IMANI
Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I
Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)
Ekipi i Studimeve Akademike
NË VEND TË PARATHËNIES
Ilmihali zë një vend me shumë rëndësi në jetën besimore e fetare të muslimanëve. Pavarësisht nëse përgatiten në formë të gjatë apo të shkurtër, në vartësi të kohës, kushteve dhe kërkesave, në përgjithësi, ilmihalet përmbajnë njohuritë e domosdoshme për muslimanët që të mund ta praktikojnë fenë e tyre në jetën e përditshme. Prandaj synimi i ilmihaleve është mbajtur i kufizuar gjithmonë me këto praktika ditore të përballura. Kurse detajimi i të gjitha urdhrave dhe ndalimeve të fesë u është lënë studimeve më gjithëpërfshirëse. Dhe kjo, në masë të madhe, është e lidhur me kërkesat dhe përpjekjet e posaçme të atyre që dëshirojnë të arrijnë një njohje më të thellë të parimeve të sjella nga feja islame për individin, familjen dhe shoqërinë, për çështjet shoqërore dhe universale. Dhe më shumë njohje, në mënyrë mjaft të natyrshme, do të sjellë në literaturën islame thellimin. Prandaj, libri që keni në duar përmban kryesisht domosdoshmëritë dhe praktikat e fesë islame. Gjithsesi, domosdoshmëritë e fesë islame, këshillat, porositë, propozimet dhe direktivat e saj nuk janë të kufizuara me këto. Por duhet thënë se edhe pse ky studim përmban çështje të kufizuara e përparësore, jep njohuritë themelore të domosdoshme që duhet të marrë e të përvetësojë një musliman. Më saktë, ky libër është përpjekje për ta paraqitur në mënyrë rrënjësore dhe lehtësisht të kuptueshëm mesazhin e sjellë nga Islami me dimensionet e tij besimore, adhurimore dhe morale.
Feja përbëhet nga bazat e besimit, konkluzionet praktike (adhurimet dhe marrëdhëniet civile) dhe morali. Në këtë libër janë bërë përpjekje për trajtimin e këtyre tri çështjeve themelore të fesë. Por nuk i është hyrë çështjes së marrëdhënieve civile e cila është një çështje studimi më vete.
Në libër janë bërë përpjekje për t'u përqendruar në mënyrë të gjithanshme e të thellë mbi bazat e besimit, që janë themeli dhe baza e fesë islame. Sepse çdo gjë është e lidhur me besimin dhe bindjen. Adhurimi, marrëdhëniet civile dhe morali realizohen mbi themelin e besimit. Feja ka ardhur për t'u përftuar njerëzve një natyrë të dytë. Kjo natyrë është një formësim i ri me bosht ndërgjegjen. Ky formësim do të thotë që besimi të qëndisë portretin e vet në ndërgjegjen e njerëzve që besojnë. Dhe rruga e kësaj kalon nëpërmjet kryerjes me seriozitet të adhurimeve duke filluar me namazin, agjërimin, zekatin dhe haxhin. E shprehur ndryshe, bashkimi tërësor ose njësimi i besimit me natyrën e njeriut, shndërrimi i tij në cilësi të thellësisë së natyrës së njeriut bëhet duke i jetuar urdhrat e Islamit, gjë që, me shprehjen e saj të përgjithshme, quhet "punë e mirë". Nga ana tjetër, besimtari mund të qëndrojë afër Allahut, mund ta ruajë afërsinë ndaj Tij dhe mund ta fitojë kënaqësinë e Tij aq sa besimi i tij mbështetet në punë të mira dhe adhurim. Prandaj, besimi është baza e vetme e pamënjanueshme për aktin (punën, veprimin, adhurimin), kurse akti është mur kalaje, serë, dëshmitar dhe siguresë e besimit.
Nisur nga kjo, në këtë libër, pas pjesës mbi bazat e besimit, janë bërë përpjekje për trajtimin e pjesës mbi adhurimet, pra, mbi namazin, agjërimin, zekatin dhe haxhin. Konkluzionet mbi adhurimet janë si një udhëzues me prejardhje hyjnore që duhet të ndjekë muslimani gjatë kryerjes së adhurimeve.
Gjatë trajtimit të çështjeve, nuk është mjaftuar vetëm me dhënien e njohurive të karakterit të ilmihalit, por, me sa ka qenë mundësia, janë bërë përpjekje për të qëndruar edhe mbi aspektet e "urtësisë" së tyre. Natyrisht, para së gjithash, nënshtrimi dhe bindja ndaj çdo urdhri të fesë së dërguar nga ana e Allahut dhe të paraqitur gjithë njerëzimit si një model jete me prejardhje hyjnore nëpërmjet kumtimit dhe përfaqësimit të profetit Muhamed (s.a.s.), është parim. Në themel, bashkë me këtë besim dhe nënshtrim, edhe përpjekja për t'i kuptuar, për t'i parë e për t'i ndjerë urtësitë e të gjitha urdhrave dhe ndalimeve të fesë së dërguar nga Zoti i Lartmadhëruar, janë rezultat i natyrshëm i besimit ndaj Tij. Në çdo gjë të urdhëruar nga Allahu ka urtësi të panumërta, sepse Allahu është Hakim, i Urtë; në çdo urdhër të Tij ka një sërë urtësish që i dimë apo s'i dimë. Ne mund t'i njohim urtësitë dhe qëllimet e urdhrit të Zotit me sa na e lejon horizonti njohës i mendjes sonë. Është mjaft e rëndësishme që të njihen urtësitë e adhurimeve të kryera në mënyrë që njeriu të arrijë ngopje dhe kënaqësi me mendjen, arsyen, ndjenjat dhe të gjitha kapacitetet e tij shpirtërore. Veçanërisht në ditët e sotme është e nevojshme të shpjegohet me sa të jetë e mundur dimensioni i urtësisë dhe qëllimit të çdo çështjeje të fesë islame.
