IMANI
Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I
Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)
Ekipi i Studimeve Akademike
Fjala e fundit dhe më e gjerë e Allahut për njerëzimin: KUR’ANI
Kuptimi i fjalës Kur’an
Sipas pikëpamjes më të parapëlqyeshme, fjala kur’an si infinitiv (mastar) i foljes karae në diatezën (vezn) fu’lán, do të thotë lexim. Ky kuptim përdoret në ajetet e shtatëmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë të sures Kijame. Ka edhe kuptimin mbiemëror “i lexuar”, “që lexohet” si emër foljor pësor (ismi mef’ul). Me daljen e Islamit, kjo fjalë është bërë emërtimi i përveçëm i librit të Allahut.
“Allahu (xh.xh.) e ka emërtuar edhe me emra të tjerë këtë libër që ia ka dërguar njerëzimit. Emërtimi më i njohur pas fjalës “Kur’an” është “el-Kitab”. Mes emërtimeve të tjerë më të njohur, mund të përmendim fjalën “Furkan” (ndarësi dhe diferencuesi i të drejtës dhe të vërtetës nga e shtrembra dhe gënjeshtra) dhe “et-Tenzil” (vahj i zbritur pjesë-pjesë). Veç këtyre, janë edhe emërtimet, si “edh-Dhikr”, “en-Nur”, “esh-Shifa”, të marra nga Kur’ani, numri i të cilëve, sipas disa dijetarëve, është nxjerrë në pesëdhjetë, madje, në nëntëdhjetë, shumica e të cilëve nuk janë emra të Kur’anit, por fjalë që shprehin cilësitë e posaçme të tij.
Përkufizimi i Kur’anit nga këndvështrime të ndryshme
Kur’anit i janë bërë përkufizime nga këndvështrime të ndryshme. Këtu mund të përmendim disa prej tyre.
Përkufizimet e Kur’anit të parashtruara në veprat klasike janë kështu: “Kur’ani është fjalë hyjnore e zbritur Hz. Muhamedit me rrugën e vahjit, e shkruar në libra, e përcjellë me tevatur, me tilavetin e të cilës bëhet adhurim.” “Kur’ani është përmbledhje vahjesh që i janë dërguar nga ana e Allahut Hz. Muhamedit me pretekste të ndryshme gjatë periudhës 23-vjeçare 610-632 të profetësisë së tij dhe që bëhet tilavet.”
Kurse përkufizimet e tjera të Kur’anit të bëra duke mbajtur parasysh nga kush është dërguar, nga ç’pozitë është dërguar, kujt dhe përse i është dërguar, na paraqiten me këto shprehje:
“Duke mbajtur parasysh së bashku anën shpirtërore dhe materiale të njeriut, Kur’ani është përmbledhje e mesazheve më të rëndësishme dhe e ligjeve hyjnore e lindur në horizontin e njerëzimit me anë të zbritjes nga pozita më e lartë.”
“Kur’ani është fjala dhe dekreti eternal i Allahut, zotëruesit të të gjithë ekzistencës.”
“Kur’ani është një konsideratë dhe mirësi e Allahut si Zoti i gjithë botërave, për robtë e Tij.”
“Me parimet e tij të përhershme e të pandryshueshme, Kur’ani është një komunikim hyjnor i pashoq e i pangjashëm si tregues i rrugës më të shkurtër e më të ndriçuar të lumturisë së tërë njerëzimit dhe që të çon në atë lumturi.”
“Kur’ani është interpretimi i ekzistencës, interpretuesi i dukurive dhe ngjarjeve, komentuesi i makro dhe mikrobotëve, gjuha në këtë botë e botës së fshehtë, dokumenti i konsideratave hyjnore për njeriun, thelbi, drita dhe bukuria e Islamit, harta e botëve sublime dhe preteksti i lumturisë së atyre që i besojnë atij; në të njëjtën kohë, është një përmbledhje lutjesh e hapur dhe e mbyllur, e drejtpërdrejtë dhe e anasjelltë.”
Allahu është ai që e ka ngritur gjithësinë mbi akordin dhe harmoninë, gjithashtu, ai që e ka bërë atë të flasë me anë të Kur’anit. Sipas kësaj, ashtu siç është i gabuar konkluzioni i të tjerëve mbi gjithësinë, është i gabuar edhe mbi njeriun, sepse vetëm ai të cilit i përket ekzistenca dhe prona, mund të japë konkluzion të drejtë mbi ekzistencën dhe pronën!
Argumentet mbi Kur’anin si fjala e Allahut
Si njeriu dhe gjithësia, edhe Kur’ani është vepër e Allahut. Kur’ani edhe ia bën të njohur njeriut njeriun, edhe komenton librin e ekzistencës. Kur’ani e lexon nga njëra anë njeriun bashkë me të gjitha dobësitë dhe virtytet, nga ana tjetër, gjithësinë me të gjitha të fshehtat dhe imtësitë; kështu, është e pamundur që Kur’ani të jetë fjalë e dikujt i cili nuk administron dhe vepron mbi tërë gjithësinë!
Pas kësaj hyrjeje, dëshmitë dhe argumentet mbi faktin se Kur’ani është fjala e Allahut, mund t’i paraqesim në mënyrë të përmbledhur e me pika, kështu:
Para së gjithash, në atë periudhën e parë kur Kur’ani e nderoi faqen e tokës me ardhjen e tij, ushtroi një ndikim aq të thellë e të papërfytyrueshëm edhe në shpirtrat, edhe në mendjet, edhe në zemrat, saqë përsosmëria e brezave të zgjuar përsëpari në jetë në atmosferën e tij prej drite, është një mrekulli në ato përmasa që të mos lërë nevojë për ndonjë provë apo mrekulli tjetër për të dhe është e pamundur të tregosh të ngjashmit e atyre njerëzve përsa i përket horizontit të mendimit, njohjes së të fshehtës së detyrës së robit ndaj Zotit dhe përjetimit intuitiv të kësaj detyre. Eshtë një e vërtetë se në atë periudhë Kur’ani përgatiti një brez të quajtur “sahabe” që nuk teprohet po të thuhet se ishte i njëvlershëm me engjëjt!
A është shkruar, vallë, gjer tani, ndonjë libër të cilin ta ketë kuptuar dhe nga i cili të ketë përfituar çdo njeri i çdo shtrese dhe niveli sipas kapacitetit të vet, i kënduari e i pakënduari, njeriu me fillore dhe ai me universitet, njeriu i popullit dhe mendimtari, çobani dhe shkencëtari? Përgjigje: Jo! Kur’ani është i vetmi libër që mundet ta lexojë dhe të përfitojë prej tij, ku mundet të gjejë parime për rrugën dhe specialitetin, zgjidhje për çështjen, shërim për shqetësimin e tij poeti dhe muzikanti, ekonomisti dhe juristi, administratori dhe sociologu, edukatori dhe nxënësi, njeriu i mendimit dhe besimit!
