JETA E SAHABËVE 1
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
ENSARËT: SIMBOLI I PËRKRAHJES SË MYSLIMANËVE
Si i vunë Ensarët shpatullat kësaj feje të lartësuar, që të çon kah rruga më e drejtë dhe më e vërtetë? Si iu kthye vënia e shpatullave Islamit, për t’u dalë zot myslimanëve, në diçka më të dashur se kjo botë dhe gjithçka tjetër që i përket asaj? Si krenoheshin ata me ndihmën e dhënë dhe me sakrificat e panumërta që kishin bërë? Krahas kësaj, si i nënvlerësonin ata kënaqësitë e kësaj bote? Vërtet, ata, të gjitha këto, i patën bërë e realizuar me qëllimin për të fituar pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut, si dhe për të shfaqur bindjen e plotë dhe të padiskutueshme ndaj të Dërguarit të Tij.
1. ENSARËT KRYEJNË DETYRËN
Ç’ka thënë Aishja (r.a.) lidhur me këtë çështje?
Aishja (radijallahu anha) ka thënë kështu: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkonte çdo vit nëpër fiset arabe dhe u kërkonte atyre që ata ta strehonin e ta pranonin në mesin e tyre, në mënyrë që ai ta kishte më të lehtë për të realizuar shpalljen e fjalës dhe të mesazheve të Allahut; në këmbim të kësaj ai u premtonte atyre Xhenetin. Megjithatë, ende asnjë prej fiseve të arabëve nuk e pati pritur mirë, ndaj edhe nuk e patën pranuar, këtë kërkesë të tijën.
Derisa, më në fund, Allahu i Madhërishëm e nxori fitimtare fenë e Tij. Ai e ndihmoi të Dërguarin e Vet, duke përmbushur diçka që kish qenë ndër premtimet e Tij qysh në krye të herës. Ai e dërgoi më të Dashurin e Tij Fisnik në atdheun e Ensarëve. Ishin ata që iu përgjigjën pozitivisht, duke e pranuar menjëherë kërkesën e Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Kësisoj, Allahu i Madhërishëm, e bëri vendin e tyre vendbanimin e mërgimit për më të Dashurin e Tij Fisnik.
Mendimet e Omerit (r.a.) për këtë çështje
Ka thënë Omeri (radijallahu anhu): “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur ishte në Mekë, në çdo stinë të Haxhit, shkonte fis më fis dhe u kërkonte të gjithë arabëve, që ta pranonin në mesin e tyre, mirëpo nuk pati gjetur dot askënd që ta pranonte. Në fund, Allahu i Madhërishëm na fali ne Ensarët. Allahu u fali atyre gëzimin dhe një vlerë të paçmueshme, duke i bërë bujtësit e Profetit, të cilin e mbështetën dhe e përkrahën deri në fund. Allahu atyre u dhëntë të mira e begati pa kufi për atë ndihmë që i dhanë Profetit të tyre. Unë i betohem Allahut, që ne nuk ia shlyem dot kurrë ato të mira që ata bënë për ne. Ne u thamë atyre: ‘Drejtues jemi ne Mërgimtarët, mirëpo ju, Ensarët, jeni ndihmësit tanë më të mirë.’ Ju betohem, se po pata jetë deri në fillim të vitit, të gjithë mëkëmbësit (valinjtë) që do të caktoj do të jenë prej Ensarëve.”
Hadithi që përcjell Xhabir bin Abdullahu
Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu) ka thënë: “Profeti ynë, çdo vit, kur vinte stina e haxhit, shkonte nëpër çadrat ku qëndronin fiset e arabëve në Mekë dhe u thoshte atyre:
“A ka ndonjë njeri që do të më çojë pranë popullit të tij, sepse kurejshët nuk
më lejojnë që unë t’u shpjegoj njerëzve fjalën e Zotit tim?” Njëherë, pranë tij erdhi dikush nga fisi i Hemdanit. I Dërguari i Allahut e pyeti atë:
“Ti i kujt je?”
“Unë jam prej fisit të Hemdanit.”, – u përgjigj ai njeri.
“I fortë është fisi yt? A mund të më ruajnë ata mua?”, – e pyeti i Dërguari i Allahut.
