IMANI0%

IMANI

Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I

Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)

Ekipi i Studimeve Akademike

QENIET METAFIZIKE / DRITESORE: ENGJEJT

Koncepti engjëll

Fjala "engjëll" ka kuptime të tilla, si lajmëtar, përfaqësues, forcë, fuqi. Kurse në terminologjinë islame, engjëlli përkufizohet si "një qenie dritësore dhe e tejdukshme e krijuar nga Allahu, e cila s'ka gjini dhe nuk e ndërpret adhurimin ndaj Allahut".

Domosdoshmëria e besimit te engjëjt

Me aspektin e tyre të ndërtimit jomaterial që mund të perceptohet me anë të shqisave tona të jashtme, engjëjt janë qenie që i përkasin botës së padukshme e të fshehtë. Prandaj, për engjëjt merret njohuri jo me anë të ndijimeve, por me informacionet e dhëna nga profetët.

Në librin e Tij të zbritur profetit të fundit, Hz. Muhamedit (sal'lallahu alejhi vesel'lem), na bën fjalë neve për engjëjt dhe e përmend besimin për ekzistencën e tyre mes bazave të besimit:

"I Dërguari i i besoi asaj që iu zbrit nga ana e Zotit të tij, po kështu, edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij!" (Bekare, 2/285)

Personi që nuk u beson engjëjve, ngaqë mohon konkluzionin e ajeteve përkatëse, nuk quhet se ka besuar. Në fakt, të mos u besosh engjëjve, do të thotë t'i mohosh anasjelltas komunikimin hyjnor dhe zbulesën hyjnore, profetin, librin e sjellë nga profeti dhe fenë e kumtuar prej tij. Sepse feja u është komunikuar profetëve me ndërmjetësinë e engjëjve. Kështu, në Kur'an thuhet:

"... Kush i mohon Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe ditën e ahiretit, do të thotë se ka rënë në perversitet të plotë!" (Nisa, 4/176)

Ekzistenca, natyra dhe veçoritë e engjëjve

Në planetin tonë që zë një vend shumë të vogël në gjithësi, ekzistojnë me mijra forma jete dhe mënyre jetese. Mu në këtë pikë, në mendje mund të vijë një pyetje e tillë: Në qoftë se ndodh kështu në tokë, po në yjet, planetet dhe sistemet shumë më të mëdhenj se toka, a ka qenie të gjalla e të vetëdijshme në përshtatje me kushtet e tyre? Sigurisht, përgjigjja "jo" që do t'i jepej aty për aty kësaj pyetjeje, do të ishte mashtruese. Nuk është aspak e arsyeshme që, duke marrë për bazë vetëm kushtet e jetesës të botës sonë, t'i shohim yjet dhe planetet e tjerë pa qenie të vetëdijshme. Në këto kushte, në tema dhe çështje si kjo që nuk i njohim, duhet t'u besojmë gjërave që na thonë neve specialistët e kësaj fushe, profetët, personat e zgjedhur të pajisur në mënyrë të posaçme.

Le të përpiqemi ta trajtojmë temën me një analogji të mbështetur mbi shembullin. Le të mendojmë një mbret që ka thesare të panumërta dhe mrekulli artistike të pashoqe. Ky sulltan ka ngritur një qytet me pallate të ndryshme që do t'i quanim të pashembullta, dhe në një skaj të këtij qyteti të shkëlqyer ka bërë një ndërtesë-banesë të vogël sa një kolibe. Ne vëshgojmë personalisht me sytë tanë se në atë ndërtesë ka një lëvizje dhe veprimtari të madhe. Pastaj i kthejmë sytë nga ato pallate të shkëlqyera, por atje nuk shohim dot askënd. Pamundësia jonë për të parë ose dalluar gjë, mund të burojë nga tri shkaqe kryesore: nga dobësia jonë e shikimit, ngaqë banorët e atyre pallateve fshihen prej nesh, ngaqë atje s'ndodhet askush.

Ja, pra, ndërtesa e vogël në shembullin e "qytetit të shkëlqyer" që u përpoqëm t'ua ofrojmë me qëllim për ta përshtatur çështjen për mendjet tona, është bota jonë. Kurse pallatet e mëdhenj të këtij qyteti janë yjet dhe sistemet jashtë botës sonë. Dhe tani le të mendojmë jashtë shembullit tonë. A do të ishte e drejtë që dikush, i cili vëzhgon dhe bëhet dëshmitar i valles së mijra ngjyrave e zërave dhe i veprimtarisë së vazhdueshme në një pikë të vogël - në një ndërtesë të vogël me emrin "botë" të qytetit gjithësi, t'i pandehte bosh pallatet e shkëlqyer prej yjesh? Sigurisht që jo! Sepse edhe në to ka jetë dhe banorë me vetëdije. Fakti që ne nuk i shohim nuk do të thotë detyrimisht se nuk janë! Fakti që nuk i shohim është pasojë ose e dobësisë dhe paaftësisë së syve tanë, ose e faktit që ata ekzistojnë në një dimension tjetër.

Në këto kushte, fakti që engjëjt janë të padukshëm, të paperceptueshëm me anë të organeve të shqisave, nuk përbën arsye për mohimin e tyre. Sepse padukshmëria e tyre nuk është pasojë e mosekzistencës ose padukshmërisë absolute të tyre, por e faktit që ne nuk jemi krijuar me aftësi dhe kapacitet për t'i parë ata. E thënë ndryshe, padukshmëria e engjëjve është pasojë e faktit që ata janë qenie metafizike që mbeten jashtë fushës sonë të interesimit të mbështetur në vëzhgim, provë dhe eksperimentim. Sot ka shumë qenie, ekzistenca e të cilave është provuar shkencërisht ose ndjehet, të cilat ne nuk i shohim dot me sy të zhveshur.

