IMANI
Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I
Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)
Ekipi i Studimeve Akademike
HYRJE
Një çështje si fillim
Ilmihali është udhëzuesi i jetës adhurimore të një muslimani. Udhëzuesi i këtij studimi që kemi përgatitur ne, përbëhet nga këto pjesë: bindja fetare-itikad (bazat e besimit-iman), adhurimi-ibadet (namazi, agjërimi, zekati, haxhi dhe kurbani), morali-ahlak. Duke menduar se marrëdhëniet civile-muamelat dhe penaliteti-ukubat janë tema studimi të veçanta, nuk janë trajtuar në këtë libër. Dhe tani, para se të kalojmë në trajtimin e çështjeve, dëshirojmë të qëndrojmë mbi një pikë.
Njerëzit bisedojnë me koncepte, mendojnë me koncepte dhe konkludojnë me koncepte. Çdo shkencë, çdo disiplinë shkencore ka konceptet e veta të vëna nga specialistët e asaj fushe duke marrë për bazë referencat e veta themelore. Kur konceptet dhe kuptimet që u ngarkohen koncepteve përkatëse nuk kuptohen në mënyrë të drejtë, ndodhin gabime, rrëshqitje dhe devijime ideore.
Për shembull, kur trajtohet një temë çfarëdo lidhur me mjekësinë, çështjet parashtrohen me anë të terminologjisë së kësaj dege të shkencave të natyrës dhe bëhen përpjekje për ta kuptuar ngjarjen apo dukurinë në kornizën e këtij parashtrimi. Po qe se vihet diagnozë për një sëmundje duke i ngatërruar konceptet dhe kështu fillohet mjekimi i saj, nuk është e vështirë të merret me mend se me ç'pasoja të rënda do të shoqërohet gabimi i bërë për shkak të ngatërrimit të koncepteve.
Nga ky këndvështrim, përdorimi me vend dhe kuptimi i drejtë i shprehjeve lidhur me fenë islame dhe zbatimin e saj në jetë në tërë spektrin e identitetit të saj, ka rëndësi të madhe. Konceptet e terminologjisë islame janë formuar duke marrë për bazë dy burimet qiellore: Kur'anin dhe Sunetin. Megjithëse termat përkatëse të temave dhe çështjeve që do të trajtohen në libër, do të shpjegohen në vendin e duhur, mendojmë se do të ishte e dobishme që disa koncepte të përdorura shumë shpesh të trajtoheshin që këtu.
Ç'është feja?
Fjala arabishte din (fe) ka këto kuptime leksikore: ndëshkim, llogari, aksident (akcidencë), politikë, bindje, shpërblim, nënshtrim, konkludim, adhurim i pranueshëm, komb, ligj etj.
Dijetarët tanë e kanë përkufizuar fenë si "manual ligjesh hyjnore që i shtyjnë njerëzit në të mirën absolute me vullnetin dhe pëlqimin e tyre të lirë". Ky manual ligjesh hyjnore është përfaqësuar dhe kumtuar nga profetët, njerëz të pajisur në mënyrë të jashtëzakonshme, të dërguar nga ana e Allahut.
Llojet e feve
Sipas specialistëve të historisë së feve, fetë ndahen në: a) fe me burim revelativ
b) fe pa burim revelativ
Fetë me burim revelativ (hyjnore) kanë qëndruar mbi të njëjtat baza themelore dhe kanë theksuar të njëjtat të vërteta. Çdo profet i dërguar nga ana e Allahut, përsa u përket disiplinave themelore - brenda kornizës së përshtatshmërisë ndaj kushteve të asaj dite dhe nevojave të kohës - është sjellë si vazhduesi, plotësuesi, përkryerësi i paraardhësit, e ka përsëritur mesazhin e profetëve para tij, ka bërë plotësime sipas situatave dhe kushteve, i ka shtjelluar specifikat që kanë kërkuar hollësi, ka bërë rinovime në çështjet që kanë kërkuar rinovim dhe është përqendruar gjithë po mbi të njëjtat tema. Besimi monoteist, profetësia, ringjallja dhe adhurimi janë bërë çështjet më parësore të çdo profeti.
Allahu i Lartë u ka dhënë profetëve direktiva private në hollësitë dhe ka vënë për ta ligje të posaçme, të gjitha këto sipas nivelit të dijes dhe aftësisë kuptimore përfshirëse të popullatave ku i ka dërguar, sipas cilësisë së problemeve dhe llojit të nevojave të tyre.
Ja pra, në vartësi të kësaj ideje themelore, në mesazhet e të gjithë profetëve, të dërguarve dhe dishepujve të tyre nga profeti i parë gjer te i Dërguari i Fundit, profeti Muhamed (s.a.s.) - lidhur me temat dytësore - bie në sy gjithmonë një ndryshim në zhvillim, por asnjëri nga ndryshimet nuk e prek frymën e mesazhit bazë dhe nuk e kapërcen kornizën e hollësive.
Edhe në një hadith të profetit Muhamed (s.a.s.) thuhet: "Profetët janë vëllezër të një babe dhe feja e tyre është një!" (Buhari, Enbija, 48; Muslim, Fedail, 143) Islami e ka pranuar besimin në origjinën e feve të dërguara profetëve si njërin prej bazave themelore të besimit. Mbi këtë temë do të qëndrohet shpesh edhe në kapitujt e mëtejshëm.
