JETA E SAHABËVE 1
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
FTESA, THIRRJA PËR TEK ALLAHU DHE I DËRGUARI I TIJ
Si u bë ftesa e njerëzve për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, puna më e dashur, si për Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ashtu edhe për sahabët e tij? Sa shumë e dëshironin ata që njerëzit të hynin në rrugën e drejtë, të pranonin fenë e Allahut, duke u përfshirë kësisoj tërësej në mëshirën e Tij? Çfarë përpjekjesh bënë ata, për t’i bërë njerëzit që të njihnin Allahun, më të Drejtin e të Vërtetin?
1. DASHURIA PËR T’U TREGUAR NJERËZVE PËR MË TË DREJTIN
Si i Dërguari i Allahut digjej si qiriri, vetëm që njerëzit të besonin
Krenaria e Gjithësisë donte shumë që të gjithë njerëzit të besonin dhe t’i bindeshin Allahut, Atij që është më i Drejti dhe më i Vërteti. Ja se si e përshkruan ajeti kur’anor këtë dëshirë të tyren. “Duket sikur do të hash veten nga mërzia pse njerëzit nuk po besojnë. Po të donim, ne u zbritnim atyre një mrekulli të atillë prej qiellit, që duan s’duan do të binden.” (Shu’ara, 26/3-4) Vetëm se, Allahu, me këtë ajet, tha: “Disa njerëz janë fatkëqinj, e disa të tjerë janë të lumtur.” (Hud, 11/105). Në përmasën e kaderit, disa janë të përshtatshëm për të besuar, e disa të tjerë janë shumë larg prej tij, ndaj edhe janë fatkëqij.
Thirrja që i bëri Resulullahu fisit të tij kur vdiq xhaxhai i Tij, Ebu Talibi
Kur Ebu Talibi u sëmur, një grup nga kurejshët, i përbërë nga Utbe bin Rebia, Shejbe bin Rabia, Ebu Xhehl bin Hishami, Umeje bin Halefi dhe Ebu Sufjan bin Harbi, erdhën pranë dhe i folën Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) duke i thënë: “Nipi juaj po i shan zotat tanë, madje nuk ka lënë gjë pa u bërë dhe pa thënë për ta. Sikur ta qortoni dhe ai të heqë dorë nga kjo punë. O Ebu Talib! Ti je i yni. Tani ti je duke vdekur, dhe ne jemi shumë të shqetësuar për ty. Ti e di shumë mirë problemin që ne kemi me nipin tënd. Thirre dhe kërkoji atij që të të japë fjalën. Të mos ngatërrohet më me ne, e as ne nuk do të ngatërrohemi me të. Të mos merret me fenë tonë, e as ne nuk do të ngatërrohemi me fenë e tij.” Pasi i dëgjoi, Ebu Talibi dërgoi fjalë që t’a thërrisnin nipin e tij, Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). I Dërguari i Allahut erdhi menjëherë. Në mes të të gjithë atyre që ishin të pranishëm dhe xhaxhait të Tij kishte vend sa për t’u ulur veç një njeri i vetëm. Që i Dërguari i Allahut të mos ulej pranë Ebu Talibit, Ebu Xhehli e zuri menjëherë atë vend, duke e penguar kësisoj Profetin e nderuar (alejhis’selam) të ulej pranë xhaxhait të vet. Sepse, nëse Resulullahu do të ulej në atë vend, xhaxhait do t’i vinte keq për nipin dhe sakaq mund të shpallte edhe ai besimin në Islam. Edhe i Dërguari i Allahut, kur pa se nuk kishte ndopak vend që Ai të mund të ulej diku pranë xhaxhait, u ul pranë derës. Ebu Talibi i tha: “Nipi im! Ç’është ky shqetësim i fisit për ty? Më thonë se nuk ke lënë fjalë të keqe pa thënë për zotat tanë.”
Sipas një transmetimi tjetër, Ebu Talibi i pati thënë këto fjalë të Dërguarit të Allahut, duke na treguar se ajo bisedë ka qenë më prekëse: “Shiko, o biri i tim vëllai! Që kurse të kam njohur ti kurrë nuk e ke
kursyer respektin ndaj meje. Por, këta njerëz që kanë ardhur këtu, më thonë se ti shkon në Qabe dhe thua fjalë të rënda për të gjithë. Si thua, sikur të heqësh dorë nga kjo punë, hë si thua, nipi im!” Krenaria e Gjithësisë i pati ngritur sytë drejt qiellit dhe i pati thënë xhaxhait:
“Ju betohem, se ashtu siç ju nuk keni fuqi as për të kapur qoftë edhe një rreze të vetme të këtij dielli, as unë nuk kam fuqi, pasi nuk është në dorën time, që të heq dorë nga kjo detyrë e profetësisë që Zoti më ka ngarkuar mbi supe.”
Ndërsa, sipas një transmetimi tjetër Ebu Talibi i ka thënë:
“Nipi im! Diç më thanë këta njerëz që kanë ardhur tek unë. Të lutem, të të vijë pak keq edhe për mua, edhe për veten! Mos më ngarko mua me një barrë, për të cilën nuk kemi fuqi që ta përballojmë! Hiq dorë nga të folurit e fjalëve që nuk u pëlqejnë njerëzve të popullit tonë!”
Aty, kur dëgjoi këto fjalë nga goja e xhaxhait të Tij, të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) seç e kaploi një ndjesi se ai po i thosh se nuk do të ishte më i gatshëm për ta ndihmuar, duke e lënë kështu pa kurrfarë mbështetjeje, ndaj iu përgjigj me këto fjalë: “O Xhaxhai im! Sikur të ma vënë diellin në të djathtën dhe hënën të ma vënë në të majtën, unë nuk heq kurrë dorë nga misioni im. Deri në atë ditë, kur ose Allahu do të shpallë ngadhënjimin e fesë së Tij, ose unë do të vdes në këtë rrugë.” Mandej Krenarisë së Njerëzimit iu mbushën sytë me lot dhe filloi të qante.
Në atë kohë, paria e Kurejshëve që ishte e pranishme aty filluan të thoshin gjithfarë fjalësh kundër Profetit të Gjithësisë. Disa prej tyre thanë: “Ore! Nëse ke nevojë për ndonjë gjë, na thuaj, të mbledhim pasuri për ty sa të duash; të bëhesh ti më i pasuri i mbarë Kurejshëve! Nëse do që të kesh shumë gra, eja dhe zgjidh kë të duash prej grave, eja, po të duash, të të martojmë me dhjetë prej tyre njëkohësisht!”
“Shiko, kushëriri im! Në mesin e familjes sonë ti je një njeri i zakonshëm; por në sytë e mi ti qëndron mbi të gjithë ne. Por, me sa po më shohin sytë, ti po përpiqesh që të futësh në mes të njerëzve tanë një ngatërresë të atillë, që deri më sot askush nuk ka guxuar që ta bëjë. Nëse, me këto që thua, qëllim ke që të bëhesh i pasur, populli është i gatshëm që të bëjë ç’të jetë e mundur për ty, e mund të bëhesh ti më i pasuri ndër të gjithë ne. Nëse është nderi ai që kërkon, na thuaj e ne do të të ofrojmë ç’pozicion që të duash, madje jemi të gatshëm të të ofrojmë edhe atë më të lartin. Edhe nëse të kanë goditur shpirtrat e këqinj, e prandaj i thua të gjitha këto dhe e ke shumë të vështirë që të shpëtosh prej tyre, ne jemi gati që ta sakrifikojmë gjithçka, për të të kuruar, që vetëm ti të shpëtosh. Por jo, nëse dëshira e qëllimi yt është të bëhesh mbret, atëherë ne jemi gati që të të bëjmë edhe mbret.” – i pati thënë Utbe bin Rebia.
Ndërkaq, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) nuk iu përgjigj fjalëve të tyre, por u këndoi nga sureja “Fussilet” deri në ajetin e tridhjeteshtatë të saj.
Resulullahu u kthye sërish nga xhaxhai i Tij dhe i tha: “Unë ata po i ftoj në një fjalë, që nëse ata e thonë atë me sinqeritet, duke e pranuar, kjo do t’i bëjë ata që të gjithë arabët dhe të gjithë axhemët (të huajt) t’i paguajnë xhizje.
Grupi i kurejshëve, e dinin se me atë fjalë Ai kishte parasysh fjalën e dëshmisë së njëjësisë së Zotit, ndaj zunë menjëherë të ulërinin: “Ç’na qenkësh! Vetëm një fjalë e vetme! Të mos guxosh të na e zësh më në gojë atë fjalë! Për hir të babait tënd, ne bashkohemi rreth çdo fjale tjetër që ti mund të na kërkosh ta pranojmë, por për këtë jo.” Përplasnin duart të gjithë dhe kundërshtonin. Ebu Talibi, i cili i pati dëgjuar të gjitha sa u thanë, u drejtua edhe njëherë nga i nipi dhe e pyeti: “E ç’fjalë është kjo, o nipi im?” Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu përgjigj duke thënë: “La ilahe il’lallah”. Me të dëgjuar atë fjalë, grupi i kurejshëve, të mbërthyer nga një shqetësim çmeritës, si të zënë në panik, u çuan menjëherë vendit. U çuan dhe thanë: “I është ngulitur në mendje, do që t’i shndërrojë tërë ata zota në një të vetëm! Kjo është për t’u habitur, është e çuditshme!” (Sad, 38/5) Kur e kuptuan se nuk mund të arrinin asgjë prej Profetit tonë të nderuar, u larguan të gjithë. Ebu Talibi i foli nipit të tij: “Nipi im! Më beso, ti nuk u the atyre asgjë që e kalon cakun!” Profeti ynë, duke menduar se nëse do t’i fliste xhaxhait të tij që e donte aq shumë, në ato çaste, ai do të pranonte e do të besonte, ndaj i tha: “Xhaxha, atëherë thuaje edhe ti atë fjalë, në mënyrë që, në ditën e kiametit, unë të mund të hyj si ndërmjetës për ty.” Ebu Talibi e kuptoi mjaft mirë se me sa përzemërsi po ia thoshte këto fjalë nipi i tij i drejtë, dhe iu përgjigj:
“Nipi im, sikur të mos kisha frikë se ata mund të të bëjnë keq ty dhe njerëzve pranë teje dhe të mos druhesha prej fjalëve që do të thoshin kurejshët, se “e pranoi atë fjalë ngase pati frikë nga vdekja, do ta kisha thënë atë fjalë, qoftë edhe vetëm për të të gëzuar ty.”
Në një transmetim tjetër, Profeti ynë i dashur është afruar pranë xhaxhait të Tij që ishte në çastet e fundit në këtë jetë. Aty ka qenë i pranishëm edhe Ebu Xhehli. Resulullahu i ka thënë: “Xhaxha, eja, thuaje fjalën e dëshmisë, në mënyrë që unë të mund të të mbroj përpara Zotit.”
Ebu Xhehli dhe idhujtarët e tjerë, ushtronin vazhdimisht trysni mbi Ebu Talibin, duke i thënë: “Si, po heq dorë nga feja jote?” Vetëm kur u tha: “Jo, unë po vdes në fenë e Abdulmutalibit”, ata u qetësuan dhe e lanë të qetë. I Dërguari i Zotit, me zemrën të plagosur, nuk tha gjë tjetër, pos fjalëve: “Gjersa të më ndalohet, do të vazhdoj t’i lutem Zotit, që Ai të të falë.” Më vonë, u zbritën ajetet, “Nuk i takon të
Dërguarit dhe besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët, qofshin këta edhe të afërmit e tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të Xhehenemit.” (Teube, 9/113) dhe “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.” (Kasas, 28/56)
Këmbëngulja e të Dërguarit të Allahut dhe e sahabëve në thirrjen e njerëzve për tek e drejta dhe e vërteta
I Dërguari i Allahut (alejhis’selam) ishte nisur për luftë nga Medina për në Hudejbije. Teksa udhëtonin, përpara u doli Budejl bin Uerkaja, së bashku me një grup nga fisi i Hudhaave. Hudhaatët bënin pjesë në fiset Tihame dhe ishin miq dhe ndanin të njëjtat të fshehta me të Dërguarin e Allahut.
Budejli shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha se kishte parë familjet mekase të Kab bin Luejit dhe Amir bin Luejit, të cilit kishin marrë devetë e tyre me qumësht bashkë me të vegjël dhe kishin zënë vend në ujërat e Hudejbijes. Ata kanë ndërmend të luftojnë me Ty. Druhem mos të pengojnë e nuk të lënë që ta vizitosh Shtëpinë e Allahut! Resulullahu (alejhis’salatu ues’selam) e dëgjoi dhe tha këto fjalë:
“Ne nuk kemi ardhur këtu për të luftuar me askënd. Ne kemi ardhur për të kryer umren! Por, me sa duket, kurejshëve u ka hyrë në gjak të luftuarit, megjithëse kanë pësuar shumë dëme nga lufta. Nëse duan, unë mund të bëj paqe me ta e t’u jap kohë, ndërsa ata do të tërhiqen e nuk do të më pengojnë që të takohem me njerëzit e tjerë. Nëse unë dal fitimtar mbi të tjerët, atëherë kurejshët, po të duan, mund të vendosin që të bëjnë paqe me mua me dëshirën e tyre. Nëse nuk dal unë fitimtar, atëherë kurejshët shpëtojnë nga mundimi për të luftuar me mua, dhe dalin sakaq më të fituar. Por ka edhe diçka, se nëse kurejshët do ta kundërshtojnë edhe këtë propozim që unë po u bëj, atëherë ju betohem për Allahun, në duart e të Cilit është shpirti im, se, për misionin tim, unë do të luftoj me ta derisa koka të më ndahet prej trupit e të vdes. Sepse, nuk ka dyshim, se Allahu do ta përmbushë premtimin e Tij, që ky mision që më ka ngarkuar mua një ditë do të përmbushet.”
Profeti me nam tha: “Turp për kurejshët. I paska brejtur nga brenda ambicia e tepruar për të luftuar. Po çfarë kanë kështu vallë! Nëse arabët e tjerë do të dalin fitimtarë kundër meje, ata do ta kenë arritur qëllimin e tyre pa u munduar fare. Nëse Allahu më bën mua që të ngadhënjej mbi ata njerëz, atëherë njerëzit do të pranojnë Islamin të gjithë. Nëse nuk pranojnë, atëherë mund të mbledhin sërish forcat dhe të luftojnë edhe njëherë. Çfarë pandehin kurejshët? Betohem tek Allahu, i Vërteti, se ose do të luftoj derisa Zoti të më nxjerrë ngadhënjimtar në këtë të vërtetë të Islamit, ose kjo kokë do të ndahet prej trupit tim. Ose do të sundojë e drejta, ose ne do të vdesim të gjithë!”
Gjatë rrethimit të kështjellës së Hajberit, kur ngadhënjimi mbi kështjellën po zgjaste, Krenaria e Gjithësisë tha këto fjalë: “Nesër, flamurin do t’ia jap një njeriu të atillë, që me duart e tij Allahu ka për të na e mundësuar ngadhënjimin. Ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan atë.” Atë natë të gjithë e kaluan duke folur se kush do të ishte ai njeri i veçantë që do të merrte flamurin. Të gjithë mezi e pritën atë agim, duke shpresuar secili që të ishte ai që do t’i jepej flamuri dhe kur mbërritën pranë Krenarisë së Gjithësisë, Resulullahu filloi t’u fliste: “Ku është Aliu?” Sahabët thanë: “Ai është sëmurë nga sytë.” “Dërgoni dikë që ta thërrasë.”, – tha i Dërguari i Allahut. Më në fund, Aliu erdhi. Prijësi i Profetëve, mori pak pështymë nga goja e Tij e bekuar dhe me të ia fërkoi sytë Aliut, duke u lutur. Aliut iu shëruan sytë, sikur të mos kishte pasur asnjë dhimbje deri në ato çaste. Profeti ynë ia dorëzoi atij flamurin. Aliu i nderuar (r.a.) e mori flamurin dhe tha:
“O i Dërguar i Allahut! Do të mundem me hebrenjtë e Hajberit derisa ata të bëhen të gjithë myslimanë.” Resulullahu (s.a.s.) e dëgjoi dhe i tha:
“O Ali! Sillu me maturi dhe tregohu i qetë derisa të zbresësh në fushën e hajberasve dhe të ngresh çadrën tënde. Mandej ftoji ata në Islam dhe lajmëroi ata për atë që Allahu na e ka shpallur të domosdoshme nëpërmjet Islamit. Të betohem për Allahun, se nëse Allahu i tregon përmes teje rrugën e drejtë qoftë edhe një njeriu të vetëm, kjo për ty do të jetë më e mirë e më e hairit se sa të merrje shumë deve të kuqe.”
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Gjatë ngadhënjimit mbi qytetin e Tusterit (Shushter) në Iran, Ebu Musa el-Eshariu më solli mua pranë Omerit (radijallahu anhu). Asokohe gjashtë njerëz nga familja e Bekr bin Uailit kishin hequr dorë nga Islami dhe ishin përfshirë në radhët e idhujtarëve. Omeri (radijallahu anhu) më pyeti: “Në ç’gjendje është ai grupi i të larguarve nga feja?”
Unë iu përgjigja: “O i pari i besimtarëve, ata janë një grup që u larguan prej Islamit, për t’u bashkuar me idhujtarët. Nuk kemi se ç’të bëjmë me ta, ndaj duhet t’i vrasim.” Omeri (radijallahu anhu) tha:
“Nëse i kap ata të gjallë, shëndoshë e mirë, kjo do të jetë më e vyer se sa i gjithë floriri dhe argjendi që ndriçohet nga drita e atij dielli.”
“O i pari i besimtarëve! Nëse do t’i kapje, çfarë do t’u bëje?”, – e pyeta sërish.
“Do t’i ftoja që të ktheheshin dhe të hynin sërish nga ajo portë që dolën njëherë. Nëse do të kthenin, do ta pranoja kthimin e tyre. Në të kundërt, do t’i mbyllja në burg.”, – m’u përgjigj.
Durimi që ka treguar i Dërguari i Allahut teksa ftonte Hakem bin Kejsanin në Islam
Mikdad bin Amri (radijallahu anhu) tregon: Hakem bin Kejsanin e pata marrë peng. Komandanti ynë donte ta vriste. Unë i thashë: “Ma lër mua, ta çoj tek i Dërguari i Allahut” - dhe e çuam. Resulullahu filloi t’i bënte thirrje atij që të hynte në Islam. Këmbëngulte vazhdimisht, që të besonte edhe ai. Mikdad bin Amri ndërhyri: “O i Dërguari i Allahut, po pse flet kaq gjatë me këtë njeri? Ky nuk e pranon kurrë Islamin. Ma lër mua, t’ia fluturoj kokën nga trupi dhe të shkojë të rrokulliset në fund të Xhehenemit!” Krenaria e Gjithësisë (paqja e Zotit qoftë mbi Të) nuk i kushtoi shumë rëndësi këtij propozimi të Mikdad bin Amrit. Në fund, Hakem bin Kejsani u bë mysliman. Mikdad bin Amri, një të parë se edhe Hakemi u bë mysliman, u ndje në turp për sjelljen që kishte shfaqur përpara të Dërguarit të Allahut dhe tha me vete: “Si guxova unë t’i dilja kundër Resulullahut, i Cili i di gjërat shumë më mirë se unë!” - Më vonë, Mikdadi, për shkak edhe të ndjeshmërisë së lartë që kishte për punët e fesë, e ka menduar shumë herë këtë kundërshtim ndaj të Dërguarit të Allahut dhe ka dashur që të qetësojë veten njëfarësoj.
Mikdad bin Amri ka thënë: “Hakemi pranoi Islamin si fe dhe u bë mysliman. Madje ai u bë një mysliman shumë i mirë. Luftoi në rrugën e Allahut, deri në ditën që ra edhe dëshmor gjatë luftës së Bi’ri Meunes. I Dërguari i Allahut (alejhis’selam) ishte shumë i kënaqur me të dhe kështu ai u përfshi në mesin e banorëve të Xhenetit.”
Si u bë mysliman Uahshiu, nga dora e të cilit ra dëshmor Hamzai (r.a.)
Uahshiu, pasi vrau Hamzanë (radijallahu anhu) dhe ky i fundit hyri në radhët e dëshmorëve, u kthye për në Mekë. Kur myslimanët ngadhënjyen mbi Mekën, ai u arratis në Taif. Por edhe banorët e Taifit kishin filluar të shkonin të gjithë për të pranuar Islamin. Nuk kishte ngelur më asnjë vend ku të mund të fshihej Uahshiu.
Krenaria e Gjithësisë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dërgoi lajm se ai e ftonte Uahshiun që të pranonte fenë islame dhe të bëhej mysliman. Ndërsa Uahshiu i ktheu këtë përgjigje të Dërguarit të Allahut: “O Muhamed! Si është e mundur që ti më fton mua të pranoj Islamin? Ata që i bëjnë shirk Allahut [shirk ~ t’i bësh Zotit bashkëshoqërim, apo ortakëri, në krijim dhe në adhurim], që vrasin padrejtësisht një jetë të pafajshme dhe bëjnë zina do të vuajnë dënimin e tyre. Në ditën e Kiametit, kur të vijë çasti i asaj përballjeje të madhe, ndëshkimi i tyre do të jetë i shumëfishtë e ata do të qëndrojnë në të, të mbërthyer nga vuajtjet dhe poshtërimi. E unë i kam bërë të gjitha këto. A mund të ketë shpëtim për një njeri si unë?” Menjëherë pas kësaj, Allahu (xhel’le xhelaluhu) zbriti këtë ajet: “Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Furkan, 25/70)
Kur mori vesh këto fjalë, Uahshiu tha: “O Muhamed! ‘Të kthesh e të besosh dhe të bësh punë të mira’ është një kusht shumë i rëndë për mua. Po të jetë për mua unë nuk mendoj se mund ta përballoj dot diçka të këtillë.”
Fill pas kësaj përgjigjeje pati zbritur edhe një tjetër ajet: “Vërtet,
Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të tmerrshëm.” (Nisa, 4/48)
Prapëseprapë, Uahshiu, megjithëse e dëgjoi ajetin, i ktheu përgjigje Profetit tonë të nderuar: “O Muhamed! Çfarë mendimi ke ti për këtë çështje? Të falurit varet nga urtësia dhe vullneti i Allahut. Nuk e di; a më fal, apo nuk më fal Ai mua?” – kësisoj duke e pyetur të Dërguarin e Allahut. Edhe për këtë zbriti menjëherë një ajet tjetër, në të cilin thuhej: “Thuaj: ‘O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.’” (Zumer, 39/53)
Uahshiu kishte marrë pikërisht përgjigjen që po kërkonte. U bë menjëherë mysliman. Madje disa njerëz thanë: “O i Dërguari i Allahut! Edhe ne kemi bërë të këqija njësoj si Uahshiu. A janë të vlefshme edhe për ne këto kushte?”
- “Këto kushte janë të vlefshme për të gjithë myslimanët.”, – u përgjigj
Krenaria e Gjithësisë.
Kur Fatimja (r.a.) zuri të qajë nga vështirësitë që kishte gjatë kohës që Resulullahu ftonte njerëzit në besim
Ebu Thalebe el-Husheniu tregon: “I Dërguari i Allahut
(alejhis’selam) sapo ishte kthyer nga lufta. Hyri drejt e në xhami dhe fali dy rekate namaz. Puna e parë që Krenaria e Gjithësisë bënte kur kthehej nga ndonjë betejë ishte falja e dy rekateve namaz, mandej shkonte menjëherë për tek e bija, Fatimja, për ta pyetur se si ishte dhe a kishte ndonjë gjë që e kishte mërzitur, pastaj shkonte pranë grave të tjera. Njëherë, kur u kthye, fali dy rekate namaz në xhami, pastaj, pa shkuar tek asnjë prej grave të Tij, shkoi menjëherë pranë vajzës së Tij, Fatimes. E bija e priti që te porta. Fatimja zuri ta puthte babanë nga fytyra dhe sytë dhe filloi të qante. I Dërguari i Allahut e pyeti të bijën:
“Pse po qan?” Fatimja iu përgjigj:
“O i Dërguari i Allahut! Shoh që të është zbehur lëkura e rrobat të qenkan vjetëruar!”
I Dërguari i Allahut tha:
- “Mos qaj, bija ime! Allahu e ka dërguar babanë tënd me një mision të atillë, që ai do të arrijë në çdo familje, në çdo fushë, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në çdo kontinent ku vjen nata. Prej kësaj kauze ata njerëz ose do të besojnë dhe do të lartësohen, ose do të mohojnë dhe do të bëjnë një jetë prej të poshtëruarish.”
Një prej sahabëve, Temim ed-Dariu na tregon: “Unë e kam parë vetë me sytë e mi, tek të afërmit, se si ata që besuan u lartësuan, dhe ata që nuk besuan u poshtëruan. Të gjithë ata që u bënë myslimanë, Zoti i shpërbleu me shumë të mira e mirësi, duke i bërë ata njerëz më të nderuar e më të pushtetshëm në sytë e njerëzve. Kurse ata që këmbëngulën në mohim, mbetën ashtu, të përbuzur e të përçmuar nga të gjithë, duke jetuar të detyruar që të paguajnë taksën e xhizje-s përgjatë gjithë jetës.”
2. ATA QË U BËNË MYSLIMANË ME THIRRJEN PËR NË ISLAM TË TË DËRGUARIT TË ALLAHUT
Ebu Bekri (r.a.) bëhet mysliman
Aishja (radijallahu anha) tregon: Një ditë, babai doli nga shtëpia dhe, me ç’dukej, do të shkonte pranë Krenarisë së Gjithësisë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Zaten kishin qenë miq shumë të mirë edhe para se të zbritej feja e Islamit. E njihnin shumë mirë njëri-tjetrin. Ebu Bekri shkoi pranë mikut të tij të vjetër dhe i tha:
“O Ebu’l-Kasem, u bë kohë që nuk merr më pjesë në mbledhjet e popullit, të gjithë e kanë ndjerë mungesën tënde. Ata të akuzojnë ty se ti po përpiqesh të shkelësh e të përdhosësh të shkuarën tënde.” Resulullahu u përgjigj:
“Unë jam i Dërguari i Allahut, ndaj të ftoj edhe ty që të besosh tek Ai.” Një të mbaruar fjalët e të Dërguarit të Allahut, Ebu Bekri (radijallahu anhu) u bë menjëherë mysliman. Resulullahu u kënaq aq shumë që Ebu Bekri u bë mysliman, saqë kur u largua prej tij, përreth të gjithë maleve që rrethojnë Mekën vështirë të kishte njeri më të gëzuar sesa i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).
Profeti i profetëve ka thënë:
“Kushdo që i kam bërë thirrje për në Islam, pa dyshim, që ka pasur një periudhë të lëkundjes dhe të pritjes, për t’u menduar njëherë. Por Ebu Bekri bën dallim nga të gjithë.” Madje, i Dërguari i Allahut e pati vlerësuar si një kredi shumë të rëndësishme besimin e Ebu Bekrit pa u lëkundur, madje, një ditë, pati thënë:
“Nuk ka dyshim, se Allahu më ka dërguar mua si profet. Kur unë jua shpalla juve këtë, ju të gjithë më thatë: ‘Po na gënjen!’ Vetëm Ebu Bekri më tha: ‘Nuk ka dyshim që ti thua të drejtën!’, dhe më ka ndihmuar me jetën dhe pasurinë e tij, mandej u pati përsëritur dy herë: ‘Tani, ju nuk do ta mërzitni mikun tim, apo jo, e të ma lini mua?’” - duke iu drejtuar njëherë të gjithë të pranishmëve përreth tij, e më tej, duke iu drejtuar gjithë umetit të Tij.
Ebu Bekri (radijallahu anhu) u çua menjëherë së andejmi dhe shkoi pranë Osmanit, Talha bin Ubejdullahut, Zubejr bin Auamit dhe Sad bin Ebi Uakasit (radijallahu anhum) dhe u foli edhe atyre për ato që kishte dëgjuar me veshët e tij. Edhe ata u bënë menjëherë myslimanë, duke e pranuar thirrjen për në Islam. Ditën tjetër, Ebu Bekri pati shkuar tek Osman bin Madhuni, Ebu Ubejde bin Xherrahu, Abdurrahman bin Aufi, Ebu Seleme bin Abdulesedi dhe Erkam bin Ebi’l-Erkami, që ishin gjithashtu ndër të parët që e kishin pranuar fenë islame, të cilët e pranuan po ashtu menjëherë ftesën e Ebu Bekrit të nderuar.
Si u bë mysliman Omeri (r.a.)
Omeri (radijallahu anhu) u bë mysliman gjatë vitit të pestë a të gjastë të profetësisë, kur ai ishte ende njëzet e gjashtë vjeç. Ndërsa, lidhur me pranimin e Islamit nga ana e tij, ka shumë transmetime të ndryshme.
Skllavi i Omerit (radijallahu anhu), Eslemi tregon: “Omeri na pati pyetur:
“A doni që t’ju tregoj se si jam bërë mysliman?”
“Po!”, – i thamë ne. Aty pati filluar të na tregonte:
“Unë isha një ndër ata që ishin jashtëzakonisht të nxehur me Resulullahun. Një ditë, teksa ishim të ulur me parinë e kurejshëve, Ebu Xhehli na tha: ‘O njerëz! Muhamedi po i shan të gjithë zotat tanë, madje na ka ofenduar duke thënë se mendja jonë është tejet e cekët dhe se të gjithë të parët tanë kanë shkuar në Xhehenem. Kushdo që e vret Muhamedin, prej meje do të marrë një shpërblim prej njëqind devesh të kuqe dhe të zeza, si edhe shumë para, me të cilat do të mund të bëjë një jetë madhështore.’”
Mandej, Omeri (radijallahu anhu) vijoi së na treguari:
“Unë lidha menjëherë shpatën pas belit, mora pak ushqim me vete dhe dola nga shtëpia. Po shkoja të vrisja Profetin e Gjithësisë.” Rrugës teksa ecte përballë i pati dalë kushëriri i tij, Nuajm bin Abdullahu, i cili gjithashtu ishte bërë mysliman, por që e fshihte ende këtë fakt. Ky njeri iu drejtua Omerit (radijallahu anhu) dhe e pyeti:
“Për ku po shkon kështu, o biri i Hatabit?”
“Po shkoj të vras atë njeri që ka prishur unitetin dhe bashkimin e Kurejshëve, që na quan se nuk kemi mend, që përdhos fenë e të parëve tanë dhe nuk ka lënë fjalë të keqe pa thënë për zotat tanë.”, – iu përgjigj Omeri.
“Ta dish mirë, o Omer! Ti kështu nuk bën tjetër, veçse mashtron veten. Ti pandeh se kur të vrasësh Muhamedin, fisi i Adij bin Ka’bit (fisi i të Dërguarit të Allahut) do të të lejojnë që të shëtitësh i lirë mbi tokë? Më lejo të të them diçka. Edhe familja jote dhe e kunatit tënd janë bërë myslimanë, duke të braktisur ty, edhe fenë tënde të trilluar.”, – tha Nuajmi.
Aq iu desh Omerit (radijallahu anhu), dëgjoi këto fjalë të Nuajmit, nuk priti dot asnjë çast dhe e pyeti menjëherë:
“E kush janë këta familjarë të mi?”
“Kunati yt, djali i xhaxhait tënd, Said bin Zejd bin Omeri dhe motra jote, Fatime binti el-Hattabi.”
Nuajmi e pati bërë gjithë këtë, që tregoi dy myslimanë të tjerë, për të shmangur si e si që Omeri (radijallahu anhu) të hiqte dorë nga qëllimi i tij për t’i bërë keq Krenarisë së Gjithësisë. Kur dëgjoi këto fjalë, Omeri frymën e mbajti drejt e në shtëpinë e motrës së tij. Nisi të trokiste në portën e tyre me vërtik. Në atë kohë, njëri prej sahabëve, që ishte i dashuruar pas të Dërguarit të Allahut, Habab bin Ereti (radijallahu anhu), po i mësonte motrës së Omerit (radijallahu anhu) suren “Taha”. E motra, kur e pa Omerin, e dinte se ai mund t’u bënte keq, ndaj e fshehu menjëherë atë pjesë të Kur’anit që mbanin në duar. Kurse Hababi u fsheh në një cep të shtëpisë. Teksa po i afrohej shtëpisë, Omeri e pati dëgjuar se Hababi diç po u lexonte, ndaj, një të hyrë në shtëpi, pyetja e parë që bëri ishte:
“Ç’ishin ato fjalë pa kuptim që këndonit, që i dëgjova teksa i afrohesha shtëpisë?”
“Po bisedonim, ato mund t’i kesh dëgjuar, sepse ne nuk po këndonim asgjë.”, – u përgjigjën ata.
Megjithatë, Omeri vijonte të këmbëngulte se kishte dëgjuar diçka krejt ndryshe.
“Me ç’më kanë treguar, ju paskeni hyrë në fenë e Muhamedit.”, – tha dhe u vërsul menjëherë mbi trupin e kunatit të tij, Saidit. Pavarësisht se e motra u përpoq të hynte mes tyre, për t’i ndarë, Omeri e pati rrahur atë, madje duke i lënë edhe plagë në trup. Pas kësaj, si e motra, ashtu edhe kunati, duke mbledhur një guxim të pashpjegueshëm brenda vetes, i thanë atij:
“Po, myslimanë jemi bërë. Kemi besuar tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ja, kjo është e vërteta, ndaj tani mund të na bësh ç’ke për të na bërë!”, – duke iu përgjigjur kësisoj në një mënyrë që donin t’i tregonin se ata nuk i trembeshin më atij.
Omeri (radijallahu anhu), pa njollat e gjakut mbi trupin e së motrës dhe thellë brenda vetes ndjeu pendesë, ndaj dhe u tërhoq.
“Ma sill edhe mua, ta lexoj njëherë atë që po lexonit pak më parë! Ta shoh njëherë, çfarë ju thotë juve kështu ky Muhamedi!” Omeri ishte njeri që dinte të lexonte dhe të shkruante shumë mirë. Këto fjalë e trembën shumë motrën e tij, ndaj, e shqetësuar, ajo i tha atij:
“Kemi frikë se ti do të na e prishësh atë që ishim duke lexuar.”
“Mos ki frikë.”, – i tha Omeri, duke iu betuar se vetëm do ta lexonte dhe do t’ua kthente atë sërish.
E motra, kur e pa dëshirën e madhe që kishte Omeri për ta lexuar atë letër, duke shpresuar se mos bëhej edhe ai mysliman kur ta lexonte, ia dha, duke i thënë:
“Vëlla i dashur, ti nuk mund ta prekësh atë, sepse tani ti je një prej idhujtarëve. Atë me dorë mund ta prekin vetëm ata që janë të pastër.”
Aty, Omeri u çua dhe u la, mori gusul. E motra ia dha atë pjesë të Kur’anit në dorë. Omeri nisi ta lexonte. Kur mbaroi fillimin e sures “Taha”, tha:
“Ç’është kështu kjo fjalë, kaq e bukur dhe kaq e vyer!”
Kur pa se Omeri ishte zbutur ndjeshëm, Hababi doli nga ai vend ku po qëndronte i fshehur dhe i tha:
“O Omer, të kesh besim tek unë, se unë kam shumë shpresë se lutja e të Dërguarit të Allahut për ty të pranohet, sepse dje, i Dërguari i Lartësuar iu lut Allahut duke iu përgjëruar me këto fjalë:
“O Zot! Lartësoje Islamin me Omer bin Hatabin ose Ebu’l-Hakem bin Hishamin.” Për Zotin, nuk e di, por kjo më ngjan diç si një përkim i bekuar me lutjen e djeshme!”
Ndërsa, sipas një transmetimi tjetër, kur Hababi tha fjalët e përmendura më sipër, Omeri i pati kërkuar atij që ta çonte atë menjëherë për tek i Dërguari i Allahut, pasi donte edhe ai të bëhej mysliman. I Dërguari i Allahut, së bashku me një grup prej sahabëve të tij ishin duke qëndruar në një shtëpi në afërsi të kodrës së Safasë. Omeri shkoi drejt e te Krenaria e Gjithësisë (paqja e Zotit qoftë mbi Të). Omeri kishte edhe shpatë në brez. Sahabët u trembën, kur e panë ashtu, të armatosur. Në atë kohë, atje gjendej edhe Hamzai (radijallahu anhu), i cili u tha:
“Lëreni, le të vijë! Nëse ka ardhur me qëllim të mirë, atëherë ia japim atë që kërkon. Por, edhe nëse ka ardhur i nxitur nga qëllime të këqija, atëherë e vrasim me shpatën e vet.” Kurse i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tha:
“Hapeni portën. Nëse Allahu do mbarësinë e Omerit, Ai mund ta shpjerë atë drejt udhëzimit.”
Porta u hap. Dy sahabë e morën Omerin për krahësh dhe e prunë përballë Resulullahut.
“Lëshojeni, lëreni të lirë.”, – u tha i Dërguari i Allahut sahabëve të tij. Krenaria e Gjithësisë e priti Omerin në këmbë. E kapi me shpejtësi nga xhybeja e tij dhe i tha:
“O Omer! Pse ke ardhur! Nuk dua të shoh që Allahu të zbresë ajete përçmuese dhe poshtëruese edhe për ty.”
“O i Dërguari i Allahut! Kam ardhur për të dëshmuar e për të shpallur besimin tim. Unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe, po ashtu, unë dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.” Veç kësaj, ai bërtiti:
“Allahu Ekber”. kur kuptuan se Omeri ishte bërë mysliman, sahabët që gjendeshin në atë shtëpi, zunë të thoshin të gjithë tekbirë. Zëri kumbonjës i asaj shtëpie u dëgjua deri edhe nëpër rrugicat e Mekës.
Si u bë mysliman Osmani (r.a.)
Osmani (radijallahu anhu) na tregon: “Një ditë pata shkuar për vizitë te tezja ime, Abdulmuttalib binti Eruaja. Kur, ç’të shoh, brenda hyri i Dërguari i Allahut. Vazhdimisht nuk i ndaja dot sytë prej Tij. Atë ditë diç duhej t’i kishte ndodhur. U kthye nga unë dhe më pyeti:
“Pse më shikon ashtu?”
“Habitem kur shoh personalitetin tuaj, vendin që zini ju këtu mes nesh dhe ato që thuhen për ju?!”, – iu përgjigj Osmani.
“La ilahe il’lallah.”, – tha Ai.
Të më besoni, por kjo fjalë e tij bëri të më rrëqethej i tërë trupi. Mandej më lexoi prej këtij ajeti: “Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje, po edhe në vetet tuaja - a nuk e shihni vallë? Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar. Betohem për Zotin
e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj.” (Dharijat, 51/20-23). Kur mbaroi, u largua së andejmi. Unë e ndoqa nga pas, gjersa e arrita dhe u bëra mysliman.
Si u bë mysliman Aliu (r.a.)
Familja e Ebu Talibit ishte një familje shumë e madhe dhe Ebu Talibi e kishte shumë të vështirë që të kujdesej për mbajtjen e të gjithë atyre njerëzve. Andaj, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e pati marrë Aliun (radijallahu anhu) në shtëpinë e tij, duke bërë që ai të ishte një fëmijë i shtëpisë së Tij deri në ditën kur i erdhi profetësia. Më vonë, një ditë, i Dërguari i Allahut dhe bashkëshortja e vyer e tij, nëna jonë, Hatixhja (radijallahu anha) po falnin namaz. Pikërisht në ato çaste, teksa ishin duke u falur, Aliu i nderuar hyri në shtëpi dhe i habitur i pyeti:
“Çfarë po bëni kështu ju?” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu përgjigj:
“Kjo është feja që ka zgjedhur Ai që është Zoti i botëve, për të cilën edhe ka dërguar profetë. Unë të ftoj edhe ty që t’i besosh Allahut, i cili është i Vetëm dhe nuk ka shok, që ta adhurosh atë dhe të heqësh dorë nga idhujt e Latit dhe Uzzas, duke i mohuar ata.”
“Kjo është diçka që nuk e kam dëgjuar kurrë më parë, dhe unë nuk mund të vendos me mendjen time për diçka të këtillë. Me lejo që të këshillohem njëherë me babanë.” Profeti ynë, duke qenë se nuk i kishte zbritur ende asnjë urdhër që ai ta shpallte fenë e Allahut haptazi, nuk deshi që kjo çështje të shkonte deri tek Ebu Talibi, ndaj e porositi:
“O Ali! Edhe pse mund të të duhet pak kohë për t’u bërë mysliman, të mos e bisedosh me askënd këtë çështje!”
Të gjithë natën e asaj dite Aliu e kaloi duke menduar për atë që kishte dëgjuar. Kështu, Allahu i mundësoi edhe atij udhëzimin për tek e drejta dhe e vërteta. Në mëngjes, me të gdhirë, ai shkoi pranë të Dërguarit të Allahut dhe e pyeti:
“Çfarë ishte ajo që më pate këshilluar dje?”
“Do të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Ai është Një i Vetëm dhe që nuk ka shok në krijim dhe në adhurim. Do t’i mohosh idhujt e Latit dhe Udhas dhe do t’i qëndrosh larg çdo lloji të idhujtarisë.”, – iu përgjigj Profeti ynë.
Aliu (radijallahu anhu) ishte gati për një gjë të këtillë, ndaj edhe u bë menjëherë, në atë çast, mysliman. Por, i shqetësuar se çfarë do të mendonte i ati, për njëfarë kohe ai e fshehu besimin e tij. Më vonë, Ebu Talibi i pati parë ata duke falur namaz, por nuk u pati thënë asgjë.
Si u bë mysliman Amr bin Abeseja
Tregon vetë Amr bin Abeseja: “Në kohën e injorancës, më ndodhte mjaft shpesh që t’i shikoja njerëzit që jetonin një jetë krejtësisht të ç’udhëzuar dhe besoja se prej atyre idhujve që u besonin njerëzit nuk kish se si të vinte asnjë e mirë. Kur dëgjova se në Mekë kishte dalë dikush, që fliste për disa lajme shumë të rëndësishme, i hipa menjëherë kafshës sime të rrugës dhe erdha në Mekë. Në atë kohë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk e kishte nisur ende shpalljen haptazi të fesë. Megjithatë, lajmi i profetësisë kishte filluar të përhapej e të shëtiste nga njëri vesh në tjetrin mes qytetarëve të Mekës. Andaj edhe mekasit e kishin rrethuar atë, për ta mbajtur nën kontroll, në mënyrë që të mund ta pengonin me çdo kusht, nëse ai do të vendoste të bënte ndonjë veprim haptas. Dhe unë, duke u treguar sa më i kujdesshëm që gjithçka të ndodhte në fshehtësi, shkova drejt e tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pa pyetur njeri dhe iu drejtova atij me këto fjalë:
“Kush jeni ju?”, – e pyeta.
“Unë jam Profeti i Allahut.”, – m’u përgjigj ai.
“Çfarë do të thotë ‘i Dërguar i Allahut’?”
“I Dërguari i Allahut do të thotë të jesh mëkëmbës i Tij, që vjen pranë njerëzve për të sjellë urdhëresat që ka Zoti ndaj njerëzve.”
“Domethënë, Ty të ka dërguar Zoti!?”
“Po, mua më ka dërguar Zoti.”, – m’u përgjigj i Dërguari i Allahut.
“E çfarë na ke sjellë ti prej Zotit?”
“Allahu do të njihet si Një i Vetëm, nuk do t’i bëhet asnjë shok ose ortak në krijimin e gjithçkaje; idhujt që adhurojnë njerëzit do të thyhen dhe ne duhet të kujdesemi për më të mirën e të afërmve tanë dhe t’ua ruajmë atyre të drejtat që ata kanë, duke mos derdhur as edhe një pikë gjaku të vetme padrejtësisht dhe të gjithëve do t’u sigurohet që të mund të udhëtojnë të sigurt.”
“Po Ti na paske sjellë gjëra shumë të bukura! Unë jua shpall menjëherë këtu besimin tim. Unë të pranoj ty. Kush i ka pranuar deri më tani të gjitha këto urdhëresa që ti i ke sjellë prej Zotit për ne?”
“Ebu Bekri dhe skllavi i tij, Bilal Habeshiu.”
“Unë dua të jem një prej ndjekësve të tu.”
“Sot, kushtet nuk janë shumë të vështira që ti të jesh një prej ndjekësve të mi këtu në Mekë, andaj më e mira është që tani të kthehesh pranë familjes sate dhe kur të shohësh se unë do të kem filluar që ta shpall haptazi fenë e Allahut dhe se e vërteta po fillon të dalë faqeza, atëherë eja.”
Amri tregon: “Unë u bëra mysliman dhe u ktheva pranë familjes sime. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nisi ta shpallte haptazi të vërtetën. Mandej ai mërgoi për në Medinë. Merrja vazhdimisht lajme për të. Në fund, nga Medina erdhi një grup që e kishte nisur ai vetë. Në një mënyrë të tërthortë, i pyeta:
“Ç’thonë ata mekasit që janë strehuar pranë jush?”
“Në fund, populli i tij deshi që ta vriste atë, por ata nuk ia dolën dot. Allahu nuk lejoi që të ndodhte diçka e këtillë. Ndaj kemi ardhur edhe ne, se njerëzit po ngarendin për t’i shpallur atij besimin dhe mbështetjen.”, – m’u përgjigjën ata mua.
Amr bin Abeseja, me t’i dëgjuar këto fjalë, u hodh mbi kafshën e tij dhe u nis me shpejtësi për në Medinë. Shkoi pranë Krenarisë së Gjithësisë dhe e pyeti:
“O i Dërguari i Allahut! A më njohët mua?”
“Po!”, – m’u përgjigj i Dërguari i Allahut, - “ti je ai njeri që pate ardhur të bëheshe ndjekësi im që kur se ne ishim ende në Mekë, apo jo?”
Aty Amr bin Abeseja gati sa s’fluturoi nga gëzimi, duke thënë:
“Po, o i Dërguari i Allahut! M’i mësoni, ju lutem, të gjitha ato gjëra që Zoti jua ka mësuar ju dhe që unë nuk i di.”
Halid bin Said bin el-Asi bëhet mysliman
Siç na e rrëfen e bija, Halid bin Saidi kishte parë një ëndërr dhe kish qenë kjo ëndërr që e pati çuar drejt besimit, e ai u qe bërë mysliman. Ja se si ishte ajo ëndërr që kishte parë ai: “Dukej sikur Mekën e kishte mbuluar një errësirë e plotë. Aq errësirë ishte, saqë njerëzit nuk arrinin të shihnin as atë që kishin në duar. Kur, një çast, nga burimi i Zemzemit drejt qiellit u lartësua një dritë, që e ndriçoi të gjithë hapësirën përreth Qabes. Mandej, ai nur e kaploi mbarë Mekën. Ajo dritë u drejtua kah hurmishtet e Jethribit (Medinës), duke e mbushur edhe qiellin e saj plot dritë. Një dritë aq e fortë, saqë syri mund të dallonte çdo kokërr hurme të varur në pemë.”
Halid bin Saidi, kur u zgjua, ia pati treguar ëndrrën e tij edhe të vëllait, Amr bin Saidit. Amri ishte njeri i ditur dhe largpamës.
“Vëllai i dashur! Diçka shumë e madhe e pret fisin e Abdulmutalibit. Nuk e sheh, kjo dritë që ti po më tregon mua ka dalë pikërisht nga ai burim që e kanë hapur etërit e tyre me aq mund.”, – iu përgjigj i vëllai.
Halidi na e thotë vetë:
“Ishte pikërisht kjo ëndërr që më udhëzoi mua, duke më çuar drejt pranimit të fesë islame.”
Kurse, kur nëna e Halidit shkoi për t’ia treguar të Dërguarit të Allahut këtë ëndërr që kishte parë i biri, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati thënë:
“O Halid! Pasha Zotin, ajo dritë jam unë dhe unë jam i Dërguari i Allahut.” Dhe, prej kësaj thirrjeje të Resulullahut, i biri e pranoi menjëherë Islamin, duke u bërë kështu një ndër myslimanët e parë.
Ëndrra që ka parë Halid bin Saidi është pak më ndryshe sipas një transmetimi tjetër: Në ëndërr Halid bin Saidi qëndronte ndanë një zjarri që vetëm Allahu e dinte, babai i tij përpiqej ta shtynte drejt atij zjarri, ndërsa ai shihte se ai vetë i kërkonte ndihmë të Dërguarit të Allahut, që ta mbronte e të mos e linte që të binte në atë zjarr përvëlues.
Nga frika i del gjumi dhe fjalët e para që thotë janë: “Betohem për Zotin, se kjo ëndërr është një ëndërr e vërtetë.” Takohet me Ebu Bekrin (radijallahu anhu) dhe ia tregon edhe atij ëndrrën që ka parë. Ebu Bekri i thotë:
“Allahu e bëftë hajr. Ai është i Dërguari i Allahut. Nxito të bëhesh edhe ti një prej ndjekësve të tij. Ke për të parë, se edhe ti do të jesh shumë shpejt një prej njerëzve që kanë besuar tek ai, duke u bërë menjëherë mysliman. Ai që përpiqet të të ruajë prej zjarrit në ëndërr nuk është askush tjetër, pos Islamit. Kurse babai yt nuk do të besojë, dhe do të hyjë në zjarr.” Pas këtyre fjalëve, Halid bin Saidi u takua me Krenarinë e Gjithësisë në lagjen e quajtur Exhjad, dhe e pati pyetur:
“O Muhamed! Për ku na fton ti ne?
“Unë ju ftoj ju për tek Allahu, që është Një i Vetëm dhe që nuk ka shok tjetër si Vetja, dhe që të pranoni se Muhamedi në fillim është robi, pastaj i Dërguari, i Allahut në Tokë. Të ftoj që t’i qëndrosh sa më larg adhurimit të atyre idhujve të bërë vetë prej gurit, të cilët as që janë në dijeni se ka njerëz që i adhurojnë, që nuk mund të sjellin as dobi e as dëm për njeriun, pasi as nuk shohin, as nuk dëgjojnë.”
Pas këtyre fjalëve, Halid bin Saidi nuk vonoi dhe tha:
“Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Dhe, dëshmoj se Ti je i Dërguari i Allahut.” Këto fjalë e gëzuan pa masë Profetin tonë (alejhis’salatu ue sel’lem).
Kur e mori vesh i ati, se Halidi ishte bërë mysliman, Halidi filloi të mos shfaqej më shumë para babait të tij, duke lëvizur më tepër nëpër rrethinat përreth Mekës. Dhe, kur sahabët emigruan për herë të dytë në drejtim të Etiopisë, ndër të parët që emigruan ishte edhe ai.
Babai i Halidit, Said bin el-As bin Umejeja, pati ngarkuar një nga djemtë e tij të tjerë, që nuk ishte mysliman dhe skllavin e tij Rafiun, që ta gjenin dhe t’ia sillnin në shtëpi të birin e bërë mysliman. Pas njëfarë kohe ata e gjetën Halidin dhe e prunë para të atit.
“Megjithëse e pe që Muhamedi vepron kundër popullit të tij, duke i turpëruar atyre zotat dhe duke i poshtëruar ata të gjithë në sytë e njerëzve, ti prapëseprapë iu binde atij, kështu hë?”, – i tha babai atij, i nxehur dhe duke i bërtitur e duke iu kanosur. E goditi me një copë druri që mbante në dorë dhe nga koka nisi t’i rridhte gjak. Megjithatë, Halidi nuk hoqi dorë nga e tija dhe i tha babait:
“Ai thotë të vërtetën, ndaj po, unë i bindem atij.”
Kjo ia shtoi edhe më shumë nevrikosjen të atit, duke e bërë që ai t’i thoshte të birit:
“I poshtër! Shko ku të duash! Unë nuk të jap më të hash.”
“Mos më jep, edhe po nuk më dhe ti mua, është Allahu që do të më ushqejë!”
Saidi e përzuri jashtë Halidin dhe i paralajmëroi të gjithë djemtë e tjerë:
“Me të nuk do të flasë më askush. Nëse marr vesh se ndonjëri prej jush i afrohet dhe i flet, ta dini se atë që i bëra atij do t’ua bëj edhe atyre që do të flasin me të.”
Halidi shkoi drejt e tek i Dërguari i Allahut. Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e mori pranë dhe që nga ajo ditë nuk e ndau më nga vetja.
Babanë e Halidit (radijallahu anhu), Said ibnu’l-As bin el-Umejjen dikur e zuri një sëmundje dhe ai pati thënë:
“Nëse Zoti do të më ngrejë një ditë nga shtrati i kësaj sëmundjeje, do të bëj që zoti i të birit të Ebu Kebshes – duke pasur parasysh Resulullahun me këto fjalë – të mos adhurohet më kurrë në Mekë.” Ndërsa i biri, Halidi, e mallkoi duke thënë:
“O Zot! Mos i fal asnjë të mirë këtij njeriu!” Në të vërtetë as ai nuk arriti që të shpëtonte dot më prej sëmundjes që e pati kapur, derisa vdiq.
Dimadi (r.a.) bëhet mysliman
Dimadi i përkiste fisit të Edhdishenues. Ai merrej me magji. Pati ardhur në Mekë për të vizituar Qaben. Kur dëgjoi që shumë njerëz të pamend në radhët e mekasve thoshin për Krenarinë e Gjithësisë “është i çmendur”, nuk ngurroi, por i pyeti menjëherë:
“Ku është ai njeri? Ndoshta Zoti e shpëton atë me ndonjë shërim që mund t’i vijë nga duart e mia?”
Ja se si e tregon ai vetë se çfarë ndodhi atë ditë: “Isha ulur në një vend me Ebu Xhehlin, Utbe bin Rebian dhe Umeje bin Halefin. Ebu Xhehli tha:
“Ja ku është ai njeri që na e ka prishur bashkimin, duke na përçarë, që e ka tepruar dhe po na bën gazin e botës, duke na e quajtur të shthurur të shkuarën e lavdishme e që nuk ka lënë asgjë pa thënë për zotat tanë.”
“Nuk ka më asnjë dyshim, ky njeri është çmendur!”, – tha Umeje bin Halefi.
Më bënë shumë përshtypje këto fjalë të Umejes.
Të pranishmëve u thashë se unë “mund t’i fryja e ta shëroja” dhe menjëherë u largova së andejmi. Fillova të kërkoja për të, por më kot, sepse atë ditë nuk e gjeta dot. Ditën tjetër shkova pranë vendit të Ibrahimit në Qabe dhe e gjeta duke u falur, në pozicion ulur. Prita pak, sa të mbaronte së faluri. Kur mbaroi faljen iu afrova pranë dhe i fola:
“O nipi i Abdulmutalibit!”
“Më thuaj, si mund të të ndihmoj?”, – më tha.
“Fryma ime është e mirë dhe unë mund të të bëj magji duke të fryrë. Po të duash, mund të të shëroj duke përdorur mënyrat e mia të shërimit. Hë, si thua, mos lejo që gjendja në të cilën je të përkeqësohet! Unë kam shëruar edhe shumë të tjerë, të cilët kanë qenë shumë herë më keq se ty! I kam dëgjuar të gjitha se ç’thotë populli yt për ty, e të gjitha ishin gjëra jo shumë të hijshme; disa thonë ‘e ka tepruar, e na ka poshtëruar në sytë e njerëzve’, disa të tjerë thonë ‘na ka përçarë’, disa të tjerë thonë ‘ai na e fajëson të shkuarën me mëkatin e shthurjes’, e disa të tjerë thonë ‘ai po na i përbuz të gjithë zotat që ne besojmë’. Kur i pyeta ata se përse e bëje këtë gjë, ata më thanë se ‘ishe çmendur’.” Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i cili i kishte dëgjuar të gjitha fjalët që thoshte ky njeri, i tha:
“Lëvdimi i takon vetëm Allahut. Unë e lëvdoj Allahun dhe përherë vetëm prej Tij kërkoj ndihmë. Unë tek Ai kam besuar dhe tek Ai jam dorëzuar i tëri me mish e me shpirt. Atë që e udhëzon Ai, askush nuk mund ta devijojë nga rruga e drejtë e së vërtetës. Dhe këdo që Ai e nxjerr nga rruga e duhur, atë nuk ka më fuqi që ta udhëzojë kah e drejta. Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut. Ai është Një. Nuk ka as shok, as ortak, në krijimin e gjithçkaje.”
“Të betohem, se deri më sot nuk kam dëgjuar ndonjëherë fjalë më të bukura se këto që më the ti tani!”, – i thashë të Dërguarit të Allahut, duke i kërkuar nëse mund t’i përsëritë edhe njëherë. Ai m’i përsëriti edhe njëherë.
“Për ku na fton ti ne?”, – e pyeta unë.
Resulullahu u përgjigj:
“Unë ju ftoj ju që ju t’i besoni Allahut, se Ai është Një dhe i Vetëm dhe që nuk ka asnjë shok a të ngjashëm me Veten; që t’i nxirrni idhujt nga jeta juaj dhe të dëshmoni se unë jam i Dërguari i Allahut.”
“Po nëse unë i pranoj të gjitha këto, çfarë më premtohet mua?”, – vijova ta pyesja.
“Parajsa e përjetshme!”, – m’u përgjigj.
Nuk kisha se ç’t’i thosha veçse:
“Nuk kam asnjë dyshim dhe me sinqeritet e pranoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut. Ai është Një, i Vetëm. Është i Pashoq. Po i nxjerr nga jeta ime të gjithë idhujt që kam dashur gjer më sot, duke u larguar njëherë e mirë syresh. E po ashtu dëshmoj se ti je robi dhe i Dërguari i Tij.”
Dimadi, i cili po i bindej e po i jepte besën të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në emër të vet dhe të të gjithë fisit të tij, qëndroi pranë Resulullahut edhe për njëfarë kohe. Pasi mësoi një numër të konsiderueshëm suresh nga Kur’ani, u nis për t’u kthyer pranë fisit të tij.
