JETA E SAHABËVE 1
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
XHIHADI
Si luftonin (bënin xhihad) në rrugën e Allahut Profeti i profetëve dhe sahabët e tij? Si niseshin ata qoftë edhe për luftë, për t’i ftuar njerëzit, të gjithë, me të rinj e me të moshuar, me të lumtur e me njerëz në vështirësi, që të pranonin e t’i besonin Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Si përpiqeshin të gjithë, me këtë mision, pa dallim, të varfër e të pasur, pa u ankuar njeri se ishte dimër, apo ishte verë?
1. PROFETI YNË I SHTYN SAHABËT E TIJ TË BËJNË XHIHAD NË RRUGËN E ALLAHUT
Këshillimi i Profetit tonë me sahabët e tij në luftën e Bedrit
Alkame bin Uakas el-Lejthi (radijallahu anhu) transmeton: “Profeti ynë ishte nisur për në Bedër. Kur mbërritën në vendin e quajtur ‘Reuha’, ai u foli atyre që ishin me të duke u thënë:
“Po ju si mendoni?”
Ebu Bekri (radijallahu anhu) tha:
“O Resulullah, sipas atyre që kemi dëgjuar, Kurejshët janë përgatitur jashtëzakonisht shumë.”
“Po mirë, po ju çfarë mendimi keni?”, – i pyeti ai sahabët e tij sërish.
Omeri (radijallahu anhu) u çua dhe tha po ato që tha edhe Ebu Bekri (radijallahu anhu). Megjithatë, Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i pyeti sërish ata:
“Çfarë mendoni ju?”, – Sad bin Muadhi (radijallahu anhu) tha:
“O Resulullah! Me sa duket e keni fjalën për ne Ensarët. Ne i betohemi Allahut që të lartësoi ty me mirësinë e profetësisë dhe me ty dërgoi Kur’anin, se unë nuk di asgjë për rrugën që do të ndjekim, ashtu siç nuk e dija fare rrugën që kemi bërë deri këtu! O Resulullah, ti sikur edhe deri në Berkul-Gimad në Jemen të shkosh, ne kurrsesi nuk do të ndahemi prej teje. Ne nuk do të bëhemi si ata që i thanë profetit të tyre, Musait (a.s.):
“Ti dhe Zoti yt shkoni të luftoni kundër armikut, ne do t’ju presim këtu.” Ne ju themi ju:
“Ti dhe Zoti yt shkoni të luftoni kundër armikut, por do të vijmë edhe ne me ju, do t’ju ndjekim në çdo gjë deri më një.” Nuk ka dyshim se ti nuk dole kot nga Medina; ma merr mendja se ishte Allahu që ty diç të urdhëroi. Ti vetëm ndiq urdhrin e Allahut dhe vazhdo rrugën të ecësh përpara. Mbaj marrëdhënie të mira me kë të duash, e priti lidhjet, kur të vijë puna, me kë të duash. Tregohu armik me kë të duash, bëj marrëveshje me kë të duash dhe merr sa të duash prej pasurisë sonë, sa herë që do të të nevojitet!” Fill pas këtyre fjalëve që i tha Sadi të Dërguarit të Allahut pati zbritur ajeti i pestë i sures “Enfal”, në të cilin thuhej: “Zoti yt të nxori nga shtëpia jote (për të luftuar) për një punë shumë të mirë e me vend, për të Vërtetën, edhe pse kjo nuk i pëlqeu një grupi prej besimtarëve.” (Enfal, 8/5)
Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “Pastaj Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) doli vetë para njerëzve dhe, për t’i nxitur ata që të luftonin në rrugën e Allahut, u tha atyre:
“Unë i betohem Allahut, që e ka në dorën e Tij frymën time, që, sot, kushdo që lufton kundër idhujtarëve, pa i ikur përplasjes, duke duruar dhe duke pasur shpresë të plotë tek Allahu dhe vritet, Allahu medoemos ka për t’i falur atij Xhenetin.”
Mandej, Umejr bin Humami nga bijtë e Selimes, i cili po hante disa hurma që kishte në dorë, tha:
“Pa shiko, shiko!.. Domethënë, që unë të hyj në Xhenet nuk ka asnjë pengesë tjetër veçse të më vrasë njëri prej tyre, hë?”, – i hodhi hurmat që kishte në dorë përdhè, nxori shpatën dhe luftoi derisa dha jetën e ra dëshmor.
Xhed bin Kajsi prej hipokritëve kërkon leje që të mos marrë pjesë në betejën e Tebukut
Abdullah bin Ebi Bekr bin Hazmi transmeton: “Në kohën që i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) deshi të dilte në luftë, ai e mbante të fshehtë qëllimin e tij, që të gjithë të ndiheshin sikur myslimanët ishin me tjetër qëllim dhe jo për të luftuar. Mirëpo, në betejën e Tebukut, ai nuk ndjeu nevojë për një masë të këtillë, kështu që tha:
“O njerëz, unë dua të nisem për luftë kundër bizantinëve.”, – duke e shprehur kësisoj haptas qëllimin e tij të vërtetë. Kjo ishte një thirrje për luftë në ditët më të thata e më të nxehta që kishte stina e verës. Aty, në fushën ku u vendosën, mbi gjithçka, sundonte thatësira dhe mungesa e burimeve. Ishte pikërisht ajo kohë kur sapo kishin filluar të piqeshin frutat, njerëzit donin të rrinin ulur nën hijen e pemëve duke soditur dhe që askush nuk donte të largohej prej kopshteve të tija. Një ditë, ndërkohë që i Dërguari i Allahut ishte i zënë me përgatitjet për ekspeditën e Tebukut, aty erdhi prijësi i hipokritëve, Xhed bin Kajsi, të cilit ai i tha:
“O Xhed! A do të luftosh me njerëzit e kryqit?”
“O i Dërguari i Allahut, më jepni mua leje, mos më merrni në qafë. Uallahi, populli im, Ensarët, e dinë shumë mirë, që nuk ka njeri më të dhënë pas grave sesa unë! Kam frikë se mos ndonjë prej grave të krishtera më prish mendjen! Prandaj, o i Dërguari i Allahut, më jepni mua leje të mos vij në luftë.”, – i tha Xhedi të Dërguarit të Allahut.
“Në rregull, të kam dhënë leje.”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut dhe e largoi shikimin prej tij.
Ajeti i dyzetenëntë i sures “Teube” ka zbritur lidhur me këtë ngjarje:
“Disa prej atyre (hipokritëve) thonë: ‘Më lejo (të mungoj në luftë) dhe mos më vër në sprovë!’ Ja, ata ranë pikërisht në sprovë. Me të vërtetë, Xhehenemi i përfshin nga çdo anë mohuesit.” (Teube, 9/49)
Ndërsa një pjesë tjetër e hipokritëve, nuk u mjaftuan vetëm me kërkimin e lejes, por, duke përdorur vapën si pretekst e justifikim, e këshilluan të Dërguarin e Allahut:
“Mos u nisni për luftë në këtë vapë.” Andaj, Allahu zbriti menjëherë ajetin: “Ata që mbetën në shtëpitë e tyre, pas (daljes për luftë të) të Dërguarit të Allahut, u gëzuan; nuk u pëlqente të luftonin në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre dhe thanë: ‘Mos shkoni në luftë nëpër vapë!’ Thuaju: ‘Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!’ Veç sikur të kuptonin!” (Teube, 9/81)
I Dërguari i Allahut i vijoi po njëlloj, po me të njëjtin seriozitet, përgatitjet e luftës, duke u urdhëruar njerëzve që t’i bashkoheshin atij. Ndërsa ata që ishin të pasur i nxiti që të jepnin nga pasuria e tyre në rrugën e Allahut dhe të blinin kafshë udhëtimi edhe për të tjerët që do të merrnin pjesë në luftë. Dhe ata kështu bënë, blenë kafshë rruge dhe ua shpërndanë të varfërve, duke dhënë kësisoj nga pasuria e tyre për kauzën e Allahut. Ndihmën më të madhe e pati bërë Osmani (radijallahu anhu), i cili pati blerë për luftëtarët plot dyqind deve të shëndetshme.”
Ndihmesa ekonomike e sahabëve gjatë betejës së Tebukut
I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i nxiti myslimanët që të merrnin pjesë në luftë dhe u kërkoi atyre që të jepnin prej pasurisë së tyre në këtë rrugë. Myslimanët, gjithë ç’kishin e përdorën për t’i ardhur në ndihmë të Dërguarit të Allahut dhe gjithë të tjerëve që kishin nevojë për ndihmë. Ebu Bekr Besniku (radijallahu anhu) i dha të tëra ato katërmijë dirhemë që kishte. Kur i Dërguari i Allahut e pyeti:
“Po familjes e fëmijëve, a u le gjë? Çfarë u le atyre?” Ebu Bekri iu përgjigj me fjalët:
“Atyre u lashë Allahun dhe të Dërguarin e Tij!” Më vonë, erdhi Omeri (radijallahu anhu), i cili solli gjysmën e tërë pasurisë së tij. I Dërguari i Allahut e pyeti:
“A u le gjë pjesëtarëve të tjerë të familjes?” Omeri (radijallahu anhu) iu përgjigj:
“Po, o i Dërguari i Allahut! Këto që kam sjellë janë vetëm gjysma e asaj që kisha.” Kur mori vesh se Ebu Bekri kishte sjellë të gjitha paratë që kishte, Omeri tha:
“Sa herë që garojmë me njëri-tjetrin në të mirë, Ebu Bekri gjithmonë ma kalon!”
Ndër ata që ndihmuan ishin edhe Abas bin Abdulmutalibi dhe Talha bin Ubejdullahu. Abdurrahman bin Aufi pati sjellë plot dyqind okë argjend. Sad bin Ubadeja me Muhamed bin Meslemen patën dhënë po të njëjtën ndihmë. Asim bin Adijji pati dhënë plot nëntëdhjetë veshë hurmash. Osman bin Afani atë ditë armatosi as një më pak, as një më shumë, por një të tretën e tërë ushtrisë. Përballoi vetë gjithë shpenzimet e ushtrisë, duke u siguruar atyre deri edhe enët e ujit dhe thasët që do të shtronin në tokë për t’u shtrirë. Atë ditë, na përcillet se Profeti i profetëve ka thënë:
“Që sot e tutje, Osmanit nuk i sjell më dëm asgjë që do të bëjë!”
Profeti ynë i nxiste të pasurit që të bënin sa më shumë vepra të mira. Ndërsa ata, shpërblimin e të mirave të tyre e prisnin prej Allahut. Ata që nuk ishin kaq të pasur, sa sahabët që u përmendën pak më sipër, përpiqeshin që të ndihmonin ata që ishin më të varfër me sa të kishin mundësi. Kur dikush sillte një deve, kur dikush u jepte për të ngrënë dy luftëtarëve të varfër, apo duke u thënë:
“Merreni këtë deve, të hipni njëherë njëri, njëherë tjetri.” Me aq sa kishin mundësi, vepra të mira përpiqeshin të bënin edhe gratë. Ummu Sinan el-Eslemijeja (radijallahu anha) ka thënë:
“Uallahi, ndërsa të gjithë ishin duke bërë përgatitjet e nevojshme për betejën e Tebukut, në shtëpinë e Aishes (radijallahu anha) pashë një beze të hapur, e cila ishte e shtruar përpara të Dërguarit Fisnik. Në të ishin vendosur byzylykët, varëset, vëthët dhe unazat që kishin dhuruar gratë. Populli ndihej shumë ngushtë në ato ditë. Ishte stina kur piqen frutat, ditë që njerëzit e donin shumë hijen. Njerëzit pëlqenin më shumë të uleshin në tokë, e u vinte shumë e rëndë që t’u kërkoje atyre të ngriheshin nga toka, për t’u marrë me ndonjë punë. Megjithatë, Profeti ynë e trajtoi me shpejtësi këtë çështje dhe çadrën e tij e ngriti në vendin e quajtur “Thenijetu’l-Ueda”. Aq e madhe ishte në numër ajo ushtri, saqë asnjë fletore nuk mjaftonte për t’i shkruar të gjithë emrat e tyre. Po të mos ishin të shqetësuar se do të zbriste shpallja, ata që nuk donin të bashkoheshin me të tjerët, gati ishin, për të gjetur një mënyrë si e si për t’u shmangur. Kur i Dërguari i Allahut i përfundoi gjithë përgatitjet dhe vendosi për nisje, në Medinë la si mëkëmbës Siba bin Urfuta el-Gifarin. Sipas një transmetimi, ai la si mëkëmbës Muhamed bin Meslemenë. Profeti ynë u tha atyre:
“Merrni shumë këpucë e sandale me vete; sepse njeriu quhet kalorës për aq kohë sa mban të veshura këpucë.”
Kur Resulullahu u nis, Ibni Ubej bin Seluli bashkë me një grup mynafikësh u kthyen pas dhe thanë:
“Muhamedi, mirë që është i varfër, por, në mes të gjithë kësaj vape, do të shkuakësh të luftojë me bizantinët! Muhamedit më duket se i duket lojë të luftosh me bizantinët!” Mendimin e tij e pëlqyen edhe disa të tjerë që ishin me të, kështu që vazhduan me hipokrizinë e tyre. Më vonë, Ibni Ubeji filloi të përhapte edhe lajme të pakëndshme, por me qëllim, për të Dërguarin e Allahut dhe sahabët e tij. Ai thoshte:
“Uallahi, më duket sikur pashë që Muhamedin dhe shokët e tij i kishin lidhur me zinxhirë!”
Kur Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u largua nga vendi i quajtur Thenijetu’l-Ueda, në drejtim të Tebukut, lidhi fort edhe flamujt dhe bajrakët e myslimanëve. Flamurin më të madh ia la ta mbante Ebu Bekri, ndërsa bajrakun ia dha Zubejrit. Flamurin e fisit të Eusëve ia la Usejd bin Hudajrit, ndërsa atë të Hazrexhëve ia dorëzoi Ebu Duxhanes; kurse, sipas një tjetër transmetimi, atë ai ia dha Hubab bin Mundhirit (radijallahu anhum).
Numri i ushtarëve që ishin në krah të të Dërguarit të Allahut atë ditë shkonte deri në tridhjetëmijë, dhjetëmijë prej të cilëve ishin kalorës. I Dërguari Fisnik i urdhëroi çdo familjeje ensare që të mbanin flamujt dhe bajrakët e vet. Ndërsa të gjitha fiset e tjera arabe mbanin flamujt dhe bajrakët e tyre.”
2. PROFETI YNË, NË SHTRAT, NË ÇASTET E FUNDIT TË JETËS URDHËRON USAMEN TË NISET PËR EKSPEDITË USHTARAKE DHE PËRKUJDESJA E VEÇANTË E EBU BEKRIT
(r.a.) LIDHUR ME KËTË ÇËSHTJE NË DITËT E PARA TË KALIFATIT TË TIJ
Urueja tregon: “Profeti ynë vuri në krye të ushtrisë Usame bin Zejdin, duke e urdhëruar që të sulmonte befasishëm në vendin e quajtur Ubna. Më vonë, Ai i tha Usames:
“Ec, ec me lejen dhe ndihmesën e Allahut.” I dha atij edhe flamurin e qepur me kopsa, të cilin ai ia la në dorëzim ta mbante Burejde bin Husajbit. Siç e pati porositur i Dërguari i Allahut, Usameja e ngriti vendqëndrimin e ushtrisë në zonën e quajtur Xhurf, që i përkiste Medinës. Njerëzit nisën të mblidheshin. Ata që mbaronin punët e tyre dilnin në vendin ku ishte ushtria, ndërsa ata që nuk kishin përfunduar dot me punët e tyre, vazhdonin të punonin. Nga mërgimtarët e parë nuk mbeti asnjë pa u thirrur në këtë betejë. Omer bin Hatabi, Ebu Ubejdeja, Sad bin Ebi Uekasi, Said bin Zejd bin Amr bin Nufejli ishin ndër të parët që u përfshinë në radhët e atyre që do të merrnin pjesë. Disa nga mërgimtarët – ai që përdorte fjalët më të rënda ishte Ajash bin Ebi Rabia – thanë:
“Si arrin i Dërguari i Allahut të vërë një djalë kaq të ri si udhëheqës, në krye të mërgimtarëve të parë?”, – ndaj edhe kundërshtuan. Thashethemet lidhur me këtë çështje u përhapën shumë shpejt. Omeri (radijallahu anhu), një t’i dëgjuar fjalët që kishin filluar të përhapeshin, u dha të gjithëve përgjigjen e merituar, por nuk la pa ia treguar të Dërguarit të Allahut gjithë sa ishin thënë. Resulullahu qe mërzitur shumë nga kjo sjellje. Doli mbi minber, megjithëse kokën e kishte të mbështjellë dhe kishte hedhur në shpinë një teshë si kadife dhe, pasi lëvdoi dhe lartësoi emrin e Allahut, tha kështu:
“O njerëz! Ç’janë ato fjalë që kam dëgjuar të thoni për mua, pse unë ju kam caktuar si komandant Usamen? Unë i betohem Allahut, që ju, edhe kur unë ju pata zgjedhur si komandant babanë e Usames, Zejdin, kohë më parë, ju edhe atëherë patët kundërshtuar! I betohem Allahut, se i biri, Usameja, e meriton të jetë komandant jo më pak seç e meritonte i ati i tij, Zejdi. Ashtu siç Zejdi ishte njeriu më i dashur për mua, edhe Usameja është një njeri, të cilin njerëzit e duan shumë. Të dy janë njerëz, që, përgjatë gjithë jetës, janë fiksuar pas asaj që është më e mirë dhe më e mbarë. Prandaj, unë ju këshilloj që të silleni mirë me Usamen. Ai është një ndër më të mirët prej jush!”
Kur mbaroi fjalën i Dërguari i Allahut, ai zbriti nga minberi dhe u fut në dhomën e tij. Kjo ngjarje ka ndodhur një të shtunë, në ditën e dhjetë të muajit Rabiu’l-Euel.
Ata myslimanë që do të niseshin për të luftuar nën komandën e Usames (radijallahu anhu), shkuan të gjithë tek i Dërguari i Allahut, për t’u përshëndoshur me të. Mes tyre ishte edhe Omeri (radijallahu anhu). Resulullahu u tha atyre:
“Rregullojeni sa më shpejt punën, që ta dërgoni Usamen.” Në atë kohë, aty hyri e ëma e Usames, Umu Ejmeni, e cila i tha të Dërguarit të Allahut:
“O Resulallah, nëse e lejoni, që Usameja të qëndrojë edhe pak më shumë në bazë, mbase i shtohet edhe pak numri i ushtarëve. Po u nis në këtë gjendje, kam frikë se nuk do të bëjë dot shumë.” Sërish i Dërguari i Allahut, tha:
“Niseni Usamen.” Populli shkoi i tëri në bazën ushtarake, duke ndenjur të gjithë aty gjatë tërë mbrëmjes së të dielës. Ditën e diel, Usameja zbriti në Medinë. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut ishte përkeqësuar ndjeshëm, madje në atë çast i kishte rënë të fikët a ishte në agoni. Atë ditë, të Dërguarit të Allahut ilaçet ia patën futur në gojë. Usameja, kur hyri pranë shtratit të të Dërguarit të Allahut, nuk i mbajti dot lotët; aty brenda ishin edhe Abbasi (radijallahu anhu)dhe gratë. Usameja u përkul dhe e puthi Profetin. Profeti ynë nuk thoshte asnjë fjalë. I ngriti duart lart dhe përqafoi Usamen.
Usameja (radijallahu anhu) tregon se: “Nga ai veprim unë e kuptova menjëherë, se i Dërguari i Allahut po lutej për mua. Më vonë, unë u ktheva sërish në vendqëndrimin e ushtrisë.”
Ditën tjetër, me një fjalë ditën e hënë, Usameja gjendej në vendqëndrimin e ushtrisë, kur gjendja e të Dërguarit të Allahut u përmirësua, hapi edhe sytë madje. Usameja, me të marrë vesh, erdhi pranë Profetit tonë. I Dërguari Fisnik e porositi atë:
“Vepro me begatinë dhe ndihmesën e Allahut.” Usameja u takua me të për herë të fundit. Megjithëse, aty, në ato çaste, i Dërguari i Allahut dukej shumë mirë. Madje, bashkëshortet e tij ishin aq të gëzuara që ai dukej më mirë, saqë të gjitha kishin filluar të krihnin flokët.
Në ato çaste, brenda hyri Ebu Bekri (radijallahu anhu), i cili tha:
“Elhamdul’lil’lah, o Resulallah! Sot qenkeni gdhirë më mirë, qenkeni i vetëdijshëm. Sot është dita e së bijës së Harixhes (emri i njërës prej grave të Ebu Bekrit), po më dhatë leje, dua të shkoj tek ajo sot.”, – dhe, sakaq, mori leje nga Resulullahu dhe u largua prej aty. Ebu Bekr Besniku, atë ditë, shkoi në shtëpinë e tij në Sunha, që shtrihej në pjesën e sipërme të Medinës. Usameja ishte bërë gati për t’u kthyer pranë ushtrisë, i hipi kalit dhe u bëri thirrje shokëve, se do të ktheheshin pranë ushtrisë. Kur mbërritën në bazë, ai zbriti nga kali dhe i dha ushtrisë urdhër për t’u nisur. Ajo ditë pati kaluar shumë shpejt.
Zbritja e ushtrisë në Medinë kur marrin vesh për ndarjen nga jeta të Profetit tonë të nderuar
Usameja sa po bëhej gati për t’u larguar nga vendi i quajtur Xhurf, kur aty ia behu e shqetësuar nëna e Usames, Umu Ejmeni (radijallahu anha), e cila u dha atyre lajmin e kobshëm:
“Resulullahu po mbaron.” Usameja, Omeri dhe Ebu Ubejdeja u kthyen bashkë, duke shkuar drejt e tek i Dërguari i Allahut. Krenaria e Gjithësisë po largohej nga kjo jetë! Profeti i profetëve ia dorëzoi shpirtin Mëshirëplotit në një ditë të hënë, aty në perëndim të diellit e në hyrje të natës së dymbëdhjetë të muajit të Rabiu’l-Euelit. Sakaq, ushtria që ishte e grumbulluar në vendin e quajtur Xhurf, u kthye e gjitha në Medinë. Burejde bin Husajbi (radijallahu anhu) e pruri flamurin me thekë e kopsa, që i pati caktuar Usameja (radijallahu anhu) për ta mbajtur dhe e nguli në krye të portës së shtëpisë së Resulullahut. Kur përfundoi lidhja e besës me Ebu Bekrin (radijallahu anhu), kalifi Ebu Bekr e porositi Burejden që ta merrte flamurin dhe t’ia çonte Usames në shtëpi, duke i thënë:
“Nuk kam për ta zgjidhur atë flamur, derisa Usameja të dalë të luftojë me ushtrinë e tij!”
Burejdeja thotë se: “E mora flamurin dhe e çova në shtëpinë e Usames. Më vonë, nën komandën e Usames, atë flamur e mbajta unë, të valëvitur, deri në Damask. Që andej, e prura po unë mbrapsht, në shtëpinë e Usames. Ai flamur i lidhur e me thekë qëndroi në shtëpinë e Usames deri në ditën që ai u nda nga kjo jetë.”
Këmbëngulja e Ebu Bekrit (r.a.), që në krye të ushtrisë si komandant të jetë Usameja
Shumë nga arabët, kur morën vesh për ndarjen nga jeta e Profetit tonë të nderuar, u kthyen nga feja. Ebu Bekri (radijallahu anhu) thirri Usamen dhe e urdhëroi:
“Ti do të shkosh për andej ku të pati drejtuar i Dërguari i Allahut!”
Pas kësaj, njerëzit filluan të mblidhen të gjithë në vendqëndrimin e ushtrisë, ku ishin mbledhur edhe më parë. Edhe Burejdeja e mori flamurin dhe shkoi në bazën e parë. Shumë prej mërgimtarëve nuk u pëlqeu edhe aq shumë këmbëngulja e Ebu Bekrit, që në krye të ushtrisë si komandant të ishte Usameja. Omeri, Osmani, Ebu Ubejdeja, Sad bin Ebi Uekasi dhe Said bin Zejdi (radijallahu anhum) shkuan tek Ebu Bekri (radijallahu anhu) dhe i thanë:
“O kalifi i të Dërguarit të Allahut! Arabët janë bërë të gjithë bashkë kundër teje. Nuk arrin asgjë duke e përçarë ushtrinë. Këtë ushtri duhet ta përgatitësh për ata që janë kthyer nga feja, sepse duhet t’i ndëshkosh një orë e më parë murtedët (renegatët). Nga ana tjetër ne nuk jemi të sigurt që armiqtë tanë nuk do të guxojnë të ndërmarrin ndonjë sulm kundër Medinës. Shtyje për më vonë ekspeditën e betejës me bizantinët, të paktën derisa të kthyerit të rikthehen sërish në Islam ose të neutralizohen nëpërmjet shpatës. Kur të kapërcehen këto kriza, atëherë mendojmë se mund ta dërgosh Usamen kundër bizantinëve. Veç kësaj, tani për tani, ne jemi të sigurt që bizantinët nuk po bëjnë ndonjë përgatitjeje për të na sulmuar ne.”
Ebu Bekri (radijallahu anhu) i dëgjoi fjalët e tyre me kujdes, pastaj u tha atyre:
“A ka ndonjë që ka për të thënë ndonjë gjë tjetër?”
“Jo, nuk ka; ç’kishim për të të thënë, t’i thamë.”, – u përgjigjën ata.
“Unë i betohem Allahut që ka në kontroll frymën time, se; sikur ta di se do të shfaqen egërsira në Medinë e do të më hanë, unë nuk heq dorë nga të dërguarit e asaj ushtrie! Kjo duhet bërë një orë e më parë. I Dërguari i Allahut pati thënë: “Dërgojeni ushtrinë e Usames.”, sepse ashtu e pati porositur shpallja hyjnore që iu zbrit, e si mund ta pengoj unë atë, që të mos niset? Vetëm se ka edhe diçka që duhet ta flas me Usamen. Unë do t’i kërkoj atij që ta lërë Omerin këtu, me mua; kemi shumë nevojë për Omerin. Uallahi, as këtë nuk e di, do të ma pranojë Usameja këtë kërkesë, apo jo. Po nuk pranoi, unë nuk do ta detyroj.” Ai grup sahabësh, kur e kuptuan se Ebu Bekri ishte shumë i vendosur për ta dërguar atë ushtri, nuk thanë asgjë, heshtën.
