IMANI0%

IMANI

Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I

Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)

Ekipi i Studimeve Akademike

Profeti ynë, Muhamedi (alejhissalatu vesselam), profeti i fundit, krenaria e gjithësisë

Meqë këtu nuk ekziston mundësia për ta treguar në mënyrë të gjithanshme profetësinë e çdo profeti, besojmë se duke treguar për profetin tonë (alejhissalatu vesselam), i cili na tregon për të gjithë profetët dhe librat e tyre dhe na kërkon t'u besojmë atyre, do të kemi treguar për të gjithë ata dhe do t'i kemi kuptuar të gjithë ata!

Një vështrim i shkurtër mbi jetën e tij të çmuar

Profeti ynë (alejhissalatu vesselam), jeta e të cilit, mbështetur në dokumente historike, njihet me hollësi nga lindja gjer në vdekje, e ka nderuar botën tonë në qytetin Mekë të Gadishullit Arabik në vitin 571 e.r. Ai i përket familjes hashimite, një familjeje me rrënjë nga fisi i shquar Kurejsh i zonës. I ati është Abdullahu, i biri i Abdylmuttalibit nga parësia kurejshe, kurse e ëma, Amineja, bija e Vehbit nga fisi Dhuhre. Muhamedi (alejhissalatu vesselam), i cili e humbi të atin para se të lindte, qëndroi dy vjet nën mbrojtjen dhe kujdesin e të gjyshit. Pasi e humbi edhe atë, shkoi pranë të ungjit Ebu Talib. Muhamedi i kaloi vitet e vegjëlisë në Mekë dhe në rrethinat e saj. Në moshën dymbëdhjetë vjeçe udhëtoi për në Siri me karvanin tregtar të të ungjit Ebu Talib. Pas moshës njëzetvjeçare, shkoi për të dytën herë në Siri në krye të karvanit tregtar të Hatixhesë, bijës së Huvejlidit, një nga tregtarët e pasur të Mekës. Në moshën njëzet e pesë vjeçe u martua me Hatixhenë. Në moshën dyzet vjeçe filloi të përjetojë disa përvoja shpirtërore që s'i kishte ndjerë më parë dhe u tërhoq në vetmi në shpellën Hira në majë të malit Nur të Mekës. Pastaj, këtë tërheqje në vetmi e ktheu në zakon. Një ditë ndërsa ndodhej i vetëm në shpellën Hira, i erdhi një engjëll me trajtë njeriu dhe i tha: "Lexo!" Muhamedi (sal'lallahu alejhi vesel'lem) ia ktheu: "Unë nuk di të lexoj!" Atëherë, engjëlli e shtrëngoi fort dhe i tha përsëdyti: "Lexo!" Pasi kjo u përsërit për të tretën herë, engjëlli i transmetoi këtë fjalë hyjnore:

"Lexo me emrin e Zotit tënd krijues që e ka krijuar njeriun prej një qelize ngjitëse! Lexo (dhe dije) se Zoti yt i cili ia mësoi njeriut ato që s'i dinte, i cili e mësoi njeriun të shkruajë me kalem, është bujar i madh!" (Alak, 96/1-5)

I ngarkuar me detyrën profetike, Profeti (alejhissalatu vesselam) filloi t'ua kumtojë pa humbur kohë njerëzve vahjin (zbulesën) që mori nga Allahu dhe i ftoi ata në tevhid, në besimin monoteist islam mbi Allahun, Zotin e gjithësisë. Gjatë veprimtarisë ftuese që e zhvilloi bashkë me shokët, iu nënshtrua vështirësive, shqetësimeve dhe vuajtjeve të padurueshme. Pas kësaj, në vitin e trembëdhjetë të profetësisë, emigroi në Medine. Aty, me gjithë luftërat e ashpra dhe pengesave, Profeti e plotësoi me sukses detyrën profetike dhe, në vitin 632 e.r., si çdo qenie e vdekshme, edhe ai eci drejt Zotit të vet duke u lënë njerëzve pas si porosi fjalën e Allahut dhe sunetin e vet!

ARGUMENTET E PROFETËSISË SË PROFETIT MUHAMEDIT

Lajmërimi i ardhjes së Profetit Muhamed në librat hyjnorë

Në librat hyjnorë të kaluar ka shprehje që parashikojnë profetësinë e Hz. Muhamedit (alejhissalatu vesselam) dhe lajmërojnë se ai do të dërgohet si profet te njerëzit. Megjithëse Teurati dhe Ungjilli kanë pësuar shumë ndryshime, në ekzemplarët e tyre që kemi në dorë ka shumë shenja mbi këtë çështje.

Nga Teurati do të mjaftohemi me përmendjen e vetëm katër prej këtyre shenjave.

“… Moisiu ka thënë: “Zoti do të nxjerrë për ju nga vëllezërit tuaj një të dërguar si unë dhe ju duhet t’ia dëgjoni fjalën. Dhe të gjithë profetët, Samueli (Ismaili) dhe ata që kanë ardhur me radhë pas tij, që të gjithë shpallën këto ditë për të cilat po flitet!”

“... dhe Zoti yt nuk nxori më në Izrael një profet si Moisiu!”

“Ndër të vëllezërit e tyre do të nxjerr për ta një të dërguar si ti dhe do t’i vë në gojë fjalët e mia dhe do ta urdhëroj atë dhe ai do t’ua thotë çdo gjë atyre!”

“Zoti erdhi nga Sinaja dhe u lindi atyre nga ana tjetër; shkëlqeu në malet Paran dhe erdhi nga mesi i qindramijëra të të bekuarve. Në të djathtë të tij kishte për ta një vendim prej zjarri!”

Duke u nisur nga citimet e bëra nga vende të ndryshme të Teuratit, mund të bëjmë këto përcaktime:

Me fjalën “vëllezërit tuaj”, me të cilën profeti Musa u drejtohet të bijve të Izraelit me prejardhje nga Is’haku, i biri i Ibrahimit, shënohen të bijtë e Ismailit, vëllait të Is’hakut. Kurse profeti që ka për të ardhur nga të bijtë Ismail, mund të jetë vetëm profeti Muhamed (alejhissalatu vesselam), sepse vetëm ky ka rrjedhur nga soji i Ismailit. Këtu, mund të mendohen Jusha dhe Isai si profetë të ardhur më pas, vetëm se që të dy e kanë prejardhjen jo nga Ismaili, por nga të bijtë e Izraelit. Kështu, në sentencën e dytë, Hz. Musai e shpreh hapur se një profet si ai vetë nuk ka për të dalë më nga të bijtë e Izraelit.

Me fjalën “si unë”, profeti Musai e ka fjalën për profetin e ardhshëm Muhamed, sepse në shumë veçori të detyrës profetike e të legjislacionit që solli, ku futen xhihadi ose lufta fetare, ligjet dhe ndëshkimet, autoriteti i fjalës mes bashkësisë, etj., është Hz. Muhamedi që i përngjet Hz. Musait, jo Jusha dhe Isai.

Shprehja “do t’i vë në gojë fjalët e mia” aludon për faktin se, megjithëse profeti i ardhshëm (Muhamedi) s’do të dijë shkrim e këndim, do ta këndojë Kur’anin përmendësh. Allahu i Lartë ia zbriti vahjin të dërguarit të vet dhe ai ua përcolli të tjerëve gojarisht, gjë që do të thotë se në këtë çështje ai është vetëm në pozitën e një ndërmjetësi. Ky ajet i Kur’anit tërheq vëmendjen mbi këtë specifikë: “(O i Dërguar!) Me të vërtetë, ky (Kur’an) është një libër i zbritur nga Zoti i botëve. Atë e zbriti Shpirti i

Besueshëm (Xhibrili) me një arabishte të qartë në zemrën tënde që të bëhesh nga paralajmëruesit. Kjo (zbritja e Kur’anit), pa dyshim që është edhe te librat e paraardhësve. A nuk është njohja e kësaj nga dijetarët e të bijve të Izraelit, një argument për ta?” (Shuara, 26/192-197)

Shprehja “ardhja nga Sinai” do të thotë se Musait iu dhanë ligjet e Zotit në malin Sina. Shprehja “lindja nga ana tjetër” do të thotë se profetit Isa iu dha ungjilli. Kurse “shkëlqimi në malet Paran” do të thotë “i dalë në vendin e maleve Paran”, gjë që do të thotë se profeti Muhamed do të dalë në Mekë. Paran që në arabishte është në trajtën Faran, është jo vetëm emri i vjetër i Mekës; në pjesën “Gjeneza” të Librit të Shenjtë thuhet se Ismaili jetonte në shkretëtirën Paran. Me “të bekuarit”, nga mesi i të cilëve do të dilte profeti i ardhshëm, shënohen familja dhe sahabet, shokët e Profetit. Me “vendimin prej zjarri nga e djathta” aludohet për xhihadin në Islam.

Këto shenja mund të shihen edhe në tekstet e Ungjillit që kemi në duar.

“Guri u bë kreu i këndit... dhe ajo qe në sytë tanë një punë për t’u çuditur... Sundimi i Zotit do të merret prej jush dhe do t’i jepet një populli që do t’i mbarështojë frytet e Tij dhe kush të bjerë mbi këtë gur, do të copëtohet; dhe mbi kë të bjerë ky gur, do ta thërrmojë atë si pluhur…”147

“Zoti do t’ju japë juve një Faraklit tjetër që të jetë bashkë me ju!”

“... Ai do t’jua mësojë juve çdo gjë dhe do t’jua kujtojë çdo gjë që ju kam thënë...”

“... po të mos shkoj unë, Farakliti s’vjen... dhe, kur të vijë ai, do ta bindë botën për falje dhe veprim!”

