të cilin e pata lënë si mëkëmbës në Medinë, edhe Talhaja, të cilin e kisha caktuar në krye të pararojës.”
8. EMËRIMI I DREJTUESVE
Komandanti i parë i emëruar: Abdullah bin Xhahshi
Sad bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu) na tregon: “Kur erdhi Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në Medinë, aty erdhi një grup nga fisi i Xhuhejnes, të cilët thanë:
“O Muhamed! Ti zgjodhe të vish në mesin tonë, na jep edhe neve një garanci, që të vijmë edhe ne të gjithë si fis e të bëhemi myslimanë.” Kur i Dërguari i Allahut u dha atyre garancinë e kërkuar prej tyre, njerëzit e atij fisi u bënë të gjithë myslimanë.
Në muajin Rexhep, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na pati dërguar ne të sulmonim një degë nga fisi i bijve të Kinanes, të cilët ishin fqinj me fisin e Xhuhejnes. Nuk bëheshim më shumë sesa njëqind vetë. I sulmuam, mirëpo ata ishin të shumtë në numër. Për këtë arsye, ne kërkuam mbrojtje nga fisi i Xhuhejnes dhe ata na mbrojtën, por na pyetën:
“Po pse po luftoni tani, në muajin Rexhep, ne e dimë se ky është një muaj, në të cilin është e ndaluar të luftohet?”
“Kësaj here është ndryshe. Kësaj here ne po luftojmë me njerëz që na përzunë nga toka e bekuar dhe për më tepër në këtë muaj të bekuar.”, – u justifikuam ne.
Pastaj iu drejtuam njëri-tjetrit dhe thamë:
“Po tani ç’do të bëjmë?” Dikush thoshte: “Të shkojmë të vëmë në dijeni të Dërguarin e Allahut.”; dikush tjetër thoshte: “Jo, të qëndrojmë këtu.” Sakaq, unë dhe disa shokë thamë:
“Jo, më mirë të ikim; t’ia presim rrugën karvanit të kurejshëve.”
Asokohe, gjykimi në lidhje me plaçkën e luftës ishte ky: “Kushdo mund të merrte gjithçka që arrinte ta merrte vetë. Prandaj, edhe ne vendosëm të sulmonim karvanin e kurejshëve që do të kalonte atypari, ndërsa shokët e tjerë u kthyen pranë Profetit tonë. Kur i treguan se çfarë kishte ndodhur, i Dërguari i Allahut ishte nxehur shumë, aq sa fytyra i ishte bërë e kuqe flakë, ishte çuar në këmbë dhe kishte thënë:
“Megjithëse nga unë u larguat të bashkuar, ju tani po ktheheni të përçarë?
Ata që erdhën përpara jush kjo i shkatërroi, vetëm e vetëm përçarja. Tani, megjithëse nuk është më i miri dhe më i mbari ndër ju, unë do t’ju caktoj juve si komandant atë që i duron më së shumti, si urinë, ashtu edhe etjen, dhe do t’ju nis për atje!”, – dhe ashtu bëri, i dërgoi prapë për andej nga kishin ardhur, duke u vënë si komandant në krye Abdullah bin Xhahsh el-Esediun. Kësisoj, Abdullah bin Xhahshi u bë komandanti i parë i emëruar në Islam.”
Emërimi i një komandanti për një grup prej dhjetë vetash
Shihab el-Anberiu tregon: “Zjarrin e parë në portën e qytetit të Tusterit e pata ndezur unë. Ebu Musa el-Esh’ari ishte plagosur nga një shigjetë. Në çastin që myslimanët ngadhënjyen mbi qytet, Ebu Musai më caktoi mua si komandant në krye të një grupi të përbërë prej dhjetë vetash.”
Kur caktohet një imam gjatë udhëtimit
Omeri (radijallahu anhu) ka thënë: “Kur tre vetë dalin për të udhëtuar, të caktojnë njërin syresh si imam. Ky njeri është njësoj si imamët e emëruar prej të Dërguarit të Allahut.”
9. KUSH DUHET BËRË DREJTUES?
Në mesin e bashkësisë rolin e drejtuesit e meriton ai që e di më shumë Kur’an
Na është transmetuar prej Ebu Hurejres (radijallahu anhu) se: “Njëherë, Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) do të dërgonte diku një ekspeditë ushtarake shumë të madhe në numër dhe i vuri të gjithë sa ishin pjesë e asaj ushtrie të këndonin një pjesë nga Kur’ani. Secili këndoi atë pjesë që dinte më mirë. Sakaq, Resulullahu u afrua pranë njërit që dukej se ishte më i ri nga të tjerët dhe e pyeti:
“O filan, sa pjesë di ti përmendësh nga Kur’ani?” E ai iu përgjigj:
“Di këtë e atë sure, por di edhe të gjithë suren ‘Bekare’.”
“Domethënë ti e di përmendësh të tërë suren ‘Bekare’, apo jo?” - “Po!”, – u përgjigj ai djalë.
“Nëse është kështu, atëherë në krye do të kalosh ti. Ti do të jesh komandanti i ushtrisë.”, – i tha atij i Dërguari i Allahut.
Në atë çast një që ishte ndër njerëzit më të nderuar në radhët e luftëtarëve u hodh edhe tha:
“Uallahi, ajo që më ka penguar mua ta mësoj suren ‘Bekare’ përmendësh ka qenë shqetësimi se mos pastaj nuk veproj ashtu siç duhet; nuk kam asnjë arsye tjetër.”
“Mësojeni Kur’anin dhe lexojeni atë duke e kënduar. Kush e mëson Kur’anin dhe e lexon vazhdimisht atë, do të fillojë t’i ngjajë një parfumi erëmirë, aromat e të cilit shpërndahen gjithkah e shkaktojnë kënaqësi. Kushdo që e mëson Kur’anin dhe edhe pse e di atë përmendësh, bie të flejë pa kënduar prej tij, është njësoj si një enë parfumi e mbyllur.”, – tha atëherë i Dërguari i Allahut.
Droja e Ebu Bekrit (r.a.) nga caktimi komandant ndonjërin prej luftëtarëve të luftës së Bedrit
E tregon Ebu Bekr bin Muhamed el-Ensari: “Ebu Bekrin
(radijallahu anhu) e patën pyetur:
“O kalifi i të Dërguarit të Allahut! Pse nuk zgjedh asnjëherë ndonjë prej atyre që kanë marrë pjesë në luftën e Bedrit si komandant në krye të ushtrisë?” Dhe ai u dha këtë përgjigje:
“Unë i njoh mjaft mirë vlerat e tyre! Por nuk dua që t’i ndot ata me ndyrësitë e kësaj bote!”
Një letër e Omerit (r.a.) në lidhje me emërimin e një valiu
Harithe bin Mudarribi tregon: “Omeri (radijallahu anhu) na pati shkruar ne këtë letër:
“Unë po ju dërgoj juve Amar bin Jasirin si vali, ndërsa Abdullah bin Mesudin si mësues dhe ndihmës të tij. Që të dy janë prej sahabëve më të dalluar të të Dërguarit Fisnik dhe që të dy kanë qenë luftëtarë në luftën e Bedrit. Ata do t’ju mësojnë juve fenë, ndaj binduni fjalës së tyre. Jua dërgova vërtet Abdullah bin Mesudin, por ta dini se duke e dërguar atë atje, tek ju, në fakt, unë kam privuar veten, duke menduar më shumë për ju sesa për veten. Kurse në rrethinat dhe fshatrat e Irakut kam dërguar Osman bin Hunejfin dhe, si pagesë për ta kam caktuar një dele në ditë. Gjysma e deles dhe të përbrendshmet i takojnë Amar bin Jasirit; kurse gjysma tjetër t’u ndahet të treve në mënyrë të barabartë.”
Ata që e morën përsipër detyrën e valiut dhe gjetën shpëtimin
Shakik bin Selemeja tregon: “Omeri (radijallahu anhu) caktoi Bishr bin Asimin (radijallahu anhu) për të mbledhur zekatin e fisit të Heuazinit. Bishri u ndrojt dhe nuk shkoi. Kur u takua me të, Omeri (radijallahu anhu) e pyeti:
“Po pse nuk shkove atje ku të dërgova unë? A nuk e ke për detyrim që të ma dëgjosh fjalën dhe t’i bindesh asaj?”
“Pa diskutim!”, – u përgjigj menjëherë Bishr bin Asimi. – “Unë e di që jam i detyruar t’i bindem të parit tonë në çdo fjalë që thotë. Mirëpo unë kam dëgjuar Profetin kur ka thënë se:
“Kushdo prej myslimanëve që e merr përsipër një detyrë, në ditën e Kiametit do ta sjellin dhe do ta mbajnë mbi urën e Xhehenemit. Nëse është sjellë mirë, atëherë ai është i shpëtuar, por nëse nuk ka vepruar mirë e drejt, atëherë toka ku vë këmbë ai do të çahet dhe ai do të rrokulliset në një humbellë shtatëdhjetë vite të thellë.”
Omeri (radijallahu anhu) e dëgjoi me kujdes përgjigjen e Bishrit dhe pa thënë asnjë fjalë, u largua së andejmi i trishtuar dhe i mërzitur sa më s’ka. Në rrugë ai u takua me Ebu Dherrin. Ebu Dherri ia priti duke i thënë:
“O Prijësi i Besimtarëve, po të shoh shumë të lodhur e të mërzitur.”
“E si të mos jem i mërzitur, isha me Bishr bin Asimin. Më tregoi hadithin e të Dërguarit të Allahut që thotë: “Kushdo nga myslimanët që e merr përsipër një detyrë...” Ebu Dherri e pyeti:
“Po pse, a nuk e kishe dëgjuar ti nga Resulullahu vetë këtë hadith?” - “Jo!”, – u përgjigj Omeri (radijallahu anhu) dhe tha:
“Unë dëshmoj përpara Allahut se unë Resulullahun e kam dëgjuar se ka thënë: “Kushdo nga myslimanët që i ngarkon një punë një tjetër myslimani, atë njeri do ta sjellin në Ditën e Gjykimit dhe do ta lënë në mes të urës së Xhehenemit. Nëse ai e ka kryer mirë detyrën e tij, do të shpëtojnë, si ai që e ka kryer atë detyrë, ashtu edhe ai që ia ka ngarkuar atë detyrë. Përndryshe, nëse e ka kryer keq detyrën, atëherë toka në të cilën qëndron do të çahet dhe ai do të rrokulliset në një humbellë të zezë pus shtatëdhjetë vite të thellë.”
“Po mirë, kush nga këta hadithe të shkaktoi më shumë dhimbje në zemër?”, – e pyeti Ebu Dherri.
“Që të dy ma çanë zemrën në mes. Kush është ai që e merr përsipër detyrën e kalifatit i gjendur përballë kaq shumë rreziqesh?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu)Ebu Dherrin.
“Kalifatin vetëm ai që Allahu ia ka fshirë hundën përdhe dhe që e ka shpallur të poshtër mund ta kërkojë. Unë kaq të them ty, o Omer, ne nuk dimë asgjë veç të mirave për ty. Por, nëse kalifatin do t’ia lësh dikujt që nuk do të dijë të veprojë me drejtësi, atëherë ta dish se nuk do t’i shpëtosh dot barrës së përgjegjësisë!”
10. SAHABËT NUK PRANOJNË DETYRA DREJTUESE
Fjalët e të Dërguarit të Allahut për Mikdad bin Esuedin
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e pati dërguar Mikdad bin Esuedin si drejtues në një vend. Nuk kaloi shumë kohë dhe kur Mikdadi u kthye prej andej, i Dërguari i Allahut i pati thënë:
“Si t’u duk të qenët drejtues?”
“Pashë që njerëzit herë më ngrinin në qiell, herë më poshtëronin e më fusnin nën dhe. Asisoj që, pas njëfarë kohe fillova të dyshoj te vetja!”, – u përgjigj Mikdadi.
“Po, kështu është kur je drejtues.”, – ia priti Resulullahu ynë i dashur.
“Unë i betohem Allahut që të dërgoi ty me fenë e së vërtetës, se këtej e tutje unë nuk do të pranoj më asnjë rol drejtues.”, – tha Mikdadi.
Kur besimtarët i thoshin:
“O Mikdad, dil përpara e na e fal ti namazin.”, – ai edhe nga të dalët imam, për t’u falur namazin të tjerëve, druhej.”
Kurse, në një tjetër përcjellje që i bëhet kësaj ngjarjeje, Mikdad bin Esuedi (radijallahu anhu) ka thënë: “Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më dërgoi mua si komandant në krye të një ekspedite luftarake. Kur u ktheva, ai më pyeti:
“Si e ndien veten?” Dhe unë iu përgjigja e i thashë:
“Më kaploi një ndjesi e atillë, që të gjithë sa kisha përreth më dukeshin si shërbëtorët dhe ndihmësit e mi. Uallahi, këtej e tutje, nuk dua të jem më drejtues, qoftë edhe midis dy vetëve.”
Këshillat e Ebu Bekrit (r.a.) për ata që kishin role drejtuese
E tregon Rafi et-Taiu: “Gjatë një lufte më ra rasti të isha bashkudhëtar me Ebu Bekrin (radijallahu anhu). Teksa po ktheheshim, e pyeta:
“O Ebu Bekr! Më jep ndonjë këshillë të vyer.” Ai m’u përgjigj:
“Fali në kohën e tyre namazet që janë detyrim për besimtarët dhe jepe me gjithë zemër pjesën e zekatit të caktuar nga pasuria jote, agjëro gjatë muajit të Ramazanit dhe kryej detyrën e haxhit. Në Islam, hixhreti është një gjë shumë e mirë. Por, nëse gjatë mërgimit të bie që edhe të luftosh, kjo është diçka edhe më e mirë. Vetëm një gjë, mos u bëj kurrë drejtues! Ajo shkallë e të qenët drejtues që sot njerëzit i shmangen e i druhen pranimit të saj, nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të përhapet aq shumë, sa që shumë herë do të kalojë edhe në duart e shumë njerëzve që nuk janë të denjë për të. Në ditën e Kiametit, drejtuesit (udhëheqësit) do të duhet të japin llogari shumë herë më gjatë dhe do të meritojnë ndëshkime shumë herë më të ashpra sesa të tjerët. Gjithë të tjerët, që nuk kanë qenë drejtues do ta kenë të lehtë llogaridhënien e të pakta do t’i kenë edhe shqetësimet, sepse në pozicionin e drejtuesit ekzistojnë gjithmonë mundësitë për t’u treguar i padrejtë me besimtarët. Nëse u bëjnë padrejtësi besimtarëve, ata do të shkelin fjalën që i kanë dhënë Allahut, sepse besimtarët janë fqinjët e Allahut, janë robërit më të zgjedhur të Tij. Unë i betohem Allahut, se, ashtu siç çdonjëri prej jush shqetësohet gjatë natës se mos i ndodh ndonjë gjë deles a devesë së fqinjit të vet dhe nervozoheni nëse ndodh dhe thoni: “Aman, ç’i ndodhi deles, devesë së fqinjit tim!”, edhe Allahu mërzitet akoma edhe më shumë kur besimtarëve, të cilët janë fqinjët e Tij, u bëhet ndonjë padrejtësi.”
Rafiu thotë se: “Kishte kaluar vetëm një vit nga ky takim, kur unë dëgjova që Ebu Bekri ishte zgjedhur kalif. I hipa kafshës dhe u nisa të shkoja tek Ebu Bekri, e kur mbërrita i thashë atij:
“Mua më quajnë Rafi, kam bërë inspektime në aksh e aksh vend, sipas porosive që më pate dhënë ti.”, – i thashë unë.
“Po, të njoha.”, – m’u përgjigj ai.
“Ti më pate porositur që unë të mos bëhesha drejtues; mirëpo, për vete paske pranuar të marrësh përsipër rolin drejtues më të lartë, që është ai i të qenët kalif i mbarë umetit!”, – i thashë unë.
“Ashtu është, ke të drejtë.”, – më tha mua Ebu Bekri. – “Mirëpo mallkimi i Allahut qoftë mbi atë që nuk vepron sipas librit të Allahut me umetin e Muhamedit!”
Sahabët fisnikë zgjidhnin më mirë të luftonin në rrugën e Allahut, sesa të ishin drejtues
Sipas një transmetimi të Said bin Omer bin Said bin Asit, xhaxhallarët e tij, Halidi, Ebani dhe Amr bin Saidi, me të marrë vesh se ishte ndarë nga kjo jetë Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ata e braktisën detyrën e tyre, për t’u kthyer në Medinë. Ebu Bekri (radijallahu anhu) u tha atyre:
“Askush nuk mund të jetë më i denjë për këto detyra sesa ata që i
ka caktuar vetë Resulullahu. Kështu që, edhe ju kthehuni ku ishit dhe kryejeni mirë detyrën tuaj.” Mirëpo ata i thanë Ebu Bekrit:
“Ne nuk bëhemi nëpunësit e askujt tjetër, pos Profetit të nderuar.”, – duke u zhvendosur ndërkaq në drejtim të territoreve të Sirisë, atje morën pjesë nëpër luftëra, derisa ranë të tre dëshmorë njëri pas tjetrit.”
Ebu Hurejreja nuk e pranon propozimin e Omerit (r.a.) për ta bërë atë vali
Është një transmetim i përcjellë prej vetë Ebu Hurejres (radijallahu anhu); Omeri (radijallahu anhu) e thërret atë për ta caktuar diku si vali. Ebu Hurejreja nuk pranon. Omeri (radijallahu anhu) e pyet atë:
“Po ti pse nuk e pranon një detyrë, të cilën e ka kërkuar edhe dikush tjetër që është më i mirë se ti?”
“E kush na qenkësh ai njeri më i mirë se unë, pa më thuaj?”, – e pyet Ebu Hurejreja me qesëndi.
“I biri i profetit Jakub, profeti Jusuf!”, – ia pret Omeri (radijallahu anhu).
“Po Jusufi është profet e bir profeti! Kurse unë nuk jam veçse Ebu Hurejreja, i biri i Umejmes. Unë kam shumë frikë nga dy-tri gjëra.”, – thotë Ebu Hurejreja.
“Thuaj më mirë që ke frikë nga pesë gjëra!”, – ia pret Omeri (radijallahu anhu).
“Kam shumë frikë se mos them ndonjë gjë që nuk e di mirë as vetë, se mos jap vendime të pabazuara mirë, se mos ma punon kush pas shpine, se mos ma merr dikush pasurinë nga duart dhe se mos del dikush e më shan nderin.”, – u përgjigj Ebu Hurejreja.”
Ibni Omeri nuk pranon të bëhet gjykatës
Sipas një transmetimi të Ibni Omerit (radijallahu anhu), kur Osmani (radijallahu anhu) i ka propozuar që të bëhet gjykatës, Ibni Omeri nuk ka pranuar, duke i thënë:
“Unë kam dëgjuar Resulullahun (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kur ka thënë këto fjalë: “Gjykatësit janë tri farësh: njëri prej tyre shpëton, dy të tjerët hidhen në zjarr. Ata që japin vendime të padrejta, apo që vendosin sipas dëshirave të tyre personale do të shkatërrohen. Vetëm ata që i japin vendimet duke u bazuar tek e drejta janë të shpëtuar!”
11. RESPEKTI PËR KALIFËT DHE DREJTUESIT E TJERË DHE BINDJA E PAKUSHTËZUAR NDAJ URDHRAVE TË TYRE
Një ndodhi që ka ngjarë mes Halid bin Uelidit (r.a.) dhe Amar bin Jasirit (r.a.)
Na e tregon Ibni Abasi (radijallahu anhu): “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dërgoi një ekip ushtarak nën komandën e Halid bin Uelidit (radijallahu anhu). Pjesë e atij ekipi ishte edhe Amar bin Jasiri. U nisën. Gjatë natës, ata u vendosën për të pushuar në një vend që nuk ishte edhe aq larg vendit për ku ishin nisur. Njerëzit e bashkësisë që do të sulmonin myslimanët ia patën mbathur, duke i braktisur tërësisht vendbanimet e tyre. Aty kishte mbetur vetëm një njeri i vetëm, i cili nuk kishte ikur si të tjerët. Bashkë me pjesëtarët e familjes së tij ai ishte bërë mysliman, pra edhe ai që ishte aty ishte një besimtar. Ky njeri u kishte urdhëruar familjarëve të tij që të mblidhnin plaçkat dhe të prisnin aty, pa lëvizur, derisa të kthehej ai dhe, sakaq, kishte shkuar në vendin ku po pushonin ushtarët myslimanë nën komandën e Halid bin Uelidit, kishte pyetur se ku mund të gjente Amar bin Jasirin, pati shkuar pranë tij dhe i pati thënë:
“O Eba Jakdhan, unë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes sime u bëmë myslimanë. Siç e dini, populli ynë ia mbathi. Vallë, a na bën ne ndonjë dobi fakti që u bëmë myslimanë?”
“Mos lëviz nga vendi yt, ti je i sigurt, askush nuk do të të bëjë keq.”, – i qe përgjigjur Amari dhe kësodore ai njeri qe kthyer te familja e tij.
Në të aguar, kur Halidi u vërsul mbi atë vend, atje nuk gjeti askënd, veç atij njeriu dhe familjarëve të tij, të cilët qenë bërë të gjithë myslimanë, megjithatë i lidhi edhe ata. Edhe pse Amari u hodh e i tha:
“Mos e prek atë njeri! Ai është bërë mysliman.”, Halidi ia priti me fjalët:
“Ç’lidhje ke ti me këtë njeri? Këtu komandanti jam unë, me ç’të drejtë ngrihesh ti dhe u jep njerëzve garanci?”
“Po, ti je komandanti, por edhe unë kam të drejtë të jap garanci në emrin tënd, sepse ai njeri ka besuar. Po të donte mund të kishte ikur edhe ai bashkë me shokët e vet. Por nuk iku, qëndroi në vend, pasi u bë mysliman dhe unë i thashë të rrinte e të mos largohej.”, – u përgjigj Amari.
Diskutuan për një kohë të gjatë. Kur u kthyen në Medinë, ata vendosën të shkonin tek i Dërguari i Allahut, që të vendoste ai se kush ishte më e drejta e kësaj çështjeje. Amari tregoi gjithçka për atë njeri dhe i tha të Dërguarit të Allahut se ai ishte një njeri që kishte besuar dhe ishte bërë sakaq mysliman. Resulullahu e cilësoi të vlefshme garancinë që kishte dhënë Amari; mirëpo, që prej asaj dite ai ua ndaloi besimtarëve që t’i jepnin ndokujt garanci pa njoftuar njëherë komandantin që kanë mbi krye. Këto dy personalitete hodhën e pritën ndaj njëri-tjetrit edhe në praninë e Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Halidi tha:
“O Resulallah! Si guxon ky skllav të më ofendojë mua në praninë tënde? I betohem Allahut, që po të mos ishe ti ky njeri nuk do të guxonte të fliste kështu me mua!”
“Halid!”, – ndërhyri Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), – “Mos i bjer Amarit në qafë! Sepse atë që e merr inat Amari e merr inat edhe Allahu dhe atë që mallkon Amari e mallkon edhe Allahu.”
Amari u ngrit me vërtik dhe ashtu siç ishte, i nevrikosur, u largua prej andej. Halidi i vrapoi nga pas dhe e kapi pas petkut që kishte veshur; u përpoq ta merrte me të mirë. Por edhe Amari ia bëri vetë të ditur se ia kishte bërë hallall gjithë sa kishte thënë për të. Për këtë ngjarje është zbritur edhe ajeti: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në
ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo është për ju më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Nisa, 4/59)
Një ngjarje e ndodhur mes Auf bin Malikut dhe Halid bin Uelidit
E tregon Auf bin Malik el-Esh’ari (radijallahu anhu): “Në mesin e myslimanëve që u nisën për në luftën e Mu’tes, nën komandën e Zejd bin Harithes, kam qenë edhe unë. Njëri prej luftëtarëve të forcave mbështetëse që kishin ardhur nga Jemeni për të na u gjendur në ndihmë u bë shok me mua. Ky shok nuk kishte asgjë tjetër, pos shpatës. Në rrugë e sipër, njëri prej myslimanëve theri një deve. Ai shok i imi nga Jemeni i kërkoi atij një copë nga lëkura e devesë dhe ia dhanë. Ai e bëri atë mburojë për vete. Mandej ne vazhduam rrugën, derisa përballë na u shfaqën tokat e bizantinëve. Në mesin e bizantinëve gjendej një burrë i hipur mbi një kalë jelet e të cilit ishin veshur me flori. Edhe shpatën, dukej, e kishte të larë në flori. Ai kalorës bizantin filloi t’u shkaktonte shumë humbje njëra pas tjetrës radhëve të myslimanëve. Shoku im nga Jemeni i zuri pusi pas një shkëmbi që gjendej aty. Kur atypari kaloi kalorësi bizantin, ai një të vërsulur bëri dhe ia preu këmbët e kalit. Kalorësi u rrëzua përtokë. Ai shok nga Jemeni iu hodh përsipër dhe e vrau, mandej i mori edhe kalin dhe shpatën. Kur u pa se Allahu u kishte falur myslimanëve fitoren, Halid bin Uelidi (radijallahu anhu) i dërgoi fjalë atij luftëtari nga Jemeni, që të vinte tek ai bashkë me të gjitha plaçkat e atij kalorësi, që ishte veshur i tëri në flori. Me të marrë vesh, unë shkova menjëherë te Halidi dhe i thashë:
“Halid! Ti a e di që i Dërguari i Allahut ka shpallur se plaçka e armikut të vrarë i takon atij që e ka vrarë?”
“Po, e di; mirëpo ato janë shumë të çmuara, ndaj janë tepër për një njeri të vetëm.”, – u përgjigj Halid bin Uelidi.
“Halid, ose do t’ia japësh atij njeriu atë plaçkë që ai e ka marrë vetë me shpatën e tij, ose unë do të ankohem tek i Dërguari i Allahut për ty!”
Halidi nuk ia dha. Kur u kthyem në Medinë, u mblodhëm të gjithë pranë Resulullahut. Unë i tregova atij për ngjarjen e ndodhur mes Halidit dhe shokut tim nga Jemeni.
“O Halid! Çfarë të shtyu të veproje në këtë mënyrë?”