Ebu Bekri (radijallahu anhu) shkoi te shtëpia e Usames. Foli me të, që t’ia linte atij Omerin, madje duke ia përsëritur disa herë njëra pas tjetrës pyetjen:
“Domethënë, i jep me gjithë zemër leje Omerit, apo jo?” Dhe, në të gjitha herët, Usameja iu përgjigj:
“Po!” Paskëtaj, më Besniku u tha lajmëtarëve:
“Vendimi im është: Asnjë nga ata që i Dërguari i Allahut, kur ishte në jetë, pati urdhëruar që të niseshin në luftë nën komandën e Usames, të mos qëndrojë aty! Po pashë ndonjërin që e merr me të lehtë dhe nuk niset, do ta nis që t’i bashkohet ushtrisë në këmbë!” Pastaj pranë vetes thirri të vinin Muhaxhirët, që kishin folur me dyshim ndaj komandës së Usames, të cilëve u foli shumë rëndë dhe nuk u lejoi që të largoheshin pa garantuar se do t’i bashkoheshin ushtrisë, duke pranuar që komandanti i tyre ishte Usameja. Kësisoj, askush nuk u nda nga radhët e ushtrisë. Për t’i përcjellë ata, Ebu Bekri doli edhe vetë me ta deri në të dalë të Medinës. Kur ushtria u largua prej Xhurfit, ajo ishte e përbërë nga tremijë ushtarë, njëmijë prej të cilëve ishin kalorës. Ebu Bekri, një copë të rrugës e bëri duke ecur në këmbë ndanë komandantit, Usames. Më vonë, ai iu drejtua Usames, duke i thënë:
“Fenë, sigurinë dhe përfundimin e punëve të tua po ia lë Allahut. I Dërguari i Allahut ty të pati porositur. Ajo që ti duhet të bësh, është që t’u bindesh me përpikëri urdhrave të tij. Në këtë çështje, unë as nuk të urdhëroj dot për ndonjë gjë, as nuk kam se çfarë të të ndaloj; unë nuk po bëj asgjë tjetër, veçse po përpiqem të shoh të përmbushur një urdhër të të Dërguarit të Allahut!”
Usameja u largua me nxitim, në mënyrë që të kalonte i sigurt mespërmes tokave të fiseve të Xhuhejnes dhe Kudaave, të cilët nuk ishin kthyer ende nga Islami. Kur zbriti në vendin e quajtur “Uadi’lKura”, ai dërgoi dikë që e quanin Hurejth, i cili i përkiste fisit të bijve të Udhres, që të mblidhte të dhëna. Hurejthi shkoi përpara dhe mbërriti në Ubna, mësoi se cila ishte gjendja atje dhe si ishte rruga deri atje dhe u kthye menjëherë pas. Usameja me Hurejthin u takuan në një largësi prej dy netësh udhëtimi nga Ubnaja. Hurejthi e njoftoi atë se populli nuk ishte në dijeni të asgjëje; e, kur i tha Usames se atje nuk ishte mbledhur asnjë i fortë nga populli, Usameja e porositi Hurejthin se do të vepronin befasishëm, pa u lënë atyre mundësi që të organizoheshin, por t’i zinin fill të papërgatitur.”
3. EBU BEKRI (r.a.) DËRGON USHTRI NË ZONAT PËRRETH, PËR TË LUFTUAR
Kasim bin Muhamedi tregon: “Një ditë, Ebu Bekri doli përpara xhematit për të mbajtur hutben. Pasi lëvdoi dhe lartësoi emrin e Allahut dhe i dërgoi salauate dhe përshëndetje të Dërguarit të Tij, tha këto fjalë:
“Çdo punë ka anët e veta të mira, këto i mjaftojnë atij që i kryen ato. Kushdo që punon për Allahun, kjo është më se e mjaftueshme për të. Kushdo që punon për Allahun, atij i mjafton Allahu. Jini seriozë dhe fiksohuni pas një qëllimi të vetëm. Qëllimi është tejet i rëndësishëm! Bëni kujdes! Kush nuk ka besuar, nuk ka se si të ketë fe. Për asnjë prej atyre që nuk i kanë vënë vetes si qëllim kënaqësinë e pëlqimin e Allahut nuk ka shpërblim. Vepra e paqëllimtë nuk është e vlefshme: shpërblimi që premtohet në librin e Allahut varet nga xhihadi (lufta, në kuptimin e përpjekjes) që ju bëni në rrugën e Allahut. Çdo mysliman duhet të përgatitet gjithë dëshirë për të luftuar në rrugën e Zotit të vet, sepse rruga e çlirimit, që Allahu ka ravijëzuar për secilin prej nesh, kalon njëherë nëpërmjet të luftuarit dhe të të përpjekurit. Allahu i Madhërishëm, nëpërmjet xhihadit, i ka ruajtur njerëzit dhe shoqëritë nga poshtërimi; përmes xhihadit Ai i ka bërë të fisshme, si këtë botë, ashtu edhe amshimin.”
Letra që Ebu Bekri (r.a.) i dërgon
Halid bin Uelidit (r.a.) për xhihadin
Kalifi, i pati dërguar Halidit, që asokohe gjendej në Jemame, këtë letër:
“Letër e Kalifit të Resulullahut, robit të Allahut, Ebu Bekrit, për Halid bin Uelidin, Muhaxhirët e Ensarët dhe të gjithë ata që i ndjekin me sinqeritet gjurmët e tyre!
Ju përshëndes të gjithëve dhe e përlëvdoj Allahun edhe në emrin tuaj. Atë Allah, që nuk ka zot tjetër veç Tij, që të meritojë të adhurohet.
Lëvduar qoftë Allahu, që e përmbushi premtimin e Tij, duke e ndihmuar robin e Tij dhe duke e bërë më të fortë mikun e Tij dhe duke e shpallur të poshtëruar armikun e Tij dhe duke i përballur me disfatë pas disfate të gjitha grupet e armiqve të fesë. Ai Allah, që veç Atij nuk ka asnjë zot tjetër, ka thënë:
“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.” (Nur, 24/55)
Ky është njëri prej premtimeve të Allahut. Ai nuk kthen nga fjala e thënë dhe e dhënë, e ato që thotë Ai nuk lënë as shenjën më të vogël të dyshimit. Ai ua shpalli besimtarëve detyrim luftën, duke u thënë: “Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse e urreni. Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Bekare, 2/216)
Përpiquni ta përmbushni me përsosmëri atë që jua ka premtuar Allahu. Bindjuni Allahut në ato që Ai jua ka caktuar si detyrime, qoftë edhe nëse vështirësitë janë të shumta, fatkeqësitë të padurueshme, qoftë edhe nëse në atë rrugë do të humbisni gjithë pasurinë, madje edhe jetën tuaj. Vërtet, para madhësisë së shpërblimeve që ka premtuar Ai, çdo sakrificë e bërë nga ana jonë përsëri mbetet shumë e vogël. Lus Allahun që të sillet me mëshirë me ju, ndaj ejani dhe luftoni në rrugën e Allahut. “Dilni në luftë, qofshi të shëndetshëm ose të sëmurë dhe luftoni me pasurinë e jetën tuaj në rrugën e Allahut! Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit!” (Teube, 9/41)
Më dëgjoni mirë! Halid bin Uelidin e pata urdhëruar që t’i drejtohej Irakut. Të mos largohet nga Iraku, derisa ky urdhër i imi të mbërrijë tek ai. Bashkë me të shkoni edhe ju, e të mos ndaheni prej tij për asnjë arsye. Kjo është një rrugë e atillë, që Allahu, atyre që ecin të sinqertë në të dhe atyre që e duan jashtëzakonisht shumë të mirën, ka për t’u dhënë shpërblime shumë të mëdha. Kur të mbërrini në Irak, qëndroni atje dhe mos u largoni, derisa t’ju vijë urdhër nga ana ime. Allahu është më se i mjaftueshëm për ne, si në punët e kësaj bote, ashtu edhe për amshimin. Qofshin mbi ju, përshëndetja, mëshira dhe begatia e Zotit.”
Mbledhja e këshillimit që Ebu Bekri (r.a.) mban me parinë e sahabëve lidhur me të luftuarit me bizantinët
Abdullah bin Ebi Eufa el-Khuzaiu (radijallahu anhu) tregon: “Ebu Bekri deshi të organizonte një ekspeditë për ta nisur kundër bizantinëve, ndaj edhe vendosi të ftonte pranë tij Aliun, Omerin, Osmanin, Abdurrahman bin Aufin, Sad bin Ebi Uekasin, Said bin Zejdin, Ebu Ubejde bin Xherrahun dhe më të mëdhenjtë nga radhët e muhaxhirëve dhe të ensarëve (radijallahu anhum), për t’u këshilluar me ta. Ata erdhën të gjithë pranë kalifit. (‘Në mes të atyre që ishin ftuar isha edhe unë,’ - thotë Abdullah bin Ebi Eufa) Ebu Bekri nisi të fliste, duke thënë:
“Të panumërta janë mirësitë që na ka falur Allahu dhe është krejtësisht e pamundur ta falënderosh për to! Lëvdimet dhe lartësimet i takojnë vetëm Allahut. Allahu na bashkoi ne rreth një fjale të vetme, jua ngrohu juve zemrat karshi njëri-tjetrit, duke na falur, sakaq, të gjithëve udhëzimin në rrugën e së drejtës dhe të së vërtetës. Ai ua zhduku të gjitha mendimet e djallëzuara, të cilat nuk buronin veçse nga injoranca. Tanimë, edhe djalli i ka prerë shpresat, se ju mund t’i shoqëroni Allahut ndonjë ortak, duke përvetësuar edhe ndonjë zot tjetër krahas Allahut. Sot, të gjithë arabët janë si vëllezër të një nëne dhe një babai me njëri-tjetrin. Unë dua që t’i dërgoj myslimanët në Damask, që ata të luftojnë me bizantinët, në mënyrë që të shihet fare qartë se si Allahu ua ka bërë myslimanëve gjënë më të dashur besimin e plotë tek Ai dhe te fjala e njësimit të Allahut. Veç kësaj, në këtë luftë myslimanët do të fitojnë edhe shumë gjëra të tjera, sepse ata që do të vriten do të jenë dëshmorë. E për ata që janë zemërkulluar e që janë të lidhur fort me Allahun e Madhërishëm, mirësitë pranë Allahut janë mirësitë më të mira që mund të ekzistojnë. Kurse ata që do të mbeten të gjallë, jo vetëm që do të fitojnë shpërblimin që Allahu u ka premtuar luftëtarëve të Tij, por ata do ta vijojnë jetën si veteranë që jetën e kanë shkuar duke mbrojtur fenë e Allahut. Ky është mendimi im. Tani, më thoni edhe ju, secili mendimet e veta.”
Fjala e shkurtër e Omerit (r.a.) për të aprovuar fjalët e Ebu Bekrit (r.a.)
Kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) mbaroi së foluri, në këmbë u çua Omeri (radijallahu anhu)dhe mbajti këtë fjalë:
“Lëvduar qoftë Allahu, i Cili veçon me mirësi kë të dëshirojë prej krijesave të Tij. O kalifi i mbarë myslimanëve, uallahi, sa herë që ne kemi ngarendur pas punëve të mira, ti gjithmonë na e ke kaluar, duke bërë më shumë se ne. Kjo është një mirësi e veçantë, që Allahu ua fal atyre që Ai Vetë i do. Allahu është zotëruesi më i madh i mirësive dhe i ndihmesës. Ju betohem: edhe unë vetë kam dashur të vij te ty, për të folur mbi këtë çështje. Por, me sa duket, as kjo mirësi nuk ka qenë e shkruar në kader, që të isha unë ai që e hapja këtë temë, e ti na e kalove prapë, duke e çelur vetë i pari. Punë shumë me vend. Allahu të ruajttë, që të vazhdosh e të mos largohesh kurrë nga rruga e drejtë! Dërgoji kalorësit njëherë me intervale, herë pas here, mandej dërgoji ata njëri pas tjetrit. Nuk ka dyshim, Allahu është ndihmësi më i madh i fesë së Tij; kam besim të plotë se Ai do t’i nxjerrë krenarë Islamin dhe ndjekësit e tij.
4. NXITJA QË BËN OSMAN BIN AFANI (r.a.) PËR XHIHAD
Skllavi i liruar i Osman bin Afanit (radijallahu anhu), Ebu Salihu, na transmeton se: “E kam dëgjuar vetë Osmanin (radijallahu anhu), kur na pati folur nga minberi e na pati thënë:
Nga frika se mos largoheshit prej meje dhe iknit, jua kam mbajtur të fshehtë dhe nuk jua kam treguar një hadith që kam dëgjuar prej Resulullahut. Mirëpo, tani, në mënyrë që gjithsecili të bëjë zgjedhjen e tij, e kam parë të nevojshme që ta ndaj edhe me ju atë hadith. E kam dëgjuar vetë të Dërguarin e Allahut, kur ka thënë: “Një ditë roje për hir të kënaqësisë së Allahut, është më e mirë dhe më e mbarë sesa njëmijë ditë të jetuara në çdo vend tjetër.”
Ndërsa, sipas një tjetër transmetimi, Osmani (radijallahu anhu) po mbante hutben mbi minber, kur pati thënë: “Do t’ju tregoj një hadith që e kam dëgjuar vetë prej Profetit tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Deri më sot nuk jua kam treguar dhe arsyeja e vetme se pse nuk jua kam treguar është se kam dashur që të rrinit gjithmonë pranë meje. Unë e kam dëgjuar vetë të Dërguarin e Allahut, kur ai ka thënë: “Një ditë rojë në rrugën e Allahut është më e mirë dhe më e mbarë sesa njëmijë ditë të shkuara duke adhuruar Zotin gjatë natës dhe duke agjëruar gjatë ditës!”
5. SAHABËT E KËRKONIN VETË XHIHADIN ME ZEMËR E ME SINQERITET
Një shembull prej jetës së një sahabi
Përcillet nga Ebu Umameja (radijallahu anhu): “Kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) vendosi të dilte në luftën e Bedrit, edhe Ebu Umameja kishte shumë dëshirë të shkonte bashkë me të Dërguarin e Allahut. Mirëpo, daja i tij, Ebu Burde bin Dijnari i tha atij:
- “Ti qëndro këtu, që të kujdesesh për nënën. Pastaj, ti duhet të kujdesesh edhe për motrën.” Kur kjo bisedë iu përcoll të Dërguarit të Allahut, Profeti ynë e urdhëroi Ebu Umamen që të qëndronte te kryet e nënës së tij e të mos vinte në luftë. Në luftë shkon Ebu Burdeja. Atë ditë që u kthye Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ndërron jetë edhe nëna e Ebu Umames. Kësisoj, namazin e xhenazes së saj e fali vetë i Dërguari ynë Fisnik.”
Çfarë ka thënë Omeri (r.a.)
Omeri (radijallahu anhu) ka thënë: “Sikur të mos ishin këto tri merita, do të dëshiroja shumë që të shkoja një orë e më parë pranë Allahut: të udhëtosh e të dalësh për të luftuar në rrugën e Allahut, të ulesh në sexhde, duke i vënë kryet në tokë, për t’iu përulur Allahut dhe për të mbledhur hurmat e mira prej atyre që janë rrëzuar përtokë, si dhe të ulesh për të biseduar me xhematin që e do aq shumë virtytin e mbledhjes dhe të përmendjes së fjalëve të bukura!”
Omeri (radijallahu anhu) thotë: “Kryejeni adhurimin e Haxhit. Haxhi është njëra prej punëve më të mira që na ka urdhëruar Allahu të bëjmë; megjithatë, xhihadi qëndron shumë më lart dhe është më i virtytshëm.”
Dëshira e zjarrtë për të marrë pjesë në luftë e Abdullah bin Omerit
Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Ditën e Bedrit, i çova fjalë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që të më pranonte edhe mua, por i Dërguari i Allahut nuk pranoi. Nuk mbaj mend ndonjë natë që ta kem kaluar ashtu, pa fjetur, i mërzitur tej mase dhe duke qarë tërë natën, sepse i Dërguari i Allahut nuk pati pranuar që të merrja edhe unë pjesë në luftë. Megjithatë, kur i shkova vitin tjetër, që të më pranonte edhe mua, ai më pranoi. Andaj e lëvdova shumë Allahun, që ma mundësoi edhe mua të merrja pjesë në luftë krah për krah me të Dërguarin e Tij.
Një prej të pranishmëve në kuvend thotë: “O Ebu Abdurrahman, (në luftën e Uhudit), kur ushtritë u përleshën me njëra-tjetrën, ju ia patët mbathur!” Për t’i prekur ata sahabë, ibni Omeri iu përgjigj:
“Po! Por Allahu na fali të gjithëve. Unë e lëvdoj pafundësisht
Allahun.”
Fjalët e Omerit (r.a.) për ata që bëjnë roje e qëndrojnë në krye të detyrës në rrugën e Allahut
Ertat bin Mundhiri tregon: “Omeri (radijallahu anhu) iu drejtua atyre që ishin ulur aty:
“Cili është myslimani që fiton më shumë sevape e shpërblime?” Ata që ishin të pranishëm filluan të renditnin, kush agjërimin, kush namazin dhe i thanë: “Pas Prijësit të Myslimanëve, janë ata që kanë aksh e aksh cilësi.”
Omeri (radijallahu anhu) tha:
“A doni t’jua them kush janë ata që fitojnë më shumë sevape e shpërblime edhe se Prijësi i Myslimanëve dhe se çdokush tjetër?”
“Po, po, na i trego!”, – i thanë ata. Atëherë Omeri (radijallahu anhu) u tha atyre:
“E keni parasysh atë trim e bir trimi që çohet nga qendra e Islamit e shkon deri në Siri, pa menduar a do t’i dalë ndonjë egërsirë përpara, a do ta pickojë ndonjë gjarpër nëpër shkretëtirë, apo a do t’i dalë përpara ndonjë armik! Ja, ai fiton shpërblimet më të mëdha!”
Ato që u thotë Suhejl bin Amri liderëve të arabëve lidhur me këtë çështje
Tregon Hasan Basriu: “Një ditë, te porta e shtëpisë së Omerit (radijallahu anh), ishin mbledhur një grup njerëzish nga paria e nga njerëzit më të respektuar në mesin e kurejshëve, ndër të cilët ishin edhe Suhejl bin Amri me Ebu Sufjan bin Harbi. Portën e hapi ndihmësi i Omerit (radijallahu anhu) dhe brenda pranoi fillimisht ata që kishin qenë në luftën e Bedrit, si për shembull, Suhejbin dhe Bilalin, duke u thënë:
“Uallahi, në Bedër ka qenë edhe Omeri. Ai i do shumë ata që kanë marrë pjesë në Bedër, ndaj ma kërkoi ai vetë, që brenda të marr njëherë këta.” Ebu Sufjani tha:
“Gjatë gjithë jetës sime, asnjëherë nuk jam përballur me një sjellje të tillë. U dha leje këtyre skllevërve të hyjnë përpara nesh, ndërsa ne nuk na përfilli fare!”
Pas kësaj, Suhejli tha këto fjalë:
“O njerëz! Uallahi unë e kuptoj shumë mirë nervozizmin që është shfaqur në fytyrat tuaja. Nëse duhet të nevrikoseni, më mirë nevrikosuni njëherë me veten tuaj. Kur këta njerëz që ju i quani skllevër u ftuan të pranonin Islamin, e njëjta ftesë ju bë edhe juve. Mirëpo, ndërkohë që ata vraponin kush e kush ta pranonte fenë islame më parë, ju e mbajtët veten me të madh dhe mbetët vonë. Unë i betohem Allahut, se në vend që të mërziteni për atë farë nderi që keni aq qejf ta vini të garojë me nderin e secilit prej jush, se e humbët pa të drejtë para kësaj porte, më mirë gjuani e shani veten tuaj për ato virtyte, për të cilat ata u treguan më të shpejtë dhe jua kaluan e i rrëmbyen ato përpara jush. Siç e shikoni, ata jua kaluan juve në virtyt, e kjo vështirë se mund të ndreqet më. Andaj, për ju është më mirë që të përqendroheni te xhihadi, të lidheni fort pas tij; ku i dihet, ndoshta Allahu ju shpërblen ju me mirësinë e të luftuarit dhe të të përpjekurit në rrugën e Allahut, apo me të rënët dëshmor në të.” Pastaj shkundi petkat që kishte veshur e u çua dhe u nis në drejtim të Sirisë.”
Hasan Basriu, pasi transmeton këtë ndodhi, shprehet: “Uallahi, Suhejli kishte të drejtë dhe ajo që tha ishte e vërteta, sepse Allahu i Madhërishëm nuk i barazon robin që vrapon pas Tij me atë që i merr gjërat lehtë e me të madh.”
Suhejli luftoi në rrugën e Allahut gjersa dha edhe jetën
Ebu Sad bin Fudaleja që ka qenë i pranishëm në bisedat e zhvilluara me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tregon: “Unë shkova bashkë me Suhejl bin Amrin në Siri. Atje ai më tregoi se e kishte dëgjuar vetë të Dërguarin e Allahut kur i pati thënë:
“Çdo çast që secili prej jush e kalon duke luftuar në rrugën e Allahut është më i mirë dhe më i mbarë sesa të gjitha punët e kryera gjatë gjithë jetës pranë familjes së tij.”
Suhejli, pasi më transmetoi këtë hadith, më tha: “Unë do të bëj roje këtu gjersa të më vijë vdekja, e nuk do të kthehem më kurrë në Mekë.” Me të vërtetë, ai qëndroi në Siri, pa u larguar asnjëherë, derisa humbi jetën gjatë një epidemie të murtajës që u përhap asokohe në Amuas.”
Largimi i Harith bin Hishamit nga Meka për të luftuar
Ebu Neufel bin Ebi Akrebi tregon: “Në kohën që Harith bin Hishami u largua nga Meka me qëllimin për të marrë pjesë në luftë, njerëzit e Mekës u mërzitën shumë; të gjithë, pa përjashtim, dolën nëpër rrugë, që ta përcillnin. Ai, kur mbërriti në pjesën e sipërme të Bat’has, apo diku atje, në rrethinat e saj, ndaloi. Përreth iu mblodh thuajse e tërë Meka, qanin për të. Harithi, kur pa gjithë atë mërzi në fytyrat e njerëzve, ai u tha atyre:
“O njerëz! Uallahi, unë nuk u nisa për rrugë se nuk doja të rrija më mes jush, apo se më pëlqeu më shumë ndonjë qytet tjetër sesa Meka. Kur u shfaq çështja e madhe e Islamit, Kurejshin e braktisën njerëz të atillë, që ata nuk ishin paria e Kurejshit. Sikur të gjitha malet e Mekës të shndërrohen në flori dhe ne ta shpenzojmë të gjithin atë ar në rrugën e Allahut, prapëseprapë, ne nuk u afrohemi dot virtyteve që ata myslimanë i kanë fituar vetëm në një ditë të vetme. Uallahi, ata na e kaluan në këtë botë, andaj ne duhet të përpiqemi që të shoqërohemi me ta në amshim!”
Ai që na e përcjell këtë hadith thotë: “Nëse një njeri përfshihet në mbrojtjen e Allahut dhe nuk e kërkon vetëm se prej Tij mbrojtjen, ai lartësohet dhe i shtohen vlerat. Me të vërtetë, Harithi lëvizi në drejtim të Sirisë, e i la pas plaçkat e çmuara dhe mërgimin. Ai ra dëshmor atje.
Lusim Allahun që ta presë atë me mëshirë.”
Pasioni i Halid bin Uelidit për të luftuar në rrugën e Allahut
Tregon një prej skllevërve të familjes së Halidit (radijallahu anhu), Zejadi: Teksa po vdiste, Halidi pati thënë këto fjalë: “Në këtë tokë, asnjë natë nuk dua më shumë, sesa ajo natë e acartë, në të cilën ngrije nga të ftohtët, që kemi kaluar gjatë një ekspedite që patën organizuar Muhaxhirët! Atë natë, bashkë me sahabët patëm pritur agimin që të sulmonim mbi armiqtë. Edhe ju lidhuni fort pas të luftuarit dhe të të përpjekurit në rrugën e Allahut, kurrsesi të mos i braktisni këto!”
Kajs bin Ebi Hazim tregon: Halid bin Uelidi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “As natën e parë me një grua që e dua, apo një natë që të më thonë lajmin ‘Je bërë me djalë!’ nuk e dua aq shumë sa ç’dua atë natë të ftohtë acar, në të cilën ngrije nga të ftohtët, që kam kaluar mes një tabori ushtarësh nga Muhaxhirët, duke pritur agimin gati për të sulmuar mbi armikun.”
Halid bin Uelidi ka thënë kështu: “Të luftuarit në rrugën e Allahut, shumë herë më ka penguar edhe të lexoj Kur’anin.” Ndërkohë, sipas një transmetimi tjetër, na përcillet se Halidi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Të luftuarit nuk më ka lënë kohë as për të mësuar shumë pjesë të Kur’anit.”
Ebu Uaili tregon: “Në çastet e fundit të jetës, Halidi (radijallahu anhu) thoshte këto fjalë: “Uallahi, aq shumë kam dashur që të vritesha në dyluftim e sipër, në ato momente kur vdekjet ndodhin njëra pas tjetrës! Por paska qenë e thënë të vdes në shtrat! Mes punëve të mia në këtë jetë, pas fjalës së dëshmisë ‘La ilahe il’lallah’, veç asaj nate të ftohtë acar e që shiu binte me rrebesh, që prisja agimin, për t’iu vërsulur mohuesve, nuk kam asgjë tjetër që të më japë shpresë!” Më vonë ai tha këto fjalë: “Kur të vdes, amanet kujdesuni për shpatën dhe kalin, e mos ma lini shpatën pa e përdorur në rrugën e Allahut.”
Kur Halidi vdiq, Omeri (radijallahu anhu) mori pjesë në xhenazen e tij, madje tha këto fjalë: “Grave të familjes së Uelidit u lejohet, mund ta qajnë e të derdhin lot për Halidin, me kushtin që të mos grisin teshat e të mos qajnë me zë të lartë!”
Dëshira e zjarrtë e Bilalit (r.a.) për të marrë pjesë në luftë
Bilali (radijallahu anhu) shkoi pranë Ebu Bekrit (radijallahu anhu) dhe i tha:
“O kalifi i të Dërguarit të Allahut! Kam dëgjuar Profetin tonë, që ka thënë: “Puna më e virtytshme që mund të bëjë një besimtar, është të luftojë në rrugën e Allahut.” Andaj, unë kam vendosur, që derisa të vdes, të bëhem syri rojtar i besimtarëve e të bëj roje në rrugën e Allahut.”
