JETA E SAHABËVE 1

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

HIXHRETI

Si e braktisën sahabët atdheun e tyre, për të mos u kthyer kurrë më atje, deri në vdekje? Si u shndërrua mërgimi nga shtëpitë dhe familjet e tyre në diçka më të dashur se kjo botë dhe gjithë pasuritë e saj? Nuk iu bëri fare përshtypje që po u iknin duarsh sa e sa të mira të kësaj bote, që çmuan më shumë besimin dhe e mbajtën fenë e tyre mbi çdo të mirë materiale? Si mërguan ata nga njëri vend në tjetrin, si e si që ta ruanin fenë e tyre të pastër nga çdo ngatërresë që të tjerët tentonin të fusnin mes tyre? Sikur ata të ishin krijuar enkas për ahiretin, ndërsa bota të ish krijuar enkas për ta!

1. HXHRETI I TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE EBU BEKRIT (r.a.)

Paria e kurejshëve mblidhet për t’i ngritur kurth Profetit tonë të dashur

Urueja (radijallahu anhu) tregon: Aty drejt fundit të vitit të trembëdhjetë të profetësisë së Profetit tonë, pas Haxhit, ai qëndroi në Mekë edhe gjatë muajve të Muharremit dhe të Saferit. Ndërkohë idhujtarët e Mekës kishin marrë vesh se i Dërguari i Allahut do të largohej nga Meka dhe Allahu i Madhërishëm i kishte caktuar atij si vend strehimi Medinën, e cila më vonë do të kthehej në kështjellën e myslimanëve; kishin dëgjuar se qytetarët e Medinës ishin bërë myslimanë dhe se të gjithë myslimanët për atje shkonin si mërgimtarë. Prandaj, ata po diskutonin e po thurnin plane me njëri-tjetrin, se si ta kapnin të Dërguarin e Allahut, ta vrisnin, ta burgosnin, apo thjesht ta dëbonin nga Meka. Allahu i Madhërishëm, ato kurthe që ata po orvateshin të thurnin, ia pati lajmëruar Profetit Famëlartë nëpërmjet këtyre ajeteve:

“Kujto kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të të burgosur, vrarë ose dëbuar. Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë.” (Enfal, 8/30)

I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati marrë vesh se idhujtarët do ta kapnin atë natë që ai do të shkonte të flinte në shtëpinë e Ebu Bekrit (radijallahu anhu). Andaj, bashkë me Ebu Bekrin, ai u nis për rrugë drejt një shpelle që gjendej në malin e Theurit. Kjo është shpella që përmendet edhe në ajetin e dyzetë të sures “Teube” në Kur’an. Atë natë, Aliu (radijallahu anhu), në fshehtësi të plotë, u shtri të flinte në vendin ku flinte zakonisht Profeti ynë. Gjatë gjithë natës, kurejshët nuk mundën të arrinin në një vendim përfundimtar. Kur agoi, ata shkuan dhe në shtrat gjetën Aliun. E pyetën se ku ishte profeti.

- “Nuk e di.”, - u përgjigj ai. E kuptuan që ishte larguar nga Meka. U hipën menjëherë kuajve dhe dolën ta kërkojnë në çdo anë nga mund të kishte ikur. U dërguan fjalë të gjithë atyre që banonin afër burimeve të ujit, duke u premtuar të gjithëve se atyre që do ta gjenin do t’u jepej një shpërblim shumë i majmë. Shkuan deri në malin e Theurit, aty ku gjendeshin edhe Profeti ynë me Ebu Bekrin (radijallahu anhu), dhe rrinin aty në njërin prej shpateve të tij. I Dërguari i Allahut i pati dëgjuar zhurmat e hapave të tyre, ndërsa Ebu Bekri (radijallahu anhu) pati filluar të shqetësohej. Profeti ynë e pati ndierë shqetësimin e Ebu Bekrit, ndaj i pati thënë: “Mos u mërzit, se Allahu është me ne!” Profeti ynë u lut dhe, pas lutjes së tij, në zemrën e Ebu Bekrit u rikthye qetësia dhe paqja shpirtërore. Si përfundim, ja se si paraqitet ajo situatë në Kur’anin Famëlartë:

“Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesin vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): ‘Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!’ Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.’” (Teube, 9/40)

Në Mekë Ebu Bekri (radijallahu anhu) kishte dele që i jepnin shumë qumësht. I dërgoi fjalë Amir bin Furejres, i cili ishte një mysliman shumë i mirë dhe i besueshëm. E ai, për t’u ardhur në ndihmë në një situatë të këtillë, pagoi Ibnu’l-Ijkatin nga fisi i bijve të Abd bin Adijit, që t’u shërbente si udhërrëfyes. Ky njeri ishte njëherazi, edhe bashkëpunëtor i kurejshëve, edhe vetë ishte idhujtar. Por rrugët i njihte në pëllëmbë të dorës.

Në ato net kur Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe Ebu Bekri (radijallahu anhu) qëndronin të fshehur, i biri i Ebu Bekrit, Abdullahu, vinte tek ata atëherë kur binte errësira e plotë e natës; u njoftonte atyre të rejat se çfarë kishte ndodhur në Mekë gjatë ditës. Amir bin Fuhejreja nxirrte delet të kullotnin andej pari dhe nganjëherë një pjesë të deleve e çonte pranë tyre, që t’i milnin e t’u pinin qumështin e ndonjërën ta zgjidhnin për ta therur, që të hanin nga pak mish. Amiri, të nesërmen, do të zgjohej më shpejt se të tjerët, që të shkonte te çobanët e tjerë, e askush të mos kuptonte gjë se ku kishte qenë gjatë natës. Mandej, kur situata u duk më e sigurt, Amir bin Fuhejreja, bashkë me Ibnul-Ejkatin, u çuan atyre dy deve. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe Ebu Bekri (radijallahu anhu) patën ndenjur në shpellë dy ditë e dy net. U hipën deveve dhe u nisën për në Medinë. I shoqëronte Amir bin Fuhejreja, i cili u shërbente për çdo nevojë që kishin gjatë rrugës; Ibnul-Ejkati u rrëfente udhën. Me vete nuk kishin askënd tjetër.”

Përgatitjet e Ebu Bekrit për rrugëtimin e hixhretit

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), çdo ditë, në mbrëmje ose në darkë, do të vinte medoemos te babai, Ebu Bekri. Atë ditë që Allahu i Madhërishëm ua lejoi të mërgonin, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi tek Ebu Bekri në një orar që ai nuk e priste, aty në pikën e drekës. Kur e pa, Ebu Bekri tha me vete:

“Qoftë për hair, inshallah, se i Dërguari i Allahut nuk vjen në këtë orë, diçka shumë e rëndësishme duhet të ketë ndodhur!” I Dërguari i Allahut hyri brenda dhe Ebu Bekri u ngrit nga jastëku në të cilin po rrinte i ulur, që aty të ulej Profeti ynë. Në shtëpi nuk kishte njeri tjetër, veç meje dhe motrës sime, Esmasë. I Dërguari i Allahut i tha:

“Thuaji të dalin pak jashtë, kë ke në shtëpi!”, - duke ia bërë me shenjë.

Ebu Bekri iu përgjigj:

“Vajzat e mia janë. Ty t’u qofshin falë, nëna dhe babai im, çfarë ka ndodhur, o Resulallah?”

“Allahu i Madhërishëm më dha leje që të largohem prej këtu, duke mërguar në ndonjë vend tjetër.”

“O Resulallah, dua të vij edhe unë me ju.”

“Po, do të vish edhe ti me mua, ti do të jesh shoqëruesi im i rrugës, do të ikim bashkë.”

Aishja (radijallahu anha) thotë se: “Uallahi nuk kisha parë ndonjëherë që njeriu të qante nga gëzimi. Ebu Bekri që pashë atë ditë qante vazhdimisht nga gëzimi.” Pastaj Ebu Bekri tha:

“O Resulallah, edhe këto dy deve për atë punë i kam përgatitur.”

“Kjo është një punë që nuk bëhet, më duhet të ta blej njërën nga devetë.”, - dhe sakaq e pagoi me çmimin e një deveje. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) bashkë me Ebu Bekrin paguan dikë që e quanin Abdullah bin Ejkat nga fisi i Beni Duil bin Bekrit, që t’u shërbente si udhërrëfyes gjatë rrugës. Ky udhërrëfyes vetë ishte idhujtar. Nënën e kishte nga fisi i bijve të Sehm bin Amrit. Devetë ia dorëzuan atij. Deri në ditën që ranë dakord se do të niseshin do të kujdesej ai për devetë, do t’u jepte për të ngrënë dhe për të pirë.”

Vajza e Ebu Bekrit, Esmaja (radijallahu anha) tregon: (...) Më vonë ne nisëm nga përgatitjet e nevojshme të rrugës. Preva një pjesë nga brezi im dhe me të lidha grykën e torbës së ushqimeve. Ata ikën, u nisën. Për njëfarë kohe ata pritën në shpellën e malit të Theurit. Kur mbërritën para shpellës, brenda i pari hyri Ebu Bekri, me shqetësimin se mos aty kishte ndonjë kafshë të rrezikshme dhe mbylli mirë e mirë të gjitha vrimat që ishin të hapura mes shkëmbinjve. Nga ana tjetër, kurejshët kishin kohë që kishin nisur nga kërkimet për ta. Madje patën përhapur edhe lajmin se atë që do të kapte të Dërguarin e Allahut do ta shpërblenin, duke i dhënë plot njëqind deve. Nuk lanë mal të Mekës pa e kërkuar pikë për pikë. Mbërritën në malin e Theurit. Kur njëri prej tyre u afrua deri në grykën e shpellës, Ebu Bekri, i shqetësuar, tha: - “O Resulallah, ky njeri do të na gjejë tani!”

“Jo, nuk na sheh dot; sepse engjëjt janë këtu dhe po na mbulojnë me krahët e tyre.” Ai njeri u ul në gjunjë dhe urinoi. Profeti ynë tha:

“Po të na kishte parë nuk do ta bënte këtë!” Ata qëndruan tri net në shpellë.

Largimi nga shpella

U larguan nga shpella. Ndoqën rrugën e Medinës, duke ecur në drejtim të rrugës së bregdetit. Për të qenë gjithmonë i gatshëm për t’i ardhur në ndihmë Profetit tonë në rast rreziku të mundshëm, Ebu Bekri ecte herë para Profetit tonë, herë vinte nga pas. Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte një njeri që e dinin dhe e njihnin mirë të gjithë. Sa herë që rastisnin ndokënd rrugës dhe ai e pyeste:

“Kush është ky njeri që paske me vete?” Ebu Bekri u përgjigjej:

“E kam udhërrëfyes, e kam marrë që të më tregojë rrugën.” Në fakt, me këto fjalë ai kishte parasysh udhërrëfimin e Profetit tonë në fenë islame; kurse ata që pyesnin nuk kuptonin vetëm atë që mund të kuptohej në kuptimin e parë të fjalëve!

Kur mbërritën në fushën e quajtur Kudejd, nëpërmjet së cilës kalonin të gjitha rrugët, dikush që i pa shkoi menjëherë të lajmëronte të bijtë e Mudlixhit, të cilëve u tha:

“Pashë dy njerëz me deve, të cilët po ecnin rrugës së bregut të detit, ma merr mendja se duhet të jetë ai që po kërkojnë kurejshët, bashkë me shokun e tij!”

Suraka bin Maliku i tha atij njeriu:

“Ata dy njerëz që ke parë ti duhet të jenë vërtetë ata për të cilët na kanë ardhur fjalë!”, - e sakaq thirri aty robinjën e tij dhe i tha që t’i përgatiste kalin e tij në fshehtësi të plotë. Një të marrë kalin dhe u nis menjëherë në ndjekje të gjurmëve.”