“O Resulullah, plaçka e atij që u vra vlen shumë dhe duke menduar se është tepër për një njeri të vetëm, vendosa t’ia merrja.”, – u përgjigj Halid bin Uelidi.
“Halid, ktheja mbrapsht ato që i ke marrë!”, – urdhëroi Resulullahu.
“Hë Halid, e shikon? A të thashë?”, – iu drejtova unë Halidit.
“Si është puna? Çfarë ka ndodhur?”, – u hodh i Dërguari i Allahut e më pyeti mua kësaj radhe.
Unë ia tregova një më një fjalët që i kisha thënë Halidit dhe i Dërguari i Allahut u nevrikos e tha:
“Halid! Mos i kthe mbrapsht ato që ke marrë! A nuk është e mundur që të mos ndërhyni mes meje dhe komandantëve të mi? Të gjitha vështirësitë i heqin ata, kurse ju hani ajkën, në fund!”
Një ngjarje që ka ndodhur mes Amr bin Asit (r.a.) dhe Omerit (r.a.)
Tregon Abdullah bin Jezidi: “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati dërguar një ekspeditë luftarake për në luftën e Dhatu’s-Selasilit. Në atë ekspeditë merrnin pjesë edhe Ebu Bekri me Omerin (radijallahu anhuma). Kur mbërritën në vendin për ku ishin nisur, Amr bin Asi i paralajmëroi ata që kishte përreth që të mos ndizte askush zjarr. Omeri (radijallahu anhu) u nevrikos dhe vendosi të shkonte vetë tek Amri, mirëpo Ebu Bekri (radijallahu anhu) nuk e lejoi, duke i thënë:
“Profeti ynë i nderuar e vendosi atë komandant mbi ty, sepse ai e njeh luftën më mirë nga të gjithë.” Ky qortim i Ebu Bekrit (radijallahu anhu) mjaftoi për ta qetësuar Omerin (radijallahu anhu).”
Një fjalë e Ijad bin Gunmit për respektin që duhet të tregohet ndaj një komandanti
Xhubejr bin Nufejri na tregon: “Në kohën kur u ngadhënjye mbi Daranë, një prej qyteteve të Irakut, Ijad bin Gunmi pati rrahur udhëheqësin e Darasë. Hisham bin Hakimi erdhi pranë Ijadit dhe e qortoi, duke i thënë se nuk kishte vepruar aspak mirë duke e rrahur atë njeri në sy të të gjithëve. Më vonë, Hishami priti për disa net, por pastaj nuk duroi dot më dhe shkoi pranë Ijadit dhe i tha:
“O Ijad! Po ti, a nuk e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut, që ka thënë se në ditën e Kiametit ndëshkimin më të ashpër do ta vuajnë ata që në këtë botë u kanë shkaktuar dhimbje dhe vuajtje njerëzve.”
“Hisham! Edhe ne e kemi dëgjuar këtë që ke dëgjuar ti, e i kemi parë të gjitha ato që i ke parë edhe ti, ashtu siç kemi marrë pjesë në të njëjtat mësime që ke marrë pjesë edhe ti. Por, o Hisham, po ti, a nuk e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut, kur ka thënë:
“Nëse ndonjëri prej jush do t’i japë ndonjë këshillë komandantit apo udhëheqësit të shtetit, të mos ia thotë atë në sytë e të gjithëve. Ta kapë përdore, ta çojë diku ku do të jenë vetëm për vetëm, atëherë t’ia thotë. Nëse e pranon këshillën tuaj, mirë, por nëse nuk e pranon, atëherë ai që e këshillon do të ketë bërë atë që i takon dhe duhet ta bëjë!”
“Hisham, si guxon ti të sillesh në atë mënyrë me një udhëheqës në fuqi! A nuk ke frikë se një udhëheqës, që i bindet urdhrave të prijësve të Allahut, mund të të vrasë, e ti do të jesh një prej atyre që është vrarë prej autoritetit të së lejuarës?”
Fjalët e Hudhejfes (r.a.) kundrejt personit, cili i drejtoi shpatën udhëheqësit të tij, për gabimin e bërë
Tregon Zejd bin Uehbi: “Populli kishte ngritur krye kundër valiut të vendit ku jetonte edhe Hudhejfeja (radijallahu anhu) në lidhje me diçka. Hudhejfeja po rrinte i ulur në xhami, ‘Xhaminë e Madhe’, kur aty hyri një njeri që filloi të futej në mes të radhëve të besimtarëve, derisa mbërriti te kryet e Hudhejfes, të cilit iu drejtua me fjalët:
“O sahab i të Dërguarit të Allahut! Po ti a nuk je i ngarkuar me detyrën për të urdhëruar të mirën e për të parandaluar të keqen?” Hudhejfeja ngriti kokën. E kuptoi se ku donte të dilte ai njeri, andaj iu përgjigj atij duke i thënë:
“Urdhërimi për mirë dhe ndalimi i së keqes është diçka shumë e mirë; mirëpo, as nxjerrja dhe as drejtimi i shpatës ndaj valiut (udhëheqësit territorial) të vendit tënd nuk bën pjesë në sunetin e të
Dërguarit të Allahut!”
Një tjetër transmetim për respektin që duhet treguar ndaj atij që ju drejton
E tregon Zijad bin Kesib el-Adeuiu: “Abdullah bin Amiri, kur lexonte ligjëratën e së premtes, vishej gjithmonë me rroba të holla e të lehta dhe tregonte një kujdes tejet të veçantë për krehjen e flokut. Edhe një ditë, ai fali namazin dhe u fut në shtëpinë e tij. (Njëri prej sahabëve) Ebu Bekreja ishte ulur ndanë minberit. Një njeri i quajtur Ebu Bilal Mirdasi i tha atij:
“Shikoje njëherë prijësin e njerëzisë, shikojeni njëherë! Është veshur me rroba të lehta, do që t’u ngjajë të shthururve!” Ebu Bekreja kur dëgjoi fjalët e Mirdasit, ai i tha të birit:
“Ma thirr pak Ebu Bilalin, të vijë këtu tek unë.” Dhe ai e thërriti. Kur erdhi, Ebu Bekreja e priti me fjalët:
“Pak më parë më erdhën në vesh fjalët që paske thënë për prijësin tonë. Unë kam dëgjuar Resulullahun, i cili fjalë për fjalë ka thënë: “Kushdo prej jush që tregon respekt ndaj drejtuesit që i është caktuar mbi krye, edhe Allahu do të sillet me respekt ndaj tij e do t’i falë shumë të mira. E, kushdo që nuk tregon respekt ndaj drejtuesve të vet dhe përpiqet që t’i ulë ata në sytë e njerëzve, dijeni se Allahu e poshtëron atë njeri.”
Myslimanët i binden vetëm atij komandanti dhe atij drejtuesi që është legjitim!
Sipas një transmetimi të ardhur prej Aliut (radijallahu anhu): Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) caktoi në krye të një ekspedite ushtarake një ensar. Teksa po i përcillte për në luftë, ai i paralajmëroi ushtarët që t’ia dëgjonin fjalën komandantit të tyre dhe të tregonin respekt ndaj çdo urdhri të ardhur prej tij. Mirëpo, diçka ndodhi dhe ata se ç’bënë që e nxehu tejmase komandantin e tyre. Andaj, ai u tha atyre:
“Dilni e më mblidhni dru.” Kështu bënë, dolën dhe mblodhën dru.
“Tani ndizni një zjarr.”, – i urdhëroi ai sërish. Edhe zjarrin e ndezën. Atëherë, komandanti tha:
“A ju urdhëroi Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) që të më bindeni?”
“Po!”, – u përgjigjën ushtarët.
“Atëherë hyni në zjarr!”, – u tha ai atyre.
Ushtarët panë njëherë nga njëri-tjetri dhe thanë:
“Po ne prandaj vendosëm të bëhemi ndjekës të të Dërguarit të Allahut dhe t’i besojmë atij, që të mos na hedhin në zjarr (me një fjalë në Xhehenem). Nuk kaloi shumë dhe mërzia e komandantit u fashit dhe zjarri i ndezur ishte në të shuar. Kur u kthyen ata ia treguan Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) të gjitha sa kishin ndodhur. I Dërguari i Allahut tha për ta:
“Po të ishin hedhur në atë zjarr as në ahiret nuk do të dilnin dot prej zjarrit! Prijësve dhe komandantëve t’u bindemi vetëm për ato urdhra që janë për gjëra të lejuara.”
Këshillat që i dha Krenaria e Njerëzimit Ebu Dherr el-Gifarit për bindjen dhe respektin që duhet të kishte ndaj të parit të vendit E tregon Esma binti Jezidi (radijallahu anha): “Ebu Dherri (radijallahu anhu) rrinte pranë Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i shërbente për çfarëdo gjëje që kishte nevojë, pastaj, kur i mbaronte të gjitha punët, shkonte në xhami. Xhaminë e kishte shtëpi dhe atje binte edhe për të fjetur. Një natë, në xhami hyri i Dërguari i Allahut dhe e gjeti Ebu Dherrin që ishte shtrirë e po flinte mbi pjesën me dhe të faltores. E ngacmoi me këmbë që të zgjohej. Ebu Dherri u ngrit dhe qëndroi ulur. Resulullahu i tha:
“Ç’është kështu? Pse ke fjetur këtu?”
“Ku të fle, o Resulullah? Unë nuk kam shtëpi tjetër, veç xhamisë!”, – iu përgjigj Ebu Dherri. I Dërguari i Allahut e dëgjoi Ebu Dherrin e u ul pranë tij dhe e pyeti:
“Po të nxorën nga xhamia, çfarë do të bësh?”
“Do të iki në Siri, sepse Siria është atdheu i mërgimtarëve, është vendi ku mblidhen të gjithë, veç të gjitha këtyre, është edhe atdheu i profetëve. Do të bëhem një prej banorëve të atij vendi.”, – u përgjigj Ebu Dherri.
“Po po të nxorën edhe nga Siria?”
“Atëherë do të kthehem prapë në këtë xhami, sepse unë nuk kam shtëpi tjetër veç kësaj.”
“Po po të përzunë sërish, për së dyti herë, edhe që këtu, çfarë ke ndërmend të bësh?”
“Atëherë do të marr shpatën dhe do të luftoj derisa të vdes!”, – u përgjigj Ebu Dherri.
I Dërguari i Allahut buzëqeshi me këtë përgjigje të Ebu Dherrit, ia mori dorën dhe e vuri mbi supin e vet dhe i tha:
“A do që unë të të tregoj një rrugëzgjidhje më të mirë se kjo?”
“Kurban t’u bëfshin nëna dhe babai, o Resulullah, ma trego atë rrugë!”
“Le të të përzënë, kudo që të të përzënë, ti do të dëgjosh fjalën e tyre e do të shkosh atje ku do të të kërkojnë ata. Do të bësh durim, derisa të vish atje, tek unë!”, – e porositi i Dërguari i Allahut Ebu Dherrin.
Ndërsa, në përcjelljen që na bën Tausi, gjenden edhe disa përshkrime
të tjera: - “Kur Ebu Dherrin (radijallahu anhu) e dërguan në Rebedhe, atje ai u takua me një skllav me ngjyrë të Osmanit (radijallahu anhu). Ai njeri me ngjyrë thirri ezanin dhe, pasi këndoi edhe ikametin, iu drejtua Ebu Dherrit dhe i tha:
“O Ebu Dherr, imam dil ti, na e fal ti namazin!”
“Jo! Më ka porositur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ‘sikur edhe një skllav me ngjyrë të kesh mbi krye, do t’i bindesh.’ Paskëtaj, imam doli ai skllav me ngjyrë dhe Ebu Dherri e fali namazin pas tij si çdo besimtar i thjeshtë i bashkësisë atje.”
Një ngjarje e vërtetë lidhur me respektin ndaj prijësit, që ka ngjarë mes Omerit (r.a.) dhe Alkames
Tregon Hasan Basriu: “Ishte mesnatë, Omeri (radijallahu anhu) u takua rastësisht me Alkame bin Alathen. Nga pamja e jashtme Omerin (radijallahu anhu) e ngatërronin mjaft shpesh me Halid bin Uelidin. Prandaj, Alkameja e pandehu për Halid bin Uelidin dhe iu drejtua Omerit (radijallahu anhu) e i tha:
“Halid, më duket se Omeri ty të largoi nga detyra ngaqë është dorështrënguar. Unë kisha ndërmend të shkoja tek ai me djalin e xhaxhait, për t’i kërkuar diçka, por tani që mora vesh se të ka shkarkuar ty, hoqa dorë, nuk kam për t’i kërkuar asgjë.”
“Vazhdo, më trego, ç’gjëra të tjera di për Omerin?”, – ia priti Omeri (radijallahu anhu).
“Unë e di, që drejtuesit kanë më shumë të drejta mbi ne. Por shiko, se mos bën ndonjë gjë, mos i dil kundër? Ne të bëjmë atë që na takon, sepse shpërblimin do të na e japë Allahu.”
Kur agoi, Omeri (radijallahu anhu) e pyeti Halidin:
“Çfarë të tha Alkameja mbrëmë?”
“Uallahi, nuk më ka thënë asgjë.”, – u përgjigj Halidi.
“Shiko, edhe betohesh pale!”
Mandej, Omeri (radijallahu anhu) e pa që Alkame ishte treguar i drejtë dhe e shpërbleu atë, duke ia përmbushur të gjitha nevojat që kishte.”
Fjalët e një gruaje me lebër lidhur me domosdoshmërinë e bindjes ndaj prijësit të vendit
Ibni Ebi Mulejkeja tregon: “Omeri (radijallahu anhu) pa një grua që ishte e sëmurë me lebër, e cila po i vinte Qabes përreth dhe shkoi e i foli:
“A moj grua, pse nuk qëndron më mirë në shtëpi, e të mos i shqetësosh njerëzit me këtë gjendje që je!” Ajo grua e dëgjoi Omerin dhe shkoi e u mbyll në shtëpi. Pas njëfarë kohe, kur dikush qëlloi që shkoi në shtëpinë e asaj gruaje i tha asaj:
“Ai njeriu që të ndaloi ty të dilje jashtë vdiq, tani mund të dalësh.” Mirëpo e dini se cila ishte përgjigjja e asaj gruaje të sëmurë:
“Atij që i jam bindur në çdo urdhër në të gjallë nuk mund t’i ngre krye në të vdekur!”
12. KUR DREJTUESIT JETOJNË NË HARMONI TË PLOTË ME NJËRI-TJETRIN
Një ngjarje e ndodhur mes Amr bin Asit dhe Ebu Ubejde bin Xherrahut
E tregon Urue bin Zubejri: “Në Dhatu’s-Selasil, një prej rrethinave më të bukura të Sirisë, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dërgoi bijtë e Belijit dhe të Abdullahut, si dhe disa vetë nga Kudaatët, të cilët njiheshin si të afërm të tyre, dhe si komandant në krye u caktoi edhe Amr bin Asin (radijallahu anhu). Bijtë e Belijit ishin njëkohësisht edhe dajat e As bin Uailit. Me të mbërritur atje, Amri i shqetësuar prej faktit se armiqtë ishin të shumtë në numër, i dërgoi fjalë të Dërguarit të Allahut, që ai t’u dërgonte forca mbështetëse. Kësisoj, edhe Profeti ynë u dërgoi atyre një grup të përbërë kryesisht nga muhaxhirët, në mesin e të cilëve gjendeshin edhe Ebu Bekri me
Omerin (radijallahu anhuma) dhe si komandant të tyre pati caktuar Ebu Ubejde bin Xherrahun. Sapo mbërritën pranë Amrit, Amri u tha atyre:
“Komandant këtu jam unë; sepse unë i dërgova lajm të Dërguarit të Allahut dhe i kërkova të vinit ju.” Mirëpo, muhaxhirët ia pritën:
“Jo, ti je komandanti i atyre ushtarëve me të cilët të dërgoi i Dërguari i Allahut të luftoje. Komandanti i muhaxhirëve është Ebu Ubejdeja, edhe atë i Dërguari i Allahut e caktoi si komandant.”
“Jo, ju jeni forca shtesë që i kërkova unë.”, – ua priti Amri dhe, sakaq, Ebu Ubejdeja që njihej si një njeri shumë i qetë, por po aq edhe i urtë e me edukatë, u hodh edhe tha:
“Ta dish mirë, o Amr: Këshilla e fundit që i Dërguari i Allahut më dha para se të nisesha ishte kjo: ‘Kur të mbërrish te shoku yt, merruni vesh e të shkoni mirë me njëri-tjetrin.’ Prandaj, meqë ti nuk do të më bindesh mua, atëherë do të të bindem unë ty.”, – e kësodore ia dorëzoi Amr bin Asit komandën.
Të drejtat e të parit të vendit mbi njerëzit e thjeshtë
Tregon Seleme bin Shihab el-Abdiu (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anhu) ka thënë:
“O njerëz! Ne kemi shumë të drejta mbi ju: ju duhet të na bëheni krah e të na mbështesni, qoftë edhe me fjalë, si dhe të na ndihmoni me çfarë t’ju vijë ndoresh. Në sytë e Allahut nuk ka gjë më të bukur e më të mirë sesa një udhëheqës që është i butë dhe sillet mirë me njerëzit që udhëheq. Allahu nuk e do fare kryetarin e një shteti që është i paditur, i ashpër dhe i egër, e për më tepër kur është i pazoti.”
Gjendja e atij që nuk ia thotë drejtuesit të vërtetën në sy
Urueja (radijallahu anhu) tregon: “Shkova tek Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) dhe e pyeta:
“O Abdullah! Ne shkojmë te drejtuesit tanë dhe ulemi të bisedojmë me ta. Ata, nganjëherë, na thonë gjëra që nuk janë aspak të vërteta, megjithatë ne nuk i kundërshtojmë, por, përkundrazi, edhe i mbështetim në vendimet e tyre të padrejta dhe jo vetëm kaq, por edhe u themi se na pëlqejnë shumë vendimet e tyre! Si mendoni ju, a kemi vepruar drejt?” Ibni Omeri u përgjigj duke më thënë:
“Shiko, nipi im! Unë nuk e di se çfarë do të mendoni ju, por, në kohën e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), sjellje të tilla ne i konsideronim dyfytyrësi!”
Sha’biu (radijallahu anhu) tregon këtë: “Ne shkuam tek Ibni Omeri dhe e pyetëm:
“Kur shkojmë te drejtuesit dhe udhëheqësit tanë, ne u flasim atyre duke u ardhur pas qejfit, e kur largohemi themi krejt të kundërtën e asaj që i kemi thënë në sy; si mendon ti për këtë?” Ibni Omeri na dëgjoi me vëmendje dhe tha:
“Ne, një sjellje si kjo, në kohën e të Dërguarit të Allahut, i konsideronim hipokrizi!”
Kufizimi i të folurit kot dhe i të qeshurit pa arsye në prani të drejtuesve
E tregon Alkame bin Uekasi (radijallahu anhu): “Ishte njëherë një burrë i papunë, që vinte vërdallë më kot. Shkonte te udhëheqësit e kohës dhe përpiqej t’i bënte për të qeshur. Gjyshi im i tha atij njeriu:
“Turp të të vijë! Pse shkon atje, tek ata njerëz dhe i bën për të qeshur? Mua ka treguar njëri prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Bilal bin Harith el-Muzenit, se Resulullahu ka thënë: “Robi thotë një fjalë që Allahut i pëlqen shumë. Në të vërtetë ai nuk e di se në ç’shkallë pranë Allahut ngjitet ajo fjalë. Mirëpo, vetëm në sajë të asaj fjale Allahu kënaqet jashtë mase për takimin me atë rob të Tij në Ditën e Gjykimit. Poashtu, dikush, pa u matur dhe pa i dhënë shumë rëndësi thotë një fjalë që meriton ndëshkimin e Allahut, pa e ditur se cila është domethënia e saj tek Allahu. Mirëpo, Allahu, në ditën e takimit të madh, e ndëshkon atë njeri vetëm për hir të asaj fjale të padenjë.”
Një fjalë e Ebu Hudhejfes në lidhje me dyert e atyre që janë në role drejtuese
Një ditë Ebu Hudhejfeja (radijallahu anhu) na tha:
“Aman, qëndrojini larg vendeve ku ka shpifje dhe ngatërresa!” Ata që ishin aty të pranishëm e pyetën:
“O Ebu Abdullah, kush qenkan këto vende të shpifjes dhe të ngatërresave?” Atëherë, Ebu Hudhejfeja u dha atyre këtë përgjigje:
“Dyert e drejtuesve janë vende ku shpifet dhe ku nxirren më së shumti ngatërresa. Nëse ndonjëri nga ju shkon te drejtuesit e vet, ua aprovon çdo fjalë që thonë, megjithëse nuk është e drejtë a e vërtetë, madje edhe duke e përgëzuar për ato cilësi që ai nuk i ka, atëherë ta dini, se ai ka shkaktuar një ngatërresë tejet të madhe.”
Këshillat e Abdullahut, djalit të Abasit (r.a.), për këtë çështje
Tregon vetë Ibni Abasi: “Babai më pati thënë:
“O bir, kam parë që Prijësi i Besimtarëve (Omeri radijallahu anhu) të thërret dhe përpiqet të kalojë sa më shumë kohë me ty; të kërkon mendime edhe kur është në praninë e shumë sahabëve të tjerë të të Dërguarit të Allahut. Dua të të jap tri këshilla, mbaji mirë vathë në vesh: Frikësoju Allahut, mos gënje, mos ia trego askujt të fshehtat që të beson ai dhe mos përgojo askënd në praninë e tij!”
13. TË THUASH TË VËRTETËN NË PRANI TË DREJTUESVE DHE TË MOS I MBËSHTESËSH ATA NË VEPRIMTARITË QË BIEN NDESH ME URDHËRESAT E ALLAHUT
Omeri (r.a.): “Nuk vjen mirësi nga ai drejtues, në praninë e të cilit nuk mund të thuhet dot e vërteta!”
Hasan Basriu tregon: “Njëherë Omeri (radijallahu anhu) nuk e pranoi një ajet të lexuar prej Ubej bin Kabit, madje edhe e mohoi, dhe Ubeji i tha atij:
“O Omer! Unë këtë e kam dëgjuar nga vetë i Dërguari i Allahut, kur ti bëje tregti në Baki!” Omeri (radijallahu anhu) tha:
“E vërtetë! Unë thjesht desha t’ju vija në provë, ‘a do të dalë ndonjëri që ta thotë të vërtetën ashtu siç është.’, sepse nuk vjen mirësi prej një drejtuesi që nuk thotë të vërtetën dhe që në praninë e tij nuk mund të thuhet dot e vërteta siç është!”
Qortimi i Beshir bin Sa’dit për Omerin (r.a.): “Nëse vepron ashtu, ne dimë shumë mirë se si të të drejtojmë, njësoj siç drejtojmë shigjetat!”
Një ditë Omeri (radijallahu anhu) po rrinte ulur me një grup muhaxhirësh dhe ensarësh. Ai i pyeti ata:
“Çfarë do të bënit ju, nëse shihni se unë i mbaj me hatër disa prej jush?” Askush nuk u përgjigj. Omeri (radijallahu anhu) e përsëriti edhe dy a tri herë atë pyetje, mirëpo i vetmi që foli ishte Beshir bin Sa’di (radijallahu anhu):
“Nëse vepron ashtu, ne dimë shumë mirë të të drejtojmë, njësoj siç drejtojmë shigjetat.” Omerit (radijallahu anh) i pëlqeu tej mase kjo përgjigje, ndaj u tha atyre:
“Kështu, vetëm kështu ju do të kishit kryer detyrën tuaj siç duhet! Ja, vetëm kështu do të kishit kryer detyrën tuaj siç duhet!”
Muhamed bin Meslemeja ia thotë gjithçka në fytyrë Omerit (r.a.)
Tregon Musa bin Ebu Isai: “Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) shkoi te pusi i fisit të bijve të Harithes. Atje u takua me Muhamed bin Meslemenë.
“Ç’mendim ke për udhëheqjen time, o Muhamed?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu).
“Uallahi, unë të shoh ty ashtu siç duhet të jesh, ashtu siç të shohin edhe të gjithë ata që të duan të mirën! Për shembull, më dukesh shumë i suksesshëm në mbledhjen e tagrave dhe të taksave. Veç kësaj, ti je një
udhëheqës që nuk ke sy në pasurinë e përbashkët, e gjithmonë e ndan me drejtësi atë që është për t’iu ndarë të tjerëve. Por po ndryshove, duke hequr dorë nga e drejta dhe drejtësia, atëherë ne dimë mirë se si të të sjellim në vete, njësoj siç i fusim shigjetat në zjarr, për t’i rregulluar!”