“Të lutem, o Bilal, për hir të dashurisë që ke për Allahun! Për respektin që ke për mua, mendo për marrëdhënien tonë me njëritjetrin, e mos ik, qëndro këtu. Ti e sheh, unë nuk jam më i njëjti, po plakem e fuqitë po më lënë dhe exheli po më afrohet.”
Bilali nuk ia ktheu dhe ndenji. Kur vdiq Ebu Bekri (radijallahu anhu), edhe pasardhësi i tij, Omeri (radijallahu anhu) i kërkoi, po njësoj si Ebu Bekri (radijallahu anhu), Bilalit, që të rrinte në Medinë. Bilali nuk pranoi.
“Po mirë, po ezanin kujt do t’ia lësh, o Bilal?”, – e pyeti Omeri.
“Ezanin po ia lë Sadit, sepse edhe ai e pati kënduar njëherë ezanin, kur ishim në Kuba dhe Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte ende mes nesh.” Kështu, Omerit (radijallahu anhu) iu desh t’ia kalonte Ukbes dhe Sadit detyrën e të kënduarit të ezanit.
Sipas asaj që na e përcjell Musa bin Muhamed bin Ibrahim Tejmiu, i ati i ka transmetuar atij se: “Kur u nda nga kjo jetë Vula e profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ende pa u vënë në tokë, Bilali këndoi ezanin. Myslimanët filluan të qanin të gjithë si xhemat. Kur e varrosën atë trup të bekuar, Ebu Bekri tha:
“Bilal, këndo ezanin!”
“Nëse ti më ke liruar, me kushtin që unë të mos ndahem kurrë prej teje, atëherë unë do të bëj ashtu siç do të më thuash ti. Por, nëse ti ma dhe lirinë për hir të Allahut, atëherë, më lër të qetë pashë Allahun!”
“Po, nuk ka dyshim që të lirova për Allahun.”, – iu përgjigj Ebu Bekri.
“Atëherë, tani që nuk është më i Dërguari i Allahut, unë nuk do ta këndoj më ezanin për askënd.”
“Ti e di, o Bilal, si të duash!”, – i tha Ebu Bekri.
Bilali ndenji në Medinë, derisa myslimanët filluan të dërgonin ushtarë në Siri. Më vonë ai iu bashkua grupeve të ushtarëve që largoheshin dhe bashkë me ta shkoi në Siri.”
Said bin Musejebi tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) u ngjit dhe u ul në minber, duke u bërë gati për të mbajtur hutben, kur Bilali tha:
“O Ebu Bekr!
“Më thuaj, o Bilal.”, – iu përgjigj Ebu Bekri.
“Ti mua, për Allahun më lirove, apo për kënaqësinë tënde?”
“Për hir të Allahut të lirova.”
“Po mirë, atëherë, më jep leje tani që unë të luftoj në rrugën e Allahut!”
Dhe Ebu Bekri i dha leje Bilalit dhe ai iku në Siri, ku edhe u nda nga jeta më vonë.”
Historia e luftës e Ebu Talhasë
Enesi (radijallahu anhu) na transmeton: “Një ditë, Ebu Talhaja po lexonte suren “Beraet” (Teube). Kur arriti tek ajeti: “Dilni në luftë, qofshi të shëndetshëm ose të sëmurë dhe luftoni me pasurinë e jetën tuaj në rrugën e Allahut! Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit!” (Teube, 9/41), ai tha:
“E shoh, Zoti ne na kërkon, qofshim të rinj, qofshim të moshuar, të marrim pjesë në luftë të gjithë. Bijtë e mi! Më ndihmoni menjëherë të bëhem gati për luftë.” Djemtë i thanë atij:
“Zoti ty të mëshiroftë! Ti ke luftuar pranë Resulullahut, e luftove edhe krah për krah me Ebu Bekrin dhe Omerin deri në vdekjen e tyre. Mjafton, të luftojmë edhe ne pak në vendin tënd.” Ebu Talhaja u tha:
“Jo, në asnjë mënyrë! Më ndihmoni të përgatitem! Ndihmomëni!” Pas njëfarë kohe, Ebu Talhaja u nis në një luftë detare. Exheli i erdhi teksa ishte në det dhe u nda nga jeta. Vetëm pas shtatë ditësh arritën të gjenin një ishull, që të mund ta varrosnin. Kur e çuan në ishull, për ta varrosur, trupi i tij nuk qe prishur fare.”
Historia e luftës e Ebu Ejub el-Ensarit
Muhamed bin Sirini tregon: “Ebu Ejub el-Ensari (radijallahu anhu) pati shkuar pas të Dërguarit Fisnik, për të marrë pjesë në luftën e Bedrit. Përveç një viti, ai pati marrë pjesë bashkë me të gjithë veteranët e Islamit. Edhe atë vit që nuk pati marrë dot pjesë, ai nuk pati marrë pjesë, pasi në krye të ekspeditës ishte caktuar komandant një djalë i ri.
Gjithmonë mërzitej shumë kur i kujtohej ai vit që nuk mori dot pjesë në luftë, madje, herë-herë thoshte: “Ç’më duhej mua, ç’më duhej mua se kush ishte caktuar komandant!” Më vonë, ai u sëmur. Atëherë në krye të ushtrisë ishte Jezid bin Muauije. Jezidi pati ardhur ta vizitonte Ebu Ejubin dhe e pati pyetur:
“Ke ndonjë kërkesë? Të nevojitet ndonjë gjë?” dhe Ebu Ejubi i qe përgjigjur:
“Kërkesa që kam unë është kjo: Kur të vdes, trupin tim ma vendosni mbi shpinën e një kafshe dhe lidheni fort, pastaj më ço edhe mua deri atje ku do të përparosh edhe ti në territorin e armiqve dhe më lër atje. Nëse nuk arrin të bësh dot më përpara, atëherë më varros aty dhe kthehu.”
Ai që e transmeton këtë ndodhi dhe këto fjalë thotë se: “Kur u nda nga jeta Ebu Ejubi, Jezidi e lidhi trupin e tij mbi një kafshë dhe e çoi në tokat e armiqve, e aty ku e pa se e kishte të pamundur që të shkonte më tej, e varrosi dhe u kthye pas.”
Ebu Ejubi thoshte: “Allahu thotë, “O besimtarë, si në shëndet të mirë, ashtu edhe në sëmundje, jini gati për të luftuar.” Kurse unë herë ndihem mirë, herë ndihem i rënduar, kështu që në luftë duhet të marr pjesë edhe unë.”
Kurse transmetimi i Ahmed bin Hanbelit është i këtillë: “Ebu Ejjubi u nis bashkë me Jezid bin Muauijen në luftë. Në një çast ai i tha Jezidit: “Nëse vdes, atëherë më çoni në tokat e armikut dhe në vendin e parë që do të përballeni me ta, aty të më varrosni.” Mandej, Ebu Ejubi i tha edhe këto fjalë: “Unë nga i Dërguari i Allahut kam dëgjuar, se, “Kush vdes pa i shoqëruar Allahut shok a ortak në krijim, do të hyjë në Xhenet.”
Ebu Hajthemeja (r.a.) niset për në luftë duke i lënë pas gjithë të mirat e kësaj bote
Ibni Is’haku transmeton: “Gjatë një udhëtimi për në luftë, Ebu Hajthemeja pasi eci për disa ditë në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut, u largua prej tyre dhe u kthye pas. U kthye në shtëpinë e tij në një ditë shumë të nxehtë. Dy gratë i gjeti në kopshtet e hurmave, po qëndronin ulur në njërin prej çardakëve. E lagën vendin mirë me ujë, që të freskohej disi dhe u çuan të përgatitnin ushqime dhe t’ia sillnin të shoqit, bashkë me ujin e ftohtë. Kur hyri brenda Ebu Hajthemeja qëndroi njëherë te porta pa lëvizur, e, pasi pa ato që gratë e tij kishin përgatitur për të, qëndroi për pak çaste i menduar dhe u tha grave:
“I Dërguari i Allahut të rrijë nën diellin përvëlues, mes furtunave të rërës, kurse Ebu Hajthemeja të flladitet në hije e të shijojë gratë e tij të bukura, ushqimet e mira që ato i kanë përgatitur dhe pasurinë e tij! Kjo, jo vetëm që nuk është e drejtë, por do të thotë edhe të jesh i pamëshirshëm. Uallahi, nuk kam për t’u futur në asnjë çardak, por do të kthehem drejt e te Resulullahu! Më bëni menjëherë gati pak ushqim, se do ta marr me vete!”
Dhe gratë bënë ashtu siç u tha ai. Mandej, ai afroi devenë, ngarkoi ç’kishte për të ngarkuar dhe u nis për t’u rikthyer pranë të Dërguarit të Allahut. Në rrugë u takua me Umejr bin Uehb el-Xhumahin, i cili iu bë shok rruge. Profetin tonë e arritën pikërisht në kohën që edhe pak dhe do të mbërrinin në Tebuk. Kur iu afruan Tebukut, Ebu Hajthemeja i tha shokut të tij:
“Unë jam mëkatar, rri pak mbrapa ti, që kur t’i afrohemi të Dërguarit të Allahut, të shkoj vetëm pranë tij.” Dhe ai pranoi. Kur iu qasën ushtrisë, sahabët thanë:
“Shikoni atje përtej, po vjen një kalorës.”
“Dashtë Zoti të jetë Ebu Hajthemeja.”, – tha i Dërguari i Allahut.
“Po, ai është!”, – thanë sahabët. - “Uallahi, Ebu Hajthemeja është!” Ebu Hajthemeja uli devenë dhe përshëndeti Profetin tonë. I Dërguari i Allahut i tha atij:
“Ebu Hajtheme, për pak edhe do të rrënoheshe!” Mandej, Ebu Hajthemeja i tregoi atij të gjitha, një e nga një, të vërtetën, çfarë kishte ndodhur.
“Ke vepruar mirë!”, – i tha atij i Dërguari i Allahut dhe iu lut Allahut që t’i jepte më të mbarën Ebu Hajthemesë.
6. TRISHTIMI I ATYRE QË NUK KISHIN FUQI TË MERRNIN PJESË NË LUFTË DHE I ATYRE QË NUK KISHIN SE ÇFARË TË JEPNIN NË RRUGËN E ALLAHUT
Historia e Ebu Lejlasë dhe Abdullah bin Mugafelit
Transmeton Ibni Is’haku: “Një ditë, kur të gjithë po merreshin me përgatitjet për ekspeditën luftarake të Tebukut; Ibni Jamin en-Nadri pa Ebu Lejlanë dhe Abdullah bin Mugafelin që po qanin të dy.
“Pse po qani?”, – i pyeti ai dhe ata i dhanë këtë përgjigje:
“Duam të nisemi për në luftë bashkë me të Dërguarin e Allahut. Shkuam tek ai që të na jepte ndonjë kafshë rruge, por nuk kishte që të na jepte. Andaj nuk do të dalim dot!” Paskëtaj, Ibni Jamini u dha të dyve nga një deve, u dhuroi edhe nga një masë të mirë hurmash, duke u bërë kësisoj shkas që të merrnin edhe ata të dy pjesë në luftë.
Junus bin Bukejri na tregon, duke na përcjellë prej Ibni Is’hakut, se: “Njëri prej atyre që nuk i kishin mundësitë për t’u bërë gati, që të niseshin edhe ata bashkë me ushtrinë, drejt Tebukut, ishte edhe Ulbe bin Zejdi. Ulbeja, fali namaz natë gjatë dhe qau shumë teksa lutej dhe në lutje thoshte:
“O Zot! Ti na urdhërove ne të luftojmë, duke na nxitur që të marrim pjesë gjithmonë. Mirëpo, unë nuk i kam mundësitë për të shkuar në luftë bashkë me Profetin. Dhe të Dërguarit Tënd Ti nuk i ke lënë më asnjë kafshë rruge, që të ma japë mua e të jem edhe unë mes tyre. Ndaj, unë nuk kam se ç’sadaka të të fal Ty, përveç padrejtësisë që myslimanët mund të bëjnë ndaj meje.”
Kur agoi mëngjesi, i Dërguari i Allahut iu drejtua xhematit me fjalët:
“Ku është ai që na dha sadaka gjatë natës?” Në këmbë nuk u ngrit asnjë. Ai foli sërish:
“Kush na dha sadaka të çohet.” Sakaq, Ulbeja u çua në këmbë dhe filloi t’ia sqaronte të Dërguarit të Allahut se çfarë kishte ndodhur. Atëherë Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Lajme të mira për ty! I betohem Allahut që e ka në dorë frymën time, se sadakaja jote u regjistrua mes punëve të pranuara të besimtarëve!”
7. GJENDJA E ATYRE QË E SHTYNIN PËR MË VONË DALJEN NË LUFTË
Ibni Abasi (radijallahu anhu) ka treguar: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), e pati dërguar Abdullah bin Reuahan në luftë, në krye të një grupi ushtarësh. Koha e nisjes përkoi me kohën kur do të falej namazi i xhumasë. Abdullahu i nisi para shokët e tij dhe tha me vete: “Unë më mirë të qëndroj këtu, të fal namazin e xhumasë me Profetin tonë, pastaj nisem dhe i arrij gjatë rrugës.” Pasi fali namazin dhe u kthye, i Dërguari i Allahut e pa Abdullahun. Ai i tha atij:
“Po ti, pse nuk u nise bashkë me shokët, në mëngjes?”
“Desha që ta falja me ty namazin e xhumasë, ndaj mendova se mund t’i arrij pasi të mbarojë namazi.”, – i tha Abdullahu.
“Sikur të gjitha pasuritë që gjenden mbi rruzullin tokësor t’i shpenzosh krejt në rrugën e Allahut, ti prapë nuk do ta arrish dot shpërblimin dhe gradën e lartë që kanë fituar hapat e tyre sot në mëngjes!”, – foli i Dërguari i Allahut.
8. QORTIMI I ATYRE QË RRININ NË SHTËPI DHE NUK MERRNIN PJESË NË LUFTË
Interpretimi i Ebu Ejub el-Ensarit për kuptimin e ajetit
“Mos e vini veten në rrezik me duart tuaja!”
Ajo që na përcjell Ebu Imrani është kështu: “Ne patëm shkuar deri në Kostandinopojë, për të luftuar nën komandën e Abdurrahman bin Halid bin Uelidit. Bizantinët i kishin lidhur shpresat fort pas mureve të kështjellës. Njëri prej nesh veproi hapur ndaj kundërshtarëve. Xhemati mysliman tha:
“Shikojeni se çfarë bën ky njeri! Po e vë vetë veten e tij në rrezik!” Paskëtaj u hodh e foli Ebu Ejub el-Ensari, i cili tha:
“Ajeti, ‘Mos e vini veten në rrezik...’ enkas për ne ensarët është zbritur. Asisoj që, kur Allahu i Lartësuar e ndihmoi Profetin e Tij dhe e nxori fitimtar Islamin, atëherë edhe ne si ensarë thamë: “Tani të rrimë në krye të punëve e të pasurisë, që të marrim akoma edhe më shumë prodhim.” Mirëpo, Allahu zbriti ajetin, ‘Jepni nga e juaja në rrugën e Allahut dhe të mos e vini veten në rrezik në asnjë mënyrë...’ (Bekare, 2/195) Kësisoj, edhe ne e kuptuam se veten do ta vinim në rrezik duke braktisur luftën, për t’u qëndruar punëve mbi krye e duke u kujdesur vetëm që t’i shtonim edhe më prodhimet tona.”
Ebu Imrani ka thënë se: “Ebu Ejubi luftoi në rrugën e Allahut deri në ditët e fundit të jetës, derisa, në fund, atë e varrosën në Kostandinopojë.”
Një tjetër transmetim shumë i shkurtër që përcillet prej Ebu Imranit thotë kështu: “Në Kostandinopojë, njëri prej muhaxhirëve veproi papritur në drejtim të radhëve të armikut. Me ne ishte edhe Ebu Ejub el-Ensari. Luftëtarët myslimanë thanë, se “ai e vuri më kot veten e tij në rrezik”. Ebu Ejub el-Ensari, kur dëgjoi ato fjalë, tha:
Ne e kuptojmë më mirë ajetin, “Mos e vini vetë veten tuaj në rrezik.” Ky ajet është zbritur për ne ensarët. Ne e përkrahëm menjëherë të Dërguarin e Allahut, morëm pjesë bashkë me të nëpër luftëra dhe nuk qëndruam kurrë pa i ardhur në ndihmë, sa herë që të kishte nevojë. Kur Islami u përhap dhe doli fitimtar ndaj mohimit dhe idhujtarisë; ne, si Ensarë, u mblodhëm fshehtas dhe filluam të themi, me vete dhe me njëri-tjetrin: “Allahu ne na nderoi duke na bërë shokë të profetit të Tij, e për më tepër, na fali edhe mundësinë që t’i vijmë në ndihmë fesë së Tij. Tanimë Islami u përhap, e numri i myslimanëve është shtuar ndjeshëm. Para grave dhe pasurisë sonë ne zgjodhëm të Dërguarin e Allahut. Tani që lufta me shpatë mbaroi, të kthehemi pranë pjesëtarëve të familjes e të qëndrojmë pranë tyre.” Fill pas kësaj, Allahu i Madhërishëm zbriti ajetin: “Jepni nga ajo që keni në rrugën e Allahut dhe kurrsesi mos e vini vetë veten në rrezik...” (Bekare, 2/195) Për rrjedhojë, rreziku i vërtetë ishte të qëndroje pranë pjesëtarëve të familjes, në krye të punëve, të mallit e të plaçkës dhe të braktisje luftën.
9. FJALËT E RESULULLAHUT QË SHPREHIN SE SA TË RËNDËSISHME JANË NË RRUGËN E ALLAHUT DERI EDHE PLUHURI I RRUGËS
Rabi bin Zejdi tregon: “Një ditë, teksa Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po bënte një shëtitje në rrugë si përditë, pa një djalosh nga kurejshët, që preu nga rruga dhe u largua më tutje.
“Po ky, a nuk është filani?”, – pyeti ai (a.s.).
“Po, ai është!”, – iu përgjigjën.
“Thirrmani!”, – tha i Dërguari i Allahut. Kur erdhi ai djalë i ri, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e pyeti:
“Pse u ndave nga rruga, e u largove andej?” Ai iu përgjigj:
“U largova për të shpëtuar nga pluhuri i rrugës.” Profeti ynë i tha atij djali të ri:
“Mos ec më i veçuar nga rruga! Unë të betohem në Allahun, se, në rrugën e Allahut edhe këto pluhura janë të barabarta me aromat e mira që mbizotërojnë gjithkah në Xhenet!”
Historia e Xhabir bin Abdullahut
Ebu’l-Musabih el-Mukraij tregon: “Një ditë, bashkë me një grup besimtarësh dhe nën komandën e Malik bin Abdullah el-Khath’amit, ne po përparonim në tokat e Bizantit, kur Maliku shkoi pranë Xhabir bin Abdullahut, që kishte zbritur nga mushka dhe po e tërhiqte dhe i tha:
“O Ebu Abdullah, po pse nuk i hip kësaj mushke, Allahu ndaj ta ka dhënë, që t’i hipësh!”
“Jam duke e çlodhur, e kështu as nuk po u bëhem shokëve barrë. Pastaj, unë kam dëgjuar vetë të Dërguarin e Allahut kur ka thënë:
“Flakëve të Xhehenemit u është ndaluar ta djegin atë njeri, të cilit i janë pluhurosur këmbët në rrugën e Allahut!” Maliku eci dhe kur mbërriti në një distancë nga ku zëri do të vinte sërish deri te Xhabiri, i tha Xhabirit:
“Allahu andaj ta ka dhënë atë kafshë, që t’i hipësh, po ti e di!” Xhabiri, kur e kuptoi se me çfarë qëllimi ia tha ato fjalë Maliku, tha:
“Jam duke e çlodhur kafshën e gjorë, e nuk po u bëhem as shokëve barrë. E, megjithatë, unë kam dëgjuar që i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu ua ka ndaluar flakëve të Xhehenemit të djegin atë njeri, këmbët e të cilit janë pluhurosur në rrugën e Allahut!”
Pas këtyre fjalëve, të gjithë luftëtarët një tu hedhur bënë nga shpina e kafshëve të tyre dhe zbritën. Asnjëherë tjetër nuk kam parë ndonjë ushtri që të ketë ecur më shumë në këmbë sesa kanë ecur ata luftëtarë atë ditë.”
10. AGJËRIMI DHE NAMAZI GJATË LUFTËS
Agjërimi gjatë të luftuarit në rrugën e Allahut
Umul-Derdaja (radijallahu anha) ka transmetuar se i shoqi i saj Ebu’d-Derdaja (radijallahu anhu) ka thënë: “E mbaj mend shumë mirë njëherë, kur ishim nisur për të luftuar, bashkë me të Dërguarin e Allahut, dhe ishte një ditë shumë e nxehtë vere (ishte muaj Ramazan). Nga i nxehti i tejskajshëm, njerëzit i mbanin të gjithë duart mbi kokë. Nga ne nuk agjëronte askush, veç të Dërguarit të Allahut dhe Abdullah bin Reuahas.”
Madje tregon edhe Ebu Said el-Hudriu (radijallahu anhu): “Gjatë muajit të Ramazanit, ne po shkonim në luftë me Resulullahun (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Disa nga ne agjëronin, disa të tjerë jo. Askush nuk e gjykonte njëri-tjetrin, as ata që po agjëronin ata që nuk kishin agjëruar pse nuk kishin agjëruar, as ata që nuk agjëronin ata që kishin agjëruar pse kishin agjëruar! Të gjithë mendonin për ata që mund të agjëronin se kjo ishte diçka shumë e mirë; e për ata që nuk kishin agjëruar dot mendonin se edhe atyre u bënte mirë të ngrënët.” Kur Profeti ynë fal namazin në Bedër
Me sa na përcillet prej Aliut (radijallahu anhu), ai ka thënë këto fjalë: “Në ditën Bedrit, pranë nesh nuk kishte asnjë kalorës, përveç Mikdadit. E mbaj mend mirë, veç të Dërguarit të Allahut, ne të tjerëve na pati zënë gjumi të gjithë. I Dashuri i Allahut (alejhis’selam) fali namaz duke derdhur lot nën një pemë aty pranë deri në agim.”
Kur Abad bin Bishr el-Ensari fal namazin gjatë luftës
Xhabiri (radijallahu anhu) tregon: “Ne ishim nisur bashkë me Profetin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për të luftuar në Dhatu’r-rika. Kur mbërritëm në vendin e quajtur “Nahl”, një burrë u kap me fjalë me një grua nga të idhujtarëve. Në atë kohë i shoqi i saj nuk gjendej në shtëpi. Kur ishte larguar Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte shkuar në shtëpinë e atij idhujtari. Me të mësuar se çfarë kishte ndodhur, ai burrë u betua se nuk do të hiqte dorë nga ajo punë, pa derdhur të paktën gjakun e njërit prej sahabëve të Muhamedit të nderuar, ndaj edhe u vu menjëherë në kërkim të gjurmëve të tyre. Profeti ynë u vendos në një vend dhe i pyeti sahabët:
“Kush do të më mbrojë mua sot?”, – Nga muhaxhirët u hodh i pari Amar bin Jasiri, ndërsa nga ensarët Abad bin Bishri:
“Ne, o Resulallah.”, – thanë ata. I Dërguari i Allahut tha:
“Në rregull, atëherë prisni atje te shtegu i hyrjes së kësaj lugine.” Ata shkuan të dy në vendin për ku i drejtoi i Dërguari i Allahut dhe kur mbërritën, Abadi i tha shokut të tij prej mërgimtarëve:
“Kur do ta bësh pushimin ti, në të hyrë të natës, apo në pjesën e fundit të saj?” Muhaxhiri i tha:
“Në të hyrë.”, - dhe sakaq u shtri dhe fjeti.
Abad bin Bishri u çua në këmbë dhe filloi të falte namaz. Në atë kohë, aty ia behu ai burrë, që njëri prej sahabëve ishte ngatërruar me fjalë me të shoqen e tij. Pa një hije dhe e kuptoi se ishte hija e ndokujt që duhej të ishte duke bërë rojë, ndaj nxori një shigjetë dhe e goditi.
Shigjeta u ngul në trupin e Abadit. Abadi arriti ta nxirrte shigjetën, mirëpo ai burrë e qëlloi sërish, për herë të dytë e për herë të tretë, e të dyja shigjetat u ngulën në trupin e Abadit. Pas secilës prej tyre Abadi përpiqej të qëndronte në këmbë, i palëkundur, e i nxirrte shigjetat një e nga një, derisa tha:
“Çohu tani, o Amar, se unë u plagosa.” Amari u çua menjëherë nga vendi. Ai idhujtar, kur pa se nuk ishte vetëm një roje, por dy, ia mbathi. Kur e pa se shoku i tij, Abadi, qëndronte i shtrirë dhe i mbuluar në gjak, Amari tha:
“I Patëmetë je Ti, o Allah! Pse nuk më zgjove që me plagën e parë!” Abadi iu përgjigj:
“Isha duke kënduar një sure (sipas transmetimit që i bën Bejhakiu kësaj ngjarjeje, ka qenë sureja “Kehf”), e nuk desha ta ndërprisja namazin pa e mbaruar të gjithën. Mirëpo, kur filluan të më goditnin shigjetat njëra pas tjetrës, atëherë u përula në ruku dhe të zgjova. Por, unë i betohem Allahut, se po të mos më kaplonte frika se nuk do ta ruaja dot hyrjen e kësaj lugine, ashtu siç na urdhëroi Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), më mirë të vdisja, sesa të lija namazin në mes!”
Të falurit e namazit të natës gjatë luftës
Urueja (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Kur dy ushtritë iu afruan njëra-tjetrës (ushtritë, ajo e myslimanëve dhe ajo e bizantinëve) në luftën e Jermukut, komandanti bizantin caktoi me detyrë një arab, që të shkonte e të mblidhte të dhëna rreth gjendjes dhe situatës në radhët e luftëtarëve myslimanë. Kur ai burrë i pa të gjitha mirë e mirë, e u kthye, komandanti e pyeti:
“Si ishte gjendja?” Spiuni iu përgjigj:
“Imzot, këta qenkan një popull, që natën e kalojnë duke adhuruar Zotin, njësoj si murgjit, ndërsa ditën si luftëtarë, të hipur mbi kuaj dhe deve!”