Ndoshta nuk ka asnjë libër tjetër veç Kur’anit që mund të lexohet shumë e shumë herë me radhë pa u mërzitur prej tij. Është vetëm ky Libër që lexohet vazhdimisht me pretekste të ndryshme, që i bëhet lexim i plotë pa dhënë asnjë herë ngopje dhe mërzitje! Sa e sa vepra të zgjedhura, shkrime ideore dhe poezi e humbin origjinalitetin dhe vlerën, sa e sa vepra aktuale u qëndrojnë dot disa viteve, madje, disa muajve, e humbin vlerën edhe për nga aspekti i drejtësisë, edhe për nga aspekti i aktualitetit dhe, më në fund, lihen mënjanë. Sa për Kur’anin, jo që nuk zbehet e vjetërohet, por, përkundrazi, çdo ditë që shkon, u fryn mendjeve dhe zemrave fllade të ideve dhe ndjenjave të reja dhe e shton dhe ruan freskinë.
Është e qartë se Kur’ani i cili e përfshin jetën e njeriut me të gjitha aspektet materiale-shpirtërore të saj, nuk mund të jetë fjalë njeriu. Kurrë nuk mund të jetë në kapacitetin e një njeriu, pa le të një njeriu të pamësuar, që të parashtrojë parime të përgjithshme që të zgjidhnin në çdo shekull vështirësitë e njeriut të çdo niveli e nën të gjitha kushtet. E thënë ndryshe, parimet e dala nga mendja e një njeriu nuk mund t’u japin qetësi dhe lumturi kontinenteve për shekuj me radhë. Sistemet dhe zgjidhjet njerëzore të pambështetura në zbulesën hyjnore e në librin hyjnor, nuk mund të mbeten as pesëdhjetë vjet në këmbë pa ndryshuar, pa pësuar revizionim. Rregullat, sistemet, idetë, mendimet dhe ideologjitë si produkte njerëzore vjen një ditë që të vjetërohen dhe të mbeten të pamjaftueshme, të shfaqin efekte anësore dhe të bëjnë të ndjehet se kanë nevojë për ndryshim dhe rinovim. Kurse është e pamundur që Kur’anit t’i gjenden të meta e defekte të tilla në asnjë temë, në asnjë parim dhe rregull dhe në asnjë çështje.
Është ky Libër që ka vënë si rregull themelor e të pavdekshëm që shteti të mos jetë shtet ku kapitali të qarkullojë vetëm në duart e të pasurve, që njeriut të mos i përkasë tjetër gjë veç zellit, përpjekjes dhe punës së vet, që dhënia e amanetit dhe detyrës atyre që kanë meritën dhe kompetencën përkatëse si dhe gjykimi me drejtësi të jenë domosdoshmëri, që vrasja e një njeriu të konsiderohet si vrasje e gjithë njerëzimit!
Është ky Libër që ndalon çdo formë kamate, bixhozi, pijeje dhe prostitucioni dhe çdo lloj gënjeshtre, shpifjeje, luksi dhe mbishpenzimi (shpërdorimi), të cilat janë që të gjitha nga një helm vrasës më vete për familjen dhe shoqërinë!
Prapë, është ky Libër që e urdhëron njeriun për namaz, agjërim, haxh, zekat dhe adhurime të tjera me qëllim që të fitojë cilësi njerëzore, që, në jetën e individit dhe shoqërisë të përjetojë një jetë parajsore duke qenë ende në botë!
Po kështu, është ky Libër i cili, duke i orientuar mendjet dhe shpirtrat kah çdo bukuri dhe virtyt që e bën njeriun njeri, e bën frikën ndaj Allahut vëzhgues për çdo zemër, kurse dashurinë për Allahun, nxitës dhe inkurajues të çdo zemre!
Me se mund të shpjegohet ekzistenca e një libri të tillë përveç se me faktin që është fjalë e një Krijuesi me urtësi dhe mëshirë të pafundme dhe si mund të pranohet një libër i tillë përveç se si fjalë e atij Krijuesi?
Një argument tjetër se Kur’ani është fjala e Allahut, është ky: Një autor cilido, i cili në veprat e tij bën përshkrime natyre e peizazhi, kryesisht me elementë klime, bimësie e formash të relievit dhe natyrës, mbështetet në mjedisin natyror ku ka jetuar ose jeton ose ku ka shëtitur e parë. Kurse në Kur’an shohim se, më tepër se përshkrime të shkretëtirës dhe jetës së shkretëtirës, hapen diskutime dhe bëhen përshkrime mbi lumenj që rrjedhin me vrull, mbi pamje të gjelbëruara, mbi re të ngarkuara me shi që i japin jetë tokës, mbi kopshte dhe vreshta, mbi male dhe detra! Bie fjala, fakti që në suren Nur bëhet fjalë për errësirat e detrave të gjerë, për dallgë që vijnë njëra pas tjetrës, për retë që i mbulojnë dhe për atë që njeriu nuk dallon dot as dorën e vet në errësirën e formuar si pasojë e kësaj situate, fakti që të gjitha këto bëhen me përshkrime metaforike dhe interesante, nuk kanë të bëjnë aspak as me gjeografinë arabike të asaj kohe, as me literaturën detare të asaj periudhe. Pastaj, Profeti ynë (sal'lallahu alejhi vesel'lem) i cili lindi dhe u rrit në shkretëtirë dhe që vetëm dy herë udhëtoi për në Siri duke kaluar po nëpër shkretëtirë, as i pati parë peizazhet dhe mbulesat bimore që i përshkruan Kur’ani, as pati bërë udhëtime detare!
Po në këtë kuadër, në suren En’am, gjendja e një mohuesi (qafiri) përngjasohet me gjendjen e dikujt që, duke u ngjitur drejt qiellit, pëson shtrëngime të zemrës. Sot, zhvillimet shkencore kanë nxjerrë në shesh se gjatë ngjitjeve në majat e maleve të lartë pa pajisjet përkatëse, njeriut i vështirësohet frymëmarrja dhe ndjen shtrëngime të gjoksit për shkak të pakësimit të oksigjenit. Kjo e vërtetë është kuptuar dhe kuptohet vetëm gjatë ngjitjeve malore ose ngjitjeve në lartësi të mëdha qiellore me anë të balonave. Në periudhën e të Dërguarit të Allahut, udhëtimi me balon as që përfytyrohej, kurse relievi i Gadishullit Arabik s’kishte pika të larta. Kështu, pra, ky përngjasim dhe kjo shprehje mund t’i përkiste vetëm Allahut (xh.xh.) që di çdo gjë!