“Guri i këndit” që përmendet në ajetin e parë, nuk mund të jetë profeti Isa, sepse s’ka ndodhur ndonjë copëtim nën Isain dhe gjërat që solli ai, apo thërrmim si pluhur, por nën profetin Muhamed, si dhe, sepse Isai nuk solli ligj, nuk sundoi, por solli ligj dhe sundoi profeti Muhamed; vetë Isai thotë se nuk ka ardhur për të vënë ligje e për të sunduar. Nga ana tjetër, në hadithet profetike, profeti Muhamed pohon vetë se është guri i këndit i ndërtesës profetike, për rrjedhojë, me profetin tonë plotësohet misioni profetik.

Origjinali i fjalës “Faraklit” që përmendet më sipër, është greqisht në trajtën “Piriklitos” që ka për përgjegjëse fjalën arabishte “Ahmed”. Ahmed është emri i profetit Muhamed dhe në Kur’an pohohet hapur se emri i tij në ungjill është Ahmed. Ndërkaq, ne sot nuk kemi ndër duar shumë nga ungjijtë që flasin hapur për të ardhmen dhe vetitë e profetit Muhamed.

Morali i tij i lartë e i pashoq

Është një e vërtetë e fiksuar nga të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me historinë, se në të gjitha periudhat e jetës si para profetësisë, ashtu dhe pas profetësisë, profeti Muhamed (sal'lallahu alejhi vesel'lem) ka qenë një njeri i përsosur “me moral të lartë” që i bënte të mira çdo njeriu, që ua plotësonte nevojat nevojtarëve, që bënte një jetë të thjeshtë, që kurrë s’gënjente, që mundej t’i falte ata që i bënin keq dhe të cilit mund t’i besohej për çdo gjë. Moralin e tij të pashoq, Kur’ani e shpreh kështu:

“Me të vërtetë, ti qëndron mbi moralin më të lartë i cili, meqë është me dimensione kur’anore dhe bosht hyjnor, është e pamundur të përfshihet dhe të njihet!” (Kalem, 68/4)

Përballë çdo lloj gjendjeje, situate dhe pengesash, të mund t’i jetosh të gjitha vlerat morale dhe të japësh një shembull të gjallë të këtyre vlerave në çdo etapë të jetës, mund të jetë e mundur vetëm për një profet të edukuar drejtpërdrejt me edukatën hyjnore.

Profeti Muhamed i mblidhte në vetvete të gjitha tiparet e bukura në atë mënyrë që të formonin personalitetin më të lartë. Ai ishte tejet i guximshëm dhe i ashpër por, në të njëjtën kohë, tejet modest, i butë dhe paqësor. Më e rëndësishmja është se, jo vetëm guximi dhe ashpërsia e tij nuk patën arritur gjer atje sa të thyenin dhe rrënonin zemrat, por as modestia dhe prirja e tij për t'i falur të tjerët nuk patën rënë kurrë gjer në nivelin e mjerimit dhe mjerimit dhe frikacakërisë. Profeti ynë ishte sa serioz dhe i ashpër, aq dhe njeri i qeshur dhe që të jepte qetësi. Ai ishte sa i fortë dhe i vështirë, aq dhe njeri që i donte shumë njerëzit dhe tregonte mëshirë për ta. Megjithëse ndodhej në një pozitë moralo-shpirtërore që ata që e donin i drejtoheshin me ndjenjat më të thella, ai ishte aq i thjeshtë dhe modest sa të shtrohej dhe bisedonte edhe me një fëmijë! Gjithashtu, ai ishte tejet bujar por edhe aq ekonomiqar sa të mos e kthente bujarinë gjer në shpenzim të tepërt dhe shpërdorim. Gjendja e një njeriu që mbledh dhe i jeton edhe shumë cilësi të tjera morale të bukura si këto si dhe që është model në këtë drejtim, mund të shpjegohet vetëm me faktin që ai njeri është i posaçëm dhe i ngarkuar me një detyrë të lartë, pra, që është profet!

Profeti ynë (alejhissalatu vesselam), i cili gjatë gjithë jetës pati parapëlqyer të bënte një jetë të thjeshtë, i pati refuzuar çdo radhë premtimet materiale si pozita dhe pasuria që i qenë bërë për shumë herë me radhë. Ai pati siguruar që edhe familja dhe fëmijët t'u qëndronin larg këtyre gjërave. Kjo ndjeshmëri e tij kuptohet më mirë si po të shihen pjesëtarët e familjes për të cilët marrja e zekatit dhe sadakasë qenë të ndaluara, ashtu dhe e bija Fatime së cilës nuk i qe dhënë leje as për të vënë një varëse qafe. Fakti që Profeti nuk ndërroi fare as në periudhën e Medines pasi arriti suksese të ndryshme, fitore dhe mundësi ekonomike, tregon për gradën e drejtësisë dhe ndershmërisë të moralit të tij të lartë. Fakti që edhe pas fitoreve dhe ngadhnjimeve të mëdha, madje, atij nuk iu turbullua vështrimi, nuk iu muarën mendtë dhe që e përfundoi detyrën siç e nisi, është një nga argumentet dhe provat më të shkëlqyera të profetësisë së tij!

Shkurt, po të supozojmë se në fjalët dhe sjelljet e tij do të kishte gënjeshtër dhe mungesë sinqeriteti, patjetër që do të tregonte ndonjë të çarë qoftë para profetësisë, qoftë në periudhën e profetësisë dhe, atëherë, armiqtë që prisnin rastin, do të përfitonin nga kjo dhe, pa i prekur armët, do t'ia arrinin qëllimit.

Prandaj, mund të themi me lehtësi se, edhe sikur Profeti të mos kishte asnjë mrekulli, vetë personi i tij është një argument, provë dhe dëshmi e drejtësisë, ndershmërisë dhe profetësisë së tij!

Transformimet që bëri në historinë e njerëzimit

Është e pamundur që në historinë e njerëzimit të gjendet një njeri i dytë që ta ketë njohur, gatuar dhe përgatitur më mirë se profeti ynë elementin njeri që është një qenie komplekse, që ta ketë bërë atë model për t'ia lënë historisë, dhe që njerëzit që përgatiti, t'i ketë shndërruar në mësues dhe udhërrëfyes për popujt e qytetëruar.

Profeti Muhamed (sal'lallahu alejhi vesel'lem) është një profet i vërtetë i ardhur nga i Vërteti (Zoti) me mesazhe të vërteta. Jeta e pastër që vuri në shesh dhe transformimi i pashoq që realizoi, janë prova dhe argumente të pakundërshtueshme të faktit se ai ka folur në emër të Allahut.

Nisur nga kjo, e shohim me vend të kujtojmë disa specifika.

Si mund të dyshohet për profetësinë e Personit i cili vendosi një rregull universal që e përfshinte jetën me të gjitha aspektet e saj dhe s'kishte të bënte me të meta të tilla si vjetërimi nga koha, pamjaftueshmëria dhe nevoja për rishikim dhe korrigjim, duke e filluar punën me një burrë, me një fëmijë, me një skllav dhe me një grua si dhe brenda një kohe 23-vjeçare që mund të quhet shumë e shkurtër? Si mund të shpjegohet ndryshe fakti që ai Person i cili nuk kishte marrë asnjë arsimim pedagogjik, nuk kishte mbaruar asnjë shkollë ushtarake, nuk kishte marrë dëftesë nga asnjë shkollë ekonomike, pa le që nuk dinte shkrim e këndim, thoshte në çdo fushë fjalë që e kapërcenin kompetencën e specialistëve përkatës, fjalë që nuk gabonin e nuk vjetëroheshin?

Nga një mjedis ku të varfërit dhe të pafuqishmit shtypeshin me të gjitha mënyrat dhe mundësitë, ku njerëzit vlerësoheshin sipas fisit dhe sojit, ku tregun e kishte marrë në dorë kamata dhe spekulimi dhe ku forca ishte bërë ligj, e shprehur ndryshe, nga njerëzit inatçinj, përdhunues dhe që u pëlqente vetja, të shkretëtirës, nxori udhërrëfyesit më me rëndësi të njerëzimit. Me ç'mund të shpjegohet kjo përveç se me profetësinë e tij?

Është sheshit se gjer në ç'gradë është e vështirë të ndryshohen dhe ndërrohen besimet dhe bindjet e shtresuara në kokë dhe zemër, sidomos shprehitë e gradës së ideve fikse dhe manive, veçanërisht, është më e vështirë t'i bësh njerëzit që kanë kaluar një moshë të caktuar, t'i braktisin bindjet e gabuara dhe bestyte. Sot konsiderohet sukses shumë i madh jo më t'i bësh njerëzit të braktisin vese të tilla, si pijen, bixhozin, prostitucionin, mitën (ryshfetin), mashtrimin, por, madje, duhanin. Megjithëse shkencëtarët nuk pushojnë së shpjeguari dëmet e tyre, nuk po braktisen as duhani, as pija, as bixhozi.

Tani le të zgjatemi në shekullin të cilit profeti ynë (sal'lallahu alejhi vesel'lem) ia ndërroi fytyrën dhe le të bëhemi dëshmitarë të faktit se, megjithëse vetë nuk ishte sundimtar, pra, nuk e bëri punën me asnjë lloj urdhri dhe shtrëngimi - fundja, as që kishte mundësi të përdorte urdhrin dhe shtrëngimin - ai Person hoqi me pak mundësi dhe brenda një kohe mjaft të shkurtër nga fiset dhe popullatat e ndryshme kryeneçe, fanatike dhe të lidhura gjer në fund pas traditës, që zakonet dhe veset u ishin ngulitur gjer në damarë, jo një, por dhjetra, mbase qindra vese, shprehi dhe zakone. Dhe, për më tepër, shohim se nuk u mjaftua me heqjen e veseve dhe zakoneve, por, në vend të tyre, shtresoi cilësi dhe veti që e bëjnë njeriun njeri! Atëherë, a nuk i duhet thënë njeriut që i ka ditur dhe bërë këto, "ti je i dërguari (resuli) i Allahut"?