Një dimension i rëndësishëm i fesë është edhe morali. Morali është shndërrimi i besimit me anë të adhurimeve në cilësi thellësie të natyrës njerëzore ose shfaqje e formësimit me bosht ndërgjegjen. Morali është fryt i besimit. Feja i përfaqëson vlerat morale në atë nivel që është bërë pjesë e natyrës dhe vetvetes së njeriut. Në kuptim të përkryer, morali është zbatimi nga muslimani i detyrave dhe përgjegjësive të veta me mendimin se e sheh Allahun dhe shihet prej Tij.
Morali është esenca dhe baza e fesë si dhe parimi më i rëndësishëm i mesazhit hyjnor. Të jesh i moralshëm e i virtytshëm është heroizëm. Cilësia më e shquar e të qenit musliman i vërtetë është të jesh i moralshëm. Për ata që munden të shohin me syrin e arsyes dhe urtësisë, Kur'ani dhe Suneti janë, ajet për ajet dhe fragment për fragment, moral. Morali i Trupëzuar dhe Personaliteti i Lartë që ka thënë se "të qenët musliman është bukuri shprehie", e ka parashtruar këtë të vërtetë në formën më koncize. Duke u nisur nga kjo konsideratë mbi moralin, pjesa mbi moralin është trajtuar me një gjerësi që i kapërcen kufijtë e ilmihalit klasik.
Ja pra, në këtë studim është përpjekur që këto tri baza themelore të fesë të trajtohen nën emrin e ilmihalit.
Gjatë përgatitjes së ilmihalit, me sa qe e mundur, nuk u panë detajet kontradiktore. Kjo vepër u përgatit duke u marrë për bazë shkolla juridike-besimore hanefi (medhhebi hanefi). Vende-vende u është drejtuar edhe qëndrimeve të shkollave të tjera, kryesisht të shkollës shafii Në fund të fundit, dallimet doktrinare në Islam e kanë prejardhjen jo nga baza e fesë, por nga detajet teknike, nga fushat e ndryshme të jetës shoqërore, natyrisht nga dallimet konceptuale kulturore dhe nga dallimet në trajtimin e bazave të Islamit. Dhe që të gjitha dallimet doktrinare janë formuar vetëm në fusha ideore të përshtatshme ndaj interpretimit, domethënë, të hapura ndaj ndryshimit dhe zhvillimit.
Është e kuptueshme dhe e pranueshme se është krejt e pamundur që brenda kufijve të ilmihalit të trajtohen të gjitha çështjet dhe detajet e fushave shoqërore, individuale, familjare, shpirtërore dhe morale. Ndoshta këto njohuri kanë vënë si synim të japin praktikat lidhur me bindjen fetare, adhurimin ditor dhe marrëdhëniet shoqërore të personave që njihen për herë të parë me Islamin. Prandaj, pa dyshim, do të jetë e pamundur që brenda një studimi libror të tillë mjaft të ngushtë dhe me kufij të caktuar, të gjenden përgjigje për çdo problem për të cilin ndjehet nevojë ose me të cilin përballohet. Në dashtë Zoti, këtë studim të përmbledhur e ndjek një studim tjetër më i gjerë dhe, ndoshta, enciklopedik. Po qe se problemet me të cilat përballet dhe reagimet i përcillen shtëpisë botuese përkatëse, mund të bëhen rregullime të reja të karakterit të ilmihalit si dhe shkrime origjinale. Pra, çështja varet tërësisht nga interesimi i lexuesve të vëmendshëm dhe të kujdesshëm.
Një specifikë tjetër është se, gjatë përgatitjes së ilmihalit, ndarja në tema dhe nëntema (tematizimi dhe nëntematizimi) është bërë në atë mënyrë që të sigurojë lehtësi komunikimi dhe kuptimi sipas botës mendore e kulturore të një lexuesi mesatar. Domosdoshmëritë fetare, urdhrat dhe ndalimet, specifikat lidhur me hallallin (lejueshmërinë dhe bekueshmërinë) dhe haramin (palejueshmërinë dhe pabekueshmërinë) janë klasifikuar pa i detajuar tepër. Lexuesit kureshtarë e të interesuar do të përballen me një ilmihal me strukturë dhe përmbajtje origjinale.
Zoti ynë i Lartë mos na largoftë nga pëlqimi, kënaqësia dhe rruga e Tij dhe na mbrojttë nga fjalët, qëndrimet dhe sjelljet që nuk përshtaten me frymën e fesë islame!
Ekipi i Studimeve Akademike
Shënimet
- 1.Në origjinal, me radhë: iman esaslar› (bazat e besimit); amelî hükümler (konkluzionet praktike); ibadât (adhurimet); muamelât (marrëdhëniet civile); ahlâk (morali, morali dhe etika). Përkthyesi.
- 2.Në origjinal: amel-i salih.
- 3.Këto dy atribute i kushtohen profetit Muhamed.
- 4.ixhtihadî, domethënë e fushës së ideatimit juridiko-fetar, që i përket superstrukturës së fesë, jo bazës së fesë.
- 5.itikad.