Në periudhën kur zbriti Kur’ani, poezia ishte zhvilluar jashtëzakonisht. Në bisedat dhe grindjet, njerëzit pothuajse i flisnin dhe i përgjigjeshin njëri-tjetrit me poezi, çdo vit organizoheshin konkurse letrare dhe poezitë që fitonin, shkruheshin mbi me shkronja të arta mbi një copë që pastaj varej në muret e Qabes. Me fjalët e poetëve, të cilit quheshin secili një hero fisnor më vete, fiset hynin në luftë ose bënin paqe. Dhe, megjithëse Hz. Muhamedi (sal'lallahu alejhi vesel'lem) ishte rritur mes tyre, dihej nga të gjithë se nuk ishte marrë kurrë as me poezi, as me prozë poetike dhe as me prozë. Ndërkaq, shprehjet enigmatike dhe koncize të Kur’anit nuk u ngjanin as shprehjeve të tij, as të të tjerëve. Shprehja e Kur’anit s’ishte as poezi, as prozë poetike e as prozë, por, me origjinalitetin e vet, i magjepste të gjithë! Prandaj, parësia e mushrikëve, politeistëve mekas, të cilët deshin dhe përpiqeshin t’i largonin njerëzit nga Kur’ani, përpiqeshin sipas tyre t’i kundërviheshin Kur’anit: “T’i themi poezi, poezi s’është; t’i themi prozë poetike, prozë poetike s’është; t’i themi fjalë orakulli, as fjalë orakulli s’është; veprës së një të çmenduri s’i ngjan që s’i ngjan; më e mira, të themi është magji, prandaj mbyllini veshët se, pastaj, ju godet!”
Përballë mesazheve të Kur’anit që u kanë bërë dritë epokave, edhe mohuesit e sotëm, me gjithë demagogjitë, dialektikën dhe taktikat e tyre të kundërshtimit, krahas frymës së polemizimit të trashëguar nga të vjetrit, nuk kanë arritur të bëjnë dot gjë tjetër veçse të gëlltiten dhe struken mes dobësisë dhe zemërimit të vet! Koha ka ndryshuar paprerë, shekujt janë tjetërsuar, konsideratat janë shndërruar, ndjenja e kundërshtimit dhe e luftës është bërë më e nxehtë, kurse Kur’ani, përballë shumë e shumë polemistëve dhe rrugëve të polemikës, vazhdon të të marrë mendjen me atë ndikueshmëri të lartë!
Faktin që Kur’ani nuk mund të jetë vepër e Profetit tonë (sal'lallahu alejhi vesel'lem), le ta shohim edhe nga ky kënd: Një shkrimtar, në rastin më të përgjithshëm, e shkruan veprën në çastet e përqëndrimit më të lartë të mendjes dhe ndjenjave dhe nuk rri pa i përmendur ose përshkruar edhe ngjarjet që i kanë shkaktuar më shumë dëshpërim ose gëzim. E thënë ndryshe, nuk është aq e lehtë që shkrimtari të shkruajë ca gjëra duke e izoluar veten nga ngjarjet që i kanë lënë ose i lënë mbresa të thella ndjesore e shpirtërore!
Mes një jete plot luftë, vuajtje e mundime, i Dërguari i Allahut (sal'lallahu alejhi vesel'lem), ndërsa nga njëra anë përgatiste bashkësinë e tij të zgjedhur, nga ana tjetër bënte një luftë të ashpër kundër mjedisit të jashtëm. Ndërsa punët qëndronin kështu, në Kur’an nuk shohim ndonjë ajet as lidhur me hidhërimet që hoqi ai, as lidhur me jetën dhe vdekjen e gruas dhe fëmijëve të tij. Prandaj ky libër s’është i tij. Profeti Muhamed ishte vetëm një ndërmjetës që e ka kumtuar Kur’anin me formën që i ka ardhur!
Cili shkrimtar ose, në përgjithësi, autor, vallë, u jep vend në veprën e vet fjalëve që nuk duken të favorshme për të? Për shembull, në Kur’an, për shkak të atyre që ndenjën pa marrë pjesë në luftën e Tebukut, Profetit i tërhiqet vëmendja me këto fjalë: “O ti, profet që të faltë Allahu, pse u dhe leje gënjeshtarëve para se të të tregoheshin të vërtetat dhe se kush ishte gënjeshtar?” Dhe një shembull tjetër lidhur me këtë specifikë: Përballë ngjarjes së shpifjes e cila ia theu mesin dhe e zvarriti nga vuajtja në vuajtje, i Dërguari i Allahut priti plot një muaj. Po qe se, ta supozojmë, ai e ka shkruar Kur’anin, a do të priste një muaj përballë shpifjes së hipokritëve për të shoqen, për ta nxjerrë në shesh të vërtetën dhe për të shpallur se mbi nderin e tij nuk ka asnjë njollë? Pra, në Kur’an u jepet vend deklaratave dhe shprehjeve që është e pamundur që njeriu t’i fusë në librin që e shkruan vetë. Kjo do të thotë se Kur’ani s’është kurrsesi fjalë e Hz. Muhamedit, por, absolutisht, fjala e Allahut!
Shkurt, Personi që s’dinte shkrim e këndim, të cilin Kur’ani e prezanton me fjalët “Ti as që e lexoje dot një libër (shkrim) si ky, as e shkruaje” (Ankebut, 29/48), i sfidon të gjithë, nga ata të kohës së vet që dinin të shkruanin e këndonin, gjer në dijetarët dhe letrarët e ditëve të sotme, duke u thënë: “Ejani, bëhuni bashkë e sillni jo të ngjashmen e Kur’anit, por vetëm të një sureje të vetme!” A nuk është vetëm fakti që ai bën një sfidë të tillë krejt i sigurtë në vetvete, dëshmi dhe argument i mjaftueshëm i faktit se Kur’ani nuk është fjalë e atij Personi pa shkrim e këndim, por fjalë e Allahut?
Kur’ani dhe të vërtetat shkencore
Qëllimi esencial i Kur’anit është t’ia mësojë njeriut detyrat dhe përgjegjësitë në kuadrin e pozitës së tij si adhurues i Zotit, të rregullojë jetën individuale e shoqërore dhe të bëhet pretekst për fitimin e lumturisë së përjetshme. Me një shprehje më të përmbledhur, detyra më e parë e Kur’anit është trajtësimi i jetës së njeriut sipas vullnetit dhe pëlqimit të Krijuesit.