Nga ajo çfarë na është transmetuar kuptohet se të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i pati pëlqyer shumë sinqeriteti i fjalëve të Dimadit, ndaj edhe ishte i bindur se Dimadi kishte tashmë një besim të shëndoshë, sepse grupi i armatosur që kishte ngarkuar me detyrë i Dërguari i Allahut pati shkuar edhe pranë fisit të Dimadit. Komandanti i këtij grupi i pati pyetur ushtarët:
“A morët dot gjë prej atij fisi?”
“Po!”, – qe përgjigjur njëri nga ushtarët, – “morëm një tullumb me ujë.”
“Atëherë, të ktheheni e t’ua jepni mbrapsht, sepse ai është fisi i Dimadit.”, – pati thënë komandanti dhe ushtarët e patën kthyer mbrapsht atë çfarë kishin marrë prej njerëzve të Dimadit.
Husajni, babai i Imranit, bëhet mysliman
Kurejshët e respektonin shumë Husajnin, ndaj vendosën që të shkonin pranë tij e të këshilloheshin me të. Kur u takuan, i thanë:
“Të kishe folur njëherë, edhe në emrin tonë, me atë njeri. I merr nëpër gojë të gjithë zotat tanë dhe nuk lë asnjë rast pa i mallkuar.” Dhe, kësisoj, e morën Husajnin dhe e sollën pranë të Dërguarit të Allahut. Ishin të shumtë në numër. I Dërguari i Allahut, kur i pa, tha:
“Hapuni vend më të mëdhenjve!” Husajni, që po përpiqej të kuptonte sa më shumë nga çdo fjalë e nga çdo sjellje, tha:
“Thonë se ti i mallkon zotat tanë dhe nuk i heq asnjëherë nga goja, sa herë që të jepet mundësia për t’i përbuzur. Mirëpo, babai yt ishte njeri i mençur dhe ishte një njeri që i mbronte fenë dhe traditat tona. Si qëndron puna me këto lajme që më kanë ardhur në vesh?”
“O Husajn! Si babai im, ashtu edhe babai yt janë në zjarr tani. Po ti, sa zotave u beson?”, – tha i Dërguari i Allahut.
“Unë besoj te tetë zota; shtatë prej tyre janë në tokë, ndërsa njëri në qiell.”, – u përgjigj Husajni.
Kur i Dërguari i Allahut e pyeti:
“Po kur përballesh me ndonjë rrezik, cilit prej tyre i përgjërohesh, atyre që janë në tokë, apo atij që është qiell?” Husajni iu përgjigj:
“Atij që është në qiell i lutem.”
“Po kur të dëmtohet pasuria, cilit prej tyre i përgjërohesh? Atyre që janë në tokë, apo atij që është në qiell?”
“Atij që është në qiell i përgjërohem!”
“Po kur Ai që t’i dëgjon lutjet dhe të jep gjithë ç’të nevojitet, është Një, atëherë pse i bën Atij ortak në realizimin e nevojave të tua. Kujton se duke i falënderuar dhe lëvduar të gjithë e bën Atë të jetë prapëseprapë i kënaqur me ty? Apo, mos vallë ke frikë se mos ndonjëra prej tyre të vë në vështirësi në punët e tua?” - “Asnjë nga këto.”, – u përgjigj Husajni.
Deri në atë çast, Husajni nuk ishte takuar me asnjë njeri si Resulullahu. Këtë e kishte kuptuar më së miri thellë brenda vetes. Mandej fjalën e vijoi Krenaria e Gjithësisë, duke i thënë atij:
“Bëhu mysliman, që të gjesh shpëtim.”
“Po kam kushërinjtë dhe fisin, po atyre çfarë t’u them?”, – tha Husajni.
“O Zoti im! Ma dhuro mua udhëzimin, që të mund ta gjej rrugën e drejtë dhe falmë me shumicë prej dijes dobiprurëse.”, – e mësoi Resulullahu që të lutej.
Pasi e bëri këtë dua, Husajni priti edhe ca kohë, mandej u bë mysliman. Kur u ngrit në këmbë, i biri, Imrani, u ngrit dhe e puthi babanë në krye, në duar dhe në këmbë. Krenaria e Njerëzimit, kur e pa këtë sjellje, filloi të qante dhe nga ajo gojë e bekuar filluan të dilnin këto fjalë:
“Qava nga sjellja e Imranit. Kur babai, Husajni, hyri këtu si mohues ai as që u çua në këmbë, as nuk pa asnjëherë kah i ati. Mirëpo, një të pranuar Islamin, ai nuk ngurroi për as edhe një çast të vetëm që të tregonte respektin e merituar, duke e kryer siç duhej detyrën e të qenët djalë. Ishte ajo delikatesë e veçantë që më përloti.”
Kur erdhi koha që Husajni do të ngrihej, për t’u larguar që aty, Resulullahu u drejtua nga shokët e Tij dhe u tha:
“Ngrihuni dhe përcilleni atë deri në shtëpinë e tij.”
Teksa po dilte nga dera, kurejshët e panë qëndrimin e Husajnit dhe e kuptuan se çfarë kishte ndodhur, ndaj thanë:
“E braktisi edhe Husajni fenë e të parëve të tij.” - dhe u larguan
të shpërndarë së andejmi pa i thënë asnjë fjalë.
Kur bëhet mysliman një prej fisit të el-Huxhejmëve
Pranë të Dërguarit të Allahut erdhi një nga fisi i el-Huxhejmëve, i cili e pyeti:
“Ti je i Dërguari i Allahut?”
“Po!”, – iu përgjigj Resulullahu.
“Po çfarë është ajo ku po i fton ti njerëzit?”, – vijoi ai me pyetjet e tij.
“I ftoj njerëzit që t’i besojnë Allahut, i Cili është Një i Vetëm, që është i Shenjtë dhe i Gjithëpushtetshëm. Ai është një Zot i atillë që, nëse ti dëmtohesh ose të kaplon ndonjë vështirësi dhe ti kërkon ndihmë, atëherë Ai të shpëton ty nga dëmi, duke ta hequr vështirësinë që të bren në shpirt. Nëse përballesh me ndonjë thatësirë, varfëri, apo mungesë begatie, kur ti i lutesh Atij, thatësira zhduket, varfëria shpërbëhet dhe begatia e mbulon gjithë mungesën e vet. Sikur në mes të shkretëtirës së paanë të humbasësh rrugën, kur ti të prekësh në dorezën e portës së mëshirës së Tij me lutje, sheh se si do të gjesh menjëherë rrugën.”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut.
Ky huxhejmas, të cilit nuk i është përcaktuar emri, u bë menjëherë mysliman dhe tha:
“O i Dërguari i Allahut! Më jep një këshillë të mirë.”
“Mos shaj askënd dhe asgjë.”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut.
“Pas asaj fjale, unë nuk shava më asgjë, frymor a jofrymor; askënd, në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme.”
Muauije bin Hajde bëhet mysliman
Muauije bin Hajde erdhi pranë Resulullahut. Ai ishte betuar shumë herë se nuk do të shkonte kurrë pranë Krenarisë së Gjithësisë, cilatdo të ishin kushtet, dhe se nuk do ta pranonte kurrë fenë me të cilën Ai pretendonte se ishte zbritur. Megjithatë, nuk mund ta mohonte se ishte i magjepsur pas Tij. Ishte pikërisht kjo magjepsje që e kishte prurë deri afër të Dërguarit të Allahut, për t’i thënë:
“Ti po na flet për diçka të qenësishme, mirëpo unë nuk di asgjë tjetër, pos asaj që më ka mësuar Zoti.” Kërkonte ndonjë hapësirë të lirë, ndonjë portë të hapur. Shkoi dhe i tha të Dërguarit të Allahut: - “Të lutem, për hir të Zotit, me çfarë të ka dërguar Zoti ty te ne?” - “Me fenë e Islamit.”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut.
“Çfarë është kjo fe e Islamit?”
“Ajo do të thotë që të thuash ‘unë e ktheva fytyrën kah Zoti dhe e braktisa çdo gjë tjetër veç Tij’. Do të falësh namazin ashtu siç duhet, pa kurrfarë të mete dhe do të japësh zekatin. Po ashtu, duhet ta dish shumë mirë, se gjaku i myslimanëve është haram (i ndaluar) për njëri-tjetrin. Asnjë mysliman nuk vret dot padrejtësisht një mysliman tjetër. Myslimani është vëlla i myslimanit dhe ata i vijnë gjithmonë në ndihmë njëri-tjetrit. Allahu nuk e pranon veprën e një myslimani që bie në politeizëm e idhujtari pasi është bërë mysliman, derisa ai të ndahet e të largohet prej idhujtarëve. E si mund të më njihet mua kjo përgjegjësi për ta shpëtuar prej zjarrit atë njeri që gjendet në këtë gjendje? Ta dini mirë, se Zoti im do të më thërrasë edhe mua, për të më pyetur: ‘A ua tregove robërve të mi të drejtën?’ Dhe unë do t’i përgjigjem: ‘Pa dyshim, ua shpalla.’ Këtë duhet ta ngulitni njëherë e mirë në mendje. Ata që janë këtu dhe i dëgjojnë këto fjalë, t’ua transmetojnë edhe atyre që nuk janë të pranishëm! T’ua vini veshin këtyre fjalëve dhe të më dëgjoni mirë. Në Ditën e Gjykimit, kur të vini atje, në praninë e Zotit, atje nuk do t’ju lejojnë të flisni. Ato gjëra që ju ngurroni t’i pranoni, do të jenë organet tuaja që do t’ju nxjerrin zbuluar, duke treguar të vërtetën ashtu siç është.”
“Kjo është përmbajtja e fesë sonë, o i Dërguari i Allahut?”, – e pyeti Muauije bin Hajde të Dërguarin e Allahut, i cili iu përgjigj me fjalët:
“Kjo është feja jonë. Nëse i kryen siç duhet të gjitha ato që të thashë, atëherë kjo do të jetë e mjaftueshme.”
Adij bin Hatimi bëhet mysliman
Kur lajmi se Krenaria e Gjithësisë ishte një profet që u përhap gjithandej, ai mbërriti edhe tek Adij bin Hatimi, mirëpo atij nuk i pëlqyen fare ato fjalë që dëgjoi. Madje, një t’i dëgjuar këto fjalë, u ngrit, nga vendi ku jetonte dhe shkoi në lagjen e bizantinëve. Madje, nuk u mjaftua vetëm me kaq, por vendosi që të shkonte edhe te vetë mbreti bizantin. Mirëpo, edhe aty qe bezdisur pa masë. E ema e kishte këshilluar edhe më parë, që të shkonte njëherë te Resulullahu.
Ngjarja, në një transmetim, rrëfehet kështu:
Kur Adij bin Hatimi gjendej në Mekë, në vendin e quajtur Akreb, kalorësit e Resulullahut kishin ardhur dhe kishin marrë hallën e tij dhe shumë të tjerë, për t’i çuar tek ai. Halla e tij i pati thënë të Dërguarit të Allahut:
“O i Dërguari i Allahut! Bashkë me mua ishte edhe një shërbëtor, mirëpo ai mbeti shumë prapa. Unë jam një grua e moshuar dhe nuk kam askënd që të më ndihmojë. Sikur të më bësh një të mirë, që Allahu të të ndihmojë edhe ty.”
“Kush ishte ndihmësi juaj?”, – e pyeti i Dërguari i Allahut.
“Adij bin Hatimi.”, – iu përgjigj ajo.
Resulullahu e dëgjoi emrin dhe shtoi:
“Kush, ai burri që kërkon të na shmanget, Allahut dhe pastaj mua?”
“Ndihmësi im tani nuk është këtu, ndaj të lutem që të më ndihmosh ti.”, – iu përgjërua edhe njëherë gruaja.
Kur i dëgjoi të gjitha këto, Adij bin Hatimi i bëri një të mirë hallës së tij.
Teksa ajo grua po merrte ndihmën e kërkuar, me shumë gjasa ishte Aliu (radijallahu anhu), që i tha:
“Kërkoji Resulullahut të të japë edhe një kafshë rruge!”
Ashtu bëri, kërkoi edhe një kafshë dhe i Dërguari i Allahut ia dha.
Gruaja po largohej shumë e gëzuar së andejmi. Kur u kthye tek i nipi, ajo i tha atij:
“Ti bëre diçka, që babai yt nuk do ta kishte bërë kurrë. Me dëshirë ose pa dëshirë, të lutem, shko njëherë tek ai njeri.” Adij bin Hatimi thoshte me vete:
“E ç’do të më ndodhë nëse shkoj tek ai njeri. Edhe sikur të jetë gënjeshtar, prapë ai nuk ka se ç’të keqe të më bëjë. Nëse thotë të vërtetën, atëherë unë do të kem mësuar se si qëndron e vërteta.” U kthye pas dhe u nis për te Resulullahu. I Dërguari i Allahut kishte shkuar në faltore dhe po qëndronte ashtu, i ulur. Ata që gjendeshin aty i thanë se kishte ardhur Adij bin Hatimi. Vazhdimin e ndodhisë e tregon vetë Adij bin Hatimi:
“Pata shkuar drejt e tek ai, pa kërkuar as mbrojtjen e ndokujt dhe pa pasur kurrfarë reference nga ndonjë tjetër. Kur më çuan pranë tij, ai më kapi për dore. Krenaria e Gjithësisë e kishte thënë edhe më parë, se ‘i ishte lutur shumë herë Allahut, duke iu përgjëruar me shumë dëshirë, që një ditë ta vinte dorën mbi dorën time.’ Qëndroi për njëfarë kohe me mua. Ndërkohë, te Resulullahu erdhi një grua me një djalë të vogël, të cilët i thanë: “Ne duam diçka prej Teje.” Resulullahu qëndroi bashkë me ta, në këmbë, derisa ua përmbushi nevojën që kishin. Mandej, më kapi për dore dhe më çoi në shtëpinë e tij. Ajo ishte hera e parë që unë pata mundësinë të ulesha përballë Krenarisë së Gjithësisë.”
Gruaja dhe fëmijët qëndronin të ulur aq pranë me Profetin tonë, saqë Adij bin Hatimi e pati kuptuar menjëherë, se ai nuk ishte si sundimtarët e Iranit dhe Bizantit. Sikur të ishte duke lexuar enkas për të, i Dërguari i Allahut recitoi tri herë:
“O Adij! Bëhu mysliman dhe shpëto!”
“Unë e kam fenë time.”, – u përgjigj Adij bin Hatimi.
“Unë e njoh më mirë se ti fenë tënde.”, – i tha i Dërguari i Allahut.
“Si, ti e njeh fenë time më mirë se unë?”, – e pyeti Adiji Resulullahun i habitur.
“Po! Ti, a nuk i përket fesë së Rekuthijes [emërtimi i një feje që është një përzierje e fesë së krishterë me mandeizmin]? A nuk i ha ti një të katërtat e gjithë plaçkës dhe pasurisë që siguron fisi juaj?”
Adiji i pohoi edhe njëherë të gjitha këto që po i thoshte i Dërguari i Allahut.
“Në fakt, kjo nuk është e lejuar as në fenë që ti i përket.”, – vijoi fjalën Krenaria e Gjithësisë.
Adij bin Hatimi nuk kundërshtoi asnjë fjalë nga sa u thanë. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) vijoi fjalën e tij:
“Unë e di shumë mirë edhe se çfarë të pengon që të pranosh Islamin. Ti nuk beson, sepse ata që më kanë besuar mua janë kryesisht nga njerëz të dobët në radhët e shoqërisë, të cilët arabët i përçmojnë se janë të varfër, ndaj edhe i lënë mënjanë. A e di qytetin e Hires ti?”
“Jo!, – u përgjigj Adiji, – nuk e kam parë kurrë atë vend. Por kam dëgjuar të flitet për të.”
“Të betohem për Allahun, sepse Fuqia e Tij e ka në dorë jetën time, një ditë Ai ka për ta plotësuar këtë fe. Madje, do të vijë një ditë, që një grua e vetme do të hyjë në një shportë rruge mbi shpinën e devesë dhe do të mund të udhëtojë e sigurt nga Hireja [një qytet i vogël në afërsi të Kufes] në Mekë, do të vizitojë Qaben. Do të vijë një ditë që do të ngadhënjehet edhe mbi thesaret e Hurmuzit, mbretit të Iranit.”
“Si? Hurmuzi, mbreti i Iranit?”, – pyeti Adij bin Hatimi.
“Madje edhe shumë më shumë, të ardhurat do të shtohen aq shumë, saqë të gjithë do të jenë të ngopur dhe askujt nuk do t’i shkojë më mendja e nuk do të denjojë për ndonjë gjë tjetër që nuk e ka.”
Erdhi një ditë, që këto lajme që Resulullahu kishte dhënë për të ardhmen u realizuan të gjitha një e nga një. Madje ato i pa edhe Adij bin Hatimi me sytë e tij.
Adij bin Hatimi u bë menjëherë mysliman, që aty. Fytyra e Krenarisë së Gjithësisë shkëlqente nga gëzimi. Njerëzit pranë tij i kërkuan disa gjëra dhe ai pasi lëvdoi dhe falënderoi thellësisht Allahun, tha këto fjalë:
“O njerëz! Çdo e mirë që do të bëni ka për të qenë pasuria juaj. Njeriu, sado pak, apo shumë, mirësi t’i falë Allahu, kur ai të vijë dita e të shkojë pranë Krijuesit të vet me këto mirësi, Allahu ka për t’i thënë: ‘A nuk të dhashë unë ty shqisën e të shikuarit, të të dëgjuarit? A nuk të dhashë unë ty pasuri dhe fëmijë? Tani më thuaj ti, çfarë dërgove për ahiretin që sa ishe në jetë mbi Tokë?’ Aty, nëse ai njeri nuk ka dërguar asgjë, do të shohë njëherë pas, njëherë para, majtas, pastaj djathtas, mirëpo nuk do të shohë dot asgjë. Në atë çast nuk do të ketë asnjë rrugëzgjidhje e shpëtim tjetër pos mëshirës së Allahut. Ruajeni veten prej zjarrit, qoftë edhe me një gjysmë hurme të vetme. Nëse nuk e keni as këtë, atëherë thoni të paktën një fjalë të butë e të ëmbël. T’ju them të vërtetën, unë nuk kam frikë se mos mbeteni të varfër. Nuk ka dyshim se Allahu do t’ju ndihmojë me shumë të mira e ndihmën e Tij, duke ju falur ngadhënjime të njëpasnjëshme. Madje edhe ajo grua e ulur mbi samarin e devesë, do të udhëtojë e vetme nga qyteti i Hiresë, deri në Medinë, e askush nuk do t’i bëjë keq.”
Dhulxheusheni bëhet mysliman
Dhulxheusheni mbërriti te Resulullahu pas betejës së Bedrit. Me vete kishte edhe një mëz të vogël. Kur u afrua, i tha të Dërguarit të Allahut:
“Këtë mëz e kam prurë për ju. Ta keni që të vogël e ta rritni për veten.”
“Unë nuk kam nevojë për të, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut, – por, nëse dëshiron, mund ta shkëmbejmë me ndonjë prej mburojave që i kemi marrë si plaçkë lufte në Bedër.”
Dhulxheusheni e dëgjoi dhe i tha:
“Sot nuk kam dëshirë që të ndërroj një kalë të fisëm me një mburojë të përftuar si plaçkë lufte.”
“Po mirë, por unë sot nuk kam nevojë për mëzin që më ke sjellë ti. Shiko, Dhulxheushen, lëre këtë çështjen e kalit dhe shih se ç’dua të të them: Pse nuk e pranon Islamin, a nuk do që ti të jesh prej të parëve të kësaj çështjeje?” - “Jo!”, – u përgjigj Dhulxheusheni.
“Po pse kështu?”, – e pyeti sërish Resulullahu.
“Sepse sot po shoh që i gjithë populli po këmbëngul për të të ndjekur e dëmtuar. Unë e di, që populli yt të ka përzënë, të përgënjeshtrojnë në çdo rast dhe se kanë filluar edhe të luftojnë me ty.”
“Po mirë, ty nuk të ka ardhur lajmi se si ata ranë të gjithë në Bedër, se si u poshtëruan?”
“Po, e mora vesh.”, – u përgjigj Dhulxheusheni.
Kur dëgjoi këto fjalë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha:
“Prit, të t’i tregojmë një e nga një se çfarë ndodhi atë ditë.”
“Jo Bedrin, por kur të kesh ngadhënjyer mbi Qaben dhe të vendosesh atje përfundimisht, atëherë do t’i pranoj ato që më thua.”, – u përgjigj Dhulxheusheni.
“Mirë atëherë, po të kesh jetë gjer atëherë edhe atë do ta shohësh.”
Pas kësaj bisede që kaloi mes tyre Resulullahu (alejhis’selam) iu drejtua Bilalit nga Abisinia dhe e urdhëroi:
“Merre torbën e tij dhe mbusheni me hurma të Medinës, që t’i ketë për rrugës.” Kur Dhulxheusheni u largua, Krenaria e Gjithësisë iu drejtua atyre që ishin të pranishëm, duke u thënë:
“Ta dini, ky burrë është një prej heronjve më të mbarë të Beni Amirit.”
Dhulxheusheni nuk u bë mysliman deri në ngadhënjimin mbi Mekën. Kur Profeti i profetëve u kthye në Mekë si ngadhënjimtar, Dhulxheusheni tha:
“Aman, o Zot! Si nuk u bëra mysliman që atë ditë kur Resulullahu më tha, ‘Eja, bëhu mysliman!’ Tani mund t’i kisha kërkuar gjithë Hiren.
Pa diskutim, që do të kisha marrë shumë plaçkë lufte prej atij qyteti.
Beshir bin Mabedi bëhet mysliman
Beshir bin Mabedin, duke qenë se tërthorazi i përkiste edhe fisit të “Hasasijes”, e thërrisnin edhe Beshir bin el-Hasasije.
Një ditë, Beshiri u nis dhe shkoi për te Profeti i nderuar (alejhis’selam). Resulullahu fillimisht e ftoi atë njëherë të pranonte Islamin. Mandej e pyeti:
“Si të quajnë?” Ai iu përgjigj:
“Nedhir!” që do të thotë “i frikshëm”. Resulullahu i tha se do t’ia ndërronte emrin me emrin “Beshir”, që do të thotë “lajmëtar i së mirës”. Mandej e mirëpriti atë në Suffe.
Krenaria e Njerëzimit, Profeti ynë, kur i sillnin ndonjë dhuratë, nuk ikte pa u dhënë edhe të tjerëve prej saj. Edhe kur i binin sadaka, ai ua ndante atë gjithmonë miqve apo shokëve që i gjendeshin pranë në ato çaste. Një natë, Krenaria e Gjithësisë doli jashtë. Beshiri po e ndiqte nga pas. I Dërguari i Allahut mbërriti në varrezat “Baki” dhe i përshëndeti ata që ishin në ato varre me këto fjalë:
“Përshëndetje të gjithë juve! O ju banorë të tokës së shumë fiseve besimtare! Një ditë, edhe ne do të vijmë pranë jush, sepse edhe ne Zotit i përkasim. Kur të vijë ajo kohë, nuk ka dyshim, se edhe ne tek Ai do të kthehemi. Mirëpo, e vërteta është kjo, se ju ikët me shumë mbarësi, e pas latë një të keqe që zgjat shumë.”
Kur Resulullahu përfundoi lutjen dhe u kthye pas, e ndjeu menjëherë se dikush po e ndiqte nga pas, ndaj thirri:
“Kush është aty?”
“Beshiri jam.”, – u përgjigj një zë.
“A nuk je i kënaqur që Zoti yt të zgjodhi pikërisht ty nga mesi i fisit Rabia, për të cilët Allahu ka thënë se ‘sikur të mos ekzistonte, atëherë gjithë ç’ka ky rruzull e këta qiej do të shkatërroheshin në vend’. A nuk duhet ta falënderosh Zotin për këtë?”
“Po, o i Dërguari i Allahut.”, – u përgjigj Beshiri.
“Atëherë ç’të ka bërë që të më ndjekësh nga pas, në këtë orë të natës, deri këtu?”, – e pyeti Resulullahu (alejhis’selam).
“Po ti dole jashtë qytetit në këtë orë të vonë të natës, kisha frikë se mos pengoheshe gjëkundi e rrëzoheshe, apo mos ndonjë kafshë helmuese të bënte keq, ndaj të erdha nga pas, për të të mbrojtur.”, – iu përgjigj Beshiri, duke dhënë një përgjigje plot dhembshuri.
Kur një prej fisit Beladeuije bëhet mysliman
Një panair shumë i madh ishte ngritur. Në Medinë erdhi një njeri nga fisi i Beladeuijes, dhe për të pushuar, u vendos në një prej luginave që ishin aty pranë. Dy vetë po bënin pazar me njëri-tjetrin për një dhi që kishin me vete. Le ta dëgjojmë se si vijon historia, ashtu siç na vjen e transmetuar nga vetë ky njeri:
“Ai që ishte blerësi, i kërkoi tjetrit që t’ia ulte pak çmimin. Në atë çast, papritur, aty pranë iu shfaq një njeri, që kishte një pamje madhështore, me ballin të gjerë, hundën të hollë dhe vetullat të mprehta, i cili ishte veshur me disa rroba të vjetra dhe na përshëndeti. Me vete thashë njëherë: “Flasin se nga bijtë e Hashimit ka dalë një njeri që po përpiqet të shtrembërojë zakonet e njerëzve. Mos vallë ky është ai njeri.” Nejse, e përshëndetëm edhe ne. Ai që po blinte, iu drejtua atij njeriu:
“O i Dërguari i Allahut! Thuaji këtij shitësi, të ma ulë pak çmimin e kësaj dhie.” Resulullahu zgjati njërën dorë dhe tha:
“Kontrolli i plotë mbi pasurinë tuaj ju takon vetëm juve. Unë dua, që kur të vijë dita e Kiametit dhe të dalim përpara Allahut, asnjë prej jush të mos ketë mundësi të thotë se unë kam bërë padrejtësi me pasurinë, jetën, apo nderin e ndonjërit prej jush. Allahu pastë mëshirë për atë që bën lëshime (lehtësim) në tregti, atij që tregohet i butë e i duruar me atë që ka për t’i paguar një borxh dhe atij që nuk e bën të vështirë kur ka për të blerë diçka.”
Mandej iku dhe vazhdoi rrugën për nga ishte nisur. Sërish, thashë me vete: “Sido që të jetë e vërteta, unë do të shkoj te ky njeri dhe do t’i them se i pranoj ato që tha. Sa të ëmbël që e kishte fjalën.” I shkova nga pas dhe e thirra:
“O Muhamed!”, - Nuk ktheu vetëm kokën, por u kthye menjëherë i tëri nga unë.
“Çfarë kërkon?”, – më pyeti.
“Ti je ai njeri, për të cilin thonë se ‘po i shthur njerëzit, po u shkakton gjithfarë fatkeqësish dhe po u bëhesh atyre pengesë që të adhurojnë zotat e të parëve të vet?”, – e pyeta unë.
“Po!”
“Për ku i fton ti njerëzit?”
“Unë i ftoj për tek Allahu të gjithë robërit e Tij.”
“E çfarë tjetër u thua ti atyre?”
“Unë dua që ti të pranosh se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se unë jam i dërguar i Allahut, që t’i besosh asaj që më është zbritur mua, t’i mohosh Latin dhe Uzzan, ta falësh namazin më së miri dhe të japësh zekatin e pasurisë sate.”
“E çfarë është zekati?”
“Ajo pjesë e pasurisë së të pasurit, e cila duhet t’u jepet të varfërve.”
“Sa e bukur qenka kjo ku ti po na ftoke!..”, – i thashë.
Tani mund të thosha me plot gojën se e kisha njohur mjaft mirë atë njeri. U kthye nga unë dhe më pyeti:
“A më kuptove mirë, si mua, ashtu edhe ftesën që të bëra?” - “Po, o i Dërguari i Allahut.”, – iu përgjigja unë.
Kur e dëgjoi këtë fjalë, atëherë më kërkoi që ta përsëritja, duke më thënë:
“Domethënë, tani, ti po pranon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut dhe, njëkohësisht, po i beson edhe asaj që më është zbritur mua?”
“Po, o i Dërguari i Allahut, i besoj.”, – përsërita unë.
Ai njeri nga Beladeuijet thotë se: “Më beso, më parë, nuk besoj të ketë pasur njeri të gjallë mbi rruzullin tokësor që ta ketë urryer më shumë se unë atë njeri. Por, e vërteta është, se, që tani, atë njeri e dua më shumë edhe se nënën, babanë dhe fëmijët e mi, sepse ai është njeriu më i dashur ndër gjithë njerëzinë.”
Ai njeri, më vonë shkoi në lagjen ku banonin të afërmit e tij dhe i ftoi që të gjithë të pranonin Islamin. Të gjithë erdhën dhe u bënë myslimanë dhe Krenaria e Gjithësisë i fërkoi kokën këtij njeriu dhe e përgëzoi për atë që kishte bërë me të afërmit e tij.
Ebu Kuhafeja bëhet mysliman
Ditën që ndodhi ngadhënjimi mbi Mekën, i Dërguari i Allahut hyri i qetë dhe fare i heshtur deri në Mesxhidu’l Haram. Ebu Bekri (radijallahu anhu) e mori të atin, Ebu Kuhafen (Osman bin Amir) për dore dhe e pruri drejt e tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Krenaria e Njerëzimit, kur e pa këtë njeri, i tha Ebu Bekrit:
“O Ebu Bekr! Pse e mundove këtë burrë të moshuar, e nuk e le të qëndronte atje ku ishte. Mund të shkonim ne tek ai.”
“O i Dërguari i Allahut, po a nuk duhet që të vijë ai tek ti dhe jo
të shkosh ti te këmbët e tij?”, – e pyeti Ebu Bekri.
Profeti ynë e mori atë burrë të moshuar dhe e uli para vetes. E zgjati dorën e tij të bekuar, ia vuri drejt zemrës dhe i tha:
“Bëhu mysliman, që të gjesh qetësinë në shpirt.” Aty, ai tha menjëherë dhe me sinqeritet fjalën e dëshmisë, duke u bërë sakaq mysliman.
3. ATA QË FTOHESHIN NË ISLAM NGA DY E NGA TRE
Ebu Sufjani dhe e shoqja e Ebu Sufjanit, Hindi
Na e tregon Muauija (radijallahu anhu): “Një ditë, babai im, Ebu Sufjani, mori edhe nënën time, Hindin, në kalin e tij dhe dolën nëpër shkretëtirë. Atëherë unë isha një djalë i ri, hipa mbi gomar dhe iu vura nga pas me ngadalë. Aty, fare papritur, dëgjuam zërin e Profetit (alejhis’selam). Babai më tha:
“Zbrit ti, të hipë Muhamedi.” Zbrita dhe mbi gomar hipi i Dërguari i Allahut dhe filloi të ecte me ngadalë duke na prirë të gjithëve. Mandej, u kthye nga ne dhe na tha:
“O Ebu Sufjan! Dhe ti, Hind! Nuk ka pikë dyshimi se një ditë ju do të vdisni dhe sërish do të ringjalleni. Ata që janë të mirë, do të hyjnë në Xhenet, ndërsa ata që janë të këqinj, do të shkojnë në Xhehenem. Unë jam duke ju thënë të vërtetën. Kjo është hera e parë që këto të vërteta po jua them të gjithëve bashkë.”
Mandej na lexoi prej fillimit të sures “Fussilet”, deri në ajetin e njëmbëdhjetë.
“Kaq kishe për të thënë?”, – e pyeti babai.
“Po!”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut dhe zbriti nga gomari dhe mbi të hipa sërish unë.
Nëna u kthye nga babai dhe tha (hasha):
“Për këtë magjistar ma zbrite djalin nga gomari, që të ulej ai?”
“Jo, – iu përgjigj babai, – për Zotin, ai nuk është as magjistar, as gënjeshtar.”
Resulullahu fton Osmanin dhe Talha bin Ubejdullahun në Islam
Osman bin Afani dhe Talha bin Ubejdullahu (radijallahu anhuma) po vinin pas Zubejr bin Auamit për te Resulullahu. I Dërguari i Allahut u shpjegoi atyre Islamin, duke u lexuar edhe disa pjesë nga Kur’ani. U tregoi atyre të drejtat dhe detyrat që lindin fill me pranimin e Islamit. U përshkroi atyre të gjitha të mirat që Allahu do t’u falte, nëse ata do të bëheshin myslimanë. Pasi e dëgjuan mirë e mirë, ata e pranuan të gjithë Islamin dhe besuan, duke i pranuar e përsëritur të gjitha ato gjëra që u kishte treguar i Dërguari Fisnik i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Osmani (radijallahu anhu), tha:
“O i Dërguari i Allahut! Ne ishim në një vend që ndodhet mes Maanit dhe Zerkas. Edhe pak dhe po na zinte gjumi. Dikush na thirri:
“O ju që po flini! Zgjohuni nga gjumi, sepse në Mekë është shfaqur i Përlëvduari (Ahmedi) (alejhis’selam) dhe ju ka prurë fenë e Islamit!”, - dhe kur hymë në Mekë, ç’të dëgjonim, morëm vesh se ty të është zbritur profetësia.” Kurse Osmani (radijallahu anhu) është bërë mysliman shumë kohë më parë, edhe mëpërpara se i Dërguari i Allahut të hynte në shtëpinë e Erkamit.
Amari dhe Suhejbi bëhen myslimanë
Amar bin Jasiri, te porta e shtëpisë së Erkamit, ku gjendej edhe Resulullahu, takoi Suhejb bin Sinanin.
“Çfarë kërkon këtej?”, – e pyeti ai Suhejbin.
“Mirë unë, po ti çfarë kërkon?”, – iu përgjigj ai po me pyetje.
“Kam ardhur se dua të shkoj te Muhamedi dhe të dëgjoj ato që thotë.”, – u përgjigj Amari i pari.
“Edhe unë, prandaj kam ardhur.”, – u përgjigj edhe Suhejbi.
Kështu, ata hynë të dy tok. Krenaria e Gjithësisë u foli atyre për Islamin. Ata e dëgjuan dhe u bënë myslimanë. Kësisoj, me hyrjen edhe të tyre në Islam, numri i meshkujve që ishin bërë myslimanë kaloi numrin tridhjetë.
Ftimi në Islam i Es’ad bin Zurares dhe Dhekuan bin Abdikajsit
Es’ad bin Zurareja dhe Dhekuani, të cilët jetonin në Medinë, kishin një çështje të pazgjidhur mes veti, e cila kishte nevojë për gjyqësi. Për këtë arsye, ata erdhën në Mekë, për të kërkuar që çështjen t’ua zgjidhte Utbe bin Rabiaja. Kur dëgjuan rreth të Dërguarit të Allahut, ndërruan mendje dhe vendosën që të shkonin njëherë tek Ai më parë. Profeti i profetëve u foli atyre për Islamin, duke u lexuar edhe disa ajete nga Kur’ani. Edhe ata e pranuan menjëherë dhe i besuan çdo fjale që u kishte thënë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Pa shkuar fare tek Utbeja, u kthyen drejt e në Medinë. Këta dy sahabë me nam ishin ndër të parët që çuan Islamin në Medinë.
4. ATA QË NUK E PRANUAN FTESËN
E RESULULLAHUT PËR NË ISLAM
Ebu Xhehli
Mugire bin Shubeja tregon: “Resulullahun, për herë të parë, e kam njohur teksa po i propozonte Ebu Xhehlit që të bëhej mysliman. Bashkë me Ebu Xhehlin ne ishim duke ecur në një prej sokakëve të Mekës, kur përballë rastisëm me të Dërguarin e Allahut. I Dërguari i Allahut tha:
“Shiko, o Ebu’l-Hakem! Eja tek Allahu, i Dërguari dhe Libri i Tij! Unë ty nuk po të ftoj veçse që ti të pranosh Allahun.”
“O Muhamed! Kur do të heqësh dorë së mallkuari zotat tanë? Ti do që ne të pranojmë atë që ke ardhur të na shpallësh ti? Nëse ato që na thua janë të vërteta, unë do të dëshmoj përpara Allahut se ti e kreve detyrën tënde, duke ma shpallur profetësinë tënde. Zaten, unë do të të isha bindur e do të të kisha ndjekur, sikur unë të dija se ato që thua ti janë të vërteta!”, – iu përgjigj Ebu Xhehli.
Mugireja tregon: Kur Resulullahu u largua prej andej, Ebu Xhehli më pati thënë:
“Pse të të gënjej; unë e di se të gjitha që ai thotë janë të vërteta, mirëpo ka diçka që më pengon: gjyshi i tyre, Beni Kusaji, pati thënë se përkujdesja për Qaben u takonte atyre, dhe ne e pranuam; thanë se detyra e gostitjes me ujë e atyre që vijnë për të vizituar Qaben u takonte atyre, edhe këtë e pranuam; thanë se këshillat që vendosin për luftërat dhe paqen dhe që japin këshilla për martesat mes banorëve u takonin atyre, edhe këtë ua pranuam; kur duhet të dërgohen ushtarë në një vend, na thanë se detyra e vendosjes së flamurit në vendin ku do të mblidhen luftëtarët u takonte po atyre, edhe për këtë nuk kundërshtuam dhe pranuam. Edhe ata ushqejnë shumë njerëz, edhe ne ushqejmë shumë njerëz. Tani, që, më në fund, ne jemi të barabartë me ta, ata po ngrihen e po na thonë: ‘Ja, edhe profeti doli nga mesi ynë.’ Jo, për Zotin, unë këtë nuk mund ta duroj dot!”
Uelid bin Mugireja
Një ditë, Uelid bin Mugireja erdhi te Resulullahu. Krenaria e Gjithësisë i lexoi atij pjesë nga Kur’ani. Uelid bin Mugireja u duk sikur u zbut për pak. Mirëpo, ky lajm mbërriti menjëherë në veshin e Ebu Xhehlit. Ebu Xhehli erdhi menjëherë tek Uelidi dhe i tha: - “Xhaxha! Njerëzit kanë zënë të mbledhin pasuri për ty.” - “E pse?”, – e pyeti ai.
“Duan të t’i japin ty. Të gjithë thonë se ti ke ardhur te Muhamedi që të pranosh shpalljen e tij.”
“Mos fol kot! I gjithë Kurejshi e di që unë jam shumë i pasur.”
“Për Zotin, atëherë më thuaj ti diçka, çfarë t’u them unë njerëzve tanë, kur të kthehem tek ata, që ata të binden se ti nuk e ke pranuar Muhamedin.”
“Po, mirë, çfarë të të them? Ti e di, që në mesin tuaj nuk ka njeri që e njeh poezinë më mirë se unë. Po ashtu, edhe metrikën e poezisë arabe dhe shtatë vargëzimet e saj, vështirë të gjendet një njeri që i njeh më mirë se unë. Unë të siguroj, se ato që thotë Muhamedi nuk ngjajnë kurrkund me asnjë prej tyre. Seç ka një ëmbëlsi, një shkëlqim dhe një bukuri të veçantë në ato që ai thotë. Pjesa e sipërme e asaj peme ka fruta të ëmbla, ndërsa e poshtmja është shumë e thellë dhe domethënëse. E vërteta është se ajo do të mbizotërojë dhe asgjë nuk do të mund të ngjitet dot ndonjëherë mbi të. Ajo ka për t’i mposhtur të gjitha gjërat që do të rreken të përballen me të.”
“Imzot, nëse ti thua kështu, atëherë ta dini, se fisi nuk ka për të qenë asnjëherë i kënaqur me ty!”
“Atëherë, prit, të mendohem pak.”
Në fund, Uelid bin Mugireja u mendua, i peshoi mirë e mirë mendimet që i vinin në kokë dhe tha:
“Kjo është një magji e transmetuar, magjistar pas magjistari, e cila prek çdokënd nga ata që e dëgjojnë.” Menjëherë pas këtyre fjalëve zbritën këto ajete: “Më ler Vetëm (të merrem) me atë që e krijova të vetëm, pa pasuri e pa familje dhe i dhashë pasuri të pamasë e djem pranë vetes, dhe nderë e prestigj i kam dhuruar.” (Mudeththir, 74/11-14).
5. SHPALLJA E ISLAMIT PARA GRUPESH TË MËDHA ME NJERËZ
Shpallja e Islamit aristokracisë së Kurejshëve
Utbeja, Shejbeja, Ebu Sufjani dhe pjesa tjetër e parisë së Kurejshëve, kishte perënduar dielli dhe ata ishin mbledhur në pjesën e pasme të Qabes dhe po flisnin me njëri-tjetrin: “Dërgoni një grup njerëzish te Muhamedi, t’i tregojnë atij se ne kemi të drejtë që kundërshtojmë e ta bisedojnë me kujdes këtë çështje dhe t’ia shprehin haptazi se ne nuk duam ta pranojmë shpalljen e tij.”
Pasi i folën të gjitha këto, shkuan dhe e thirrën Resulullahun që të vinte aty. Resulullahu nuk ngurroi dhe erdhi menjëherë pranë tyre. Sepse mendonte se ata do të hiqnin dorë dhe shpresonte se do të bëheshin myslimanë. E dëshironte shumë që ata të bëheshin myslimanë dhe mërzitej jashtë mase nga inati, vuajtjet dhe ngatërresat që ata shkaktonin në mesin e njerëzve. Shkoi te ta dhe u ul mes tyre. Ata e pritën duke i thënë:
“O Muhamed! Ne të thirrëm për të të njoftuar se ne kemi një arsye shumë të fortë që të kundërshtojmë. Ja se si qëndron e vërteta, asnjë arab më parë nuk ka guxuar të fusë kaq shumë ngatërresa në mesin e arabëve, sa ç’ke bërë ti duke futur ngatërresa në mesin tonë. E çfarë ke lënë ti pa bërë! Ke mallkuar të parët tanë, duke e përbuzur fenë e tyre, je tallur me mendimet dhe jetën e tyre dhe, për më tepër, nuk ke lënë zot pa e sharë. Ti e ke prishur të gjithë përbashkimin që ekzistonte në mesin e arabëve. Ti nuk ke lënë shëmti pa futur në mesin tonë. Nëse e ke prurë këtë fe të re, sepse synon që të mbledhësh pasuri, atëherë na thuaj se ne mund të mbledhim pasuri për ty sa të duash, madje ne mund të të bëjmë që ti të bëhesh më i pasur nga të gjithë ne. Nëse janë fama dhe nderimet ato që kërkon, atëherë ne mund të të zgjedhim ty mbi krye. Por jo, edhe nëse do që të bëhesh mbret, atëherë mjafton të na e thuash, e ne mund të të zgjedhim ty si mbret. Edhe nëse të ka pushtuar ndonjë xhind dhe e ke të pamundur të shpëtosh dot prej tij, atëherë na trego, sepse ne jemi gati ta shpenzojmë të gjithë pasurinë vetëm që ti të shërohesh e të shpëtosh.”
Krenaria e Gjithësisë i dëgjoi mirë e mirë, me vëmendje, dhe shtoi:
“Unë nuk kam asnjërën prej atyre që ju numëruat. Unë nuk dua as para, as nderime e as mbretërim në këmbim të detyrës së shtrenjtë të profetësisë që më është ngarkuar. E vërteta është se unë kam ardhur për t’ju sjellë urdhëresat e Zotit tonë. Dhe nuk po punoj veçse për të mirën tuaj. Nëse ju e pranoni atë që unë kam ardhur t’ju shpall, atëherë ky ka për të qenë fitimi juaj, si në këtë jetë, ashtu edhe në përjetësi. Por, nëse e mohoni dhe nuk e pranoni, atëherë unë nuk kam se ç’të bëj, veçse të pres derisa Zoti të japë një vendim mes meje dhe jush.”
Idhujtarët e Kurejshit e ngatërruan edhe më shumë bisedën, duke kërkuar gjëra nga më të pazakontat:
“O Muhamed, nëse asnjë prej atyre që ne po të ofrojmë nuk është e mundur, atëherë të paktën të bësh këtë: ti e di, kufijtë e atdheut tonë janë shumë të ngushtë, pasuritë i ka të kufizuara dhe këtu jeta nuk është edhe aq e lehtë. Kërkoji Zotit që t’i shtyjë ca më tutje këto male që e rrethojnë Mekën rreth e përqark. Ose t’i sheshojë e t’i shndërrojë në fusha të rrafshëta. Të sjellë edhe lumenj, që të kalojnë mespërmes atdheut tonë, njësoj si lumenjtë e Sirisë dhe të Irakut. Hë, të mos harrojmë, kërkoji Atij edhe që të na ringjallë edhe të parët tanë. Për shembull, mes tyre të jetë edhe Kusaj bin Kilabi. Sepse ai ka qenë një njeri shumë i respektuar ndër të parët tanë, i cili thoshte gjithmonë të drejtën. Kështu, duke i pyetur edhe ata për ty, ne mund të mësojmë, nëse je duke na thënë të drejtën, apo jo. Nëse, pavarësisht të gjithave, ata do të të pranojnë ty e do të qëndrojnë në anën tënde, atëherë ta dish se do të të pranojmë edhe ne. Do të kuptojmë më mirë vendin tënd pranë Zotit, duke e pranuar se ti je një profet i dërguar prej Tij.”
I Dërguari i Allahut, pasi i dëgjoi të gjitha këto përçartje një e nga një, tha:
“Mua nuk më është dhënë detyra e profetësisë që të përmbush kërkesat tuaja. Unë ju bëj të ditur atë që Allahu më ka urdhëruar t’jua bëj të ditur. Unë e kreva detyrën time të shpalljes hyjnore. Nëse ju e pranoni, nuk ka dyshim që do t’ia shihni të mirën, si në këtë jetë, ashtu edhe në ahiret. Por, nëse më mohoni, atëherë unë nuk kam se ç’të bëj veçse të duroj, gjersa Allahu të marrë një vendim të prerë mes meje dhe jush.”
Pas kësaj, idhujtarët i kërkuan Mbretit të Profetëve që t’u tregonte ndonjë engjëll që e provonte profetësinë e tij, kopshtije dhe vreshta, thesare dhe ndërtesa të argjendta...“E ata thanë: ‘Ç’është me këtë të dërguar, i cili ha ushqim dhe ec nëpër tregje? Përse të mos i jetë dërguar një engjëll së bashku me të, e të jetë qortues?’” (Furkan, 25/7)
Edhe këtyre fjalëve Resulullahu (alejhis’salatu ues’selam) u dha të njëjtën përgjigje si më sipër. Ata vijuan të kërkonin sërish gjëra që nuk mund të kërkohen. Dhe fjalët i thoshin me një ton ironik dhe fyes. I thanë:
“Nëse është e vërtetë, që Zoti ty të jep gjithçka që i kërkon, kur i lutesh, atëherë kërkoji që të na e rrëzojë në tokë pjesë-pjesë këtë qiell që qëndron mbi kryet tona. Nëse nuk e bën, as ne nuk të besojmë.” Krenaria e Gjithësisë iu përgjigj sërish, se “kjo është në dorën e Zotit, nëse do, Ai mund ta bëjë këtë për ju.”
Idhujtarët e tepruan edhe më shumë, duke i thënë kërcënueshëm:
“O Muhamed! Zoti yt nuk e dinte që ne të thirrëm këtu për të të pyetur në lidhje me Të, që nuk të këshilloi më parë, e të të tregonte se çfarë do të të kërkonim; pse nuk të informoi e nuk t’i mësoi një e nga një, fjalë për fjalë, se si duhet të na këshilloje. Hë, nuk jua ka mësuar se si do të veproni e ç’rrugë duhet të zgjidhni për të ndjekur, nëse ne nuk e pranojmë fenë tuaj. Me ç’na kanë thënë, në Jemame jeton një njeri, të cilin e quajnë Rahman dhe ty t’i paska mësuar ai të gjitha ato që thua. Na beso, por ne kurrsesi nuk do t’ua vëmë veshin fjalëve të një njeriu si Rahmani. Tani, ne t’i treguam të gjitha arsyet se pse nuk të besojmë. Ta dish, ne nuk do ta lëmë me kaq. Ose do të zhdukemi ne, ose do të zhdukesh ti.”
Njëri, që ishte ndër më fanatikët në mosbesim u hodh e tha: “Nëse nuk na e sjell Allahun dhe engjëjt e Tij që të na dëshmojnë se ti je profet, ne ty nuk kemi për të të besuar kurrë.” (Isra’, 17/92)
Kur arritën të thoshin edhe këtë fjalë, atëherë i Dërguari i Allahut u ngrit të largohej që aty. Në atë kohë u ngrit edhe djali i hallës së tij, Abdullah bin Ebi Umejje dhe iu drejtua duke i thënë:
“O Muhamed! Populli t’i tha ç’kishte për të të thënë, por ti nuk pranove asnjë nga fjalët e tyre. Ata të kërkuan disa gjëra që janë shumë të rëndësishme, për të kuptuar se cili është vendi yt te Zoti; nuk i bëre. Në fund ata të kërkuan që ti t’ua provoje dënimin me të cilin ti iu kanose në emër të Zotit, nëse ata nuk do të besonin, e as këtë nuk e bëre. Ta dish mirë, se nëse nuk ngre shkallë që ngjiten drejt qiellit, e të na zbresë që andej një libër i shkruar që dëshmon se fjalët e tua janë të vërteta, bashkë me katër engjëj, as unë nuk kam për të të besuar ty. Të betohem, se nëse nuk e bën këtë as unë nuk mund të të besoj!” I tha këto fjalë dhe u largua nga i Dërguari i Allahut.
Edhe i Dërguari i Allahut u largua shumë i trishtuar nga njerëzit e tij, pasi donte aq shumë që ata t’i besonin, por ata sërish këmbëngulën në mohim, dhe shkoi pranë familjes së tij. Këtij grupi të Kurejshëve ua kishin verbuar sytë inati, mohimi, padrejtësia dhe armiqësia që ndienin kundrejt së mirës.”
Kur Islami iu kumtua Ebu’l-Hajthemit dhe një grupi të rinjsh
Emri i vërtetë i këtij sahabi të njohur aq shumë nga të gjithë ishte
Enes bin Rafi. Bashkë me një grup të rinjsh, kishte ardhur në Mekë, për të kërkuar ndihmën e kurejshëve, që t’i mbronin ata nga fisi i Hazrexhëve. Krenaria e Gjithësisë, kur dëgjoi se kishte ardhur një grup të rinjsh nga Medina, u nis menjëherë për t’i takuar. Ai iu drejtua atyre me fjalët:
“A nuk doni që unë t’ju tregoj diçka më të hairit sesa ajo që ju ka sjellë deri këtu?”
“E çfarë është ajo?”, – e pyetën ata.
“Unë jam i Dërguari i Allahut. Allahu më ka dërguar mua që t’u prijësoj njerëzve kah udhëzimi, që të adhurojnë vetëmse Allahun dhe të mos i bëjnë Atij asnjë shok, apo ortak, në krijimin e gjithçkaje. Veç kësaj, mua Ai më ka zbritur edhe një Libër, që unë t’jua shpall juve të vërtetat e tij.”
Pasi u tha këto fjalë, Ai u shpjegoi atyre Islamin në vija të përgjithshme, duke u lexuar edhe pjesë të ndryshme nga Kur’ani. Një ndër djemtë e rinj të atij grupi, i cili quhej Ijas bin Muadh, u tha shokëve:
“Për Zotin, kjo që po na tregon ky njeri është shumë herë më e mirë se sa ajo për çfarë ne kemi ardhur deri këtu.” Enes bin Rafiu mori një grusht guralecë nga toka dhe ia lëshoi Ijasit drejt e në fytyrë, dhe i tha:
“Zhduku nga grupi ynë! Ta dish, se ne kemi ardhur deri këtu për një arsye tjetër shumë të madhe.” Ijasi heshti dhe nuk i ktheu përgjigje. Edhe Krenaria e Njerëzimit u ngrit që aty dhe, sakaq, edhe ata u ngritën që të ktheheshin në Medinë.
Nuk kaloi shumë kohë dhe mes fiseve Eus dhe Hazrexh plasi një luftë, e cila u quajt edhe si lufta e Buathit. Ijas bin Muadhi (radijallahu anhu) dëshmor pikërisht gjatë kësaj lufte. Sipas asaj që tregojnë transmetuesit; dikush e kishte parë, dhe teksa po jepte shpirt, Ijasi kishte thënë: “La ilahe il’lallah, Allahu Ekber, Subhanallah”. Aty ishin mbledhur edhe njerëz nga fisi i tij, për të dëgjuar se çfarë thoshte. Nuk kishte asfare dyshim se ai qe ndarë nga kjo jetë si mysliman. Ijas bin Muadhi ishte bërë mysliman qysh kur e kishte parë fytyrën e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahua alejhi ue sel’lem) për herë të parë. Resulullahu fton kushërinjtë e Tij në Islam
Kur zbriti ajeti i dyqindekatërmbëdhjetë i sures Shuara,
“Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm” (Shuara, 26/214), Profeti i profetëve vendosi të ngjitej në kodrën e Merues ose Safasë, që t’u fliste kushërinjve të Tij për të vërtetën e Allahut:
“O fis i Fihriut!” Aty u mblodhën edhe shumë kurejshë. Ebu Lehebi tha:
“Ja tek e ke fisin e Fihriut! Thuaje, ç’ke për të thënë!” Resulullahu vijoi fjalën e vet: -
“O fis i Galibit!” Nga fisi i Fihrit erdhën Beni Muharibi dhe Beni Harithi.
“O fisi i Luej bin Galibit!”, – vijoi të thërriste i Dërguari i Allahut. Erdhi Beni Tejmi. Kur thirri: “O fisi i Kab bin Luejit!”, aty erdhi Amir bin Lueji. Po ashtu, nga familjet e Beni Adit, Beni Sehmit, Beni Xhumah bin Amrit dhe Kilab bin Murres erdhën Beni Makhzumi, Beni Tejm bin Murreja; nga fisi i Beni Kusajit Dhuhre bin Kilabi; nga fisi i Abdimenafit erdhën Beni Abdid’dar bin Kusaji, por të ftuar ishin edhe Beni Abdilesed bin Abdil’uzza dhe Beni Abd bin Kusai.
Ebu Lehebi u kthye nga Profeti i nderuar dhe i tha:
“Ja tek janë të gjithë pasardhësit e bijve të Abdu Menafit. Ç’ke për të thënë, thuajua këtyre!”
I Dërguari i Allahut filloi të fliste:
“Allahu më ka urdhëruar që unë t’i paralajmëroj të gjithë të afërmit e kushërinjtë e mi. Dhe ju jeni prej Kurejshit, kushërinjtë e mi më të afërt. Nëse nuk thoni La ilahe il’lallah, unë nuk kam se si t’ju ndihmoj as në këtë jetë, as në tjetrën. Por, nëse e thoni, atëherë unë do të jem dëshmitari juaj përpara Allahut. Nëse e pranoni dhe besoni, atëherë të gjithë arabët do t’ju përulen e do t’ju respektojnë, e po falë këtij dëshmimi, të gjithë ata që nuk janë arabë do të ulen në gjunjë përpara jush.”
Ebu Lehebi, priti sa ta mbaronte fjalën dhe i tha:
“Turp të kesh... Mallkuar qofsh, si ti, ashtu edhe ato që ti thua...” Menjëherë pas mallkimit të Ebu Lehebit zbriti sureja “Tebbet”, e cila
fillonte me ajetin: “Duart iu thafshin Ebu Lehebit”.
Sipas një transmetimi tjetër, i Dërguari i Allahut zuri t’i thërriste një e nga një të gjitha degët e Kurejshit. Ata që u thirrej emri mblidheshin në kodrën e Safasë dhe Merues. Ndërsa ata që e kishin të pamundur të ishin të pranishëm, dërgonin nga një mëkëmbës në vend të tyre. Një nga ata ishte edhe Ebu Lehebi.
I Dërguari i Allahut tha:
“Unë kam për t’ju dhënë një lajm më të rëndësishëm sesa po t’ju thosha se janë nisur armiqtë dhe po vijnë për të na pushtuar. Si mendoni? Nëse do t’ju thosha se pas këtyre maleve gjendet një grup kalorësish banditë, të cilët duan që t’ju sulmojnë e t’ju bëjnë keq, a do të më besonit?”
“Po, do të të besonim.”, – iu përgjigjën ata. – “Ne, sa herë që të kemi dhënë ndonjë punë, apo të kemi kërkuar ndonjë mendim, kemi parë se ti je një njeri që nuk thua asgjë tjetër përveçse të vërtetën.”
“Atëherë unë po ju njoftoj dhe paralajmëroj për një dënim shumë të ashpër që ju pret në të ardhmen.”, – tha Krenaria e Gjithësisë.
Pas këtyre fjalëve, Ebu Lehebi tha ato fjalë të pahijshme që u përmendën edhe më sipër dhe u largua së andejmi.
Sipas një transmetimi tjetër, kur zbriti ajeti i 214 i sures “Shuara”, që e përmendëm edhe në krye, Profeti i profetëve u ngrit në këmbë dhe tha:
“O njerëz të Kurejshëve! Shitjani veten tuaj Allahut, sepse unë nuk mund t’ju shpëtoj dot prej ndëshkimit të Allahut, qoftë edhe për gjënë më të vogël. O bijtë e Abdimenafit! Edhe ju t’ia shitni veten tuaj Allahut; sepse as për ju nuk kam se ç’të bëj në Ditën e Gjykimit, nëse ju nuk besoni. Edhe ti, o Abbas, që je xhaxhai im! Nuk të shpëtoj dot nga ndëshkimi i Allahut! Edhe ti halla ime! As ty nuk të shpëtoj dot prej dënimit të Allahut. O Fatime! Bija ime! Më kërko ç’të duash nga ajo që është e imja dhe unë do të ta jap menjëherë; mirëpo prej dënimit të Allahut unë nuk mund të të heq dot ty as edhe një grimcë të vetme.”
Me sa duket, ai donte t’u tregonte se tani ishte duke iu shpallur të vërtetën e Zotit. “Ju duhet të besoni në këtë fe, që të ruheni nga dënimi i ashpër i Allahut. Përndryshe, të mos mbani shpresa kot tek lidhja jonë farefisnore.”
