IMANI
Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I
Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)
Ekipi i Studimeve Akademike
JETA E PAFUNDME PAS VDEKJES
Koncepti ahiret
a) Kuptimi leksikor i fjalës ahiret
Fjala ahiret është femërorja e emrit foljor ahir ( ) me prejardhje nga rrënja ehr ( ). Kjo fjalë që është mbiemër me kuptimin i pasëm si antonim i fjalës i evvel, i përparëm, e ka shumësin evahir ( ).
Bëhen dy shpjegime për emërtimin ahiret. Sipas shpjegimit të parë, ahiret quhet bota e pasme e cila vjen pas jetës së kësaj bote. Sipas shpjegimit të dytë, bota ku ndodhemi bashkë me të gjitha qeniet në të dhe dimensioni jetësor që na rrethon aktualisht, quhet "e tashme" (dunja), kurse bota tjetër pas kësaj, quhet "e pasme, e pastajme" (ahiret).
b) Kuptimi terminologjik fetar i fjalës ahiret
Fjala ahiret është përdorur në Kur'an si emërtim i një dimensioni të ri jetësor të pafund pas jetës së kësaj bote. Këtë e tregon fakti që për jetën e parë është përdorur fjala "úlá" (i pari, e para, e tashmja), kurse për jetën e dytë, fjala "áhir" (i pasmi, e pasmja).
Në veprat e kelamit, apologjetikës islame, termi ahiret është përkufizuar kështu: Ahireti është jeta e dytë që do të fillojë pas shpërthimit të kiametit179 dhe do të vazhdojë pafundësisht, ku përfshihen të gjitha ngjarjet dhe etapat e quajtura ringjallje (ba'th), grumbullim (hashr), llogaridhënie (hesap), peshore (mizan), ndërmjetësim për falje (shefaat), ura (sirat), parajsë (xhenet), ferr (xhehenem).
Në fakt me vdekjen e një njeriu, fillon për të ahireti i tij, i cili vazhdon pafundësisht. Sipas kësaj, ndërsa një pjesë e njerëzve jetojnë dimensionin jetësor të kësaj bote, një pjesë tjetër kanë hyrë dhe ndodhen në dimensionin jetësor të ahiretit.
Ahireti në Kur'an për sa i përket mundësisë dhe domosdoshmërisë së tij
Çështja e ringjalljes pas vdekjes dhe e marrjes në llogari të njeriut për ato që ka bërë, ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga temat që e kanë preokupuar mendjen e njeriut qysh nga kohët më të vjetra, ndërkaq që mendimet pranuese dhe mohuese të kësaj janë alternuar vazhdimisht me njëra-tjetrën.
Historia njerëzore është bërë skenë e pikëpamjeve dhe qëndrimeve të ndryshme lidhur me çështjen e ringjalljes dhe jetës së pasme (ahiret). Gjëja, në një farë mase, më e çuditshme për njerëzit të cilët nuk e kanë ruajtur dot natyrën origjinale të krijimit, ka qenë njoftimi i një profeti se njeriu do të ringjallet pas vdekjes.
Shpesh herë, mrekullia e jetës ku ndodhet nuk ia ka frymëzuar njeriut të larguar prej vijës së natyrshmërisë së krijimit të vërtetën se jeta e pastajme do të jetë më e lehtë dhe më e thjeshtë. Në fakt, megjithëse çdo gjë dhe çdo dukuri flet vazhdimisht për këtë të vërtetë, ky tip njerëzish nuk e kanë dëgjuar ose nuk kanë dashur ta dëgjojnë ngaqë e kanë lëshuar veten në moskokëçarje dhe indiferentizëm. Prandaj, shumë njerëz u kanë kthyer shpinën atyre që ua kanë tërhequr vëmendjen dhe i kanë paralajmëruar për jetën e pasme, ahiretin, dhe, duke u kapur pas iluzionit se kiameti dhe jeta pas tij nuk kanë për të ndodhur, kanë zënë rrugën e mohimit. Duke e shprehur këtë situatë ku kanë rënë këta njerëz, Kur'ani thotë kështu:
"Dita e kiametit do të vijë patjetër dhe për këtë nuk ka dyshim, por shumë njerëz nuk e besojnë!" (Mumin, 40/59)
a) Faktorët shkaktarë të mohimit të ahiretit
Me synimin që kjo temë të kuptohet më mirë, do të ishte e dobishme që, para se të kalonim te mundësia dhe domosdoshmëria e jetës së ahiretit, të qëndronim shkurt mbi faktorët që i shtyjnë njerëzit në mohimin e ahiretit.
Në të kaluarën dhe në ditët e sotme, shumë njerëz nuk janë druajtur të flasin vazhdimisht mbi ahiretin për të cilin s'kanë ditur gjë, dhe, duke pretenduar se nuk kanë mundur ta rrokin jetën pas vdekjes me anë të mendjes dhe aftësisë njohëse, nuk janë prirur për ta pranuar atë.
Në këtë kuadër, shihet se në Kur'an i ofrohen vështrimit një sërë shkaqesh si përsa u përket faktorëve lidhur me nënvleftësimin e mendimit dhe arsyes, si dhe për sa u përket faktorëve subjektivë që kanë çuar në mohimin e jetës së pasme, ahiretit.
Sipas Kur'anit, ata që s'i besojnë ahiretit nuk kanë asnjë argument që të kënaq. Ndërkaq, mohuesit, ngaqë nuk e konceptojnë dot ahiretin me vështrimet e tyre sipërfaqësore ose ngaqë nuk tregojnë vendosmërinë e duhur dhe nuk bëjnë përpjekjet e nevojshme për ta konceptuar atë, nuk kanë mundur ta përballojnë shtysën për të hedhur në shesh shumë pretendime. Faktorët që i kanë shtyrë dhe i shtyjnë këta njerëz në mohimin e jetës së pasme, ahiretit, mund të përmblidhen nën këto tema e nëntema:
a-1 Faktorët lidhur me nënvleftësimin e mendimit të drejtë
Vlerësimi sipërfaqësor dhe me paragjykim
Njeriut i jepen informacione dhe njohuri të njëpasnjëshme si me anë të profetëve, ashtu dhe me anë të gjuhës së dukurive dhe ngjarjeve që ndodhin në gjithësi. Lidhur me këtë specifikë, në një ajet të Kur'anit thuhet kështu:
"... Atyre u vijnë njohuri të njëpasnjëshme mbi ahiretin, por ata janë në dyshim për këtë; ç'është e drejta, ata janë të verbër ndaj kësaj!" (Neml, 27/66)
Ky ajet tregon se, pavarësisht nga bollëku i argumenteve dhe provave mbi ahiretin, në këtë çështje, te një sërë njerëzish nuk është formuar asnjë akt informativ dhe ideor për shkak se veprojnë në injorancë dhe verbëri.
Kur'ani u ka folur njerëzve duke marrë për bashkëbisedues mendjen dhe arsyen e tyre. Fakti që në shumë vende të Kur'anit përdoret shprehja "ulu'l-erbab" që do të thotë posaçërisht "zotërues të mendjes (arsyes) së padëmtuar nga kufizimi dhe subjektivizmi", është shembulli më i hapur i kësaj. Sepse me anë të mendjes (arsyes) dhe vullnetit realizohet njohja e diçkaje dhe, si rezultat i kësaj, dhënia e vendimit përfundimtar. Duke u nisur nga kjo mund të thuhet se meditimi në kuptimin kur'anor është përdorimi i mendjes (arsyes), në ecurinë e kërkimit të së vërtetës, në mënyrën më të mirë dhe në vendin e duhur. Vetëm me anë të një meditimi të tillë mund ta shohë mendja (arsyeja) të vërtetën pas njohurive të arritura.