“Me një fjalë, ti po më thua se ‘ne të rregullojmë edhe ty, nëse devijon nga e drejta, njësoj siç fusim shigjetat në zjarr, për t’u dhënë formën e duhur!’, kështu hë? Lëvduar qoftë Allahu i Madhërishëm që më ka bërë mua udhëheqës të një bashkësie që di të më kthejë tek e drejta nëse devijoj prej saj.”, – tha Omeri (radijallahu anhu).79
Kur Muauija (r.a.) thotë: “Ky njeri po na këshillon për jetë shpirtërore” për një njeri që i kundërshtoi fjalën
Tregon Ebu Kubejli: “Një dite të premte, Muauije bin Ebi Sufjani u ngjit në minber. E, teksa po u fliste besimtarëve, ai u tha atyre:
“Pasuria është pasuria jonë, e e jona është e gjithë plaçka që është fituar në rrugë paqësore! Ne ia japim atë kujt të duam dhe nuk i japim kurrkujt që nuk duam t’i japim!” Askush nuk iu përgjigj Muauijes (radijallahu anhu). Të premten tjetër, Muauija përsëriti prapë të njëjtat fjalë. Prapë nuk doli askush që ta kundërshtonte. Kësisoj, ato fjalë u përsëritën edhe të premten e tretë, por kësaj here, nga xhemati u ngrit dikush dhe tha:
“Jo, nuk është ashtu! Pasuria është pasuria jonë, e e jona është edhe plaçka e luftës! Kushdo që ndërhyn në mes dhe nuk na jep atë që na takon, atëherë ne dimë se si t’ia lëmë Allahut në dorë drejtësinë dhe të nxjerrim shpatat!” Muauija (radijallahu anhu) zbriti nga minberi dhe pas namazit u fut në dhomën e tij personale. Dërgoi njerëz që t’i sillnin atë njeri që e kundërshtoi përpara xhematit. Në atë kohë, të gjithë njerëzit filluan të mendonin: “Iku ai i shkretë, kaq e pati!” Mirëpo, më vonë, njerëzit shkuan te Muauija (radijallahu anhu) dhe ç’të shihnin, Muauija ishte ulur bashkë me të në të njëjtin nim! Muauija u tha të pranishmëve:
“Ky njeri më dha mua një mësim të mirë, i fali jetë shpirtit tim, ndaj
79 12/786 (35763).
edhe Allahu i dhëntë jetë shpirtit të tij! Unë kam dëgjuar Resulullahun, i cili ka thënë: “Pas meje do të vijnë ca udhëheqës, të cilët do të thonë diçka dhe askush nuk do t’i kundërshtojë; askush nuk do t’ua kundërshtojë fjalën e thënë prej tyre. Ata do të shtyhen e do të grinden me njëri-tjetrin në flakët e Xhehenemit, njësoj siç shtyhen e grinden majmunët!” Kur unë i thashë ato fjalë të premten e parë, askush nuk u ngrit të më kundërshtojë. Unë i thashë ato prapë të premten e dytë, por prapë nuk doli askush që të më kundërshtonte, ndaj fillova të mendoj se edhe unë jam një udhëheqës si ata, për të cilët na ka folur edhe i Dërguari i Allahut. Kësisoj, në të premten e tretë u ngrit ky burrë dhe i kundërshtoi fjalët e mia, më dha jetë, më qetësoi. Lus Allahun që t’i falë edhe atij jetë të pasur si materiale, ashtu edhe shpirtërore.”
14. TË DREJTAT E POPULLIT MBI DREJTUESIT E TYRE
Omeri (r.a.) i pyet gjithë grupet e vizitorëve që vijnë tek ai se si sillen drejtuesit e tyre
Tregon Esued bin Jezidi: “Omeri (radijallahu anhu) i pyeste të gjithë ata që vinin tek ai për vizitë, se si silleshin drejtuesit me ta. Ai i pyeste ata:
“A u shkojnë drejtuesit tyre për vizitë atyre që janë të sëmurë, a u përgjigjen ftesave të skllevërve? Si është qëndrimi që ata mbajnë ndaj tyre, si sillen me ta? A ka shumë njerëz që presin te porta e drejtuesve?” Kur qëllonte që ndonjëri syresh thoshte ndonjë fjalë jo të mirë, ai e shkarkonte menjëherë drejtuesin e caktuar në atë vend.
Urdhri i parë i Omerit (r.a.) për çdo drejtues të emëruar
Asim bin Ebi’n-Nuxhudi tregon: “Omeri (radijallahu anhu), sa herë që emëronte ndonjë drejtues, ai u vinte atyre kushtet, që ‘të mos hipnin në kuaj me stoli të tepruara, të mos hanin bukë të zgjedhur, të mos vishnin rroba të holla dhe që krijonin përshtypjen e madhështisë, t’i mbanin dyert përherë të hapura për nevojtarët’, duke u bërë të ditur se ‘nëse nuk bënin ndonjërën prej këshillave të tij, ata do të hiqeshin menjëherë nga detyra!’ Edhe kur i përcillte, ai u thoshte atyre:
“Unë nuk po ju dërgoj atje që t’u kanoseni jetës, trupit, nderit, apo pasurisë së myslimanëve! Unë ju dërgoj që t’u falni atyre namazin, t’ua ndani me drejtësi plaçkën e fituar në rrugë paqësore dhe që të vendosni me drejtësi për punët e tyre. Nëse do të keni ndonjë problem që e keni të vështirë ta zgjidhni, të më njoftoni menjëherë!”
Ebu Huzejme bin Thabiti tregon se: “Omeri (radijallahu anhu), kur do të caktonte ndonjë vali për ndonjë vend të caktuar, merrte një bashkësi ensarësh dhe të tjerësh si dëshmitarë dhe e porosiste atë që do të emëronte:
“Ta dish se unë nuk po të bëj ty drejtues, që ti t’u kanosesh jetës dhe shpirtrave të myslimanëve.”
Mendimi i Omerit (r.a.) për detyrat e personave të emëruar drejtues
Transmeton Abdurrahman bin Thabiti: “Omeri (radijallahu anhu) i dërgoi fjalë Said bin Amir el-Xhumehiut, të vinte menjëherë tek ai. I tregoi atij kuvendin që kishte mbledhur aty dhe i tha:
“Ne po të caktojmë ty në krye të atyre njerëzve, ti do të shkosh të jetosh në tokat e tyre e do të luftosh bashkë me ta.”
“O Omer, të lutem mos më përziej mua me belanë e të qenët drejtues!”, – i tha ai Omerit, mirëpo Omeri (radijallahu anhu) nuk ia vuri veshin.
“Uallahi, njerëzit si ty unë nuk i lë aq lehtë! A ma ngarkuat mua mbi qafë përgjegjësinë e kalifatit, tani doni edhe që të më lini vetëm. Ta dish mirë, se ti nuk je njeriu më i virtytshëm ndër ata njerëz ku unë po të dërgoj. Unë nuk po të dërgoj ty atje, që ti t’u marrësh atyre pasurinë, apo që t’u shkelësh atyre njerëzve nderin. Unë po të dërgoj ty atje, që ti të luftosh krah për krah me ta, si dhe që t’ua ndash me drejtësi plaçkën e fituar nga lufta.”84
Ebu Musa el-Esh’ari (radijallahu anhu) i ka thënë kështu banorëve të qytetit në të cilin e kishin emëruar vali:
“Prijësi i Besimtarëve, Omeri (radijallahu anhu) mua më ka dërguar t’ju mësoj librin e Zotit dhe sunetin e Profetit tuaj, si dhe që t’ju pastroj rrugët.”
Letra që i dërgon Omeri (r.a.) Amr bin Asit lidhur me drejtuesit që rrinë të distancuar ndaj popullit dhe që nuk kujdesen për nevojtarët
Ebu Temim el-Xhejshaniu (radijallahu anhu) tregon: “Omeri (radijallahu anhu) i shkroi Amr bin Asit (radijallahu anhu) një letër ku thuhej:
“Kam dëgjuar se paske ndërtuar një minber. Ngjitesh atje dhe i sheh njerëzit nga lart! Nuk të mjafton që njerëzit të shohin vetëm takat kur ti ngulesh në këmbë dhe u flet? Të urdhëroj: Thyeje menjëherë dhe ma zhduk atë minber!”
Një letër e Omerit (r.a.) drejtuar
Ebu Osman en-Nehdiut për të njëjtën gjë
E tregon Ebu Osmani (radijallahu anhu): “Kur ishim në
Azerbaixhan, na erdhi një letër prej Omerit (radijallahu anhu). Në atë letër, ndër të tjera, shkruhej:
“Utbe bin Farkad! Ato mundësi që të janë dhënë nuk janë fryt as i punës sate, as i punës së babait, as i punës së nënës sate. Atë që ha ti në shtëpi do t’ua japësh ta hanë edhe myslimanët në shtëpitë e tyre. Në asnjë mënyrë të mos e teproni me shpenzimet! Qëndrojini larg veshjes me mëndafsh dhe mbulimit me tesha si ato të idhujtarëve!”
Omeri (r.a.) qorton valiun e Humusit
Tregon Urue bin Ruejmi: “Omeri (radijallahu anhu) filloi të shëtiste
i vetëm në radhët e besimtarëve që vinin për të kryer adhurimin e haxhit, që t’u maste pulsin dhe t’i pyeste se si shkonin punët në vendet e tyre. Kur shkoi pranë banorëve të Humusit, ai i pyeti ata:
“Si e keni valiun?”
“Është drejtues i mirë; mirëpo ka ndërtuar një dhomë më të lartë se gjithë ndërtesat e tjera dhe jeton atje tani.”, – iu përgjigjën ata.
Omeri (radijallahu anhu) i shkroi menjëherë një letër atij valiu, ndërsa postierit i dha porosinë që, me të mbërritur atje, t’i vinte flakën e ta digjte atë dhomë. Ai postier mbërriti në Humus, mblodhi një masë të madhe drush dhe pasi i shpërndau drutë përreth mureve të asaj dhome, i vuri flakën. Njerëzit shkuan menjëherë të lajmëronin valiun, mirëpo ai ua priti me fjalët:
“Lëreni, ai është një lajmëtar.” Ai i dha letrën dhe valiu e mori letrën, i hipi kalit dhe u nis për rrugë. Kur e pa Omeri (radijallahu anhu) që kishte ardhur aty, i tha që ta ndiqte dhe e çoi atje ku mbaheshin devetë e zekatit. Ai i tha valiut:
“Zhvishu.” I dha atij një petk të bërë prej leshit të devesë, që vishej prej arabëve dhe i tha:
“Tani merr kovën, nxirr ujë nga pusi dhe jepu deveve të pinë derisa të nginjen.” Valiu tërhiq e tërhiq kovën me ujë u lodh. Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) e pyeti:
“Sa kohë u bë që je valiu i Humusit?”
“Nuk kam shumë kohë, tani kam shkuar, jam i ri o Prijësi i Besimtarëve.”, – u përgjigj ai.
“Prandaj e ngrite atë dhomë atje lart, që t’i shohësh nga lart të varfrit, të vejat dhe jetimët që jetojnë në atë vend? Tani kthehu në krye të detyrës dhe të mos dëgjoj ta bësh më këtë!”, – përfundoi Omeri (radijallahu anhu).88
88 5/937 (14339).
15. DREJTUESIT U MASNIN SHPESH PULSIN POPULLIT TË TYRE
Dy histori nga Omeri (r.a.) dhe Ebu Bekri (r.a.)
Ebu Salih el-Gifari tregon: “Omeri (radijallahu anh) shkonte shpesh dhe kontrollonte gjendjen e një gruaje të verbër, e cila jetonte në periferi të Medinës, t’i çonte ujë për të pirë dhe t’i vinte në ndihmë duke i përmbushur ndonjë nevojë që mund të kishte. Mirëpo, sa herë që shkonte, ai shihte se dikush ia kishte kaluar dhe kishte shkuar më parë dhe ia kishte përmbushur të gjitha nevojat. Për ta kuptuar se kush ishte ai që ia kalonte dhe e bënte më parë atë të mirë, që ai vetë donte ta kryente, një ditë doli më herët dhe u fsheh në një vend aty pranë, të shihte kush do të vinte. Por ç’të shihte: kalifi Ebu Bekr Besniku!
“Për Zotin, e kush mund të ishte përveç teje!”, – tha Omeri (radijallahu anhu)
Tregon El-Euzaiu: “Një natë, Omeri (radijallahu anhu) kishte dalë jashtë. Talhaja (radijallahu anhu) e kishte parë dhe i qe vënë pas, ta ndiqte. E pa Omerin (radijallahu anhu) të hynte në një shtëpi, pastaj doli prej andej dhe hyri në një shtëpi tjetër. Në mëngjes, në të aguar, Talhaja (radijallahu anhu) shkoi në njërën prej atyre shtëpive. Atje gjeti një grua të moshuar të verbër, e cila nuk ngrihej dot nga vendi... E pyeti atë grua:
“Pse vjen këtu tek ti, çdo natë, ai burri që erdhi edhe mbrëmë?”
“U bë kohë e gjatë që vjen tek unë, më ndihmon me ndonjë nevojë që mund të kem, pastron dhe më jep ujë për të pirë dhe largohet.”, – u përgjigj e moshuara. Talhaja (radijallahu anhu) i dëgjoi ato fjalë të asaj gruaje dhe me vete u ankua: “Zoti të dhëntë të mira, o Talha, ty të mbeti të kërkosh se mos i gjen Omerit ndonjë të metë!”
“Vlerësimi i sjelljeve nga dukja e tyre”
Abdullah bin Utbe bin Mesudi (radijallahu anhu) transmeton: “Unë e kam dëgjuar vetë Omerin (radijallahu anhu) kur ka thënë:
“Kur ishte gjallë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), të fshehtat e njerëzve deshifroheshin dhe zbuloheshin nga ajetet e zbritura. Tanimë shpallja reshti, nuk do të zbriten më ajete dhe ne jemi të detyruar të veprojmë me njëri-tjetrin sipas veprave të gjithsecilit. Ata, punët e të cilëve i konsiderojmë të mira, do t’i pranojmë si të besueshëm, e do t’i mbajmë pranë. Nuk na intereson shumë gjendja e tyre shpirtërore, apo ajo e zemrës, sepse bota e brendshme i përketvetëm Allahut. Kurse ata që sillen keq, edhe pse mund të pretendojnë se e kanë zemrën të pastër, nuk u besojmë; nuk mbështetemi tek ta!”
Kur udhëheqësi i shtetit inspekton drejtuesit që ka emëruar
Tregon Tausi (radijallahu anh): Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) u tha atyre që kishte përreth:
“A quhet që e kam kryer mirë detyrën time dhe e kam përmbushur të tërë përgjegjësinë time mbi ju, nëse mbi ju do të zgjedh atë që e njoh si më të mirin dhe i urdhëroj që të jetë sa më i drejtë karshi jush? Si mendoni?”
“Po, ti quhesh se e ke kryer më së miri atë që duhej të bëje.”, – thanë ata.
“Jo! Unë kurrsesi nuk mund të konsiderohem se e kam kryer më së miri detyrën time, nëse nuk i inspektoj ata vazhdimisht, sesi i zbatojnë ata urdhrat e mi, i zbatojnë, apo nuk i zbatojnë ata!”, – tha
ai.
Dërgimi i ushtarëve në krye të detyrës me turne, me afat të caktuar
Abdullah bin Ka’b bin Malik el-Ensari tregon: “Në frontin e Iranit ishte edhe një ushtri e përbërë nga ensarët dhe komandantët e tyre. Omeri (radijallahu anhu), çdo vit i tërhiqte mbrapsht ata ushtarë dhe, në vend të tyre, dërgonte të tjerë. Megjithatë, njëherë, kishte ardhur koha e ndërrimit të turnit, mirëpo ai nuk pati gjetur kohë për të bërë zëvendësimet e nevojshme. Andaj, ushtria, e mësuar me këtë rregull, u kthye vetë. Omeri (radijallahu anhu) u nevrikos shumë me komandantin e tyre. Megjithëse ata ishin sahabë të të Dërguarit të Allahut, ai i kërcënoi duke u thënë se për këtë do të ndëshkoheshin. Ndërsa ata iu përgjigjën:
“Ti na harrove. Nuk iu binde urdhrit të Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që luftëtarët të ndërrohen vazhdimisht, me turne!”
16. UDHËHEQËSI I SHTETIT MBRON POPULLIN E TIJ NDAJ RREZIKUT QË I KANOSET
Një ngjarje e ndodhur mes Omerit (r.a.) dhe
Ebu Ubejde bin Xherrahut kur në Amuas u përhap murtaja
Ebu Musai tregon: “Kalifi Omer (radijallahu anhu) mori vesh që në Siri ishte shfaqur sëmundja e murtajës dhe i shkroi menjëherë një letër Ebu Ubejde bin Xherrahut, në të cilën i thoshte:
“Kam nevojë për ty, duhet të takohemi sa më parë! Nëse e merr këtë letër në darkë, nisu në mëngjes, pa aguar, nëse e merr në mëngjes, atëherë nisu ende pa rënë nata! Të urdhëroj!” Ebu Ubejdeja e mori letrën dhe tha:
“E kuptova, kalifi paska nevojë për mua. Mesa duket do të shpëtojë një njeri, vdekja e të cilit është e pashmangshme!”, – dhe i shkroi atij një letër:
“Unë jam në krye të një ushtrie myslimane, e nuk i lë dot vetëm ata, ndaj më lër të qëndroj këtu me ushtarët e mi. E kuptova mirë edhe se cila ishte nevoja që të ka shtyrë të më kërkosh me kaq nxitim. Ti do të mbash në jetë një njeri, vdekja e të cilit është e pashmangshme. Ndaj, kur ta marrësh këtë letër, tërhiqe urdhrin e dhënë dhe më lejo të qëndroj këtu.”
Omeri (radijallahu anh), kur e lexoi letrën që i kishte dërguar Ebu Ubejdeja, filloi të qajë me ngashërim. Një prej atyre që i gjendeshin pranë e pyeti:
“Çfarë ka ndodhur? Mos ka vdekur Ebu Ubejdeja?”
“Jo, nuk ka vdekur, por sikur të kishte vdekur më ka shkruar!”, – tha Omeri (radijallahu anhu).
Ebu Ubejdes ai i shkroi edhe një letër të dytë, në të cilën i thoshte:
“Tokat e Jordanisë kanë shumë lagështirë, janë moçalishte, e janë vende më se të përshtatshme për t’u kapur nga murtaja. Tokat e Xhabijes janë të pastra dhe ndodhen shumë larg territorit të pushtuar nga murtaja, merri muhaxhirët dhe zhvendosuni atje!” Ebu Ubejdeja, kur e lexoi atë letër, tha:
“Tani po, tani do t’ia dëgjojmë fjalën Prijësit të Besimtarëve! Si të na urdhërojë ai!”
Ebu Musai thotë se: “Ebu Ubejdeja më urdhëroi mua që t’i hipja kafshës së rrugës dhe t’i transferoja njerëzit drejt Xhabijes. Mirëpo, bash në atë kohë ndodhi që gruan time e zuri murtaja. Njoftova Ebu Ubejden dhe ai filloi të merret vetë me zhvendosjen e ushtarëve. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe murtaja e zuri edhe atë, derisa një ditë vdiq. Pas vdekjes së tij, murtaja nuk qe më aq e fortë si në fillim.”
Ebu’l-Muexhihu thotë se: “Ka gjasa që ushtria e komanduar prej Ebu Ubejdes të ketë qenë diku te tridhjetegjashtë mijë ushtarë. Tridhjetë mijë prej tyre vdiqën nga murtaja dhe vetëm gjashtë mijë arritën të shpëtonin.”
Udhëheqësi i shtetit duhet të jetë i dhembshur
Tregon Ebu Xhaferi (radijallahu anhu): “Ebu Usejdi seç kishte prurë disa robër lufte nga Bahrejni dhe i solli ata te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Kur i Dërguari Fisnik pa që një grua prej atyre robërve po qante, e pyeti:
“Pse qan?”
“Ai njeri ma shiti djalin.”, – u përgjigj ajo. Atëherë, i Dërguari i Allahut u drejtua nga Ebu Usejdi dhe i tha:
“E vërtetë është kjo, a e ke shitur ti djalin e saj?”
“Po!”, – iu përgjigj Ebu Usejdi.
“E kujt ia shite?”
“Ua shita bijve të Absit.”
“Ti, tani, do t’i hipësh kësaj kafshe, do të shkosh që tani të marrësh djalin e saj, dhe do ta sjellësh atë menjëherë këtu!”, – urdhëroi i Dërguari i Allahut.
Tregon Ebu Osman en-Nehdiu: “Omeri (radijallahu anhu) kishte caktuar me detyrë një burrë nga fisi i Beni Esedit. Ai njeri pati ardhur tek Omeri (radijallahu anhu), për të marrë dokumentin që dëshmonte marrjen e detyrës në ngarkim. Bash në atë çast, tek Omeri (radijallahu anhu) erdhi edhe njëri prej fëmijëve të tij. Omeri (radijallahu anhu) e puthi atë fëmijë dhe ky i tha:
“O Prijësi i Besimtarëve! Ti po e puth atë!? Uallahi, unë kurrë nuk kam puthur ndonjë fëmijë!”
“Nëse është kështu, uallahi, ty duhet të të mungojë edhe mëshira ndaj njerëzve, kështu që po e tërheq mbrapsht urdhrin e emërimit tënd. Këtej e tutje ti nuk mund të jesh më nëpunësi im!”, – tha Omeri (radijallahu anhu). Dhe ai burrë e dorëzoi mbrapsht pusullën që kishte marrë nga duart e vetë kalifit. Në një përcjellje tjetër të kësaj ngjarjeje thuhet se Omeri (radijallahu anhu) i ka thënë atij njeriu:
“Ç’faj kam unë se në zemrën tënde nuk ka mbetur më pikë mëshire? Allahu nuk mëshiron veçse robërit e Tij që janë të mëshirshëm. Ti nuk arrin dot të tregohesh i mëshirshëm as me fëmijën tënd, si do të tregohesh i mëshirshëm ndaj njerëzisë?”, – dhe, sakaq, e liroi nga detyra aty për aty.
17. DREJTËSIA E TË DËRGUARIT FISNIK DHE E SAHABËVE TË TIJ
Drejtësia e Profetit tonë të nderuar
Ja se si e tregon Urueja: “Atë vit që u ngadhënjye mbi Mekën, një grua nga fisi i Beni Mahzumit kishte bërë një vjedhje. Për këtë arsye, fisi i asaj gruaje pati shkuar menjëherë tek Usame bin Zejdi (radijallahu anhu), për t’i kërkuar ndihmë që të hynte si ndërmjetës te Profeti ynë dhe ajo grua të shpëtonte. Megjithatë, Usameja (radijallahu anhu) ia bëri të ditura të gjitha të Dërguarit të Allahut dhe fytyra e të Dërguarit të Allahut ndryshoi në vend. Ai e kundërshtoi Usamen:
“Usame! Ti ke ardhur tek unë të më kërkosh të fal një prej dënimeve që i ka caktuar vetë Allahu, si mund të më kërkosh mua ndihmë për diçka të këtillë?”
“Të kërkoj ndjesë. Lutjuni Allahut që të më falë, o i Dërguari i Allahut!”, – tha Usameja (radijallahu anhu).
Ndaj muzgu Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u çua dhe pasi e lëvdoi Allahun dhe e përgëzoi me shumë e shumë cilësi të epërme, që i takojnë vetëm e vetëm Allahut, foli këto fjalë:
“Shkaku pse u shkatërruan popujt e tjerë përpara jush është ky: nëse ndonjë njeri i nderuar e i fisëm ndër ta kryente ndonjë vjedhje, ata e linin të lirë atë. Dënimin e merituar e zbatonin vetëm për njerëzit pa njeri dhe të dobët. Unë i betohem Allahut, se sikur edhe Fatimja, e bija e Muhamedit, të bëjë ndonjë vjedhje, unë po njësoj do ta dënoja atë.” Mandej, Resulullahu kërkoi që ta sillnin aty atë grua dhe zbatoi vendimin e përcaktuar për të. Që prej asaj dite ajo grua u pendua thellë, madje edhe u martua. Aishja (radijallahu anha) thotë se: “Ajo grua vinte shpesh tek unë. Dhe unë i thosha të Dërguarit Fisnik për çdo nevojë që ajo më shprehte.”
Një transmetim për Ebu Kataden në lidhje me këtë çështje
Tregon Ebu Katadeja (radijallahu anhu): Ishim nisur, bashkë me Profetin tonë të nderuar, për në Hunejn, të luftonim. Kur u përballëm fillimisht me idhujtarët, myslimanët filluan të tërhiqen dhe, në atë çast pashë se një idhujtar sulmoi njërin prej tanëve. E godita menjëherë në shpinë me shpatë dhe mburoja e tij u copëtua. Ai njeri u kthye dhe filloi të më sulmojë mua dhe më mbërtheu e më shtrëngoi aq shumë, saqë mendova se aty do të vdisja. Mirëpo, nuk kaloi as një çast i vetëm, kur atij njeriu i erdhi exheli dhe vdiq në vend, vetëm në këtë mënyrë arrita të shpëtoj. Renda menjëherë e shkova tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i thashë:
“Ç’bëhet kështu? Njerëzit janë në gjendje shumë të vështirë.”
“Është urdhri i Allahut.”, – m’u përgjigj Omeri (radijallahu anhu).
Pas kësaj fjale të Omerit (radijallahu anhu), ushtarët myslimanë u mblodhën sërish dhe falë një strategjie të re, luftën e fituan ata dhe jo armiqtë e Allahut. Pas fitores, i Dërguari i Allahut u ul dhe tha:
“Kush vret ndonjërin dhe arrin të sjellë dëshmitar për atë që ka vrarë, plaçka personale e të vrarit i takon atij që e ka vrarë atë.” - Me të dëgjuar ato fjalë të të Dërguarit të Allahut u çova dhe thashë:
“Kush do të dëshmojë për mua?”, – dhe u ula në vend. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i përsëriti disa herë ato fjalë. Edhe unë u çova sa herë që foli ai dhe i pyeta besimtarët:
“Kush do të dalë dëshmitar për mua?” Resulullahu përsëriti të njëjtat fjalë, bëra të çohesha prapë, kur Profeti ynë tha:
“Po ti çfarë ke kështu, o Ebu Katade?” E unë ia shpjegova pse po këmbëngulja. Dikush tjetër u ngrit dhe tha:
“Ebu Katadeja thotë të vërtetën, ja, i kam unë këtu plaçkat personale të atij idhujtari. Merre pëlqimin e tij edhe në emrin tim, që këto sende t’i mbaj unë.” Në fjalë e sipër ndërhyri edhe Ebu Bekri, i cili tha:
“Jo, punë që nuk bëhet, uallahi! Nëse i Dërguari i Allahut t’i jep ty plaçkat e gjithë ç’mbante mbi trup ai idhujtar, kjo do të jetë një padrejtësi e hapur ndaj të gjithë luftëtarëve që luftojnë në rrugën e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij!”
“Ebu Bekri ka të drejtë. Ti duhet t’ia japësh Ebu Katades sendet e atij idhujtari të vrarë!” Kështu, ai burrë u ngrit dhe m’i dorëzoi mua ato sende që kishte mbledhur. Me to unë bleva një kopsht hurmash në tokat e fisit të Beni Selemes. Kjo ishte pasuria ime e parë qëkurse pranova fenë islame dhe u bëra mysliman.”
