IMANI0%

IMANI

Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I

Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)

Ekipi i Studimeve Akademike

LIBRAT HYJNORE TE FAVORIZUAR NJERIUT

Koncepti kitab ose libër hyjnor

Kuptimi leksikor i fjalës arabishte kitab (shum. kutub) është shkruaj dhe dokument i shkruar. Kurse në terminologjinë fetare, "kitab quhet tërësia e fjalëve që Allahu ua ka komunikuar profetëve për të bërë të ditur se ç'kërkon prej robve të vet dhe për t'u treguar atyre rrugë në këtë drejtim, si dhe forma e shkruar e fjalëve të Tij".

Librat e zbritur për profetët quhen libra hyjnorë sepse janë dërguar nga ana e Allahut, pra, kanë prejardhje hyjnore, sepse në fjalët dhe përmbajtjen e tyre nuk ka asnjë kontribut njerëzor. Ngaqë librat hyjnorë janë të zbritur nga lartësia e Allahut, quhen kutubu munzele ose libra qiellorë.

Domosdoshmëria e besimit te librat hyjnorë

Një ndër bazat e besimit është edhe besimi te librat hyjnorë. Besimi te librat hyjnorë është një ndër kushtet për t'u quajtur musliman. Kuptimi i besimit te librat hyjnorë është besimi se disa profetëve u janë zbritur libra nga ana e Allahut dhe pranimi pa bërë dallim se përmbajtja e plotë e këtyre librave - me formën origjinale me të cilën janë zbritur - është e drejtë dhe e vërtetë. Ajeti në vijim i Kur'anit bën të ditur se besimi te librat e zbritur nga Allahu është një nga bazat e besimit dhe se ata që i mohojnë këta, janë persona që janë shmangur dhe larguar në kuptimin e vërtetë të fjalës nga e vërteta: "O ju që keni besuar, besojuni Allahut, profetit, librit që i ka zbritur profetit dhe librit që ka zbritur më parë. Kush i mohon Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, profetët e Tij dhe ditën e kiametit, me të vërtetë ka dalë nga rruga!" (Nisa, 4/136)

Edhe profeti ynë, besimin te librat hyjnorë e ka përmendur mes bazave që duhen besuar nga çdo musliman. Në hadithin e njohur Xhibril ku radhiten bazat e besimit dhe në hadithet e tjerë, Profeti u ka bërë të ditur njerëzve hapur se u duhet besuar edhe librit të zbritur atij vetë, domethënë, Kur'anit, edhe librave qiellorë të dërguar para tij.88

Nevoja për librat hyjnorë

Meqë ne jemi qenie të paafta për ta njohur Personin e Tij, Krijuesi i Lartë kërkon të na e bëjë të njohur veten me anë të atributeve të veta si dhe me anë të veprave të veta që janë shfaqje të këtyre atributeve. Këto vepra mund t'i trajtojmë në dy grupe: veprat e atributit Fuqi (Kudret) dhe veprat e atributit Fjalë (Kelam).

Në është me vend të shprehemi kështu, gjithësia është si një libër i dalë nga kalemi i fuqisë së Zotit, pasi çdo gjë ekzistente që zë vend në këtë sistem ekzistence, është si një gjuhë që na tregon për Të, që na jep informacion për Të! Secila prej këtyre veprave është një letër e shkruar, një fjalë e thënë pa zë, një libër, të cilat na tregojnë ca gjëra, na njoftojnë për cilësitë e autorit dhe qëllimin e tij.

Allahu i Lartë që ua bën të njohur veten robve të vet me anë të veprave të veta që ua mbushin mendjet robve me mahnitje dhe admirim, gjithsesi, me fjalët e veta do të njoftojë edhe për ekzistencën dhe qëllimin e vet. E shprehur ndryshe, duke mos ia lënë ekzistencën dhe qëllimin vetëm dëshmisë së veprave, do të flasë personalisht për to. Ja, pra, me librat e dërguara me ndërmjetësinë e profetëve, Allahu (xh.xh.) u ka folur njerëzve.

Allahu nuk e ka për detyrë ose të detyruar të dërgojë libra ose të flasë. Kjo është krejtësisht një favor hyjnor i Tij për robtë e vet dhe një ndihmë, sepse njerëzit janë nevojtarë për një favor dhe ndihmë të tillë.

Si përfundim, mund të themi se vetëm me anë të parimeve që ia mësojnë librat hyjnorë, njeriu mundet ta njohë drejt dhe saktë Krijuesin e vet dhe të arrijë lumturinë e kësaj bote e të jetës së pasme (ahiret) me rrugën më të shkurtër e më të sigurtë.