“Po, patjetër që kanë aq fuqi sa të të dalin ty në mbrojtje.” Mandej, ai njeri u shqetësua se populli i tij mund t’i bënte keq, ndaj shkoi te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:
“O Resulullah, më lejo të kthehem njëherë pranë njerëzve tanë dhe t’i njoftoj edhe ata; pastaj, vitin tjetër unë do të vij prapë tek ti.” - “Në rregull, atëherë, ashtu e bëjmë.”, – iu përgjigj Resulullahu.
Ai njeri iku dhe, në muajin Regaip, aty erdhi grupi përfaqësues i
Ensarëve.”
Transmetimi i Urues për sa i përket kësaj çështjeje
Urueja tregonte: “Kur afroi stina e Haxhit, një grup myslimanësh nga Ensarët u nisën të shkonin të kryenin Haxhin. Këta ishin, Muadh bin Afraja dhe Esad bin Zurareja nga bijtë e Mazin bin Nexh’xharit; Rafi’ bin Maliku dhe Dhekuan bin Abdulkajsi nga bijtë e Zurejkut; Ebul-Hejthem bin Tejjihani nga bijtë e Abdulesh’helit dhe Uvejm bin Saideja nga bijtë e Amr bin Aufit (radijallahu anhum).
I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkoi pranë tyre. Pasi u bëri të ditur atyre se Allahu i Madhërishëm u kishte zgjedhur atë vetë si profet për të gjithë ata, u lexoi edhe ajete nga Kur’ani. Kur dëgjuan fjalët e Profetit tonë, ata heshtën, sepse edhe zemrat iu ngrohën jashtëzakonisht shumë ndaj ftesës që ai po u bënte. Iu kujtuan menjëherë ato cilësi të Profetit ‘të kohës së fundit’, për të cilin u kishin folur shpesh të krishterët dhe hebrenjtë, andaj e aprovuan menjëherë çdo fjalë të tijën, duke shpallur kësodore besimin e tyre tek ai. Si përfundim, ata u bënë shkas që e mira t’u shkonte edhe të gjithë atyre që do të vinin pas tyre. Gjatë takimit ata i thanë Profetit tonë: “Ti e di mirë hasmërinë që ekziston mes fisit të Eusit dhe fisit të Hazrexhit. Ne nuk duam asgjë tjetër, veçse që Allahu i Madhërishëm ta nxjerrë ngadhënjimtar misionin tënd të bekuar. Ne do të punojmë e do të bëjmë gjithçka, me gjithë shpirt, për Allahun dhe për ty. Tani për tani, për hir të Allahut, qëndro këtu dhe prit. Të kthehemi njëherë pranë popullit tonë, e t’u bëjmë thirrje edhe atyre që të hyjnë në rrugën e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Ne jemi shpresëplotë, se Allahu i Madhërishëm do të vendosë paqen mes nesh dhe ne të bashkohemi të gjithë me njëri-tjetrin. Ne sot jemi shumë të distancuar nga njëri-tjetri, e, tani për tani, mes nesh nuk ka asnjë njeri që të mos ushqejë urrejtje për hasmin e tij. Po erdhe që tani pranë popullit tonë, në këtë kohë, atëherë kemi frikë se ne nuk do të bashkohemi dot, që të bëhemi xhemati yt. Të japim fjalën, se do të vijmë vitin tjetër, po në stinën e Haxhit.”
Të Dërguarit të Allahut i patën pëlqyer shumë ato fjalë që i patën thënë Ensarët. Ata myslimanë u kthyen pranë njerëzve të tyre dhe filluan që t’u tregonin njerëzve fshehtazi për Islamin. Ata u folën atyre për Resulullahun; që Allahu e pati dërguar atë si profet, e që tani, nëpërmjet Kur’anit, po i ftonte njerëzit që t’i besonin Allahut. Ato ftesa, më në fund, bënë që nëpër shtëpitë e ensarëve të mos mbetej më asnjë familje ku nuk kishte të paktën një mysliman.”
Jahja bin Saidi tregon: “Dëgjova një grua të moshuar nga mesi i Ensarëve, e cila po thoshte: Unë pata parë Ibni Abasin, që shkonte te Sirma bin Kajsi dhe seç mësonte një poezi pak a shumë kështu:
Për dhjetë vite i Dërguar’ i Allahut mes Kurejshëve ndenji.