Ebu Is’haku transmeton: “Herakliu i pyeti ushtarët e tij:
“Çfarë ju ka gjetur, që të gjithë ktheheni të mundur prej myslimanëve?” Njëri prej më të mëdhenjve nga bizantinët u çua dhe tha:
“Sepse ata gjatë gjithë natës i bëjnë adhurime Zotit, ndërsa ditën luftojnë duke mbajtur agjërim.”
11. TË PËRMENDURIT E ALLAHUT PA NDËRPRERJE GJATË LUFTËS
Sahabët, gjithë natën e parë të Ngadhënjimit mbi Mekën e kaluan duke bërë dhikr (duke përmendur Allahun)
Said bin Musejebi tregon: “Kur hynë myslimanët në Mekë, natën e parë të ndadhënjimit e kaluan duke kënduar tekbire, tehlile (La ilahe il’lallah) dhe duke u sjellë rreth Qabes. Ebu Sufjani i tha së shoqes, Hindit:
“Si thua? Këto që po ndodhin, të gjitha nga Allahu janë?”- “Po, nga Allahu.”, – u përgjigj Hindi.
Kur agoi, Ebu Sufjani e mbajti frymën drejt e tek i Dërguari i Allahut. Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha atij:
“O Ebu Sufjan, ti a e pyete Hindin, ‘si thua, këto të gjitha nga Allahu vijnë?’, dhe ajo t’u përgjigj: ‘Po, nga Allahu.’, duke i bërë kësisoj të ditur se ai ishte në dijeni edhe të bisedës që ata kishin pasur me njëri-tjetrin. Kur dëgjoi këto fjalë, Ebu Sufjani i tha atij:
“Unë dëshmoj me siguri, se ti medoemos je robi dhe i Dërguari i Allahut. Unë jam i sigurt se ato fjalë që thashë nuk i dëgjoi askush tjetër veç Hindit!”
Gjatë gjithë rrugës për në luftën e Hajberit sahabët e përmendën Allahun me zë të lartë
Ebu Musa el-Esh’ari (radijallahu anhu) ka thënë: “Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kur ishim në betejën e Hajberit, apo në mos gaboj gjatë rrugës për në Hajber dhe myslimanët patën mbërritur pranë një lugine, myslimanët filluan të këndonin tekbire me zë të lartë, duke thënë: ‘Allahu Ekber, La ilahe il’lallah”. Kësodore, i Dërguari i Allahut tha:
“Mos e mundoni veten kështu! Ju nuk po thërrisni as ndonjë të shurdhër, as ndonjë që nuk është këtu me ju! Nuk ka pikë dyshimi, që ju po i luteni Dikujt që jo vetëm ju dëgjon ju mjaft mirë, por që është më pranë jush sesa kushdo tjetër.” Ai që e transmeton këtë hadith, Ebu Musai thotë se: “Në ato çaste unë gjendesha pas kafshës së rrugës së të Dërguarit të Allahut. Kur dëgjoi që unë po thosha ‘La haule ue la kuuete il’la bil’lah, robi nuk ka as forcë as fuqi; çdo gjë ndodh me fuqinë dhe me ndihmesën e Allahut.’, Ai më tha:
“A të të mësoj një fjalë që është prej thesareve të Xhenetit?”
“Ma mëso, o Resulallah! T’u bëfshin kurban nëna dhe babai im!”, – i thashë unë.
I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u përgjigj: - “Ajo fjalë është ‘La haule ue la kuuete il’la bil’lah’.
Sahabët, kur ngjitnin ndonjë të tatëpjetë thoshin ‘Allahu Ekber’, ndërsa kur e zbrisnin ‘Subhanallah’
Xhabiri (radijallahu anhu) thotë se: “Kur na qëllonte t’i ngjiteshim ndonjë të tatëpjete, thoshim gjithmonë ‘Allahu Ekber’, ndërsa kur zbrisnim ndonjë të tillë, thoshim ‘Subhanallah’. Ndërsa në një tjetër transmetim thuhet vetëm: “Kur zbrisnim i bënim tesbih (Subhanallah)
Allahut.”
Fjalët që ka thënë Abdullah bin Omeri për luftëtarët, se si ata ndaheshin në dy grupe
Ibni Omeri (radijallahu anhu) thotë: “Njerëzit, në luftë, ndahen në dy grupe: Ka një pjesë, që, kur dalin në luftë, e përmendin shumë
Allahun. Ata e kujtojnë vazhdimisht Allahun dhe, edhe kur janë në lëvizje, ata u shmangen nxjerrjes së ngatërresave, duke i ardhur përherë në ndihmë njëri-tjetrit e duke shpenzuar edhe nga gjërat e tyre më të çmuara, e më shumë sesa nga të fituarit, marrin kënaqësi nga të shpenzuarit në rrugën e Allahut; kur mbërrijnë në fushëbetejë, atyre u vjen shumë turp nga Allahu, që t’u shfaqet ndonjë dyshim, për të cilin nuk kanë qenë të vetëdijshëm deri atëherë, apo që të mendojnë gjëra të pakëndshme, siç mund të jetë të menduarit se myslimanët do të dalin të humbur, madje kjo i bën të dridhen nga droja që kanë karshi Allahut. Megjithëse kanë mundësi të marrin ndonjë gjë më tepër se ç’duhet nga plaçka e luftës, atyre kjo as nëpër zemër nuk u kalon. Djalli, jo vetëm që nuk i gënjen dot ata, por as dyshime e vesvese nuk hedh dot në zemrat e tyre. Allahu, me këta e lartëson fenë e Tij dhe në sajë të tyre i mund dhe i poshtëron ata njerëz që i shpallin armiqësi.
Ndërsa, grupi i dytë janë ata që, kur dalin për të luftuar as nuk e përmendin Allahun, as nuk bëhen shkas për t’u përmendur Allahu. Nuk u shmangen ngatërresave dhe e japin krejtësisht pa dëshirë atë që japin nga pasuria e tyre. Edhe ato që harxhojnë, ata i konsiderojnë si një borxh që do të vijë një ditë e do t’u kthehet pas. Ata djalli i cyt vazhdimisht, e ata qëndrojnë gjithmonë pas kur organizohen radhët e ushtrisë. Strehohen nëpër guva e në majat e maleve, që të shohin njëherë se si është gjendja e të dyja ushtrive. Kur Allahu i Madhërishëm u fal myslimanëve ngadhënjimin, ata, më shumë se kushdo, merren me llafazanërinë e punës dhe të fitores së arritur, duke numëruar pa mbarim kontributet e tyre në të. Me të gjetur ndonjë mundësi për të përfituar pak më shumë nga plaçka e luftës, ata, megjithëse Zoti e ka ndaluar, guxojnë, e bëjnë edhe këtë. Djalli i mashtron duke u futur në koka mendimin ‘hë se plaçkë lufte është, nuk ka gjë po të merrni më tepër.’ Një të arritur rehatinë dhe kamjen, atyre u rritet mendja. Ndërsa, kur bien në vështirësi, djalli i vë ata në sprovë me ambicien për këtë botë. Këta nuk do të arrijnë të marrin dot as grimcën e shpërblimeve që Allahu u ka premtuar besimtarëve. Veç faktit që janë bashkudhëtarë deri në fushëbetejë, ata nuk kanë kurrfarë lidhjeje e të përbashkëte me besimtarët, sepse ndryshe e kanë qëllimin, e tjetër synim kanë. Në
ditën e Kiametit, Allahu, këta njerëz që luftojnë bashkë me besimtarët, do t’i mbledhë bashkë dhe pastaj do t’i ndajë sërish prej njëri-tjetrit.”43
12. RËNDËSIA E LUTJES KUR NISESHIN PËR TË LUFTUAR
Lutja e Profetit tonë teksa po mërgonte nga Meka
Muhamed bin Is’haku tregon: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur po mërgonte nga Meka për në Medinë për hir të kënaqësisë së Allahut, është lutur kështu:
- “Lëvduar qoftë Allahu, që unë nuk ekzistoja, e Ai më krijoi mua. O Zot! O Zot, ndihmomë mua prej frikës së botës, prej fatkeqësive të kohës dhe prej vështirësive që sjellin ditët e netët! Bëhu Ti shoqëruesi im i rrugës dhe më trashëgo mua me familje të mirë. Begatoje atë rrësk që më ke taksur mua. E bëmë mua të jem një rob i denjë për Ty. Falmë mua moral të mirë, dhe bëmë që të jem i palëkundur në ruajtjen e moralit tim. O Zot, më jep mundësinë që unë të të dua ashtu siç e meriton Ti, e mos më lër mua në duart e njerëzve.
O Ti Zoti im, që je Zgjidhja për të gjithë ata që nuk gjejnë dot zgjidhje! Ti je Zoti im! Unë vetëm Ty të kërkoj ndihmë e vetëm te fisnikëria e bujaria Jote, që ndriçon gjithësinë dhe i zhbën krejt errësirat, e kam shpresën e mund të kërkoj strehë, që Ti të më ruash e të mos e meritoj ndëshkimin Tënd të ashpër dhe të mos përballem me mërzitjen Tënde.
O Zot, unë vetëm Ty të drejtohem, për të të kërkuar ndihmë, që të mos na e marrësh nga duart të mirën që na ke falur, që, në fund, të mos përballemi papritur me ndëshkimin Tënd të ashpër dhe shëndeti e mirëqenia që na ke falur të mos na shndërrohet në fatkeqësi, se vetëm mëshira Jote është aq e madhe sa t’i vijë hakut çdo të keqeje. Për mendimin tim, po arrita që të fitoj pëlqimin e kënaqësinë Tënde, unë vështirë se mund të bëj dot më ndonjëherë ndonjë punë më të mbarë! O Zot! Vetëm Ti je i Gjithëfuqishëm e i Gjithëpushtetshëm.”44
43. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/774 (11347).
44 3/178.
13. LUTJA PARA SE TË FILLOJË LUFTA
Kur Profeti ynë lutet në Bedër
Omeri (radijallahu anhu) thotë që: “Kur afroi dita e Bedrit, Profeti ynë i nderuar pa njëherë nga sahabët e tij, të cilët bëheshin diku te treqind vetë. Pa njëherë edhe andej nga ishin idhujtarët. Ata ishin më shumë sesa njëmijë vetë. Megjithëse sipër kishte veshur një jelek dhe një pelerinë, ai u drejtua nga kibleja dhe filloi të lutej, duke thënë këto fjalë:
“O Zoti im! Bëje realitet atë fjalë që më ke dhënë. O Zot, po u vra ky grusht njerëzish, xhemati i myslimanëve, nuk do të mbetet mbi Tokë kush të të adhurojë Ty!”
I Dërguari i Allahut i përgjërohej vazhdimisht Allahut, duke u lutur pa pushim. Madje, njëherë, jeleku që kishte veshur i ra nga trupi. Ebu Bekri (radijallahu anhu) u afrua, ia rregulloi atë rrobë Resulullahut mbi shpinë dhe pa i dalë përpara, i tha:
“O Resulallah, mjaft iu lute Zotit! Ai, nuk ka dyshim që do ta mbajë fjalën që të ka dhënë ty!”
Kur ndodhi kjo, Allahu i Madhërishëm zbriti ajetin e nëntë të sures
“Enfal”: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: ‘Unë do t’ju ndihmoj me njëmijë engjëj të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit.’” (Enfal, 8/9)
Tregon Abdullah bin Amr bin Asi (radijallahu anhu): “Profeti ynë u nis për në luftën e Bedrit dhe me vete kishte një forcë të përbërë prej treqind e pesëmbëdhjetë luftëtarësh. Kur mbërritën në atë zonë ku u zhvillua edhe lufta, i Dërguari i Allahut nisi të lutej duke thënë këto fjalë:
“O Zoti im! Këta janë të gjithë në këmbë dhe këmbët i kanë zbathur! Falu atyre kafshë rruge. O Zoti im, sahabët e mi janë të zhveshur, vishi ata, o Zoti im! O Zot, ata janë të uritur, prandaj ushqeji Ti!”
Pas këtyre lutjeve nga ana e të Dërguarit të Allahut, Allahu i Madhërishëm u fali myslimanëve fitoren. Kur u kthyen pas, ata ishin të veshur mirë dhe barkun e kishin të ngopur. Çdonjëri prej luftëtarëve po kthehej me një ose me dy deve me vete.”46
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) thotë se: “Atë ditë që u zhvillua lufta e Bedrit, Muhamed Mustafaja (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu lut Zotit aq shumë, saqë unë nuk kam parë më ndonjëherë njeri që t’i jetë lutur Zotit më gjatë. Ja se si i përgjërohej Zotit i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):
“O Zot! Të lutem, që të na e bësh realitet fjalën e premtimin që na ke dhënë! O Zot! Po lejove të shkatërrohet kjo bashkësi, atëherë në Tokë nuk ngelet më askush që të të adhurojë!”
Pastaj Resulullahu u ngrit dhe u drejtua nga ne. Një pjesë e fytyrës i ndriçonte sikur të ishte një copë prej hënës; na tha:
“Tani, në këto çaste, më bëhet sikur shoh të gjitha vendet ku do të rrëzohen me radhë të gjithë idhujtarët aty në të rënë të muzgut!”47
14. TË LUFTUARIT NË RRUGËN E ALLAHUT ME SINQERITET TË PLOTË
Atyre që luftojnë për këtë botë dhe për t’u bërë të famshëm nuk do t’u jepet asnjë shpërblim
Ebu Umameja (radijallahu anhu) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha:
“O Resulallah, po për ata që luftojnë për të nxjerrë fitime të kësaj bote e për t’u bërë të famshëm, çfarë mendoni? A ka edhe për ta shpërblim?”
“Për ata nuk mbetet asgjë!”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut.
Ai burrë e përsëriti plot tri herë pyetjen e tij. E në të tria herët Profeti ynë iu përgjigj:
“Nuk ka asnjë shpërblim për ta.” Në fund, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha kështu:
“Ç’është e vërteta, Allahu pranon vetëm ato punë e ato vepra që bëhen
46. Bejheki, Sunen, 9/57 (17763).
47 3/276.
vetëm për Allahun e për asgjë e askënd tjetër, dhe vetëm për të fituar pëlqimin e kënaqësinë e Tij!”
Historia e Kuzmanit
Asim bin Omer bin Katade (radijallahu anhu) tregon: “Në mesin tonë ishte edhe një njeri me emrin Kuzman, të cilin ne nuk e njihnim; nuk e njihte askush se kush ishte. Kur u përmend emri i atij njeriu, Profeti i Lavdishëm tha:
“Nuk ka dyshim se ai është prej banorëve të Xhehenemit.” Kur u zhvillua lufta e Uhudit ai njeri luftoi me mish e me shpirt, madje në një rast ai mundi i vetëm shtatë-a tetë vetë prej idhujtarëve. Trupin e kishte shumë të fuqishëm. Në fund, plagët që kishte marrë gjatë betejës ia bënë të pamundur lëvizjen, kështu që e morën dhe e çuan në vendqëndrimin e bijve të Dhaferit. Myslimanët i thanë atij:
“Uallahi, o Kuzman, sot ke kaluar prova shumë të vështira, të përgëzojmë!”
“Po pse po më përgëzoni? Unë luftova vetëm për namin dhe nderin e popullit tim, përndryshe unë nuk vija për të luftuar!” Kur plagët iu hapën edhe më shumë dhe dhimbjet iu bënë të padurueshme, Kuzmani vrau veten me një prej shigjetave të veta.”
Historia e el-Usajrimit
Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) u tregoi atyre që ishin të pranishëm: “Më tregoni një njeri që ka shkuar në Xhenet pa falur namaz.” - Populli nuk dinte se ç’emër të thoshte, kështu që e pyetën Ebu Hurejren:
“Kush është ai, pa na e thuaj?”
“Ai është një person që e thërrisnin Usajrim, ishte nga bijtë e Abdulesh’helit, emrin e kishte Amr bin Thabit bin Uaksh.”, – u përgjigj Ebu Hurejreja.
Husajni, që është gjithashtu një prej atyre që e përcjellin hadithin, thotë se: “Unë pyeta Mahmud bin Esedin:
“Si qëndron puna e këtij Usajrimit? Çfarë ka bërë ai?” Ai më tregoi:
“Usajrimi bëhej vazhdimisht pengesë që asnjë nga familja e tij të mos bëhej mysliman. Atë ditë që u zhvillua lufta e Uhudit, ai e kuptoi të vërtetën dhe u bë mysliman. Pastaj, mori shpatën dhe doli të luftonte kundër armikut. Hyri në fushën e betejës dhe luftoi. Mori aq shumë plagë, saqë nuk lëvizte dot nga vendi. Në atë kohë kishte edhe ca njerëz nga fisi i bijve të Abdulesh’helit, të cilët kërkonin për ata që kishin humbur jetën nga radhët e tyre. Kur, në një çast, ata e gjetën Usajrimin, dhe thanë:
“Ja, ky është Usajrimi! Ç’kërkon ky këtu, kur u ndamë me të ai ishte kundër Islamit.” Ne iu afruam pranë dhe e pyetëm:
“Pse ke ardhur, o Amr? Ke ardhur se të erdhi keq për fisin tënd, apo do të bëhesh mysliman?”
“Kam ardhur të bëhem mysliman. I besoj Allahut dhe Profetit të Tij. Mora edhe shpatën, për të luftuar bashkë me Resulullahun; luftova derisa më rrëzuan këto plagë që kam marrë.”, – tha Amri. Nuk zgjati shumë dhe ai dha shpirt në duart e tyre. Kur ia treguan edhe të Dërguarit të Allahut gjithë sa kishin ndodhur me atë njeri, ai tha:
“Ai është prej banorëve të Xhenetit.”50
Historia e një burri prej beduinëve
Shedad bin Hadi na përcjell: “Te Profeti i profetëve erdhi një beduin, i cili i shpalli atij se kish besuar dhe se donte t’i bashkohej atij, duke i thënë:
“Dua të mërgoj këtu tek ti.” Kështu, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i kërkoi njërit prej sahabëve të tij, që të kujdeseshin për të. Kur u zhvillua lufta e Hajberit dhe Resulullahu po bënte ndarjen e plaçkës së luftës, ndau edhe pjesën e tij dhe ia dha njërit prej sahabëve të tij për t’ia dorëzuar. Kur erdhi, ata i dhanë atij pjesën e vet.
“Ç’është kjo?”, – pyeti beduini.
“Kjo është pjesa e plaçkës që morëm në luftë, e ndau i Dërguari i
50 4/37.
Allahut për ty!”, – iu përgjigj sahabi.
Aty, beduini u largua të shkonte pranë të Dërguarit të Allahut. Kur mbërriti, ai i tha atij (a.s.):
“Unë nuk erdha tek ti për të fituar plaçkë e pasuri!”, dhe duke bërë me shenjë te fyti i tha:
“Unë vij pas teje që të ha një shigjetë mu këtu, të vritem e të shkoj në Xhenet.”
“Nëse je i sinqertë me Allahun, nuk ka dyshim që Allahu nuk ka për të të nxjerrë gënjeshtar në ato që the, medoemos ka për të ta dhënë atë që kërkon ti.”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) atij beduini.
Shkuan prapë në luftë, për t’u përballur me armiqtë. Pas njëfarë kohe, aty prunë trupin e tij. Shigjeta e kishte goditur bash në vendin që ai i kishte treguar të Dërguarit të Allahut me dorë. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Ky! Ky është ai?”
“Po, ai është!”, – iu përgjigjën sahabët.
“Paska thënë të vërtetën. Allahu ia provoi duke i dhënë atë që kërkonte.”, – tha Resulullahu. Pastaj Resulullahu e mbështolli atë me xhyben e tij dhe i fali atij namazin e xhenazes. Kur ishte në namaz, u dëgjua që Resulullahu tha:
“O Zot! Ky është robi Yt, që u nis të mërgonte në rrugën Tënde. Ra dëshmor.
Për këtë jam edhe unë dëshmitar!”
Historia e njeriut me ngjyrë
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Një njeri erdhi tek i Dërguari Fisnik dhe i tha:
“O Resulullah! Unë jam një njeri me ngjyrë të zezë, fytyrën e kam të shëmtuar dhe nuk kam asnjë pasuri mbi tokë. A hyj në Xhenet, nëse vritem duke luftuar me idhujtarët?”
“Patjetër!”, – u përgjigj Profeti ynë.
Ai njeri gati sa nuk u hodh përpjetë nga gëzimi. Filloi lufta dhe ai luftoi me shpatë, derisa e qëlloi një prej armiqve dhe ai ra dëshmor.
Kur e sollën trupin e pajetë te Resulullahu, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Uallahi, Allahu ta paska zbukuruar fytyrën, paske marrë një aromë të mirë dhe pasurinë ta shtoi.”, dhe pasi tha këto, shtoi:
“E pashë hurinë e parë që u bë gruaja e tij, i kishte sytë shumë të bukur: duket sikur po bëjnë garë me njëra-tjetrin, kush e kush të hyjë më parë brenda xhybes së tij.”52
Fjalët e Omerit (r.a) për dëshmorët
Ebul-Bakhteri et-Taij tregon: “Ushtarët që ishin pranë babait të ElMuhtar bin Ebu Ubejdit ranë dëshmorë në përplasjen që ndodhi në rrethinat e urës së Ebu Ubejdit në Kufe. Vetëm dy a tri syresh patën arritur të sulmonin në radhët e armiqve dhe u kthyen në Medinë. Ishin ulur dhe po u tregonin atyre që ishin të pranishëm se çfarë kishte ndodhur, kur aty erdhi Omeri (radijallahu anhu).
“Çfarë po thoshit për ta?”, – i pyeti ai.
“Iu lutëm Allahut që t’i falë dhe t’i presë me mirësitë e Tij.”, – u përgjigjën ata.
“M’i thoni një e nga një të gjitha ato që thatë për ta, përndryshe askush nuk ju shpëton dot prej meje!”, – tha Omeri (radijallahu anhu).
“Thamë që ata ranë dëshmorë.”, – u përgjigjën ata.
“I betohem Atij që nuk ka zot tjetër veç Tij, që e dërgoi Muhamedin me më të drejtën e të vërtetën më të madhe, që vetëm me lejen e Tij do të ndodhë Kiameti; askush që është ende në jetë nuk mund ta dijë shkallën pranë Allahut të atyre që kanë vdekur. Këtë e dinte vetëm i Dërguari Fisnik, të cilit i ishin falur të gjitha gabimet e nuk kishte asnjë mëkat. I betohem Allahut, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër, që e dërgoi Muhamedin me të drejtën dhe udhëzimin, se një njeri mund të luftojë edhe për t’u dukur, mund të luftojë nga inati e urrejtja që ndien karshi armikut, mund të luftojë për të fituar prej gjërave të kësaj bote, e mund të luftojë edhe për të fituar pasuri! (Ne nuk e dimë përse kanë luftuar ata, pasi nuk mund t’ua dimë qëllimin e vërtetë.) Shkalla dhe
52 4/191.
grada e atyre që marrin pjesë në luftë varet nga qëllimi që ata mbajnë të fshehur në zemrat e tyre.”
15. PARALAJMËRIMI I PROFETIT TONË SE NUK KA XHIHAD
“QË U PRET RRUGËN NJERËZVE DHE SULMON NJERËZIT E PAFAJSHËM NËPËR SHTËPITË E TYRE”
Sehl bin Muadh el-Xhuheniu, transmeton se nga babai i tij i është përcjellë kështu: “Unë kam luftuar pranë Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në aksh e aksh betejë. Disa nga ushtarët patën ndërmarrë sulme ndaj shtëpive, e disa të tjerë u patën prerë rrugën udhëtarëve. I Dërguari i Allahut, kur dëgjoi për këtë, dërgoi një tellall në mes të popullit, i cili u bëri thirrje të gjithëve me zë të lartë: “Ai që sulmon shtëpitë dhe u pret rrugën njerëzve të pafajshëm nuk mund të quhet se ka luftuar në rrugën e Allahut.”
16. NUK E LININ PAS DORE LUFTËN AS KUR U DUHEJ TË DURONIN SËMUNDJE NGA MË TË NDRYSHMET
Historia e Ubej bin Kabit (r.a.)
Sipas një transmetimi nga ana e Ebu Saidit Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë:
“Nuk ka asgjë që e shqetëson trupin e besimtarit, që Allahu të mos ia pranojë atij si shlyerje të mëkateve të tija.” Ubej bin Kabi, kur dëgjoi për këtë që kishte thënë i Dërguari i Allahut, filloi t’i lutej Zotit:
“O Zot! Të lutem që ta bësh trupin e Ubej bin Kabit të kapet nga sëmundja e veremit, me kushtin që ajo të mos e pengojë nga të falurit e namazit, nga agjërimi, nga haxhi, nga umreja dhe nga të luftuarit në rrugën Tënde dhe ajo t’i vazhdojë deri në ditën që do të rikthehet tek Ti.”, dhe u largua prej andej e pas njëfarë kohe u kap prej sëmundjes së veremit. Ajo sëmundje i zgjati deri në ditën që vdiq. Megjithëse i sëmurë, ai vinte në faltore në çdo kohë të namazit, agjëronte, kryente haxhin, bënte umre dhe merrte pjesë në çdo luftë.”
17. PLAGËT E MARRA GJATË LUFTËS
Plagosja e Profetit tonë
Xhundub bin Sufjani (radijallahu anhu) tregon: “Teksa po ecnim në rrugë, Profetit tonë iu pengua këmba në një gur dhe iu plagos një nga gishtërinjtë e tij të bekuar, i cili filloi të rrjedhë gjak. Paskëtaj, i Dërguari i Allahut tha me vete:
“Po pse, ti nuk je veçse një gisht që rrjedh gjak? Kjo ngjarje që ti u përballe sot nuk të ndodhi në asnjë vend tjetër, porse në rrugën e Allahut!”
Trimëria e pashoqe e Enes bin Nadrit (r.a.)
Kasimi nga bijtë e Adijit tregon: “Në luftën e Uhudit, xhaxhai i Enes bin Malikut, Enes bin Nadri, shkoi pranë një vendi ku gjendeshin edhe Omeri me Talhanë (radijallahu anhuma), të cilët ishin ulur bashkë me një grup muhaxhirësh dhe ensarësh dhe po bisedonin dhe u tha:
“Pse rrini ashtu, të habitur?”