I Dërguari i Allahut u tregon Islamin fiseve të Beni Amirit dhe Beni Muharribit
Profeti ynë, përgjatë tri viteve të para, e shpallte Islamin fshehtas. Në vitin e katërt, ai nisi ta shpallte atë haptazi dhe kjo vijoi kështu, e pa ndryshuar, për dhjetë vite me radhë. Për të predikuar ai zgjidhte veçanërisht panairet që zhvilloheshin asokohe nëpër vende të ndryshme afër Mekës dhe stinën e Haxhit. Ai shkonte nëpër vendet e panaireve që ngriheshin nga haxhilerët në Ukadh, Mexhene dhe Dhulmexhaz dhe u kërkonte atyre që t’u ofronin mundësitë që i nevojiteshin për të bërë shpalljen e tij, ndërsa në këmbim u jepte atyre sihariqin e bekuar të Xhenetit. Shkonte fis më fis, derë më derë, dhe i pyeste të gjithë se ç’mendim kishin, mirëpo, nuk pati arritur të gjente qoftë edhe një fytyrë të vetme të pastër.
Ndërkaq, radha i erdhi që të shkonte edhe pranë fisit të Beni Amirit. Por ç’e do se aty e trajtuan më keq nga çdo vend tjetër ku ai kishte shkuar. Kur u largua së andejmi, ata e ndoqën nga pas duke e goditur me gurë. Mandej, Profeti i profetëve shkoi te Beni Muharibi. Në mes tyre gjendej edhe një burrë i moshuar njëqindenjëzetvjeçar. I Dërguari i Allahut foli me atë njeri dhe e ftoi që të besonte tek Islami; madje i kërkoi ndihmë që ta ndihmonte që në Islam të besonin edhe të tjerët. Mirëpo plaku, jo vetëm që nuk besoi në fenë e prurë prej Vulës së profetëve, por mbajti një qëndrim që nuk pritej prej tij:
“O njeri me nam! Populli yt i di shumë mirë ato që ti thua. Një njeri që të beson ty dhe kthehet te fisi i tij duke të besuar, gjithë të njohurit do t’ia quajnë se ai ka bërë më të keqen punë që mund të bëjë njeriu. Unë nuk kam se ç’të të them tjetër, ndaj ik, largohu nga unë!”
Kur ky njeri shfaqi një sjellje kaq të shëmtuar ndaj Profetit të profetëve, aty, nga pas, ia behu menjëherë ai që ishte më fanatiku i mohimit ndaj Zotit, me ato flokët e kuqe që e dallonin, Ebu Lehebi, i cili nuk i ndahej ndonjëherë Resulullahut, për ta penguar me çdo çmim e në çdo rast. Ebu Lehebi e përgëzoi burrin e moshuar për qëndrimin e drejtë, që kishte mbajtur duke i thënë:
“Sikur të gjithë ata që janë mbledhur sot këtu, për të kryer Haxhin, edhe ai vetë do të kish hequr dorë nga ajo fe e tija. Ai është një gënjeshtar, që ka hequr dorë nga feja e të parëve të tij, ja se çfarë është.” Plaku i moshuar e dëgjoi dhe i tha:
“Ti e njeh më mirë atë, sepse është nipi yt dhe i përket farës e fisit tënd. O Ebu Leheb! Ka gjasa që ai të jetë një i çmendur. Te ne gjendet një burrë që i shëron këta lloj njerëzish.” Ebu Lehebi nuk iu përgjigj fjalëve të burrit të moshuar.
I Dërguari Fisnik u shpjegon Islamin bijve të Absit
Na është transmetuar nga Abdullah bin Uabisatu’l-Absi: “Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi aty ku gjendeshim edhe ne, në Mina. Ne po zbrisnim në Xhemren e parë, që vjen fill pas Faltores së Hajfit. Edhe ai ishte i hipur mbi kafshën e tij. Nga pas i vinte Zejd bin Harithi. Për të kishim dëgjuar edhe më parë, që ai vinte nëpër panaire dhe i ftonte njerëzit që të pranonin e të hynin në Islam. Na qëndronte te kryet të gjithëve dhe na shpjegonte fenë e Islamit. Megjithatë ne nuk i thamë ‘po!’ Pranë nesh ishte edhe Mejsere bin Mesruk el-Abesiu. Ai na tha:
“Unë betohem për Zotin, se për ne do të ishte më mirë nëse do ta pranonim atë njeri dhe ta shihnim në anën tonë. Për Zotin, kauza e tij ka për të dalë ngadhënjimtare dhe do të mbizotërojë fuqishëm mbi të gjitha vlerat tona gjer më sot.” Një prej shokëve e dëgjoi dhe i tha:
“Qëndro larg prej nesh, e mos na shkakto probleme të cilave nuk mund t’u bëjmë dot ballë!”
Të Dërguarin e Allahut e kaploi njëfarë shprese kur dëgjoi fjalët e Mejseres, ndaj iu afrua që të fliste me të. Kur i shkoi pranë, Mejsereja i tha:
“Sa të bukura që i kishe ato fjalë! Sa të shkëlqyera!”
“Mirëpo, i gjithë populli më kundërshton dhe një njeri vetëm kur ka mbështetjen e fisit të tij mund t’ia dalë të mëkëmbet. Nëse nuk e ndihmojnë të afërmit, atëherë si mund ta ndihmojnë armiqtë?!”, – iu përgjigj Profeti ynë.
Kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u largua së andejmi dhe ai fis doli nga Meka dhe u kthyen të gjithë pranë familjeve të tyre. Mejsereja u foli atyre:
“Ejani, të shkojmë në Fedek dhe të pyesim hebrenjtë se si qëndron puna me këtë njeri, cila është e vërteta.” U ngritën menjëherë dhe u nisën për te hebrenjtë. Hebrenjtë nxorën menjëherë një libër përpara tyre. Kërkuan për vendin ku flitej për të Dërguarin e Allahut dhe pasi i lexuan ato pjesë, nisën të flisnin rreth tyre:
“Ai është një arab dhe një profet i pakënduar. Hipën mbi deve dhe është aq i përkorë, saqë mjaftohet me thërrimet e bukës. Nuk është as i gjatë, as i shkurtër. Edhe flokët nuk i ka as kaçurrela, as krejt të drejtë, por i ka pak si të dallgëzuara. Në sy ka një ngjyrë të kuqe dhe lëkurën e ka ezmere.”
Aty u ngrit dikush dhe tha:
“Nëse ai që ju ftoi është një burrë që i ngjan këtij përshkrimi, atëherë duhet ta ndiqni menjëherë dhe të hyni në fenë që ai ka sjellë. Ne nuk do t’i bindemi për shkak të hasetit që kemi ndaj tij, sepse për shkak të tij ne do të kalojmë shumë fatkeqësi nëpër vende të ndryshme. Atë asnjë arab nuk do të mund ta shpërfillë dot, por, ose do t’i bindet, ose do të luftojë me të. Prandaj, më e mira për ju është që t’i bindeni e ta ndiqni rrugën e tij.”
Mejsereja u kthye pranë të afërmve dhe u tha:
“O populli im! Tanimë kjo punë u qartësua paq!
“Vitin tjetër, kur të vijë sërish stina e Haxhit, ne do të shkojmë atje dhe do ta gjejmë atë njeri.”, – thanë edhe të tjerët dhe sakaq u larguan së andejmi.
Vitin tjetër, paria e fisit ua ndaloi atyre që të shkonin në haxh, ndaj edhe asnjë prej tyre nuk iu bashkua dot Profetit, për t’i shpallur besimin. Mandej i Dërguari i Allahut mërgoi për në Medinë. Atë vit kur përmbushi Haxhin e Lamtumirës, Mejsereja arriti të takohej me të Dërguarin e Allahut dhe e njohu:
“O i Dërguari i Allahut!”, – i tha. – “Unë të betohem për Zotin,
se që prej asaj dite kur ti erdhe pranë nesh, për të na shpallur fenë e vërtetë të Allahut, unë kam dashur kaq shumë që të takohem me ty dhe të të shpall se e kam pranuar besimin islam. Ato çfarë ndodhën ndodhën. Siç e sheh, Allahu e vonoi për pak kohë hyrjen time në Islam. Të gjithë ata që më shoqëronin asaj dite, kur u takuam, sot kanë vdekur. Në ç’vend të jetës së përtejme kanë shkuar ata njerëz?”
“Çdokush që vdes në ndonjë gjendje tjetër, përpos vdekjes me besimin islam, vendin e ka në zjarrin e Xhehenemit!”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut.
“Lëvduar qoftë Allahu që mua më shpëtoi.”, – shtoi Mejsereja, duke u bërë kësisoj mysliman.
Profeti ynë u shpall Islamin bashkësisë së Kindes
Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi në vendin ku rrinte bashkësia e Kindes në panairin e Ukadhit. Deri më tani, Atij nuk i kishte rënë për hise që të takohej me ndonjë fis arab që të ishte më i butë se ta. Kur pa se ata ishin njerëz të butë dhe të arsyeshëm, Ai nisi të fliste me ta pa humbur kohë, duke u thënë këto fjalë:
“Unë ju thërras që të pranoni Allahun, i Cili është Një dhe i Vetëm. Ai nuk ka kurrfarë ortaku në krijimin e gjithësisë. Unë ju kërkoj, se ashtu siç ruani e mbroni jetët tuaja të më ruani e të më mbroni edhe mua. Nëse do të jem unë ai që do të ngadhënjejë, atëherë jeni të lirë që të vazhdoni të më mbroni ose jo.” Shumica thanë:
“Ç’është kjo fjalë kaq e bukur! Mirëpo ne adhurojmë ata zota që adhuronin edhe të parët tanë!”
Kurse ata që ishin ndër më të vegjlit e bashkësisë thanë:
“O popull, nxitoni që ta pranoni ju të parët, para se atë ta kenë pranuar gjithë të tjerët. Për Zotin, si të krishterët, ashtu edhe hebrenjtë, thonë se ka afruar koha që nga mesi i arabëve do të dalë një profet.” Një burrë me defekt në shikim, që gjendej aty, u tha:
“Prisni, më dëgjoni mua! Atë e kanë përzënë gjithë të afërmit e farefisi i vet, ju do ta merrni në mbrojtje e do të përkujdeseni për të? E dini se kjo do të thotë që t’u hapni luftë gjithë arabëve. Jo, jo! Jo, këtë mos e bëni!”
Profeti ynë u largua i trishtuar së andejmi. Edhe ata njerëz u kthyen pranë familjeve të veta dhe ua treguan edhe atyre se çfarë kishte ndodhur atë ditë. Një hebre, që ishte i pranishëm aty, u tha:
“Për Zotin, ju jeni duke e humbur zogun e fatit që ju ka ardhur deri në dritaret e shtëpive. Nëse e ndiqni atë njeri, atëherë ju do të jeni sundimtarët e gjithë arabëve. Ne i njohim cilësitë e tij, sepse i kemi lexuar në librat tanë.” Kur ai hebre u tregoi atyre të gjitha cilësitë e Profetit tonë, ata që e kishin parë Resulullahun, thanë:
“Ai njeri ishte pikërisht ashtu siç e përshkrove ti.” Mandej, hebreu i vijoi më tej fjalët e tij duke thënë:
“Ne e dinim se një ditë ai do të dilte nga mesi i Mekës. Vendi ku ai do të mërgojë dhe do të strehohet është Jethribi (Medina).”
Edhe pjesëtarët e këtij fisi ranë në një mendje, që vitin e ardhshëm, kur të vinte stina e Haxhit, ata të shkonin tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Megjithatë, paria e tyre ua ndaloi që të shkonin në Haxh atë ditë, ndaj edhe asnjëri prej tyre nuk mundi të takohej me të Dërguarin e Allahut. Më vonë edhe ai hebre, që kishte përshkruar të Dërguarin e Allahut, vdiq. Thonë se teksa po jepte shpirt, ai pranoi vërtetësinë e Muhamed Mustafasë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), duke shpallur se kishte besuar.
Profeti ynë fton në Islam bijtë e Ka’bit
Abdurrahman el-Amiri, ato që ka dëgjuar prej parisë së fisit të tij, ja se si i transmeton: “Kur ishim në panairin e Ukadhit, te ne erdhi i Dërguari i Allahut dhe na pyeti: “Të kujt jeni ju?” - “Nga bijtë e Amir bin Sa’saasë,” – iu përgjigjëm ne. - “Cilët bij të Amirit?” – na pyeti ai sërish. – “Nga bijtë e Ka’b bin Rebiasë,” – i thamë ne. Atëherë Profeti ynë u tha: “Po mirë, a keni fuqi për ta ruajtur dhe për t’i ardhur në ndihmë dikujt, nëse ai do të vinte te ju për t’ju kërkuar ndihmë?”
“Asgjë që gjendet në anën tonë nuk mund të preket, e askush nuk mund të ngatërrohet me diçka që është në mbrojtjen tonë!” – u përgjigjëm ne.
I Dërguari i Allahut tha: “Unë jam Profeti i Allahut. Kam ardhur t’ju kërkoj ndihmë, që ju të më mbroni e unë të mund t’u shpall njerëzve urdhëresat e zbritura prej Allahut. Unë nuk do t’i vendos detyrime asnjërit prej jush, e nuk do t’ju shkaktoj asnjë vështirësi.” Pasi dëgjuam këto fjalë, e pyetëm Profetin tonë: “Nga cila degë e Kurejshit vjen ti?” – “Nga bijtë e Abdulmuttalibit.” – u përgjigj Resulullahu. – “Po mirë, ç’marrëdhënie ke me bijtë e Abdimenafit, si i ke punët me ta?” – e pyetën ata. – “Ata qenë të parët që më përgënjeshtruan dhe më përzunë!” – u tha i Dërguari i Allahut. Atëherë ata i thanë: - “Ne nuk do të të përzëmë, por as nuk do të besojmë tek ty. Por ne do të të mbështesim që ti të mund t’i shpallësh urdhëresat që Zoti të ka dërguar.”
Transmetuesi tregon se: Pas këtyre fjalëve Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkoi pranë tyre. Teksa ky fis vazhdonte të bënte tregtinë e zakonshme, pranë tyre erdhi Buxhre bin Kajs el-Kurejshi, i cili u foli: “Kush është ky burrë që po shoh në mesin tuaj?” – “Muhamed bin Abdullahi’l-Kurejsh.” – iu përgjigjën ata.
“Po mirë, ç’ju lidh ju me këtë njeri?” – vijuan të pyesnin ata.
“Ai na tha se ai është i Dërguari i Allahut dhe na kërkoi që ta mbështesim që ai të shpallë urdhëresat e Allahut.”
“Po ju, ç’përgjigje i dhatë?”
“Mirë se të kesh ardhur! Rri i qetë, se ne do të të çojmë ty në atdheun tonë dhe atje do të kujdesemi për sigurinë tënde njësoj siç ruajmë edhe vetë jetët tona.” Atëherë Buxhreja na tha:
“Unë nuk njoh bashkësi tjetër në këtë panair, që ta ketë kapluar e keqja më shumë se ju. Ju do të viheni në shënjestër të të gjithë njerëzisë, e do t’ju duhet të përballeni me të gjithë arabët njëherësh. Populli i tij e njeh më mirë se ju atë njeri dhe sikur të shpresonin se do t’u vinte ndonjë e mirë prej tij, atëherë ata do të ishin më të lumtur se kushdo tjetër që t’i dilnin në mbrojtje. Ju po i besoni dikujt që edhe fisi i vet e ka përzënë, ndërsa, tani doni edhe ta strehoni e t’i vini në ndihmë. Ky vendim që keni marrë nuk është aspak i mirë!”
Mandej, duke u kthyer nga Resulullahu, i tha:
“Çohu, shko pranë fisit tënd! Për Zotin, sikur të mos dija se ke mbrojtjen e fisit tim, do të ta kisha prerë kokën.”
Resulullahu u ngrit dhe hipi mbi devenë e tij. Buxhreja i mallkuar, e ngacmoi ijën e devesë, deveja u shkund dhe e rrëzoi përdhe të Dërguarin e Allahut. Dubaja, e bija e Amir bin Kurtit – e cila ishte një nga gratë e para të Mekës, që kishte pranuar Islamin – kishte ardhur te fëmijët e xhaxhait për vizitë dhe gjendej aty atë ditë. Kur pa fyerjet që po i bëheshin të Dërguarit të Allahut tha: “O bijtë e Amirit! Për mua bijtë e Amirit nuk ekzistojnë më! Ç’janë këto që po më shohin sytë, që po i bëhen të Dërguarit të Allahut përpara syve tuaj dhe asnjë prej jush nuk ngrihet t’i vijë në ndihmë, ta mbrojë.”
Kur dëgjuan këto fjalë, nga djemtë e xhaxhallarëve të Dubaasë u ngritën tri prej tyre dhe iu vërsulën Buxhres dhe dy të tjerëve që e kishin ndihmuar në atë paturpësi që ishte bërë. I kapën dhe i përplasën përdhe që të tre, iu ulën mbi kraharor dhe filluan t’ua grushtonin fytyrat. I gjendur përballë një pamjeje të këtillë, i Dërguari i Allahut nisi menjëherë të lutej: “O Zot! Falu të mira e begati këtyre e të tjerët mallkoji!”
Që të tre ata njerëz që i erdhën në ndihmë Resulullahut u bënë myslimanë dhe ranë që të tre dëshmorë në rrugën e Allahut, kurse të tjerët u shfarosën të mallkuar.
Profeti ynë fton në Islam fisin Bekr
Abbasi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më ka treguar se:
“Ti dhe vëllai yt nuk po më ndihmoni dhe nuk po më dilni fare krah. Hajde, më ço nesër në panair, që të shkoj aty ku do të jenë mbledhur shumë fise, e t’u flas atyre për Islamin.”
Panairi ishte një vend ku mblidheshin të gjithë arabët mbarë. Kur mbërritëm atje, unë i thashë:
“Këta që sheh këtu janë prej fisit të Kindes dhe ata që rrinë rreth tyre i përkasin popullit të Jemenit, që janë edhe njerëzit më të nderuar që vizitojnë Qaben. Ja, ky është vendi ku bujti familja e Bekr bin Uailit. Ndërsa ai atje tej është vendi ku qëndrojnë familja e Beni Amir bin
Sasaasë. Zgjidh ti, se te kush do të shkosh më parë për t’i folur.” Ai shkoi njëherë te bashkësia e Kindes dhe i pyeti:
“Të kujt jeni ju?”
“Ne jemi nga populli i Jemenit.”
“Nga cili fis i Jemenit?”
“Nga njerëzit e Kindes.”
“Nga cila degë e Kindes?”
“Nga bijtë e Amr bin Muauijes.”
“A do ta pranonit, nëse unë ju tregoj juve një punë shumë të mbarë?”
“Ç’është ajo punë?”
“Të pranoni e të dëshmoni se nuk ka zot tjetër, përpos Allahut, të falni namazin dhe t’i besoni çdo gjëje që na është zbritur prej Zotit.”
Sipas një transmetimi tjetër, kindasit i thanë të Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të):
“Po në rast se ti del ngadhënjimtar, pas vdekjes tënde, a do të na e lësh neve pastaj mbretërinë tënde?” I Dërguari i Allahut i dëgjoi dhe iu përgjigj:
“Pasuria dhe mbretërimi i takojnë vetëm Allahut, e Ai ua jep ato kujt të dojë.” Kindasit i dëgjuan mirë ato fjalë dhe thanë:
“Atëherë ne nuk kemi nevojë për atë që ti na ke sjellë.”, – duke i dhënë kësisoj një përgjigje të turpshme të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).
Ebu Lehebi e ndiqte Profetin tonë këmba-këmbës, kudo që të shkonte, dhe u thoshte njerëzve:
“Të mos pranoni asnjë fjalë nga ato që ju thotë ai njeri!”
Edhe atë ditë, kur pa se Profeti i nderuar po largohej nga mesi i atyre njerëzve, ai shkoi menjëherë pranë tyre. Ata i thanë:
“A e njeh këtë njeri?”
“Po, për atë njeri në majë të Minës e keni fjalën? Çfarë doni të dini për të?”, – i pyeti Ebu Lehebi.
“Na tha se është i Dërguar prej Allahut.”
“Mos ua vini veshin fjalëve të tij, ai është i çmendur e flet përçart.”, – iu përgjigj Ebu Lehebi.
“Po!”, – thanë ata, – “Këtë e patëm kuptuar edhe ne kur dëgjuam se çfarë thoshte lidhur me popullin e Iranit.”
Profeti ynë u shpjegon Islamin një grupi njerëzish në Mina
Mudriku (radijallahu anhu) na tregon: “Teksa ishim në Haxh bashkë me babanë, e ishim vendosur të qëndronim në Mina, aty rastisëm në një grup të madh njerëzish. Aty i thashë babait: “Ç’të jetë gjithë kjo rrëmujë, gjithë ky grumbull njerëzish?”
“Duhet të jetë ai njeriu i ç’udhëzuar, që ka braktisur fenë e tij, rreth tij duhet të jenë mbledhur.”, – mu përgjigj babai.
Aty, në atë çast, dëgjova të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) teksa thoshte:
“O njerëz, thoni ‘La ilahe il’lallah’, që të mund të shpëtoni!”
Kur Profeti ynë fton në Islam bijtë e Shejbanit
Aliu (radijallahu anhu) tregon: “Kur Allahu i urdhëroi Profetit të Tij, që ai t’ua shpallte fenë e Allahut të gjitha fiseve arabe, atëherë Profeti ynë u ngjit në Mina. Bashkë me të ishim edhe unë me Ebu Bekrin. Kur iu afruam një grupi arabësh, ai bëri përpara, bashkë me Ebu Bekrin, dhe i përshëndetën. Ebu Bekri ishte i pari në çdo punë të mirë që do të bëhej. Veç kësaj ai edhe i njihte më mirë se kushdo fiset arabe.
Më në fund, patëm mbërritur pranë një kuvendi njerëzish, ku mbizotëronte heshtja, qetësia dhe serioziteti. Aty gjendeshin të ulur burra në moshë, të veshur të gjithë me veshje të mira e me shpata; dukeshin që ishin burra të fuqishëm. Ebu Bekri u afrua dhe i pyeti:
“Të kujt jeni ju?”
“Ne jemi prej bijve të Shejban bin Thalebesë.”, – u përgjigjën ata.
Ebu Bekri u kthye kah i Dërguari i Allahut dhe i tha: “T’u bëfshin kurban Ty, si nëna, ashtu edhe babai im, ndër të gjitha fiset është e pamundur që të gjesh dot njerëz më të ndershëm se këta!”
Aty ishin të pranishëm edhe paria e fisit, si Mefruk bin Amri, Hani bin Kabisaja, Muthenna bin Haritheja dhe Numan bin Sheriku. Ai me të cilin kishte më shumë afrimitet Ebu Bekri ishte Mefruk bin Amri. Ky ishte një personalitet, të cilin të gjithë e njihnin për aftësinë e veçantë që kishte për të folur bukur. Rreth qafës e kraharorit i vareshin dy gërsheta shumë të bukur. Ai ishte ulur pranë Ebu Bekrit. Ebu Bekri e pyeti: “Sa bëheni ju gjithsej?”
“Ne jemi më shumë se njëmijë vetë,” – u përgjigj Mefruk bin Amri.
“Po fuqi, a keni?” – vazhdoi t’i pyeste Ebu Bekri.
“Ne mund ta përdorim tërë forcën që kemi, por çdo familje ka edhe fatin e saj.”
“Si kanë shkuar luftërat që keni bërë me armiqtë tuaj?”
“Kur përballemi, ne jemi shumë të egër e të pamëshirshëm karshi tyre. Kuajt që vrapojnë më mirë ne ua japim fëmijëve, ndërsa ne të armatosurit pëlqejmë t’i hipim mbi deve. Patjetër, kemi edhe ndihmën e Zotit. Nganjëherë na nxjerr fitimtarë, nganjëherë të humbur. Me shumë gjasa, ti duhet të jesh nga kurejshët.”
“Ma merr mendja se duhet të keni dëgjuar për lajmin e të Dërguarit të Allahut; ja ky është ai njeri.”
“Po, kemi dëgjuar për të. Thuhet se është Profeti i Allahut!”, – tha Mefruku dhe u drejtua nga Resulullahu:
“O vëlla i Kurejshëve! Ç’është ajo, në të cilën ti na fton të gjithëve?”
Profeti ynë bëri pak më përpara dhe u ul aty. Edhe Ebu Bekri u ngrit dhe ngriti një rrobë të tijën, për t’i bërë hije të Dërguarit të Allahut.
“Unë ju ftoj juve që të besoni se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, që është Një dhe i Vetëm, të më mbroni, mbështetni dhe të më ndihmoni, derisa unë t’i kryej të gjitha ato që më ka urdhëruar Allahu. Kurejshët janë mbledhur të gjithë me njëri-tjetrin, që të luftojnë kundër fesë së Allahut, duke përgënjeshtruar Profetin e Zotit, e duke zgjedhur të gënjeshtërtën kundrejt asaj që është e drejtë dhe e vërtetë. Allahu nuk ka nevojë për askënd dhe Ai meriton çdo lloj lëvdimi.”, – tha i Dërguari i Allahut.
“O vëlla i Kurejshit, po për ku na fton tjetër?”, – vazhdoi të pyeste Mefruku.
I Dërguari i Allahut nisi të këndojë këto ajete: “Thuaju: ‘Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë; sepse ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos u afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta, apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e Ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni. Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse për ta rregulluar, derisa të mbërrijë pjekurinë! Kryejeni drejt matjen dhe peshimin; Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësisë së tij! Kur të flisni, thoni të vërtetën, qoftë edhe për të afërmit tuaj! Plotësojani besën e dhënë Allahut! Këtë ju porosit Ai që të mos harroni. Kjo është rruga Ime e Drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (En’am, 6/151-153)
“Për ku na fton tjetër?”, – vijoi të pyeste Mefruku, – “Për Zotin, këto nuk janë fjalë që i përkasin kësaj bote, se po të ishin, nuk ka dyshim që ne do t’i kishim dëgjuar edhe më parë gjer më sot.” I Dërguari i Allahut iu përgjigj duke i kënduar këtë ajet:
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (Nahl, 16/90)
“Uallahi, o kurejsh! Ti po na fton për te morali më i përkryer, për te punët më të mira. Populli që të ka përgënjeshtruar e të ka përzënë ty, duke të kundërshtuar, është gënjeshtar.”
Mandej, sikur të donte që në bisedë të ndërhynte edhe Hani bin Kabisaja, ai tha:
“Ja, ky është Hani bin Kabisaja, një ndër njerëzit më të respektuar ndër ne dhe ne atë dëgjojmë kur bëhet fjalë për çështje të fesë.” Hani ndërhyri:
“O vëllai i Kurejshëve! Unë i dëgjova fjalët e tua dhe i pranoj të gjitha ato që ti the. Mendoj se do të ishte e gabuar, nëse ne do ta linim fenë tonë menjëherë, pa parë njëherë se si do t’i shkojë puna kësaj fesë sate, pa u menduar njëherë mirë e mirë rreth gjithë sa biseduam sot, e të të bindeshim e të të ndiqnim ty menjëherë. Kësisoj ne do të tregoheshim mendjengushtë dhe të gjithë do të na merrnin për budallenj. Të gjitha gabimet burimin e kanë te nxitimi. Kur, në fakt, ne kemi edhe një fis të tërë nga pas, ndaj nuk do të ishte aspak e këndshme nëse ne do të bënim një marrëveshje me ty pa u këshilluar njëherë me ta më parë. Tani ti ik, edhe ne do të ikim; të mendohemi njëherë mirë e mirë të dyja palët, pastaj të vendosim.”
Sikur të donte që në bisedë të merrte pjesë edhe ai, Muthenna bin Haritheja, tha:
“Ja, ky është Muthennaja! Një ndër të parët tanë; është ai që i kontrollon të gjitha punët e luftës, kur na duhet të luftojmë.”
“O vëlla i Kurejshëve! Unë t’i dëgjova të gjitha ato që na the dhe që të gjitha i pëlqeva shumë, por edhe më habitën të gjitha sa na the. Unë kam të njëjtën përgjigje si ajo që të dha edhe Hani bin Kabisaja. Ne jemi një fis i vendosur mes dy burimesh kryesore të ujit. Njëri është Jemameja, ndërsa tjetri Semaueja.”, – tha Muthennaja.
“Çfarë doni të thoni me këto dy burime?”, – ndërhyri me një pyetje i Dërguari i Allahut.
“Njëri janë vendet e larta të tokave arabe, ndërsa tjetra fusha e persëve, ku shtrihen lumenjtë e Kisrës. Kur u vendosëm atje, Kisra na kërkoi që t’i premtonim se nuk do t’i nxirrnim shqetësime dhe se nuk do të strehonim vrasës, të cilët i kërkon shteti. Dhe kjo e vërtetë, në të cilën ti je duke na ftuar duhet të jetë diç që mbretërit nuk do ta honepsnin dot. Ndërsa, për sa u përket ngjarjeve që kanë ndodhur në tokat e arabëve, kushdo që i shkakton, falet, dhe i pranohet kërkesa për t’u falur. Por ata që nxjerrin ngatërresa dhe ngjarje të papëlqyeshme në tokat e persëve nuk falen dhe nuk u pranohet asnjë justifikim. Me pak fjalë, nëse do që të të ndihmojmë në tokat arabe, ne kaq mund ta bëjmë!”
Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tha atyre:
“Përgjigja që më dhatë nuk është e keqe, madje ju e shprehët shumë mirë të vërtetën, sepse, askush nuk mund t’i dalë dot zot fesë së Allahut, më mirë se sa ata që e kuptojnë më së miri atë.” Mandej, e kapi Ebu Bekrin (radijallahu anhu) për krahu dhe u larguan që aty. Më vonë, ne mbërritëm pranë kuvendeve të Eusëve dhe Hazrexhëve. Ata e pranuan të Dërguarin e Allahut ende pa u larguar ne që andej. Aliu (radijallahu anhu) ka thënë:
“Njerëzit e Eusit dhe të Hazrexhit ishin njerëz shumë të drejtë e të duruar.”
Profeti ynë fton në Islam fiset e Eusit dhe të Hazrexhëve
Aliu (radijallahu anhu), një ditë, teksa po fliste rreth ensarëve, epërsisë së tyre dhe shërbimeve të pashoqe që ata kishin dhënë në të shkuarën, pati thënë edhe këto fjalë:
“Kush nuk do ensarët dhe nuk përpiqet që të jetë sa më i denjë për ta, nuk mund të quhet besimtar i vërtetë. Për Zotin ata janë si ai mëzi i rritur me të gjithë kujdesin e nevojshëm dhe janë ata që, me shpatat, kuajt dhe me gjuhën e zhdërvjellët dhe bujarinë e tyre, e sollën Islamin deri në ditët e sotme. Unë ju betohem për Allahun, se Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dilte nëpër panaire dhe i ftonte fiset e ndryshme që të pranonin Islamin dhe shumë herë nuk qëllonte asnjë njeri i vetëm që ta pranonte e t’i besonte. Shkonte pranë fiseve të vendosura në Mexhene, Ukadh dhe Mina dhe ua përsëriste vazhdimisht ftesën e Tij, pa u bezdisur asnjëherë. Aq sa kishte grupe të atilla, që i thoshin: “Po mirë, o njeri, a ende nuk e ke humbur shpresën tek ne?” Derisa, më në fund, Allahu shprehu vendimin e Tij lidhur me këto dy fise dhe Profeti i profetëve shkoi pranë tyre për t’u shpallur fenë islame. Ata e pranuan menjëherë dhe e morën Profetin dhe e strehuan, e morën nën mbrojtje dhe u kujdesën që ta ndihmonin me gjithçka që do të kishte nevojë. Allahu i shpërbleftë me të mirat më të mëdha ensarët. Ne shkuam pranë tyre dhe jetuam në të njëjtat shtëpi me ta. Ata na pritën me një shpirt të pashoq sakrifice, duke na zgjedhur ne në vend të dëshirave të veta. Dukej sikur garonin me njëri-tjetrin, se kush do të shfaqte më shumë bujari ndaj nesh, madje, herë-herë, dukej sikur hidhnin edhe short për këtë gjë. Mandej ata filluan të pranonin me zemër të qetë, se më e shumta e pasurisë do të na takonte neve. Ata sakrifikuan deri edhe jetën, pa u menduar dy herë, për të Dërguarin e Allahut. Paqja dhe kujtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut dhe të gjithë ata.”
E ëma e Sad bin Rabias, Umu Sadi (radijallahu anhuma) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur ishte në Mekë, i ftonte të gjitha fiset një e nga një, që ato të pranonin Islamin. U bënte thirrje drejt shpëtimit, por përballej veç me përbuzje, vuajtje dhe fyerje nga më të padurueshmet. Më në fund, Allahu i Madhërishëm zgjodhi që ta nderonte këtë fis të ensarëve dhe i Dërguari i Allahut mbërriti në Akabe për të folur me ta. Në atë kohë ata ishin të gjithë duke qethur flokët.”
Sad bin Rabia tregon: “E pyeta nënën, kush ishin ata njerëz.”
“Ishin rreth gjashtë a shtatë vetë. Tre prej tyre ishin nga fisi i Beni Nexharëve. Ata ishin Es’ad bin Zurareja dhe dy djemtë e Afrasë. (Nuk m’i tha emrat e të tjerëve.) Resulullahu u ul pranë këtij grupi dhe u bëri thirrje që t’i besonin Allahut të Shenjtë e të Gjithëfuqishëm, që është Një i Vetëm, duke u kënduar edhe pjesë nga Kur’ani. Kjo është Akabeja e parë. Akabeja e dytë ka ndodhur kohë më vonë.” Iu drejtova nënës dhe e pyeta:
“Sa kohë ndenji Resulullahu në Mekë?”
“A nuk e dëgjove se çfarë tha Ebu Sirma Kajs bin Ebi Enesi?”, – më tha.
“Nuk e di çfarë tha.”, – iu përgjigja unë.
Aty Ebu Sirma nisi të lexonte këtë varg:
“Në mes të Kurejshëve, më se dhjetë vite ai ndenji
Të drejtën i tregoi, sa herë që një mik besnik e gjeti.”
Zuhri tregon: Kur idhujtarët e shtuan edhe më shumë valën e padrejtësive ndaj Profeti tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i Dërguari i Allahut shkoi te xhaxhai i Tij, Abas bin Abdulmutalibi, dhe i tha:
“Xhaxha, Allahu, që është i Shenjtë dhe i Gjithëfuqishëm, do ta ndihmojë fenë e Tij me një popull të atillë, që ai popull do ta ketë shumë të lehtë që t’i tërheqë me hundë përdhe të gjithë Kurejshët. Hajde të shkojmë në panairin që mbahet në Ukadh, më trego për vendet ku janë vendosur fiset arabe, e unë t’i ftoj ato që t’i besojnë Allahut; t’u kërkoj atyre që të më mbështetin e të më mbrojnë derisa t’i kem shpallur mesazhet që më ka dërguar Allahu.”
“Mirë, nipi im.”, - i tha Abbasi. – “Ti shko në Ukadh dhe unë me ty po vij, që të të tregoj vendet ku rrinë, ku janë vendosur fiset arabe.”
I Dërguari i Allahut shkoi njëherë pranë fisit të Thekifit. Mandej shëtiti dhe i vizitoi të gjitha fiset e tjera një e nga një. Vitin tjetër – që është edhe viti kur atij iu ngarkua përgjegjësia që t’i ftojë haptazi njerëzit – ai u njoh me gjashtë njerëz që u përkisnin fiseve të Eusit dhe Hazrexhit. Ata quheshin Es’ad bin Zurare, Ebu’l-Hejthem bin EtTahijjan, Abdullah bin Reuaha, Sad bin Rabi, Numan bin Harithe dhe Ubade bin Samit. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) qe njohur me këtë grup pranë Xhemresë së Akabesë, në Mina, gjatë natës. U ul pranë tyre dhe u bëri thirrje për tek Allahu, që ta adhurojnë Atë, që ta ndihmonin dhe ta mbështetnin atë në fenë që Allahu ka dërguar nëpërmjet profetëve dhe të dërguarve. Dhe ata i kërkuan që t’u lexonte ndonjë pjesë nga ajo që Zoti i kishte zbritur. Kësisoj, Resulullahu nisi të lexonte prej sures Ibrahim, duke filluar nga ajeti i tridhjetepestë:
“(Kujtoje) kur Ibrahimi tha: ‘O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet [Mekën] dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve! O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz nga rruga e drejtë. Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë. O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit tanë, në një luginë që nuk mbillet, afër shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë. O Zoti ynë, Ti e di vërtet çfarë fshehim e çfarë shfaqim haptazi. Allahut nuk i fshihet asgjë as në Tokë, as në Qiell. Qoftë lavdëruar Allahu, i Cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet! O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet! O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën kur do të jepet llogari!’ Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), dhe, duke vrapuar, me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri). Ti (o Muhamed) paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vijë dënimi e keqbërësit do të thonë: ‘O Zoti ynë, na lër edhe për pak kohë! Ne do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të Dërguarit!’ Por, atyre do t’u thuhet: ‘Vallë, a nuk betoheshit më parë se nuk do të kishte zhdukje për ju? Ju banuat në vendbanimet e atyre që e kishin ngarkuar veten me gjynahe dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj.’ Ata kurdisin dredhitë e tyre, por Allahu i di dredhitë e tyre. Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t’ia dalin mbanë. As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim. Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah. Dhe atë ditë do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga; rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat, (Kështu do të jetë) në mënyrë që Allahu të shpërblejë cilindo për atë që ka punuar. Allahu është vërtet i shpejtë në llogari. Ky (Kur’an) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur!” (Ibrahim, 14/35-52).
Ata u tronditën kur i dëgjuan këto që po thoshte i Dërguari i Allahut dhe e pranuan menjëherë ftesën që Ai ua kishte bërë vetëm pak minuta më parë. Teksa Resulullahu po fliste me ta, aty pranë kaloi edhe xhaxhai i tij, Abasi, i cili e njohu menjëherë nga zëri nipin e tij.
“Kush janë këta njerëz, që janë me ty?”, – e pyeti ai Profetin tonë.
“O xhaxha, këta janë prej Eusëve dhe Hazrexhëve, qytetarë të Medinës. I ftova ata tek e njëjta gjë, ku kam ftuar edhe gjithë fiset e tjera arabe dhe ata më pranuan, madje po më thonë se do të më marrin me vete për në tokat e tyre.”
Abasi (radijallahu anhu) zbriti nga kafsha ku kishte hipur dhe u foli:
“O Eusë dhe Hazrexhë, ky është nipi im! Ky është njeriu që unë dua më shumë në familje. Ju e pranuat, i besuat Atij, madje edhe i keni dhënë fjalën se do ta merrni me vete, por më parë duhet të më jepni mua fjalën se nuk do t’i bëni keq dhe nuk do të lejoni askënd që ta mashtrojë atë. Të gjithë fqinjët tuaj janë hebrenj dhe ju e dini mjaft mirë se sa e hidhur është armiqësia e tyre. Nuk ndihem edhe aq i sigurt për të, sepse ata mund t’i ngrenë ndonjë kurth.”
Es’ad bin Zurare (radijallahu anhu), i cili u kthye në një njeri të tërbuar nga fjalët plot mosbesim që Abasi (radijallahu anhu) u kish thënë atij dhe shokëve të tij, u hodh menjëherë dhe tha:
“O i Dërguari i Allahut! Më lejoni, që, pa ju fyer ju dhe pa thënë ndonjë gjë të pahijshme, që nuk do t’ju pëlqejë, t’i kthejmë përgjigje këtij njeriu e t’i tregojmë se ne të kemi pranuar dhe të kemi besuar të gjithë!”
“Po mirë, mund t’i ktheni përgjigje pa bërë askënd të ndihet keq.”, – tha i Dërguari i Allahut. Ndërkaq, Es’ad bin Zurare e ktheu kokën drejt Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), duke thënë:
“O i Dërguari i Allahut, çdo thirrje ka edhe anën e butë, edhe anën e ashpër, sido që të jetë. Ti sot po i fton njerëzit rreth një kauze shumë të vështirë e që po aq të shumta i ka edhe mundimet. Ti na kërkove që të braktisim fenë tonë dhe t’i bindemi fesë që tënde. Kjo është një kërkesë mjaft e vështirë; megjithatë, ne t’u bindëm ty pa të kundërshtuar. Ti na the se do të na duhet t’i shkëpusim lidhjet me shumë fqinj e kushërinj, të afërt, apo të largët, pak rëndësi ka. Edhe këtë kërkesë kaq të vështirë për ne ta pranuam. Ndërkohë që ne jemi njerëz të fuqishëm edhe atje ku jetojmë, në një vend që askush nuk guxon të na kanoset, ti na kërkove që ne të vëmë mbi krye një njeri që e kanë përzënë edhe xhaxhallarët e vet. Po ende, megjithëse edhe kjo është diçka shumë e zorshme për ne, ne edhe për këtë të thamë se do ta bëjmë. Asnjë nga këto nuk do t’u pëlqejë njerëzve. Këto mund t’i pëlqejnë vetëm ata, për të Cilët Allahu ka vendosur që të shndërrohen në krijesa të përkryera dhe ka uruar që të kenë një fund të pëlqyeshëm. Por, ne t’u bindëm, duke të besuar me gjuhë, me zemër dhe me duar e me këmbë, sepse e kuptuam se ç’vend ka në zemër kjo e vërtetë që ti e ndave me ne. Ne të japim besën në të gjitha këto që ti na ftove, e po të shprehim lidhjen tonë të fortë si ndaj Zotit tënd, ashtu edhe ndaj Zotit tonë. Mbi duart tona le të jetë dora e Zotit! Gjaku ynë qoftë i bashkuar në gjakun tënd, e duart tona le të jenë edhe duart e tua. Ty do të të mbrojmë ashtu siç mbrojmë edhe jetën, fëmijët dhe gratë tona. Dhe, këtë fjalë do ta mbajmë, sepse duam të jemi besëplotë përpara Zotit. Nëse nuk e mbajmë, atëherë ne do të kemi tradhtuar Zotin tonë. Kësisoj, për ne vështirë të ketë fat më të kobshëm. O i Dërguari i Allahut, ja, po të japim dorën e besës! I Vetmi, tek i Cili mund të kërkojmë ndihmë, kur jemi në vështirësi, nuk mund të jetë vetëm se Allahu.”
Pasi i mbaroi së thëni këto fjalë, Es’ad bin Zurare (radijallahu anhu) u kthye nga Abas bin Abdulmutalibi dhe i tha:
“O ti njeri që kërkon të hahesh me fjalë me ne në praninë e një Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)! Ti po na thua, se qëllimin e vërtetë vetëm Zoti mund ta dijë, se i Dërguari i Allahut është nipi yt dhe se ti e do atë më shumë se çdokënd tjetër. Ne i shkëputëm marrëdhëniet me të gjithë ç’kishim e ku i kishim, kushërinj të afërm, apo të largët. Dëshmojmë se ai është Profeti i Zotit. Atë e ka dërguar vetë Allahu nga lartësitë e paimagjinueshme të Tij. Ai nuk mund të jetë kurrsesi një gënjeshtar. As fjalët që thotë nuk i ngjajnë fjalëve të askujt tjetër. Na the se, nëse nuk merr një garanci prej nesh, nuk do të ndihesh mirë. Ti po na kërkon një garanci, që, për të Dërguarin e Allahut ne mund t’ia japim gjithkujt, po të na e kërkojë, ndaj mund ta quash se ke marrë çdo lloj garancie nga ana jonë!”
Pastaj, u kthye kah Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe vazhdoi fjalën duke thënë:
“O Resulullah, na kërko ç’të duash për veten tënde dhe na vendos çfarëdo kushti që të duash në emër të Allahut, sepse ne na pëlqen çdo urdhër yti!”
6. PROFETI YNË FTON NJERËZIT NË ISLAM DUKE SHËTITUR RRUGË MË RRUGË E PAZAR MË PAZAR
Rabia bin Ubadi ka thënë: Gjatë kohës së injorancës, e pashë njëherë të Dërguarin e Allahut në pazarin e Dhul-Mexhazit, teksa u thoshte njerëzve:
“O njerëz! Thoni ‘La ilahe il’lallah’, që të mund të shpëtoni.” Dhe njerëzit e mbledhur përreth tij sa vinin e shtoheshin edhe më shumë. Nga pas i vinte një burrë me dy gërsheta të bukura, me sytë pak me defekt, por fytyrën të shndritshme, që i vinte nga pas dhe thoshte:
“Ai është një gënjeshtar, që ka braktisur fenë e të parëve të tij!” Pyeta, se kush ishte ky njeri: “Më thanë, ky është xhaxhai i Tij, Ebu Lehebi.”
Në një tjetër transmetim të këtij hadithi, ka edhe një informacion tjetër, që është i rëndësishëm: “I Dërguari i Allahut i ikte Ebu Lehebit, ndërsa ky gjente çdo mundësi për ta ndjekur nga pas.” Ndërsa, një tjetër transmetues e paraqet asisoj, që, në të mund të gjejmë edhe këtë shprehje: “Rreth të Dërguarit të Allahut ishin mbledhur aq shumë njerëz, saqë dukej sikur do të shkelnin njëri-tjetrin. Nuk kisha parë ndonjëherë një njeri që të fliste kaq bukur pa e ndërprerë fjalën.”
Tarik bin Abdullahu rrëfen: “Një ditë, teksa gjendesha në pazarin e Dhul-Mexhazit, pashë një burrë të veshur me një triko të kuqe, i cili po fliste: “O njerëz! Thoni ‘La ilahe il’lallah’, që të arrini shpëtimin.” Nga pas i rrinte një burrë, i cili i kishte këmbët dhe gjunjët të mbuluar nga gjaku. Ai u thoshte njerëzve: “O popull! Ai gënjen, mos ia vini veshin.” Shkova dhe e pyeta, se përse thoshte kështu: “Ai është një djalosh nga bijtë e Hashimit; pretendon se është profet i Allahut, ndërsa ai tjetri është xhaxhai i tij, Ebu Lehebi, rob i idhullit të Uzas.”
Një burrë nga fisi i Malik bin Kinanes tregon: “Në tregun e DhulMexhazit pashë të Dërguarin e Allahut, i cili shëtiste nëpër të dhe thoshte këto fjalë: “O njerëz! Thoni ‘La ilahe il’lallah’, që të arrini shpëtimin.” Ndërkohë, Ebu Xhehli e godiste me grushte balte dhe thoshte:
“Ky njeri kërkon që t’ju largojë prej fesë suaj! Kërkon që t’ju shthurë! Ai po ju kërkon të braktisni zotat tuaj, zotat e Latit dhe të Uzas!” Ndërkohë, i Dërguari i Allahut as që i kthente fare sytë nga ai.”
Transmetuesi thotë: Unë i kërkova atij njeriu që të ma përshkruante njëherë të Dërguarin e Allahut. Ai më tha: “Ai është një me trup mesatar, por të mbushur, që vesh një triko të kuqe; fytyrën e ka të bukur, flokët shumë të zinj e të dendur, ndërsa lëkurën e ka të bardhë.”
7. PROFETI YNË FTON TË AFËRMIT E TIJ NË ISLAM
Profeti ynë i fton të afërmit e tij në një gosti, për t’u bërë atyre thirrje që të pranojnë fenë e Islamit
Në një transmetim që vjen prej Aliut (radijallahu anhu) thuhet: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i ftoi të gjithë bijtë e Abdulmutalibit në një gosti. Bëheshin diku te dhjetë vetë. Secili prej tyre mund të hante deri në një qengj të pjekur më vete dhe mund të pinin më shumë se shtatë-tetë litra çdonjëri. Ndërsa i Dërguari i Allahut kishte gatuar vetëm një tenxhere me ushqim për të gjithë. Hëngrën të gjithë, derisa u ngopën. Ndërkohë, ushqimi ishte ende në tenxhere, sikur të mos ishte zënë fare me dorë. Në fund, i Dërguari i Allahut kërkoi diçka për të pirë në një gotë të vogël. Piu prej saj, derisa shoi etjen. Prapëseprapë, pija ishte ende në gotë, sikur të mos kishte pirë asgjë. Paskëtaj, i Dërguari i Allahut tha:
“O bijtë e Abdulmutalibit! Zoti më ka dërguar mua si profet, si për ju, ashtu edhe për mbarë njerëzimin. Këtu ju i patë vetë edhe mrekullitë e begatisë së Allahut (xhel’le xhelaluhu). Kush nga ju do të më japë besën, se do të jetë edhe vëlla edhe shok me mua?”
Asnjë nuk u ngrit në këmbë. Megjithëse unë isha më i vogli, u ngrita unë.
“Ti ulu.”, – më tha mua i Dërguari i Allahut. Mandej e përsëriti edhe plot tri herë të tjera pyetjen.
Çdo herë i vetmi që ngrihej isha unë, ndërsa Ai më thoshte të ulesha. Herën e fundit, nuk më tha gjë, por e vuri dorën time pranë dorës së tij dhe e pranoi besëlidhjen.”
8. PROFETI YNË I FTON NJERËZIT NË ISLAM GJATË UDHËTIMEVE
Profeti ynë fton në Islam një beduin
Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Gjatë një udhëtimi ne ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut. Rrugës u përballëm me një beduin. Kur iu afrua, i Dërguari i Allahut e pyeti atë njeri se ku po shkonte.
Beduini iu përgjigj: - “Jam duke shkuar për te familja ime.” - “A do që të bësh një të mirë?”, – e pyeti i Dërguari i Allahut.
“Çfarë të mire?”, – u përgjigj beduini.
“A mund të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, se Ai nuk ka as shok, as ortak në krijim dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij?”
“Po ti, a ke ndonjë provë se fjalët e tua janë të vërteta?”
“Ja, kjo pemë, edhe ajo ka për të dëshmuar se unë po të them të vërtetën.”
I Dërguari i Allahut e thirri atë pemë, e cila gjendej në anën e djathtë të luginës. Pema lëvizi nga vendi dhe qëndroi përpara të Dërguarit Fisnik të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi Të). Resulullahu e bëri që të dëshmonte për vërtetësinë e profetësisë së tij për tri herë me radhë atë pemë. Kësisoj, pema dëshmoi për të Dërguarin e Allahut, se ai po thoshte të vërtetën dhe u kthye prapë te vendi i saj. Ai beduin, teksa po kthehej për te familja e tij, po thoshte këto fjalë: “Nëse do të ma dëgjojnë, unë do t’i sjell të gjithë tek ti. Nëse nuk më dëgjojnë, atëherë unë do të vij tek ti i vetëm, e të qëndroj këtu bashkë me ty.”
9. PROFETI YNË UDHËTONTE NË KËMBË, QË TË MUND T’U FLISTE DHE T’I FTONTE NË ISLAM TË GJITHË NJERËZIT QË TAKONTE GJATË RRUGËS
Kur shkoi në Taif në këmbë
Abdullah bin Xhaferi (radijallahu anhu) ja se çfarë na tregon: “Kur vdiq Ebu Talibi, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkoi në Taif në këmbë. I ftoi banorët e Taifit në Islam, mirëpo, asnjë prej tyre nuk ia pranoi ftesën. Nuk kishte ç’të bënte, ndaj u kthye sërish pas. Qëndroi nën hijen e një peme për të pushuar, fali dy rekate namaz dhe gjendjen që e kishte kapluar ia shprehu Allahut duke u lutur me këto fjalë:
“O Zot! Unë vetëm Ty mund të ta shpreh e të të ankohem, që ndihem kaq i dobët dhe jam aq i pafuqishëm për t’i bindur njerëzit.
O Zoti im, që je më i Mëshirshmi i të gjithë të mëshirshmëve! Vetëm Ti je Erhamu’r-Rahimin! Në duart e kujt do të më lësh mua? Do të më lësh në duart e armiqve, që më trajtojnë aq keq, apo do të më lësh në duart e të afërmve të mi që e drejtojnë atë vend?
O Zot! Mjafton që Ti të mos jesh i mërzitur me mua, pa nuk ka asgjë tjetër që mund të më shqetësojë. Falja jote është kaq e pakufishme e kaq e gjerë.
O Zot! Unë nuk mund të strehohem, për të kërkuar ndihmë, vetëm se tek Ti, që i fal dritën errësirës dhe i mban në një rend e harmoni të përsosur gjithë trupat e kësaj gjithësie, nga frika që kam se Ti mund të jesh i pakënaqur me mua.
O Zoti im! Unë të lutem e të përgjërohem, falma mua faljen Tënde derisa të jesh i kënaqur me mua. Nuk ka asnjë forcë e asnjë fuqi, që të jetë e pavarur prej Teje, sepse prej Teje buron e tërë forca e fuqia.”
10. FTESA NË ISLAM NËPËR FUSHËBETEJA
Profeti ynë nuk ka luftuar me askënd, pa e ftuar njëherë në Islam
Ibni Abbasi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk ka luftuar me asnjë grup njerëzish pa i thirrur e ftuar njëherë me të mirë që të pranojnë fenë e Islamit.”
Urdhri që Profeti ynë u pati dhënë të gjithë taborëve para se të niseshin për luftë
Abdurrahman bin Aidhi (radijallahu anhu) transmeton: “Sa herë që Resulullahu dërgonte ndonjë ekspeditë në ndonjë vend, i porosiste njëherë duke u thënë: ‘Silluni mirë me njerëzit dhe mos sulmoni askënd pa u folur njëherë për Islamin. Në asnjë vend të rruzullit tokësor, apo në territoret e pabanuara, nuk ka gjë më të pëlqyeshme e që të më kënaqë mua më shumë se sa të gjeni një grup njerëzish që do të pranojë Islamin, të cilët do të vijnë këtu tek unë me ju si mysliman, se sa të merrni peng burra, gra e fëmijë, apo t’ua vrisni burrat.’”
11. PROFETI YNË CAKTON MËSUES, QË TË SHKONIN NËPËR QYTEZA TË NDRYSHME DHE T’U MËSONIN NJERËZVE ISLAMIN
Në Medinë dërgon Musab bin Umejrin
Uruetu bin Zubejri (radijallahu anhu) tregon: “Kur ensarët u bindën, me mendje dhe me zemër, për të gjitha të vërtetat ku i kishte ftuar i Dërguari i Allahut, pasi i kishin dëgjuar me vëmendje të gjitha fjalët e tij, besuan dhe i shprehën besën e plotë që mund të kishte tek ata. (Siç u trajtua edhe më parë, ata gjashtë njerëz që u takuan me të Dërguarin e Allahut në Akabenë e Parë, e që u kthyen për në Medinë me premtimin se do të ktheheshin sërish vitin e ardhshëm, për të kryer detyrimin e Haxhit; ky kthim në Medinë u shndërrua në një të mirë shumë të madhe për ata njerëz.) Po, ata gjashtë njerëz i patën dërguar lajm të Dërguarit të Allahut, ku i thoshin:
- “Na dërgo një njeri nga ata që ke pranë vetes, që t’i ftojë njerëzit, t’i binden Librit të Allahut. Kjo ka për të ndihmuar që njerëzit të njihen më shpejt me Librin.” Ata që e prunë këtë lajm, sipas transmetimit, ishin Muadh bin Afra dhe Rafi bin Maliku.
Pas kësaj kërkese i Dërguari i Allahut dërgoi atje Musab bin Umejrin,
që ishte vëlla me bijtë e Abdudarit. Në Medinë Musabi qëndroi në shtëpinë e Es’ad bin Zurares (radijallahu anhu), i cili i përkiste fisit të Beni Ganemit. Bisedonte me ta dhe u lexonte vazhdimisht pjesë të Kur’anit. Bijtë e Nexharit nisën të ushtronin trysni mbi Es’ad bin Zuraren, e, kështu, ata u detyruan që ta largonin Musabin nga shtëpia e tyre. Atëherë Musabi u zhvendos në shtëpinë e Sad bin Muadhit. Ai e ndihmoi shumë shpirtërisht, duke i thirrur njerëzit vazhdimisht për te feja e vërtetë e Allahut. Nëpërmjet tij Allahu po i udhëzonte një e nga një të gjithë ensarët, aq sa në tërë shtëpitë e ensarëve vetëm shumë pak shtëpi kishin mbetur pa pranuar fenë islame. Me Islamin qe nderuar edhe Amr bin Xhemuhu dhe i gjithë besimi që ai kishte pasur tek idhujt i ishte zhbërë. Musab bin Umejri (radijallahu anhu) u kthye pranë të Dërguarit të Allahut dhe paskëtaj Musabi nisi të thirrej me emrin “Mukri”, që do të thotë “Mësues i Kur’anit.”
Profeti ynë cakton mësues për vendasit, Ebu Umamen
Ebu Umameja (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më dërgoi mua, që t’i ftoja njerëzit në fenë e Islamit dhe t’u shpallja atyre shtyllat dhe kushtet e besimit. Kur shkova pranë tyre, ata kishin çuar devetë për të pirë ujë dhe qumështin ua kishin pirë. Kur më panë, thanë:
“Përshëndetje, Sudaj bin Axhlan! Kemi dëgjuar se edhe ti e ke braktisur fenë dhe ke kaluar në anën e atij njeriu.”
“Jo, unë kam besuar tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij. Resulullahu më ka dërguar që t’ju flas për Islamin dhe urdhëresat e tij.”, – u përgjigja unë.
Pastaj, ata shtruan pjata plot me gjak dhe filluan të mblidheshin rreth njëri-tjetrit, për të ngrënë. Më thanë edhe mua:
“Eja të hash, Sudaj!”
“Turp t’ju vijë! Unë vij tek ju prej Profetit që e ka shpallur të ndaluar këtë që po hani, sepse e lejuar (hallall), për t’u ngrënë, nuk mund të jetë veçse ajo që është prerë, duke u përmendur emri i Allahut.”
“E ç’na paskësh thënë kështu ai njeri?”, – pyetën ata.
Atij i është zbritur një ajet lidhur me këtë çështje: “Është e ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi, apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat e tjera – përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve, apo për të kërkuar fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën, janë gjynah. Sot, dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë prej Meje! Sot, jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. Por kushdo që është i shtrënguar nga uria (dhe ha çfarë është e ndaluar), pa pasur qëllim të bëjë gjynah, do ta shohë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Maide, 5/3)
Unë nisa t’i ftoja ata të pranonin Islamin, mirëpo, se ç’kish diçka që i bënte të ngurronin.