I këshillonte, me shpresë se një mik të sinqertë mes tyre të gjente,
E çdo haxh u fliste t’arabëve fise se ai ishte bash vetë ai profeti,
Por as dikë që ta mbrojë, as dikë që në siguri ta ftojë, dot nuk e gjeti.
Kur te ne vendosi të vijë, populli ynë menjëherë e mbështeti.
Iu bë zemra mal, u gëzua, ndaj edhe i kënaqur prej nesh ai mbeti.
Tanimë prej zullumqarëve larg ai ishte, frikë brenda vetes më nuk gjeti,
Nuk shqetësohej, se mos ata t’harbuar njerëz dëm’ e t’këqija i sjellin.
Për të i harxhuam ne më të mirat pasuri që deri dje mbi to flinim, Deri dhe jetën, për të, ne dhamë, se të gatshëm ishim ta jepnim!
Armiku ynë ish kushdo që vetë armik i Zotit të ishte pat’ zgjedhur.
Edhe sikur miq tanët të pastër të ishin!
Fare mirë ne e dinim, se veç Zotit, jo, tjetër nuk kish të përjetshëm!
Librin e Allahut, të vetmin udhërrëfyes kishim zgjedhur!”
2. VËLLAZËRIA E KRIJUAR MES MUHAXHIRËVE DHE ENSARËVE
Historia e Abdurrahman bin Aufit me Sad bin Rabian
Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Në kohën që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi në Medinë, ai i bëri vëllezër me njëri-tjetrin Abdurrahman bin Aufin (radijallahu anhu) me Sad bin Rabia el-Ensarin. Pas kësaj, Sad bin Rabia i tha Abdurrahman bin Aufit:
“Vëllai im, në mbarë Medinën unë jam më i pasuri. Gjysmën e pasurisë sime kam vendosur të ta jap ty. Kam edhe dy gra, me të cilat jam i martuar; shiko, cilado që të pëlqen, më thuaj dhe unë do ta ndaj atë, që të martohesh ti me të.”
Abdurrahman bin Aufi i tha:
“Allahu i begatoftë, gratë e tua dhe pasurinë tënde; ti më trego mua rrugën e pazarit, mjafton.” Kësisoj, ai i tregoi vëllamit të tij pazarin. Abdurrahmani shkoi atje, bleu diçka dhe e shiti duke nxjerrë edhe një fitim prej shitje-blerjes. Bleu pak bullgur dhe pak vaj dhe u kthye në shtëpi. Pas njëfarë kohe, Abdurrahmani ecte duke përhapur gjithandej një erëmim të mirë shafrani.
“Ç’është kjo aromë kështu?”, – e pyeti i Dërguari i Allahut.
“Unë u martova me një grua, o Resulullah.”, – u përgjigj Abdurrahman bin Aufi.
“Po si mehr (prikë garanci për vajzën), çfarë i dhe, o Abdurrahman?”, – vazhdoi i Dërguari i Allahut.
“Një copë ari me peshën sa të një bërthame.” - “Atëherë, shtro një sofër të martesës, qoftë edhe me një dele.” Abdurrahmani (radijallahu anhu) thotë se:
“Uallahi, unë fitoja aq shumë, saqë edhe kur lëvizja ndonjë gur nga toka, shpresoja se aty do të dilte flori ose argjend.”
Muhaxhirë dhe ensarë, bëhen trashëgimtarë në pasurinë e njëri-tjetrit
Ibni Abasi (radijallahu anhu) thotë se: “Kur ata që mërguan nga Meka erdhën në Medinë, prej vëllazërisë që i Dërguari i Allahut kishte ndërtuar mes tyre dhe Ensarëve, herë-herë ndodhte që ata bëheshin trashëgimtarë të një linje të mëhershme se sa vetë kushërinjtë e tyre, më të cilët kishin edhe lidhje gjaku. Derisa, në fund, u zbrit ajeti: “Gjithkujt
Ne i kemi caktuar trashëgimtarët për çdo gjë që lënë prindërit ose të afërmit, ndërsa atyre me të cilët keni bërë marrëveshje, jepuni pjesën e vet. Sigurisht që Allahu është dëshmitar për çdo gjë.” (Nisa, 4/33), që e anuloi gjykimin që kishin marrë vetë myslimanët mes veti, për t’i bërë mërgimtarët dhe ensarët trashëgimtarë në pasuritë e njëri-tjetrit.”