Kur'ani që na i bën të njohur engjëjt neve me anë të shumë veçorive të tyre, nuk na jep njohuri se prej ç'lloj elementi janë krijuar ata. Këtë njohuri mbi ta ne e shohim në hadithet e Hz. Muhamedit (sal'lallahu alejhi vesel'lem). Në një hadith profetik bëhet e ditur se xhindët dhe shejtanët (djajtë) janë krijuar prej zjarri, Hz. Ademi, prej balte (dheu), kurse engjëjt janë krijuar prej drite. (Muslim, Zuhd, 10)

Te engjëjt nuk ka ndjenja negative, si zemërimi, furia, urrejtja, zilia dhe smira; gjithashtu, engjëjt janë mbrojtur edhe prej ndjenjave dhe prirjeve të tjera njerëzore. Për rrjedhojë, për ta nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë mëkat si kundërshtimi dhe kryengritja.

Në lidhje me këtë, në Kur'an thuhet kështu për engjëjt:

"Ata nuk i kundërshtojnë gjërat për të cilat i ka urdhëruar Allahu dhe kryejnë atë për të cilën janë urdhëruar!" (Tahrim, 66/6)

Pozita e engjëjve, të cilët janë qenie shpirtërore që s'kanë të bëjnë me veçori njerëzore, si ushqyerja, seksi, martesa, është e fiksuar, gjithashtu, tek ta nuk bëhet fjalë për marrjen e ndonjë shpërblimi, por ata marrin një kënaqësi të brishtë dhe një shije të këndshme për çdo urdhër që kryejnë në emër të Allahut. Ata marrin begati shpirtërore sipas shkallëve të lartësimit para Allahut. Me aspektin e tyre si qenie dritësore, edhe ushqimet për të cilat ndiejnë nevojë, janë shpirtërore. Ata marrin shije nga zikri, tesbihet, lavdërimet dhe bukuritë dritësore të afërsisë dhe dashurisë për Allahun dhe, në adhurimin ndaj Tij, as mbahen në të madh, as mërziten e lodhen:

"... Ata që ndodhen në praninë e Tij, nuk mbahen më të madh e nuk lodhen në adhurimin ndaj Tij. Ata e bëjnë tesbih Allahun natë e ditë pa ndjerë lodhje e mërzi!" (Enbija, 21/19-20)

Në mënyrë të veçantë, si pasojë e strukturës së tyre të posaçme të tejdukshme e dritësore, engjëjt janë qenie që lëvizin me shpejtësi tejet të madhe dhe që kanë ndikim të përsosur. Në Kur'an, duke përshkruar këto veçori të engjëjve, thuhet:

"Engjëjt dhe shpirti ngjiten te Ai (te arshi i Tij) brenda një dite (sa pesëdhjetë mijë vite tokësore)!" (Mearixh, 70/4)

"Lavdi Allahut që ka krijuar qiejt e tokën dhe që i ka bërë engjëjt lajmëtarë me krahë dyshe, treshe e katërshe!" (Fatir, 35/1)

Për krahët e engjëjve flitet si në Kur'an, ashtu dhe në hadithet profetike. Ndërkaq, s'mund të themi se krahët e engjëjve janë të njëjta me krahët e kafshëve të botës sonë. Po qe se mbahet parasysh se engjëjt janë qenie dritësore që bëjnë një jetë të dimensioneve të tjera, duket sheshit se nuk do të ishte e saktë që krahëve të tyre t'u visheshin cilësi materiale si të krahëve të zogjve apo aeroplanëve. Engjëjt kanë një strukturë të tillë që s'mund të njihet me anë të mjeteve perceptuese e njohëse të njeriut. Prandaj, natyrën dhe cilësitë e krahëve të engjëjve i dinë vetëm Allahu si dhe profetët që i kanë parë.

Një specifikë tjetër që duhet ditur mbi krahët e engjëjve, është edhe kjo: për krahët e engjëjve, në Kur'an përdoret fjala "xhenah". Ndërkaq, kjo fjalë që nuk përdoret në mënyrë specifike dhe vetëm për të emërtuar krahët e engjëjve, ka edhe kuptime të tjera, si anë, krah (anësi) dhe veçanti. Duke u nisur nga kjo, shprehjen "uli exhniha" që përdoret në Kur'an, mund ta kuptojmë si "llojshmëri të veçorive si fuqia dhe shpejtësia të dhëna engjëjve" ose si "gradë të engjëjve para Allahut".

Engjëjt janë qenie që marrin forma dhe trajta të ndryshme me urdhrin dhe lejen e Allahut. Engjëjt janë parë nga profetët edhe me formën dhe trajtën e tyre origjinale, edhe me forma dhe trajta të tjera.

Për shembull, Xhebraili (alejhissalatu vesselam) i është shfaqur Hz. Merjemes në trajtë njeriu. Edhe engjëjt që i patën shkuar Hz. Ibrahimit (alejhissalatu vesselam) me sihariqin për një djalë, i qenë shfaqur në trajtë njerëzish. Duke i pandehur për miq vizitorë, Hz. Ibrahimi u pati nxjerrë për të ngrënë dhe, kur ata s'patën ngrënë, e pati kuptuar se qenë engjëj47 dhe qe trembur. Nga ajeti përkatës ku përshkruhen këto ngjarje, nxirret edhe përfundimi se engjëjt nuk hanë e pinë, pra, nuk ushqehen. Po kështu, siç bëhet e qartë edhe në rivajetin e njohur si "hadithi Xhebrail" ku bëhet përkufizimi i koncepteve iman (besim), islam dhe ihsan (mirësi), Xhebraili është parë nga sahabet në trajtë njeriu. (Muslim, Iman, 37; Ebu Davud, Sunet, 15)

Ndryshimi mes engjëllit dhe njeriut për sa i përket njohjes së Allahut

Me aspektin e tyre si dëshmitarë më të afërt të madhështisë dhe enigmave hyjnore, engjëjt qëndrojnë para njerëzve përsa i përket njohjes së veçorive të Individualitetit Hyjnor të Zotit. E thënë ndryshe, engjëjt qëndrojnë para njerëzve në njohjen e atributeve dhe emrave të Allahut. Ndërkaq, njerëzit, si rrjedhojë e të qenit pasqyrë përfshirëse që reflekton gjithë emrat dhe atributet e Allahut, konsiderohen më të lartë se engjëjt përsa u përket vlerave potenciale.

