JETA E SAHABËVE 1

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

LIDHJA E BESËS

Si e lidhnin sahabët besën me Profetin tonë dhe me kalifët e tij? Cilat ishin bazat e lidhjes së besës?

1. LIDHJA E BESËS PËR T’U BËRË MYSLIMAN

Ka qenë Xheriri (radijallahu anhu) që ka transmetuar një hadith në lidhje me këtë çështje: “Ne lidhëm besën me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mbi ato baza që ai kishte lidhur besën edhe me gratë. Kësisoj, që ai u premtonte parajsën të gjithë atyre që kishin vdekur pa kryer asnjë nga këto mëkate. Çdokush që ka bërë ndonjë mëkat të madh, por që e ka kryer dënimin relativ të kësaj bote, e pastaj ka vdekur, atëherë ky dënim mund t’i shërbejë atij si falje për ndëshkimin.

Ashtu sikundër edhe ata që kanë kryer ndonjë nga mëkatet e mëdha, por e kanë mbajtur atë të fshehtë, llogaridhënien për të do ta kenë vetëm përpara Allahut.”

Betimi i të gjithëve përpara Allahut dhe të Dërguarit të Tij në ditën e ngadhënjimit mbi Mekën

Esuedi (radijallahu anhu) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), atë ditë që u ngadhënjye mbi Mekën, ishte vendosur në kodrën e Safasë dhe po pranonte betimet e atyre që donin të bëheshin myslimanë dhe që po thoshin fjalën e dëshmisë. Unë e pyeta të Dërguarin e Allahut, se çfarë do të thoshte të lidhje besën për dëshminë e së vërtetës? Ai m’u përgjigj duke më thënë:

“Kjo do të thotë të pranosh se i ke besuar Allahut, se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, që meriton të adhurohet, dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Allahut.”

Ndërsa përcjellja që i bën Bejhakiu kësaj ngjarjeje, është e këtillë: “Ditën e ngadhënjimit, të mëdhenj e të vegjël, gra e burra, të gjithë erdhën tek i Dërguari i Allahut dhe ai ua pranoi atyre betimet mbi fjalën e dëshmisë dhe pranimin e fesë së Islamit.”

2. LIDHJA E BESËS PËR PRAKTIKAT E ISLAMIT

Betimi i Beshir bin Hasasijes

Beshiri ka thënë kështu: “Erdha te Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që të lidhja besën me të dhe e pyeta:

“Cilat janë pikat, mbi të cilat do që unë të lidh besën me ty, o i Dërguari i Allahut?”

I Dërguari i Allahut zgjati dorën dhe më tha:

“Do të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe i Vetëm, që meriton të adhurohet, dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, do t’i falësh në kohë të pesë namazet e ditës, do të japësh zekatin, që të është caktuar si detyrim, do të agjërosh gjatë muajit të Ramazanit, do të vizitosh (do të kryesh haxhin) Shtëpinë e Allahut dhe do të luftosh në rrugën e Allahut.” Unë i thashë:

“O Resulallah, përveç dy prej tyre, të gjitha të tjerat unë kam mundësi që t’i kryej. Por dy prej tyre nuk mund t’i bëj dot, e kam të pamundur: njëri është zekati. Unë gjithsej dhjetë deve kam. Dhe ato me zor mjaftojnë për t’u siguruar pjesëtarëve të familjes qumësht dhe nevojat e udhëtimit. Ndërsa tjetra, që mendoj se nuk kam mundësi që ta kryej, është lufta. Unë jam një njeri shumë frikacak. Mirëpo, populli thotë se njerëzit që ngurrojnë të shkojnë në luftë, do të përballen me ndëshkimin e Allahut. Jam i shqetësuar, se kur të vijë thirrja për në luftë, mua mund të më pushtojë frika e mund të iki nga fusha e luftës. Kësisoj, nëse arratisem nga lufta, atëherë unë do të ndëshkohem prej Allahut.”

Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i shtrëngoi dorën, pastaj i hapi duart dhe tha këto fjalë:

“Beshir! Ti po më thua se nuk mund të japësh zekatin dhe nuk mund të luftosh dot. Atëherë, a mund të më thuash me çfarë ke ndërmend të hysh në parajsë?”

“O Resulallah, zgjatma dorën të të betohem.”, – i thashë unë.

I Dërguari i Allahut e zgjati dorën dhe unë lidha besën me të, se do t’i kryeja të gjitha detyrat që ai më pati parashtruar.”

Xherir bin Abdullahu jep besën për shtyllat e Islamit

Xheriri (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Unë i betohem Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), se do të fal namazin, do të jap zekatin dhe se do të përpiqem gjithmonë që t’i këshilloj veçse për mirë besimtarët e tjerë.”

Ndërsa imam Ahmed bin Hanbeli, në një transmetim të ndryshëm nga ai i Xheririt (radijallahu anhu), thotë se Xheriri (radijallahu anhu) ka folur kështu: “O Resulullah, ti më thuaj për çfarë të të betohem, sepse ti mua më njeh më mirë seç e njoh unë veten.”