Cilësia dhe forma e komunikimit të librave hyjnorë profetëve

Në literaturën islame, për komunikimin hyjnor përdoret termi i përgjithshëm vahj. Kuptimi leksikor i fjalës arabishte vahj është hedhje fjale, pëshpëritje, bërje shenjë, frymëzim, sugjerim, njoftim radhazi dhe fshehtazi. Kurse si term, vahji është "njoftimi nga Allahu i orientimeve dhe urdhrave robve të vet të zgjedhur si të dërguar, drejtpërdrejt ose me ndërmjetësimin e një engjëlli dhe me anë të një rruge të pazakonshme e të fshehtë”.

Njohja dhe kuptimi i cilësisë së vahjit është i pamundur për ne, njerëzit, që nuk e kemi përjetuar atë gjendje. Prandaj, si njerëz dhe nga këndvështrimi njerëzor, ne e pranojmë se vahji është i arsyeshëm dhe e detyrueshëm, ndërsa nuk merremi me thelbin dhe cilësinë e tij.

Edhe për sa u përket formave të ardhjes së vahjit, meqë askush përveç profetëve nuk do të mund t’i perceptojë dhe njohë, mund t’i mësojmë jo me arsyetim, por vetëm si të na i thonë ata vetë. Në Kur’an bëhet fjalë për tre lloje vahji:

“Allahu komunikon me njeriun vetëm me rrugën e vahjit ose duke i folur si pas perdes, ose, duke dërguar një engjëll ndërmjetës, ia komunikon dëshirat përfaqësuesit të vet me anë të tij!” (Shura, 42/51) Në fenë islame, vahji, siç tregohet në ajet, është realizuar me njërën prej këtyre formave:

Zoti e ka lënë mesazhin drejtpërdrejt në zemrën e profetit (ilká).

Zoti ua ka drejtuar urdhrat dhe kërkesat shqisave të jashtme e të brendshme të profetëve, si veshët dhe ndjenjat.

Zoti ka dërguar si përfaqësues një engjëll të ngarkuar me detyrën e sjelljes së vahjit, i cili ka marrë një formë dhe trajtë të caktuar.

Zoti ua ka njoftuar urdhrat dhe mesazhet profetëve të mëdhenj që kanë qenë njerëz me pajisje të jashtëzakonshme, me njërën prej këtyre tre rrugëve dhe, në shumicën e rasteve, ua ka mësuar sistemin e vet njerëzve duke ngarkuar me punë, për këtë, një engjëll. Kur’ani dhe suneti autentik kanë bërë të ditur se engjëlli i vahjit është Xebraili (Xhibrili).

Profetët e kanë marrë vahjin në gjendje të vetëdijshme. Gjatë vahjit nuk ka ndodhur që ata ta humbin veten dhe vetëdijen, përkundrazi, të bëhen të vetëdijshëm në shkallën më të lartë, ta përqëndrojnë krejtësisht vetëdijen. Mbi këtë gjendje të profetëve, Allahu tërheq vëmendjen - në personin e profetit Muhamed (sal'lallahu alejhi vesel'lem) - në këtë mënyrë:

“... Mos e lëviz gjuhën për ta mësuar vahjin shpejt e shpejt; na takon Neve ta mbledhim atë dhe të ta fiksojmë leximin. Kur ne të ta këndojmë Kur’anin, edhe ti ndiqe këndimin e tij!” (Kijame, 75/16-18) Ky ajet tregon se, gjatë vahjit, profeti e ruan tërë vëmendjen dhe vetëdijen. Librat hyjnorë dhe llojet e tyre

Librat hyjnorë, në përgjithësi, sipas vëllimit dhe madhësisë së popullatës që i janë drejtuar, vlerësohen në dy grupe: fletë (suhuf) dhe libra (kitab).

a) Fletët

Janë libra të vegjël dhe broshura të përbëra prej disa fletësh të zbritura popullatave të vogla në kuadër të ngushtë, të mjaftueshme për t’u dhënë përgjigje nevojave të tyre. Në Kur’an bëhet fjalë për fletët e para të zbritura profetëve. Veçanërisht, në Kur’an bëhet fjalë për fletët e dhëna Hz. Ibrahimit dhe për librat e dhënë profetëve të ardhur nga soji i tij, si Is’haku, Jakubi, Sulejmani, Jusufi dhe Zekerija

(alejhimusselam), gjë që mbështet ekzistencën e librave të vegjël në formë fletësh. Në Kur’an nuk është thënë se cilëve profetë veç këtyre u janë dhënë fletë.