Engjëjt janë krijuar me një strukturë që mund t'u bëhet pasqyrë emrave dhe atributeve të Krijuesit të Lartë vetëm me anën dritësore-shpirtërore të tyre, kurse njerëzit janë krijuar me veçori që mund të pranojnë shfaqjet e emrave dhe atributeve hyjnore nga dy kënde të veçanta: edhe materiale, edhe shpirtërore.

Detyrat e engjëjve

Detyrat që u janë dhënë engjëjve nga ana e Krijuesit të Lartë, mund t'i radhisim kështu nën dritën e ajeteve të Kur'anit dhe disa haditheve profetike:

Të deklarojnë se Allahu s'ka të bëjë me asnjë konsideratë të mangët e të gabuar, ta lavdërojnë

dhe falenderojnë Atë ditë e natë dhe ta lartësojnë në një mënyrë të përshtatshme për Të!

T'u komunikojnë njerëzve të zgjedhur nga Allahu si profetë, fjalën hyjnore.49

T'i lartësojnë profetët me salat dhe selam (falje e përshëndetje) dhe të luten për të gjithë njerëzit

në botë.

T'u bëhen mbështetje me një forcë moralo-shpirtërore profetëve dhe besimtarëve, t'i qetësojnë

ata në çaste shqetësimi dhe dëshpërimi, ndërsa t'i fusin mohuesit në shqetësim.

Si ndjekës të njerëzve të cilët i ruajnë, në një kuptim, t'u shërbejnë njerëzve.

Të shënojnë aktet e njerëzve.

Të shërbejnë si mjet për veprimtarinë hyjnore që zhvillohet lidhur me gjithësinë.

Të kryejnë detyra lidhur me krijimin dhe vdekjen e njeriut.

Të kryejnë detyra si funksionarë të ekzekutimit të ndëshkimeve hyjnore.

Numri dhe llojet e engjëjve

Numrin e engjëjve e di vetëm Allahu. Në Kur'an dhe në hadithet profetike nuk ka ndonjë informacion të qartë mbi numrin e engjëjve. Ndërkaq, duke u nisur nga deklaratat, si "ushtritë e qiejve e të tokës janë të Allahut"57, mund të themi se numri i engjëjve është i madh në mënyrë të pallogaritshme.

Disa engjëj ne i njohim sipas emrave dhe veprimtarive të tyre. Kurse disa të tjerë, vetëm sipas llojit të detyrës me të cilën janë ngarkuar dhe me anë të titullit të dhënë të gjithëve së bashku. Për engjëjt nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë kompetencë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ata janë vetëm në pozitën e vëzhguesve dhe duartrokitësve të veprimtarisë hyjnore. Një mendim i kundërt nuk përputhet me parimin e tevhidit, besimit monoteist islam mbi Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë. Nisur nga kjo, sipas detyrave themelore, engjëjt mund t'i shqyrtojmë në këto grupe:

Katër engjëjt e mëdhenj

Xhebraili

Është emri i përveçëm i engjëllit të vahjit (revelacionit hyjnor, zbulesës hyjnore). Përmendet në tri vende të Kur'anit si Xhibril. Veç kësaj, në ajete, Xhebraili përmendet edhe me emra, si "ruh", "ruhena", "resulun kerim", "resulu rabbik", "ruhul emin", "ruhul kudus". Kurse në një hadith, veç këtyre, emërtohet edhe si "en-Namus".

Mikaili

Si njëri prej katër engjëjve të mëdhenj, është caktuar nga ana e Allahut si ndërmjetës për administrimin e ngjarjeve në gjithësi dhe të furnizimit të krijesave me ushqimin jetësor (rizk). Në Kur'an i përmendet emri vetëm në një ajet.

Israfili

Emri i këtij engjëlli nuk përmendet hapur në Kur'an. Në ajete vetëm njoftohet se do t'i fryhet bririt

(sur). I përmendet emri në hadithe si njëri nga emrat e katër engjëjve të mëdhenj.

Azraili

Detyra e tij është të marrë në dorëzim shpirtrat e atyre që u ka ardhur çasti i fundit. Në Kur'an është përmendur si "engjëlli i vdekjes".64

Engjëjt kiramen katibin (engjëjt shkrues)

Është emërtimi i dy engjëjve që ndodhen në të djathtë e në të majtë të njeriut. Engjëlli në të djathtë ka për detyrë të shënojë aktet dhe sjelljet e mira, kurse engjëlli në të majtë ka për detyrë të shënojë aktet dhe sjelljet e këqija. Këta engjëj që emërtohen edhe engjëj të kujtesës, do të dëshmojnë edhe për punët gjatë llogaridhënies ditën e kiametit.

Engjëjt mukarrebun (engjëjt e afërm, konfidentë)

Këta engjëj të përmendur edhe si il'lijjun dhe kerubijjun, të ngarkuar me detyrën e kujtimit dhe madhërimit të Allahut, ndodhen pranë Tij dhe në një pozitë të nderuar në lartësinë e Tij.

Engjëjt hamele-i arsh (hamallët e arshit)

Eshtë emri i engjëjve që bartin arshin (rezidencën hyjnore). Në Kur'an flitet kështu për ta:

"Ata (engjëjt) që e bartin arshin dhe që ndodhen rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me lavdërim dhe falenderim, shfaqin besimin ndaj Tij!"