“Kanë vrarë të Dërguarin e Allahut.”, – i thanë ata.
“Po tani që ka vdekur ai, ju ç’kuptim ka që të jetoni?”, – u tha atyre Enes bin Nadri, – “Vdisni edhe ju në atë rrugë ku vdiq edhe vetë i Dërguari i Allahut!” Dhe, sakaq, u vërsul në mes të armiqve dhe luftoi me mish e me shpirt, derisa dha edhe jetën.57
Enesi (radijallahu anhu) e tregon kështu: “Xhaxhai im, Enes bin Nadri, nuk pati marrë pjesë dot në luftën e Bedrit, sepse ishte shumë larg vendit ku u zhvillua beteja. Prandaj, ai i pati thënë të Dërguarit të Allahut: “O Resulallah, unë nuk pata marrë dot pjesë në luftën tuaj të parë kundër idhujtarëve, qëndrova larg Bedrit. Po, po më përballi ndonjëherë Allahu me idhujtarët, Allahu ka për t’jua treguar se ç’do të heqin ata nga duart e mia.” Atë ditë që u zhvillua lufta e Uhudit, kur u zbërthyen myslimanët, xhaxhai im, Enesi (radijallahu anhu) tha:
“O Zoti im, të kërkoj falje për këtë që po bëjnë myslimanët kështu, ashtu siç prej Teje kërkoj të më mbështetësh kundër atyre paudhësive që po bëjnë këta idhujtarë.” Pastaj, u vërsul në drejtim të fushës së betejës, atje ku po përjetoheshin skenat më të ashpra të saj. Në atë kohë përpara i doli Sad bin Muadhi. Enes bin Nadri i tha atij:
“O Sad bin Muadh, unë kam vetëm një dëshirë: të hyj në Xhenet. Unë i betohem Zotit të Enes bin Nadrit se, që nga atje tej, nga shtrati i Uhudit, ndiej aromat e mira të Xhenetit! “ Sad bin Muadhi tha:
“As unë nuk i bëra dot ato që bëri ai njeri.” Enesi (radijallahu anhu) thotë se:
“Kur e gjetëm xhaxhain, kraharorin e kishte të copëtuar nga të prerat e shpatave dhe në trup kishte diku te tetëdhjetë plagë shigjetash të ngulura. Idhujtarët e patën torturuar atë, duke e shpërfytyruar; i kishin prerë veshët, hundën dhe të gjitha organet e gjymtyrët e tjera, aq sa askush nuk e pati njohur dot më. Atë e njohu vetëm e motra, duke i dalluar majat e gishtave. Na e merr mendja, se për të dhe të gjithë njerëzit si ai duhet të jetë zbritur ajeti: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.” (Ahzab, 33/23)
Plagët e marra prej Xhafer bin Ebi Talibit
Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në betejën e Mu’tes pati caktuar si komandant Zejd bin Harithin, duke thënë:
“Po vdiq Zejdi, komandant do të bëhet Xhaferi. Po e vranë edhe Xhaferin, atëherë komandën ta marrë përsipër Abdullah bin Reuaha.”
Në mes të atyre që morën pjesë në atë betejë isha edhe unë. E kërkuam Xhafer bin Ebi Talibin gjithandej, por nuk e gjetëm dot askund, derisa e gjetëm në mesin e të rënëve. Në trup i dalluam gjithsej
nëntëdhjetë plagë shigjetash dhe topuzësh. Sipas një transmetimi të caktuar: “Në shpinë nuk kishte marrë asnjë plagë.”, - madje tregohet edhe shumë më tepër.
Kur Ebu Sufjani humbet njërin sy në Taif
Said bin Ubejd ethThekafij (radijallahu anhu) tregon: “Ditën e Taifit, kam parë Ebu Sufjan bin Harbin (radijallahu anhu). Ishte ulur në kopshtin e hurmave të Ebu Ja’lasë dhe diç po hante. I hodha një shigjetë dhe ajo e kapi në sy. Ebu Sufjani erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha:
“Shikoje, një shigjetë më goditi në sy dhe ma mori syrin në rrugën e Allahut.” Profeti ynë i tha kështu:
“Po deshe, unë mund t’i lutem Allahut, që Ai të ta rikthejë syrin në gjendjen e mëparshme. Ose, po deshe, të ta shpërblejë me Xhenetin e amshuar.” Ebu Sufjani i tha:
“Po zgjedh Xhenetin më mirë.”
18. DËSHIRA PËR TË RËNË DËSHMOR NË RRUGËN E ALLAHUT
Profeti ynë donte shumë që të binte dëshmor në rrugën e Allahut
Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) na transmeton se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë:
“I betohem Allahut, se po të mos ishte për disa besimtarë të varfër, të cilët nuk e durojnë dot që nuk marrin dot pjesë në luftë bashkë me mua, sepse nuk kishin asnjë mundësi për të gjetur ndonjë kafshë, me të cilën të nisen e të vijnë në fushëbetejë, unë nuk do të ngurroja as edhe për një çast për të qenë i pranishëm në çdo ushtri që niset për të luftuar në rrugën e Allahut. Unë i betohem Allahut, se gjëja që dua më shumë është të vritem në rrugën e Allahut dhe të ringjallem prapë, pastaj të më vrasin sërish, e unë po prapë të ringjallem, pastaj të më vrasin sërish, e unë po prapë të ringjallem, pastaj, në fund të më vrasin sërish.”
Nga Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) përcillet se: “I Dërguari i Allahut tha kështu:
“Allahu i Madhërishëm ka thënë për çdokënd që del nga shtëpia për hir të kënaqësisë së Allahut: ‘Nëse robi im del nga shtëpia vetëm me qëllimin për të luftuar në rrugën Time, për të më besuar mua, për të provuar profetësinë dhe fjalën e drejtë të profetëve të mi, e për kurrfarë arsyeje tjetër, ju jap fjalën se unë jo vetëm që do ta vendos atë në Xhenetin e amshuar, por edhe do ta rikthej sërish në shtëpinë e tij, madje duke i siguruar edhe plaçkë lufte me vete.’”
“I betohem Allahut se kushdo që plagoset në atë rrugë, në ditën e Kiametit, përpara Allahut do të futet po me atë plagë, madje edhe gjaku do t’i rrjedhë, por përreth tij ai do të lëshojë aromat më të mira të Xhenetit. Po ashtu unë i betohem Allahut, se; po të mos shqetësohesha se do të ishte paksa e vështirë për myslimanët, unë do të dilja të luftoja në çdo betejë a luftë që zhvillohet në rrugën e Allahut, kurrsesi nuk do të ngurroja. Por, ç’të bëj, nuk kam mundësi t’u gjej të gjithëve kafshë për rrugën, e as ata vetë nuk kanë asnjë mundësi që t’i gjejnë. I betohem Allahut, se unë nuk dua me gjithë shpirt asgjë tjetër, veçse që të luftoj në rrugën e Allahut, të vritem, pastaj të ringjallem sërish e po sërish të vritem, pastaj të ringjallem sërish e po sërish të luftoj, derisa të bie dëshmor në rrugën e Tij!”
Dëshira e flaktë e Omerit (r.a.) për të rënë dëshmor
Kajs bin Ebi Hazim na përcjell: “Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) mban një fjalim përpara xhematit, ku ndër të tjera u tha atyre:
“Në parajsën e Adnit gjendet një vilë me pesëqind porta. Në secilën nga ato porta qëndrojnë plot pesëmijë huri të ndryshme. Aty mund të hyjë vetëm një profet.” Mandej, Omeri (radijallahu anhu) u kthye me trup nga varri i të Dërguarit të Allahut dhe tha:
“O i zoti i atij varri, i shenjtë e i bekuar të qoftë ai vend!” Mandej, duke thënë: “... pastaj hyn edhe Besniku”, ai u drejtua dhe pa në drejtim të varrit të Ebu Bekrit dhe tha: - “O Ebu Bekr, e gëzofsh edhe ti atë vend e i shenjtë të qoftë!” Dhe, në fund, tha: - “... hyjnë edhe dëshmorët.”, – e kësaj here ai iu drejtua vetvetes:
“Ku ti, e ku të rënët dëshmor, o Omer?” Pasi mbaroi së u ankuari për veten, ai tha:
“Ai Allah, që mua më dha mundësinë të mërgoja nga Meka në Medinë, i ka të gjitha fuqitë që të më bëjë edhe ndër dëshmorët e rënë në rrugën e Tij!”
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) thotë se: “Me të vërtetë, Allahu i Madhërishëm i fali Omerit gradën e lartë të dëshmorit, duke bërë që ai të binte si i tillë nga dora e skllavit të Mugires, nga dora e krijesës më të keqe.”
Ja se si lutej Omeri (radijallahu anhu): “O Zot! Falmë mua mirësinë të bie dëshmor në rrugën Tënde. Falma edhe mua mundësinë të vdes edhe unë në qytetin e Profetit tonë!”
Hafsa (radijallahu anha) thotë se: “Kur e kam dëgjuar babanë tim, Omerin, teksa i lutej Allahut “që t’ia mundësonte edhe atij vdekjen në rrugën e Allahut dhe që t’i falte atij mundësinë, që edhe ai të jepte shpirt në qytetin e profetit,” unë e pyeta atë:
“Po si do të ndodhë kjo?” Ai më dha këtë përgjigje:
“Kjo ka për të ndodhur kur t’i vijë koha, pra, atëherë kur të dojë Ai.”
Abdullah bin Xhahshi kërkon të bjerë dëshmor
Sipas një transmetimi, i cili na vjen prej Sad bin Ebi Uekasit, Abdullah bin Xhahshi i ka thënë atij:
“A nuk do që t’i lutemi bashkë Allahut?” Të dy u tërhoqën mënjanë, në një vend ku do të ishin vetëm. Në fillim filloi të lutej Sad bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu):
“O Zoti im! Kur të luftojmë, përballmë mua me një luftëtar të atillë, që unë të përleshem njëherë mirë e mirë me të. Pastaj nxirrmë mua fitimtar, jepmë mua mundësinë që ta vras atë dhe t’ia marr të gjitha si plaçkë lufte.” Dhe Abdullah bin Xhahshi i tha ‘Amin’ lutjes së tij. Pas tij filloi të lutej edhe Abdullah bin Xhahshi:
“O Zot! Nxirrmë mua përballë një njeri të atillë, që të jetë një luftëtar shumë i fuqishëm, të përleshem me të për emrin Tënd, e pastaj ai të më kapë, të m’i presë mua hundë e veshë, që, kur të dal para Teje dhe Ti të më pyesësh: ‘Kush t’i ka prerë hundën e veshët?’, - unë të të përgjigjem: - ‘O Zoti im, ato m’i prenë duke luftuar në rrugën Tënde dhe të të Dërguarit Tënd.’ - Aty Ti të më thuash: ‘Të vërtetën the!’ - dhe, sakaq e mbyll lutjen e tij.
Sad bin Ebi Uekasi, i cili e transmeton këtë ndodhi, i thotë kështu atij që ia përcjell atë:
“Shiko, o bir, sesa më e bukur ishte lutja e Abdullah bin Xhahshit se lutja ime. Kur e pashë në darkë, atij i ishte pranuar fjalë për fjalë ajo lutje.”
Dëshira e Bera bin Malikut (r.a.) që të binte dëshmor
Enesi (radijallahu anhu) transmeton: “I Dërguari i Allahut
(sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë se:
“Ka sa e sa njerëz, të cilët mbi trup mbajnë rroba të vjetra e që populli nuk u jep shumë vlerë, që po të luten në emër të Allahut, për të kërkuar ndonjë gjë, Allahu ua plotëson atyre menjëherë dëshirat e nuk i nxjerr kurrë gënjeshtarë në betim. Ja, një prej tyre është edhe Bera bin Maliku.”
Në luftën e Tusterit, që përfundoi me disfatën e myslimanëve, ngaqë e dinin këtë hadith të Profetit, myslimanët i thanë Berasë:
“O Bera, sikur t’i betohesh Allahut dhe t’i lutesh për ne!” Dhe Beraja ashtu bëri, filloi të lutej me fjalët:
“O Zot, në dorën Tënde unë kam rënë. Të përgjërohem, na nxirr ne fitimtarë kundër armikut! E jepmë mua mundësinë që të takohem me Profetin Tënd.” Dhe, nuk kaloi shumë kohë, e ai ra dëshmor.”
Dëshira e Numan bin Mukarrinit (r.a.) për të rënë dëshmor
Makil bin Jesari tregon: “Omeri (radijallahu anhu), kur vendosi të dërgonte ushtritë e tij kundër Iranit, u këshillua me Hurmuzanin, duke e pyetur:
“Po ti, ç’mendim ke? Me Iranin t’ia filloj, apo me Azerbajxhanin ose Isfahanin?”
Hurmuzani iu përgjigj:
“Irani me Azerbajxhanin nuk janë veçse krahët, koka është Isfahani. Edhe sikur të presësh vetëm njërin nga krahët, prapë mbetet tjetri. Por, po u preve kokën, atëherë edhe krahët do të rrëzohen vetvetiu. Nëse më pyet mua, filloja me kokën.” Mandej, Omeri (radijallahu anhu)hyri në Xhaminë e Profetit. Në atë kohë, aty ishte edhe Numan bin Mukarrini, i cili ishte duke falur namaz. U ul pranë tij dhe kur Numani përfundoi së faluri namazin, ai i tha atij:
“Dua të të bëj udhëheqës.”
“Shiko, nëse ke ndërmend të më dërgosh për të mbledhur taksa gjëkundi, nuk e bëj! Nuk mund ta pranoj. Po nëse ke ndërmend të më dërgosh në luftë, që të luftoj në rrugën e Allahut, atëherë po, atë e pranoj.”, – i tha atij Numani.
“Do të shkosh të luftosh.”, – u përgjigj Omeri (radijallahu anhu) dhe sakaq e dërgoi atë në Isfahan. (...) Mugire bin Shu’beja (radijallahu anhu) i tha Numanit (radijallahu anhu):
“Allahu të mëshiroftë. Shiko, armiku u tregua më i shkathët, po na gjuajnë me shigjeta, andaj, bëhu gati t’i sulmosh edhe ti rëndë.” Numani iu përgjigj:
“Uallahi, ti je një njeri shumë i zgjuar dhe largpamës. Unë kam marrë pjesë në luftë edhe krah për krah me Profetin tonë. Sa herë që ai nuk luftonte në orët e para të ditës, e shtynte luftën deri në orën kur bëhej gati të binte muzgu, e bashkë me të nisnin edhe erërat dhe nga qielli fillonte të zbriste ndihmesa hyjnore. Shiko, unë do ta tund tri herë flamurin tim. Kur ta tund për herë të parë, të gjithë të kryejnë nevojat e tyre dhe të marrin abdes. Kur ta tund për herë të dytë, të gjithë të kontrollojnë mirë armët dhe këpucët, duke parë secili mos i ka ngelur ndonjë gjë mangët. Dhe, kur ta tund për herë të tretë, mos prisni më për asnjë çast, por vërsuluni armikut, pa parë nga njëri-tjetri! Askush të mos i qëndrojë te kryet e Numanit, edhe nëse qëllon që ta vrasin. Tani unë do t’i lutem Allahut. Ju urdhëroj, që teksa i thoni ‘Amin’ lutjes sime, t’i luteni edhe ju Allahut duke thënë: “O Zot! Fali Numanit mirësinë që ai të bjerë dëshmor, në mënyrë që myslimanët të dalin sot fitimtarë; falu myslimanëve ngadhënjimin!”
Ai e tundi flamurin herën e parë. Pastaj e tundi edhe herën e dytë.
Por, kur e tundi herën e tretë, porsi rrufe të njëpasnjëshme myslimanët iu vërsulën armikut. I pari që u rrëzua ishte Numani. Unë shkova menjëherë pranë tij. Pastaj në mendje më erdhi fjala e tij, “askush të mos qëndrojë te kryet e Numanit nëse vritet”, ndaj lashë aty një shenjë dhe u largova. Sa herë që ne vrisnim ndonjë prej armiqve, shokët e tij na harronin ne dhe merreshin me të rënin e tyre. Më vonë nga mushka ra edhe komandanti i ushtrisë perse, Dhu’l-Haxhibejni, të cilit iu ça i gjithë barku, duke iu bërë trupi copë-copë. Allahu i Madhërishëm i nxori ata humbës. Pastaj unë shkova pranë Numanit. Me vete kisha edhe dy rroba me ujë. Ia hodha në fytyrë dhe ia pastrova atë.
“Kush je ti?”, – më pyeti.
“Makil bin Jesari.”, - iu përgjigja unë.
“Ç’bënë luftëtarët?”, – më pyeti.
“Allahu i nxori ata fitimtarë!”, – i thashë unë.
“Allahu qoftë pafundësisht i lëvduar. Shkruajini dhe njoftojeni menjëherë Omerin.”, – tha ai dhe, fare pa lëvizur nga vendi, dha shpirt sa hap e mbyll sytë.”
19. KUR SAHABËT NGARENDNIN PËR TË LUFTUAR NË RRUGËN E ALLAHUT
Kur Hajthemeja (r.a.) hedh short me të birin, Sadin, se kush prej të dyve do të marrë pjesë në luftën e Bedrit
Sulejman bin Bilali (radijallahu anhu) tregon: “Në kohën që i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mori vendimin për të dalë në luftën e Bedrit, në luftë donin të shkonin edhe Sadi me babanë e tij, Hajthemen. Shkuan t’i thoshin të Dërguarit të Allahut, e Profeti ynë u tha atyre se vetëm njëri nga të dy mund të merrte pjesë. Për këtë, ata vendosën të hidhnin short me njëri-tjetrin. Para se të hidhej shorti, Hajthemeja i tha të birit:
“Njëri nga ne të dy do të qëndrojë këtu; pse nuk rri ti me gratë!” Sadi iu përgjigj të atit:
“Po të mos bëhej fjalë për Xhenetin, por për gjithçka tjetër, unë
do të të zgjidhja ty e jo atë. Por kësaj here unë kam shumë shpresë se do të bie dëshmor.”, dhe, sakaq hodhën short se kujt do t’i binte. Shorti i ra Sadit. Me Profetin tonë në Bedër shkoi Sadi. Ai u vra nga Amr bin Abdi Udi, e kështu ai ra dëshmor siç edhe e pati parandjerë qysh në krye.”
Historia se si ra dëshmor Ubejde bin Harithi (r.a.)
Transmeton Muhamed bin Husejni, nipi i Aliut (radijallahu anhu): “Në luftën e Bedrit, kur Utbeja i ftoi myslimanët në duel, përballë Uelid bin Utbes pati dalë Aliu (radijallahu anhu). Ishin të dy të rinj dhe ishin për të luftuar me njëri-tjetrin në duel. Aliu me një të goditur të vetme e përplasi përdhe dhe e vrau. Pastaj doli Ibni Rabia. Për t’u përballur me të, nga myslimanët doli Hamzai (radijallahu anhu), shtatdrejtë e i palëkundur, e edhe ata ishin bashkëmoshatarë. Hamzait nuk iu desh vetëm se një lëvizje e vetme e shpejtë dhe Shejbeja ra në tokë, kështu që Hamzai (radijallahu anhu) nuk u lodh shumë për ta vrarë. Pastaj doli Utbe bin Razia. Përpara tij doli Ubejde bin Harithi. Të dy ishin shtathedhur, me shpatullat të mbushura. Ata u goditën disa herë me njëri-tjetrin. Një të goditur i bën shpatës Ubejdeja dhe në supin e Utbes hapet një e çarë e madhe. Utbeja u afrua dhe siç e kishte në dorë shpatën, e goditi Ubejden në këmbë, duke i prerë një pjesë të pulpës. Hamzai dhe Aliu (radijallahu anhuma), të cilët po qëndronin pak më pas, ndërhynë dhe i dhanë fund jetës së Utbes. E morën peshë Ubejden e plagosur dhe e çuan pranë të Dërguarit të Allahut, i cili po qëndronte i ulur në një nga çardakët e ngritur për myslimanët. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e shtriu Ubejden, e vuri këmbën si jastëk nën kryet e Ubejdes dhe filloi t’i pastronte dheun që i ishte ngjitur pas fytyrës. Ubejdeja (radijallahu anhu) i tha të Dërguarit të Allahut:
“Po të më shihte Ebu Talibi në këtë gjendje, do ta kuptonte se këto fjalë i meritojmë më shumë ne, sesa ai: “Ne nuk ia dorëzojmë kurrsesi Muhamedin armiqve, pa luftuar njëherë krah për krah me të, me mish e me shpirt, qoftë edhe sikur të na duhet t’i harrojmë me gra e me fëmijë!” Mandej Ubejdeja i tha atij:
“O Resulallah, a nuk jam dëshmor unë?”
“Po, unë jam dëshmitar se ti je dëshmor.”, – iu përgjigj i Dërguari Fisnik. Pastaj Ubejdeja dha shpirt. I Dërguari i Allahut atë e varrosi në një vend në luginën e Safras, e cila gjendet diku mes Medinës dhe Bedrit. Madje, në varrin e hapur për të zbriti edhe vetë. Përveçse për Ubejden, Profeti ynë nuk ka zbritur kurrë në varrin e askujt.”
Dëshira e zjarrtë e Aliut (r.a.) për të dhënë jetën në rrugën e Allahut
Aliu (radijallahu anhu) ka thënë: “Në ditën e Uhudit, kur myslimanët u shpërndanë prej Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), unë kërkova për të në mesin e të vrarëve. Kur nuk e gjeta, bëja çudi, ndaj fillova të thosha me vete: ‘I betohem Allahut, se ai nuk e braktis fushën e betejës! As në mes të të rënëve nuk e gjeta dot. Mos ndoshta Allahut nuk i pëlqeu asfare gabimi që ne bëmë dhe e mori në qiej profetin e Tij. Tanimë, për mua nuk ka gjë më të mirë, sesa të luftoj në rrugën e Allahut, derisa të vijë dikush e të ma marrë edhe jetën!’ Me shpatën të zhveshur një të vërsulur bëra dhe u përfshiva në radhët e armikut, duke i sulmuar ata në grup. Kur u tërhoqën, në një moment, dhe unë arrita të shoh më tutje, i Dërguari i Allahut kishte mbetur i vetëm, duke luftuar në mesin e idhujtarëve!”
Historia e Sad bin Rabias
Zejd bin Thabiti (radijallahu anhu) tregon: “Gjatë luftës së Uhudit, i Dërguari Fisnik më pati dërguar mua të kërkoja për Sad bin Rabian, duke më thënë:
“Po e pe, përshëndete nga ana ime dhe thuaji: ‘I Dërguari i Allahut më urdhëroi të të pyes, si ndihesh?’” Kështu, unë fillova ta kërkoj në mesin e të vdekurve. Më në fund, e gjeta, por ai ishte duke përjetuar çastet e fundit të jetës. Kishte marrë plagë heshte, plagë shigjetash dhe plagë topuzi, që mund të bëheshin diku te shtatëdhjetë plagë gjithsej.
“O Sad! Të kam prurë përshëndetjet e të Dërguarit të Allahut. ‘Si ndihesh?’ - më urdhëroi i Dërguari i Allahut të të pyes.
“Përshëndetje edhe nga unë, edhe ty, edhe të Dërguarit të Allahut! Thuaji të Dërguarit të Allahut nga ana ime: ‘Unë po vdes, e më duket sikur kam filluar që ta ndiej që tani aromën e mrekullueshme të Xhenetit.’ Ndërsa popullit tim ensarëve thuaju këto fjalë: ‘Për sa kohë që në popullin tuaj do të mbetet qoftë edhe një njeri i vetëm që i hap dhe i mbyll qepallat e syve, e të Dërguarit të Allahut i ndodh ndonjë gjë e keqe, ta dini se për këtë nuk e jepni dot llogarinë përpara
Allahut!” Kaq tha dhe ia dorëzoi Allahut shpirtin.”
Ndodhia e Rexhij’ut
Asim bin Omer bin Katade (radijallahu anhu) tregon: “Pas luftës së Uhudit, tek i Dërguari i Allahut erdhi një bashkësi nga fiset e Adalit dhe Karas, të cilët i thanë Atij:
“O Resulallah, ne kemi myslimanë mes nesh, sikur të na japësh një grup prej sahabëve të tu me vete, që të na mësojnë fenë; të na shpjegojnë Kur’anin dhe ligjësitë e Islamit.”
I Dërguari i Allahut ua plotësoi kërkesën dhe me vete u dha një grup të përbërë prej gjashtë sahabësh. Kur mbërritën në Rexhij’, që është edhe burimi i ujit të fisit të Hudhejlit, në hyrje të Hed’esë, e cila gjendet mes Usfanit dhe Mekës, ata i tradhtuan myslimanët. Thirrën edhe fisin e Hudhejlit, që t’u vinin në ndihmë. Myslimanët u rrethuan befasishëm. Nxorën menjëherë shpatat. Pjesëtarët e fisit të Hudhejlit thanë:
“Uallahi, qëllimi ynë nuk është t’ju vrasim. Ne do t’ju dorëzojmë te mekasit, që ata të na japin ndonjë shpërblim të majmë. Ne ju japim fjalë në emër të Zotit, nuk do t’ju vrasim!” Merthedi, Halid bin Bukejri dhe Asim bin Thabiti (radijallahu anhum) u thanë atyre:
“Uallahi, ne i betohemi Allahut se nuk do ta pranojmë kurrë fjalën dhe betimin e një idhujtari!”
Më vonë, nga goja e Asim bin Thabitit nisën të vargëzoheshin këto fjalë:
“Kurrfarë arsyeje nuk kam, ju t’ju dorëzohem!/ Se unë, i fuqishëm jam, e harkun shumë mirë e përdor. / E harkun të fortë e të mirëlidhur bukur e kam,/ Shigjetat të gjata e prej druri t’rrëshkitshëm n’hulli t’harkut i kam./ Vdekja është e vërteta e e gënjeshtërt është jeta!/ Ajo që caktoi Allahu do t’i ndodhë njeriut në fund./ Se pas kaderit të vet rend çdo njeri./ Shkatërruar qofsha, zaten, me ju po s’luftova!/ Me hekur i bën Asimi shigjetat e veta, se shigjetar më t’mirë se unë nuk ka./ E harkun si Xhehenem të përndezur e kam./ Se trimat deveve të tyre rendin/ apo veshin mburoja të bëra prej lëkurës së kaut/ jo mua kjo nuk më tremb aspak./ Se unë Kur’anit që iu zbrit Muhamedit shyqyr o Zot i kam besuar./ Unë dhe ata si unë hedhim shigjetat,/ se popull i nderuar është i tërë fisi ynë.”