Si e lëvdonte Omeri (r.a.) shokun e mërgimit të Resulullahut, Ebu Bekrin

Ibni Sirini tregon: “Në kohën e kalifatit të Omerit (radijallahu anhu), disa vetë patën thënë ca fjalë që nënkuptonin njëfarë epërsie të Omerit (radijallahu anhu) ndaj kalifit të parë, Ebu Bekrit (radijallahu anhu). Omeri (radijallahu anhu) i kishte dëgjuar ato fjalë, ndaj u foli atyre:

“Uallahi, një natë e vetme e Ebu Bekrit është më e mbarë se të gjithë pjesëtarët e familjes së Omerit. Një ditë e vetme e Ebu Bekrit është më e mirë se i gjithë fisi i Omerit. Unë ju betohem tek Allahu, se atë natë që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkoi në shpellë, me të ishte edhe Ebu Bekri. Ai, herë vinte nga pas të Dërguarit të Allahut, herë ecte përpara, për t’u paraprirë rreziqeve. Ai, të Dërguarit të Allahut, që e pati pyetur, ‘O Ebu Bekër, po pse më del njëherë nga para, e njëherë më vjen nga pas?’, i pati dhënë këtë përgjigje:

“O Resulullah, sa herë që në mendje më shkon se mund të na vijnë nga pas, dal t’ju vij nga pas, e, sa herë që në mendje më vjen se mund të na dalin nga përpara, të na ndërpresin rrugën, dal para, që të jem unë i pari që do të përballem me ta!” I Dërguari i Allahut i pati thënë:

“Më thuaj, o Ebu Bekr, a do që të të ndodhë ty e keqja që do të më ndodhte mua?”

“Po!”, i qe përgjigjur Ebu Bekri.

“Atë dua, të betohem për Allahun që të dërgoi ty me fenë e së vërtetës, që atë dua!” Kur mbërritën në grykën e shpellës, Ebu Bekri i pati thënë Profetit tonë:

“O Resulullah, ti më mirë prit këtu, të hyj njëherë unë, që edhe ta pastroj shpellën, të jetë e pastër kur të hysh ti.” E pastroi atë shpellë, pastaj doli. Kur iu kujtua se një prej vrimave mes gurëve kishte mbetur ende e hapur, i tha:

“Prit edhe pak, o Resulullah.”, – dhe hyri prapë brenda dhe, pasi e mbylli edhe atë vrimë, doli dhe i tha:

“Ejani, o Resulullah.” Pasi i tregoi të gjitha këto, Omeri (radijallahu anhu) u tha kështu besimtarëve që ishin aty në atë çast:

“Ju betohem për Allahun, se ja, ajo natë e mërgimit të Ebu Bekrit është më e mbarë se e tërë familja e Omerit!”

Ebu Bekri (r.a.) shqetësohej për Resulullahun

Hasan Basriu tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe Ebu Bekri hynë në shpellë. Kur kurejshët, që kishin kohë që po e kërkonin kudo Profetin tonë, iu afruan hyrjes së shpellës dhe panë se aty kishte një rrjetë merimange, thanë:

“Këtu nuk ka hyrë askush.” Kur, në të vërtetë, brenda ishte i Dërguari i Allahut që po falte namaz në këmbë dhe Ebu Bekri që bënte roje. Ebu Bekri i foli:

“O Resulullah, këta janë duke të kërkuar ty. Uallahi nuk më vjen aspak keq për veten, por kam shumë merak për ty, jam shumë i shqetësuar se mund të të ndodhë ndonjë gjë e keqe!” I Dërguari i Allahut ia priti duke i thënë:

“O Ebu Bekr, mos ki frikë! Allahu është me ne.” Ndërsa, sipas një transmetimi tjetër të kësaj ndodhie, i Dërguari Fisnik i thotë kështu:

“A nuk më thua, o Ebu Bekr; a është e drejtë që dikush të shqetësohet për dy vetë, i Treti i të cilëve është vetë Allahu?”

Suraka u vihet pas grupit të muhaxhirëve

Bera bin Azibi (radijallahu anhu) tregon: “Ebu Bekri i kishte blerë babait tim, Azibit, një samar për trembëdhjetë dirhemë dhe i pati thënë:

“Jepja Berasë, ta çojë në shtëpinë time.” Kurse babai im i tha:

“Punë që nuk bëhet, vetëm me një kusht: po më tregove historinë e mërgimit!” Pas kësaj, Ebu Bekri filloi të tregojë historinë e mërgimit:

“Kur ra errësira dolëm nga shpella dhe u nisëm për rrugë. Atë ditë dhe atë natë patëm bërë goxha rrugë, pasi kishim ecur edhe shpejt. Filloi vapa e drekës, kështu që unë fillova të shëtitja sytë përreth, mbase gjeja ndonjë vend për të gjetur pak hije. Sytë më zunë një shkëmb të madh, ndaj zbrita të shikoja; hija atje ishte e mirë. E pastrova vendin mirë e mirë dhe e bëra gati për Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i shtrova dhe një lëkurë të mirë që e mbaja për ta veshur dhe i thirra:

“O Resulallah, ejani të pushoni pak.” Profeti ynë erdhi dhe u shtri. Ndërkaq, unë dola sipër dhe po kontrolloja, a kishte ndonjë njeri përreth. Sytë më zunë një bari dhensh.

“Djalosh, bariu i kujt je ti?”, – e pyeta. Emrin që më dha e njihja, ishte dikush nga kurejshët, të cilin e njihja.

“A ke ndonjë dele me qumësht?”, – e pyeta.

“Kam!”, – m’u përgjigj ai.

“A mund t’ia mjelësh qumështin për mua?”, – e pyeta, e ai më tha:

“Patjetër.” Kapi menjëherë një dele dhe unë i thashë që t’ia pastronte mirë sisët deles, t’i pastronte mirë edhe duart dhe ai bëri ashtu siç i thashë. Me vete kisha një calik (enë uji), pjesën e sipërme të së cilës e kisha mbyllur me një copë beze. Bariu moli pak qumësht për mua. Që të freskohej pak, e derdha qumështi në një enë që e kisha marrë me vete. Pastaj, ashtu siç ishte, ia çova të Dërguarit të Allahut. Ai ishte zgjuar, ndaj ia dhashë enën, duke i thënë:

“Urdhëroni, pijeni, o Resulullah.” Piu sa më kënaqi që piu aq mirë.

“Erdhi koha të nisemi për rrugë, apo jo?, – e pyeta unë dhe, sakaq, u nisëm menjëherë për rrugë. Kurejshët dhe shumë të tjerë ishin derdhur rrugëve, të kërkonin për ne. Megjithatë asnjëri syresh nuk mundi të na kapë, përveç Suraka bin Malik bin Xhu’shumit. Kur e pashë atë, i thashë të Dërguarit të Allahut:

“O Resulullah, ky njeri edhe pak dhe do të na arrijë!”

“Mos u mërzit, Allahu është me ne!”, – m’u përgjigj Krenaria e Njerëzimit.

Suraka na ishte afruar aq shumë, saqë mund t’ju them se distanca e mbetur nuk ishte më shumë se dy-tri shtiza.

“O Resulullah, ky njeri po na arrin!”, – i thashë unë të Dërguarit të Allahut dhe sakaq sytë m’u mbushën me lot.

“Po pse qan?”, – më pyeti.

“Uallahi nuk qaj për vete; qaj për ty!”

Pas këtyre fjalëve, i Dërguari i Allahut u lut me këto fjalë për atë njeri që po na arrinte:

“O Zot! Na ruaj ne prej tij ashtu si të duash Ti!” Kur, sa hap e mbyll sytë, me të mbaruar lutja e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), këmbët e kalit të atij njeriu u zhytën menjëherë në dheun e ngjeshur të asaj toke. Ai njeri u hodh menjëherë nga kali dhe thirri:

“O Muhamed, unë e di që kjo është nga ato punët e tua. Lutju Allahut për mua, të më shpëtojë prej kësaj gjendjeje. Uallahi, kam për t’ua ngatërruar gjurmët të gjithë atyre që janë duke të kërkuar. Ja ku e ke harkun tim; merr një shigjetë dhe kur të shkosh në aksh vend do të hasësh në kopetë e mia të deveve dhe të deleve. Po ua tregove barinjve këtë shigjetë, kërkoju atyre dhe do të të japin sa të kesh nevojë.” Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu përgjigj duke i thënë:

“Nuk kam nevojë as për devetë, as për delet e tua!” U lut për Surakan dhe kali i Surakas shpëtoi, e Suraka u nis të kthehej te shokët e tij. Ne vazhduam rrugën. Më në fund mbërritëm në Kuba, që është shumë pranë Medinës. Njerëzit kishin dalë nëpër rrugë të prisnin të Dërguarin e Allahut, madje disa syresh ishin ngjitur nëpër çatitë e shtëpive. Me shërbëtorë e fëmijë ishin grumbulluar të gjithë, të kapur dorë për dorë dhe thoshin:

“Allahu Ekber! Erdhi i Dërguari i Allahut! Erdhi Muhamedi!” Medinasit filluan të grindeshin me njëri-tjetrin, te kush do të shkonte Profeti atë ditë. I Dërguari i Allahut pati thënë:

“Sonte do të rri te bijtë e Nexharit, dajët e Abdulmuttalibit. Me këtë rast do të respektoj edhe kushërinjtë e mi.” Sapo gdhiu, Ai shkoi në atë vend ku i ishte urdhëruar prej Allahut.

Mbërritja e Profetit tonë në Kuba dhe në Medinë dhe gëzimi i pamasë i medinasve

Urue bin Zubejri (radijallahu anhu) na ka treguar: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në rrugë e sipër u takua me Zubejr bin Auamin, i cili po udhëtonte me një karvan tregtarësh myslimanë që po ktheheshin nga Damasku. Zubejri i veshi të Dërguarin e Allahut dhe Ebu Bekrin me rroba të bardha.

Myslimanët e Medinës e kishin dëgjuar që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte nisur nga Meka. Prandaj, çdo ditë paradreke ata dilnin në vendin e quajtur “Harre” dhe vështronin rrugën të emocionuar, derisa fillonte të binte i nxehti përvëlues i drekës. Edhe një ditë, kishin dalë dhe kishin pritur për një kohë të gjatë, por pastaj qenë kthyer, e secili kishte shkuar në shtëpinë e vet. Në atë kohë, një hebre ishte ngjitur në një prej majave më të larta që u përkisnin hebrenjve për një punë të vetën. Sytë i patën zënë menjëherë Resulullahun dhe sahabët e tij që vinin të mbuluar në të bardha, të cilët po vinin duke çarë në mes vapën e rrezet e diellit. Hebreu nuk e mbajti dot veten, ndaj bërtiti me sa zë të kishte në kokë:

“O arabë! Ja tek po vjen ai njeri të cilin keni ditë që po e prisni!” Myslimanët, një të dëgjuar atë zë, morën menjëherë armët, çallmat dhe dolën që ta prisnin të Dërguarin e Allahut në Harre. I Dërguari i Allahut, bashkë me ata që po vinin me të dhe me të gjithë ata që kishin dalë për ta pritur, morën drejt anës së djathtë të Medinës, ku ishte lagjja e bijve të Amr bin Aufit. Ishte një ditë e hënë e muajit Rabiuleuuel. Me ata që kishin dalë për të pritur, foli Ebu Bekri. Madje, ata ensarë që nuk e kishin parë ndonjëherë më parë Profetin tonë, kur mbërritën, ata përshëndetën të parin Ebu Bekrin, duke i thënë ‘mirë se na erdhët!’ Njerëzit e kuptuan se kush ishte i Dërguari i Allahut vetëm kur Ebu Bekri zgjati teshat e tij për të mbuluar diellin që kish filluar t’i binte të Dërguarit të Allahut në fytyrë.