Specifikave jashtë kësaj, Kur’ani u jep vend sipas përbërjes, rëndësisë dhe vlerës. Po qe se s’do të ndodhte kështu, por, bie fjala, Kur’ani do të bënte fjalë hapur dhe me detaje mbi një sërë mrekullish të qytetërimeve dhe mbi zhvillimet shkencore, atëherë do ta humbte të drejtën për të bërë fjalë mbi synimet tejet të rëndësishme dhe do të ishte lënë mënjanë njeriu, qenia më e përsosur e botës.
Prandaj, Kur’ani, shumë temave shkencore dhe teknike u ka dhënë vend në mënyrë të përmbledhur dhe koncize në kuadrin e synimeve të veta kryesore. Nisur nga kjo, në emër të njohjes së fuqisë, madhështisë dhe urtësive të Krijuesit të Lartë, Kur’ani prek, disa herë hapur e, disa herë, në mënyrë sinjifikative, shumë dukuri që ndodhin në ekzistencë, nga të cilat mund të përmendim disa si më poshtë.
“I dërguam erërat si mbarështuese dhe zbritëm ujë nga qielli dhe, kështu, ju dhamë ujë, ndryshe, ju s’mund ta mblidhni ujin!” (Hixhr, 15/22)
Edhe ky ajet është tregues i faktit se një e vërtetë e kuptuar vetëm në shekullin e njëzetë, është pohuar nga Kur’ani shekuj më parë. Erërat përplasin me njëra-tjetrën retë e formuara nga avujt e ujit. Nga kjo përplasje, mes reve ndodh një rrjedhje e fuqishme elektronesh në gjendje inkandeshente që e quajmë rrufe ose shkreptimë. Kështu retë mbarështojnë shiun. Pastaj, duke i ngjeshur retë, erërat bëjnë të bjerë shi. Në të njëjtën kohë, duke fryrë mbi lulet, erërat bartin polenin që e shpërndajnë mbi organet femërore të luleve në hapësira të mëdha. Kështu, retë mbarështojnë edhe bimët. Gjithashtu, ky ajet tregon se ujrat e shiut depozitohen nën tokë dhe shërbejnë, pastaj për pirje dhe ujitje.
“Çdo gjë Ne e krijuam çift!” (Dharijat, 51/49) “Allahu është i pastër nga çdo e metë dhe mangësi!
Ai i krijoi çift çdo gjë që mbin nga toka, ata vetë si dhe shumë gjëra që ata nuk i dinë!” (Jasin, 36/36)
Një specifikë të zbuluar nga shkencëtarët pak kohë më parë Kur’ani e pati lajmëruar shekuj më parë. Sot dihet mirë se ashtu siç janë njerëzit çift, edhe gjallesat e tjera janë çift. Madje edhe atomet, lënda bazë e çdo gjëje, janë çift. Një pjesë e tyre janë të ngarkuar pozitivisht, kurse një pjesë tjetër, negativisht. Veç kësaj, ky dualitet e tregon veten në një formë të ndryshme te çdo gjë në tërheqjen dhe shtytjen brenda vetë gjërave. Kurse në ajetin e dytë tërhiqet vëmendja për ekzistencën edhe të gjërave të tjera të panjohura për njeriun e asaj dite.
“Ne e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë pa ndalim!” (Dharijat, 51/47)
Në këtë ajet të Kur’anit, një mijë e katërqind e ca vjet më parë, diskutohet për çështjen e “zgjerimit të hapësirës”, e cila vazhdon ta ruajë peshën në katedrat shkencore.
“Edhe dielli do të vazhdojë gjer për një kohë të rrotullohet rreth boshtit të vet!” (Jasin, 36/38)
Shekuj më parë, pavarësisht se ç’thoshte kozmologjia e vjetër, Kur’ani bënte të ditur se dielli s’ishte i palëvizshëm, përkundrazi, rrotullohej rreth boshtit të vet.
“Ti i sheh malet dhe pandeh se janë të palëvizshëm, kurse ata lëvizin e notojnë si retë!” (Neml,
27/88)
Gjithashtu, duke tërhequr vëmendjen mbi malet si pjesë të rruzullit tokësor, Kur’ani ka treguar se rruzulli tokësor lëviz.
Siç u pa, në Kur’an, i cili është një interpretim i librit të gjithësisë, nuk janë nënvleftësuar dhe lënë mënjanë as çështjet dhe të vërtetat shkencore lidhur me njeriun i cili, si qenia më e përsosur, i përfton gjithësisë vlerën e vërtetë, por kanë zënë vendin e vet sipas përbërjes dhe rëndësisë.
Mbrojtja mrekullore e Kur’anit
Nuk ka asnjë dyshim se garancia më e madhe në mbrojtjen e Kur’anit është garancia e dhënë nga Allahu i Lartë që e ka dërguar atë: “Pa dyshim, Ne e kemi zbritur Fjalën (Kur’anin) dhe, pa dyshim, Ne jemi garant për të!” (Hixhr, 15/9)
Krijuesi i Lartë e ka mbrojtur Kur’anin duke bërë pretekst për këtë në fillim Profetin, pastaj sahabet, shokët e tij, dhe, më tutje, me pasuesit dhe vazhduesit e veprës së tyre. Me këtë, Krijuesi i Lartë ka vendosur që t’i nderojë me një detyrë kaq të lartë ata që e kanë besuar dhe vërtetuar Kur’anin!
Kur’ani është i vetmi libër që është fiksuar siç është zbritur nga qielli, është marrë nën mbrojtje dhe ka arritur gjer në ditët tona pa i ndryshuar as një shkronjë. Ai do të vazhdojë të ekzistojë gjer në kiamet me formën dhe përmbajtjen e tij origjinale!
Kur’ani ka ruajtur jo vetëm tekstin origjinal, por edhe freskinë dhe transcendentalitetin e mesazheve dhe të vërtetave që i ka paraqitur njerëzimit. Koha që ka rrjedhur me shpejtësi, nuk e ka vjetëruar dot atë. Tezat e njëpasnjëshme të zhvilluara kundër tij, nuk e kanë zbehur dhe vjetëruar vlerën e tij. Po, nga dita kur ka zbritur e gjer më sot, ndaj Kur’anit janë bërë shumë kundërshtime dhe kritika, por të gjitha “gjyqet” e ngritura mbi këtë çështje kanë përfunduar me “pafajësinë” dhe fitoren e tij!
Horizonti magjik i Kur’anit
Kur'ani është drita e amshueshmërisë, e cila shkëlqen në botën e shkronjave dhe fjalëve. Kur'ani është fryma dhe zëri i botës shpirtërore në atllasin e ndjenjave dhe mendimeve të njerëzve dhe xhindve.