Duke i bërë të gjitha këto punë, Ai (alejhissalatu vesselam) hyri në zemra jo duke përdorur frikësimin dhe shtrëngimin, por me rrugën e bindjes mbështetur në parimin për ta bërë të dashur qëllimin dhe synimin. Fundja, po qe se do të kishte përdorur kërcënimin, detyrimin dhe shtrëngimin, do të ishte e pamundur që feja që solli të kapërcente shekujt e të vinte gjer në ditët tona! Me afërsinë, lejueshmërinë, mirëkuptimin, mëshirën, dhembshurinë dhe ndjenjën e faljes, Ai pati ngadhnjyer jo vetëm zemrat e miqve, por një e nga një edhe zemrat e armiqve, madje, që patën zhveshur shpatën kundër tij, si Halid, Vahshi, Ebu Sufjan, Hind, Ikrime dhe Safvan.

Po qe se s'është e mundur të tregohet një njeri i dytë i cili, me Kur'anin që e kumtoi dhe Sunetin, traditën e tij, që është komenti i gjallë i Kur'anit, përbën model për jetën individuale e shoqërore të një të katërtës së popullsisë së botës dhe emri i të cilit përmendet me zë të lartë në të katër anët e botës të paktën pesë herë në ditë - dhe që s'është e mundur - atëherë, a nuk duhet menduar se "një njeri i tillë mund të jetë vetëm një profet që e ka marrë forcën nga Allahu"?

Njoftimet mbi të kaluarën dhe të ardhmen

Njohja e të fshehtës i përket plotësisht Allahut. Kur'ani tërheq vëmendjen mbi këtë të vërtetë në shumë ajete të tij. Prandaj, si njeri që ishte, Profeti nuk e njihte të fshehtën, por njihte vetëm aq sa ia bënte të ditur Allahu. Me të vërtetë, kjo specifikë shprehet kështu në një ajet:

"Është Ai që e njeh të fshehtën. Ai nuk e bën askënd të informuar mbi të fshehtën me përjashtim të të dërguarit (resulit) për të cilin dëshiron..." (Xhin, 72/26-27.

Profeti Muhamed nuk thoshte gjë nga vetja; ato që thoshte ishin vetëm ato për të cilat e informonte Allahu. Nisur nga kjo, njoftimet e Profetit mbi të panjohurën do t'i trajtojmë në dy grupe: a) mbi të kaluarën dhe b) mbi të ardhmen.

Asnjëri prej njoftimeve dhe informacioneve të dhëna prej tij me ndërmjetësimin e Kur'anit si mbi individët, ashtu dhe mbi popujt e kaluar, si fiset Ad, Themud dhe Irem, nuk janë përgënjeshtruar me kërkimet shkencore dhe gërmimet arkeologjike që vazhdojnë të bëhet qysh prej shumë shekujsh, përkundrazi, janë vërtetuar çdo ditë që ka kaluar me anë të gjetjeve dhe zhvillimeve të reja. Veçanërisht, ai i ka parashtruar thëniet dhe tregimet e tij jo vetëm si ngjarje të mbetura në histori, por si skena shembullore nga të cilat duhet nxjerrë mësim. Me se mund të shpjegohet, vallë, veçse me anë të profetësisë së tij, fakti që profeti ynë (alejhissalatu vesselam) që s'dinte shkrim e këndim, përballë dijetarëve edhe të kohës së tij, edhe të kohëve të ardhme, i kritikoi i sigurtë në vetvete librat e shenjtë me burim hyjnor, si Teuratin dhe Ungjillin, duke ua vërtetuar gjërat e drejta dhe duke ua rregulluar aspektet e gabuara e të korrigjuara?

Me përjashtim të njoftimeve të Kur'anit, këtu mund të përmendim disa prej njoftimeve të tij mbi të fshehtën që, sipas tij, do të ndodhnin në të ardhmen. Para se të ndodhte lufta e Bedrit, Profeti njoftoi edhe vdekjen e mohuesve të tillë, si Ebu Xhehli, Utbe, Shejbe dhe Velid, edhe vendin se ku do të binin të vrarë, gjë që u vërtetua. Profeti njoftoi se, nga familja e tij, e bija Fatime do të ishte ajo që do të takohej e para me të pas vdekjes së tij dhe Fatimja vdiq gjashtë muaj pas të atit. I nipi Hasan ishte ende i vogël kur Profeti tha kështu për të: "Ky është biri im Hasan, ky është sejjid (zotëri), me të Allahu ka për të bërë pajtim mes dy grupeve të forta"; pastaj, kur i erdhi koha, kjo ngjarje u vërtetua plotësisht. Profeti pati njoftuar se Ammar b. Jethiri do të vritej gjatë një konflikti,158 se fisi i tij nga e ëma,

Ummu Haram, do të merrte pjesë në një fushatë ushtarake, gjë që ngjau në fushatën e Qipros...160

Profeti ka dhënë njoftime edhe për të ardhmen e largët, të cilat, meqë janë të tilla që kërkojnë interpretim, e kapërcejnë vëllimin e këtij punimi.

Shkurt, duke u përkulur edhe një herë tjetër para këtij Personi pa shkrim e këndim, i cili i ka përcjellë me një saktësi të plotë dhe me një stil të përsosur ngjarjet që patën ndodhur dhe do të ndodhnin shekuj para e pas tij, s'na mbetet gjë tjetër veçse të themi: "Ti je Resuli i Allahut!"

Mrekullitë

Mrekullitë janë gjendje dhe situata të jashtëzakonshme të treguara me anë të profetëve nga Allahu qoftë për të mbështetur drejtësinë dhe saktësinë e vahjit, qoftë për të fuqizuar besimin e muslimanëve dhe për të thyer kryeneçësinë e mohuesve. Mrekullitë e profetit Muhamed mund t'i shqyrtojmë në dy grupe: a) Kur'ani; b) mrekullitë e tjera kozmike.

Mrekullia e përjetshme: Kur’ani

Pa asnjë dyshim, mrekullia më e madhe e profetit Muhamed është Kur'ani. Me veçorinë e tij të zotërimit të një realizmi mbiepokal, para së gjithash qëndron para nesh si një provë dhe argument që mbështet profetësinë e profetit tonë.

Me aspektet e tij mrekullore, si dalja në shesh në dorën e një njeriu pa shkrim e pa këndim, moskundërshtia midis të vërtetave që përmban, njoftimi për çështje të së kaluarës dhe të së ardhmes dhe prekja e njohurive kozmike shekuj më parë, Kur'ani është provë dhe argument krejt i hapur edhe i faktit që është fjalë e Allahut, edhe i profetësisë së Muhamedit (alejhissalatu vesselam).

Çdo profet ka treguar mrekulli lidhur me çështjet e rendit të ditës në periudhën e tij. Për shembull, meqë në periudhën e Hz. Musait (alejhissalatu vesselam), në Egjipt ishte në rend të ditës magjia, ai ka ardhur si profet me mrekullinë e shkopit që i gëlltiti dhe i asgjësoi të gjitha magjitë dhe që i përgjunji të gjithë magjistarët. Meqë në kohën e Hz. Isait (alejhissalatu vesselam) ishte në rend të ditës mjekësia, ai erdhi me mrekullinë e përmirësimit të sëmundjeve të pashërueshme dhe të ringjalljes së të vdekurve. Kurse meqë në kohën e profetit Muhamed (alejhissalatu vesselam) i jepej përparësi poezisë dhe artit të ligjërimit dhe oratorisë dhe ndoshta pse "arti i të folurit" do të bëhej në të ardhmen arma më e efektshme dhe e fuqishme, profeti Muhamed erdhi me mrekullinë Kur'an si mrekullia më e madhe që do t'i bënte të heshtnin të gjithë poetët, ligjëruesit dhe letrarët.

Mrekullitë e tjera dhe specifikat që duhen theksuar lidhur me këto mrekulli

Natyrisht mrekullitë e profetit tonë nuk përbëhen vetëm prej Kur'anit. Meqë ai u dërgua si "mëshirë për të gjitha botët", ka treguar mrekulli lidhur me çdo krijesë. Ashtu siç ndodh që, kur një mbret i madh e dërgon adjutantin ose përfaqësuesin e vet në një zonë të mbretërisë ku jetojnë fise dhe popuj të ndryshëm, përfaqësuesit e atjeshëm të fiseve, popujve, klasave dhe shtresave shoqërore, në emër të atyre që përfaqësojnë, e presin të dërguarin me duartrokitje, me “mirë se erdhe” dhe duke ia parashtruar përgëzimet dhe falenderimet e tyre, ashtu dhe kur Allahu, Zoti i gjithësisë, e dërgoi Hz. Muhamedin, më të madhin përfaqësues të Tij në botë, jo vetëm si të ngarkuar me detyrë, por edhe si mëshirë për të gjitha qeniet e tjera, kështu, me mesazhin e tevhidit, besimit monoteist islam mbi Allahun, Zotin e vetëm të gjithësisë, qeniet e tjera, duke shpëtuar nga dukja si gjë boshe e pa kuptim, morën kuptim dhe fituan vlerë. Dhe, me këtë rast, engjëjt, njerëzit dhe xhindet, dielli, hëna dhe yjet, uji dhe gjërat ushqimore, pemët, malet dhe gurët si dhe të gjitha llojet e kafshëve ia paraqitën atij falenderimet e llojit të vet dhe u bënë në dorën e tij mjete nga mund të nxirreshin mrekullira. Kështu, të gjitha qeniet, duke dëshmuar për drejtësinë e Përfaqësuesit të dërguar si mëshirë për to, e shpallën profetësinë e tij në tërë gjithësinë.