I Dërguari i Allahut i tha: “Betimin tënd do ta pranoj vetëm nëse më premton se do të adhurosh vetëm Allahun, që është Një dhe i Vetëm, nuk do t’i bësh asnjë shok a ortak Atij, do të falësh namazin, do të japësh zekatin dhe do t’i këshillosh besimtarët për mirë, si edhe do t’i qëndrosh larg çdo lloj forme të idhujtarisë.”

Ndërsa në transmetimin e Taberaniut përshkruhet kështu: “Kur Xheriri (radijallahu anhu) erdhi te Profeti ynë, Resulullahu i tha atij:

“O Xherir, zgjatma dorën.”

“Për çfarë do që të të betohem o i Dërguari i Allahut?”, – e pyeti Xheriri.

“Do të betohesh me mua me kushtin që do t’i dorëzohesh Allahut me gjithë qenien tënde dhe se do t’i këshillosh gjithmonë besimtarët për mirë.”

Xheriri, i cili ishte një njeri shumë i zgjuar dhe i shkathët, i tha:

“O Resulallah, unë do ta bëj këtë me sa të kem forcë.”

Kjo fjalë që tha Xheriri, u shndërrua në një formulë besnikërie edhe për njerëzit që erdhën më vonë.

Auf bin Maliku dhe shokët e tij betohen se do t’u përshtaten kushteve të Islamit dhe se nuk do të kërkojnë asgjë nga njerëzit

Auf bin Malik El-Eshxhai (radijallahu anhu) tregon: “Ne ishim nëntë ose tetë ose shtatë vetë, që gjendeshim pranë Resulullahut. Ai na tha neve:

“Po ju, nuk do ta lidhni besën me të Dërguarin e Allahut?”, - dhe këtë pyetje e përsëriti plot tri herë.

Dhe ne i zgjatëm duart, e ai na i pranoi betimet tona. Ne i thamë:

“O Resulullah, ne t’u betuam; po për çfarë e mbi ç’baza t’u betuam?”

“Që do të adhuroni Allahun, nuk do t’i bëni Atij asnjë ortak a shok, do të falni pesë kohët e namazit, – e duke vazhduar, shtoi edhe këtë fjali me zë të ulët, – ... dhe nuk do të kërkoni asgjë nga njerëzit!”

Transmetuesi thotë: “Unë i pashë disa nga ata që ishin pjesë e këtij grupi: ‘U binte shkopi nga dora dhe nuk i thoshin askujt ma jep pak atë shkop!’ Zbrisnin nga kafsha ku kishin hipur dhe e merrnin vetë.”

Sehl bin Sadi dhe të tjerët lidhin besën me të Dërguarin e Allahut, se do t’u binden të gjithë urdhrave të fesë islame

Sehl bin Sadi (radijallahu anhu) tregon: “Unë, Ebu Dherri, Ubade bin Samiti, Ebu Saidi Hudriu, Muhamed bin Meslemeja dhe një njeri tjetër i gjashtë, iu betuam Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) se nuk do të ankoheshim për gjykimin e askujt që do të na gjykonte. Vetëm se i gjashti, kërkoi të prishej betimi që kishte bërë. Dhe Profeti ynë e prishi marrëveshjen e tij me të.”

Edhe Ubade bin Samiti (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Një nga ata gjashtë vetët që lidhën besën me Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) isha edhe unë. Iu betuam Allahut se nuk do t’i bënim Zotit asnjë shok a ortak, nuk do t’i merrnim jetën askujt, pasi Allahu na e kishte ndaluar, nuk do të sulmonim e grabisnim askënd, nuk do të vidhnim, nuk do t’i afroheshim zinasë (imoralitetit) dhe nuk do të ngrinim krye ndaj Allahut. Gjatë betimit, na u premtua parajsa nëse do t’i ndiqnim të gjitha këto kushte me përpikëri dhe, nëse shkelnim ndonjërin syresh, atëherë vendimi përfundimtar për ne do t’i përkiste vetëm Zotit.”

Siç e përcjell Ibni Xheriri nga Ubade bin Samiti, Ubadeja ka thënë kështu: “Një ditë ishim te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai na tha: ‘Lidhni besën me mua se nuk do t’i bëni Allahut asnjë shok ose ortak dhe se nuk do të bini në zina. Shpërblimin atij që do të mbajë fjalën, do t’ia japë vetë Allahu. E kushdo që përzihet në ndonjë prej këtyre ligësive, e Allahu do t’jua fshehë, Ai do t’jua kërkojë vetë llogarinë e Tij: nëse dëshiron ju ndëshkon, nëse dëshiron ju fal.’”