“Turp t’ju vijë! Më jepni të paktën një gllënjkë ujë, të pi, se po digjem nga etja!” – u thashë.
“Nuk kemi për të të dhënë ujë, por do të lëmë të vdesësh, kështu, nga etja!”
Me vete kisha edhe çallmën, të cilën e lidha rreth kokës dhe dola, por më kishte zënë gjumi dhe kur u zgjova e gjeta veten të shtrirë mbi rërën përvëluese. Në gjumë erdhi dikush e më dha diçka për të pirë. Ishte një pije, shijen e së cilës nuk e kisha provuar asnjëherë më parë. Ai ma dha atë pije dhe unë e piva; kur e mbarova më doli gjumi. Vërtet, pasi piva atë pije, mua nuk më zuri më asnjëherë etja.”
12. FTESË PËR TË PËRMBUSHUR PARIMET KRYESORE TË ISLAMIT
Profeti ynë e fton Xheririn, të besojë në Islam dhe të përmbushë detyrimet e fesë
Xherir bin Abdullahu (radijallahu anhu) tregon: “Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më dërgoi lajm se donte që të shkoja pranë tij. Kur shkova, Ai më pyeti:
“Për çfarë ke ardhur, o Xherir?”
“O i Dërguari i Allahut! Unë kam ardhur këtu për të të thënë se dua të bëhem mysliman.”
Ai më hodhi në shpinë një rrobë dhe pastaj u kthye nga sahabët dhe u tha:
“Kur t’ju vijë ndonjë prej parisë së njerëzve, qeraseni atë me gjënë më të mirë që ju gjendet.” Ndërkaq, pas pak çastesh, u drejtua nga unë dhe më tha:
“Xherir, të ftoj që të dëshmosh se nuk ka zot tjetër pos Allahut, se unë jam i Dërguari i Allahut, si dhe të besosh tek Allahu, te Dita e Gjykimit dhe Kaderi, e t’i falësh të gjitha namazet e detyruara e ta japësh zekatin.”
Unë pranova menjëherë, duke i dhënë fjalën se do t’i bëja të gjitha ato që më tha. Pas atij çasti, sa herë që qëlloja të isha ballë për ballë me të Dërguarin e Allahut, ai më buzëqeshte.”
Porosia e Profetit tonë për Muadh bin Xhebelin në lidhje me këtë çështje
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur e pati dërguar Muadh bin Xhebelin (radijallahu anhu) si vali në Jemen, e pati urdhëruar me këto fjalë:
“O Muadh! Ti po shkon pranë një populli ku të gjithë janë njerëz të librit. Kur të shkosh atje, ftoji njerëzit që të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër, veç Allahut, që meriton të adhurohet, si edhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Nëse ata i pranojnë të dyja këto dëshmi, duke t’u bindur, atëherë bëju të ditur se Allahu u ka urdhëruar robërve të Tij që të falin pesë namaze në ditë, çdo ditë, nga mëngjesi në mbrëmje. Nëse e pranojnë edhe këtë, atëherë thuaju edhe se Allahu ua ka shpallur detyrim, që një pjesë të pasurisë së tyre ta japin si zekat për më të varfrit. Nëse do të të binden edhe në këtë pikë, atëherë ngurro që të marrësh prej tyre më të mirat e mallrave të tyre! Frikësoju lutjes së njeriut që i është bërë një e padrejtë, sepse mes lutjes së njeriut që ka rënë pre e padrejtësisë dhe Allahut nuk ka asnjë pengesë.”
Profeti ynë i bën thirrje Hausheb Dhi-Zulejmit që të përmbushë detyrimet e caktuara prej Allahut
Hausheb Dhi-Dhulejmi na rrëfen: “Kur Allahu i Madhërishëm e nxori ngadhënjimtar Muhamedin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), unë dërgova plot dyzet kalorës nën komandën e Abdi-Sherrit. Kur lajmësit e mi mbërritën në Medinë, bashkë me letrën që unë kisha dërguar për të Dërguarin e Allahut, Abdi-Sherri thirri: “Kush është Muhamedi nga ju?”
“Ky është.”, – më treguan me dorë.
“Çfarë ke prurë ti? Nëse ajo që ti na ke prurë është diçka e mirë dhe e vërtetë, atëherë ne do të bindemi.”
“Do të falni namazin, do të jepni zekatin, nuk do të derdhni gjak njeriu, do të urdhëroni për të mirë dhe do ta ndaloni kryerjen e së keqes.”, – tha.
“Epo, qenkan të mrekullueshme këto mësime që ti na ke sjellë! Zgjate dorën të të shprehim besëlidhjen.”
“Po ty, si të quajnë?”, – e pyeti Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).
“Abdi-Sherr!”, – u përgjigj ai.
“Përkundrazi, ti duhet të quhesh Abdi-Hair.”, – tha i Dërguari i Allahut.
Ai që e transmeton këtë ndodhi thotë se ky njeri i besoi të Dërguarit të Allahut dhe i shprehu Atij besën e plotë. Profeti ynë i dërgoi Hauxheb bin Dhi-Dhulejmit përgjigje me të, edhe Haushebi besoi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”
Profeti ynë fton bashkësinë e Abdulkajsit, që të përmbushin detyrimet e caktuara prej Allahut (farzet)
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Kur erdhën mëkëmbësit e drejtuar prej Abdulkajsit te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ai u tha atyre:
“Mirë se keni ardhur! Inshaallah, ju nuk do të pendoheni që keni ardhur deri këtu; nuk ka për t’ju ndodhur asgjë e keqe.”
“O i Dërguari i Allahut, mes nesh dhe jush qëndron një grup idhujtarësh nga Mudari, ndaj vetëm gjatë muajve të ndaluar neve na jepet mundësia të vijmë tek ju. Prandaj edhe kemi ardhur, të na thuash ndonjë prej kumtesave të tua të bukura, që ne ta përmbushin, e të shkojmë në Xhenet, madje t’i ftojmë edhe të tjerët drejt asaj mirësie.”
“Katër janë gjërat që unë po ju urdhëroj, katër janë gjërat që po jua ndaloj. Katër të parat janë këto; të jeni të palëkundur në besimin se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, të falni namazin, të jepni zekatin, të agjëroni gjatë muajit të Ramazanit dhe të jepni një të pestën e fitimeve nga plaçka e luftës për të varfrit. Dhe katër gjërat që jua ndaloj janë; shtambat e përbëra nga kungulli i ujit, bardakët prej balte dhe enët e lyera me zift e katran dhe çanakun e bërë prej rrënjës së hurmës (enë të cilat jua ndaloj që t’i mbushni me shirën e rrushit, apo të hurmave). Këto t’i mbani mend mirë dhe të mos i harroni, madje t’ua bëni edhe të tjerëve të ditura.”
Hadithi i Alkames për të vërtetën e besimit
Alkame bin Harithi (radijallahu anhu) tregon: “Gjashtë të tjerë nga familja jonë, e unë shtatë, erdhëm tek i Dërguari i Allahut. E përshëndetëm e na përshëndeti edhe ai ne. Biseduam me të dhe të gjitha sa i thamë atij i pëlqyen shumë. Ja se si u zhvillua ajo bisedë mes nesh:
“Të kujt jeni ju? Çfarë jeni ju?”, – na pyeti.
“Ne jemi besimtarë!”, – iu përgjigjëm ne.
“Bukur, por çdo fjalë ka të vërtetën e saj; cila është e vërteta e besimit tuaj?”
“Ajo është e përbërë nga pesëmbëdhjetë kritere. Asisoj, që pesë prej tyre na i ke urdhëruar ti, pesë të tjera na i kanë urdhëruar mëkëmbësit e tu, ndërsa pesë të tjera që i kemi fituar gjatë kohës së injorancës, e që sot janë pjesë e moralit tonë. Por, nëse ti na i ndalon edhe ato, atëherë kjo është tjetër gjë. Ne nuk i bindemi asgjëje tjetër, veç asaj që do të na urdhërosh ti.”
“Cilat janë ato pesë gjërat që jua kam urdhëruar unë?”
“Ti na ke urdhëruar që t’i besojmë Allahut, engjëjve, librave, profetëve dhe të besojmë se e mira dhe e keqja ndodh me caktimin e Allahut.”
“Po ato pesë kriteret që jua kanë urdhëruar mëkëmbësit e mi, cilat janë?”, – vazhdoi të pyeste i Dërguari i Allahut.
“Mëkëmbësit e tu, na kanë urdhëruar që të pranojmë se nuk ka asnjë zot tjetër përveç Allahut, që meriton të adhurohet, që të besojmë se Ai nuk mund të ketë as shok, as ortak në krijimin e gjithësisë, si dhe na kanë urdhëruar që të dëshmojmë se ti je robi dhe i Dërguari i Tij, të falim pesë kohët e namazit, të cilat janë shpallur si detyrim për të gjithë, të japim zekatin e caktuar, të agjërojmë gjatë muajit të Ramazanit dhe me aq sa të na jepen mundësitë, të vijmë e të vizitojmë Shtëpinë e Allahut (Bejtullahun).”, – i thamë ne.
“Po ato pesë vese a huqe, që ju kanë mbetur qysh prej kohës së injorancës, cilat janë?”
“Të jemi falënderues kur kemi, të bëjmë durim ndaj fatkeqësive që na vijnë dhe të jemi besnikë kur përballemi me armiqtë, si dhe të mos kënaqemi as me fatkeqësinë qoftë edhe të armiqve.”
Pasi i dëgjoi të gjitha një e nga një, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha: “O njerëz të mirë, që i keni kuptuar gjërat kaq mirë e që dini edhe se si t’i shprehni ato me fjalë!.. Këta njerëz, duke i ndjekur me përpikëri të gjitha këto cilësi, thuajse i janë afruar horizontit të profetësisë!”, – dhe u buzëqeshi njëherë të gjithëve dhe tha këto fjalë: “Unë do t’ju mësoj juve pesë cilësi, në mënyrë që Allahu t’jua përsosë krejtësisht të gjitha sjelljet tuaja: ‘Mos mblidhni pasuri më shumë se sa mund të hani, mos ndërtoni shtëpi, në të cilën nuk do të jetoni, mos u përplasni me njëri-tjetrin për hir të interesit të kësaj bote, e cila, një ditë, do t’ju ikë e tëra nga duart, e frikësojuni dënimit të ashpër të Allahut, tek i Cili do të mblidheni të gjithë (atë ditë); më mirë për ju është që të ngarendni me dëshirë drejt atdheut të amshuar, ku edhe do të jetoni në përjetësi!’”
13. PROFETI YNË U DËRGON LETËR MBRETËRVE TË KOHËS PËR T’I FTUAR EDHE ATA NË ISLAM
Profeti ynë i nxit sahabët që të përhapin mesazhin e Islamit
Misuer bin Makhremeja (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi pranë sahabëve dhe tha: “Allahu i Madhërishëm më dërgoi Mua si mëshirë për mbarë njerëzimin. Atëherë – Zoti ju faltë – edhe ju ta kryeni detyrën e predikimit të Islamit në emrin tim. Mos u përplasni me njërit-tjetrin, siç pati ndodhur me apostujt e profetit Isa, sepse edhe profeti Isa u pati bërë thirrje apostujve të tij, njësoj siç po ju bëj edhe unë juve; mirëpo, ata nuk deshën të shkonin në toka të largëta. Isai, i biri i Merjemes, iu lut Allahut, duke ia shfaqur vetëm Atij tërë trishtimin që e pati kapluar si pasojë e kësaj sjelljeje. Dhe, në shumë pak kohë, secili prej apostujve kuptoi se dinte të fliste gjuhën e atij vendi ku do të shkonin për të shpallur fenë e Allahut. Atëherë Isai (alejhis’selam) tha: ‘Kjo është, pa dyshim, një detyrë që Allahu kërkon që ta kryeni ju.’” Atëherë, pasi i dëgjuan këto fjalë, sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, edhe ne do ta kryejmë çdo detyrë që do të na e ngarkosh ti, ndaj ta dish se ti ne mund të na dërgosh ku të duash.”
Kur mori këtë përgjigje nga sahabët e Tij, Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dërgoi Abdullah bin Hudhafen (radijallahu anhu) te Kisra; Selit bin Amrin (radijallahu anhu) te valiu i Jemames, Heuzeja; Ala bin Hadramin (radijallahu anhu) te valiu i Hexherit, Mundhir bin Sauij; Amr bin Asin (radijallahu anhu) te dy mbretërit e Mbretërisë së Omanit, dy djemtë e Xhulendiut, Xhejferi dhe Ubadi; Dihjetu’lKelbin (radijallahu anhu) te Kajseri; Shuxha bin Uehbin (radijallahu anhu), i cili ishte prej ensarëve, te Mundhir bin Harithi i Gassanive; dhe Amr bin Umejete ed-Damri (radijallahu anhu) te Nexhashiu. Të gjithë këta të dërguar, përveç Ala bin Hadramiut, u kthyen në Medinë para se i Dërguari i Allahut të ndërronte jetë. Vetëm Ala bin Hadremiu gjendej në Bahrejn në kohën kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ndërroi jetë.”
Ibni Haxheri, në veprën e tij “Fet’hu’l-Barî”, thotë se: “Historianët që janë marrë me jetën e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), për ta studiuar, kanë vërejtur se në mesin e emrave të sahabëve të dërguar si mëkëmbës prej tij, kanë qenë veçanërisht këta emra: “Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka dërguar te Harith bin Abdi Kulali Muhaxhir bin Ebi Umejjen (radijallahu anhu), te Dhul-Kelaja Xheririn (radijallahu anhu), te Musejlemeja Saibin (radijallahu anhu) dhe te
Mukaukisi Hatib bin Ebi Beltean (radijallahu anhu).”
Letra e Profetit tonë për Nexhashiun, mbretin e Abisinisë
Ibni Is’haku tregon: “Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati caktuar Amr bin Umejete ed-Damri (radijallahu anhu) për ta dërguar te Nexhashiu, mbreti i Abisinisë, që të çonin një letër lidhur me gjendjen e Xhafer bin Ebi Talibit dhe shokëve të tij. Në letër shkruhej:
“Bismil’lahir-Rahmani’r-Rahim! Kjo është një letër e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, për mbretin e Abisinisë, Nexhashi As’hamin. Përshëndetjet e Zotit qofshin me ty. Lëvduar dhe falënderuar qoftë Allahu, i Cili është zotëruesi më i mirë i cilësive ‘Mbret(ërues), i Shenjtë, Besues dhe Mbrojtës Besnik’. Unë të dëshmoj se Isai (alejhis’selam) ishte një shpirt i dërguar prej Allahut, i cili erdhi si një fjalë e Tij, lënë amanet Merjemes, e cila ishte një grua e pastër, e dëlirë dhe shembull i ndershmërisë. Merjemja u zu në barrë me Isain. Allahu i Madhërishëm e frymoi shpirtin e frymën e tij njësoj siç pati krijuar edhe Ademin në fillim, me duart e Tij dhe ia pati frymuar frymën e shpirtin nga shpirti i Vet. Unë të ftoj që t’i besosh Allahut, që është Një dhe i Vetëm, e që nuk ka asnjë ortak në krijimin e gjithçkaje, t’u bindesh urdhrave të Tij, të më ndiqni mua dhe të më besoni, si mua, ashtu edhe atyre të vërtetave që kam sjellë unë. Nuk ka dyshim se unë jam i Dërguari i Allahut. Tek ti kam dërguar djalin e xhaxhait tim, Xhaferin, dhe disa besimtarë të tjerë, të cilët të kërkoj që t’i presësh mirë, e të ruhesh prej fanatizmit. Unë të ftoj, ty dhe ushtarët e tu, që të pranoni fenë e Allahut. Unë e kreva shpalljen time, e t’i kam dhënë të gjitha këshillat e nevojshme. Tani ju takon juve, që të bëni atë që është më e mira dhe e duhura. Paqja e Allahut qoftë me ata që ndjekin rrugën e drejtë.”
Letra që Nexhashiu i dërgon Profetit tonë të nderuar
“Bismil’lahir-Rahmani’r-Rahim!
Kjo është një letër e Nexhashi As’hamit, i biri i Ebxherit, për të Dërguarin e Allahut, Muhamedin:
“O ti Profet i dërguar prej Zotit, të përshëndes nga larg me përshëndetjen e Zotit! Mbi ty qofshin mëshira dhe begatitë e Zotit! Nuk ka zot tjetër, veç Atij që më udhëzoi mua në Islam. O i Dërguari i Allahut! Letra që më kishe dërguar për Isain (alejhis’selam) mbërriti tek unë dhe e lexova. Të betohem për Zotin e tokës dhe të qiejve, se Isai nuk ka asnjë cilësi më shumë sesa ato me të cilat ti e kishe përshkruar në letrën tënde. Dëshmitarët e tu që na kishe dërguar, djalin e xhaxhait dhe të tjerët, i mirëpritëm. Unë dëshmoj përpara Allahut, se ti je i Dërguari i drejtë dhe i provuar i Allahut. Unë iu binda e lidha besën me ty e djalin e xhaxhait tënd. Në sajë të tij unë iu dorëzova Allahut, që është i vetmi Zot i botëve. O Profeti i Allahut! Së bashku me këtë letër po të dërgoj edhe tim bir, Berihanë. Unë nuk mund të dal garant për askënd, përveçse për pjesëtarët e familjes sime. Tek të tjerët nuk më ka vlerë fjala. Nëse do që të vij edhe unë tek ti, më thuaj dhe unë do të vij. O i Dërguari i Allahut! Unë dëshmoj dhe pranoj se çdo fjalë e jotja është e vërtetë dhe e drejtë.”
Letra e Profetit tonë për Kajserin, mbret i Bizantit
Dihjetul-Kelbi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më dha një letër dhe më dërgoi për te Kajseri. Ashtu bëra, shkova pranë Kajserit dhe ia dorëzova letrën. Në atë kohë, pranë Kajserit qëndronte i ulur edhe djali i vëllait të tij, një njeri me fytyrë të kuqe, sytë bojëqielli dhe flokët fare të drejtë. Kur Kajseri nisi ta lexonte atë letër, e cila niste me fjalët: “Kjo është një letër e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, për sundimtarin e Bizantit, Herakliun.”, nipi i tij u pezmatua dhe tha: “Një letër e tillë nuk lexohet!” - “Pse?”, – e pyeti mbreti Kajser.
“Sepse është nisur me emrin e tij, mandej është shkruar sundimtari i Bizantit; nuk shkruhet ‘Mbreti i Bizantit’”.
“Megjithatë, të ma lexosh!”, – urdhëroi Kajseri.
Kur nisi të lexohej ajo letër, të gjithë të pranishmit dolën jashtë. Kajseri më mori pranë, dërgoi lajm që të thërrisnin edhe peshkopin, i cili erdhi menjëherë. Kur Kajseri i tregoi se si qëndronte puna dhe kërkoi që ajo letër t’i lexohej edhe njëherë, peshkopi tha: “Ky është ai njeri, të cilin kemi kohë që e kërkojmë, se mos ka ardhur, sihariqin për ardhjen e të cilit na e ka thënë edhe Isai.”
“Po mirë, ç’më këshillon të bëj?”
“Unë e pranoj Atë dhe që sot e tutje do të jem një ndjekës i Tij.”, – tha peshkopi.
“Por, nëse unë veproj siç më thua ti, mua do të më dalë duarsh e gjithë mbretëria.”, – ndërhyri mbreti Kajser.
Mandej ne u larguam së andejmi. Në atë kohë aty gjendej i pranishëm edhe Ebu Sufjani. Kajseri i dërgoi lajm Ebu Sufjanit që të vinte aty dhe kur ai erdhi, Kajseri i tha, nëpërmjet përkthyesit: “Më fol për atë njeriun e veçantë që është shfaqur në tokat tuaja, kush është ai njeri?”
“Është një i ri në moshë.”, – u përgjigj Ebu Sufjani.
Aty, mes tyre nisi një bashkëbisedim, të cilin po e paraqesim edhe këtu:
Kajseri: - “Në ç’lartësi është soji i tij në mesin tuaj, a janë ata njerëz të lartë?”
Ebu Sufjani: - “Për nga prejardhja, asnjë nga ne nuk është më i lartë se ai.”
Kajseri: - “Ja, edhe kjo është një ndër shenjat e profetësisë. Po mirë, si qëndron e vërteta e kësaj pune?”
Ebu Sufjani: - “Ai është një njeri që nuk ka gënjyer kurrë në jetën e tij.”
Kajseri: - “Edhe kjo është një nga tiparet emblemë të profetësisë! Po shumë mirë, a ka pasur në mesin tuaj njerëz, të cilët e kanë pranuar fenë e tij, pastaj janë kthyer sërish në fenë e të parëve tuaj?”
Ebu Sufjani: - “Jo, nuk ka pasur.”
Kajseri: - “Edhe kjo shenjë e profetësisë është. A ka pasur ndonjëherë, kur është nisur për në luftë, bashkë me shokët e tij, dhe është kthyer i humbur?”
Ebu Sufjani: - “Të gjithë ata që kanë qenë kundër tij kanë luftuar me të. Ndonjëherë ka fituar ai, ndonjëherë kanë fituar kundërshtarët.”
Kajseri: - “Edhe kjo, shenjë e profetësisë është.”
Dihjeja (radijallahu anhu) thotë se: Kajseri më thirri mua më vonë dhe më tha që t’u thosha shokëve të mi, se ai e dinte që ai ishte një profet, por nuk mund ta braktiste mbretërinë.”
Kurse, për sa i përket peshkopit; njerëzit vinin tek ai çdo të diel. Ai dilte përpara tyre dhe u fliste e i këshillonte, duke u dhënë edhe mësime të mira. Një të diel ai nuk doli përpara njerëzve. As të dielën tjetër nuk doli, por qëndroi në shtëpi. Ndërkohë unë shkoja vazhdimisht tek ai; fliste me mua dhe më bënte pyetje nga më të ndryshmet. Të dielën e radhës, të krishterët e pritën, por ai sërish nuk doli; u tha se ishte i sëmurë. Këtë e përsëriti edhe disa herë të tjera. Derisa, më në fund, e pyetën: “Ose do të dalësh përballë nesh, ose do të vijmë ne tek ti dhe do të të vrasim. Nuk na pëlqen fare gjendja jote që kur ka ardhur ky arabi.” Pas gjithë asaj trysnie, peshkopi më dha një letër dhe më tha: “Merre këtë letër dhe çoja shokut tënd, duke e përshëndetur atë nga ana ime! Thuaji se unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër, veç Allahut, që meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut; thuaji se i kam besuar, se e pranoj vërtetësinë e çdo fjale që thotë ai; shpjegoji se njerëzit kanë filluar të mos e pëlqejnë më gjendjen e sundimtarit të tyre, me pak fjalë, tregoji atij për të gjitha sa kanë ndodhur këtu.” Dhe, sakaq, vetë doli në mesin e të krishterëve. Ata e vranë.
Ashtu siç e transmeton Ibni Is’haku prej një dijetari të kohës, Herakliu i kish thënë Dihjes:
“Për Zotin unë e di shumë mirë, shoku yt është një profet i dërguar prej Allahut. Ai është ai njeri për cilësitë e të cilit flitet edhe në librin tonë dhe ne ardhjen e tij e kemi pritur për një kohë mjaft të gjatë. Mirëpo, unë kam frikë për sigurinë e jetës sime, pasi bizantinët mund të më bëjnë keq. Sikur të mos i druhesha kësaj, unë atij do t’i isha bindur menjëherë. Shko te peshkopi dhe foli atij për gjendjen e shokut tënd. Në mesin e bizantinëve ai është më i nderuar edhe sesa unë dhe fjala e tij ka më shumë peshë te njerëzit.”
Pas kësaj, Dihjeja shkoi te peshkopi dhe e njoftoi për gjithë sa kishte ndodhur. Edhe ai i tha: “Për Zotin, shoku yt është një mëkëmbës i dërguar prej Allahut. Ne i dimë cilësitë dhe emrin e tij.” Mandej, peshkopi hyri brenda, veshi një veshje në ngjyrë të bardhë dhe u kthye tek unë për të thënë fjalën e dëshmisë. Bizantinët, një të marrë vesh për të, erdhën dhe e vranë në vend.
Ndërsa, sipas një tjetër transmetimi lidhur me këtë çështje, thuhet:
Tregon Said bin Ebi Rashidi: “Pashë lajmëtarin që Herakliu kishte dërguar për te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai ishte një fqinji im në Humus, i cili ishte aq i moshuar, sa mendoje se nga çasti në çast mund të vdiste. Shkova dhe e pyeta: “Mund të më tregosh, se çfarë shkruhej në letrat që Profeti ynë ka këmbyer me Herakliun?”
“Po, t’i tregoj unë.”, – më tha. – “I Dërguari i Allahut pati ardhur në Tebuk. Aty dërgoi Dihjetul-Kelbin për te Herakliu. Kur i erdhi letra prej Resulullahut, Herakliu i thirri të gjithë, peshkopët dhe murgjit bizantinë. Pati mbyllur të gjitha portat dhe pati nisur t’u fliste:
“Ai njeri (duke pasur parasysh të Dërguarin e Allahut) ka ardhur, ashtu siç e keni lexuar edhe ju. Më ka dërguar lajm dhe më fton që të zgjedh mes tri mundësive: Ose t’i bindem fesë së tij, ose t’i japim atij një pjesë të mallrave që prodhojnë tokat tona si taksa, ose të zgjedhim e të luftojmë me të. Për Zotin, ne e dimë shumë mirë, se kur ai të vijë, edhe këto toka do të merren e do t’i takojnë atij një ditë. Si thoni, të bëhemi ndjekës të fesë së tij, apo t’i japim prej prodhimeve tona pjesën që na kërkon.” Të gjithë ata që ishin të pranishëm, mrrolën njëherë buzë e vetulla, hoqën mbulesat e shërbimit që mbanin në krye dhe thanë: “Çfarë po na thua, që të pranojmë se ti do të braktisësh Krishterimin, e do të bëhesh skllavi i një beduini që na vjen nga shkretëtira?”
Kur ata u larguan, Herakliu, i shqetësuar se ata do të nxitnin të gjithë popullin kundër tij, e ndjeu se herët a vonë ata edhe sundimin do t’ia merrnin nga duart: “Unë çfarë ju thashë, jua thashë të gjitha për të provuar besnikërinë dhe lidhjen e fortë që keni ju me fenë tuaj.”
Mandej, Herakliu thirri një prijës të arabëve të krishterë, që i përkiste familjes së Tuxhibëve, e i tha: “Më thirr dikë që e njeh shumë mirë gjuhën e arabëve, që ta ketë kujtesën shumë të fortë; t’i kthej përgjigje letrës që më ka dërguar ai njeri.”
Njeriu që sollën për të përkthyer isha unë. Herakliu më solli një letër të shkruar në një eshtër kraharori dhe më porositi: “Çoja këtë letër atij njeriu dhe bëj kujdes që t’i mbash mend të gjitha sa do të fliten aty: A do të flasë për letrën që më ka dërguar mua? A do të flasë për natën kur do të ketë lexuar letrën time? Si dhe bëj shumë kujdes që t’i shohësh shpinën, a do të dallosh ndonjë gjë të çuditshme në të?”
E mora letrën dhe u nisa për rrugë. Mbërrita në Tebuk. Profeti ishte ulur ndanë një hauzi me ujë, së bashku me sahabët e tij.
“Ku është i madhi juaj?”, – pyeta unë.
“Ja tek është.”, – m’u përgjigjën ata duke ma treguar me dorë.
U drejtova kah ai dhe eca derisa u ula përballë Resulullahut. I dhashë letrën, e vuri në prehër dhe më pyeti: “Po ti, nga cilët je?” - “Nga fisi i Tenuhut.”, – iu përgjigja unë.
“Si thua, sikur t’i bindesh e të ndjekësh fenë e Hanifit, që është feja e vërtetë e të parit tënd, Ibrahimit?”
“Unë jam thjesht një lajmës i dërguar nga njerëzit e tij dhe u përkas po fesë së tyre. Nuk mund të heq dorë prej fesë sime pa u kthyer njëherë pranë tyre.”, – iu përgjigja.
Atëherë pushoi për pak çaste dhe më lexoi një ajet kur’anor: “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë të udhëzuar.” (Kasas, 28/56)
Biseda e Ebu Sufjanit me mbretin e Bizantit
Ibni Abasi (radijallahu anhu) transmeton: “Siç më ka lajmëruar Ebu Sufjani, në vitet kur Profeti ynë pati bërë një marrëveshje paqeje me Ebu Sufjanin dhe shumë mohues të Kurejshëve, në mes tyre ishte edhe një karvan që udhëtonte drejt Sirisë për tregti. Në atë kohë, Herakliu dërgoi lajm se e ftonte Ebu Sufjanin t’i shkonte në pallat. Ebu Sufjani, bashkë me të pranishmit e tjerë, u nisën menjëherë për te Herakliu. Në fakt, Herakliu dhe njerëzit e tij ishin të vendosur në zonën e quajtur Bejtul-Makdis. Herakliu i pati thirrur ata në kuvend. Rreth tij ishin të pranishëm edhe e gjithë paria e vendit. Mandej pati kërkuar që të vinte edhe një përkthyes. Përkthyesi tha: “Kush nga ju është më i afërt me atë njeri që thotë se është profeti i Zotit?” - “Unë.”, – u përgjigj Ebu Sufjani.
“Ma sillni pranë, bashkë me shokët e tij, por ata të rrinë pas tij!”, – urdhëroi Herakliu, për Ebu Sufjanin dhe ata që e shoqëronin. Pastaj, u drejtua nga ai që po përkthente dhe i tha:
“Thuaju, (duke treguar me dorë Ebu Sufjanin) që unë do t’i pyes ata rreth atij njeriu dhe nëse më gënjen për ndonjë gjë, shokët e tij ta ndreqin, duke më thënë se po më gënjen!”
Më vonë Ebu Sufjani ka thënë: “Uallahi, sikur të mos ngurroja e të mos druhesha se shokët do të më vinin në pah se isha duke gënjyer, atë ditë do të kisha gënjyer. Ja se cila ishte pyetja e parë që më bëri:
“Si është fisi nga e ka prejardhjen ai njeri?”
“Ai vjen nga një fis shumë i mirë.”, – iu përgjigja unë.
“Në mesin tuaj, a ka pasur të tjerë që e kanë thënë këtë edhe më parë (se kanë qenë profetë të Zotit)?” - “Jo.”, – u përgjigja unë.
“A ka pasur mbret ndër të parët e tij?”
“Jo.”
“A i bindet fisnikëria e popullit, apo janë më shumë të dobëtit që i shkojnë nga pas?”
“Të dobëtit janë ata që e ndjekin më së shumti.”
“Numri i atyre që po e ndjekin është duke u shtuar, apo duke u pakësuar?”
“Vazhdimisht po shtohen.”, – u përgjigja unë.
“A ka të atillë, që pasi e pranojnë fenë e tij, e braktisin, pasi kanë vërejtur ndonjë gjë që atyre nuk u ka pëlqyer?” - “Jo.”, – iu përgjigja.
“A e keni akuzuar ndonjëherë atë njeri, para se të shpallte profetësinë, se ju ka gënjyer për ndonjë gjë?” - “Jo.”, – iu përgjigja.
“A ka qëlluar ndonjëherë që ai të mos e mbajë fjalën e dhënë?”
“Jo.”, – u përgjigja unë, – “por, hë për hë, ne kemi vendosur paqen me të, e nuk e dimë se çfarë do të bëjë.”
Ebu Sufjani tregon: “Nuk dija se ç’të thosha më shumë, për t’ua ngatërruar mendjen.” Herakliu vijoi të më pyesë:
“Po mirë, a keni luftuar ju ndonjëherë më parë me të?”- “Po.”, – iu përgjigja unë.
“Si kanë përfunduar ato luftëra që keni bërë?”
“Me radhë, herë kemi dalë fitimtarë ne, herë ka qenë ai që na ka mundur.”
“Çfarë ju urdhëron ai njeri të bëni?”
“Ai na urdhëron të adhurojmë Allahun, që është Një dhe i Vetëm, e të mos i bëjmë Atij asnjë shok në krijimin e asgjëje, si dhe që t’i braktisim të gjitha ato që na kanë mësuar të parët tanë. Ai na urdhëron neve faljen e namazin, përhapjen e së drejtës dhe të së vërtetës, si dhe që të ruajmë nderin e të duam fort familjen.”
Herakliu u kthye nga përkthyesi dhe i tha këto fjalë:
“Të pyeta për prejardhjen e atij njeriu, e ti më the se ai është një njeri i fisëm. Profetët dërgohen përherë nga mesi i njerëzve më të fisëm. Ju pyeta, nëse ka pasur më parë në mesin tuaj, të cilët kanë pretenduar të njëjtën gjë, dhe ju më thatë se nuk ka pasur. Nëse do të më kishit thënë se po, ka pasur, atëherë do të mendoja se edhe ky është duke imituar fjalët e atij që ka dalë më përpara. Të pyeta, nëse ka pasur ndonjë mbret nga të parët e tyre. Ti më the se jo, nuk ka pasur. Nëse nga mesi i të parëve të tij do të kishte pasur ndonjë mbret, atëherë do të thosha se ky njeri është në kërkim të trashëgimit të mbretërisë së babait të tij dhe nuk do t’i jepja rëndësi më shumë nga sa është e nevojshme. Të thashë, a ka ndodhur ndonjëherë më parë që ju ta keni akuzuar atë njeri, se ju ka gënjyer. Përgjigja që më dhe ishte ‘jo’, nuk ka ndodhur. Unë e di mjaft mirë se ai njeri që nuk i gënjen njerëzit nuk ka se si të gënjejë karshi Zotit. Të pyeta, kush e ndjek më shumë atë, paria e njerëzve, apo më të varfrit e më të dobëtit, e ti më the që janë të dobëtit ata që e ndjekin më së shumti. Po, ata janë që bëhen zakonisht ndjekësit më besnikë të profetëve. Të thashë, po shtohen, apo po pakësohen dhe ti më the se janë duke u shtuar, e zakonisht kështu ndodh, që ata vetëm shtohen e shtohen, derisa feja të arrijë përsosmërinë e saj kështu do të vazhdojë. Unë të pyeta, ‘a ka të atillë që e kanë pranuar fenë e tij, por që më pas kanë hequr dorë dhe janë kthyer në fenë e mëparshme, pasi ka pasur diçka që nuk u ka pëlqyer?’ Ti më the jo, nuk ka pasur, sepse kështu ndodh kur besimi zë vend në zemrën e njeriut dhe aty nis të mbizotërojë paqja. Të pyeta a është kthyer ndonjëherë dhe nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. Përgjigja jote ishte jo. Të tillë janë profetët, nuk i gënjejnë njerëzit dhe nuk kthejnë kurrë nga ajo fjalë që japin. Po çfarë ju urdhëron juve të bëni ju pyeta. Ti më the se ju ka urdhëruar të adhuroni Allahun, të mos i bëni asnjë shok ose ortak Zotit në krijim; jua ka ndaluar që të adhuroni e të kryeni rituale për idhujt e krijuar prej jush vetë, të falni namazin, të jeni të drejtë, si dhe të jetoni një jetë që e dallon ndershmëria. Nëse të gjitha këto që the janë të vërteta, atëherë, nuk do të kalojë shumë kohë dhe ai do të bëhet zotëruesi i kësaj toke ku po shkelin këmbët e mia tani. Unë e dija që ai do të vinte. Por nuk prisja që të dilte nga mesi juaj. Sikur ta di se do të mund të mbërrija deri tek ai, do t’i pranoja të gjitha vështirësitë me të cilat do të më duhet të përballem. Ah sikur të isha pranë tij e të isha unë ai që do t’ia laja këmbët!”
Mandej, Herakliu i kërkoi Dihjes (radijallahu anhu) që t’i jepte letrën që kishte çuar te sundimtari i Busras dhe përgjigjen që ai i kish kthyer. Në atë letër shkruhej:
“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit! Kjo është një letër e robit dhe të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, për të parin e Bizantit, Herakliun.
Përshëndetje për të gjithë ata që kanë ndjekur rrugën e udhëzimit. E thënë siç e do fjala, unë të ftoj që të pranosh Islamin. Bëhu mysliman, që të mund të gjesh paqen e shpëtimin, në mënyrë që edhe Allahu i Madhërishëm ta dyfishojë shpërblimin për ty. Nëse nuk e pranon, atëherë ta dish, se përgjegjësia do të jetë e jotja edhe për arsyen se populli nuk do të njihet me fenë e Allahut.
“... O njerëz të librit! Të biem në një mendje me njëri-tjetrin rreth asaj që na bashkon dhe që është e përbashkët dhe e drejtë për të dyja palët, si për ju, ashtu edhe për ne: ‘Të mos adhurojmë askënd tjetër pos Allahut. Të mos i bëjmë Atij asnjë shok a ortak në krijim, e as nga ju, as nga ne të mos ketë asnjë njeri që adhuron tjetërkënd vetëm se Allahun.’ Nëse e refuzojnë këtë thirrje, atëherë: ‘Thuajuni: Të paktën bëhuni dëshmitarë se ne jemi besimtarë, që u bindemi urdhrave të
Allahut.’” (Al ‘Imran, 3/64)
Ebu Sufjani thotë: “Herakliu e tha ç’kishte për të thënë dhe, pasi e lexoi letrën, në mesin e njerëzve filluan të shtoheshin zhurmat dhe gumëzhima e zërave të tyre. Zërat filluan të ngriheshin. Ne na nxorën prej aty. Kur dolëm, unë u thashë shokëve: “Kjo puna e Ibni Ebi Kebshes (Ky ishte një ndër llagapet e Resulullahut nisur nga emri i burrit të mëndeshës së Tij dhe idhujtarët e Kurejshëve e përdornin atë veçanërisht për t’u tallur.) u zmadhua edhe më shumë, duke u bërë edhe më e rëndësishme. Atij filloi t’i frikësohej edhe mbreti i Bizantit. Besimi që kisha se këtej e tutje profeti do të dilte fitimtar nuk reshti së ekzistuari në mua, derisa Zoti e bëri Islamin të dashur për zemrën time.
Valiu i asaj kohe i Jerusalemit, i cili ishte njëherazi mik i Herakliut, peshkopi i të krishterëve të Sirisë, Ibnu-Naturi, ka treguar: “Kur Herakliu erdhi në Jerusalem, të gjithë e panë se ai ishte shumë i trishtuar. Njëri prej patriarkëve e pati pyetur: “Nuk po e kuptojmë, pse je bërë kështu?”
Herakliu ishte edhe falltar, pasi dinte të lexonte yjet. Kur i bënë këtë pyetje, ai u përgjigj: “Kam parë yjet dhe pashë se ai që është mbreti i të rrethprerëve është zhvendosur drejt qendrës. Cili nga vendet përreth jush është i banuar nga njerëz që bëhen synet?”
“Këtej rrotull i vetmi popull që bëhen synet janë hebrenjtë, nuk ka të tjerë. Po pse të të shqetësojë gjendja e tyre, ti mund t’u shkruash një letër njerëzve që kontrollojnë territoret e tua, e t’i vrasin të gjithë hebrenjtë që jetojnë nëpër to.”
Ndërsa ata flisnin me këtë gjuhë, në praninë e Herakliut sollën një burrë, të cilin e kishte dërguar sundimtari i Gassanit. Ai i solli atij të reja lidhur me të Dërguarin e Allahut. Kur dëgjoi lajmet për Profetin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) Herakliu tha:
“Shkoni e kërkoni njëherë, të mësoni a është ai rrethprerë, apo jo?” Kërkuan dhe i thanë se, po, ai ishte rrethprerë. I pyeti për arabët. A e kishin edhe ata zakon të bëheshin synet? Po, i thanë, edhe ata e kanë zakon, që të bëhen synet. Atëherë Herakliu tha: “Atëherë ky njeri do të bëhet i pari i atij populli, më në fund ka ardhur!” Mandej, Herakliu vendosi t’i shkruante një letër një miku të tij, që jetonte në Romë, e që ishte jo më pak i ditur se ai vetë dhe u nis të shkonte në Humus. Ende pa u larguar nga Humusi, nga miku i tij i mbërriti një letër. I shkruante se ai ishte i të njëjtit mendim me Herakliun, se ai, më në fund, ishte shfaqur dhe se ishte e vërtetë, ai ishte një profet. Pas kësaj, Herakliu ftoi në sarajet e tij në Humus të mblidhej gjithë paria e bizantinëve. Të gjithë i urdhëroi që dyert të qëndronin mbyllur. Në fund, u ngjit në një vend të ngritur dhe filloi të fliste:
“O njerëz të Bizantit! A doni që të fitoni si lumturinë e kësaj bote, ashtu edhe lumturinë e amshuar në jetën e përtejme? Nëse doni që pasuria që keni të mbetet po në duart tuaja, atëherë duhet t’i bindeni atij profeti!”
Të gjithë sa ishin të pranishëm, sikur të ishin zebra të trembura, vërshuan drejt portave për t’u larguar së andejmi me një frymë. Kur Herakliu dëshmoi gjithë atë mllef prej tyre dhe e humbi shpresën se ata do të besonin, atëherë iu drejtua ushtarëve: “Sillini drejt meje.”
“Ato që ju thashë pak më parë ishin të gjitha fjalë për t’ju vënë në provë se sa të fortë e keni lidhjen me fenë tuaj dhe e dëshmova me sytë e mi se sa fort të lidhur jeni ju me besimin tuaj.”
Të gjithë të pranishmit u qetësuan dhe i thanë se kjo sprovë u kishte pëlqyer tej mase, kështu që u larguan prej aty duke ndierë edhe më shumë respekt për mbretin e tyre. Ja, me pak fjalë, kjo ishte gjendja përfundimtare e Herakliut.”
Letra e Profetit tonë për mbretin e Persisë, Kisran
Ebu Seleme bin Abdurrahmani (radijallahu anhu) tregon: “Kur letra e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i mbërriti Kisrës, ai, një ta lexuar letrën, e grisi atë, e bëri copë-copë. Mandej i shkroi një letër valiut të tij në Jemen, Bazanit: “Dërgo dy prej njerëzve më të fortë që ke te ky burri që ka dalë në Arabi, që ta marrin e ta sjellin tek unë.” Edhe Bazani, bashkë me një letër në persisht që i drejtohej të Dërguarit të Allahut, dërgoi tek ai mëkëmbësin e tij, Ebanuhun, i cili ishte njeri i zgjuar që dinte shkrim e këndim. Si shoqërues, me vete i dha edhe një pers, të cilin e quanin “Xhed Xhemire”. Në letër i urdhëronte që të merrnin të Dërguarin e Allahut dhe bashkë me të të shkonin drejt e te Kisra. Mëkëmbësit i pati thënë: “Shikoje njëherë atë njeri, cila është e vërteta që thonë njerëzit? A është e vërtetë? Fol njëherë me të dhe më sill ndonjë të re që do të mësosh rreth tij!” U nisën dhe kur mbërritën në Taif aty u takuan me një sërë tregtarësh kurejshitë. I pyetën rreth të Dërguarit të Allahut. Ata që ishin aty, i thanë se ai ishte tanimë në Jethrib (Medinë). Idhujtarët e Kurejshëve u kënaqën jashtë mase (që në këtë çështje po përfshihej edhe Kisra) dhe filluan të flisnin me njëri-tjetrin:
“Tani ka për t’ia treguar Kisra qejfin, tani do të shpëtoni nga njeriu ynë!”
Ata të dy dolën nga Taifi dhe u nisën për në drejtim të Medinës. Kur shkuan pranë të Dërguarit të Allahut, Ebanuhu i tha të Dërguarit të Allahut:
“Kisra i ka shkruar një letër Bazanit. Ai i ka urdhëruar atij që të sjellë njerëzit e tij për të të marrë e të të çojnë te Kisra. Për këtë Bazani më ka ngarkuar mua, që të vij e të të marr.”
“Ju tani ikni dhe ejani nesër të flasim.”
Ditën tjetër, kur ata dy burra erdhën pranë Resulullahut, Ai u tregoi atyre se Allahu i Madhërishëm ka vendosur ta ndëshkojë Kisrën me dorën e djalit të vet, Shireuejhit, në aksh natë të filan muaji, duke e vrarë babanë. Ata dy burra mbetën të shtangur:
“Çfarë thua, a e di se çfarë thua? Mos do që këtë t’ia njoftojmë Bazanit, duke i shkruar një letër?”
“Po, shkruajani. Veç kësaj t’i thoni edhe: ‘Nëse do të bëhesh mysliman, atëherë të gjitha zotërimet në territoret tuaja do të t’i jap ty.’”
Pastaj, i Dërguari i Allahut, i dha Xhed Xhemirës dhuratë një brez shumë të bukur prej ari dhe argjendi, të cilën edhe atij ia kishin dhuruar. Ata u kthyen të dy pranë Bazanit dhe e njoftuan për gjithë ç’kishte ndodhur. Bazani, i dëgjoi të gjitha dhe tha:
“Uallahi këto nuk janë fjalë sundimtari. Duhet të presim e të shohim njëherë, nëse janë të vërteta e a do të ndodhin ato që na thotë.” Nuk kaloi shumë kohë dhe atij i erdhi një letër prej Shireuejhit. Në të shkruhej:
“Për të mirën e popullit pers e vrava Kisrën, sepse ai po i vriste të gjithë fisnikët e Persisë. Prano në emrin tim besnikërinë e shpallur ndaj meje nga të gjithë ata që gjenden përreth teje. Ndërsa, për sa i përket atij njeriu (d.m.th. Profetit a.s.), kujdes, në asnjë mënyrë, të mos thuash asnjë fjalë të keqe e të mos shfaqësh asnjë sjellje të shëmtuar!” Bazani, kur e lexoi atë letër tha: “Ky njeri është një profet i dërguar prej Allahut.” U bë menjëherë mysliman. Bashkë me të, Islamin e pranuan edhe të gjithë njerëzit më të nderuar në mesin e persëve, që jetonin asokohe në Jemen.”
Letra e Profetit tonë për mbretin e Aleksandrisë, Mukaukisin
Abdullah bin Abdulkariu (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dërgoi te më i madhi i Aleksandrisë, Mukaukisi, Hatib bin Ebi Beltean (radijallahu anhu). Kur i shkoi letra e Profetit tonë, Mukaukisi, fillimisht, e puthi atë letër. E gostiti njëherë mirë e mirë Hatibin, duke e pritur më së miri. Pastaj, pasi e veshi në tesha të reja e të bukura, i dha atij edhe një mushkë dhe dy robinja (njëra nga këto dy robinja ishte edhe Maria, nëna e Ibrahimit, djalit të Profetit tonë), ai e nisi Hatibin për te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).” Robinjën tjetër, i Dërguari i Allahut ia pati dhuruar Muhamed bin Kajs el-Abdiut.
Hatib bin Ebi Beltea (radijallahu anhu) tregon: Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më dërgoi mua te mbreti i Aleksandrisë, Mukaukisi. Kur ia dhashë Mukaukisit letrën e vyer që i pata çuar, Mukaukisi më priti në shtëpinë e tij, ku edhe qëndrova për njëfarë kohe. Një ditë, ai mblodhi të gjithë njerëzit më të ngritur që punonin për të dhe më thirri edhe mua, e më tha:
“Unë do të të pyes për disa gjëra dhe shpresoj se do të më kuptosh.”
“Patjetër, të më pyesni.”, – iu përgjigja unë.
“Tani do të më thuash, haptazi: I madhi yt është një profet, apo jo?”
“Po, ai është i Dërguari i Allahut.”
“Po mirë, kur populli vendosi që ta përzërë nga atdheu i vet, atëherë përse nuk iu lut ai Zotit, duke i mallkuar ata njerëz që Allahu t’i shkatërronte e t’i bënte njësh me dheun?”
“Shumë mirë, po ti a dëshmon se Isai i biri i Merjemes ishte një profet i Allahut?”, – iu përgjigja unë, duke i bërë një pyetje.
“Patjetër që e dëshmoj këtë të vërtetë.”
“Po mirë, Isai (alejhis’selam), kur populli i tij e kapi atë dhe deshën ta varnin, nuk iu lut Allahut që t’i shkatërronte ata, por Allahu e lartësoi atë drejt qiejve dhe e shpëtoi.”
Kur i dëgjoi këto fjalë, ai m’u drejtua me këto fjalë:
“Nuk ka dyshim se ti vjen prej një njeriu të urtë, që e njeh shumë mirë urtësinë e Zotit, por, edhe ti je një njeri shumë i mençur! Ja, këto janë dhuratat e mia për ju... Të gjitha këto do t’i nis bashkë me ty për te Muhamedi. Veç kësaj, do të të jap me vete edhe disa ushtarë që t’ju mbrojnë gjatë rrugës, gjersa të arrini në toka ku nuk të kanoset asnjëfarë rreziku.”
Hatibi thotë se: “Mukaukisi, bashkë me shumë dhurata më dha edhe tri robinja për t’i çuar tek i Dërguari i Allahut. Njëra syresh, më vonë, u nderua me privilegjin që të ishte bashkëshorte e Profetit tonë; nëna jonë nga e cila erdhi në jetë djali i Profetit tonë, Ibrahimi. Një tjetër prej tyre Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ia pati dhuruar poetit të njohur Hasan bin Thabit el-Ensarit.”
Letra që Profeti ynë i pati dërguar popullit të Nexhranit
Bejhakiu transmeton prej Junus bin Bukejrit: “Para se t’i zbritej surja ‘Neml’, Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i pati shkruar popullit të Nexhranit një letër. Le të paraqesim përmbledhtazi dhe duke perifrazuar se çfarë shkruhej në atë letër:
“Me emrin e Zotit të Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit.
Një letër e Muhamedit, të Dërguarit të Allahut, për peshkopin e Nexhranit dhe nexhranasit. Ju përshëndes duke përlëvduar Zotin e Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit. Unë ju ftoj ju të hiqni dorë nga robërimi ndaj robërve, e të mos robërohen vetëm se ndaj Allahut. Të hiqni dorë nga besimi në miqësinë dhe mbrojtjen e robërve dhe të bëheni miq të Zotit e të mos kërkoni mbrojtje tjetër pos mbrojtjes së Tij. Nëse nuk e pranoni këtë ftesë timen, atëherë duhet të jepni detyrimin e xhizjes. Nëse ngurroni edhe për pagesën e xhizjes, atëherë ta dini mirë se mua do të më duhet që t’ju shpall luftë. Paqja qoftë mbi ju!”
Peshkopi, kur e lexoi letrën, e kaploi njëfarë shqetësimi dhe filloi ta zërë frika. Për të kërkuar një mendim, shkoi menjëherë te një burrë, banor i Nexhranit, të cilin e quanin Shurahbil bin Uedaaja i Hemdanit. Përgjithësisht, sa herë që përballej me ndonjë shqetësim shumë të madh, populli i Nexhranit, para se të shkonin të kërkonin ndihmë te tre prijësit më të mëdhenj të tyre, Ejhemi, Sejidi dhe Akibi, shkonin njëherë më parë te ky njeri. Peshkopi ia dha letrën e Resulullahut që ta lexonte njëherë dhe Shurahbili e lexoi.
“Më thuaj, o Ebu Merjem, ç’mendim ke për të?”
“Unë e di që Allahu ka premtuar se nga soji i Ismailit, të birit të Ibrahimit (alejhis’selam), ka për të ardhur një profet. Ndoshta ky njeri është pikërisht profeti i premtuar. E kam të pamundur që të them ndonjë gjë përfundimtare lidhur me profetësinë e tij. Po të ishte ndonjë çështje e lidhur me punët e kësaj bote, do të kisha bërë çmos që të të gjeja një rrugëzgjidhje.”
“Atëherë kalo këtej dhe ulu.”
Dhe ai u ul. Mandej, peshkopi thirri Abdullah bin Shurahbilin, një njeri që vinte nga dega Dhi-Esbah e fisit të Himjerit nga populli i Nexhranit. I kërkoi mendim edhe atij. Por edhe ai, të njëjtën përgjigje i ktheu. Atëherë, peshkopi i tha edhe atij: “Mirë, ulu në anë.” Dhe ai u ul.
Kësaj here peshkopi thirri Xhebar bin Fejzin, po ashtu nga populli i Nexhranit. E pyeti se ç’mendim kishte lidhur me çështjen. Por edhe ai, diçka të ngjashme me atë që kishin thënë të tjerët pohoi. Peshkopi tha: “Kalo këtej, ulu.” Dhe ai u ul.
Kur pa se të gjithë ishin në një mendje, peshkopi kërkoi që të binin kambanat, të ndizeshin zjarre dhe nëpër manastire të ngriheshin flamujt. Kështu bënin sa herë që gjatë ditës ndodhte ndonjë gjë e papritur. Kur merrnin ndonjë lajm të atypëratyshëm gjatë natës (duke qenë se flamujt nuk do të mund t’i dallonte dot asnjë) binin vetëm kambanat, ndërsa në kullat e manastireve ndizeshin zjarre që do të shiheshin lirshëm nga të gjithë. Kur dëgjuan kambanat teksa binin, panë zjarret, flakët e të cilëve nisën të fluturonin drejt qiellit dhe thellë luginës ishin ngritur flamujt, populli u mblodh menjëherë. Lugina ishte aq e gjatë, saqë një kali do t’i duhej një ditë e plotë për ta përshkuar fund e krye. Në të përfshiheshin shtatëdhjetë e tri fshatra dhe jetonin njëqind e njëzetmijë luftëtarë. Peshkopi u lexoi atyre letrën e ardhur nga i Dërguari i Allahut dhe i pyeti se ç’mendim kishin për të. Ata që ishin të aftë për të dhënë një mendim, i thanë mendimet e tyre përmbledhtazi kështu:
“Të dërgojmë Shurahbil bin Uedatul-Hemdaniun, Abdullah bin Shurahbil el-Esbahun dhe Xhebar bin Fejz el-Harithin, që të na sjellin më shumë informacion rreth Resulullahut.”
Ai grup u nis për rrugë. Kur mbërritën në Medinë, i hoqën teshat e rrugës, u veshën me rrobat më të mira, duke vënë edhe të gjitha unazat më të bukura, të cilat i kishin marrë qëllimisht me vete. Mandej, shkuan tek i Dërguari i Allahut dhe e përshëndetën. Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk ua ktheu përshëndetjen. Megjithëse kishin veshur rrobat me stolitë më të bukura e në gishta kishin vënë unazat me gurët më të çmuar, ata u përpoqën gjatë gjithë ditës të bisedonin me të. Por Resulullahu sërish nuk i priti ashtu siç ata kishin pritur, duke u lëvduar pamjen dhe lartësinë e pretenduar. Pastaj, kur e panë se e kishin paksa të vështirë që t’ia arrinin qëllimit, kërkuan për Osman bin Afanin dhe Abdurrahman bin Aufin, të cilët i njihnin më parë. Ata i gjetën të ulur në mes të një kuvendi me muhaxhirë dhe ensarë.
“O Osman, o Abdurrahman! Profeti juaj na ka dërguar një letër dhe ne kemi ardhur që t’i përgjigjemi ftesës së tij. E përshëndetëm kur erdhëm, mirëpo ai nuk e pranoi përshëndetjen tonë; gjatë gjithë ditës jemi përpjekur të takohemi e të flasim me të, mirëpo nuk na priti; më duket se nuk na dha shumë rëndësi. Ju çfarë mendimi keni? A të kthehemi andej nga erdhëm?”
Osmani dhe Abdurrahmani (radijallahu anhuma) iu drejtuan Aliut (radijallahu anhu), i cili gjendej po ashtu në atë kuvend:
“Po ti ç’thua për këto që thonë këta njerëz, o Ebu’l-Hasen?”
“Unë u këshilloj që t’i ndërrojnë këto rroba që kanë veshur dhe t’i heqin ato unazat që kanë vënë ndër gishta dhe të provojnë të shkojnë edhe njëherë tek i Dërguari i Allahut.”
Dhe ata burra ashtu vepruan. Mandej shkuan prapë tek i Dërguari i Allahut dhe e përshëndetën. Profeti ynë ua pranoi përshëndetjen dhe u tha:
“Pasha Zotin tim, i Cili më ka dërguar mua me të vërtetën, kur erdhët herën e parë, bashkë me ju kishte ardhur edhe djalli.” Pastaj, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u bëri atyre vazhdimisht pyetje, e edhe ata e pyetën të Dërguarin e Allahut për çdo gjë që donin të kuptonin më mirë. Në fund, ata e pyetën Resulullahun:
“Çfarë mendon ti për Isain? Ne jemi të krishterë dhe do të kthehemi te populli ynë. Nëse ti je një profet, atëherë ne do të kënaqeshim shumë, nëse do të na tregoje diçka për Isain, sepse ne na pëlqejnë shumë ato që thuhen për Isain.” Atëherë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Tani unë nuk kam këtu asnjë të dhënë rreth Isait. Prisni, derisa Zoti ynë të më shpallë rreth Isait dhe me të ardhur shpallja unë do t’i ndaj të vërtetat me ju.”