Një ngjarje e vërtetë që ka ndodhur mes Abdullah bin Ebi Hadredit dhe një hebreu
Abdullah bin Ebi Hadred el-Eslemiu (radijallahu anhu) tregon: “Unë i kisha një hebreu një borxh prej katër dërhemësh. Ai shkoi te Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) të ankohej për borxhin tim, duke i thënë:
“O Muhamed! Aksh njeri më ka katër dërhemë për të më dhënë, e nuk m’i jep; duhet të më ndihmosh, që ai të bindet, e të m’i japë.”
“Jepi këtij njeriu atë që është e tija.”, – më tha mua i Dërguari i Allahut.
“Unë i betohem Atij që të dërgoi ty me fenë e së vërtetës, se unë tani nuk kam që t’ia kthej ato katër dërhemë këtij njeriu.”, – i thashë unë.
“Jepi çfarë i takon.”, – më tha sërish i Dërguari i Allahut.
“I betohem Allahut që e ka në dorë jetën time, nuk kam fuqi t’ia paguaj tani! I thashë, që ti do të na dërgosh në Hajber dhe kam shumë shpresë se do të mund të fitoj ndonjë gjë prej andej dhe një t’u kthyer prej Hajberit, do t’ia paguaj.”, – iu përgjigja unë. Mirëpo, i Dërguari i Allahut e përsëriti për herë të tretë:
“Jepi këtij njeriu atë që i takon.”, – dhe, kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e thoshte një fjalë tri herë, ajo çështje ishte e mbyllur. Ai që e përcjell këtë ndodhi, thotë se: “Paskëtaj Abdullahu doli në çarshi. Në krye mbante një çallmë, ndërsa në trup kishte një veshje që e përdorte edhe si petk. E hoqi çallmën nga koka, e zgjidhi dhe e lidhi pas belit. Hoqi edhe veshjen dhe ia drejtoi atij hebreu:
“Të të jap këtë veshje.” Dhe, ai hebre e mori atë veshje për katër dërhemë. Në atë kohë, një grua e moshuar, që e pa Abdullahun në atë gjendje, iu afrua atij dhe i tha:
“O shoku i të Dërguarit të Allahut, ç’je katandisur në këtë gjendje?” E ai i tregoi se çfarë i kishte ndodhur. Ajo grua i tha:
“Urdhëro, merr këtë veshjen time.”, – e sakaq ia dhuroi atij veshjen e saj, duke ia hedhur mbi supe.
Një ngjarje e përjetuar nga dy ensarë
Tregon Umu Selemeja (radijallahu anha): “Dy vetë nga ensarët erdhën tek i Dërguari i Allahut dhe i thanë se nuk po merreshin dot vesh me njëri-tjetrin lidhur me një çështje trashëgimie. Kishte kaluar një kohë shumë e gjatë dhe asnjëri prej tyre nuk kishte dëshmitarë. Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tha atyre:
“Ju, të dy, keni ardhur tek unë dhe po më thoni se akuzoni njëri-tjetrin, duke mbrojtur secili veten. E unë, për ato çështje që nuk më është zbritur kurrfarë shpalljeje hyjnore, nuk mund të vendos vetëm se sipas mendimit e gjykimit tim personal. Nëse unë vendos për ty, duke i pranuar si prova të gjitha ato që pretendoni ju, për t’ia marrë vëllait atë pasuri, unë them se, në asnjë mënyrë të mos ia marrësh! Sepse, duke i dhënë atë pjesë unë do t’i kem dhënë atij një masë zjarri të marrë prej zjarrit të Xhehenemit. Ai që rrëmben pjesën që i takon vëllait të tij, në ditën e Kiametit do të ringjallet me atë copë zjarri të varur në qafë!” Këto fjalë i bënë të qanin ata dy vëllezër që ishin kthyer në armiq të njëri-tjetrit, ndaj ata të dy i thanë të Dërguarit të Allahut:
“O Resulallah, le ta marrë ai edhe pjesën time.” Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu përgjigj duke u thënë:
“Nëse thoni kështu, atëherë shkoni, kërkoni mirë e mirë se si qëndron e vërteta dhe pastaj ndajeni mes veti duke e hedhur në short. Bëjani njëri-tjetrit hallall, nëse i keni hyrë në pjesë vëllai vëllait.”
Historia e një beduini
Tregon Ebu Saidi (radijallahu anhu): “Një beduin erdhi te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i kërkoi atij atë që i detyrohej. U soll mbarë e prapë me të Dërguarin e Allahut dhe i tha:
“Do të ma paguash menjëherë tani borxhin që më ke.”
“Turp të të vijë, a e di ti se me kë je duke folur?”, – u hodhën e i thanë sahabët atij njeriu.
“Unë dua atë që më takon.”, – u përgjigj beduini, madje dukej që këmbëngulte për këtë.
“Po ju, a nuk duhet të ishit në anën e atij që kërkon të drejtën e tij?”, – i pyeti i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) sahabët e tij dhe i dërgoi fjalë Haule binti Kajsit:
“Nëse ke ndonjë hurmë me vete, a m’i huan mua, e t’i paguaj kur të na vijnë hurma të tjera?”
“Kam, o Resulullah, kurban t’u bëfshin ty nëna dhe babai im.”, – ktheu përgjigje Hauleja, duke i dhënë Profetit tonë të nderuar aq hurma borxh sa donte. Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i dha atij beduini hakun, duke e ngopur me hurma. Atëherë, ai beduin që kishte për të marrë prej të Dërguarit të Allahut, i tha atij a.s.:
“Ti e pagove të gjithë borxhin, ndaj edhe ty Allahu mos të lëntë kurrë pa të dhënë me tepri.” Pas kësaj çështjeje i Dërguari i Allahut tha:
“Ata që i paguajnë borxhet janë më të mirët ndër të gjithë njerëzit. Nuk mund të jetë popull i pastër një popull ku të dobëtit dhe të pafuqishmit e kanë të pamundur të marrin atë që u takon dhe është e tyrja, pa vuajtur e pa u ofenduar.”
Drejtësia e Ebu Bekrit (r.a.)
Tregon Abdullah bin Amr bin Asi (radijallahu anhu): “Një dite të premte Ebu Bekri (radijallahu anhu) iu drejtua besimtarëve që ishin mbledhur në xhami dhe u tha:
“Nesër, që në mëngjes, të sillni devetë e zekatit, që t’ua ndajmë njerëzve. Mirëpo, asnjëri të mos vijë tek unë pa marrë njëherë leje!” Një grua, që i dëgjoi këto fjalë, pyeti të shoqin: “O burrë, merri këta frerë, ku i dihet, ndoshta Allahu na fal edhe ne ndonjë deve.” Kur erdhi ai burrë, Ebu Bekri dhe Omeri (radijallahu anhuma) kishin hyrë në vendin ku gjendeshin devetë. Nga pas, aty hyri edhe ai. Ebu Bekri e pa dhe e pyeti:
“Kush të dha leje të hyje këtu?”, – dhe i mori frerët dhe me to e fshikulloi dy herë atë njeri. Pasi u ndanë devetë, Ebu Bekri (radijallahu anhu) e thirri pranë vetes atë burrë, i dorëzoi frerët dhe i tha: - “Zgjidh devenë që do, merre dhe shko.”
“Uallahi, kjo është punë që nuk bëhet, Ebu Bekr!”, – u hodh e tha Omeri (radijallahu anhu).
Atëherë, kalifi i Profetit tonë, Ebu Bekri (radijallahu anhu) tha:
“Unë e rraha pa të drejtë atë njeri; kush do të më shpëtojë mua nga ndëshkimi i Allahut në ditën e Kiametit?”
“Po mirë, nëse është kështu, atëherë fitoja zemrën atij njeriu.”
Pas kësaj bisede mes Ebu Bekrit dhe Omerit (radijallahu anhuma), Ebu Bekri i dha urdhër skllavit të tij që aty të sillte një deve të pajisur me të gjitha takëmet e nevojshme, një pëlhurë të kadifenjtë dhe pesë dinarë. Të gjitha i deshi për t’ia dhënë atij burri, që t’i fitonte zemrën e ai të mos mbetej i hidhëruar me kalifin e të Dërguarit të Allahut.”
Drejtësia e Omerit (r.a.)
Tregon Sha’biu: “Midis Omerit (radijallahu anhu) dhe Ubej bin Kabit kishte lindur një mosmarrëveshje. Omeri (radijallahu anhu) i propozoi atij, që të zgjidhnin dikë si gjykatës e të vendoste ai në mes tyre, se kush kishte të drejtë. Dhe, për këtë punë zgjodhën Zejd bin Thabitin. Shkuan tek ai, të vendoste ai mes tyre.
“Tek ti kemi ardhur, që të bësh drejtësi mes nesh.”, – i tha atij Omeri (radijallahu anhu). Në ato kohë, për të bërë drejtësi, shkohej në shtëpinë e atij që zgjidhej si gjykatës me pranimin e të dyja palëve. Kur dy hasmit hynë te Zejdi, ai u hapi atyre vend në minderin ku ishte ulur vetë dhe tha:
“Ulu këtu, o Prijësi i Besimtarëve.”
“Sapo e bëre padrejtësinë e parë, o Zejd! Unë do të ulem pranë hasmit tim.”, – tha Omeri (radijallahu anhu) dhe kështu, u ulën të dy pranë njëri-tjetrit, përballë Zejdit.
Ubej bin Ka’bi (radijallahu anhu) i tregoi atij se si qëndronte puna. Omeri (radijallahu anhu) i mohoi fjalët e tij. Sipas ligjit islam ai që mohonte ishte i detyruar të betohej, edhe pse Zejdi i tha Ubejit:
“Të mos e detyrojmë Prijësin e Besimtarëve të betohet.” Omeri (radijallahu anhu) u betua, duke thënë:
“Zejdi nuk gjykon dot asnjë çështje, derisa përballë Omerit të vijë një mysliman si Omeri.”
Biseda e Abasit (r.a.) me Omerin (r.a.) kur do të zgjeronin Xhaminë e Profetit
Tregon Zejd bin Eslemi (radijallahu anhu): “Xhaxhai i Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Abasi (radijallahu anhu) kishte një shtëpi shumë afër Xhamisë së Profetit. Omeri donte ta zgjeronte xhaminë, ndaj shkoi tek Abasi dhe i tha:
“Ma shit mua atë tokë.” Mirëpo, Abasi (radijallahu anhu) nuk deshi ta shesë.
“Atëherë, ma fal mua.”, – i tha atij Omeri (radijallahu anhu), por Abasi nuk e pranoi as këtë propozim.
“Po mirë, shtoja vetë xhamisë.”, – këmbënguli Omeri (radijallahu anhu), e prapë Abasi (radijallahu anhu) nuk pranoi.
“Kjo është e pamundur, je i detyruar të zgjedhësh një prej mundësive që të propozova unë.”, – i tha atij Omeri (radijallahu anhu), por Abasi (radijallahu anhu) nuk ia vuri veshin.
Për këtë arsye, Omeri i tha atij:
“Zgjidh dikë, që të bëjë gjyqësinë e kësaj pune.” Atëherë, Abasi zgjodhi si gjykatës Ubej bin Ka’bin. Ata shkuan tek Ubeji dhe i parashtroi secili mendimin e vet. Ubej bin Ka’bi i dëgjoi dhe atëherë, iu drejtua Omerit (radijallahu anhu) me fjalët:
“Ti nuk e nxjerr dot nga shtëpia këtë njeri, pa e bindur, duke e lënë të kënaqur!”
“Kur e more këtë vendim, ku u bazove, ke ndonjë argument që e gjete në librin e Allahut, apo në sunetin e Profetit?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu) Ubejin.
“U mbështeta te suneti i Resulullahut.”, – u përgjigj Kabi. – “Unë e kam dëgjuar vetë Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue
sel’lem), i cili ka thënë: “Kur Sulejmani, i biri i Daudit (alejhimas’selam) po ndërtonte Kudsin, çdo mëngjes e gjenin të shndërruar në rrënoja murin që kishin ndërtuar një ditë më parë. Allahu i Drejtë i shpalli Sulejmanit (alejhis’selam): - “Mos ndërto gjë aty pa pasur fillimisht pëlqimin e atij që është i zoti i asaj toke.” Mjaftoi ky hadith që u përcolli Ubeji, që Omeri (radijallahu anhu) ta linte të qetë Abasin (radijallahu anhu). Në fund, edhe Abasi e dhuroi vetë me gjithë zemër shtëpinë, që ajo t’i shtohej tokës së xhamisë, e kështu u zgjerua edhe xhamia e Krenarisë së Njerëzimit.”105
Kalifi Omer ndëshkon djalin e tij, Abdurrahmanin
Tregon Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Vëllai im, Abdurrahmani, me Ukbe bin Harithin, të cilin të gjithë e thërrisnin Ebu Seruea, kur kishin qenë në Egjipt, në kohën e kalifatit të Omerit (radijallahu anhu), ishin ndalur diku dhe kishin pirë gjersa ishin dehur të dy. Në të gdhirë, ata patën shkuar vetë tek Amr bin Asi, sepse ai ishte udhëheqës i Egjiptit asokohe dhe i patën thënë:
“Na ndëshko ashtu siç e urdhëron feja jonë, e na pastro nga kjo ndyrësi; sepse ne pimë derisa u dehëm.” Vëllai im, Abdurrahmani, më pati treguar edhe mua se si ishin dehur dhe unë i pata thënë:
“Hyr brenda në shtëpi, do të ta jap unë dënimin sipas ligjit islam, që të shpëtosh nga pesha e mëkatit.” Por nuk e dija që ata kishin shkuar tek Amr bin Asi. Më vonë, këtë ma tha vetë Amr bin Asi. Unë i thashë atij:
“Eja, mos e qeth kokën përjashta, në sy të të gjithëve, të qeth unë brenda në shtëpi.”, sepse, në atë kohë, përpos ndëshkimit që parashikonte ligji, atij që kishte gabuar i qethej floku. Vëllanë e qetha unë. Mandej, Amr bin Asi i ndëshkoi ata sipas ligjit islam.
Nuk kaloi shumë kohë dhe kjo që kishte ndodhur shkoi edhe në vesh të Omerit (radijallahu anhu). Ai i dërgoi fjalë Amr bin Asit:
“Ta hipësh menjëherë mbi një deve me barrë e ta nisësh për tek unë!” E ai kështu bëri, siç i kishte kërkuar Prijësi i Besimtarëve. Kur mbërriti Abdurrahmani tek ai, Omeri (radijallahu anhu) e dënoi, pastaj
105 8/532 (23095).
e ktheu prapë në Egjipt. Vëllai im, Abdurrahmani, jetoi në Egjipt edhe për ndonjë muaj shëndoshë e mirë, pastaj i erdhi exheli dhe vdiq. Njerëzit filluan të mendonin se ai vdiq nga dënimi që i kishte dhënë Omeri; por kjo nuk ishte e vërtetë. Kjo është e vërteta, ai vdiq me exhelin e vet.
Omeri (r.a.) dhe një grua që kish humbur të shoqin
Tregon Hasan Basriu: “Brenda ishte një grua që nuk e kishte të shoqin. Seç hynin vazhdimisht ca njerëz në shtëpinë e saj. Omerit (radijallahu anhu) nuk i pëlqeu aspak kjo gjë, ndaj i dërgoi asaj fjalë që të vinte tek ai.
“Të kërkon Omeri.”, – i thanë.
“O Zot, ç’punë ka Omeri me mua?”, – u shqetësua ajo. Teksa po ecte rrugës për të shkuar te kalifi, nga frika dhe shqetësimi asaj i nisën të prerat e lindjes. E futën menjëherë në një shtëpi, mirëpo fëmija i saj dështoi. Fëmija klithi dy herë në të qara, pastaj dha shpirt e vdiq. Omeri (radijallahu anhu) u këshillua me sahabët më të afërt të Profetit tonë. Disa i thoshin:
“Ti nuk je i detyruar të bësh asgjë. Ti je një udhëheqës dhe je edhe komandanti i të gjithëve, që përpiqesh t’i edukosh besimtarët.” Mirëpo aty ishte edhe Aliu (radijallahu anhu), i cili rrinte i heshtur, nuk thoshte asnjë fjalë. Omeri (radijallahu anhu) iu drejtua edhe atij duke e pyetur:
“O Ali, po ti si mendon?”
“Edhe pse të gjithë ta dhanë një mendim, unë mendoj se ajo që të thanë ata është e gabuar! Veç kësaj ata folën siç do të ta kishte ënda ty, por nuk të dhanë këshillë të mirë e nuk të këshilluan më të mirën. Unë jam i mendimit, se ti ke hyrë në gjakun e atij fëmije, sepse ti e tromakse atë grua dhe ajo e dështoi foshnjën për fajin tënd.”, – tha Aliu (radijallahu anhu).
Pasi e dëgjoi fjalën e Aliut, Omeri (radijallahu anhu) ia ngarkoi kurejshëve dietën e gjakut të atij fëmije dhe caktoi Aliun (radijallahu anhu) të merrej me mbledhjen e pjesës që duhet të jepte secili, sepse ajo vrasje kishte ndodhur pa dashje. Prandaj, dieta e gjakut i ngarkohej fisit të atij që e kishte shkaktuar vdekjen.”107
Çfarë u thoshte Omeri (r.a.) besimtarëve që vinin në haxh për valitë
Tregon Ataja (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anhu) i urdhëronte valitë e tij që të vinin tek ai në kohën e haxhit dhe kur zinin të mblidheshin njerëzit ata u thoshin njerëzve:
“O njerëz! Unë valitë nuk i kam dërguar që t’ju rrahin, t’ju rrëmbejnë pasurinë e plaçkën, apo që t’ju nëpërkëmbin nderin. Unë i dërgoj ata që të vendosin rendin dhe të krijojnë harmoni në shoqëritë tuaja, si dhe që t’ju ndajnë plaçkën e luftës me drejtësi. Nëse ka ndonjë këtu, valiu i të cilit nuk është sjellë kështu, të çohet e të flasë.”
Kështu kishte ndodhur gjatë një viti, ishin mbledhur njerëzit dhe ai i pati pyetur, nëse kishin apo jo ndonjë ankesë për drejtuesit e tyre. Ndërkaq, u çua një burrë dhe tha:
“O Prijësi i Besimtarëve, valiu që ti na ke caktuar mua më ndëshkoi me njëqind fshikullime kamxhikë.” Omeri (radijallahu anhu) u kthye nga valiu, të cilit i drejtohej kjo ankesë dhe e pyeti:
“Pse e ke rrahur këtë njeri?”, – dhe, pasi e qortoi mirë e mirë, i tha të ankuarit:
“Çohu dhe ktheja me të njëjtën monedhë.” Kur dha këtë vendim Omeri (radijallahu anhu), Amr bin Asi u ngrit në këmbë dhe tha:
“O Prijësi i Besimtarëve, nëse e bën këtë, atëherë ankesat do të shtohen pa masë. Kjo do të kthehet në një zakon edhe për ata që do të vijnë pas teje.” Omeri (radijallahu anhu) tha:
“Si të mos vendos që ky njeri të përgjigjet me të njëjtën monedhë, kur unë kam parë vetë të Dërguarin e Allahut që e ka zbatuar edhe për vete këtë mënyrë, kjo nuk bën vaki.”
“Atëherë na e lër neve atë njeri, dimë ne si ta bindim e ta kënaqim atë njeri.”, – tha Amri.
107 15/146 (40201).
“Në rregull, po jua lë juve, fitojani zemrën e lëreni të kënaqur.”, – u tha Omeri (radijallahu anhu) Amrit dhe të tjerëve.
Menjëherë, ata i paguan atij njeriu një shpagim prej dy dinarësh për çdo fshikullim kamxhiku që kishte ngrënë, duke e lënë të kënaqur me plot dyqind dinarë.”
Historia e të birit të Amr bin Asit me një egjiptian
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Një egjiptian erdhi tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i tha:
“O Prijësi i Besimtarëve, kam ardhur tek ti, që të më mbrosh nga padrejtësia që më është bërë.”
“Ti erdhe të kërkosh mbrojtje në strehën më të sigurt!”, – iu përgjigj atij Omeri (radijallahu anhu).
“Ne bëmë një garë me djalin e Amr bin Asit dhe unë ia kalova. Djali i Amr bin Asit më tha mua:
“Unë jam fisnik e bir fisniku, si nga nëna, ashtu edhe nga babai!”, – dhe më rrahu, – iu ankua ai Prijësit të Besimtarëve.
Omeri (radijallahu anhu) i shkroi një letër Amr bin Asit, në të cilën i thoshte që të merrte edhe të birin e të vinin pranë tij, në Medinë. Amri erdhi pak më vonë.
“Ku është ai djali nga Egjipti?”, – pyeti Omeri (radijallahu anhu).
“Merre këtë kërbaç dhe qëlloje tani, njësoj siç të qëlloi ai ty.”, – i tha djaloshit nga Egjipti, kur e sollën përpara tij.
Djaloshi nga Egjipti e mori kërbaçin dhe filloi të qëllojë mbi djalin e Amr bin Asit.
“Bjeri mirë të birit të dy prindërve të pagdhendur.”, – i thoshte Omeri (radijallahu anhu). Ju betohem tek Allahu, se ai djalë nga Egjipti e rrahu mirë të birin e Amrit; ç’është e vërteta, edhe ne na u bë qejfi. Ai e rrahu atë, derisa ne i thamë ‘mjaft’. Mandej, Omeri (radijallahu anhu) i tha atij djali nga Egjipti:
“Tani merre kamxhikun dhe fshikullo kokën qerose të Amrit!”, – dhe u kthye nga Amri dhe e qortoi me fjalët:
“Sa shpejt që i skllavëruat njerëzit e lindur nga nëna të lirë?”
“O Prijësi i Besimtarëve, nuk e dija; ai nuk erdhi tek unë të më tregojë!”, – ishin fjalët e vetme që tha Amr bin Asi (radijallahu anhu).
Omeri (r.a.) qorton valiun e Bahrejnit
Ja se si e tregon Jezid bin Ebi Mansuri: “Ibnu’l-Xharudi, valiu i Bahrejnit, kishte prova të sigurta se një person i quajtur ‘Erdijas’ kishte mbajtur korrespondencë me armiqtë e myslimanëve dhe se synonte të arratisej tek ata dhe e kishte vrarë atë. Kur po e vrisnin, Erdijasi pati bërtitur me sa të kishte në kokë:
“Ku je, Omer? Ku je, Omer, eja shpejt!” Kur mësoi se çfarë kishte ndodhur, Omeri i shkroi një letër valiut të Bahrejnit, në të cilën i bënte thirrje të shkonte menjëherë në Medinë. Omeri (radijallahu anhu) e priti atë me një heshtë në dorë. Ai shkoi tek Omeri (radijallahu anhu) dhe Omeri e priti me fjalët:
“Erdha, Erdijas! Erdha, Erdijas!”, – dhe një të ngritur i bëri heshtës dhe e goditi valiun në mjekër.
“O Prijësi i Besimtarëve! Ai njeri u kishte shkruar armiqve të myslimanëve, për t’u bërë të ditur të fshehtat e myslimanëve dhe kishte ndërmend të arratisej tek ata.”, – tha Ibnu’l Xharudi.
“Domethënë, ti e vrave atë se kishte ndërmend të kalonte në anën e armiqve, kështu hë? E kujt prej nesh nuk i shkon ndërmend të vrasë dikë! Po të mos ndruhesha se vrasja e valiut do të kthehet në zakon, ty do të të kisha vrarë unë tani!”, – iu hakërrye Omeri (radijallahu anhu).110
Si e tregon Zejd bin Uehbi të njëjtën ngjarje
“Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) kishte vënë duart te veshët dhe thoshte me vete:
“Ja, këtu jam! Ja, këtu jam!”, – dhe doli jashtë. Ata që gjendeshin aty filluan të pyesin:
“Çfarë e ka gjetur Omerin?” Një nga të afërmit e Omerit u tregoi se si qëndronte puna.
“I erdhi letër nga një prej komandantëve: ushtria e Islamit nuk e kishte kaluar dot një lumë, e nuk kishin gjetur dot as varka për të kaluar. Komandanti kishte thënë:
“Na gjeni dikë që e di thellësinë e këtij lumi.” E ata i kishin sjellë një burrë të moshuar. Ishte edhe shumë ftohtë. Edhe pse ai burrë i moshuar u kish thënë se kishte shumë frikë nga të ftohtët, komandanti e kishte futur në ujë me zor. Ai burrë i moshuar nuk e kishte duruar dot të ftohtin dhe ishte mbytur duke bërtitur:
“Ku je, o Omer?” Omeri (radijallahu anhu) me të marrë vesh për këtë që kishte ndodhur, i shkroi letër komandantit që të kthehej në Medinë. Omeri (radijallahu anhu) nuk i pa as në fytyrë besimtarët për disa ditë. Kështu bënte, sa herë që mërzitej me ndokënd. Ai e pyeti komandantin:
“Çfarë faji kishte bërë ai burrë, që e vratë?”
“O Prijësi i Besimtarëve, unë nuk desha ta vrisja. Nuk gjetëm dot asnjë mundësi për ta kaluar atë lumë, ndaj na duhej të mësonim se sa i thellë ishte. Veç kësaj, ne ngadhënjyem edhe në këto vende.”, – u justifikua komandanti.
“Për mua, jeta e një myslimani është më e çmuar se çdo gjë që mund të më sjellësh ti! Sikur të mos ndruhesha se kjo do të kthehej në rregull, apo zakon, do të ta kisha prerë kokën mu këtu në vend. Hajde, mu zhduk sysh tani dhe paguaju të afërmve të atij njeriu shpagimin e gjakut të tij. Hajde hiqmu sysh, të mos të shoh më!”, – ishin fjalët e fundit që tha Omeri (radijallahu anhu).”
Historia e Ebu Musa el-Esh’ariut me një burrë
E tregon Xheriri (radijallahu anhu): “Ushtria, me në krye Ebu Musa el-Esh’ariun (radijallahu anhu) si komandant pati fituar shumë
plaçkë lufte. Ndërsa po ndante plaçkën e luftës, një burri Ebu Musai nuk i dha sa duhej. Ai burrë këmbënguli që t’i jepnin aq sa ç’i takonte, Ebu Musai urdhëroi ta qëllonin atë njeri me njëzet kamxhikë dhe nuk u mjaftua me kaq, por urdhëroi dhe që t’ia qethnin kokën. Ai burrë e mblodhi gjithë flokun e rënë përtokë dhe shkoi tek Omeri (radijallahu anhu) dhe ia vuri flokun e tij përpara syve.
