JETA E SAHABËVE 1

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

VUAJTJET E PROFETIT TONË KUR I FTONTE NJERËZIT NË RRUGËN E ALLAHUT

Si i duruan, Profeti ynë i nderuar dhe sahabët e tij, e si u bënë ballë gjithë atyre vuajtjeve, vështirësive, torturave, urisë dhe etjes, teksa përpiqeshin të përhapnin Fenë Islame? Si e quajtën ata jetën e tyre hiçgjë në rrugën e lartësimit dhe madhërimit të emrit të Allahut?

1. VUAJTJET QË DUROI I DËRGUARI FISNIK

I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë: “Nuk ka mbetur dhimbje e vuajtje që nuk e kam hequr!”

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha kështu: “Ju betohem se, në rrugën e Allahut, unë kam hequr vuajtjet që nuk i ka provuar njeri. Më kanë bërë torturat më të frikshme e të tmerrshme që mund t’i jenë bërë ndonjë njeriu për Allahun. Kam kaluar tridhjetë ditë e net, ku përveç atij ushqimi të cilin e kishte fshehur Bilali në gji, nuk kishte asgjë që mund ta hajë njeriu as për mua, as për Bilalin!”

Fjalët që i tha Profeti ynë xhaxhait të tij, kur mendoi se ai nuk do ta mbështeste më

Sipas transmetimit të Bejhakiut: “Ebu Talibi i pati thënë Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“Nipi im! Njerëzit tanë erdhën tek unë dhe më thanë aksh e aksh gjë. Të të vijë pak keq për mua dhe për veten, mos na ngarko me barrë që nuk i mbajmë dot as unë, as ti. Hiq dorë, mos thuaj më gjëra që nuk i pëlqejnë popullit tënd!”

I Dërguari i Allahut, duke menduar se duke i thënë këto fjalë xhaxhai i tij kishte ndërruar mendje, kishte hequr dorë nga mbrojtja, e nuk do ta mbështeste më dhe do ta dorëzonte tek armiqtë e tij, i tha atij këto fjalë:

“O xhaxha! Sikur diellin të ma vënë mbi supin e djathtë, e hënën në të majtin, unë nuk heq dorë nga misioni im! Ose do të dalë fitimtare feja e Allahut, ose unë do të humb jetën në këtë rrugë!” Pastaj, nuk i mbajti dot lotët dhe filloi të qajë. Kur u kthye, për t’u larguar, Ebu Talibi i tha: - “Dëgjo, nipi im! Më shiko me kujdes!” I Dërguari i Allahut u kthye.

“Vazhdoje misionin tënd, e bëj ç’të duash. Të betohem për Allahun, se unë nuk kam për të të dorëzuar kurrë tek askush!”

Torturat që iu bënë Profetit tonë pas vdekjes së xhaxhait të tij

Abdullah bin Xhaferi (radijallahu anhu) tregon: “Kur vdiq Ebu Talibi, te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi njëri prej njerëzve më të ndyrë të kurejshëve dhe i tha diçka fyese, duke i hedhur edhe një grusht me baltë. I Dërguari i Allahut u kthye në shtëpi. Njëra nga vajzat e priti duke qarë dhe filloi t’ia fshinte baltën që i kishte njollosur teshat. I Dërguari i Allahut i thoshte:

“Jeta ime, bija ime, mos qaj! Ki besim, sepse Allahu do ta mbrojë babanë tënd.”

Pasi i tregoi se çfarë i kishte ndodhur jashtë, Krenaria e Gjithësisë, Profeti ynë tha:

“Deri kur vdiq Ebu Talibi, kurejshët nuk patën guxuar kurrë të bënin ndonjë sjellje të pakëndshme ndaj meje. Tani, pas vdekjes së tij, filluan të sillen kështu.”

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “Pas vdekjes së Ebu Talibit, kurejshët filluan të silleshin më ashpër dhe më me egërsi ndaj Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Sa herë që e shihnin, mrrolnin fytyrën. Paskëtaj, i Dërguari i Allahut e pati shprehur me këto fjalë mallin për xhaxhain e ikur: “Xhaxhai im i dashur! Sa shpejt që fillova ta ndiej mungesën tënde.”

Vuajtjet që i shkaktuan kurejshët

Profetit tonë të nderuar dhe trishtimi i tij

Harith bin Harithi ka thënë kështu: “Një ditë i thashë babait: Ç’është gjithë ky kallaballëk?”

“Janë mbledhur rreth atij burrit (magjistar) që ka lënë fenë e të parëve.”, – m’u përgjigj ai.

Kur iu afrova më pranë, dëgjova që Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po u bënte thirrje njerëzve, që t’i besonin Allahut dhe atij. Ata nuk e pranonin ftesën e tij, madje edhe e fyenin. Derisa arriti mesi i ditës dhe njerëzit zunë të largoheshin të gjithë një e nga një. Nga përballë u shfaq një vajzë që rendte e shqetësuar, me qafën të hapur, në dorë kishte një shtambë me ujë dhe një copë si pecetë. I Dërguari i Allahut ia mori shtambën, piu ujë, mori abdes, pastaj ngriti kryet dhe tha:

“Bija ime, mbuloje qafën dhe në asnjë mënyrë mos u shqetëso për babanë!” Ne pyetëm:

“Po kjo vajza kush është?”

“Është e bija, Zejnebi.”, – u përgjigjën ata që e njihnin.

Menbit el-Ezedij ka thënë: “Në kohën e injorancës, pashë Profetin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i cili po thoshte: ‘O njerëz, thoni ‘La ilahe il’lallah’, në mënyrë që të gjeni shpëtimin!’ Nga ata që e dëgjonin, disa e pështynin, disa e gjuanin me baltë, ndërsa të tjerë e shanin. Derisa u bë drekë. Nga përballë erdhi një vajzë e re. Në dorë mbante një enë të madhe të mbushur me ujë. Pasi i Dërguari i Allahut lau duart dhe fytyrën me atë ujë, Ai i tha kështu:

“Bija ime, mos u tremb! Ata as e vrasin dot babanë tënd, as nuk e poshtërojnë dot!” Unë pyeta se kush ishte ajo vajzë dhe më thanë:

“Ajo është Zejnebi, e bija e të Dërguarit të Allahut.” - Ishte një vajzë shumë e bukur, me fytyrën të bardhë e të shndritshme.” Uruete bin Zubejri (radijallahu anhu) tregon:

“Pyeta Ibnu’l-Asin:

“A mund të më thuash, kush ka qenë fyerja më e rëndë që i kanë bërë idhujtarët Profetit, kur i shprehnin armiqësinë e tyre?” Ai m’u përgjigj:

“Një ditë, i Dërguari Fisnik po falte namazin në pjesën e Qabes që quhet Hixhr, kur aty ia behu Ukbete bin Ebi Muajti. Ia mori petkun dhe, me sa forcë kishte, ia hodhi mbi kokë, duke u përpjekur që ta mbyste. Mirëpo, aty erdhi menjëherë Ebu Bekri. Një të kapur i bëri Ukbes nga supet, e tërhoqi fort dhe i lexoi ajetin: - “Çfarë, pse doni ta vrisni këtë njeri, vetëm sepse thotë se ka zot Allahun? Kur ai ju ka sjellë kushedi se sa mrekulli prej Zotit tuaj. Veç kësaj, nëse është gënjeshtar, gënjeshtra e tij nuk i bën dëm kurrkujt, përveçse atij vetë, por, nëse thotë të vërtetën, atëherë bëhuni gati: qoftë edhe një pjesë e ndëshkimit të ashpër, me të cilin ai ju ka kërcënuar, do të vijë e do t’ju gjejë kudo që të jeni.”

Ibni Ebi Shejbeja na përcjell prej Amr bin Asit: “Unë mbaj mend një ditë, kur kurejshët deshën ta vrisnin Profetin tonë. Dhe, në atë ditë, pati ndodhur kështu: U mblodh paria e kurejshëve dhe u ulën në hijen e Qabes. Ndërsa, i Dërguari i Allahut, po falte namaz në Mekamin e Ibrahimit. U ngrit Ukbete bin Ebi Muajti, kapi petkun e Profetit tonë dhe ia lidhi rreth qafës, e filloi ta tërheqë fort. Resulullahu ra mbi dy kupat e gjunjëve. Populli pandehu se po vdiste, ndaj filluan të bërtisnin të gjithë. Ebu Bekri po vinte duke ngarendur nga ana tjetër. E kapi Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nga pas dhe e ngriti. Teksa e ngrinte, u tha të gjithëve: “Pse doni ta vrisni këtë njeri, vetëm sepse po thotë: ‘Zoti im është Allahu!’?!”

Kur të gjithë të pranishmit u larguan nga i Dërguari i Allahut, ai vazhdoi të falte namazin. Kur mbaroi faljen, shkoi pranë kurejshëve, që vazhdonin të rrinin të ulur nën hijen e Qabes dhe u tha:

“O kurejsh! Unë ju betohem për Allahun, sepse Ai e ka në dorë jetën e Muhamedit, – duke treguar me dorë fytin e tij, – se Ai më ka dërguar mua që t’ju këpus juve qafën!” U rëndoi shumë kjo fjalë e të Dërguarit të Allahut. Andaj, Ebu Xhehli i tha:

“Ti nuk ke qenë kaq injorant dhe kaq i ashpër!”, – po e gjykonte rëndë Profetin tonë, – por, në atë kohë, i Dërguari i Allahut u gjallërua dhe i foli: “Edhe ti, një prej tyre je! (d.m.th. edhe ti do të vdesësh)”

Uruete bin Zubejri tregon: “I thashë Abdullah bin Amrit (radijallahu anhu): “Cilat kanë qenë sjelljet më të padurueshme që kurejshët kanë bërë ndaj Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur ia shfaqnin armiqësinë haptas e fare pa mëshirë?” Kështu, ai nisi të më tregojë:

“Një ditë, paria e Kurejshëve ishte mbledhur në zonën e quajtur Hixhr të Qabes. Kur shkova teka ta, i dëgjova që thoshin: ‘Durimin që kemi bërë ndaj këtij njeriu, s’e kemi bërë për askënd tjetër. Na ka akuzuar, duke na quajtur budallenj të pamend, na ka sharë të parët tanë dhe na ka përgënjeshtruar fenë, na ka përçarë e nuk jemi më të bashkuar, siç kemi qenë më parë, e nuk ka lënë zot tonin pa e fyer. Shumë i kemi duruar fyerjet e tij.’”

Ndërkohë që ata flisnin kështu, nga larg u shfaq i Dërguari i Allahut. Po vinte duke ecur me ngadalë. Qëndroi përballë hyrjes dhe filloi të vijë rreth Qabes, duke kaluar edhe përpara tyre. Kur kaloi ai, kurejshët, të cilët po talleshin me të deri atë moment, i shkelnin sytë njëri-tjetrit. Atëherë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tha:

“O Kurejshë! A më dëgjoni? Unë ju betohem për Allahun, i Cili ka në dorë shpirtin e Muhamedit, se unë kam ardhur për t’ju këputur qafën juve.”

Fjalët e Profetit tonë i prekën shumë ata që gjendeshin aty. Mbetën si të ngrirë të gjithë. Ata që deri në çastin kur i Dërguari i Allahut tha këto fjalë po jepnin mendime nga më të ndryshmet, se si mund ta torturonin atë, zunë kush e kush të thoshte fjalët më të bukura që mund t’i vinin në mendje, për ta qetësuar Resulullahun, aq sa i thoshin: “Ik o Eba’l-Kasem, ik, rri i qetë! Uallahi, ti nuk ke qenë një njeri i tillë, kaq i sertë dhe kaq i ashpër! Çfarë ka ndodhur kështu me ty!” I Dërguari i Allahut u largua së andejmi.

Ditën tjetër ata u mblodhën sërish, e aty isha edhe unë. Po flisnin me njëri-tjetrin dhe thoshin:

“Ju i dini mirë se çfarë na ka bërë ai, e çfarë i kemi bërë ne, mirëpo asnjë prej jush nuk guxoi të reagonte!”

Teksa ata flisnin kësisoj mes veti, ia behu prapë i Dërguari i Allahut. Të gjithë bashkë, siç ishin, u ngritën dhe vrapuan drejt tij dhe e rrethuan:

“Domethënë ti na fyen ne për zotat tanë dhe guxon të na shash fenë e të parëve?”

“Po, ashtu ju kam thënë!”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut.

Pos kësaj, një prej tyre e kapi Muhamed Mustafanë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nga rroba që kishte të veshur. Ebu Bekrin (radijallahu anhu) e kapluan lotët, megjithatë u fut mes atij njeriu dhe të Dërguarit të Allahut dhe i tha, duke qarë:

“Çfarë bën, mos ke ndërmend që ta vrasësh vetëm pse thotë se Zoti i tij është Allahu?!”

Paskëtaj, ata u larguan prej Resulullahut. Ja, kjo ka qenë tortura më e rëndë që kurejshët i kanë bërë të Dërguarit të Allahut.”

Kur e kanë pyetur vajzën e Ebu Bekrit (radijallahu anhu), Esmanë: “Cila ka qenë vuajtja më e rëndë që ti ke parë, që i kanë shkaktuar idhujtarët Profetit tonë?” Ajo ka nisur të tregojë:

“Një ditë, idhujtarët ishin ulur afër Qabes; po bisedonin për fjalët që Profeti ynë kishte thënë rreth idhujve që adhuronin kurejshët. Në atë kohë aty u shfaq i Dërguari i Allahut, e ata u ngritën të gjithë në këmbë, për të shkuar drejt tij. Ebu Bekri dëgjoi një zë që thoshte: “Nxito, shko shpejt t’i vish në ndihmë shokut tënd!” Babai i kishte lidhur flokët në katër, mirëpo, pa i zgjidhur, doli menjëherë jashtë. Ja se ç’dëgjuam të thoshte:

“Turp t’ju vijë! Mos do ta vrisni ngaqë thotë se Zoti i tij është Allahu?”

Atëhere, idhujtarët e lanë të Dërguarin Fisnik dhe iu kthyen Ebu Bekrit. Kur babai u kthye në shtëpi, e kishte në duar çdo thurimë të flokëve që kishte lidhur në shtëpi. Vetëm këto fjalë thoshte:

“O Zot, Ti je zotëruesi i të gjithë forcës e i çdo të mire! Ti je kaq i Madhërishëm!”

Enes bin Maliku (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Njëherë, idhujtarët e patën rrahur aq shumë Profetin tonë, saqë Profeti ynë pati mbetur përdhe pa ndjenja. U çua Ebu Bekri dhe po bërtiste:

“Turp t’ju vijë! Çfarë, do ta vrisni vetëm sepse ju thotë se Zoti i tij është Allahu?” - Idhujtarët pyetën:

“Po ky, kush është?” Dhe njerëzit përgjigjeshin duke thënë:

“Është ai i çmenduri që e quajnë Ebu Bekr!”

Si e vlerësonte Aliu trimërinë e Ebu Bekrit (r.a.)?

Muhamed bin Akili na tregon: “Në një fjalim të tijin, Aliu (radijallahu anhu) pyeti:

“O njerëz, a e dini se kush është më trimi prej jush?” - “Ti je, o Prijësi i Besimtarëve!”, – iu përgjigjën ata.

“Po, unë gjithmonë e kam mundur secilin prej atyre me të cilët jam përleshur; megjithatë, më trimi e më guximtari nuk jam unë. Ai është Ebu Bekri, sepse njëherë, ne patëm ndërtuar një çardak për Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem); kur thamë se kush do të rrijë pranë të Dërguarit të Allahut, që të mos vijnë idhujtarët e ta sulmojnë, uallahi, përveç Ebu Bekrit, askush prej nesh nuk guxoi ta merrte përsipër një detyrë si ajo. Ai pati nxjerrë shpatën dhe i pati qëndruar te kryet të Dërguarit të Allahut, duke i treguar vendin çdokujt që guxonte të sulmonte Profetin tonë të dashur. Prandaj, për mendimin tim, ai është më trimi nga të gjithë njerëzit. Por edhe një ditë tjetër, unë e pashë vetë Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). E patën kapur kurejshët dhe ishin duke debatuar me njëri-tjetrin me zë të lartë. Herë-herë edhe e qëllonin, e shtynin dhe donin ta rrëzonin përdhe, duke i thënë:

“Ti je ai që i ke bashkuar të gjithë zotat në një të vetëm?” Uallahi, në një kohë kur askush nuk guxonte të nxirrte zë, Ebu Bekri shkoi atje duke vrapuar. Qëlloi të parin, u përplas me të dytin, ndërsa të tretin e hodhi përtokë, dhe u thoshte atyre:

“Turp t’ju vijë! Për çfarë do ta vrisni, vetëm sepse ju thotë se Zoti i tij është Allahu?”

Ai që e përcjellë ngjarjen thotë se: Më vonë, Aliu (radijallahu anhu) e hoqi trikon që kishte veshur dhe filloi të qante. Ka qarë aq shumë, saqë e tërë mjekra iu lag nga lotët. Më vonë tha:

“Për Zotin, më thoni! Kush qëndron më lart, ai besimtar nga dinastia e faraonit, apo Ebu Bekri?”

Meqë askush nuk tha asnjë fjalë, Aliu (radijallahu anhu) vazhdoi:

“Ju betohem në Allahun, se një çast i Ebu Bekrit është më i hairit edhe se qindra çaste të atij besimtari nga dinastia e faraonit, madje edhe se të shumë besimtarëve të tjerë si ai, sepse ai e mbante të fshehtë besimin e tij. Kurse Ebu Bekri e shpallte haptas, ballë të gjithëve.”

Kurejshët Profetit tonë i patën vendosur plëndës mbi shpinë

Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë: “Një ditë, Profeti ynë ishte duke falur namazin në Qabe. Ebu Xhehli, djemtë e Rabiasë, Shejbeja dhe Utbeja, Ukbete bin Ebu Muajti, Umeje bin Halefi dhe dy të tjerë, ishin ulur në zonën e Hixhrit. Kur Resulullahu ra në sexhde dhe e zgjati shumë atë, Ebu Xhehli tha:

“Kush do shkojë te djemtë e filanit dhe të marrë një plëndës nga ata të deveve që janë therur sot, e të ma sjellë mua? Do t’ia zbrazim Muhamedit mbi shpinë të gjithë plëndësin!”

Për ta marrë, shkoi ai që ishte më i pisti e më i ndyri i mbarë kurejshëve, Ukbete bin Ebi Muajti. E solli plëndësin që ishte plot ndyrësi dhe e zbrazi mbi shpinën e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pikërisht në pjesën ku mbaron shpina.” Ibni Mesudi thotë se:

“Edhe unë mbeta i shushatur, madje nuk arrija dot as të flisja! Nuk kisha fuqi, që t’u dilja kundër e t’i pengoja, e të mos e bënin atë që bënë! Sakaq, e bija e Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), me sa duket pati dëgjuar të qeshurat e kurejshëve, sepse erdhi menjëherë; e hoqi atë plëndës nga shpina e të atit. Shkoi përballë kurejshëve dhe nuk la gjë pa u thënë. Ata nuk iu përgjigjën fare Fatimes. I Dërguari i Allahut, përfundoi sexhden dhe ngriti kokën. Ndërsa, kur përfundoi të gjithë faljen, iu drejtua Allahut tri herë, duke iu lutur:

“O Zot! Ti kam lënë Ty në dorë kurejshët! T’i kam lënë Ty, Utben, Ukben, Ebu Xhehlin dhe Shejben. Nuk kam ç’të bëj më shumë!”

Paskëtaj u largua nga Xhamia e Shenjtë. Teksa po ecte, në rrugë u takua me Ebu’l-Bahterin. Ebu el-Bakhterij po qëndronte i mbështetur mbi bastun; po rrinte. Kur e pa Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), nuk i pëlqeu aspak ajo ngjyrë që kishte marrë fytyra e Profetit tonë.