Betimet e Ubade bin Samitit (r.a.) dhe të shokëve të tij në Akabenë e Parë

Ubade bin Samiti ka thënë kështu: “Në Akabenë e Parë ne ishim njëmbëdhjetë vetë gjithsej. Ne e lidhëm besën me Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ashtu siç ishin betuar edhe gratë me të. Kjo ishte një lidhje bese që u realizua kohë para se lufta të shpallej detyrim (farz). Ne iu betuam të Dërguarit të Allahut mbi këto pika: “Nuk do t’i bëjmë asnjë shok a ortak Allahut, nuk do të vjedhim, nuk do të bëjmë zina, nuk do të shpifim për njerëzit e ndershëm, nuk do t’i vrasim fëmijët dhe nuk do të ngremë krye ndaj teje për asnjë të mirë.”

Më vonë i Dërguari i Allahut na tha kështu: “Për ata që do t’i qëndrojnë besnikë premtimit të tyre është parajsa. Kurse për ata që bëjnë ndonjë prej tyre, vendimin e ka në dorë Allahu: nëse dëshiron ju ndëshkon, nëse dëshiron ju fal!”

3. LIDHJA E BESËS PËR MËRGIM PAS NGADHËNJIMIT MBI MEKËN

Betimi i Ja’la bin Munies në vend të babait

Ja’la bin Munieja (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Në ditën e dytë pas ngadhënjimit mbi Mekën, shkova te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i thashë: “O Resulullah, pranoje betimin e babait tim për të mërguar.”

“Jo,”, – m’u përgjigj i Dërguari i Allahut, – “betimin e tij do ta pranoj vetëm për të luftuar, sepse, me ngadhënjimin mbi Mekën ka përfunduar edhe mërgimi, e, këtej e tutje, ai nuk është më i detyrueshëm.”

Besëlidhja e Muxhashiut dhe e vëllezërve të tij

Muxhashi bin Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë: “Shkova te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) bashkë me vëllanë dhe i thamë:

“O Resulullah, të lutemi pranoje betimin tonë për mërgim!” I Dërguari i Allahut u përgjigj:

“Po koha e mërgimit ka kaluar.”

“Atëherë, për çfarë do që të të betohemi?”, – e pyetëm ne.

“Që do të jeni myslimanë dhe do të përpiqeni përherë që të fitoni kënaqësinë e pëlqimin e Allahut.”, – na këshilloi ai.

4. LIDHJA E BESËS SE DO TA MBËSHTESNIN PROFETIN E ALLAHUT NË MISIONIN E TIJ TË PROFETËSISË

Shtatëdhjetë ensarë betohen në Akabe se do ta ndihmojnë Profetin e Allahut

Xhabiri (radijallahu anhu) ka thënë: “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) qëndroi në Mekë për plot dhjetë vite. Shkonte të takohej me njerëz sa herë që ngriheshin panairet e Ukadhit dhe të Mexhenes, në stinën e haxhit; u shkonte nëpër çadra dhe u thoshte:

“Kush do të më mbështetë, kush do të më ruajë, kush do të më ndihmojë mua, kur të përhap mesazhet e Zotit? Për ata që do të më ndihmojnë është premtuar një parajsë ku ata do të mund të jetojnë përjetësisht!” Mirëpo nuk po gjente dot as edhe një fytyrë të vetme, që t’i buzëqeshte sadopak dhe t’i thoshte se do t’i bëhej krah. Madje edhe kur doli ndokush prej atyre që kishin ardhur nga Jemeni, apo nga fisi i Mudarit, populli i vet dhe të afërmit vinin dhe i thoshin:

“Qëndroi larg këtij djali nga kurejshët, e mos u gënje prej tij!”

Kur i Dërguari i Allahut shëtiste nëpër çadra, të gjithë njerëzit e tregonin atë me gisht. Derisa, më në fund, Allahu i Madh na mundësoi neve që të shkonim tek ai. E morëm ne në mbrojtje dhe i pranuam të gjitha të vërtetat që ai na i kishte sjellë prej Allahut. Sa herë që ndonjëri prej nesh besonte, duke u bërë mysliman, Profeti ynë i këndonte atij pjesë nga Kur’ani. Kur ai kthehej te familja e tij, Islamin e pranonte edhe familja dhe bëheshin sakaq të gjithë myslimanë. Kështu, në territorin e ensarëve nuk mbeti më as edhe një njeri i vetëm pa u bërë mysliman, pasi në çdo shtëpi kishte të paktën disa vetë që u mësonin të tjerëve Islamin. Derisa, njëherë, medinasit u mblodhën të këshilloheshin me njëri-tjetrin:

“Edhe për sa kohë do ta lëmë të vetëm të Dërguarin e Allahut? Edhe për sa kohë do të bëjmë sikur nuk po ndodh asgjë e gabuar dhe ai të shëtisë nga njëri mal në tjetrin nëpër Mekë, duke e përzënë sa këtu, sa atje, dhe duke shkuar një jetë tejet të frikshme?”

Kur erdhi stina e haxhit, shtatëdhjetë vetë prej nesh shkuam tek ai. E lamë se do të takoheshim në Akabe. Filluam të mblidheshim atje nga dy e nga tre. Kur u mblodhën të gjithë, e pyetëm:

“O Resulullah, për çfarë do që të të betohemi, e të lidhim besën me ty?”