Ditën tjetër, Allahu zbriti këto ajete, kuptimi i të cilave është: “Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: ‘Bëhu!’ dhe ai u bë. E vërteta është nga Zoti yt, ndaj mos u bëj nga ata që dyshojnë! Ata që të kundërshtojnë ty për çështjen e Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaju: ‘Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë, pastaj, të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët!’” (Al ‘Imran, 3/59-61)
Ata nuk i pranuan të vërtetat e thëna në këto ajete. Veç kësaj, Profeti ynë (i thirri ata që të mallkoheshin në mënyrë reciproke, siç e kërkonte edhe përmbajtja e shpalljes hyjnore të Allahut.) Mëngjesin tjetër, i Dërguari i Allahut i pati mbështjellë dy nipërit e Tij, Hasanin dhe Husejnin (radijallahu anhuma) me qilimin e kadifenjtë që i gjendej; atë ditë, megjithëse kishte disa bashkëshorte, nga pas kishte vetëm vajzën e tij Fatimen dhe shkoi pranë tyre për të bërë mallkimin e kushtëzuar ndërsjellazi. Shurahbili u drejtua nga dy shokët e tij dhe u tha:
“Ju e dini, se po të mblidhen të gjithë banorët që jetojnë, si në pjesën e poshtme, ashtu edhe në pjesën e sipërme të luginës, ata do të ma dëgjojnë fjalën. Uallahi, më duket se kjo nuk do të jetë aspak e mirë për ne. Nëse ky njeri është vërtet profet, atëherë ne do të jemi të parët që do të poshtërohemi në mesin e arabëve, pasi do ta kemi kundërshtuar të vërtetën e zbritjes së tij. Ne nuk do të shpëtojmë dot prej tij, pa i humbur të gjitha me mall e me pasuri e familje, gjithë ç’kemi. Kur këta janë fqinjët tanë më të afërt ndër arabë. Ky njeri, nëse është një profet i dërguar nga Allahu, e ne mallkohemi, ta dini se nuk do të na mbetet më as nam, as nishan mbi këtë botë! Do të shkatërrohemi! Do të zhdukemi!”
Shokët, të cilët e kishin dëgjuar me vëmendje, thanë: - “Po mirë, o Ebu Merjem, ti i ç’mendimi je, si të veprojmë?” Ebu Merjemi:
“Ta vëmë atë si gjykatës mes nesh, sepse e shoh, që është njeri që nuk do t’i bënte askujt keq.”
“Atëherë shko dhe zgjidheni ju me njëri-tjetrin këtë çështje.”, – thanë ata.
Shurahbili shkoi te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:
“Para se të mallkojmë njëri-tjetrin, mua më erdhi një mendim më i mirë.”
“Ç’mendim është ky?”, – pyeti i Dërguari i Allahut.
“Mendohu njëherë deri nesër në mëngjes dhe ne do të pranojmë, cilido që të jetë vendimi yt për ne.”
“Po sikur ata që vijnë pas teje të akuzojnë se ke vepruar gabim, pasi unë t’ju kem thënë mendimin tim?”
“Mund të shkojmë t’i pyesim edhe dy shokët e mi.”
Dhe i Dërguari i Allahut i pyeti të dy dhe ata i thanë se “askush nuk zbret në luginë pa lejen e Shurahbilit, e askujt nuk i shkon nëpër mend të largohet nga lugina pa pyetur njëherë atë.”
Atëherë Profeti ynë nuk e bëri mallkimin e kushtëzuar me të vërtetën. Ditën tjetër nexhranasit erdhën tek i Dërguari i Allahut. Kurse ai u shkroi këtë letër, të cilën po e paraqesim këtu:
“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit dhe Mëshirëplotit.
Kjo është një letër e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, për popullin e Nexhranit, që përmban marrëveshjen e paqes – nëse ka fuqi mbi ta për të bërë këtë marrëveshje: Për çdo frut që tepron pasi janë përmbushur nevojat, florinjtë dhe argjendin, apo çdo lloj guri i çmuar, do të vendoset një taksë. Por e gjitha kjo taksë u është lënë atyre në formën e dymijë pjesëve, njëmijë prej të cilave t’u jepen në muajin Regaib, ndërsa njëmijë të tjera gjatë muajit Safer.”
Në këtë transmetim të përfshirë edhe në “El-Bidaje” do të vërejmë se ka edhe më shumë të dhëna: Në shkrimin e marrëveshjes së paqes së të Dërguarit të Allahut me nexhranasit ishin dëshmitarë edhe Ebu Sufjan bin Harbi, Gajlan bin Amri, Malik bin Aufi nga Beni Nasrët, Akra bin Habis el-Handhali dhe Mugireja. Grupi i nexhranasve i morën letrat e marrëveshjes dhe u kthyen për në Nexhran. Peshkopi i Nexhranit kishte një djalë xhaxhai, të cilin e quanin Bishr bin Muauije, por e thërrisnin me llagapin Ebu Alkame. Grupi i përfaqësuesve ia dorëzoi letrën peshkopit. Teksa po e lexonin marrëveshjen, ndanë peshkopit qëndronte djali i xhaxhait të tij, Bishri; të dy po ecnin me ngadalë mbi deve. Kur, sa hap e mbyll sytë, deveja e Bishrit u pengua diku dhe u rrëzua dhe Bishri përmendi emrin e të Dërguarit të Allahut dhe tha:
“Zoti të mallkoftë!” Atëherë, peshkopi, i cili e dëgjoi mallkimin e kushëririt të tij, i tha atij:
“Uallahi, ti sapo mallkove një profet të dërguar nga Allahu!” Dhe Bishri tha:
“Atëherë, për Zotin, edhe unë do të shkoj menjëherë tek i Dërguari i Allahut, pa i zgjidhur frerët e devesë.” Dhe u dha këmbëve në drejtim të Medinës. Pas tij shkoi edhe peshkopi duke i dhënë nxitim devesë ku kishte hipur.
“Për ato që të thashë duhet të më kuptosh drejt. Pavarësisht, unë të gjitha sa thashë, i thashë jo se i kemi marrë atij ndonjë gjë, apo se nuk i pranuam ato që na tha ai, por se doja që ashtu të na dëgjonin arabët, se megjithëse ne jemi më të fortët e të fuqishmit në mesin e tyre, ne pranuam të binim dakord me një njeri që as njerëzit e vet nuk e kanë pranuar.”, – i tha ai kushëririt të tij, por Bishri iu përgjigj: - “Jo, për Zotin, unë nuk mund të pranoj dot më asgjë që vjen prej mendjes sate!” I ktheu shpinën peshkopit dhe i ra kamxhikut deveve dhe shkoi drejt Medinës duke mërmëritur një poezi nëpër dhëmbë.
Bishri shkoi tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe u bë mysliman. Nuk u nda më kurrë prej tij, derisa ra dëshmor në rrugën e Zotit të Botëve.
Në vijim transmetuesi tregon: “Grupi që kishte marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes u kthye në Nexhran. Ibni Ebi Shemr ez-
Zebijdij shkoi te prifti që ishte ngjitur në majën e kullës së manastirit dhe i tha:
“Në Hixhaz është dërguar një profet.”
Ai i tregoi priftit edhe se një grup nga nexhranasit kishin shkuar tek ai dhe se ai u kishte propozuar një mallkim të kushtëzuar me të vërtetën, mirëpo ata nuk e kishin pranuar diçka të atillë, madje edhe se Bishr bin Muauijeja kishte shkuar në Medinë dhe kishte pranuar sakaq Islamin. Prifti i kishte dëgjuar të gjitha dhe i kishte thënë: “Më zbrit që këtu, ose do të hidhem nga këtu e teposhtë!”
E zbritën. Ai murg mori disa dhurata me vete dhe u nis për tek i Dërguari i Allahut. Një pjesë e atyre dhuratave ishte një triko e veshur nga mbretër, një kërrabë dhe një gotë e madhe dhe e trashë. Murgu qëndroi për njëfarë kohe pranë të Dërguarit të Allahut. I dëgjonte të gjitha shpalljet hyjnore, pra ajetet kur’anore që i zbriteshin Profetit tonë. Një ditë u kthye pranë grigjës së tij. Ai nuk arriti të bëhej dot mysliman. Pati premtuar se do të rikthehej, por nuk qe e shkruar, sepse Profeti ynë ndërroi jetë. Kurse peshkopi mori me vete EbulHarithin, Sejidin dhe Akibin, nga paria e popullit, dhe shkuan tek i Dërguari i Allahut. Për ca kohë ata dëgjuan të gjitha ajetet që sapo i zbrisnin të Dërguarit të Allahut.
I Dërguari i Allahut i kërkoi Mugire bin Shubes që të shkruante një letër për atë prift dhe gjithë priftërinjtë e tjerë: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit.
Nga Profeti Muhamed për peshkopin Ebu’l-Harith dhe të gjithë peshkopët e Nexhranit!
Të gjithëve, falltarëve, parashikuesve, murgjve dhe të gjithë atyre që punojnë për ta!
Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk do t’ia marrë nga duart as murgut murgërimin, as priftit priftërimin, as fallin falltarëve e parashikuesve dhe nuk do t’u shkelet asnjë e drejtë. Asnjë përgjegjësi e asnjë ofiq nuk do t’u merret nga duart! Për aq kohë sa do të jenë në anën e paqes, e nuk do t’i bëjnë padrejtësi askujt, duke i këshilluar njerëzit për mirë, mbrojtja e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij ka për të qenë përherë mbi ta.”
14. MORALI I LARTË I RESULULLAHUT DHE SJELLJET E TIJ, QË U BËNË SHKAK PËR UDHËZIMIN E NJERËZVE
Abdullah bin Selami (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Kur Allahu dëshiroi udhëzimin e Zejd bin Sunes, Zejdi tha: “Nga të gjitha shenjat e profetësisë, sado qofshin ato, përveç dy syresh, unë i kam dalluar të gjitha në atë fytyrën e bukur të tij. Për ato dy cilësi nuk kisha dëgjuar asgjë të thuhej. Ato dy cilësi ishin të qenët i butë, i dashur dhe që butësia t’ia kalonte e ta mbulonte çdo çast nervozizmi dhe që gabimet dhe sjelljet e pahijshme që i bëheshin t’ia shtonin edhe më tepër butësinë e ndjenjën faljes.” Ja se si vijon të tregojë Zejdi më tej:
“Një ditë, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), bashkë me Aliun (radijallahu anhu), dolën nga porta e dhomës së njërës prej bashkëshorteve të tij. Në atë moment, aty pranë kaloi një beduin i hipur mbi deve, i cili u tha:
“O i Dërguari i Allahut! Në aksh vend kisha disa njerëz të mitë, ishin bërë myslimanë. U pata thënë, ‘nëse bëheni myslimanë, atëherë si malli, si pasuria do t’ju shtohen, do t’ju shumëfishohen’. Mirëpo, nga mungesa e shirave dhe thatësira ata kanë mbetur shumë ngushtë. O Resulullah, kam shumë frikë, se ashtu siç e pranuan Islamin nga tamahu për më shumë pasuri, mund të heqin dorë sërish e të kthehen edhe njëherë në fenë e tyre të mëparshme. Po deshe t’u dërgosh ndonjë ndihmë, mund të ma japësh mua e ua çoj unë.”
Në atë kohë, i Dërguari i Allahut hodhi njëherë vështrimin nga Aliu (radijallahu anhu) që e kishte përkrah. Ai njeri i tha: - “Nuk na ka mbetur më asgjë, o i Dërguar i Allahut!” Atëherë unë (Zejd bin Sune) iu afrova dhe i thashë:
“O Muhamed! A mundet, që, për njëfarë kohe, të na e shesësh një pjesë të hurmave të filanëve me një çmim të ulët?”
“Mos më përcakto një vend të caktuar, si pemishtja e hurmave të filanit, apo të ndonjë tjetri.”, – më tha i Dërguari i Allahut.
“Në rregull.”, – i thashë unë, dhe kësisoj u morëm vesh. E hapa trastën dhe për një pjesë të hurmave, për një kohë të caktuar, i pagova plot tetëdhjetëmijë monedha floriri. Ndërsa ai ia dha të gjitha monedhat atij beduini, të cilit i tha:
“Shko dhe ndihmoji ata njerëz të përmbushin nevojat e tyre!”
Zejd bin Suneja, në vijim, thotë: Kishin mbetur edhe dy-tri ditë nga koha që ishim marrë vesh për përdorimin e hurmave. Erdhën Profeti ynë bashkë me Ebu Bekrin, Omerin, Osmanin dhe disa sahabë të tjerë. Pasi falën namazin e xhenazes, u afruan të uleshin ndanë një muri. Shkova menjëherë pranë tyre dhe e kapa nga këmisha që kishte veshur, e pashë si me një fytyrë paksa të ashpër dhe i thashë:
“O Muhamed, duhet të më paguash! Uallahi, ju bijtë e
Abdulmuttalibit nuk dini gjë tjetër, veçse të shtyni pagesën e borxheve. Unë kam marrëdhënie të shumta me ju dhe ju njoh mjaft mirë.”
Në atë kohë pashë njëherë edhe nga Omeri, sytë i lëviznin me rrëmbim, e dukej që ishte nevrikosur tej mase. Më hodhi një shikim dhe më tha:
“More armik i Allahut! Si guxon t’i flasësh kështu të Dërguarit të Allahut? Si guxon ta prekësh kështu të Dërguarin e Allahut? Të betohem për Allahun, se po të mos ngurroja se do të fillosh të urresh Islamin, do ta nxirrja shpatën nga brezi e do të ta kisha ndarë atë kokë nga ato shpatulla!”
I Dërguari i Allahut po më shihte gjithë qetësi dhe me një seriozitet të pashoq, i palëkundur. Pastaj pa njëherë nga Omeri dhe i tha:
“Omer, neve na nevojitet diçka tjetër, jo kjo sjellje e jotja! Ti duhet të më këshilloje mua që t’ia paguaj borxhin këtij njeriu dhe atë ta këshilloje që ta kërkonte me të mirë kthimin e borxhit! Hajde, Omer, shko me të dhe paguaja sa i bën haka dhe t’i japësh edhe njëzet hurma më shumë, meqë e trembe!”
Omeri më mori me vete. Përveç asaj që më takonte, më dha edhe njëzet masa me hurma më shumë.
“O Omer, po pse kaq shumë?”, – e pyeta.
“Kështu më porositi i Dërguari i Allahut.”, – u përgjigj ai. – “Meqë të tremba.”
“Po mua, nuk më njohe, o Omer?”, – e pyeta unë.
“Jo, nuk të njoha.”
“Unë jam Zejd bin Suneja.”
“Rabini?!”, – pyeti ai i habitur.
“Po, rabini Zejd.”
“Po pse u solle ashtu me të Dërguarin e Allahut, pse i fole ashtu?”, – më pyeti ai.
“O Omer, përveç dy shenjave të profetësisë, të gjitha të tjerat unë i kisha dalluar në fytyrën e ndritur të të Dërguarit të Allahut që kur e takova atë për herë të parë. Por për këto dy shenja nuk kam dëgjuar kurrë asgjë: kur butësia ia mposht nevrikosjen dhe ajo e shtimit edhe më shumë të butësisë kur dikush tregohet i pasjellshëm me të, apo kur shfaq mungesë respekti. Ja pra, duke vepruar kështu, i mësova edhe ato. Ja, o Omer, të kam ty dëshmitar, se unë jam i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si profet dhe i Dërguar i Allahut. Të kam ty dëshmitar, që gjysmën e pasurisë, e ti e di se unë jam shumë i pasur, e jap si lëmoshë për umetin e Muhamedit!”, – iu përgjigja unë.
“Thuaj më mirë ‘një pjese të umetit të Muhamedit’, se nuk mjaftojnë për të gjithë umetin e tij.”
Kësisoj, edhe unë e rregullova atë shprehje të testamentit tim, duke thënë ‘një pjese të umetit të Profetit Muhamed’.
Transmetuesi i hadithit thotë: “Omeri dhe Zejdi (radijallahu anhuma) u kthyen tek i Dërguari i Allahut, Zejdi tha fjalën e dëshmisë, duke shpallur sakaq besimin e tij tek i Dërguari i Allahut. Kështu e shprehu ai besëlidhjen e vet. Dhe, tok me Profetin tonë, ai mori pjesë në shumë beteja që u bënë në emër të Islamit. Jetën e humbi gjatë betejës së Tebukut. Allahu e trajtoftë me mëshirë Zejdin.”
PAQJA E HUDEJBIJES
Kurejshët e pengojnë të Dërguarin e Allahut që të vizitojë Qaben
Misuer bin Makhrameja dhe Meruani tregojnë: “Ato ditë kur është bërë marrëveshja e paqes së Hudejbijes, i Dërguari i Allahut ishte nisur për rrugë bashkë me sahabët e tij. Kur mbërritën në një pjesë të rrugës, Profeti ynë tha: “Halid bin Uelidi me kalorësit e Kurejshëve janë vendosur në vendin e quajtur ‘Gamim’. Mbrohuni mirë nga krahu i djathtë.” Uallahi, pa kaluar shumë kohë, erdhi Halidi dhe, një të vënë re pluhurin që ngrihej nga hapat e ushtarëve, u kthye menjëherë pas, që të vinte në dijeni kurejshët. Ndërkohë, i Dërguari Fisnik, së bashku me sahabët e tij, u ngjitën në një kodër aty afër, kur panë se deveja e tij përtheu këmbët dhe bëri të ulej. Megjithëse të gjithë u përpoqën shumë për ta ngritur edhe njëherë në këmbë, ajo nuk ngrihej që nuk ngrihej. “Kasuaja nuk ngrihet vendit! Kasuaja nuk ngrihet dot!”
“Jo,”, – tha i Dërguari i Allahut!, – “nuk është se nuk ngrihet dot; atë e bëri të ulet Ai (xh.sh.) që bëri edhe elefantin e Ebrehesë të ulej, sepse ajo nuk e ka bërë ndonjëherë diçka të tillë. Ju betohem në emër të Allahut, se çfarëdo që të më kërkojnë, vetëm që cilësitë e Allahut të respektohen, unë do ta pranoj.” Pastaj e ngacmoi devenë dhe deveja u ngrit vendit sikur një fuqi shumë e madhe ta kishte vërvitur nga vendi dhe filloi të ecë. Shkoi në anën më të largët të Hudejbijes dhe zbriti nga deveja. Me vete u kishte mbetur shumë pak ujë. Xhemati e piu ujin pak e nga pak secili, derisa uji mbaroi i gjithi. Pak më vonë, ata erdhën tek i Dërguari i Allahut dhe i thanë se i kishte marrë etja. Profeti ynë nxori një shigjetë nga torba e shigjetave që kishte me vete dhe urdhëroi që shigjeta të binte në burimin e ujit. Uallahi, aty ku ishte ngulur shigjeta doli ujë. Pimë të gjithë derisa u ngopëm, madje mbushëm edhe të gjitha enët e ujit që kishim me vete.”
Lajmi i Budejlit për të Dërguarin e Allahut
Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe sahabët e tij, ishin në këtë gjendje, kur aty erdhën Budejl bin Uereka el-Khuzai, që ishte edhe më besniku i të Dërguarit të Allahut nga fisi i Khuzaijve, së bashku me disa të tjerë dhe i tha:
“Kur po kaloja afër tyre, pashë se Kab bin Lueji dhe Amir bin Lueji i kishin vendosur familjet e tyre pranë burimeve më të pasura të ujit. Pranë tyre kishin edhe shumë deve në qumësht bashkë me të vegjlit e tyre. Duket që duan të luftojnë me ty, për të të penguar, që të mos e vizitosh Qaben.”
Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha: “Ne nuk kemi ardhur këtu për të luftuar me ndokënd, por vetëm sa për të përmbushur umren. Veç kësaj, betejat e Bedrit dhe e Hendekut u shkaktuan humbje shumë të mëdha gjithë kurejshëve. Po të duan, ne mund të caktojmë një afat armëpushimi, por edhe ata të mos ndërhyjnë mes meje dhe njerëzve të tjerë. Nëse dal unë fitimtar, po deshën, mund ta pranojnë edhe ata Islamin, njësoj si të tjerët. Nëse i humbur dal unë, atëherë ata do të shpëtojnë prej meje, duke arritur sakaq rehatinë e dëshiruar aq shumë. Nëse nuk e pranojnë këtë propozim, që unë po u bëj për armëpushim, unë betohem për Allahun se unë do të luftoj për këtë kauzë derisa të më ndahet koka prej trupit. Nuk ka dyshim, se Allahu do ta përmbushë premtimin e Tij!”
“Unë do t’ua transmetoj atyre fjalët e tua një për një!”, – tha Budejli dhe u kthye, për të shkuar edhe njëherë pranë kurejshëve.
Ata u thanë atyre: - “Ne po vijmë prej atij njeriu, po deshëm t’jua themi se çfarë dëgjuam prej tij.”
Pjesa më e pacipë e Kurejshëve filloi të talleshin me Budejlin: - “Ne nuk kemi nevojë për informatat e tua nga ai njeri.” Kurse ata që e kishin mendjen disi në vend thanë: - “Hajdeni, na i thoni, çfarë dëgjuat nga goja e tij!”
Dhe ai ua transmetoi një më një të gjitha ç’kishte dëgjuar nga goja e Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Kur i dëgjoi, i pari u ngrit Urue bin Mesudi, i cili tha: - “O popull i Kurejshëve! A nuk ju kam unë ju në vend të babait?”
“Po, ne na ke si në vend të babait.”, – u përgjigjën kurejshët.
“Po mirë, a nuk më keni ju mua si fëmijën tuaj?”
“Po!”
“A keni ju ndonjë dyshim ndaj meje?”
“Jo!”
“Juve ju kujtohet, se si i pata thirrur të gjithë banorët e Ukadhit, që t’ju vinin në ndihmë dhe kur ata patën ngurruar, unë erdha vetë me gjithë familjen, fëmijët e mi dhe të gjithë ata të tjerët që e dëgjuan fjalën time, apo jo?”
“Po!”, – iu përgjigjën ata.
“Atëherë, më dëgjoni. Ky njeri (për Profetin tonë) po ju bën një propozim të hairit, andaj më e mira për ju është që ta pranoni. Më lejoni mua, të shkoj e të flas njëherë me të.”
“Po, mirë, shko atëherë, po të duash.”
Urueja erdhi tek i Dërguari i Allahut. Filloi t’ia shpjegonte të Dërguarit të Allahut, një e nga një, të gjitha, se si e ku qëndronte puna. Edhe i Dërguari i Allahut Urues iu përgjigj duke i thënë gati-gati të njëjtat gjëra. Kur Profeti ynë i tha:
“Nëse Kurejshët nuk e pranojnë armëpushimin, atëherë unë do të luftoj me ta gjersa të dalë dikush që do të m’i ndajë kryet nga ky trup.” Urueja i tha:
“O Muhamed! Nëse ti e shfaros të gjithë fisin tënd, atëherë, a mund të më thuash; a ke dëgjuar ndonjëherë, që në mesin e arabëve të ketë dalë ndonjë që ka shfarosur popullin e vet? Po sikur të ndodhë ndryshe? Uallahi, unë shoh se mes parisë, të cilët i njoh nga fytyra, ka edhe shumë njerëz të tjerë, që janë grumbulluar nga fise e familje të tjera. Ti e di, që shumë prej këtyre ikin nga sytë këmbët kur fillon lufta, mos të lënë vetëm pastaj.”
“Ik, mor ti, kush do t’i ikë luftës, ne?! Ne do ta lëmë vetëm?”, – ndërhyri Ebu Bekri (radijallahu anhu), i cili dukej se ishte nevrikosur tej mase.
“Kush është ky burrë?”, – pyeti Urueja.
“Ai është Ebu Bekri!”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut.
“Unë ju betohem për Zotin, se po të mos ishte për ato të mira që më ke bërë, që ende nuk t’i kam shpërblyer dot, unë do të të isha përgjigjur!”
Urueja filloi të fliste sërish me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Sa herë që fliste, me dorë prekte dhe fërkonte mjekrën e Resulullahut (paqja e Zotit qoftë mbi Të). Mugire bin Shubeja, me shpatën në dorë dhe përkrenaren në kokë, rrinte te kryet e Resulullahut. Sa herë që dora e Urues zgjatej drejt mjekrës së bekuar të të Dërguarit të Allahut Mugireja zgjaste shpatën drejt dorës së tij dhe i thoshte: - “Hiqe menjëherë atë dorë nga mjekra e të Dërguarit të Allahut!” - “Kush është ky?”, – pyeti Urueja, duke ngritur kokën.
“Ai është Mugire bin Shubeja.”
“Ah, mor’ mosmirënjohës! Po sa jam përpjekur unë për të mbuluar padrejtësitë e tua?”
Gjatë kohës së injorancës, Mugireja kishte vrarë disa nga njerëzit me të cilët bashkëpunonte dhe ua kishte marrë atyre të gjithë pasurinë që kishin në zotërim; pastaj qe bërë mysliman. Kur pati shkuar tek i Dërguari i Allahut për t’i dhënë të gjitha ç’kishte e ku i kishte, i Dërguari i Allahut i pati thënë:
“Që u bëre mysliman e pranoj, por pasurinë tënde nuk mund ta zë me dorë!”
Pastaj Urueja filloi t’i hidhte sytë drejt sahabëve edhe njëherë dhe tha: “Për Zotin, ç’është gjithë ky respekt! Të mos urdhërojë diçka i Dërguari i Allahut, sepse ngarendin kush e kush ta bëjë i pari. Edhe kur marrin abdes, duket sikur garojnë me njëri-tjetrin se kush do të marrë abdes me ujin që ka tepruar nga ujët që është larë ai! Kur flasin dhe ai është aty, e ulin zërin dhe nga respekti nuk i ngrenë sytë as për ta parë në fytyrë!”
Kur u kthye pranë shokëve të tij kurejshë, ai u tregoi atyre:
“O njerëzit e popullit tim! Uallahi, unë kam shkuar te shumë mbretër si lajmës. Sa e sa herë më keni dërguar ju mua edhe si mëkëmbës, te Kajseri, te Kisra, apo te Nexhashiu. Lëvduar qoftë Zoti, por respektin që tregojnë për Muhamedin sahabët e tij nuk e kam rastisur kurrë në asnjë vend; nuk kam parë asnjë popull tjetër që të tregojë kaq shumë respekt karshi sundimtarit të vet! Edhe kur merrte abdes, ata dukej sikur garonin kush e kush të merrte më parë abdes me ujin që rridhte prej duarve të tij, kur fliste të gjithë heshtnin dhe e dëgjonin me vëmendjen më të madhe, madje, deri aty sa që nga respekti ata nuk guxonin as ta shihnin në sy teksa flisnin me të. Ai na ka bërë një propozim shumë të mirë, të cilin unë ju këshilloj që ta pranoni.”
Një burrë nga bijtë e Kinanes, pasi i dëgjoi të gjitha fjalët e Urues, u drejtua nga kurejshët dhe u tha:
“Më lejoni të shkoj njëherë edhe unë tek ai!”
“Po mirë, shko edhe ti njëherë.”, – i thanë ata njëzëri.
Kur ai burrë po vinte drejt Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe sahabëve të tij, i Dërguari i Allahut tha: “Ky është filani dhe vjen nga një familje që ka respekt për devetë që bëjnë kurban ata që vijnë për të kryer haxhin në Qabe. Lëshojini menjëherë të gjitha devetë përpara, që t’i shohë kur të vijë.” Devetë u lëshuan të gjitha. Sahabët nisën të thoshin: “Leb’bejk Allahum’me leb’bejk”. Kështu e pritën atë njeri. Ai, kur e pa këtë pamje, nuk e mbajti dot veten pa thënë:
“Subhanallah! Nuk shkon që ta pengojmë këtë bashkësi që të vizitojnë Qaben.”
Kur u kthye pranë kurejshëve, ai u tha atyre: “Unë pashë sa e sa deve të tëra, të cilave u ishin varur në qafë varëse të bukura, të shenjuara në anën e djathtë të barkut, që tregonin se ishin për t’u prerë si kurban në
Qabe. Nuk më duket e drejtë që t’i pengojmë të mos vizitojnë Qaben.”
Atëherë në këmbë u ngrit dikush tjetër, të cilin e quanin Mikrez bin Hafs, i cili tha:
“Më lejoni të shkoj edhe unë njëherë.”
“Po mirë, shko edhe ti kësaj here.”, – i thanë kurejshët.
Mikrezi, teksa po vinte drejt të Dërguarit të Allahut dhe sahabëve të Tij, i Dërguari i Allahut tha:
“Ky që po vjen është Mikrezi, njeri shumë i keq!”
Mikrezi filloi të fliste me Profetin tonë. Në atë kohë ia behu Suhejl bin Amri. Kur erdhi Suhejli, Profeti ynë u drejtua nga sahabët e tij dhe u tha:
“Tani gjithçka është shumë e lehtë.”, – duke përdorur një fjalë me nënkuptim zvogëlues, zbutës dhe lehtësues, që do të thoshte edhe ‘më se e lehtë’. Suhejli, një të mbërritur, i tha Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):
“Eja, na i sill letrën dhe penën, e të bëjmë një marrëveshje paqeje të shkruar me ty.” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) thirri dikë që të shkruante. Kurse shkruesit i tha:
“Shkruaj ‘Bismil’lahi’r-Rahmani’r-Rahim!’” Suhejli ndërhyri: - “Rahman? Unë nuk e di se ç’është kjo. Shkruaj siç kanë shkruar të parët tanë, ‘Bismikellahum’me’ (shën. ynë. ~ me emrin e Zotit tonë, Allahut).
“Uallahi ne nuk shkruajmë asgjë tjetër përveçse ‘Bismil’lahi’rRahmani’r-Rahim’,” – reaguan njëzëri të gjithë myslimanët.
I Dërguari i Allahut tha: - “Shkruaj ‘Bismikellahum’me’.” Pastaj i kërkoi atij të shtonte: “Kjo është një marrëveshje e paqes e Profetit të Allahut, Muhamedit, të cilën kurejshët e kanë pranuar.”
“Uallahi, nëse ne do të kishim pranuar se ti je profet, ne nuk të pengonim që ta vizitoje Qaben, e as nuk do të kishim luftuar me ty!”, – ndërhyri Suhejli. – “Gjë që nuk bëhet, thuaji që aty të shkruajnë Muhamedi, i biri i Abdullahut!”
“Edhe sikur ju të më përgënjeshtroni, pasha Allahun, unë, prapëseprapë, i Dërguari i Allahut jam.”, – tha Resulullahu dhe e urdhëroi shkruesin: – “Shkruaj, Muhamedi, i biri i Abdullahut!”
Zuhriu, që është një prej transmetuesve të këtij hadithi, tregon se: Arsyeja pse Resulullahu po i pranonte të gjitha kërkesat e Suhejlit ishte kjo: Profeti ynë, më herët na kishte thënë: “Për të vizituar, në shenjë respekti, të gjitha ato territore të brendshme të Allahut, të cilat Ai i ka shpallur të bekuara, unë do t’u jap kurejshëve gjithë ç’të më kërkojnë!”
Atëherë Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha Suhejlit:
“Tërhiquni, e mos na pengoni që ta vizitojmë Qaben!” Megjithëkëtë, Suhejli iu përgjigj duke i thënë:
“Këtë vit është e pamundur, nuk mund t’ju lëmë të hyni, në të kundërt të gjithë arabët do të na përflasin; do të thonë se ju na pushtuat, ndaj ishim të detyruar t’ju pranonim. Por, nëse doni të vizitoni Qaben, duke filluar nga viti tjetër ju mund të vini e ta vizitoni.” Ja, kështu u vendos për këtë pikë të marrëveshjes.
Suhejli tha:
“Nëse ndonjëri prej nesh, që ka pranuar fenë tënde, vjen tek ju, ju duhet ta ktheni atë tek ne.”
“Subhanallah! Si mund t’u jepet idhujtarëve mbrapsht ai që bëhet mysliman?” – kundërshtuan myslimanët.
Bash në atë kohë, aty erdhi djali i Suhejlit, Ebu Xhendeli (radijallahu anhu), i cili çalonte, pasi këmbët i kishte të lidhura me pranga. Ebu Xhendelin e kishin burgosur idhujtarët, sepse kishte pranuar Islamin, duke u bërë mysliman. Kishte bërë si kishte bërë dhe ia kishte dalë të arratisej nga vendi ku e kishin mbyllur dhe e kishte mbajtur frymën te myslimanët.
“Kjo është vetëm e para nga pikat mbi të cilat ne do të arrijmë bashkë një marrëveshje! Ti duhet të ma japësh mua atë.” - “Ne nuk e kemi nënshkruar ende marrëveshjen.”, – tha ai.
“Po nuk ma dhe, uallahi unë nuk kam për të nënshkruar asnjë marrëveshje me ty.
“Atëherë, na e fal këtë, pastaj nënshkruaje marrëveshjen.”
“Nuk jua fal dot!”
“Bëje për mua këtë!”, – i kërkoi Profeti ynë.
“Nuk mund ta bëj!”, – u përgjigj Suhejli.
Në atë kohë, përfaqësuesi tjetër i kurejshëve u hodh e tha:
“Në rregull, atë ta kemi falur.” Megjithatë, Suhejli ende nuk pranonte. Ebu Xhendeli, i cili po e humbte shpresën se babai mund të hiqte dorë nga e tija, ulëriti:
“O myslimanë! Unë kam ardhur tek ju si mysliman, ç’do të bëni, do të më ktheni pas, duke më lënë në duar të idhujtarëve? A nuk e shihni se si më kanë katandisur?”
Vërtet, Ebu Xhendeli kishte duruar shumë tortura të rënda në emër të Allahut. Omeri (radijallahu anhu) tregon: Shkova pranë Profetit tonë dhe i thashë:
“A nuk je ti Profeti i Vërtetë i Allahut?”
“Po, Profeti i Allahut jam.”
“A nuk jemi ne në të drejtë dhe armiqtë tanë në të rremen?”
“Po, ashtu është!”, – m’u përgjigj i Dërguari i Allahut.
“Atëherë, pse duhet të bëjmë ne lëshim prej fesë sonë, e të poshtërojmë veten kundrejt kësi njerëzish të padrejtë?”, – e pyeta.
“Unë jam Profeti i Tij, e unë nuk e kam kundërshtuar Atë. Ai (xh.sh.) është Ndihmësi im!”
“Po mirë, a nuk na pate thënë ti, se shumë shpejt ne do të mund ta vizitojmë Qaben dhe do të mund t’i vijmë asaj përreth?”
“Po, e vërtetë është, jua kam thënë! Por, a të kam thënë se do të shkojmë ta vizitojmë sivjet?”
“Jo, asnjëherë! Asnjëherë nuk na ke thënë se do të shkojmë sivjet!”
“Atëherë, nuk ka dyshim, se ti do të shkosh një ditë e do t’i vish Qabes rrotull!”, – më tha.
Pastaj shkova pranë Ebu Bekrit dhe i thashë: “O Ebu Bekr! A nuk është ai Profeti i Vërtetë i Allahut?”
“Profeti i së vërtetës është!”, – m’u përgjigj ai.
“Atëherë, a nuk jemi ne në të drejtë, ndërsa armiqtë tanë në të rremen?”, – e pyeta.
“Po, kjo është e vërteta!”
“Atëherë, pse jemi ne ata që duhet të bëjmë lëshim prej fesë sonë, e të pranojmë që të poshtërohemi prej tyre?”
“More njeri! Ai është i Dërguari i Allahut dhe për këtë nuk ka grimcë dyshimi! As nuk po ngre krye, në asnjë mënyrë, ndaj Zotit të Tij! Ai, medoemos që do ta ndihmojë. Ti mjafton që të qëndrosh i lidhur sa më fort pas urdhrave të tij. Për Zotin, ai është në anën e së vërtetës!”
“Dakord, por a nuk na thoshte ai, se shumë shpejt ne do të shkojmë në Qabe dhe do të mund ta vizitojmë shtëpinë e Zotit?”, – e pyeta unë.
“Po, kështu na thoshte.”, – m’u përgjigj Ebu Bekri, duke më pyetur: – “Por, a të ka thënë ndonjëherë se do ta vizitosh këtë vit?” - “Jo.”, – iu përgjigja unë.
“Atëherë, nuk ka asnjë dyshim, se ti një ditë do të shkosh në Qabe dhe do ta vizitosh e do të kesh mundësi të shëtitësh rreth saj.”
Omeri (radijallahu anhu) thotë: “Jam penduar shumë për ato fjalë që kam thënë atë ditë dhe kam dhënë shumë lëmoshë, kam falur shumë namaz, kam mbajtur shumë agjërim dhe kam liruar shumë skllevër, e kam bërë shumë të mira të tjera, vetëm e vetëm për të shpëtuar nga barra e atij gabimi.”
Transmetuesi i hadithit tregon se: “Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur kishin mbaruar të gjitha punët e shkrimit dhe të gjitha rregullimet e nevojshme mbi shkrimin e marrëveshjes, u drejtua nga sahabët, për t’u thënë:
“Tani, ngrihuni, pritini kurbanet tuaja dhe qethini flokët.”
Uallahi, asnjëri prej tyre nuk u ngrit. Madje, i Dërguari i Allahut e përsëriti plot tri herë këtë urdhër. Kur pa se askush nuk po ngrihej, Profeti ynë shkoi pranë Umu Selemes, njëra prej grave të tij; i tregoi se sahabët nuk po ia dëgjonin fjalën. Umu Selemeja, e cila ia kuptoi menjëherë trishtimin, i tha:
“O i Dërguari i Allahut, a doni që ata t’jua dëgjojnë fjalën e të bëjnë atë që ju i kërkoni? Atëherë dilni atje dhe mos flisni me asnjërin prej tyre, derisa t’i keni prerë ju njëherë kurbanet tona dhe të kesh qethur flokët!” Dhe i Dërguari i Allahut ashtu bëri, pa folur me askënd, preu devetë që kishte ndarë si kurbane për veten, thirri berberin e tij dhe i kërkoi që t’i priste flokët. Sahabët, kur e panë se i Dërguari i Allahut i kishte prerë të gjitha kurbanet e veta dhe tanimë ishte duke u qethur, nisën të gjithë të thernin secili kurbanet e veta, e të ndihmonin njëritjetrin për të prerë flokët. Madje, teksa qetheshin ishin aq të mërzitur, saqë dukej sikur do të ngriheshin në këmbë e do të hanin njëri-tjetrin me dhëmbë. Kur mbaroi prerja e flokëve e të Dërguarit të Allahut, pranë tij erdhën besimtaret gra. Pikërisht në atë çast Allahu zbriti këtë ajet:
“O besimtarë, kur ju vijnë besimtaret të mërguara, provoni (besimin) tek ato. Allahu e di më mirë besimin e tyre. Nëse bindeni se ato janë besimtare, mos i ktheni te jobesimtarët. Ato nuk janë (bashkëshorte) të ligjshme për ata dhe as ata nuk janë (bashkëshortë) të ligjshëm për ato. Kthejuni jobesimtarëve pajën, që u kishin dhënë atyre. Nuk ka pengesë që t’i merrni ato për bashkëshorte, pasi t’u jepni pajën e martesës. Mos qëndroni në martesë me idhujtare. Kërkoni atë që keni dhënë (si pajë), por dhe jobesimtarët le të kërkojnë atë që kanë dhënë. Ky është ligji i Allahut, Ai ju gjykon ju; Allahu di çdo gjë dhe është i Gjithëdijshëm e i Urtë.” (Mumtehine, 60/10)
Kur zbriti ky ajet, atë ditë Omeri (radijallahu anhu) i ndau menjëherë dy gratë e tij që ishin idhujtare. Me njërën prej tyre u martua Muauije bin Ebu Sufjani, ndërsa me tjetrën u martua Safuan bin Umejjeja.
Një herë tjetër, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u kthye në Medinë. Pas tij, për t’u takuar me të, aty erdhi Ebu Basiri (radijallahu anhu) nga radhët e kurejshëve, i cili ishte bërë mysliman. Kurejshët dërguan dy përfaqësues për ta marrë mbrapsht: - “Na ke dhënë fjalën, të kujtohet?”, – i thanë ata të Dërguarit të Allahut. I Dërguari i Allahut ua dorëzoi Ebu Basirin dhe ata u nisën për rrugë, që të ktheheshin në Mekë. Kur mbërritën në vendin e quajtur Dhul-Hulejfe, ata vendosën të ndalonin e të hanin nga hurmat që kishin me vete. Ebu Basiri iu drejtua njërit prej tyre dhe i tha: - “Më duket se ti paske një shpatë shumë të mirë.”
“Po, për Zotin e kam shumë të mirë shpatën; e kam provuar disa herë.”, – u përgjigj ai menjëherë, duke e nxjerrë shpatën nga milli.
“Do të ma japësh që ta shoh pak?”, – e pyeti Ebu Basiri dhe ia mori menjëherë nga dora, duke përfituar nga rasti dhe një të goditur i jep atij njeriu dhe e la të vrarë në vend.
Tjetri u arratis nga sytë këmbët dhe u kthye prapë drejt Medinës. Shkoi në faltore dhe kur e pa në këtë gjendje, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e pyeti: - “Këtij njeriu duhet t’i kenë parë sytë diçka shumë të tmerrshme.”
“U vra! Uallahi, shoku im u vra! Do të më vrasin edhe mua!”, – tha ai, kur u afrua tek i Dërguari i Allahut.
Në atë kohë vjen Ebu Basiri dhe thotë: - “O Resulullah, ti e mbajte fjalën e dhënë duke më dorëzuar tek ata. Pastaj Allahu më shpëtoi mua nga duart e tyre.”
Atëherë, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha: “Aman! Ebu Basiri do të na prishë marrëveshjen!” Kur e dëgjoi Ebu Basiri, që i Dërguari i Allahut tha këto fjalë, e kuptoi menjëherë se ai do ta dorëzonte sërish te kurejshët. Doli menjëherë dhe frymën e mbajti në drejtim të bregut të detit.
Transmetuesi thotë se: “Edhe djali i Suhejlit, Ebu Xhendeli, u shpëtoi kurejshëve dhe u bashkua me Ebu Basirin. Hyri në Islam. Çdokush që arratisej nga kurejshët shkonte tek Ebu Basiri. Në fund, ata u bënë një bashkësi shumë e madhe. Uallahi, kur dëgjonin që një karvan i kurejshëve ishte vënë në rrugë për të shkuar në Siri, ata i sulmonin, vrisnin udhëtarët dhe tregtarët dhe u merrnin pasurinë. Kur panë se si po shkonte kjo punë, kurejshët i dërguan lajm të Dërguarit të Allahut, që ai t’i çonte lajm Ebu Basirit dhe ua kishin lejuar që ata t’u bashkoheshin radhëve të besimtarëve. Kësisoj, ata pranuan vetë se po hiqnin dorë nga ajo pikë e marrëveshjes, e cila e detyronte të Dërguarin e Allahut që t’ua kthente kurejshëve të gjithë ata që do të bëheshin myslimanë, pas marrëveshjes, dhe shkonin në Medinë. Ata e siguruan të Dërguarin e Allahut se nuk do t’i kërkonin që t’ua dorëzonte Ebu Basirin dhe besimtarët e tjerë që ishin me të. Kështu, edhe i Dërguari i Allahut i dërgoi lajm Ebu Basirit dhe shokëve të tij, që mund të shkonin në Medinë. Pas kësaj, Allahu i Madhërishëm zbriti këto ajete: “Është Ai që i ka penguar duart e tyre ndaj jush dhe duart tuaja ndaj tyre në Mekë, pasi ju dha fitoren mbi ata. Allahu i sheh të gjitha çfarë bëni ju. Jobesimtarët ju ndaluan t’i afroheni Xhamisë së Shenjtë dhe (penguan) kafshët për kurban, që të arrinin në vend. Po të mos kishte qenë për disa besimtarë e besimtare (në Mekë) që ju nuk i njihnit, e kështu mund t’i merrnit nëpër këmbë, duke bërë gjynah kundrejt tyre pa e ditur, Allahu do t’ju kishte urdhëruar t’i luftonit ata. Sikur ata të ishin veç, Ne do t’i ndëshkonim me dënim të dhembshëm ata (banorë të Mekës), që nuk besuan. Dhe, kur në zemrat e mohuesve u shfaq zelltaria pagane, Allahu zbriti qetësinë e Tij në zemrën e të Dërguarit të Tij dhe të besimtarëve, e i bëri ata të mbështeten fort në fjalën e përkushtimit (ndaj Allahut). Ata kishin me të drejtë e qenë më të denjë për të. Allahu është i gjithëdijshëm për çdo gjë.” (Fet’h, 48/2426)
Injoranca dhe fanatizmi i tyre më i madh, ishte të mohonin se Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte i Dërguar i Allahut; nuk pranonin as besmelenë, si dhe që t’i pengonin besimtarët me çdo çmim, që ata të mos e vizitonin Qaben.
Profeti ynë dërgon Osmanin (r.a.) në Mekë
Urveja (radijallahu anhu) tregon: “Kurejshët i kaploi frika se mos Profeti ynë zbriste në Hudejbije. Prandaj, i Dërguari i Allahut deshi të dërgonte njëherë një prej tyre tek ata. Për këtë punë thirri Omerin (radijallahu anhu).
“O Resulullah, po unë nuk them asgjë veç mallkimeve për ata njerëz. Megjithëse nuk kanë lënë asnjë torturë apo të keqe pa më bërë, nuk ka asnjë prej bijve të Kabit që të më vijë në ndihmë për të më mbrojtur. Dërgo më mirë Osmanin, se ai ka atje të gjithë familjen dhe fisin; ai mund t’ua transmetojë më lehtë lajmet tuaja.”
Kështu, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ngarkoi me këtë punë Osmanin (radijallahu anhu) dhe kur e nisi e urdhëroi:
“Thuaju atyre se nuk po shkojmë për të luftuar, por për të vizituar Qaben (për Umre). Si edhe mos harro t’i ftosh ata të pranojnë Islamin.” Veç kësaj, ai e porositi Osmanin (radijallahu anhu) të shkonte të vizitonte edhe burrat e gratë besimtare të Mekës, t’i qetësonte ata dhe t’u thoshte se Allahu kishte dhënë sihariqin e ngadhënjimit të Islamit në Mekë. Osmani u nis për rrugë. Në një vend të quajtur Beldah, fare pranë Mekës, ai u takua me kurejshët.
“Ku shkon kështu?”, – e pyetën ata Osmanin.
“Kam ardhur t’ju ftoj që t’i besoni Allahut të Shenjtë e të Gjithëfuqishëm dhe ta pranoni Islamin. Nuk kam ardhur këtu për të luftuar me ju; Më ka dërguar i Dërguari i Allahut t’ju lajmëroj se ne do të vijmë për Umre.”, – u përgjigj ai, duke ua bërë të ditura të tëra porositë që i kishte dhënë Resulullahu.
“Në rregull, i dëgjuam ç’kishe për të na thënë. Tani vazhdo, bëj çfarë ke për të bërë.”, – i thanë kurejshët.
Eban bin Said el-Asi u çua, shkoi pranë Osmanit (radijallahu anhu) dhe e priti, duke i thënë: - “Mirë se erdhe!” I rregulloi frerët e kalit dhe e mori nën mbrojtje dhe, ja kështu hynë ata në Mekë...”
Mendimi i Omerit (r.a.) për Paqen e Hudejbijes
Ibni Abasi (radijallahu anhu) ka treguar se Omeri (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “I Dërguari i Allahut u mor vesh me popullin e Mekës në një pikë të atillë, duke u njohur atyre një privilegj aq të madh, që sikur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) të më kishte vendosur një prijës mbi krye dhe ai të vepronte njësoj siç veproi Resulullahu as nuk do ta dëgjoja, as nuk do t’i bindesha. Ja se cila ishte ajo pikë: “Ata që bëheshin myslimanë dhe arratiseshin nga radhët e idhujtarëve dhe vinin për t’u strehuar te myslimanët, pala e besimtarëve duhet t’i kthente sërish mbrapsht tek idhujtarët. Kurse ata nuk do t’i kthenin të kthyerit që shkonin për të kërkuar strehim pranë tyre.”
Mendimi i Ebu Bekrit (r.a.) për Paqen e Hudejbijes
Ebu Bekri (radijallahu anhu) thoshte kështu: “Asnjë ngadhënjim i arritur prej Islamit nuk ka qenë një fitore aq madhështore sa ç’ishte ngadhënjimi i Mekës. Por, atë ditë, me direktivat e Zotit tonë dhe të Profetit të profetëve, horizonti i njerëzve nuk ishte edhe aq i gjerë. Njerëzit nguteshin. Mirëpo, Allahu nuk ngutet, siç bëjnë rëndom robt e Tij, derisa të vijë çasti i duhur, që punët hyjnë në vijën e tyre. Gjatë Haxhit të Lamtumirës, pashë njëherë Suhejl bin Amrin, i cili kishte qenë mëkëmbës e përfaqësues i kurejshëve për Marrëveshjen e Hudejbijes. Qëndronte në këmbë në vendin ku ishin duke u therur kurbanet, e Resulullahu sillte një e nga një devetë e caktuara për kurban. Pastaj Profeti ynë thirri berberin, i cili na preu flokun të gjithëve. Unë rrija dhe sytë i hidhja andej nga Suhejli. I Dërguari i Allahut i mblidhte flokët e prerë dhe më duket se i vinte mbi flokë. Në atë çast m’u kujtua kundërshtimi i tij në Hudejbije, që nuk pranonte me ngulm që të shkruhej ‘Bismil’lahi’r-Rahmani’r-Rahim’, apo ‘Muhamedi, i Dërguari i Allahut’ dhe falënderova Allahun që tanimë e kishte nderuar atë me pranimin e Islamit!”
16. HISTORIA SE SI U BË MYSLIMAN AMR BIN ASI
Amr bin Asi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Ditën që u kthyem nga beteja e Hendekut, i mblodha të gjithë ata kurejshë që i pranonin dhe i vlerësonin mendimet e mia, e që ma dëgjonin fjalën, dhe u thashë: “Uallahi, edhe ju e dini që unë po shoh se misioni i Muhamedit po përjeton një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe sa vjen e po pranohet më shumë nga njerëzit. Unë kam një mendim, si thoni?” - “Çfarë mendimi ke?”, – më pyetën ata.
“Të shkojmë në Abisini, të kërkojmë strehim atje. Të qëndrojmë atje. Nëse ne jemi nën mbrojtjen Nexhaxhiut dhe Muhamedi e mund popullin tonë, atëherë do të jemi më mirë nën mbrojtjen e mbretit, se sa nën urdhrat e Muhamedit. Nëse fitimtar del populli ynë, ata na njohin dhe prej tyre neve nuk na vjen asnjë e keqe.”
“Ky qenka një mendim me të vërtetë shumë i mirë!”, – thanë ata të gjithë njëzëri.
“Atëherë filloni të mblidhni dhurata të mëdha, që t’ia japim Nexhashiut, kur të na nxjerrin përpara tij.”
Dhurata më e mirë që ne mund t’i çonim nga trevat tona ishte lëkura e punuar. Mblodhëm shumë lëkurë dhe u nisëm, derisa, më në fund, udhëtimit tonë i erdhi fundi dhe ne mbërritëm te Nexhashiu. Kur ishim përballë tij, përpara na doli Amr bin Umejetu-Damriu, të cilin e kishin dërguar të interesohej për gjendjen e Ebu Xhaferit dhe shokëve të tij. Erdhi te Nexhashiu dhe pasi qëndroi i heshtur për pak çaste, doli. Unë u thashë shokëve të mi: “Ky është Amr bin Umejeja! Kur të dal përpara Nexhashiut, do t’i kërkoj që të ma japë mua dhe unë do ta marr e do ta vras. Po e bëra këtë, kurejshët do të më përgëzojnë, e do të më quajnë se kam vrarë lajmësin e Muhamedit.”
Dola përpara Nexhashiut dhe ashtu siç kisha bërë përherë, iu përula në sexhde. Nexhashiu më priti, duke më thënë:
“Mirë se erdhe, miku im! A më ke sjellë ndonjë dhuratë nga vendi juaj?”
“Po, o sundimtar! Të kam prurë shumë lëkurë të mira.”, – iu përgjigja unë dhe ia shtrova lëkurët përpara këmbëve. Dukej që i pëlqyen shumë dhe mbeti menjëherë shumë i kënaqur.
“O mbret! Pashë një burrë që ishte këtu pak më parë. Ai është lajmësi i armikut tonë. Ma jep mua ta vras; ai ka vrarë e ka dëmtuar shumë prej njerëzve më të nderuar në radhët tona.”
Nexhashiu u nxeh. Sikur të ishte çarë toka në mes e të isha futur në dhe më mirë, se sa të më pushtonte gjithë ajo frikë që ma pushtoi zemrën. Pastaj, për ta zbutur, i thashë: “O sundimtar, për Zotin, po ta dija se kjo kërkesë imja do të të mërziste kaq shumë, nuk do të ta kisha kërkuar!”
“Domethënë ti kërkon lejen time për të vrarë kasnecin e një njeriu, të cilit i ka ardhur Zbritësi i Shpalljes (Xhibrili), ai që dikur i pat ardhur edhe Musait?”
“Imzot, pse një njeri i atillë është ai?”, – e pyeta unë.
“Turp të kesh, o Amr! Më dëgjo mua dhe bindju atij njeriu. Uallahi ai është në të drejtë. Ai ka për të dalë fitimtar mbi armiqtë e tij, njësoj siç Musa bin Imrani doli fitimtar kundër faraonit dhe gjithë ushtrive të tij!”, – tha Nexhashiu.
“A e pranon ndërmjetësinë time, nëse unë e lidh besën me ty në emër të tij?”, – e pyeta unë
“Po, e pranoj.”, – m’u përgjigj ai.
Zgjati dorën dhe unë pranova Islamin. Pastaj, kur u ktheva te shokët e mi, patjetër që kisha hequr dorë nga mendimi me të cilin kisha hyrë te Nexhashiu; megjithatë ua mbajta të fshehtë që isha bërë mysliman. Dhe, kësisoj, u largova nga Abisinia, për të shkuar tek i Dërguari i Allahut. Në rrugë takova Halid bin Uelidin. Ishte pak kohë para se të ndodhte ngadhënjimi i Mekës. Halidi po vinte nga Meka. I thashë:
“Për ku je nisur kështu, o Ebu Sulejman?”
“Uallahi, fitimtar doli ai (duke pasur parasysh Profetin tonë). Ai është vërtet profet i Zotit! Tani po shkoj për tek ai. Do të bëhem mysliman! Deri kur do të vazhdojë kështu kjo luftë?”
“Uallahi, edhe unë nuk kam ndonjë qëllim tjetër, pasi edhe unë kam ardhur të bëhem mysliman.”, – i thashë unë.
Shkuam në Medinë, pranë Profetit të nderuar. I pari hyri Halidi dhe pranoi Islamin. Pastaj u afrova unë dhe i thashë:
“O Resulullah, unë do ta lidh besën me ty, vetëm nëse do të m’i falësh të gjitha gabimet e së shkuarës. Të mos i them që tani mëkatet që do të bëj në të ardhmen.”
I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i cili e dëgjoi kërkesën time, tha: - “Eja, o Amr, bindu, sepse Islami i fshin të gjithë mëkatet e kryera para ardhjes së tij. Mërgimi i fshin edhe më shpejt të gjitha të këqijat e njeriut.”
Kështu, unë iu binda, pranova Islamin dhe u ktheva andej nga kisha ardhur.”
Mjaft interesante janë edhe hollësitë e përshkruara në transmetimin e Bejhakiut, i cili na vjen nëpërmjet Uakidiut:
“... (Amr bin Asi thotë se:) Pastaj unë vijova rrugën. Kur mbërrita në vendin e quajtur Hidde, që gjendej diku mes Taifit dhe Mekës; jo shumë kohë, por pak përpara meje, aty kishin ardhur dy burra, të cilët ishin duke hyrë në çadër. Njëri qëndronte brenda çadrës, ndërsa tjetri jashtë, mbante edhe dy kafshët e rrugës. Pashë njëherë; ishte Halid bin Uelidi.
“Për ku je nisur kështu?”, – e pyeta.
“Për te Muhamedi po shkoj. Nuk mbeti më njeri me mend në kokë pa hyrë në Islam. Uallahi, mendoj se po u vonova edhe pak, edhe ne kanë për të na kapur për zverku, ashtu siç kapen hienat!”, – m’u përgjigj.
“Uallahi, edhe unë për te Muhamedi jam nisur, kam vendosur të bëhem mysliman.”, – i thashë.
Pashë njëherë, nga çadra doli Osman bin Talhaja, i cili më tha: - “Mirë se erdhe!” Aty qëndruam të tre, duke u marrë vesh se do ta bënim bashkë pjesën e mbetur të rrugës deri në Medinë. Kur iu afruam pusit të Ebu Utbes, nuk e harroj që dëgjova një burrë që thërriste: “O Rebbah! O Rebbah!” Na u dukën si ogur ato fjalë të atij njeriu, të cilat kishin kuptimin e “fitimit” dhe vazhduam rrugën. Pastaj pamë se ai burrë po shihte nga ne dhe ma merr mendja se e kishte me Halidin kur mërmëriste:
“Përderisa po e pranojnë edhe këta të dy Islamin, kjo do të thotë se Meka i dorëzoi përfundimisht çelësat e saj.”
Ai burrë filloi të rendte dhe shkoi drejt e në faltore. Ma merr mendja se po lajmëronte të Dërguarin e Allahut për ardhjen tonë. Dhe ashtu siç pandeha unë edhe ndodhi. I ulëm devetë në gjunjë në vendin e quajtur Harre dhe u veshëm me rrobat tona më të mira. Pak më vonë u këndua ezani i ikindisë. Shkuam tek i Dërguari i Allahut. Fytyra i shndriste ashtu siç shndrin hëna e plotë. Të gjithë myslimanët kishin krijuar një hallkë të bukur rreth tij. Ishin shumë të lumtur, që ne kishim pranuar Islamin. I pari hyri Halid bin Uelidi, i cili shprehu se andej e tutje kishte pranuar Islamin. Pas tij u afrua Osman bin Talhaja dhe pas tij hyra unë. Uallahi, nga turpi, kur iu ula përballë, nuk i ngrija dot sytë që ta shihja në fytyrë. Nuk më shkoi mendja që t’ia thosha mëkatet që do të bëja në të ardhmen. Por ai më tha: “Islami i pastron e i fshin të gjitha mëkatet e kryera përpara tij, ndërsa mërgimi i fshin të gjitha gabimet e së shkuarës.”
Ju betohem në Allahun, se që nga ai çast që u bëmë myslimanë, Resulullahu nuk ka mbajtur kurrë asnjë sahab tjetër të tij më lart se ne, në çdo çështje që për të ishte e rëndësishme.”