Megjithëse feja e të gjithë profetëve është Islami, me profetin Muhamed feja islame arriti përkryerjen, u vu pika e fundit mbi fetë: "Sot e përkreva fenë tuaj, plotësova dhuntinë time për ju dhe zgjodha Islamin si fe për ju!" (Maide, 5/3)
Të gjithë profetët, krahas kumtimit të fesë së vërtetë, e kanë përfaqësuar atë duke e jetuar thellë dhe në mënyrë tejet të dallueshme nga çdo njeri tjetër. Fesë së sjellë nga profeti Musa iu dha më vonë emërtimi "hebraizëm". Në të njëjtën mënyrë, edhe "krishterim" është emërtimi i mëvonshëm i fesë së sjellë nga profeti Isa. Këto emërtime s'i kanë njohur e s'i kanë përdorur as profeti Musa e as profeti Isa.
Për faktin që ka burim hyjnor dhe që e ka ruajtur formën origjinale, Islami është fe e vërtetë. Ndërsa mbështeten në revelacionin hyjnor, hebraizmi dhe krishterimi nuk i kanë ruajtur dot origjinalet e tyre qiellore. Megjithëkëtë, pikat e përbashkëta dhe paralelizmat mes librave të tyre dhe Kur'anit nuk janë të pakta.
Hebrenjve dhe krishterëve u thuhet edhe njerëz të librit. Disa i pranojnë edhe zoroastrianët si njerëz të librit, megjithëse është e dyshimtë nëse ata kanë pasur libër apo jo.
Kurse fetë që nuk mbështeten në revelacionin hyjnor, janë fe bestyte, false, supersticioze ose, thjesht, supersticiozitete, bestytni.
Janë edhe disa sisteme të organizuara me pamjen e një bindjeje shpirtërore, si meditacionizmi dhe jogizmi që nuk mbështeten në themel as në ndonjë profet e as në revelacionin hyjnor.
Feja islame
Me lidhje fjalëformuese e semantike me fjalët silm (paqe, paqëtim) dhe selamet (sukses, shpëtim), islam do të thotë dorëzim i robit te Zoti, ndjekje e urdhrave të Tij, hyrja në një rrugë të qetë, në paqe e siguri dhe ecje drejt suksesit dhe shpëtimit, premtim sigurie kujtdo, madje gjithçkaje, moskrijim shqetësimi për askënd.
Islam është titulli i fesë qiellore me bazat të mbështetura në mesazhet e Allahut, Zotit të gjithësisë, të kumtuar e të përfaqësuar si dhe të jetuar vetë e të mundësuar edhe për të tjerët për t'u jetuar nga profeti Muhamed (s.a.s.).
Feja islame përbëhet nga konkluzionet besimore-itikadí (bazat e besimit), praktike-amelí (adhurimet, marrëdhëniet civile, penaliteti) dhe morale-ahlakí (morali dhe etika).
Ja pra, fe është titulli hyjnor i qenies së Islamit jetë për jetën me të gjitha konkluzionet, ndarjet dhe fakultetet e tij. Nisur nga kjo, quhen të vetëgënjyer ata që e shohin fenë vetëm si identitet të besimit fetar.
Themeli dhe kreu i Islamit është besimi dhe kuptimi. Domethënë të besosh në të vërtetën hyjnore në mënyrë të palëkundur, pa i dhënë mundësi të kundërtës dhe lidhja e zemrës pas të Vërtetës, Zotit. Ndërsa maja dhe kulmi i saj është zbatimi i përgjegjësive me ndjeshmërinë më të lartë sikur ta kishe Zotin para, ta shihje Atë e të shiheshe prej Tij, gjë që quhet në terminologji ihsan, mirësi, si dhe kryerja e çdo akti me bosht fitimin e miratimit dhe pëlqimit të Zotit, gjë që quhet në terminologji ihlas, principialitet dhe sinqeritet.
Institucionaliteti fetar: Është shndërrimi i besimit fetar dhe fesë në jetë, pra, përfaqësimi dhe zbatimi në jetë. Besimtari i fesë islame quhet muslim, musliman dhe nënkupton njeriun i cili u është dorëzuar dhe nënshtruar mesazheve të Islamit, i cili përfaqëson qetësinë, paqëtimin, suksesin dhe shpëtimin. Këtë emër, besimtarit islam ia ka dhënë Allahu i Lartë në Kur'an: "Është Ai që jua ka dhënë këtë emër edhe më parë, edhe në Kur'an." (Haxh, 22/78)
Besimtari: Fjala mu’min (besimtar) do të thotë njeri i besueshëm, me personalitet të shëndoshë, që jep siguri, që i beson Allahut dhe e vërteton Atë, që e pohon besimin me ndërgjegje dhe e ndjen me zemër. Me kuptimin e vet të posaçëm, është njeriu që i beson fesë së Allahut të përcjellë nga profeti Muhamed (s.a.s.) dhe që e vërteton këtë fe. Megjithëse emërtimet mu’min dhe muslim kanë dallime nuancash kuptimore mes tyre, përdoren në vend të njëri-tjetrit.