Kjo specifikë që u përpoqëm ta theksojmë, mund të merret si shprehje të hiperbolizuara. Në këtë pikë do të mjaftohemi duke kujtuar këtë: Nuk duhet harruar se mesazhi i sjellë nga profeti Muhamed

(alejhissalatu vesselam), mëshira për të cilën ai u bë pretekst, ka të bëjë me të gjitha botët.164 Sipas kësaj, është mjaft e arsyeshme që çdo botë e gjithësisë të jetë skenë e mrekullive që e vërtetëojnë dërgesën dhe profetësinë e tij!

Mohimi i mrekullisë për sa i përket mundësisë, është i pamundur. Sepse edhe pse mrekullitë janë parë në duar e profetëve, ai që i ka nxjerrë ato në fushën e ekzistencës, ai për të cilin nuk ka gjëra të lehta e të vështira, me shprehjen e Kur'anit, i cili bën atë që dëshiron, është Allahu i Lartë. Si domosdoshmëri e zakonit hyjnor, Allahu (xh.xh.) vepron në kuadrin e shkaqeve dhe ligjive. Ndërkaq, ai s'është i detyruar të veprojë brenda shkaqeve. Nuk mund të flitet për ndonjë detyrim për Allahun. Prandaj, qoftë për të treguar se nuk është i detyruar për asgjë, qoftë për të parandaluar që mendjet të mos bien dhe ngecin në rrjetën e shkaqeve dhe ligjeve, kohë pas kohe vepron ndryshe, kështu, na kujton neve se vullneti dhe fuqia e tij janë të pakufizuara e të pafundme në mënyrë që i kapërcejnë shkaqet dhe ligjet.

Të gjitha mrekullitë nuk janë zhvilluar në çdo vend dhe në atë mënyrë që të gjithë t'i shohin hapur dhe qartë. Po të kishte ndodhur kështu, atëherë ekzistencës së mendjes dhe arsyes nuk do t'i mbetej kuptim. Sepse, në këto kushte, meqë njerëzve do t'u merrej vullneti duarsh, do të shtrëngoheshin të besonin në mënyrë të determinuar, gjë që nuk përputhet me të fshehtën e provës në të cilën ndodhen.

Shumicën e mrekullive e ka përcjellë një bashkësi dhe, pastaj, një masë njerëzish që e kanë pasur të pamundur të merren vesh për të gënjyer. Kurse disa mrekulli, edhe pse s'janë përcjellë nga ndonjë grup në këtë nivel, meqë nuk janë kundërshtuar nga dëshmitarët (sahabe) e tjerë, kanë fituar një fuqi përcjelljeje si të parat.

Mrekullitë e profetit tonë

a) Mrekullitë e përmendura në Kur’an

Ngjarja e miraxhit

Në Kur'an, mrekullia e miraxhit preket në dy vende lidhur me fillimin e ngjarjes dhe të pastajmen e saj.

“Allahu që e çoi një natë robin e vet (Muhamedin), për t’i treguar disa prej provave tona, nga Mesxhidi Haram në Mesxhidi Aksa, mjedisin e të cilës e kemi begatuar, është i pastër prej atributeve të mangëta." (Isra, 17/1)

"Pastaj u afrua dhe u var sa largësia prej dy harqesh ndoshta më afër. Dhe (Allahu) ia zbuloi robit të vet ç’kishte për t’i zbuluar. Dhe zemra (e Muhamedit) nuk i përgënjeshtroi ato që ia panë sytë..." (Nexhm, 53/8-11)

Të tërheq mjaft vëmendjen fakti që, duke e treguar ngjarjen Isra e cila është fillimi i mrekullisë së miraxhit, Kur'ani fillon me shprehje të tilla, si "subhanel'ledhi..." që do të thotë "Allahu që është i pastër nga atributet e mangëta..." Me këtë, në të vërtetë, mesazhi që kërkon të na japë Allahu neve, robve të Tij besimtarë, është ky: Shihni, tani do t'ju njoftoj për një ngjarje, prandaj, kujdes, të mos mendoni se a mund të jetë e vërtetë një gjë e tillë, sepse jam Unë që e realizoj këtë punë dhe për Mua s'ka asnjë lloj vështirësie si shprehje mangësie!

Allahu me fuqi dhe favor të pakufizuar, me favorin e tij e ka marrë pranë Resulin (të dërguarin) e Tij i cili, me devocionin e thellë dhe të kulluar, pati bërë t'i zhvillohet cilësia, dhe e ka bërë të merituar të një veçantie që s'i ka rënë në pjesë asnjë qenieje. Në udhëtimin e miraxhit, Profeti, duke i kapërcyer shkaqet që e rrethonin nga të gjitha anët dhe duke i lënë pas dimensionet-pengesë për ta parë Zotin, nga pozicioni ku ka arritur trupërisht dhe shpirtërisht, e ka vëzhguar Zotin. Në këtë udhëtim të mbushur me të fshehta, Profeti është përshëndetur me profetët, ka parë engjëjt, ka soditur xhenetin dhe bukuritë e tij, ka parë xhehenemin dhe pamjen tronditëse të tij.

Allahu ia favorizoi të dërguarit të tij këtë miraxh me qëllim për t’ia treguar bashkësisë së tij çështjet që i duheshin treguar duke i parë vetë me sy dhe në mënyrë ngopëse, për të na i përcjellë neve gjërat që i besojmë si të fshehta, si vëzhgime të tij, për më tepër, për ta parë Allahun dhe për të na thënë neve "është".

Në këtë udhëtim, profeti Muhamed (alejhissalatu vesselam), pasi e soditi xhenetin, me një orë soditje të të cilit nuk mund të barazohen një mijë vjet jetë të tokës dhe pasi u nderua me vëzhgimin e Bukurisë hyjnore, me një çast vëzhgimi të së cilës nuk mund të barazohet jeta parajsore, pasi i pa dhe i kuptoi të vërtetat e të gjitha çështjeve të Kur’anit dhe cilësitë e tij metaforike, kuptimet dhe urtësitë e të gjitha adhurimeve, Profeti u kthye sërish në tokë mes nesh për të na i treguar neve.

Ndarja e hënës (shakk-i kamer)

Kjo mrekulli të cilën Kur'ani na e njofton duke thënë "Kiameti u afrua dhe hëna u nda" (Kamer, 54/1), përcillet në librat e hadithit. Nga sahabet, Ibni Mes'ud na e tregon kështu këtë ngjarje: "Një herë, ndërsa ndodhesha me të Dërguarin e Allahut në Mina, papritmas hëna u nda në dy pjesë: njëra pjesë në këtë anë të malit, tjetra, në anën tjetër. Para kësaj ngjarjeje, i Dërguari i Allahut na tha: "Jini dëshmitarë!"

Ata që nuk u besojnë mrekullive të këtij lloji, në fakt, nuk kanë mundur ta vërtetojnë dot Allahun dhe fuqinë e Tij. Ata që thonë se "hëna nuk ndahet me anë të mrekullisë", e kuptojnë apo jo, kanë rënë në një rrugë pa krye sikur të thoshin se "Allahu nuk e ndan dot hënën"!

Përsëri, në këtë kuadër, bëhemi dëshmitarë se një sërë persona besimtarë, duke u nisur nga shprehja e ajeteve të formës "... nuk mund të gjesh ndryshim në sunetin/zakonin e Allahut...", dalin me pretendimin se "Allahu nuk e bën këtë punë". Duke iu përgjigjur një qëndrimi të tillë, ne themi po, në gjithësi ka ligje të Allahut që nuk ndryshojnë dhe paraqesin vazhdueshmëri, ndërkaq që, këto veprimtari që zhvillohen në linjën shkak-pasojë, nuk janë pengesë që Allahu të shfaqë një akt tjetër, të ndryshëm. Kjo ka të bëjë vetëm me anën që sheh nga ne, të çështjes. Për shembull, Allahu (xh.xh.) që ka vënë si sunet/zakon që, për sa u përket shkaqeve, fëmija të formohet nga bashkimi i nënës me babanë ose nga bashkimi i elementëve që përbëjnë shkak për formimin e fëmijës, e ka sjellë në botë Hz. Isanë (alejhissalatu vesselam) me anë të një akti tjetër, të ndryshëm nga suneti/zakoni i vënë prej Tij!

Këtu duam të theksojmë një specifikë shumë të rëndësishme: mrekullitë nuk janë zhvilluar në çdo vend në mënyrë që çdo njeri të ketë pasur mundësi çdo çast për t'i parë hapur e qartë për të mbetur i detyruar të besojë. Sepse, me aspektin e tyre që sheh nga njerëzit, mrekullitë janë për të fuqizuar besimin e atyre që besojnë dhe për t'ua thyer kryeneçësinë në mohim të atyre që nuk besojnë për rrjedhojë, për t'i bindur ata, por jo për t'i detyruar dhe shtrënguar ata. Po të ndodhte kështu, atëherë ekzistenca e mendjes dhe arsyes e humbte kuptimin, njerëzve u merrej vullneti nga duart dhe detyroheshin me forcë të besonin, gjë që do të thoshte të eliminoheshin propozimi i adhurimit dhe e fshehta e provës, në përfundim të së cilës, mes Omerit shpirtmargaritar dhe Ebu Lehebit shpirtqymyr nuk do të kishte ndryshim, pra, njerëzit do të ishin të njëvlershëm në besim. Eshtë për këtë arsye që një mrekulli e madhe si ndarja e hënës në dy pjesë është zhvilluar në një kohë të caktuar të natës, brenda një kohe të shkurtër dhe para syve të një numri të kufizuar njerëzish, për rrjedhojë, si për dëshmitarët e kësaj ngjarjeje, ashtu dhe për pasardhësit, as nuk është marrë e drejta e vullnetit të tyre për të zgjedhur, as nuk është mbyllur dera e mendimit dhe arsyetimit e mendjes së tyre.

b) Mrekullitë e përmendura në librat e hadithit

Në librat e hadithit janë rrëfyer dhe bërë të njohura shumë mrekulli të profetit Muhamed (alejhissalatu vesselam). Këto janë aq shumë, saqë, po t'i përmendnim të gjitha këtu, do të rritej vëllimi i këtij punimi, ne do të mjaftohemi të përmendim prej tyre vetëm ato më të njohurat dhe më të përhapurat. Këtu, jashtë mrekullive të përmendura në Kur'an, mund të rreshtojmë këto: rrjedhja e ujit nga gishtat, begatimi dhe shtimi i ushqimit të pakët, shërimi i të sëmurëve e të të plagosurve, përshëndetjet dhe dëshmitë e maleve dhe gurëve, pranimin në çast të lutjeve.