Nga Profeti ynë (sal'lallahu alejhi vesel'lem) është përcjellë se Hz. Ademit i janë dhënë 10 fletë, Hz.

Shitit 50 fletë, Hz. Idrisit 30 fletë dhe Hz. Ibrahimit 10 fletë.

Në fletët e dhënë profetëve ka pasur tema që janë baza e të gjitha feve, si besimi në Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë, ahireti ose jeta e pasme është e përhershme dhe më e dobishme se kjo jetë, arritja e shpëtimit me anë të namazit, respekti, këshillat dhe predikimi, etj.

b) Librat

Librat, që janë më të vëllimshëm se fletët dhe të lidhur, që përmbajnë mesazhe universale dhe përmenden me një emër të përveçëm, janë katër: Teurati, Zeburi, Ungjilli dhe Kur’ani.

Teurati: Teurati që është një fjalë hebraishte, do të thotë “ligj, legjislacion dhe doktrinë”. I është zbritur Hz. Musait. Besimi se origjinali i këtij libri është fjalë e Allahut, është detyrim (farz) për çdo musliman; mohimi i kësaj e çon personin në mohim (kufr). Në Kur’an bëhet e ditur hapur se Teurati është një ndër librat e shenjtë të Allahut:

“Ne e zbritëm Teuratin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë!” (Maide, 5/44)

Sot njihen tre ekzemplarë të Teuratit, të emërtuar Testamenti i Vjetër: ekzemplari hebraisht i pranuar nga hebrenjtë dhe protestanët, ekzemplari greqisht i pranuar nga kishat krishtere të Romës dhe të Lindjes dhe ekzemplari samaritan i pranuar nga samaritanët.

Zeburi: Zebur që në hebraishte do të thotë “letër e shkruar”95 dhe, në arabishte, “libër”, është emri i librit hyjnor të zbritur Hz. Daudit (alejhissalatu vesselam). Në lidhje me këtë specifikë, në Kur’an thuhet: “Dhe Daudit i dhamë Zebur.” (Isra, 17/55)

Besimi se Zeburi në formën me të cilën është zbritur, është fjala e Allahut, është nga bazat e besimit.

Ungjilli: Ungjilli që, si fjalë, do të thotë “përgëzim, doktrinë”, është emri i librit të shenjtë të zbritur Hz. Isait (alejhissalatu vesselam). Besimi edhe i këtij libri me formën e zbritur Hz. Isait nga Allahu është nga domosdoshmëritë e besimit. Lidhur me këtë libër hyjnor, në Kur’an thuhet kështu:

“Në rrugën e profetëve të mëparshëm, e dërguam Isanë, të birin e Merjemes, si vërtetues i Teuratit para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin ku ka udhëzim dhe dritë, si vërtetues të Teuratit para tij, si dhe udhëzim dhe këshillë për të bindurit!” (Maide, 5/46)

Shënimet

  1. 79.Këtu na duhet të prekim edhe një pikë tjetër që e shohim të rëndësishme. Kur një musliman njoftohet mbi një specifikë që ndodhet në librat e shenjtë të mëparshëm, po qe se kjo specifikë është në përshtatje me të dhënat e Kur'anit dhe haditheve, pranohet, në të kundërt, hidhet poshtë. Po qe se për të nuk bëhet fjalë fare në ajete dhe hadithe, por ajo nuk bie në kundërshtim me parimet themelore të Islamit, veprohet sipas kësaj porosie të Profetit: "Njerëzit e Librit as mos i vërtetoni, as mos i përgënjeshtroni, por u thoni: "Ne u kemi besuar Allahut, asaj që na është zbritur neve, asaj që i është zbritur Ibrahimit...!" (Buhari, I'tisam, 25) 88 Shih. Muslim, Iman, 1; Ebu Davud, Sunet, 15.
  2. 80.Shih. Taha, 20/133; A’la, 87/18.
  3. 81.Shih. Nexhm, 53/37; A’la, 87/18.
  4. 82.Shih. Nisa, 4/54; En’am, 6/89; Hadid, 57/26.
  5. 83.Ibn-i Hibban, Sahih, 2/77; Taberi, Tarih, 1/187; Hejsemi, Mevaridu’z-Zem’an, 1/53.
  6. 84.Në origjinal: Ahd-i Atik. Përkthyesi.
  7. 85.Zeburi njihet edhe si “Psalmet e Davidit”. 95 Epistulë. Përkthyesi.