I Dërguari i Allahut ndenji për afro dhjetë net te bijtë e Amr bin Aufit. (Gjatë kësaj kohe ai krijoi kushtet e një faltoreje, duke u bazuar në parimin e devotshmërisë dhe fali namaz atje.) Mandej, ai i hipi devesë dhe u largua bashkë me një grup shumë të madh njerëzish. Kur mbërriti brenda në Medinë, deveja u ul vetë në vendin ku ngrihet sot xhamia e Resulullahut. Zaten edhe një pjesë e myslimanëve aty kishin falur namazin deri asokohe. Ajo tokë ishte një kopsht hurmash që u përkiste dy jetimëve të quajtur, njëri Suhejl, e tjetri Sehl, që i kishte nën kujdestari Esad bin Zurareja (radijallahu anhu). Kur deveja e të Dërguarit u ul pikërisht në këtë vend, ai tha:

“Me lejen e Zotit, ky është vendi i faljes.” Pastaj Resulullahu i thirri ata djem jetimë dhe u kërkoi që t’ua blinte atë tokë me vlerën që ajo kishte asokohe, për ta bërë faltore të myslimanëve. Ata djem i thanë: kjo ishte një punë që nuk bëhej me para.

“Jo. Kjo nuk bëhet me para. Ne atë do të ta dhurojmë ty, o Resulullah!” I Dërguari i Allahut nuk donte të pranonte dhuratën e dy fëmijëve jetimë, ndaj ua bleu tokën me para. Pastaj, aty u ndërtua xhamia ku do të faleshin myslimanët.

I Dërguari i Allahut mbante qerpiçë me krahë, bashkë me sahabët, duke u ardhur atyre në ndihmë gjatë ndërtimit të faltores dhe teksa ua çonte ato sahabëve të tij, murmurinte këto vargje:

“Kjo barrë nuk është si barra e hurmave të famshme të Hajberit. Por këta qerpiçë janë më të mirë e më të pastër se çdo gjë tjetër. S’ka dyshim, shpërblimi i vërtetë është ai që do të jepet në ahiret. Zoti ynë, mëshiroji Ti Ensarët dhe

Muhaxhirët!”

Enes bin Maliku (radijallahu anhu) ka thënë kështu:

“Unë po vrapoja mes fëmijëve. Të gjithë po thoshin:

“Ka ardhur Muhamedi!” Unë vrapoja, po ende nuk po e shikoja dot. Pastaj ata filluan prapë të thoshin:

“Ka ardhur Muhamedi!” Unë vrapoja prapë, po nuk shikoja dot gjë. Më në fund, Profeti ynë i nderuar dhe shoku i tij, Ebu Bekri, erdhën. Ne ishim fshehur në një prej rrënojave të Medinës. Për t’i lajmëruar Ensarët se kishin ardhur, ata dërguan dikë nga fshati. Me të marrë lajmin, pesëqind vetë nga Ensarët i dolën përpara, për ta pritur. Ensarët brohorisnin:

“Tani je në tokë të sigurt, e ne nën urdhrat e tua na ke, mirë se erdhët.” Pas kësaj, i Dërguari i Allahut dhe shoku i tij filluan të ecin në mesin e Ensarëve. Jashtë kishte dalë e tërë Medina. Vajzat e rritura ishin ngjitur mbi tarracat e shtëpive dhe i thoshin njëra-tjetrës:

“Kush është Muhamedi prej këtyre të dyve?” Ishte hera e parë që shikonim një skenë si ajo.

Enesi (radijallahu anhu) thotë se:

“Kam qenë i pranishëm, si në atë ditë, kur, në Medinë, erdhi Profeti ynë, ashtu edhe në atë ditë kur ai u largua nga kjo jetë. Ditë si ato të dyja nuk më kanë zënë kurrë më sytë!”

Veç kësaj, sipas asaj që na përcillet nga ana e Bejhakiut, “kur Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mbërriti në Medinë, gratë dhe fëmijët e pritën me këto fjalë: “Ne mbi krye Hëna se ç’na lindi, tej nga majat e Uedasë / Të falënderojmë duhet, se Allahu ne na ftoi.”

2. HIXHRETI I OMERIT (r.a.) DHE I SAHABËVE TË TJERË

Ata që mërguan të parët nga Meka Fisnike për në Medinën e Ndritur

Bera bin Azibi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Të parët sahabë të Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) që erdhën te ne ishin Musab bin Umejri me Ibni Umi Mektumin (radijallahu anhuma). Ata na mësuan Kur’anin. Më vonë erdhën edhe Amari, Bilali dhe Sadi. Fill pas tyre, bashkë me një karvan të përbërë prej njëzet vetash, erdhi edhe Omer bin Hatabi (radijallahu anhu). Më vonë pati ardhur Profeti ynë. Nuk i kam parë ndonjëherë medinasit që të jenë kënaqur ndonjëherë aq shumë për ndonjë gjë tjetër. Para se i Dërguari i Allahut të nderonte Medinën me ardhjen e tij, unë kisha lexuar suren ‘A’la’ dhe disa sure të tjera të Kur’anit.”

Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Kur unë vendosa të mërgoja për në Medinë, e lamë me Ajash bin Ebi Rabian dhe Hisham bin Asin, që të takoheshin në vendin e quajtur Sherif, i cili gjendej në luginën ku ishte hauzi i bijve të Gifarit dhe me njëri-tjetrin folëm që “kushdo që nuk vjen në mëngjes ose vonohet, të tjerët nuk do të presin, por do të vazhdojnë rrugën.” Unë me Ajashin u takuam në luginë. Hishami nuk erdhi. “E humbi mundësinë.”, – i thamë ne njëri-tjetrit. Kur mbërritëm në Medinë, zbritëm në tokat e bijve të Amr bin Aufit në Kuba. Mirëpo në Medinë erdhën edhe Ebu Xhehli me Harith bin Hishamin, për të marrë mbrapsht djalin e xhaxhait të tyre, Ajashin, të cilin e kishin edhe vëlla nga nëna gjithashtu, e të ktheheshin në Mekë bashkë me të. Asokohe, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte ende në Mekë. Ata folën me Ajashin. I thanë:

“Nëna është betuar, se nuk do ta çojë më krehrin në kokë, do ta braktisë jetën; nuk do të ulet më në hije.” Ajashit filloi t’i vinte keq për nënën e tij. I thashë:

“Uallahi, qëllimi i tyre është të të bëjnë të heqësh dorë nga feja, bëj kujdes! Uallahi, nëna, me të filluar t’i zënë flokët morra, nga shqetësimi do të fillojë t’i krehë flokët, ashtu siç edhe kur i nxehti i Mekës t’i bëhet i padurueshëm, ajo nuk do ta përballojë dot e do të futet menjëherë në hije! Mos më thuaj që nuk të thashë!”

“Po mirë, kështu as nuk e hedh poshtë betimin e nënës, as nuk më mbetet pasuria që kam atje havadan. Mund të shkoj e t’i marr.” - “Uallahi, ti e di shumë mirë, se unë jam më i pasuri në të gjithë Kurejshin; merr gjysmën e pasurisë sime ta kam falur, por mos u kthe me ta.”

Kur ai këmbënguli se do të kthehej me ta, i thashë:

“Meqë po këmbëngul kaq shumë, atëherë merr këtë devenë time. Është kafshë e urtë dhe e pastër, në daç hipi, në daç mos i zbrit fare. Po fillove të dyshosh prej tyre, mbi shpinën e saj mund të shpëtosh kokën.” Ata dolën të gjithë bashkë nga Medina. Pasi bënë një copë rrugë, Ebu Xhehli i tha Ajashit:

“O vëlla, uallahi, mua m’u lodh deveja, a t’i ndërrojmë?”

“Po, mirë, i ndërrojmë.”, – i tha Ajashi dhe, sakaq, e bëri devenë të ulej. Edhe të tjerët ulën devetë e tyre. Kur zbritën, ata iu vërsulën Ajashit, e mbërthyen dhe e lidhën; duke vepruar kështu ata menduan se po ta fusnin në Mekë ashtu të lidhur dhe t’i kërkonin që të kthehej sërish në fenë e të parëve, ai do të pranonte. Ne mendonim se, “Allahu i Madhërishëm nuk e pranon pendimin e atij që kthehet nga feja e Allahut.” Të këtij mendimi ishin edhe gjithë të tjerët që linin fenë e tyre, për të besuar në një fe tjetër. Kur Profeti ynë erdhi në Medinë, Allahu pati zbritur ajetet 53-55 të sures “Zumer”:

“Thuaj: ‘O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.’ Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë, që të mos thotë njeriu: ‘Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!’”

Unë i shkrova menjëherë këto ajete dhe ia nisa Hisham bin Asit.”

Hishami thotë se: “Kur e mora letrën, fillova ta lexoja atë në vendin e quajtur Dhi-Tuva. Mirëpo, nuk e kuptoja plotësisht, se çfarë do të thoshte. Më vonë u luta:

“O Zot, jepi shpirtit tim frymëzim që ta kuptoj domethënien e këtyre ajeteve”. Pas kësaj lutjeje, Allahu më fali një frymëzim në zemër, e unë fillova të ndieja se këto ajete ishin zbritur për ne që mendonim se pendesa jonë nuk do të pranohej dhe për të gjitha ç’thuheshin për ne. Shkova menjëherë te deveja ime dhe i hipa mbi shpinë, u nisa me shpejtësi dhe shkova t’i bashkohesha Profetit tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në Medinë.”

3. HIXHRETI I OSMAN BIN AFANIT (r.a.)

Ebu Katade (radijallahu anhu) tregon: “I pari që mërgoi në rrugën e Allahut bashkë me familjen e tij ishte Osman bin Afani. Unë e kam dëgjuar nga Nadr bin Enesi. Kurse ai kishte dëgjuar të atin, Enesin, kur tregonte: Osman bin Afani dhe bashkëshortja e tij Rukija, u nisën të shkonin në Abisini. I Dërguari i Allahut nuk po merrte asnjë lajm prej tyre, ndaj dilte në rrugë dhe priste mos vinte ndokush dhe i thoshte ndonjë të re për Osmanin. Kur, një ditë, një nga gratë e kurejshëve i tha atij:

“O Muhamed, pashë dhëndrin tënd, kishte edhe të shoqen me vete.”

“Po si ishin?”, – e pyeti Profeti ynë atë grua.

“E kishte hipur të shoqen në një gomar shumë të dobët, thuajse të mbaruar fare, si këto kafshët që janë gati për të ngordhur; ndërsa vetë ecte përpara, duke tërhequr gomarin nga pas.”

“Allahu i Madhërishëm qoftë i dashuri dhe ndihmëtari i tyre. Pas Lutit (alejhis’selam), Osmani është myslimani i parë që po mërgon me gjithë familjen.”, – tha ai.

4. HIXHRETI I ALIUT (r.a.)

Aliu (radijallahu anhu) ka thënë: “Atëherë kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mërgoi për në Medinë, mua më tha se duhet të qëndroja në Mekë edhe për njëfarë kohe, e më pati porositur që t’u shpërndaja disa porosi për ata që më pati dhënë emrat. Atë, prandaj e quanin “i Besuari”, sepse nuk linte amanet pa e ndjekur gjer më një. Pasi ikën ata, unë qëndrova edhe tri ditë të tjera. Vija vërdallë dhe nuk u fsheha qoftë edhe për një çast të vetëm. Pastaj ndoqa itinerarin që më pati këshilluar i Dërguari i Allahut se duhet të ndiqja dhe shkova në tokat e bijve të Amr bin Aufit. Aty qëndronte Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Mua më priti mysafir Kulthum bin Hidmi. Aty ishte vendosur edhe i Dërguari i Allahut.”