Po qe se i shtjellojmë pak këto përkufizime, mu’mini ose besimtari, për nga këndvështrimi i faktit që me arsyen e shëndoshë dhe mirëkuptimin, me zgjuarsinë dhe aftësinë parashikuese, me mendjen e pastër e të kthjellët të ndriçuar nga revelacioni hyjnor, me botëkuptimin e gjerë dhe objektiv, me vështrimin e shëndoshë dhe gjithëpërfshirës, me ndjeshmërinë dhe korrektesën në përgjegjësitë, me vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë kundër të këqijave, gjatë gjithë jetës është në ndjekje të gjërave të larta e sublime e kapet pas tyre, që me ndjenjën, vetëdijen dhe vullnetin të cilët mundet t'i mbajë të gjallë çdo kohë, me hetimin për të arritur kompetencën në thelbin e çdo gjëje dhe kuptimin e thellë në interpretimin e ngjarjeve dhe dukurive, i bindet Allahut dhe ka siguri te Ai dhe mes njerëzve njihet si njeri i besueshmërisë e i sigurisë, që e vërteton të Vërtetën (Zotin) dhe i mbetet gjithmonë besnik, që njihet si njeri besnik ndaj amanetit dhe kujtohet si njeri të cilit mund t'i drejtohesh gjithmonë për t'i lënë një amanet, që njihet dhe pranohet si i tillë nga ndërgjegjja publike, që bëhet pretekst kudo që ndodhet e dëgjohet për përmendjen e të Vërtetës (Zotit) dhe që i orienton me fjalët e qëndrimet e veta për tek e Vërteta (Zoti) të gjithë ata që i shkojnë pranë ose shoqërohen me të, për nga këndvështrimi i të gjitha këtyre fakteve, pra besimtari, mbështetur në parimin e "përkushtimit gjer në vetëmohim ndaj përkryerjes së fjalës absolute", është një hero i vërtetë i vërtetimit, shpjegimit dhe përfaqësimit të besimit!
Fetar: Njeri fetar quhet personi që e beson duke e jetuar dhe përfaqësuar fenë islame me të gjitha elementët e saj të besimit, veprimit dhe moralit.
Akti (adhurimor ose civil) pa besim është hipokrizi, kurse besimi pa akt është defekt (mangësi gjer në mëkat). Ndërsa hipokrizia është një mohim (kufr) i fshehtë, për pasojë, me pamundësi faljeje, defekti dhe mëkati e ka gjithmonë të hapur mundësinë e faljes me anë të pendimit, pendesës dhe rikthimit kah Zoti. Nisur nga kjo, po qe se dikush, edhe pse nuk kryen detyrat fetare, pra nuk e vë fenë në jetë, nuk e nënvleftëson atë, për të duhet menduar gjithmonë pozitivisht dhe nuk duhet nxituar për të konkluduar për mohim (kufr) për të. Përkundrazi, po qe se dikush, jo vetëm që nuk i kryen detyrat fetare, por edhe i nënvleftëson dhe i përbuz muslimanët ngaqë janë muslimanë, sigurisht që për të është e pamundur të mendohen të njëjtat gjëra pozitive!
Allahu ia ka favorizuar njerëzimit një udhëzues që do ta çonte njeriun edhe në këtë botë, edhe në jetën e pasme (ahiret) në qetësinë e vërtetë e të përhershme në kënaqësinë pa dhimbje, me anë të kumtimit dhe përfaqësimit të profetit Muhamed (s.a.s.). Islami është emri i këtij favori dhe e kësaj mirësie të pashoqe. Në këtë fe, sipas arsyes së shëndoshë dhe mendimeve të drejta, jo vetëm nuk ka ndonjë boshllëk dhe mungesë përgjigjeje për dëshirat, kërkesat dhe pritjet e njeriut, por as është bërë fjalë për ndonjë kontradiktë në urdhrat e krijimit dhe në interpretimin e tyre. Veçanërisht, krahas të gjitha këtyre, me premtimet për lumturinë shpirtërore, pëlqimin e Zotit dhe mundësinë për ta parë Atë, Islami është një sistem hyjnor përjashtimisht i zgjedhur, i planifikuar sipas karaktereve, kapaciteteve, qëllimeve dhe prirjeve tona!
Islami i flet gjithë njerëzimit
Feja islame është e fundit e feve hyjnore dhe feja e vetme që vazhdon ta ruajë origjinalitetin e saj. Edhe profeti Muhamed (s.a.s.) i cili e ka kumtuar dhe përfaqësuar Islamin, është hallka e fundit e profetësisë. Profeti Muhamed ka thënë fjalën e fundit në emër të fesë. Profetësia e tij nuk është për një shoqëri dhe komb të caktuar, por për gjithë njerëzimin. Profetët e mëparshëm, duke iu drejtuar vetëm shoqërisë për të cilën qenë dërguar, kanë thënë, "o fisi im", "o njerëzit e mi". Kurse profeti Muhamed (s.a.s.), siç përmbahet në shumë vende të Kur'anit, i është drejtuar gjithë njerëzimit, duke thënë, "o njerëz".