“Që do të më dëgjoni gjithmonë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, do të më bindeni, do t’i ndani edhe me të tjerët ato që keni, kur të keni, ashtu edhe kur të jeni ngushtë, do të urdhëroni për mirë dhe do t’i ndaloni të tjerët nga e keqja, do të thoni veç të drejtën dhe të vërtetën në emër të Allahut, për hir të Allahut nuk do të ankoheni për gjykimin e askujt që do t’ju gjykojë, që do të më ruani e mbroni edhe mua, ashtu siç mbroni gratë, fëmijët dhe familjet tuaja dhe do të më mbështetni deri në fund. Në këmbim të këtyre, unë ju premtoj parajsën.”

Ne shkuam menjëherë pranë tij. Ai që ishte më i riu nga të gjithë ne, Es’ad bin Zurareja preku dorën e të Dërguarit të Allahut dhe tha: “Shikoni, o banorë të Medinës! Mos u ngutni! Ne erdhëm këtu, ende pa marrë mirë frymë nga rruga, pa u ndalur askund, sepse ne besojmë që ai është i Dërguari i Allahut. Të pranojmë se do ta nxjerrim atë sot nga Meka, për ta çuar në Medinë, do të thotë t’u shpallim luftë të gjithë arabëve. Kështu, luftëtarët tanë më të mirë mund të vriten, e disa nga ne mund të mbeten të plagosur e të gjymtuar. Dilini atij në mbrojtje vetëm nëse i merrni parasysh të gjitha këto dhe do të duroni, e shpërblimin nuk ka dyshim që ka për t’jua dhënë Allahu. Nëse ka ndonjë që ka frikë për jetën e vet, të mendohet mirë dhe t’i thotë atij të vërtetën, sepse ai mund ta shpjegojë më mirë se ju justifikimin e gjendjes suaj përpara Allahut!”

Ata që ishin të pranishëm iu përgjigjën: “O Esad, largohu që aty!

Uallahi ne nuk heqim dorë nga kjo besëlidhje, e nuk do të lejojmë askënd që të na e rrëmbejë këtë zog të fatit që na ka ardhur vetë në duar!”

Me të mbaruar kjo bisedë, ne u çuam dhe iu betuam Profetit të profetëve. Ai mori garanci prej nesh dhe na shprehu disa prej kushteve që ai kishte dhe, në fund, na premtoi parajsën e amshuar, nëse ne do ta mbanim fjalën e dhënë.

Transmetimi i Ibni Is’hakut lidhur me një çështje

Kab bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “U mblodhëm në Akabe dhe po prisnim të vinte Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai erdhi bashkë me xhaxhanë e tij, Abasin. Abasi nuk ishte bërë ende mysliman. Megjithatë, ishte treguar i gatshëm, që, të paktën t’i bëhej mbështetje shpirtërore nipit të tij në ato ditë të vështira. Kur u ul i Dërguari i Allahut fjalën i pari e mori xhaxhai, Abas bin Abdulmuttalibi, e tha:

“O popull i Hazrexhit! Siç e dini, Muhamedi është i yni. Deri më sot ne e kemi ruajtur atë nga të gjithë ata që janë në një mendje me ne. Ai është shumë i çmuar për popullin e tij dhe njerëzit e respektojnë jashtë mase. Mirëpo, ç’e do se ai do që të vijë në tokat tuaja dhe të bashkohet me ju. Nëse jeni të sigurt se ju mund ta mbështetni atë në atë ku ai ju ka ftuar dhe do ta ruani kundër armiqve, atëherë unë do ta lë atë në përgjegjësinë tuaj. Por, nëse pasi të ketë ardhur tek ju, ju e dorëzoni atë tek armiqtë e tij, duke e lënë pa mbështetje materiale dhe shpirtërore, ju them se do të ishte më mirë që të hiqnit dorë që sot, sepse ai zaten është i fuqishëm edhe mes njerëzve të tij dhe të gjithë e respektojnë dhe kujdesen për të.”

“O Abas, ne i dëgjuam fjalët e tua. Fol ti, o Resulullah; na kërko ç’të duash për vete dhe në emër të Zotit, sepse ne jemi të gatshëm për çdo gjë!”

I Dërguari i Allahut foli. Na këndoi disa ajete nga Kur’ani. Na ftoi në rrugën e Allahut dhe duke na treguar bukuritë e Islamit, u përpoq të na nxisë:

“Unë dua që të lidhim besën se ju do të më ruani e do të më mbroni edhe mua ashtu siç ruani dhe mbroni gratë dhe fëmijët tuaj.” Një t’u thënë këto fjalë, ishte i pari Bera bin Ma’ruri që kapi dorën e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe tha:

“Po! Unë i betohem Allahut, që të ka dërguar ty me fenë e vërtetë, që ne do të të mbrojmë edhe ty nga rreziqet, njësoj siç ruajmë edhe veten. Të lutemi, pranojeni betimin tonë, o Resulullah! Ne të betohemi për Zotin, o Resulullah, sepse ne jemi fëmijët e luftës që na ka mbetur trashëgim prej të parëve tanë.”