Asimi (radijallahu anhu), pasi tha këto fjalë, u hodh në mesin e armiqve dhe nisi të përleshej me ta. Në fund, si ai, ashtu edhe dy shokët e tij ranë dëshmorë. Kur u vra Asimi, fisi i Hudhejlit deshi të merrte kokën e tij, për t’ia shitur një gruaje të quajtur Sulafe binti Sadit. Kur Asimi pati vrarë djalin e kësaj gruaje, në luftën e Uhudit, ajo ishte betuar:
“Po arrita t’ia marr kokën atij që më vrau djalin, unë do t’ia mbush kafkën me verë dhe do të pi prej saj.” Mirëpo hudhejlitë nuk iu afruan dot trupit, sepse sikur t’i ketë dërguar Allahu për të mbrojtur trupin e tij, aty gumëzhinë një numër i jashtëzakonshëm bletësh mjalti. Hudhejlitë thanë:
“Të presim darkën. Kur të bjerë errësira, shkojmë ia ndajmë kokën nga trupi.” - kështu e lanë me njëri-tjetrin. Mirëpo, pas pak, Allahu dërgoi një përmbytje të jashtëzakonshme dhe ujërat e rrëmbyer e morën tutje trupin e Asimit, sepse Asimi i ishte betuar Allahut se nuk do të prekte kurrë një idhujtar, pasi ata ishin të pistë e nuk mund të preknin në trupin e tij.
Kur dëgjoi se si trupin e Asimit e kishin ruajtur bletët, Omeri (radijallahu anhu) tha këto fjalë:
“Allahu i mbron robërit e Tij që besojnë tek Ai. Asimi, sa ishte në jetë, ishte betuar se dora e tij nuk do të prekte kurrë mbi një idhujtar, madje as ata nuk do t’i lejonte që ta preknin. Kështu, Allahu i Madhërishëm jo vetëm në shëndet që e ruajti atë të mos i prishej betimi, por nuk lejoi që ai betim t’i prishej qoftë edhe në vdekje.”
Historia e Zejd bin Desines
Shokët e Asim bin Thabitit, Khubejbi, Zejd ibni’d-Desineja dhe Abdullah bin Tariku u bënë më të butë, zgjodhën të jetonin, ndaj edhe u dorëzuan vetë, duke rënë robër. Hudhejlitë i morën ata dhe i përgatitën për t’i çuar në Mekë, që t’i shisnin. Kur iu afruan luginës së Dhahranit, e cila është shumë afër me Mekën, Abdullah bin Tariku arriti t’i zgjidhë duart dhe mori shpatën. Hudhejlitë u larguan sa për të hapur rrezen dhe filluan ta godasin me gurë, derisa e vranë. Edhe sot e kësaj dite varri i Abdullahut është në Dhahran.
Ndërsa Hubejbin dhe Zejdin ata i çuan në Mekë dhe i ndërruan me dy skllevër të Hudhejlive. Hubejbin e mori Huxhejr bin Ebi Ihab et-Temimiu. Kurse Zejdin e bleu Safuan bin Umejeja, për të marrë hakun e të atit të vrarë. Safuani ia dorëzoi Zejdin një skllavit të vet të liruar, Nistasit. Ky e mori Zejdin dhe, për ta vrarë, vendosi që ta nxirrte nga Meka, andaj edhe e shpuri në vendin e quajtur Ten’im. Ebu Sufjani dhe një grup njerëzish u mblodhën aty enkas, për të parë vrasjen e Zejdit. Kur e afruan për ta vrarë, Ebu Sufjani tha:
“Shiko, o Zejd, të betohem për Allahun! A do të doje që tani, përpara nesh, të mos ishe ti, po të ishte Muhamedi dhe ne mos të të vrisnim ty, por atë, ndërsa ti të ishe pranë familjes tënde, a do të doje?” Zejdi (radijallahu anhu) tha:
“Uallahi, lëreni qëndrimin tim pranë familjes, por sikur një gjemb i vetëm t’i hyjë në këmbë Muhamedit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) unë nuk do ta doja veten!”
Ebu Sufjani e dëgjoi atë me vëmendje dhe tha:
“Kurrë nuk kam parë ndonjëherë njeri që të dojë dikë kështu siç e duan shokët e tij Muhamedin!”, - Pastaj, Nistasi e vrau Zejdin.
Burgosja e Khubejbit në Mekë
Siç e tregon Abdullah bin Ebi Nexhihu, robinja e liruar e Huxhejr bin Ebi Ihabit, Mauije (kjo grua më vonë ka pranuar Islamin dhe është bërë myslimane) ka transmetuar se: “Khubejbin e izoluan në shtëpinë time. Uallahi, një ditë, Khubejbin e pashë duke ngrënë një vesh shumë të madh rrushi, sa një kokë njeriu. Nuk mbaj mend që të jetë ngrënë ndonjëherë, në atë stinë, në ndonjë vend të botës.”
Ibni Is’haku vazhdon: “Më vonë Hubejbin e sjellin në Ten’im, për ta varur. Khubejbi u tha idhujtarëve:
“Më lejoni të fal dy rekate namaz.”
“Po, mirë, falu.”, - ia pritën ata. Kësisoj, Khubejbi i fali ashtu siç duhej ato dy rekate namaz, duke i ndjekur me përpikëri të gjitha imtësitë dhe të gjitha kushtet e namazit. Pastaj, u kthye nga ata që ishin të pranishëm dhe u tha:
“Uallahi, po të mos më zinte frika e të pandehja se po e zgjatja atë namaz për të vonuar vrasjen, do të isha falur më gjatë!”
I pari që e nisi traditën e të falurit të dy rekateve namaz para varjes ka qenë pikërisht Khubejbi. Pastaj ata e mbështetën atë mbi një copë dërrase dhe e lidhën fort. Në atë çast Khubejbi filloi t’i lutej Allahut:
“O Allah! Ne u përpoqëm ta përhapim mesazhin që Ti i ngarkove të Dërguarit Tënd! Bëja ti të ditur të Dashurit Tënd Fisnik këtë që po na bëjnë mohuesit! Numëroji, një e nga një, të gjithë këta idhujtarë, o Allah dhe vriti ata, një e nga një, e mos lër asnjërin prej tyre të gjallë!” Menjëherë pas këtyre fjalëve ata e vranë Khubejbin dhe ai shkoi pranë Allahut si një prej dëshmorëve në rrugën e Tij.
Muauije bin Ebi Sufjani thotë se:
“Atë ditë atje isha edhe unë. Babai im u tremb nga lutja e Khubejbit, kështu që më mori dhe më shtriu përdhe, sepse, në kohën e injorancës njerëzit “besonin se po ta shtrije në brinjë personin që ishte mallkuar, mallkimi i bërë ndaj tij nuk do ta prekte.”
Ndërsa, në transmetimin e Musa bin Ukbes ne do të rastisim edhe në një përcjellje të tillë: “Hubejbi dhe Zejd ibni’d-Desineja janë vrarë në të njëjtën ditë. Atë ditë që u vranë ata, ne dëgjuam të Dërguarin e Allahut të thoshte:
“Paqja e Allahut qoftë mbi ty (a mbi ju)! Kurejshët vranë Khubejbin!”
Kur do ta varnin Zejdin, në fillim menduan ta godisnin njëherë me shigjeta, me shpresën se ai mund të trembej dhe kthehej nga feja islame. Mirëpo, kjo sjellje nga ana e tyre jo vetëm që nuk e ktheu atë, por ia bëri besimin edhe më të fortë.
Urueja dhe Musa bin Ukbeja tregojnë: “Kur kurejshët e ngjitën mbi dërrasë Khubejbin, i thanë:
“Na thuaj për hir të Allahut, a do të doje që tani, në vendin tënd, këtu të ishte Muhamedi?” Khubejbi u përgjigj:
“Kurrën e kurrës, zemra ime kurrsesi nuk do të kënaqej edhe sikur të më thoshit se do të më zbrisnit prej këtu në këmbim të një gjembi të hyrë në atë këmbën e tij të bekuar!” Atëherë, kur dëgjuan këtë përgjigje, idhujtarët nisën të gajaseshin duke qeshur me sa kishin në kokë.
Urue bin Zubejri transmeton: Khubejbin e vranë djemtë e atyre që ai kishte vrarë në luftën e Bedrit. Kur e ngjitën mbi dërrasën e varjes në litar, Khubejbi nisi të recitojë këto vargje:
“Uallahi, m’u mblodhën të gjithë armiqtë mbi krye. I kanë prurë këtu të gjithë, me fise, me fëmijë e me gra. Më lidhën pas këtij trungu të trashë e të fortë. Unë vetëm Allahut mund t’i ankohem për këtë gjendje në të cilën ndodhem, për këtë fatkeqësi që më ka ardhur mbi krye, e për gjithë këto përgatitje që këta njerëz janë duke bërë veçanërisht për vdekjen time!
O Ti që je Zotëruesi i Fronit Hyjnor! Më jep durim ndaj gjërave që duan të më bëjnë këta njerëz. Mishin ma prenë në copa, duke ma vjedhur çdo shpresë që kisha. Veç këtyre të gjithave, unë po bëj durim në rrugën Tënde, që të të marr pëlqimin. Po deshi Ai, edhe këto copa të trupit tim do të m’i bëjë të bekuara. Ju betohem, nuk jam aspak i mërzitur pse po vdes si mysliman. Sido që të vdes, unë e di që do të vdes për hir të Allahut. Ata më detyruan mua të zgjedh mes mohimit dhe vdekjes. Nuk u mërzita, por nga sytë seç më rrodhën disa pika lot. Por nuk jam aspak i shqetësuar se do të vdes! Se unë do të vdes që do të vdes një ditë. Shqetësimi i vërtetë që kam unë është zjarri i Xhehenemit, që më bëhet sikur ia shoh ato shkëndijat përvëluese që dalin vlim. Nuk ia ul kryet armikut, e as nuk kam për t’iu përgjëruar, se unë e di se kthimin po tek Allahu e kam!”
LUFTA E MU’TES
Lutja e Abdullah bin Reuahas (r.a.)
Uruete bin Zubejri tregon: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në muajin Xhumada’l-Ula të vitit të tetë të mërgimit, dërgoi në Mu’te një ushtri të përbërë prej tremijë luftëtarësh. Në krye u caktoi si komandant Zejd bin Harithen dhe i urdhëroi ata:
“Nëse bie dëshmor Zejdi, në krye të vihet Xhafer bin Ebi Talibi, e nëse bie dëshmor edhe ai, atëherë në krye të vihet Abdullah bin Reuaha.” Kur ushtria u pajis me armë e me ushqime dhe u bë gati për t’u nisur, njerëzit përcollën komandantët e të Dërguarit të Allahut dhe, ndërsa po largoheshin, ata panë se Abdullah bin Reuaha po qante. E pyetën:
“Pse po qan?” E ai u përgjigj:
“Unë i betohem Allahut, se arsyeja përse po qaj nuk është ngase e dua shumë jetën, apo ngase po ndahem nga ju. Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut që ka kënduar një ajet të tillë nga Kur’ani: “Asnjë prej jush nuk mund t’i shpëtojë Xhehenemit. Ky është një vendim i prerë lart, tek Allahu.” (Merjem, 19/71) Ja, unë nuk e di se si do të dal prej Xhehenemit, kur të kem hyrë atje! Prandaj po qaj!”, – tha ai.
Myslimanët u thanë atyre, duke iu lutur Allahut për ta:
“Allahu qoftë i dashuri dhe ndihmuesi juaj, ne e lusim Atë t’i mbajë larg jush të këqijat, e ju, me lejen e Tij, të ktheheni shëndoshë e mirë!” Në atë kohë, nga goja e Abdullah bin Reuahas dolën këto fjalë:
“Po unë dua që Allahu, Mëshirëploti, të më falë. Unë dua që gjaku të më derdhet me vrull nga ndonjë e çarë shpate ose syngjia e ndonjërit që është i etur për gjak të m’i çajë zorrët e të ma nxjerrë mushkërinë vendit. Të paktën, kur të kalojnë njerëzit ndanë varrit tim, të mund të thonë: ‘O Zot, mëshiroje atë që është i shtrirë këtu dhe vendose në parajsën Tënde; se edhe në këtë botë mirë ka jetuar!’”
I Dërguari i Allahut i shoqëroi luftëtarët deri në të dalë të Medinës. Teksa po kthehej prapë për në Medinë, Ibni Reuaha filloi të recitonte me zë të ulët këto vargje:
“Përshëndetje, o ti që më përcolle gjer në kopshtet me hurma,/ më thoni, ka njeri më të mirë që të të përcjellë!/ ... dhe të gjithëve ju, o miqtë e mi, që pas ju lamë!”
Etja e pashuar e Abdullah bin Reuahas për të rënë dëshmor
Zejd bin Erkami (radijallahu anh) tregon: “Unë isha jetim dhe më ka rritur Abdullah bin Reuaha. Në betejën e Mu’tes ai më pati marrë edhe mua me vete. Unë isha ulur mbi torbat e tij, në devenë e tij. Uallahi, atë natë, ai, edhe drejtonte devenë, edhe përsëriste pareshtur me zë të ulët këto vargje; i drejtohej devesë:
“Kur të më çosh në anën e armiqve ti pastaj je e lirë, nuk do të të përdor më për të udhëtuar. Sepse unë nuk do të kthehem më pranë familjes. Myslimanët erdhën dhe më prunë mua deri në skajin më të fundmë të tokave siriane. Të prunë tek Ai, që është Mëshirëploti, ty që i preve të gjitha marrëdhëniet me njerëzit e tu, madje edhe ato të vëllazërisë. Unë, këtu, nuk përgëzoj më as frutat, as hurmat e mira!”
Kur ia dëgjova këto fjalë, fillova të qaja. Më ngacmoi me kamxhik dhe më tha, për të më qetësuar:
“Ore, ndjellakeq! Pse qan ti, ngaqë Allahu do të më pranojë mua prej dëshmorëve të Tij, hë, prandaj qan? Kur të vdes unë, ti mbush torbat plot dhe kthehu!”
Fjalët që tha Ibni Reuaha në Mu’te
Abad bin Abdullah bin Zubejri transmeton: “Burri, bashkëshortja e të cilit është nëna ime nga gjiri, më ka thënë:
“Kur vranë Xhaferin (radijallahu anhu), flamurin e mori Abdullah bin Reuaha (radijallahu anhu) dhe i dha kalit përpara. Pastaj, u lëkund për pak çaste, që të zbriste, apo të mos zbriste, dhe tha këto fjalë:
“O egoja ime! Unë jam betuar, do të zbresësh! Edhe po nuk deshe, nuk ke nga t’ia mbash, do të zbresësh! Nuk e kuptoj, pse po më duket sikur nuk ta ka ënda Xhenetin? T’u bë kohë e gjatë, më duket, që jeton e qetë dhe në mes të gjithë të mirave...
Ah, moj fryma ime! Edhe po nuk të vranë, do të vijë një ditë e do të vdesësh. Vdekja ka për të ardhur, është e pashmangshme, ti gjithnjë afër saj je, do, apo s’do ti, vdekja do të vijë! Nëse bën ashtu siç bënë Zejdi dhe Xhaferi, atëherë shpëtove, se do të hysh në Xhenet.”
Ibni Reuaha, pasi tha këto fjalë si në vargje, zbriti nga kali. Djali i xhaxhait të tij, i pruri një kockë, në të cilën kishte mbetur edhe pak mish dhe i tha:
“Haje këtë, të vish pak në vete. Se ato vështirësi që ke pasur këto ditë nuk i ke pasur kurrë.” Ibni Reuaha e mori atë copë kocke me pak mish, këputi pak mish me dhëmbë dhe kur dëgjoi vringëllimat e shpatave që vinin nga ana tjetër, i tha vetes:
“Po ti çfarë kërkon ende në këtë botë!”, – dhe e hodhi tutje atë kockë që i kish mbetur në dorë. Nxori shpatën dhe u hodh përpara e luftoi fort, derisa ra dëshmor.”
LUFTA E JEMAMES
Kur Ebu Akili (r.a.) u bënte thirrje ensarëve për në Jemame
Xhafer bin Abdullah bin Eslem el-Hemdaniu tregon: “I pari që u plagos në luftën e Jemames ishte Ebu Akil el-Unejfi. E goditi një shigjetë, i hyri mes dy shpatullat dhe iu qe ngulur në zemër, e ai u rrëzua në vend. Por ende nuk kishte vdekur. Ia nxorën shigjetën, mirëpo, krahun e majtë nuk e lëvizte dot, kishte mbetur i paralizuar. E morën dhe e futën në çadër. Pastaj, kur lufta u përndez edhe më shumë dhe ushtarët myslimanë po përjetonin humbje të njëpasnjëshme, ata hoqën dorë nga sulmi dhe filluan të tërhiqeshin, mirëpo Ma’n bin Adiji (radijallahu anhu) filloi t’u bënte thirrje ensarëve:
“Kini frikë Allahun, kini frikë Allahun, ejani t’i hidhemi prapë armikut në sulm!” Ma’ni (radijallahu anhu) nxitoi dhe u hodh mbi ushtarët e armikut. Kjo e thirrur e Ma’nit ka ndodhur pikërisht kur ensarët kishin filluar t’i thërrisnin njëri-tjetrit fort:
“O ensarë, kaloni në anën tonë, kaloni në anën tonë!”
Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) thotë se: “Ebu Akili pati dëgjuar Ma’nin që u pati bërë thirrje ensarëve. U çua në këmbë, që të përfshihej në mesin e ensarëve, të cilët ishin populli i tij. Unë i thashë:
“O Eba Akil, ti je i plagosur, çfarë kërkon të bësh kështu? Ti nuk je në gjendje të luftosh!”
“A nuk e dëgjon? Tellalli po më thërret mua në emër!”, – u përgjigj Ebu Akili.
“Ai është duke thirrur ensarët, jo të plagosurit!”, – i thashë unë.
“Po edhe unë ensar jam, ndaj, edhe sikur këmbadoras, më duhet t’i përgjigjem asaj thirrjeje!”, – më tha dhe u bë gati. Pastaj, ende pa veshur mburojën, mori shpatën në dorë dhe zuri të bërtasë:
“Ensarë! Ensarë! Çfarë bëni kështu, kthehuni pas njësoj siç bëtë në luftën e Hunejnit, që u rikthyet sërish dhe e sulmuat armikun në befasi! Kjo e thirrur e Ebu Akilit sikur i tronditi ensarët dhe i bëri të vinin në vete, ndaj ata u bënë edhe njëherë bashkë dhe i vunë përpara armiqtë, duke i shtyrë ata deri në kopshtijen ku qëndronte Musejlemeja i fshehur, ku edhe i zunë ngushtë. Tanimë dy ushtritë po kacafyteshin me njëra-tjetrën. Mes nesh shihje vetëm shpata që ngriheshin e fluturonin njëra mbi tjetrën. Në atë kohë pashë Ebu Akilin; i ishte këputur shigjeta që kishte marrë në sup dhe ishte rrëzuar përtokë. Kishte marrë plot katërmbëdhjetë plagë, e që të gjitha dukeshin, ishin plagë vrastare. Ky ishte sulmi kur u vra edhe armiku i Allahut, Musejlemeja. Unë shkova pranë Ebu Akilit. Kishte rënë pa ndjenja në tokë dhe ishte duke përjetuar çastet e tij të fundit. Unë i thashë:
“Ebu Akil!” Ebu Akili me vështirësi lëvizte buzët dhe gjuhën dhe m’u përgjigj duke më thënë:
“Më thuaj, kush e fitoi luftën?”
“Lajme të mira, o Ebu Akil! E vramë armikun e Allahut.”, – i thashë unë. Kur mori lajmin e gëzuar, e ngriti gishtin tregues në drejtim të qiellit dhe lëvdoi Allahun, e kjo zgjati shumë pak çaste dhe ai dorëzoi edhe shpirtin.
Pasi u kthyem në Medinë, unë shkova dhe ngjarjen ia tregova një e për një edhe babait tim, Omerit. Ai më tha:
“Allahu e mëshiroftë Ebu Akilin! E vetmja dëshirë që kishte, ishte të binte dëshmor. Me sa di unë, ai ka qenë një nga myslimanët e parë dhe një prej sahabëve më të mirë të Profetit tonë.”77
LUFTA E JERMUKUT
Kur bie dëshmor Ikrime bin Ebi Xhehli
Thabit el-Bunanij (radijallahu anhu) tregon: “Ikrime bin Ebi Xhehli (radijallahu anhu) pati filluar njëfarë kohe që të luftonte si ushtar i thjeshtë, pa u matur mirë, ndaj Halid bin Uelidi (radijallahu anhu) e pati qortuar:
“Çfarë bën kështu, o Ikrime! Mos bëj kështu! Po u vrave ti, ka për të qenë një humbje shumë e hidhur për të gjithë myslimanët!” Ikrimeja iu përgjigj:
“M’u hiq nga rruga, Halid! Ti i ke besuar të Dërguarit të Allahut më parë. Kurse unë dhe babai im kemi qenë armiqtë më të paepur të Profetit të profetëve.”, – dhe sakaq bëri përpara dhe luftoi trup më trup me armiqtë, derisa ra dëshmor.”78
Dëshira e zjarrtë e Amar bin Jasirit për të rënë dëshmor
Ebu’l-Bahteriu dhe Mejsereja tregojnë që të dy: “Amar bin Jasiri po luftonte ethshëm në luftën e Sifinit; mirëpo fati i tij nuk qëllonte të ishte fati i dëshmorit. Andaj, ai shkonte tek Aliu (radijallahu anhu) dhe i thoshte:
“O Prijësi i Besimtarëve! Unë sot kam luftuar kështu e kështu,
77. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/474.
78 13/510 (37419).
por prapë nuk ndodhi ajo që dua!” Ndërsa Aliu (radijallahu anhu) i jepte gjithmonë të njëjtën përgjigje:
“Hiq dorë nga ky mendim.”
Amari, këtë mendim të tijin, ia shprehu Aliut (radijallahu anhu) plot tri herë me radhë. Pastaj atij i prunë pak qumësht. Piu prej tij dhe tha:
“Krenaria e Njerëzimit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më pati lajmëruar që herët, ‘gjëja e fundit që do të pish në këtë botë ka për të qenë qumështi.’” Pastaj u ngrit sërish dhe luftoi derisa ra dëshmor.”
20. TRIMËRIA E SAHABËVE FISNIKË
Trimëria e Ebu Bekrit (r.a.)
Një ditë, Aliu (radijallahu anhu) i pyeti besimtarët:
“O njerëz! A mund të më thotë ndonjëri prej jush, se kush është më trimi nga të gjithë njerëzit?” Ata i thonë: - “Ti je, o Prijësi i Besimtarëve!”
“Vërtet, unë me këdo që jam përleshur, ia kam treguar vendin. Por nuk jam unë; ma tregoni kush është trimi më i paepur nga tërë njerëzia!”
“Po ne nuk e dimë kush qenka, kush është ai?”, – thanë njerëzit e pranishëm.
“Ai është Ebu Bekri (radijallahu anhu), sepse, në luftën e Bedrit, ne patëm ngritur një çardak për të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Dhe, që të Dërguarin Fisnik të mos vinte e të mos e sulmonte ndonjë prej idhujtarëve. Ne pyetëm, “po mirë, kush do të qëndrojë pranë të Dërguarit të Allahut?”, asnjë nuk u hodh të thoshte “Unë!”, përveç Ebu Bekrit. Ishte Ebu Bekri që nxori shpatën dhe i qëndroi Profetit tonë te kryet përgjatë gjithë kohës. Sa herë që vinte ndonjë nga idhujtarët, për të sulmuar Resulullahun, përpara i dilte menjëherë Ebu Bekri. Ja pra, me pak fjalë, më trimi nga të gjithë njerëzit ka qenë Ebu Bekri!”
Trimëria e Omer bin Hatabit (r.a.)
Aliu (radijallahu anhu) tregon: “Nga të gjithë ata që mërguan nga Meka në Medinë, përveç Omerit, të gjithë sa njoh unë patën mërguar në fshehtësi të plotë. Kur vendosi Omeri të mërgonte, vetëm mori shpatën, hodhi harkun mbi sup, mori ca shigjeta me vete dhe doli në Qabe. Në atë kohë aty ishte edhe e gjithë paria dhe njerëzit më të njohur të kurejshëve, të cilët rrinin ulur në avllinë e Qabes. Omeri e shëtiti Qaben shtatë herë përreth, fali dy rekate namaz në Mekamin e Ibrahimit dhe i vizitoi grupet e vogla të idhujtarëve kurejsh, duke u thënë të gjithëve:
“Kush do që ta bëjë nënën e vet për të qarë, t’i lërë fëmijët jetimë dhe të shoqen vejushë, ejani e më arrini se nga aksh luginë do të kaloj!” Askush nuk pati guxim të ngrihej e ta ndiqte nga pas.”81
Aliu (r.a.) vret Amr bin Abdiuedin
Urueja me Abdullahun, duke përcjellë prej Kab bin Malik elEnsarit (radijallahu anhum), na tregojnë: “Në luftën e Hendekut, Amr bin Abdiuedi kishte vendosur nishanet e tij, në mënyrë që ta dallonin të gjithë dhe erdhi me kalë dhe u ngul aty, në fushëbetejë. Aliu (radijallahu anhu) tha:
“O Amr! Me sa kam dëgjuar, ti i ke dhënë fjalën kurejshëve në emër të Allahut: “Që kur dikush të të detyrojë të zgjedhësh diçka mes dy gjërash, ti do të zgjedhësh medoemos njërën, e vërtetë është kjo?” - “Po, e vërtetë është.”, – tha Amri. Aliu (radijallahu anhu) i tha:
“Po mirë atëherë, unë po të ftoj ty të zgjedhësh Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Islamin!” Amri iu përgjigj:
“Unë nuk kam nevojë për këtë!”
“Atëherë unë të ftoj në duel!”, – i propozoi atij Aliu (radijallahu anhu).
“Po pse, nipi im? Unë nuk dua të të vras!”, – iu përgjigj Amri.
“Kurse unë, uallahi dua të të vras ty.”, – i tha shkurt Aliu
81 12/797 (35796).
(radijallahu anhu).