Munker dhe Nekir

Janë dy engjëj të ngarkuar me detyrën e hetimit pas vdekjes, në varr. Munker dhe Nekir që do të thonë "i panjohur, i padalluar, i papëlqyer", i kanë marrë këta emra për shkak se i shkojnë njeriut në varr në një mënyrë krejt të padallueshme. Këta dy engjëj e pyesin të vdekurin në varr, "kush është Zoti yt?", "kush është profeti yt?", "kush është libri yt?", dhe pastaj e trajtojnë njeriun sipas përgjigjeve që marrin prej tij.

Në hadithet profetike tërhiqet vëmendja edhe për engjëjt që i frymëzojnë njeriut në zemër të drejtën dhe të vërtetën, për engjëjt që thonë "amin" në fund të Fatihasë së bashku me njerëzit që falin namaz, për engjëjt që ndodhen çdo ditë bashkë me njerëzit në namazet e agimit dhe pasditës (ikindisë), për engjëjt që zbresin mbi tokë gjatë këndimit të Kur'anit, për engjëjt që vizitojnë kuvendet e diturisë dhe dhikrit dhe luten për mëshirë për besimtarët.74

Mbrojtja e njerëzve nga ana e engjëjve

Allahu e mbron njeriun drejtpërdrejt, por mundet ta mbrojë edhe me anë të engjëjve; para së gjithash, kjo varet nga dëshira e Allahut. Disa herë ndodh që një fëmijë të bjerë nga kati i dhjetë dhe të mos pësojë asgjë. Për njerëzit, besimi i tyre, nënshtrimi ndaj Allahut, paisja shpirtërore, afërsia ndaj Allahut, konfidenca ndaj botëve metafizike, gjendja ku ndodhet janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë pozitivisht për të qenë në dialog me engjëjt dhe për të marrë ndihmën e tyre.

Siç kuptohet edhe nga shprehjet e haditheve profetike, ngritja e lidhjeve shpirtërore nga engjëjt me njerëzit dhe shërbimi si mbështetës i tyre varet nga sjelljet, qëndrimet dhe punët e mira që do të shfaqnin njerëzit.

Ndikimet e besimit te engjëjt në jetën e njeriut

Ashtu si besimi te Allahu dhe te jeta e pasme (ahiret), edhe besimi te ekzistenca e engjëjve pasohet me reflektime dhe ndikime shumë të rëndësishme në jetën e njeriut.

Këto mund t'i përmbledhim kështu:

Personi që u beson engjëjve asnjëherë nuk e ndjen veten të vetmuar. Edhe në kohët kur është më i vetmuar, ai e di se ka pranë engjëjt dhe, me anë të frymëzimit shpirtëror që ndjen nga prania e tyre, e kthen vetminë një një afërsi të ngrohtë. Duke krijuar një lloj shoqërie shpirtërore me ata miq të padukshëm, njeriu gjen prehje e qetësi.

Me aspektin si frenues i pasioneve sensuale dhe egoistike të njeriut besimtar, për rrjedhojë si lehtësues i marrjes nën kontroll të jetës nga ana e tij, besimi te engjëjt ka një ndikim të rëndësishëm. Besimtari që e di dhe mendon se ndodhet çdo çast nën kontrollin dhe shoqërimin e engjëjve, edhe do të ketë turp, edhe do të druhet të ecë drejt mëkatit.

Si simbol i bukurisë shpirtërore dhe i delikatesës morale, besimi te engjëjt zotëron edhe një ndikim të rëndësishëm nxitës dhe inkurajues në synimin e besimtarit për t'u ngjarë engjëjve. Fakti që, në praktikë, për njerëzit që bëjnë jetë të pastër, që kanë një natyrë të butë e që sillen me butësi ndaj të tjerëve, përdoret shprehja "si engjëll", tregon ndikimet pozitive të besimit te engjëjt në jetën e njeriut.

Qeniet e tjera jomateriale (metafizike)

Ashtu si engjëjt, edhe xhindët dhe shejtanët (djajtë) janë qenie që nuk mund të perceptohen me anë të organeve të shqisave njerëzore dhe që për ekzistencën e tyre njoftohet hapur si në Kur'an, ashtu dhe në hadithet profetike. Nisur nga kjo, mohimi i ekzistencës së tyre merr kuptimin e mohimit të ajeteve dhe haditheve me kuptim të drejtpërdrejtë (jofigurativ) dhe krejt të hapur.

Xhindët

Një nga qeniet jolëndore e metafizike janë edhe xhindët. Kuptimi leksikor i fjalës xhind (arab. xhin) është i mbuluar, i mbyllur. Kurse kuptimi terminologjik është kështu: "Xhindët janë qenie të tejdukshme të krijuara prej zjarri, të cilët mund të marrin forma dhe trajta të ndryshme dhe që kryejnë akte të dukura si të çuditshme (nga ana e njerëzve). Siç ndodh me njerëzit, edhe ndër xhindët ka besimtarë dhe mohues.

Në Kur'an, atje ku bëhet fjalë për krijesat, xhindët dhe njerëzit trajtohen së bashku. Për shembull, në një ajet thuhet kështu: "Allahu e krijoi njeriun prej argjile të pjekur, kurse xhindin e krijoi prej zjarri të pastër (prej flakës pa tym)!" (Rrahman, 55/14-15)

Duke u nisur nga shprehja e këtij ajeti, "min marixhin min nar", që mund ta përkthejmë "zjarr i pastër" ose "esencë zjarri", xhindët janë krijuar prej një lloj zjarri, por ky zjarr s'është as rrezatim, as zjarr që digjet me ndriçim, as zjarr me tym. Ky zjarr që është esencë lëndore, është zjarr që shpërndan shkëndija. Ja, prej një zjarri të tillë janë krijuar xhindët.