Betimi i Ebu’l-Hejthemit dhe ato që u tha shokëve të tij

Urueja (radijallahu anhu) ka transmetuar: “I pari që lidhi besën me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte Ebu’l-Hejthemi bin et-Tejihani. Gjatë betimit ai tha:

“O Resulullah, ne kemi marrëdhënie dhe marrëveshje me shumë njerëz të tjerë. Ma merr mendja se kur të të ndjekim këtu, ato marrëdhënie do të prishen. Po nëse ti kthehesh te njerëzit e tu dhe ne do t’i kemi shkëputur marrëdhëniet me të tjerët, çfarë do të ndodhë nëse ata vendosin prapë të na luftojnë?”

Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) buzëqeshi me fjalët e Ebu’l-Hejthemit, duke thënë:

“Gjaku im është bashkuar me gjakun tuaj, e edhe vdekja ime ka për të qenë e lidhur me vdekjen tuaj!”

Ebu’l-Hejthemi mbeti shumë i kënaqur nga përgjigjja që i dha i Dërguari i Allahut, ndaj u kthye nga shokët e tij dhe u tha:

“O bashkësi! Ky është vërtet i Dërguari i Allahut! Unë dëshmoj se ai është Besnik dhe meriton veç besnikëri, e nuk ka asfare dyshim që ai është duke na thënë të vërtetën. Sot, ai është nën mbrojtjen e Allahut, ka garancinë e Tij, në mes të njerëzve dhe të afërmve të tij. Ta dini mirë, se nëse ju e pranoni atë me dëshirë, atëherë arabët mund të bashkohen dhe t’ju mbulojnë me shigjeta. Nëse ju e merrni parasysh këtë rrezik me vullnetin tuaj, duke e sakrifikuar gjithë ç’keni, të afërm a pasuri, atëherë ftojeni atë në qytezën tuaj dhe pranojeni në mesin tuaj. E vërteta është se ai është i Dërguari i Allahut. Nëse druheni se mos poshtëroheni dhe njerëzit fillojnë t’ju përbuzin, atëherë është më mirë që të hiqni dorë që tani!”

Mirëpo, ata dhanë një përgjigje të këtillë:

“Ne e kemi pranuar që në fillim, pa kushte, çdo detyrë që mund të na ngarkojë Allahu dhe i Dërguari i Tij. O Resulullah, ne të japim fjalën se ne do ta braktisim pa na u dridhur qerpiku çdo gjë tonën për hir të gjërave që do të na kërkosh ti! Tërhiqu, o Ebu’l-Hejthem, të lidhim besën me të Dërguarin e Allahut!”

Ebu’l-Hejthemi tregon se: “Në fillim u betova unë. Pastaj, të gjithë të tjerët me radhë, lidhën besën me të Dërguarin e Allahut.”

Fjalët që tha Abas bin Ubadeja kur lidhi besën me të Dërguarin e Allahut

Transmeton Ibni Is’haku: “Kur ensarët u mblodhën për të lidhur besën me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) Abas bin Ubade bin Nadle, nga radhët e bijve të Salimit, tha kështu:

“O popull i Hazrexhit! A dini gjë ju se për çfarë do ta lidhim besën me këtë njeri?”

“Po!”, – u përgjigjën ata.

“Ju do të lidhni besën me të, se do të luftoni me të gjithë njerëzit, me ngjyrë, apo lëkurëkuq. Unë po ju pyes: Nëse shikoni se në fund të luftës po jua marrin të gjithë plaçkën, që po ju vrasin më të fismit tuaj, a do ta dorëzonit ju atë tek armiku? Nëse do t’ju shkojë në mendje diçka e këtillë, e ta poshtëroni veten, si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën, atëherë është më mirë që të hiqni dorë që tani. Përndryshe, nëse do të pranonit që të qëndronit në anën e tij edhe sikur të humbnit deri edhe gjithë plaçkën, apo t’jua vrisnin të gjithë më të fismit tuaj, atëherë më e mira për ju është që t’i dilni zot që sot. Uallahi, përkrahja dhe mbështetja e tij sot është puna më e mbarë që mund të bëhet në emër të kësaj bote dhe në emër të amshimit.”

“Ne do t’ia hapim krahët atij dhe do t’i bëhemi krah e do ta mbrojmë me çdo kusht, edhe sikur ta humbim gjithë ç’kemi, dhe të na vriten të gjithë njerëzit që duam më së shumti!”, – thanë ata dhe iu drejtuan të Dërguarit të Allahut:

“O Resulullah, po nëse ne e mbajmë fjalën, cili është premtimi i Zotit për ne?”

“Xheneti!”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut.

“Atëherë, zgjateni dorën, o i Dërguari i Allahut!”

I Dërguari i Allahut zgjati dorën dhe ata lidhën besën me të.”