“Çfarë ke? Çfarë të ka ndodhur?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu) atë njeri. Dhe ai burrë i tregoi gjithë sa kishte ndodhur. Omeri (radijallahu anhu) i shkroi këtë letër Ebu Musait:
“Paqja e Zotit qoftë mbi ty! Filani i biri i Filanit më përcolli një ndodhi, që ju kish ndodhur kështu e kështu. Urdhri im është: nëse ato që i ke bërë këtij njeriu ia ke bërë në sy të të gjithëve, atëherë do të dalësh edhe ti përpara njerëzve, do të ulesh përpara këtij burri dhe ai do të të marrë hakun me urdhrin tim. Nëse e ke bërë diku në të fshehtë, ku nuk ka pasur njeri, atëherë edhe ti ulu në një vend ku nuk ka të tjerë, që ai të të marrë hakun e asaj që i ke bërë!”
Ebu Musai, me të lexuar letrën e ardhur nga kalifi i të Dërguarit të Allahut, u ul menjëherë që të zbatohej ndëshkimi me të njëjtën monedhë, por ai burrë u tërhoq duke thënë:
“Unë do ta fal Ebu Musain për hir të Allahut.”
Historia e Fijruz ed-Dejlemiut me një djalosh nga kurejshët
Harmauiu tregon: “Omeri (radijallahu anhu) i shkroi Fijruz edDejlemiut këtë letër:
“Me sa kam dëgjuar, të kanë rrëmbyer buka e bardhë dhe mjalti dhe ke filluar të mos dalësh më të luftosh në rrugën e Allahut! Kur të të mbërrijë kjo letër e imja, nisu me ndihmesën e Allahut dhe lufto në rrugën e Tij.”
Fijruzi, një të marrë atë letër u nis për në Medinë. Kërkoi leje për t’u takuar me Omerin (radijallahu anhu) dhe leja iu dha. Teksa po hynte të takohej me Omerin, në të hyrë e shtyu një djalosh nga kurejshët, i cili donte po ashtu të takohej me Omerin (radijallahu anhu). Sakaq, Fijruzi e goditi me shpullë atë djalë të ri. Djalit filloi t’i rrjedhë gjak nga hundët dhe siç ishte, ashtu, me gjak në fytyrë, u fut tek Omeri (radijallahu anhu). Omeri (radijallahu anhu)e pyeti:
“Kush ta bëri këtë?”
“Fijruzi më qëlloi.”, – tha i riu.
Fijruzi në atë kohë ishte te dera. I thanë të hynte brenda. Kur hyri, Omeri (radijallahu anhu) e priti me fjalët:
“Ç’është kjo kështu, Fijruz?”
“O Prijësi i Besimtarëve! Ne sapo dolëm nga sundimi mbretëror. Pikë së pari, ti më dërgove mua letër dhe jo këtij djaloshi. Së dyti, ti më dhe leje mua të hyj dhe jo atij. Mirëpo, ai nuk priti, por deshi të takohej me ty nëpërmjet lejes sime. Prandaj edhe i ndodhi ajo që i ndodhi.”, – u përgjigj Fijruzi.
“Atëherë do të të qëllojë edhe ai siç e qëllove ti.”, – tha Omeri (radijallahu anhu).
“Me të vërtetë?”
“Pa diskutim që po.”
Atëherë Fijruzi u ul në gjunjë. Ai i ri sapo u çua ta qëllojë Fijruzin, kur ndërhyri Omeri (radijallahu anhu):
“Ku shkon, djalosh! Dale njëherë, të të tregoj një hadith që e kam dëgjuar vetë nga goja e të Dërguarit të Allahut. Njëherë, në mëngjes, Resulullahu na tha: “Sonte u vra Esued el-Ansiu që gënjente e pretendonte se ishte profet. Atë e vrau një nga robërit më të mirë të Allahut, Fijruz ed-Dejlemiu!” A je ende i mendimit që të zbatosh ndëshkimin me të njëjtën monedhë ndaj Fijruzit edhe tani që dëgjove fjalët plot përgëzim të Profetit për të?”
“Në rregull,”, – u përgjigj djaloshi, – “e kam falur.”
“Po, tani që unë e pranova vetë fajin dhe ai më fali mua pa u detyruar nga askush, a quhet se unë kam shpëtuar nga barra e gabimit tim?”, – pyeti Fijruzi.
“Po!”, – iu përgjigj shkurt Omeri (radijallahu anhu).
“Megjithatë, të kam ty dëshmitar, unë po i fal këtij djaloshi shpatën time, kalin dhe tridhjetëmijë dërhemë nga pasuria ime.”, – tha Fijruzi.
“Ah mor vëllai im kurejsh! Ti e fale këtë njeri me shpresën që të ta shpërblejë Allahu, por more edhe një çmim shumë të mirë qysh në këtë botë!”, – i tha Omeri (radijallahu anhu) djalit të ri.”
Një robinjë dhe drejtësia e Omerit (r.a.)
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Një robinjë shkoi tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i tha:
“O prijësi ynë, zotëria im më akuzoi se kam bërë mëkat dhe më detyroi të ulesha mbi zjarr, ndaj jam djegur tërësisht në mes e poshtë.”
“Zotëria yt, e kishte parë me sytë e tij që ti kishe bërë mëkat?”, – e pyeti atë Omeri (radijallahu anhu).
“Jo!”, – u përgjigj ajo.
“Po, mirë, ti a pranove gjë që kishe bërë ndonjë mëkat?”
“Jo!”
“Atëherë, thirrmani të vijë tek unë ai njeri.”
Kur erdhi ai burrë, Omeri (radijallahu anhu) e pyeti:
“Domethënë ti ke filluar të ndëshkosh, duke përdorur dënimin e
Allahut, kështu hë?”
“O Prijësi i Besimtarëve, po unë kisha dyshime shumë të forta!”
“Domethënë nuk ke parë asgjë me sytë e tu, që kjo grua ka kryer mëkat?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu) atë burrë.
“Jo, nuk e kam parë.”
“Po ajo vetë, të pranoi se kishte bërë ndonjë mëkat?” - “Jo, ajo nuk pranoi asgjë.
“I betohem Allahut që e ka në dorë frymën time, se, po të mos kisha dëgjuar nga Resulullahu, se ‘zotërisë për skllavin e tij dhe babait për fëmijën e tij nuk i zbatohet ndëshkimi me të njëjtën monedhë’, do ta kisha urdhëruar këtë robinjë që të të ndëshkonte në të njëjtën mënyrë!”
Omeri (radijallahu anhu) e gjuajti atë burrë me njëqind kamxhikë. Ndërsa asaj robinje i tha:
“Ik tani, për hir të kënaqësisë së Allahut këtej e tutje je e lirë. Ti je e liruara e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij. Unë e kam dëgjuar vetë nga Resulullahu, kur ka thënë:
“Kushdo që vihet për t’u djegur në zjarr, apo gjymtohet nga i zoti (duke iu nxjerrë sytë, duke iu prerë veshët, apo duke iu prerë hunda) është menjëherë i lirë. Ai njeri quhet i liruar nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.”
Letra që i dërgon Omeri (r.a.) Ebu Ubejdes lidhur me vrasjen e një hebreu
E tregon Kasim bin Ebi Bezeja: “Në Siri, myslimanët vranë një hebre, të cilit i ishte dhënë garanci se nuk do ta prekte askush me dorë. Kjo ngjarje iu bë e ditur menjëherë edhe Ebu Ubejdes, i cili asokohe ishte vali i Sirisë. Ndërsa ai i shkroi menjëherë Omerit (radijallahu anhu). Omeri (radijallahu anhu) iu përgjigj duke i shkruar:
- “Nëse ai mysliman e ka kthyer vrasjen në një zakon të tijin, atëherë nxirre dhe vrite në sy të të gjithëve. Por, nëse e ka vrarë në nerva e sipër, atëherë jepi gjykimin që t’i paguajë katërmijë dinarë (ose dërhemë) familjes së të ndjerit.”
Omeri (r.a.)u shkruan letër komandantëve të tij, që të mos vrasin idhujtarë
Sipas fjalës së një personi nga Kufeja, Omeri (radijallahu anhu) i pati shkruar kështu njërit prej komandantëve tij, të cilin e kishte nisur në luftë:
“Me sa kam dëgjuar, disa prej jush u janë vënë pas adhuruesve të zjarrit; kurse ata janë arratisur maleve. Dhe, tani që nuk u ka mbetur më asnjë mundësi për t’i kapur, u japin garanci dhe u dërgojnë fjalë: “Mos kini frikë, nuk do t’ju bëjmë gjë.”, – dhe, një t’i kapur, i vrasin! Unë i betohem Allahut, se po dëgjova edhe njëherë se ndonjëri prej jush ka bërë diçka të këtillë, atë që do të gabojë kam për t’ia prerë kokën me duart e mia.”
Omeri (r.a.) dhe Hurmuzani, njëri prej komandantëve persë
Enes bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “Ne kishim rrethuar Tusterin. Njëri prej komandantëve persë zbriti dhe u dorëzua vetëm me kushtin që të merrte vendim Omeri (radijallahu anhu). Tek Omeri (radijallahu anhu)e çova unë. Omeri (radijallahu anh) i tha Hurmuzanit: - “Fol!”
“Si të flas, si dikush që do të vdesë pas pak, apo si një njeri që do të jetojë?”, – pyeti Hurmuzani.
“Fol, se ne nuk do të të bëjmë keq!”, – ia priti Omeri (radijallahu anhu).
“O arabë! Para se Allahu i Madhërishëm t’ju dërgonte juve një profet, ne gjithmonë ju kemi vrarë, ju kemi përdorur si skllevër dhe jua kemi rrëmbyer gjithë ç’keni pasur. Por, qëkurse Allahu ju dërgoi juve Profetin e Tij dhe u bë me ju, ne na janë prerë krahët fare.”
Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “Omeri (radijallahu anhu) më pyeti mua:
“Ç’të bëjmë me të, si mendon?
“O Prijësi i Besimtarëve, ti ke lënë pas një armik shumë të madh në numër. Nëse e vret atë njeri, atëherë pjesa tjetër që ka mbetur pas do ta humbasë çdo shpresë për jetën, kështu që nuk do t’u ngelet asgjë tjetër për të bërë, veçse të luftojnë.”, – i thashë unë. Por Omeri (radijallahu anhu) ma priti duke më thënë:
“Ç’po më thua, që unë do të ndruhem të vras dikë që ka vrarë dy sahabë nga më të mëdhenjtë, siç ishin Bera bin Maliku dhe Mixhzee bin Theuri?” Kisha frikë se Omeri (radijallahu anhu) do ta vriste Hurmuzanin, prandaj, edhe njëherë, i thashë:
“Nuk e vret dot; sepse i dhe garanci, i the ‘fol, nuk do të të ndodhë asgjë e keqe’.”
“Ç’të ka ndodhur kështu, mos të ka dhënë para që t’i dalësh në mbrojtje, mos të ka dhënë ryshfet?”, – më tha Omeri (radijallahu anhu).
“Uallahi, nuk kam marrë as ryshfet, as ndonjë gjë tjetër prej atij njeriu!”, – i thashë unë.
Në moment, Omeri (radijallahu anhu) u kthye nga unë dhe m’u kanos duke më thënë:
“Atëherë ti do të më sjellësh mua këtu një dëshmitar, që unë i dhashë garanci Hurmuzanit dhe i thashë: “Fol, se nuk do të të ndodhë asgjë e keqe.” Në të kundërt, do të të dënoj ty të parin!” Nuk kisha se ç’të bëja, dola të kërkoja dëshmitar. Në rrugë rastisa Zubejr bin Auamin, erdhi edhe ai me mua si dëshmitar, e vetëm ashtu arritëm që ta bindnim Omerin (radijallahu anhu), të hiqte dorë e të mos e vriste Hurmuzanin. Pas njëfarë kohe, edhe Hurmuzani u bë mysliman, madje ishte vetë Omeri (radijallahu anhu) që i caktoi edhe një pagë.”
Omeri (r.a.) i cakton pagë një hebreu
Abdullah bin Ebi Hadred el-Eslemiu (radijallahu anhu) tregon: “Njëherë, kur ne shkuam në Xhabije bashkë me Omerin (radijallahu anhu), atje pamë një të moshuar që ishte duke lypur. Omeri (radijallahu anhu) pyeti se kush ishte ai njeri.
“Është një hebre nevojtar i moshuar.”, – i thanë. Omeri (radijallahu anhu) ia hoqi menjëherë taksën që duhet të paguante. Ndërsa drejtuesve të Xhabijes u dha një qortim të mirë:
“Ju i patët vënë atij taksën e xhizjes kur ishte i shëndetshëm, ndërsa tani që e kanë lënë fuqitë e keni lënë të dalë e të lypë, apo jo?” Ndërsa atij burri të moshuar e nevojtar, megjithëse ai kishte njerëz që mund të kujdeseshin për të, nga thesari i lidhi një pension prej dhjetë dërhemësh.”
Omeri (r.a.) dhe një jomysliman
Tregon Jezid bin Ebi Maliku: “Në kohën që myslimanët ishin në Xhabije, atje pati ardhur edhe Omeri (radijallahu anhu). Tek Omeri (radijallahu anhu) pati ardhur një jomysliman, që t’i ankohej se ushtarët i kishin ngrënë rrushin. Omeri (radijallahu anhu) doli të kontrollojë. Dhe, kur njërit prej luftëtarëve i gjeti një vesh rrushi në duar, i tha: - “Edhe ti?”
“O Prijësi i Myslimanëve, isha shumë i uritur!”, – u përgjigj ai.
Paskëtaj Omeri (radijallahu anhu) dha urdhër që të zotit të vreshtit t’i paguhej vlera e rrushit që kishin marrë ushtarët myslimanë.”
Omeri (r.a.) gjykon një çështje mes një myslimani e një hebreu dhe i jep të drejtë hebreut
Said bin Musejebi tregon: “Një mysliman kishte një mosmarrëveshje me një hebre dhe, për t’i gjetur zgjidhje, ata erdhën të dy tek Omeri (radijallahu anhu), që të gjykonte ai se kush kishte të drejtë. Omeri (radijallahu anhu) e pa që në të drejtë ishte hebreu, ndaj vendosi menjëherë për të. Ai hebre tha:
“Uallahi, ti gjykove me drejtësi!” Omeri (radijallahu anhu) mori kërbaçin dhe gjuajti mbi hebreun dhe e pyeti:
“Nga e di ti që gjykova drejtë?” Hebreu i shushatur iu përgjigj:
“Uallahi, ne e kemi lexuar në Teurat: Kur një gjykatës gjykon drejtë, fjalën e tij e aprovojnë dy engjëj, një në të djathtë, një në të majtë të tij. Ata engjëj e ndihmojnë atë të dalë faqebardhë, për aq kohë sa ai vendos gjithmonë me drejtësi. E, nëse ndodh që gjykatësi të devijojë nga e drejta, atëherë, edhe ata engjëj e braktisin dhe e lënë vetëm atë.”
DREJTËSIA E OSMANIT (r.a.)
Një ndodhi e Osmanit (r.a.) me njërin prej skllevërve të tij Tregon Ebu’l-Furati: “Osmani (radijallahu anhu) kishte një skllav.
Një ditë, Prijësi i Besimtarëve, Osmani (radijallahu anhu) i tha skllavit të tij:
“Të kam tërhequr veshin njëherë, ndaj tani do të ma kthesh edhe ti po njësoj!” Skllavi e kapi Osmanin (radijallahu anhu) për veshi. Osmani (radijallahu anhu) i tha atij:
“Tërhiqe, përthyeje fort. Se nëse diçka kthehet me të njëjtën monedhë që në këtë botë, në ahiret nuk mbetet nevojë për t’u vënë drejtësia në të njëjtën mënyrë!”
Vendimi i drejtë i Osmanit (r.a.) për një pëllumb
Nafi bin Abdulharithi tregon: “Në Mekë kishte ardhur Omeri (radijallahu anhu). Të premten ai hyri në Daru’n-Nedue, sepse donte të ishte sa më afër Xhamisë së Shenjtë. Hoqi jelekun dhe e vari diku. Mbi jelek erdhi dhe ndaloi një pëllumb. Ai e trembi pëllumbin, se mos ia bënte pis jelekun. Afër pëllumbit ishte afruar një gjarpër, kështu që me vërtikun e pëllumbit gjarpri një të hedhur bëri, e pickoi pëllumbin dhe ai ngordhi. Teksa Omeri (radijallahu anhu) po u falte besimtarëve namazin e xhumasë, në faltore shkuam unë dhe Osmani (radijallahu anhu). Ai na tha neve:
“Dua që të vendosni për një gjë që kam bërë unë sot!”, – dhe na tregoi se çfarë i kishte ndodhur, duke na thënë:
“Në fakt, zogu ishte ulur në vend të sigurt, por e detyrova unë të zhvendosej dhe kur fluturoi u pickua nga gjarpri. U bëra shkak për ngordhjen e atij pëllumbi.” Aty unë ndërhyra dhe i thashë Osmanit (radijallahu anhu):
“Si thua, sikur të vendosim që Prijësi i Besimtarëve të presë kurban një dhi të murrme trevjeçare?”
“Po, mirë e ke gjetur, edhe unë i atij mendimi jam!”, – tha Osmani (radijallahu anhu). Kështu, Omeri (radijallahu anhu)kërkoi të therej një dhi e atillë, me ato cilësi siç e patëm përcaktuar ne.” DREJTËSIA E ALIUT (r.a.)
Aliu (r.a.) ndan plaçkën e ardhur prej Isfahanit
Tregon Kulejbi: “Aliut (radijallahu anhu) i kishte ardhur plaçkë lufte nga Isfahani. Ai e ndau atë në shtatë pjesë. Në mesin e asaj plaçke kishte edhe bukë të bardhë; edhe atë e ndau në shtatë pjesë dhe secilën pjesë e vuri mbi shtatë pjesët e plaçkës që kishte ndarë më parë. Pastaj thirri shtatë komandantët dhe ua dorëzoi plaçkën me short.”
Një bisedë e Aliut (r.a.) me një grua arabe
Ja se si e ka treguar këtë ndodhi Isa bin Abdullah el-Hashimiu:
Tek Aliu (radijallahu anhu) erdhën dy gra; njëra ishte arabe, kurse tjetra ishte robinja/shërbëtorja e saj. Donin që Aliu (radijallahu anhu) t’u jepte ndonjë gjë dhe ai u dha secilës nga gjashtëdhjetë masa grurë dhe nga dyzet dërhemë në vlerë paraje. Shërbëtorja i mori ato që iu dhanë dhe iku, kurse gruaja tjetër i tha:
“Po edhe mua, aq sa ç’i dhe shërbëtores sime më dhe, o Prijësi i Besimtarëve? Po unë jam grua arabe, ndërsa ajo është një shërbëtore!” Aliu (radijallahu anhu) e dëgjoi atë grua dhe i tha:
“Unë e kam lexuar Kur’anin me kujdes; askund nuk hasa në ndonjë shenjë që ata që kanë ardhur nga soji i profetit Ismail janë më të lartë sesa ata që kanë ardhur nga soji i profetit Is’hak!”
Një dialog mes Aliut (r.a.) dhe Xha’de bin Hubejres
Tregon Ali bin Rabia: “Xha’de bin Hubejre erdhi pranë Aliut (radijallahu anhu) dhe i tha: “O Prijësi i Besimtarëve! Tek ti po vjen një njeri që të do më shumë se veten, se familjen dhe pasurinë e tij; por edhe një njeri, që po t’i jepet mundësia, do të të mbysë në vend. Kurse ti më rri e më vendos drejtësi në anën e atij që ka mllef ndaj teje, e kundër atyre që të duan?” Aliu (radijallahu anhu) i rrahu gjoksin Xha’des dhe i tha:
“Po të ishte për mua dhe për ato çfarë ndiej e mendoj unë, ndoshta ashtu do të veproja; mirëpo, fjala është për një të drejtë që e ka vendosur Allahu, andaj kurrsesi nuk mund të veproj ashtu siç më këshillon ti!”
DREJTËSIA E ABDULLAH BIN REUAHAS
Abdullah ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Abdullah bin Reuaha (radijallahu anhu) shkonte çdo vit në Hajber; pasi u përcaktonte hebrenjve me përllogaritje hurmat dhe rrushin, u kërkonte atyre që të jepnin gjysmën e asaj mase si taksë. Hebrenjtë qenë ankuar menjëherë tek i Dërguari i Allahut, se Abdullah bin Reuaha tregohej shumë i përpiktë kur bënte përllogaritjen e prodhimit. Nga ana tjetër, ata u përpoqën që t’i jepnin edhe ndonjë ryshfet Abdullah bin Reuahas. Pas kësaj, Abdullah bin Reuaha u tha atyre:
“O armiqtë e Allahut! Ç’kërkoni të bëni, doni të më shtyni mua të ha atë që është e ndaluar? Unë i betohem Allahut, këtu kam ardhur për të kryer detyrën që më ka ngarkuar njeriu më i dashur ndër njerëz, i Dërguari i Allahut. Pa, po të jetë për mua, mua edhe majmunët dhe derrat më duken më të dashur sesa ju. Megjithatë, edhe pse unë ju urrej, dashuria që ushqej ndaj të Dërguarit të Allahut nuk më lejon të veproj me ju me padrejtësi!” Atëherë, ata e përgëzuan Ibni Reuahan, duke thënë:
“Ja, është pikërisht kjo drejtësi, që i mban ende në këmbë Tokën dhe qiejt!”
DREJTËSIA E MIKDAD BIN ESUEDIT
Tregon Harith bin Suejdi: “Mikdad bin Esuedi ishte pjesë e një grupi luftëtarësh që ishin nisur për të luftuar. Papritur ata u rrethuan nga armiku dhe komandanti i myslimanëve u tha ushtarëve të tij të mos i nxirrnin kafshët dhe bagëtitë për të kullotur. Por njëri nuk e dëgjoi fjalën e komandantit dhe i pati nxjerrë ato. Me të mësuar për këtë, komandanti e rrahu paq atë njeri. Teksa ktheheshin, ai njeri tha: - “Kurrë nuk kam përjetuar ndonjëherë ditë si kjo, kaq të keqe.” Pas një farë kohe, Mikdadi (radijallahu anhu) shkoi tek ai njeri dhe i tha:
“Pse më dukesh kaq i mërzitur?” E ai njeri i tregoi të gjitha sa i kishin ndodhur, duke i shpjeguar pse ndihej i mërzitur. Mikdadi e dëgjoi, nxori shpatën dhe e mori me vete atë njeri, që të shkonin te komandanti. U takuan me komandantin dhe ai i tha:
“Tani do të më lejosh që të të kthej me të njëjtën monedhë ndëshkimin që më dhe!” Megjithatë, edhe pse komandanti ia dha lejen, ai njeri vendosi ta falte komandantin, duke ia bërë hallall atë sjellje që kishte treguar ndaj tij pa të drejtë. Ndërsa po ktheheshin pas, Mikdadi (radijallahu anhu) thoshte:
“Nuk ka pikë dyshimi, kur të vdes unë, Islami do të jetë i fuqishëm dhe ngadhënjimtar ndaj kujtdo!”
18. KALIFËT I FRIKËSOHESHIN TEJMASE ALLAHUT
Vetëdija e përgjegjësisë e Ebu Bekrit (r.a.) ndaj Allahut
Dahaku tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) pa një zog që ishte ulur në një degë peme dhe tha:
“Sa mirë që je ti, o zog! Sa shumë do të doja të kisha qenë një zog si ti: do të haja frutat më të mira të pemëve, pastaj do të fluturoja. As nuk ke frike se një ditë do të japësh llogari, as se do të ndëshkohesh për gabimet e tua! Uallahi, jo zog, por do të doja të isha një pemë ndanë rrugës... Vetëm njeri të mos isha!...”
Përgjegjësia që ndiente Omeri (r.a.) ndaj Allahut
Sipas asaj që na përcjell Dahaku, Omeri (radijallahu anh) ka thënë:
“Ah sikur të kisha qenë një prej deshve të familjes dhe ata të më ushqenin. E të më thernin kur të bujte ndonjë mik, të ma piqnin një pjesë të mishit, ndërsa pjesën tjetër të ma thanin e ta hanin vetë... Ah sikur të mos kisha qenë njeri!”
Një dialog i zhvilluar mes Omerit (r.a.) dhe Ebu Musa el-Esh’ariut
Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, babai im, Omeri u takua me Ebu Musa el-Eshariun dhe i tha:
“O Ebu Musa, përveç punëve që ke bërë me të Dërguarin e Allahut, të tjerat i ke njësoj, si të mirat, ashtu edhe të këqijat; a je i kënaqur, si të jenë në të mirën tënde, si të mos jenë?” Ebu Musai (radijallahu anhu) iu përgjigj:
“Jo o prijës! Nuk jam kurrsesi i kënaqur. Uallahi, kur shkova në Basra, atje mbizotëronin padrejtësia dhe injoranca. Unë u mësova atyre njerëzve Kur’anin dhe Sunetin e të Dërguarit të Allahut. Edhe luftova në rrugën e Allahut, bashkë me ta. Andaj, kam shpresë se Allahu do të tregohet i mirë e do të më falë prej mirësisë së Tij.”
“Unë nuk dua, që ato punë që kam bërë pas ikjes së të Dërguarit të Allahut, të më peshohen, si në të mirën, ashtu edhe në dëmin tim. Mjaft që të më mbeteshin vetëm i Dërguari Fisnik dhe ato që kam bërë kur kam qenë me të!”
Vetëdija e përgjegjësisë ndaj Allahut e Omerit (r.a.), vetëm pak çaste para se të ndahej nga jeta
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Në kohën që u plagos Omeri (radijallahu anhu), unë shkova menjëherë tek ai dhe i thashë:
“Ky është një sihariq për ty, o Prijësi i Besimtarëve! Sajë teje Allahu ngriti sa e sa qytete të reja të Islamit dhe sajë teje zhduku hipokrizinë dhe përçarjet, duke i bërë myslimanët edhe më të kamur, me pasuri paanë.”