Një vlerësim mbi mrekullitë emotive/materiale

E shohim me dobi që, nën këtë nëntemë, të kujtojmë një specifikë. Edhe nëse mrekullitë e profetit Muhamed (alejhissalatu vesselam) si dhe mrekullitë e tjera nuk pajtohen me parimin e përputhshmërisë së shkaqeve, janë ngritur mbi një sërë shkaqesh. Për shembull, po qe se do t'u hidhnim një sy mrekullive të shfaqura nga profeti Muhamed, një radhë, ai, për të plotësuar nevojën e ushtrisë së tij të mbetur pa ujë, bën që nga gishtat e tij të rrjedhë ujë si çurg, vetëm se, duke e shfaqur këtë mrekulli, ai i ka zhytur gishtat në një enë me ujë. Një radhë tjetër, Profeti përdori nja dy grushte hurma për të ngopur rreth treqind sahabe, shokë të tij, duke i begatuar atë sasi hurmash në sajë të aktit krijues të Allahut. Nga të gjitha këto kuptojmë se, për sa kohë që çështja të mbetet brenda kuadrit të shkaqeve, Allahu (xh.xh.) nuk i eliminon shkaqet plotësisht. Edhe mrekullitë e dala nga profetët e tij, Allahu (xh.xh.) i favorizon me anë të shkaqeve të pjesshme dhe me këtë tërheq vëmendjen mbi rëndësinë e shkaqeve.

Si përfundim, jemi të detyruar edhe një herë tjetër që, me anë të provave dhe argumenteve racionale dhe logjike, ta përcaktojnë pozitën dhe ta vendosim vendin e profetit tonë (sal'lallahu alejhi vesel'lem) si në mendjen, ashtu dhe në jetën tonë. Sa të thellë që të jenë besimi dhe nënshtrimi ynë ndaj Tij, po aq do të jetë përfitimi ynë prej mesazhit dhe dritës së Tij!

... Dhe lajmëtari i fundit i të fshehtës

Fjalën e fundit për Allahun, gjithësinë dhe njeriun e ka thënë Hz. Muhamedi (sal'lallahu alejhi vesel'lem), bërthama e pemës së ekzistencës, qëllimi final i librit të gjithësisë dhe zëri më i kthjelltë i ftesës për tek e Vëreta (Zoti). Ai, lajmëtari i fundit i të fshehtës dhe i të fshehtës së të fshehtës, Ai, intepretuesi i pagabuar i materies dhe dukurive, Ai, parashtruesi, madje, në një mënyrë që të mos i lërë shesh ndonjë ngatërrese, i marrëdhënieve mes njeriut dhe Krijuesit dhe prapë Ai, përcaktuesi në mënyrë krejt të hapur e të qartë i domosdoshmërive të këtyre marrëdhënieve. Me një aspekt, ai është një udhërrëfyes afërsie i pari dhe më i afërti i Zotit, kurse, me një aspekt tjetër, i fundit por më i sigurti.

Engjëjt janë pritësit e tij, profetët, paralajmëruesit e ardhjes së tij dhe velinjtë, frytet e tij që marrin dritë prej tij. Pishtari i profetësisë u ndez në fillim me të, kurse kuptimi dhe përmbajtja në thelbin e profetësisë, me formën e saj më të ndritshme, prapë me atë është vënë në shesh. Drita e parë para çdo gjëje është drita e tij, kurse tufani i fundit i dritës është shfaqja e tij në botën e jashtme. Nga një këndvështrim tjetër, ai është indeksi i objektives dhe subjektives, esenca e ekzistencës, lëngu jetësor i saj, fryti më i ndritshëm i pemës së krijimit në kornizën e qëllimit dhe, në emër të Krijuesit të Lartë, zotëria i tërë njerëzve dhe xhindve.

Për nga esenca dhe pozita e tij, Ai është në çdo kohë i mbikarakterizueshëm; për nga individualiteti, i pashembëllyeshëm; për nga këndvështrimi i thellësive që i përkasin botës tjetër, i vetmi i kohës dhe hapësirës; për nga mesazhi në dorën e tij, një provë krejt e hapur. Ai njihet qysh para profetit Adem; drita e tij e bërë legjendë në gojët para trupit të tij, kurse hapi i tij - këmba na u bëftë kurorë e kokës - është një mirësi për të gjithë njerëzimin. Qenia e tij është margaritari më i kulluar i sedefit të trupit, kurse mesazhi i tij, më i përgjithshmi i të gjithë mesazheve. Dituria e tij është pika e fundit e të gjitha diturive, kultura e tij është një burim krejt i pastër rreth të cilit mblidhen fytyrat më të ndritshme, kurse horizonti i tij është në rolin e observatorit të shpirtrave të pastër që vrapojnë për ta vëzhguar pafundësinë. Në sajë të dritërave të shpërndara në çdo anë prej tij, sytë kanë gjetur rastin për ta vëzhguar materien me fytyrën e saj të vërtetë; me anë të melodikës së fjalëve të tij, veshët kanë dëgjuar kompozime hyjnore të padëgjuara nga elementi fjalë gjer atë ditë; shumë e shumë gjëra të fshehta kanë dalë në dritë në atmosferën e tij dhe mendimet e turbullta janë kthjelluar e kulluar. Atyre që e kanë parë dhe që e kanë dëgjuar, u është pastruar ndryshku në shpirtra, u janë fshirë avujt para syve; me lajmet që ka dhënë në fillim fare e në fund fare janë ndriçuar të gjitha të panjohurat mbi njohjen njerëzore, paqartësitë janë shtruar një e nga një në truallin e kuptimit dhe tërë ekzistenca është shndërruar në një poezi të recituar dhe interpretuar nga këndvështrimi i qëllimit të krijimit dhe në një kompozim me pamje pafundësie.

Të gjitha dituritë janë vetëm një centimetërkub nga deti i dijeve të tij dhe urtësitë e përgjithshme, një pikë e vogël nga ujëvara e aftësisë së tij. Në raport me sekondat dhe mikrosekondat e jetës së tij, të gjitha kohët pothuajse një e dhjetë; me enigmën e të qenit vendlindje e tij, globi tokësor sa një thua në krahasim me gjithësinë, është një botë sa e gjithë ekzistenca. Ai, i pari në programin paracaktues dhe shfaqës, thënësi i fjalës së fundit në kauzën e profetësisë, sqaruesi i vërtetë i të jashtmes, njoftuesi i enigmës së të brendshmes. Me krijimin e përshtatshëm për të marrë nga Shpirti i Shenjtë të vërtetat diturore dhe racionale, me vetëdijen e gjerë, me aftësinë e lartë njohëse, me zemrën të hapur ndaj përtej botës engjëllore dhe me të fshehtën e kapacitetit për të vëzhguar përtej botës së përtejme, ai është mbreti i fronit profetik, kurse, për sa i përket përcjelljes pa gabime në shpritra dhe mendje të gjërave të marra si të ishte një receptor drite i hapur ndaj botëve të përtejme, është interpreti më elokuent i botës profetike.

Duke i ruajtur veçoritë përkatëse të individualitetit të vet dhe siç ia kërkon profetësia, ai na e bën të njohur Zotin me individualitetin, atributet dhe emrat e Tij dhe zgjon tek ne ndjenjën e përgjegjësisë ndaj Tij; me këtë aspekt, ai është një përshkrues dhe një mësues i madh i cili na informon për të panjohurat dhe ua njofton shpirtrave tanë gjërat e pamundshme për t’u perceptuar dhe njohur. Kurse me aspektin e kumtuesit të konkluzioneve dhe urdhrave fetare, të zbatuesit të vlerave njerëzore dhe të përfaqësuesit të parimeve morale, ai është një shpjegues i emëruar, një ligjvënës dhe një zbërthyes me fjalë i të vërtetës së të vërtetave.

Profetët, dërgesa profetike si dhe ndjekësit dhe trashëguesit e këtyre, siç janë të hapur ndaj të jashtmes, janë “portëhapur” edhe ndaj të brendshmes. Madje edhe mendjet e tyre kanë kaluar nëpër një ngjyrosje me ngjyrën e kësaj nëpunësie hyjnore, qëndrojnë disa shkallë pas tyre dhe presin urdhrat e tyre. Një mendje që, si mendjet e tyre, e njeh veten dhe hyn nën kujdesin profetik, ndriçohet me “Shpirtin e Lartë” dhe shndërrohet në një dimension me rëndësi të së vërtetës njerëzore dhe, me kohë, fillon që, krahas të jashtmes, ta parandjejë edhe të brendshmen, që, krahas të parmes, ta ndjejë edhe të pasmen.

Ekzistenca ka edhe anën e vet të jashtme, edhe anën e vet të brendshme; e jashtmja shihet me sy, ndihet me anë të organeve të shqisave dhe vlerësohet me anë të arsyes dhe gjykimit. Kurse e brendshmja u hapet nga ana e Allahut vetëm personave të krijuar me pajisjet e perceptimit të saj dhe e bën veten të ndihet si një zë, një frymëmarrje, një ngjyrë dhe një dizenjo përtej dukjes dhe të jashtmes. Ja, këtë zë, këtë frymëmarrje e ndiejnë profetët me anë valëve me gjatësi të ndryshme gjatë gjithë jetës dhe gjithmonë sipas tyre e përcaktojnë gjëndrimin e vet.