Ka shumë ajete dhe hadithe që bëjnë të ditur universalitetin e Profetit dhe të mesazhit të tij. Për shembull, në këto ajete shprehet qartë se Profeti ynë është dërguar për të gjitha kohërat dhe vendet: "Ne të dërguam ty mëshirë për të gjitha botët!" (Enbija, 21/107) "Thuaj: "O njerëz! Unë jam një lajmëtar i dërguar nga Allahu për të gjithë ju!" (A'raf, 7/158)
Këtë veçori të tij të njoftuar në Kur'an, Profeti (s.a.s.) e ka shprehur në hadithe të ndryshme: "Çdo profet iu dërgua popullit të vet, kurse unë iu dërgova gjithë njerëzimit!" Konkluzionet e fesë islame të kumtuar prej tij janë të përgjithshme dhe kanë gjerësinë dhe pasurinë e duhur për të përballuar nevojat e të gjithë popujve dhe shoqërive njerëzore që do të jetojnë në çdo kohë e në çdo vend. Feja islame i pranon të gjithë profetët e dërguar para saj si dhe të gjithë librat e shenjtë të komunikuar atyre. Kur'ani është mesazhi më i fundit e më i përkryer që mund t'u japë përgjigje nevojave të të gjithë njerëzimit gjer në kiamet. Ai është i vetmi libër hyjnor që ruan origjinalitetin dhe freskinë e kohës dhe formës kur u zbrit. Mjafton që ata që i besojnë Kur'anit, duke i mbajtur parasysh veçoritë e tij universale, ta kumtojnë dhe përfaqësojnë atë në dimensione universale!
Si e sheh Islami jetën
Njeriu dërgohet në këtë botë për t'u marrë në provë. Jeta e njeriut është një provë. Kjo specifikë shumë e rëndësishme është shprehur në Kur'an në mënyrë shumë të qartë: "Është Ai që e ka krijuar vdekjen dhe jetën me qëllim për të provuar se kush nga ju do të bëjë punë më të mirë!" (Mulk, 67/2) Bota nuk është vend ku mund të rrihet përgjithmonë, por një shtëpi pritjeje. Njeriu qëndron këtu për një kohë, pastaj shkon në vendin e përjetësisë. Bota është vendi ku fitohet përjetësia. Këtu njeriu provohet me vlerat materiale-shpirtërore që ia ka favorizuar Allahu. Kështu, jeta e njeriut është një kapital. Trupi, mendja, mundësitë që zotëron, që të gjitha veç e veç janë kapital për njeriun. Allahu i propozon njeriut t'ia kthejë sërish këto të mira që ia ka favorizuar duke ia shitur në shkëmbim të xhenetit. "Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre në shkëmbim të xhenetit!" (Tevbe, 9/11) Le ta mendojmë për një çast mëshirën dhe dhembshurinë e gjerë të Allahut. Jetën, pasurinë, jetëgjatësinë që ia dha vetë njeriut si favor, Allahu kërkon t'ia blejë në shkëmbim të xhenetit. Fundja, a s'është Allahu që jep? Po qe se njeriu e vlerëson jetën në një mënyrë të pëlqyeshme për Allahun, mund ta fitojë lumturinë edhe këtu, edhe përtej. Besimi është mirësia më e madhe e Allahut për njeriun. Besimi është si bërthama e xhenetit. Një jetë me besim dhe në lidhje të vazhdueshme me Allahun, është burim qetësie dhe lumturie të vërtetë.
Duke bërë adhurim në atë mënyrë siç ka urdhëruar Allahu dhe duke u ruajtur nga haramet, njeriu e përdor kapitalin trup në një tregti me fitim. Ai e bën këtë tregti me fitim duke dhënë zekatin dhe sadakanë e mallit dhe të të ardhurave. Shkurt, po qe se njeriu e vlerëson dhe e shfrytëzon çdo të mirë që ia ka falur Allahu me synimin për të fituar pëlqimin e Tij, fiton. Islami është ai që e çon njeriun drejt pëlqimit të Allahut!
Marrëveshja shkencë-fe
Qysh në krye të herës, njerëzimi ka vrarë mendjen vazhdimisht mbi qenien, njeriun, Krijuesin e Lartë dhe marrëdhëniet e këtyre me njëri-tjetrin, është përpjekur të kuptojë marrëdhëniet e fshehta mes tyre. Qenia (gjithësia) është një libër i shkruar nga Zoti me fuqinë dhe vullnetin e vet. Ky është libri i materies dhe i dukurive të vëna në rregull nga Allahu sipas një plani, programi, mase dhe ekuilibri. Krahas kësaj është edhe libri i Kur'anit i ardhur nga atributi Fjalë i Allahut. Temat kryesore të Kur'anit janë besimi monoteist (tevhid) ku trajtohen ekzistenca dhe uniteti i Allahut, profetësia (nubuvvet), ringjallja (hashr) dhe adhurimi (ibadet). Me këtë perspektivë themelore, Kur'ani ua shpjegon njerëzve gjithësinë, u bën dritë materies dhe dukurive në gjithësi. Allahu i Lartë që e ka krijuar gjithësinë brenda një rregullsie dhe harmonie të caktuar, këtë regjim rregullsie dhe harmonie të ngritur prej Tij e deklaron në Kur'an. Edhe njeriu është trajta e shkruar ndryshe e këtyre dy librave. Kur'ani, gjithësia dhe njeriu janë nga një libër më vete ku shfaqen në trajta të ndryshme emrat dhe atributet e Allahut. Të lidhur me njëri-tjetrin me një lidhje të brendshme të mrekullueshme, këta e shpjegojnë dhe e interpretojnë njëritjetrin. Mes tyre ka përputhshmëri dhe harmoni.