Sa për ngjashmërisë që kanë xhindët me njerëzit për sa u përket përgjegjësive, edhe xhindët, si njerëzit, janë krijuar për adhurim. Kështu, në një ajet, Allahu (xh.xh.) urdhëron: "Unë i krijova xhindët dhe njerëzit për të më adhuruar mua!" (Dharijat, 51/56) Gjithashtu, si njerëzit, edhe xhindët janë qenie të vullnetshme që bëhen bashkëbisedues të komunikimit hyjnor. Edhe xhindve u kanë ardhur mesazhe hyjnore që përmbajnë urdhra dhe ndalime, për rrjedhojë, me anë të këtyre mesazheve, edhe ata janë përgjegjës. Si konsiderimi i njerëzve bashkë me xhindët si bashkëbisedues të komunikimit hyjnor me shprehjen "o xhindë dhe njerëz", si tërheqja e vëmendjes që u bëhet atyre mbi përgjegjësinë para Zotit me ajetet "atëherë, ç'dhunti të Zotit tuaj po e mohoni", të gjitha këto, në suren Rrahman, e ndriçojnë në mënyrë të mjaftueshme specifikën në fjalë se njerëzit dhe xhindët janë qenie të krijuara me qëllimin e caktuar të adhurimit ndaj Allahut, të vullnetshme, bashkëbiseduese të komunikimit hyjnor dhe të ngarkuar nga Allahu me përgjegjësi të caktuara me anë të mesazheve të dërguara atyre nga ana e Tij.

Xhindët nuk e njohin të fshehtën. Faktin që xhindët nuk e njohin të fshehtën, Kur'ani e shpreh kështu në një ajet ku bën fjalë për vdekjen e Profetit Sulejman (alejhissalatu vesselam), nën urdhrin e të cilit punonin xhindë:

"Pasi vendosëm për vdekjen e Sulejmanit (që xhindët nuk e kuptuan dot), vdekjen e tij ua bëri të qartë vetëm krimbi që i hante shkopin ku qe mbështetur. Kur shkopi (i ngrënë nga krimbi) u thye dhe ai u rrëzua përtokë, doli në shesh se po ta njihnin xhindët të fshehtën, nuk do të vazhdonin t'i shërbenin

Sulejmanit duke iu nënshtruar një mundimi poshtërues për ta!" (Sebe, 34/14)

Një specifikë tjetër që duhet theksuar si e fundit në lidhje me xhindët, është kjo: Xhindët nuk janë krijesa që ndodhen në fushën e shikimit tonë. Në këto kushte, ne e kemi të pamundur t'i shohim ata në natyrën e tyre origjinale. Ç'kanë parë njerëzit, janë trajta precedenciale të tyre, domethënë, dimensione të tyre mundësisht të perceptueshme prej njerëzve. Xhindët zotërojnë aftësinë për të marrë si trajta njerëzore, ashtu dhe trajta kafshësh. Kështu, në hadithe të ndryshme Profeti (sal'lallahu alejhi vesel'lem) ka porositur, në lidhje me gjarpërinjtë që dalin nëpër shtëpi, që në fillim t'i thuhet, "nëse je xhind, dil jashtë!", pastaj, po të mos dalë, të vritet. Kjo porosi80 është argument i aftësisë së xhindve për të marrë trajta të ndryshme.

Shejtanët (djajtë)

Ka dy pikëpamje lidhur me kuptimin leksikor të fjalës shejtan. Sipas pikëpamjes së parë, kjo fjalë është e prejardhur nga rrënja "sh-t-n" dhe do të thotë "rri larg", "kundërshtoj". Kurse sipas pikëpamjes së dytë, fjala shejtan rrjedh prej rrënjës "sh-j-t" dhe do të thotë "digjem me furi". Në literaturën islame, emri shejtan u jepet qenieve "ekspansive e mendjemëdha të krijuara nga zjarri, të cilat, me anë të dyshimeve dhe lëkundjeve që shkaktojnë tek njerëzit, përpiqen vazhdimisht t'i prapësojnë ata".

Në Kur'an bëhet fjalë me emrin Iblis për shejtanin e parë dhe thuhet: "... Iblisi ishte nga xhindët; ai doli jashtë urdhrit të Zotit tënd!" (Kehf, 18/50) Kështu, njoftohet se ai ishte një xhind. Një tjetër argument që tregon se Iblisi ishte xhind, është se për të bëhet e ditur se edhe ai, si xhindët e tjerë, është krijuar prej zjarri. (A'raf, 7/12)

Iblisi, shejtani i parë dhe më i madhi, të cilit në fillim i ishte dhënë vend mes engjëjve, më pas, duke u mundur nga mendjemadhësia e vet, ra në pozicionin e qenies që i bën opozitë Allahut.

"U patëm thënë engjëjve t'i bënin sexhde Ademit. Përveç Iblisit, të gjithë ranë në sexhde, kurse ai nuk pranoi, u mbajt më të madh dhe u bë ndër mohuesit!" (Bekare, 2/34)

Me një dialektikë që do të mund ta quanim "logjikë e palogjikshmërisë", shejtani i është përgjigjur në këtë mënyrë Zotit që e ka pyetur se "pse nuk kishte rënë në sexhde para Ademit megjithëse e kishte urdhëruar": "Unë jam më i lartë se ai. Mua më krijove prej zjarri, kurse atë, prej balte!" (A'raf, 7/12) Kështu, ndërsa krijimi i Iblisit është bërë i determinuar, jashtë vullnetit të atij vetë, kthimi i tij në shejtan ka ndodhur me vullnetin e vet të tij si dhe si pasojë e gabimit të vet.

Nuk ka dyshim se kjo qenie e mallkuar dhe e përzënë nga mëshira hyjnore që nuk ka asnjë vlerë dhe çmim vetiak përsa u përket aspekteve të tij personale, është krijuar mbështetur mbi shumë urtësi. Pa asnjë dyshim, njëra nga këto urtësi, mbase më e para, është roli që luan shejtani në lartësimin dhe poshtërimin e xhindve dhe njerëzve.