– “Çfarë të ka ngjarë kështu?”, – e pyeti.

“M’u hiq nga rruga!”, – i tha i Dërguari i Allahut.

“Zoti e di, unë nuk do të të hiqem nga rruga, derisa të më tregosh se çfarë të ka ndodhur. Diçka të ka ngjarë!”

I Dërguari i Allahut e pa këmbënguljen e tij dhe i foli:

“Ebu Xhehli dha urdhër që të më hidhnin ndyrësi mbi shpinë!”

“Eja me mua, atëherë.”, – i tha Ebu el-Bakhteri dhe shkuan bashkë në Faltoren e Ndaluar. Ebu el-Bakhteri, iu drejtua Ebu Xhehlit dhe i tha:

“Ebu’l-Hakem, ti e dhe urdhrin që Muhamedit t’i hidhej ndyrësi mbi shpinë?”

“Po!”, – u përgjigj Ebu Xhehli.

Pasi mori këtë përgjigje, Ebu el-Bakhteri e ngriti bastunin dhe me sa forcë të kishte e lëshoi atë mbi kokën e Ebu Xhehlit. Ndërkaq, të gjithë filluan të sulmonin njëri-tjetrin. Ebu Xhehli bërtiti:

“Turp të kesh! Po mban qëndrim në anën e tij! Muhamedi do që të na bëjë armiq të njëri-tjetrit, për të shpëtuar veten dhe shokët e tij!”

Ndërsa, në përcjelljen që i bën Buhariu kësaj ngjarjeje thuhet kështu: “... Ukbete bin Ebi Muajti e hodhi plëndësin në shpinën e të Dërguarit të Allahut dhe, sakaq, të gjithë filluan të qeshnin me të madhe. Aq shumë qeshnin, saqë u merrej fryma dhe mbaheshin te njëri-tjetri, që të mos binin nga të qeshurit.”

Dhe në transmetimin e Ahmed bin Hanbelit për këtë ngjarje ka edhe diçka tjetër, në të thuhet: “Abdullah bin Mesudi thotë se: ‘Uallahi, ata idhujtarë që i Dërguari i Allahut ua përmendi emrat në lutje, duke ia lënë Allahut në dorë secilin prej tyre, vdiqën të gjithë, një e nga një, në Luftën e Bedrit.’”

Torturat e Ebu Xhehlit ndaj Profetit tonë dhe si ia tregon vendin Ebu Xhehlit Hamzai (r.a.)

Taberani përcjell: “Një ditë, Ebu Xhehli e pati sharë Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në kodrën e Safasë, dhe kjo e pati prekur shumë atë. Hamzai (radijallahu anhu) ishte gjuetar. Edhe atë ditë kishte dalë si zakonisht për të gjuajtur. Kur u kthye, e shoqja, e cila kishte qenë dëshmitare e fyerjeve të vazhdueshme që Ebu Xhehli i kishte bërë Profetit tonë, i thotë atij:

“O Eba Umare! Veç ta kishe parë se sa keq u soll Ebu Xhehli sot me djalin e vëllait tënd, Muhamedin!”

Hamzai (radijallahu anhu) u nevrikos shumë nga ato që dëgjoi, ndaj u çua me një frymë dhe doli nga shtëpia. Harkun e shigjetat i kishte ende mbi shpinë. Hyri në Xhaminë e Shenjtë dhe Ebu Xhehlin e gjeti në një prej kuvendeve të kurejshëve. Mori harkun pa thënë asnjë fjalë dhe ia shkoi Ebu Xhehlit në qafë. Ebu Xhehlit iu ça koka. Disa nga burrat e kurejshëve u ngritën dhe e kapën Hamzain (radijallahu anhu) nga krahët.

“Feja ime është feja e Muhamedit, dëshmoj se ai është i Dërguari i Allahut. Dhe kurrë nuk kam për të kthyer nga ky besim. Nëse jeni kaq trima, po patët guxim, ejani e më pengoni mua po deshët!”

Profeti ynë dhe myslimanët u ndien shumë herë më të fortë me pranimin e Islamit nga Hamzai (radijallahu anhu). Tani edhe hapat i ndienin disi më të sigurt kur i hidhnin. Ndërsa kurejshët qenë frikësuar shumë, sepse mësuan që tani Profeti i profetëve do të gëzonte mbrojtjen e Hamzait (radijallahu anhu).”

Vuajtjet që i shkaktuan Profetit tonë të nderuar fqinjët e tij, Ebu Lehebi dhe Ukbete bin Ebi Muajti

Rabia bin Ubejd ed-Diliu (radijallahu anhu) ka thënë: “Ju nuk po flisni fare për ato që i kanë bërë kurejshët Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Disa nga torturat e shumta, për të cilat unë jam dëshmitar, kanë qenë: “Shtëpia e të Dërguarit të Allahut gjendej mes shtëpisë së Ebu Lehebit dhe Ukbete bin Ebi Muajtit. Resulullahu, sa herë që kthehej për në shtëpi, te porta do të gjente gjithfarë mbeturinash, plëndësash dhe ndyrësish, që kurejshët ia hidhnin aty për inat. Ai i shtynte tej, me cepin e harkut dhe thoshte:

“Fqinjësi shumë e keqe kjo, o kurejshë!”

Torturat që hoqi i Dërguari Fisnik në Taif

Uruete bin Zubejri (radijallahu anhu) transmeton: “Kur vdiq Ebu Talibi, edhe vuajtjet e shqetësimet e të Dërguarit të Allahut u shtuan edhe më shumë. Me shpresën se do t’i vinin në ndihmë e do t’i bëheshin krah, ai shkoi pranë fisit të Thakifëve në Taif. Atje gjeti prijësit e fisit të Thakifëve, Abdi Jalejlin, Hubejbin dhe Mesudin. Ai iu ankua atyre për vuajtjet dhe padrejtësitë që kurejshët u kishin bërë, si atij vetë, ashtu edhe shokëve të tij, duke u kërkuar sakaq që t’u vinin në ndihmë dhe t’i mbështesnin. Njëri nga këta tre vëllezër u hodh e tha:

“Nëse Allahu të ka dërguar ty me një detyrë, atëherë unë e vjedh mbulesën e Qabes!”

“Këtej e tutje unë nuk do të flas më, as edhe një fjalë të vetme, me ty, sepse, nëse ti je një profet, atëherë ty nuk ta lejon detyra që të flasësh me një njeri të thjeshtë e të zakonshëm si unë!”, – tha i dyti.

Kurse i treti e priti me fjalët:

“Allahu, nuk gjeti dikë tjetër, përveç teje, për të dërguar? Kaq i dobët është Ai, saqë nuk gjeti dot dikë më të mirë se ty?”

Këta njerëz nisën t’i përhapnin edhe në mesin e thakifasve të tjerë ato fjalë që u kishte thënë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kështu që nuk mjaftuan vetëm ata, por u mblodhën edhe pjesëtarët e tjerë të familjeve, që erdhën për t’u tallur me të Dërguarin e Allahut. Morën gurë nëpër duar dhe u bënë dy radhë të gjata nëpër të dyja anët e rrugës. Gurët godisnin trupin e bekuar të Resulullahut dhe ia plagosën gjunjët, megjithatë ata vazhdonin të qeshnin me marifetin që çoç kishin sajuar. Resulullahu qe larguar goxha prej tyre, mirëpo këmbët ia kishte mbuluar gjaku. Më në fund, ai arriti të strehohej në një vresht rrushi. Po dridhej nga dhimbjet dhe nga mërzia, gjeti një hije dhe u ul. Këmbët vazhdonin t’i rridhnin gjak, nuk kishte të reshtur gjithë ai gjak. Kur hyri në atë vresht, aty ishin edhe dy djemtë e Rabias, Utbeja dhe Shejbeja. Profeti (alejhis’selam), kur i pa, nuk deshi t’u shkonte pranë, sepse e dinte që ata ishin ndër armiqtë e tij më të paepur. Utbeja dhe Shejbeja i dhanë disa veshë rrushi skllavit të tyre nga Niniva, Adasit, i cili ishte i krishterë, dhe i thanë që t’ia çonte ata Profetit tonë. Adasi ia çoi rrushin dhe ia vuri përpara, ndërsa Profeti ynë tha:

“Bismil’lah.”

Kjo ishte një fjalë që e habiti tej mase Adasin.

“Nga je ti kështu?”, – e pyeti Resulullahu.

“Jam nga Niniva!”, – u përgjigj Adasi.

“Pra, ti qenkëshe patrioti i njeriut të mirë, Junus bin Metasë, apo jo?”

“Nga e di ti emrin e Junus bin Metasë?”, – e pyeti ai të Dërguarin e Allahut, i cili i tregoi shumë gjëra të reja, të cilat ai nuk i kish dëgjuar kurrë më parë në lidhje me profetin Junus.

Sipas një transmetimi tjetër, Profeti ynë i ka thënë:

“Ai është vëllai im, sepse ai është një profet. Edhe unë jam profet, njësoj si ai.”

Profeti ynë i Dashur (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur kryente detyrën e profetësisë, atë të përhapjes së fesë së vërtetë të Allahut, nuk nënvlerësonte askënd. Adasi iu përgjigj:

“O Resulullah, a do të më flasësh mua më shumë për Junus bin Metanë?”

I Dërguari i Allahut i mësoi atij ajetet që i ishin zbritur lidhur me jetën e Junusit të nderuar (alejhis’selam), Adasi u përul në sexhde para Resulullahut dhe filloi t’i puthte këmbët, të cilat i kishte ende të mbuluara në gjak. Utbeja dhe Shejbeja nuk reaguan për sjelljen e shfaqur nga skllavi i tyre. Kur Adasi shkoi pranë tyre, ata i thanë:

“Ç’e ke këtë gjendje? Çfarë ishte gjithë ajo përulësi e tërë ai respekt para Muhamedit, që i puthe edhe këmbët? Mes nesh ne nuk e kemi parë kurrë një sjellje si kjo!”

Adasi iu përgjigj atyre duke u thënë:

“Ky është një njeri shumë i mirë, Ai më foli mua për të vërtetat e Junus bin Metasë, profetit që Zoti i pati dërguar qytetit tonë, madje e dinte se Junusi ishte i dërguar i Zotit.”

Utbeja dhe Shejbeja qeshën pak me njëri-tjetrin dhe e paralajmëruan:

“Bëj kujdes se mos të bën të braktisësh Krishterimin; ai është njeri shumë hileqar!”

Që aty, Profeti i profetëve u kthye prapë në Mekë.”

Lutja që bëri i Dërguari i Allahut teksa kthehej nga Taifi

Sipas asaj që na përcillet, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shpëtoi paq nga banorët e Taifit dhe kur gjeti një vend më të sigurt, Ai bëri këtë lutje:

“O Zot! Nuk mund të të ankohem veçse Ty për pafuqinë, që jam kaq i dobët e që njerëzit më shohin me kaq shumë përbuzje. Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve, Ti je Zoti i atyre që nuk kanë asnjë mbështetje! Ti je Zoti im. Ti do të më mëshirosh mua, sa të mos më lësh në duart e dikujt që më vrenjt fytyrën, apo që të më lësh në duart dhe mëshirën e munguar të armiqve! Mjafton që Ti të mos jesh i mërzitur me mua, pa asgjë tjetër nuk më intereson. Mua më mjafton shëndeti dhe përkujdesja që do të më falësh Ti dhe e di se ajo është shumë herë më e madhe se sa këto që po përballem. Unë strehimin e kërkoj tek ai nuri Yt që ndriçon dhe i jep jetë kësaj bote e jetës së përjetshme, duke e bërë dritë errësirën, që të mund të shpëtoj prej ndëshkimit Tënd; të mos e meritoj atë ndëshkim. Nuk do të largohem nga pragu i portës Sate derisa Ti të kesh mbetur i kënaqur me mua. Vetëm tek Ti e ka burimin e tërë forca dhe fuqia dhe sajë Teje gjithçka arrin të qëndrojë në këmbë.”

Vuajtjet e Profetit tonë në luftën e Uhudit

Enesi (radijallahu anhu) ka transmetuar: “Një gur i hedhur ndaj Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i pati thyer atij njërin prej dhëmbëve të përparmë, duke e lënë kështu të plagosur. I Dërguari i Allahut fshiu gjakun që i mbuloi gojën dhe tha:

- “E si mund të shpëtojë një popull që plagos profetin e vet, duke i thyer dhëmbët, kur ai po i fton ata që t’i besojnë Allahut?”

Fill pas këtyre fjalëve të Profetit tonë, të Dërguarit Fisnik iu zbrit ajeti: “Ti nuk ke asgjë në dorë, nëse do t’ua pranojë Ai pendimin, apo do t’i dënojë, ngase ata janë vërtet keqbërës ndaj vetes. Ti vetëm mund t’u tregosh atyre rrugën e drejtë.” (Al ‘Imran, 3/128)

Aishja (radijallahu anha) ka thënë: “Sa herë që përmendej lufta e Uhudit, babai im, Ebu Bekri, na tregonte: “Ajo ditë ishte e tëra dita e Talhasë.”

“Pas një disfate të përkohshme që patëm në luftën e Uhudit, i pari

që u kthye isha unë. Në atë çast pashë dikë, i cili, qëndronte para të Dërguarit të Allahut dhe po luftonte për Allahun me gjithë shpirt. Thashë me vete: “Sa shumë duhet të kem humbur; dashtë Zoti që ti të jesh Talhaja, sepse, nëse ky njeri që po lufton me kaq vendosmëri është ndonjë prej kushërinjve të mi, kjo do të më gëzonte e do të më kënaqte tej mase.”

Në mes të idhujtarëve ishte edhe një njeri të cilin unë nuk e njihja. Megjithatë, isha më afër të Dërguarit të Allahut. Ai njeri po ecte me shpejtësi, ndërsa unë nuk po e arrija dot. Pashë që ai njeri ishte Ebu Ubejde bin Xherrahu (radijallahu anhu). Kur shkova pranë Profetit tonë, ç’të shihja, një nga dhëmbët i ishte thyer, fytyrën e kishte të plagosur, e dy copa hekuri të shigjetës i kishin mbetur të ngulura në fytyrë. Nga plaga vazhdonte të rridhte gjak, megjithatë Resulullahu bënte me shenjë, duke na treguar Talhanë:

“Shkoni të ndihmoni shokun tuaj!” Kur e pa se nuk po ia dëgjonin fjalën, ai një të gjallëruar bëri dhe tha:

“Betohem, po nuk më le, nuk do të ta bëj kurrë hallall hakun tim!”

Dhe unë ia lashë Ebu Ubejdes, që t’i nxirrte ato copëza të shigjetës. Ebu Ubejdeja, nga frika se mos ajo do t’i shkaktonte dhimbje Resulullahut, e kapi pjesën e shigjetës me dhëmbë dhe e nxori. Bashkë me të ra edhe një prej dhëmbëve të përparmë të Ebu Ubejdes. Kur u përpoqa edhe unë që të bëja atë që kishte bërë Ebu Ubejdeja, Resulullahu u betua sërish, se nëse nuk e lija, ai nuk do të ma bënte hallall hakun e tij. Ebu Ubejdeja veproi po njësoj dhe e nxori edhe copën e dytë. Edhe kësaj here i ra edhe një tjetër dhëmb i përparmë. Me të vërtetë, Ebu Ubejdeja u bë njeriu më i bukur, edhe pse i mungonin dy dhëmbët e përparmë. Pasi mjekoi Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), shkuam te Talhaja, i cili ishte në njërën prej gropave aty. Kishte marrë plot shtatëdhjetë e kusur plagë, duke filluar nga ngulja e një heshte, deri te shigjetat dhe goditjet e shumta me kamë. Madje i kishin prerë edhe njërin prej gishtërinjve. E mjekuam edhe atë.”

2. SI BËNIN DURIM NDAJ VUAJTJEVE SAHABËT FISNIKË

Durimi i Ebu Bekrit (r.a.) ndaj vuajtjeve dhe këmbënguljet e tij për ta shpallur fenë haptazi

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Një ditë u mblodhën sahabët e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), – të gjithë bashkë bëheshin tridhjetë e tetë vetë, – kur Ebu Bekri i nderuar i kërkonte të Dërguarit të Allahut me këmbëngulje që të dilnin haptazi dhe t’ua shpallnin të gjithëve Fenë Islame. Ndërsa Profeti ynë i thoshte:

“Jemi ende shumë të paktë në numër për ta bërë këtë gjë!” Kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) vazhdoi të këmbëngulte, Resulullahu doli jashtë për t’i thirrur njerëzit haptazi në fe. Myslimanët u përhapën në të gjitha anët e faltores. Secili shkoi njëherë pranë të afërmve të vet. Ebu Bekri (radijallahu anhu) u çua dhe shkoi të flasë përpara njerëzve. Resulullahu po rrinte ulur. Me këtë fjalim, Ebu Bekri u shndërrua në myslimanin e parë që u bënte njerëzve thirrje në masë, që ata t’i besonin Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Idhujtarët i sulmuan Ebu Bekrin dhe të gjithë myslimanët e tjerë, duke i rrahur shumë keq myslimanët. Ebu Bekrin e shkelën me këmbë, pasi e patën rrahur më keq se të tjerët. Një nga më të këqijtë ishte Utbete bin Rabia, i cili iu afrua Ebu Bekrit dhe filloi ta rrahë me çizmet e tij me dhëmbë hekuri dhe, pasi e pati rrëzuar përtokë, i hipi sipër, për ta shkelur. Kërceu dhe filloi ta shkelte mbi bark. Aq keq, sa që babait vështirë t’ia dalloje gojën nga hunda. Bijtë e Tejmit erdhën me vrap, për t’i larguar idhujtarët që i ishin vërsulur Ebu Bekrit. E morën mbi një copë të madhe e prunë peshë në shtëpi. Nuk kishin më dyshim, për ta ai do të vdiste. Pastaj në Xhaminë e Shenjtë hynë bijtë e Tejmit, të cilët thanë:

“Nëse vdes Ebu Bekri, ne do të vrasim Utbete bin Rabian!”

Ata u kthyen prapë te Ebu Bekri. Babai i tij Ebu Kuhafeja dhe bijtë e Tejmit po përpiqeshin ta bënin Ebu Bekrin të fliste ndonjë fjalë. Mirëpo ai nuk u përgjigj deri aty në të rënë të muzgut dhe fjala e parë që tha ishte:

“Çfarë po bën Resulullahu, si është ai?” Ata që ishin të pranishëm e qortuan dhe u ngritën e ikën. Iu drejtuan nënës së tij, Umu’l-Hajrit, dhe i thanë:

“Kujdesu mirë për të, jepi ndonjë gjë të mirë dhe mos harro t’i japësh të pijë ujë.” Kur mbetën vetëm nënë e bir, ajo u përpoq t’i jepte atij diçka për të ngrënë. Megjithatë, Ebu Bekri nuk belbëzonte asgjë tjetër, veç fjalëve:

“Po Resulullahu, çfarë po bën?” E ëma iu përgjigj:

“Uallahi nuk di asgjë çfarë ka ndodhur me shokun tënd!”

“Atëherë shko njëherë tek Umu Xhemil binti Hatabi dhe pyete se në ç’gjendje është i Dërguari i Allahut!”, – i tha ai nënës.

Dhe ajo kështu bëri, doli dhe shkoi tek Umu Xhemili, për t’i pyetur: - “Ebu Bekri më dërgoi të të pyes, si është Muhamedi?”

“Unë nuk e njoh as Ebu Bekrin, as Muhamedin! Por, po deshe, të shkojmë bashkë te djali yt dhe të shohim se çfarë kërkon ai të dijë prej meje.”