Ndërsa, sipas një tjetër përcjelljeje që i bëhet këtij fenomeni, ajeti që i jep fund atij gjykimi thuhet se ishte ajeti: “Edhe ata që u bënë besimtarë më vonë, që mërguan dhe luftuan bashkë me ju, janë vëllezërit tuaj; ndonëse, sipas Librit të Allahut, besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin (në ndarjen e trashëgimisë). Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (Enfal, 8/75).
Ensarët i ndihmojnë ekonomikisht muhaxhirët
Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) transmeton: “Ensarët patën ardhur tek i Dërguari i Allahut dhe i patën thënë:
“O Resulullah, na i nda këto kopshte të hurmave që ne kemi me vëllezërit tanë që kanë mërguar në rrugën e Allahut.” Mirëpo, i Dërguari i Allahut iu përgjigj atyre:
“Jo, kjo është një punë që nuk bëhet. Si, ju edhe do të punoni për t’u përkujdesur për ne, por edhe do të na bëni ne ortakë në prodhimin e asaj që ju e keni punuar? Jo, kjo është diçka që nuk mund ta pranojmë!”
“E drejtë është ajo që thua ti, ndaj të dëgjuam dhe të bindemi, o i Dërguari i Allahut.”, – thanë ata.”
Abdurrahman bin Zejd bin Eslemi (radijallahu anhu) transmeton: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u pati thënë Ensarëve:
“Vëllezërit tuaj që kanë mërguar, braktisën tokat, pasurinë dhe fëmijët e tyre, për të ardhur pranë jush.” Kur dëgjuan Resulullahun t’u thoshte këto fjalë, Ensarët i thanë Atij:
“O Resulullah, ta ndajmë të gjithë pasurinë me ta.”
“Jo këtë, por mund të bëjmë diçka tjetër!”, – u propozoi atyre i Dërguari i Allahut.
“E çfarë është ajo, o Resulullah?”, – pyetën Ensarët gjithë kureshtje.
“Muhaxhirët janë njerëz që nuk dinë të punojnë në punët e kopshteve dhe të arave, ndaj sikur t’i ndani edhe me ta ato fruta që do të merrni prej bahçeve tuaja?”
“Si të na thuash ti, o Resulullah!”, – folën Ensarët e pranishëm njëzëri.”
Enesi (radijallahu anhu) ka transmetuar: “Muhaxhirët i thanë të Dërguarit të Allahut:
“O Resulullah, ne nuk kemi parë kurrë më parë njerëz si këta ensarët, tek të cilët kemi ardhur të gjejmë strehë! Kjo është hera e parë që përballemi me një bashkësi të këtillë, që kur edhe për vete kanë shumë pak, kanë qejf që t’i ndajnë me të tjerët, edhe kur kanë shumë duan që t’ua japin të tjerëve pjesën më të madhe të asaj që kanë! Uallahi, jo vetëm që nuk na kanë lënë të bëjmë asgjë, që të punojmë edhe ne, por edhe kanë e ç’nuk kanë i ndajnë të gjitha me ne. Kemi frikë se të gjitha shpërblimet e Allahut do t’i marrin ata, e jo ne.” Resulullahu, i cili e dëgjoi shqetësimin që kishte kapluar mërgimtarët, u tha atyre:
“Për sa kohë që do t’i lavdëroni e do t’i mburrni cilësitë e të mirat e Ensarëve dhe për sa kohë që do t’i luteni Allahut për ta, mos u shqetësoni!”
Xhabiri (radijallahu anhu) tregon: “Ensarët mblidhnin hurmat, i ndanin në gjysmë, në atë mënyrë që një pjesë të kishte një hurmë më pak, pastaj degët e hurmave i vinin mbi pjesën ku kishte një hurmë më pak dhe i linin mërgimtarët të lirë, që të zgjidhnin ata të parët. Kështu, mërgimtarët merrnin pjesën ku kishte më shumë hurma, ndërsa Ensarët mbanin atë pjesë të hurmave ku kishte më pak të tilla. Kështu vazhdoi, deri kur u ngadhënjye mbi Hajberin. Kur u mor Hajberi, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu drejtua Ensarëve duke u thënë:
“Ju e kryet më së miri detyrën tuaj. Po ju duk e drejtë, ju të hiqni dorë prej pjesës që ju takon prej Hajberit dhe të vazhdoni me frutat tuaja, asisoj që ato janë të gjitha tuajat këtej e tutje.”