Krijuesi i Lartë e ka bërë shejtanin, në botën e shkaqeve, pretekst për lartësimin moralo-shpirtëror, përparimin dhe përkryerjen e njeriut. Zhvillimin e shumë ndjenjave të natyrës krijimore të njeriut, Zoti e ka varur nga lufta me shejtanin. Ndërkaq, është një e vërtetë e përgjithshme se, atje ku s'ka luftë e përpjekje, s'ka zhvillim dhe përparim. Kështu, tek engjëjt, mbi të cilët shejtani nuk vepron, nuk ka përparim dhe lartësim shpirtëror.

Ashtu siç bëhet, dashje pa dashje, skifteri që e kërcënon vazhdimisht trumcakun, shkak për aftësimin e tij gjithnjë e më të madh për fluturim, edhe shejtanët bëhen dashje pa dashje shkak për lartësimin moralo-shpirtëror të njerëzve.

Në botën e provës, pas sukseseve në zhvillimin e një sërë aftësish e mundësish si rezultat i luftës kundër shejtanit, njeriu bëhet i denjë e i merituar i xhenetit, parajsës. Kurse ata të cilët, aftësitë dhe mundësitë që ua ka dhënë Zoti, i vënë në punë sipas sugjerimeve dhe kërkesave të shejtanit, bëhen të merituar të xhehenemit, skëterrës.

As mohuesit dhe as besimtarët nuk e kanë të drejtën për të kundërshtuar në formën "pse është krijuar shejtani?" ose "a nuk do të ishte më mirë sikur të mos ekzistonte?". Më së pari, mohuesi që nuk i beson Krijuesit si dhe specifikave të njoftuara prej Tij, nuk ka asnjë të drejtë t'i paraqesë çështjet që s'i beson, si çështje rezerve apo kundërshtimi. Kurse për besimtarin bëhet fjalë për nënshtrimin e tij ndaj paravlerësimit dhe paracaktimit të Krijuesit. Në esencë, si qenie të krijuara nga hiçi së bashku me gjithësinë ku ndodhemi, ne, njerëzit, nuk kemi të drejtë "të pretendojmë për të drejtë" kundër Krijuesit të Lartë! Sepse ne nuk kemi diçka që t'ia kemi dhënë Atij (xh.xh.), që të pretendojmë për ndonjë të drejtë ndaj Tij! Prandaj, ndaj Tij ne kemi vetëm përgjegjësitë tona, detyrat tona dhe falenderimet për të mirat që na ka dhënë e na jep!

Edhe xhindët e tjerë mohues që përpiqen t'i prapësojnë njerëzit, si Iblisi, emërtohen shejtanë. Madje, Kur'ani i konsideron shejtanët dy llojesh, prej njerëzish dhe prej xhindësh duke e mbështetur në cilësinë e tyre të përbashkët të sugjerimit njerëzve të mohimit dhe të çdo mendimi e ideje bestyte e të mbrapshtë që përmban mohim. Për shembull, në një ajet thuhet: "... Kështu, për çdo profet krijuam armiq nga njerëzit dhe xhindët!" (En'am, 66112) Ndërkaq, ndërsa shejtanët-njerëz që përpiqen t'i largojnë njerëzit nga Allahu dhe nga parimet dhe vlerat e vëna prej Tij, e bëjnë këtë sy më sy, shejtanët-xhindë i bëjnë sugjerimet e tyre dhe u fusin njerëzve dyshime e lëkundje nga një pozicion i padallueshëm prej nesh. Kështu, në një ajet, Iblisi trajtohet kështu bashkë me shejtanët, llojit të të cilëve u përket:

"Sepse ai dhe fisi i tij ju shohin ju nga një vend prej nga ju s'i shihni dot. Pa dyshim, Ne i bëmë shejtanët miq të mosbesimtarëve!" (A'raf, 7/27)

Lidhur me interpretimin e këtij ajeti, Fethullah Gylen ka një trajtesë subjektive në veprën e tij, "Dimensioni metafizik i ekzistencës" (Varl›ë›n Metafizik Boyutu). Sipas tij, shejtani dhe farefisi i tij preokupohet pa u ndalur me dobësitë e njerëzve dhe përpiqet t'i largojë ata nga Allahu. Bie fjala, kur ai e godet njeriun me anë të epshit, do të thotë se ka gjetur rrugën më të shkurtër. Sepse epshi është arma më e rrezikshme që e mpin vullnetin e njeriut dhe e bën atë lodër në duart e shejtanit. Ai u afrohet njerëzve me shumë dredhi të tjera, por, në shumicën e kohës, njerëzit nuk e shohin, nuk e ndjejnë dot këtë. Sepse shejtani i vëzhgon njerëzit nga vendi ku ata s'e shohin dot, pra, nga dobësitë dhe boshllëqet e tyre. Njerëzit nuk i shohin dhe nuk i ndjejnë dot as fisin e tij. Sepse ata janë pozicionuar në një mënyrë që njerëzit të mos i shohin dot, të mos i ndjejnë dot. Ata mund ta godasin njeriun në zemër krejt papritur, në një çast kur ai s'e pret aspak. Veçanërisht, në këtë ajet thuhet: "Ne i bëmë shejtanët miq të mosbesimtarëve!" Kjo na tregon neve këtë: Njeriu mund ta përbuzë shejtanin dhe mund t'i kundërvihet atij në raport me besimin që ka. Sa më shumë t'i dobësohet besimi, aq më shumë i forcohen lidhjet e miqësisë me shejtanin.83

Në një ajet tjetër, Kur'ani e bën shejtanin të tregojë me gojën e vet se ç'plane ka për njerëzit dhe se ç'qëllime ushqen ndaj tyre. Kur qe përzënë si ndëshkim për kundërshtimin dhe paturpësinë e tij, shejtani qe krenuar në këtë mënyrë para Allahut:

"... Për t'i prapësuar ata, unë do të ulem mu në mes të rrugës tënde të drejtë dhe pastaj do t'u futem atyre para e pas, nga e djathta e nga e majta dhe shumicën e tyre nuk ke për t'i gjetur ndër falenderuesit!"