“Mirë, shkojmë.”, – i tha ajo dhe dolën bashkë, për t’u kthyer pranë Ebu Bekrit. Ebu Bekrin i kishte rënë të fikët kur u kthyen dhe plagët i kishte shumë të rënda. Me ta parë, Umu Xhemili lëshoi një klithmë të fortë, iu afrua Ebu Bekrit dhe i tha:

“Uallahi, nuk ka dyshim, se ata që të kanë bërë ty kështu, janë njerëzit më të këqij, mohues egërsira e njerëz të shthurur. Kam shumë shpresë se Allahu do të ta marrë hakun ndaj tyre.”

“Çfarë bëri Profeti ynë? Si është ai?”, – vazhdonte të pyeste Ebu Bekri.

“Është nëna jote këtu, na dëgjon.”, – i tha Umu Xhemili.

“Nga ajo nuk të vjen asnjë e keqe, ndaj më trego.”

“Gjallë është, mirë është.”

“Ku është tani?”

“Tani është në shtëpinë e Ibni Erkamit.”, – u përgjigj ajo.

“Të betohem në Allahun, se pa shkuar te Profeti as nuk fus gjë në gojë, as nuk pi asgjë!”

Nëna e Ebu Bekrit (radijallahu anhu) dhe Umu Xhemili qëndruan në pritje; kur panë se jashtë nuk kishte më asnjë zhurmë hapash dhe njerëzit dukej se ishin tërhequr të gjithë nëpër shtëpitë e tyre, e morën Ebu Bekrin nga krahët dhe e çuan pranë Resulullahut. Profeti ynë dhe myslimanët u afruan të gjithë tek ai dhe i kërkuan që të qetësohej. Të Dërguarit të Allahut i pikoi në zemër kjo gjendje e tij. Ebu Bekri (radijallahu anhu) tha:

“Të qofshin falë nëna e babai im, o Resulullah! Nuk kam asgjë, përveç plagëve në fytyrë, ngase më qëlloi nga koka. Ja, kjo është nëna ime! Shih sa e dhembshur është për fëmijën e saj. Lutja Jote është e pranuar, ftoje atë, që t’i besojë Allahut dhe lutju Allahut për të. Ndoshta Allahu do ta shpëtojë atë nga flakët e Xhehenemit vetëm për hir të lutjes sate.”

Dhe i Dërguari i Allahut u lut dhe e ftoi atë që të pranonte Zotin që është Një dhe i Vetëm, e që nuk ka asnjë tjetër veç Tij. Sa hap e mbyll sytë, ajo grua u bë menjëherë myslimane, duke e pranuar Islamin.

Myslimanët qëndruan plot një muaj në shtëpinë e Ibni Erkamit. Të gjithë bëheshin tridhjetë e nëntë vetë gjithsej. Atë ditën që u rrah Ebu Bekri, u bë mysliman edhe xhaxhai i Profetit tonë, Hamzai (radijallahu anhu).”

Omeri (r.a.) bëhet mysliman me lutjen e Profetit tonë

Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i lutej Allahut, që Omeri (radijallahu anhu) ose Ebu Xhehli, të paktën njëri nga këta të dy, të bëhej mysliman. I Dërguari i Allahut u lut ditën e mërkurë, të enjten Omeri (radijallahu anhu) pranoi Islamin dhe u bë mysliman. Kur u bë mysliman Omeri, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe sahabët e tij qenë gëzuar aq shumë, saqë zëri i tyre pati jehuar deri në lagjet më të epërme të Mekës. Aq sa, edhe Ebu’l-Erkami që ishte i verbër dhe idhujtar, doli jashtë dhe tha:

“O Zot! Falja Erkamit të shkretin djalë; sepse ai u bë mohues!” Omeri (radijallahu anhu) u çua në këmbë dhe tha:

“O Resulullah, pse e mbajmë të fshehtë fenë tonë ne, kur jemi ne ata që kemi të drejtë dhe ajo që themi është e vërteta? Nga ana tjetër, ato ku besojnë ata janë disa paçavure, e megjithatë, ata e shprehin sheshit besimin e tyre!”

“O Omer, ne jemi ende shumë të paktë në numër, ti e ke parë vetë se ç’të këqija kemi hequr deri më tani!”

“Të betohem në Allahun që të ka dërguar ty me të drejtën, se unë do të shkoj në të gjitha kuvendet ku kam qenë deri më sot i pranishëm si mohues dhe do t’ua deklaroj të gjithëve se jam bërë mysliman!” – dhe, sakaq, porsi një shigjetë, doli jashtë. Erdhi njëherë përreth Qabes Madhështore, pastaj shkoi pranë kurejshëve, të cilët po e ndiqnin me sy. Ebu Xhehli e priti Omerin (radijallahu anhu) duke i thënë:

“O Omer, filani thotë se ti ke dalë nga feja, e vërtetë është kjo?”

“Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, që meriton të adhurohet, Ai është Një, Ai nuk ka asnjë ortak në krijimin e asgjëje. Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij!”

Idhujtarët iu sulën Omerit. Omeri (radijallahu anhu) një të kërcyer bëri dhe u hodh mbi Utben. Edhe pak edhe do t’ia nxirrte sytë nga vendi me gishtërinj. Utbeja filloi të ulërinte. Kur ata që ishin të pranishëm u larguan, atëherë u ngrit Omeri nga Utbeja. Duke mbërthyer atë që ishte më i nderuari në mesin e atyre që e sulmuan, ai i kishte lënë të paralizuar të gjithë të tjerët që donin ta sulmonin. Në të njëjtën mënyrë, ai i shëtiti dhe i vizitoi edhe njëherë të gjitha kuvendet ku kishte hyrë e dalë gjatë kohës kur ishte mohues dhe ua shpallte besimin e tij pa iu dridhur qerpiku. Pas njëfarë kohe, ai u kthye tek i Dërguari i Allahut, i kishte mundur të gjithë idhujtarët që e kundërshtonin. Ai i tha të Dërguarit të Allahut:

“O Resulullah, t’u bëfshin kurban nëna dhe babai im, nuk guxon kush të vërë dorë mbi ty! Shkova në të gjitha kuvendet ku jam gjendur para se të bëhesha mysliman dhe ua shpalla besimin dhe që isha bërë mysliman, pa as frikën më të vogël!”

Kur e dëgjoi, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), meqenëse tani kishte me vete dy njerëz si Omeri dhe Hamzai (radijallahu anhuma), doli jashtë dhe shkoi të vizitojë Qaben. Fali namazin e drekës i qetë dhe i sigurt. Pastaj, bashkë me Omerin (radijallahu anhu), ata u kthyen në shtëpinë e Ibni Erkamit.”

Ebu Bekri (r.a.) niset për të mërguar drejt Abisinisë

Aishja (radijallahu anha) ka thënë: “Qëkurse u rrita dhe kisha filluar t’i kuptoja gjërat, unë e mbaj mend babanë si mysliman. Nuk kishte asnjë ditë që kalonte, që në mbrëmje dhe në mëngjes te ne të mos vinte Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Kur ndaj myslimanëve filluan të bëheshin gjithfarë torturash e t’u shkaktoheshin gjithfarë vuajtjesh, edhe Ebu Bekri u nis në drejtim të Abisinisë, për të mërguar. Kur mbërritën në vendin e quajtur Berku’l-Gimad, që ishte diku te pesë ditë larg Mekës, atje u takua me të madhin e fisit të Kares, Ibnu Dugunen, i cili i tha:

“O Ebu Bekr, ku do të shkosh kështu?” Ebu Bekri i tha:

“Populli ynë na ka parë me hak që ne të bredhim rrugëve. Dua të udhëtoj, të shëtis rruzullin tokësor dhe të kem një vend ku të mund ta kryej i qetë adhurimin tim karshi Zotit.”

“Shiko, o Ebu Bekr, një njeri si ti as nuk del nga vendi i tij, as nuk guxon dot njeri që ta nxjerrë prej andej, sepse ti po ndan me njerëzit gjërat më të mira, ti je një njeri që përkujdesesh për familjen dhe të afërmit dhe u vjen gjithmonë në ndihmë nevojtarëve. Ti di si t’i presësh miqtë, e di si t’i mbështesësh ata që dëmtohen nga fatkeqësitë e natyrës. Shiko, ti je fqinji im. Kthehu pas dhe adhuroje Zotin në vendin tënd.”

Kësisoj, Ebu Bekri u kthye pas bashkë me Ibnu Dugunen. Ibnu Duguneja atë natë i shëtiti të gjithë njerëzit më të respektuar dhe më të mëdhenj të kurejshëve dhe u tha këto fjalë:

“Një njeri si Ebu Bekri as nuk nxirret nga atdheu, as nuk duhet të dalë. Si guxoni ju të përzini nga vendi i vet një njeri që i ndan me të tjerët ato gjëra që ata nuk i kanë, që kujdeset për të afërmit e kushërinjtë, që u bëhet krah të dobëtëve, i mirëpret miqtë dhe që di t’i ndihmojë ata që i prek fatkeqësia e natyrës?”

Kurejshët as nuk i përgënjeshtruan këto fjalë të Ibnu Dugunes, as nuk e kundërshtuan kur ai mori përsipër se, këtej e tutje, Ebu Bekri ishte nën mbrojtjen e tij. Ata i thanë atij:

“Shiko, thuaji Ebu Bekrit, Zotin ta adhurojë në shtëpinë e tij, edhe namazin ta falë në shtëpinë e tij, e atje le të lexojë e këndojë ç’t’i dojë zemra; por të mos na shqetësojë ne me ato që lexon. Të mos lexojë haptazi dhe në sy të të gjithëve, sepse kemi frikë mos tërheq vëmendjen e grave dhe fëmijëve tanë, e ata bien pre e fjalëve të tij!”

Ibnu Duguneja ia përcolli Ebu Bekrit (radijallahu anhu) një për një, të gjitha fjalët që i kishin thënë përfaqësuesit e kurejshëve. Kësisoj, ai pranoi të qëndronte në vendin e vet, duke pranuar këtë kusht. Tanimë ai e adhuronte Zotin në shtëpinë e vet dhe jashtë as nuk falte namaz, as nuk lexonte Kur’an. Më vonë, Ebu Bekrit (radijallahu anhu) i erdhi një mendim në kokë. I shkoi mendja të ndërtonte një vend për të falur namazin në avllinë e shtëpisë. Këtej e tutje, aty do të falte namazin dhe aty do të lexonte Kur’an. Dhe e bëri realitet këtë mendim. Gratë dhe fëmijët e idhujtarëve e ndiqnin me habi çdo sjellje të Ebu Bekrit dhe, pak e nga pak, kishin filluar të grumbulloheshin para shtëpisë së tij, për ta parë se ç’bënte ai, aq sa kallaballëku kishte filluar të shtohej aq shumë, saqë njerëzit dukej sikur do të shkelnin mbi njëri-tjetrin. Babai im kishte një zemër shumë të butë dhe ishte jashtëzakonisht i mëshirshëm; nuk i mbante dot lotët kur falte namaz. Kjo gjendje e Ebu Bekrit (radijallahu anhu) filloi t’i shqetësonte jashtë mase kurejshët idhujtarë. Ata i dërguan lajm Ibnu Dugunes dhe ai erdhi menjëherë. Ata i thanë atij:

“Ne e patëm lejuar Ebu Bekrin, që ai t’i kryente në shtëpinë e tij adhurimet ndaj Zotit. Mirëpo Ebu Bekri e teproi, e ka kaluar cakun, e ka kthyer avllinë e shtëpisë në faltore dhe gjatë gjithë ditës e fal namazin hapur, në sy të të gjithëve; lexon Kur’an. Kemi frikë se do të na mashtrojë gratë dhe fëmijët. Thuaji të heqë dorë nga kjo sjellje. Thuaji, që nëse do ta adhurojë Zotin e tij, të futet e t’i kryejë brenda në shtëpi adhurimet që ka për të kryer. Nëse pranon, thuaji se garancia jonë do të vijojë të jetë e vlefshme, në të kundërt, nëse këmbëngul, e do të vazhdojë t’i falë haptas namazet, atëherë bëji të ditur se ti do ta tërheqësh mbrapsht garancinë që na ke dhënë për Ebu Bekrin. Ne nuk duam ta shkelim fjalën që të kemi dhënë. Por as adhurimin e Ebu Bekrit hapur, faqeza të gjithëve, nuk mund ta pranojmë në asnjë mënyrë!”

Ibnu Duguneja erdhi tek Ebu Bekri dhe i tha:

“Dëgjo, o Ebu Bekr, ti e mban mend shumë mirë se si qemë marrë vesh bashkë. Ose do të mjaftohesh me kaq, ose duhet të ma kthesh mbrapsht fjalën që kam dhënë në emrin tënd, sepse unë nuk dua kurrsesi që arabët të dëgjojnë se unë e kam prishur fjalën që i kam dhënë dikujt!”

“Atëherë, unë po ta kthej mbrapsht fjalën që të kam dhënë për ndihmën tënde. Jam i kënaqur me mbrojtjen që më jep Allahu! Më mjafton mbrojtja e Allahut!”, – tha Ebu Bekri.

Ebu Bekri (radijallahu anhu) nuk ishte më në mbrojtjen dhe garancinë e Ibnu Dugunes. Mirëpo, një ditë, teksa po shkonte në Qabe, një prej rrugaçëve të kurejshëve e gjuajti atë me një grusht baltë. Në atë kohë, aty po kalonin edhe Uelid bin Mugireja me As bin Uailin. Ebu Bekri (radijallahu anhu) u tha:

“E shikoni ç’më bëri ai i poshtër?”, – sikur po u ankohej atyre.

“Ti ia bëre vetë të keqen vetes, me dorën tënde!” Në moment, Ebu Bekri tha me vete:

“O Zot, sa i Butë që je Ti! Sa i butë që je Ti, o Zot! Sa i butë që je

Ti, o Zot!”

Omeri (r.a.) përballet me vështirësitë

Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Kur u bë mysliman Omeri (radijallahu anhu), ai filloi të pyeste lart e poshtë:

“Kush është ai që i përhap më shumë dhe më shpejt llafet në mesin e kurejshëve?”

“Xhemil bin Ma’mer bin el-Xhumehi”, - i thanë. Babai im doli të shkonte tek ai. Nga kureshtja që kisha për të parë se çfarë do të bënte, unë iu vura nga pas. Atëherë isha i vogël dhe e kuptoja menjëherë gjithçka që shihja. Babai shkoi te Xhemili dhe i tha:

“Xhemil, e di, unë u bëra mysliman, kam pranuar fenë e Muhamedit.”

Ende pa e mbaruar mirë fjalën Omeri (radijallahu anhu), Xhemili mori rrobën që kishte hedhur supeve dhe u çua. Ne e ndoqëm nga pas. Kur mbërriti në portën e Xhamisë së Shenjtë, filloi të thërriste kurejshët me sa zë që kishte:

“O kurejshë, më dëgjoni mua me kujdes! I biri i Hatabit, Omeri, ka braktisur fenë e të parëve!”

Omeri (radijallahu anhu), që po i vinte nga pas, bërtiti:

“Gënjen! Unë jam bërë mysliman, kam besuar se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.” Një të thënë ai kështu, të gjithë sa ishin, duke dëgjuar, iu sulën ta sulmonin babanë. Omeri (radijallahu anhu) u përlesh me ata deri sa dielli u ngjit mbi kryet e kodrave, derisa Omeri (radijallahu anhu) u lodh dhe u ul të çlodhej. Kurejshët nuk u larguan. Në atë kohë Omeri po thoshte:

“Bëni si t’ju vijë nëpër mendje. Unë betohem në Allahun, se nëse ne do të ishim jo më shumë, por treqind vetë, ose ju do të na e dorëzonit vetë këtë vend, ose ne do t’jua dorëzonim atë juve!”

Ndërkohë që ata debatonin, aty u shfaq një nga pleqtë e kurejshëve, i cili kishte veshur një këmishë me motive të bukura dhe një triko të thurur Jemeni.

“Ç’është kjo potere, kështu?”, – pyeti ai.

“Omeri, ka braktisur fenë e të parëve të tij!”, – iu përgjigjën ata.

“Lëreni të qetë. Ai ka bërë një zgjedhje për veten e tij. Po ju çfarë doni të bëni kështu? Çfarë mendoni ju, se bijtë e Adijit do t’jua lënë për kollaj djalin e tyre? Lëreni të shkojë.”, – u tha ai.

Pasi dëgjuan fjalën e plakut, ata u larguan të gjithë nga kryet e Omerit. Kur babai mërgoi për në Medinë, unë i thashë atij:

“Baba! Kush ishte ai burri që e largoi turmën që po zihej me ty atë ditë që u bëre mysliman?”

“Biri im, ai njeri ishte As bin Uail es-Sehmiu.”, – m’u përgjigj babai.

Durimi që bënte Osman bin Afani (r.a.) ndaj trysnisë së ushtruar

Muhamed bin Ibrahimi përcjell: “Kur Osman bin Afani (radijallahu anhu) pranoi Islamin, xhaxhai i tij, Hakem bin Ebu’l-Asi e kapi atë dhe e lidhi fort, duke i thënë:

“Domethënë do që të braktisësh fenë e paraardhësve të tu, për të hyrë në atë fenë e re, hë? Uallahi, nuk kam për të të zgjidhur, derisa të heqësh dorë përfundimisht nga ajo fe!”

Ja se cila ishte përgjigjja që i ktheu Osmani:

“Të betohem në Allahun, se nuk kam për ta braktisur kurrë as fenë time, as Muhamedin!” Atëherë, xhaxhai e pa se sa e fortë ishte lidhja e Osmanit me fenë e re, kështu që e la të lirë të bënte çfarë të donte.

Trysnia që i ushtrohej Talha bin Ubejdullahut dhe durimi i tij

Mesud bin Hirashi ka thënë: “Në kohën e injorancës, kur po vinim vërdallë nga Safaja në Merue, pamë një grup njerëzish, të cilët kishin kapur një njeri dhe ia kishin lidhur krahët pas qafës. Nga pas u vinte një grua, e cila e fyente ashpër atë djalosh të ri, duke i numëruar sharje dhe mallkime njërën pas tjetrës.

“Ç’i kanë bërë kështu këtij djali?”, – thashë unë.

“Ai është Talha bin Ubejdullahu! Është kthyer nga feja e të parëve. Kurse ajo grua është nëna e tij, Sa’betu binti el-Hadremiu.”, – më thanë.

Përcjell Ibrahim bin Muhamed bin Talhaja: “Talha bin Ubejdullahu më pati thënë kështu: “Unë pata shkuar në panairin e Busras. Ç’të shoh, një murg, thoshte në manastirin e tij:

“Pa pyetini njëherë ata që vijnë të vizitojnë panairin, ka ndonjë që vjen nga Meka?”

Unë u hodha menjëherë dhe thashë:

“Po, jam unë!”

“A ka ardhur Ahmedi?”

“Kush është Ahmedi?”, – iu përgjigja unë.

“Ahmedi është i biri i Abdullah bin Abdulmutalibit! Ky është muaji që ai do të vijë, e ai është i fundmi i të gjithë profetëve. Nga mesi i Mekës ka për të dalë; pastaj, ai do të mërgojë drejt një toke pjellore në hurma, ku ka shumë gurë, me ujin dhe kripën të shumtë. Se mos e humbisni!”

Më prekën shumë ato fjalë që më tha ai murg. Dola nga Busra dhe kur u ktheva në Mekë, gjëja e parë që bëra ishte të pyesja:

“Ka ndodhur ndonjë gjë e re?”

“Po, ka ndodhur. Besniku, djali i Abdullahut, pretendon se është profet i Allahut. Madje këtë e beson edhe Ebu Bekri.” Unë dola të shkoja tek Ebu Bekri dhe e pyeta:

“E vërtetë është që ti po e ndjek këtë njeri?”

“Po! Shko dhe ti tek ai dhe shpalli besimin, sepse ai nuk po na fton veçse tek ajo që është më e drejta e më e vërteta.”