5. HIXHRETI I XHAFER BIN EBI TALIBIT DHE I DISA SAHABËVE TË TJERË, NJËHERË NË ABISINI, MANDEJ NË MEDINË

Kurejshët dërgojnë Amr bin Asin, që t’i kërkojë Nexhashiut t’i kthejë mbrapsht sahabët e strehuar tek ai

Umu Selemeja (radijallahu anha) tregon: “Sahabëve të të Dërguarit të Allahut, për shkak të vuajtjeve, vështirësive dhe torturave që mekasit ushtronin mbi ta, Meka kishte filluar t’u rrinte ngushtë, madje kishte edhe nga ata që ishin detyruar të hiqnin dorë nga feja e tyre. Askush nuk e prekte të Dërguarin e Allahut, pasi atë e kishin marrë në mbrojtje fisi i vet dhe xhaxhai në veçanti, e atij nuk i bëhej asgjë nga ato që u bëheshin sahabëve të tij. Duke qenë se Resulullahut nuk i mjaftonte forca për t’i penguar torturat që ushtroheshin mbi sahabët, ai u tha atyre:

“Në Abisini është një mbret; askujt nga njerëzit që jetojnë nën sundimin e tij nuk i bëhet asnjë padrejtësi. Hajde, nisuni dhe shkoni atje. Të qëndroni atje, derisa Allahu i Madhërishëm të tregojë një rrugëzgjidhje dhe çlirimin e vërtetë për ju!” Kësisoj, ne u ndamë në grupe, që të mërgonim për në Abisini. Më në fund, ne u takuam të gjithë atje. Ishim strehuar te një vend dhe te një fqinj shumë i mirë. Askush nuk na kanosej për shkak të fesë sonë, e ne nuk kishim as pikën e frikës, se mos dikush na bënte keq pse ishim myslimanë. Kur kurejshët morën vesh se ne kishim ikur në një vend të sigurt, atyre nuk u erdhi aspak mirë. Organizuan menjëherë një mbledhje enkas për ne dhe për të bindur Nexhashiun, sundimtarin e Abisinisë, që të na kthente pas, vendosën të dërgonin një përfaqësues. Si përfaqësues zgjodhën Amr bin Asin dhe Abdullah bin Ebi Rabian. Ata u dhanë atyre me vete dhurata për të gjithë, pa përjashtim, duke filluar nga vetë Nexhashiu e deri tek të gjithë komandantët e ushtrisë së tij dhe i porositën:

“Para se të flisni me ta, jepuni atyre, komandantëve, dhuratat njëherë. Pastaj çojini edhe Nexhashiut dhuratat e tij. Po mundët, përpiquni të arrini t’i merrni myslimanët në dorëzim, para se të flasë Nexhashiu me ta!”

Erdhën Amri me Abdullahun. U dhanë dhuratat secilit prej komandantëve. Të gjithë komandantëve me të cilët u takuan, ata u thanë:

“Ne na ka dërguar paria jonë, që t’ju kërkojmë të na dorëzoni ata budallenjtë tanë, që kanë braktisur fenë dhe popullin e tyre dhe kanë ardhur të gjejnë mbështetje pranë mbretit tuaj. Ju lutemi, kur ne të flasim me mbretin tuaj, bëjini atij një shenjë, që ta pranojë kërkesën tonë.” Dhe ata pranuan të gjithë. Mandej ata shkuan te Nexhashiu, për t’i dhënë atij dhuratat që i kishin dërguar kurejshët. Dhurata e mekasve që i pëlqeu më së shumti Nexhashiut, ishin tabakët e lëkurëve të kafshëve. Kur i çuan përpara mbretit, ata i thanë atij:

“O sundimtar! Disa të rinj pa mend tanët, kanë braktisur fenë dhe popullin e tyre dhe kanë ardhur të strehohen në tokat tuaja, pa e pranuar fenë tënde. Ata kanë shpallur një fe të re, të sajuar, që ne as nuk e njohim, as nuk e pranojmë. Tani ata janë strehuar në tokat tuaja. Të afërmit, baballarët, xhaxhallarët dhe familjet e tyre na kanë dërguar ne tek ti, e të luten që ti t’ua kthesh ata atyre, sepse ata i njohin më mirë se ju këta që kanë ardhur këtu. Ata nuk kanë pranuar as fenë tënde, që ti t’i pranosh e të kujdesesh për ta!”

Nexhashiu u nevrikos shumë dhe iu përgjigj:

“Jo! Nuk kam për t’jua dhënë kurrë!”, – dhe shtoi:

“Unë ju betohem për Zotin, se pa i thirrur njëherë këtu, përpara meje, e pa e kuptuar mirë e mirë se si qëndron puna e ç’na qenka kjo fe e tyre, unë nuk kam për t’jua dorëzuar ata kurrë! Ata janë njerëz që kanë ardhur të kërkojnë mbrojtje nga unë, pra janë njerëz që kanë zgjedhur mbrojtjen time para mbrojtjes që mund t’u jepnin shumë njerëz të tjerë. Nëse është ashtu siç thonë të afërmit e tyre, atëherë po, mund edhe t’jua dorëzoj. Po, nëse nuk është ashtu e vërteta, atëherë ata do t’i mbroj unë; nuk do t’i poshtëroj ata duke i kthyer mbrapsht, e t’jua lë juve në dorë!

Biseda që u zhvillua mes sahabëve të të Dërguarit të Allahut dhe Nexhashiut

Kur dolën para Nexhashiut, myslimanët e përshëndetën atë me përshëndetjen e Islamit. Nuk iu përulën. Atëherë Nexhashiu u tha:

“O njerëz, pa më thoni, pse nuk më përshëndetët edhe ju ashtu siç më përshëndetën këta njerëz që kanë ardhur po nga populli juaj? Çfarë mendimi keni ju për profetin Isa? Cila është feja juaj? Të krishterë jeni ju?”

“Jo!”, – u përgjigjën ata. - “Po çfarë jeni atëherë, judenj?” - “Jo!”, – u përgjigjën ata sërish.

“Atëherë cilës fe i përkisni ju?”

“Feja jonë është Islami.”, – thanë ata.

“Ç’është Islami?”, – filloi t’i pyesë Nexhashiu.

“Ne adhurojmë vetëm Allahun, duke mos i bërë Atij as shok, as ortak, në krijimin e gjithësisë! Nuk njohim zot tjetër përveç Tij!”

“Kush ju futi ju në këtë fe?”, – vazhdoi t’i pyesë Nexhashiu.

“Ai që na e solli këtë fe është një prej nesh. Ne e njohim shumë mirë atë, ashtu siç njohim edhe farefisin e tij. Allahu na e ka dërguar ne atë si profet, ashtu siç u pati dërguar profetë edhe shumë popujve të tjerë përpara nesh. Ai na ka urdhëruar ne të bëjmë mirë, të japim lëmoshë, t’i qëndrojmë besnikë fjalës së dhënë dhe të kujdesemi për gjithë ç’na lihet amanet. Ai na ka ndaluar të adhurojmë idhujt dhe na ka urdhëruar që adhurimet të mos i kryejmë vetëm se për Allahun, i Cili është Një dhe i Vetëm e nuk ka asnjë shok a ortak në krijimin e gjithësisë. E, kështu, ne e pranuam dhe e mësuam fjalën e Allahut, sepse kemi besim të plotë që ato që profeti na ka sjellë janë prej Allahut. Dhe, kur ne bëmë kështu, atëherë populli ynë u bë armiku më i madh i profetit të drejtë dhe i të gjithë neve, besimtarëve: e përgënjeshtruan, deshën edhe që ta vrisnin dhe ç’nuk bënë që të na detyrojnë, që ne t’u përulemi zotave të tyre. Andaj, ne vendosëm të largohemi nga njerëzit tanë, që të mund të shpëtojmë jetën dhe besimin tonë.”, – i thanë ata Nexhashiut.

Nexhashiu u tha:

“Uallahi, feja që ju më përshkruat dhe feja e Musait i përkasin të njëjtit burim.”, – atëherë Xhaferi (radijallahu anhu) vazhdoi të shpjegojë:

“Ndërsa, për sa i përket çështjes së përshëndetjes: Profeti ynë na ka mësuar neve se përshëndetja e banorëve të Xhenetit është thjesht “es-selam”, ndaj edhe na ka urdhëruar që edhe ne kështu t’i përshëndetim njerëzit. Për këtë arsye, ne ju përshëndetëm edhe ju ashtu siç përshëndetim njëri-tjetrin, me mënyrën më të mirë të mundshme. Kurse, për çështjen e Isait, të birit të Merjemit, ne dimë: Ai është robi dhe i dërguari i Zotit. Ai është një Fjalë e Allahut të Madhërishëm, që Ai ia përçoi Merjemit. Ai është i biri i Merjemit, që ishte një grua shumë e ndershme dhe e virgjër.” Me të dëgjuar këtë fjalë, Nexhashiu mori një shkop dhe tha:

“Fjalët e Isait, të birit të Merjemit, nuk kanë qenë më shumë se fjalët që tha ky njeri, as sa pesha e papërfillshme e këtij shkopi që kam në dorë.” Kur Nexhashiu tha këto fjalë, e tërë paria e Abisinisë, që gjendej e pranishme aty në ato çaste, i thanë atij:

“Uallahi, po të dëgjoi populli duke folur kështu, kanë për të të zbritur nga froni.”

“Unë ju betohem në Allahun, se unë nuk them asgjë më tepër për Isain (alejhis’selam). Allahu i Madhërishëm, kur ma dha mua këtë fron, nuk iu bind dëshirave që kishte populli im për mua, që unë të ul kokën e t’u bindem dëshirave të njerëzve kur të mendoj a të flas për fenë e Allahut. Zoti më ruajttë nga diçka e tillë!”, – tha ai.

Në një transmetim tjetër që i bën Imam Ahmedi nga bashkëshortja e tij, Umu Selemeja (radijallahu anha) kësaj ngjarjeje, ne dallojmë edhe disa hollësi të tjera: - “... Nexhashiu dërgoi një njeri për të thirrur sahabët. Kasneci i Nexhashiut shkoi i lajmëroi dhe sahabët u mblodhën menjëherë. Kur disa syresh i pyetën:

“Çfarë do t’i thoni Nexhashiut për Isain (alejhis’selam) kur të dilni përpara tij?”, – ata iu përgjigjën me këto fjalë:

“Uallahi, ato që dimë do t’i tregojmë. Ne nuk do të bëjmë asgjë tjetër, pos asaj që Profeti ynë na ka urdhëruar të themi!”

Ata i çuan pranë Nexhashiut dhe aty ishin mbledhur edhe dijetarët e krishterë, që kishin hapur librat përpara tyre dhe qëndronin përreth Nexhashiut. Ai i pati pyetur sahabët:

“Ç’është kjo fe që ju ka bërë të largoheni nga njerëzit tuaj? Ndërkohë që, me ç’kam dëgjuar, ju as nuk jeni bërë të krishterë, as keni zgjedhur fenë e ndonjë prej popujve të tjerë përreth.”

Në emër të të gjithë sahabëve foli Xhaferi (radijallahu anhu), i cili dha këtë përgjigje:

“O sundimtar! Ne ishim një popull i paditur dhe tejet i ashpër. Adhuronim idhuj, hanim mish të ngordhur dhe nuk linim imoralitet pa kryer. Nuk i ruanim marrëdhëniet e ngushta me të afërmit dhe e nëpërkëmbnim raportin me fqinjët tanë dhe nuk kujdeseshim që të ishim sa më të drejtë me ta. Kush ishte më i fortë mund t’i shtypte të gjithë ata që ishin më të dobët. Megjithëse në këtë gjendje, Allahu i Madhërishëm na dërgoi neve si profet një njeri, të cilit ne ia njihnim shumë mirë, si prejardhjen, ashtu edhe drejtësinë dhe që ishte më i besuari dhe më i ndershmi ndër të gjithë ne. Ai ne na bëri thirrje që ne të njohim Allahun, ta adhurojmë Atë, duke i braktisur të gjithë idhujt që kishin adhuruar të parët tanë më parë dhe ne tani. Ai na urdhëroi të mos flisnim asgjë përveç së vërtetës, të tregoheshim të besës ndaj amanetit, t’i ruanim lidhjet të forta me prindërit, të silleshim mirë me fqinjët dhe të mos derdhnim gjak. Ai na e ndaloi ne që të biem pre e epshit tonë, të bëhemi dëshmitarë në të rreme, të hamë nga pasuria e atyre që janë jetimë dhe të shpifim për gratë e ndershme. Ai na tha të adhuronim Allahun, të mos i bënim Atij asnjë shok, apo ortak, të falim namazin dhe të japim zekatin. Dhe ne pranuam, i besuam atij dhe vendosëm t’i ndjekim pikë për pikë gjithë sa ai na ka sjellë. Ne jemi robër të Allahut që është Një, i Vetëm. Filluam të mos i bëjmë Atij asnjë objekt si shok a ortak. I quajtëm të ndaluara të gjitha ato që Allahu na i shpalli të ndaluara (haram) dhe të gjitha ato që Ai na i shpalli si të lejuara (hallall) i quajtëm të lejuara. Për këtë, populli ynë u armiqësua me ne dhe filluan të ushtrojnë gjithfarë torturash ndaj nesh. Na detyronin që ne të hiqnim dorë prej Allahut dhe të adhuronim idhujt, të ktheheshim nga feja dhe t’i quanim ‘të lejuara’ të gjitha ato ndyrësi që ne bënim më parë. Na ushtruan trysni aq shumë sa padrejtësia filloi të bëhej e padurueshme dhe, që të mos i lejonim më që të hynim mes nesh dhe fesë sonë, vendosëm të mërgonim e të vinim në vendin tënd, duke të zgjedhur ty para të tjerëve, pasi shpresuam se ti do të na mbrosh.