Duke i shqyrtuar librat gjithësi dhe njeri, shkenca përcakton disa të vërteta në përfundim të provave dhe eksperimenteve. Po qe se njohuritë e arritura në përfundim të vëzhgimeve, provave dhe eksperimenteve të ndryshme, fitojnë vlerë kategorike, kësaj i thonë shkencë. Kurse njohuritë që s'kanë fituar vlerë kategorike, mbeten si teori ose vështrim teorik.
Shkencat e vërteta janë identitet i raporteve të nxjerra nga veprimtaria ekzekutive e Allahut në gjithësi, nga marrëdhënia mes ligjeve hyjnore në gjithësi me materien dhe dukuritë. Dhe, ndërsa e vërteta qëndron kështu, si mund të ndodhë që këto ta eliminojnë njëri-tjetrin dhe si mund të mendohen veç nga njëri-tjetri?
Shkencat e zhvilluara në fusha të ndryshme, janë në mirëkuptim me Islamin. Nuk është me vend që çdo teori t'i adoptohet Kur'anit dhe Sunetit që janë burimet kryesore të fesë islame, sepse në këto kushte, një pikëpamje ende e paprovuar pranohet si themelore dhe ajetet dhe hadithet interpretohen sipas saj. E drejtë dhe e saktë është që njohuritë e arritura nga shkenca të trajtohen sipas kriterit se sa përputhen me Kur'anin dhe Sunetin autentik. Sepse nuk është e qëlluar dhe e saktë që të bëhen përpjekje për t'ua adoptuar të vërtetat e njoftuara me rrugë qiellore teorive të pavërtetuara duke i pandehur këto si të vërteta shkencore!
Feja me shkencën e vërtetë janë si dy fytyrat e të njëjtës të vërtetë. Feja e shëtit njeriun në rrugë të vërteta dhe i jep mundësi të arrijë në përfundime që do ta bënin të lumtur. Kurse shkenca me qëllim dhe synim të qartë, si një pishtar në këto rrugë, ia ndriçon atij atë çka para.
Detyrën për të dhënë njohuri mbi njeriun, qenien dhe Krijuesin, kompetencën e fjalës mbi këta, Allahu ua ka dhënë profetëve. Këta njerëz të zgjedhur, të pajisur në mënyrë të veçantë e të jashtëzakonshme, kanë marrëdhënie të posaçme me Fuqinë e Pafundme. Ata kanë bërë shpjegimet dhe interpretimet më të drejta mbi kuptimin dhe natyrën e paraskenës dhe prapaskenës së qenies.
Sa e sa të vërteta të parashtruara sot nga shkencat moderne ka, të cilat profetët, duke u mbështetur në atë botën e tyre shpirtërore të gjerë të hapur ndaj revelacionit hyjnor dhe thellësive të zgjuarsisë së tyre të pangjashme, me anë të një vështrimi gjithëpërfshirës, i kanë parashtruar shumë më parë qoftë edhe në formën e hipotezave të përgjithshme. Pavarësisht se në ç'pozicion ndaj të vërtetave të parashtruara prej tyre janë qendrat studimore të ditëve të sotme që punojnë me laboratorë modernë dhe teknologji shumë të përparuara, ende sot miliona njerëz e vlerësojnë çdo gjë në kornizën e mesazheve dhe interpretimeve të tyre, posaçërisht në çështjen njeri-gjithësi-Allah, i ndjekin dhe u shkojnë pas atyre pa kusht.
Me burimet e tij themelore Kur'anin dhe Sunetin autentik, Islami u ka hapur horizonte shkencave dhe i ka nxitur besimtarët të vrapojnë e të punojnë në këto horizonte. Profetët e dërguar me një pajisje të veçantë si udhëzues të çdo çështjeje për njerëzit, janë dhe mbeten udhëzues si në lartësimin moraloshpirtëror, ashtu dhe në përparimin material. Për herë të parë me dorën e tyre ua ka dhuruar Zoti njerëzve mrekullitë e qytetërimit. Si anija, një mrekulli e profetit Nuh (a.s.) dhe ora, një mrekulli e profetit Jusuf (a.s.).
Me anë të mrekullive të profetëve, Kur'ani ka shënuar kufijtë e fundit ku mund të arrijnë shkencat. Për shembull, siç përshkruhet në suren Bekare, në kohën e profetit Musa (a.s.), një njeri i vdekur është ngjallur përkohësisht. Kjo do të thotë se shkenca e mjekësisë do të zhvillohet gjer në një pikë të tillë që të jetë në gjendje t'i japë vdekjes ngjyrën e një jete të përkohshme.