Kur erdhi dita dhe Kur'ani u shndërrua në margaritar brenda një guaske krejt të veçantë, pikërisht atëherë edhe sytë e sarrafëve të fjalëve morën një bukuri që nuk vyshkej e që nuk çngjyrosej. Gjer ditën kur Kur'ani do të bëhej dritë e do të reshonte mbi fytyrën e ekzistencës, kjo gjithësi e madhe që është në çdo anë të saj një ekspozitë më vete ngjyrash, dizenjosh dhe akordesh, ishte një vendbanim demonësh; edhe ky libër ekzistence, çdo rresht i të cilit konsiderohet guaskë për një enigmë të veçantë të Botës
Engjëllore përbëhej prej ca fletësh të mjera. Sapo Kur'ani lindi si një diell, të paktën në vështrimin e atyre që s'kishin paragjykime, retë lëmshe-lëmshe që kishin nxirë horizontet gjer atë ditë, u shpërndanë e shkuan dhe doli në shesh ajo pamja e bukur mbi të bukurat e ekzistencës dhe e gjithë materia u shndërrua në paragrafe, fjali dhe fjalë të një libri që të jep kënaqësi kur e lexon... Sapo u dëgjua zëri i Kur'anit, syve të zemrës u zbritën dritëra dhe edhe ndjenjat e shkumëzuara në shpirtra, edhe gjuhët interprete të atyre ndjenjave filluan t'ua thonë këngëve të dritës.
Po, qysh nga dita kur sytë dhe zemrat u ndriçuan me Kur'anin, të panjohurat mbi gjithësinë që prisnin zgjidhje prej mijra vjetësh, problemet e ndërthurura u bënë të zgjidhshme një nga një dhe marrëdhënia njeri-ekzistencë-Krijues doli në shesh si hëna pesëmbëdhjetë, ndërkaq që të gjitha gjërat e pakuptueshme, duke u veshur me kuptim, zunë vend në orbitat e urtësisë.
Kur'ani është kreu i dijes së shëndoshë dhe i mendimit të shëndoshë; prapë Kur'ani është baza e shprehjes së drejtë dhe e deklaratës logjike. Bashkëbiseduesi i tij i parë i shquar është zotëria i tërë profetëve, kurse ai vetë, diferencuesi i shquar i të vërtetës nga gënjeshtra, është mbreti i të gjithë librave qiellorë e joqiellorë. Profetët e parë patën ardhur për të vënë shenja ose për të ngulur flamurka në rrugët nga do të vinte dhe kalonte Kur'ani, kurse të mëpasmit, pak dhe sipas dizenjos së shpirtrave të veta, për të bërë shënime e vërejtje në të. Të vjetrit në fotografitë shembëlluese të Kur'anit dhe të rinjtë në portretet e tij trupore e panë dhe e njohën Kur'anin në ndikimet dhe transformimet e mëdha të shkaktuara prej tij; duke e quajtur atë "Mbreti i Fjalëve", e patën mbajtur gjuhën me respekt dhe patën qëndruar para tij duarlidhur me nderim të thellë. Ndërsa Kur'ani lëshonte e shpërndante mbi tokë dritërat dhe ngjyrat e tij në gjatësi valësh elektromagnetike të ndryshme, shpirtrat vlerësues e mirënjohës kurrë nuk i ndanë sytë prej tij dhe iu drejtuan kah ai me tërë zemrën. Po, ndërsa Kur'ani zbrazej nga qiejt mbi zemra si ujvarë, dhe zemrat e urta e të zgjuara, duke ia hapur prehrin atij, u përpoqën të mos u shkonte kot asnjë pikë, madje!
Kur'ani bëri t'i dëgjohet emri në një hop në vendet më të fshehta e më të errëta dhe heshti të gjitha britmat ngatërrestare që lëshonin shkëndija; në çdo mendim pa paragjykim zgjoi ndjenja të buçitjeve të ujrave parajsore dhe, duke shuar zjarret e vetmisë në zemrat që ngadhnjeu, në të gjithë shpirtrat vuri në lëvizje entuziaste dëshirën dhe shpresën për bashkim. Natyrat krejt të ftohta me të morën ngrohtësi dhe zemrat që digjeshin flakë me dëshirën e përjetësisë, me të u freskuan!
Nëse në këtë botë të përkohshme e të vdekshme ku çdo gjë e re vjetërohet e rrënohet dhe ku çdo gjë e freskët fishket e zverdhet, ka një gjë që mundet të mbetet në çdo kohë plot ngjyra dhe krejt e freskët, është Kur'ani! Po, qysh nga dita e parë kur zbriti, Kur'ani është i vetmi libër i cili, pavarësisht nga gjithë ato erëra të kundërta, pavarësisht nga ato të ftohta të papritura, pavarësisht nga bora e rënë pa kohë e nga akulli, pavarësisht nga atmosfera e ashpërsuar vende-vende dhe pavarësisht nga kushtet në ndryshim, ka mundur ta ruajë gjithmonë origjinalin e të mbetet i vetmi libër qiellor. Prandaj ndodh që, sa herë që Kur'ani të lartësohet nga gjokset që shkumëzojnë entuziazëm me gjuhën e tij, të na zgjojë në shpirtra ndjenjën sikur nga qielli sapo na ka zbritur një sofër hyjnore dhe nga xheneti na ka ardhur një tufë hurmash të freskëta. Prandaj ndodh që, sa herë që Kur'ani shpërndan përreth margaritarët e thelbit të tij, i lartëson zemrat besimtare në horizontin e indiferencës ndaj të gjitha pasurive materiale të kësaj bote. Kur'ani është një gjerdan shprehjesh i thurur prej fjalësh hyjnore, stacioni i fundit i njohjes njerëzore me burim dituror dhe një dantelë nga më të hollat e thurur prej ibërshimesh hyjnore, në të cilën është e vizatuar harta e tërë ekzistencës. Të gjitha shprehjet në formë fjalësh në vatrat ku dëgjohet zëri i Kur'anit, shndërrohen në gjëmime; nga bedenat e kalave ku valëvitet flamuri i tij, reshojnë drita mbi shpirtrat e besimtarëve dhe gurë mbi kokat e shejtanëve dhe atje qeniet shpirtërore bëjnë festa njëra pas tjetrës.
Fuqiploti e ka lidhur lumturinë e të dy botëve pas udhëzimit të Kur'anit. Kurrë nuk mund të arrihet synimi pa kërkuar prijësinë e tij. Udhëtarët e pastrehuar nën tutelën e tij, derdhen e mbeten nëpër rrugë. Kur'ani është fjala më e përkryer, më e fundit që i shkojnë pas, e cila të çon në synim pa të çorientuar, pa të gënjyer. Ndërsa lexohet me mjaft lehtësi në çdo kohë e nga çdo njeri, Kur'ani është pamundësisht i përsëritshëm. Ata që e dëgjojnë dhe e ndjejnë atë me thellësitë e tij në zemrat e veta, arrijnë të dëgjojnë e ndjejnë çdo gjë që duhet dëgjuar e ndjerë. Edhe ata që e shijojnë plotësisht atë, konsiderohen nga një "kulm mëshire" më vete. Dhe zëri i tyre është gjithmonë i ndërthurur me frymëmarrjet e engjëjve!