Kur Talha bin Ubejdullahu i tregoi Ebu Bekrit të nderuar për ato ç’i pati thënë ai murg në Busra, ata shkuan bashkë te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Talhaja pranoi Islamin duke u bërë mysliman, pastaj, kur i tregoi të Dërguarit të Allahut për ato fjalë që i kishte thënë ai murg në panair, Profeti ynë u kënaq jashtëzakonisht shumë.

Kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) dhe Talhaja u bënë myslimanë, ata i kapi një njeri i quajtur Neufel bin Huvejlid, të cilin e thërrisnin ndryshe “luani i kurejshëve” dhe për të cilin i Dërguari i Allahut lutej kështu:

“O Zot! Na ruaj ne nga e keqja e Ibnu’l-Adeuijes!”, - i cili i lidhi ata me litar. As bijtë e Tejmit nuk e penguan. Andaj edhe Ebu Bekrit dhe Talhasë iu vu pseudonimi i përbashkët, “El-Karinejn”, që do të thotë “të ngjiturit me njëri-tjetrin.”

Zubejr bin Auami përballet me gjithfarë vështirësish

Ebu’l-Esuedi transmeton: “Zubejr bin Auami ishte vetëm tetë vjeç kur u bë mysliman, ndërsa kur mbushi tetëmbëdhjetë, atij iu desh të mërgonte. Xhaxhai e pati mbështjellë Zubejrin me një qilim kashte dhe e mbante ndanë zjarrit, që ai të mohonte Islamin dhe të kthehej sërish në fenë e të parëve të tij. Ndërsa Zubejri vazhdimisht i përgjigjej: - “Kurrë, nuk kam për ta mohuar kurrë!”

Hafs bin Halidi na përcjell: “Një burrë i moshuar, që erdhi te ne nga Musulli, më pati thënë: Me Zubejr bin Auamin jemi bërë shok gjatë një rrugëtimi që kemi bërë bashkë. Ai kishte nevojë të lahej, pasi qe bërë xhunub në një vend të thatë e pa asnjë këmbë njeriu afër. Më tha mua:

“Qëndro para meje, mbulomë, që të mos dukem.” Unë e mbulova sa u la e u pastrua. Në një çast bishti i syrit pa nga trupi i tij; nuk kishte asnjë pjesë të trupit që të mos kishte shenja të të çarave me shpatë. “Uallahi, kaq shumë plagë shpate nuk kam parë ndonjëherë!”, – i thashë.

“I pe?”, – më pyeti ai.

“Po, t’i pashë!”, – iu përgjigja unë.

“Të betohem në Allahun e Madhërishëm se të gjitha ato plagë i kam marrë duke luftuar për Allahun, krah për krah me Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)!”

Ndërsa, në një tjetër transmetim është treguar: “Ata që e kishin parë Zubejrin tregonin të gjithë. Në kraharor kishte thuajse pjesë të çara thellë nga shpatat, heshtat dhe shigjetat, të cilat qëndronin të dukshme, si të ishin zgavra sysh.”

Si e duronte trysninë e madhe që i ushtrohej Bilali (r.a.), myezini i Profetit tonë

Ibni Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë: “Shtatë të parët që deklaruan

se ishin bërë myslimanë kanë qenë: Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Ebu Bekri, Amari, nëna e Amarit, Sumejeja, Suhejb Rumiu, Bilal Habeshiu dhe Mikdadi (radijallahu anhum).”

Duke qenë se të Dërguarin e Allahut e mbronte xhaxhai i tij, Ebu Talibi, ndërsa Ebu Bekrin e mbështeste fisi i tij, idhujtarët nuk u afroheshin dot atyre më shumë se sa dy e nga dy. Ndërsa, myslimanët e tjerë, ata i kapnin, u vishnin parzmore të hekurta dhe i linin ashtu, në nxehtësinë përvëluese të diellit të Mekës. Përveç Bilalit, të gjithë të tjerët patën bërë ashtu siç i patën kërkuar kurejshët. Vetëm Bilali e kishte vënë përfund egon e tij në rrugën e Allahut. Kurse fisi i tij, ngaqë nuk e vlerësonte edhe aq, e patën kapur dhe ia patën lënë fëmijëve në duar që të luanin me të si të donin. Ndërkohë që fëmijët e sorollatnin nga njëri sokak i Mekës në tjetrin, Bilali nuk thoshte asgjë tjetër, pos fjalëve: - “Ehad, Ehad, domethënë, Allahu është Një, i Vetëm! Allahu është Një, i Vetëm!”

Megjithatë, në librin e Ebu Nuajmit do të gjejmë edhe disa të dhëna të tjera, të cilat po i paraqesim këtu: “Idhujtarët, Bilalit i kishin lidhur një litar pas qafe dhe e sillnin vërdallë ndërmjet dy maleve të Mekës.”

Sipas transmetimit që i bën Urue bin Zubejri kësaj ndodhie, Bilali ishte skllavi i një gruaje nga fisi i bijve të Xhumahut. Ata e shtrinin Bilalin mbi rërën e nxehtë të drekës dhe e torturonin me çdo mënyrë, vetëm që ai t’i bënte shokë Allahut në krijimin dhe drejtimin e gjithësisë. Megjithatë, pavarësisht gjithë përpjekjeve të tyre, ai vazhdonte të thoshte: “Ehad! Ehad!” Ndërkohë që ai ishte në këtë gjendje, aty erdhi edhe Uaraka bin Neufeli, i cili i tha:

“Ehad! Ehad! Thuaj o Bilal!”, dhe shtoi:

“Po e vratë këtë njeri, ta dini se varrin e tij do t’jua bëj përmendore!”

Hisham bin Urueja na ka thënë se babai i tij ka transmetuar se: “Uaraka bin Neufeli vinte vazhdimisht te Bilali, i cili thoshte “Ehad! Ehad!”, teksa e torturonin, dhe i tha atij: - “O Bilal, Ehad! Allahu është Një, i Vetëm!” Pastaj Uarakaja shkoi te Umejete bin Halefi që ishte duke e torturuar dhe i tha:

“Të betohem në Allahun, se po e vratë këtë njeri, varrin e tij do ta kthej në vend vizitash për njerëzit!”

Ndërsa një ditë tjetër, kur idhujtarët ishin duke torturuar Bilalin, pranë tyre erdhi Ebu Bekri, i cili i foli Umejes:

“Nuk ke frikë nga Allahu, që sillesh kështu me atë të ngratë? Edhe për sa kohë do të vazhdoni ta torturoni?”

“Po hajde shpëtoje ti, meqë ti ia more mendtë e kokës dhe e nxore nga rruga e drejtë!”

“Unë kam një skllav me ngjyrë, që është më i bëshëm dhe më i fuqishëm se ai. Veç kësaj, i përket edhe fesë sate. Hajde ta ndërrojmë me Bilalin, si thua?”

“Në rregull, e pranoj.”, – i tha Umejeja.

Ebu Bekri i dha atij skllavin e vet dhe me të marrë Bilalin, e shpalli atë të lirë nga ai çast e tutje. Numri i skllevërve që Ebu Bekri pati liruar ende pa mërguar për në Medinë, bashkë me Bilalin, arriti shtatë.”

Ibni Is’haku përcjell: “Kur filloi vapa e padurueshme e drekës Umejeja e nxori Bilalin në shkretëtirë, e shtriu me shpinë mbi rërë dhe i vendosi një gur të madh mbi gjoks dhe i tha: - “Ose do të vuash kështu, derisa të të dalë shpirti, ose do të mohosh Muhamedin dhe do të adhurosh Latin dhe Uzza-n.” Edhe pse përballë një torture të tillë, Bilali thoshte: - “Ehad! Ehad!..” Nuk hiqte dorë.

Amar bin Jasirit i kujtoheshin mjaft mirë vuajtjet që kishin hequr Bilali me shokët e tij, se si e pati liruar Ebu Bekri Bilalin dhe e përmendte atë vazhdimisht në vargje:

“Zoti Bilalin dhe shokun e tij Atikun (Ebu Bekrin) i shpërbleftë me të mira! Mallkimin më të rëndë u dhëntë Fakih bin Mugires dhe Ebu Xhehlit. Një natë ata menduan t’i bënin diçka shumë të keqe Bilalit. T’i bënin diçka që nuk do t’i shkonte në mendje as më të ligut ndër njerëz. I vetmi faj që kish Bilali ish se besonte se Allahu ish Zoti i vetëm i mbarë njerëzimit dhe thoshte, “Zoti im është Allahu!” – “Të më vrasin po të duan; nga frika e vdekjes Mëshirëplotit shok s’i bëj!” - Ja se si lutej Bilali: “Shpëtomë mua, o Zoti i Ibrahimit, Junusit, Musait dhe Isait! Mos më privo nga mirësia dhe drejtësia, mos më lër në dorë të ndërgjegjes së dinastisë së të zullumqarëve, që nuk dinë veçse të marrin kënaqësi prej padrejtësisë.”

Përballja me shumë vështirësi e Amarit (r.a.) dhe familjes së tij

Xhabiri (radijallahu anhu) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po kalonte pranë vendit ku kurejshët po torturonin Amarin dhe familjen e tij, kur i pa se ç’vuajtje po hiqnin, Ai u tha atyre:

“Sihariqe për ju, o familja e Jasirit! Nuk ka dyshim, vendi i premtuar për ju është parajsa!”

Osmani (radijallahu anhu) ka thënë: “Një ditë po ecnim bashkë me Profetin tonë në Bat’ha. Kur, ç’të shohim, Amarin, babanë dhe nënën e tij po i torturonin nën nxehtësinë përvëluese të diellit, që të ktheheshin prapë nga Islami. Babai i Amarit i tha atij ankueshëm:

“O Resulullah, edhe për sa kohë do të vazhdojnë këto tortura?”

“Bëni durim, o familja e Jasirit! Bëni durim.”, – tha i Dërguari i Allahut, duke u lutur:

“O Allah! Fale familjen e Jasirit! Shpresoj që t’i kesh falur edhe me kaq sa kanë vuajtur deri tani.”

Sipas një historie të përcjellë nga Muxhahidi, nëna e Amarit ka qenë dëshmorja e parë e Islamit. Ebu Xhehli e pati vrarë atë duke i ngulur një heshtë në trup.”

Si e torturonin Amarin (r.a.), që ai të kthehej sërish në mohim.

Ebu Ubejde bin Muhamed bin Amari transmeton: “Idhujtarët e kapën Amarin. Nuk do ta lëshonin, derisa ai të shante të Dërguarin e Allahut dhe të përmendte me përgëzim zotat e tyre. Kur Amari shkoi te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Profeti i profetëve i thoshte atij:

“Çfarë ke lënë pas?”

“Shumë të këqija, o Resulullah! Nuk më lanë të lirë pa të sharë ty, e pa përmendur me lëvdata zotat e tyre!”, – iu përgjigj Amari.

“Po në zemër si e ndjeve?”, – vazhdoi ta pyesë i Dërguari ynë Fisnik.

“Në zemër ndiej një besim të plotë dhe ndiej një qetësi shpirtërore që vështirë të ta shpjegoj dot!”

“Nëse e bëjnë prapë diçka të tillë, atëherë vepro po njëlloj!”, – i tha atëherë Profeti ynë.”

Muhamedi tregon: “Një ditë Profeti ynë u takua me Amarin dhe e gjeti atë duke qarë. I Dërguari i Allahut filloi t’i fshinte lotët Amarit, duke i thënë:

“Mohuesit të zhytën në ujë, për të të mbytur, e ti u the kështu e ashtu. Po të bënë prapë të njëjtën gjë, ti përgjigju po njësoj!”

Sipas asaj që na e transmeton Amr bin Mejmuni, idhujtarët e patën vendosur Amar bin Jasirin në zjarr dhe donin ta digjnin. Profeti ynë i nderuar pati shkuar tek Amari, i pati përkëdhelur pak flokët dhe pati thënë:

“O zjarr! Bëhu i freskët dhe i paqtë edhe për Amarin, ashtu siç u bëre më parë edhe për Ibrahimin! Ty do të të vrasë një popull që e ka braktisur rrugën e drejtë.”

Durimi i Habab bin Eretit karshi torturave pa fund

Ebu Lejla el-Kindiu tregon: Habab bin Ereti (radijallahu anhu) pati ardhur tek Omeri (radijallahu anhu).

“Afrohu! Në këtë kuvend, përveç Amar bin Jasirit, nuk ka njeri që ta meritojë më shumë të qenët këtu!”, – i tha Omeri (radijallahu anhu).

Amari e hapi shpinën dhe u tregoi atyre gjurmët e plagëve që i kishin ngelur në trup nga torturat e idhujtarëve.”

Hababi (radijallahu anhu) tregon: “Unë isha hekurpunues. As bin Uaili më kishte ca të holla borxh. Shkova që t’ia kërkoja dhe ai m’u përgjigj duke më thënë:

“Jo! Uallahi, po nuk e mohove profetësinë e Muhamedit, ato para nuk kam për të t’i kthyer!”

“Sikur ti të vdesësh, të ringjallesh prapë, unë nuk do ta mohoj kurrë Muhamedin!”, – i thashë unë.

Dhe ai, sikur të donte të tallej me mua më tha:

“Në rregull, kur të ringjallem pas vdekjes, eja tek unë, sepse atje do të jem edhe i pasur, do të kem edhe fëmijë! Atëherë do të ta paguaj borxhin!” Fill pas kësaj, Allahu i Madhërishëm zbriti këto ajete kur’anore:

“A mos ndoshta ai di të padukshmen, apo ka marrë ndonjë premtim nga i Gjithëmëshirshmi? Kurrsesi! Ne do ta shënojmë në libër gjithçka që ai flet dhe do t’ia zgjasim vuajtjen. E gjithë pasuria dhe fëmijët që ai flet, do të na mbetet ne gjithçka, e ai do të vijë te ne i vetëm.” (Merjem, 19/78-80)

Habab bin Ereti (radijallahu anhu), gjithashtu, tregon se: “Një ditë kur idhujtarët po na torturonin mjaft rëndë, unë shkova te Profeti ynë. Trikon që kishte e kishte bërë jastëk dhe ishte shtrirë nën hijen e Qabes. Unë i fola:

“Pse nuk i lutesh Allahut për ne?” U ngrit dhe qëndroi ulur. Fytyra i kishte marrë një ngjyrë të kuqe. Më tha kështu:

“Në mesin e popujve që erdhën përpara jush kishte njerëz të atillë, që ua hiqnin mishin nga eshtrat me krehra hekuri, ose që ua çanin deri edhe damarët, po prapë, asnjë torturë nuk i bënte të ktheheshin nga feja e tyre! Nuk ka dyshim, Allahu do ta përmbushë këtë mision. Do të vijë një kohë, që një kalorës nuk do të ketë frikë nga askush përveç Allahut, dhe ai do të mund të udhëtojë i qetë nga

San’aja në Hadrameut. Vetëm se ju po nxitoheni pak!”

Ebu Dherr el-Gifari u bën ballë sa e sa vuajtjeve e torturave Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Ebu Dherri, kur dëgjoi se ishte shfaqur i Dërguari i Allahut, i tha të vëllait: “Hipi asaj kafshe dhe shko në Mekë të takosh atë njeri që pretendon se është profet dhe se fjalët i vijnë nga qiejt. Na mblidh të dhëna, dëgjoja fjalët që thotë e bisedat që bën dhe kthehu shpejt tek unë!”

Vëllai i Ebu Dherrit (radijallahu anhu) shkoi në Mekë. Shkoi pranë Profetit tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i dëgjoi ato që thoshte ai, pastaj u kthye sërish pranë Ebu Dherrit (radijallahu anhu), të cilit i foli: “E pashë me sytë e mi, që ai ishte një njeri shumë i sjellshëm e i edukuar, dhe thoshte ca fjalë që nuk i ngjanin asnjë poezie që kam dëgjuar deri më tani.” Atëherë, Ebu Dherri, që ia dëgjoi këto fjalë i tha të vëllait: “Nuk më ke prurë ato lajme që unë prisja, e që do të ma qetësonin e kënaqnin zemrën e shpirtin!”, – kështu që mori ca ushqim për rrugë, një enë të vogël të vjetër me ujë dhe u nis për rrugë.

Kur mbërriti në Mekë, fillimisht shkoi në Xhaminë e Shenjtë. Zuri të kërkonte të Dërguarin e Allahut, të cilin nuk se e njihte si fytyrë. Por as të tjerët nuk donte që t’i pyeste. Kur ra nata, atij i erdhi gjumë, ndaj u shtri që ta kalonte natën aty, në Xhaminë e Shenjtë. Aliu (radijallahu anhu) e pa dhe e kuptoi se njeriu që po flinte aty atë natë ishte një i huaj. Shkoi ta ftonte në shtëpinë e vet, ftesë të cilën Ebu Dherri ia pranoi, kështu që e ndoqi nga pas Aliun (radijallahu anhu) e hynë në shtëpinë e tij. Që të dy, derisa agoi, nuk i bënë asnjë pyetje njëri-tjetrit, madje zëre se nuk folën asnjë fjalë. Ditën tjetër, Ebu Dherri mori torbën me ushqim që kishte me vete dhe mori rrugën për të kthyer sërish në Xhaminë e Shenjtë. Priti aty deri në mbrëmje, mirëpo prapë nuk e pa dot Profetin e profetëve. U tërhoq sërish në vendin ku kishte qëndruar shtrirë një natë më parë. Aliu (radijallahu anhu) shkoi prapë atje dhe tha me vete:

“Po ky njeri akoma nuk e ka kuptuar se ku e ka vendin?” E kështu, e mori atë në shtëpi edhe atë natë. Edhe këtë natë nuk i bënë asnjë pyetje njëri-tjetrit. Më në fund, ditën e tretë Aliu (radijallahu anhu) shkoi tek Ebu Dherri dhe teksa po e merrte për ta çuar në shtëpi, e pyeti:

“Nuk do të ma thuash se përse ke ardhur deri këtu?” Ebu Dherri iu përgjigj:

“Nëse më jep fjalën se do të më ndihmosh për atë që kam ardhur, atëherë do të ta them.” Dhe Aliu (radijallahu anhu) i dha fjalën se do ta ndihmonte, ndërsa Ebu Dherri i tregoi qëllimin për të cilin kishte ardhur.

“Kjo është e vërtetë. Ai është i Dërguari i Allahut. Me të aguar hajde me mua. Kur të shkojmë, po hasëm në ndonjë vështirësi rrugës unë do të ta bëj me shenjë, do të bëj sikur po kryej nevojat. Kur të vazhdoj unë rrugën edhe ti eja pas meje, e hyr edhe ti aty ku do të hyj edhe unë.”, – i tha Aliu (radijallahu anhu).

Ebu Dherri bëri ashtu siç i thanë, e ndoqi Aliun (radijallahu anhu) deri në fund. Kur Aliu (radijallahu anhu) shkoi tek i Dërguari i Allahut, bashkë me të hyri edhe Ebu Dherri. I dëgjoi fjalët e Resulullahut, duke u bërë sakaq mysliman. I Dërguari i Allahut e porositi atë:

“Shiko, Ebu Dherr, tani për tani këtë do ta mbash të fshehtë, nuk do t’ia tregosh askujt. Tani kthehu te njerëzit e tu dhe, kur të marrësh vesh se ne kemi filluar ta përhapim fenë haptazi, atëherë do të fillosh t’ua përhapësh atë edhe pjesëtarëve të familjes e të fisit.” Ebu Dherri iu përgjigj:

“Të betohem në Allahun e Madhërishëm se unë do ta gërthas me të madhe fjalën e dëshmisë së besimit mu përpara idhujtarëve me zë të lartë!”