Edhe profeti ynë Muhamed (s.a.s.), në shumë hadithe të tij, ka shënuar pikat ku mund të arrijnë shkencat. I Dërguari i Allahut ka bërë të ditur se ka për t'u jetuar një epokë përshpejtimi. Duke bërë të ditur se intervali kohor mes projektimit dhe aksionit do të ngushtohet shumë, se largësitë do të tkurren dhe se synimi do të arrihet me shpejtësi, ai ka treguar se në shkencat do të kryhet një zhvillim tejet i shpejtë. Veçanërisht në fushën e ndërlidhjes dhe komunikacionit, shekuj më parë është njoftuar se do të ndodhin zhvillime marramendëse.
Le të japim një shembull tjetër. Profeti (s.a.s.) ka paralajmëruar se do të ndodhë që një grup njerëzish të hanë e të ngopen me një kokërr shegë. Kjo do të thotë se në bujqësi do të bëhen përmirësime varietore, si rezultat i të cilave, do të krijohen, për shembull, shegë aq të mëdha që mund t'i mbarojnë së ngrëni njëzet vetë, se lëkura e një shege do të mund t'i bëjë hije një njeriu! Siç shihet, në këtë hadith profetik është shënuar se sa do të zhvillohet teknologjia e gjeneve, mbi të cilën sot sapo është nisur të punohet. Veç këtyre shembujve të dhënë, në Kur'an dhe në shumë hadithe është aluduar mbi degë shkencore të ndryshme dhe kufijtë ku do të mund të arrijnë ato, që ne sot nuk mundemi t'i dimë apo t'i shohim, por që në të ardhmen do të duken patjetër. Jo vetëm janë shënuar apo aluduar këto zhvillime, por është nxitur njerëzimi për t'i arritur këto objektiva. Këto do të duken dhe arrihen dhe, atëherë, duke ia ripohuar profetit Muhamed se është i Dërguari i Allahut, lidhja pas tij do të rinohet e do të fitojë forcë. Shekujt po e vërtetojnë atë dhe të gjitha thëniet e tij po dalin një e nga një në dritë të ditës!
Shkenca shqyrton dhe studion mënyrën e krijimit dhe ekzistencës së botës materiale, jetës dhe, veçanërisht njeriut. I gjen dhe i nxjerr ligjet hyjnore që veprojnë në këtë gjithësi. Në sajë të këtyre ligjeve, përgatit mundësi që njerëzimi të përparojë edhe më tej në teknikë dhe qytetërim. Kurse feja parashtron se pse janë krijuar gjithësia dhe bota materiale dhe kush është krijuesi i tyre. Veçanërisht, përcakton pozitën speciale të njeriut mes qenieve, qëllimin final të krijimit të tij dhe natyrën e detyrës së tij në këtë botë.
Në këto kushte, shkenca dhe feja janë dy çelësa që hapin kutitë e fshehtësive të botës ekzistente. Ndërsa shkenca parashtron formën e krijimit të qenieve, natyrën dhe përbërjen materiale të tyre, feja shpjegon shkakun dhe qëllimin final të krijimit të tyre. Nga ky këndvështrim, në këtë mes nuk ka ndonjë situatë kontradiktore në të cilën shkenca dhe feja të konfrontohen, përkundrazi, ato plotësojnë njëratjetrën.
Në mënyrë të veçantë, feja, me burimet informative brenda saj, në tema dhe çështje që e kapërcejnë horizontin e informacionit shkencor, si fillimi i krijimit, jeta pas vdekjes, etj., është një udhëzues me stil të hapur që nuk të gënjen.
Ata që kanë pandehur se, me zhvillimin e shkencës, pikëpamjet fetare do të falimentojnë, në këtë pikë janë vetëmashtruar. Çdo hap i hedhur para nga shkenca, çdo zbulim i ri e ka afruar edhe më shumë njerëzimin që mendon dhe arsyeton, ndaj vlerave fetare dhe e ka treguar edhe më nga afër madhështinë e Allahut, Zotit të gjithësisë. Kështu, shkencat që janë identitet i zbulimit të ligjeve ku mbështetet rregullsia dhe harmonia ekzistente në gjithësi dhe i kërkimit dhe studimit të rrugëve për të përfituar nga këto ligje, janë provat dhe dëshmitarët më të fuqishëm të ekzistencës së Allahut që e ka ngritur dhe e bën të funksionojë këtë rregullsi dhe harmoni. Mohimi i ekzistencës së atij Krijuesit të lartë, i fuqisë së pashoqe të Tij, mund të bëhet vetëm duke mohuar rregullsinë dhe harmoninë ekzistente që shihet me sy. Dhe po të mohohet rregullsia dhe harmonia në fjalë, s'mbetet më shkencë në mes. Nga ana tjetër, shkencat, ngaqë merren me shqyrtimin dhe studimin e universit të qenieve të krijuar nga Allahu, parashtrojnë mrekullitë, llogaritë dhe kriteret e imta të krijimit dhe dashje pa dashje, bëjnë fjalë mbi emrat dhe atributet hyjnore që shfaqen mbi qeniet. Nga ky këndvështrim, secila nga shkencat, si pasqyra të emrave të Allahut, mbështeten në një emër të Allahut. Këtë specifikë, Bediuzzaman Said Nursi e shpjegon kështu: "Çdo përkryerje, çdo shkencë, çdo përparim, çdo teknologji ka të vërtetën e vet të lartë e cila mbështetet në një emër hyjnor. Duke u mbështetur në atë emër që ka një spektër të gjerë elementësh përbërës dhe shfaqjesh, ajo teknologji, ajo përkryerje, ai art gjen përsosmërinë e vet dhe bëhet një e vërtetë. Ndryshe, gjëja gjysmake është thjesht një hije. Për shembull, gjeometria është një shkencë. E vërteta dhe pika fundore e saj, duke arritur emrat Adl (i drejtë, i saktë) dhe Mukaddir (vlerësues, përcaktues) të Zotit, bën që në pasqyrën e shkencës së gjeometrisë të vëzhgohen në tërë madhështinë e shkëlqyer të tyre shfaqjet sunduese të nuancave të atyre emrave.