“Po ti na pate vendosur disa kushte. Dhe ne, në këmbim të tyre të patëm kërkuar Xhenetin, e ne bëmë çdo gjë e bëmë në këmbim të Xhenetit!”
“Po mirë, atëherë ajo që ju takon është po e juaja.”, – tha i Dërguari Fisnik.
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) thirri Ensarët. Do t’u jepte atyre pjesën që u takonte nga plaçka e luftës së Bahrejnit. Ata nuk pranuan, duke i thënë:
“Ne nuk e pranojmë, nëse nuk do të marrin edhe vëllezërit tanë mërgimtarë njëlloj si ne!”
“Si, po më thoni ‘jo’?”, – u tha atyre i Dërguari i Allahut.
“Atëherë prisni derisa unë të vij tek ju, sepse edhe juve do t’ju ngjitet sëmundja e zgjedhjes së të afërmve dhe kushërinjve tuaj para të tjerëve! Bëni shumë kujdes nga diçka e këtillë!”
3. ENSARËT PREFERONIN MË SHUMË PËLQIMIN E KËNAQËSINË E ALLAHUT DHE TË TË DËRGUARIT TË TIJ SESA PASURITË E KËSAJ BOTE
Qëndrimi që mbajtën ensarët në Hunejn
Ebu Said Hudriu (radijallahu anhu) tregon: “Ditën që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mori në dorë plaçkën e luftës së Hunejnit, e ndau atë mes atyre që sapo kishin pranuar Islamin nga radhët e kurejshëve, të cilët kishin nevojë për stimulim e afrim me zemër ndaj Islamit, pra të atyre që u duhej ngrohur zemra me Islamin, dhe arabëve të tjerë, por Ensarëve u mbeti ose shumë pak, ose asgjë fare. Kjo i shqetësoi shumë disa nga Ensarët. Madje, njëri sosh arriti gjer aty sa tha:
“Uallahi, i Dërguari i Allahut, tani që u bashkua me popullin e tij, ne na harroi fare.” Në emër të Ensarëve, te Profeti ynë shkoi Sad bin Ubadeja (radijallahu anhu), i cili i tha atij:
“O Resulullah, aksh fis nga Ensarët është mërzitur me ty.” I Dërguari Fisnik tha:
“Për çfarë u ka ngelur qejfi?”
“Ngaqë ti e ndave plaçkën e luftës mes popullit tënd dhe arabëve të tjerë, e për ta nuk mbeti thuajse asgjë.”
“Po mirë, o Sad, po ti si mendon për këtë gjë?”, – e pyeti Profeti ynë.
“Unë jam vetëm njëri prej tyre.”, – u përgjigj Sadi.
“Atëherë, mblidhe popullin tënd në aksh vend. Kur të mblidhen të gjithë, atëherë eja e më njofto edhe mua.”
Sadi doli dhe i thirri të gjithë Ensarët të mblidheshin. Ata u mblodhën të gjithë sa ishin atje. Disa nga muhaxhirët i lejoi, kurse shumë të tjerë i ktheu pas. Pastaj, shkoi pranë të Dërguarit të Allahut dhe i tha:
“O Resulullah, unë i mblodha ensarët ashtu siç më urdhëruat ju; po ju presim ju të gjithë.”
I Dërguari i Allahut erdhi. Pa u ulur filloi t’u flasë atyre në këmbë.
Pasi lëvdoi e lartësoi emrin e Allahut, ai u tha atyre kështu:
“O bashkësi e Ensarëve! A nuk erdha unë tek ju në një kohë që ju jetonit të zhytur në humbje? A nuk ju udhëzoi ju Allahu nëpërmjet meje? Kur ju ishit nevojtarë e të varfër, a nuk ishte Allahu Ai që ju lejoi të bëheshit të pasur? A nuk ishte Allahu Ai që jua ngrohu e jua ëmbëlsoi zemrat me njëri-tjetrin, duke i dhënë fund armiqësive, sepse ju ishit në hasmëri me njëri-tjetrin?” - “Po, o i Dërguari i Allahut.”, – i thanë ata.
“O bashkësi e Ensarëve, pse nuk më përgjigjeni?”, – iu drejtua ai sërish atyre.