Mandej doli nga i Dërguari i Allahut dhe shkoi në Qabe dhe me sa zë kishte në kokë, bërtiti:

“Esh’hedu en la ilahe il’lallah ue esh’hedu enne Muhammeden Resulullah”. Ata që gjendeshin aty u ngritën dhe e rrahën shumë keq. Erdhi Abasi menjëherë duke u bërtitur:

“Turp t’ju vijë! Si e rrihni atë njeri, a nuk e dini që është nga Gifarët, tek ata që tregtarëve u bie gjithmonë rruga nga fshati i tyre kur shkojnë për në Damask.”, - e sakaq e shpëtoi Ebu Dherrin nga duart e tyre.

Ditën tjetër, Ebu Dherri (radijallahu anhu) shkoi prapë në Xhaminë e Shenjtë dhe, në të njëjtën mënyrë e klithi prapë fjalën e dëshmisë. Idhujtarët e sulmuan prapë, duke e rrahur keqas. Ishte prapë Abasi që e shpëtoi nga duart e tyre, duke e shpëtuar nga vdekja.”

I pari që e përshëndeti Profetin tonë sipas Islamit: Ebu Dherri

Te Muslimi historia e hyrjes së Ebu Dherrit në Islam paraqitet kështu: “Vëllai im iku, shkoi në Mekë. Kur u kthye, ai më tha mua:

“Kur shkova në Mekë, u takova me një njeri. Njerëzit e quanin atë të kthyer (që ka braktisur fenë e të parëve). Ngjante shumë me ty.” Unë ashtu udhëtova për në Mekë, nga ato që dëgjova nga vëllai im. Pashë një njeri që fliste për të.

“Ku është ai që është konvertuar?”, - i pyeta. Ai burrë më bërtiti me sa zë që kishte:

“Ja ku është, ja ku është i konvertuari!”, - duke ma treguar atë me dorë. Njerëzit filluan të më gjuanin me gurë. U leva i tëri në të kuqen e gjakut, ashtu siç lyhen gurët e kurbaneve, sepse nga i gjithë trupi kishte filluar të rridhte gjak. U futa mes murit të Qabes dhe mbulesës së saj dhe ndenja aty i fshehur për plot pesëmbëdhjetë ditë. Nuk kisha asgjë as për të pirë, as për të ngrënë, përveç ujit të Zemzemit. Derisa, një ditë, pashë që në Xhaminë e Shenjtë hyri Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) me Ebu Bekrin (radijallahu anhu).

Dhe si njeriu i parë, i cili ka përshëndetur me selamin e Islamit i thashë:

“Es-selamu alejke ja Resulallah.”

“Ue alejkumus-selam ue rahmetullah.”, - iu përgjigj ai selamit tim dhe më pyeti:

“Po ti, kush je?”

“Një njeri nga fisi i bijve të Gifarit!”, - iu përgjigja unë.

“O Resulullah, më lejoni, ta pres unë sot, në shtëpinë time, këtë mysafir!”, - tha shkoku i tij, Ebu Bekri.

Ebu Bekri e çoi atë në shtëpinë e tij, e cila gjendej në zonën e poshtme të Mekës, ku më serviri një grusht rrushi të thatë.

Paskëtaj unë u ktheva te vëllai im dhe i thashë që isha bërë mysliman.

Vëllai ma priti duke më thënë:

“Atëherë, edhe unë do të hyj në fenë tënde.” Pastaj shkuam te nëna. Nëna na tha:

“Në fenë tuaj do të hyj edhe unë.” Mandej, po njësoj, shkuam edhe te njerëzit tanë, për t’i ftuar edhe ata që të pranonin Islamin e të bëheshin myslimanë. Një pjesë e tyre pranuan dhe u bënë myslimanë.”

Durimi i Osman bin Madhunit ndaj vuajtjeve dhe vështirësive

Osman bin Madhuni, i cili mund të lëvizte lirshëm, pasi ishte nën mbrojtjen dhe garancinë e Uelid bin Mugires, kur pa vuajtjet dhe vështirësitë me të cilat po përballeshin i Dërguari i Allahut dhe sahabët e tij, tha me vete: “Uallahi, më vjen shumë turp, që ndërkohë që unë lëviz fare lirshëm me garancinë e atij njeriu, shokët dhe vëllezërit e fesë sime heqin kaq shumë vuajtje dhe vështirësi!” - kështu që u nis të shkonte te Uelid bin Mugireja, të cilit i tha:

“Shiko, Ebu Abdi Shems! Unë kam ardhur të të them se nuk e dua më garancinë që më ke dhënë ti.”

“Po pse, nipi im? Mos të ka shqetësuar ndonjë nga pjesëtarët e fisit!”

“Jo, nuk e dua mbështetjen tënde. Unë dua të jem në mbrojtjen e Allahut!”

“Atëherë shko në Xhaminë e Shenjtë. Ashtu siç ta pata dhënë garancinë përpara të gjithëve, po para të gjithëve më duhet ta tërheq mbrapsht. Do të deklarosh para të gjithëve, se nuk e do më garancinë time.”

Shkuam bashkë në Xhaminë e Shenjtë. Uelidi iu drejtua të pranishmëve:

“O njerëz, Osmani nuk e do më mbrojtjen që unë i kam ofruar; do të ma kthejë mbrapsht.”

“Po, ashtu është, Uelidi ka të drejtë. Ai ka qenë gjithmonë fjalëdrejtë, e nuk mbaj mend ta ketë shkelur ndonjëherë fjalën. Vetëm se unë nuk dua të kem asnjë mbrojtje tjetër, veç asaj që më ofron Zoti im, andaj edhe dua t’ia kthej mundësinë e tij për të më mbrojtur.”, - tha Osmani.

Kur Osmani po kthehej, pa që në kuvendin e kurejshëve kishte ardhur Lebid bin Rabia, i cili po këndonte poezi për kurejshët. Shkoi edhe ai të ulej bashkë me ta. Lebidi tha:

“Më dëgjoni me kujdes! Çdo gjë tjetër, pos Allahut, është kalimtare dhe e pavlerë.” Një të dëgjuar këtë varg, Osmani i tha:

“E vërtetë!”

“Çdo e mirë, nuk ka dyshim, që një ditë do të na ikë nga duart!” - “Nuk është e vërtetë!”, - ndërhyri prapë Osmani.

“Në parajsë të mirat do të vazhdojnë, madje do të jenë të përjetshme!”

“O kurejshë! Uallahi, më përpara asnjë mysafir i juaji nuk bezdisej, që kur ka dalë ky adet i ri?”

“Ky është një nga ata të marrët që kanë braktisur fenë e të parëve, mos ia vër re!”, - iu përgjigj një prej atyre që ishin të pranishëm.

Kur Osmani i ktheu këtij burri përgjigje, sherri në mes tyre u përndez edhe më shumë. Ai njeri u ngrit dhe e goditi me grusht në sy Osmanin. Osmanit iu ënjt syri, duke u shndërruar shpejt në një ngjyrë mavi. Aty ishte i pranishëm edhe Uelid bin Mugireja, që po i shihte të gjitha çfarë po i bëheshin Osmanit.

“Uallahi, o nipi im, më kot e plagose atë sy. A nuk të pëlqente që ishe nën mbrojtjen e një njeriu të fuqishëm!”, - i tha atij Uelidi.

“Të betohem për Allahun, se edhe syri tjetër ndien nevojë të plagoset si vëllai tjetër, në rrugën e Allahut. O Ebu Abdi Shems! Unë jam nën mbrojtjen e Dikujt që është shumë herë më i fuqishëm dhe shumë herë më i pushtetshëm se ti!”, - dhe pasi tha këtë iu drejtua atij me vargjet e kësaj poezie:

“Nëse syri m’u dëmtua nga dora e dikujt që udhëzimin në rrugën e kënaqësisë së Allahut dot s’e ka gjetur, dyshimin fare s’e kam, që Allahu i Mëshirshëm mua shpërblimin një ditë do të ma japë. O njerëz, ai njeri, me të cilin Allahu mbetet i kënaqur, ai përjetësisht i lumtur ka për të qenë! Edhe pse ju mund të thoni, ‘Është kryengritës! Është budalla! Ka devijuar!’, unë prapë fesë së Muhamedit do t’i përkas. Dhe me këtë pëlqimin hyjnor unë synoj. Sado padrejtësi që neve të na bëhet, sado cakun me ne ta kaloni, feja jonë nuk mund të jetë veçse feja e së vërtetës!”

Durimi i Musab bin Umejrit karshi vështirësive

Muhamed el-Abderiu transmeton prej babait të tij: “Musab bin Umejri ishte një djalë i ri, i pashëm, të cilin e njihnin të gjithë, sepse kishte flokë shumë të bukur. Ishte një nga ata që e kishte zili dhe e tregonte me gisht e tërë Meka. Nënën e kishte shumë të pasur dhe ajo i blinte atij veshjet më të bukura e më të shtrenjta. Ndër të gjithë mekasit, Musabi lyhej me aromat më të mira, ndërsa këpucët që vishte ia porositnin nga Hadrameuti, sepse atje prodhoheshin më të mirat. Kur i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i përmendte atij këtë anë të jetës së tij, thoshte kështu: “Në Mekë nuk kam parë ndonjë njeri me flokë më të bukur, që vishte rrobat më të mira, e që i kishte gjithë të mirat si Musab bin Umejri!” Kur Musab bin Umejri dëgjoi se i Dërguari i Allahut po i ftonte njerëzit në Islam, nga shtëpia e Ibni Erkamit, shkoi menjëherë tek ai dhe i tha se donte të bëhej mysliman. E pati pranuar menjëherë, mirëpo e mbante të fshehtë, pasi e dinte se nëna dhe të afërmit e tjerë të fisit do të mërziteshin shumë dhe do të reagonin keq kur ta merrnin vesh. Edhe tek i Dërguari i Allahut fshehurazi shkonte. Një ditë atë e pati parë duke falur namaz Osman bin Talhaja dhe u pati thënë menjëherë nënës dhe të afërmve të tjerë të tij. Nëna dhe të afërmit, me të marrë vesh, e kapën dhe e izoluan. Izolimi i tij pati zgjatur deri në mërgimin e parë për në Abisini. Bashkë me myslimanët që emigruan në Abisini ishte edhe ai. Më vonë, që andej u kthye edhe ai. Kur u kthye dukej se ishte lodhur shumë dhe e pati humbur atë freskinë dhe tërheqjen e mëparshme që njerëzit e ndienin tek ai. Atëherë edhe nëna e tij hoqi dorë dhe nuk e qortoi më.”

Durimi i Abdullah bin Hudhafe es-Sehmiut ndaj torturave dhe torturat që i pati bërë atij sundimtari bizantin

Ebu Rafiu transmeton: “Omeri (radijallahu anhu) pati dërguar një ushtri kundër bizantinëve. Në ushtri bënte pjesë edhe njëri prej sahabëve të nderuar, i cili quhej Abdullah bin Hudhafe. Bizantinët e patën marrë peng dhe e patën çuar para mbretit të tyre dhe i thanë:

“Ky është nga shokët e Muhamedit!” Sundimtari zullumqar e pyeti atë:

“A do të bëheshe i krishterë, nëse unë të bëja edhe ty mbret e ortak në gjithë pasurinë time?”

“Sikur, jo vetëm në pasurinë tënde, por edhe gjithë salltanetin e mbarë arabëve t’i shtosh asaj, e të m’i japësh mua të gjitha, unë nuk do të hiqja dorë nga feja e Muhamedit qoftë edhe për një të hapur e të mbyllur të qepallave të syve!”

“Meqë nuk pranon, atëherë unë do të të vras!”, - i tha mbreti.

“Ti mund të vendosësh të bësh ç’të duash me mua!”, - iu përgjigj Abdullahu.

Mbreti dha urdhër që ta kryqëzonin Abdullahun dhe u tha shigjetarëve:

“Tani gjuajeni nga duart dhe këmbët!” Gjatë gjithë torturës ai e pyeste, nëse kishte ndërruar mendje dhe pranonte të bëhej i krishterë, apo jo, mirëpo ai nuk pranonte. Në fund u dha urdhër ushtarëve të tij dhe e zbritën nga kryqi. Kërkoi të binin një kazan të madh me ujë, të cilin e vunë të ziente nën një zjarr shumë të madh. Thirri dy myslimanë nga ata që ishin zënë robër dhe u propozoi edhe atyre që të bëheshin të krishterë. Kur nuk pranuan as ata, ai dha urdhër që t’i hidhnin në ujë të valuar. Kësaj here sundimtari dha urdhër që në kazan të hidhnin edhe Abdullah bin Hudhafetu’s-Sehmiun. Abdullahu, kur e prunë po qante. Sundimtari, duke pandehur se atë e kishte zënë frika, u urdhëroi ushtarëve:

“Ma bini pranë!” Kur ia prunë afër, mbreti i propozoi atij sërish të bëhej i krishterë. Abdullahu nuk pranoi as këtë herë.

“Atëherë pse fillove të qash?”, - e pyeti mbreti.

“I thashë vetes, edhe pak dhe do të të hedhin në këtë kazan, e pas pak do të vdesësh. Do të doja të kisha jetë sa qimet që kam në trup, e të mund t’i sakrifikoja të gjitha kështu, duke i hedhur në kazan me ujë të valuar!”, - u përgjigj Abdullahu (radijallahu anhu).

Kësaj here sundimtari e ndryshoi propozimin, duke i thënë:

“Nëse pranon të puthësh kokën time, atëherë do të lë të lirë.”

“Do të ta puth kokën vetëm nëse do t’i lësh të lirë edhe robërit e tjerë myslimanë!”

“Në rregull, e pranoj. Do t’i lë edhe ata të lirë bashkë me ty!”

Abdullahu tregonte se: “Me vete thashë: ‘Ky njeri është një nga armiqtë më të paepur të Allahut. Më mirë t’i puth kokën dhe t’i lërë të lirë të gjithë myslimanët e tjerë; asgjë nuk humb nga kaq gjë!”

Abdullahu u afrua dhe e puthi sundimtarin në kokë. Edhe ai menjëherë i dorëzoi të gjithë robërit e luftës. Abdullahu i çoi ata të gjithë në Medinë. Lajmëroi Omerin (radijallahu anhu) për të gjitha ç’kishin ndodhur. Omeri (radijallahu anhu)i tha:

“Tani të gjithë myslimanët e kanë për detyrë që të puthin kokën e Abdullah bin Hudhafes: po ia filloj unë i pari!”, - u çua dhe e puthi

Abdullahun në kokë.

3. SAHABËT I BËNIN BALLË ÇDO VËSHTIRËSIE

Said bin Xhubejri transmeton: “E pyeta Ibni Abasin (radijallahu anhu): “A i torturonin idhujtarët sahabët e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), derisa ata të hynin në gradën “ma’dhur – i justifikuar”, vetëm që ata ta pranonin së paku me gojë se kishin mohuar besimin e tyre?”

Ibni Abasi i pati dhënë këtë përgjigje:

“Po, uallahi! Kur e kapnin një mysliman, aq shumë e rrihnin atë, e linin të etur e të uritur, saqë i detyronin myslimanët që të pranonin të thoshin fjalën e mohimit, për të shpëtuar nga vuajtjet e padurueshme që u shkaktoheshin. Madje, kur qëllonte ta pyesnin ndonjërin, ‘A ka zot tjetër veç zotave të Latit dhe Uzza-s?’, ata mund të thoshin edhe ‘po’. U tregonin atyre insektet që mund të gjendeshin aty në atë kohë dhe i pyesnin: - “Kush është zoti yt, këto insekte?” Dhe ata, për të shpëtuar nga ato tortura, qoftë edhe përkohësisht, mund të thoshin

‘po’.”

Gjendja e Profetit të nderuar dhe e sahabëve të tij pas mërgimit

Ubej bin Kabi (radijallahu anhu) ka thënë: “Pasi i Dërguari i Allahut dhe sahabët e tij erdhën në Medinë, dhe ensarët morën përsipër përkujdesjen dhe mbrojtjen e tyre, atëherë të gjithë mosbesimtarët arabë mblodhën forcat kundër tyre. Për këtë arsye myslimanët i mbanin gjithmonë pranë armët e tyre, nga mëngjesi deri në darkë. Madje, kur myslimanët filluan të thoshin: “Ju po e shihni se si po jetojmë që të ngrysemi të qetë e të sigurt! Megjithatë ne nuk i trembemi dhe nuk kemi frikë prej askujt përveç Allahut!”, - për ta zbriti ajeti:

“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.” (Nur, 24/55)

Vështirësitë e Profetit të nderuar dhe sahabëve të tij në betejën e Dhatu’r-Rikasë

Ebu Musai (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Ne ishim nisur në një ekspeditë luftarake bashkë me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ishim gjashtë vetë. Me vete kishim edhe një deve, tek e cila hipnim me radhë. Nga të ecurit, këmbët na ishin bërë plagë. Mua më ishin shpuar të dyja këmbët dhe kishin filluar të më binin thonjtë. Për këtë, ne i lidhnim këmbët me copa të ndryshme, që të mos ndienim aq shumë dhimbjen e plagëve. Prandaj edhe ajo luftë mori këtë emër, Dhatu’r-Rika, që do të thotë ‘të arnuarit’.”

4. TË DURUARIT E URISË GJATË THIRRJES SË NJERËZVE PËR T’U BËRË MYSLIMANË

Si e duronte urinë Profeti ynë

Numan bin Beshiri (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Ju hani çfarë t’ju dojë goja të hani, apo jo? Ju betohem në Allahun e Madhërishëm, që unë mbaj mend edhe ditët kur i Dërguari Fisnik, Profeti ynë i dashur, nuk gjente dot as edhe një hurmë të vetme, qoftë edhe të prishur, për të hequr disi urinë.”

Ata që kanë vuajtur nga uria nuk do ta kenë të vështirë llogaridhënien

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “Kur hyra te Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Ai ishte duke falur namazin ulur.

“O Resulullah, po e fal namazin ulur, çfarë ke, je sëmurë?”, - e pyeta.

“Nga uria, o Ebu Hurejre!”, - m’u përgjigj ai.

Më pushtuan lotët. I Dërguari i Allahut më pa dhe më tha:

“Mos qaj, o Ebu Hurejre! Ata që vuajnë nga uria, duke e pritur shpërblimin vetëm se nga Allahu, nuk do ta kenë të vështirë dhënien e llogarisë në ditën e

Kiametit.”

Shpeshherë në shtëpinë e Profetit tonë nuk ndizej fare kandili dhe nuk ndizej zjarri në vatër

Urueja (radijallahu anhu) na transmeton se tezja e tij, Aishja (radijallahu anha), i ka thënë: “Uallahi, o nip; shpeshherë ne shihnim hënën e parë, hënën e dytë, domethënë shihnim tri hëna në dy muaj dhe në asnjë nga shtëpitë e bashkëshorteve të Profetit nuk ndizej fare oxhaku dhe nuk vihej asgjë për t’u gatuar.

“Po si jetonit ju ashtu, teze?”, - e pyeta unë.

Aishja (radijallahu anha) m’u përgjigj duke më thënë: “Me dy të flamosura; domethënë me ujë dhe hurma! Por i Dërguari i Allahut kishte disa fqinj ensarë. U merrte atyre borxh nga pak qumësht nga devetë e tyre dhe ata i jepnin gjithmonë të Dërguarit të Allahut. Ai na jepte edhe neve të pinim prej atij qumështi.”

Mesruku tregon: “Një ditë shkova tek Aishja (radijallahu anha). Më nxori për të ngrënë dhe më tha: “Mua, sa herë që ha derisa ngopem, më vjen për të qarë.”

“Po pse të vjen për të qarë?”, - e pyeta unë.

“Në atë çast më kujtohet menjëherë gjendja e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në çastet e fundit, para se të largohej nga kjo botë. Uallahi, Ai kurrë nuk i ka pasur dy herë rresht edhe bukën edhe mishin njëkohësisht, që të ndihej i ngopur!”, - më tha nëna jonë e nderuar.”

Po Aishja (radijallahu anha) tregon se: “Pjesëtarët e shtëpisë së Muhamedit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), nuk janë ngopur dot kurrë me bukë elbi.”