“O Ibni Abas, çfarë po thua, po më përgëzon se kam qenë një prijës i mirë?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu).
“Jo, o Omer, e kam fjalë për punët e tjera që ke bërë, jo si udhëheqës.”
“I betohem Zotit, se Ai e ka në dorë jetën time, se do të doja shumë, që nga kjo botë të largohesha ashtu siç erdha, pa asnjë mëkat. Do të doja të mos kisha as punë të mira, as mëkate mbi shpinë!”
Ndërsa, sipas një transmetimi tjetër, Omeri (radijallahu anhu) i ktheu Ibni Abasit këtë përgjigje:
“Ti po më përgëzon mua se kam merituar Xhenetin: unë i betohem Zotit, veç të Cilit nuk ka asnjë zot tjetër, se Ai e ka në dorë jetën time, se sikur të miat t’i kisha gjithë ç’mban sipër kjo botë, do t’i jepja të gjitha pa një e pa dy, pa u menduar dy herë se kush do të ishte përfundimi, si shpagim, vetëm e vetëm të mund të shpëtoja nga ndëshkimi i Xhehenemit që më pret. E, për sa u përket atyre që më the lidhur me udhëheqjen time; nuk dua të kem asgjë as në dobinë time, as në dëmin tim, kaq më mjafton! Shpresa e vetme që kam është se unë kam jetuar e kam biseduar bashkë me të Dërguarin e Allahut.”
Në një përcjellje tjetër, Omeri (radijallahu anhu) u ka thënë të pranishmëve:
“Më ngrini, dua të qëndroj ulur!” E ngritën dhe ai iu drejtua Ibni Abasit:
“Pa ma thuaj edhe njëherë, çfarë më the?” Dhe ai ia tha. Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) e pyeti:
“Po mirë, o Ibni Abas, po në ditën e në sheshin e gjykimit, kur të dalësh përpara Zotit, a do të dëshmosh për mua po kaq mirë?” - “Po, patjetër që do të dëshmoj.”, – ia ktheu Ibni Abasi.
Kjo përgjigje e Ibni Abasit e gëzoi jashtëzakonisht shumë Omerin
(radijallahu anhu).”
A duhet të ketë frikë nga kritikat ai që është Prijësi i Besimtarëve?
Said bin Jezidi tregon: “Një burrë e pyeti Omerin (radijallahu anhu):
“Çfarë është më e mirë për mua, të marr ndonjë detyrë drejtuese dhe për hir të Allahut të duroj kritikat e njerëzve, apo të largohem nga njerëzit dhe t’i përkushtohem adhurimit të Zotit?”
“Çdokush që merr përsipër ndonjë punë që ka lidhje me myslimanët, nuk ka pse të ketë frikë nga kritikat për hir të Allahut; çdo mysliman, të cilit nuk i është dhënë ndonjë detyrë drejtuese, të merret me punën e tij; e ta këshillojë atë që ka mbi krye të bëjë atë që është më e drejta.”, – iu përgjigj Omeri (radijallahu anhu).
19. KËSHILLAT E KALIFËVE PËR NJËRI-TJETRIN DHE PËR VALITË
Këshillat e Ebu Bekrit (r.a.) për Omerin (r.a.)
Tregon El-Egarri nga fisi i bijve të Malikut: “Kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) deshi të zgjidhte Omerin (radijallahu anhu) si pasardhës, ai e thirri atë të vinte tek ai dhe i tha këto fjalë:
“Kur të vdes, dua që detyrën e kalifatit, që është një mision shumë i lodhshëm, ta marrësh ti përsipër. O Omer, frikësoju Allahut dhe bindju urdhëresave të Tij, sepse njeriu që është i devotshëm, ka përherë mbrojtjen dhe mbështetjen e Allahut. Grada e kalifatit u duhet propozuar atyre që mund t’i japin hakun pozicionit në të cilin gjenden dhe që mund të përmbushin të gjitha detyrat e epërme që parashikon ai si mision. Nëse dikush i urdhëron të tjerët të bëjnë atë që është më e mirë e më e drejtë dhe vetë ngarend pas gjërave të kota dhe u flet njerëzve për të mirën, ndërsa vetë kryen gjithë të zezat, nuk kalon shumë kohë dhe ai njeri e humb besueshmërinë, e të gjitha sa ka bërë i shkojnë dëm. Nëse e merr ti përsipër drejtimin e myslimanëve, duart mbaji larg gjakut të tyre, e barkun larg pasurisë së tyre, dili zot gjuhës e mos ua thyej sedrën. Forca dhe fuqia nuk janë vetëm se të Allahut.”
Amaneti i Ebu Bekrit (r.a.) pak para se të ndahej nga jeta
Abdurrahman bin Sabiti tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte duke vdekur, ndaj kërkoi që t’i gjenim Omerin (radijallahu anhu) e t’ia sillnim aty. Omeri erdhi dhe ai i la atij këtë amanet:
“O Omer! Ta kesh frikë Allahun! Dhe ta dish: Ka disa punë që Allahu na kërkon që t’i kryejmë gjatë ditës, të cilat nuk i pranon, nëse ato kryhen gjatë natës. Por ka edhe disa punë, të cilat kërkon që ne t’i bëjmë gjatë natës, që, nëse i kryejmë gjatë ditës, ato nuk pranohen. Nëse detyrimet nuk përmbushen siç duhet, Allahu nuk i pranon as adhurimet që ne i kryejmë vetë për veten tonë. Në ditën e Kiametit, që peshorja e dikujt të anojë nga ana e të mirave dhe e shpërblimit, varet vetëm nga ajo sesa ai i është bindur Allahut. Dhe peshorja, në të cilën vihen të mirat patjetër që anon nga e mira, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Ashtu siç, shkaku, që në ditën e Kiametit, peshorja e dikujt të jetë e lehtë në anën e punëve të mira dhe e shpërblimeve, e të mos anojë ashtu, është vetëm se nga rendja pas punëve të kota. Është më se normale, që pjata e peshores në të cilën vendosen punët e kota të mos rëndojë fare. Kur i përmend banorët e Xhenetit, Allahu i Madhërishëm i përmend ata duke përmendur punët më të mira që ata bëjnë në këtë jetë, nuk është ndalur asfare në sjelljet e këqija të tyre. Sa herë që më kujtohen banorët e Xhenetit, në vete më kaplon një shqetësim tejet i thellë dhe them: ‘E si mund të jem unë një prej tyre!’ Kurse banorët e Xhehenemit Allahu i Drejtë i përmend duke përmendur punët më të këqija që ata bëjnë, ndërsa punët e mira ua përplas në fytyrë! Më ngjethet mishi kur i kujtoj dhe me vete them: ‘Mos vallë unë jam një prej tyre?’”
Përcjellësit thonë se: “Pas këtyre fjalëve Ebu Bekri këndoi disa ajete të mëshirës dhe të ndëshkimit prej Kur’anit Fisnik, mandej tha:
“O Omer! Një rob i Allahut, i cili beson tek Ai duhet të qëndrojë diku mes shpresës dhe frikës. Ai nuk duhet të kërkojë kurrsesi asgjë tjetër vetëm se të vërtetën e të drejtën, pa e humbur kurrë shpresën te mëshira e Allahut. Njeriu nuk duhet ta vërë veten në rrezik me duart e veta. O Omer, nëse do ta mbash mirë këtë amanet që po të lë, dije se edhe vdekjen ke për ta pritur me një dëshirë të papërshkrueshme. Por nëse nuk e mban atë ashtu siç e meriton, atëherë, pas vdekjes vështirë të urresh ndonjë gjë tjetër më shumë! Dhe vdekjes është e pamundur
t’i ikësh!”
Këshillat e Ebu Bekrit (r.a.) për Amr bin Asin
Abdullah bin Ebi Bekr bin Muhamed bin Amr bin Hazmi tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) kishte vendosur të dërgonte një ushtri në drejtim të Sirisë, ndaj, fillimisht ai dërgoi një ushtri nën komandën e Amr bin Asit në drejtim të qytetit të “Ejles” në Palestinë. Amri kishte thuajse tremijë ushtarë, në mesin e të cilëve kishte shumë muhaxhirë dhe ensarë. Ebu Bekri doli të ecë bashkë me Amrin, për të përcjellë ushtrinë dhe për t’i dhënë atij porositë e fundit:
“O Amr! Kije frikë Allahun në çdo gjë që bën, qoftë ajo haptas, apo e fshehtë që e di vetëm ti, të të vijë turp prej Tij, sepse Ai të sheh edhe ty, edhe bëmat e tua, në çdo çast dhe në çdo vend. O Amr, në mesin e shumë besimtarëve që janë bërë myslimanë përpara teje e që janë shumë herë më të dobishëm për Islamin, unë të zgjodha ty në krye të kësaj ushtrie. Andaj edhe ti bëhu një prej atyre që punojnë për amshimin e tyre, çdo gjë që do të bësh bëje për hir të kënaqësisë së Allahut dhe tregohu i dhembshur me njerëzit, porsi një baba, mos kërko t’u zbulosh atyre të metat e gabimet e fshehta që mund të kenë, mjaftohu me atë që sheh, ji i vendosur kur merr vendim dhe bëji durim daljes përballë armikut, mos u tremb, sepse Allahu i ndëshkon menjëherë ata që e tradhtojnë rrugën e Tij. Kur t’i këshillosh njerëzit, fol pak dhe qartë. Ndreqe ti veten i pari, që njerëzit të ta dëgjojnë fjalën e të të binden!”
Këshillat e Ebu Bekrit (r.a.) për Amrin dhe Uelid bin Ukben
E tregon Kasim bin Muhamedi: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) pati caktuar Amr bin Asin dhe Uelid bin Ukben, që të mblidhnin zekatin e fisit të Kudaave. Në nisje ata i përcolli edhe Ebu Bekri (radijallahu anhu), duke i dhënë secilit disa këshilla.
Pas njëfarë kohe ai u shkroi atyre edhe një letër:
“Kijeni frikë Allahun në çdo gjë që bëni, haptas, apo në fshehtësi. Allahu ua ka hapur deri në fund portat e shpëtimit të gjithë atyre që janë të devotshëm e i frikësohen Allahut, duke i shpërblyer në mënyra të atilla që ata as nuk i kanë imagjinuar dot ndonjëherë. Kush e ka frikë Allahun, edhe Allahu ia fal atij gabimet, duke i dhënë edhe shpërblime të shumëfishta. Këshilla më e mirë që robt e Allahut mund t’i japin njëri-tjetrit është që ata të jenë të devotshëm. Ti tani je në një prej rrugëve të Zotit, ndaj do të ishte shumë e gabuar, nëse ti tregohesh i kujdesshëm më shumë për përfitimet e tua personale, duke u treguar i dobët dhe shpërfillës ndaj çështjeve fetare, apo ato të kësaj bote që kanë të bëjnë me jetën e myslimanëve. Prandaj, ti nuk duhet të tregohesh kurrsesi i dobët apo i lodhur nga kjo detyrë e madhe që ke marrë përsipër.”
Këshillat e Ebu Bekrit (r.a.) për Shurahbil bin Hasenenë
Muhamed bin Ibrahim bin Harith et-Tejmiu tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) e pati liruar nga detyra e komandantit Halid bin Saidin (radijallahu anhu) dhe në krye të ushtrisë përzgjodhi Shurahbil bin Hasenenë, të cilin e porositi:
“Nderoje dhe respektoje Halid bin Saidin, e mos harro kurrë të drejtat që ai ka mbi ty. Mendo pak se çfarë do të prisje prej tij po të ishte ai komandanti yt dhe ashtu sillu edhe ti me të. Ti e di mjaft mirë pozicionin e tij në Islam. Kur vdiq Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Halid bin Saidi ishte vali i emëruar nga vetë ai. Edhe unë në të njëjtën detyrë e emërova; por, më vonë, m’u duk më me vend që ta liroja nga ajo përgjegjësi. Ndoshta kështu do të jetë edhe më mirë për të. Kur i thashë që ta zgjidhte vetë se në ushtrinë e cilit komandant donte të bënte pjesë, atij ti i pëlqeve më shumë sesa të tjerët, madje edhe sesa djali i tij i xhaxhait, Jezid bin Ebi Sufjani. Sa herë që të kesh nevojë për mendimin e një njeriu të devotshëm e që do të të këshillojë gjithmonë për mirë, në fillim të shkosh tek Ebu Ubejde bin Xherrahu, pastaj te Muadh bin Xhebeli, e së treti, te Halid bin Saidi. Nuk ka dyshim se secili prej tyre ka për të të dhënë këshillat e mendimet më të mira që mund të marrësh prej ndokujt. Mos bëj asgjë pa u këshilluar njëherë me ta, e lajmet e letrat që do të marrësh tregojua edhe atyre njëherë.”
Këshillat e Ebu Bekrit (r.a.) për Jezid bin Ebi Sufjanin
Harith bin Fudajli tregon se: “Në kohën kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) zgjodhi në krye të ushtrisë Jezid bin Ebi Sufjanin, ai u ul pranë tij dhe i tha:
“O Jezid, ti je ende i ri, por njerëzit të njohin prej disa punëve shumë të mira që ke bërë. Të gjitha ato janë sjellje që të interesojnë vetëm ty. Unë desha të të vija në provë. Thashë të të largoj njëherë nga familja, e të shoh se si do të sillesh, ç’aftësi ke dhe të shoh nëse mund të jesh një komandant i mirë, apo jo. Nëse punon mirë dhe do të jesh i suksesshëm, më vonë do të të jap edhe shumë detyra të tjera. Në të kundërt, nëse tregohesh drejtues i keq, ta dish se do të të shkarkoj menjëherë. Të kam zgjedhur komandant të ushtrisë që drejtonte Halid bin Saidi. Shiko, unë të këshilloj të sillesh mirë me Ebu Ubejde bin Xherrahun. Ti e di se çfarë vendi ka ai në Islam, sepse Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë me gojën e tij: “Çdo popull i një profeti ka të besuarin e vet dhe i besuari i këtij populli është Ebu Ubejde bin Xherrahu.” Andaj, dua që të mos e harrosh kurrë epërsinë dhe vendin e lartë që zë Ebu Ubejdeja në Islam. Edhe ndaj Muadh bin Xhebelit, trego respekt dhe dëgjoja fjalën me kujdes. Ti e di, ai ka marrë pjesë në çdo luftë ku ka qenë edhe Resulullahu. E ke dëgjuar, i Dërguari i Allahut për të ka thënë: “Në ditën e Kiametit, Muadh bin Xhebeli do të qëndrojë një shigjetë më përpara se të gjithë njerëzit e ditur.” Mos merr asnjë vendim pa u këshilluar njëherë me këta dy njerëz. Zaten, as ata nuk do ta kursejnë kurrë të mirën ndaj teje.”
Pasi i dëgjoi me kujdes të tëra këshillat e Ebu Bekrit (radijallahu anhu), Jezid bin Ebi Sufjani i tha atij:
“O kalif i të Dërguarit të Allahut! Këshilloji edhe ata kështu siç më këshillove mua.”
“Patjetër, patjetër që do t’i këshilloj.”, – i dha fjalën Ebu Bekri.
“Zoti të mëshiroftë, e Ai t’i shpërbleftë me mirësitë e Tij të gjitha shërbimet që po i bën Islamit!”, – i tha atëherë Jezidi Ebu Bekrit (radijallahu anhu).”
Jezid bin Ebi Sufjani (radijallahu anhu), sipas një transmetimi tjetër ka thënë:
“Kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) më dërgoi mua në Siri, ai më këshilloi:
“Shiko, Jezid! Ti ke shumë të afërm e shumë kushërinj. Frika më e madhe që kam për ty, është se mos ti zgjedh të afërmit e tu në vend të atyre që e meritojnë të jenë drejtues. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na ka porositur: “I mallkuar qoftë te Zoti kushdo që merr përsipër drejtimin e punëve të myslimanëve dhe me nepotizëm u vë atyre mbi krye një njeri që është më i afërm me të! Allahu nuk ia pranon tij as adhurimet e detyruara, as ato që ai i kryen me përkushtimin e tij, madje, e përgatit atë drejt e për në Xhehenem. I mallkuar qoftë te Zoti kushdo që merr atë që i takon të vëllait dhe ia jep dikujt tjetër! Allahu i ka ftuar njerëzit që ata t’i besojnë Atij, duke hyrë kësisoj nën mbrojtjen e Tij. Prandaj, ai që tregohet i padrejtë me dikë që ka marrë garanci prej Allahut, nuk ka sesi të mos preket nga mallkimi dhe ndëshkimi i ashpër i Allahut.”
Këshillat e Omerit (r.a.) për atë që do ta pasojë si kalif
Omeri (radijallahu anhu) ka thënë: “Këshilla ime për atë që do të vihet kalif pas meje është që ai të mbrojë të gjitha të drejtat që u takojnë muhaxhirëve, e të mos shfaqë as mungesën më të vogël të respektit ndaj tyre. Kurse muhaxhirëve, atyre u këshilloj që të sillen mirë me ensarët, të cilët ende pa nisur hixhreti e kthyen Medinën në atdhe dhe shtëpi të besimit tek Allahu, t’ua pranojnë çdo të mirë me gëzim dhe t’ua falin nëse kanë ndonjë të metë. Atij që do të vihet kalif, i propozoj që të tregohet i mirë edhe ndaj bashkësive të tjera, që jetojnë në të tjera qytete, sepse ata janë ndihmëtarët e Islamit dhe mbështetësit kryesorë të kapitalit të myslimanëve. Të mos u marrë atyre më tepër vetëm atë që ata do t’ia japin me vullnetin e tyre nga çfarë u tepron pas përmbushjes së nevojave të tyre. Gjithashtu, atë që do të më pasojë mua si kalif e këshilloj të sillet mirë edhe me arabët e tjerë, beduinët, sepse ata janë rrënja e arabëve, fara prej së cilës lindi dhe lulëzoi Islami. Ata që janë të pasur ndër ta, ç’kanë të vogël t’ua japin atyre që janë më të varfër e më në nevojë. T’i përmbushë me përpikëri të drejtat e të gjithë atyre që kanë lidhur besë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, t’i mbrojë dhe të mos u ngarkojë barrë më të rëndë nga ajo që mund të mbajnë.”
Sipas asaj që na përcjell Kasim bin Muhamedi, Omeri (radijallahu anhu) ka thënë:
- “Ai që do ta marrë përsipër këtë detyrë pas meje, ta dijë mirë, se të gjithë, afër ose larg, do të kenë shumë kërkesa prej tij. Unë e kam ndierë shumë këtë peshë. Po të kisha parë se në mes të këtij populli gjendet dikush më i fuqishëm se unë, për ta mbajtur mbi supe denjësisht këtë përgjegjësi të kalifatit, do të kisha dashur më shumë që të isha vrarë prej tij, sesa të isha prijës mbi të.”
Këshillat e Omerit (r.a.) për Ebu Ubejden
Salih bin Kejsani tregon: “Letra e parë që shkroi Omeri (radijallahu anhu) kur u vendos në krye të kalifatit, ishte letra e shkarkimit të Halid bin Uelidit dhe e emërimit të Ebu Ubejde bin Xherrahut si komandant në krye të ushtrisë. Ja se çfarë shkruhej në atë letër:
“Të këshilloj që t’i frikësohesh Allahut, sepse vetëm Ai është i Përjetshëm, e çdo gjë tjetër është kalimtare. Ai na nxori ne nga humbja e na tregoi rrugën e drejtë, duke na udhëzuar në të, na nxori nga errësira e mohimit dhe na tregoi ndriçimin e plot shkëlqim të besimit. Këtej e tutje të kam emëruar në krye të ushtrisë së komandant Halid bin Uelidit. Përmbushi me kujdes gjithë të drejtat e ushtarëve dhe mos i zvarrit ata nëpër aventura të rrezikshme nga dëshira për të fituar më shumë plaçkë. Kurrë mos u vendos në një vend që nuk e njeh, nuk ke dëgjuar për të, e që nuk ia ke kontrolluar mirë çdo hyrje dhe çdo dalje. Kur të dërgosh ndonjë trupë ushtarësh gjëkundi, të dërgosh gjithnjë më tepër, është më mirë që ushtarët të jenë gjithmonë shumë. Bëj kujdes e mos i vër në rrezik as veten, as myslimanët. Allahu po të sprovon ty me mua, ndërsa mua me ty. Mbylli sytë ndaj kësaj bote dhe mos e lër zemrën të humbë kohë me gjërat e saj të kota. Të mos kthehet bota në fatkeqësi edhe për ty, siç pati rrënuar ata që kanë ardhur përpara teje. Ti tanimë e di se çfarë i rrëzoi e çfarë i çoi ata drejt rrënimit!”
Këshillat e Omerit (r.a.) për Sad bin Ebi Uekasin
Muhamed bin Talha tregon: “Omeri (radijallahu anhu) dërgoi fjalë te Sad bin Ebij Uekasi (radijallahu anhu) që të vinte tek ai. Ai e emëroi atë në krye të frontit të Irakut dhe e këshilloi:
“O Sad, Sadi i bijve të Uhejbit! Mos të të mashtrojë fakti se të gjithë të përmendin si dajën e të Dërguarit të Allahut, apo se je ndër sahabët e Resulullahut. Allahu i Gjithëfuqishëm nuk e fshin të keqen me të keqe, sepse vetëm bëmat e mira i lajnë mëkatet e kryera. Kriteri i vetëm i vlefshëm mes Allahut dhe robërve të tij nuk është fisnikëria, por bindja ndaj urdhëresave të Tij. Në sytë e Allahut, si fisnikët, si ata që duken të dobët e të pafuqishëm, janë të njëjtë. Allahu është Zoti i të gjithëve dhe të gjithë janë robt e Tij. Epërsia e tyre matet vetëm me se sa ata janë të devotshëm. Në shkallët më të larta tek Allahu nuk mund të ngjitesh vetëm se nëpërmjet bindjes. Ti e ke parë Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), sesi ka jetuar, që nga ajo ditë që u dërgua si shpëtim për ne e për botët, e deri sa u nda nga kjo jetë. Duhet të tregohesh shumë i kujdesshëm! T’i ndjekësh këshillat e tij me përpikëri! Nuk kam se ç’këshillë më të mirë të të jap. Nëse nuk m’i dëgjon këshillat që po të jap, atëherë punë që do të bësh do të jetë e kotë; do të jesh prej atyre që humbasin në rrugën e fitores.”
Kur po e përcillte Sad bin Ebi Uekasin, Omeri (radijallahu anhu) e këshilloi atë:
“Të kam caktuar komandant të frontit të Irakut, ndaj m’i dëgjo fjalët me kujdes. Ti po shkon në një detyrë shumë të rëndë e shumë të vështirë. Ti do të jesh i suksesshëm vetëm nëse tregohesh i drejtë dhe vepron me drejtësi. Mësoje me të mirën, si veten, ashtu edhe ata që do të kesh përreth, ndaj filloja gjithmonë me më të mirën. Ta dish, çdo punë ka një fazë përgatitore. Dhe faza përgatitore e së mirës është durimi! Tregohu i duruar ndaj fatkeqësive që mund të të ndodhin; sepse nuk ka rrugë tjetër, veç durimit. Durimi të bën të fitosh shumë, e veç të tjerash, të bën të fitosh edhe respektin për Allahun. Në dy vende respekti për Allahun është i detyruar: në bindjen ndaj Allahut dhe në shmangien e të ngriturit krye ndaj Tij. Allahut i binden ata që e braktisin këtë botë me zemër dhe priren kah amshimi. Ndërsa krye i ngrenë ata që e duan shumë këtë botë dhe e urrejnë jetën e përtejme. Mos u step nga asnjë veprim që do të të bëjë të dashur për njerëzit, sepse edhe profetët i luteshin vazhdimisht Allahut që Ai t’i bënte ata të dashur në sytë e njerëzve. Kur Allahu e do robin e Vet, Ai e bën atë të dashur edhe për njerëzit; ndërsa atë që e përbuz e bën jo të dashur në sytë e njerëzve. Prandaj, edhe ti përpiqu që vlerën, që ke tek Allahu, ta dallosh nga vendi që zë në sytë e njerëzve pranë teje!”
Këshillat e Omerit (r.a.) për Utbe bin Gazuanin
Abdulmelik bin Umejri tregon: “Omeri (radijallahu anhu), para se ta niste Utbe bin Gazuanin në Basra, i tha:
“O Utbe! Të kam emëruar vali të Basras. Basra është një vend i madh, që është në duart e armikut. Kam fort shpresë te ndihmesa e Allahut, se ju do të ngadhënjeni mbi Basrën dhe popullin e saj. I kam dërguar edhe një letër Ala bin el-Hadramiut, që të të nisë menjëherë Urfuxhe bin Herthemen, që ta kesh krah e të të vijë në ndihmë. Urfuxheja ka luftuar shumë me armiqtë dhe i njeh mjaft mirë kurthet që ata mund të ngrenë, ndaj ta mbash atë afër dhe të këshillohesh vazhdimisht me të.
Utbe! Njerëzit që do të takosh fillimisht ftoji të pranojnë fenë e Allahut; pranoji menjëherë nëse të thonë ‘po’. Nëse nuk anojnë nga pranimi, atëherë lufto me ta. Kije frikë Allahun gjatë kryerjes së kësaj detyre. Mos të të marrë peng mendjemadhësia e të ta rrënojë jetën e përtejme. Ti ke marrë pjesë në mësimet e të Dërguarit të Allahut dhe edhe pse dikur jetoje në mes të poshtërimit, ti u shndërrove në një njeri krenar, ishe i dobët, por u bëre i fuqishëm, derisa u shndërrove në një komandant që ia dëgjojnë fjalën të gjithë dhe në një vali të respektuar nga i tërë populli! Sa të flasësh ti një fjalë, njerëzit mbajnë menjëherë vesh; ti urdhëron dhe urdhri yt zbatohet menjëherë. Po, nuk ka dyshim, kjo është një mirësi më vete shumë e madhe! Nuk dua që gjithë këto të mira të të shtyjnë që ta teprosh, e të të rritet mendja karshi atyre që ke nën vete! Ruaju nga e keqja që sjellin me vete të mirat dhe kamja, njësoj siç ruhesh nga rënia në mëkat. Nëse do të më pyesësh mua, rreziku më i madh që të kanoset ty është rreziku nga mirësitë. Mirësitë mund të të gënjejnë dhe, Zoti na ruajttë, ato mund të bëhen shkak që të të priten këmbët e ti të rrokullisesh Xhehenemit të thepisur. Lus Allahun me përgjërim, të na ruajë nga diçka e tillë, si ty, si mua. Njerëzit nisën të ngarendin drejt Allahut, mirëpo bota nisi t’u buzëqeshë njerëzve me tërë tundimin e saj. Kësodore shumë njerëz e harruan synimin e vërtetë dhe filluan të kërkojnë edhe më shumë prej botës. Kurse ti më mirë kërko Allahun, kurrsesi mos kërko këtë botë; përpëlitu frike nga një fund i keq si ai i zullumqarëve, të cilët u rrokullisën të gjithë nëpër humnerat e humbjes pa kthim!”