O Sundimtar! Ne erdhëm këtu me shpresën se ti nuk do të tregohesh i padrejtë karshi nesh.” Nexhashiu i pyeti:

“A keni me vete ndonjë gjë nga ato që ju ka prurë ai profet nga Allahu?”

“Po, kemi!”, – iu përgjigj Xhaferi.

“Ma lexo atëherë.”, – urdhëroi Nexhashiu.

Paskëtaj Xhaferi (radijallahu anhu) u lexoi atyre që ishin të pranishëm një pjesë nga sureja “Merjem”. Nexhashiut iu mbushën sytë me lot dhe nisi të qante; aq shumë qau, saqë lotët ia lagën krejt mjekrën. Bashkë me të qanë edhe përfaqësuesit e fesë së krishterë, që qëndronin pranë tij; aq shumë qanë, sa që lotët ua lagën krejt faqet e librave që i kishin të hapur përpara duarve. Pastaj Nexhashiu tha:

“Këto që ju më lexuat mua janë të vërteta dhe i përkasin të njëjtit burim prej nga kanë ardhur edhe ato të vërteta që iu dërguan Musait!” U drejtua nga Amr bin Asi dhe Abdullahu që kishin nisur kurejshët, duke u thënë:

“Ju ikni. Uallahi, unë këta njerëz nuk do t’jua dorëzoj kurrë, as nëpër mendje të mos e çoni!”

Umu Selemeja thotë se: “Kur ata dy mëkëmbës, Amri dhe Abdullah bin Ebi Rabia, u larguan prej Nexhashiut, Amri i tha shokut të tij:

“Uallahi, unë do të shkoj nesër te Nexhashiu dhe do t’u flas aq keq për ata, saqë Nexhashiu do të dojë t’i fshijë nga sytë këmbët!” Më duket, se Abdullah bin Ebi Rabia, i cili ishte pak më i kuptueshëm, i tha atij:

“Për mua mos e bëj këtë, o Amr, edhe pse i kemi kundërshtarë, ata janë të afërmit tanë.”

“Uallahi, unë do t’ia them Nexhashiut, që ata thonë se profeti Isa ishte ‘rob’ i Allahut!” Ditën tjetër, ata shkuan pranë mbretit dhe Amri i tha:

“O sundimtar i Abisinisë! Ata thonë edhe fjalë shumë të rënda për Isain, të birin e Merjemit. Dërgo fjalë t’i thërrasin dhe pyeti edhe njëherë se çfarë thonë për profetin Isa!” Nexhashiu u dërgoi fjalë myslimanëve që të vinin pranë tij, sepse do t’u bënte disa pyetje për profetin Isa.

Nëna jonë, Ummu Selemeja thotë se:

“As që na kishte shkuar në mendje diçka e këtillë. Disa myslimanë na thanë:

“Çfarë do të thoni po ju bëri pyetje për Isain, të birin e Merjemit?”

“Uallahi, ne do t’i themi ato që na kanë thënë Allahu i Madhërishëm dhe Profeti i Tij!”, – u përgjigjën të tjerët. Myslimanët shkuan pranë Nexhashiut dhe ai filloi t’i pyesë:

“Çfarë janë ato që ju mendoni e thoni për Isain, të birin e Merjemit?”

Xhafer bin Ebi Talibi iu përgjigj:

“Ato që ne mund t’ju themi ju rreth tij janë ato të vërteta që na ka thënë Profeti ynë: “Isai është robi dhe i dërguari i Allahut. Ai është një fjalë e Allahut të Madhërishëm, që Ai ia la si amanet Merjemit, mishërimit të dëlirësisë.”

Nexhashiu zgjati dorën dhe mori një shkop nga toka dhe tha:

“Uallahi, mes atyre që thotë ky njeri për Isain dhe asaj që themi ne për të nuk ka dallim as sa ç’është i hollë ky shkop që unë mbaj në duar!”

Patriarkët që ishin aty të pranishëm, e që i dëgjuan këto fjalë të Nexhashiut, vrenjtën buzët. Nexhashiu u tha:

“Daç t’ju vijë mirë, daç të mos ju vijë mirë e t’ju nevrikosë kjo që them unë, por kjo është e vërteta!”

Kurse myslimanëve u tha:

“Ikni tani, se ju do të jeni të sigurt në tokat e mia. Kushdo që ju fyen ju do të ndëshkohet, se sikur edhe male të tëra me florinj të më sjellin, që unë të shqetësoj ndonjërin prej jush, nuk kam për t’i pranuar!”, – duke i përsëritur plot tri herë fjalitë e tij të fundit. Ai iu drejtua njerëzve që kishte pranë, duke u thënë:

“Tani kthejuani këtyre njerëzve pas të gjitha dhuratat që kanë sjellë për mua, nuk kam nevojë për to. Uallahi, Allahu i Madh mua nuk më pati marrë ndonjë ryshfet kur më dha mundësinë e mbretërimit, kështu që unë nuk mund të marr ryshfet në këmbim të fesë së Tij! E kur ma dorëzoi mua këtë fron, nuk pyeti njëherë njerëzit, që mua të më duhet t’u bindem njerëzve për fenë e Tij!” Amri me Abdullahun u ndienë sikur t’ua kishin përplasur fytyrës ato dhurata, aq të rënda ishin këto fjalë për ta, kështu që u larguan në një gjendje aspak të këndshme prej Nexhashiut.

“Tanimë ne jetonim në një vend shumë të bukur, nën mbrojtjen e një fqinji shumë të mirë. Ai kujdesej jashtëzakonisht shumë për ne, çka bëri që një ditë dikush t’i kanosej se do t’ia merrte fronin nga duart. Uallahi, sa jemi mërzitur atëherë nuk mbaj mend të ishim mërzitur ndonjëherë më herët. Qemë frikësuar se ai njeri mund ta mundte Nexhashiun, ndaj edhe qemë mërzitur shumë, sepse Nexhashiu që ruante me përpikëri çdo të drejtë tonën, do të ikte, e në vend të tij do të vinte dikush që nuk na njihte.” Nexhashiu i shtypi ata, mes kryengritësve dhe atij qëndronte lumi Nil. Sahabët e Resulullahut bisedonin me njëri-tjetrin:

“Kush do të shkojë të shohë çfarë po ndodh, e të vijë të na e njoftojë edhe neve?”

“Shkoj unë.”, – u hodh e tha Zubejr bin Auami, që ishte edhe më i riu nga ne.

“Po mirë, shko ti!”, – thanë të tjerët.

Paskëtaj frynë një calik. Ai e lidhi atë fort pas kraharorit dhe me të u hodh në lumë, për të kaluar mes të dyja grupeve, që të kuptonte më mirë se çfarë ishte duke ndodhur. Ne iu lutëm pa ndërprerje Allahut, që të nxirrte fitimtar Nexhashiun, e të ishte po ende ai që do të sundonte mbi njerëzit. Ndërkohë që prisnim se kush ishte përfundimi, që tutje ia behu Zubejri. Vinte duke vrapuar dhe rrobat i kishte qull në ujë.

“Lajme të gëzuara! Lajme të gëzuara! Fitimtar doli Nexhashiu! Allahu i mundi armiqtë e tij, duke e kurorëzuar edhe njëherë mbret të vendit të vet.”, – brohoriste ai. Aq shumë na gëzoi ky lajm kaq i bukur që po na jepte Zubejr bin Auami, saqë nuk mbaj mend të ishim gëzuar ndonjëherë më shumë se sa atë ditë. Nexhashiu u kthye si fitimtar; kishte vendosur edhe njëherë paqen në atdheun e tij. Kështu, ne vijuam të jetojmë të lumtur dhe të qetë në shtetin e Nexhashiut, derisa u kthyem pranë Profetit tonë në Mekë.”

Transmeton një njeri që e kishte dëgjuar nga Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu), se: “Kur Profeti ynë na pati dërguar ne te Nexhashiu, ne bëheshim gjithsej tetëdhjetë meshkuj. Në mes atyre që mërguan për në Abisini kishte edhe njerëz si Abdullah bin Mesudi, Xhafer bin Ebi Talibi, Abdullah bin Urfutaja, Osman bin Madhuni dhe Ebu Musa (radijallahu anhum). Pas mbërritjes së Mërgimtarëve në shtetin e Nexhashiut, kurejshët dërguan te Nexhashiu Amr bin Asin dhe Umare bin Uelidit, të cilëve u dhanë edhe shumë dhurata për mbretin e Abisinisë me vete. Kur dolën para Nexhashiut, këta dy përfaqësues e përshëndetën atë duke iu përulur në sexhde. Pastaj, njëri kaloi në anën e djathtë, e tjetri në anën e majtë të Nexhashiut. Ata e filluan fjalën e tyre duke thënë:

“Në tokat e tua kanë ardhur disa kushërinj tanët. Ata janë dezertorë, që na kanë braktisur ne dhe, mbi të gjitha, kanë braktisur popullin e tyre.”

“Ku janë ata?”, – pyeti Nexhashiu.

“Këtu, në tokat e tua janë vendosur. Lajmëroji të vijnë.”, – i thanë ata Nexhashiut.

Mbreti dërgoi menjëherë fjalë që t’i sillnin mërgimtarët myslimanë. Xhaferi (radijallahu anhu) pa nga shokët e tij dhe tha:

“Sot në emrin tuaj do të flas unë.” Ata e pranuan këtë gjë, ndaj e ndoqën nga pas. Kur mbërriti te mbreti, Xhaferi e përshëndeti atë me përshëndetjen islame, jo duke iu përulur në sexhde. Ata që ishin të pranishëm filluan të reagonin duke thënë:

“Pse nuk përulesh përpara mbretit tonë?”

“Ne në sexhde i përulemi vetëm Allahut!”, – u përgjigj Xhaferi.

“Cila është arsyeja, pse veproni kështu?”, – e pyeti sërish Nexhashiu.

“Allahu na dërgoi ne një profet, e nëpërmjet tij, Ai na mësoi e na urdhëroi se si duhet t’i përulemi vetëm Atij në sexhde, të falim namazin dhe të paguajmë zekatin.”

Aty ndërhyri dhe e mori fjalën menjëherë Amri, duke thënë:

“Ata kanë një besim ndryshe nga i yti për Isain, të birin e Merjemit!”

“Po mirë, pa më thoni, ç’janë këto që ju thoni për Isain, të birin e Merjemit?”, – i pyeti ata Nexhashiu.