Amri u nxeh keqas nga kjo përgjigje e Aliut (radijallahu anhu), kështu që e sulmoi. Zbritën të dy nga kuajt dhe u përleshën me njëritjetrin në fushë. Në fund, Aliu (radijallahu anhu) e vrau Amrin.”
Aliu (r.a.) e heq fare vendit portën e kështjellës së Hajberit
Xhabiri (radijallahu anhu) tregon: “Në luftën e Hajberit, Aliu i nderuar e kapi portën e kështjellës siç ishte, e ngriti dhe e hoqi vendit fare, pastaj myslimanët hynë të gjithë me radhë dhe ngadhënjyen mbi kështjellën. Më vonë, edhe pse u përpoqën plot dyzet vetë për ta ngritur portën në të njëjtën kohë, nuk mundën ta ngrinin.”
Trimëria dhe heroizmi i Talha bin Ubejdullahut
Talhaja (radijallahu anhu) tregon: “Në atë ditë që ndodhi lufta e Uhudit, unë kam recituar këtë poezi: “Ne jemi mbrojtësit e Allahut, të Vetmit Fitimtar, të vetmit Sundimtar, Profetin tonë të Bekuar, atë mbrojmë ne. Goditje pas goditjeje i japim ne armikut, njësoj siç përpiqen devetë trupmëdha e gunga të fryra, që dheun me këmbë aq fort e rrahin.”
Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ende pa u kthyer nga lufta e Uhudit, i pati thënë Hasan bin Thabitit:
“Më thuaj ndonjë gjë për Talhanë.” E ai i lexoi atij këtë poezi:
“Talhaja ndihmoi Muhamedin në luftën e Uhudit./ E kjo ndihmë ish një ndihmë që erdhi në çastin më të vështirë e më plot shqetësime që kish pasur ndonjëherë Muhamedi./ Me duar i priste ai heshtat që trupin e tij të bekuar t’mos e preknin./ Me shpatë e goditën, gishtërinjtë me damarë ia prenë, e ai mbet’ i përgjakur e i padorë./ Pas Muhamedit, ai ishte në krye të të gjithëve./ E mbajti përherë mbi vete kularin e pavarësisë së Islamit, ndaj sot ai gëzon pavarësinë.” Ndërsa Ebu Bekr Siddiku (radijallahu anhu) këndonte këtë poezi, kur donte të thurte lavde për Talhanë:
“Kalorësit armiq t’Dërguar’n e Allahut e ndiqnin/ Po Profetin e drejtë Talhaja e mbrojti./ Edhe kur disa myslimanë prej tyre trembeshin,/ ai nuk u tërhoq, e nxuarr kraharorin, se fenë e tij donte të mbronte./ Ti parajsën meriton, Talha bin Ubejdullah. Atë dhe t’martohesh me huri me sytë si sorkadhe!”
Omeri (radijallahu anhu) ka kënduar këtë strofë:
“Kur të gjithë myslimanët e braktisën fushën e betejës, Talhaja nuk e futi shpatën në mill, por qëndroi aty, për të mbrojtur Profetin e së drejtës!” Kur Omeri (radijallahu anhu) e pati thënë njëherë këtë në prani të të Dërguarit të Allahut, ai i pati thënë:
“Mirë e the, ashtu është e vërteta, o Omer!”84
Trimëria dhe heroizmi i Zubejr bin Auamit
Said bin Musejebi ka thënë kështu: “I pari që ka nxjerrë shpatën për të luftuar në rrugën e Allahut ka qenë Zubejr bin Auami. Deri sa, një drekë atë e kishte zënë gjumi, mirëpo kishte dëgjuar një zë që kishte thirrur:
“Kanë vrarë të Dërguarin e Allahut.”, ndaj ish ngritur menjëherë, kishte nxjerrë edhe shpatën. Kur doli, i Dërguari i Allahut e pyeti:
“Çfarë ndodhi, o Zubejr?” Ai iu përgjigj:
“O i Dërguari i Allahut, dëgjova një zë që më tha se të kanë vrarë ty!” - “Po të ishte e vërtetë, çfarë do të bëje?”, – e pyeti Profeti ynë.
“Uallahi, do të vrisja çdo mekas që do të më dilte përpara!”, – i tha Atij Zubejr bin Auami.
Për këtë përgjigje që i dha Zubejri, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u lut për të mirën e tij. Madje, Esediu ka thënë këto fjalë lidhur me këtë ngjarje:
“Shpata e parë që u ngrit në ajër nga inati, për të fituar pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut, ishte shpata e Zubejrit. Kjo është shenja e parë e heroizmit të tij të ethshëm. Por, në të njëjtën kohë, kjo është
84 13/179 (36607).
edhe një shenjë shumë e mirë e sa e sa heroizmave që besimtarët do të shihnin nga ai.”
Sulmet e para të Zubejrit (r.a.) gjatë luftërave të Hendekut dhe të Jermukut
Abdullah bin Zubejri (radijallahu anhu) tregon: “Në luftën e Hendekut, mua më patën lënë në kështjellë, që të kujdesesha për gratë dhe fëmijët. Bashkë me mua ishte edhe Omer bin Ebi Selemeja. Ai përkulej, e unë i hipja mbi shpinë, për të parë andej nga po zhvillohej beteja. Pata parë babain tim, Zubejrin. Sulmonte njëherë këtej e njëherë andej. Ngarendte atje ku të kishte më shumë nevojë për të. Kur ra darka, babai erdhi në vendin ku gjendeshim edhe ne.
“Baba, sot të pashë se si po luftoje.”, – i thashë unë.
“Vërtet, më pe, o bir?”, – më pyeti ai.
“Po!”, – iu gjegja unë. U kthye nga unë dhe më tha:
“Kurban t’u bëfshin ty nëna e babai im!”
Heroizmi i Hamzait (r.a.) në luftën e Bedrit
Harith et-Tejmiu tregon: “Hamzai (radijallahu anhu), për t’u dalluar mirë nga të tjerët në luftën e Bedrit, në kraharor kishte vendosur pupël struci. Në fund të përleshjes, një prej idhujtarëve pati pyetur:
“Kush ishte ai burrë që kishte vendosur pupël struci në kraharor?” – Kur i thanë se ai kishte qenë Hamzai, i biri i Abdulmutalibit, ai ankimin e vet e pati shprehur me fjalët:
“Ja, ai na katandisi në këtë gjendje!”
Trishtimi i Profetit tonë kur pa Hamzanë (r.a.) që kishte rënë dëshmor
Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu) tregon: “Kur pati
përfunduar beteja e Uhudit dhe njerëzit ishin duke u kthyer pas, i Dërguari i Allahut nuk e kishte parë askund Hamzanë, xhaxhain e tij, ndaj edhe e shihnin të gjithë që vazhdimisht shihte sa majtas sa djathtas. Një burrë tregoi se e kishte parë:
“Unë e pashë atë te kjo pema këtu. Thoshte pa ndërprerë:
“Unë jam luani i Allahut, unë jam luani i të Dërguarit të Tij! O Zot, unë vetëm tek Ti kërkoj ndihmë ndaj bëmave të Ebu Sufjanit dhe të të afërmve të tij; të kërkoj falje, nëse myslimanët do të dalin të humbur e do të pësojnë disfatë.”
I Dërguari Fisnik vrapoi menjëherë në atë drejtim që i pati treguar ai burrë. Hamzain (radijallahu anhu) e njohu nga balli i tij, nuk e mbajti dot veten dhe u kaplua nga të qarët me ngashërim. Pa që e kishin shpërfytyruar, i kishin nxjerrë sytë, i kishin prerë hundën dhe veshët, nuk i mbante dot lotët, qante me ngashërim. Pastaj pyeti:
“Ka ndonjëri qefin?” U ngrit një njeri dhe i hodhi një rrobë sipër. Pastaj Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Në ditën e Kiametit, Hamzai do të jetë prijësi i të gjithë dëshmorëve.”
Vrasja e Hamzait (r.a.), siç e tregon Uahshiu
Tregon Xhafer bin Amr bin Umejetu’d-Damriu: “Në kohën e Muauijes, ne u nisëm, bashkë me Abdullah bin Adij bin Khijarin, për të shkuar tek Uahshiu. Kur shkuam tek ai, ne i thamë atij:
“Deri këtu kemi ardhur që të na tregosh se si e vrave Hamzain. Si e pate vrarë?” Ai e filloi fjalën e tij duke na thënë:
“Edhe juve do t’jua tregoj ashtu siç ia pata treguar edhe të Dërguarit të Allahut, kur më pati pyetur.
Asohere unë isha skllavi i Xhubejr bin Mut’imit. Xhubejrit i kishin vrarë xhaxhain, Tuajme bin Adijin, në luftën e Bedrit. Kur kurejshët u nisën në drejtim të Uhudit, Xhubejri u kthye nga unë dhe më tha:
“Në këmbim të xhaxhait tim do të vritet xhaxhai i Muhamedit, Hamzai; po e vrave, je i lirë.” Kësisoj, bashkë me kurejshët u nisa edhe unë. Unë isha një habeshij (abisinas) dhe isha shumë i mirë në hedhjen e heshtës. Kur të dyja palët u përballën me njëra-tjetrën, unë u distancova, kërkoja për Hamzain dhe, më në fund, e gjeta. E pashë siluetën e tij në mesin e luftëtarëve, askush nuk qëndronte gjatë në këmbë përpara tij. Uallahi, edhe unë po bëja hesap me mend, se si do ta vrisja. U fsheha pas një peme dhe një guri, derisa ai të më afrohej edhe pak. Në një moment pashë se para meje kaloi Siba’ bin Abduluzza, që iu sul Hamzait. Kur e pa, Hamzai i tha atij:
“Hajde edhe ti, hajde, o i biri i rrethprerëses!” dhe me një goditje të rrufeshme ia fluturoi kokën tej Siba’ bin Abduluzzas, ndërsa vetë dukej sikur nuk e kishte bërë ai fare atë lëvizje. Në atë kohë edhe unë përgatita heshtën dhe kur u mata mirë, që do ta rrokja, e gjuajta dhe heshta u ngul mes barkut dhe kraharorit të Hamzait, çau tejpërtej dhe doli në shpinë. Filloi të ecë rëndë-rëndë, për të ardhur drejt meje, por nuk ia doli dot. E lashë ashtu, pa e prekur. Kur i doli shpirti, tërhoqa pas heshtën. Pastaj u ktheva pranë ushtrisë sonë, nuk luftova, por qëndrova ulur, pa u përzierë më me luftën. Edhe Hamzain, andaj e pata vrarë, për të fituar lirinë. Dhe, me të vërtetë, kurejshët e mbajtën fjalën, sepse, kur u kthyem, ata më lanë të lirë.
Deri në kohën që Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ngadhënjeu mbi Mekën, unë qëndrova në Mekë, nuk u largova. Pas ngadhënjimit u zhvendosa në Taif, ku edhe vendosa të vazhdoja jetën. Kur edhe taifasit filluan të dërgonin njerëz tek i Dërguari i Allahut, për t’u bërë myslimanë, unë atëherë nuk dija më seç të bëja. Thashë me vete, “mos është më mirë që të zhvendosem në Siri ose në Jemen.”, e ndërsa mendohesha kështu me vete, te mua erdhi një burrë dhe më tha:
“Turp të të vijë! Uallahi, Muhamedi nuk vret askënd që e pranon vërtet fenë e tij dhe i beson Allahut.” Kur ai burrë më tha kështu, u nisa menjëherë të shkoja në Medinë. Mbërrita, nuk e kisha lajmëruar të Dërguarin e Allahut dhe me sa munda u përpoqa të mos i shfaqesha askund. Kur më pa, më pyeti:
“Ti, Uahshiu je?”
“Po, o i Dërguari i Allahut!”, – i thashë unë të Dërguarit të Allahut.
“Ulu dhe më trego, si e vrave Hamzanë?”, – më tha. Dhe unë i tregova atij, njësoj siç jua tregova edhe juve tani. Kur përfundova së treguari, ai më tha:
“Përpiqu të mos më shfaqesh përpara syve. Tani e tutje nuk mundem të të shoh!” Nuk kam shkuar më kurrë, në asnjë vend ku mund të ishte edhe i Dërguari i Allahut. Dhe kështu vijoi përgjithmonë, deri kur Allahu e mori pranë Vetes të Dërguarin e Tij.
Kur myslimanët shkuan në Jemame, për të luftuar kundër Musejleme Mashtruesit, bashkë me ta isha edhe unë. Me vete mora edhe heshtën, me të cilën pati rënë dëshmor Hamzai. Pashë njëherë kur u përballën të dyja ushtritë me njëra-tjetrën; Musejlemeja rrinte me shpatën e tij në dorë. Unë nuk e njihja atë. U përgatita. Nga ana tjetër pashë që edhe dikush nga ensarët po përgatitej për të bërë po të njëjtën gjë. Të dy donim të vrisnim Musejlemen. E bëra gati heshtën dhe pasi u mata njëherë mirë, një të lëshuar i bëra heshtës dhe ajo u ngul në trupin e Musejlemes. Mandej, atij njeriu nga ensarët nuk i mbeti gjë tjetër për të bërë, veçse i shkoi pranë dhe e copëtoi me shpatë. Zoti e di se kush e vrau përfundimisht atë njeri. Nëse e kam vrarë unë, atëherë unë kam për të qenë njeriu që ka vrarë njëherazi, edhe njeriun më të mirë pas të Dërguarit të Allahut, edhe njeriun më të ligë të mbarë njerëzisë,
Musejlemen.”
Dy djelmoshët trima që vranë armikun e Allahut, Ebu Xhehlin, në luftën e Bedrit: Muadh bin Amr bin Xhemuhu dhe Muadh bin Afraja
Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) tregon: “Atë ditë që ndodhi lufta e Bedrit, lufta po vazhdonte me gjithë vlugun që e karakterizon luftën, në të djathtën e në të majtën time pashë që kisha dy djem shumë të rinj, të cilët ishin nga ensarët. Ai që dukej se ishte më i forti ma shtoi shumë ëndjen që po luftoja me të, kur njëri prej tyre më shkeli syrin dhe më pyeti:
“Xhaxha, ti e njeh Ebu Xhehlin?”
“Po e njoh, ç’e do ti Ebu Xhehlin?, – iu përgjigja unë.
“Me sa kam dëgjuar unë, Ebu Xhehli shakësh Resulullahun tonë të dashur, nuk lënkësh gjë pa thënë për të! I betohem Allahut, se po e pashë, do ta ndjek këmba-këmbës dhe do të luftoj me të derisa të vijë exheli i njërit prej nesh, kush ta ketë më të afërt të vdesë!”, – më tha ai mua. U çudita nga ato fjalë. Kurse djali tjetër, më shkeli edhe ai syrin dhe më tha të njëjtat fjalë. Ndërkaq, sytë më kapën Ebu Xhehlin. Po ecte në mes të ushtarëve kurejshë. U thashë menjëherë atyre dy djemve:
“A e shikoni atë burrin atje tej? Ai është ai që më pyetët!” Të dy ata djelmosha nxorën shpatat dhe e goditën aq shumë herë Ebu Xhehlin, derisa e lanë të vdekur në vend. Kur mbaruan, u kthyen pranë Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe ia treguan një për një të gjitha sa kishin ndodhur.
I Dërguari i Allahut i pyeti ata:
“Kush nga ju të dy e vrau atë?” Ata të dy iu përgjigjën njëzëri:
“Unë e vrava.”
“Po shpatat, a i pastruat?”, – i pyeti i Dërguari i Allahut.
“Jo!”, – thanë ata. Paskëtaj, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i pa njëherë të dyja shpatat dhe tha:
“Ju e paskeni vrarë të dy atë.” Megjithatë, sendet e Ebu Xhehlit ai ia dha vetëm Muadh bin Amr bin Xhemuhut, sepse ishte ai që e kishte goditur më shumë Ebu Xhehlin. Djaloshi tjetër ishte Muadh bin Afraja.”
Heroizmi i Ebu Duxhanes (r.a.)
Zubejr bin Auami (radijallahu anhu) tregon: “Në ditën e Uhudit, Resulullahu na tregoi neve një shpatë dhe na pyeti:
“Kush do ta marrë këtë shpatë, me kushtin që t’i japë hakun?” Në këmbë u ngrit Ebu Duxhaneja, i cili tha:
“O Resulullah, po e marr unë, do t’ia jap unë hakun, cili është haku i saj?” I Dërguari Fisnik ia dha shpatën Ebu Duxhanes. Ebu Duxhaneja doli. Unë po e ndiqja nga pas. Çdo idhujtar, me të cilin përballej, Ebu Duxhaneja e ndante në dysh. Kur, ec e ec, ai mbërriti në shpatin e malit, ku ishte një grup me gra. Në mes të grave ishte edhe e shoqja e Ebu Sufjanit, Hindi. Hindi ishte duke recituar këto vargje:
“Ne jemi vajzat e agimit/ e veç mbi jastëkë vëmë ne këmbën/ në gërsheta kemi ne aromën e miskut./ ju vini te ne, e ne kraharorin ju hapim./ Po shpinën po na kthyet, atëherë as ne për ju s’na e ndien, ikim ju braktisim!”
Ebu Duxhaneja thotë se:
“Unë iu vërsula Hindit, ndërsa gratë e tjera zunë të ulërinin. Askush nuk u erdhi në ndihmë. Kur pashë që nuk erdhi askush, atëherë e lëshova atë grua. Zubejr bin Auami tregon se: “Unë i thashë Ebu Duxhanes:
“I pashë të gjitha çfarë bëre dhe u çudita. Po atë grua nuk e vrave, pse e lëshove?” Ai m’u përgjigj duke më thënë:
“Kur e sulmova, ajo lëshoi një piskamë të fortë; por askush nuk i erdhi në ndihmë. Pse, më thuaj ti, më kishte hije mua, që, me shpatën që më dha i Dërguari i Allahut të vrisja një grua të pambrojtur nga askush?”
Katade bin Numani (r.a.) humbet syrin në rrugën e Allahut
Katade bin Numani (radijallahu anhu) tregon: “Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i kishin dhuruar një hark, ndërsa ai ma pati dhënë mua atë hark në Uhud. Atë ditë unë qëndrova pranë Resulullahut dhe kam hedhur aq shumë shigjeta, saqë harku filloi të hahej në të dyja anët. Nuk lëvizja nga vendi, e të gjitha shigjetat e hedhura në drejtim të Resulullahut, unë përpiqesha t’i prisja me fytyrë. Sa herë që në drejtim të fytyrë së Profetit tonë të nderuar vinte ndonjë shigjetë, unë zgjatja menjëherë kokën në atë drejtim. Një prej shigjetave të fundit më pati goditur në sy, sa që bebja e njërit syrit më ra në dorë. E mora syrin në dorë dhe shkova pranë Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Nuk i mbajti dot lotët kur më pa në atë gjendje dhe filloi t’i lutej Allahut:
“O Zoti im! Katadeja fytyrën e tij e bëri mburojë për të mbrojtur profetin tënd. Bëje syrin e dalë të tij syrin më të bukur e më të mprehtin, që të shohë çdo gjë!” Ai që e transmeton këtë hadith thotë se: “Profeti ynë u lut dhe kur ia vunë syrin prapë në vend, syri i Katades u bë syri më i bukur dhe syri më i mprehtë që mund të jetë parë ndonjëherë.”
Heroizmi i Halid bin Uelidit (r.a)
Vetë Halid bin Uelidi thotë: “Në luftën e Mu’tes plot nëntë shpata m’u thyen në dorë. Me vete kisha edhe vetëm një shpatë me buzë të trashë, e cila ishte punim Jemeni.”
Halidi (r.a.) qante se do të ndërronte jetë në shtrat, e jo në betejë
Transmeton Ebu’z-Zinadi: “Kur do të ndahej nga kjo jetë, Halidi filloi të qante dhe, në një çast, tha:
“Kam marrë pjesë në sa e sa luftëra, e nuk më ka mbetur asnjë pëllëmbë vend në trup, ku të mos kem shenja plagësh, që i kam marrë të paktën nga ndonjë e prerë shpate, nga ndonjë e çarë heshte, apo ku të mos më jetë ngulur ndonjë shigjetë. Mirëpo, tani... tani, po vdes në shtrat, njësoj siç ngordhin devetë. Gjumë mos u hyftë në sy frikacakëve!”
Heroizmi i Amar bin Jasirit (r.a.)
Ibni Omeri (radijallahu anhu) transmeton: “Në atë ditë që u bë lufta e Jemames kam parë Amar bin Jasirin, i cili, megjithëse veshin e kishte të prerë e i rrinte varur, ai ishte ngjitur mbi një shkëmb dhe bërtiste kështu:
“O bashkësi e myslimanëve! Kujt po i ikni, parajsës? Unë jam Amari, i biri i Jasirit! Hë, më thoni, parajsës po i përvidheni kështu? Unë jam Amari, hë, ejani tek unë!” Atë ditë, lufta që pati bërë Amari ishte një ndër më rreptat.”
21. GJYKIMI NDAJ ATYRE QË IA MBATHNIN NGA LUFTA
Sahabët gjykojnë Seleme bin Hishamin
Umu Selemeja (radijallahu anha) tregon: “Unë shkova tek e shoqja e Seleme bin Hisham el-Mugires dhe i thashë:
“Nuk po e shoh burrin tënd, Selemen, pranë të Dërguarit të Allahut dhe të sahabëve të tij, në xhami, për të falur namazin, çfarë i ka ndodhur?” Ajo m’u përgjigj duke më thënë:
“Uallahi, Selemeja nuk del nga shtëpia, sepse, dolën njëherë dhe njerëzit filluan t’i thërrisnin:
“Ah, ju ikacakë! Nga ia mbathët, nga të luftuarit në rrugën e Allahut?” Andaj edhe ai është mbyllur në shtëpi, nuk del.” Selemeja kishte ikur nga lufta e Mu’tes, ku po luftonin nën komandën e Halid bin Uelidit.”
22. PENDIMI QË NDIENIN ATA QË I IKNIN LUFTËS
Mërzia dhe pendimi që ndjenë Ibni Omeri me shokë, ngaqë ishin prej të arratisurve nga lufta e Mu’tes
Tregon Abdullah ibni Omeri (radijallahu anhu): “Unë isha në një prej ekspeditave që pati dërguar Resulullahu. Një grup qe larguar nga ekspedita dhe ia patën mbathur. Në mes tyre isha edhe unë. Gjatë rrugës u penduam, e të gjithë thamë:
“Çfarë do të bëjmë tani? Ikëm nga fusha e betejës, e ajo që meritojmë tani është ndëshkimi i ashpër i Allahut.” Megjithëse, më vonë, në mendje na erdhi mendimi që të ktheheshim në Medinë dhe ta kalonim natën nëpër shtëpitë tona, prapë, hoqëm dorë edhe prej tij dhe thamë:
“Të shkojmë njëherë andej nga i Dërguari i Allahut dhe t’ia shpjegojmë të gjitha sa ndodhën. Për ne do të jetë më mirë, nëse ka ndonjë mënyrë që pendimi ynë të jetë i vlefshëm! Nëse jo, atëherë kthehemi pas, në mesin e luftëtarëve tanë.” Pas namazit të drekës, ne mbërritëm te porta e Resulullahut. Ai doli jashtë dhe na pyeti: - “Po ju, çfarë jeni?”
“Ne jemi arratisur nga lufta!”, – i thamë.
“Jo! Ju jeni nga ata që kanë ardhur këtu dhe duan të kthehen pas, sepse ju jeni të mitë dhe unë jam i juaji.” Atëherë, ne u zgjatëm dhe i puthëm duart.
23. GJETJA E ARMËVE DHE NDIHMESAT PËR LUFTËTARËT E RRUGËS SË ALLAHUT
Profeti ynë, edhe kur nuk merrte pjesë vetë në luftë, armën ia jepte me vete Usames (r.a.) ose Aliut (r.a.)
Xhebele bin Haritheja (radijallahu anhe) na përcjell: “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), edhe kur nuk merrte pjesë vetë luftë, ai armën ia jepte me vete ose Aliut ose Usames (radijallahu anhuma).”
Ata që u vinin në ndihmë atyre që donin të luftonin në rrugën e Allahut
Ebu Mesud el-Ensari (radijalahu anhu) ka treguar: “Një burrë, erdhi te Profeti ynë dhe i tha atij:
“O Resulullah, kafshën e rrugës e kam të lodhur, kam mbetur në rrugë, si thua, sikur të më hipësh në ndonjë tjetër.” I Dërguari i Allahut iu përgjigj:
“Tani nuk kam asnjë kafshë rruge me vete, ku të të hip?!” Nga ana tjetër, bisedën e zhvilluar mes tyre e dëgjoi një burrë tjetër, i cili u hodh e tha:
“O Resulullah, unë mund të të tregoj dikë që mund t’i mundësojë atij një kafshë për t’i hipur.” Atëherë, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Kushdo që bëhet shkas për një të mirë, edhe atij i shkruhet e njëjta e mirë që i shkruhet edhe atij që e kryen të mirën vetë!”
Ndërsa një tjetër transmetim i tiji lidhur me këtë temë është i këtillë:
Enes bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “Një djalosh nga fisi i Eslemit erdhi tek i Dërguari Fisnik dhe i tha:
“O Resulullah, unë dua të luftoj; vetëm, se nuk kam asnjë mundësi për t’u përgatitur për luftë.” Resulullahu i tha atij:
“Shko te filani nga ensarët, ai ishte bërë gati për t’u nisur për në luftë, mirëpo u sëmur. Thuaji atij, ‘të kam prurë përshëndetjet e të Dërguarit e Allahut, më tha të m’i japësh mua përgatitjet që pate bërë për të marrë pjesë në luftë’.” Kështu bëri ai djalosh, shkoi atje ku i kishte thënë i Dërguari i Allahut dhe i çoi atij përshëndetjen. Ai burrë iu drejtua së shoqes, duke i thënë:
“Grua! Jepja këtij djali ato gjërat që pata bërë unë gati për në luftë, mos lër asgjë, jepja të gjitha. Kujdes se mos lë ndonjë prej tyre pa ia dhënë, që të jenë të shumta shpërblimet edhe për ty!”