17. HALID BIN UELIDI PRANON ISLAMIN
Halidi (radijallahu anhu) tregon: “Kur Allahu vendosi më të mirën për mua, duke më hedhur në zemër një shkëndijë dashurie për Islamin, atëherë mund të them se më erdhi mendja në vend. Thashë njëherë me vete: ‘Unë kam marrë pjesë në të gjitha luftërat që janë bërë kundër Muhamedit. Sa herë që kthehesha nga lufta, e ndieja se isha duke u munduar për një punë të kotë dhe e shihja se herët a vonë do të ishte Muhamedi ai që do të dilte ngadhënjimtar.’ Kur Resulullahu u doli në Hudejbije, mora edhe unë një grup kalorësish dhe dola atje. Atë e hasa në vendin e quajtur Usfan, ishte bashkë me disa nga sahabët e tij. Bëra ca hapa përpara, në mënyrë që të ishim në të njëjtin drejtim e ai të mund të më dallonte. Doli përpara tyre dhe u fali atyre namazin e drekës. Edhe pse donim t’i sulmonim, e kishim të pamundur. Kjo duhet të kishte një domethënie të veçantë. Duhet ta kishte kuptuar se ç’kishim në mendje, që i lidhi të dy namazet me njëri-tjetrin, duke u falur sahabëve edhe namazin e ikindisë. Kjo më preku shumë; ‘këtë njeri vërtet që e mbron një Fuqi e veçantë.’”
U largua nga ne, duke marrë në të djathtë. Kur bëri paqe me kurejshët në Hudejbije dhe kurejshët e detyruan të kthehej mbrapsht, andej nga kishte ardhur, atëherë thashë me vete: “E ç’më mbeti mua? Po tani, ku të shkoj? A të shkoj te Nexhashiu? Po edhe ai i besoi Muhamedit dhe tashmë tek ai jetojnë të sigurt edhe sahabët. Të shkoj te Herakliu, të braktis fenë time e të pranoj të bëhem i krishterë ose jahudi? Apo të qëndroj në Iran? Apo të kthehem në Mekë, dhe të qëndroj në vendlindjen time, bashkë me të tjerët, njësoj si ta? Dhe, ja, teksa mendjen e kisha të zënë me gjithë këto mendime, në Mekë po vinte Profeti për të bërë kazanë e umres që nuk e kishte bërë dot një vit më parë, si pasojë e Marrëveshjes së Hudejbijes. Duke qenë se atëherë përpiqesha të mos takohesha me askënd, as atë nuk e pashë dot. Në Mekë, bashkë me të Dërguarin e Allahut kishte ardhur edhe vëllai im, Uelid bin Uelidi, i cili më kishte kërkuar gjithandej dhe kur nuk më kishte gjetur dot, kish lënë këtë letër:
“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit... Nuk kam parë ndonjëherë gjë më të habitshme se kjo; si ka mundësi që një njeri si ti, kaq i zgjuar, i shmanget Islamit, duke u rrekur që si e si që të mos e pranojë atë. Kush është ai njeri që mund të dojë të mbetet i paditur karshi një feje si Islami? I Dërguari i Allahut më ka pyetur, ‘Ku është Halidi?’, – dhe unë gjithmonë i jam përgjigjur: - ‘Do ta sjellë Allahu.’ Ndërsa ai më thotë gjithmonë: - ‘Si ka mundësi, është shumë për t’u habitur që një njeri si Halidi të mos e kuptojë e të mos e pranojë Islamin! Sikur me trimërinë dhe seriozitetin e tij të gjendej në radhët e myslimanëve, kjo do të kishte qenë shumë herë më e mirë për të, e ne do ta mbanim atë më lart se të tjerët.’ Kështu që, vëllai im, të duhet të heqësh dorë e të mos i humbasësh më të gjitha këto të mira e mbarësi që të kanë aq shumë hije.”
Halid bin Uelidi (radijallahu anhu) thotë se: “Kur më erdhi letra që vëllai kishte lënë për mua, seç ndjeva njëfarë lehtësimi dhe më dukej se tani mund të dilja mes njerëzve. M’u shtua edhe më shumë simpatia për Islamin. Ndërsa fakti që vetë Resulullahu kishte pyetur për mua me emër më gëzoi pa masë. Në ëndërr pashë sikur nga mesi i një shkretëtire të ngushtë dhe të thatë dola drejt një vendi të gjelbër e të paanë dhe në shpirt seç më vetiu sikur ‘kjo ëndërr do të bëhej realitet.’ Kur të shkoj në Medinë, do t’ia tregoj ëndrrën njëherë Ebu Bekrit. Ia tregova dhe ai ma interpretoi kështu:
- “Ai vend i gjelbër, plot gjelbërim, dhe i gjerë e i paanë është shenjë se Allahu ka vendosur udhëzimin tënd në Islam. Ndërsa vendi i ngushtë ku je tani është idhujtaria.”
“Kur vendosa të dilja përpara të Dërguarit të Allahut, me kë të shkoj thashë me vete. Në rrugë u hasa me Safuan bin Umejen. E pyeta: “O Ebu Uehb, a nuk e sheh se si jemi katandisur, kemi mbetur një grusht njerëzish; po sikur të shkojmë e t’i besojmë Islamit! Nderimet për Muhamedin do të jenë edhe nderimet tona!” Si i çmeritur m’u përgjigj: “Sikur të gjithë t’i bashkohen atij dhe të mos mbetet askush tjetër përveç meje, prapë as nuk e pranoj, as nuk e ndjek!”
U ndamë nga njëri-tjetri. Me vete thashë: “Ky ka humbur vëllanë dhe babanë në Bedër.” Takova djalin e Ebu Xhehlit, Ikrimen, e edhe atij të njëjtat gjëra i thashë. Edhe ai m’u përgjigj po njësoj. – “Mirë.”, – i thashë Ikrimes, – “këto që folëm të mbeten mes nesh.” – “Në rregull, mos ki merak.”, – m’u përgjigj. Shkova në shtëpi dhe u kërkova që të më përgatitnin kafshën, se do të nisesha për rrugë. U nisa. Në rrugë rastisa Osman bin Talhanë. Me vete thashë, “ky është shoku im, po sikur t’ia them ato që më shkojnë nëpër mend.” Pastaj, kur kujtova se edhe atij i ishin vrarë shumë kushërinj, u stepa. Do të vazhdoj rrugën, pastaj i thashë vetes: “Ç’të duhet ty me kushërinjtë e tij, më e mira është t’i them njëherë.”
“Ne jemi si dhelpra në fund të pusit, që po të hedhë dikush një kovë me ujë, dalim menjëherë.”, – i thashë atij, duke shtuar edhe të gjitha ato që u kisha thënë dy miqve të mi. Ai e pranoi menjëherë ftesën time.
“Unë u nisa sot dhe dua të vazhdoj rrugën, ja ku e kam edhe kafshën e transportit.”, – i thashë.
U morëm vesh dhe e lamë të takoheshim në vendin e quajtur Jexhuxh. Kush mbërrinte i pari do të priste tjetrin. U nisëm në agim. Ende pa dalë mirë dielli, u takuam me njëri-tjetrin, siç e kishim lënë, në Jexhuxh. Vazhduam rrugën pa ndërprerje, deri kur mbërritëm në Hide. Atje u takuam me Amr bin Asin. – “Mirë se keni ardhur.”, – na tha. – “Mirë se ke ardhur edhe ti.”, – ia pritëm edhe ne.
“Për ku jeni nisur kështu?”, – na pyeti Amri.
“Po ty ç’të ka shtyrë që e ke marrë këtë rrugë?”, – i thamë ne, por edhe ai të njëjtën pyetje na bëri.
“Kemi ardhur të pranojmë Islamin dhe t’i besojmë Muhamedit.”, – iu përgjigjëm ne.
“Edhe mua po i njëjti mendim më ka shtyrë që ta marr këtë rrugë.”, – qe përgjigja e tij.
Kështu u bëmë bashkudhëtarë, sepse të gjithë rrugën e mbetur deri në Medinë e bëmë të pandarë nga njëri-tjetri. Kur erdhëm, me sa dukej atë e lajmëruan menjëherë. Edhe ai ishte kënaqur shumë për ardhjen tonë. Vesha menjëherë rrobat më të mira që kisha marrë me vete dhe u nisa duke ecur, të shkoja te Resulullahu. Doli të më priste vëllai im Uelidi, duke na thënë: - “Nxito! I Dërguari i Allahut ka marrë vesh se ke ardhur ti dhe është shumë i kënaqur; po ju pret!”
Aty i nxituam hapat. Shkova menjëherë pranë tij. Më buzëqeshte pareshtur. Qëndrova mu përballë tij; unë e përshëndeta atë ashtu siç përshëndeten profetët. E pranoi përshëndetjen tonë me atë buzëqeshjen e tij aq të bukur. Unë i thashë: - “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, që meriton të adhurohet dhe nuk ka kurrfarë dyshimi se ti je i Dërguari i Allahut.”
“Eja, lëvduar qoftë Allahu që të udhëzoi ty në të drejtën. Të kam njohur përherë si njeri të zgjuar. Gjithmonë kam dashur që ajo mendje të të printe ty veçse kah më e mira!”, – m’u përgjigj ai.
“O Resulallah, në çdo luftë që është bërë me ty, unë kam parë se unë luftoja me të Drejtën (Hakk’un-Allahun) më shumë nga inati. Lutju Allahut, që të m’i falë mëkatet që kam bërë.”
“Me Islamin fshihen të gjitha mëkatet e bëra para pranimit të tij, o Halid. Megjithatë, mirë është që ju të vazhdoni t’i luteni Allahut që Ai t’ju falë!”
Nuk ma prishi dhe filloi të lutej: “O Zoti im! Falja Halid bin Uelidit të gjitha të këqijat e ato që ka bërë për t’i larguar njerëzit nga udha Jote!”
18. NGADHËNJIMI I MEKËS
Kur i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u vendos në Merru’dh-Dhahran, Abasi (radijallahu anhu) i tha:
“Mjerë për kurejshët! Uallahi, nëse i Dërguari i Allahut do të hyjë në Mekë me forcë, pa i kërkuar njëherë kurejshët të falur, atëherë ta dini se për kurejshët nuk ka më shpëtim!”
Pastaj vazhdoi të thoshte: - “Hipa në mushkën e bardhë të të Dërguarit të Allahut dhe duke dalë nga radhët e ushtrisë, mbi shpinën e saj, arrita në zonën e Erakut. Thashë mos takohem me ndonjë që ka dalë për drurë, ndonjë çoban, apo ndonjë që ka dalë për ndonjë punë tjetër të tijën dhe i them; ai shkon dhe lajmëron mekasit se ku ndodhet i Dërguari i Allahut dhe ata vijnë që t’i kërkojnë të falur; kësisoj, i Dërguari i Allahut nuk do të ndihet i detyruar të përdorë forcën kundër Mekës.”
Uallahi; ndërkohë që unë po përpiqesha të përmbushja qëllimin e largimit nga ushtria, i hipur mbi mushkë, dëgjova fjalët e Ebu Sufjanit dhe Budejl bin Uerekas, të cilët po ktheheshin në Mekë. Ebu Sufjani thoshte kështu: “Nuk kam parë ndonjëherë as zjarr, as ushtri si kjo e sotmja! Budejli thoshte: “Uallahi ky ishte zjarri i fisit të Khuza’ave! Zjarri që ndizet gjithmonë nga lufta.” Ndërsa Ebu Sufjani thoshte: - “As zjarri, as ushtria e Khuza’ave nuk mund të jenë kaq të mëdha, unë e di, janë më pak.” Ebu Sufjanin e njoha nga zëri dhe i fola: - “Ebu Handhale!” - Edhe ai më njohu mua, duke thënë: - “Ebu’l-Fadl, ti je?” - “Po, unë jam!”, – u përgjigja unë.
“T’u bëfshin kurban nëna e babai im, po ti, çfarë kërkon këtu?”, – më pyeti.
“Turp të kesh, o Ebu Sufjan! Ja ku është Profeti në krye të ushtrisë! Uallahi, kurejshët nuk e kanë fare të lehtë kësaj here!”
“Po mirë, si t’ia bëjmë? Çfarë na këshillon ti?”
“Po të kapën, ata do të të vrasin. Eja me mua, në mushkën time, të të çoj unë tek ai dhe t’i kërkoji që të të falë.”
Ebu Sufjani hipi në pjesën e pasme të shpinës së mushkës dhe u nisëm vetëm pasi ishin larguar të gjithë shokët e tij. Sa herë që kaloja pranë zjarreve të ndezura nga myslimanët, ata pyesnin: - “Kush është ky?” - Kur panë mushkën e Profetit tonë, po thoshin: - “Është mushka e Profetit tonë, duhet të jetë xhaxhai i tij.”
Kur u afrova pranë zjarrit që kishte ndezur Omer bin Hatabi (radijallahu anhu), Omeri (radijallahu anhu) tha: - “Kush është ky?” - dhe bëri të ecë drejt meje. Pastaj, kur pa që në pjesën e pasme të shpinës së mushkës ishte ulur Ebu Sufjani, tha: - “Ebu Sufjani! Armiku i Allahut! Lëvduar qoftë Allahu, që të solli këtu pa lejen e të Dërguarit të Allahut!” - Pastaj u largua dhe shkoi me nxitim për atje ku ndodhej i Dërguari i Allahut. E ngacmova mushkën me thembrat e këmbëve dhe me një shpejtësi pak më të lartë se ajo që ia kalon një njeriu të mbushur, ia kalova Omerit dhe e lashë pas, zbrita nga mushka dhe hyra për tek i Dërguari i Allahut. Në atë kohë hyri edhe Omeri, i cili tha:
“O Resulullah! Ky është Ebu Sufjani! Allahu i Madhërishëm e pruri vetë, pa e kërkuar ti. Me lejo t’ia ndaj kokën prej trupit!”
“O Resulullah! Po unë e prura atë këtu duke i garantuar se do ta mbroja unë vetë, nëse do të ishte nevoja.”, – thashë unë dhe shkova e u ula pranë Profetit tonë. - “Jo, për Zotin, sonte pranë tij nuk do të qëndrojë asnjë tjetër, veç meje!”
Kur Omeri filloi të këmbëngulte më shumë, nuk durova dhe i thashë:
“Hesht tani, Omer! Uallahi, po të kishte qenë ndonjë prej bijve të Adijit, me të cilët ke lidhje farefisnore, ti nuk do të kishe folur kështu; ti e di që ai është prej bijve të Abdi Menafit, ndaj edhe i thua këto!”
“Mbylle gojën, o Abas! Se kënaqësinë që kam ndierë unë kur u bëre mysliman ti, nuk do ta kisha ndierë edhe sikur të ishte bërë mysliman vetë babai im, sepse kënaqësia që ndjeu i Dërguari i Allahut kur u bëre ti mysliman më kënaqi edhe më shumë se sa po të ishte i gjallë Hatabi dhe të hynte në Islam.”, – reagoi Omeri (radijallahu anhu).
Aty reagoi Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):
“Hajde, o Abas! Merre atë dhe çoje në çadrën tënde dhe kur të agojë sille tek unë.” Kësisoj, unë e mora Ebu Sufjanin në çadër dhe ai e kaloi natën bashkë me mua. Kur agoi, shkova tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i cili, kur e pa Ebu Sufjanin, tha:
“Turp të kesh, o Ebu Sufjan! A nuk ka ardhur koha që të dëshmosh edhe ti se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, që meriton të adhurohet?!”
“T’u bëfshin kurban nëna dhe babai im! Sa njeri bujar që je ti! Je kaq i butë dhe i dashur! Dhe je i lidhur dhe i respekton kaq shumë të drejtat e të afërmve! Edhe kur mendoja se ka edhe zota të tjerë, veç Allahut, pandehja se ata mund të më vinin në ndihmë për gjëra të caktuara.”, – u përgjigj Ebu Sufjani.
“Ah, mor Ebu Sufjan! A nuk ka ardhur ende koha që të pranosh se unë jam i Dërguari i Allahut?”
“Sa njeri i butë që je ti dhe, për më tepër, trim! Vështirë të gjesh një njeri që të jetë kaq shumë i lidhur me familjen! Uallahi, deri më sot, kam pasur disa dyshime dhe shumë pyetje në kokë.”
Abasi (radijallahu anhu) tregon: - “Shiko, Ebu Sufjan! Nëse të vjen ndopak keq për veten, pranoje Islamin para se të të pritet koka! Hajde, dëshmo se nuk ka zot tjetër, veç Allahut, që meriton të adhurohet, dhe se Muhamedi është profeti i Allahut.”, – i thashë unë Ebu Sufjanit. Dhe, me t’i thënë kështu, Ebu Sufjani dëshmoi me të vërtetë dhe u bë sakaq mysliman.
Në vijim Abasi (radijallahu anhu) i tha kështu Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem): - “O Resulallah! Ebu Sufjani është njeri që i pëlqejnë shumë nderimet, lavdërimet dhe privilegjet, sikur ta përgëzosh me ndonjë gjë që do ta bënte atë të ndihej krenar!”
“Po mirë, kushdo që hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit, ta dijë se atje do të jetë i sigurt, ashtu siç është i sigurt kushdo që shkon në shtëpinë e vet dhe e mbyll derën. I sigurt është edhe ai që hyn në Xhaminë e Shenjtë.”
Kur Ebu Sufjani u ngrit në këmbë, për t’u kthyer, Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Abas! Merre dhe çojë në ndonjë shteg në rrugën e malit dhe mos u largoni nga lugina, që të shohë ushtrinë e Allahut, kur të kalojë së andejmi!”
Dolëm bashkë. Ashtu siç më pati urdhëruar i Dërguari i Allahut, e çova Ebu Sufjanin në një vend përgjatë luginës, nga ku mund të shihnim ushtrinë teksa kalonte atypari. Fiset filluan të kalonin të gjitha përpara Ebu Sufjanit, një e nga një, secila me bajrakun e vet. Sa herë që kalonte ndonjë nga fiset që kishin pranuar Islamin, Ebu Sufjani thoshte: - “Po këta, kush janë?” - Dhe unë i thosha, “bijtë e Sulejmanit”, e ai më përgjigjej duke më pyetur:
“Po ç’problem kemi ne me bijtë e Sulejmanit, që ata po vijnë sot deri këtu?”
Sa herë që kalonte ndonjë nga fiset Ebu Sufjani bënte të njëjtën pyetje dhe unë i përgjigjesha, “bijtë e filanit”. E ai më thoshte:
“Po ç’problem kemi ne me ta, që kanë ardhur deri këtu?” Kështu kaluan të gjitha fiset një e nga një. Më në fund, erdhi tabori i atyre që kishin veshur parzmore hekuri, e që nuk u dallohej asnjë pjesë tjetër e trupit, veç syve, të cilët përbëheshin nga Muhaxhirët dhe Ensarët, e që mes tyre ishte edhe Resulullahu, që kaluan me gjithë lavdinë dhe madhështinë e tyre. Ebu Sufjani tha: “Subhanallah! Po këta, kush janë kështu?”
“Ndërsa këta janë grupi i Muhaxhirëve dhe i Ensarëve, mes të cilëve është edhe i Dërguari i Allahut.”, – iu përgjigja unë.
“O Ebu’l-Fadl, uallahi këtyre nuk mund t’u dalë askush përballë, pasi askujt nuk i mjafton forca për t’u përballur me ta. Lëvduar qoftë madhështia e shtetit që ka ngritur djali i vëllait tënd!”, – tha Ebu Sufjani.
“Jo, ai nuk ka ngritur as shtet, as mbretëri; kjo është profetësia e tij.”, – i thashë unë.
“Po, mirë, ashtu qoftë!”, – m’u përgjigj ai.
“Tani nisu për te njerëzit e tu!”, – i thashë unë.
U largua. Kur mbërriti pranë të afërmve të tij, Ebu Sufjani filloi të bërtiste duke thënë: - “O Kurejshë! Ky që po vjen është Muhamedi! Ai po vjen dhe ka mbledhur një forcë të atillë, së cilës ajo pak forcë që keni ju nuk mund t’i bëjë ballë. Kushdo që hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit do të jetë i sigurt, pasi do t’ia garantoj unë jetën.”
Kur dëgjoi këto fjalë, gruaja e tij Hindi u çua menjëherë në këmbë, e kapi për mustaqesh dhe klithi:
“Vriteni këtë poshtërsirë! Nuk arriti të mbronte dot as familjen e tij!”
“As mos të të shkojë nëpër mend! Të mos ju mashtrojë kjo grua! Po ju them të vërtetën, forca me të cilën po vjen Muhamedi është aq e madhe, sa që ju nuk mund t’i bëni dot ballë. Kushdo që hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit të ndihet i sigurt për jetën.
“Turp të të vijë! E ku na mjafton ne vetëm shtëpia jote?”, – i thanë ata. Pastaj, duke u transmetuar atyre fjalët që i kishte thënë i Dërguari i Allahut, Ebu Sufjani tha kështu:
“Edhe ata që hyjnë në shtëpitë e tyre dhe e mbyllin derën nga brenda mund të ndihen të sigurt, se nuk do t’i prekë askush.” Kaq u tha dhe të gjithë njerëzit u shpërndanë, ca nëpër shtëpitë e tyre, ca nëpër faltore.”
Ai që e transmeton këtë histori thotë:
“Në taborin e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte plot dymijë ushtarë të veshur vetëm në hekur. Resulullahu flamurin ia kishte dhënë Sad bin Ubades (radijallahu anhu). Në krye të tyre qëndronte Sadi dhe teksa po kalonte pranë Ebu Sufjanit, me sanxhakun e Profetit tonë në duar, i tha atij këto fjalë:
“O Ebu Sufjan! Sot është ditë lufte! Sot është dita që lejohet derdhja e gjakut! Kjo është dita që Allahu i Madhërishëm poshtëroi kurejshët!”
Në atë kohë, nga përballë po vinte i Dërguari i Allahut. Pikërisht kur u afrua tek Ebu Sufjani, Ebu Sufjani tha:
“O Resulullah! Çfarë ke urdhëruar, që të vritet populli yt? Sadi dhe ata që ishin krah tij, kur po kalonin përpara meje, më tha:
“O Ebu Sufjan! Sot është ditë lufte! Sot është dita që lejohet derdhja e gjakut! Kjo është dita që Allahu i Madhërishëm poshtëroi kurejshët.” Për hir të Allahut, unë të kërkoj të tregohesh i mëshirshëm me popullin tënd. Nuk ka dyshim se ti je më i miri ndër njerëz, e nuk ka tjetër njeri që të jetë më i drejtë se ti me njerëzit e vet!” Atëherë, Abdurrahman bin Aufi dhe Osman bin Affani thanë:
“O Resulullah! Nuk jemi të sigurt se Sadi nuk do t’i sulmojë kurejshët!”, – duke i shprehur shqetësimin e madh që kishin të Dërguarit të Allahut.
Pasi i dëgjoi Abdurrahmanin dhe Osmanin (radijallahu anhuma), Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“O Ebu Sufjan! Sot është dita e mëshirës, sepse kjo është dita që Allahu i Madhërishëm vendosi t’i lartësojë kurejshët.”
Pastaj Profeti i Lëvduar i dërgoi lajm Sadit, se ia kishte hequr detyrën e komandantit. Dhe që të mos i thyhej zemra, e urdhëroi që sanxhakun t’ia jepte të birit, Kajsit. Sadi u tha atyre se nuk do ta dorëzonte atë flamur pa i ardhur një shenjë nga vetë Profeti ynë. Andaj, Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dërgoi çallmën e tij. Kur Sadi mori në dorë çallmën, sanxhakun ia dorëzoi të birit,
Kajsit.”
Si e pranoi Islamin Suhejl bin Amri
duke u bërë dëshmitar i moralit të lartë të Profetit tonë
Suhejl bin Amri (radijallahu anhu) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) hyri në Mekë dhe kur arriti fitoren e plotë, unë u mbylla në shtëpinë time. Pastaj i dërgova lajm djalit tim, Abdullahut, që t’u kërkonte myslimanëve që të jem i sigurt. Kështu, Abdullahu shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha:
“O Resulullah, babai më ka dërguar që t’ju kërkoj ta falni atë.” E ai m’u përgjigj:
“Po Suhejl, thuaji babait se me lejen e Allahut ai është i sigurt, ndaj mund të dalë nga shtëpia.”
Mandej u kthye nga të tjerët që ishin përreth tij dhe u tha:
“Kushdo që takohet me Suhejlin, të mos e shohë me sy të keq, të mos e përbuzë, por të vazhdojë rrugën të shkojë për ku është nisur. Ju betohem se Suhejli është një njeri shumë i zgjuar dhe i nderuar. Një njeri si Suhejli nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj Islamit. E vërtetë është ajo që ka vendosur Allahu! Dhe atë që e ka vendosur Ai nuk ka asnjë forcë që ta pengojë!”
Transmetuesi thotë: “Abdullahu u kthye te babai i tij dhe ia transmetoi një për një të gjitha fjalët që i kishte thënë i Dërguari i Allahut.
“Uallahi, Muhamedi edhe kur ishte i vogël ishte i mirë, i këtillë paska mbetur edhe tani që është rritur, nuk paskësh ndryshuar!”
Suhejli u nis për të shkuar tek i Dërguari i Allahut, por gjithmonë kthehej prapë mbrapsht. Bashkë me të Dërguarin e Allahut; ende pa u bërë mysliman, Suhejli pati marrë pjesë edhe në luftën e Hunejnit dhe në vendin e quajtur Xhi’rane hyri në Islam. Atë ditë, Profeti ynë i dha atij plot njëqind deve si plaçkë lufte.”
Fjalimi që mbajti Profeti ynë para mekasve në ditën e ngadhënjimit
Omeri (radijallahu anhu) ka thënë: “Atë ditë që u ngadhënjye mbi Mekën, Profeti ynë dërgoi lajm se donte të takohej me Safuan bin Umejjen, Ebu Sufjan bin Harbin dhe Harith bin Hishamin. Thashë njëherë me vete:
“Tani Allahu më dha mundësinë që t’ua marr hakun për të gjitha të këqijat që më kanë bërë!” Mirëpo, ky mendim imi nuk zgjati më shumë se sa deri kur i Dërguari i Allahut u tha atyre:
“Gjendja ime me ju i ngjan gjendjes së profetit Jusuf me vëllezërit e tij. Edhe ai, u pati thënë vëllezërve: “Ai u tha: Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 12/92)
Omeri thotë se: “Më erdhi turp nga i Dërguari i Allahut për ato mendime që më kishin kaluar nëpër mend nga inati që kisha ndaj atyre njerëzve. Profeti ynë u tha atyre ato gjëra që duhet t’u thoshte.”
Edhe Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) e ka transmetuar kështu atë ngjarje: “Pasi u çlirua Meka, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi në Qabe. Kapi dy menteshat e portës me dorë dhe tha:
“Si mendoni se do të sillem unë me ju?”
“Ti je djali i vëllait tonë, madje nipi më i butë dhe më i mëshirshëm që ne kemi!”, – thanë ata duke e përsëritur këtë plot tri herë. Atëherë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u foli atyre:
“Edhe unë, njësoj si profeti Jusuf, që u tha vëllezërve të tij, ‘sot s’ka qortim për ju!’ edhe unë po ju them se unë nuk do t’ju qortoj, as nuk do t’ju dënoj. Lus Zotin që t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve. Jeni të gjithë të lirë të jetoni si të doni.”
19. HYRJA NË ISLAM E IKRIMES, DJALIT TË EBU XHEHLIT
Abdullah bin Zubejri (radijallahu anhu) rrëfen: “Atë ditë që u çlirua Meka, kur Ummu Hakimi, gruaja e Ikrimes, djalit të Ebu Xhehlit, u bë myslimane, ajo i tha të Dërguarit të Allahut:
“O i Dërguari i Allahut, Ikrime, nga frika se mos ti e vrisje, u arratis drejt Jemenit. Sikur t’i jepni garanci për jetën, që nuk do ta vrisni, e të kthehet.”
“Po, mirë, thuajini të kthehet se nuk do ta prekë askush!”, – iu përgjigj Profeti ynë i dashur.
Me të marrë këtë fjalë, Ummu Hakimi mori edhe një skllav bizantin dhe u vunë në kërkim të burrit të saj. Në rrugë e sipër, skllavi, duke përfituar nga vetmia dhe i rënë pre e dëshirave trupore, tentoi ta ngacmojë. Edhe ajo, duke e shkujdesur atë, mezi gjeti mundësinë për t’u afruar deri te një familje e fisit “Akk”. U kërkoi atyre që ta ndihmonin. Edhe ata e morën skllavin dhe e lidhën mirë e mirë. Ummu Hakimi arriti ta gjente Ikrimen të fshehur në një qoshe në brigjet e Hixhazit. Kur e gjeti, Ikrimeja sapo kishte hipur në një anije. Kapiteni i anijes i tha atij:
“Na thuaj diçka që do të të shpëtojë!”
“Çfarë t’ju them?”, – ia ktheu Ikrimeja.
“Thuaj: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut që meriton të adhurohet!”
“Po unë, prandaj u arratisa, që të mos pranoj e të mos them diçka të tillë!”
Teksa mes Ikrimes dhe kapitenit po zhvillohej kjo bisedë, aty ia behu Umu Hakimi. Ajo i kërkoi Ikrimes me këmbëngulje:
“Po vij nga ai që është më mirënjohësi, më i miri dhe më i mbari ndër gjithë njerëzinë; rri i qetë, nuk ke pse të mërzitesh kaq shumë!”
Ikrimeja u qetësua kur i dëgjoi këto fjalë. Umu Hakimi i shkoi pranë dhe i tha:
“Unë i kërkova të Dërguarit të Allahut garanci për jetën tënde.” - “Ti e bëre këtë?”, – tha Ikrimeja.
“Po, unë i kërkova atij që të tregohej i mëshirshëm dhe ai më garantoi se ty nuk do të ndodhte asgjë e keqe.”, – u përgjigj Umu Hakimi.
U kthyen të dy bashkë. Kur e shoqja i tregoi për ato që i kishte bërë skllavi i saj, Ikrimeja e vrau menjëherë skllavin e tij. Në atë kohë Ikrimeja nuk ishte bërë ende mysliman. Kur iu afruan Mekës, Profeti ynë u tha sahabëve: “Po vjen i biri i Ebu Xhehlit, Ikrimeja, si mysliman dhe mërgimtar. Askush të mos ia shajë të atin, sepse, vërtet, të sharët e të vdekurit nuk u bën asnjë të keqe të vdekurve, por prek e hidhëron të gjallët!”
Transmetuesi thotë: “Ikrimeja po kthehej në Mekë bashkë me të shoqen, dhe sa herë që ai përpiqej t’i afrohej të shoqes, ajo i shmangej dhe e kundërshtonte duke i thënë: “Ti je një mohues, kurse unë jam myslimane!” Ndërsa Ikrimeja i thoshte: “Kjo kauzë që arriti të të largojë ty prej meje duhet të jetë shumë e madhe.”
Profeti ynë, kur e pa Ikrimen, u çua menjëherë në këmbë nga gëzimi. Ikrimeja qëndroi përballë të Dërguarit të Allahut. Pranë vetes kishte edhe të shoqen.
“O Muhamed, (dhe duke bërë me shenjë nga e shoqja) kjo grua më tha se ti i ke dhënë garanci për jetën time, e vërtetë është kjo?”
“E vërtetë është dhe ti ke garancinë time!”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut.
“Çfarë është ajo ku ti na fton?”
“Të ftoj të besosh se nuk ka asnjë zot tjetër veç Allahut, që meriton të adhurohet, dhe që unë jam profeti i Allahut; të falësh namazin, të japësh zekatin, si dhe të bësh atë e këtë gjë.”, – duke numëruar kësisoj të gjithë parimet bazë të Islamit.
“Uallahi, ti po më fton të bëj diçka shumë të mirë, po më fton për
tek e vërteta. Unë të betohem për Allahun, se ende pa ma bërë ti këtë ftesë, unë e dija se ti ishe njeriu më i drejtë dhe që e doje të mirën më shumë se kushdo tjetër mes nesh. Unë dëshmoj se nuk ka të Adhuruar tjetër të Vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij!”
I Dërguari i Allahut u kënaq shumë nga përgjigjja që dha Ikrimeja. Pastaj Ikrimeja tha:
“O Resulullah, më mëso një fjalë që do të jetë më e mira e më e mbara që do të kem thënë ndonjëherë.”
“Atëherë thuaj: ‘Esh’hedu en la ilahe il’lallah ue esh’hedu enne Muhammeden abduhu ue Resuluh’.”
“Po tjetër, çfarë të them?”
Atëherë Profeti ynë Fisnik i tha:
“Le ta dëgjojnë e të jenë dëshmitarë, Allahu dhe gjithë të pranishmit; të thuash: ‘Unë tani jam një mysliman, një luftëtar në rrugën e Allahut dhe një mërgimtar.’” Dhe Ikrimeja ashtu bëri, i tha edhe këto fjalë.
Lutjet e Profetit tonë për Ikrimen
Profeti ynë i Dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha Ikrimes:
“Kërkomë sot gjithçka që mund t’i jap unë dikujt, sepse medoemos që do të ta jap.”
“Dua që t’i lutesh Allahut për mua, që Ai të më falë mua për çdo armiqësi që të kam bërë, çdo hap që kam hedhur për të të bërë ty ndonjë të keqe, çdo vend që kam zënë për të të bërë keq dhe për çdo fjalë të keqe që kam thënë për ty, në sy, apo që ua kam thënë të tjerëve pa qenë ti i pranishëm.”, – u përgjigj Ikrimeja.
“O Resulullah, unë jam i kënaqur prej teje! Uallahi, o i Dërguari i Allahut, këtej e tutje energjinë që kam përdorur për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut do të përdor dyfishin e gjithë energjisë që kam në rrugën e Allahut. Sërish do të bëj për hir të Allahut edhe dyfishin e luftërave (përpjekjeve) që kam bërë për t’i penguar njerëzit të besojnë!”
Që prej asaj dite, Ikrimeja luftoi me mish e me shpirt në çdo luftë ku mori pjesë. Ai ra dëshmor në luftën e Uxhnadejnit, e cila u zhvillua në kohën kur në krye të kalifatit ishte Ebu Bekri (radijallahu anhu). Atë vit që i Dërguari i Allahut kreu Haxhin e Lamtumirës, ai e pati ngarkuar Ikrimen me detyrën e mbledhjes së zekatit të të gjithë besimtarëve. Kur Profeti ynë ndërroi jetë, Ikrimeja ishte i ngarkuar me detyrë në qytezën e Tebales.
20. HYRJA E SAFUAN BIN UMEJES NË ISLAM
Abdullah bin Zubejri (radijallahu anhu) transmeton: “Ditën e ngadhënjimit mbi Mekën, gruaja e Safuan bin Umejes, El-Begum binti El-Muadeli, e cila i përkiste fisit të Kinanes, pranoi Islamin. Ndërkohë që burri i saj, Safuani, dhe skllavi i tij Jesari u arratisën, për të jetuar në arrati në rrethinat e Shi’bit. Në udhëtim e sipër ai i tha Jesarit, për ta paralajmëruar:
“Herë pas here shih nga pas, se mos është duke na ndjekur ndokush.”
“Ja, Umejr bin Uehbi!”, – i tha njëherë skllavi, i cili shikonte herë pas here, se mos ishte ndokush duke i ndjekur.
“E ç’punë kam unë me Umejrin? Uallahi, ai do të ketë ardhur për të më vrarë mua. Ai i ka dalë krah Muhamedit për të më vrarë mua.” Kur Umejri u afrua, Safuani e priti me fjalët:
“O Umejr, nuk mjaftuan ato çfarë më ke bërë deri tani? Edhe borxhet dhe mbajtjen e familjes unë t’i kam paguar; tani ç’të ka shkuar ndërmend të bësh, ke ardhur të më vrasësh, apo jo?
“O Ebu Uehb, t’u bëfsha kurban. Unë tek ty po vij nga ai që është më i miri i njerëzve dhe nga më i sinqerti nga të gjithë të afërmit e tu.”, – u përgjigj Umejri. Mirëpo ai i kishte thënë Profetit tonë:
“O i Dërguari i Allahut! I pari i fisit tonë ia mbathi nga frika, kam frikë se do të hidhet në det, për t’u mbytur. Kishte frikë se ti nuk do t’ia falje jetën. T’u bëfshin kurban nëna dhe babai im, jepi garanci se nuk do t’i bësh asgjë të keqe.”
“Ia kam dhënë!”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut.
Menjëherë pas kësaj, Umejri doli për të kërkuar Safuanin. Andaj edhe ai këmbëngulte:
“I Dërguari i Allahut të ka garantuar jetën!” Mirëpo, Safuani iu përgjigj:
“Uallahi, po nuk më solle një provë bindëse, unë nuk mund të kthehem me ty!”
Umejri u kthye dhe lajmëroi të Dërguarin e Allahut. Resulullahu tha:
“Merr çallmën time, çoja!” Dhe ai kështu bëri, mori çallmën e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe u kthye për te Safuani. Kjo është çallma që kishte Profeti ynë kur pati hyrë në Mekë. E kishte mbështjellë mirë rreth kokës, me njërin cep që i varej përpara, drejt fytyrës. Kur Umejri u nis për herë të dytë, që të kërkonte Safuanin dhe e gjeti, ai i tha:
“O Ebu Uehb, tani po vij nga më i miri njeri, nga ai që është më besniku ndaj familjes, më i buti dhe që e do më shumë se kushdo bamirësinë. Nderi i tij është nderi yt, forca e tij është edhe jotja, pasuria e tij është edhe jotja. Po të them që ta kujtosh edhe njëherë Allahun!” - “Kam frikë se mos më vrasin!”
“Ai të ka ftuar në Islam. Po të pëlqeu, mund të pranosh Islamin, po nuk të pëlqeu, atëherë ai do që të të mbajë për dy muaj kohë me vete. Ai është më besniku e më mirënjohësi ndër njerëz, nuk ka njeri tjetër që ta dojë bamirësinë më shumë se ai. Ja tek të ka dërguar jelekun e tij, të cilin e pati lidhur si çallmë me njërin bisht që i varej përpara.”, – dhe nxori çallmën.
Safuani tha:
“Po, ajo, ajo qenka!”, – duke e njohur menjëherë çallmën, me të cilën Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati hyrë në Mekë. Kur erdhi tek i Dërguari i Allahut, ai po falte namazin e ikindisë në Mesxhidul-Haram (Xhaminë e Shenjtë). Pritën për pak, sa mbaruan. Safuani pyeti:
“Sa herë falet namaz gjatë një ditë-nate?”
“Pesë herë.”
“Muhamedi i drejton të gjitha faljet?”
“Po.”
Kur Profeti ynë dha selam dhe e përfundoi faljen, Safuani bërtiti me zë të lartë:
“O i Dërguari i Allahut! Umejr bin Uehbi më pruri çallmën tënde. Më tha se më kishe folur të vija tek ti dhe po të më pëlqente, do të pranoja Islamin, në mos të qëndroja për dy muaj me ty.” - “Eja brenda, o Ebu Uehb!”, – u përgjigj Resulullahu.
“Jo, për Zotin, nuk kam për të hyrë, derisa të më shpjegosh se si qëndron puna.”
“Ty, ndryshe nga të gjithë të tjerët, do të të njoh plot katër muaj kohë!” Pas këtyre fjalëve, Safuani zbriti poshtë.
Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) doli në anën e Heuazinit dhe mori edhe Safuanin me vete. Nuk ishte bërë ende mysliman. I Dërguari i Allahut i dërgoi atij lajm që t’i jepte armët, që do të dorëzonte në të ardhmen. Dhe ai, bashkë me armët, i dërgoi si amanet edhe njëqind parzmore. Safuani e pyeti:
“Po m’i kërkon që t’i jap me zemër, apo po m’i kërkon me zor?”
“Po t’i kërkoj që të m’i lësh mua dhe unë do të t’i kthej prapë.”, – iu përgjigj Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).
Dhe ai ia dha. Pastaj, me urdhrin e të Dërguarit të Allahut ato armë u çuan në Hunejn. Prandaj, ai qe i pranishëm në luftën e Hunejnit dhe e pa me sytë e tij përleshjen e Taifit. Menjëherë pas saj i Dërguari i Allahut u kthye në Xhi’rane. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po shëtiste bashkë me Safuanin mes plaçkës së luftës, kur Safuanit i shkuan sytë te delet, devetë dhe barinjtë që kishin dalë për të kullotur në shtratin e malit. Edhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po e ndiqte atë me bisht të syrit në çdo lëvizje që bënte.
“O Ebu Uehb, më duket se të pëlqeu faqja e këtij mali?”, – tha i Dërguari i Allahut.
“Po!”, – tha Ebu Uehbi.
“Atëherë, qoftë e jotja me gjithë ç’ka mbi të.”, – i tha atij Resulullahu.
Safuani, kur dëgjoi çfarë i tha i Dërguari i Allahut, tha:
“Askush, përveçse një profet, nuk mund të jetë kaq bujar! Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut që meriton adhurimin dhe përsëri unë dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.”, – dëshmoi ai, duke u bërë kështu mysliman.
Sipas transmetimit të Ahmed bin Hanbelit; ditën e Hunejnit, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i kërkoi Safuan bin Umejes t’i linte në përdorim ca parzmore. Safuani iu qe përgjigjur:
“Me forcë po m’i kërkon, o Muhamed?”
“Jo, me kusht që do të t’i paguaj, po t’i kërkoj që të m’i lësh t’i përdor unë.”, – iu qe përgjigjur i Dërguari i Allahut.
Transmetuesi thotë se: Kur një pjesë e parzmoreve u dëmtuan, i Dërguari i Allahut kërkoi që t’ia paguante Safuanit. Mirëpo Safuani i pati dhënë këtë përgjigje:
“O Resulullah! Ato parzmore që shkuan dëm mua nuk më shërbejnë për asgjë. Sot unë dua të bëhem mysliman.”
21. PRANIMI I ISLAMIT NGA URUE BIN MESUDI DHE FISI I THAKIFËVE TË TAIFIT
Ibni Is’haku tregon: “Kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po kthehej nga Thakifi, atë e ndoqi nga pas Uruete bin Mes’udi. Ai e arriti Resulullahun ende pa mbërritur në Medinë, pranoi Islamin dhe i kërkoi leje që të kthehej tek të afërmit e tij, që t’ua mësonte edhe atyre Islamin.
“Ata do të të vrasin!”, – foli i Dërguari i Allahut.
Profeti ynë pati dalluar se njerëzit e Thakifit kishin një veçori, që nuk u pëlqente t’ua dëgjonin fjalën të tjerëve, dhe kjo u buronte nga krenaria e tepruar. Urueja iu përgjigj:
“O Resulullah! Ata më duan mua më shumë se ç’duan edhe vajzat e tyre!”
Vërtet, populli i tij e donte dhe kishte shumë respekt për Uruen. Ai u kthye pranë njerëzve të vet, që t’i ftonte dhe ata të pranonin Islamin. Kishte ndërmend dashurinë që ata kishin për të, ndaj edhe mendonte se medoemos do t’i pranonin fjalët që kishte për t’u thënë. U ngjit në tarracën e shtëpisë. Kur thakifasit dëgjuan që ai po i ftonte të bëheshin myslimanë, duke u bërë thirrje që të pranonin Islamin, ata nxorën harqet dhe filluan ta goditnin me shigjeta. Një prej atyre shigjetave e kapi dhe ende pa dhënë shpirt i thanë:
“O Urue! Çfarë sheh te ky gjak që po të rrjedh?”
“Shoh shpërblimin e Allahut! Shoh se si Allahu po ma heq etjen, duke më dhënë të pi prej lëngut të dëshmimit të së vërtetës. Janë të shumta shpërblimet e atyre që bien dëshmorë në anën e të Dërguarit të Allahut (duke pasur parasysh të rënët e përleshjes së Taifit), kështu si puna ime. Amaneti im është që të më varrosni pranë tyre.”, – tha ai.
Ashtu bënë, e varrosën Uruen në varrezat e dëshmorëve. Sipas transmetimeve, thuhet se Profeti ynë ka thënë kështu për Uruen:
“Gjendja e Urues me popullin e tij i ngjan gjendjes së atij njeriut në suren ‘Jasin’, i cili u përball me njerëzit e vet (Bëhet fjalë për një njeri të quajtur Habibi Nexhar, i cili i bën thirrje popullit të Antakias t’i besojnë mëkëmbësve të Isait [alejhis’selam]. Banorët e Antakias e patën vrarë atë njeri që po i ftonte kah e drejta.)”
Pasi ra dëshmor, thakifasit pritën edhe për disa muaj të tjerë. Mandej, u këshilluan me njëri-tjetrin. E kuptuan se nuk u kishte mbetur edhe shumë forcë për t’u bërë ballë arabëve, kështu që vendosën të pranonin Islamin, duke i shprehur besëlidhjen Profetit. Dhe, për ta realizuar këtë, ata vendosën të zgjidhnin një grup njerëzish që do të shkonte te Profeti ynë për të biseduar. Zgjodhën dy vetë prej bashkëpunëtorëve të tyre dhe tre nga bijtë e Malikut, me në krye Abdi Jalejlin. Kur ky grup iu afrua Medinës, ata vendosën të qëndronin njëfarë kohe në një luginë që gjendej aty pranë. Atje gjetën edhe Mugire bin Shuben. Duke qenë se Mugireja ishte rojë atë ditë, kishte dalë ai për t’i kullotur devetë e sahabëve. Kur i pa ata, ai rendi menjëherë t’ua jepte edhe të tjerëve sihariqin e ardhjes së tyre. Në rrugë takuan edhe Ebu Bekrin. Ai i tha atij se kishte ardhur një grup nga Thakifi, të cilët donin të lidhnin besë me të Dërguarin e Allahut dhe të pranonin Islamin dhe nëse i Dërguari i Allahut kishte për t’u vënë ndonjë kusht, ata do t’ua dërgonin atë popullit të tyre me shkrim, e vetëm mandej do të merrnin një vendim. Ebu Bekri u përgjigj:
“Më lër, aman, t’ia them unë të Dërguarit të Allahut!” Mugireja pranoi.
Ebu Bekri (radijallahu anhu) hyri brenda dhe ia shprehu të Dërguarit Fisnik se ata që kishin ardhur donin të vinin të takoheshin me Resulullahun. Mugireja u kthye pranë grupit nga Thakifi. Teksa vinin, mbi deve, ai u mësoi atyre se si ta përshëndetnin të Dërguarin e Allahut. Megjithatë, prapëseprapë, ata e përshëndetën atë njësoj siç përshëndeteshin me njëri-tjetrin gjatë kohës së injorancës. Në faltore u ngrit një çadër, enkas për grupin e mysafirëve nga Thakifi. Mes tyre dhe Profetit tonë shërbente si mëkëmbës Halid bin Said bin Asi. Kur ai u solli atyre për të ngrënë, ata nuk pranonin të hanin pa ngrënë njëherë ai. Edhe tekstin e marrëveshjes, e pati shkruar Halidi për ta.
Një ndër kushtet që ata i parashtruan të Dërguarit të Allahut ishte edhe ky: “Për tri vite, ai do t’ua linte atyre të paprekur statujat e idhullit Lat.” Kur kjo kërkesë nuk iu pranua, provuan ta ulnin kohëzgjatjen, njëherë në dy vjet, mandej në një vit. Por kur as kjo nuk u pranua, atëherë kërkuan si afat vetëm një muaj, të paktën sa të mësoheshin njerëzit e zakonshëm, që nuk duhet të adhuronin më idhujt e vjetër. I Dërguari i Allahut as këtë nuk ua pranoi. Ai u tha atyre se bashkë me ta do të dërgonte edhe Ebu Sufjan bin Harbin dhe Mugire bin Shuben, që t’i thyenin gjithë ç’kishte që mund të quheshin idhuj. Kur grupi filloi të vendosë edhe kushte, si, për shembull, të mos falnin namaz dhe të mos i thyenin me duart e tyre idhujt e vet, atëherë i Dërguari i Allahut foli:
“Në rregull, po ju lirojmë nga barra që t’i thyeni vetë, me duart tuaja, idhujt që u keni besuar deri më tani. Por, kur bëhet fjalë për namazin; nuk ka mbarësi në atë fe ku mungon namazi!” Atëherë, ata thanë:
“Edhe pse është shumë e rëndë për ne, për ty ne do ta kryejmë.”
22. HUUEJTIB BIN ABDUL’UZZA PRANON ISLAMIN
Huuejtibi, djali i Abduluzzas, tregon: “Vitin e çlirimit të Mekës, kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) hyri në Mekë unë u frikësova shumë, dola nga shtëpia dhe i çova familjen dhe fëmijët në një vend ku mund të ndiheshin më të sigurt. Ndërsa vetë shkova në një kopsht hurmash të Aufit. Ndërsa qëndroja atje, kur ç’të shoh, po vinte Ebu Dherr Gifari. Kishim një miqësi shumë të vjetër me njëritjetrin. Dhe ai që konsiderohej mik as që mund të mendohej se do t’i bënte keq atij që e kishte quajtur njëherë mik. Megjithatë, kur e pashë u përpoqa të ikja prej aty. Nga pas më erdhi një zë:
“O Eba Muhamed!”
“Urdhëro!”, – iu përgjigja unë.
“Çfarë të ka ndodhur?”, – më pyeti ai.
“Kam frikë!”
“Nuk ka pse të kesh frikë! Të jesh i sigurt, se Zoti ju ka garantuar, ashtu siç i keni të sigurta edhe pasurinë edhe jetën!” U ktheva dhe e përshëndeta.
“Ec, kthehu në shtëpi tani!”, – më tha.
“A jam i sigurt se nuk do të më gjejë asgjë gjatë rrugës? Nuk ma merr mendja se do të mbërrij dot i gjallë, nëse dal prej këtu. Ndoshta më kapin dhe më vrasin, ose mund të më vijnë në shtëpi e të më vrasin. Në të vërtetë edhe fëmijët e familjen i kam tjetërkund!”
“Merri fëmijët dhe familjen e mblidhuni të gjithë në një vend, sepse do të vij edhe unë me ty.”, – më tha ai dhe më shoqëroi përgjatë gjithë rrugës. Teksa po ecnim, Ebu Dherri u thoshte njerëzve: - “Huuejtibi është në duar të sigurta, askush të mos e prekë atë!” Pastaj, Ebu Dherri u kthye pranë të Dërguarit të Allahut dhe pasi e lajmëroi për të gjitha çfarë kishin ndodhur, e pyeti:
“Përveç atyre që na ke urdhëruar t’i vrasim, të gjithë të tjerët janë të mbrojtur, apo jo?”
Kur mori prej tij pohimin se kjo ishte e vërtetë, atëherë në shpirt ndjeva një qetësim të thellë dhe shkova menjëherë të mblidhesha me të gjithë familjen në shtëpinë time. Më vonë Ebu Dherri erdhi sërish tek unë dhe më tha:
“Hë, edhe për sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje kështu? Në shumë luftëra nuk ke marrë pjesë dhe shumë shpërblime hyjnore të kanë ikur nga duart. Por ka edhe shumë të mira të tjera, të cilat ka ende kohë e mund t’i kapësh. Eja, të shkojmë bashkë te Profeti ynë i nderuar dhe pranoje Islamin, që kështu të gjesh edhe ti qetësinë e shpirtit. Ai është më bamirësi ndër njerëz dhe më besniku e më mirënjohësi ndaj të afërmve të tij. Nuk ka njeri që të jetë më i dashur e më i butë se ai. Nderi i tij të jetë edhe nderi yt, e forca e tij të jetë edhe forca jote.”
“Po mirë, meqë kjo është ajo që ti më këshillon të bëj, atëherë eja të shkojmë tek ai të dy tok!”, – iu përgjigja unë.
Shkuam dhe e gjetëm në vendin e quajtur Batha, teksa rrinte i ulur bashkë me Ebu Bekrin dhe Omerin (radijallahu anhu). Ebu Dherrit, pasi ky kishte pak çaste që po i qëndronte mbi krye, i thashë:
“Si duhet ta përshëndes unë atë?”
“Es’selamu alejke ejjuhen’nebijju ue rahmetullahi ue berekatuh, t’i thuash.”, – m’u përgjigj Ebu Dherri.
Edhe unë ashtu e përshëndeta. Resulullahu ma ktheu përshëndetjen duke më thënë: - “Edhe për ty më të mirat përshëndetje, o Huuejtib!”
“Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, që meriton të adhurohet. Nuk ka dyshim se ti je i Dërguari i Allahut.”
“Lëvduar qoftë Allahu që të udhëzoi në të drejtë!”, – ma ktheu ai.
Dukej, ishte shumë i kënaqur që unë po bëhesha mysliman. Më kërkoi ca para borxh dhe unë i dhashë dyzetmijë dirhemë. Bashkë morëm pjesë në Luftën e Hunejnit, si dhe në Ekspeditën e Taifit. Nga plaçka e fituar gjatë Hunejnit, ai më pati dhënë mua plot njëqind deve.”
Në një tjetër transmetim të Hakimit, është regjistruar se Huuejtibi ka thënë kështu:
“Asnjë nga paria e kurejshëve, të cilët kishin ruajtur fenë e të parëve, nuk qe prekur ndonjëherë më shumë nga luftërat, sa ç’qe prekur atë ditë nga humbja e Mekës. Por, i tillë është kaderi! Në luftën e Bedrit kisha qenë në anën e idhujtarëve, ku sytë më kanë parë gjëra nga më kuptimplotat, kam parë engjëjt që dukeshin tej në horizont, të cilët vrisnin prej njerëzve tanë dhe disa syresh i merrnin peng. Njëherë thashë me vete: ‘Është e pamundur, ky njeri duhet të ketë ndonjë mbështetje shpirtërore shumë të fortë.’ Megjithatë, për ato që më kishin parë sytë nuk i fola askujt. Dolëm të humbur dhe të katandisur si mos më keq, mezi u kthyem në Mekë. Qëndruam atje, mirëpo burrat e kurejshëve po e pranonin të gjithë, një e nga një, Islamin. Edhe në Marrëveshjen e Hudejbijes pata qenë i pranishëm si mëkëmbës. Kam punuar derisa u realizua e tërë marrëveshja e paqes. Unë isha dëshmitari i fundit i Marrëveshjes së Paqes që u nënshkrua aty. Me vete thashë: ‘Kurejshët nuk po shohin veçse keq nga ato çfarë po i bëjnë Muhamedit. Edhe prej kësaj, në fund, po kurejshët do të dalin të humbur.’ Unë pata dashur që kurejshët t’i qëndronin përherë kundërshtarë, me heshta në duar. Kur Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi vitin tjetër në Mekë, për të kryer Umren në Qabe, ashtu siç ishim marrë vesh në Marrëveshjen e Hudejbijes, kurejshët u larguan të tërë nga Meka. Unë dhe Suhejl bin Amri nuk dolëm, ishim ndër ata që zgjodhën të mos largoheshin. Donim që të ishim aty, për ta përzënë të Dërguarin e Allahut kur të kalonte kohëzgjatja e vizitës, siç ishte përcaktuar në marrëveshje. Kur mbaruan tri ditët, bashkë me Suhejl bin Amrin shkuam tek ai dhe i thamë:
“Koha për vizitën tuaj ka mbaruar!”
“O Bilal, lajmëroji të gjithë, ende pa perënduar mirë dielli, në Mekë të mos mbetet asnjë prej myslimanëve që kanë ardhur me ne!” – i tha ai Bilalit.”
23. SAHABËT FTOJNË NJERËZIT NË ISLAM NJË E NGA NJË
Ebu Bekri (r.a.) fton njerëzit të besojnë në Islam
Ibni Is’haku tregon: “Kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) pranoi fenë islame dhe shpalli se ishte bërë mysliman, ai filloi menjëherë t’i ftonte edhe të tjerët, një e nga një, të pranonin besimin në Islam. Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte një njeri shumë i butë dhe njerëzit e donin shumë. Ai e njihte shumë racën e kurejshëve, si me anët e mira, ashtu edhe me anët e këqija të tyre. Ishte një tregtar shumë i sjellshëm, që tregohej përherë i drejtë dhe i vërtetë. Duke qenë se ishte një njeri shumë i ditur dhe ishte shumë i këndshëm në muhabet, shumë prej pjesëtarëve të fisit të tij vinin dhe ia dëgjonin fjalën. Edhe ai, të gjithë ata që i besonin, e respektonin, i mbante përherë pranë vetes dhe i ftonte që t’i besonin Allahut dhe fesë së Tij, Islamit. Me sa di unë, me udhëzimet dhe këshillat e tij kanë hyrë në Islam shumë sahabë të njohur, si Zubejr bin Auami, Osman bin Afani, Talha bin Ubejdullahu, Sad bin Ebi Uekasi, Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhum). Të gjithë këta patën shkuar me Ebu Bekrin te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Aty ai u mësoi atyre Islamin, u lexoi Kur’an, si dhe u dëshmoi se feja e Islamit ishte feja e vërtetë e së drejtës dhe e së vërtetës. Dhe ata e besuan. Këta ishin burrat e parë që e pranuan Islamin dhe ishin po këto personalitete që e aprovuan menjëherë profetësinë e të Dërguarit të Allahut dhe u besuan të gjitha ajeteve që ai u kishte sjellë nga lartësitë hyjnore të Allahut të Madhërishëm.”
Musab bin Umejri fton në Islam Usejd bin Hudajrin
Ibni Is’haku tregon: “Es’ad bin Zurare, bashkë me Musab bin Umejrin iu vunë rrugës për të shkuar në trevat e bijve të Abdulesh’helit dhe Dhafrit. Sad bin Muadhi ishte kushëriri i Es’ad bin Zurares. Ata u ulën të pushonin diku aty afër pusit të Merakut, në kopshtet me hurma të bijve të Dhafrit. Rreth tyre u mblodhën edhe disa burra që e kishin pranuar rishtazi Islamin. Në ato kohë Sad bin Muadhi dhe Usejd bin Hudajri ishin nga liderët e Abdulesh’helit. Njëkohësisht, asnjë prej të dyve nuk ishte bërë ende mysliman. Kur dëgjuan se kishin ardhur Musabi me Es’adin, Sad bin Muadhi i tha Usejdit:
“Për kokë të babait! Shko njëherë tek ata njerëz që kanë ardhur këtu të mashtrojnë njerëzit e paditur, përzëri dhe thuaju që të mos vënë më këmbë këtu. Po të mos e kisha kushëri atë Es’adin, nuk të dërgoja ty, por do të kisha shkuar vetë. E kam djalë tezeje; nuk është mirë që të shkoj e ta përzë unë.”