“Ne besojmë ato që na ka thënë Allahu i Madhërishëm: Ai është fjala dhe fryma e Allahut, që Allahu ia çoi Merjemit, që ishte një grua e ndershme dhe e dëlirë, të cilën, deri në atë ditë, nuk e kishte prekur askush me dorë.”, – i tha atij Xhafer bin Ebi Talibi. Kur dëgjoi këtë përgjigje, Nexhashiu mori një shkop nga toka dhe tha:

“O njerëz të Abisinisë, ju o murgj dhe ju o priftërinj! Uallahi ata nuk thanë për Isain asgjë që nuk e themi edhe ne!” Pastaj, iu drejtua myslimanëve, duke u thënë kështu:

“Përshëndetje për të gjithë ju, si edhe për atë njeri që ju ka dërguar ju këtu! Unë dëshmoj se ai duhet të jetë medoemos i Dërguari i Allahut. Ne i kemi lexuar cilësitë e tij edhe në Ungjill. Ai duhet të jetë profeti, për të cilin na ka lajmëruar edhe Isai, i biri i Merjemit! Zgjidhni një vend që ju pëlqen më së shumti prej vendit tim dhe vendosuni atje. Uallahi, po të mos kisha mbi supe këtë barrë të fronit, do të kisha shkuar menjëherë tek ai njeri, që t’i shërbeja e të isha unë ai që do t’i lidhte sandalet!” Pastaj u dha urdhër njerëzve të tij, që kurejshëve t’u jepeshin me vete të gjitha dhuratat që ata kishin sjellë për të.

Abdullah bin Mesudi nuk qëndroi edhe shumë gjatë në Abisini. Kur Profeti ynë u tha sahabëve që të mërgonin drejt Medinës, edhe ai u

largua prej andej, shkoi në Medinë dhe mori pjesë në luftën e Bedrit.”15

Xhafer bin Ebi Talibi (radijallahu anhu) tregon: “Kurejshët dërguan te Nexhashiu Amr bin Asin me Umare bin Uelidin, duke u dhënë edhe shumë dhurata me vete për Nexhashiun, në emër të Ebu Sufjanit. Kur ishim në shtetin e Nexhashiut, përfaqësuesit e kurejshëve i patën thënë mbretit:

“Një grup njerëzish pa mend janë arratisur prej nesh dhe kanë ardhur të jetojnë këtu, në tokat e tua, kemi ardhur që ti të na i japësh mbrapsht ata!”

“Jo, më parë më duhet t’i dëgjoj njëherë, pse kanë ardhur!”, – u tha Nexhashiu atyre dhe sakaq na dërgoi lajm që të shkonim pranë tij.

“Ç’thonë kështu këta për ju?”, – na pyeti kur iu afruam.

“Këta janë idhujtarë, politeistë. Allahu i Madhërishëm na dërgoi ne një profet. Ne e besuam dhe e pranuam çdo fjalë të tij.”, – i thamë ne.

“Po mirë, çfarë i keni ju këta njerëz? Skllevërit tuaj janë këta?”, – i pyeti Nexhashiu përfaqësuesit e kurejshëve.

“Jo!”, – u përgjigjën ata.

“Atëherë, lërini të qetë këta njerëz, pasi ju nuk mund t’u prekni atyre as qimen e flokut.”, - kundërshtoi Nexhashiu. (...) Më në fund ai u kthye nga ne dhe na tha:

“Ju ka shqetësuar njeri në vendin tonë?” - “Po!”, – iu përgjigjëm ne.

Atëherë ai ktheu kokën nga njëri prej njerëzve të tij dhe e porositi:

“Kushdo që prek ndonjërin prej tyre, si dënim do t’i paguajë atij që ka ngacmuar a prekur një gjobë katër dërhemësh.”, – dhe kërkoi që për këtë të lajmërohej i tërë populli.

“A është ky një ndëshkim i mjaftueshëm?”, – na pyeti ai ne.

“Jo!”, – iu përgjigjëm ne.

Sakaq, ai e dyfishoi gjobën e caktuar për këdo që do të na ngacmonte ne.”

3/69.

Kthimi i muhaxhirëve në Medinë dhe pranimi i Islamit nga Nexhashiu

Në vijim të transmetimit të tij, Xhafer bin Ebi Talibi (radijallahu anhu) thotë që: “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mërgoi në drejtim të Medinës dhe kur pati vendosur njëfarë udhëheqjeje myslimane atje, ne shkuam te Nexhashiu dhe i thamë: “I Dërguari i Allahut doli fitimtar, ka mërguar në Medinë; i ka vrarë të gjithë armiqtë, për të cilët ne të kemi folur. Tani ai do që ne të kthehemi pranë tij, kështu që duam të na japësh leje, që ne të largohemi tashmë.”

“Në rregull!”, – na u përgjigj ai; na siguroi kafshë udhëtimi dhe ushqime të mjaftueshme që do të na duheshin për gjatë rrugës dhe u kthye nga ne e na foli:

“Tregojani Profetit tuaj ato që unë kam bërë për ju. Ky këtu është mëkëmbësi im; do ta dërgoj atë të vijë bashkë me ju. Unë ju dëshmoj, se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Ai është i Dërguari i Allahut. Ju lutem, thojini atij që t’i lutet Allahut për mua, që të më falë.”

Dolëm nga Abisinia. Mbërritëm në Medinë. Mua doli të më priste vetë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur mbërrita, m’u hodh menjëherë në qafë dhe më tha:

“Nuk e di! Për çfarë të gëzohem më shumë, për ngadhënjimin mbi Hajber, apo që erdhe ti, o Xhafer?” Ne kishim mbërritur në Medinë pikërisht në atë kohë që ishte arritur edhe ngadhënjimi i Hajberit. Pastaj, i Dërguari i Allahut u ul. Ai mëkëmbës, që Nexhashiu e kishte dërguar me ne, tha:

“Ja tek e ke Xhaferin! Pyete, si është sjellë mbreti ynë me të.”

“Po, na ka pritur, duke u sjellë kështu e ashtu me ne.”, – tha Xhaferi. – “Madje, edhe tani që u kthyem, Ai na dha me vete kafshë rruge e ushqime me tepricë. Dëshmoi edhe se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Allahut, madje, ndër të tjera, më tha edhe:

“Thuaji Profetit, t’i lutet Allahut për mua, që Ai të më falë.”

Atëherë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u çua, mori abdes, pastaj bëri tri herë lutjen:

“O Zot! Fale Nexhashiun!” Ndërsa myslimanët i thanë të gjithë “amin” njëzëri kësaj lutjeje. Unë i thashë atëherë mëkëmbësit të Nexhashiut:

“Hajde, kthehu tani dhe njoftoje mbretin tënd për ato që pe prej

Resulullahut.”16

Virtytet e atyre që mërguan në Abisini dhe pastaj mërguan edhe njëherë tjetër, për t’u kthyer pranë të Dërguarit të Allahut

Tregon Lejla, vajza e Ebu Hasmes: “Uallahi ne po përgatiteshim për t’u nisur në drejtim të Abisinisë. Amiri kishte dalë jashtë, që të siguronte disa prej nevojave që ne kishim para se të niseshim. Aty na u shfaq Omeri, i cili nuk ishte bërë ende mysliman, e ishte ende idhujtar; na zuri rrugën. Nuk ishin të pakta vuajtjet që na kishte shkaktuar ai, për të mos thënë se ai na kishte shkaktuar vuajtje nga më të rëndat.

“Për ku kështu, o Umu Abdullah, do të niseni në ndonjë rrugë?”

“Po, ne do të largohemi drejt ndonjë copëz tjetër toke të Allahut, sepse Allahu na tregoi ne një rrugëdalje prej vuajtjeve e torturave që ju na keni shkaktuar deri më tani.”

“Zoti ju ndihmoftë!”, – tha Omeri.

Seç dallova një butësi që nuk e kisha vërejtur ndonjëherë më herët tek Omeri. Pastaj u largua disi i mërzitur. Me sa duket, gjendja jonë e pati mërzitur shumë. Në atë kohë, aty erdhi Amiri.

“Vetëm të ishe këtu, o Ebu Abdullah! Të kishe parë atë gjendje aq delikate të Omerit, më duket se i erdhi keq për ne!”, – i thashë unë.

“Çfarë, mos më thuaj që pandehe se do të bëhet mysliman?”, – ma preu ai.

“Po!”, – i thashë unë.

“Më përpara mund të bëhet mysliman gomari i Hattabit, e ky njeri nuk bëhet kurrë mysliman!”, – tha Amiri.

Amiri pati folur kështu, pasi e njihte mjaft mirë ashpërsinë e Omerit dhe e dinte se ai ishte një njeri shumë i sertë dhe i dhunshëm, e as që

3/71.

e mendonte se ai mund të bëhej mysliman një ditë.”

Nga Halid bin Said bin Asi na është transmetuar: Halidi dhe vëllai i tij, Amri, ishin ndër mërgimtarët që shkuan në Abisini. Kur u kthyen, ata i pati pritur vetë i Dërguari i Allahut. Ata u kthyen kur kishte kaluar thuajse një vit që kur ishte zhvilluar lufta e Bedrit. Mërgimtarët e Abisinisë qenë mërzitur jashtëzakonisht shumë që nuk kishin marrë dot pjesë në atë luftë. Andaj, i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u pati thënë:

“Po pse mërziteni ju? Të gjithë njerëzit kanë mërguar vetëm një herë, kurse ju keni mërguar dy herë. Shkuat në Abisini, pastaj latë një vend si ai i sundimtarit të Abisinisë dhe mërguat prapë, për të ardhur pranë meje.”

Ebu Musai (radijallahu anhu) tregon: “Kur ne ishim në Jemen, na erdhi lajmi për ardhjen e Profetit (dhe se ai kishte mërguar për në Medinë). Prandaj, ne, unë dhe dy vëllezërit e mi, Ebu Burdeja dhe Ebu Ruhmi – unë isha më i vogli nga të tre – dhe pesëdhjetë e tre a pesëdhjetë e dy vetë të popullit tonë u nisëm për rrugë, që të mërgonim për atje ku ishte i Dërguari i Allahut. Hipëm në një anije. Për shkak të kushteve shumë të këqija atmosferike, kapiteni i asaj anijeje vendosi që të na linte në tokat e mbretit të Abisinisë, Nexhashiut. Atje u takuam me Xhafer bin Ebi Talibin (radijallahu anhu). Për njëfarë kohe ne qëndruam të gjithë bashkë në Abisini. Më vonë, të gjithë tok u nisëm në drejtim të Medinës. Mbi Hajberin nuk ishte ngadhënjyer ende. Disa myslimanë, për kthimin tonë nga Abisinia me anije, na thoshin:

“Ne jua kaluam juve për sa i përket nderit të mërgimit.” Një ditë, Esma binti Umejsi, që bashkë me burrin e saj, ishin prej atyre që kishin ardhur nga Abisinia, erdhën te gruaja e Profetit tonë dhe vajza e Omerit (radijallahu anhu), Hafsa (radijallahu anha), për ta vizituar. Në atë kohë, edhe Hafsa ishte nga ato që kishte mërguar drejt tokave të Nexhashiut me një karvan që shkonte atje: Në atë kohë, te Hafsa erdhi edhe Omeri. Kur pa Esmanë, ai e pyeti të bijën:

“Kush është kjo grua?”

“Esma binti Umejsi.”, – iu përgjigj ajo.

“Kjo është ajo që ka mërguar në Abisini duke udhëtuar nëpër det?” - “Po, unë jam!”, – iu përgjigj vetë Esmaja kësaj here.

“Ne jua kaluam juve për sa i përket mërgimit, sepse ne jemi më afër me të Dërguarin e Allahut.”

Fjalët e Omerit e rënduan shumë Esmanë, andaj vendosi t’i përgjigjej:

“Nuk është aspak e vërtetë. Uallahi, ndërkohë që ju ishit me Resulullahun, ai u jepte atyre që ishin të uritur të hanin dhe këshillonte të paditurit se si duhet të sillen. Kurse ne, që ishim në një vend të largët si Abisinia, jetuam në një vend ku njerëzit nuk na kishin qejf dhe na urrenin. Megjithatë, ne ishim të kënaqur dhe i duronim të gjitha, mjaft që Allahu dhe i Dërguari i Tij të ishin të kënaqur me ne. Ju betohem për Allahun, se nuk kam për të futur asnjë kafshatë bukë në gojë e nuk do të pi asnjë gllënjkë ujë, derisa t’ia tregoj Profetit tonë ato që më the dhe të pyes atë se çfarë të bëj. Uallahi, as nuk do të gënjej, as nuk do t’u shtoj ndonjë fjalë më shumë fjalëve të tua; do të ruhem që në fjalët e mia të mos ketë asgjë jo të vërtetë!” Bash në atë çast aty erdhi Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Esmaja e priti atë me fjalët:

“O Resulallah, pak më parë Omeri më tha kështu kështu!”, – duke ia përcjellë një e nga një të gjitha fjalët që i pati thënë Omeri. I Dërguari i Allahut i tha:

“Po mirë, po ti si iu përgjigje?”