Në një tjetër transmetim të Ibni Is’hakut gjendet edhe një tjetër e dhënë shtesë: “Në përmbyllje të lidhjes së besës, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tha atyre:

“Hajdeni, tani shkoni pranë kuajve dhe deveve tuaja!” Abas bin Ubadeja i deklaroi:

“O i Dërguari i Allahut! Unë të betohem për Allahun që të dërgoi ty me fenë e vërtetë, se po të na thuash ti, ne mund t’i mprehim shpatat dhe që nesër na ke mbi popullin e Minasë!”

“Jo! Ne nuk na është urdhëruar të sillemi kështu, kështu që kthehuni tani te kafshët tuaja të rrugës!”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut.

5. LIDHJA E BESËS PËR TË LUFTUAR

Enesi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Para se të fillonte lufta e Hendekut, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) doli të ecte drejt zonës ku po punonin sahabët. Ç’të shihte! Muhaxhirët dhe ensarët ishin duke hapur një hendek në atë të ftohtë të mëngjesit. Dhe nuk kishin asnjë ndihmës që t’i ndihmonte! Kur pa vështirësitë që po kalonin dhe e dinte që ishin të uritur, Ai filloi të lutej:

“O Zot! Jetë e vërtetë është jeta e përtejme; Fali Ti muhaxhirët dhe ensarët!” Ndërsa ata që ishin aty të pranishëm, iu përgjigjën kështu të Dërguarit të Allahut:

“Ne i jemi betuar Muhamedit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) se për sa të kemi jetë nuk do të reshtim kurrë së luftuari për të.”

6. LIDHJA E BESËS SE DO T’I DËGJOJNË FJALËN DHE DO T’I BINDEN

Fjalët e Ubade bin Samitit (r.a.)

Ubejdullah bin Rafiu (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Na kishin sjellë fuçitë e verës. Aty ishte edhe Ubade bin Samiti. Ubadeja i shpoi ato dhe tha:

“Ne kemi dhënë besën se do t’i bindemi Allahut dhe të Dërguarit të Tij, si në rini, ashtu edhe në pleqëri, do të shpenzojmë në rrugën e Allahut, si kur të jemi mirë, edhe kur të jemi ngushtë, do të urdhërojmë të bëhet e mira, do t’i pengojmë keqbërësit nga e keqja, do të themi vetëm të vërtetën për hir të Allahut dhe nuk do t’i trembemi gjykimit të njerëzve që do të na gjykojnë, do ta ruajmë të Dërguarin Fisnik dhe do ta mbështesim me çdo çmim, ndaj çdo lloj rreziku, nëse ai na nderon me ardhjen e tij në Medinë, ashtu siç ruajmë e mbështesim gratë dhe fëmijët tanë. Dhe, në këmbim të kësaj, ai na premtoi parajsën. Ja, këto janë të gjitha pika për të cilat ne kemi lidhur besën me Profetin tonë.”

Veçmas, në transmetimin që bën Ibni Is’haku lidhur me këtë hadith, do të vërejmë edhe disa fraza ndryshe: “Ubadeja (radijallahu anhu) ka thënë se:

“Ne i jemi betuar Profetit tonë, njësoj siç janë betuar ata që kanë shkuar në luftë, se do t’ia dëgjojmë fjalën dhe do t’i bindemi, si në skamje, ashtu edhe në pasuri, si në ditë të lehta, ashtu edhe në ditë të vështira, edhe sikur ai të zgjedhë të tjerët përpara nesh, nuk do të përplasemi e nuk do të grindemi me udhëheqësit, do të themi vetëm të vërtetën, pavarësisht vendit dhe situatës ku do të gjendemi dhe se nuk do t’i trembemi asnjë gjykimi të njerëzve që do të na gjykojnë.”

7. BETIMI I GRAVE TË ENSARËVE, KUR PROFETI YNË SHKELI NË MEDINË

Tregon Umu Atija (radijallahu anha): Kur erdhi Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në Medinë, kërkoi që të gjitha gratë e ensarëve të mblidheshin në një shtëpi. Pastaj dërgoi tek to Omer bin Hatabin (radijallahu anhu). Omeri (radijallahu anhu) shkoi dhe qëndroi te porta e shtëpisë. I përshëndeti gratë dhe ato e pranuan përshëndetjen e Omerit.

“Mua më ka dërguar i Dërguari i Allahut.”, – u tha Omeri atyre.

“Përshëndetjet më të mira për të Dërguarin e Allahut dhe për mëkëmbësin e të Dërguarit të Allahut!”, – u përgjigjën gratë njëzëri.

“A do të betoheni se nuk do të mbani asgjë të barabartë me Zotin, nuk do të vidhni, nuk do të kryeni zina, nuk do t’i vrisni fëmijët, nuk do të gënjeni nga hiçi, duke shpifur për njerëzit, nuk do t’ia ngarkoni bashkëshortëve tuaj një fëmijë të gjetur e nuk do të bëni një fëmijë jashtë martese e t’ia ngarkoni edhe atë burrave tuaj dhe nuk do të ngrini krye për asgjë të mirë që do t’ju kërkohet?” - “Po, betohemi!”, – u përgjigjën ato.