Aishja (radijallahu anha) gjithashtu thotë se: “Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), mërgoi për në atdheun e amshimit pa u ngopur barkun e tij, pasi nuk kishte ngrënë asgjë veçse dy hurma që i thoshin të zeza dhe pak ujë.”

Nëna jonë Aishja (radijallahu anha) thotë se: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka pasur herë që nuk ka ngrënë dot as bukë thatë, sa për t’u ngopur, për tri ditë me radhë. Po të donim, edhe ne mund të kishim ngrënë, por ai zgjidhte gjithmonë të tjerët para vetes dhe familjes.”

Vështirësitë ekonomike të Profetit tonë për të mbajtur familjen

Hasani (radijallahu anhu) ka thënë kështu: Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i ndihmonte vetë njerëzit, ndërsa rrobat e veta i mbante gjithmonë të arnuara, duke i arnuar sa herë që i griseshin në ndonjë vend. Derisa shkoi pranë Krijuesit Mëshirëplotë. Ai nuk ka ngrënë kurrë edhe në mëngjes edhe në darkë për tri ditë rresht. Domethënë, nëse ka ngrënë në mëngjes, nuk ka ngrënë në darkë, dhe, nëse qëllonte që të hante në darkë, nuk hante në mëngjes.”

Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk ka ngrënë kurrë në tavolinë të lartë. As nga buka e bërë me miellin e butë të grurit nuk pati ngrënë kurrë, përgjatë gjithë jetës së tij.” Ndërsa, në një transmetim tjetër shtohet edhe se: “I Dërguari i Allahut, deri kur vdiq, nuk e ka parë kurrë një dele të plotë të pjekur të shtruar në një tavolinë për të gjithë.”

Ibni Abasi (radijallahu anhu) thotë: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe pjesëtarët e familjes së tij, duke qenë se nuk kishin asgjë për të ngrënë në darkë, shumë herë kanë rënë të flenë pa vënë asgjë në gojë. Buka që hanin zakonisht ishte bukë elbi.”

Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “Një ditë, Fatimja (radijallahu anha) i dha babait të saj, Krenarisë së Gjithësisë, një copë buke elbi. I Dërguari i Allahut i tha Fatimes:

“U bënë tri ditë dhe kjo është copa e parë e bukës që babai yt po vë në gojë.”

Kurse Taberani e ka përcjellë kështu këtë hadith: “Njëherë, kur Fatimja (radijallahu anha) i pati sjellë një copë bukë elbi babait të saj, Profeti ynë e pyeti:

“Ç’është ajo?”

“Kam pjekur një bukë të rrumbullakët. Nuk u ndjeva mirë, ndaj erdha të ta sjell ty këtë copë.”, - iu përgjigj Fatimja (radijallahu anha).

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) thotë se: “Një ditë Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem hëngri një copë buke të ngrohtë, të cilën ia patën sjellë, tha: ‘Elhamdulil’lah! Ishte bërë goxha kohë që në stomakun tim nuk hynte bukë e ngrohtë!’”

Ja se çfarë thotë Sehl bin Sadi (radijallahu anhu): “Që prej asaj dite, kur iu ngarkua misioni i profetësisë, e derisa u rikthye te Zoti, i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk pa kurrë bukë të bërë me miell të pastër e pa krunde.”

“A kishte sita të imëta në kohën e Resulullahut?”, - e patën pyetur.

“I Dërguari i Allahut nuk ka parë kurrë sitë me sy, që prej ditës kur ai u dërgua si Profet i Allahut, e deri në ditën kur shpirti iu mor për t’u rikthyer tek Allahu i Madhërishëm.” Më thanë:

“Po mirë, si e hanit elbin e pasitur mirë?” Ai iu përgjigj:

“Ne e rrihnim elbin mirë e mirë, ato që shkonin dëm shkonin dëm, ndërsa pjesës tjetër i hidhnim ujë dhe e bënim brumë.”

Aishja (radijallahu anha) thoshte se: “Në sofrën e të Dërguarit Bujar nuk mbetej asnjë copë e madhe a e vogël buke prej elbi.” Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet kështu: “Asnjë sofër e të Dërguarit të Allahut nuk është ngritur, duke hequr copat e mbetura dhe thërrimet e bukës.”

Kur i Dërguari Fisnik dhe sahabët e tij lidhnin gurë pas barkut, që të mos e ndienin urinë

Ebu Talhaja (radijallahu anhu) tregon: “Ne i qamë hallin të Dërguarit të Allahut, duke i thënë se ishim shumë të uritur. Madje ngritëm edhe rrobat, për t’i treguar atij gurët që kishim lidhur pas barkut që të mos e ndienim urinë. Ai na pa, pastaj ngriti edhe ai rrobën e vet. Ç’të shihnim:

Ai nuk kishte lidhur një, por dy gurë pas barkut!”

Ibni Buxhejri (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e kishte marrë shumë uria, (nuk kishte gjetur dot asgjë për të ngrënë), pati marrë një gur dhe e kishte lidhur pas barkut dhe u kishte thënë kështu:

“Dëgjojini fjalët e mia me kujdes: Ka aq shumë njerëz nëpër botë, të cilët notojnë mbi të mira e mund të hanë e të pinë çfarë të duan; në ditën e Kiametit ata do të jenë të uritur dhe pa asnjë rrobë në trup! Më dëgjoni mirë! Shumë prej atyre që mendojnë se janë duke u bërë një të mirë vetes së tyre, në të vërtetë janë duke i bërë asaj keq. Nga ana tjetër, ka shumë njerëz që nuk u japin shumë rëndësi dëshirave dhe kërkesave të tyre vetjake, që në fakt janë duke i bërë vetes një të mirë shumë të madhe.”

Fjalët e Aishes (radijallahu anha) lidhur me të ngopurit me ushqim kanë qenë këto: “Pasi Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati mërguar drejt ahiretit, fatkeqësia e parë me të cilën do të përballet ky umet ka për të qenë fatkeqësia e të qenët të ngopur. Kur barku i myslimanëve u ngop dhe trupi i tyre zuri të dhjamoset, jeta e tyre e zemrës u dobësua, ndërsa epshi u tërbua!”

Orvatjet e Profetit të mëshirës, bashkë me të të familjes së tij, të Ebu Bekrit (r.a.) dhe Omerit (r.a.) nga uria

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: Një mesditë shumë të nxehtë, Ebu Bekri doli nga shtëpia, për të shkuar në Xhaminë e Profetit. Omeri, kur dëgjoi se kishte ardhur Ebu Bekri, e pyeti atë:

“O Ebu Bekr, çfarë kërkon jashtë në këtë orë?”

“Nuk e durova dot më urinë, dola me shpresën se mos arrij të gjej ndonjë gjë për të futur në gojë!”, - iu përgjigj Ebu Bekri (radijallahu anhu).

“Uallahi, edhe unë prandaj kam dalë, o Ebu Bekr!”, - i tha Omeri.

Ndërkohë që ata flisnin kështu me njëri-tjetrin, aty ia behu Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe u tha:

“Çfarë ju ka shtyrë të dilni jashtë në këtë orë?”

“Uallahi, na ka marrë jashtëzakonisht shumë uria!”

“Uallahi, edhe unë prandaj kam dalë, nuk kam asnjë arsye tjetër! Hajde, çohuni të ikim.”, - tha i Dërguari i Allahut. U çuan dhe shkuan te porta e shtëpisë së Ebu Ejub el-Ensarit. Ebu Ejubi ndante përditë ushqim ose qumësht mënjanë për të Dërguarin e Allahut. Duke qenë se i Dërguari i Allahut nuk kishte shkuar në kohën që shkonte si zakonisht, ai ua kishte dhënë fëmijëve, ndërsa vetë kishte shkuar të punonte bahçen e hurmave. Kur trokitën te porta, para u doli e shoqja e Ebu Ejubit, e cila u tha:

“Mirë se keni ardhur, o Profeti i Allahut dhe ju o shokët e tij!”

“Ku është Ebu Ejubi?”, - e pyeti atë i Dërguari i Allahut. Ebu Ejubi e dëgjoi ardhjen e tyre, kështu që mbërriti menjëherë nga kopshti i hurmave ku po punonte.

“Mirë se keni ardhur, o i Dashuri i Allahut dhe ju shokët e tij! Sot nuk ke ardhur si ditët e tjera, o i Dërguari i Allahut, qoftë për hair!”

“Ke të drejtë, o Ebu Ejub, - i tha Resulullahu, - ke të drejtë.”

Ebu Ejjubi shkoi menjëherë këputi një degë hurmash, në të cilën kishte hurma të thara, të njoma dhe disa që ishin ende të pabëra dhe ua solli atyre.”

“Po unë nuk të kërkova këtë, sikur të na kisha mbledhur ca hurma të thara, do të kishe bërë mirë.”, - i tha i Dërguari i Allahut.

“O i Dërguari i Allahut, po unë desha që të hanit nga të gjitha. Veç këtyre do të ther edhe një kafshë për ty.”

“Po there, mos ther nga ato që i ke me qumësht!”, - e porositi i Dërguari i Allahut.

Ebu Ejubi kapi një kec femër që ende nuk i kishte mbushur dy vjetët, ndërsa sipas një transmetimi tjetër ai thonë se ka prerë një kec mashkull njëvjeçar. Kurse gruas i tha:

“Bëj gati brumin, të na pjekësh një bukë të mirë!”

Gjysmën e kecit e zjeu, ndërsa gjysmën tjetër ua gatoi të pjekur.

Kur i tërë ai ushqim iu vu përpara të Dashurit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe shokëve të tij, i Dërguari i Allahut mori pak nga mishi i kecit, e vuri mbi një copë buke dhe i tha Ebu Ejjubit:

“Ebu Ejjub, merre këtë dhe çoja vajzës sime, Fatimes, të lutem. U bënë sa ditë që nuk ka ngrënë diçka kaq të mirë.”

Dhe ai e mori atë dhe ia çoi Fatimes. Pasi kishin ngrënë dhe e kishin ngopur barkun Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Bukë, mish, hurma të thata, hurma të njoma dhe hurma të pjekura!” Sytë i ishin mbushur me lot, kur tha:

“Ju betohem për Zotin, në ditën e Kiametit, do t’ju pyesin e do të jepni llogari për gjithë këto të mira!” Kjo fjalë u erdhi shumë e rëndë sahabëve të tij, ndaj ai u tha:

“Kur t’ju jepen kaq shumë të mira, e t’i prekni me dorë, të thoni njëherë ‘Bismil’lah’. Dhe, kur të ngopeni, thoni: “Lëvduar qoftë Allahu, që na ngopi, na fali kaq të mira, madje edhe me tepri.” Nëse e lëvdoni kështu, atëherë kjo është e mjaftueshme për ju.”

Kur i Dërguari i Allahut u ngrit në këmbë, ai i tha Ebu Ejubit:

“Nesër eja nga ne!” E kishte zakon, që atij që i bënte një të mirë Profetit tonë, ai donte medoemos që t’ia shpërblente në një mënyrë, apo në një tjetër. Ebu Ejubi nuk e dëgjoi fjalën e të Dërguarit të Allahut, ndaj Omeri (radijallahu anhu) i tha edhe njëherë:

“Resulullahu do, që nesër t’i shkosh ti për vizitë.”

Ditën tjetër, kur Ebu Ejubi shkoi tek i Dërguari i Allahut, ai i dhuroi atij një xharije - robinjë dhe i tha:

“Shiko, o Ebu Ejub, sillu mirë me të; nuk kemi parë veçse mirë prej saj për aq kohë sa ka qëndruar me ne!”

Ebu Ejubi e mori xharijen dhe e çoi në shtëpi, por me vete tha:

“Unë këshillën e të Dërguarit të Allahut më së miri mund ta plotësoj vetëm nëse i fal lirinë kësaj robinje.”, - dhe sakaq e shpalli atë menjëherë të lirë.

Profeti ynë këshillon Umu Sulejmin, që ajo të bëjë durim

Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i ka thënë kështu Umu Sulejmit:

“Bëj durim! Të betohem në Allahun e Madhërishëm, se në shtëpinë e Muhamedit ka plot një javë që nuk ka asgjë për të ngrënë. Ka tri ditë që nuk është ndezur zjarr poshtë kazanëve të gjellës! Uallahi, po t’i kërkoja Allahut të m’i kthente në flori këto malet e Mekës, ai do të ma plotësonte lutjen!”

Vuajtja e Sad bin Ebi Uekasit (r.a.) nga uria

Sad bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu) thotë se: “Ne ishim një bashkësi, që bashkë me të Dërguarin e Allahut, kishim shumë vështirësi ekonomike. As familjen nuk arrinim që ta mbanim dot. E kishim pranuar të keqen e varfërisë, sepse tashmë ishim mësuar me të. Më kujtohen mjaft mirë ato ditë aq të vështira që kemi kaluar bashkë me të Dërguarin e Allahut: Një natë, dola jashtë për të urinuar, kur se çfarë preka nga toka. E pashë se çfarë ishte; ishte një copë lëkure deveje e tharë dhe e përzhitur! E mora dhe e lava mirë e mirë. E mbajta për njëfarë kohe në zjarr dhe e vura në mes dy gurësh. Vura në gojë një copë nga ajo lëkurë dhe u përpoqa ta shtyja me ujë. Pata shtyrë plot tri ditë të tëra me atë copë lëkure.”

Tregon Sad bin Ebi Uekasi: “Në rrugën e Allahut, arabi i parë që ka gjuajtur me shigjetë kam qenë unë. Bashkë me Profetin e profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) patëm dalë për të zhvilluar një ekspeditë ushtarake. Nuk kishim asgjë të hanim me vete, përveç ca frutave dhe gjetheve të bimës së hulbas (sanëza). Andaj edhe nevojat natyrore i kryenim njëlloj si gjedhët.”

Mikdad bin Esuedi (r.a.) dhe dy shokët e tij mbeten të uritur

Mikdad bin Esuedi tregon: Aq shumë na kishte marrë uria njëherë, sa që na dukej sikur nga çasti në çast do t’i humbnim, si shikimin, edhe dëgjimin, andaj, bashkë me dy shokë, u nisëm për te sahabët e të Dërguarit të Allahut. Mirëpo askush nuk na priti si mysafirë. Më në fund, Profeti i profetëve na çoi ne në vendin ku qëndronte edhe vetë. Në atë kohë, Familja e Bekuar kishin gjithsej vetëm tri dhi, të cilat i mbanin për qumësht. I Dërguari Fisnik na e ndau ne qumështin e mjelë prej tyre dhe ne i ndanim edhe atij pjesën e vet, që ta pinte kur të kthehej pranë nesh. Kur vinte na përshëndeste me një zë aq të ulët, sa që ata që ishin zgjuar mund ta dëgjonin, kurse ata që flinin nuk do të zgjoheshin nga ai zë. Një ditë shejtani më tha:

“Çfarë do të ndodhë po pive pak më shumë! Profeti mund të shkojë tek Ensarët dhe ata mund ta gostitin me gjëra nga më të mirat.” Kjo vesvese ma ngacmoi për një kohë bajagi të gjatë mendjen. Nuk durova dot dhe e piva. Mirëpo, kur e piva atë qumësht, atëherë filloi të më ngacmojë njëfarë ndjenje pendese:

“Çfarë bëre? Tani do të vijë Muhamedi dhe kur të mos e gjejë qumështin do të të mallkojë, kështu që hajde të shpëtosh tani nga e keqja!” Dy shokët e mi kishin pirë qumështin dhe i kishte zënë gjumi. Kurse mua nuk më zinte që nuk më zinte gjumi. Sipër kisha hedhur një mbulesë që e pata marrë me vete, që kur mbuloja kokën më dilnin këmbët, ndërsa kur mbuloja këmbët, më zbulohej koka. Në atë moment erdhi i Dërguari i Allahut si gjithmonë dhe fali namaz për një kohë të gjatë. Pastaj nisi të kërkonte qumështin. Nuk e gjeti dhe kur nuk e gjeti, ngriti duart. Unë me vete mendova:

“Tani do jetë duke më mallkuar, nuk e kam të gjatë, sepse do të më ndëshkojë Allahu.” I Dërguari i Allahut u lut:

“Zoti im! Ngope atë që më ngop mua dhe jepi të pijë kujtdo që më jep mua për të pirë.” Një t’i dëgjuar ato fjalë, e hodha tutje mbulojën time dhe siç e mora thikën time me gojë të gjerë shkova sa hap e mbyll sytë në kasollen e dhive. Doja të therja atë që ishte më e majmura. Por ç’të shihja, gjinjtë e dhive ishin plot me qumësht. Mora enën që përdorte familja e Profetit tonë për të mjelë ato dhi dhe nisa t’i milja. Qumështi u mbulua me shkumë. E mora atë qumësht dhe ia çova ta pinte i Dërguari i Allahut. Piu sa piu dhe më dha edhe mua të pija. Piva edhe unë. Më vonë kam qeshur aq shumë me këtë ndodhi, sa që e kam të vështirë t’jua përshkruaj! Ai më tha mua:

“O Mikdad, bëj kujdes me pjesët e trupit, se të janë zbuluar!” Unë përpiqesha t’i shpjegoja çfarë më kishte ndodhur. I Dërguari Fisnik ma priti me fjalët:

“Kjo është mëshira e Allahut. Sikur t’i kishe zgjuar edhe shokët dhe të kishin pirë edhe ata pjesën e tyre nga ai qumësht!”

“Unë të betohem në Allahun që të ka dërguar ty me fenë e vërtetë, se tani që ti pive dhe prej asaj që mbeti prej teje piva edhe unë, nuk mërzitem fare që i harrova shokët!”

Nga uria, Ebu Hurejreja lidh gur pas barkut

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “Uallahi, nga uria shtrihesha përmbys përdhe dhe lidhja një gur pas barkut. Një ditë, shkova dhe u ula në një vend ku kalonin të gjithë. Aty kaloi edhe Ebu Bekri (radijallahu anhu). Me shpresën se do të më merrte me vete dhe do të më priste në shtëpinë e tij, e pyeta për një ajet; po nuk më mori me vete. Pastaj kaloi Omeri (radijallahu anhu). Edhe atij i bëra një pyetje për një ajet nga libri i Allahut, por me të njëjtin qëllim. As ai nuk më ftoi në shtëpinë e tij. Kur, sakaq aty kaloi edhe i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai më kuptoi nga çehrja se çfarë bluaja përbrenda, ndaj më tha:

“Ebu Hurejre!”

“Urdhëro, o Resulullah!”, - iu përgjigja unë.

“Eja me mua, ikim!”

Kur mbërritëm në shtëpinë e tij, i kërkova leje për të hyrë brenda; më lejoi. Gjeta një gotë me qumësht.

“Po ky qumësht nga doli?”, - pyeti i Dërguari i Allahut.

“E pruri filani si dhuratë.”, - i thanë.

“O Eba Hirr!”, - më foli ai mua.

“Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!”

“Shko thirr edhe popullin e Suffes të vijnë këtu.”