Pas kësaj, Usejd bin Hudejri mori heshtën dhe u nis drejt tyre. Es’ad bin Zurareja, kur pa se kishte ardhur Usejdi, i tha Musabit:
“Shikoje njëherë këtë që po vjen, ky është i pari i fisit tënd dhe me sa duket për ty është duke ardhur.” Musabi iu përgjigj:
-“Nëse ulet, do t’i flas.”
Usejdi u afrua duke u thënë atyre gjithfarë fjalësh fyese dhe kur arriti mbi kryet e tyre, u tha:
“Pse keni ardhur këtu tek ne? Që të gjeni njerëz të paditur dhe t’i mashtroni? Ikni menjëherë që këtu, nëse e doni ende jetën dhe doni të vazhdoni të jetoni.”
“Pse nuk ulesh më mirë, të na dëgjosh njëherë? Nëse të pëlqejnë ato që do të të themi, mund t’i pranosh, nëse nuk të pëlqejnë, atëherë ti mund të zgjedhësh e të na qëndrosh larg. Hë si thua?”, - i foli Musabi.
“Mirë fole!”, – tha Usejdi dhe sakaq e nguli heshtën në tokë dhe u ul pranë tyre.
Musabi i foli atij për Islamin, madje duke i lexuar edhe disa pjesë nga Kur’ani. Transmetohet se Musabi me shokun e tij i thanë kështu: “Uallahi, ende pa folur fare, nga shkëlqimi dhe drita e fytyrës së Usejdit, ne e kuptuam se ai do të pranonte Islamin dhe do të bëhej mysliman.” Mandej, Usejdi tha kështu:
“Ç’fjalë të bukura janë këto që po thoni, shumë tërheqëse! Çfarë bëtë ju, kur deshët të pranonit Islamin?”
“Duhet të lahesh, të marrësh gusul dhe të pastrohesh mirë. T’i pastrosh teshat që ke mbi trup, të thuash fjalën e dëshmisë dhe të falësh namazin.”
Kështu, ai u çua, mori gusl, pastroi teshat e bardha dhe tha fjalën e dëshmisë. Pastaj fali dy rekate namaz. Menjëherë pas tyre tha:
“Shikoni, pas meje është edhe dikush tjetër. Nëse edhe ai i pranon fjalët tuaja, atëherë nuk ka njeri nga fisi i tij që të mos ia dëgjojë fjalën dhe nuk do ta ndiqte pas në çfarëdo rrethanë. Po e nis menjëherë për te ju. Ai është Sad bin Muadhi.”
Musab bin Umejri fton Sad bin Muadhin në Islam
Mandej, Usejdi mori heshtën që e kishte ngulur në dhe e u kthye për te njerëzit e tij. Ata ishin mbledhur dhe po rrinin të ulur në dhomën e kuvendit. Kur pa Usejdin që po vinte nga përtej, Sad bin Muadhi u tha të tjerëve që ishin aty:
“Uallahi, fytyra e Usejdit se si më duket, ka ndryshuar, nuk ngjan më i njëjti njeri me atë që iku!”
Kur Usejdi erdhi në dhomën e kuvendit, Sadi e priti me fjalët:
“Çfarë bëre?”
“Fola me ata të dy. Të them të vërtetën, nuk m’u dukën njerëz edhe aq të rrezikshëm. U thashë: ‘Mos qëndroni shumë këtej vërdallë!’ Dhe ata m’u përgjigjën duke më thënë: ‘Në rregull’. Me ç’kam dëgjuar, bijtë e Harithes janë nisur për të gjetur Es’ad bin Zuraren, pasi duan ta vrasin dhe qëllimin kryesor kanë që të të vënë ty në një pozitë sa më të vështirë, duke e vrarë në tokat e tua, sepse e ditkan që Es’adi është kushëriri yt.”, – tha Usejdi.
Sad bin Muadhi, kur dëgjoi këtë lajm, i nervozuar dhe njëkohësisht i shqetësuar, u ngrit nga vendi ku ishte ulur me vërtik, mori në dorë heshtën dhe tha:
“Zaten kush ka parë ndonjëherë që ti të kesh bërë ndonjë punë nga fillimi deri në fund deri më sot!” E sakaq u nis vetë për tek ata dy sahabë.
Sad bin Muadhi, kur i pa ata, ashtu, fare të pashqetësuar, në rehatinë e tyre, e kuptoi se Usejdi e kish mashtruar, që të sigurohej se ai do të shkonte atje dhe do t’ua dëgjonte ato që kishin për të thënë. I shau sa i shau, kur iu afrua dhe duke u kthyer nga Es’ad bin Zurareja, iu hakërrye:
“Shiko këtu, o Eba Umame! Po të mos kishim lidhje gjaku me njëri-tjetrin, nuk do të ma kishe kërkuar diçka të tillë. Çfarë ke ndërmend të bësh, edhe në shtëpinë time do që të më turpërosh?” Es’adi e dëgjoi njëherë dhe i tha Musabit duke pëshpëritur:
“Shiko, Musab, uallahi ky njeri që ka ardhur sot tek ti është i pari i tërë këtij fisi. Nëse u bindet fjalëve që ti ke për t’i thënë, atëherë nga fisi i tij nuk do të mbetet asnjë që nuk do ta ndjekë nga pas!”
“A mund të ulesh të na dëgjosh pak? Nëse të pëlqen e do të të interesojë ajo që duam të të tregojmë, mund ta pranosh, nëse nuk të pëlqen, atëherë ne do të largohemi vetë!”
“Nuk fole keq.”, – iu përgjigj edhe Sadi dhe sakaq e nguli edhe ai heshtën në tokë, njëlloj siç kishte bërë Usejdi pak më parë, dhe u ul.
Musabi i foli atij për Islamin. Pastaj i lexoi atij ajetet e para të sures “Zuhruf”:
“Bismil’lahi’r-Rahmani’r-Rahim. Ha. Mim. Betohem në Librin e qartë, që shpjegon të vërtetën. Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kur’anin në gjuhën arabe, që ju të mund të mendoheni e të kuptoni, e Ai është te ne, në Librin kryesor (Leuhi Mahfudh), i lartësuar dhe plot urtësi. A ta tërheqim Përkujtimin (Kur’anin) prej jush ngaqë jeni popull i shfrenuar?” (Zuhruf, 43/1-5)
Sahabët e përmendur edhe më lart kanë thënë se, “Uallahi edhe nga shkëlqimi dhe ndriçimi që buronte prej fytyrës së Sadit e kuptuam se ai do ta pranonte Islamin, duke u bërë mysliman.”
Sad bin Muadhi i pyeti ata: “Çfarë keni bërë ju për t’u bërë myslimanë? Si e keni pranuar fenë islame?”
“Duhet të marrësh gusul, që të pastrohesh nga çdo papastërti; të pastrosh rrobat e brendshme dhe teshat që ke veshur sipër, të thuash fjalën e dëshmisë dhe, në fund, të falësh dy rekate namaz.”
Ai u ngrit, iku dhe mori gusul të tërë trupit, pastroi mirë e mirë të gjitha teshat që kishte veshur mbi trup dhe fali dy rekate namaz. Pastaj, mori heshtën dhe bashkë me Usejd bin Hudejrin u kthyen për në dhomën e kuvendit.
Sad bin Muadhi fton në Islam bijtë e Abdulesh’helit
Njerëzit e tij e panë Sadin tek po vinte nga përtej dhe filluan të flisnin me njëri-tjetrin: “Uallahi po vjen Sadi dhe seç ka një çehre tjetër!” Sadi erdhi pranë tyre dhe u tha: “O ju bijtë e Abdulesh’helit! Për ç’njeri më njihni ju mua?”
“Ti je zotëria ynë, që ke mendimet më të vyera dhe nga të gjithë
ne ti je më i fuqishmi!”, – i thanë ata.
“Mirë, meqë ju mendoni kështu për mua, atëherë ta dini se unë e kam të ndaluar të flas me burrat dhe gratë tuaja, derisa ju t’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij! E kam vendosur dhe nuk do t’i flas asnjërit prej jush!”, – foli Sadi.
Pasi tha këto fjalë, atë ditë, ende pa ardhur mirë muzgu, në fisin e bijve të Abdulesh’helit nuk mbeti më asnjë burrë e asnjë grua pa u bërë mysliman. Es’adi me Musabin shkuan në shtëpinë e Sad bin Muadhit. Musabi qëndroi aty, për t’u mësuar njerëzve mësimet e Islamit. Kjo qe një ftesë aq e vyer dhe e begatë, saqë, pos familjes së Umeje bin Zejdit, Hatmes, Uailit dhe Uakëfit, nga fisi i Eusit nuk mbeti asnjë familje pa u bërë të gjithë myslimanë.”
Ftesa dhe pranimi i Islamit nga Umejr bin Uehbi (r.a.)
Uruete bin Zubejri ka thënë kështu: “Pas disfatës në Bedër, Umejr bin Uehb el-Xhumehiu dhe Safuan bin Umejeja u vendosën në Hixhr të Mekës. Umejr bin Uehbi ishte një prej idhujtarëve më të paepur të Kurejshëve dhe nuk kishte njeri tjetër që t’u kishte shkaktuar më shumë vuajtje të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe sahabëve të tij më shumë sesa ai. Sa ishte në Mekë, myslimanët patën parë shumë të këqija prej tij. Një prej atyre që ishin marrë peng gjatë Bedrit, ishte edhe i biri i tij, Uehb bin Umejri. Umejri foli për (As’habi Kalib) sahabët e Profetit Muhamed që i kishin vrarë në Bedër dhe i patën hedhur të gjithë në një gropë. Safuani i tha:
“Për faj të tyre jetës nuk i mbeti më pikë lezeti.”
“Ke të drejtë. Për Zotin, po të mos kisha frikë se do të vuanim shumë familjarisht, pasi të paguaja borxhin që më duhet të paguaj, do të shkoja te Muhamedi dhe do ta kisha vrarë, sepse edhe arsyen e kam: më kanë marrë djalin peng.”, – ia pat Umejri.
Safuan bin Umejeja, duke përfituar nga këto fjalë:
“Po mirë, do të ta paguaj unë të gjithë borxhin. Edhe fëmijët e familja le të rrinë të gjithë bashkë me familjen time. Për sa të kenë jetë do t’i ndihmoj unë, nuk do të lejoj që t’u mungojë asgjë.” - “Në rregull, e pranoj!”, – u përgjigj Umejri.
Mandej Umejri i urdhëroi të tijtë t’i mprihnin shpatën dhe t’ia lyenin atë me një helm shumë të fortë. Pa humbur kohë u nis për rrugë dhe shkoi në Medinë. Në atë kohë Omer bin Hatabi kishte mbledhur disa myslimanë dhe po u fliste atyre për Luftën e Bedrit, si dhe për mirësitë dhe ndihmën që kish dhënë Allahu atë ditë, çka i kishte bërë armiqtë e Allahut të pësonin një disfatë të tmerrshme. Omeri i nderuar e dalloi ardhjen e Umejr bin Uehbit. Umejri pati lënë devenë në hyrje të faltores dhe po priste me shpatën në mill. Atëherë Omeri tha me vete: “Ky Umejri është një qen, është armik i Allahut; me siguri, kushedi se ç’të keqe ka kurdisur në mendje dhe ka ardhur deri këtu. Ky është ai që donte të fuste ngatërresa mes nesh gjatë luftës, duke përhapur hamendësime rreth numrit se sa vetë ishim ne gjithsej.” Kësisoj, shkoi pranë Profetit tonë.
“O Profeti i Allahut! Ka ardhur ky armiku i Allahut, Umejri, është i armatosur me shpatë dhe ka ardhur deri te porta, po pret!” - “Ma sill këtu atë, o Omer!”, – i tha i Dërguari i Allahut.
Omeri u kthye dhe e kapi Umejrin nga kaishi i shpatës, të cilën e kishte lidhur rreth shpatullës dhe filloi ta tërhiqte me shpinë. Ndërsa ensarëve që ishin pranë u tha:
“Ejani pranë të Dërguarit të Allahut dhe uluni pranë tij. Ta kini kujdes këtë njeri, sepse nuk është i besueshëm.”
Kështu e futi Umejrin brenda. Profeti ynë, kur e pa Umejrin në atë gjendje, tha:
“O Omer, lëshoje atë! Ndërsa ti, Umejr, afrohu!”
Umejri u afrua dhe e përshëndeti të Dërguarin e Allahut, duke i thënë: “Mirëmëngjes!”
“O Umejr, Allahu na ka nderuar duke na përshëndetur me një përshëndetje që është më e mirë se përshëndetja jote, me përshëndetjen e Allahut, me atë përshëndetje që banorët e Xhenetit përshëndetin njëri-tjetrin!”
“Uallahi, o Muhamed, unë tani po e dëgjoj për herë të parë këtë përshëndetje.”
“O Umejr, pse ke ardhur?”, – e pyeti Profeti ynë.
“Kam ardhur për djalin, që ma keni marrë peng; t’ju kërkoj që të silleni mirë me të!”
“Po, atëherë, ç’e ke atë shpatë që ke lidhur pas shpine?”
“Zoti i mallkoftë këto shpata, nuk na shërbyen për asgjë.”, – mallkoi ai.
“Thuamë të vërtetën, përse ke ardhur?”, – e pyeti sërish i Dërguari i Allahut.
“Për asgjë tjetër nuk kam ardhur, siç ju thashë kam ardhur për djalin!” – u përgjigj sërish Umejri, por Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha:
“Nuk është e vërtetë! Ju po rrinit ulur bashkë me Safuan bin Umejen në Hixhr dhe po flisnit rreth parisë suaj, të cilën e humbët në Bedër. Pastaj, ti i the Safuanit: ‘Të mos kisha borxhet dhe të mos isha i shqetësuar për familjen, do ta kisha vrarë Muhamedin.’ Ndërsa Safuani të tha se, me kusht që të më vrisje mua, ai do të t’i paguante të gjitha borxhet dhe do të merrte përsipër çdo përkujdesje që do t’i nevojitej familjes sate. Mirëpo Allahu hyri në mesin tuaj dhe nuk ta dha mundësinë që ti t’ia arrije qëllimit!” Umejri, kur i dëgjoi ato fjalë, tha:
“Unë dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut! O Resulallah! Ne të kemi përgënjeshtruar, duke i mohuar të gjitha lajmet që ti na i sillje prej qiejve dhe të gjitha ajetet që ty t’i ka zbritur Zoti. E vërtetë, ne ishim duke folur me Safuanin rreth kësaj çështjeje, e përveç nesh aty nuk ishte asnjë njeri tjetër. Tani jam më se i sigurt, se të gjitha këto lajme ty të vijnë prej Allahut. E lëvdoj me zemër Allahun që më udhëzoi në rrugën e drejtë dhe që më përfshiu në mesin e atyre që kanë zgjedhur të drejtën e të vërtetën!”, – duke pranuar, se kësisoj edhe ai u bë mysliman.
Profeti ynë i tha:
“Mësojani mirë fenë vëllait tuaj, mësojini Kur’anin dhe lëreni të lirë robin që kemi zënë peng nga familja e tij.” Sahabët u vunë menjëherë në lëvizje, që të bënin ashtu siç u kërkoi Profeti i tyre. Atëherë Umejri tha:
“O Resulallah, unë jam përpjekur aq shumë për ta shuar dritën e Allahut. Sa e sa herë, i kam torturuar të gjithë ata që ishin të lidhur fort pas fesë së Allahut. Më lejoni, të shkoj në Mekë dhe unë t’i ftoj të gjithë mekasit që të pranojnë dhe t’i besojnë edhe ata Allahut, të Dërguarit të Tij dhe fesë islame. Ku i dihet, mbase Allahu u jep edhe atyre mundësinë e udhëzimit. Nëse nuk pranojnë, atëherë, ashtu siç kam bërë me sahabët e tu, do t’i bëj edhe ata që të heqin keq prej meje.”
Profeti ynë i dha leje Umejrit dhe kështu Umejri u kthye në Mekë.
Qëkurse Umejr bin Uehbi kishte shkuar tek i Dërguari i Allahut, për ta vrarë, Safuan bin Umejeja u pati thënë tërë mekasve:
“Së shpejti kam për t’ju dhënë një sihariq aq të madh, sa që do ta harroni fare atë ç’ndodhi në Bedër!” Prandaj, ai u dilte para të gjithë karvanëve që u shkonte udha andejpari, nëse e kishin hasur Umejr bin Uehbin gjëkundi. Derisa, një ditë, erdhi dikush, i cili i tha se Umejri ishte bërë mysliman dhe Safuani, një t’i dëgjuar këto fjalë, vendosi që nuk do t’i fliste më kurrë, sa të kishte jetë, e të mos e ndihmonte asnjëherë për asgjë dhe atë ditë e kaloi të gjithën duke pirë.”
Urue bin Zubejri tregon: “Kur Umejri u bë mysliman, të gjithë besimtarët u gëzuan jashtë mase. Madje Omeri (radijallahu anhu) tha kështu: “Kur erdhi rishtazi, edhe derri më dukej më i dashur se ai. Mirëpo tani e dua më shumë edhe se disa prej fëmijëve të mi!”
Uakidiu përcjell: “Pasi u bë mysliman, Umejr bin Uehbi u kthye menjëherë në Mekë dhe gjëja e parë që bëri, shkoi pranë familjes së vet. Te Safuan bin Umejeja nuk shkoi fare. U sqaroi atyre se ishte bërë mysliman dhe u bëri të gjithëve thirrje që të pranonin fenë islame.” Safuani, kur i dëgjoi këto, tha:
“Këtë unë e pata kuptuar që kur e pashë që shkoi fillimisht në shtëpi, pa u kthyer njëherë tek unë. Ra edhe ai pre e së keqes, braktisi fenë e të parëve. Nuk kam për t’i folur më dhe asnjërin nga fëmijët nuk kam për t’ia ndihmuar.”
Gjatë kohës që Safuani qëndronte në Hixhr, Umejri i shkoi pranë dhe i thirri. Safuani ktheu fytyrën në anën tjetër, për t’i bërë të ditur se nuk donte ta dëgjonte. Atëherë Umejri i tha:
“Ti, një prej njerëzve më të nderuar ndër ne! Adhuronim gurët dhe për ta thernim kurbane. Pa më thuaj, fe është kjo, të therësh kurbane për gurët? Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, që meriton të adhurohet. Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.” Safuani nuk nxori nga goja qoftë edhe një fjalë të vetme.
Ebu Hurejreja (r.a.) u bën thirrje nënës dhe babait të tij, që të pranojnë Islamin
Ja çfarë ka thënë Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Unë kisha kohë që e ftoja nënën, e cila ishte idhujtare, që të pranonte Islamin dhe të bëhej myslimane. Një ditë, kur dola sërish i humbur nga një diskutim i gjatë me të, ajo më tha disa gjëra aspak të këndshme për Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Duke qarë shkova tek i Dërguari i Allahut dhe i thashë:
“O i Dërguari i Allahut, i kam bërë vazhdimisht thirrje nënës sime, që të pranojë Islamin, e të bëhet myslimane, mirëpo nuk pranon. E provova edhe sot. Mirëpo, ajo më tha ca gjëra për ty që nuk më pëlqyen fare. Lutju Allahut, që ta udhëzojë edhe nënën time.”
“O Zot! Udhëzoje në rrugën e së drejtës dhe të së vërtetës nënën e Ebu Hurejres!”, – u lut i Dërguari i Allahut.
Unë dola jashtë i kapluar nga një gëzim i papërshkrueshëm. Kur shkova në shtëpi dhe iu afrova portës, pashë që ishte e mbyllur. Nëna kishte dëgjuar zhurmën e hapave të mi.
“Prit, Ebu Hurejre.”, – më tha.
Dëgjova që nga brenda vinte një zhurmë uji që rridhte. Pastaj pashë që nëna kishte veshur rroba të pastra, kishte mbuluar kokën, kur më hapi derën dhe më tha:
“Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut që meriton të adhurohet. Unë dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Unë u ktheva menjëherë dhe shkova drejt e te Profeti ynë, për ta njoftuar për gjithë çfarë më kishte ndodhur me nënën. Aty ai lëvdoi
Allahun dhe tha: “Qoftë e hairit!”
Umu Sulejmi fton në Islam Ebu Talhanë, i cili donte të martohej me të
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Ende pa u bërë mysliman, Ebu Talhaja i pati kërkuar nënës sime, Umu Sulejmit, që të martohej me të. Mirëpo, Ummu Sulejmi i tha:
“O Ebu Talha, po ti, a nuk e di se të gjithë zotat, të cilëve ti u beson, janë të bërë prej baltës?” - “Po, e di!”, – iu përgjigj ai.
“Po mirë, po që adhuron pemët, a nuk të vjen turp? Po u bëre mysliman, atëherë ta dish, se unë nuk do të të kërkoj asgjë tjetër si kusht të bashkëshortësisë.”
“Më duhet të mendohem për këtë.”, – tha Ebu Talhaja. Pastaj erdhi dhe tha:
“Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër, veç Allahut dhe se Muhamedi është profeti i Tij.”, – duke u bërë sa ora mysliman.
Veç kësaj, Umu Sulejmi më tha mua: “Enes, ndihmoje Talhanë në punët e martesës.” Dhe unë e ndihmova për gjithçka që i nevojitej.
24. SAHABËT U BËJNË THIRRJE FISEVE ARABE QË TË PRANOJNË ISLAMIN
Dimam bin Thalebe fton fisin e bijve të Sadit, që të pranojnë Islamin
Ibni Abasi (radijallahu anhu) ka përcjellë se: “Fisi i familjes së Sad bin Bekrit, pati dërguar si përfaqësues Dimam bin Thalebe te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Dimami erdhi në Medinë, uli devenë pranë portës së faltores dhe e lidhi. Pastaj hyri brenda në faltore. I Dërguari ishte ulur dhe po bisedonte me një hallkë prej sahabëve të tij. Dimami kishte një trup të mbushur, flokët i kish të dendur dhe i kishte ndarë në formë gërsheti, në të dyja anët. Bëri disa hapa përpara dhe kur qëndroi para të Dërguarit të Allahut, tha: - “Kush është nipi i Abdulmutalibit?” - Resulallahu iu përgjigj:
“Unë jam i nipi i Abdulmutalibit.”
“Shiko, o nipi i Abdulmuttalibit, kam ardhur të të pyes hakçehakçe disa pyetje, po mos të të vijë keq!
“Nuk do të ndihem i fyer, po më pyet ç’të të vijë nëpër mendje!”, – iu përgjigj i Dërguari Fisnik.
“Thuamë, për hir të Allahut, që pruri të gjithë ata që kanë ardhur përpara teje, e që do të vazhdojë të sjellë edhe gjithë të tjerët që do të vijnë pas teje, a të ka dërguar ty Allahu si profet, që ti të na udhëzosh ne në rrugën e së drejtës dhe të së vërtetës?”
“Po, Allahu më ka dërguar!”, – tha i Dërguari i Allahut.
“Po mirë, më thuaj, për hir të Allahut, që pruri të gjithë ata që kanë ardhur përpara teje, e që do të vazhdojë të sjellë edhe gjithë të tjerët që do të vijnë pas teje, Allahu të ka thënë ty, që të na thuash se nuk duhet të adhurojmë askënd tjetër, pos Atij, që të mos konsiderojmë askënd tjetër si ortak të Tij në krijimin e gjithësisë, si dhe që t’i hedhim poshtë të gjithë këta idhuj që ne adhurojmë edhe sot e kësaj dite?” - “Po, Allahu!”, – qe edhe kësaj radhe përgjigjja e tij.
“Ai që është Zoti yt, i të gjithë atyre që kanë ardhur përpara teje dhe i gjithë atyre që kanë për të ardhur pas teje, të ka urdhëruar se duhet të falim pesë kohë të namazit?”
“Allahu më ka urdhëruar! Po, Allahu më ka urdhëruar!”, – tha Profeti ynë.
Ibni Abasi thotë: Dimami, kur dëgjoi këto përgjigje, e pyeti Profetin tonë edhe për të gjitha farzet e tjera të Islamit, për zekatin, agjërimin dhe haxhin, një e nga një, duke i drejtuar atij pyetje edhe për shtyllat dhe kushtet e tjera të Islamit dhe për të gjitha pyetjet që bënte, betohej njëherë me emrin e Allahut. Kur i përfundoi pyetjet, tha:
“Esh’hedu en la ilahe il’lallah ue esh’hedu enne Muhammeden abduhu ue Resuluh, - duke shtuar, - unë do t’i kryej të gjitha këto farze që ju më thatë dhe do t’u shmangem të gjitha ndalesave që Zoti na ka vënë, e nuk do të bëj asgjë më shumë e asgjë më pak. I Dërguari i Allahut tha:
“Nëse ky burrë me dy gërsheta e mban fjalën, ai do të hyjë në Xhenet.”
Dimami shkoi te deveja, i zgjidhi litarin dhe u largua nga Medina. Kur mbërriti pranë njerëzve të tij, të gjithë u mblodhën njëherazi përreth tij. Kjo ishte fjala e parë që u tha atyre:
“Ç’zota të këqinj që qenkan Lati dhe Uzza!”
“Mbylle gojën, o Dimam! Do të goditesh, do të të godasë ndonjë shpirt, e mund të çmendesh! Ç’i ke këto fjalë që po nxjerr nga goja?”, – filluan t’i flisnin ata.
“Turp t’ju vijë juve! Për Zotin, ata idhuj as nuk ju bëjnë dot keq, as nuk ju vijnë dot në ndihmë. Allahu i Madhërishëm ka dërguar një profet, të cilit i ka zbritur edhe një libër, dhe ai do të na nxjerrë nga errësira në të cilën jemi zhytur. Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, që nuk ka shok e ortak në krijimin e gjithësisë dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Kam ardhur që t’ju bëj të ditura urdhëresat dhe ndalesat që Zoti na ka parashtruar.”
Transmetuesi i hadithit thotë se: “Ju betohem në Allahun e Madhërishëm, se ende pa rënë muzgu i asaj dite, në fisin e Dimamit nuk mbeti asnjë burrë dhe asnjë grua pa u bërë të gjithë myslimanë. Ata ndërtuan edhe një faltore dhe filluan ta thërrisnin vetë ezanin, për të kryer faljen e namazit.”
Ftesa që iu bë Amr bin Murre el-Xhuheniut për të pranuar Islamin dhe si u bë ai mysliman
Amr bin Murre el-Xhuheniu (radijallahu anhu) tregon: “Në kohën e injorancës, bashkë me një grup njerëzish nga fisi ynë, u nisëm për të kryer haxhin. Kur ishim në Mekë, pashë në ëndërr sikur prej Qabes po përhapej një nur që i bënte të shndritnin, si malin e Jethribit, ashtu edhe malin Es’ar të fisit Xhuhejne. Nga mesi i tërë asaj drite dëgjova një zë teksa ngrihej: “Errësira u zhbë dhe gjithandej është përhapur drita; u dërgua i fundmi i profetëve.” Pastaj pjesën përpara meje e ndriçoi një tjetër dritë. Pashë shtëpitë e bukura të qytetit të Ta Hires dhe vilat e bukura të bardha të Medainit. Dhe nga brendësia e kësaj drite më erdhi një zë, i cili më thoshte: “Është shpallur Islami, u thyen të gjithë idhujt dhe u bënë edhe njëherë më të forta lidhjet familjare!” Më doli gjumi menjëherë dhe brenda vetes ndihesha i frikësuar. U thashë shokëve:
“Uallahi, shumë shpejt, në mesin e kurejshëve ka për të ndodhur diçka shumë e madhe!”, – duke u treguar atyre edhe ëndrrën që kisha parë.”
Kur mbërritëm në qytezën tonë, na erdhi lajmi se ishte dërguar një profet me emrin “Ahmed”. Dola menjëherë për rrugë. Shkova pranë të Dërguarit të Allahut dhe i tregova ëndrrën që kisha parë. Ai më tha:
“O Amr bin Murre, unë jam një profet i dërguar për mbarë robt e Allahut! Kam ardhur t’i ftoj ata në Islam, si dhe t’i këshilloj, që ata të kujdesen për veten e të ruajnë jetën, të mos i ndërpresin marrëdhëniet me familjen dhe të afërmit e tyre, të mos adhurojnë vetëm se Allahun, të braktisin çdo idhull, të kryejnë haxhin në Qabe dhe të agjëronte përgjatë plot një muaji nga dymbëdhjetë muaj që ka viti, në Ramazan. Ai që e pranon ftesën time, do të fitojë Xhenetin dhe kush e mohon, duke e kërkuar shpëtimin në tjetër anë, do të digjet në zjarrin e Xhehenemit! Andaj, o Amr, beso, që Allahu të të ruajë prej vuajtjeve të Xhehenemit!”
“Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, që meriton të adhurohet dhe nuk kam dyshim se ti je i Dërguari i Allahut. U kam besuar të gjitha gjërave që Ai i ka lejuar, ashtu si edhe të gjitha ndalesave që Ai na ka vendosur.”, – shpalli besimin e tij Amri. Në atë kohë i thashë edhe vargjet që pata thurur kur dëgjova se kishte ardhur një profet.
“Kishim një idhull, që shërbente si shërbyes i babait tim. Kur dëgjova emrin e Profetit, e mora idhullin dhe e theva. Mandej, iu bashkova karvanit të të Dërguarit të Allahut, duke recituar këto vargje:
“Allahun e Drejtë e dëshmova, e idhujt prej guri, poshtë, i pari unë i hodha përvesha mirë mëngët për rrugë
që pengesë a ndalesë a lartësi në udhën e më të mbarit ndër njerëz, pengesë të mos kisha që prej të parëve shokë të tij unë të isha.
Që përtej qiejsh, Lajmëtar i Zotërisë së njerëzimit na erdhi!”
Pasi e dëgjoi, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha:
“Mirë se erdhe, o Amr!”
“T’u bëfshin kurban nënë e babë! Më dërgo te familja ime. Kam shpresë, se ashtu siç Zoti më fali mua mirësinë për t’u njohur me ty, do të më nderojë edhe me mirësinë që të bëhen edhe ata myslimanë.”, – i thashë unë, në atë kohë, të Dërguarit të Allahut.
Në fund, më dërgoi dhe, para se të nisesha, më paralajmëroi: - “Të jesh sa më i butë! Thuaj vetëm të vërtetën dhe mos u trego i ashpër, t’i shmangesh mendjemadhësisë dhe t’i qëndrosh larg smirës!” Erdha pranë familjes sime dhe u thashë:
“O bijtë e Rifait! Jo, jo! O bashkësi e Xhuhejnes! Këtë herë unë kam ardhur tek ju si mëkëmbës i të Dërguarit të Allahut, që t’ju ftoj të pranoni fenë islame e të bëheni myslimanë. Unë ju urdhëroj të mos derdhni gjak, t’i mbani sa më të forta lidhjet me familjen, të adhuroni Allahun, që është Një dhe i Vetëm, t’i braktisni idhujt, të vizitoni Qaben dhe të agjëroni përgjatë gjithë muajit të Ramazanit. Kush pranon, vendin do ta ketë në Xhenet, ndërsa ata që kundërshtojnë i pret zjarri!
O njerëz të Xhuhejnes, Allahu ju ka shpallur ju si më të zgjedhurit në mesin e arabëve, ku edhe bëni pjesë. Ai ju bëri, që shumë gjëra që pjesës tjetër të arabëve u dukeshin si të këndshme, juve t’ju dukeshin të shëmtuara. Ata, për shembull, i martonin edhe dy motra me të njëjtin burrë, luftonin gjatë muajit të ndaluar dhe martoheshin me njerkat e tyre. Kurse ju nuk jeni si ata. Me pak fjalë, ejani ta ndjekim këtë profet që ka ardhur nga mesi i familjes së Luej bin Galibit dhe nga kjo botë të fitojmë mirësitë më të arrira të amshimit.”
Pas kësaj fjale, syresh vetëm njëri erdhi tek unë dhe më tha:
“Zoti të vraftë, o Amr bin Murre! Si guxon të na urdhërosh të braktisim zotat tanë, të përçahemi dhe t’i kthejmë shpinën asaj feje të lartësuar që na e kanë lënë trashëgim të parët tanë? Si guxon të na thërresësh ne të të ndjekim për atje ku na thërrasin ata kurejshë? Ti je i pacipë dhe i pa dinjitet!”
Pastaj, ai njeri i urryer i lexoi këto vargje: - “Fjalë që tha Amri, i biri i Murres që njeri me mend në kokë jo s’i thotë e di, çdo fjalë që tha e që mendon një ditë si e keqe do e pushton, se gjithë të parët tanë të çmendur i numëron. Se jo, atë që të parët e vet shan, asgjë s’e shëron!” Amri tregon: “Edhe unë i thashë atij:
“Kush gënjen prej nesh, atij Allahu t’ia bëjë jetën helm, t’ia marrë gjuhën, e dritën e syve t’ia shuajë!”
Uallahi, ende pa vdekur, atij njeriu goja iu shtrembërua, sytë iu verbuan dhe nuk kishte mundësi të shijonte dot asnjë prej ushqimeve që i shtroheshin për të ngrënë.
Transmetuesi thotë: “Amri, bashkë me ata që u bënë myslimanë prej familjes së tij, u nisën dhe shkuan pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). I Dërguari i Allahut i përshëndeti, duke u thënë:
“Mirë se erdhët!” U shkroi këtë letër dhe ua dha:
“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Kjo është një letër e Profetit të Allahut, i cili ia dërgon fisit të bijve të Zejdit përmes Amr bin Murres. Të gjitha tokat, malet dhe kullotat, deri edhe thellësitë e luginës, të cilat i përdorni për të kullotur gjedhët, si dhe ujin që e përdorni për të pirë, jua kam lënë juve, me kushtin që të jepni një të pestën e asaj që përftoni dhe të falni të pesë kohët e namazit. Kur kopetë e deleve dhe lopëve janë të bashkuara, si taksë do të jepen nga dy dele, ndërsa, kur janë të ndara, vetëm nga një. Ndërsa, për kafshët e rrugës dhe ato që ju i përdorni për të mbartur ujin nga puset nuk ka taksë. Allahu dhe myslimanët që janë këtu të pranishëm janë dëshmitarë të kësaj marrëveshjeje mes meje dhe jush.”
Kur ftohet në Islam fisi i Tufejl bin Amr ed-Deusit
Muhamed bin Is’haku tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), megjithëse kishte hequr shumë keq e shumë vuajtje nga njerëzit e tij, ai, prapëseprapë, sillej mirë me ta, i ndihmonte, pa reshtur kurrë së ftuari drejt shpëtimit të madh. Kur Allahu e lartësoi atë mbi mbarë kurejshët, kësaj here ata nisën të kërcënonin çdo arab, madje mbarë popullsinë, se nuk do t’ua falnin kurrë, nëse ata i përgjigjeshin ftesës së tij për të pranuar Islamin. Siç na e përcjell Tufejl bin Amr ed-Deusi, kur i Dërguari i Allahut ishte ende në Mekë, atje shkonte edhe Tufejli. Ky ishte një njeri shumë i respektuar, i zgjuar dhe, për më tepër, një ndër poetët më të dashur për popullin. Kur mbërriti në Mekë, tek ai u mblodhën menjëherë disa kurejshë, për t’i thënë:
“O Tufejl, ti je një i huaj i sapoardhur në qytezën tonë. Nga radhët tona ka dalë një njeri, i cili na i ka ngatërruar të gjitha punët, e ka përçarë shoqërinë në dy fronte dhe fjalët i ka si magji! Ndan birin nga i ati, vëllezërit me njëri-tjetrin, madje edhe burrin nga gruaja. Kemi frikë se ato që na kanë ndodhur ne, do të të ngjasin edhe ty, kështu që bëj ç’të bësh dhe ruaju që të mos flasësh fare me të, e mos prano që ta dëgjosh, po të kërkoi të flasë me ty!”
Tufejli thotë: “Aq shumë këmbëngulën, saqë me vete vendosa: ‘Nuk do ta dëgjoj atë njeri, madje nuk do të flas fare me të. Aq sa, kur shkova në Xhaminë e Shenjtë, i mbusha veshët me pambuk, që të mos dëgjoja asgjë nga ato që do të thuheshin. Kur, sa hap e mbyll sytë veten e gjeta në Qabe. Pashë njëherë, Profeti ishte në këmbë përpara Qabes, po falej. Qëndrova në një vend aty pranë tij. Me sa duket, sado që unë nuk doja, Allahu kishte vendosur që unë do ta dëgjoja. Fjalët që dëgjova prej tij ishin shumë të bukura. Thashë me vete: “Një njeri si unë, i zgjuar, poet, di shumë mirë si ta dallojë fjalën e bukur nga fjala e shëmtuar, që nuk ka kurrfarë peshe. Çfarë mund të më pengojë nga të dëgjuarit e fjalëve që po thotë kështu ky njeri? Nëse thotë ndonjë gjë që është e drejtë, atëherë mund ta pranoj, nëse thotë gjëra të shëmtuara e pa kuptim, atëherë, mund të largohem fare lehtë dhe aq më bën.” Kështu, vendosa të prisja derisa ai të përfundonte faljen. Më në fund, mbaroi dhe mori rrugën për të shkuar në shtëpinë e vet. E ndoqa nga pas. Kur sa do të hynte në shtëpi, iu afrova dhe i fola:
“O Muhamed, njerëzit më kanë thënë kështu e kështu për ty. Dhe aq shumë ma kallën frikën me ato që më thanë, saqë ja, edhe veshët i mbylla me pambuk, që të mos dëgjoja asnjë fjalë nga fjalët e tua. Mirëpo, me sa duket, Allahu ka dashur medoemos që unë t’i dëgjoja ato që ti po thoshe teksa faleshe, dhe ato që dëgjova ishin fjalët më të bukura që kam dëgjuar ndonjëherë. Eja, tregoma edhe mua detyrën tënde, për të cilin u ke folur edhe të tjerëve!”
I Dërguari i Allahut filloi të më shpjegonte Islamin, duke më lexuar edhe pjesë të ndryshme nga Kur’ani. Uallahi, deri atë ditë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë ndonjë fjalë më të përsosur se fjalët e Kur’anit dhe nuk kisha dëgjuar për ndonjë mision, i cili të ishte më i përkryer se misioni i tij. U bëra menjëherë mysliman, duke thënë fjalën e dëshmisë, ndërsa të Dërguarit të Allahut i thashë:
“O Resulullah, mua të gjithë më respektojnë. Më lejo të kthehem pranë njerëzve të mi dhe t’i ftoj që ta pranojnë edhe ata Islamin. Lutju Allahut për mua, që kur t’u bëj thirrje për të pranuar Islamin, Allahu të më ndihmojë me ndonjë shenjë a ndonjë ndihmë tjetër dhe ata të mos ngurrojnë, por ta pranojnë fjalën time.”
“O Zot! Fali atij një shenjë që t’i vijë në ndihmë.”, – u lut i Dërguari i Allahut.
Pastaj, unë u largova nga Meka, për të shkuar pranë njerëzve të mi. Me të mbërritur në luginën prej nga fillonte të dukej fshati ynë, mes dy syve m’u shfaq një dritë e ngjashme me flakën e kandilit. Aty iu luta Allahut:
“O Zot! Sikur ta kisha këtë dritë në një pjesë tjetër të trupit, që, kur t’u flas për Islamin, të mos mendojnë se ky është një ndëshkim për mua, ngaqë kam braktisur fenë e të parëve!”
Atëherë ai nur u zhvendos menjëherë në fundin e kamxhikut tim. Teksa njerëzit orvateshin të kuptonin se ç’ishte ashtu ajo dritë, në fundin e atij kamxhiku, unë po përpiqesha të zbrisja teposhtë luginës. Shkova pranë fisit tim. Kur zbrita për në shtëpinë time, tek unë erdhi babai, të cilin e kisha shumë të moshuar.
“Baba, përpiqu të rrish larg meje, se as unë nuk jam i yti, e as ti nuk je i imi!”, – i thashë babait tim.
“Po pse, o bir?”, – më pyeti ai.
“Unë jam bërë mysliman, sepse pranova fenë e Muhamedit.
“O bir, po edhe unë, të njëjtën fe që ke ti kam.”
Dhe, sakaq, mori gusul, veshi tesha të pastra dhe u kthye sërish tek unë. Unë i shpjegova atij Islamin dhe ai e pranoi atë menjëherë, duke u bërë sakaq mysliman. Pastaj, tek unë erdhi im shoqe. Edhe asaj i thashë të njëjtat fjalë:
“Qëndro larg prej meje, sepse ne nuk kemi më asnjë lidhje me njëri-tjetrin.”
“T’u bëfshin kurban nënë e babë, e pse kështu?”, – më pyeti ajo.
“Islami na ndau ne prej njëri-tjetrit.”
Kështu, edhe ajo pranoi, e u bë menjëherë myslimane. Kurse fisi im, ai i Deusit, nuk e pranoi edhe aq lehtë ftesën që u bëra unë. Fill pas kësaj, unë shkova sërish në Mekë, tek i Dërguari i Allahut, të cilit i thashë:
“O Resulallah! Deusët dolën më të fortë nga unë, kam ardhur të të kërkoj që t’i mallkosh ata.”
Mirëpo, ai nuk i mallkoi ata, përkundrazi u lut duke thënë:
“O Zot, udhëzoje fisin e Deusit në rrugën e së drejtës dhe të së vërtetës.”
“Shko tani, kthehu edhe njëherë pranë fisit tënd dhe ftoji ata në Islam dhe kujdesu që të sillesh me sa më shumë butësi me ta.”, – më porositi.
Dhe unë u ktheva edhe njëherë pranë fisit tim. Nuk reshtja së bëri të gjithëve thirrje që të pranonin Islamin. Ndërkaq, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte mërguar për në Medinë. Kishte bërë edhe tri luftëra, atë të Bedrit, të Uhudit dhe të Hendekut. Më vonë, në Medinë shkova edhe unë bashkë me besimtarët e shtatëdhjetë a tetëdhjetë familjeve, që ishin bërë tërësisht myslimane. Kur mbërritëm në Medinë, i Dërguari i Allahut gjendej në Hajber.”
Ndërsa në transmetimin e Ebu’l-Ferexh el-Isbahanit do të vërejmë edhe disa hollësi të tjera: “Kur Tufejli erdhi në Mekë, shumë njerëz të kurejshëve e paralajmëruan atë për Profetin dhe i kërkuan që t’i shmangej atij me sa të mundte. Megjithatë ai shkoi te Resulullahu, që t’i lexonte atij prej poezive të veta. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i recitoi atij suret “Ihlas” dhe “Muauidhetejn” (“Felek” dhe “Nas”). Tufejli e pranoi Islamin menjëherë dhe kësisoj u kthye për te fisi i tij si mysliman.
Të parin Tufejli ftoi në Islam të atin. Edhe ai u bë menjëherë mysliman, kurse nëna nuk pranoi. Ftoi fisin, por askush nuk ia pranoi atë ftesë, përveç Ebu Hurejres (radijallahu anhu). Pastaj, Tufejli erdhi sërish te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), për t’i thënë: “A ke fuqi ta kthesh përmbys gjithë tokën ku jetojnë Deusët?” I Dërguari i Allahut iu përgjigj kërkesës së tij, jo me mallkim, por duke u lutur për pjesëtarët e fisit të Deusit, Tufejli i tha:
“Po unë nuk të kërkova që të luteshe për ta!” Dhe, i Dërguari i Allahut i dha këtë përgjigje:
“Po në mesin e tyre ka shumë njerëz si ti.”
Xhundub bin Amr ed-Deusi, në kohën e injorancës, vazhdimisht thoshte: “E tërë kjo gjithësi medoemos që e ka një krijues! Po se kush e ka krijuar, nuk e di.”
Kur dëgjoi për Profetin tonë të nderuar, ky njeri u nis menjëherë, bashkë me shtatëdhjetë e pesë vetë të tjerë, për të shkuar tek ai. Ebu Hurejreja na thotë se: “Xhundubi ia pati prezantuar një e nga një të Dërguarit të Allahut, të gjithë shokët e tij, të cilët kishin pranuar
Islamin.”
25. KUR SAHABËT FISNIKË DËRGOHEN SI MËKËMBËS PËR TË FTUAR NJERËZIT NË ISLAM
Hisham bin Asin dhe shokët e tij i dërgon te Herakliu
Tregon Hisham bin As el-Emeuiu: “Në kohën e kalifatit të Ebu Bekrit (radijallahu anhu), bashkë me një shok, mua më dërguan si mëkëmbës te Herakliu. Do t’i bënim ftesë që të pranonte fenë islame dhe të bëhej mysliman. U nisëm. Kur mbërritëm në Damask, na priti Xhebele bin Ejhem el-Gassaniu në shtëpinë e tij. Me të mbërritur tek ai, e gjetëm të ulur në kolltukun e tij. Dërgoi dikë për të folur me të.
“Uallahi, kjo është një punë që nuk bëhet me lajmëtarë! Këtu na kanë dërguar, që të flasim vetë me mbretin, nëse do të na pranojë, duam të flasim me të, në të kundërt ne nuk do të flasim nëpërmjet një lajmëtari.”
Mëkëmbësi i mbretit u kthye mbrapsht, për t’i bërë të ditur Herakliut kërkesën tonë. Ai e pranoi kërkesën tonë dhe na dërgoi lajm, duke na thënë:
“Ejani, ma thoni çfarë keni për të më thënë.”
Fjalën i pari e mori Hisham bin Asi, i cili i shpjegoi mbretit Islamin. Mbreti kishte veshur mbi trup një petk të zi.
“Po këtë veshje të zezë, përse e mban?”, – e pyeti Hishami.
“Jam betuar, – iu përgjigj mbreti, – që nuk do ta heq këtë petk të zi nga trupi, derisa t’ju kem përzënë të gjithëve ju nga Damasku!”
“Uallahi, ne, edhe atë kolltuk ku rri i ulur tani do të ta marrim nga duart. Të mos kesh kurrfarë dyshimi, se edhe sundimtarit të madh, Kisras, një ditë, do t’ia marrim sundimin nga duart! Këtë lajm na e ka dhënë Profeti ynë, Muhamedi.”
“Këtë nuk do ta bëni ju. Asaj dite do t’ia arrijë vetëm një shoqëri që ditën e kalon duke agjëruar, ndërsa natën duke falur namaz!”, – u përgjigj Herakliu.
26. SAHABËT DËRGOJNË LETRA PËR T’I THIRRUR NJERËZIT NË ISLAM
Ja se ç’ka thënë Zijad bin Harith es-Sudaiu (radijallahu anhu): “Erdha tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Lidha besën me të. Në atë çast mora vesh se Resulullahu kishte dërguar ushtarë pranë popullit tim.”
“O Resulullah! Të lutem, tërhiqi mbrapsht ata ushtarë. Unë të garantoj se njerëzit e fisit tim do ta pranojnë Islamin, duke u bërë të gjithë myslimanë.”
“Po mirë, atëherë, shko ti dhe ktheji mbrapsht ata ushtarë.”, – u përgjigj Profeti ynë.
“O Resulallah, shkoj unë, por kafshën e rrugës e kam shumë të lodhur.”
Atëherë, ai dërgoi dikë, që t’u thoshte ushtarëve të ktheheshin pas. Në vijim, unë i dërgova një letër njerëzve të mi. Fill pas letrës, fisi im dërgoi një përfaqësi, e cila i bëri të Dërguarit të Allahut të ditur se ata ishin bërë tashmë myslimanë.
“Vëlla nga Sudai, ti paske qenë vërtet një njeri i respektuar në mesin e njerëzve të tu!”, – më tha mua Resulullahu.
“Përkundrazi, është Allahu që zgjodhi t’i udhëzonte ata në rrugën e drejtë.”, – i thashë unë.
“A do që të të caktoj ty si prijës në krye të tyre?”
“Si të duash ti, o Resulallah.”, – iu përgjigja.
Atëherë, i Dërguari i Allahut shkroi një letër, ku i njoftonte ata se si udhëheqës të tyre më caktonte mua.
“O Resulallah, po sikur t’u shkruash edhe që një pjesë të zekatit të tyre të ma japin mua.”, – i kërkova unë.
“Në rregull.”, – qe përgjigjja e tij, kështu që shkroi edhe një letër tjetër.
Kjo pati ndodhur gjatë njërës prej ekspeditave që kishte ndërmarrë i Dërguari i Allahut. Kur Resulullahu u vendos në një krahinë aty pranë, erdhën disa njerëz vendas, të cilët zunë t’i ankoheshin për udhëheqësit e tyre, duke i thënë:
“Në të shkuarën, në kohën e injorancës, mes fisit të tij dhe atyre kishte ndodhur një ngjarje e pakëndshme, kështu që tani ata janë duke marrë hakun e saj.”
“Vërtet e ka bërë diçka të këtillë?”, – pyeti .i.
“Po!”, – iu përgjigjën ata.
Profeti i profetëve u kthye nga sahabët e tij (mes tyre isha edhe unë) dhe përnjëherësh tha: “Asnjë e mirë nuk i vjen besimtarit nga udhëheqja e të tjerëve!”
Sudaiu thotë se kjo fjalë e të Dërguarit të Allahut la gjurmë të pashlyeshme tek unë. Në atë kohë pati ardhur edhe dikush tjetër që i tha: - “O Resulallah! Jepmë diçka.”
“Kushdo që kërkon diçka nga njerëzit, pa pasur vërtet nevojë për të, ajo nuk ka për t’i shërbyer atij, veçse për t’i shkaktuar telashe dhe shqetësime!” Ai njeri që kërkoi t’i jepnin diçka, i tha atëherë:
“Atëherë më jep diçka prej zekatit!” Resulullahu tha:
“Allahu i Madhërishëm, për sa i përket zekatit, nuk është i kënaqur as me gjykimet e Profetit, as me ato të të tjerëve. Vendimin për zekatin Ai e ka marrë Vetë, duke i ndarë në tetë kategoritë e njerëzve që mund të përfitojnë prej tij. Nëse ti bën pjesë në njërin prej këtyre tetë grupeve, atëherë, nuk ka dyshim që unë do të të jap edhe ty.”
Më preku shumë kjo fjalë e Profetit tonë. Edhe pse isha shumë i pasur, unë i pata kërkuar të Dërguarit të Allahut lëmoshë. Ai, pasi fali edhe njëherë kazanë e namazit, i prura ato dy letrat që më kishte dhënë dhe i thashë:
“Më falni, o Resulullah, më falni edhe për të dyja këto letra.”
“Çfarë të shkoi nëpër mend?”
“O Resulallah, unë të dëgjova ty pak më parë, kur the: ‘Asnjë e mirë nuk i vjen besimtarit nga udhëheqja e të tjerëve!’ Kurse unë i besoj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, po ashtu, prej teje dëgjova edhe teksa the: ‘Kushdo që kërkon nga njerëzit diçka, pa pasur nevojë për të, ajo nuk ka për t’i shërbyer atij veçse për t’i shkaktuar telashe dhe shqetësime’. Mirëpo edhe unë ta kërkova diçka të tillë, pavarësisht se jam shumë i pasur dhe në gjendje të mirë.”
Atëherë, i Dërguari i Allahut më tha:
“Kështu është, në daç pranoje, në daç hiq dorë, ti e di.” - “Po heq dorë.”, – iu përgjigja unë.
“Atëherë, tregomë një njeri, të cilin mund ta vendos në mesin tuaj si udhëheqës.”, – tha i Dërguari i Allahut.
Unë i tregova për njërin nga ata që kishin ardhur bashkë me ne në grup dhe ai e caktoi atë si prijës të bashkësisë sonë.”
27. NË KOHËN E PROFETIT TONË, SAHABËT I FTONIN NJERËZIT NË ISLAM EDHE KUR ISHIN NË FUSHËN E BETEJËS
Ftesa e Muslim bin Harith et-Temimiut
Harith bin Muslimi tregon se babai i tij ka transmetuar: “Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na pati dërguar diku në grup. Kur mbërritëm në vendin e përplasjes, unë i dhashë kalit pak më shpejt, duke i lënë shokët pas. Përballë na u shfaq një fis që po vinte me një vrungullimë. Unë u thashë atyre menjëherë:
“Thoni ‘La ilahe il’lallah’, që të shpëtoni.” E ata e pranuan menjëherë kërkesën time. Kur erdhën shokët, më qortuan duke më thënë:
“Na hoqe nga duart një plaçkë lufte që ishte fati ynë.”
Kur u kthyem pas, ata ia treguan edhe të Dërguarit të Allahut atë që kishte ndodhur. Profeti ynë më thirri mua dhe, duke thënë se i kishte pëlqyer shumë ajo sjellje e imja, filloi të numëronte lavdërime të njëpasnjëshme për mua:
“Ta dish, se Allahu i Madhërishëm të ka shkruar aksh e aksh shpërblim për secilin nga ata njerëz, të cilët pranuan se nuk ka zot tjetër veç Allahut, sepse ti u bërë shkak për shpëtimin e tyre.” Dhe Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) vijoi të thoshte:
“Shiko, unë do t’u shkruaj edhe imamëve të myslimanëve që do të vijnë pas meje për ty, ku do t’u kërkoj që të të ndihmojnë dhe të të bëhen gjithmonë krah.” Dhe e bëri atë që më tha. E vulosi letrën, ma dha mua dhe pastaj më tha kështu:
“Kur të falësh namazin e sabahut, pa folur me askënd asnjë fjalë të thuash shtatë herë: ‘O Zot! Ruamë mua prej zjarrit!’ Nëse ti vdes atë ditë, atëherë Allahu për ty do të shkruajë, se ‘Ky njeri është i mbrojtur nga zjarri.’ Edhe kur të falësh namazin e akshamit, pa folur asnjë fjalë me askënd do të thuash: ‘O Zot! Ruajmë mua prej zjarrit.’ Nëse vdes atë natë, atëherë Allahu për ty do të shkruajë se ‘Është i ruajtur prej zjarrit.’”
Kur Allahu i Madhërishëm e largoi prej nesh shpirtin e Profetit të Tij, unë atë letër ia solla Ebu Bekrit (radijallahu anhu). E hapi dhe e lexoi, pastaj u urdhëroi të gjithëve që të më vinin në ndihmë për gjithçka që kisha nevojë, pastaj e vulosi edhe njëherë letrën dhe ma ktheu pas. Edhe më vonë, unë atë letër ia çova edhe Omerit (radijallahu anhu), e edhe ai bëri të njëjtën gjë. Pastaj e çova tek Osmani (radijallahu anhu), edhe ai po njësoj veproi.”
Djali i këtij njeriu, Muslimi, thotë se: “Babai im, Harithi, vdiq në kohën e kalifatit të Osmanit (radijallahu anhu). Atë letër e kemi pasur ne deri kur u bë kalif Omer bin Abdulazizi. Në kohën që atë detyrë të lartë e mori përsipër Omer bin Abdulazizi, valiut të krahinës sonë i erdhi ky urdhër: “Muslim bin Harithin, bashkë me letrën që Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i pati shkruar babait të tij, dërgojeni për tek unë!” - Dhe unë ashtu bëra, ia çova letrën. E lexoi, i urdhëroi njerëzit e tij që të më ndihmonin, pastaj e vulosi edhe ai.”
28. KUR SAHABËT PËRHAPNIN ISLAMIN NË KOHË LUFTE GJATË KALIFATIT TË EBU BEKRIT (r.a.)
Urdhri i Ebu Bekrit për komandantët
Said bin Musejebi tregon: Kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) vendosi t’i dërgonte ushtritë në drejtim të Damaskut, si komandantë caktoi Jezid bin Ebi Sufjanin, Amr bin Asin dhe Shurahbil bin Hasene. Ushtarët u hipën kuajve dhe deveve dhe Ebu Bekri eci në këmbë bashkë me ta, deri në vendin ku i patën pritur bashkë me të Dërguarin e Allahut teksa hynin në Medinë, për t’i përcjellë, dhe u kthye. Ushtarët i thanë: “Si, ne të ecim mbi kuaj e mbi deve, e ti të na vish nga pas, kështu, në këmbë!”
“Mos u shqetësoni, sepse këta hapa më duket sikur jam duke i bërë për tek Allahu.”
E sakaq u dha atyre disa këshilla:
“Ju këshilloj që ta ruani veten nga rënia në kundërshti me urdhëresat e Allahut. Luftoni në rrugën e Allahut. Luftoni me ata që nuk i besojnë Allahut. Allahu është ndihmësi më i madh i fesë së Tij. Mos vidhni nga malli i luftës, mos e tradhtoni njëri-tjetrin, mos kini frikë, mos nxirrni ngatërresa mbi Tokë dhe mos i kundërshtoni ato urdhra që ju jepen. Dashtë Allahu, kur të përballeni me armikun, t’i ftoni ata që të pranojnë tri gjëra. Nëse i pranojnë, atëherë edhe ju pranojini dhe mos i prekni ata. Pastaj bëjuni atyre thirrje që të mërgojnë drejt Medinës, sepse ajo është atdheu i mërgimtarëve. Nëse e bëjnë, atëherë bëjuni atyre të ditur se të gjitha të drejtat dhe detyrat e mërgimtarëve i gëzojnë e u takojnë edhe atyre po njësoj. Nëse bëhen myslimanë, por duan që të qëndrojnë në trevat e tyre, atëherë urdhërojuni atyre që t’i përmbushin të gjitha detyrimet e Islamit; bëjuni atyre të ditur, se derisa të fillojnë të marrin pjesë në luftë atyre nuk do t’u jepet asnjë pjesë nga malli i siguruar gjatë luftërave. Nëse nuk e pranojnë Islamin, atëherë t’u kërkoni që të paguajnë xhizjen. Nëse thonë, ‘Po, pranuam!’, edhe ju pranojini dhe mos prekni me dorë asnjeri prej tyre. Por edhe nëse nuk e pranojnë as këtë, atëherë lutjuni Allahut që t’ju ndihmojë dhe luftoni me ta. Mos i prisni pemët e hurmave, mos prishni asgjë, mos vrisni kafshë dhe mos vini dorë mbi drurët me fruta. Mos u bëni dëm faltoreve të të krishterëve dhe të hebrenjve dhe mos vrisni fëmijë, pleq ose gra! Atje do të gjeni shumë njerëz, që janë shumë të lidhur pas kishave. Për sa kohë që nuk ngatërrohen në luftë me ju, lërini të qetë në punën e tyre. Atje do të gjeni edhe ca të tjerë: njerëz që për shejtanin kanë qethur pjesën e mesit të kokës. Po hasët në ta, vritini ata menjëherë.”