Gjendja e atyre që shkonin në luftë me ndihmën dhe mbështetjen e dikujt tjetër dhe gjendja e atyre
që ndihmonin të tjerët për të marrë pjesë në luftë
Mejmune binti Sad (radijallahu anha) i pati bërë Profetit tonë (sal’allahu alejhi ue sel’lem) këtë pyetje:
“O Resulallah, na jep fetva lidhur me një çështje: Cila është gjendja e atij njeriu që nuk ka mundësi të marrë pjesë në luftë, por që jep plaçkën e pasurinë e tij, që të shkojë dikush tjetër që nuk i ka mundësitë? A e merr edhe ai shpërblimin e luftës, apo e merr të gjithin ai që merr pjesë në luftë me plaçkën e tij?” I Dërguari i Allahut i dha asaj këtë përgjigje:
“Ai që dërgon dikë në luftë merr shpërblimin e pasurisë që u ka dhënë të tjerëve, kurse i që shkon të marrë pjesë në luftë shpërblehet për sinqeritetin dhe qëllimin (nijetin) e tij.”
24. PËRCJELLJA E LUFTËTARËVE QË NISESHIN TË LUFTONIN NË RRUGËN E ALLAHUT
Kur Ebu Bekri (r.a.) përcjell ushtrinë, komandanti i së cilës ishte Usame bin Zejdi
Tregon Hasan Basriu (radijallahu anhu): “Ebu Bekri (radijallahu anhu) doli nga Meka dhe shkoi pranë ushtrisë që ishte nisur për në luftë. U dha motivim luftëtarëve dhe i përcolli. Usamen e përcolli duke ecur në këmbë. Ndërsa kafshën e rrugës së Ebu Bekrit po e tërhiqte nga frerët Abdurrahman bin Aufi. Kurse Usameja ishte mbi kalë. Usameja tha:
“O kalifi i të Dërguarit të Allahut, ose hipni edhe ju, ose unë do të zbres!” Ebu Bekri (radijallahu anhu) iu përgjigj:
“Uallahi, as ti nuk ke për të zbritur, as unë nuk do të hipi. E ç’do të më gjejë se do të më pluhurosen pak këmbët në rrugën e Allahut? Për një luftëtar kjo do të thotë që të fitojë shtatëqind sevape për çdo hap që hedh, ai ngrihet shtatëqind gradë dhe i fshihen plot shtatëqind mëkate. Kështu ka për të qenë, derisa të mbarojë lufta.” Mandej, Ebu Bekri i tha Usames:
“Do të ishte mirë, po të ma lije mua Omer bin Hatabin, se më vjen në ndihmë për shumë gjëra.” Atëherë, ai i dha leje Omerit (radijallahu anhu) që të qëndronte.”
Jahja bin Saidi tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) pati dërguar gjithsej katër ushtri për në Siri. Teksa ishte duke përcjellë njërin prej komandantëve të tyre, Jezid bin Ebi Sufjanin, Ebu Bekri (radijallahu anhu) po ecte në këmbë. Thonë se Jezidi i pati thënë Ebu Bekrit (radijallahu anhu):
“Ose hip edhe ti mbi kalë, ose të zbres unë.” Ndërsa Ebu Bekri i përgjigjet:
“As ti nuk ke për të zbritur, as unë nuk kam për të hipur. Unë shpërblimin e këtyre hapave që po hedh në këmbë e pres prej Allahut!” Xhabir el-Bur’ini (radijallahu anhu) transmeton: “Ebu Bekr Siddiku (radijallahu anhu) po përcillte një nga ushtritë e tij, e ndërkohë, vetë ecte në këmbë. Atëherë pati thënë:
“Lëvduar qoftë Allahu! Na u pluhurosën këmbët në rrugën e Allahut.” Dikush e pati pyetur:
“Ne thjesht sa i përcollëm, si na u pluhurosën këmbët në rrugën e Allahut?” Ebu Bekri (radijallahu anhu) i dha atij përgjigje këto fjalë:
“Ne i ndihmuam ata me përgatitjet e luftës, i përcollëm dhe u lutëm për ta!”
Kur Abdullah bin Omeri përcillte luftëtarët
Muxhahidi tregon: “Unë isha nisur për në njërën prej betejave. Na përcillte vetë Ibni Omeri. Kur erdhi koha që ai të kthehej, ai na tha neve:
“Nuk kam asgjë, që t’jua jap me vete. Por unë kam dëgjuar Resulullahun, i cili ka thënë:
“Kur diçka ia lini si amanet Allahut, Allahu e ruan atë për ju.” Dhe unë, fenë tuaj, ju vetë dhe përfundimin e veprave tuaja po ia lë amanet Allahut.”
Myslimanët presin sahabët që kthehen nga lufta e Tebukut
Saib bin Jezidi (radijallahu anhu) tregon se: “Kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u kthye nga lufta e Tebukut, populli e priti në Thenijjetu’l-Ueda. Unë atëherë isha ende fëmijë dhe bashkë me fëmijët e tjerë, kishim dalë edhe ne për të pritur të Dërguarin e Allahut.”
25. SHKRIMI I EMRAVE TË ATYRE QË DO TË DILNIN TË LUFTONIN NË RRUGËN E ALLAHUT
Nga Ibni Abasi (radijallahu anhu) është përcjellë se Profeti i profetëve ka thënë:
“Asnjë burrë të mos rrijë kokë më kokë me një grua që nuk është intimiteti
i tij (që nuk ka nikah-celebrim islam me të); asnjë grua të mos dalë në udhëtim, pa pasur dikë nga njerëzit më të afërt e të rrethit intim të saj!” Kur i Dërguari i Allahut tha këto fjalë, dikush u çua në këmbë dhe tha:
“O Resulallah, në këtë luftë e pata shkruar edhe unë emrin, mirëpo gruaja ime është përgatitur për të shkuar në Haxh dhe është nisur tanimë, çfarë më urdhëroni të bëj?” Atëherë, Resulullahu e porositi atë burrë:
“Shko dhe kryej adhurimin e Haxhit bashkë me tët shoqe.”
Falja e namazit dhe gostitja me ushqim pas udhëtimit të kryer për Allahun
Është transmetuar prej Kabit (radijallahu anhu), se: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) sa herë që vinte paradite nga ndonjë udhëtim, ende pa u ulur për t’u çlodhur e pa e marrë veten mirë, falte njëherë dy rekate namaz.”
Ndërsa, nga Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu) është transmetuar: “Njëherë, gjatë një udhëtimi unë isha bashkë me Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Kur mbërritëm në Medinë, ai më tha mua:
“Hyr në xhami dhe fal dy rekate namaz.”
26. EDHE GRATË MERRNIN PËRSIPËR DETYRA GJATË LUFTËRAVE TË ZHVILLUARA PËR TË FITUAR KËNAQËSINË E ALLAHUT
Pjesëmarrja në luftë e Umu Haramit, tezes së Enesit (r.a.)
Nga Enesi (radijallahu anhu) është transmetuar se: “Një ditë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkoi në shtëpinë e Umu Haram binti Milhanit, u mbështet diku dhe e zuri gjumi. Pak më vonë u zgjua duke buzëqeshur. Umu Harami e pati pyetur: - “Pse po buzëqeshni, o i Dërguari i Allahut?”
“Në ëndërr pashë disa nga njerëzit e umetit tim po ngjiteshin nëpër anije, njësoj si sundimtarët që ulen-ngjiten në fronin e tyre dhe m’u shfaq sikur ata po shkonin të luftonin në rrugën e Allahut. Me atë po buzëqesh.”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut. Tezja ime, Umu Harami i tha:
“O Resulullah, a nuk lutesh që të jem edhe unë një syresh.” Atëherë, i Dërguari i Allahut filloi të lutej:
“O Zot! Bëje të jetë edhe Umu Harami një prej tyre!” Më vonë, Resulullahu vuri kokën në jastëk dhe fjeti edhe për njëfarë kohe. Pastaj u zgjua prapë, përsëri duke buzëqeshur. Umu Harami e pyeti:
“O Resulullah, po pse po buzëqeshni sërish?” I Dërguari Fisnik iu përgjigj pa hezituar:
“Kësaj here pashë një pjesë të umetit tim, që po shkonin në luftë, me një qëndrim si ai sundimtarëve kur ngjisin shkallët e fronit të tyre.” Tezja ime i kërkoi:
“Lutjuni Allahut, që të më bëjë të jem edhe unë një prej tyre.” Resulullahu iu përgjigj:
“Ti je nga të parët, jo nga ata që do të vijnë nga pas.”
Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “Në atë çast tezja ime ishte e martuar me Ubade bin Samitin. Ajo pati marrë pjesë në luftën detare, bashkë me gruan e Muauijes, Binti Karazan. Kur zbritën nga deti në tokë, kalin e saj diç e trembi dhe ajo u rrëzua dhe humbi jetën.”
Shërbimi i grave në luftërat që bëheshin në rrugën e Allahut
Umu Sulejmi (radijallahu anha) tregon: “Sa herë që i Dërguari i Allahut nisej për në luftë, një grup grash nga ensarët merrnin pjesë në luftë, bashkë me të, për t’u dhënë qumësht të sëmurëve dhe për të mjekuar të plagosurit.”
Rubeji’ binti Muauidh (radijallahu anha) ka thënë: “Ne, sa herë që kemi marrë pjesë në luftë bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), mbanim ujin, mjekonim të plagosurit dhe ngrinim trupat e myslimanëve të rënë në fushën e betejës.”
Sipas një transmetimi që na është përcjellë nga Umu Atijetu’lEnsarijeja (radijallahu anha), thuhet se ajo ka thënë: “Unë kam marrë pjesë në shtatë luftëra bashkë me të Dërguarin e Allahut. Prisja mbi plaçkën e luftëtarëve, u përgatitja atyre për të ngrënë, mjekoja të plagosurit, u qëndroja pranë atyre që ishin të sëmurë e dihej që nuk do të mbijetonin, kujdesesha për ta.”
Gratë që kanë shërbyer në luftën e Uhudit
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Në luftën e Uhudit, ushtria e myslimanëve pati dalë e humbur dhe shumica e luftëtarëve qenë shpërndarë. Uallahi, atë ditë, vajzën e Ebu Bekrit, Aishen dhe nënën time, Umu Sulejmin, i kam parë kështu: Kishin përveshur fundin e këmbëve, aq sa kishte filluar t’u dukej kyçi i këmbëve. Mbanin ujë në enë dhe u jepnin luftëtarëve të pinin. Pastaj iknin, i mbushnin prapë ato enë dhe u jepnin luftëtarëve të pinin.”
Thalebe bin Ebi Maliku (radijallahu anhu) transmeton kështu: “Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) u pati shpërndarë grave të Medinës tesha prej leshi, por një palë i kishin tepruar. Njëri prej atyre që ishin aty, i pati thënë atij:
“O Prijësi i Besimtarëve, atë jepjani gruas suaj, Umu Kulthum binti Aliut.” Kalifi i myslimanëve, Omeri (radijallahu anhu) tha:
“Ummu Selijti e meriton më shumë këtë rrobë, sepse ajo është nga gratë e ensarëve dhe është një prej grave që kanë lidhur besën me të Dërguarin e Allahut. Veç kësaj, Umu Selijti na ka arnuar enët e ujit, kur na shqepeshin.”
Hashrexh bin Zijadi transmeton se stërgjyshja e tij i ka transmetuar: “Ne patëm dalë bashkë me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në luftën e Hajberit. I Dërguari i Allahut na pati pyetur:
“Po ju, pse vini bashkë me ne?!” Dhe ne i dhamë këtë si përgjigje:
“Vijmë të bëjmë punët tona, të tjerrim leshin, për shembull, dhe t’ju ndihmojmë juve në rrugën e Allahut, si edhe për të mjekuar të plagosurit e luftës.”
27. KUR GRATË LUFTONIN NË RRUGËN E ALLAHUT ME KUPTIMIN E PLOTË TË FJALËS
Pjesëmarrja e Umu Umaras (r.a.) në Uhud
Umu Sadi (radijallahu anha), e bija e Sad bin Rabias, tregon: “Shkova atje ku ishte Umu Umare (radijallahu anha) dhe i thashë:
“Teze, a nuk më tregon, si pate luftuar ti në luftën e Uhudit?” Ja se si ma tregoi:
“Në orët e para të ditës, dola nga çadra, për të parë se çfarë ishin duke bërë njerëzit. Me vete kisha edhe një enë me ujë të pijshëm. Shkova tek i Dërguari i Allahut. Profeti ynë i nderuar gjendej mes sahabëve të tij. Myslimanët ishin në rrugën e fitores. Mirëpo, fati na u kthye përkundër dhe, kur myslimanët pësuan disfatë, unë shkova dhe fillova të luftoja krah për krah me Resulullahun. Përpiqesha ta mbroja me shpatë e me shigjeta, derisa, në fund, u plagosa edhe unë.”
Kur i pashë Umu Umaras një shenjë të madhe, si vrimë, në shpatull, vendosa që ta pyesja:
“Po këtë, kush ta ka bërë?”
“Ibni Kamia”, – më tha dhe vazhdoi të tregonte, – “Allahu e shkatërroftë. Ja se si ndodhi: Atë ditë, disa sahabë u larguan nga Resulullahu dhe Ibni Kamiaja filloi të bërtiste dhe thoshte:
“Më tregoni ku është Muhamedi, po shpëtoi ai për mua nuk ka më kuptim të jetoj më!” Sakaq, unë dhe disa të tjerë, që nuk ndaheshin kurrë prej Musab bin Umejrit dhe prej të Dërguarit të Allahut, iu hakërryem. Ai burrë më goditi disa herë me shpatë dhe kjo është një nga plagët që më ka ngelur në trup prej atyre goditjeve. Edhe pse e godita edhe unë disa herë me shpatë, nuk arrita dot që ta vrisja, sepse kishte veshur dy parzmore, njëra mbi tjetrën, armiku i Allahut.”
Kurse përcjellja që i bën Omeri (radijallahu anhu) kësaj ndodhie është e këtillë:
“Unë e kam dëgjuar vetë Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur ai ka thënë:
“Në ditën e Uhudit, sa herë që shikoja ndonjëherë në të djathtë dhe sa herë që shikoja ndonjëherë në të mëngjër, sytë nuk më shihnin vetëm se Umu Umaren (Nesibe binti Kab), që përpiqej të më ruante mua.”
Safija (r.a.) pati luftuar edhe në Uhud, edhe në Hendek
Sipas transmetimit të Ibni Sadit; në ditën e Uhudit, në çastet që sahabët po përjetonin disfatë, në fushën e luftës hyri Safija (radijallahu anha) me heshtën në dorë; me të godiste idhujtarët në fytyra. Kur e pa i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) se çfarë po bënte, thirri Zubejr bin Auamin, të birin e Safijes, duke i thënë:
“Zubejr, mbro nënën.”
Tregon Abadi: “Safija (radijallahu anha) na i ka treguar ngjarjet që ndodhën kur u strehuan në kështjellën e poetit të Profetit tonë, Hasan bin Thabitit:
“Hassani ishte bashkë me ne, gratë dhe fëmijët. Rreth e përqark kështjellës seç vërtitej një hebre. Në atë kohë, edhe hebrenjtë e fisit të të bijve të Kurejdhas i patën shpallur luftë të Dërguarit të Allahut, ndaj edhe Resulullahu kishte shkëputur çdo marrëdhënie me ta. Prandaj, nëse do të vendosnin të na sulmonin, ne nuk kishim askënd që të na mbronte. I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe myslimanët po përlesheshin trup me trup me armiqtë dhe ishte e pamundur që të shkëputeshin e të vinin tek ne; në ato çaste ishte e pamundur. Kur, pranë nesh ia behu dikush. E thirra Hasanin dhe i thashë:
“Shiko Hasan, me sa kam parë, është një hebre që po i vërtitet kështjellës sonë rreth e qark. Uallahi nuk jam e sigurt, por më duket sikur ai po na ruan ne, për të mbledhur informata mirë e mirë, që t’ua çojë mandej hebrenjve të tjerë. Resulullahu dhe sahabët janë të zënë me armikun, kështu që hajde, zbrit njëherë poshtë dhe vrite atë njeri.” Hasani më dha këtë përgjigje:
“Të bekoftë Zoti o bija e Abdulmutalibit! Uallahi, ti mund t’ia dalësh fare më mirë se unë kësaj pune, se unë nuk ia dal dot.”
Kur ai më tha kështu, atëherë unë e lidha fort belin, mora edhe një dru të trashë me vete dhe zbrita poshtë nga kështjella, e godita atë burrë me trungun e drurit që kisha në dorë dhe ai mbeti i vrarë në vend; kur e pashë se e kisha mbaruar atë punë me sukses, u ktheva prapë në kështjellë. Aty i thashë Hasanit:
“Hasan, zbrit njëherë poshtë dhe merrja plaçkat atij njeriu. Duke qenë se ishte mashkull, unë nuk mund t’ia merrja.”
“O bija e Abdulmutalibit, po unë nuk kam nevojë për teshat e tij!”, – m’u përgjigj Hasani.
Kur Umu Sulejmi (r.a.) mbante edhe kamë me vete, kur merrte pjesë në luftën e Hunejnit
Enesi (radijallahu anhu) ka thënë: “Ebu Talhaja (radijallahu anhu), në ditën e Hunejnit, erdhi pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:
“O Resulullah, a e ke parë gjë Umu Sulejmin? Ka marrë edhe kamën me vete!” I Dërguari i Allahut e pyeti Umu Sulejmin:
“Çfarë kërkon të bësh me këtë?” Umu Sulejmi iu përgjigj:
“Kur të më afrohet ndonjë nga idhujtarët, do t’ia ngul në bark, andaj e kam marrë me vete.” Pasi tha këtë fjalë, i Dërguari i Allahut nisi të qeshë.”120
Esma binti Jezidi pati vrarë plot nëntë vetë në luftën e Jermukut
Transmetohet nga Muhaxhiri se: “E bija e xhaxhait të Muadh bin Xhebelit, Esmaja, pati hequr shtizën që shërbente si këmbë për çadrën dhe me të pati vrarë plot nëntë vetë nga bizantinët.”
Njerëzve fillon të mos u pëlqejë që gratë e kthyen në zakon të dalët në luftë
Sipas transmetimit që i bën Taberaniu kësaj çështjeje, Ummu Kebsheja, e cila ishte një nga më të rejat e fisit të Beni Kuda’së, vjen te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i kërkon leje të marrë pjesë në luftë, duke i thënë:
“O Resulullah, a do të më japësh leje, që të dal edhe unë në luftë me aksh tabor?” I Dërguari i Allahut iu përgjigj shkurt:
“Jo!”
Gruaja tha:
“O Resulullah, unë nuk dua të marr pjesë si luftëtare, por dua të ndihmoj në mjekimin e të plagosurve dhe të sëmurëve!” I Dërguari i Allahut tha:
“Sikur të mos kisha shqetësimin se kjo do të bëhet zakon dhe njerëzit do të thonë: ‘Aksh grua mori pjesë në luftë!’, patjetër që do të të jepja leje. Prandaj, ti ik tani dhe qëndro në shtëpi.”
Veprime që për gratë janë njësoj sikur të kishin marrë pjesë në luftë
Ibni Abasi (radijallahu anhu) transmeton: Një grua erdhi tek i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha atij:
“O Resulullah, mua më kanë dërguar si përfaqësuese gratë. Allahu ua ka shpallur luftën si detyrim vetëm burrave, nga ku ata mund të fitojnë shpërblime të shumta nëse dalin fitimtarë, apo të fitojnë gradën e epërme të të qenët dëshmorë të Zotit kur vriten. Kurse ne, gratë, thjesht merremi me punët e tyre, duke u ardhur në ndihmë për nevojat që mund të kenë ata. Po mirë, po për ne nuk ka vend, që të luftojmë edhe ne në rrugën e Allahut?” Profeti ynë i tha asaj:
“Thuaju grave që ke ardhur deri këtu t’i përfaqësosh: ‘Edhe të tregosh respekt për të drejtat e burrit, duke i përmbushur ato të gjitha me përpikëri ka të njëjtin shpërblim si edhe lufta. Vetëm se shumë pak nga ju e arrijnë ta bëjnë këtë ashtu siç duhet!’”
28. PJESËMARRJA E FËMIJËVE NË LUFTË
Kur bie dëshmor Umejr bin Ebi Uekasi (r.a.)
Sad bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu) tregon: “Në luftën e Bedrit, para se të vinte Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për të na kontrolluar, unë pashë vëllanë tim, Umejrin, i cili po orvatej të dukej pak më i madh nga ç’ishte në të vërtetë.
“Çfarë bën ashtu, vëllai im? Të ka ndodhur gjë?”, – e pyeta unë atë.
“Kam frikë se do të më dallojë i Dërguari i Allahut.”, – m’u përgjigj ai. – “Dua të marr edhe unë pjesë në luftë. Kam shumë shpresë, që Allahu të më falë edhe mua mirësinë e të bie edhe unë dëshmor në rrugën e tij.” Nëna e tij pati shkuar vetë tek i Dërguari i Allahut, për t’i kërkuar që ai të mos e merrte me vete djalin e saj të vogël, dhe i Dërguari i Allahut e pati kthyer mbrapsht Umejrin. Vëllai qau shumë dhe, kur e pa sesa shumë po qante, atëherë Resulullahu nuk ia prishi qejfin, ndaj, në fund i dha atij lejen që të vinte edhe ai me ne në luftë. Ia lidha unë kaishin e shpatës, sepse Umejri ishte shumë i vogël. Ishte apo nuk ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur e vranë dhe ra dëshmor.”
Shënimet
- 347.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/264.
- 348.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/277.
- 349.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/4.
- 350.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 2/39.
- 351.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/798 (30266).
- 352.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/3.
- 353.. Bejheki, Sunen, 9/179 (18391).
- 354.. Taberi, Tarih, 3/473.
- 355.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/65 (470).
- 356.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/61 (463).
- 357.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 9/37.
- 358.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 1/272 (792).
- 359.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/766 (11324).
- 360.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/448 (37253).
- 361.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/771 (11338).
- 362.. El-Hakim, Mustedrek, 3/318 (5227).
- 363.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 5/453.
- 364.. Ibn Abdi’l-Berr, el-Istiab, 1/304.
- 365.. Ibn Haxher, el-Isabe, 1/414.
- 366.. Ibn Haxher, el-Isabe, 1/414.
- 367.. Ibn Haxher, el-Isabe, 1/415.
- 368.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/168.
- 369.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/150.
- 370.. Ibn Abdilberr, el-Istiab, 1/550.
- 371.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/49.
- 372.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 8/59.
- 373.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/7.
- 374.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/5.
- 375.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/242.
- 376.. Bejheki, Sunen, 9/99 (17974).
- 377.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 4/176.
- 378.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 5/69 (4608).
- 379.. Ibn Haxher, Fet’hul-Bari, 6/30.
- 380.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/258.
- 381.. Ibn Hibban, Sahih, 8/324 (3558).
- 382.. Ibn Kethir, Sire, 2/401.
- 383.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/85.
- 384.. Taberi, Tarih, 2/347.
- 385.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/15.
- 386.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/304.
- 387.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/213.
- 388.. Buhari, Sahih, 3/1091 (2832).
- 389.. Muslim, Sahih, 3/1383 (1763).
- 390.. Mundhiri, et-Tergib, 2/193 (2070).
- 391.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/36.
- 392.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/191.
- 393.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/782 (11367).
- 394.. Bejheki, Sunen, 9/152 (18239).
- 395.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1289 (8637).
- 396.. Nesai, Sunen, 6/143 574/34.
- 397.. Bejheki, Sunen, 9/43 (17696).
- 398.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 2/245.
- 399.. Ibnu’l-Ethir, Usdu’l-Gabe, 1/538.
- 400.. Buhari, Sahih, 1/22 (36).
- 401.. Muslim, Sahih, 3/1495 (1876).
- 402.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 9/163 (9430).
- 403.. Ibn Haxher, Fet’hu’l-Bari, 4/101 (1791).
- 404.. Bejheki, Sunen, 6/307 (12549).
- 405.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/350.
- 406.. El-Hakim, Mustedrek, 3/332 (5279).
- 407.. Ibn Abdi’l-Berr, el-Istiab, 1/176.
- 408.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/705 (30008).
- 409.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/712 (30027).
- 410.. El-Hakim, Mustedrek, 3/221 (4906).
- 411.. Buhari, Sahih, 3/1108 (2880).
- 412.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/63.
- 413.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/67.
- 414.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/231 (10220).
- 415.. Ibn Kethir, Sire, 3/462.
- 416.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/141.
- 417.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/759 (35690).
- 418.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/105.
- 419.. Ibn Kethir, Sire, 3/359.
- 420.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/184 (36621).
- 421.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/107.
- 422.. El-Hakim, Mustedrek, 2/128 (2548).
- 423.. El-Hakim, Mustedrek, 2/130.
- 424.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/18.
- 425.. Buhari, Sahih, 3/1144 (2972).
- 426.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/156 (10069).
- 427.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 19/8 (10069).
- 428.. Buhari, Sahih, 4/1555 (4017).
- 429.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/114.
- 430.. El-Hakim, Mustedrek, 3/434 (5657).
- 431.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/249.
- 432.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 2/70 (5384).
- 433.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 2/286 (2194).
- 434.. Muslim, Sahih, 3/1506 (1893).
- 435.. Ebu Daud, Sunen, 2/99 (2780).
- 436.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 25/38 (69).
- 437.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/798 (30268).
- 438.. Bejheki, Sunen, 9/89 (17927).
- 439.. Bejheki, Sunen, 9/173 (18360).
- 440.. Bejheki, Sunen, 9/173 (18358).
- 441.. Bejheki, Sunen, 9/175 (18368).
- 442.. Buhari, Sahih, 3/1094 (2844).
- 443.. Buhari, Sahih, 3/1123 (2922).
- 444.. Buhari, Sahih, 2/920.
- 445.. Buhari, Sahih, 3/1055 (2722).
- 446.. Ibn Hibban, Sahih, 11/26 (4723).
- 447.. Buhari, Sahih, 3/1056 (2726).
- 448.. Muslim, Sahih, 3/1444 (1812).
- 449.. Buhari, Sahih, 3/1055 (2724).
- 450.. Buhari, Sahih, 3/1056 (2725).
- 451.. Ebu Daud, Sunen, 2/82 (2729).
- 452.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/470.
- 453.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/479.
- 454.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/108. Te Bejhekiu është e regjisturar se “Safija është e para grua myslimane që ka vrarë një idhujtar burrë.” 120. Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 7/416 (36937).
- 455.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 24/157 (403).
- 456.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 25/176 (431).
- 457.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 4/560 (7631).
- 458.. Ibn Haxher, el-Isabe, 3/149.