Gjer ditën kur Kur'ani do ta nderonte faqen e tokës me zbritjen e tij, çdo profet e pati ndezur pishtarin e vet në burimin e tij të dritës dhe shkretëtirat e pakalueshme përreth vetes, me disa pika prej tij i pati kthyer në xhenet.
Madje, edhe periudhat më të errta kur shëtitej nën hijen e Kur'anit, janë kthyer në epoka të arta. Kurse periudha e atyre që e kanë dëgjuar dhe e kanë përjetuar vetë Kur'anin, nuk kanë ndryshim nga mëngjeset e xhenetit. Ata që e kanë vënë kokën në pragun e tij, janë të barabartë me engjëjt, kurse çdo qeniet e gjalla e jo e gjalla në klimën e ndritshme të tij janë vëllezër.
Përballë frymëzimeve të një zemre që ka mundur ta dëgjojë Kur'anin plotësisht, detrat e mëdhenj mbeten si pika uji, dhe pranë një mendjeje të ndriçuar me dritën e tij, drita e diellit kthehet në dritë qiriri. Me jetën që u dha jetëve tona dhe me dritën që lëshoi në fytyrë të materies fryma e Kur'anit e ndjerë në zemrat tona, e gjithë ekzistenca është provë e ekzistencës së Zotit. Edhe vendet më të errta e më të heshtura ku ndjehen frymëmarrjet e Kur'anit, ringjallen aty për aty si të kishin dëgjuar zërin e bririt të Israfilit. Zemrat që e dëgjojnë Kur'anin me të folurit e vet, tendosen sikur të kishin dëgjuar melodi nga Xhebraili; ringjallen dhe tendosen, sepse "ky Libër është nga ana e Zotit të tyre për besimtarët udhëzim dhe provë që u hap atyre aftësinë e parashikimit..." Po, për njerëzit të cilëve nuk u kanë vdekur dhuntitë njerëzore, Kur'ani është një burim i vërtetë mëshire dhe urtësie!
Kur'ani kurrsesi nuk është si deklaratat e tjera të cilat, duke mbetur në kornizën e profetësive lokale të periudhave fëminore të njerëzimit, nuk kanë mundur t'i kapërcejnë kufijtë e vendit dhe kohës. Kur'ani është një mrekulli e gjerë dhe e pasur që i kapërcen të gjitha hapësirat dhe kohët dhe u jep përgjigje nevojave të të gjithë njerëzimit, nga besimi gjer te rregulli më i thjeshtë i edukatës, dhe me këtë thellësi të tij, Kur'ani ka forcë që edhe sot të sfidojë këdo dhe çdo gjë!
Kur'ani ia përplasi fytyrës të gjitha kundërshtimet shtresës opozitare që qe bashkëbiseduesi i parë i tij në periudhën kur zbriti, dhe kërkoi prej tyre të sillnin një libër me përmbajtje të ngjashme, në mos, një sure, të paktën një ajet! Këta polemizuesit e parë u magjepsën nga forca shprehëse e Kur'anit, i thanë magji, u goditën pas stilit të tij letrar dhe i thanë poezi, duke e humbur mendjen përballë njoftimeve të dhëna prej tij nga prapaskena e materies, deshën ta quajnë orakull, por kurrsesi nuk mundën të sjellin diçka të ngjashme me të! Polemistët e asaj dite, mjeshtër fjale, të cilët flisnin edhe në prozë, edhe në poezi, të cilët fjalën e kishin pasion, e gëlltitën gjuhën, e vunë bishtin ndër shalë dhe u zhytën në heshtje dhe turp në një qoshe të strofullës së vet; po kështu, edhe mohuesit inatçinj të asaj periudhe demoniake me gjithë demagogjitë, dialektikën dhe taktikat e tyre të kundërshtimit, krahas frymës së polemizimit të trashëguar nga të vjetrit, nuk kanë arritur të bëjnë dot gjë tjetër veçse të gëlltiten dhe struken mes dobësisë dhe zemërimit të vet! Koha ka ndryshuar paprerë, shekujt janë tjetërsuar, konsideratat janë shndërruar, ndjenja e kundërshtimit dhe e luftës është bërë më e nxehtë, kurse Kur’ani, përballë shumë e shumë polemistëve dhe rrugëve të polemikës, ende i fortë si malet, i pasur si detrat dhe i thellë si qiejt, me atë seriozitetin dhe ndikueshmërinë e tij të lartë, vazhdon t’i drithërojë zemrat dhe t’i turbullojë mendjet! Brenda një mijë e katërqind e ca vjetësh që kanë kaluar nga dita kur Kur’ani ngriti fron në zemrat tona, janë përgatitur shumë mbretër të fjalës sipas periudhave përkatëse dhe janë ngritur mbretëri shprehjeje; sisteme të ndryshme, ekole të ndryshme, rryma ideore të ndryshme me më të magjishmit e fjalëve, me më magjistarët e shprehjeve, kanë përdorur të gjitha municionet për ta shprehur veten dhe për ta shembur Kur’anin, i janë drejtuar çdo baterie dhe kanë luftuar vazhdimisht me këtë Libër, por, përballë përputhshmërisë së parimeve të parashtruara prej tij lidhur me gjithësinë, materien dhe njeriun, përballë thellësisë dhe bindshmërisë së shpjegimeve, përballë karakterit shkencor të përgjigjeve ndaj pyetjeve eventuale, gjithmonë kanë rënë të mundur!