Arsyetimi mbështetur në pandehmën dhe supozimin
Mohuesit s'kanë në dorë asnjë mbështetje shkencore mbi mosqenien e një jete tjetër në fund të kësaj jete. Mendimet sipas të cilave njeriun e asgjëson vetëm koha dhe se prej tij nuk mbetet pas tjetër gjë veç dheut e pluhurit, në të vërtetë, nuk janë gjë tjetër veç pandehma apo supozime të mohuesve të ahiretit. Ata nuk mund të shkojnë më tutje se të thonë "ne nuk e dimë se ç'do të ndodhë pas kësaj jete; njeriu, krejt si një orë, me kohë ndalon dhe asgjësohet"! Në të vërtetë, pretendimet e tyre nuk kanë ndonjë themel racional dhe logjik, por ata ashtu dëshirojnë të jetë!
Kur'ani e parashtron qartazi me këtë ajet faktin që shumica e mohuesve mbështeten në pandehmën dhe supozimin si shfaqje të parapëlqimit prej tyre të nënvleftësimit dhe injorancës: "Shumica e mohuesve kapen vetëm pas një pandehme (dhe supozimi). Kurse pandehma nuk pohon diçka mbi të vërtetën!" (Junus, 10/36)
Fushat në të cilat njeriu flet duke u mbështetur mbi supozimin, në të vërtetë, nuk janë fushat ku ai ka informacion dhe njohuri. Prandaj kurrë nuk është e mundur që njeriu ta arrijë të vërtetën në një specifikë ku nuk ka njohuri pa u mbështetur në asnjë bazë, duke ndjekur një pandehmë të përbërë prej dëshirash dhe iluzionesh.
Prirja për imitim
Siç ndodh në shumë çështje të tjera, edhe në çështjen e jetës së pasme (ahiretit), një rol të madh ka fakti që njerëzit, pa e vënë veten në mundim për të mësuar nëse janë të drejta apo jo njohuritë që bëhen shkak për rrëshqitjen e tyre në mohim, kapen pas mendimeve të atyre që kanë në krye ose të atyre që përbëjnë shumicën. Me ajetin në vijim, Kur'ani tërheq vëmendjen për faktin që ata që imitojnë të parët pa u mbështetur në asnjë argument, shkojnë, porsi ata, në mohimin e ahiretit:
"Jo, ata përsërisin thëniet e të parëve të tyre. Të parët e tyre patën thënë: "A mos vallë do të ringjallemi pasi të vdesim, të bëhemi dhé dhe një grumbull kockash? Betohemi se edhe ne, edhe etërit tanë më parë jemi kërcënuar! Kjo s'është gjë tjetër veç përrallave të të tjerëve më parë!" (Muminun, 23/8183)
Faktorët subjektivë
Mes shkaqeve që çojnë në mohimin e jetës së pasme (ahiretit), Kur'ani përqëndrohet edhe mbi një sërë faktorësh subjektivë. Këto pika mbi të cilat Kur'ani është përqëndruar me përparësi, parimisht mund të përmblidhen nën tri tituj: 1) dashuria për këtë botë e kthyer në pasion; 2) dëshira për t'i vazhduar në mënyrë të pandërprerë harbimin (sjelljen e tepruar e të shfrenuar) dhe kërkesat seksuale; 3) mendjemadhësia ose krenaria.
Tani do të përpiqemi t'i shqyrtojmë dhe vlerësojmë këto shkurt.
Dashuria për këtë botë e kthyer në pasion
Dashuria për këtë botë dhe për jetën është e pranishme në krijimin e njeriut. Njeriu mundet t'i kënaqë me të tepërt në kornizën e hallallit nevojat, dëshirat dhe kënaqësitë e tij. Korniza e hallallit është e mjaftueshme për kënaqësitë pa pasur nevojë për të shkuar te gjërat dhe veprimet haram. Këtu, për sa i përket kuptimit më të qartë të çështjes, duam të bëjmë fjalë për qëndrimin shumë origjinal dhe të këndshëm të Bediuzzamanit lidhur me këtë botë. Kjo botë ka tri fytyra:
Aspekti i parë: Kjo botë është një galeri artesh ku shfaqen emrat e Allahut. Sendet dhe dukuritë që ndodhin në botë janë si pasqyra ku reflektohen emrat e Allahut. Çdo qenie është një art i mrekullueshëm i Allahut, një libër, një letër e tij. Kjo fytyrë e botës është mjaft e bukur dhe e denjë për t'u dashuruar.
Fytyra e dytë: Sheh në jetën e pasme, ahiret. Eshtë, në këtë botë, ara ku mbillet ahireti. Rruga që shkon për në jetën e pasme, ahiret, kalon nga kjo botë. Ahireti fitohet me vlerësimin e kësaj bote në kornizën e kënaqësisë dhe pëlqimit të Allahut. Edhe kjo fytyrë, si e para, është e bukur. Eshtë e denjë jo për përbuzje, por për dashuri.
Fytyra e tretë: Eshtë fytyra që sheh vetëm nga ndjenjat e njeriut, që është perde idiferentizmi dhe pengesë për njohjen dhe lodër e ndjenjave dhe pasioneve të atyre që janë dhënë pas kësaj bote. Kjo fytyrë është e shëmtuar. Eshtë e përkohshme, kalimtare, dhimbëse, gënjeshtare.183
Kur çështjen e shohim nga ky këndvështrim, e kuptojmë se fakti që njerëzit të cilët kapen vetëm pas fytyrës së shëmtuar të kësaj bote dhe shohin në të çdo gjë, kridhen në kënaqësinë e kësaj bote, mendojnë vetëm për këtë botë pavarësisht nëse është e gjatë apo e shkurtër, priren vetëm pas kësaj bote dhe lidhin shpresa të pafundme ndaj saj, është njëri nga shkaqet që i çon ata në mohimin e jetës së pasme, ahiretit!
Duke aluduar pikërisht për faktin që pasioni pas kësaj fytyrës së shëmtuar të kësaj bote e bën njeriun ta harrojë përtejvdekjen, Kur'ani thotë kështu në një ajet: "Ata i gënjeu jeta e kësaj bote."
Menjëherë pas këtij ajeti të sures Araf theksohet se ata e kanë harruar se do ta shohin ahiretin.185 Kështu, tërhiqet vëmendja për faktin se si kënaqësitë e kësaj bote të shndërruara në pasion e bëjnë njeriun që të mos jetë në gjendje të mendojë dhe arsyetojë.
Për njerëzit e kënaqur me jetën e kësaj bote dhe të mbërthyer pas saj është mjaft e vështirë të mendojnë dhe arsyetojnë mbi një jetë tjetër të gjithmonshme dhe më të lartë. E shprehur ndryshe, Eshtë e vështirë që mendimi i atyre që e bëjnë këtë botë qëllim të ekzistencës së tyre, të zgjatet përtej saj!