Për nga pajisja e posaçme sipas pozicionit të tij të posaçëm, Profeti Muhamed (alejhissalatu vesselam) është, në këtë çështje, simboli dhe zëri i një epërsie absolute. Me anë të njoftimeve të Allahut, ai i ndjen të pandjeshmet, i sheh të pashikueshmet; vende-vende, duke i marrë shpirti një cilësi mbikohore e mbivendore, kalon para qenieve shpirtërore, i kapërcen engjëjt adhurues më bujarë të Zotit dhe shkon e arrin gjer në horizontin e “largësisë sa dy harqe dhe më pak” ndaj Zotit. Sa ç’ka pjesë në lartësinë e Zotit, ai ka edhe po aq një konsideratë të pandërprerë e të palëkundur mes popullit. Gjatë gjithë jetës ai nuk është larguar as sa qimja nga e vërteta dhe ndershmëria dhe u ka ofruar siguri të gjithëve, me miq dhe armiq; mesazhet e marra nga Zoti ua ka paraqitur bashkëbiseduesve të vet me tërheqjen e hyjnores tek to; në çdo kohë është kujtuar me pafajësinë e tij, është njohur për paprekshmërinë e tij; me zgjuarsinë e tij të mprehtë dhe me shpirtin e tij të ndriçuar të hapur ndaj botëve fizike e metafizike, ai e ka lexuar dhe e ka interpretuar gjithmonë drejt natyrën dhe përtej natyrën, për rrjedhojë, pothuajse të gjithë shpirtrat e pastër e pa paragjykime kanë vrapuar për tek ai pa u lëkundur aspak; egot më kryeneçe para tij kanë rënë në gjunjë, kokat më të rralla kanë lexuar qëllimin e krijimit të mendjes dhe arsyes në mesazhin e tij dhe ia janë dorëzuar atij. Eshtë në sajë të tij që njeriu, duke u çliruar nga shtazëria dhe materialja tek vetja e vet, është drejtuar për tek një horizont në nivelin e gradës jetësore të zemrës dhe shpirtit. Sipas horizontit të ekzistencës, ai është çelësi enigmatik i portës së hapur për tek qenia e jashtme dhe, në emër të realizimit të qëllimit të ekzistencës, prijësi i udhës së drejtë që shkon për tek Zoti, dhe ndërmjetësuesi i lumturisë së përjetshme.

Të gjithë profetët e ardhur gjer tek ai kanë thënë atë që ka thënë ai dhe të gjithë të urtët dhe shenjtorët e ardhur pas tij, me gjendjet e tyre të jashtëzakonshme si provë të kauzës së tyre, e kanë vërtetuar atë dhe kanë pohuar se meritat e tyre i kanë pasur prej tij. Sigurisht, nëse ai ka thënë “Allah” dhe i ka kthyer të gjitha shikimet kah besimi monoteist (tevhid), këtë e kanë mbështetur zëri e frymëmarrja e të gjithë të dërguarve dhe profetëve, vëzhgimet dhe zbulimet e të gjithë të urtëve dhe shenjtorëve!

Ai ishte një monumenti i sigurtë besimi; ai i jetonte thëniet e veta gjer në imtësi, i rregullonte qëndrimet gjithmonë sipas botëve përtej dhe e jetonte jetën thellësisht sikur ta shihte Zotin dhe të shihej prej Tij; sillej më me ndjeshmëri se çdokush tjetër dhe me çdo gjendje të tij shpaloste një qëndrim serioz përgjegjësie; në çdo kohë vraponte pas përfundimit të pëlqyeshëm dhe, pa e ndarë qoftë edhe për një çast syrin prej synimit, vraponte gjithë po drejt pikës për të cilën ishte kandidat; vraponte dhe çdokujt i ofronte kuptime vijë për vijë nga ajo marrëdhënie e thellë mes tyre dhe Allahut!

Ai ishte që, duke e shpjeguar kuptimin e ekzistencës, e lidhte atë me të zotin e saj të vërtetë, që i nxirrte në shesh urtësitë dhe interesat në thelbin e marteries, ngjarjeve dhe dukurive, që na e kujtonte shpesh neve se nuk jemi të vetëm këtu, që, duke ua njoftuar shpirtrave tanë se shihemi e jemi nën vëzhgim të vazhdueshëm, na lëshonte përbrenda prehje e qetësi, që, duke na e zbutur egërsinë, na i entuziazmonte zemrat me afërsinë që na krijonte dhe na bënte të ndjenim me tërë qenien se ndodheshim në një vend si vatra atërore. Po qe se sot ne shohim e ndjejmë në këtë fole të ngrohtë se çdo gjë është përvijuar në vend të vet, po qe se zemra na rreh me pasionin e të vërtetës, po qe se bëjmë e vëmë diçka në shesh në emër të analizës dhe njohjes së ekzistencës, të gjitha këto janë pishtari që ndezi ai në mendjet tona. Pa dyshim, çdo gjë që dimë ne mbi njeriun, ekzistencën dhe të gjitha botët, të gjitha këto janë zhvillim në gjerësi dhe thellësi i përmbledhjes që ua bëri të njohur ai shpirtrave tanë!

Ai e ka strukturuar, e strukturon dhe do ta strukturojë njerëzimin për sa i përket të djeshmes, të sotmes dhe të ardhmes. Ne kemi besim të plotë se, ashtu siç i ndryshoi në kohën e vet në një hop, në një frymë, mendësitë perverse mijëravjeçare të skalitura në natyrën njerëzore, sjelljet antinjerëzore, refraktimet antimorale dhe të karaktereve, ai do t’i zotërojë herët a vonë masat popullore të ditëve të sotme të dala krejtësisht prej binarësh duke i bërë t’ia dëgjojnë fjalën, dhe do ta tregojë forcën e mesazhit të tij!

Profeti Muhamed (alejhissalatu vesselam) pati ardhur me një mesazh që kishte të bënte me çdokënd e me çdo gjë dhe që i interesonte çdokujt dhe çdo gjëje dhe, për sa i përket detyrës së tij, zotëronte një thellësi dhe tërheqje që do t’i mbushte zemrat dhe sytë. Në natyrën krijuese të tij dukej sheshit një tejet përkryerje, në në sjelljet e tij, një cilësi bindëse e jashtëzakonshme, kurse në qëndrimet e tij, një cilësi sublime që e kalonte në çdo kohë aspektin material e fizik të tij. Pas këtyre linjave të jashtme e të dukshme që të merrnin sytë, ai zotëronte një moral aq të lartë, të cilësuar nga Kur’ani “huluku adhim”, (moral i lartë), dhe të pamundësuar për askënd gjer atë ditë, që kush hynte qoftë edhe një herë të vetme pa paragjykim në atmosferën e tij, nuk mund të shpëtonte më nga ndikimi i tij. Krahas këtyre bukurive dhe epërsive, ai kishte një shprehje magjepsëse, para së cilës edhe mjeshtrit më të shquar të fjalës e gëlltitnin gjuhën kur fliste ai, zhyteshin në heshtjen e vështrimit nga vetvetja dhe e lëshonin veten në magjinë e shprehjeve të tij!

Po deshët, tani le t’i shtjellojmë edhe pak këto specifika. Allahu i kishte falur atij një gjerësi të ndërtimit të jashtëm e të brendshëm të tillë që, krahas të qenit jashtëzakonisht i thjeshtë e modest, ai ishte tejet impresionues dhe magjepsës; edhe shpirtrat më krenarë dhe kryelartë, madje, që hynin në praninë e tij, dridheshin përballë prezencës madhështore dhe impresionuese të tij dhe merrnin një pamje e qëndrim në kundërshtim me mendimin dhe qëllimin me të cilin kishin hyrë. Kur të dërguarit krenarë të Kisrës qenë përballur me atë monument impresionues, patën ngrirë në vend dhe patën harruar se ç’duhej të thoshin. Në të njëjtën kohë, krahas një madhështie dhe serioziteti të tillë, ai kishte një butësi të tillë që i magjepste të gjithë dhe i tërhiqte pas vetes, saqë çdo njeri që e njihte atë nga afër, ndjente për të afërsi më shumë se për fëmijët, prindërit dhe të afërmit, bëhej, pothuajse, i shtënë pas tij dhe nuk donte të largohej më nga prania e tij. Me të gjithë qenien e vet, ai i premtonte mjedisit besueshmëri e siguri; me fjalët, qëndrimet dhe mimikën, tregonte në çdo kohë se ndodhej në praninë e Zotit të vet, vazhdimisht frymëzonte siguri dhe çdokujt i shpërndante tufë-tufë besim e siguri. Ai ishte bërë i njohur qysh në fillim si njeri i besueshëm dhe mbeti i tillë gjer në fund; në shikimet e tij, besueshmëria dhe siguria ishin të dukshme, fjalët e tij përsilleshin rreth besueshmërisë dhe pranë tij dëgjoheshin gjithmonë kompozime besueshmërie. Në të gjitha sjelljet e tij prinin arsyeja, shpirti, ndjenja dhe logjika e tij dhe konsideroheshin të barazvlershme me njëra-tjetrën. Zgjuarsia e tij e mprehtë, intuita që s’e gënjente kurrë, vendosmëria e tij e mbyllur ndaj çdo lloj lëkundjeje, qëndrueshmëria dhe vazhdueshmëria, strategjitë e tij marramendëse krahas faktit që s’gënjente njeri, fakti që nuk prapsej as para ngjarjeve më të vështira, që u qeshte në fytyrë fatkeqësive dhe, duke i lexuar drejt ngatërresat e kokëçarjet, nxirrte mësime sa libra të tëra, që sillej tejet gjakftohtë dhe tejet i matur ndaj sjelljeve të padenja që bëhen shkak për dhunë, zemërim dhe furi, janë vetëm disa prej veçorive që reflektojnë karakterin e tij mbinjerëzor, pozicionin e tij dhe qëndrimin e tij sipas atij pozicioni. Në ato raste kur gjithkush do të shqetësohej e kapej nga paniku, ai kishte një qëndrim burrëror të tillë, para të cilit disfatat ktheheshin në fitore, tërheqjet në rrëmujë ia linin vendin sulmit të organizuar dhe brenda pluhurit e tymit të mundjes përvijoheshin strategjitë e suksesit!