Halidi (r.a.) fton në Islam komandantin bizantin Xherexhen dhe ai bëhet mysliman
Uakidiu dhe shumë të tjerë transmetojnë: “Në luftën e Jermukut, Xherexheja ishte njëri nga komandantët bizantinë. Ai pati dalë nga radhët e veta, për t’u takuar me Halid bin Uelidin. Halidi erdhi atje ku e thirrën. U afruan aq shumë me njëri-tjetrin, saqë dukej sikur edhe pak edhe do të prekeshin trup më trup. Xherexheja i tha:
“O Halid, thuamë të vërtetën, pa më gënjyer, sepse ai që është i lirë, nuk gënjen. As mos u përpiq të ma hedhësh, sepse ai që është fisnik dhe ka marrë përsipër detyrën e të qenët mëkëmbës i Allahut, nuk përpiqet t’ia hedhë askujt! Allahu i ka dërguar profetit tuaj një shpatë nga qielli, e ai atë ta ka dhënë ty. Kur ti e nxjerr atë shpatë dhe bëhesh gati për t’u përleshur, ty askush nuk mund të të bëjë ballë, sepse nuk ka dyshim që fitimtari do të jesh ti, e vërtetë është kjo?” - “Jo.”, – u përgjigj Halidi.
“Po mirë, atëherë, ty pse të thërrasin të gjithë “Shpata e Allahut”? Duhet të ma shpjegosh edhe këtë!”
“Allahu na ka dërguar neve një profet. Ai na ftoi ne që të pranonim fenë islame. Edhe ne, në fillim u orvatëm t’i qëndronim sa më larg, për të mos e pranuar të vërtetën që ai na kishte sjellë. Me kalimin e kohës, disa e pranuan, disa të tjerë e mohuan dhe vazhduan ta kundërshtonin. Edhe unë isha njëri prej këtyre që i qëndruan larg. Mirëpo, më vonë, ishte mirësia e Allahut që më fali edhe mua udhëzimin në rrugën e së drejtës dhe të së vërtetës. Dhe ne lidhëm besën me Profetin tonë të nderuar. Aty ai më tha:
“Këtej e tutje, ti do të jesh një prej shpatave të Allahut, që Allahu ua nxjerr idhujtarëve!”, – dhe sakaq iu lut Allahut që të më ndihmonte. Prandaj edhe mua më thërrasin “Sejfullah” [Shpata e Allahut].
“Ndër myslimanë unë jam një prej armiqve më të paepur të idhujtarëve.”, – vijoi të thoshte Halidi.
“Po mirë, për ku më fton ti mua, o Halid?”, – e pyeti Xherexheja
“Që të besosh dhe të dëshmosh se nuk zot tjetër përveç Allahut, që meriton të adhurohet, se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Allahut dhe t’u besosh të gjitha urdhëresave që kanë ardhur nga vetë Allahu!”
“Çfarë qëndrimi mbani ju ndaj atyre që nuk e pranojnë ftesën tuaj?”, – e pyeti Xherexheja.
“Kërkojmë të na paguhet taksa e xhizjes. Nëse e paguajnë, ne i mbrojmë ata.”
“Po nëse nuk e paguajnë?
“Do t’u shpallim luftë dhe do të luftojmë me ta.”
“Cili është pozicioni që zë ai që e pranon ftesën tuaj sot dhe përfshihet në radhët tuaja?”
“Përballë urdhëresave që Allahu na i ka vendosur si detyrim, mes fisnikëve dhe popullit të thjeshtë, si edhe mes atyre që janë bërë të parët myslimanë dhe atyre që janë bërë më vonë, nuk ka asnjë dallim, sepse ata kanë të njëjtin pozicion.”
“Domethënë, shpërblimi i atij që përfshihet sot në radhët tuaja është i njëjtë me shpërblimin tuaj?”
“Po, madje edhe më shumë.”
“Po mirë, po si është e mundur, që ai të jetë i barabartë me ju, kur ju jeni bërë më parë myslimanë?”
“Ne, kur e pranuam këtë mision, nuk është se kishim mundësi që të bënim ndonjë zgjedhje tjetër. Duhet ta bënim tonën. Kur lidhëm besën me Profetin tonë, ai ishte ende mes nesh dhe nga qielli i vinin ende urdhëresa, ku na jepeshin mësime nëpërmjet Kur’anit dhe besimi na përforcohej prej mrekullive që Allahu i falte të Dërguarit të Tij. Kushdo që shihte ato që shihnim ne dhe dëgjonte ato që ne dëgjonim, patjetër që do të bëhej mysliman. Mirëpo, ju as nuk keni parë, as nuk keni dëgjuar ndonjë prej mrekullive që ne i pamë me sy dhe i dëgjuam me veshët tanë! Prandaj, ata që hyjnë sot në Islam, njëfarësoj, qëndrojnë më lart se ne.”
“Të thuash të vërtetën për hir të Allahut, ti nuk më the asgjë pos së vërtetës. Nuk më gënjeve dhe nuk deshe të ma hidhje.”
“Uallahi unë të thashë të vërtetën, sepse përgjigjet që unë të dhashë, për ato që më pyete, nuk janë përgjigjet e mia, por të Allahut.”
Atëherë Xherexheja hoqi mburojën nga trupi dhe kaloi në krah të Halidit, e i tha:
“Më mëso Islamin.”
Halidi e mori dhe e çoi në çadrën e tij. Pasi i derdhi një ibrik me ujë, i tha të falte dy rekate namaz. Kur bizantinët panë se Xherexheja po kthehej bashkë me Halidin, ata i sulmuan aq ashpër myslimanët, saqë veç taborëve që ishin nën komandën e Ikrime bin Ebi Xhehlit dhe Harith bin Hishamit, të gjithë të tjerët u detyruan të tërhiqeshin. Atëherë Halidi dhe Xherexheja u hipën kuajve. Në atë kohë, bizantinët kishin hyrë deri në mesin e radhëve të myslimanëve. Halidi i foli ushtrisë dhe myslimanët kaluan në sulm të menjëhershëm. Ai u urdhëroi atyre të nxirrnin shpatat dhe nuk zgjati shumë, kur shpatat filluan të vringëllinin me njëra-tjetrën. Halidi me Xherexhenë shkundën shpatat që kur dielli filloi të ngrihej lart në qiell e derisa perëndoi. Namazet e drekës dhe ikindisë myslimanët i falën me gjeste. Xherexheja ra dëshmor, Zoti e mëshiroftë. Nuk fali dot më asnjë namaz tjetër, veç atyre dy rekateve që ai i pati falur me Halidin.”
29. KUR SAHABËT PËRHAPNIN ISLAMIN NË KOHË LUFTE GJATË KALIFATIT TË OMERIT (r.a.)
Rib’i bin Amiri (r.a.) fton në Islam Rustemin
Ata që ishin aty atë ditë tregojnë: “Me kërkesën e Rustemit, Sad bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu) dërgoi tek ai Rib’i bin Amirin. Kur shkoi te Rustemi, Rib’iu ç’të shihte! Kuvendi i Rustemit ishte plot jastëkë të thurur me florinj, e me sa e sa stoli të tjera të kushtueshme! Edhe Rustemi, qëndronte i ulur mbi një fron të bërë prej druri dhe në kokë mbante një kurorë prej floriri. Kurse Rib’iu kishte veshur rroba të vjetruara dhe veç mburojës dhe një kali me këmbë të shkurtra, ai nuk kishte asgjë tjetër. Me kalë filloi të ecte mbi tapetet e trasha të mëndafshit të Rustemit. Pastaj zbriti nga kali dhe e lidhi atë afër njërit prej atyre jastëkëve. Me vete kishte edhe një shpatë, në shpinë parzmoren, ndërsa në kokë kishte helmetën. Ata e pritën me fjalët:
“Armët duhet t’i dorëzosh!”
“Nuk kam ardhur vetë, ju më keni ftuar. Nëse doni, unë do të hyj kështu, përndryshe unë kthehem dhe iki.”, – u përgjigj Rib’iu.
“Lëreni të vijë.”, – thirri Rustemi.
Dhe ai u afrua për te Rustemi, duke ecur mbi heshtë, e cila i shponte tapetet aty ku hidhej.
“Përse ke ardhur?”, – e pyetën ata.
Ai iu përgjigj:
“Ne na ka dërguar Allahu. Detyra jonë është, që ata që do Ai t’i shpëtojmë nga robërimi ndaj robërve të tjerë dhe t’i drejtojmë ata kah robërimi ndaj Allahut. Që t’i shpëtojmë ata nga varfëria dhe t’i bëjmë të pasur; t’i shpëtojmë ata nga shtypja dhe padrejtësitë, duke u ofruar drejtësinë e Allahut. Allahu na ka dërguar ne te njerëzit me fenë e vërtetë, që t’i ftojmë ata të pranojnë fjalën e Zotit. Kushdo që e pranon atë, edhe ne do ta pranojmë fjalën e tij dhe nuk e prekim. Nëse nuk priren të na pranojnë, atëherë ne do të luftojmë me ta derisa të biem dëshmorë të gjithë.”
“Cili është premtimi i Allahut?”, – e pyeti Rustemi.
“Allahu u premton Xhenetin atyre që vdesin duke luftuar për Të, ndërsa për ata që mbeten gjallë fitoren.”
“I Dëgjova fjalët e tua, tani mund të na lësh ca kohë, që edhe ne të mendohemi? Kësisoj, edhe ne do të keni kohë për t’u menduar, por edhe ju.”
“Në rregull, si të doni! Sa kohë ju duhet, një ditë, apo dy ditë?”
“Jo! Jo, më shumë, sepse duhet të këshillohemi me të gjithë këshilltarët dhe t’u dërgojmë letra gjithë parisë sonë, ndaj na duhet më shumë kohë.”
“Sa herë që jemi përballur me armiqtë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk na ka ngarkuar asnjëherë me përgjegjësinë që t’u njohim kohë atyre më shumë se tri ditë. Ti, bashkë me popullin tënd, mendohuni dhe pas tri ditësh, të zgjidhni njërin prej këtyre të triave: Të bëheni myslimanë, të paguani xhizjen ose të luftoni.” - “Ti je i pari i tyre?”, – e pyeti Rustemi.
“Jo! Por myslimanët janë si një trup i vetëm, si ata që qëndrojnë lart, si ata që qëndrojnë poshtë fare; mund të japin të njëjtën garanci në emër të mbarë myslimanëve.”
Pas këtyre fjalëve, Rustemi mblodhi gjithë parinë e popullit të tij dhe u tha:
“A keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë fjalë më të fuqishme e që ia vlen më së shumti të zgjidhet sesa kjo që thotë ky njeri?”
“Mos e dhëntë Zoti! Edhe ti po ua vë veshin fjalëve të tyre? Çfarë do të bësh, do të braktisësh fenë tënde dhe do t’i shkosh pas atij qeni? A nuk e sheh se si është veshur, e sa të vjetra i ka rrobat?”, – i thanë ata.
“Turp t’ju vijë! Ju nuk duhet të shihni rrobat e tij, por bindjet, fjalët dhe sjelljet. Kur ju e dini mjaft mirë, se arabët nuk u japin shumë rëndësi as veshjeve, as ushqimeve, por ruajtjes së fisnikërisë.”
Përpara se të luftojnë, Sad bin Ebi Uekasi i dërgon Kisrës një grup nga shokët e tij
Siç tregon Ebu Uaili: “Sad bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu) erdhi dhe u vendos në vendin e quajtur Kadisije. Nuk e di me saktësi; por nuk ishim më shumë se shtatë-a tetëmijë vetë. Kurse idhujtarët ishin të paktën tridhjetëmijë. (Siç e përcjellin Ibni Kethiri në El-Bidaje-n e tij, Sejfi, por edhe shumë historianë të tjerë, atë ditë, armiqtë ishin të paktën tetëdhjetëmijë vetë. Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet se në anën e Rustemit ishin njëqind e njëzetmijë ushtarë, tetëdhjetëmijë prej të cilëve qëndronin rezervë.) Veç kësaj, ushtria e Rustemit kishte me vete edhe tridhjetë e tre elefantë. Elefanti i bardhë ishte elefanti i Kisrës, të cilin e quanin Sabur. Më i madhi ishte ai që qëndronte në krye, kurse të tjerët i vinin nga pas.
Të parët folën persët:
“Ju nuk keni fuqi për t’u përballur me ne! As armatimet nuk ju mjaftojnë. Pse keni ardhur? Hajde, kthehuni më mirë andej nga keni ardhur!”
“Nuk do të kthehemi!”, – iu përgjigjëm ne.
Ata shikonin shigjetat tona dhe qeshnin me njëri-tjetrin, duke thënë: “Duk dukig, ig”, që do të thoshte se shpatat tona po i ngjasonin me furkat që përdoreshin për tjerrjen e leshit. Kur ne ua bëmë të ditur se nuk do të ktheheshim, atëherë ata thirrën:
“Na dërgoni dikë që është më i mençuri në radhët tuaja, të na tregojë arsyen se pse keni ardhur.”
Mugire bin Shubeja (radijallahu anhu) u hodh i pari dhe tha:
“Shkoj unë!”, – dhe sakaq kaloi në anën e tyre, u ul ndanë Rustemit në fronin e tij, mirëpo persët ngërdhesheshin.
“Fakti që po ulem këtu as nuk ma shton nderin mua, as nuk ia pakëson të zotit të tij.”
“Ke të drejtë. Po pse keni ardhur?”, – i tha Rustemi.
“Ne ishim të zhytur gjer në gju në punë të shëmtuara e shthurje. Allahu i Madhërishëm na dërgoi neve një profet, i cili na tregoi rrugën e drejtë, e pos kësaj, na mundësoi edhe shumë të mira të tjera. Mirëpo, pasi i provuam kokrrat e grurit të këtyre tokave dhe ua dhamë edhe fëmijëve tanë që t’i shijonin, tani themi: “U mësuam me këtë grurë, nuk durojmë dot pa të! Na çoni në ato toka, që të hamë nga buka e atij gruri!”
“Nëse është kështu, atëherë ne më e mira është që t’ju vrasim!”
“Po na vratë, ne do të shkojmë në parajsë, por po ju vramë ne ju, ju do të shkoni në ferr, dhe ata që do të mbeten pas jush do të na paguajnë neve taksën e xhizjes. Kështu që e keni më mirë që të na jepni direkt xhizjen.”, – tha Mugireja.
Fytyrat e persëve u vrenjtën dhe disa syresh zunë edhe të bërtisnin: - “Është e pamundur që ne të bëjmë paqe me ju!”
“Bukur fort, atëherë të luftojmë, do të suleni ju drejt radhëve tona, apo të sulemi ne?”, – i pyeti Mugireja ata.
“Ne do të kalojmë mes jush!”
Kësisoj, ushtria myslimane u tërhoq dhe kur persët kaluan, myslimanët iu turrën në mënyrë të befasishme dhe i shkatërruan.”
Muauije bin Kurre (radijallahu anhu) tregon: “Atë ditë që u zhvillua lufta e Kadisijes, myslimanët dërguan Mugire bin Shuben (radijallahu anhu) në anën e udhëheqësve të persëve. Mugireja kërkoi që bashkë me të, të shkonin edhe dhjetë vetë të tjerë. Kjo kërkesë iu përmbush. Mugireja i lidhi fort teshat dhe me vete mori vetëm mburojën të cilën e kishte prej lëkure. Kur e çuan pranë komandantit pers, ai u tha shokëve:
“Vendosni një mburojë në tokë.”, – dhe u ul mbi mburojë. Një burrë i gjatë nga persët i tha:
“Arabë! Unë e di se për ç’arsye keni ardhur. Ju nuk gjeni dot ushqim, për të mbushur barkun, në tokat tuaja. Ejani, t’ju japim sa ushqim që t’ju duhet. Ne jemi një popull që adhuron zjarrin, e nuk duam t’ju vrasim, sepse, duke ju vrarë ju ne ndotim tokën.”
“Uallahi, ne nuk na kanë shtyrë këto mendime, që të vijmë tek ju. Ne kemi qenë një popull që adhuronte gurët dhe idhujt. Kur gjenim një gur më të bukur se ai që adhuronim asokohe, atëherë e hidhnim poshtë atë dhe merrnim tjetrin. Derisa, më në fund, Allahu na dërgoi neve një profet nga mesi ynë. Ai na ftoi në Islam dhe ne nuk ngurruam që ta ndiqnim në udhëzimin e tij. Ne nuk kemi ardhur kurrsesi për të siguruar ushqim. Detyra që na është ngarkuar është të luftojmë me armiqtë që nuk pranojnë fenë islame. Kemi ardhur që t’i vrasim ata që do të luftojnë me ne dhe t’i marrim peng ata që do të mbeten të gjallë prej tyre. Ndërsa, për sa i përket çështjes së ushqimit, ju betohem se kishte herë që ne nuk gjenim dot ushqim as sa për të mbushur barkun; madje nganjëherë nuk gjenim dot as ujë sa për të shuar etjen. Por, në tokat tuaja kemi gjetur, si ushqim, ashtu edhe ujë me bollëk. Uallahi, ne nuk kemi ndërmend t’i lëmë aq lehtë këto mirësi, ato do të jenë o tuajat, o tonat!”
“Tha të vërtetën.”, – tha Rustemi në gjuhën perse. Pastaj u drejtua nga Mugireja dhe i tha:
“Nesër do të ta nxjerrim syrin vendit.”
Mirëpo, të nesërmen, si pasojë e një shigjete që e goditi në sy, ishte ai vetë që humbi njërin nga sytë dhe jo Mugireja.”
Në El-Bidaje-n e historianit Sejf shkruhet se është përcjellë se: “Sad bin Ebi Uekasi, para se të luftonte, i dërgoi Kisrës një grup nga shokët e tij. Ata do t’i bënin atij thirrje që të pranonte Islamin. Ata kërkuan leje që t’i çonin te Kisra dhe leja iu dha. Banorët dolën të gjithë në rrugë, për të parë veshjet e grupit të myslimanëve që kishin ardhur. Kur, ajo që panë ishin disa kuaj me njerëz sipër që në trup kishin vetëm një jelek, në duar kamxhikë, në këmbë sandale! U habitën pa masë. Si do t’ia dilnin këta burra të mundnin ushtrinë e tyre, e cila ishte shumë herë më e madhe në numër dhe mundësitë luftarake i kishte shumë herë më të mëdha?
Kur grupi i myslimanëve mbërriti te mbreti Jezduxherd, mbreti i ftoi ata të uleshin përpara tij. Jezduxherdi ishte një njeri shumë mendjemadh, i paedukatë dhe tejet i ashpër. Filloi t’i pyeste myslimanët se si quheshin jeleku, sandalet dhe kamxhikët që kishin me vete. Dhe çdo përgjigje që merrte syresh i dukej sikur dëgjonte ndonjë ogur të mirë. Mirëpo, Allahu, të gjitha ato që atij po fillonin t’i dukeshin në dobi të vet, ia ktheu në dëmin e vet. Mandej, ai i pyeti ata:
“Çfarë ju ka prurë ju në këto toka? Çfarë ju shtyu të guxoni, ngatërresat dhe përplasjet që ne kemi mes veti?” Numan bin Mukarrini i dha këtë përgjigje:
“Allahu na mëshiroi duke na dërguar një profet. Ai na tregoi të mirën dhe na urdhëroi që të bëjmë veç mirë; na bëri të ditur të keqen dhe na urdhëroi që t’i shmangemi asaj. Na premtonte se nëse do t’i bindeshim atij, atëherë të gjitha të mirat e kësaj bote dhe të amshimit do të ishin tonat. Cilëndo shoqëri a fis që e ftoi në Islam, ata u përçanë me njëri-tjetrin. Islamin e pranonin më të zgjedhurit e fisit. Ai profet qëndroi në këtë gjendje aq sa deshi Allahu, derisa një ditë ai e urdhëroi atë që t’u përgjigjej arabëve e të përballej me ta edhe duke luftuar. Dhe ai kështu veproi. Paskëtaj, arabët zunë vend krah tij në dy mënyra: disa me zor, e disa të tjerë duke hyrë në Islam me dëshirën e vet. Ata që u bënë myslimanë pa dashur, panë se mbetën shumë të kënaqur me zgjedhjen që kishin bërë. Kurse atyre që u bënë myslimanë me dëshirën e vet iu shtua edhe më shumë dëshira e dashuria për të. Ne e kuptuam shumë mirë, se feja që ai na kish sjellë ishte shumë herë më e mirë se sa armiqësitë tona mes veti. Ai na këshilloi, që përhapjes së Islamit t’ia nisnim njëherë nga popujt fqinj, të cilët ishin më afër nesh, e t’i ftonim ata tek ajo që është më e drejta. E ne, andaj kemi ardhur, t’ju ftojmë që të pranoni fenë tonë dhe të bëheni myslimanë. Kjo është feja islame. Një fe që e do atë që është e bukur dhe e urren dhe e mallkon atë që është e shëmtuar. Nëse ju nuk e pranoni atë, ne do të luftojmë me ju, nëse e pranoni fenë tonë dhe bëheni myslimanë, atëherë ne do t’ju japim juve librin e Allahut, që ju të veproni sipas tij, atëherë ne do të kthehemi andej nga kemi ardhur dhe nuk kemi pse të ngatërrohemi me ju. Nëse do të na e sillni xhizjen, do t’jua pranojmë dhe do t’ju ruajmë, në të kundërt ta dini se ne do të luftojmë me ju.”
“Unë nuk njoh ndonjë popull mbi tokë më barbar se ju, më i tërbuar, që as me njëri-tjetrin nuk shkojnë, e që i kanë të gjitha veset e këqija. Deri më sot jua kemi lënë fshatrat në periferi dhe nuk kemi nxjerrë zë. Persët nuk ju luftonin, por edhe ju nuk ngrinit krye kundër tyre. Të mos ju gënjejë fakti që jeni shtuar në numër dhe tani jeni më shumë. Nëse ishte nevoja për të mbijetuar ajo që ju shtyu të vinit deri këtu, atëherë ne mund t’ju japim ushqime, derisa t’ju mbulojë bollëku, u njohim edhe privilegje të parëve tuaj po të doni, madje mund t’ju veshim të gjithëve me tesha të reja. Veç këtyre, mund t’ju vëmë edhe një mbret të butë mbi krye, që të sillet mirë me ju dhe t’ju prijë me drejtësi.”
Grupi i myslimanëve heshti. Mugire bin Shubeja u ngrit në këmbë dhe tha:
“O sundimtar i Persisë! Këta që sheh ti janë prijësit e arabëve dhe janë të tërë njerëz fisnikë. Fisnikëve u vjen turp nga fisnikët; fisnikët vetëm ata që janë fisnikë mund t’i shpërblejnë dhe vetëm njerëzit e nderuar mund të kujdesen për drejtësinë e njerëzve të nderuar. Ata nuk ta sqaruan plotësisht arsyen pse kanë ardhur deri këtu, duke mos iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që ti u drejtove. Dhe mirë bënë! Kjo u ka hije njerëzve si ata. Më kërko mua ç’përgjigje do, të t’i them unë të vërtetat që do të dish dhe le të jenë edhe ata dëshmitarë. Ti na fyeve me disa cilësi, të cilat ti vetë nuk i njeh!
The se ne jemi në gjendje shumë të vështirë, e vërtetë! Vështirë të ketë njerëz në gjendje më të keqe se kjo e jona. Uria jonë nuk i ngjante urisë së askujt tjetër; arrinim deri atje, sa hanim edhe krimba, akrepa dhe gjarpërinj, aq sa u mësuam dhe filluan të na dukeshin ushqime të zakonshme. Banesë të vetme kishim, ngurtësinë e tokës, ndërsa veshjet përpiqeshim t’i sajonim nga leshi i deveve dhe deleve. Fe kishim vrasjen dhe padrejtësinë ndaj njëri-tjetrit. Kishte nga ata, që vetëm se do t’u bëheshin pjesë e do të hanin nga ushqimi i paktë që kishin, i varrosnin vajzat e lindura për së gjalli. E këtillë ka qenë gjendja jonë. Më vonë, Allahu na dërgoi ne si Profet një njeri të cilin ne e njihnim mjaft mirë. Ne e njihnim mjaft mirë sojin, personalitetin dhe familjen e atij njeriu. Në gjithë tokat tona, soji i tij ishte më i fismi ndër të gjithë ne; shtëpia e tij ishte më e mirë nga të gjithë ne dhe familja e tyre ishte më e privilegjuara ndër të gjitha familjet tona. Edhe para se të bëhej profet, ai kishte një personalitet shumë të fortë, ishte më i drejti dhe më i buti nga të gjithë ne.
Ai na bëri ne thirrje që të mblidheshim rreth një misioni të atillë, që askush përveç shokut dhe mikut të tij më të mirë, Ebu Bekrit, që më vonë u bë edhe kalif i tij, nuk e ndoqi nga pas. Ai thoshte diçka, ne thoshim të kundërtën; ai ulëriti të vërtetën, ne e përgënjeshtruam! Mirëpo, teksa ai shtohej në numër, ne pakësoheshim. Kështu ndodhi ajo që ndodhi mes nesh dhe Zotit tonë të Madhërishëm! Ajo që ai na thoshte dhe na urdhëronte nuk ishte tjetër, pos fjalës së Allahut. Ai na tha neve se Zoti thoshte: ‘Zoti jam unë! Jam i Vetëm dhe nuk kam shok, as ortak. Nuk kishte hiçasgjë, kur Unë isha. Unë jam i Pashoq dhe i Patjetërsueshëm, kurse çdo gjë tjetër një ditë do të zhduket! Të gjitha gjallesat unë i krijova. Çdo gjë tek Unë ka për t’u kthyer. E patë se si ju mbështolli mëshira Ime? Ja, po ju dërgoj këtë njeri, që t’ju tregojë rrugën se si do t’ju shpëtoj nga ndëshkimi i ashpër pas vdekjes, që t’ju vendos të jetoni në atdheun e paqes, në parajsë!’
Ndaj, ne jemi dëshmitarë se atë e ka Dërguar Allahu, që është më i Vërteti e më i Drejti i shkallës së Drejtësisë. Allahu i Madhërishëm i mësoi Profetit tonë të na thoshte neve: ‘Kushdo që ju bindet juve dhe bën punë për të mirën tuaj, të mirën e ka bërë për vete, e kushdo që ju bën keq, ta dijë se të keqen ia ka bërë vetvetes. Kurse ata që nuk pranojnë, por japin xhizjen, atëherë ruajini ata dhe mbrojini ashtu siç ruani dhe mbroni veten. Ndërsa me ata që nuk pranojnë të paguajnë as xhizjen, luftoni, sepse gjyqtar në mesin tuaj jam Unë. Kushdo që humb jetën prej jush do ta marr në parajsën Time. Ndërsa atyre që do të mbeten gjallë do t’u vij në ndihmë që ta mposhtin armikun.’” Pasi i përcolli këto mendime, Mugireja i tha atij:
“Tani, po deshe jep xhizjen si i përbuzur dhe i poshtëruar, po deshe zgjidh shpatën! Po deshe prano Islamin dhe shpëto shpirtin.”
“Kundër meje i thua ti këto fjalë?”
“Unë këto fjalë ia them kujtdo që po flet me mua; po të isha duke folur me ndokënd tjetër, nuk kisha pse të t’i thosha ty këto fjalë!”
“Po të mos ishte kusht që mëkëmbësit dhe lajmëtarët nuk vriten, do t’ju kisha vrarë mu këtu te këmbët e mia. Unë nuk kam asgjë për t’u dhënë njerëzve si ju!”, – tha Jezduxherdi dhe sakaq u tha njerëzve të tij:
“Sillni një thes me baltë dhe ngarkojani në shpinë atij që është më i fismi nga këta, pastaj shoqërojeni dhe ruajeni që ta mbajë në shpinë, derisa të dalin nga territori i Medainit.”, – kurse komandantëve myslimanë u tha:
“Kthehuni te komandanti juaj dhe t’i thoni se bashkë me ju po i dërgoj edhe Rustemin, që t’ju vrasin të gjithëve e bashkë me ushtri t’ju groposin atje, mu në hendekët e Kadisijes, në mënyrë që të gjithë sa jeni të merrni ndëshkimin e merituar. Pastaj, Rustemin do ta dërgoj edhe në shtetin tuaj dhe do t’u bëj njerëzve tuaj tortura shumë herë më të rënda edhe se ato të Kisra Saburit, duke ju bërë kësisoj armiq të njëri-tjetrit!” Pasi tha këto fjalë, pyeti:
“Kush është më fisniku, më i respektuari nga ju?”
Asnjëri nuk nxori zë. Vetëm Asim bin Amri (radijallahu anhu), për ta mbajtur ai thesin me baltë, tha:
“Unë jam më i fismi nga të pranishmit, madje unë jam zotëria i tyre, ngarkomani mua thesin.”
“E vërtetë është kjo, ky është më fisniku nga ju?”, – pyeti Jezduxherdi.
“Po.”, – iu përgjigjën ata.
Asimi e mori thesin me dhe mbi shpinë dhe kaloi mes shtëpive dhe banorëve të shumtë që e shikonin. Kur u afrua te kafsha e rrugës, e zbriti nga supi dhe e ngarkoi mbi të. U nisën. Asimi ua kaloi shokëve dhe kur kaloi edhe portën e Kudejsit, tha:
“Çojini komandantit sihariqin e fitores! Me lejen e Zotit, ne do të dalim fitimtarë!”
Vazhduan rrugën dhe thesin e lëshoi në tokat arabe. Pastaj u kthye te kryekomandanti i tyre, Sad bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu) dhe i shpjegoi atij të gjitha sa kishin ndodhur, duke i thënë:
“Ky është një sihariq! Uallahi, Allahu na i dha neve çelësat e tërë pasurisë së tyre!”
Ushtria Islame e interpretoi si një ogur i mirë thesin me dhe që Jezduxherdi i pati ngarkuar Asimit mbi supe, duke e parë si shenjë se ata do të ishin ngadhënjimtarë ndaj persëve.”
Amr bin Asi (r.a.) fton njerëzit në Islam gjatë ngadhënjimit të Egjiptit
Halidi dhe Ubadeja (radijallahu anhuma) tregojnë: “Kur Omeri (radijallahu anhu) u kthye në Medinë, Amr bin Asi u nis të shkonte në Egjipt. Pati shkuar deri në portën e Eljunit në Egjipt, kur nga pas, me të shkoi edhe Zubejri. Aty ata i priti Ebu Merjemi, që ishte prijësi i të krishterëve që jetonin në tokat islame. Në krah kishte edhe peshkopin, i cili ishte në krye të ushtrisë që kishte dërguar Mukaukisi, për të mbrojtur territorin e tij. Kur Amr bin Asi (radijallahu anhu) u afrua tek ata, ata mbajtën pozicion lufte. Komandanti i Islamit u dërgoi lajm:
“Mos u ngutni, për të luftuar me ne. Na lini t’ju shpjegojmë njëherë pse kemi ardhur, pastaj ju mund të na thoni mendimet tuaja.
Kështu, ata i tërhoqën ushtarët. Amri u dërgoi sërish fjalë:
“Unë po vij drejt jush. Edhe nga ju të më dalin para Ebu Merjemi me Ebu Mirjamin.”
E pranuan edhe këtë kërkesë. Pasi i dhanë garanci njëri-tjetrit, Amri u tha atyre të dyve:
“Ju jeni murgj të këtyre tokave, ndaj më dëgjoni mirë: ‘Allahu i Madhërishëm ka dërguar Muhamedin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) me fenë e vërtetë, duke i urdhëruar më të drejtën e të vërtetën. Muhamedi (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), çdo urdhër na e ka transmetuar edhe neve. Pastaj ai, mëshira dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, mërgoi në amshim; kryerjen e detyrës së tij na e la neve si detyrë të ndjekjes së traditës dhe të mësimeve të tij. Një prej urdhëresave që ai na ka dërguar është edhe që t’ua mësojmë edhe të tjerëve kauzën tonë. Ndaj edhe kemi ardhur këtu, t’ju ftojmë që të pranoni Islamin dhe kushdo që i përgjigjet thirrjes sonë, duke u bërë mysliman, ta dijë se këtej e tutje ai është një prej nesh, i barabartë me ne. Ai që nuk e pranon, ne i propozojmë që të paguajë xhizjen, e në këmbim ne do t’i mbrojmë ata me tërë forcën që kemi. Profeti ynë na e ka lajmëruar më parë, se ne do të ngadhënjejmë mbi shtetin tuaj, e, duke pasur parasysh se sa afër jemi (Sepse nëna e Ismailit [alejhis’selam], Haxherja, ishte nga Koptët e Egjiptit. I Dërguari i Allahut këtë fakt neve na e ka quajtur gjithmonë si një lidhje farefisnie me ju.), nëse na bindeni, atëherë ne do të jemi shumë herë më pranë njëri-tjetrit, e miqësia jonë do të jetë shumë herë më e fortë. Përveç kësaj, i pari i besimtarëve, Omeri (radijallahu anhu) na ka porositur: “Silluni mirë me koptët, sepse Profeti ynë i nderuar
(sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na ka këshilluar që të sillemi mirë me ta.”
“Një lidhje kaq të vjetër farefisnore, e përshkallëzuar kaq shumë përgjatë viteve, vetëm Profetët mund ta respektojnë. Po, Haxherja ka qenë një grua fisnike, pasi ajo ishte e bija e sundimtarit tonë; i përkiste familjes së Menfit dhe ata e zotëronin të gjithë pasurinë dhe salltanetin e kohës. Pastaj populli Ajni Shems (Syri i Diellit) i mundi ata, duke i vrarë e duke ua marrë gjithçka kishin, e ata që mbetën gjallë mërguan. Andaj, Haxherja shkoi tek Ibrahimi (alejhis’selam). Po, kjo është e vërteta. Po mirë, o Amr, mirë se keni ardhur atëherë! Na jep pak kohë, të flasim me njëri-tjetrin dhe pastaj t’ju kthejmë përgjigje.”
“Një njeri si unë nuk mashtrohet lehtë, andaj po ju jap tri ditë kohë, që të flisni me njëri-tjetrin dhe me popullin, përndryshe do të luftojmë!”
“Sikur të na e zgjatni pak më shumë afatin?”, – thanë egjiptianët.
Atëherë, Amri u dha edhe një ditë më shumë. Ata kërkuan prapë që t’ua shtonte. Amri (radijallahu anhu) ua shtoi edhe një ditë tjetër. Mandej, ata u kthyen te Mukaukisi. Mukaukisi mendoi se do të ishte më mirë që, njëherë për njëherë, të bënte paqe me ta. Mirëpo komandanti bizantin, që gjendej asokohe pranë Mukaukisit, Ertabuni, për t’u bërë pengesë, se mos jepnin ndonjë përgjigje pozitive, u tha atyre që të sulmonin dhe t’u shpallnin luftë myslimanëve. Ata dy murgj thanë:
“Ne do të përpiqemi t’ju mbrojmë me sa forcë të kemi, por nuk do të kthehemi më te myslimanët. Kemi edhe katër ditë kohë. Gjatë kësaj kohe, asgjë e keqe nuk do t’ju ndodhë, ndihuni të sigurt.”
Një natë, fare papritur, Amrin dhe Zubejrin (radijallahu anhuma) i sulmuan në vendin e quajtur Ferekab. Mirëpo Amri ishte i përgatitur, e mbërtheu atë bashkë me të tjerët dhe i vrau, bashkë me shokët. Kështu, Amri me Zubejrin (radijallahu anhuma) u zhvendosën në zonën e popullit Ajni Shemsit.”
Ebu Harithe dhe Ebu Osmani tregojnë: Në kohën që Amr bin Asi (radijallahu anhu) ishte vendosur në Ajni Shems, fare pranë egjiptianëve, populli i Egjiptit i thoshte sundimtarit të vet:
“Çfarë ke ndërmend të bësh me një popull që kanë mundur Kisrën dhe Kajserin, duke ua shkatërruar gjithë ato ushtri aq të mëdha? Bëj menjëherë një marrëveshje me ta; mos na vër të gjithëve në rrezik!”
Kjo bisedë u zhvillua në ditën e katërt të pesë ditëve që Amri (radijallahu anhu) u kishte njohur atyre si afat, që të mendoheshin. Sundimtarit nuk i pëlqeu shumë ky mendim i ardhur nga radhët e popullit. Vendosi ta sulmojë ushtrinë e myslimanëve. Përleshja kishte filluar, kur Zubejri (radijallahu anhu) u ngjit në bedenat e qytetit. Kur e pa populli i Egjiptit Zubejrin atje, ngjitur mbi bedena, Amri (radijallahu anhu) hapi portat e qytetit; ata ngarendën për tek ai, që t’i kërkonin paqe. Amr bin Asi ua pranoi kërkesën, derisa aty zbriti Zubejri (radijallahu anhu), sikur të kish zbritur nga qielli, duke i rrethuar të gjithë.”
Sahabët, nën komandën e Seleme bin Kajs el-Eshxheij (r.a.), u bëjnë thirrje kundërshtarëve që të bëhen myslimanë
Sulejman bin Burejdeja tregon: “Sa herë që grumbullohej ndonjë ushtri myslimanësh, për t’u dërguar gjëkundi, Omeri (radijallahu anhu), në krye të ushtrisë vendoste si komandant dikë që ishte i ditur dhe që e njihte mirë jurisprudencën. Njëherë, ushtrisë, që ishte grumbulluar përpara tij, në krye i vuri Seleme bin Kajs el-Eshxheij, të cilit i dha këto këshilla:
“Ec në emër të Allahut dhe lufto në rrugën e Tij me të gjithë ata që e mohojnë Atë. Kur të përballeni me armiqtë idhujtarë, bëjuni atyre thirrje për tri gjëra: Fillimisht, ftojini ata të pranojnë Islamin. Nëse bëhen myslimanë dhe duan të jetojnë në tokat e tyre, thojuni se nga pasuria e tyre do t’u merret zekati dhe nga plaçka e luftës nuk do t’ju jepet gjë, në rast se duan t’ju bashkohen juve dhe të luftojnë krah për krah me ju, atëherë thojuni se duhet të jenë në anë të asaj që jeni edhe ju, e kundër asaj që edhe ju kundërshtoni. Nëse nuk bëhen myslimanë, bëjuni thirrje që të paguajnë xhizjen. Nëse pranojnë, atëherë mbrojini ata nga kundërshtarët e tyre, po mos u kërkoni xhizje më shumë se ç’mund të paguajnë. Nëse nuk pranojnë as që t’ju paguajnë xhizjen, atëherë luftoni me ta. Allahu është ndihmësi juaj më i madh kundër tyre. Nëse ngujohen në ndonjë kështjellë a fortesë dhe ju thonë se do të zbresin së andejmi dhe se janë të kënaqur me urdhrat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, atëherë mos pranoni, sepse kështu është urdhri i Allahut. Kjo sepse ju nuk mund ta dini se cili është vendimi i Allahut për ju dhe ata. Nëse ju kërkojnë garanci në emër të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, as këtë garanci mos ua jepni. Ju nuk mund të jepni fjalë vetëm se në emrin tuaj. Nëse luftojnë me ju, atëherë mos rrëmbeni prej plaçkës së luftës, sepse kjo është tradhti. Mos torturoni njeri, duke u prerë këmbët, duart, apo ndonjë pjesë tjetër të trupit dhe mos i vrisni fëmijët.”
Selemeja (radijallahu anhu) thotë se: “Ecëm. U përballëm me armiqtë tanë idhujtarë. Sipas urdhrit të prijësit të besimtarëve, fillimisht u bëmë atyre thirrje që të bëheshin myslimanë; nuk pranuan. U bëmë thirrje të paguanin xhizjen, nuk u pëlqeu, prandaj nuk pranuan. Paskëtaj luftuam me ta, derisa Allahu na fali fitoren. Luftëtarët e tyre i vramë, ndërsa familjet ua morëm peng, ndërsa mallrat dhe plaçkat e tyre të dëmtuara i mblodhëm të gjitha, pa lejuar që të shkonte dëm asgjë.”
30. MORALI DHE SJELLJET E BUKURA TË SAHABËVE QË BËHESHIN SHKAS PËR NJERËZIT QË TË GJENIN UDHËZIMIN
Çfarë bëri Muadh bin Xhebeli që babai i tij, Amr bin Xhemuhu, të bëhej mysliman
Tregon Ibni Is’haku: “Kur Ensarët lidhën besën me Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në Akabe, dhe erdhën në Medinë, Islami këtu u forcua edhe më shumë. Megjithatë, në mesin e tyre kishte ende mbetje të idhujtarëve. Njëri prej tyre ishte edhe Amr bin Xhemuhu. I biri, Muadhi, ishte nga ata që kishin qenë të pranishëm në Akabe, dhe i kishte shpallur besën e tij Profetit tonë. Amri ishte njëri prej të mëdhenjve të fisit të bijve të Selemes dhe ishte njeri fisnik. Njësoj siç kishin bërë edhe familjet e tjera, ai kishte ndërtuar një idhull prej druri me emrin Menat. Përkujdesej për të çdo ditë, duke e pastruar dhe lyer me aromat më të mira. Muadh bin Xhebeli, i biri i Amr bin Xhemuhut, dhe një grup tjetër të rinjsh nga bijtë e Selemes pranuan Islamin dhe, në darkë, ia morën Amrit atë idhull dhe, kur nuk e gjeti, tha:
“T’ju vijë turp! Kush e ka sulmuar zotin tonë gjatë natës?” Kërkoi gjithandej, për ta gjetur. Kur e gjeti, e pastroi mirë e mirë dhe po e lyente me aromë të mirë, duke thënë me vete:
“Të betohem, se po e gjeta atë që ta bëri ty këtë, ka për të parë keq nga duart e mia.”
Kur ra nata dhe Amri u shtri të flinte, të rinjtë iu vunë punës, për të bërë të njëjtën gjë. Kur kjo ndodhi u përsërit disa herë dhe Amri e gjeti sërish idhullin dhe po e pastronte, nxori shpatën dhe e vuri afër idhullit, duke thënë:
“Ja tek është shpata, nëse i duket vetja kaq trim atij që ta bën ty këtë! Po e lë këtu që ta dijë mirë, se çfarë kam për t’i bërë nëse e zë.”
Ra sërish nata, Amri u shtri dhe e zuri gjumi. Të rinjtë erdhën prapë, e larguan shpatën nga idhulli, e tërhoqën atë me pe dhe e hodhën në një prej gropave të banjës që përdornin bijtë e Selemes, duke e lidhur pas një qeni të ngordhur. Në mëngjes, kur u ngrit Amri, dhe sërish nuk e gjeti në vend zotin e tij, iu vu punës, për ta gjetur. Kur e gjeti në atë gropë, bashkë me një qen të ngordhur, me qenin përsipër, shkoi të fliste me të afërmit e tij që ishin bërë myslimanë dhe pranoi Islamin.
Madje ai u bë një besimtar shembullor.”
Kur bëhet mysliman Ebu’d-Derdaja
dhe përpjekjet e Ibnu Reuahas që ai të pranonte fenë islame
Tek Uakidiu transmetohet se: “Ebu’d-Derdaja (radijallahu anhu) ishte pjesëtari i fundit i familjes së tij që u bë mysliman. Ishte ende i lidhur pas idhullit të tij. Madje, edhe fytyrën ia pati mbuluar me një shami të bardhë. Abdullah bin Reuaha e ftonte të pranonte fenë islame, mirëpo ai nuk pranonte që nuk pranonte, por vetëm kundërshtonte. Ibni Reuaha dhe Ebu’d-Derdaja ishin bërë vëllezër të njëri-tjetrit, shumë kohë para se ai të bëhej mysliman. Një ditë, Ibnu Reuaha po vinte për tek Ebu’d-Derdaja, mirëpo ai kishte dalë nga shtëpia dhe po shkonte diku tjetër. Hyri menjëherë në shtëpinë e tij, dhe e shoqja ishte duke krehur flokët.
“Ku është Ebu’d-Derdaja?”, – e pyeti ai.
“Nuk ka shumë që doli.”, – iu përgjigj ajo.
Ibnu Reuaha me një sqepar në dorë, shkoi te vendi ku rrinte idhulli dhe duke mërmëritur me vete emrat e djallit duke përsëritur këshillën “bëni kujdes, çdo gjë tjetër, që quhet zot, veç Allahut, është e rreme”. Dhe, sakaq, një të goditur i bën dhe idhulli thyhet, duke u bërë copë-copë. E zonja e shtëpisë, dëgjoi zhurmën e sqeparit dhe erdhi menjëherë, duke bërtitur:
“Më more në qafë, o Ibnu Reuaha!” Mirëpo, Ibnu Reuaha u largua pa thënë asnjë fjalë. Kur u kthye në shtëpi Ebu’d-Derdaja, të shoqen e gjeti duke qarë.
“Ç’ke kështu? Çfarë ka ndodhur?”, – e pyeti ai.
“Erdhi vëllai yt, Ibnu Reuaha, dhe shih se ç’ka bërë.”
Ebu’d-Derdaja u mërzit shumë, pastaj u mendua me vete, duke thënë:
“Sikur të vinte ndonjë e mirë nga ky idhull, më e pakta ai do të kishte ruajtur veten e vet, e nuk do të ishte thyer kështu.”
Më pas, Ebu’d-Derdaja, së bashku me Ibn Reuahan, shkoi te Profeti
(sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe pranoi Islamin.
Letra që i dërgon Omeri (r.a.) Amr bin Asit për çështjen e xhizjes dhe të pengjeve të luftës
Zijad bin Xhez’ ez-Zubejdi tregon: “Në kohën e kalifatit të Omerit (radijallahu anhu), pasi ishte ngadhënjyer mbi Aleksandrinë, ne u vendosëm në Belhib dhe po prisnim që të na vinte një letër prej Omerit (radijallahu anhu). Sakaq, letra mbërriti. Atë na e lexoi Amr bin Asi. Ja se çfarë shkruhej në të:
“E mora letrën tënde. Më shkruaje se u kishe propozuar atyre që të paguanin xhizjen, në mënyrë që ti t’i lije të lirë, sundimtarin e Aleksandrisë dhe pengjet e tjera. Unë ju betohem, se xhizja, që është një e ardhur më e vogël, por e vazhdueshme, ka për të qenë për myslimanët tani, por edhe për ata që do të vijnë më vonë, shumë herë më e mirë se pasuria dhe plaçka e siguruar nga vendosja e paqes me kusht, e cila mund të jetë më e madhe, por shpërndahet dhe shpenzohet shpejt, sepse nuk është e vazhdueshme. Prandaj, ju urdhëroj që t’i lini të lirë ata robër që keni zënë peng, që të zgjedhin mes fesë së tyre dhe fesë islame, ndërsa sundimtarit të Aleksandrisë t’i propozoni që ta lironi me kusht që ai të paguajë xhizjen. Robërve që do të zgjedhin fenë islame, bëjuni të ditur se, këtej e tutje, ata do të konsiderohen si të barabartë me të gjithë myslimanët. Ç’është e mirë a e keqe për myslimanët, do të jetë e mirë a e keqe edhe për ta. Kurse atyre që do të anojnë e do të zgjedhin fenë e të parëve të tyre, t’u ngarkohet përgjegjësia e pagimit të xhizjes. Ato pengje që u larguan, ca në Mekë, ca në Medinë, e ca në Jemen, tanimë ju nuk mund t’i ktheni dot pas. Andaj, ne nuk duam të bëjmë paqe, apo të merremi vesh, për një çështje nga e cila nuk ka kthim.”
Amri (radijallahu anhu), për t’i treguar atij përmbajtjen e letrës që kishte shkruar i prijësi i besimtarëve, dërgoi një lajmës te sundimtari i Aleksandrisë. Ai iu përgjigj se pranonte.
Ai që e transmeton këtë ngjarje thotë se:
“Sipas marrëveshjes së arritur, ne i mblodhëm të gjitha pengjet që kishim kapur. Pjesë u bënë edhe të krishterët. Ata filluan të sillnin pengjet një e nga një, e ne i linim të lirë të zgjidhnin mes Islamit dhe Krishterimit. Kur ndonjëri syresh zgjidhte Islamin, këndonim tekbirë më të fortë edhe sesa ato që patëm kënduar kur ngadhënjyem mbi Aleksandrinë dhe, sakaq, e përqafonim të gjithë me radhë. Kur një tjetër zgjidhte Krishterimin, atëherë brohoritjet e gëzimit vinin prej të krishterëve, të cilët e mirëprisnin atë njeri edhe njëherë mes veti. Ndërkohë ne u shkruanim atyre xhizjen që duhet të paguanin. Njëherazi, mërziteshim jashtë mase, sikur të na kishte ikur dikush prej nesh, për t’u bërë i krishterë. Dhe kështu vijoi, deri në fund, kur përfunduan të gjithë.
Mes pengjeve që u sollën aty ishte edhe një njeri, të cilin e quanin Ebu Merjem Abdullah bin Abdur’rahman. Ai ishte dijetari i fisit të bijve të Zubejdit. E ndalëm dhe i kërkuam që të zgjidhte mes Islamit dhe Krishterimit. Ai burrë zgjodhi Islamin, megjithëse të gjithë të afërmit i kishte të krishterë, babanë, nënën dhe motrën. Dhe ne e morëm në anën tonë. Babai, nëna dhe motra e tij u përpoqën shumë që ta tërhiqnin, e të mos e linin që të vinte në anën tonë, aq sa, duke e tërhequr, i grisën rrobën që kishte veshur. Dhe, siç e shikoni, ai është sot njëri prej dijetarëve tanë...”
Historia e mburojës e Aliut (r.a.) me një të krishterë dhe pranimi i Islamit nga ana e tij
Sipas një transmetimi të Hakimit nga Sha’biu, në ndodhinë e Xhemelit pati humbur mburoja e Aliut (radijallahu anhu). Dikush e kishte gjetur atë mburojë dhe e kishte shitur. Mburojën pamë që e mbante me vete një i krishterë. Kur e mori vesh, Aliu (radijallahu anhu) e hodhi në gjyq te Shurejhu atë njeri. Për dëshmitar kishte djalin e tij, Hasanin, dhe skllavin e tij të liruar tanimë, Kanberin. Shurejhu tha:
“Më nxirr edhe një dëshmitar tjetër përveç Hasanit.”
“Pse, nuk e pranon dëshminë që do të japë Hasani?”, – e pyeti ai.
“Unë prej teje e kam mësuar, – tha kadiu Shurejh, –që dëshmia e djalit në dobi të babait nuk është e pranuar.”
Ndërsa, në një transmetim tjetër të Hakimit, vërehen edhe disa hollësi të tjera: Shurejhu iu drejtua Aliut (radijallahu anhu), duke i thënë:
“Mund të pranojmë dëshminë e skllavit tënd të liruar. Por dëshminë e djalit tënd pro teje nuk mund ta pranojmë.”
“Të vraftë Zoti! Nuk e ke dëgjuar Omerin (radijallahu anhu) kur ka thënë: “E kam dëgjuar Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kur ka thënë: ‘Hasani me Hysenin janë prijësit e gjithë të rinjve mes banorëve të Xhenetit.’?”
Pastaj Shurejhu mori vendim dhe i tha të krishterit:
“Merre mburojën, është e jotja.”
Ai i krishterë tha kështu: “Bashkë me Prijësin e Besimtarëve erdhëm para kadiut të myslimanëve. Kadiu vendosi kundër tij, e ai e pranoi me qetësi vendimin. O Prijësi i mbarë Besimtarëve, uallahi ti the të vërtetën, kjo është mburoja jote. Të pati rënë nga deveja dhe unë e pata marrë. Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, që meriton të adhurohet; Muhamedi është i Dërguari i Tij.”
Kur ai njeri pranoi Islamin dhe u bë mysliman, tregojnë se Aliu (radijallahu anhu), jo vetëm që ia dhuroi atij atë mburojë, por i dha edhe një shpërblim prej shtatëqind dërhemësh. Në fund ai pati rënë dëshmor në Betejën e Siffinit.”
Shënimet
- 51.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/196 (11243).
- 52.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/8 (6809).
- 53.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/42.
- 54.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/62.
- 55.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/62.
- 56.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/123.
- 57.. Ibn Hisham, Sire, 2/265.
- 58.. Buhari, Sahih, 3/1409 (3671).
- 59.. Buhari, Sahih, 4/1717 (4398).
- 60.. Buhari, Sahih, 2/974 (2581).
- 61.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/323 (18930).
- 62.. Buhari, Sahih, 3/1096 (2847).
- 63.. Bejheki, Sunen, 8/207 (16665).
- 64.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/137.
- 65.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 11/197 (11480).
- 66.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/506 (1448).
- 67.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/103 (16998).
- 68.. Ibn Hisham, Sire, 2/90.
- 69.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/29.
- 70.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/80.
- 71.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/41.
- 72.. Ibn Abdi’l-Berr, el-Istiab, 4/225.
- 73.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/24.
- 74.. Ibn Abdi’l-Berr, el-Istiab, 2/500.
- 75.. El-Hakim, Mustedrek, 3/277 (5082).
- 76.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/32.
- 77.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/95.
- 78.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/210; Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/36.
- 79.. Ibn Haxher, el-Isabe, 1/337.
- 80.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/138 (13003).
- 81.. Ibn Abdi’l-Berr, el-Istiab, 1/323.
- 82.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/66.
- 83.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 17/99.
- 84.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/237 (10228).
- 85.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 2/26.
- 86.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/580 (14208).
- 87.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 5/451.
- 88.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/17 (9825).
- 89.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/55.
- 90.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/247.
- 91.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/608.
- 92.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/64.
- 93.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/60.
- 94.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/62.
- 95.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/427 (23668).
- 96.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/39.
- 97.. Buhari, Sahih, 1/470 (1330).
- 98.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/427 (18852).
- 99.. Ebu Nu’ajm, Delail, 1/255.
- 100.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/145.
- 101.. Ebu Nu’ajm, Delail, 1/259.
- 102.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/141.
- 103.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/140.
- 104.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 20/343 (806).
- 105.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/142.
- 106.. El-Hakim, Mustedrek, 2/683 (4255).
- 107.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/533 (1525).
- 108.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/41.
- 109.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/20 (9834).
- 110.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/20 (9835).
- 111.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/139.
- 112.. Ibn Kethir, Tefsir, 3/350.
- 113.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/125.
- 114.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/37 (9851).
- 115.. Darimi, Sunen, 2/286 (2444).
- 116.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/758 (11300).
- 117.. Ibnu’l-Xheuzi, Sifetu’s-Safue, 1/391.
- 118.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 8/279 (8074).
- 119.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/78.
- 120.. Buhari, Sahih, 2/544.
- 121.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/535 (1531).
- 122.. Muslim, Sahih, 1/46 (23).
- 123.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/476 (1363).
- 124.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 20/8 (12).
- 125.. Ibn Haxher, Fet’hu’l-Bari, 8/128.
- 126.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/83.
- 127.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/83.
- 128.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/557 (9591).
- 129.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/216.
- 130.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/427 (13894).
- 131.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/266.
- 132.. Ibn Haxher, el-Isabe, 1/259.
- 133.. Ibn Kethir, Sire, 3/514.
- 134.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/272.
- 135.. Mula’ane – mallkim i ndërsjelltë i kushtëzuar, ku të dyja palët mallkojnë që ndëshkimi të bjerë mbi ata që janë duke gënjyer, apo nuk thonë të vërtetën për diçka.
- 136.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/55.
- 137.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/55.
- 138.. Ibn Hibban, Sahih, 1/521 (288); Ibn Haxher, el-Isabe, 1/566.
- 139.. Buhari, 2/974.
- 140.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/754 (30152).
- 141.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/749 (30137).
- 142.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/749 (30137).
- 143.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/198 (17812).
- 144.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/238.
- 145.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/238; El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/352 (37024).
- 146.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 7/76 (6419).
- 147.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/291.
- 148.. El-Hakim, Mustedrek, 3/317 (5225).
- 149.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/757 (30158).
- 150.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/677 (29931).
- 151.. El-Hakim, Mustedrek, 3/270 (5057).
- 152.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/761 (30170).
- 153.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/400 (15337).
- 154.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/30.
- 155.. El-Hakim, Mustedrek, 3/561 (6084)
- 156.. El-Hakim, Mustedrek, 3/561 (6084).
- 157.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/29.
- 158.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/153.
- 159.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/313.
- 160.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/508 (14064).
- 161.. Ibn Abdi’l-Berr, el-Istiab, 2/486.
- 162.. Muslim, Sahih, 4/1938 (2491).
- 163.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/461.
- 164.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/601.
- 165.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 2/351.
- 166.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/100.
- 167.. Ibn Haxher, Fet’hu’l-Bari, 8/102 (4131).
- 168.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/817 (30309).
- 169.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/375 (37075).
- 170.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/343.
- 171.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/654 (11008).
- 172.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/12.
- 173.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/38.
- 174.. El-Hakim, Mustedrek, 3/510 (5901).
- 175.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/41; Taberi, Tarih, 4/94.
- 176.. Taberi, Tarih, 4/227.
- 177.. Taberi, Tarih, 4/288.
- 178.. Taberi, Tarih, 5/9.
- 179.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/166.
- 180.. El-Hakim, Mustedrek, 3/380(5449).
- 181.. Taberi, Tarih, 4/227.
- 182.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/44 (17795).