Për shembull, mjekësia është një shkencë dhe një art. Edhe fundi dhe e vërteta e saj mbështetet në emrin Shafi (shërues) të Mjekut Absolut dhe me shikimin e variacioneve Mëshiruese në mjetet shëruese të faqes së tokës që është barnatorja e Tij e madhe, mjekësia gjen përsosmërinë e saj dhe bëhet një e vërtetë.
Për shembull, urtësia e materies që bën fjalë mbi të vërtetën e ekzistencës, e sheh shfaqjen madhështore të emrit Hakim (i Urtë) të Zotit në materien me karakter të matur e edukues, në interesat dhe qëllimet e saj dhe duke e arritur dhe u mbështetur në atë emër, kjo e vërtetë bëhet e vërtetë. Ndryshe, ose shndërrohet në supersticiozitete dhe bëhet një gjë e kotë, ose i hap rrugë deviacionit që i ngjet filozofisë së natyrës.
Ja pra, tre shembuj për ty. Krahasoji ti përsosmëritë dhe shkencat e tjera me këta tre shembuj!"
Horizonti i fesë
Një anë të dashurisë për të vërtetën e përbën shkenca, kurse anën tjetër, feja. Sigurisht, në njërën anë të lidhjes dhe marrëdhënies mes qenies është zbulimi dhe përcaktimi i të vërtetës me anë të aftësisë njohëse dhe vetëdijes së njeriut, në anën tjetër është qëndrimi që duhet përcaktuar ndaj asaj të vërtete. Specifikën e parë e ndjek shkenca, përfshi edhe burimet informative të fesë. Kurse specifikën e dytë e përcakton feja. Shkenca që nuk ka në themelet e saj analizën dhe shpjegimin e qenies dhe ekzistencës, dëshirën dhe pasionin për zbulimin e të vërtetës, është e verbër; po kështu, edhe përcaktimet e saj nuk janë pa kontradikta. Ashtu siç ndodh që shkenca për përvetësimin e së cilës bëhen përpjekje të nisura nga konsiderata interesash individuale, familjare e shoqërore, është e paracaktuar të përballet çdo kohë me një sërë ngecjesh e bllokimesh, ashtu dhe komplikimi herët a vonë i informacionit apo njohurisë së arritur në mënyrë të kushtëzuar nga një mendësi, një ide, një parti e një doktrinë, është i pashmangshëm. Meqë me burimet informative brenda saj, feja është një basen i gjerë dijeje, është edhe një element jetësor dhe një dinamikë me rëndësi për sa i përket dashurisë dhe pasionit për të vërtetën, si dhe në çështjet që e kapërcejnë horizontin e informacionit dhe njohurisë, një udhëzues me stil tregues të hapur, por me pamje të thellë që s'të gënjen kurrë!
Por ç'e do se ashtu siç është e mundur në çdo kohë që shkenca, duke u flijuar për ide të caktuara, për rryma të caktuara dhe për doktrina të caktuara, duke e miopizuar, të shndërrohet në diçka mëngjarashe apo më keq, në një demon agresiv, grindavec dhe që ia pret rrugën të vërtetës, ashtu dhe është e mundur në çdo kohë që edhe feja e cila është një e vërtetë qiellore, të tregohet në dorën e mendimit fanatik si burim ndjenjash urrejtjeje, neverie, zemërimi dhe shpagimi; si përfytyrimi dhe projektimi i një objekti në mënyrë të përmbysur! Ç'kontradiktë e madhe!
Mendoni, tani, një çerdhe shkencore - që, në të vërtetë, është po aq e shenjtë sa një tempull - të marrë nëpër këmbë, madje të marrë rob në këtë apo atë mënyrë nga një rrymë filozofike. Aty shkenca është një i arrestuar në dorën e një ideje jo të lirë, fanatike dhe po aq të mallkuar sa injoranca më e mallkuar! Dhe mendoni një fe që kërkohet të bëhet mjet për interesat e disa klikave politike apo jopolitike. Tashmë tempulli është bërë banesa e ngushtë e asaj klike, kurse adhurimi aty është shndërruar në një lloj ceremonie protokollare dhe, në këto kushte, nuk ka dyshim se edhe feja, edhe institucioni dhe jeta fetare, edhe karakteri sublim i fesë janë vrarë keqas!