“Unë i thashë atij se kështu e kështu...” – Mandej, i Dërguari i Allahut i tha asaj:

“Omeri nuk është më i afërt tek unë sesa jeni ju, sepse për Omerin dhe shokët e tij vetëm një shpërblim të Hixhretit ka. Kurse ju që keni mërguar edhe me anije! Për ju do të ketë shpërblim sa për dy mërgime.”

Esmaja (radijallahu anha) thotë se: “Uallahi (kur u dëgjua kjo ngjarje) pashë që Ebu Musai dhe sahabët e anijes po vinin të gjithë, si grup, drejt meje, që të më pyesnin se çfarë më kishte thënë i Dërguari i Allahut. Me të vërtetë, asnjë pasuri e kësaj bote nuk do të kishte ndikuar dhe nuk do të kishte shkaktuar aq shumë gëzim në zemrat e tyre, sa ç’i gëzuan ata ato fjalë prej sihariqi që kishte thënë Resulullahu për ta.”19

19 4/205.

6. HIXHRETI I SUHEJB BIN SINANIT (r.a.)

Said bin Musejjebi tregon: Suhejbi (radijallahu anhu) ishte nisur për të mërguar për te Profeti ynë në Medinë. Një grup të rinjsh të kurejshëve iu vunë nga pas. Suhejbi qëndroi diku për të pushuar dhe i hoqi nga krahu shigjetat që kishte marrë në çantën e harkut:

“O kurejshë! Ju e dini shumë mirë se unë jam shigjetari më i mirë nga të gjithë ju. Ju betohem në Allahun, se nuk ju lë të më afroheni pa ju gjuajtur njëherë me të gjitha shigjetat që kam këtu me vete. E, kur të më mbarojnë shigjetat, atëherë, do të nxjerr shpatën dhe do të përleshem me ju, ashtu siç më ka hije. Ju e dini vetë! Ose po deshët, t’ju tregoj se ku e kam lënë pasurinë në Mekë, shkoni e merreni po të doni, por tani m’u hiqni sysh.”

“Në rregull.”, – i thanë ata, duke u marrë vesh në këtë pikë. Kështu, Suhejbi u tregoi atyre se ku e kishte lënë pasurinë e tij në Mekë. Në lidhje me këtë ngjarje, Allahu i Madhërishëm zbriti ajetin e dyqindeshtatë të sures “Bekare”, me përmbajtjen: “Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robtë e Vet.” (Bekare, 2/207)

Profeti, kur u takua me Suhejbin, i tha atij:

“O Eba Jahja, tregti me shumë fitim bëre. O Eba Jahja, goxha me fitim e bëre tregtinë.”, – duke i kënduar atij ajetin e mësipërm, që i ishte zbritur sakaq nga Allahu i Madhërishëm.

Suhejbi (radijallahu anhu) tregon: “Kur unë desha të zhvendosesha nga Meka, në Medinë, për të shkuar pranë Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kurejshët m’u hakërryen:

“Suhejb! Kur erdhe tek ne ti nuk kishe asgjë, ishe shumë i varfër. Ndërsa tani je një prej njerëzve më të pasur. Uallahi, kjo nuk mund të ndodhë, është e pamundur.”

“Çfarë thoni? Do të më lini të qetë, e të më hapni rrugën, nëse jua jap juve të tërë pasurinë time?”, – i pyeta unë.

“Në rregull, ashtu po, atëherë ne të lëmë të lirë.”, – mu përgjigjën ata dhe unë ua dhashë atyre gjithçka që kisha, ndërsa ata më lanë që

të largohesha i qetë. U nisa për rrugë dhe mbërrita në Medinë. Kur e njoftova Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) se çfarë më kishte ndodhur, një për një, ai tha dy herë:

“Suhejbi doli i fituar, Suhejbi doli i fituar!”

7. HIXHRETI I ABDULLAH BIN OMERIT (r.a.)

Ashtu siç na është transmetuar, Ibni Omeri, kur kalonte pranë shtëpive të tyre të vjetruara, i mbyllte sytë, e nuk e shihte dot atë shtëpi; nuk qëndronte dot fare afër saj. Megjithatë, “Ibni Omeri do të qante medoemos sa herë që do të përmendej emri i Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), e kur kalonte afër shtëpive të atyre që kishin mërguar nga

Meka.”

8. HIXHRETI I DAMRE BIN EBI’L-AJSIT (r.a.)

Said bin Xhubejri ka treguar: “Kur zbriti ajeti: “Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç të paaftëve, me ata që luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Allahu i ngre një shkallë lart ata që kanë luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre kundrejt atyre që kanë ndenjur në shtëpitë e veta. Ai u ka premtuar të gjithëve mirësi, por i ka dalluar ata që luftojnë mbi ata që nuk luftojnë me shpërblim të madh: me shkallë të veçanta, me falje dhe mëshirë. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Nisa, 4/95), disa myslimanë, të cilët i kishin me të vërtetë ato mangësi që përmenden në këtë ajet, vazhduan të qëndronin në Mekë. Në fund, zbriti edhe ajeti: “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që e kanë ngarkuar veten me faje, u thonë: ‘Ku ishit?’ Ata përgjigjen: ‘Ishim të pafuqishëm në Tokë.’ (Engjëjt) do t’u thonë: ‘A nuk qe Toka e Allahut e gjerë që të mërgonit në të?’ Këta janë ata (njerëz), vendbanimi i të cilëve është Xhehenemi; eh, sa i keq është ai vendbanim!” (Nisa, 4/97) Pas kësaj, myslimanët e Mekës thanë: “Ky paralajmërim e qortim është aq i rëndë, saqë na bëri të lëkundet toka nën këmbë.” Mandej zbriti ajeti i nëntëdhjetetetë i së njëjtës sure, me përmbajtjen: “Me përjashtim të meshkujve të pafuqishëm, grave dhe fëmijëve, të cilët nuk kanë as fuqinë e as mundësinë të drejtohen në rrugë, mbase Allahu i fal, se Allahu, me të vërtetë, është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.” (Nisa, 4/98)

Kur u zbrit ky ajet, Damre bin Ajsi, nga fisi i bijve të Lejthit, por që ishte jashtëzakonisht shumë i pasur, tha:

“Unë nuk jam prej atyre që bëjnë pjesë në këtë përjashtim, sepse unë mund ta gjej një rrugë për të mërguar; sepse unë jam edhe i pasur, edhe skllevër kam plot! Hajde, hipmëni menjëherë mbi deve.” Ashtu e ngjitën mbi deve, të sëmurë, siç ishte. Deveja nisi të ecte rëndë-rëndë. Damre bin Ajsi ndërroi jetë sapo mbërriti në vendin e quajtur Ten’im. Xhenazenë e tij e varrosën pranë xhamisë së Ten’imit. Andaj, ajeti:

“Kush mërgon për çështjen e Allahut, ai gjen shumë vendbanime dhe begati në Tokë. Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Nisa, 4/100) - është zbritur enkas pas kësaj ngjarjeje të Damre bin Ajsit.

9. HIXHRETI I UASILE BIN ESKAIT (r.a.)

Uasile bin Eskai (radijallahu anhu) tregon: “U largova nga familja ime dhe u nisa në mërgim, vetëm e vetëm për t’u bërë mysliman. Kur shkova pranë Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), atë e gjeta duke falur namazin. Kështu, edhe unë u lidha në namaz në safin e fundit. U fala bashkë me ta. I Dërguari i Allahut përfundoi namazin, unë isha ende aty, në rreshtin e fundit. Më erdhi afër dhe më tha: - “A ke ndonjë nevojë, të duhet gjë?”

“Dua të bëhem mysliman.”, – iu përgjigja unë.

“Kjo do të jetë diçka shumë e mirë për ty. Po mirë, a do të mërgoje në emër të Allahut?”

“Po!”, – u përgjigja unë prapë.

“Po mirë, për ku do të mërgosh, do të bësh mërgimin e shkretëtirës, apo do që të mërgosh drejt pjatës së madhe?”, – më pyeti ai sërish.

“Kush është më e mirë për mua?”, – thashë unë.

“Më e mira është të mërgosh në shkretëtirë, sepse, të mërgosh në shkretëtirë do të thotë të qëndrosh pranë të Dërguarit të Allahut. Kurse mërgimi tjetër është që ti të mërgosh drejt vendbanimit tënd, duke qëndruar larg të Dërguarit të Allahut.”, – duke shtuar, – “Si në kohë të vështira, ashtu edhe në kohë të kamjes; në çaste plot shqetësime, apo pa shqetësime, ti do të bindesh, edhe nëse të tjerët janë më të parapëlqyer se ty.”

“Po, pranoj.”

Zgjati dorën dhe i zgjata edhe unë dorën time. Kur e pa se nuk po bëja asnjë përjashtim për hir të kënaqësisë vetjake, më tha:

“Me aq sa forcë të kesh.”

“Në rregull, me të gjithë fuqinë që do të kem.” Mandej, mbi duart tona vendosi edhe dorën tjetër.”

10. FJALËT QË U THUHESHIN SAFUAN BIN UMEJES DHE DISA TË TJERËVE QË MËRGONIN

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Safuan bin Umejeja jetonte në lagjen veriore të Mekës; kur i thanë, “nuk ka fe ai që nuk mërgon”, ai pati thënë:

“Nuk do të shkoj më në shtëpi pa mërguar në Medinë.”, – duke u nisur sakaq në drejtim të Medinës. Kur erdhi, ai bujti si mysafir te babai im Abasi. Më vonë, ai shkoi edhe te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). I Dërguari i Allahut tha:

“Çfarë të ka prurë deri këtu, o Ebu Uehb?”

“Thonë se nuk ka fe ai që nuk mërgon; prandaj kam ardhur, të të pyes se si qëndron e vërteta.”

“Shiko, o Ebu Uehb, kthehu në shtëpinë tënde, në shtratin e përmbytjeve, në luginën e Mekës. Vazhdoni të qëndroni nëpër shtëpitë tuaja. Mërgimi mbaroi; por xhihadi dhe nijeti është i përjetshëm, qëndroni të gatshëm, derisa t’ju thërrasin në luftë.”

Tausi përcjell: Kur i thanë Safuan bin Umejes, “kush nuk mërgon është i rrënuar”, Safuani shkoi menjëherë tek i Dërguari i Allahut, pasi ishte betuar se nuk do ta lante më kokën, derisa të pyeste atë, se si qëndronte e vërteta. I hipi devesë dhe u nis për rrugë në drejtim të Medinës. Në hyrje të Xhamisë së Profetit, ai u takua me Profetin tonë.

“O Resulullah! Thonë se janë të rrënuar të gjithë ata që nuk kanë mërguar. Andaj kam ardhur, të të pyes, si qëndron e vërteta e kësaj çështjeje. Jam betuar se nuk do të vë ujë në kokë, derisa të mësoj të vërtetën.”

“Safuani ka dëgjuar për Islamin dhe e ka pranuar si fe të vërtetë në zemrën e tij. Me ngadhënjimin e Mekës ka përfunduar edhe koha e mërgimit. Megjithatë, xhihadi dhe nijeti kanë për të qenë gjithmonë të përhershëm. Rendni për të luftuar, sapo t’ju thërrasin në luftë.”, – tha i Dërguari i Allahut.