“Ç’të të themi, o Resulullah, çfarë përgjigjeje të të japim? Ne i detyrohemi gjithçka Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”
“Po të donit, ju mund të thoshit edhe kështu, e prapë të vërtetën do të kishit thënë, e ne do t’jua pranonim: - ‘O Muhamed, në një kohë që ty të patën përzënë të gjithë, ne të pranuam, të strehuam. Ti ishe nevojtar dhe ne të ndihmuam. Kishe frikë, por ne të dhamë siguri. Nuk kishe asnjë njeri, por ne të erdhëm në ndihmë!”
“Ne për gjithçka kemi i detyrohemi Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”, – përsëritën Ensarët.
I Dërguari i Allahut vazhdoi të fliste me këto fjalë:
“O xhemat i ensarëve! Vallë mos ju jeni mërzitur me mua, pse unë u dhashë disa njerëzve, për t’i afruar zemrat e tyre me Islamin, duke pasur besim të plotë te lidhja e fortë me Islamin që Allahu ju ka falur ju? Më thoni: A nuk doni ju, që ndërsa njerëzit e tjerë do të kthehen pranë familjeve të tyre me dhentë e devetë e marra prej meje, ju të ktheheni nëpër shtëpitë tuaja bashkë me të Dërguarin e Allahut? Unë ju betohem në Allahun, se sikur të gjithë njerëzit të shkojnë drejt një lugine dhe ensarët drejt një lugine tjetër, unë, prapëseprapë, luginës që do të ecin edhe ensarët do të eci. Po të mos kish qenë detyrimi për të mërguar, unë vetë një prej ensarëve do të doja të isha. O Zot, mëshiroji ensarët, fëmijët e ensarëve dhe nipërit e ensarëve!”
Kjo fjalë e mbajtur nga Profeti ynë i bëri Ensarët të qanin me ngashërim, lotët u lagnin mjekrat, aq sa të gjithë njëzëri thanë:
“Ne jemi të kënaqur prej Allahut Zot, e jemi sakaq të kënaqur edhe prej të Dërguarit të Tij si i dërguar.” Paskëtaj, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u largua prej andej, ndërsa Ensarët u shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre.”
Cilësitë e ensarëve
Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “Të Dërguarit të Allahut i kishin ardhur disa pasuri nga Bahrejni. Muhaxhirët dhe Ensarët, kur e dëgjuan këtë, frymën e mbajtën drejt e në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut. I Dërguari Fisnik u tha Ensarëve:
“Me sa di unë dhe me sa ju kam njohur unë ju, kur vjen puna te shërbimi dhe te mundimi për t’u ardhur njerëzve në ndihmë, ju jeni të parët që vraponi, e të parët që shmangeni e largoheni, kur vjen puna te interesat vetjakë dhe shpërblimet!”
Sipas një transmetimi, përcjellësi i të cilit është Enesi (radijallahu anhu), Ebu Talhaja (radijallahu anhu) pati shkuar te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ai i pati thënë atij:
“Përshëndete nga unë popullin tënd dhe jepu atyre lajmin e mirë se: “Qëkur i kam njohur unë, Ensarët janë njerëz shumë të ndershëm dhe shumë të duruar.”
Sihariqi që i dha Profeti ynë Sad bin Muadhit në çastet e fundit të jetës
Abdullah bin Shedadi (radijallahu anhu) thotë se: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi pranë Sad bin Muadhit, i cili po jepte e po merrte frymëmarrjet e fundit në këtë jetë dhe i tha:
“Allahu i faltë të mira pafund të parit të popullit të Ensarëve. Uallahi, ti e mbajte fjalën që i dhe Zotit dhe pa dyshim, edhe Zoti do ta mbajë fjalën e dhënë ndaj teje.”
Shënimet
- 333.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 6/294 (6454).
- 334.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/49 (9879).
- 335.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/390 (15229).
- 336.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/46 (9876).
- 337.. Ibnu’l-Ethir, Usdu’l-Gabe, 1/518.
- 338.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/228,
- 339.. Ibn Haxher, Fet’hu’l-Bari, 7/270 (3721).
- 340.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/228.
- 341.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/781 (16526).
- 342.. Buhari, Sahih, 3/1381 (3581).
- 343.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/358.
- 344.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 14/53 (37951).
- 345.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 14/53 (37950).
- 346.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/369.