Po, Kur’ani ka parashtruar një këndvështrim të veçantë me një stil jashtëzakonisht të qëlluar për të vërtetën e gjithësisë, materies dhe njeriut, një këndvështrim me të cilin ai i trajton si një të tërë ekzistencën dhe njeriun brenda ekzistencës dhe e vendos çdo gjë në vendin e vet pa nënvleftësuar dhe lënë mënjanë asnjë pikë madje. Marrëdhëniet e pjesëve me të tërën, vendin e të tërës përballë pjesëve të veta i parashtron me veçoritë më të imta dhe u jep përgjigje të ndryshme edhe pyetjeve më të vogla që mund t’i kalojnë njeriut nëpërmend lidhur me gjithësinë, këtë libër të madh e këtë ekspozitë të madhe. Duke e analizuar gjer në hollësinë më të imtë enigmën e paraskenës dhe prapaskenës së gjithësisë, në asnjë mënyrë nuk i lë vend nëpër mendjet ndonjë dyshimi çfarëdo. Po, në ato detajizimet e veta tejet të imta, Kur’ani nuk i lë shesh ndonjë boshllëku çfarëdo as në mendje, as në logjika, as në ndjenja; ai i përfshin në atë mënyrë mendjen, vetëdijen, ndjenjën dhe njohjen e njeriut dhe imponon në atë mënyrë pranimin e thënieve të veta, saqë përballë kësaj ndikueshmërie transcendentale të tij, njeriu, pothuaj si udhëtarët e së vërtetës që e kanë kapërcyer kornizën e atributit dhe hapur ndaj Individualitetit të Lartë, ecën nga mahnitja në tmerrim, nga tmerrimi në ngrirje, paloset më dysh me frikë dhe pëshpërit me vete: “Po qe se detet do të bëheshin bojë për të shkruar fjalët e Zotit tënd, madje kësaj sasie t’i shtohej po aq, detet do të mbaroheshin, kurse fjalët e tij (lidhur me urdhrat e legjislacionit dhe krijimit) nuk do të mbaroheshin!” Ja, pra, Kur’ani është çelësi i artë i këtij thesari fjalësh të pashtershëm, kurse besimi, dhëmbët ose shifrat e këtij çelësi enigmatik. Unë them se nuk është e mundur që dikush i cili ka në dorë këtë çelës dhe këta shifra, të ndjejë nevojë për tjetër gjë në çështjet themelore lidhur me gjithësinë, materien dhe njeriun!
Askush të mos pandehë se me këto fjalët e mia të mjera, unë po i thur një panegjirik Kur’anit! Më së pari, kush jam unë që t’i thur lavde atij?
Në e cilësoftë dikush atë, e cilëson Hazreti Vassaf;
Dje dhe sot, në botën qiellore, shpirtrat radhë-radhë
E madhërojnë atë ashtu që ti e pandeh tavaf!
Mund të dalin njerëz që të mos i shohin dot këto merita mrekullore të Kur’anit përsa u përket elementëve fjalësorë abstraktë, vetëm se është krejt e qartë se ata që kanë përdorur ndërgjegjet, kurrë nuk janë gënjyer. Sidomos nëse e kanë parë atë ndikimin e tij të jashtëzakonshëm gjer tani në përmasa botërore!
Në atë periudhën e parë kur Kur’ani e nderoi faqen e tokës me ardhjen e tij, ushtroi një ndikim aq të papërfytyrueshëm si në shpirtra, ashtu dhe në mendje e zemra, saqë përsosmëria e brezave të rizgjuar në jetë nën atmosferën e tij prej drite është një mrekulli në përmasa që s’lënë nevojë për mrekulli të tjera mbi të dhe, gjithashtu, është e pamundur të gjenden të ngjashmit e atyre njerëzve për sa u përket besimit, fesë, horizontit të mendimit, moralit të tyre, si dhe njohjes dhe ndjerjes prej tyre të enigmës së pozitës së robit ndaj Allahut dhe adhurimit ndaj Tij! Ç’është e vërteta, në atë periudhë, Kur’ani përgatiti një brez të tillë me emrin “sahabe”, që nuk teprohet po të thuhet se ai brez ka qenë i njëvlershëm me engjëjt. Në të vërtetë, edhe sot, madje, Kur’ani vazhdon t’ua ndriçojë zemrat atyre që i drejtohen atij me gjithë zemër dhe t’ua pëshpërisë enigmat më intime të ekzistencës atyre që munden t’ia hapin shpirtin atij, ashtu që ata që hyjnë në atmosferën e tij me zemrën, vetëdijen, ndjenjat dhe njohjen e tyre, u ndryshojnë aty për aty ndjenjat dhe mendimet dhe çdo njeri, qoftë edhe në masë të caktuar, e ndjen veten në një botë tjetër, të ndryshme. Po, edhe sikur një herë t’i drejtohet njeriu atij me gjithë zemër, nuk shpëton dot më nga ndikimi i tij. Nxënësin që ka mundur ta tërheqë në atmosferën e vet, Kur’ani ashtu e zbut, ashtu e brishtëson, ashtu e gatuan dhe e formëson që, nëse njeriu do të bëhej në vetvete diçka, bëhet vetëm në sajë të kësaj; madje, shpesh herë, edhe të pandreqshmit hyjnë, nën hijen e tij, në një proces formimi që i lë me gojë hapur të gjithë! Në Kur’an thuhet: “Po qe se malet do të viheshin në lëvizje, kjo do të bëhej e mundur vetëm me anë të Kur’anit; po qe se toka do të bëhej copë-copë dhe të vdekurit do të mund të bëheshin që të flisnin, prapë kjo do të bëhej e mundur vetëm me anë të Kur’anit!” Kështu thotë Kur’ani, sepse ai ka ushtruar një ndikim të tillë në zemrat, në vetëdijet, në ndjenjat e në mendjet, që kjo ndikueshmëri e tij nuk mbetet pas nga lëvizja e maleve, nga copëtimi copë-copë i tokës, nga bërja e të vdekurve që të flasin dhe nga dhënia jetë kufomave të kalbura prej mijëra vjetësh!
Sahabet, çdonjëri prej të cilëve është një hero zemre dhe shpirti, janë një bashkësi e jashtëzakonshme e dalë në klimën e begatë dhe frymëzuese të Kur’anit Ata kanë ushtruar një ndikim aq të thellë mbi një pjesë të madhe të tokës dhe mbi një të pestën e njerëzimit, saqë në këtë punë të mrekullueshme të përmasave të shkuljes së maleve, të dhënies jetë kufomave pa jetë dhe të lidhjes së tokës me qiellin, është e pamundur të tregohet një bashkësi tjetër që të mund të matet me ta! Ata njerëz që ia patën dhënë zemrën Kur’anit, që qenë gatuar dhe formësuar me disiplinat qiellore të tij, më drejt, që qenë bërë Kur’an në shpirt e në kuptim, me Furkanin e patën bërë të pamundurën të mundur, shpirtrave të vdekur u patën hapur rrugët e ekzistencës së përjetshme, ia patën ndryshuar trajtën faqes së tokës, i patën bërë popujt me të cilët patën rënë në kontakt, të ndjenin kënaqësinë e botës së përtejme, patën thyer zinxhirët e hedhur mbi mendjet dhe patën zgjidhur zinxhirët me të cilët patën qenë lidhur gojët, e patën ulur përsëpari njeriun për sa i përket vendit të tij të veçantë në krijim, në vendin ku e pati ulur Allahu, ia patën kthyer njeriut konsideratën e humbur, i patën interpretuar përsëpari gjithësinë, materien dhe njeriun, e patën theksuar edhe një herë tjetër atë marrëdhënie të thellë dhe enigmatike mes urdhrave të krijimit dhe rregullave legjislative, duke përcaktuar dhe parashtruar qëllimet finale të zemrës, vullnetit, ndjenjës dhe vetëdijes, për rrjedhojë, duke i vënë në lëvizje parimet dhe metodat e vënies në zhvillim të vlerave relative, proporcionale dhe potenciale të shpirtit të njeriut, e patën orientuar njeriun e thjeshtë për t’u bërë njeri i përkryer dhe, kështu, e patën bërë atë ta ndjejë praninë e Zotit me fuqi dhe vullnet të pafundmë në çdo gjë ku shkon syri, ku arrijnë ndjenjat dhe që e ndjen zemra, dhe çdo gjë e patën shpënë në vendin e vet duke e lidhur me të zotin e vet!