Dëshira për t'i vazhduar në mënyrë të pandërprerë harbimin (sjelljen e tepruar e të shfrenuar) dhe kërkesat seksuale
Veçoria më e shquar e përdhunuesve që nuk njohin drejtësi dhe kufi, si dhe të atyre që janë të shtënë pas mëkatit, është mohimi i ditës së llogarisë. Këtë specifikë, Kur'ani e shpreh me fjalët "Ditën e llogarisë nuk e mohon tjetërkush veç atij që ka kapërcyer çdo kufi!" (Mutaffifin, 83/12)
Qëndrimet dhe sjelljet mbi këtë çështje të atyre që e mohojnë jetën e pasme, ahiretin, janë, në të vërtetë, përpjekje për të shpëtuar nga ndikimi i detyrës dhe përgjegjësisë. Njerëz të tillë përpiqen të ngushëllojnë veten e të qetësohen duke e përgënjeshtruar ditën e ahiretit. Kur u kujtohen mesazhet hyjnore që u njoftojnë ekzistencën e jetës pas vdekjes, ata përgjigjen duke thënë se "këto janë sajime të popujve të mëparshëm, janë thënie të përcjella prej tyre, janë gjëra pa bazë që nuk e vlen të merresh me to!" Ja si thuhet në Kur'an:
"Dhe, kur u këndohen ajetet tona (që i njoftojnë të vërtetën e ringjalljes), thotë: "Janë përrrallat e të vjetërve!" (Mutaffifin, 82/13)
Siç shihet, meqë këta njerëz të mësuar për t'i plotësuar dëshirat epshore sipas qejfit pa e menduar aspak fundin e asaj që bëjnë si dhe për ta shkelur drejtësinë njerëzore, do t'u prishej qejfi po ta besonin ditën e ndëshkimit (ditën kur do t'u jepet përgjegjësja e punëve që kanë bërë), e kanë gjetur rrugëdaljen sipas vetes me fjalët "janë përrallat e të vjetërve" me kuptimin se dita e fesë (dita e llogaridhënies) është pa bazë.
Ajo çka i shtyn mohuesit të thonë kështu, janë punët që kanë bërë. Ata kanë vazhduar në këtë rrugë gjersa u janë ngurtësuar zemrat. Ngaqë i kanë bërë mëkatet shprehi, zemrat e tyre janë nxirë si pasqyra që kanë zënë ndryshk, më në fund, e kanë humbur aftësinë për ta parë dhe treguar të vërtetën.
Gjendja e tipave që e mohojnë jetën e pasme, ahiretin, trajtohet kështu në një ajet tjetër:
"Por njeriu, duke e parë rrugën para vetes të hapur, kërkon të vazhdojë në mëkat dhe pyet: "Kur është ajo dita e kiametit?" (Kijame, 75/5-6)
Ky ajet e shpjegon shkakun bazë, motivin e fshehur në shpirt të mohimit të ahiretit. Njeriu kërkon të zhytet në epshe, të drejtohet në gjëra dhe veprime jolegjitime (haram), por mes tij dhe dëshirave të veta futet ideja e ringjalljes pas vdekjes dhe llogaridhënies. Meqë njeriu dëshiron që asgjë të mos e pengojë nga këto kënaqësi, kërkon ta fshijë nga mendja e ta hedhë tutje idenë e ringjalljes pas vdekjes.
Mendjemadhësia dhe krenaria
Shohim se një faktor tjetër që e çon njeriun në marrjen e një qëndrimi negativ në momentin e pranimit të jetës së pasme, ahiretit, është mendjemadhësia. Mendjemadhësia që do të thotë që njeriu të fryhet e ta shohë veten lart, është, në përgjithësi, qëndrimi kryeneç dhe një shkak për t'i mbuluar dritaret e natyrës krijimore të njeriut të hapura për kah Krijuesi. Faktin që mohuesit e ahiretit janë më shumë persona mendjemëdhenj dhe krenarë, Kur'ani e shpreh kështu me gjuhën e Hz. Musait (alejhissalatu vesselam):
"Dhe Musai tha: "Unë mbështetem te Allahu, Zoti juaj dhe imi, nga çdo mendjemadh që nuk i beson ditës së llogarisë!" (Mumin, 40/27)
Mendjemadhësia është një perde që e mbulon, që e verbon tejpamësinë. Prandaj, ndërgjegjja e mbuluar me mendjemadhësi nuk ka mundësi as t'i shohë mrekullitë e shkruara fletë-fletë në gjithësi, as ta pranojë ekzistencën e një jete përtej vdekjes, sepse, kur tejpamësia verbohet, edhe syri (shikimi) nuk vlen për gjë. Kur'ani bën të ditur se zemra e fryrë me krenari dhe nefsi (egoja) i mbajtur më të madh nuk do të bindet për të vërtetën e ahiretit dhe nuk do t'i nënshtrohet asaj:
"Sa për ata që nuk i besojnë ahiretit, zemrat e tyre janë mohuese, kurse vetë, persona që mbahen më të madh!" (Nahl, 16/22)
Duke mos ua pranuar mendjemadhësia adhurimin ndaj Allahut dhe trajtimin si rob të Allahut, këta nuk kanë pranuar t'i dëgjojnë bazat e besimit të kumtuara nga profetët dhe kanë dalë kundër tyre. E shprehur ndryshe, këta mohues që nuk duan ta pranojnë të vërtetën, e kanë lëshuar veten pas një kauze madhështie abstrakte dhe pas një fantazie madhështie të thatë.
Metodat vërtetuese të Kur'anit mbi mundësinë e ringjalljes
Argumenti dhe garancia më e madhe mbi realizimin e jetës së ahiretit është premtimi i Zotit për robtë e vet. Duke theksuar në shumë vende se çdo nefs (frymë, vete, ego) do të vdesë, se nuk do të mundet të iket nga vdekja, se Allahu është ai që e jep vdekjen dhe se, në fund, kthimi do të jetë te Ai, Kur'ani bën të ditur se ringjallja pas vdekjes është domosdoshmëri e premtimit të Allahut:
"Ajo që po ju premtohet juve është, jashtë çdo diskutimi, e vërtetë! Nuk ka asnjë dyshim se edhe llogaridhënia, edhe ndëshkimi do të realizohen patjetër!"
Siç dihet, drejtësia e një lajmi është e lidhur (e kushtëzuar, e varur) me drejtësinë e njoftuesit të atij lajmi. Kështu, Krijuesi i Lartë që as mund të diskutohet që të dalë kundër premtimit të vet, në të gjitha librat qiellorë si dhe në Kur'an thotë se do ta mbyllë këtë gjithësi që e ka krijuar si një libër dhe një ditë tjetër do ta hapë përsëpari. Meqë ai që e thotë këtë është Krijuesi i Lartë dhe se për këtë dëshmojnë profetët që kanë të drejtën e fjalës, atëherë, ndodhia e jetës së ahiretit duhet parë si e kryer.
Kur'ani nuk është mjaftuar vetëm me njoftimin se ringjallja pas vdekjes do të ndodhë patjetër. Ai ka sjellë argumente kategorike që e vërtetojnë ringjalljen pas vdekjes dhe grumbullimin (hashr) që janë njëra prej çështjeve me rëndësi që e preokupojnë mendjen e njeriut. Dhe, duke i parashtruar argumentet në fjalë, ka dhënë shembuj të gjallë që përmbajnë kundërshtimet e mohuesve.
Vërtetimi me metodën e analogjisë krahasuese
Në Kur'an, metodën e analogjisë krahasuese e shohim si njërën prej metodave të përdorura nga bashkëbiseduesit për ta gjetur të vërtetën në çështjen e shpjegimit dhe vërtetimit të mundësisë së botës së jetës së pasme, ahiretit. Kjo metodë është bërë në Kur'an një metodë e posaçme e tij për sa i përket tregimit të pretendimeve të mohuesve si të shtrembra e të gënjeshtërta.
Ai që ka mundësi ta krijojë një gjë nga e paqena, e ka më të lehtë ta krijojë atë për herë të dytë
Disa herë, kur njeriu përballet me një gjë që e kapërcen fuqinë dhe mendimin e tij, kapet nga pandehma se realizimi i asaj gjëje është i pamundur. Eshtë për këtë gjë që Kur'ani, kur e merr për epiqendër fuqinë e Krijuesit të Lartë, e thekson në mënyrë të vazhdueshme se as që mund të bëhet fjalë për pamundësinë e ringjalljes së kufomave dhe për grumbullimin dhe llogaridhënien pas ringjalljes.