Pas kësaj, Omeri (radijallahu anhu) zgjati dorën nga jashtë portës. Edhe gratë nxorën duart e tyre (njësoj sikur të ishin duke rënë dakord në një marrëveshje). Omeri (radijallahu anhu) iu drejtua Allahut: “O Allah, ji Ti dëshmitari im.”

“Për vajzat e reja që u kanë filluar zakonet dhe vajzat e reja që sapo janë rritur, u është dhënë leje të dalin gjatë dy bajrameve. Ju është ndaluar pjesëmarrja në varrim. E nuk na është caktuar si detyrim as falja e namazit të xhumasë. Megjithatë, o Omer, çfarë do të na thuash me këtë, “që nuk do të ngrini krye?”, – e pyetën ato Omerin.

“Të ngresh krye do të thotë të qash pas të vdekurit, duke e vajtuar me ligje.”

Tezja e Profetit tonë dhe Selma binti Kajsi (radijallahu anha), nga gratë e bijve të Adij bin Nexharit, që kishte falur namaz duke u drejtuar nga të dyja kiblet, ka thënë:

“Shkova te Resulullahu. Iu betova bashkë me një bashkësi grash të tjera të ensarëve. Ai na vuri si kusht të betimit se nuk do t’i bënim Allahut asnjë send si shok, nuk do të vidhnim, do të ruheshim prej zinasë, nuk do t’i vrisnim fëmijët, nuk do të shpifnim për askënd dhe nuk do të kundërshtonim për asnjë punë të mirë që do të na thuhej, si edhe na tha që ‘të mos i tradhtonim burrat’.” Edhe ne i dhamë fjalën, duke lidhur besën. Pastaj, kur po ktheheshim për në shtëpi, unë i thashë njërës nga gratë:

“Shko njëherë dhe pyete të Dërguarin e Allahut, se çfarë do të thotë ‘të tradhtosh burrin’, që ta mësojmë.”

Ajo grua ashtu bëri, shkoi dhe e pyeti, ndërsa i Dërguari i Allahut iu përgjigj, duke i thënë:

“Të marrësh atë që i përket burrit tënd, pa dijeninë e tij, dhe t’ia japësh dikujt tjetër pa asnjë përfitim.”

Vajza e Ubejd bin Harithit, Gufejleja (Akijle) tregon: “Nëna jonë, Karireja, bashkë me disa nga gratë e muhaxhirëve shkuan te Profeti ynë dhe lidhën besë me të. I Dërguari i Allahut gjendej në çadrën që ishte ngritur në Abtah enkas për të. Ai e pranoi besimin tonë pasi na lexoi një ajet nga sureja “Mumtehine”:

“O Profet, nëse vijnë tek ti besimtaret e të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të kurvërojnë, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t’i falë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Mumtehine, 60/12)

Kur ne e pranuam kushtin e tij dhe i zgjatëm duart, ai tha: “Unë nuk ua jap dorën grave të huaja.” Ai iu lut Allahut që të na falte. Kështu u betuam ne.”

Umejmeja, e bija e Rukajkës, ka thënë kështu: “Bashkë me disa gra të tjera, patëm shkuar te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për të lidhur besë. Ne i thamë:

“O Resulullah, ne kemi ardhur të të betohemi se nuk do t’i bëjmë asnjë shok a ortak Allahut, nuk do të vjedhim, nuk do të bëjmë zina, nuk do t’i vrasim fëmijët, nuk do të shpifim, nuk do të kundërshtojmë për asnjë lloj të mire që do të bëhet a që do të na kërkohet!” - “Për aq sa të keni fuqi.”, – na tha i Dërguari i Allahut.

Ndërsa ne i thamë:

“Vërtet, Allahu dhe i Dërguari i Tij janë shumë herë më të mëshirshëm se ne! O Resulullah, zgjate dorën që edhe ne të të shprehim besnikërinë tonë!”

“Unë nuk ua jap dorën grave, e fjala ime e dhënë ndaj njëqind grave është njësoj si fjala që i kam dhënë një gruaje të vetme.”

Betimi i Umejme binti Rukajkës kur ajo u bë myslimane

Abdullah bin Amri (radijallahu anhu) tregon: “Umejme binti Rukajka erdhi te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), për t’u bërë myslimane, dhe i kërkoi atij që ta lejonte që ajo t’i betohej. I Dërguari i Allahut iu përgjigj:

“Do ta pranoj betimin tënd me kushtin që nuk do t’i bësh Zotit asnjë shok a ortak, nuk do të vjedhësh, nuk do të bësh zina, nuk do t’i vrasësh fëmijët, nuk do të shpifësh, nuk do t’i vajtosh (me ligje) të vdekurit e tu, e nuk do të dalësh jashtë të shëtisësh e hapur dhe e pambuluar, siç bënin gratë në kohën e injorancës.”