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) thotë se:

“Sahabët e Suffes ishin mysafirët e tij. Nuk kishin as fëmijë, as pasuri. Sa herë që Profetit tonë i vinte ndonjë gjë dhuratë, Profeti ynë e ndante mënjanë një pjesë për veten, ndërsa gjithë pjesën tjetër ua dërgonte atyre. Edhe kur vinte ndonjë sadaka, ai ua dërgonte të gjithën sahabëve të Sufes, duke mos prekur vetë asfare me dorë. U mërzita shumë që Resulullahu më dërgoi të thërrisja edhe ata. Pata shpresuar se mos atë qumësht ma jepte ta pija unë dhe do të mund ta kaloja i qetë pjesën e mbetur të ditës dhe natën që kishim përpara. Me vete thashë:

“Unë lajmës jam, kur të vijë i tërë xhemati, për mua nuk do të mbetet fare qumësht. Megjithatë më duhet të bëj ashtu siç më thotë i Dërguari i Allahut, t’i bindem deri më një Allahut dhe të Dërguarit të Tij!” Kështu që shkova te sahabët e Sufes dhe i ftova në emër të të Dërguarit të Allahut. Ata erdhën me mua dhe kur mbërritëm, kërkuan leje për të hyrë brenda; iu dha leje dhe ata hynë e u ulën në vendet e tyre. Pastaj, i Dërguari i Allahut më tha mua:

“O Eba Hirr, merre atë gotë me qumësht dhe jepua atyre!” Dhe unë e mora gotën dhe fillova t’ua çoja të gjithëve një e nga një. Ai që i jepja gotën në dorë, pinte, pastaj ma kthente sërish mua. Në këtë mënyrë unë u dhashë të gjithë mysafirëve një e nga një. Në fund, gotën ia çova të Dërguarit të Allahut. E mori në dorë, brenda saj kishte mbetur shumë pak qumësht. Ngriti kokën, pa nga mua dhe më buzëqeshi, duke më thënë:

“O Eba Hirr!”

“Më thuaj, o i Dërguar i Allahut!”, - iu përgjigja unë.

“Mbetëm vetëm ne të dy, unë edhe ti.”, - më tha ai.

“Ashtu është, o Resulullah!”

“Mirë, ulu të pish edhe ti.”, - më tha i Dërguari i Allahut. U ula dhe piva. Pastaj më tha:

“Vazhdo, pi akoma!” Vazhdimisht më thoshte ‘pi akoma’ dhe unë pija sa herë që ai më thoshte të pija. Në fund, i thashë:

“Në rregull, mjafton, të betohem në Allahun që të ka dërguar ty me fenë e vërtetë se u ngopa mirë!” Kësisoj, ai më tha që t’ia jepja atij gotën. Ia dhashë gotën dhe pjesën e mbetur të qumështit e piu ai të gjithën.

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “Kisha plot tri ditë që nuk kisha vënë asgjë në gojë. Teksa po shkoja në Sufe, herë pas here më merreshin këmbët nga uria dhe rrëzohesha, por pastaj ngrihesha dhe vazhdoja të ecja. Edhe fëmijët patën filluar të thoshin ‘Ebu Hurejreja qenka çmendur!’ Kurse unë u përgjigjesha:

“Të çmendur jeni vetë.” Më në fund mbërrita në Sufe. Pashë se Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte sjellë dy enë plot me ushqim, të cilat ia kishte dhuruar dikush dhe po ushqente mysafirët, të cilët po hanin. Zgjata pakëz qafën, që të më dallonte i Dërguari i Allahut, me shpresën që mbase më ftonte edhe mua. Kur u çua xhemati, në enë nuk kishte asgjë vetëm çfarë kishte mbetur nëpër anë nga ushqimi. I Dërguari i Allahut u ngrit dhe i mblodhi. Të gjitha bashkë bënin a s’bënin një kafshatë të vetme. E mori të gjithën me gishtat e tij dhe më foli mua:

“Hajde, haje këtë duke thënë ‘Bismil’lah”! Betohem në Allahun e

Madhërishëm se nga ajo kafshatë e vetme unë hëngra aq sa u ngopa.”

Ibni Sirini tregon se: “Një ditë ishim tek Ebu Hurejreja (radijallahu anhu). Kishte veshur një rrobë të kuqe, e cila ishte qepur nga dy copa të ndryshme nga njëra-tjetra. Me njërën prej tyre ai fshiu hundën dhe tha:

“Shiko, shiko Ebu Hurejreja! Po i fshin hundët me copë! Uallahi mua më kujtohet shumë mirë, që ka pasur raste që mua më binte të fikët dhe rrëzohesha me fytyrë përtokë mes minberit të Profetit tonë dhe dhomës së Aishes (radijallahu anhu) dhe vetëm kur kalonte ndonjë njeri dhe më shkelte sipër, në qafë, e mendonte mos isha shumë i sëmurë. Por shkaku i të fikëtit e vilanisë nuk ishte asgjë tjetër, po uria e tejskajshme.”

Ka edhe një hollësi tjetër, e cila e shpjegon dhe e ilustron mjaft mirë gjendjen e Ebu Hurejres: “Uallahi më kujtohet njëherë: shkoja në shtëpinë e djalit të Affanit dhe vajzës së Gazuanit, për të punuar si hyzmeqar në këmbim që ata të më jepnin ushqim sa të ngopesha dhe ndonjë palë çorape. Kur kishin për të shkuar gjëkundi, u mbaja kafshët në lëvizje, ndërsa kur ishin në shtëpi i ndihmoja me punët që kishin për të bërë në shtëpi. Një ditë, e bija e Gazuanit më tha:

“Do ta çosh devenë zbathur deri te ujët, ndërsa kur të kthehesh do t’i hipësh devesë pa e ulur atë askund! Më vonë, Allahu e pa të udhës që unë të martohesha me këtë grua. Tani jam unë ai që i them asaj:

“Do ta çosh devenë tek ujët dhe kur të kthehesh t’i hipësh pa e rrëzuar devenë asgjëkund.”

Vuajtja e urisë nga Esmaja (r.a.), e bija e Ebu Bekrit (r.a.)

Esmaja (radijallahu anha) na tregon: “Një ditë, unë isha bashkë me Profetin tonë të nderuar në tokat e Beni Nadrit, të cilat ai i pati ndarë mes Ebu Selemes dhe Zubejrit. Zubejri kishte dalë me të Dërguarin e Allahut. Aty kishim edhe një fqinj hebre. Kishte therur një dele dhe po e piqte. Më kishte ardhur aroma e mishit dhe më kishte shkuar mendja keq për mish. Në atë kohë isha shtatzënë me Hatixhen. Nuk durova dot dhe duke menduar se do të më japë nëse i kërkoj, shkova tek ai hebre që ai të më ndihmonte me pak zjarr. Në fakt nuk kisha nevojë për zjarr. Kur ndjeva erën e mishit, edhe dëshira m’u ndez akoma edhe më shumë. Zjarrin që mora bëra sikur m’u fik. Shkova të kërkoja prapë zjarr. Pastaj kërkova edhe njëherë tjetër, kjo ishte hera e tretë. Mandej u ula dhe fillova të qaja, por edhe i lutesha Allahut. Në atë kohë kishte ardhur edhe i shoqi i asaj gruaje hebreje. Ai e kishte pyetur të shoqen:

“Erdhi njeri gjatë kohës që nuk isha unë?”

“Erdhi një grua arabe, më kërkoi zjarr.”, - i ishte përgjigjur e shoqja.

“Po nuk i çove edhe asaj gruaje nga ky mish, unë nuk kam për të vënë në gojë asnjë kafshatë prej tij.”, - i qe përgjigjur i shoqi.

Paskëtaj, ata patën mbushur një lugë të madhe me mish dhe ma

prunë mua. Aq shumë u kënaqa, saqë asgjë në këtë botë nuk do të më kishte kënaqur më shumë sesa ato copa mishi.

5. KUR SAHABËT PËRBALLESHIN ME URINË

Uria dhe i ftohti në betejën e Hendekut

Një ditë, Ebu Xhihadit, njërit prej sahabëve të Profetit Famëlartë, i afrohet pranë i biri dhe i thotë:

“Babai im i dashur, ju e keni parë të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe shumë herë keni pasur edhe mundësi që të bisedoni me të. Për Zotin, sikur unë ta kisha parë atë, qoftë edhe njëherë të vetme, ç’nuk do të kisha bërë!” I ati e dëgjoi dhe i tha:

“Biri im, frikësoju ndëshkimit të Allahut dhe fol drejtë! Të betohem për Allahun, se më kujtohet shumë mirë njëherë: Ishte ajo natë e asaj dite kur u zhvillua lufta e Hendekut. Ishim të gjithë pranë të Dërguarit të Allahut. Ai na pati thënë:

“Kush shkon deri në afërsi të armikut dhe merr informacione e na i sjell, në ditën e Kiametit, Zoti do ta marrë atë dhe ta sjellë menjëherë si komshi timin në Xhenetin e amshuar!” Kur asnjëri prej atyre që ishin të pranishëm nuk u ngrit dot, nga uria dhe të ftohtit, i Dërguari i Allahut e përsëriti tri herë premtimin e tij dhe, në fund, tha:

“Shko ti, o Ebu Hudhejfe.”

Ibni Mesudi (radijallahu anhu) na tregon: Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i pa njëherë mirë fytyrat e të gjithë të pranishmëve, në të cilat lexohej uria që kishin ata sahabë të tij dhe u tha:

“Po ju jap një sihariq! Shumë shpejt secilit prej jush do t’u shtrohen enë plot shkëlqim, me dollma e me mish.” Sahabët, të habitur, thanë:

“O i Dërguari i Allahut, ‘domethënë, kur të vijë ajo ditë, ne do të jemi shumë më mirë se sa sot’.” I Dërguari i Allahut:

“Përkundrazi! Kjo gjendje e juaja sot është më e mbarë për ju, se sa gjendja në të cilën do të jeni në atë ditë!”

Muhamed bin Sirini ka thënë: “Kishte kohë të atilla, që ndonjë nga sahabët e Krenarisë së Gjithësisë, kalonin tri ditë njëra pas tjetrës, e ai nuk arrinte të gjente dot asgjë për të ngrënë, aq sa gjente ndonjë lëkurë kafshe dhe e skuqte dhe me të hiqte urinë. Po të mos e kishte as këtë, atëherë merrte ndonjë gur dhe e lidhte fort pas barkut, për të mos e ndierë urinë.”

Ndonjëherë, duke falur namazin, sahabët rrëzoheshin përtokë nga uria

Fudale bin Ubejdi (radijallahu anhu) ka thënë: “Kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u falte sahabëve të tij namazin, sahabët e Sufes, nga uria e tejskajshme, nuk kishin fuqi as sa për të qëndruar në këmbë dhe mund të qëllonte që të kishte syresh edhe që rrëzoheshin përdhe me fytyrë. Ata që nuk kuptonin asgjë nga gjërat që shihnin. Gojëlëshuarit, thoshin: “Këta më duket se janë çmendur.” Kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mbaronte së faluri namazin, gjëja e parë që bënte ishte të kthehej nga ata dhe t’u thoshte:

“Sikur të ishit në dijeni dhe t’i dinit surprizat e përgatitura pranë Allahut për ju, do të kërkonit që të ishit akoma edhe më të varfër!”

Kur sahabët e përballonin urinë duke ngrënë gjethe bimësh

Enesi (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Shtatë vetë nga sahabët e të Dërguarit Fisnik e thithnin të gjithë me radhë një hurmë të thatë, madje, nganjëherë, ata hanin edhe gjethet e pemëve që rrëzoheshin në tokë. Prandaj edhe u ishin ënjtur mishrat e faqeve brenda gojës.”

Ebu Hurerjeja (radijallahu anhu) ka thënë: “Një ditë ishim shtatë sahabë, që ishim shumë të uritur. Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më dha mua shtatë hurma. Na binte të hanim nga një hurmë secili prej nesh.”

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon se: “Një ditë dola nga shtëpia, për të shkuar në faltore. E vetmja arsye pse dola nga shtëpia në atë orë ishte vetëm se isha shumë i uritur. Në faltore gjeta edhe shtatë a tetë sahabë fisnikë të tjerë.

“Për hair, o Ebu Hurejre, çfarë të ka shtyrë, në këtë orë, të dalësh nga shtëpia?”, - më pyetën ata.

“Uria.”, - ia ktheva unë.

“Uallahi, edhe ne nga uria erdhëm këtu.”, - thanë ata. U çuam të gjithë bashkë siç ishim dhe shkuam atje ku ishte i Dërguari i Allahut.

“Cila është arsyeja që ju ka sjellë këtu, tani, në këtë orë?”, - na pyeti i Dërguari i Allahut.

“Uria, o Resulallah!”, - ia pritëm ne. Sakaq Profeti ynë kërkoi që t’i sillnin një tabaka me hurma. Në të kishte aq hurma sa ne na binin nga dy të tilla për kokë.

“Hajini ato dy hurma që ju takojnë secilit, pini edhe ujë dhe kaq ju mjafton për sot.”, - na tha ai. Në vijimësi Ebu Hurejreja thotë se:

“Unë hëngra njërën nga hurmat, ndërsa tjetrën e vura brenda rripit me të cilin kisha lidhur teshat. I Dërguari i Allahut, i cili, me sa dukej më kishte parë, më tha:

“O Ebu Hurejre, ku e çove atë hurmë?”

“E ndava për nënën, o i Dërguari i Allahut.”, - iu përgjigja unë.

“Haje ti atë! Të japim edhe dy të tjera për nënën.”, - tha i Dërguari Fisnik i Allahut, duke më dhënë kështu edhe dy hurma të tjera.”

Enesi (radijallahu anhu) përcjell se: “Profeti ynë erdhi në vendin ku ishte gërryer toka, për t’u hapur hendeku. Ensarët me Muhaxhirët ishin duke gërmuar, megjithëse ishte një mëngjes shumë i ftohtë. Me vete nuk kishin as skllevër, të cilët mund t’i vinin në punë, për të kryer punët më të vështira. Kur pa vështirësitë dhe lodhjen e sahabëve dhe e kuptoi se ata ishin pa ngrënë e të uritur, ai u lut për ta:

“O Zoti im! Jetë e vërtetë është jeta e ahiretit, Ti fali Ensarët dhe Muhaxhirët.” Kurse sahabët iu përgjigjën atij duke i thënë:

“Ne i jemi betuar Muhamedit, që sa të kemi jetë do të përpiqemi

e do të bëjmë gjithçka mundemi për të!”

Xhabiri (radijallahu anhu) rrëfen: “Atë ditë që po gërmonim, për të hapur hendekun, prej nga e mori edhe emrin ajo ditë, u përballëm me një damar dheu shumë të fortë.”

“Dale të hyj njëherë edhe unë e ta shoh.”, - tha i Dërguari i Allahut. Nga uria, drejt pjesës së barkut kishte lidhur një copë guri, për të mos e ndierë të pangrënët, sepse kishim plot tri ditë që nuk kishim vënë asgjë prej gjëje në gojë.”

Një grua që çdo të premte u jepte disa sahabëve për të ngrënë

Tregon Sehl bin Sadi (radijallahu anhu): “Ka qenë një grua nga ne, e cila të gjithë tokën e saj e mbillte me pazi. Kur vinte e premtja ajo mbushte një tenxhere me rrënjë pazie, pastaj bluante një dorë elb dhe i skuqte, ashtu, të përziera, pa shtuar as vaj, as gjalpë. Pazia, kur e gatuanin me gjithë rrënjë, zëre se zinte vendin e mishit me kockë në tavolinë. Të premten, pasi falnim edhe xhumanë ne ktheheshim në shtëpinë e asaj gruaje dhe e përshëndesnim. Ndërsa ajo na ushqente me ushqimin që kishte përgatitur. Prandaj ne mezi e prisnim që të vinte sërish dita e premte.”

6. ETJA E TEJSKAJSHME QË VUANIM KUR DILNIM TË FTONIM NJERËZIT NË ISLAM

Etja e sahabëve fisnikë gjatë betejës së Tebukut

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Ne i kërkuam Omerit (radijallahu anhu), nëse ai mund të na shpjegonte se çfarë dinte ai për togfjalëshin ‘ora e vështirësisë’, që përmendet në Kur’an si ‘saatu’l-usre’ (në ajetin 117 të sures “Teube)?” Dhe ai na përcolli këto të dhëna:

“Një ditë shumë të nxehtë ishim nisur për në betejën e Tebukut. U ndalëm në një vend, që edhe të pushonim pak. Aq shumë na kishte marrë etja, saqë na dukej, sikur, nga çasti në çast, qafa do të na ndahej prej trupit. Madje disa prej nesh shkonin pranë familjes së vet në karvan dhe nuk kthehej më pas, nga frika se mos rrëzohej e nuk arrinte të mbërrinte i gjallë deri te ne. Madje edhe më keq; kishte që prisnin devenë dhe shtrydhnin plëndësin e devesë, se çfarë mund të dilte prej saj, e pinte lëngun që rridhte prej andej, ndërsa pjesën tjetër e fuste prapë pranë mushkërive të devesë. Në fund, Ebu Bekri tha: “O Resulullah, Allahu ty të mësoi që të bësh vetëm lutje të mbara vazhdimisht. Sikur të luteshe njëherë edhe për ne!” I Dërguari i Allahut ia priti, duke i pyetur:

“Doni vërtet që të lutem për ju?”

“Po!”, - i tha Ebu Bekri (radijallahu anhu). Atëherë i Dërguari i Allahut ngriti duart dhe filloi të lutej. Ende pa i ulur mirë duart, mbi kryet tona, në qiell, u shfaq një re e zezë. Ai shi që filloi të rigonte lehtë-lehtë, pas pak, filloi të binte me rrebeshe. Të gjithë nxorën enët që kishin me vete, e i mbushëm. Më vonë, ç’të shihnim, shi kishte rënë vetëm në territorin ku qenë vendosur ushtarët myslimanë dhe në vendet e tjera nuk kishte rënë as edhe një pikë e vetme shiu.”

Etja e skajshme që kishin Harithi,

Ikrimeja dhe Ajashi në luftën e Jermukut

Habib bin Ebi Thabiti (radijallahu anhu) tregon: “Harith bin Hishami, Ikrime bin Ebi Xhehli dhe Ajash bin Ebi Rabia (ndërsa sipas një transmetimi tjetër, thuhet se aty ka qenë i pranishëm edhe Suhejl bin Amri.), në ditën e Jermukut, dolën në fushën e betejës. Por atje u plagosën aq rëndë, saqë këmbët nuk po u mbanin dot më. Harithi na kërkoi t’i jepnim pak ujë për të pirë. Kur ujin që solla për ta pirë ai e pa Ikrimeja, Harithi tha:

“Jepi të pijë njëherë Ikrimeja!” Ikrimeja e mori ujin, por në anën tjetër pa Ajashin që po rrinte. Ikrimeja, kësaj here tha:

“Jepja ujin, të pijë njëherë Ajashi.” Ai që po u çonte ujin, ende pa ia çuar ujin mirë, Ajashi dha shpirt. Të tre pinë sherbetin e të rënit dëshmor ende pa vënë të paktën një pikë ujë në buzë.”

7. DURIMI I TË FTOHTIT TË ACARTË NË RRUGËN E ALLAHUT

Kur, gjatë luftës, për t’u ruajtur nga të ftohtët e acartë, sahabët hapën një gropë të madhe dhe hynë në të

Ebu Rejhaneja (radijallahu anhu) tregon: “Në një luftë, ne ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Gjatë natës u vendosëm në një kodër, mirëpo aty na kapi një i ftohtë shumë i ashpër. Madje, disa myslimanë patën hapur një gropë dhe patën hyrë në të dhe me mburojat e patën mbyllur pjesën e sipërme të gropës. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur e pa këtë situatë, tha:

“Kush do ta marrë përsipër detyrën për të na bërë roje sot? Unë do të lutem për të dhe të mirat për të do të jenë të mëdha.”

“Ti kush je?”, – pyeti i Dërguari i Allahut njërin prej tyre.

“Filani.”, – iu përgjigj ai.

“Afrohu.”, - i tha atij i Dërguari i Allahut.

Profeti ynë e kapi atë njeri nga pëlhura që kishte veshur dhe filloi të lutej për të. Kur e dëgjova lutjen e Profetit tonë të dashur, unë u hodha e thashë:

“Jam edhe unë, që mund të bëj roje, o Resulullah!”

“Po ti kush je?”, - m’u përgjigj i Dërguari i Allahut duke më pyetur. - “Jam Ebu Rejhaneja.”

Pasi u përgjigja, i Dërguari i Allahut bëri një lutje edhe për mua, po më të shkurtër se ajo që bëri për shokun tim, duke thënë:

“Syri i atij që bën roje në rrugën e Allahut është bërë i ndaluar për

Xhehenemin.”