Po qe se besimtari i ka syrin dhe zemrën të hapur, i ka ndjenjat dhe shpirtin të zgjuar dhe mendjen dhe mendimin të lidhur pas Allahut në këtë përmasë, quhet se ai njeri është distancuar nga të gjitha vulgaritetet e anës materiale të jetës, se ka nisur ta ndjejë jetën në një trajtë tjetër dhe se është zgjuar ndaj tejkufirit të botës së ndjesive; një burrë i tillë i së vërtetës, në çdo element, në çdo copë të ekzistencës ndjen të dallgëzohet dituria e Allahut dhe të funksionojë dora e fuqisë hyjnore, jeton njëherit në shpresë e frikë me një ndjenjë tronditjeje dhe një vetëdije afërsie dhe, brenda kufizimit kohor dhe material të botës së vet, përsillet gjer në pikat më fundore të botës tjetër. Duke marrë frymë, merr me shpresë dhe pritje, kurse duke dhënë, jep me frikë dhe impresionim. Gjithmonë po kështu shëtit mes vijave dhe kornizës së përvijuar nga Kur’ani dhe e jeton jetën vazhdimisht në një përbashkësi ngjyrash!
PROFETESIA (INSTITUCIONI PROFETIK)
Koncepti profet
Fjala persishte pejgamber do të thotë udhëzues, prijës dhe përfaqësues i dërguar. Kurse në terminologjinë fetare, pejgamber quhet përfaqësuesi i Allahut i zgjedhur prej Tij ndër njerëzit, robtë e Tij, i nderuar me vahjin ose komunikimin hyjnor dhe i ngarkuar me detyrën për t’u përcjellë njerëzve urdhrat dhe ndalimet e Tij.
Barazvlerës të fjalës pejgamber në arabishte janë fjalët resul dhe mursel. Resul ose mursel quhet pejgamberi (profeti) i dërguar te njerëzit me një libër të ri dhe me një legjislacion të ri. Shumësi i këtyre fjalëve është rusul dhe murselun. Një tjetër fjalë që në Kur’an shpreh kuptimin pejgamber, është fjala nebi. Edhe nebiu është përfaqësuesi i Allahut i dërguar te njerëzit për t’u njoftuar atyre urdhrat dhe ndalimet e Allahut, ndërkaq, i papajisur me libër dhe legjislacion të ri, por i ngarkuar me detyrën për të vazhduar kumtimin e librit dhe legjislacionit të dërguar me anë të pejgamberit (profetit) paraardhës. Shumësi i kësaj fjale është enbija. Fjalët risalet dhe nubuvvet që janë paskajore, kanë kuptimin pejgamberí (profetësí) ose institucioni pejgamberik (profetik).
Shënimet
- 86.Në këto dy përkufizime janë përdorur termat tevatur që do të thotë “përcjellje masive me miratim të përgjithshëm nga brezi në brez” dhe tilavet që do të thotë “lexim, mënyrë leximi”. Përkthyesi.
- 87.E ka fjalën për profetin Muhamed i cili nuk dinte shkrim e këndim.
- 88.Shih. Hashr, 59/7.
- 89.Shih. Nexhm, 53/39.
- 90.Shih. Nisa, 4/58.
- 91.Shih. Maide, 5/32.
- 92.Shih. Nur, 24/40.
- 93.Shih. En’am, 6/125.
- 94.Për ajetet që flasin mbi akuzat e mushrikëve, shih Enbija, 21/5; Saffat, 37/36; Sad, 38/4; Dharijat, 51/52. Këtu e shohim me vend që ta kujtojmë këtë specifikë: Në atë periudhë, gjuha qe zhvilluar shumë dhe pati arritur në një nivel të caktuar, por si gjuhë, arabishtja ishte e varfër në kuptimet metafizike, në konceptet dhe format e shprehjeve shkencore, fetare dhe filozofike. Kjo gjuhë që vlente vetëm për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e njeriut të shkretëtirës, arriti me Kur’anin në mënyrë të menjëhershme një vlerë dhe pasuri të tillë, saqë të ishte e aftë të shprehte të gjitha temat dhe çështjet shkencore, ekonomike, juridike, sociale, administrative dhe metafizike! Eshtë e pamundur që në historinë e gjuhësisë të haset një dukuri e tillë. Një revolucion filologjik që të përfshinte edhe kohët dhe hapësirat e tjera, nuk mund të pritet jo nga një person pa shkrim e këndim, por as nga qindra specialistë, madje!
- 95.Tevbe, 9/43.
- 96.E shpifjes kundër nderit të të shoqes Aishe. Përkthyesi.
- 97.Kështu, në një ajet me cilësi ndriçuese të kësaj specifike, thuhet: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve e të tokës, në ndjekjen e ditës nga nata e të natës nga dita, ka prova (që tregojnë ekzistencën, fuqinë dhe urtësinë e Tij) për ata që kuptojnë!” (Al-i Imran, 3/190)
- 98.Guaskë midhjesh margaritare; këtu me kuptim të figurshëm. Përkthyesi.
- 99.Në origjinal: Mele-i A'la. Përkthyesi.
- 100.Profeti Muhamed.
- 101.Në origjinal: Furkan-› Ziflan; Furkan që është një nga atributet dhe emërtimet e Kur'anit, do të thotë dallues, diferencues i të vërtetës nga gënjeshtra.
- 102.Në origjinal: arfl-i Rahman.
- 103.Në origjinal: met’hije, panegjirik, lirikë lavdëruese dhe himnizuese. Përkthyesi.
- 104.Vassaf: cilësues, karakterizues, lavdërues; këtu aludohet për Allahun, i cili, siç shprehet në varg, është i vetmi që mund ta cilësojë, karakterizojë dhe lavdërojë Kur’anin. Përkthyesi.
- 105.Tavafi është lloji i adhurimit që bëhet duke u rrotulluar rreth Qabes.