(A'raf, 7/16-17)

Në këtë ajet bëhet fjalë për faktin që shejtani i cili nuk heq dorë në asnjë mënyrë nga puna për t'i prapësuar dhe nxjerrë njerëzit nga rruga e drejtë, u afrohet dhe u futet njerëzve nga katër drejtime.

"Pastaj do t'u afrohem njerëzve nga para." Shejtani u shkakton njerëzve dyshime dhe lëkundje mbi çështje të së ardhmes, domethënë, të jetës së pasme, ahiretit. Ai i bën njerëzit të mos besojnë në ringjalljen dhe jetën e pasme, në xhenetin dhe xhehenemin. Për pasojë, njerëzit nuk mendojnë ta rregullojnë jetën sipas besimit në jetën tjetër dhe, duke e interpretuar çdo gjë rreth interesave të veta, jetojnë si materialistë dhe pragmatistë.

"Dhe do t'u afrohem nga pas." Shejtani u sugjeron njerëzve se dëfrimet dhe kënaqësitë e vërteta që kërkojnë, nuk janë përtej, se duhet t'i heqin vështrimet nga bota përtej për t'i kthyer pas dhe se çdo gjë që kërkojnë ndodhet në jetën që jetojnë. Shejtani ua tregon njerëzve të mirat e kësaj bote aq të bukura, sa të mos njohin bukuri të tjera. Kështu, në ta s'mbetet asnjë dëshirë dhe asnjë interesim për ta parë Bukurinë e Përjetshme dhe bukuritë e përjetshme!

"Dhe do t'u afrohem nga ana e majtë." Shejtani u çon ftesa njerëzve duke nxitur dhe inkurajuar të shtrembrën, duke i zbukuruar të gjitha mëkatet dhe të këqijat dhe duke ua treguar të mira e të bukura atyre. Veçanërisht, duke ua gudulisur botën e brendshme, ua nxit epshin. Duke ua lëshuar femrën meshkujve dhe mashkullin femrave, ua prish nderin dhe pafajësinë.

"Dhe do t'u afrohem nga ana e djathtë." Shejtani u përzjen njerëzve shejtanllëqe (djallëzi) edhe në mirësitë që bëjnë. Edhe veprimet më të vogla që edukata s'i pranon, ua imponon atyre si të ishin pjesë të fesë dhe, duke i përhapur bindjet e sajuara, i bën që ta harrojnë frymën e fesë.

Për sa u përket marrëdhënieve të shejtanëve-xhindë me njerëzit, e shohim si të dobishme këtu të përcjellim nga Hz. Aisheja një hadith të rrëfyer.

"Natën, i Dërguari i Allahut u largua prej meje, kurse unë u zemërova nga zilia. Kur u kthye dhe më kuptoi se ç'më kishte ngjarë, më pyeti: "O Aishe, ç'ke që zemërohesh?" Kurse unë i thashë: "Si mund të mos e ketë zili e të mos zemërohet një njeri si unë me një njeri si ti?" Ai më pyeti: "A mos të erdhi shejtani?" Unë iu përgjigja: "O i Dërguari i Allahut, a mos shejtani që ndodhet bashkë me mua?" "Po!" - Më tha ai. Unë vazhdova: "A mos ka nga një shejtan për çdo njeri?" "Po!" - Më tha ai. Unë vazhdova: "A edhe për ty, o i Dërguari i Allahut?" "Po, por gjersa ai m'u dorëzua mua (gjersa u bë musliman), Zoti im më ndihmoi kundër tij!"

Njeriu konsiderohet i pranueshëm pranë Allahut dhe i suksesshëm me aq sa t'i bëjë opozitë shejtanit. Ndërkaq, realizimi i këtij suksesi varet nga sa e përdor njeriu vullnetin për këtë dhe sa mbështetet te Allahu që e sheh dhe vëzhgon çdo gjë. Profeti ynë (sal'lallahu alejhi vesel'lem), duke aluduar posaçërisht aspektin e dytë të çështjes, për t'a mësuar se ç'duhet të bëjë dhe për ta ndihmuar dikë që e kish turbulluar zemërimi dhe s'dinte ç'të bënte, i thotë: "Unë di një fjalë që, po ta thuash atë, lehtësohesh. Ajo fjalë është "Eudhu bil'lahi" (Mbështetem te Allahu). Me këtë, i Dërguari i Allahut synonte ta largonte personin nga atmosfera e rëndë ku ndodhej dhe t'i thoshte se me thënien "Eudhu bil'lahi", njeriu ia linte Allahut çështjen së bashku me shejtanin!