8. LIDHJA E BESËS ME FËMIJËT QË NUK E KISHIN ARRITUR ENDE MOSHËN E PUBERTETIT

Një prej nipave të Husejnit (radijallahu anhu), Muhamed bin Aliu, transmeton: “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) lidhi besën me Hasanin, Husejnin, Abdullah bin Abasin dhe Abdullah bin Xhaferin, të cilit ishin ende fëmijë dhe që nuk u kishte dalë ende mjekra. Përveç fëmijëve të Ehli Bejtit (Pjesëtarët e familjes së bekuar), nuk është parë që ai të bëjë ndonjë besëlidhje tjetër, të veçantë, me fëmijë të tjerë.”

Taberaniu transmeton: “Abdullah bin Zubejri me Abdullah bin Xhaferin (radijallahu anhuma), kur lidhën besën me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishin ende shtatë vjeç. I Dërguari i Allahut, kur i pa, buzëqeshi, u zgjati dorën dhe ua pranoi betimin.”

9. LIDHJA E BESËS SË SAHABËVE ME KALIFËT

Sahabët i betohen Ebu Bekrit (r.a.)

Ibrahim bin Munteshiri ka përcjellë: “Kur Allahu i Madhërishëm pati zbritur ajetin, “Ata që janë betuar për besnikëri, në të vërtetë, i janë betuar për besnikëri Allahut.” (Fet’h, 48/10), me besëlidhje, betim, a lidhje të besës do të thoshte t’i jepje fjalën Allahut dhe t’i bindeshe Allahut me besnikëri. Kurse kur ishte Ebu Bekri (radijallahu anhu) që i pranonte betimet, ai thoshte: “Betohuni se do të më bindeni mua, për aq kohë sa unë do t’i bindem Allahut të Madhërishëm!” Ndërsa betimi që i bëhej Omerit (radijallahu anhu) dhe të gjithë kalifëve pas tij, ishte po i njëjti betim që ishte bërë edhe me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).

Ibni Afifi (radijallahu anhu) ka treguar: “Pasi u nda nga jeta i Dërguari i Allahut, pashë Ebu Bekrin (radijallahu anhu). Po pranonte betimet e njerëzve dhe po u thoshte njerëzve që i ishin mbledhur përreth:

“A betoheni, duke dhënë fjalën se do ta dëgjoni Allahun dhe Librin e Tij, Kur’anin, e do t’i bindeni atij, pastaj do ta dëgjoni e do t’i bindeni edhe kalifit të tyre?”

Ata iu përgjigjën të gjithë njëzëri:

“Po!”

Mandej, ai u ngrit në këmbë dhe ata lidhën besën me njëri-tjetrin me radhë.

Qëndrova pranë tij për njëfarë kohe dhe e ndoqa me kujdes. Në atë kohë sapo kisha hyrë në moshën e adoleshencës ose, ndoshta, ka gjasa të kem qenë pak më i madh. Kur mësova kushtet dhe kërkesat që kishin njerëzit teksa betoheshin, shkova pranë Ebu Bekrit (radijallahu anhu) dhe i thashë:

“Unë betohem se më parë do të dëgjoj e do t’i bindem Allahut dhe Librit të Tij, pastaj do t’u dëgjoj fjalën e do t’u bindem atyre që na drejtojnë.”

Më pa njëherë me kujdes, sikur donte të më peshonte me shikim, pastaj i uli sytë përtokë. E kuptova që kishte mbetur shumë i kënaqur nga ai betim i imi.

Shënimet

  1. 183.. Ndoshta këtu qëllimi duhet të ketë qenë ky ajet: “O Profet, nëse vijnë tek ti besimtaret e të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të kurvërojnë, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t’i falë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Mumtehine, 60/12)
  2. 184.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/40 (9856).
  3. 185.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/318.
  4. 186.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/281 (36865).
  5. 187.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/529 (2365).
  6. 188.. Muslim, Sahih, 2/721 (1043).
  7. 189.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/530 (1516).
  8. 190.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/531 (1519).
  9. 191.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/531 (1521).
  10. 192.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/150.
  11. 193.. Bejheki, Sunen, 9/16 (17547).
  12. 194.. Buhari, Sahih, 3/1086 (2802).
  13. 195.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/322 (14496).
  14. 196.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/56 (9885).
  15. 197.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/162.
  16. 198.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/164.
  17. 199.. Buhari, Sahih, 4/1504 (3874).
  18. 200.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/163.
  19. 201.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/42 (9864).
  20. 202.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/42 (9863).
  21. 203.. Ibn Kethir, Tefsir, 4/353.
  22. 204.. Ibni Haxher, el-Isabe, 4/240.
  23. 205.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/41.
  24. 206.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/46 (9875).
  25. 207.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/466 (3402).
  26. 208.. Ibn Haxher, el-Isabe, 3/458.
  27. 209.. Bejheki, Sunen, 8/146 (16339).