“Sot nuk ka më mërgim. Në të shkuarën, kur besimtarëve iu kanoseshin fatkeqësi për shkak të besimit të tyre, ata mërgonin për hir të fesë dhe të të Dërguarit të Allahut. Kurse tani Allahu e ka nxjerrë Islamin fitimtar. Sot, besimtarët kanë mundësi që ta adhurojnë Zotin e tyre në çdo vend, mirëpo, xhihadi dhe nijeti do të jenë përherë të përjetshëm.”

11. HIXHRETI I GRAVE DHE I FËMIJËVE

Hixhreti i Familjes së Bekuar të Resulullahut dhe i pjesëtarëve të familjes së Ebu Bekrit

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Atëherë kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u nis të mërgonte, ne dhe vajzat na la pas, në Mekë. Kur u vendos mirë në Medinë, ai dërgoi te ne dy të liruarit prej tij, Zejd bin Harithen dhe Ebu Rafiun. Ai u kishte dhënë atyre edhe pesëqind dërhemë me vete, që ata të blinin aq kafshë rruge sa do të nevojiteshin. Paratë dhe dy devetë ia morën Ebu Bekrit (radijallahu anhu), në emër dhe në llogari të të Dërguarit të Allahut. Ebu Bekri (radijallahu anhu), bashkë me dy a tri deve, mori edhe Abdullah bin Urajkitin me vete, si dhe i dërgoi një letër djalit të tij Abdullahut që të na hipë në deve, nënën time, Ummu Rumanin, mua dhe motrën time

Esmanë, dhe që të na shoqëronin. Tre shokë u nisën. Kur mbërritën në vendin e quajtur Kudejd, Zejd bin Haritheja bleu tri deve me ato pesëqind dërhemë që kishte marrë me vete. Pastaj, kur hynë në Mekë, ata u takuan me Talha bin Ubejdullahun; donte edhe ai të mërgonte, kështu që e morën edhe atë me vete.

Zejdi dhe Ebu Rafi’u morën me vete Fatimen, Ummu Kulthumin dhe Seude binti Zem’anë. Veç kësaj, Zejdi mori me vete edhe Umu Ejmenin dhe të birin e tyre dhe, sakaq, u larguam nga Meka. Në atë karvan gjendeshim edhe ne. Mbërritëm në lagjen e quajtur Bejda, ne ishim ulur mbi kurrizin e mesëm të devesë dhe ndiem, që, papritur, deveja jonë u tremb. Nëna filloi të qajë:

“Ah, moj bija ime.” Deveja u qetësua vetëm pasi kishim kaluar shtratin e kodrës së Hershasë. Ishte mirësi e Allahut, që patëm shpëtuar. Mandej, mbërritëm në Medinë. Unë dhe familja e Ebu Bekrit zbritëm të parët. Familja e të Dërguarit të Allahut ndaluan pranë tij. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut po ndërtonte disa dhoma përreth xhamisë. E vendosi Familjen e tij të Bekuar në këto dhoma. Ne pritëm edhe disa ditë, derisa punimet përfunduan tërësisht.

Hixhreti i vajzës së Profetit tonë, Zejnebit (r.a.)

Zejnebi (radijallahu anha) tregon: “Isha bërë gati për të mërguar, kur përpara më doli Hindi, e bija e Utbes, e cila më tha:

“O bijë e Muhamedit! Me sa kam dëgjuar, paske vendosur të shkosh pranë babait?”

Nuk është e vërtetë.”, – i thashë. Ajo më tha:

“Mos ma fshih, o bijë e xhaxhait! Nuk ke pse të më mbash të fshehta. Armiqësia mes burrave nuk ka pse të kthehet edhe në armiqësi mes ne grave.” Uallahi, ishte e sinqertë. Megjithatë, unë kisha frikë, ndaj e mohova që isha duke u bërë gati.”

Ibni Is’haku thotë se, “kur Zejnebi u bë gati, i kunati, Kinane bin Rabia, i dha asaj një deve. Zejnebi i hipi devesë. Kinaneja i mori harkun dhe rrobën e shigjetave. Megjithëse ishte ende ditë dhe mund ta shihnin të gjithë, Zejnebi u largua nga Meka e hipur mes gungave të devesë që i kishte dhënë i kunati. Më vonë, meshkujt e kurejshëve u mblodhën dhe diskutuan për këtë çështje, ata iu vunë pas Zejnebit, për ta kapur pa mbërritur në Medinë. Në vendin e quajtur Dhi-Tuua e arritën. I pari atje arriti Hebar bin Esued el-Fihriu. Shkoi dhe duke e prekur me majën e heshtës, ai e trembi shumë Zejnebin. Me çfarë thonë, Zejnebi ishte shtatzënë dhe ajo e trembur i kushtoi asaj jetën e fëmijës që mbante në trupin e saj. Kunati i saj, Kinaneja u ul në gjunjë dhe i derdhi përdhe të gjitha shigjetat, duke thënë:

“Uallahi, kush afrohet do ta gjuaj me shigjetë.” Pas kësaj, ata folën me njëri-tjetrin dhe u tërhoqën. Pak më vonë, aty erdhi Ebu Sufjani, bashkë me një bashkësi nga kurejshët, i cili i tha Kinanes:

“Ule, more njeri, atë hark e të flasim.” Atëherë, ai e uli harkun dhe shigjetën që kishte përgatitur në të.

Ebu Sufjani i shkoi mbi krye dhe i tha:

“Ti, megjithëse i di shumë mirë ato që na ka bërë ne Muhamedi, se çfarë fatkeqësish na kanë ardhur për faj të tij, ti e rrëmbeve këtë grua në sy të të gjithëve, në mes të ditës dhe do që ta nxjerrësh nga Meka. Po e çove vajzën e tij kështu, në sy të të gjithëve, të tërë njerëzit do të na përgojojnë, se jemi të dobët, të pafuqishëm, e që kemi hequr dorë nga armiqësia me Muhamedin. Të betohem me jetë, ne nuk na ka fare hije që, për faj të babait, të burgosim këtë vajzë të re. Prandaj, merre këtë grua dhe ktheje mbrapsht, e merre t’ia çosh të atit fshehtas atëherë kur të fillojnë fjalët e njerëzve se ne arritëm ta kthenim atë njëherë mbrapsht. Dhe ai veproi ashtu siç pati dhënë fjalën.”

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte larguar më herët nga Meka, ndaj e bija e tij, Zejnebi (radijallahu anha) u largua nga Meka e shoqëruar nga kunati i saj, Kinaneja. Kurejshët i ndoqën nga pas. Hebar bin Esuedi e arriti dhe me majën e heshtës ngacmoi devenë e Zejnebit. Deveja u tremb dhe e rrëzoi atë. Zejnebi ishte shtatzënë, kështu që ajo e humbi fëmijën e saj, shoqëruar me dhimbje dhe vuajtje të shumta. Nga kjo që ndodhi mes bijve të Hashimit dhe bijve të Umejes nisi një sherr shumë i madh. Bijtë e Umejes thoshin:

“Ne kemi më shumë të drejta te Zejnebi; ajo është e martuar me djalin e xhaxhait tonë, Ebu’l-Asin. Në kohën e sherrit, vajza e Profetit ishte pranë vajzës së Utbes, Hindit. Hindi i tha Zejnebit:

“Për faj të babait tënd po ndodhin të gjitha këto ngatërresa.” Më vonë, i Dërguari i Allahut i tha Zejdit, djalit të Harithes:

“A nuk shkon të ma marrësh edhe Zejnebin?”

“Si të urdhëroni ju, o Resulallah.”, – iu përgjigj Zejdi.

“Merre këtë unazë timen; jepja Zejnebit, që ajo të bindet se të kam dërguar unë që ta marrësh.”, – e porositi i Dërguari i Allahut atë. Në rrugë ai rastisi me një bari. Ai e pyeti atë:

“Bariu i kujt je ti?”

“Bariu i Ebul-Asit.”, – iu përgjigj bariu.

“Po këto dele, të kujt janë?”, – e pyeti Zejdi.

“Këto janë delet e vajzës së Muhamedit, Zejnebit.”

Zejdi bëri edhe një pjesë të rrugës me atë bari, pastaj i tha:

“Shiko, sikur të të jap një porosi, a mund të shkosh e t’ia çosh Zejnebit pa i thënë njeriu?”

“Po!”, – iu përgjigj bariu. Zejdi nxori unazën dhe ia dha në dorë bariut, ndërsa ai ia dorëzoi atë Zejnebit. Ajo e njohu menjëherë unazën e babait të saj të dashur.

“Kush ta dha ty këtë unazë?”, – e pyeti ajo bariun.

“Një burrë.”, – iu përgjigj bariu.

“Po ku është tani ai njeri?”

“Në aksh vend.”

Zejnebi nuk tha më asnjë fjalë, por priti sa të binte nata. Kur gjithkah ishte mbështjellë nga errësira, ajo doli nga shtëpia, për të shkuar pranë Zejdit. Zejnebi erdhi dhe Zejdi qëndronte i hipur mbi deve:

“Eja, ngjitu në shpinën e përparme të devesë sime.”

“Jo, ti do të hipësh përpara, në devenë time.”, – ia priti Zejnebi dhe ashtu bënë... Kur Zejnebi shkoi pranë Profetit tonë, i Dërguari i Allahut gjithmonë thoshte:

“Nga vajzat e mia Zejnebi është më e mbara. Ajo ka kaluar sa e sa fatkeqësi për mua.”

Hixhreti i Durres, së bijës së Ebu Lehebit

Tregojnë Ibni Omeri, Ebu Hurejreja dhe Amar bin Jasiri (radijallahu anhum): “E bija e Ebu Lehebit mërgoi dhe zbriti në shtëpinë e Rafi bin Mual’la ez-Zurekiut (radijallahu anhu). Aty kishin ardhur si mysafire gratë e fisit të bijve të Zurejkut, të cilat i thanë Durres:

“Ti je vajza e Ebu Lehebit. E Ebu Lehebit, për të cilin Allahu ka thënë: ‘Iu thafshin të dyja duart Ebu Lehebit. Dhe iu thanë. Atij nuk i bënë dobi as pasuria, as fitimet.’ Andaj, ty nuk të ndihmon dot mërgimi!” Durreja shkoi pranë Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ajo iu ankua atij për ato fjalë që i kishin thënë ato gra. I Dërguari i Allahut i kërkoi asaj të qetësohej dhe i tha:

“Mirë, po ulu njëherë.” Pasi u fali namazin e drekës të gjithë xhematit, ai u ul mbi minber dhe u foli të gjithëve:

“O njerëz! Pse prekem unë, kur njerëzit flasin për pjesëtarët e familjes së bekuar? Ju betohem për Allahun, në ditën e Kiametit, ndërmjetësimi im do të arrijë madje deri edhe te fiset e Ha-it, Hakemit, Sudasë dhe Sehlebit.”

Shënimet

  1. 305.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/63 (9902).
  2. 306.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/178.
  3. 307.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 24/106 (284).
  4. 308.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/180.
  5. 309.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/181.
  6. 310.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/187-188.
  7. 311.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/186.
  8. 312.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/197.
  9. 313.. Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 7/344 (36611).
  10. 314.. Ibn Haxher, el-Isabe, 3/604.
  11. 315.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/66; Ibn Haxher, el-Isabe, 4/305.
  12. 316.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/956 (46324).
  13. 317.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/201 (1740).
  14. 318.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/24 (9842); Ibn Is’hak, Sijer, 9/144.
  15. 319.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/79.
  16. 320.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/949 (46302).
  17. 321.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/173.
  18. 322.. Ibn Kethir, Tefsir, 1/247.
  19. 323.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/303; Ibn Haxher, el-Isabe, 2/349.
  20. 324.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/212.
  21. 325.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/949 (46304).
  22. 326.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/952 (46312).
  23. 327.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/615 (13441).
  24. 328.. Buhari, Sahih, 4/1567 (4058).
  25. 329.. Ibn Abdilberr, el-Istiab, 4/450.
  26. 330.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/330.
  27. 331.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 22/431 (1051).
  28. 332.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 24/259 (660).