Mes pjesëtarëve të familjes, ai ishte një kryetar familjeje i pashoq. Mes shokëve, ai ishte një prijës dhe mësues i mrekullueshëm i cili, me qëndrimet e buta vëllazërore, dinte shumë mirë të futej në zemra. Ai ishte një udhëzues i pashoq që kurrë nuk i zhgënjente dhe nuk i thyente ata që i shkonin pas. Ai ishte një ligjërues mbret i fjalës, një mbinjeri me zemër burri, një gjykatës mjeshtër gjykimi, një kryetar shteti i mrekullueshëm dhe një specialist ushtarak që nxirrte fitore nga humbjet. Të gjitha këto përsosmëri arrinin tek ai kulmin, por, pavarësisht nga të gjitha këto, ai gjithmonë sillej si njeri i rrafshtë, e quante veten njeri si gjithë të tjerët, ndjente shqetësim të jashtëzakonshëm nga dedikimet e larta që, në fakt, i meritonte dhe që ishin rrjedhojë e edukatës së popullsisë dhe vende-vende i qortonte disi ashpër për këtë shokët e tij të zgjedhur që i donte aq shumë!

Ishte në pozitën e “qëllimit final” të ekzistencës, por nuk i jepte rëndësi kësaj as sa një krah mize. Megjithëse u falte frone dhe u vinte kurora mbretërve, vetë jetonte tejet i përkorë dhe e kalonte jetën në një asketizëm të jashtëzakonshëm sikur t’ia kishte kushtuar jetën agjërimit duke ia kundërvënë botës. Nuk hante por u jepte të tjerëve të hanin, nuk vishej por vishte të tjerët; për një thërrime dhunti bërtiste njëqind herë me falenderim dhe ulej e ngrihej gjithmonë me ndjenja mirënjohjeje. Përsa u përket ndjenjave të afërsisë, dashurisë dhe frikës ndaj Allahut, ai qëndronte në çdo kohë përkrah engjëjve; ndodhej në këtë botë, por nuk ishte i kësaj bote, ishte në rrugën e botës tjetër, ndërkaq që nuk kishte qysh në fillim lidhje personale me të sepse zemrën e kishte gjithmonë te Zoti, syrin, te shenjat e Tij, tek emrat e tij që u përftonin shenjave ngjyrë, formë dhe variacione. Ai e shihte botën me një vështrim të thellë përjetësie, e shihte botën si një arë bujqësore: mbillte, korrte dhe të gjitha fitimet i vinte gjithmonë në fitim të botës përtej. Ashtu siç erërat i shpërndajnë farërat andej-këtej duke ia lënë amanet tokës që t’i ushqejë për të mbirë e për t’u zhvilluar, edhe ai shpërndante andej-këtej çdo gjë që kishte, kujdesej për të varfërit ushqente të uriturit kurse vetë shumë herë binte e ngrihej i uritur. Kur u nis i mbret i të dy botëve dhe arriti te Zoti i vet, nuk la pas pallate e vila, as pasuri e kapital, as dhe ndonjë mall për t’ua lënë grave dhe fëmijëve. Kishte jetuar si vetë ai, e kishte vlerësuar botën si vetë ai dhe kishte emigruar e ikur që këtej në një mënyrë që i kishte hije atij vetë! Sigurisht, ai erdhi në këtë botë si një udhëtar dhe, natyrisht, bota aspak s’e tërhoqi. Ai i jepte vlerë botës sa ç’e kishte vlerën, po kështu, edhe botës tjetër dhe përtej saj, sa ç’e kishin vlerën dhe mbante e shpaloste një qëndrim sipas kësaj.

Me gjithë atë madhështinë e tij impresionuese të prodhuar nga fisnikëria e jashtëzakonshme dhe lidhja me Zotin, e cila ia merrte mendtë kujtdo, Profeti ishte aq i thjeshtë e modest, sikur të kundërtat e tij të jetonin së bashku në paqe, saqë ata që nuk i shihnin veçoritë e parashtruaraca më parë, e pandehnin ata si njërin prej njerëzve të thjeshtë. Duke bërë sikur s’i shihte nderimet dhe respektet e shumta që i bënin shokët, rrinte mbi një truall me ta, hante në të njëjtën sofër, dallimet dhe veçoritë e veta i mbulonte që të mos dukeshin sikur kjo të ishte një çështje nderi dhe, për të mos i turbulluar me madhështinë dhe impresionimin e natyrës së vet ata që i ndodheshin pranë, herë-herë i lehtësonte dhe qetësonte ata me shaka të holla, të bukura e mësimdhënëse, dinjitetin e stoliste me thjeshtësi dhe modesti, madhështinë dhe karakterin impresionues e zbuste me dhembshuri dhe, duke e nxjerrë ngjyrën e vet njerëzore në plan të parë, i shtonte një ëmbëlsi tjetër asaj pozitës së vet kënaqësindjellëse!

Ai ishte gjithmonë i butë, paqësor dhe i ekuilibruar. Edhe në situatat kur nxiten dhe ndizen ndjenjat e urrejtjes, armiqësisë dhe zemërimit, madje, sillej jashtëzakonisht butë, ua zbuste furinë dhe ashpërsinë njerëzve që shkumëzonin me tërbim, armiqtë më të betuar i qetësonte me një lëvizje dhe dinte që, edhe atje ku kërkohej të vihej në pozitë kundërshtare, të ulej papritmas në kolltukun e gjykatësit! Pothuaj në çdo vend ku nuk shkelej e drejta e përgjithshme, ku nuk tregohej mungesë respekti ndaj të drejtës së Allahut, ai sillej tolerant dhe falës dhe në biografinë profetike mund të shihen e të tregohen me qindra shembuj të mirëkuptimit, tolerancës dhe faljes së tij!

Edhe në besnikërinë ndaj fjalës së dhënë ai s’kishte shok e s’kishte të ngjarë. Nuk qe parë ndonjëherë të mos e mbante premtimin, nuk pati ndodhur qoftë edhe një herë të vetme ta kthente fjalën. As para profetësisë, as pasi u nderua me detyrën profetike, kurrë nuk e ktheu fjalën ndërsa është i njohur qëndrimi i tij i vendosur kundër atyre që nuk njihnin marrëveshje e betim, kurrë nuk bëri ndonjë deklaratë kontradiktore, madje as aludoi për këtë, dhe jetoi si një përmendore besnikërie dhe sigurie.

Ai ishte mbreti i fjalës dhe shprehjes, tek ai e pati gjetur vlerën e vërtetë margaritari i fjalës. Ai nuk pati marrë në dorë as penë e as bojë, nuk qe njohur me asnjë libër, nuk qe ulur në rrethin mësimor të askujt, nuk pati mbetur i detyruar ta quante mësues e mjeshtër askënd dhe kurrë nuk pati lejuar të hidhej pluhur mbi faktin që vetë ishte kryemësuesi dhe kryemjeshtri i përgjithshëm. Në lidhje me interpretimin e urdhrave hyjnorë, kjo do të thoshte që Allahu i mbronte së pari urdhrat e veta dhe, pastaj, aftësitë natyrore të Profetit nga ndikimet dhe konsideratat e jashtme me qëllim që arritjet mendore dhe informacionet e jashtme të mos e turbullonin çështjen dhe të mos e derdhnin në ngjyra dhe kallëpe të tjera. Ja, në këtë kuptim ishte i pamësuar ai, në këtë kuptim s’dinte të shkruante e të lexonte ai që i qoftë falë jeta jonë, se, sa për punët që kishin të bënin me këtë botë e me botën e përjetësisë, në çdo fushë të tyre, si kryemësuesi i përgjithshëm që ishte, ai pati thënë fjalë të tilla, pati parashtruar konkluzione të tilla dhe, kur pati qenë vendi, pati marrë vendime të tilla që, nga dijetarët e shumëditur te gjenitë më të zgjedhur, nga kokat më filozofike te shpirtrat më të ndritshëm, çdo njeri mbetej pa mend para atyre fjalëve, atyre konkluzioneve dhe atyre vendimeve! Historia është dëshmitare se askush s’pati thënë dot ndonjë gjë kundër forcës shprehëse të tij, s’e pati gjykuar dot asnjë konkluzion të tij dhe s’pati marrë guximin për ta kritikuar asnjë punë të tij!

Ai ishte një basen dhe thesar niformacioni dhe dijeje me tërë përmbajtjen të pastër e të kulluar, i tillë që nuk u përball me asnjë kundërshtim as në njoftimet që dha për ngjarjet e përhirosura të së kaluarës, as në informacionet lidhur me fenë, kulturën, traditat dhe zakonet e popujve të ndryshëm prehistorikë; dhe s’mund të përballej, sepse ai ishte i dërguari i Allahut dhe ai informacion që s’të gënjente, i cili pikonte në basenin e dijes së tij, vinte gjithë po prej Allahut. Në shprehjet e tij ai ishte një mbret shprehjeje që ta pret fjalën; në logjikën e tij ai ishte një përmendore gjykimi dhe, në mendimet e tij, ai ishte një oqean sa gjerësia e misionit të vet. Shprehjet i kishte aq të epshme, deklaratën e kishte aq të qartë, stilin e kishte aq të pasur e me nuanca, saqë, disa herë, me një a dy fjali u parashtronte bashkëbiseduesve menjëherë të vërteta sa bota, disa herë, çështje të gjera që nuk do t’i merrnin dot as volume të tëra, i shtrëngonte në një frymë fjalësh, kurse disa herë, ç’margaritarë fjalësh u linte amanet mjeshtrave të komentit dhe interpretimit për t’i komentuar dhe interpretuar! Ja, këtë gjerësi të tij shënonin fjalët që thoshte ai për vete: “Mua më është dhënë përmbledhja e fjalës”!