Po qe se personi që shkruan në një faqe miliona libra pa i ngatërruar me njëri-tjetrin dhe na e hap para syve, premton se librin që e prish duke ia shpërndarë fletët, e mbledh përsëdyti duke e sjellë në gjendjen e mëparshme, a mund të thuhet se "ai s'ka fuqi për ta bërë këtë"? Nga ky këndvështrim, le ta mendojmë këtë ajet përsëpari:
"Atë ditë do ta mbledhim qiellin rrotull dhe do ta bëjmë atë si ditën e parë kur nisëm ta krijojmë. Japim fjalën se ne do ta bëjmë patjetër këtë!" (Enbija, 21/104)
Përsëri në të njëjtin paralel, le ta trajtojmë çështjen me një shembull tjetër. Po qe se artisti që ka shpikur një maqinë, më pas e zbërthen atë dhe thotë se do ta montojë edhe një herë tjetër, a mund të kundërshtohet ai duke i thënë "jo, s'mund ta bësh, s'mund ta arrish këtë"? Po qe se kjo është e mundur për fuqitë njerëzore, a mund të bëhet fjalë për pengesë për fuqinë hyjnore që s'njeh kusht e kufi? Si mund të ndodhë që Fuqia e Lartë që e ka nxjerrë materien nga mosqenia në botën e ekzistencës, të mos i mjaftojë mundësia për t'i bashkuar sërish pjesët e shpërndara?
Pse të mos jetë e mundur që njeriu i cili ekziston ndërsa nuk ka ekzistuar, të mos rikthehet në ekzistencë pasi të ketë kaluar në mosekzistencë? Kur'ani i jep këtë përgjigje lakonike kundërshtimit të kokës mohuese që thotë: "A nuk e kujton ai se e kemi krijuar ndërsa më parë s'ishte asgjë?" (Merjem,
19/66-67)
Krijimi i njeriut, ardhja e tij në këtë botë dhe etapat e këtij zhvillimi ndodhin vaznhdimisht nga jashtë pa asnjë ndërhyrje dhe kontribut prej tij. Nisur nga kjo, ecuria e krijimit që kalon njeriu është argumenti më i afërt dhe më i efektshëm për të për ta vërtetuar Allahun dhe jetën e pasme, ahiretin.
Duke e vërtetuar ringjalljen me argumente subjektive, Kur'ani na e tërheq vëmendjen në botën normale ku jetojmë. Si argument të faktit se ringjallja është një dukuri që ndodh brenda kuadrit të mundësisë, parashtron etapat e jetës së vetë njeriut:
"O njerëz! Po qe se dyshoni te ringjallja pas vdekjes, (dijeni se) Ne ju krijuam ju nga dheu, pastaj nga një pikë uji (spermë), pastaj nga embrioni, pastaj nga një fetus me pamjen e një cope mishi të përtypur që e ka plotësuar krijimin, por nuk i janë formuar gjymtyrët, që t'jua tregojmë hapur (fuqinë tonë). Atë që dëshirojmë, e mbajmë për një farë kohe të caktuar në mitrën e nënës, pastaj ju nxjerrim në botë si foshnjë. Pastaj ju bëjmë të rriteni gjersa të bëheni të fuqishëm e të aftë. Pastaj, dikë nga ju e bëjmë të vdesë ende fëmijë, kurse dikë tjetër e mbajmë gjallë gjersa të plaket sa ta lënë fuqitë dhe t'i harrojë krejt ato që ka ditur..." (Haxh, 22/5)
Krijimi i një qenieje të përkryer nga një embrion i thjeshtë është jo vetëm argument për ekzistencën e Allahut, por edhe një argument kategorik për ringjalljen dhe grumbullimin e njerëzve pas ringjalljes dhe llogaridhënien. Kështu, në pjesën e fundit të ajetit tërheq vëmendjen mbi këtë specifikë duke thënë: "... Kjo është kështu, sepse Allahu është e vërteta e vetme. Ai i ringjall të vdekurit dhe Ai ka mundësi për çdo gjë!" (Haxh, 22/6)
Kundërshtimet dhe qëndrimin armiqësor të njeriut që e mohon jetën e pasme, ahiretin, e lidh me mosnjohjen nga njeriu të procesit të krijimit të vet: "A nuk e ka parë njeriu se si e krijuam atë prej një pike uji (spermë), që tani bëhet një armik i hapur?" (Jasin, 36/77)
Kur njeriu e harron veten, e shprehur më qartë, kur e harron atë përkryerje dhe mrekulli të krijimit të vet, kjo gjë bëhet shkak që për të të hapet porta e mohimit. Këtë specifikë e thekson kjo shprehje e Kur'anit në vazhdim të ajetit që e përmendëm lidhur me këtë specifikë: "Dhe ai e harroi krijimin e vet!"
(Jasin, 36/78)
Nuk mund të mendohet që njeriu i cili e njeh ecurinë e krijimit të vet, të dyshojë për ringjalljen e vet. Sigurisht, Allahu i cili e krijoi prej dheu njeriun si një qenie të gjallë që mendon, flet, dëgjon, kupton, që ka vetëdije dhe aftësi njohjeje, mundet ta ringjallë njeriun pasi të ketë vdekur e të jetë bërë dhé!
Ringjallja është më e lehtë
Kur'ani përpiqet t'i zgjojë mendjet e njerëzve nga një këndvështrim tjetër përsëri me këtë metodë krahasimi. Duke u kujtuar njerëzve, në lidhje me dyshimet dhe kundërshtimet e atyre që e mohojnë ahiretin duke e përsëritur shpesh se "a do të ringjallen dhe kthehen në jetë pasi të jenë shndërruar në një grumbull eshtrash pa jetë", se Allahu i Lartë ka krijuar në gjithësi gjëra më të mëdha dhe më të vështira se njeriu, Kur'ani bën të ditur se, në krahasim me këto gjëra të mëdha, rikthimi i njerëzve në jetë është një punë jo fort e vështirë.
Në këtë pikë, me synimin për t'i bërë mohuesit të mendojnë më seriozisht, Kur'ani u drejton atyre në fillim këtë pyetje: "Allahu që e ka ngritur qiellin, a e ka më të vështirë ta krijojë qiellin, apo t'ju rikrijojë ju (pasi të keni vdekur)?" (Naziat, 79/27)
Me këtë ajet u thuhet kështu njerëzve: "Ju vazhdimisht pyesni se "si do të marrin jetë këto kocka të kalbura"! A nuk mendoni se për Allahun që e ka krijuar këtë qiell madhështor, nuk mund të ketë asgjë të vështirë?"
Pasi i përqendron mendjet mbi një pikë me rëndësi me pyetje të formës "a është më i vështirë krijimi i njeriut apo i qiellit me të gjithë elementët", si hap i parë, kjo, Kur'ani, si hap të dytë, u përgjigjet vetë këtyre pyetjeve: "Sigurisht, krijimi i qiejve e i tokës është diçka më e madhe se krijimi i njerëzve, mirëpo shumica e njerëzve nuk e dinë (se kjo është kështu)!" (Mumin, 40/57)
Ashtu siç është më e lehtë për një njeri që ndërton një pallat të mrekullueshëm, të ringrejë një kolibe të thjeshtë të shembur, ashtu dhe çështja e krijimit të njeriut si qenie që zë në gjithësi një vend jashtëzakonisht të vogël në krahasim me qiejt dhe tokën, në krahasim me çështjen e krijimit të kësaj gjithësie të madhe, nuk është e ndryshme.