Sigurisht, po qe se në një shoqëri disa flasin për shkencë dhe, ndërkaq, i përdorin çerdhet shkencore, siç përdorin vilat e veta, si vitrina të dëshirave, pasioneve dhe ideologjive të veta, ato çerdhe shkencore prej kohësh kanë mbaruar së qeni tempuj, për t'u kthyer në arena ku mprihen dëshirat, pasionet dhe urrejtjet. Gjithashtu, po qe se në një shoqëri disa flasin për besimin, fenë dhe vënien e saj në jetë dhe, ndërkaq, atyre që s'mendojnë si ata vetë, që, për pasojë, nuk ndajnë me ta të njëjtat konsiderata politike, u atribuojnë herezi, materializëm dhe hipokrizi, feja në përfaqësimin e njerëzve të tillë - mëkati i kësaj u takon këtyre përfaqësuesve sharlatanë - kthehet në gjendjen e një fobie krejtësisht kundërshtare të synimit të zbritjes së saj (fesë), si largimi i njerëzve nga Allahu, nxirja e zemrave të tyre dhe mbyllja mu në sy atyre e dyerve të shpresës. Ç'është e drejta, në ç'masë që të jetë armiqësia kundër besimit dhe fesë në gojët që shkumëzojnë me urrejtje, neveri dhe zemërim dhe në penat që nxijnë shpirtrat, një fanatizëm dhe një dhuratë e ofruar djallit që e kënaq atë, grushtet e ngritur në ajër të shtrënguar fort në emër të kritikës ndaj kësaj pikëpamjeje apo asaj ideje ndërsa pretendohet për besim dhe fe, janë në po atë masë një mediokritet dhe fanatizëm, si dhe një model injorance që do t'i mbyste në dëshpërim banorët e qiellit!
Pavarësisht nga pamja, po qe se njeriun që nuk e di se ç'është besimi i vërtetë, se me ç'gjuhë flet ndërgjegjja, që s'ka pjesë nga afërsia dhe dashuria hyjnore, që nuk i pranon për të mëdha gjërat e konsideruara të mëdha dhe për të vogla gjërat e konsideruara të vogla tek Allahu, shihet si fetar i plotë, kjo duhet të jetë mungesa më e madhe e respektit ndaj hyjnitetit dhe universalitetit të fesë. Armiku më i madh edhe i fesë, edhe i shkencës, është paraqitja e një pjese dëshirash dhe pasionesh tona diku si ide shkencore dhe diku si besim fetar. Kjo specifikë është te njerëzit një boshllëk me truall të gjerë dhe burimi i këtij boshllëku janë dobësitë e tyre dhe, në krye të këtyre dobësive, vijnë dobësia për t'u dukur mbi atë se ç'jemi dhe dobësia për t'iu hyrë pritjeve shumë kate mbi kapacitetin tonë. Është pikërisht kjo dobësi e dyfishtë që bëhen përpjekje për ta mbushur me një sërë vlerash shkencore dhe fetare të pranuara si të shenjta nga ndërgjegjja e përgjithshme. Më saktë, prej disave, feja kërkohet të përdoret pikërisht si një lëndë mbushëse për të mbushur boshllëqet e veta. Arma më e fuqishme e lidhur fort pas të vërtetës e ndërgjegjes përballë një dobësie njerëzore të tillë, është pasioni për të vërtetën dhe dashuria për dijen dhe shkencën. Sigurisht, nëse ka një eliksir që të fshijë myshkun e mendjeve të dukura si të ditura dhe ndryshkun e mendimeve të dukura si përkrahëse të fesë, ai është, pa dyshim, dashuria pasionante për Allahun, dashuria për të gjithë qenien si rrjedhojë e dashurisë për Të dhe pasioni për të vërtetën. Kur zemrat të marrin vrull me pasion dhe shpirtrat të ngrihen kas me dashuri, të gjitha boshllëqet dhe dobësitë njerëzore ose bëhen pluhur e hi, ose shndërrohen në eliksir, në pije jetëdhënëse!
Shënimet
- 6.ehli kitap, njerëz të librit, pasues të librit, zotërues të librit hyjnor të dërguar atyre nga Zoti.
- 7.mexhusí, adhurues të zjarrit.
- 8.Këtu është një fjali që ne s'e përkthyem (sepse nuk ka lidhje me konceptualitetin dhe realitetin shqiptar), ku thuhet se nuk është e drejtë që muslimani të quhet islamxhi. Por edhe termi muslimanizëm që përdoret në këtë libër, në realitetin turk, por edhe në atë shqiptar, nuk është i drejtë ose, më saktë, është një shtrembërim konceptual për shkaqe të ndryshme, disa herë edhe për naivitet. Përkthyesi.
- 9.Në origjinal: kelam.
- 10.Bakara, 2/73.
- 11.Shih. Fjala 20.Pozita 2, Said Nursi.
- 12.Buhari, Fitn, 25; Muslim, 11.
- 13.Muslim, Fitn, 110; Tirmidhi, Fitn, 59.
- 14.Nursi, Fjalët, Fjala 20.
- 15.M.Fethullah Gülen, Ifl›ë›n Göründüëü Ufuk, f. 10.