Në çdo kohë atij i drejtoheshin njëqind lloj pyetjesh nga njëqind drejtime, kurse ai u jepte përgjigje të gjitha pyetjeve aty për aty, pa rënë në ndonjëfarë lëkundjeje. Në bisedat e tij ai përdorte një stil që mund ta kuptonte shumica dërrmuese dhe e parashtronte synimin e fjalës me një shprehje mjaft lakonike por tejet të pastër e të kulluar larg çdo lloj loje fjalësh dhe stërhollimesh dhe pa u dhënë shkak lojrave të fjalëve dhe stërhollimeve. Ai bisedonte në një nivel që mund të përfitonte çdokush, dijetar apo injorant, i zgjuar apo kokëtrashë, pak i mësuar apo shkencëtar, i ri apo plak, grua apo burrë dhe në zemrën e bashkëbiseduesve lindte patjetër ngopje e kënaqësi!

Ai ka biseduar shumë, ka mbajtur shumë predikime, në shprehjet e tij u ka hyrë çështjeve të ndryshme, ka analizuar tema të ndryshme, por gjithmonë ka menduar dhe folur në përputhje me realitetin. Mbi shprehjet dhe ligjëratat e tij nuk ka rënë as hija e shprehjes kontradiktore, aq sa, edhe armiqtë e tij të betuar, madje, që e ndiqnin pa pushim dhe ruanin rastin për ta goditur, kurrë nuk e akuzuan për gënjeshtër dhe nuk mundeshin ta akuzonin!

Në të vërtetë, të mendosh se është e mundur që një njeri i cili nga fëmijëria në rini e, që në atë kohë, gjer në moshën dyzet vjeç, e ka ruajtur me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme gjuhën e vet nga deklaratat kontradiktore, siç e pati ruajtur edhe pothuaj çdo sjellje të vet, pra që ky njeri të ngrihet e të pretendojë padrejtësisht për profetësi pasi i kanë kaluar në këtë mënyrë të ndershme dy të tretat e jetës, është, përtej mëkatit, një fanatizëm i hapur mohimi e herezie dhe një mungesë respekti ndaj mendjes dhe logjikës. Kurse fjalët që thoshte ai, konkluzionet që parashtronte ai, ishin jashtëzakonisht me vështrim të gjerë në atë mënyrë që e përfshinin edhe aktualitetin, edhe të djeshmen dhe të ardhmen e asaj dite, kurse përmbajtja e tyre ishte aq e shumëllojshme sa ta kapërcente një mendje njerëzore. Ai fliste lidhur me bindjen dhe besimin, parashtronte konkluzione mbi adhurimin, thoshte fjalë që kishin të bënin me tema shoqërore, ekonomike, ushtarake dhe administrative, i zbatonte në praktikë ato që thoshte, merrte fryte nga zbatimet në praktikë dhe, duke e shënuar në histori drejtësinë e parimeve që kishte sjellë, ua linte amanet ato ndërgjegjeve të matura dhe pa paragjykime. Pastaj, pas tij, mijra interpretues, mijra mendimtarë, qindra filozofë dhe dhjetramijra shkencëtarë specialistë të shumë fushave, u thoshin “po” dhe u vinin firmën fjalëve që kishte thënë ai, parimeve shoqërore dhe ekonomike, disiplinave ushtarake dhe administrative dhe rregullave edukative të parashtruara prej tij; veç këtyre, miliona të urtë e shenjtorë, duke e vërtetuar atë në çdo konkluzion dhe deklaratë, njoftonin me të madhe se kishin arritur nivele të larta nën udhëzimin e tij. Prandaj, ai që i thotë “jo” atij, gjithsesi duhet të jetë ose një i paekuilibruar që s’di se ç’thotë, ose një i pafat që ia kanë larë trurin, sepse as dje e as sot, askush nuk ka thënë dot mbi kaq shumë çështje të ndryshme nga njëra-tjetra, qoftë edhe një fjalë të vetme që mund të mbetet e freskët gjer në këtë masë, dhe nuk ka dhënë dot konkluzione të pandryshueshme, sidomos kurrë mbi tema që kërkojnë specializim! Para së gjithash, siç e ka thënë edhe Bediuzzamani, një njeri, sado kapacitet i lartë që të jetë, mund të thotë fjalë konsekuente vetëm në disa shkenca dhe në disa fusha. Kurse ky person fliste për punë aq të imta lidhur me tërë ekzistencën dhe dukuritë, të vlefshme në të gjitha kohët dhe vendet, i parashtronte thëniet e tij me një stil aq mjeshtëror dhe kompetent dhe fliste aq i sigurtë në vetvete dhe pa lëkundje, sa që e bënte këdo që e shihte, e njihte dhe ia vinte veshin dhe e dëgjonte atë pa paragjykim, të thoshte: “po, ke të drejtë, ashtu është!”177

Shënimet

  1. 128.Punët e apostujve, kapitulli. 3, sentenca 22.
  2. 129.Numrat çift (Dualiteti), kap. 34, sent. 12.
  3. 130.Numrat çift (Dualiteti), kap. 18, sent. 18.
  4. 131.Numrat çift (Dualiteti), kap. 33, sent. 2.
  5. 132.Në origjinal: Ruhul Emin.
  6. 133.Gjeneza, kap. 21, sent. 21. 147 Mateu, kap. 21, sent. 42.
  7. 134.Joani, kap. 14, sent. 15.
  8. 135.Joani, kap. 14, sent. 26.
  9. 136.Joani, kap. 14, sent. 7-8.
  10. 137.Shih. Joani, kap. 12, sent. 47. Për njohuri më të gjera mbi këtë çështje, shih Davud, Abdulahad, Tevrat ve ‹ncillere Göre, përkth. Nusret Çam, Nil Yay. ‹zmir 1992.
  11. 138.Buhari, Menakib, 18; Muslim, Fedail, 20.
  12. 139.Nesai, Zinet, 39.
  13. 140.En'am, 6/50, 59; A'raf, 7/188.
  14. 141.Shih. Muslim, Xhenet, 76-77.
  15. 142.Shih. Buhari, Menakib, 25; Muslim, Fedailu's-Sahabe, 98, 99; Ibni Hanbel, Musned, I, 6.
  16. 143.Buhari, Sulh, 9; Ibni Hanbel, Musned, V, 49. 158 Tirmidhi, Menakib, 35.
  17. 144.Shih. Buhari, Ta'bir, 12; Muslim, Imare, 160. 160 Ibni Haxher, Isabe, IV, 441.
  18. 145.Njohuritë e domosdoshme lidhur me Kur'anin do t'i trajtojmë në pjesën "Besimi te librat hyjnorë".
  19. 146.Shih. Enbija, 21/107.
  20. 147.Mrekullitë e këtij lloji janë shndërrime të llojit mrekullor me anë të vullnetit dhe fuqisë së Allahut të gjërave të zakonshme me të cilat është mësuar njeriu, në gjëra mbi shkaqet dhe ligjet të cilat janë, gjithashtu, gjëra të zakonshme për njeriun. 164 Kështu, në një ajet thuhet: "(O i Dërguar!) Ne të dërguam ty mëshirë për botët!" Enbija, 21/107.
  21. 148.Buruxh, 86/16.
  22. 149.Këtu do të ishte me vend ta preknim shkurt konceptin "ligj". Ligjet janë pamja e reflektuar tek ne e mënyrës (zakonit) të Krijuesit të Lartë për ta krijuar materien dhe për t'i dhënë vazhdimësi ekzistence asaj në linjën shkak-pasojë (përfundim) brenda një vazhdimësie të rregullt. Allahu nuk është i detyruar ta krijojë qenien në linjën shkak-pasojë, por ne kemi nevojë për këtë lloj krijimi në mënyrë që të mund të kuptojmë se si krijon ai. Dijet dhe shkencat dalin në shesh nga zbulimi i ecurisë uniforme të kësaj veprimtarie hyjnore - në vartësi të dëshirës volitive hyjnore.
  23. 150.Shih. Buhari, Salat, 1; Muslim, Iman, 263; Nesai, Salat, 1; Ibni Maxhe, Ikame, 194.
  24. 151.Shih. Buhari, Menakib, 27; Muslim, Sifatu'l-Munafikin, 44; Ibni Hanbel, Musned, I, 377.
  25. 152.Shih. Ahzab, 33/62; Fatir, 35/43; Fetih, 48/23; Isra, 17/77.
  26. 153.Shih. Buhari, Shurut, 15; Muslim, Fedail, 4-6.
  27. 154.Shih. Buhari, Ejman, 22; Muslim, Eshribe, 142.
  28. 155.Shih. Buhari, Fedailu's-Sahabe, 9; Muslim, Fedailu's-Sahabe, 34.
  29. 156.Muslim, Fedail, 2; Buhari, Menakib, 25.
  30. 157.Buhari, Istiska, 7; Muslim, Istiska, 1.
  31. 158.Në origjinal: tenasüb-i illiyet. Përkthyesi.
  32. 159.Në origjinal: cevâmiu’l-kelim, aftësia për t’u shprehur në mënyrë lakonike e koncize. Përkthyesi. 177 Në origjinal: amenna. Përkthyesi.