Në një ajet tjetër, faktin që, për sa i përket vështirësisë, rikrijimi i njeriut pas vdekjes përbën një specifikë për të cilën nuk e vlen të flitet në krahasim me krijimin dhe funksionimin harmonik të gjithësisë nga Allahu, Kur'ani e shpreh kështu:
"Dhe tani, Ai që i ka krijuar qiejt dhe tokën, a nuk ka mundësi t'i krijojë edhe njerëzit? Sigurisht që ka mundësi! Allahu është i gjithëditur!" (Jasin, 36/81)
Ai që mundet ta kthejë një gjë në të kundërtën, mund ta kthejë në të kundërtën edhe një gjë tjetër
Një formë tjetër krahasimi e ofruar njerëzve nga Kur'ani për ta provuar mundësinë e ringjalljes, është trajtuar me një shembull të veçantë:
"Është Ai që nxjerr për ju zjarr nga druri i gjelbër (i njomë). Ja, nga ai digjni ju!"
Këtu, me këtë shembull, duke treguar për zjarrin që ndiznin arabët të cilët ishin atë ditë bashkëbiseduesit e parë të tij, duke fërkuar me njëri-tjetrin dy lloj drurësh të njomë,192 Kur'ani tërheq vëmendjen mbi faktin që Allahu i Lartë është i aftë për të bërë dhe çuar në vend çdo gjë që dëshiron, që para fuqisë së tij nuk ka asnjë pengesë.
Specifika që kërkon të shprehë ajeti lidhur me çështjen, është kjo: Uji dhe zjarri janë gjëra të kundërta me njëri-tjetrin. Ndërsa dalja e zjarrit nga druri i njomë ku përmbahet ujë me sasi të madhe, është pothuajse e pamundur, Fuqia e Lartë, duke e nxjerrë zjarrin nga druri i njomë, ka treguar se e ka krijuar diçka nga diçka tjetër e kundërt me të.
Me këtë shembull të dhënë për të argumentuar mundësinë e jetës pas vdekjes, Kur'ani, duke ua kujtuar njerëzve se në këtë gjithësi, prodhimi i diçkaje nga diçka tjetër e kundërta e saj është një dukuri e mundshme që vëzhgohet, ka synuar t'i përgatisë mendjet për ta pranuar nga ky këndvështrim mundësinë e ringjalljes.
Shkurt, Kur'ani na e parashtron para syve me një shprehje të shquar se Krijuesi i Lartë i cili ka mundësi për të nxjerrë nga një dru i njomë zjarrin që është e kundërta e tij, është i aftë edhe për ta krijuar jetën nga kockat e kalbura që janë në dukje si antagonistë të jetës.
Vërtetim me paraqitjen e shembujve të krahasueshëm
Disa herë, Kur'ani na kujton neve shembuj të krahasueshëm e të vëzhgueshëm me vetë ringjalljen. Këta shembuj nuk ndodhen larg; ata ndodhen pranë të gjithë njerëzve, besimtarë e jobesimtarë, e thënë ndryshe, dukuri që i vëzhgon kushdo.
Kështu, duke u mbështetur në argumente të marra nga bota e përvojës, Kur'ani edhe tregon themelet racionale të dukurisë së ringjalljes, edhe nxjerr në shesh se mohuesit e ringjalljes nuk kanë asnjë argument dhe kundërshtimet e tyre nuk bartin vlerë shkencore. Në këtë kuadër, përballë atyre që e shohin ringjalljen të pamundur, Kur'ani, gjallërimin me anë të ujit të shiut të tokës zhuritur nga thatësira dhe të vdekur dhe, pastaj, stolisjen e saj me bimë të ndryshme, si dhe shembullin e gjumit që e provon vetë njeriu, i paraqet si prova dhe argumente që vërtetojnë se ringjallja është e mundur.
Këtu, konkluzionet që mund të arrijë mendja (arsyeja) me rrugën e mendimit (arsyetimit) dhe meditimit, jepen përmes një stili mësimdhënës, ashtu që stilin vërtetues dhe bindës të Kur'anit në këtë drejtim mund ta shohim më tepër se si njoftim të një çështjeje njerëzve nga pozita hyjnore, si mësimdhënie të një mësuesi për nxënësin e vet.
Nisur nga këto prova dhe argumente të Kur'anit, edhe nëse çështja trajtohet nga këndvështrimi i një filozofi, edhe nëse trajtohet nga këndvështrimi i një çobani, nuk mund të ketë metodë më të lartë se metoda provuese dhe bindësi e ndjekur nga Kur'ani. Edhe hadithet e Profetit (sal'lallahu alejhi vesel'lem) lidhur me këtë çështje janë trajtim në hollësi dhe koment i atyre që tregon Kur'ani. Dhe tani le t'i trajtojmë shkurt këta shembuj të paraqitur për këtë qëllim nga Kur'ani vështrimit të vëmendshëm të njerëzve.
Gjallërimi i tokës pas vdekjes
Ringjallja në pranverë e faqes së tokës e cila gjatë dimrit duket si e vdekur, është shembulli më domethënës i dhënë në Kur'an me qëllim për të treguar se ringjallja pas vdekjes është një dukuri e mundshme dhe e vëzhgueshme. Me një ligj të vendosur nga Allahu që sundon mbi tokë, çdo gjë është në një proces ripërtëritjeje të pandërprerë. Veçanërisht, duke na i dhënë shembuj ujin dhe bimësinë që hedh shtat dhe zhvillohet me anë të ujit, me anë të kësaj Kur'ani i tërheq vëmendjet në këtë pikë: Po qe se çdo gjë asgjësohet dhe, pastaj, rikthehet në gjendjen e mëparshme nga pikënisja, pse të mos jetë e mundur që edhe njeriu të rikthehet në gjendjen e mëparshme pasi të ketë vdekur?
Funksionimi i jetës ku ndodhemi është argument më vete i mundësisë së një jete pas vdekjes. Përsëritja e vazhdueshme e alternuar e pranverës dhe dimrit na japin mundësi neve ta vëzhgojmë për muaj të tërë dukurinë e vdekjes dhe ringjalljes. A mund të ketë ndonjë kuptim fakti që e shohim shumë dukurinë e ringjalljes në një botë ku rastet e ngjashme të tij i shohim dhe i vëzhgojmë në mënyrë të vazhdueshme? A është diçka e ndryshme nga kjo ringjallja dhe grumbullimi pas vdekjes? Apo mos njeriu e pandeh ringjalljen e vet si diçka të pamundur për fuqinë e Zotit?
Njeriu i cili mundet ta shohë një herë me sy mësimnxjerrës tokën e cila është çdo pranverë skenë e ngjarjeve të pafundme të "ringjalljes pas vdekjes", nuk do ta ketë të vështirë ta kuptojë se krejt si në këto ngjarje, edhe ai do të ringjallet në pranverën e një botë tjetër. Në Kur'an ka shumë ajete që aludojnë për këtë specifikë. Le të përmendim disa prej tyre:
"Shih kah veprat e mëshirës së Allahut se si e ringjall tokën pas vdekjes! Ai që e bën këtë, edhe të vdekurit i ringjall. Ai ka mundësi për çdo gjë!" (Rum, 30/50)
"Njëri prej ajeteve (argumenteve, provave) të tij është edhe ky: Ti e sheh tokën me qafë përkulur (të tharë e të zhuritur nga thatësira). Por kur zbresim ujë mbi të, dridhet dhe fryhet. Allahu që e ringjall atë, i ringjall edhe të vdekurit. Ai ka mundësi për çdo gjë!" (Fussilet, 41/39)
Për sa i përket parashtrimit të unitetit të krijimit, sjellja nga Kur'ani e tokës së vdekur si argument të ringjalljes së njeriut, është një specifikë me rëndësi. Sepse Fuqia absolute, Zoti, do ta ndryshojë trajtën e gjithësisë në ditën e kiametit po me atë ligj që e ndryshon sot për çdo çast trajtën e kësaj bote. Me atë ligj që e ringjall në pranverë të gjithë bimësinë e vdekur, do t'i ringjallë edhe njerëzit pas vdekjes.