Këshillat e Omerit (r.a.) për Ala bin el-Hadramiun
Transmeton Sha’biu (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anhu) i dërgoi Ala bin el-Hadremiut, i cili asokohe gjendej në Bahrejn, një letër, në të cilën shkruhej:
“Të shkosh tek Utbe bin Gazuani, sepse detyrën e tij ta kam caktuar ty. Diçka duhet ta mbash vath në vesh; ti po shkon te një njeri që është prej muhaxhirëve të parë, për të cilët Allahu ka premtuar shpërblime tejet të mëdha. Unë nuk e shkarkova atë ngase nuk m’u duk i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj fesë, apo për ndonjë arsye tjetër si këto. E shkarkova thjesht sepse mendova se ti do të ishe më i dobishëm për myslimanët që jetojnë atje. Andaj, t’ia dish mirë vlerën Utbes e mos e kurse kurrë respektin ndaj tij. Para teje unë kam emëruar dikë si vali, mirëpo ai vdiq ende pa shkuar në krye të detyrës. Ndaj, nëse Allahu do që ta marrësh ti përsipër këtë detyrë, do ta marrësh; por, nëse ka vendosur që në krye të detyrës të qëndrojë vali Utbeja, ta dish se gjykuesi dhe fermanshkruesi i vërtetë i botëve është Allahu, Zoti ynë. Ta dish mirë, se askush nuk mund ta ndryshojë dot atë që e urdhëron e cakton Allahu. Asnjëherë mos e hiq nga mendja përse je krijuar dhe bëj kujdes, puno për atë qëllim dhe braktise çdo gjë tjetër. Kjo botë është kalimtare, vetëm ahireti është i përjetshëm. Mos të të gënjejë kjo botë, që i ka të përkohshme mirësitë, duke të bërë që ta harrosh rrezikun e ndëshkimit dhe të vuajtjeve të përjetshme. Kërkoji Allahut të të mbrojë nga ndëshkimi i Tij i ashpër. Allahu ua fal urtësinë dhe mirësinë e dijes atyre që do Ai. Ne i përgjërohemi Allahut, që, si ty, ashtu edhe ne, të mos na privojë nga mirësia që ne t’i bindemi Atij e t’ia kemi frikën ndëshkimit të Tij...”
Këshillat e Omerit (r.a.) për Ebu Musa el-Esh’ariun
Dabe bin Mihsani na ka përcjellë: “Omeri (radijallahu anhu) i dërgoi Ebu Musait një letër, në të cilën shkruhej:
“Njerëzit janë të ndrojtur para atyre që kanë mbi krye. Kjo më bën t’i kërkoj Allahut të më ruajë e të mos bëhem një drejtuesi i një populli që i qëndron larg Atij. Edhe pse mund të ketë mbetur shumë pak kohë nga ardhja e muzgut, zbatoji dënimet. Nëse je i detyruar që të zgjedhësh mes dy punësh, njëra prej të cilave është për hir të Allahut, ndërsa tjetra në dobi të jetës sate në këtë botë, ti shih e bëj atë që është për hir të Allahut, sepse kjo botë është kalimtare, ahireti është i përjetshëm. Frikësoji ata që ngrenë krye, mos i lër të qëndrojnë gjëkundi të bashkuar dhe përpiqu t’i mbash sa më larg njëri-tjetrit. Shkoi për vizitë myslimanëve që janë të sëmurë dhe merr pjesë në varrimet e tyre, derën mbaje gjithmonë të hapur për ta. Ndryshimi i vetëm yti me ta të jetë ai që ti e ke më të madhe barrën që mban mbi supe. Me sa kam dëgjuar, ti dhe pjesëtarët e familjes sate keni filluar të visheni më mirë, të hani më mirë dhe të përdorni kafshë më të mira se të tjerët. Po jetoni një jetë më të mirë sesa ajo që jetojnë myslimanët e tjerë.
O rob i Allahut! Ta ndaloj që të jetosh si një kafshë që nuk ka mendim tjetër pos atij të gjetjes së ndonjë lugine me bar të njomë e të bollshëm, që edhe kur ngopet i vjen koha për t’u therur. Ti duhet ta dish, se kur drejtuesit devijojnë nga e drejta, njerëzit largohen edhe më shumë nga rruga e drejtë. Nuk ka njeri më fatkeq sesa drejtuesi që i zvarrit njerëzit drejt mjerimit.”
Sipas asaj që na përcjell Dahaku, Omeri (radijallahu anhu) i dërgoi Ebu Musa el-Esh’ariut (radijallahu anhu) këtë letër:
“Ju do të jeni të suksesshëm vetëm nëse punën e sotme nuk do ta lini për nesër. Nëse nuk e kryeni çdo punë në ditën e vet, atëherë punët do t’ju grumbullohen stivë dhe ju nuk do të dini më se nga t’ia filloni, derisa ato t’ju zënë nën vete. Çdokush prej jush, kur të përballet me një punë për hir të Allahut dhe me një punë në dobi të jetës së tij të kësaj bote, të zgjedhë atë që është më e dobishme për jetën e përtejme, sepse kjo botë është kalimtare, ahireti është i përjetshëm. Tregoni respekt ashtu siç duhet ndaj Allahut dhe mësojeni librin e Tij, sepse ai është burimi i çdo diturie, pranvera e çdo zemre.”
Amaneti i Osmanit (r.a.)
Ala bin el-Fadli na përcjell se nëna i ka transmetuar: “Kur ra dëshmor Osmani (radijallahu anhu), kërkuan nëpër dollapin ku ai mbante sendet e tij personale dhe në të gjetën një sënduk të vogël të mbyllur me kyç. Kur e hapën, brenda tij ishte një letër në të cilën shkruhej:
“Ky është amaneti i Osmanit:
Bismil’lahir’rahmanir’rahim.
Osman bin Afani dëshmon se nuk ka zot tjetër pos Allahut. Ai është Një, i Vetëm dhe pa kurrfarë ortaku a shoku në krijimin e gjithçkaje. Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Xheneti dhe Xhehenemi janë të vërtetë. Në ditën e Kiametit, për të cilën nuk ka pikë dyshimi, Allahu ka për t’i ngjallur të gjithë banorët e varrit. Allahu nuk e shkel kurrë premtimin e dhënë. Osmani, me këtë besim do të jetojë, me këtë besim do të vdesë dhe, – dashtë Zoti, me këtë besim do të ngjallet.” Një dialog mes Osmanit (r.a.) dhe Aliut (r.a.) kur anarkistët rrethuan shtëpinë e Osmanit (r.a.)
Shedad bin Eusi (radijallahu anhu) tregon: “Osmani (radijallahu anhu) ishte në shtëpinë e vet. Kur aty ia behën kryengritësit dhe e rrethuan shtëpinë nga të gjitha anët, ai doli mbi çati dhe u tha atyre:
“O robt e Allahut!”
Pashë Ali bin Ebij Talibin (radijallahu anhu) të dilte nga shtëpia e vet, në kokë kishte vënë çallmën e të Dërguarit të Allahut dhe shpatën në dorë. Para Aliut (radijallahu anhu) vinin i biri Hasani me Abdullah bin Omerin dhe një grup i përbërë nga muhaxhirë dhe ensarë. U sulën mbi kryengritësit dhe i shpërndanë, mandej u kthyen pranë Osmanit (radijallahu anhu). Aliu (radijallahu anhu) i tha atij: “Përshëndetjet e Zotit, o Prijësi i Besimtarëve! Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) këtë fe e mbajti në këmbë duke i mundur të gjithë ata që donin ta shkatërronin fenë. Uallahi, unë e shoh, këta duan të të vrasin. Na jep urdhër, të luftojmë me ta.”
“Për hir të Allahut, të gjithë atyre që besojnë se kjo është e drejta e Allahut dhe e drejta ime u them se nuk dua që për mua të derdhet as gjaku i tyre, as i ndonjë tjetri!”, – u përgjigj Osmani (radijallahu anhu).
Aliu (radijallahu anhu) i përsëriti edhe njëherë ato që kishte thënë, mirëpo Osmani (radijallahu anhu) këmbënguli. Teksa po dilte nga dera, Aliu (radijallahu anhu) tha:
“O Zot! Ti e di, ne bëmë çdo gjë.” Mandej, ai shkoi në xhaminë e të Dërguarit të Allahut. Me të hyrë koha e namazit, besimtarët i thanë atij:
“O Ali, dil të na prish, na e fal ti namazin.” Aliu (radijallahu anhu) tha:
“Unë nuk dal t’jua fal namazin, kur kalifi i të Dërguarit të Allahut është i rrethuar! Unë do ta fal vetëm!” Dhe kështu bëri, e fali i vetëm namazin dhe shkoi në shtëpi. I biri, Hasani (radijallahu anhu) e ndoqi nga pas dhe i tha:
“Uallahi, o baba, kryengritësit hynë në shtëpinë e Osmanit.”
“Uallahi, ata do ta vrasin atëherë. ‘In’na lil’lahi ue in’na ilejhi raxhiun’”, – tha ai.
“O Ebu’l-Hasan! Ku e ka vendin Osmani?”, – e pyetën Aliun (radijallahu anhu).
“Uallahi në Xhenet, shumë afër Xhenetit!”, – u përgjigj ai.
“Po ata që e vranë, ku janë?”
“Uallahi, ata janë në zjarr.”, – tha ai duke e përsëritur tri herë këtë fjali.”
Një tjetër transmetim rreth kësaj çështjeje
Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) thotë kështu: “Kryengritësit rrethuan shtëpinë e Osmanit dhe me Osmanin isha edhe unë. Njërin prej nesh e goditën me shigjetë.
“O Prijësi i Besimtarëve! Tani na u bë e lejuar lufta me këta njerëz. Kanë vrarë njërin prej njerëzve tanë.”, – i thashë Osmanit (radijallahu anhu).
“Shiko, Ebu Hurejre, të urdhëroj ta hedhësh shpatën. Ata duan të më vrasin mua. Unë do të vetësakrifikohem, që të mund t’i ruaj myslimanët nga anarkia.”, – më tha.
Dhe ashtu bëra, e hodha tutje shpatën. Nuk e di ç’u bë me të, as se kush e mori.”
Këshillat e Aliut (r.a.) për valinjtë dhe komandantët
Tregon Muaxhir el-Amiriu: “Aliu (radijallahu anhu) i shkroi këtë letër njërit prej udhëheqësve të tij:
“Derën ta mbash përherë të hapur për njerëzit, sepse nuk ka gjë më të sikletshme sesa situata që krijohet kur drejtuesit u mbyllin dyert popullit të tyre. Kur bëhet fjalë për valinjtë, nëse ata jetojnë të distancuar nga populli, ata fillojnë të mos i njohin më problemet që hasin njerëzit. Në të tilla raste populli nuk di të dallojë ç’është e mirë e ç’është e keqe; zë e i duket e vogla e madhe dhe e madhja e vogël, e bukura e shëmtuar dhe e shëmtuara e bukur; dhe, si përfundim, e vërteta ngatërrohet me të rremen. Edhe ai që është vali, njeri është, nuk ka sesi t’i dijë ato që populli ia mban të fshehta. Fjalët që thuhen nuk kanë ndonjë vulë, që të dallohen vetvetiu, janë të vërteta apo të gënjeshtra, ndaj ai nuk ka sesi ta dijë të vërtetën vetiu, e t’u dalë njerëzve në ndihmë kurdoherë. Kësisoj, edhe ti gjendesh përballë alternativës për të qenë një prej këtyre dy lloj njerëzve: ose do të jesh një njeri që tregohesh shumë i kujdesshëm me vënien në vend të asaj që është më e drejta, duke i mbajtur përherë të ngushta lidhjet me popullin tënd, në mënyrë që t’u japësh secilit hakun që i takon, ose do të jesh prej atyre që nuk kanë kurrfarë kujdesi se cila është më e drejta dhe e vërteta. Në të tilla raste, është populli i pari që do të fillojë të të largohet, aq sa vjen një çast dhe e humbet fare shpresën se ti mund t’i vish në ndihmë, ndaj nuk t’i shpreh fare shqetësimet që mund të ketë. Ç’është e vërteta, pjesa më e madhe e gjërave që njerëzit kërkojnë prej teje janë gjëra që nuk të vënë në vështirësi. Përpiqu të përfitosh sa më shumë nga fjalët që të kam shkruar. Shih të tregohesh i përkorë dhe të mjaftohesh me atë që të është caktuar e të ka rënë për hise, e të mos kërkosh më tepër.”
Mesazhi i Aliut (r.a.) për një vali tjetër
Tregon Medainij: “Aliu (radijallahu anhu) i pati dërguar këtë letër njërit prej valinjve të tij:
“Kur të marrësh vendime, mos u ngut! Imagjino veten sikur je në prag të vdekjes dhe në atë pikë ku ata që i ka gënjyer vetja lëngojnë ‘Moosss! Mooos!’, ata që nuk kanë asnjë punë të mirë i drejtohen pendesës, zullumqarët luten e betohen, se ‘ah sikur të na kthenin edhe njëherë në jetë, e ta adhurojmë edhe ne Allahun!’, sikur ty po të jepet libri i punëve të tua! Mendo këto njëherë, pastaj vendos.”
20. KUR POPULLI KËSHILLON DREJTUESIN E SHTETIT
Këshilla e Said bin Amirit për Omerin (r.a.)
E tregon Mekhuli: “Said bin Amir bin Xhudhejm el-Xhumehiu (radijallahu anhu), një prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut, i tha një ditë Omerit (radijallahu anhu):
“O Omer, dua të të jap një këshillë.”
“Po, pa më thuaj njëherë.”, – iu përgjigj Omeri (radijallahu anhu).
“Të këshilloj që ta kesh frikë Allahun kur vendos drejtësi mes njerëzve, si dhe që t’i druhesh popullit kur përmbush atë që është e drejta e Allahut. Çdo fjalë që do të thuash duhet të jetë në lartësinë e çështjes për të cilën bëhet fjalë, sepse fjala më e mirë e një njeriu është ajo që e provojnë edhe sjelljet e tij. Mos merr dy vendime për të njëjtën çështje! Përndryshe, ajo punë mbyllet krejt në të kundërtën e pritshmërive të tua dhe ti del i devijuar nga drejtësia dhe e vërteta. Nëse vendos për çështje që i kanë provat do të kesh sukses, e Allahu do të të ndihmojë, duke i udhëzuar njerëzit, sajë teje, kah e vërteta. Të gjithë të afërmit e myslimanëve, drejtimin e të cilëve Allahu ta ka ngarkuar ty, qofshin të afërt a të largët, duhet t’i konsiderosh të barabartë. Tregohu njësoj i drejtë ndaj të gjithëve, duke kërkuar edhe për ta të njëjtat gjëra që kërkon edhe për veten e familjen tënde. E ato që nuk të duken të përshtatshme për vete e për familjen tënde, mos i shiko të përshtatshme as për ta. Të shumta janë vështirësitë në rrugën që të çon kah më i Drejti e më i Vërteti, ndaj përballoji ato me durim. Ndërsa ecën në rrugën e Allahut, kurrë mos ki frikë nga përbaltjet apo zhurmat e atyre që bëjnë thashetheme!”, – e këshilloi ai.
Omeri (radijallahu anhu) e pyeti:
“Po kush mund t’ia dalë mbanë e t’i kryejë të gjitha këto sa më the?
“Një si ti.”, – u përgjigj Said bin Amiri. – “Këtyre u del mbanë një si ti, të cilin Allahu e ka vënë në krye të umetit të Muhamedit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), një si ti, që askush nuk guxon të hyjë mes tij dhe Allahut.”
Letra e Ebu Ubejdes (r.a.) dhe Muadhit (r.a.) për Omerin (r.a.) dhe përgjigjja e tij
Muhamed bin Suka tregon: “Një ditë, unë shkova te Nuajm bin Hindi dhe ai më nxori një letër të shkruar dhe ma dha mua. Në atë letër shkruhej:
“Kjo është një letër e Ebu Ubejde bin Xherrahut dhe Muadh bin Xhebelit për Omer bin Hatabin:
Përshëndetja e Zotit qoftë me ty! Megjithëse ne e dimë mjaft mirë se sa i kujdesshëm je ti në edukimin e egos sate, ne, prapëseprapë, duam të të japim disa këshilla: “Ti ke marrë përsipër drejtimin e të gjithë këtij umeti, pavarësisht në janë njerëz me ngjyrë, apo ezmerë. Pranë teje qëndrojnë të ulur si fisnikë, ashtu edhe njerëz të thjeshtë. Ka edhe armiq edhe miq. Çdokush meriton pjesën e vet nga ajo që është e drejtë. Andaj, o Omer, shih e tregohu sa më i kujdesshëm që të veprosh përherë me drejtësi. Ne të këshillojmë që kurrë të mos e heqësh nga mendja atë ditë kur kokat do të ulen, zemrat do të ndalin së rrahuri, e nuk do të ketë asnjë provë e asnjë argument tjetër përpos provave dhe argumenteve të Allahut të Lartësuar. Ajo është një ditë e atillë, që nuk do të mbetet krijesë pa e ulur kokën dhe që nuk do ta mbajë shpresën te mëshira e Allahut, të kapluar nga drithërimat e frikës nga ndëshkimi i ashpër i Tij.
O Omer! E mban mend kur rrinim tok me njëri-tjetrin dhe bisedonim e thoshim: ‘Do të vijë një ditë, që njerëzit e këtij umeti do të shfaqen si miq të njëri-tjetrit, por përbrenda do të ushqejnë armiqësi.’ I lutemi Allahut dhe prej Atij e kërkojmë mbrojtjen, nëse kjo letër, të cilën ta shkruam për të të shprehur ndjenjat dhe mendimet tona më të sinqerta, keqkuptohet, ndryshe nga qëllimi i vërtetë i shkrimit të saj. Nuk ta shkruam vetëm se për të të këshilluar e për të të ardhur në ndihmë. Ues’selamu alejke!”
Dhe Omeri (radijallahu anhu) u ktheu atyre këtë përgjigje:
“Nga Omeri, për Ebu Ubejden dhe Muadhin:
Përshëndetje. E mora letrën tuaj. Më shkruani se, megjithëse e dini që unë bëj çdo përpjekje për ta edukuar egon time, ju ndieni nevojën të më këshilloni, pasi unë kam marrë përsipër përgjegjësinë e udhëheqjes së të gjithëve, si të fisnikëve, ashtu edhe të njerëzve të thjeshtë, se siç kam miq, kam edhe armiq, se më duhet të tregohem i drejtë ndaj të gjithëve dhe për këtë të tregohem shumë i kujdesshëm.
Më lejoni t’ju them, se në dorën e tij Omeri nuk ka fare fuqi. Omeri punon dhe përpiqet t’i vërë punët në vijë falë forcës dhe fuqisë që i ka dhënë Allahu. Ju më paralajmëroni, që të mos lejoj që të kemi edhe ne të njëjtin fund që kanë pasur edhe popujt që kanë ardhur para nesh. Qysh në krye të herës, ndjekja e natës nga dita dhe e ditës nga nata nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se ka konsumuar jetën e njeriut, ka afruar atë që ka qenë larg dhe ka vjetruar të renë, duke sjellë çdo gjë që ka qenë e premtuar se do të vijë. Dhe kështu ka për të vazhduar, derisa njerëzit të zënë vendin e tyre në Xhenet ose Xhehenem!
Mandej, ju më shkruani se pasuesit e këtij umeti, më vonë, do t’i shfaqen njëri-tjetrit si miq, por në zemra do të ushqejnë ndjenja armiqësie; ndaj edhe më bëni thirrje që të tregohem tejet i kujdesshëm në këtë pikë. Ju nuk jeni prej asi njerëzish dhe as kjo nuk është ajo kohë për të cilën më thoni! Kjo do të ndodhë në një periudhë kur do të mbizotërojë prirja e njerëzve kah kjo botë, njerëzit do të kenë më shumë frikë prej njëri-tjetrit sesa nga ndonjë gjë tjetër dhe kur njerëzit do ta përgëzojnë sa për sy e faqe njëri-tjetrin, si e si për të vënë në vijë ndonjë interes të jetës në këtë botë!
Gjithashtu, ju i luteni Allahut që t’ju mbrojë nga çdo keqkuptim i kësaj letre, ndryshe nga qëllimi i saj i vërtetë. E di shumë mirë, që këtë letër ju ma keni shkruar vetëm e vetëm për të mirën time dhe jua besoj me gjithë zemër çdo fjalë që më thoni. Mos e lini pas dore shkrimin e letrave të tilla, pasi kam nevojë për këshillat tuaja. Ues’selamu alejkuma.”
Amaneti i Ebu Ubejde bin Xherrahut pak çaste para se të ndahej nga jeta
Tregon Said bin Musejebi (radijallahu anhu): “Ebu Ubejdeja (radijallahu anhu), kur u prek nga murtaja në Jordani, i ftoi myslimanët të shkonin tek ai dhe u foli:
“Dua t’ju jam disa këshilla. Nëse i pranoni dhe i vini në zbatim, ju do të jeni përherë të lumtur e do të keni një jetë të begatë; faleni më së miri namazin. Mbani agjërim gjatë muajit të Ramazanit. Jepeni zekatin, shkoni në haxh dhe vizitojeni Qaben. Këshillojeni vazhdimisht njëritjetrin për mirë. Këshillat mos i kurseni as ndaj atyre që keni mbi krye, e mos ua punoni atyre pas krahëve, duke vepruar si dredharakë. Të mos ju rrënojë lakmia për këtë botë. Sikur edhe njëmijë vjet të jetojë një njeri, fundi i tij nuk do të jetë ndryshe nga fundi i këtyre njerëzve që shemben përtokë nga murtaja! Allahu u ka caktuar bijve të Ademit që të shijojnë vdekjen, andaj të gjithë do të vdesin! Kjo është arsyeja pse më të mençur janë ata që i binden Zotit të tyre, duke bërë çmos për amshimin e tyre. Mbi ju qoftë paqja dhe mëshira e Allahut! Muadh bin Xhebelit: në namaz priju ti njerëzve.”
Kur dha shpirt Ebu Ubejdeja (radijallahu anhu), Muadhi (radijallahu anhu) doli përpara njerëzve dhe u mbajti këtë fjalë:
“O njerëz! Pendohuni përpara Allahut për të gjitha mëkatet tuaja. Nëse një rob del përpara Allahut i penduar për mëkatet e tij, nuk ka dyshim se Allahu i Drejtë e fal atë. Kush ka borxhe t’i paguajë, sepse, në ahiret, njeriu mbahet peng për shkak të borxhit të papaguar që ka. Nëse mes jush ka që janë të hidhëruar me njëri-tjetrin, të pajtohen, sepse, për një mysliman, nuk është e lejuar që ai të qëndrojë i hidhëruar me vëllanë e tij në fe për më shumë se tri ditë.
O myslimanë! Sot ju ka tronditur vdekja e një njeriu të atillë, që, më besoni, nuk ma merr mendja të ketë njeri me zemër më të bardhë, në të cilën nuk gjendet as njolla më e vogël, që i ka dashur e i do dhe që u ka bërë myslimanëve më shumë të mira sesa ai. Lutjuni Allahut që ta mëshirojë. Tani, ejani, bëhuni gati të falim namazin.”
21. JETESA E KALIFËVE DHE E DREJTUESVE TË TJERË
Mënyra e jetesës e Ebu Bekrit (r.a.) pasi që u bë kalif
E tregojnë Ibni Omeri (radijallahu anhu), Aishja (radijallahu anha), Ibnu’l-Musejebi (radijallahu anhu) dhe shumë të tjerë:
Besëlidhja me Ebu Bekrin (radijallahu anhi) ra në një ditë të hënë, të hënës së dymbëdhjetë të muajit Rabiuleuel të vitit të njëmbëdhjetë të hixhretit. Ai e kishte shtëpinë në lagjen Sunh në atë zonë të Medinës që asokohe quhej Auali. Në të ai rrinte me të shoqen e tij, Habiben. Në Sunh shtëpinë e kishte bërë me thurje në trajtë çadre. Vetëm aty pati jetuar, derisa u zhvendos brenda në Medinë. Pasi iu ngarkua misioni i kalifatit, vijoi të qëndrojë atje edhe për gjashtë muaj. Nisej çdo mëngjes dhe vinte në Medinë duke ecur. Shumë rrallë mund ta kenë parë të hipur në kalë dhe kishte një veshje tejet të thjeshtë. Në Medinë vinte rregullisht, për t’u falur njerëzve namazin në kohë. Pasi u falte edhe jacinë, ai nisej drejt shtëpisë së tij në Sunh, për t’iu bashkuar familjes që e priste. Kur nuk ishte ai, imam bëhej Omeri (radijallahu anhu). Të premteve, paraditen e kalonte në Sunh, ngjyente flokët dhe mjekrën dhe aty në të afruar të kohës së namazit të xhumasë vinte në qytet dhe u falte njerëzve të xhumanë.
Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte tregtar. Çdo ditë, herët në mëngjes, ai zbriste në pazar dhe shiste e blinte mallra të ndryshëm. Kishte një tufë dhensh, të cilat herë i nxirrte vetë për të kullotur, herë nxirrte të tjerë. Milte jo vetëm delet e veta, por edhe delet e tërë mëhallës. Aq sa, kur njerëzit lidhën besën me të dhe e pranuan si kalif, një e vajzëtha:
“Këtej e tutje nuk ka për të na i mjelë më delet.” Mirëpo Ebu Bekri (radijallahu anhu) e dëgjoi dhe tha:
“Ju betohem që unë do të vazhdoj t’jua mjel bagëtitë. Shpresoj shumë, që një ditë kjo detyrë që po marr përsipër të mos m’i ndryshojë zakonet.” Vërtet, pasi u bë kalif, Ebu Bekri (radijallahu anhu) vijoi t’ua milte po njësoj bagëtitë fqinjëve të tij. Madje, asaj vajzë që i pati folur në ditën e besëlidhjes i thoshte:
“Si t’i mjel, me shkumë, apo pa shkumë? Si e doni qumështin?”
“Me shkumë!”, – i përgjigjej ajo dhe Ebu Bekri (radijallahu anhu) bënte siç i thoshte vajza.
Kështu vazhdoi jeta e Ebu Bekrit (radijallahu anhu) edhe për gjashtë muaj të tjerë pasi u bë kalif. Më vonë, ai u zhvendos në qendër të qytetit, për të jetuar që prej asaj dite. U mendua ca dhe tha:
“Jo, uallahi, marrja me tregti po më pengon të merrem punët e njerëzve. Më duhet të ndaj më shumë kohë për t’i ndihmuar njerëzit në zgjidhjen e problemeve.”, – dhe, sakaq, e la edhe tregtinë. Kështu, Ebu Bekrit (radijallahu anhu) dhe pjesëtarëve të familjes së tij iu caktua një pagë vjetore prej gjashtëmijë dërhemësh, që ata do t’i përdornin për të jetuar dhe për haxhin dhe vizitat e tyre në Qabe.
Në çastet e fundit të jetës, ai u la amanet të tijve:
“Çfarë na ka mbetur nga ajo që na kanë dhënë myslimanët kthejuani. Nuk dua të mbetet tek unë as gjëja më e vogël. Tokat dhe arat që kam në aksh vend po ia fal thesarit të myslimanëve, për ato që kam shpenzuar deri më sot.” Kështu, bashkë me tokën, tek Omeri (radijallahu anhu) u dorëzuan një deve që jepte shumë qumësht, një skllav që ishte usta për t’u dhënë shpatave shkëlqim dhe një copë kadifeje me vlerë pesë dërhemë. Kur i pa, i dëshpëruar, Omeri (radijallahu anhu)nuk duroi dot dhe tha për të:
“Iku e na la një jetë të pamundur për t’u jetuar!”
Jetesa e valiut të Humusit, Umejr bin Sa’dit
Omeri (radijallahu anhu) e kishte caktuar vali të Humusit Umejr bin Sa’d el-Ensarin. Megjithëse kishte kaluar vetëm një vit, ai nuk pati marrë asnjë lajm prej tij, kështu që i tha shkruesit të tij:
“Shkruaji menjëherë një letër Umejrit; kam filluar të mendoj se ai na ka tradhtuar.” Ja se cila ishte letra që i kërkoi ai shkruesit të hidhte në fletë:
“Kur ta marrësh këtë letër eja menjëherë këtu! Me vete të sjellësh edhe tagrat që u ke mbledhur myslimanëve.”
Umejri (radijallahu anhu), një të lexuar letrën, mori çantën, pak ushqim për rrugën, vuri edhe çanakun në çantë, mataranë e lidhi pas trupi, kërrabën në dorë dhe u nis në këmbë nga Humusi për në Medinë. Kur mbërriti në Medinë, ishte zbehur fare në fytyrë, fytyra i ishte mbuluar nga pluhuri dhe balta, ndërsa flokët i ishin rritur shumë. Ashtu doli përpara kalif Omerit (radijallahu anhu), duke i thënë:
“Es-selamu alejke, o Prijësi i Besimtarëve! Mbi ty qofshin mëshira dhe begatia e Allahut.”
“Ç’je katandisur kështu?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu).
“Pse, si jam? I shëndetshëm jam, gjakun e kam të pastër, këtë botë e kam kapur për brirësh e tërheq zvarrë pas vetes!”, – tha Umejri.
“Çfarë ke sjellë, çfarë ke aty me vete?”
“Me vete kam pak ushqim për gjatë rrugës dhe çantën ku mbaj çanakun. Atë çanak e përdor edhe për të ngrënë, edhe për të larë kokën e ndonjë rrobë që më është bërë pis. Kam mataranë, që e mbush me ujë, ta kem për të pirë ose për të marrë abdesin dhe një kërrabë tek e cila mbështetem kur më lodhen eshtrat, por edhe për t’u mbrojtur nëse më del ndonjë kafshë grabitqare. Uallahi, nuk kam asgjë tjetër veç këtyre në këtë botë.”
“Po duke ecur ke ardhur deri këtu?”, – e pyeti Omeri.
“Po!”
“Po mirë, askush nuk ka dalë nga ai popull që të të japë një kafshë, që mund t’ia hipësh kur të duhet të udhëtosh?”
“Unë nuk ua kam kërkuar, por as ata nuk ma kanë dhënë vetë!”
“Ç’njerëz të këqij qenkan myslimanët që drejton ti!”
Këtu, Umejri e kundërshtoi Omerin (radijallahu anhu):
“O Omer! Ki frikë nga Zoti! Allahu ua ka ndaluar myslimanëve të përgojojnë njëri-tjetrin. Unë jam dëshmitar që ata e falin të gjithë namazin e sabahut.”
“Po unë me çfarë detyre të pata ngarkuar, kur të nisa për atje? Çfarë ke bërë ti atje?”
“Pse po ma pyet këtë, o Prijësi i Besimtarëve?”
“Subhanallah!”, – psherëtiu Omeri (radijallahu anhu) i çuditur, kur Umejri ia ktheu:
“Sikur të mos kisha frikë se do të të mërzitja ty, nuk të tregoja asgjë. Ti më dërgove dhe unë shkova menjëherë, mblodha njerëzit më të mirë e të rregullt dhe i ngarkova me mbledhjen e taksave dhe tagrave. Pastaj taksat e mbledhura i shpërndava sipas nevojave që ishin atje; patjetër që do të t’i kisha dërguar deri më tani, nëse do të kishte tepruar gjë!”
“Ç’do të thotë kjo? Nuk na ke sjellë asgjë?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu)atë.
“Jo!”, – u përgjigj Umejri.
Paskëtaj, Omeri iu drejtua shkruesit dhe i tha:
“Ripërtërijeni urdhrin e emërimit të Umejrit!” Umejri tha:
“Unë nuk të kërkova asnjë detyrë dhe këtë detyrë nuk do të vazhdoj ta bëj më as për ty, as për ata që do të vijnë pas teje! Vështirë të shpëtoj, për të mos thënë e pamundur, sepse unë i thashë njëherë një të krishteri: “Zoti të poshtëroftë.” Duke thënë këtë, Umejri (radijallahu anhu) donte të theksonte se këto fjalë e kishin prekur shumë atë njeri jomysliman dhe kjo e kishte shqetësuar tej mase, sepse i Dërguari Fisnik ua kishte ndaluar atyre t’i fyenin, apo t’u shkaktonin vuajtje jomyslimanëve. Atëherë, Umejri i përmbylli fjalët e tij kështu:
“O Omer! Ti je shkaktari i kësaj. O Omer! Nuk ka ditë më të kobshme për mua sesa ditët që kam kaluar duke kryer detyrën e ngarkuar prej teje dhe nuk vdiqa bashkë me shokët e mi që u larguan nga kjo botë!” Mandej, Umejri kërkoi leje dhe u kthye në shtëpi.
Shtëpinë Umejri e kishte disa kilometra larg Medinës. Omeri (radijallahu anhu) nuk e mposhti dot dyshimin që e brente përbrenda vetes dhe tha:
“Prapëseprapë, ky njeri mund të na ketë tradhtuar!” Kështu që i dha njëqind dinarë dikujt me emrin Harith dhe e porositi:
“Do të shkosh në shtëpinë e Umejrit dhe do të sillesh si mik. Nëse sheh që është i pasur, atëherë eja dhe m’i kthe paratë. Por, nëse të duket i varfër, atëherë jepja atij këto njëqind dinarë.” Harithi shkoi dhe kur mbërriti në fshat, e gjeti Umejrin të ulur ndanë një muri teksa pastronte këmishën. Burri i dha selam Umejrit. Ai ia ktheu selamin dhe i tha:
“Zoti të faltë! Zbrit poshtë, nga po vjen?”- “Vij nga Medina.”, – iu përgjigj Harithi.
“Si është Prijësi i Besimtarëve?”
“Mirë është.”
“Po myslimanët, si janë?”
“Edhe ata mirë janë.”
“Po Prijësi i Besimtarëve vazhdon t’i ndëshkojë keqbërësit?”
“Po!”
“O Zot! Ndihmoje Omerin. Unë e di që ai të do shumë, o Zot!”, – tha atëherë Umejri.
Harithi qëndroi tri ditë në shtëpinë e Umejrit. Umejri nuk gatuante dot gjë tjetër, veç një buke elbi. Edhe atë ia jepte mikut, ndërsa vetë dhe familja qëndronin të uritur e pa ngrënë. Në çastin që uria arriti kulmin, Umejri i tha Harithit:
“Na le të uritur, mund të nisesh, nëse ke për të shkuar gjëkundi!” Harithi nxori dinarët dhe ia dha Umerit e i tha:
“Këto t’i dërgon Prijësi i Besimtarëve, Omeri (radijallahu anhu), përdori për ndonjë nevojë që mund të kesh.”
Umejri nuk i pranoi, madje edhe ia ktheu me një britmë:
“Nuk kam nevojë për to.”
“Merri, more burrë, kemi nevoja, edhe po nuk deshe t’i përdorësh, ia jep ndokujt si lëmoshë.”, – i tha atij e shoqja.
“Uallahi, unë nuk kam as ku t’i vë!”, – ia preu Umejri.
Sakaq, e shoqja grisi një copë nga rroba që kishte veshur dhe ia dha. Ai i mori paratë, i mbështolli me atë beze dhe doli nëpër mëhallë. Ua shpërndau të tëra të varfërve dhe jetimëve të dëshmorëve. Harithi pati pritur që t’ia jepte atij një pjesë të parave, mirëpo Umejri nuk i dha asgjë. Pasi i shpërndau, ai i tha Harithit:
“Dërgoi selamet e mia Prijësit të Besimtarëve.”, – dhe e përcolli.
Kur Harithi u kthye në Medinë, Omeri (radijallahu anhu) e pyeti Harithin se si i qe dukur Umejri.
“Shumë të varfër e shumë nevojtar.”, – iu përgjigj Harithi.
“Po çfarë bëri me paratë që i dhe ti?”, – pyeti Omeri (radijallahu anhu).
“Nuk e di!”, – tha Harithi.
Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) i dërgoi edhe një letër tjetër Umejrit, duke i shkruar:
“Eja menjëherë tek unë, sapo ta lexosh këtë letër.” Umejri, një ta lexuar letrën, erdhi në Medinë dhe shkoi drejt e tek Omeri (radijallahu anhu).
“Ç’i bëre dinarët?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu).
“Bëra atë që bëra! Po pse më pyet?”, – ia ktheu Umejri.
“Për hir të Allahut, më thuaj të vërtetën, çfarë bëre me to?”
“I dhashë lëmoshë, që t’i kem si ushqim rruge në jetën e përtejme!”, – u përgjigj ai.
“Zoti të dhëntë veç të mira.,– tha Omeri (radijallahu anhu) dhe urdhëroi që Umejrit t’i jepej një deve e ngarkuar me grurë dhe dy masa rrobë për veshje.
“Nuk kam nevojë për të ngrënë dhe derisa ta kem ngrënë këtë bukë që kam marrë me vete, Zoti medoemos do të ma nxjerrë riskun!”, – tha ai duke mos i pranuar ushqimet e dhëna prej Omerit (radijallahu anhu).
“Po, sa për teshat, do t’i marr, se nëna e aksh njeriu nuk ka asgjë për të veshur, do t’ia shpie asaj.”, – dhe e mori atë copë dhe u kthye në shtëpi. Nuk është se jetoi edhe shumë paskëtaj.
Omeri (radijallahu anhu) u hidhërua jashtë mase kur mori lajmin se kishte vdekur Umejri. Iu lut Allahut që ta mëshironte dhe u lut shumë për të. Bashkë me shokët ata ecën deri në varrezën Baki. Në një moment, ai u tha atyre që kish pranë:
“Të më thotë secili prej jush nga një dëshirë e nga një kërkesë.”
“O Prijësi i Besimtarëve! Po të isha i pasur, për hir të pëlqimit e kënaqësisë së Allahut do të doja të liroja një skllav; kjo është ajo që dua më së shumti!”, – u hodh e tha njëri.
“O Prijësi i Besimtarëve! Sikur të kisha pak pasuri, e të mund ta jepja lirshëm në rrugën e Allahut!”, – tha një tjetër.
“Do të doja të isha i fuqishëm, e të nxirrja ujë prej pusit të zemzemit dhe të shkoja t’u jepja të pinin atyre që vijnë për të vizituar Shtëpinë e Zotit!”, – tha sakaq një tjetër.
Në fund shprehu edhe Omeri (radijallahu anhu) dëshirën e tij, duke thënë:
“Ah të kisha një njeri si Umejr bin Sadi, që t’i kërkoja të më ndihmonte, për t’i kryer më mirë punët e myslimanëve! Ja, kjo është ajo çfarë dua unë më shumë!”
Mënyra e jetesës e valiut të Humusit, Said bin Amir el-Xhumehiut
Halid bin Midani na tregon: “Omeri (radijallahu anhu) si vali të Humusit pati emëruar Said bin Amirin (radijallahu anh). Kur Omeri (radijallahu anhu) shkoi njëherë në Humus, ai u tha vendasve:
“O njerëz të Humusit, si po ju duket valiu, ç’mendim keni për të? A jeni të kënaqur prej tij?” Populli i Humusit iu ankua Omerit (radijallahu anhu) për Saidin. Meqenëse Humusi ankohej shumë shpesh për drejtuesit e vet, herë-herë atë vend e quanin edhe “Kufja e vogël”
“Ne kemi katër ankesa për valiun: E para, ai nuk vjen tek ne pa u ngjitur mirë dielli në qiell!”, – thanë ata
“Ky është një gabim shumë i madh! Po tjetër?..”, – ndërhyri Omeri (radijallahu anhu).
“Kur bie nata, ai nuk pret më asnjeri.”
“Edhe kjo është shumë e gabuar! Po tjetër?..”, – tha Omeri (radijallahu anhu).
“Një ditë në muaj ai nuk vjen fare tek ne!”
“Edhe kjo, e metë shumë e madhe është! Po tjetër, tjetër?..”, – pyeti Omeri.
“Ka disa ditë, që ai kalon kriza, na duken si shenja të çmendurisë!”, – thanë ata.
Omeri (radijallahu anhu) vendosi që t’i vinte ata ballë për ballë me valiun e tyre. Meqenëse vetë kishte një mendim shumë të mirë për të:
“O Zot! Mos më lër të dal i zhgënjyer nga Saidi.”, – u lut ai. Me të ardhur Saidi, Omeri (radijallahu anhu)iu drejtua popullit:
“Cilat ishin ankesat tuaja?”
“Nuk vjen te ne pa ardhur mesi i ditës.”, – thanë ata. Aty Omeri e pyeti Saidin, se cila ishte arsyeja që e bënte këtë.
“Uallahi, nuk doja ta thosha, por jam i detyruar: unë nuk kam shërbyes, e më duhet ta ndrys vetë brumin e bukës, të pres sa të vijë brumi dhe kur të vijë, më duhet ta pres sa të piqet. Më vonë, marr abdes dhe vij te besimtarët.”, – u përgjigj Saidi.
“Po tjetër, çfarë ankese patët?”, – pyeti Omeri (radijallahu anhu).
“Nuk pranon të takojë askënd gjatë natës.”, – thanë ata.
“Po për këtë çfarë do të thuash, o Said?”, – pyeti Omeri (radijallahu anhu).
“As këtë nuk do të doja të ta thosha! Ç’është e vërteta, unë ditën ua kam ndarë njerëzve, kurse netët Zotit tim!”, – u përgjigj Saidi.
“Ankesa e tretë?”, – tha Omeri (radijallahu anhu).
“Një ditë në muaj nuk vjen fare pranë nesh.”, – u hodhën ata.
“Po për këtë, çfarë do të thuash, o Said?”, – ndërhyri Omeri (radijallahu anhu) duke iu drejtuar Saidit.
“Meqenëse nuk mbaj shërbyes, që të më lajë teshat, dhe nuk kam vetëm se një veshje të vetme, në atë ditë unë laj teshat dhe më duhet të pres derisa të thahen. Pasi thahen teshat, aty në të rënë të muzgut, unë dal e shkoj pranë tyre!”, – u tha Saidi.
“Seç kishit edhe një ankesë tjetër, pa ma thoni edhe njëherë?”, – pyeti Omeri (radijallahu anhu) sërish.
“Ka disa ditë që seç kalon ca si kriza, të cilat duken si shenja të çmendurisë!”, – folën ata.
“Po për këto, çfarë do të thuash, o Said?”, – tha Omeri (radijallahu anhu), kur Saidi ndërhyri menjëherë:
“O i Pari i Besimtarëve! Unë kam qenë aty, në Mekë, kur vranë Khubejbin (radijallahu anhu) dhe e kam parë me sytë e mi se si e vranë. Kurejshët e vranë atë duke ia prerë mishin çikë e nga një çikë, ia vunë trupin mbi një trung dhe e pyetën:
‘A do të doje, që, tani, këtu në vendin tënd të ishte Muhamedi dhe
jo ti?’ Ndërsa ai iu përgjigj duke u thënë:
‘I betohem Allahut, jo që nuk dua që të ishte ai këtu, në vendin tim; por më drithërohet zemra sikur edhe një gjemb t’i hyjë në këmbë atij!’ Mandej Khubejbi thirri:
‘O Muhamed!’ Në atë kohë unë isha ende idhujtar, e nuk kisha besuar tek Allahu. Tani, sa herë që më vjen në kujtesë ajo ditë, më duket se Allahu nuk do të ma falë kurrë që nuk i erdha në ndihmë Khubejbit atë ditë, e për këtë më zënë gulçima e drithërima!’”
Pasi dëgjoi përgjigjet e Said bin Zejdit (radijallahu anhu), Omeri (radijallahu anhu) tha:
“Lëvduar qoftë Allahu, Saidi nuk më zhgënjeu.” Mandej, i dërgoi Saidit njëmijë dinarë ari, duke i thënë:
“Këto t’i përdorësh për nevojat e tua.” E shoqja e Saidit, një të marrë vesh se Omeri (radijallahu anhu) kishte dërguar dinarë, i tha të shoqit:
“Lëvduar qoftë Allahu që nuk na la nevojtarë, sa ti të bëheshe shërbëtor tek të tjerët.”, – dhe u gëzua pa masë. Said bin Zejdi ia ktheu së shoqes, duke i thënë:
“O grua, a do që këto para t’i harxhojmë për një punë akoma më të mirë e të mbarë? Si thua, sikur t’ua japim atyre që janë më nevojtarë se ne?”, – dhe thirri dikë të besuar nga familja e tij dhe i dha disa monedha.
“Këto t’ua çosh të vejave të aksh familjeve, jetimëve të aksh shtëpive, aksh të skamurve dhe atyre që u prekën nga fatkeqësitë.” Për vete ruajti vetëm një monedhë ari të vetme. Ia dha gruas dhe i tha:
“Merre, këtë ndaje ti me të tjerët.” Mandej u kthye të merrej me punët e tij të përditshme. E shoqja i tha:
“Të na kishe marrë të paktën një shërbyese! Nuk na bënë asnjë punë gjithë ato para, zotëri!”
“Mos ki merak, o grua, se ato para medoemos do të të kthehen në një ditë kur do të kesh nevojë për to më shumë se kurrë!”, – u përgjigj Said bin Amir (radijallahu anhu).
Shënimet
- 459.. Bejheki, Sunen, 8/145 (16327).
- 460.. Bejheki, Sunen, 8/145 (16326).
- 461.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/634 (12457).
- 462.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/411 (22759).
- 463.. Buhari, Sahih, 3/1359 (3504).
- 464.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/574 (1644).
- 465.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/243.
- 466.. Buhari, Sahih, 6/2639 (6793).
- 467.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/248.
- 468.. Ibn Kethir, Sire, 4/486.
- 469.. El-Hindi, Kenzu’l-Umal, 5/854 (14117).
- 470.. El-Hindi, Kenzu’l-Umal, 5/862 (14142).
- 471.. El-Hindi, Kenzu’l-Umal, 5/863 (14144).
- 472.. Ibn Abdi’l-Berr, el-Istiab, 1/298.
- 473.. Taberi, Tarih, 2/331.
- 474.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/847 (14098).
- 475.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/871 (14166).
- 476.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/852 (14112).
- 477.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/863 (14145).
- 478.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/851 (14110).
- 479.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/876 (14175).
- 480.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/199.
- 481.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/877 (14178).
- 482.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/77 (579).
- 483.. Shtrat i ulët, prej dërrasash etj., që vihet anës murit dhe që shtrohet me një dyshek të hollë e me mbulesë për të ndenjur; minder. (Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, shën. red.)
- 484.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/339.
- 485.. El-Hakim, Mustedrek, 3/129 (4612).
- 486.. Muslim, Sahih, 3/1403 (1779).
- 487.. Muslim, Sahih, 3/1383 (1763).
- 488.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/105.
- 489.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/364 (18670).
- 490.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/849 (14105).
- 491.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1496 (9151).
- 492.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/575 (9623).
- 493.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 3/44 (2633).
- 494.. Bejheki, Sunen, 10/113 (20119).
- 495.. Taberi, Tarih, 2/381.
- 496.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/278.
- 497.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/109.
- 498.. Ebu Daud, Sunen, 2/42 (2608).
- 499.. Tirmidhi, Sunen, 5/156 (2876).
- 500.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/37.
- 501.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/878 (11636).
- 502.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/371 (9040).
- 503.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/364 (9024).
- 504.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 20/258 (609).
- 505.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/290 (14288).
- 506.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/365 (9029).
- 507.. El-Hakim, Mustedrek 3/278 (5085).
- 508.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/380.
- 509.. Ibn Hibban, Sahih, 11/440 (5056).
- 510.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/511 (4343).
- 511.. Ebu Daud, Sunen, 2/79 (2719).
- 512.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/788 (35768).
- 513.. El-Hakim, Mustedrek, 3/329 (5269).
- 514.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/404 (9134).
- 515.. Bejheki, Sunen, 8/163 (16436).
- 516.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/226.
- 517.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/457 (27629).
- 518.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/950 (14376).
- 519.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/557.
- 520.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal,10/172 (28504).
- 521.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/273.
- 522.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/936 (14334).
- 523.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 12/331 (13265).
- 524.. Bejheki, Sunen, 8/164 (16438).
- 525.. Bejheki, Sunen, 8/165 (16442).
- 526.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/277.
- 527.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 10/265 (10619).
- 528.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/236 (36766).
- 529.. Buhari, Tarihu’l-Kebir, 2/98 (1825).
- 530.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 19/393 (925).
- 531.. Bejheki, Sunen, 10/108 (20083).
- 532.. Abdurrez’zak, Musannef, 11/324 (20662).
- 533.. Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 6/461 (32920).
- 534./887 (14203).
- 535.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/887 (14205).
- 536.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/937 (14337).
- 537.. Bejheki, Sunen, 3/269 (5875).
- 538.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/731 (35607).
- 539.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/48.
- 540.. Bejheki, Sunen, 8/201 (16627).
- 541.. Bejheki, Sunen, 8/163 (16432).
- 542.. Bejheki, Sunen, 9/29 (17627).
- 543.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/918 (11749).
- 544.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/313 (10044).
- 545.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/933 (14326).
- 546.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/817 (45949).
- 547.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/318.
- 548.. Buhari, Sahih, 4/1570 (4066).
- 549.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/295.
- 550.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/230 (26760).
- 551.. Mundhiri, et-Tergib, 2/380 (2800).
- 552.. Bejheki, Sunen, 8/49 (15804).
- 553.. Bejheki, Sunen, 10/144 (20297).
- 554.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/874 (36014).
- 555.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/872 (36007).
- 556.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/873 (36010). 11015/135 (40168).
- 557.. Bejheki, Sunen, 8/322 (17333).
- 558.. Bejheki, Sunen, 8/50 (15806).
- 559.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/537 (37474).
- 560.. Bejheki, Sunen, 3/36 (15726).
- 561.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 15/137 (40174).
- 562.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/811 (11449).
- 563.. Bejheki, Sunen, 9/96 (17962).
- 564.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/825 (11491).
- 565.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/814 (11457).
- 566.. Bejheki, Sunen, 10/88 (19953).
- 567.. Muhamed Rida, Uthman bin Affan, 1/37.
- 568.. Bejheki, Sunen, 5/205 (9782).
- 569.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/940 (14347).
- 570.. Bejheki, Sunen, 6/349 (12769).
- 571.. Ibn Asakir, Tarihu Dimashk, 42/488.
- 572.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/199.
- 573.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/176.
- 574.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/764 (35703).
- 575.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/52.
- 576.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/839 (35917).
- 577.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/52.
- 578.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/353.
- 579.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/354.
- 580.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/930 (14316).
- 581.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 1/59 (37).
- 582.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/878 (14180).
- 583.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/36.
- 584.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/846 (14095).
- 585.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/848 (14100).
- 586.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/844 (14089).
- 587.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/6 (21).
- 588.. Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 7/435 (37059).
- 589.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/881 (14188).
- 590.. Taberi, Tarih, 2/355.
- 591.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/35.
- 592.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/47; Taberi, Tarih, 2/440.
- 593.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/889 (14207).
- 594.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/889 (14209).
- 595.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/188 (44205).
- 596.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/184.
- 597.. Muhamed Rida, Uthman bin Affan, 1/188.
- 598.. Said bin Mensur, Sunen, 2/334 (2936).
- 599.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/160 (36553).
- 600.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/160 (36554).
- 601.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/801 (35807).
- 602.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/238; Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 20/32 (45).
- 603.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/199 (36666).
- 604.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/840 (14077).
- 605.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/247.
- 606.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/245.