Le t'ia vëmë pikën kësaj çështjeje duke i dhënë vend sures "Nas" (Njerëzit) që na tregon se si duhet të ruhemi nga sherri (e keqja) si e shejtanëve-njerëz, ashtu dhe e shejtanëve-xhindër:

"Thuaj: "Mbështetem te Zoti i njerëzve, sunduesi i njerëzve, i adhuruari i njerëzve prej së keqes së shejtanit tinëzar që fut dyshim e lëkundje në gjokset e njerëzve, qoftë ai prej xhindve ose prej njerëzve!" (Nas, 114/1-6)

Shënimet

  1. 44.Në origjinal autori përdor fjalën arabishte gajb që do të thotë edhe e papranishme, edhe e padukshme, edhe e fshehtë. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për botën shpirtërore, kuptimi i kësaj fjale është e fshehtë dhe e pakapshme me asnjë lloj teknologjie (pikërisht sepse struktura e qenieve të botës shpirtërore është jomateriale). Për shembull, ajri është i padukshëm, por perceptohet qoftë edhe duke i bërë fresk fytyrës me dorë ose me ndonjë mjet tjetër. Vijat e forcës së fushës magnetike perceptohen me anë të aparateve. Etj. Përkthyesi.
  2. 45.Shih. Merjem, 19/16-17. 47 Shih Hud, 11/69-70.
  3. 46.Shih. Bakara, 2/30; A'raf, 7/206; Nahl, 16/50; Enbija, 21/19, 27; Shura, 42/5; Tahrim, 66/6. 49 Shih. Nisa, 4/163; Haxh, 22/75; Shuara, 26/193-194.
  4. 47.Shih. Shura, 42/5; Mumin, 40/7-9; Nexhm, 53/26. Kurse në një hadith bëhet fjalë edhe për shefaatin e engjëjve (për ndërhyrjen e engjëjve për falje). Shih. Buhari, Tevhid, 24.
  5. 48.Shih. Bakara, 2/87; Al-i Imran, 3/124-125; Maide, 5/110; Enfal, 8/12; Nahl, 16/28; Fussilet, 41/130-132; Muxhadele, 58/22.
  6. 49.Shih. Ra'd, 13/11.
  7. 50.Shih. Ra'd, 13/11; Kaf, 50/17-18; Infitar, 82/10-12; Tarik, 86/4.
  8. 51.Shih. Naziat, 79/5.
  9. 52.Shih. Buhari, Bed'u'l-Halk, 6; En'am, 6/39; Sexhde, 32/11.
  10. 53.Shih. Bakara, 2/210; Enfal, 8/50; Furkan, 25/21-26; Muhamed, 47/27; Hixhr, 15/7-8. 57 Shih. Fetih, 48/4-7. Po kështu, shih. Tevbe, 9/26; Ahzab, 33/9.
  11. 54.Shih. Bakara, 2/97, 98; Tahrim, 66/4.
  12. 55.Shih. Mearixh, 70/4; Nebe, 78/38; Kadr, 97/4; Merjem, 19/7; Tekvir, 81/19; Merjem, 19/19; Shura, 26/193; Bakara, 2/87, 253; Maide, 5/110; Nahl, 16/102.
  13. 56.Shih. Buhari, Bed'u'l-Vahj.
  14. 57.Shih. Bakara, 2/98.
  15. 58.Shih. En'am, 6/73; Kehf, 18/99; Taha, 20/122; Jasin, 36/51.
  16. 59.Shih. Buhari, Rikak, 43. 64 Shih. Sexhde, 32/11.
  17. 60.Shih. Kaf, 50/17-18; Infitar, 82/10-12; Dhuhruf, 43/80.
  18. 61.Shih. nisa, 4/11, 72.
  19. 62.Mu'min, 40/7; po kështu, shih. Hakka, 69/17.
  20. 63.Shih. Tirmidhi, Xhenaiz, 70; Musned, 3/126.
  21. 64.Tirmidhi, Tefsir, 3.
  22. 65.Buhari, Ezan, 11; Muslim, Salat, 18.
  23. 66.Buhari, Mevakit, 16; Muslim, Mesaxhid, 37.
  24. 67.Buhari, Fedailu'l-Kur'an, 15; Muslim, Musafirin, 36.
  25. 68.Buhari, Daavat, 66; Muslim, Dhikr, 8. 74 Tirmidhi, Ilm, 19.
  26. 69.Siç kuptohet nga shpjegimi i bërë në këtë paragraf si dhe nga shpjegimet leksikore përkatëse që jepen në literaturë, kuptohet se zjarri nga i cili janë krijuar xhindët është i tipit të shkëndijës elektrike ose të harkut elektrik - që është e njëjta gjë - domethënë, nga një rrymë elektronesh inkandeshente. Përkthyesi.
  27. 70.Faktin që në këtë ajet, xhindët përmenden para njerëzve, mund ta vlerësojmë si pasojë të faktit që xhindët janë krijuar para njerëzve.
  28. 71.Rahman, 55/33. Po kështu, shih. En'am, 6/130.
  29. 72.Rahman, 55/34.
  30. 73.Nga ky ajet kuptohet se kufoma e Sulejmanit ka mbetur për një farë kohe në këmbë e mbështetur në shkopin e tij. Xhindët qenë caktuar nën urdhrin e profetit Sulejman për të kryer punë të ndryshme. Nga shprehja "mundim poshtërues" që përdoret në këtë ajet, mund të themi se ishin xhindët mohues që e kuptonin kështu detyrën që u ishte caktuar nën urdhrin e Hz. Sulejmanit. Ngaqë nuk e patën kuptuar dot vdekjen e profetit Sulejman, ata patën vazhduar edhe për një kohë të kryenin punët që nuk i pëlqenin, sikur ai të vazhdonte të ishte gjallë. 80 Muslim, Selam, 139; Ebu Davud, Edeb, 174.
  31. 74.Në origjinal, takdir: paravlerësim dhe paracaktim hyjnor. Përkthyesi.
  32. 75.Në origjinal është përdorur fjala azald›kça (sa më shumë që t'i pakësohet), ndërsa duhej përdorur fjala zay›flad›kça, siç e kemi përkthyer ne. Sipas akaidit, shkencës islame të besimit, besimi nuk shtohet apo pakësohet, por forcohet apo dobësohet. Përkthyesi. 83 Fethullah Gülen, Varl›ë›n Metafizik Boyutu, 2/411.
  33. 76.Gülen, po aty, 2/414.
  34. 77.Muslim, Munafikun, 70.
  35. 78.Buhari, Bed'ul-Halk, 11; Muslim, Birr, 109.