8. VËSHTIRËSITË NË RRUGËN E ALLAHUT PËR T’U VESHUR

Habab bin Ereti (radijallahu anhu) tregon: “Pata qenë aty kur ra dëshmor Hamzai (radijallahu anhu); nuk patëm gjetur dot asgjë, pos një trikoje, për ta përdorur si qefin për trupin e tij. Kur ia mbuluam këmbët me atë triko, pamë që koka i kishte mbetur e zbuluar, e kur provuam t’i mbulonim kokën, atëherë ishin këmbët, që mbeteshin zbuluar. Kësodore, ne ia mbuluam atij kokën me atë triko, ndërsa këmbët ia mbuluam me gjethe të bimës erëmirë të idhkhirit (bar limoni).”

Historia e Shurahbil bin Hasenesë (r.a.)

Shifaja, e bija e Abdullahut, ka thënë: “Shkova te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i kërkova diçka. Ai më tha se nuk kishte asgjë se çfarë të më jepte, duke më kërkuar të falur, megjithëse unë me vete u mërzita shumë që po më përcillte ashtu. Kur, erdhi koha për të falur namazin. Dola menjëherë dhe shkova atje ku po kryhej nikahu i vajzës sime. Pashë, Shurahbili ishte në shtëpi. I thashë atij:

“Çfarë bën ende në shtëpi, ka hyrë koha për të falur namazin?”

“Teze, mos më qorto! Unë vetëm një rrobë kisha për të veshur, edhe atë ma kërkoi hua i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kështu që ia dhashë atij.”

“Nëna dhe babai im të qofshin falë!”, - iu përgjigja.

Dhe unë, që deri atë ditë kisha filluar të mendoja jo mirë për të. Domethënë paska qenë e vërtetë.

“E vërtetë, tani, i Dërguari i Allahut nuk ka asnjë rrobë tjetër, veç asaj që i dhamë ne, të cilën ne e kemi arnuar disa herë!”, - më tha

Shurahbili.

Vështirësitë e Aliut (r.a.) dhe Fatimes (r.a.) për të gjetur diçka për të veshur

Aliu (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Uallahi, kur u martova me të bijën e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), unë nuk kisha asgjë prej gjëje. Kishim një lëkurë dashi, të cilën, edhe atë ai na e kishte dhuruar, që e përdornim si dyshek gjatë natës, ndërsa gjatë ditës e përdornim për t’u hedhur tagji deveve që përdornim për të marrë ujë. Dhe Fatimja nuk kishte askënd tjetër që ta ndihmonte me punët e tjera të shtëpisë.”

Kur sahabët vishnin tesha prej leshi në atë të nxehtë të shkretëtirës

Ibni Burejdeja (radijallahu anhu) tregon: “Babai më ka thënë kështu: ‘Ti të na kishe parë njëherë ne! Një ditë, ishim bashkë me Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe na zuri një shi i rrëmbyeshëm. Nga veshjet prej leshi, që kishim veshur atë ditë, të dy zumë të vinim erë deleje!’”

Sahabët e Sufes nuk gjenin dot asgjë për të veshur

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Pashë se në Sufe ishin diku te shtatëdhjetë vetë, e asnjëri nuk kishte ndonjë teshë që t’i ngjante jelekut, apo xhaketës. Në trup kishin ose ndonjë si pelerinë të gjatë që e mbanin të lidhur pas qafës, me pak fjalë, të gjithë kishin veshur tesha fare të thjeshta. Disave ato u zbrisnin deri te kërcinjtë, disa të tjerë i kishin më të gjata, që u zgjateshin deri te thembrat e këmbëve. Madje, kishte edhe nga ata që i mbanin rrobat e tyre me dorë, që të mos u dukeshin pjesët intime të trupit.”

Transmetohet nga Aishja (radijallahu anha) se një ditë tek ajo erdhi një burrë. Në atë çast aty ndodhej edhe shërbëtorja e Aishes (radijallahu anha), e cila kishte veshur një rrobë në vlerën e pesë dërhemëve. Aishja (radijallahu anha) iu drejtua atij, duke i thënë:

“Ngrije kryet dhe vështroje shërbëtoren time! Këtë rrobë që mban veshur nuk dëshiron që ta veshë as brenda shtëpisë! Ndërkohë që kur Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte gjallë, unë kisha një rrobë të vetme si kjo. Kur një grua në Medine dëshironte të vishej bukur dërgonte dikë që ta huazonte atë nga unë.”

9. PËRBALLJA ME GJITHFARË FRIKËRASH NË RRUGËN E ALLAHUT

Si e duruan sahabët fisnikë urinë,

frikërat dhe të ftohtët e tejskajshëm në luftën e Hendekut

Hudhejfeja (radijallahu anhu) i ka treguar nipit të tij, Abdulazizit, se: “Kur xhaxhai im, Hudhejfeja (radijallahu anhu), po na tregonte për luftërat ku kishte marrë pjesë, bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ata që ishin të pranishëm në atë kuvend e pyetën:

“Uallahi, sikur të kishim qenë ne në ato luftëra, medoemos do të kishim bërë këtë e atë gjë!”

“Mos mendoni kështu! Uallahi, më kujtohet fare mirë ajo natë, të nesërmen e së cilës do të zhvillohej lufta e Hendekut: Ishim vendosur në formë radhësh. Armiqtë tanë, bashkë me Ebu Sufjanin, ishin vendosur sipër nesh, kurse poshtë ishin vendosur hebrenjtë e Kurejdhas. Ishim të shqetësuar se mos na sulmonin pjesëtarët e tjerë të familjeve tona. Deri në atë ditë nuk mbaj mend të kemi përjetuar ndonjëherë një natë të errët plus dhe që furtuna nuk kishte të pushuar. Furtuna shkaktonte bubullima dhe vetëtima të njëpasnjëshme. Aq errësirë ishte, saqë as gishtërinjtë tanë të dorës nuk i dallonim dot. Hipokritët, duke përfituar nga një situatë e tillë, i thanë Profetit tonë:

“I kemi lënë shtëpitë pa njeri që t’u bëjë roje.”, - duke nisur t’i kërkojnë leje për t’u larguar, megjithëse nuk i kishin familjet edhe aq pa njeri e të rrezikuara, por po i përdornin si gënjeshtër që t’i shpëtonin luftës. I Dërguari i Allahut po u jepte leje të gjithë atyre që i kërkonin leje për t’u larguar, e kështu ata largoheshin njëri pas tjetrit. Ishim a s’ishim diku te treqind vetë. Atëherë i Dërguari i Allahut u ngrit dhe filloi të na kontrollonte një e nga një. Përveç asaj veshjeje prej leshi që më pati dhënë bashkëshortja me vete, e cila, më e shumta, mund të më ruante sadopak nga të ftohtët, me vete nuk kisha asgjë tjetër që të më mbronte kundër armikut, apo ndaj të ftohtit. Kur erdhi pranë meje, unë isha ulur në gjunjë dhe më kishin kapur ca të dridhura ngaqë kisha shumë ftohtë.

“Po ti, kush je? Si të quajnë?”, - më pyeti.

“Hudhejfe.”, - iu përgjigja unë.

“Hudhejfe!”

Ngaqë ajo rrobë që kisha veshur më rrinte pak e shkurtër, por edhe ngaqë kisha shumë ftohtë, rrija paksa i kërrusur.

“Urdhëroni, o Resulullah!”, - i thashë të Dërguarit të Allahut dhe u ngrita në këmbë, edhe pse e kisha me siklet.

“Na kanë ardhur shumë lajme të ndryshme lidhur me armikun, shko shih e mos ka ndonjë gjë të re, e hajde të na thuash!”, - më tha ai.

Ndër të gjithë ushtarët, ai që kishte më shumë frikë dhe që e ndiente më shumë të ftohtin isha unë. U nisa, për të bërë atë që më pati thënë i Dërguari i Allahut. Profeti i profetëve ishte lutur enkas për mua, duke thënë:

“O Zot! Ruaje atë nga para e nga mbrapa, nga e djathta e nga e majta, nga sipër e nga poshtë!” Uallahi, pas asaj lutjeje, Zoti nuk la më brenda meje as frikë nga armiku, as të ftohtë. Edhe ato që kisha ndjerë deri atëherë sikur u zhdukën të tëra brenda një çasti të vetëm. Tani nuk kisha as ftohtë, as frikë se mos më bënin armiqtë ndonjë të keqe. Kur po largohesha, Profeti ynë më pati porositur:

“Hudhejfe! Mos shkakto asnjë rrëmujë me armiqtë, derisa të kthehesh tek unë, të më lajmërosh se çfarë po bëjnë ata!”

Shkova dhe iu afrova bazës së armikut me qetësinë më të madhe. I ndoqa me aq sa më lejonin flakët e zjarreve që kishin ndeshur ata. Pashë një burrë trupmadh, ezmer, i cili i ngrohte duart në zjarr dhe i fuste në kraharor, që u thoshte të tjerëve:

“Të kthehemi, të kthehemi, ta lëmë këtë luftë.” Nuk e kisha parë Ebu Sufjanin asnjëherë më parë. Me aq sa më lejonte drita e përhapur nga flakët e zjarrit, nxora nga trasta e harkëtarit një shigjetë me majë të bardhë dhe e vura në hark, mirëpo, në atë çast, m’u kujtua urdhri i Profetit tonë, i cili më pati thënë: “Mos shkakto asnjë rrëmujë me armiqtë, derisa të kthehesh tek unë, të më lajmërosh se çfarë po bëjnë ata!”, kështu që e vendosa prapë në trastë atë shigjetë. Pastaj brenda më erdhi një trimëri e pashpjegueshme, ndaj vendosa të hyja deri në radhët e ushtrisë, brenda. Më afër kisha bijtë e Amirit. Ata ishin duke i bërtitur njëritjetrit:

“O bijtë e Amirit, të tërhiqemi, të tërhiqemi, këtu nuk rrihet, është e padurueshme!” Në zonën ku ishin vendosur ata frynte era më e fortë, ndërsa jashtë zonës së tyre nuk frynte fare. Uallahi, frynte aq shumë, saqë, nga era edhe gurët nën shtretërit e tyre lëviznin dhe zhurma e tyre vinte deri tek unë. Paskëtaj u largova që aty, për të shkuar pranë të Dërguarit të Allahut. Kur mbërrita thuajse në gjysmë të rrugës, pashë diku te njëzet kalorës me çallma në kokë, që më thanë:

“Shko dhe thuaji shokut tënd, Allahu i ka dërguar atij ndihmën e mjaftueshme.” Sapo mbërrita te Profeti ynë, shkova ta kërkoja dhe e gjeta duke falur namaz i mbështjellë me një mbulesë, të cilën me sa duket e kishte hedhur trupit për t’u mbrojtur nga të ftohtët. Ju betohem në Allahun e Madhërishëm, se kur u ktheva fillova të ndihesha prapë i frikësuar dhe ta ndieja edhe më të ftohtin. I Dërguari i Allahut, në namaz, ma bëri me shenjë. Iu afrova dhe ai ma hodhi mua në trup mbulojën e vet. Profeti ynë e kishte zakon, sa herë që përballej me ndonjë situatë shumë të vështirë, apo që ishte shumë e rëndësishme, falte namaz. I dhashë informatat që kisha mbledhur për armiqtë, duke i thënë:

“Kur unë po vija këtu ata po largoheshin.”

Hudhejfeja (radijallahu anhu) thotë se: “Lidhur me këtë ngjarje, Allahu i Madhërishëm pati zbritur disa ajete:

“O besimtarë! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh), e Ne dërguam mbi ata erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit; ndërsa Allahu i sheh të gjitha ato që bëni ju. Ata ju sulmuan nga lart dhe nga poshtë, kështu që sytë tuaj u errësuan, zemrat ju erdhën në fyt dhe besimi juaj tek Allahu u lëkund. Aty besimtarët u vunë në provë dhe u tronditën si nga një tronditje e fuqishme. Por hipokritët dhe ata me zemra të sëmura e të dobëta, thanë: ‘Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk na kanë premtuar asgjë, pos mashtrimit’! Dhe një grup prej tyre tha: ‘O banorët e Jethribit, s’ka qëndrim këtu për ju, andaj kthehuni!’ Një grup tjetër nga ata kërkoi leje prej të Dërguarit, duke thënë: ‘Në të vërtetë, shtëpitë tona janë të pambrojtura’! Por ato nuk ishin të pambrojtura. Ata donin vetëm të iknin.” (Ahzab, 33/9-13)

10. DURIMI NDAJ PLAGËVE DHE SËMUNDJEVE NË RRUGËN E ALLAHUT

Historia e Amr bin Xhemuhut (r.a.)

Disa nga njerëzit më të nderuar të bijve të Selemes kanë treguar se: “Amr bin Xhemuhu (radijallahu anhu) kishte shumë probleme me këmbën e tij, nuk e përdorte dot mirë. Mirëpo kishte katër djem, të katërt si luanë ishin. Që të katërt merrnin pjesë në të gjitha luftërat ku merrte pjesë edhe i Dërguari i Allahut. Ata deshën ta pengonin të atin, që ai të mos merrte pjesë në luftën e Uhudit, pasi ai ishte i justifikuar, kishte këmbën të dëmtuar! Amri shkoi te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha: “O Resulullah, djemtë duan të më pengojnë, që unë të mos dal në luftë bashkë me ty. Uallahi, unë me këtë këmbë, kështu topall siç jam, dua të eci me këmbët e mia drejt parajsës!” Profeti i profetëve iu përgjigj:

“Allahu e pranon të metën tënde, prandaj ti nuk e ke detyrim xhihadin (të luftuarit dhe të përpjekurit në rrugën e Allahut)!” Nga ana tjetër, i Dërguari i Allahut u tha djemve të Amrit:

“Nuk ju takon juve t’i bëheni pengesë babait tuaj, nuk e keni këtë të drejtë. Shpresoj që Allahu ta pranojë atë si një nga dëshmorët e Tij.” Kështu, Amr bin Xhemuhu mori pjesë në luftën e Uhudit, krah për krah me të Dërguarin Fisnik, dhe ra dëshmor.”

Ebu Katadeja (radijallahu anhu), që ka qenë një nga dëshmitarët e kësaj ngjarjeje dhe i ka parë me sytë e tij të gjitha sa kanë ndodhur thotë se: “Amr bin Xhemuhu erdhi te Profeti ynë i nderuar dhe i tha:

“O Resulullah, si mendon ti? Po të dal e të luftoj e të kacafytem me armiqtë, në rrugën e Allahut, e të bie dëshmor, nuk do të mund të eci dot për të hyrë në parajsë lirshëm?” I Dërguari ynë Fisnik iu përgjigj duke i thënë:

“Ecën, si nuk ecën.”

Në luftën e Uhudit, idhujtarët vranë atë, nipin e tij dhe një prej skllevërve që ai ia kishte dhënë vetë lirinë. Pas luftës, kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kaloi pranë trupit të Amrit, Ai tha:

“Tani më duket sikur po shoh se si Amri po hyn në Xhenet lirshëm, pavarësisht këmbës së tij të gjymtuar.”

Shënimet

  1. 210.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/47.
  2. 211.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/42.
  3. 212.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/134.
  4. 213.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 22/432 (1052).
  5. 214.. Buhari, Sahih, 3/1400 (3643).
  6. 215.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 2/218 (7036).
  7. 216.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/9 (9812).
  8. 217.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/11 (9814).
  9. 218.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/12 (9815).
  10. 219.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/271.
  11. 220.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/13 (9818).
  12. 221.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/44.
  13. 222.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 3/140 (2926).
  14. 223.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/18 (9120).
  15. 224.. Halebi, Sire, 2/56.
  16. 225.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/136.
  17. 226.. Buhari, Sahih, 4/1493; Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/29.
  18. 227.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/29; Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/298.
  19. 228.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/31.
  20. 229.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/3; Ibn Haxher, el-Isabe, 4/447.
  21. 230.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/94.
  22. 231.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/95.
  23. 232.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/82.
  24. 233.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/37.
  25. 234.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/410.
  26. 235.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/29.
  27. 236.. El-Hakim, Mustedrek, 3/406 (5547); Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/212 (14833).
  28. 237.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/90.
  29. 238.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/28.
  30. 239.. Ibn Haxher, el-Isabe, 3/634.
  31. 240.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/148.
  32. 241.. El-Hakim, Mustedrek, 3/432 (37369); Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/177.
  33. 242.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/494 (37369); Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/177.
  34. 243.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/59.
  35. 244.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/140.
  36. 245.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/177-178.
  37. 246.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/353 (37026).
  38. 247.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/111 (21112).
  39. 248.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/60.
  40. 249.. Buhari, Sahih, 3/1401 (3648).
  41. 250.. Ibn Haxher, el-Isabe, 7/127.
  42. 251.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/103.
  43. 252.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/82.
  44. 253.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/297.
  45. 254.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/59.
  46. 255.. El-Hakim, Mustedrek, 2/434 (3512).
  47. 256.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/260.
  48. 257.. Muslim, Sahih, 4/2285 (2978).
  49. 258.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/348 (18628).
  50. 259.. Buhari, Sahih, 2/907 (2428).
  51. 260.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/579 (2356).
  52. 261.. Tirmidhi, Sunen, 4/579 (2356).
  53. 262.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/340 (18605).
  54. 263.. Mundhiri, et-Tergib, 4/94 (4954).
  55. 264.. Buhari, Sahih, 5/2369 (6085).
  56. 265.. Ibn Haxher, Fet’hu’l-Bari, 11/293 (6094).
  57. 266.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/213 (13246).
  58. 267.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/52.
  59. 268.. Buhari, Sahih, 5/2066 (5097).
  60. 269.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 1/273 (891).
  61. 270.. Mundhiri, et-Tergib, 4/96 (4964).
  62. 271.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 15/1335 (43502).
  63. 272.. Mundhiri, et-Tergib, 3/100 (3239).
  64. 273.. Ibn Hibban, Sahih 12/16 (5216). Taberani, në veprën e tij “Mu’xhemu’l-Kebir”, na përcjell, se i Dërguari i Allahut, bashkë me Ebu Bekrin dhe Omerin, kanë shkuar njëherë edhe në shtëpinë e Ebu’l-Hejthem bin et-Tejjihan el-Ensarit.
  65. 274.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/350 (18635).
  66. 275.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/93.
  67. 276.. Buhari, 5/2371 (6088).
  68. 277.. Muslim, 3/1325 (2055).
  69. 278.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/101.
  70. 279.. Mundhiri, et-Tergib, 4/108 (5004).
  71. 280.. Buhari, 6/2670 (6893).
  72. 281.. Ibn Sa’d, Tabakat, 4/53.
  73. 282.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/284.
  74. 283.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/35.
  75. 284.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/581 (18278).
  76. 285.. Mundhiri, et-Tergib, 4/109.
  77. 286.. Tirmidhi, Sunen, 4/583 (2368).
  78. 287.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/579 (18274).
  79. 288.. Ibn Maxhe, Sunen, 2/1392 (4157).
  80. 289.. Ibn Sa’d, Tabakat, 4/329.
  81. 290.. Buhari, Sahih, 4/1504 (3873).
  82. 291.. Buhari, Sahih, 4/1505 (3875).
  83. 292.. Buhari, Sahih, 1/317 (896).
  84. 293.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/9.
  85. 294.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/792 (30255).
  86. 295.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/156.
  87. 296.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 4/73 (3680).
  88. 297.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/271.
  89. 298.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 8/22.
  90. 299.. Ebu Daud, Sunen, 2/442 (4033).
  91. 300.. Mundhiri, et-Tergib, 4/111 (5016).
  92. 301.. Buhari, Sahih, 2/926 (2485).
  93. 302.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/114.
  94. 303.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/37).
  95. 304.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/523 (15746).