Në fund të ajeteve lidhur me këtë çështje, duke thënë "ja, kështu do të nxirreni" dhe "ja, kjo është dalja", na jep neve njerëzve këtë mesazh: "Ashtu siç gjallërohet toka e vdekur, si u vjen pemëve një jetë e re dhe bimët mbijnë nga toka, edhe ju do të dilni nga varret duke gjetur një jetë të re!"
Zgjimi i njeriut çdo mëngjes sikur të ringjallej nga vdekja
Mes argumenteve të marra nga bota e përvojës, Kur'ani na kujton edhe këtë: po qe se njeriu arsyeton mbi rikthimin e tij në jetë pas rënies në gjumë që mund të konsiderohet një lloj vdekjeje dhe e studion këtë funksion dhe harmoni, nuk do ta ketë të vështirë për ta kuptuar ringjalljen dhe grumbullimin pas vdekjes.
Në lidhje me çështjen e ringjalljes, mohuesit e quajnë të pamundur këtë, duke thënë kështu: "Le ta pranojmë mundësinë e një jete të re vegjetative pas vdekjes; si do të mund të fillojë jeta jonë njerëzore pasi të na jenë prerë lidhjet e ndjenjave dhe vetëdijes me trupin?" Përballë këtij kundërshtimi të mohuesve, Kur'ani ka kujtuar gjumin, një përvojë të përditshme. Gjendjet e gjumit dhe zgjimit që ndjekin njëra-tjetrën, përbëjnë për ne një shembull të bukur për çështjen e jetës pas vdekjes. Për vërtetimin e ringjalljes nuk kërkohet një forcë bindëse më tepër se kaq. Në Kur'an thuhet kështu:
"Është Ai që natën ju vë në gjumë sikur t'ju kishte bërë të vdisnit dhe ju ringjall ditën, pastaj ju do të ktheheni tek Ai dhe Ai do t'ju njoftojë për ato që keni bërë në botë!"
Edhe dijetari Hamdi Jazër bën një vlerësim me mjaft rëndësi për fragmentin "dhe ju ringjall ditën" të ajetit të mësipërm. Ai thotë, shkurtimisht, kështu:
"Allahu jua kompenson dhe rinovon në gjumë, pa e ditur ju, pjesët e trupit që ju janë dëmtuar ose që ju kanë vdekur dhe, duke jua kthyer përsëri në mëngjes vetëdijen dhe aftësinë njohëse që jua pati marrë, ju ringjall dhe ju zgjon me jetën tuaj materiale e shpirtërore të mëparshme. Vetëm atëherë ju i dalloni ditën dhe natën, i njihni veten dhe arritjet tuaja sikur të mos i kishit humbur fare, sikur në mes të mos kishte ndodhur asnjë ndërprerje. Të dyja jetët materiale-shpirtërore që ka njeriu ndodhen çdo ditë e çdo natë, madje, çdo çast në një "ringjallje" të tillë materiale-shpirtërore. Edhe nëse shumë njerëz e pranojnë këtë si një ringjallje me kuptim të figurshëm, po qe se çështja shihet seriozisht me një sy shkencor, del në shesh se kjo është një ringjallje me kuptimin e vërtetë të fjalës!"
Në suren Zumer është një ajet tjetër që e pohon ringjalljen e njerëzve pas vdekjes si të zgjoheshin nga gjumi:
"Zoti e merr jetën kur njeriut i vjen vdekja, kurse atë që s'i ka ardhur vdekja, e vë në gjumë. Kështu, e mban shpirtin e atij për të cilin është dhënë vendimi i vdekjes, kurse shpirtin e tjetrit e lëshon gjer në një afat të përcaktuar. Pa dyshim, në këtë ka prova me rëndësi për një popull që mund të mendojë!" (Zumer, 39/42)
Këto ajete shpjegojnë ngjasimin mes vdekjes dhe ringjalljes, domethënë, ngjasimin mes zgjimit nga gjumi dhe ringjalljes pas vdekjes. Gjumi është një vdekje e dobët (e lehtë) dhe e vogël, kurse vdekja, një gjumë i madh dhe i rëndë (intensiv). Në të dyja gjendjet ndodh kalimi i shpirtit të njeriut nga një jetë në një jetë tjetër.
Ngjashmëria mes rënies në gjumë-zgjimit dhe vdekjes-ringjalljes është theksuar edhe në hadithet profetike. Për shembull, në një deklaratë profetike është dhënë kjo porosi: "Kur të bini për të fjetur, thoni "Allahu im, me emrin tënd vdes dhe ringjallem!" dhe, kur të ngriheni nga gjumi, thoni "Lavdi Allahut që na ringjall pas vdekjes!" (Buhari, Tevhid, 13)
Allahu i Lartë, krijuesi i ngjarjes së gjumit dhe zgjimit, edhe me anë të realitetit të "ëndrrës" e cila ndodh mes këtyre dy gjendjeve, u hap mendimeve tona një horizont të veçantë për shpërndarjen e dyshimeve mbi këtë çështje. Duke na i hequr ndjenjat nga një botë për të na i lidhur me zërat dhe ngjyrat e një bote tjetër e për të na shëtitur në të, i tregon njeriut, duke e bërë t'i jetojë personalisht, ekzistencën edhe të botëve të tjera të ndryshme nga kjo botë e rrethuar me membrana tredimensionale. Njeriu i cili kridhet çdo natë në gjumin që është një lloj vëlla i vogël i vdekjes dhe i cili çdo mëngjes hap sytë në këtë botë sikur të ringjallej, do të thotë se i vëzhgon çdo ditë shenjat e kiametit dhe ringjalljes.
Siç shihet, me anë të rënies në gjumë dhe zgjimit, njeriu e jeton praktikisht të ngjashmen e ringjalljes pas vdekjes. Duke e nxjerrë në rend të ditës këtë ngjashmëri mes vdekjes dhe gjumit dhe mes ringjalljes dhe zgjimit, Kur'ani jep këtë mesazh: Allahu, siç e vë në gjumë njeriun, ashtu dhe e bën të vdesë, dhe siç e zgjon nga gjumi, ashtu dhe e ringjall!
Vërtetim me tregimin e shembujve të ringjalljes të jetuar në të shkuarën
Një rrugë tjetër e vërtetimit të ringjalljes në Kur'an është përmendja e ringjalljeve mrekullore të ndodhura në të kaluarën. Në këto lloj ndodhish të treguara brenda rrëfimeve, duke u mbajtur përgjithësisht fshehur elementët lidhur me personat, ky kuptim kryesisht mësidhënës është shpjeguar me anë të një shembulli të jetuar. E shprehur ndryshe, është treguar se Allahu ka mundësi për t'u ridhënë jetë të vdekurve duke ia treguar të vërtetën e ringjalljes pas vdekjes bashkëbiseduesit me anë të një ngjarjeje të ndodhur historikisht.
Për këto ngjarje të shënuara nga Kur'ani si argumente praktike të mundësisë dhe realizimit të ringjalljes, atyre që thonë se "këto ngjarje i kanë parë bashkëkohësit, kurse pasardhësit nuk kanë për t'i parë që t'u vlejnë si shembull", mjafton t'u kujtojmë këtë pikë:
"Pas vërtetimit të seriozitetit të burimit që i njofton, këto ngjarje nuk kanë ndryshim nga ngjarjet që zhvillohen çdo ditë para syve të njerëzve. Këto ngjarje që ua kujton Kur'ani njerëzve për t'ua përshtatur mendjeve të vërtetën e ringjalljes dhe për ta vërtetuar atë, jo vetëm u bën dritë bashkëkohësve, por ka vlerën edhe të një mesazhi për njerëzit e të gjitha vendeve dhe kohëve."
Këta shembuj të parashtruar me qëllim për të mënjanuar dyshimet dhe lëkundjet mbi ringjalljen, ndërsa nga njëra anë bëjnë të ditur se ringjallja është një ngjarje brenda kuadrit të mundësisë, në të njëjtën kohë, njoftojnë se ringjallja do të jetë patjetër materiale e trupore.
Kur'ani ka paraqitur shembuj nga bota e ndijimeve të jetuar në të kaluarën që e përshtasin të vërtetën e ringjalljes për mendjen e njeriut, me qëllim që të përbëjnë përgjigje për ata që e përcjellin me habi ringjalljen pas vdekjes dhe që kërkojnë të kenë njohuri të sakta mbi këtë çështje.
Disa prej këtyre mund t'i radhisim kështu: ringjallja e Shokëve të Shpellës pasi qenë vënë gjumë dhe patën fjetur treqind e nëntë vjet, ringjallja e një izraeliti të vdekur duke e goditur me një gjymtyrë kau, vdekja kolektive e një grupi izraelitësh në shkretëtirën Sina dhe, pastaj, ringjallja e tyre, dhënia jetë në mënyrë mrekullore disa njerëzve nga Hz. Isai dhe, krahas kësaj, fryrja dhe ringjallja e zogjve prej balte të bëra prej tij me lejen e Allahut, ringjallja me kërkesën e Hz. Ibrahimit e katër zogjve të copëtuar.
Ajetet që tregojnë domosdoshmërinë e jetës së ahiretit
Realizimin e jetës së ahiretit, Kur'ani e lidh edhe me një sërë shkaqesh të rëndësishme. Le t'i marrim me radhë për t'i shqyrtuar shkurt këto.
Shpërblimi i adhurimit
Krijimi i njeriut ka qëllime të rëndësishme dhe është një e vërtetë e hapur se në këtë krijim janë shumë urtësi të Krijuesit të Lartë. Ne jetojmë në një botë që ndryshon pandërprerë dhe që rinohet çdo çast. Shohim se çdo gjë lëviz drejt një pike, drejt një fundi dhe që kjo pikë e fundit ku do të arrihet s'është tjetër gjë veç jetës së ahiretit ku do të fitojnë kuptim qëllimi i krijimit si dhe përpjekjet në këtë drejtim.
Duke u nisur nga kjo, mund të themi se nuk mund të mendohet që Allahu t'i lërë pa shpërblyer aktet e robve të Tij të mirë205, sepse kjo do të thotë shfaqje e një situate që s'përputhet me urtësinë e Tij. Sepse në një situatë të tillë do të eliminohej dallimi mes të mirës dhe të keqes, mes mbarësisë dhe prapësisë, përpjekja e njeriut që lufton mes të mirës dhe të keqes nuk do të kishte kuptim. Prandaj duhet të ekzistojë një jetë tjetër përtej kësaj jete, pas vdekjes, në mënyrë që njerëzit të mund të marrin përgjegjësen e akteve dhe punëve të mira të tyre. Eshtë për këtë arsye që Kur'ani na e kujton se shpërblimi i atyre që shpalosin mirësi dhe bukuri, do të jetë, në të njëjtën mënyrë, mirësi dhe bukuri:
"A mos vallë do të jetë gjë tjetër nga mirësia (mirësia dhe bukuria) rezultati i mirësisë?" (Rrahman, 55/60)
A është e mundur që Allahu i Lartë të mos japë shpërblim për sakrificat e një personi i cili në këtë botë e ruan veten nga haramet (gjërat dhe veprimet e palejuara, të pabekuara e jolegjitime) për hir të Allahut, i cili jeton me vetëdijen e hallallit (e gjërave dhe veprimeve të lejuara, të bekuara e legjitime) dhe që pranon të përballojë çdo lloj barre për të drejtën dhe të vërtetën? Kur'ani e bën të ditur kështu përgjigjen e Allahut për robtë e Tij të cilët, duke iu drejtuar Zotit të tyre, i luten "t'ua japë shpërblimet që ua ka premtuar" (Al-i Imran, 36194):
"Unë nuk ia humb përpjekjen askujt nga ju që bën të mirë, qoftë burrë, qoftë grua, sepse ju jeni të njëri-tjetrit. Ata që kanë emigruar, që janë përzënë nga vatani, që kanë pësuar tortura dhe dëme në rrugën time, që kanë luftuar dhe janë vrarë në rrugën time për pëlqimin tim, sigurisht që do t'ua mbuloj të metat dhe, si shpërblim nga ana e Zotit të tyre, do t'i vendos në xheneti ku rrjedhin lumenj. Shpërblimet më të mëdha janë pranë Allahut!" (Al-i Imran, 3/195)
Gjithashtu, me këtë rast, në suren Murselat, Allahu i Lartë e ka deklaruar kështu faktin se atyre që e kanë kryer detyrën e robit ndaj Zotit sipas qëllimit dhe orientimit të krijimit, do t'u jepet xheneti me të gjitha të mirat dhe bukuritë e tij si shpërblim për sjelljen e tyre:
"Me të vërtetë, në këtë mënyrë i shpërblejmë Ne ata që sillen mirë..." (Murselat, 77/44-45)
Si përfundim, mund të themi se jeta e ahiretit do të ndodhë patjetër si shpërblim i adhurimit të kryer nga njeriu dhe marrje prej tij e vlerës së vërtetë të akteve dhe veprimeve të tij, ashtu dhe si realizim i qëllimeve dhe synimeve të krijimit:
"Atë ditë njerëzit do të ngjiten grupe-grupe (në gjyqin hyjnor) për t'iu treguar atyre shpërblimi i bëmave të tyre!" (Zilzal, 99/6)
cRealizimi i drejtësisë absolute
Te çdo njeri i vjetër a i ri, i qytetëruar a i paqytetëruar, i ditur a i paditur, mbi çështjen e realizimit të drejtësisë të paarritur në këtë botë, ekziston një vetëdijshmëri, e ngjashme me frymëzimin, mbi ekzistencën e një jete tjetër përtej kësaj bote.
Autoriteti i kësaj ndjenje të fuqishme e cila është e pamundur të shkulet e të hidhet nga natyra krijuese e njeriut, është, në analizë të fundit, Allahu i Lartë, origjinave e origjinave. Prandaj, si domosdoshmëri e kësaj ndjenje të shtresuar në natyrën e krijimit të njeriut, Zoti do ta ekzekutojë plotësisht një ditë vendimin e drejtësisë hyjnore dhe do të krijojë një fushë jete më të përsosur se kjo e sotmja.
Nisur nga kjo, na duhet të qëndrojmë mbi inkosekuencën e një qëndrimi të sjellë në rend të ditës në formën "vuajtja e ndërgjegjes dhe kënaqja e ndërgjegjes janë të mjaftueshëm për njeriun si ndëshkim dhe shpërblim, prandaj nuk ka nevojë për idenë e jetës së pasme, ahiretit"! Pretendimi i një qëndrimi të tillë "për të eliminuar nevojën e ndjerë për jetën e ahiretit" nuk ka asnjë themel të arsyeshëm. Bie fjala, po qe se një person vret një njeri të pafajshëm dhe, menjëherë pas krimit, vdes në një aksident automobilistik, nuk ka kohë (ose kur do të ketë kohë) për të vuajtur në ndërgjegje për krimin që kreu. Ose po qe se një person lufton për drejtësinë dhe të vërtetën dhe vritet, kur do të realizohet shpërblimi i kënaqësisë që duhet të ndjejë ai në ndërgjegje?
Shihet se në këtë botë nuk i jepet ndëshkim i plotë çdo faji dhe shpërblim i plotë çdo mirësie. Është për këtë arsye që pika e fundit ku e çon mendja njeriun, është domosdoshmëria e ndodhjes të ahiretit.
Kur'ani e trajton çështjen e jetës së pasme, ahiretit, dhe llogaridhënien që do të ndodhë në të, në kuadrin e shpërblimit me drejtësi:
"Edhe ai që kryen një mirësi sa një thërrime, edhe ai që kryen një të keqe sa një thërrime, do ta marrë përgjegjësen e saj!" (Zilzal, 99/87)
"Ditën e kiametit Ne do të vendosim peshore të drejta dhe askujt s'do t'i bëhet padrejtësi. Punën e mirë apo të keqe që peshon qoftë edhe sa një kokërr sinapi, e sjellim aty dhe e peshojmë. Ne mjaftojmë si marrës në llogari!" (Enbija, 21/47)
Jeta e ahiretit ka një pozitë themelore dhe qëndrore për sa i përket shfaqjes në kuptim absolut të drejtësisë hyjnore. Kur'ani e thekson në mënyrë të prerë se do të jetë e pamundur që njerëzit të cilët kanë ndjekur gjer në fund të jetës rrugë të ndryshme, të përballen pas vdekjes me të njëjtën pasojë si shpërblim ose ndëshkim, dhe se nuk duhet ta presin këtë nga Allahu:
"Apo mos ata që vazhdojnë t'i kryejnë ato të këqija pandehin se edhe ata do t'i trajtojmë si njerëzit që kanë besuar dhe bëjnë punë të pranueshme e të bukura, se do t'i vlerësojmë si të njëjtë në jetë e në vdekje? Ç'gjykim i keq!" (Xhathije, 45/21)
"A mos tani Ne do t'i vlerësojmë muslimanët si mohuesit (qafirët)? Ç'po ndodh me ju? Ç'konkluzion po jepni kështu?" (Kalem, 68/35-36)
Allahu i Lartë do ta krijojë patjetër atë ditë që e ka premtuar. Sepse po qe se Ai nuk i miraton besimtarët që e kalojnë jetën në përputhje me qëllimin e krijimit dhe nuk i poshtëron mohuesit dhe mëkatarët që i ngrenë kurth jetës dhe prishin rregullin, kjo do të thotë se ka hequr dorë prej drejtësisë dhe urtësisë së Tij.
Shkurt, meqë si shumica e besimtarëve, ashtu dhe e mohuesve nuk e marrin përkatësisht shpërblimin dhe ndëshkimin në këtë botë, do të thotë se përfundimi i është lënë një gjykate të madhe!
cDhënia fund e kontradiktave
Është një specifikë e njohur se, qysh nga krijimi i njeriut mbi tokë, e vërteta kuptohet në forma të ndryshme që bëhen shkak për mosmarrëveshje mes individëve dhe shoqërive. Këto kuptime të ndryshme janë bërë shkak për lindjen e shumë shoqërive, kulturave dhe bindjeve mbështetur mbi teori të ndryshme. Në çdo periudhë historike, përkrahësit e këtyre bindjeve kanë bërë përpjekje të mëdha për t'i përhapur idetë e pranuara dhe përvetësuara prej tyre!
Në këto kushte, çdo njeri me mend në kokë do të arrijë në përfundimin se këto kontradikta duhet të zgjidhen patjetër një ditë dhe se është e domosdoshme që të dalë në shesh se ç'është e drejtë e ç'është e padrejtë. Por ç'e do se duket sheshit që perdet që i mbulojnë të vërtetat nuk kanë për t'u hapur në këtë botë dhe që çdo gjë nuk do të shpaloset sheshit. Sepse struktura e ngritur mbi këtë botë nuk e lejon këtë. Atëherë, duhet një botë dhe jetë tjetër që do ta plotësonte këtë nevojë.
Qoftë paragjykimet si kryeneçësia dhe urrejtja, qoftë kontradiktat e prodhuara prej qëndrimeve mendore të gabuara është e pamundur të zgjidhen as në kuvendet e fjalës, as dhe në sheshet e luftës. Atëherë, duhet një ditë kur çdo gjë të vendoset me një konkluzion të prerë dhe përfundimtar në mënyrë që njerëzit të mundin ta mësojnë fytyrën e brendshme të të drejtës dhe të shtrembrës që qëndrojnë nën debatet ku kanë qenë zhytur gjatë gjithë jetës, gjë që mund të realizohet vetën para Allahut që e di dhe e vëzhgon çdo gjë më mirë se kushdo.
Kjo specifikë që përbën domosdoshmërinë e jetës së ahiretit, shpjegohet kështu në suren Nahl:
"Ata u betuan me të gjithë fuqinë e tyre se "Allahu nuk e ringjall njeriun që vdes". Jo, ky është premtim i vërtetë që Ai e ka marrë përsipër, por shumica e njerëzve nuk e dinë. Ata do të ringjallen që e vërteta për të cilën ata ranë në kundërshtim, të zbulohet dhe mohuesit ta dinë se janë gënjeshtarë!" (Nahl, 16/38-39)
Në këtë ajet, Allahu i Madh, pasi e bën të ditur ringjalljen pas vdekjes si një premtim të marrë përsipër prej Tij, tregon edhe se për ç'shkak e ka marrë përsipër. E para, për t'ua bërë të ditur atyre të vërtetën mbi të cilën kanë rënë në kontradiktë, e dyta, për t'ua treguar mohuesve se me të vërtetë janë gënjeshtarë.
Kur'ani e cilëson atë ditë si ditën kur do të trajtohen dhe vlerësohen jo vetëm fjalët dhe aktet, por edhe qëllimet dhe synimet e fshehta të njeriut:
"Atë ditë të gjitha të fshehtat do të dalin sheshit!" (Tarik, 86/9)
d) Disa nga argumentet që tregojnë se ahireti do të ndodhë
Në gjithësi nuk ka vend për kotësi dhe rastësi
Nuk mund të mendohet që një gjithësi e mbushur plot mësime e urtësi të asgjësohet pa pasur ndonjë qëllim apo synim. Çdokush që i shqyrton me vëmendje materien dhe dukuritë, do të shohë mbi çdo gjë vulën dhe gjurmët e urtësive të Krijuesit të Lartë dhe do të konkludojë me lehtësi se kjo botë nuk ekziston kot së koti, por me një qëllim dhe synim të caktuar.
Është jeta e pasme, ahireti, që i përfton kuptim botës. Sepse është synimi ose kahja ajo që i jep kuptim lëvizjes. Po të mos ishte bota e përjetshme e ahiretit, bota nuk do të kishte një synim final që mund ta quajmë synim të vërtetë dhe çdo gjë do të vërtitej pa qëllim. Eshtë për këtë arsye që Kur'ani përmban shprehje që theksojnë se Zoti nuk e ka krijuar ekzistencën për lojë dhe dëfrim për vete dhe se një gjë e tillë nuk do të përputhej me famën e Tij:
"Sigurisht, Ne nuk i krijuam qiellin, tokën dhe çdo gjë tjetër mes tyre sa për lojë e për dëfrim. Po të dëshironim dëfrim, gjenim pranë shumë gjëra për t'u dëfryer...!" (Enbija, 21/16, 17)
Kur'ani, i cili na e vë në lëvizje mendimin (arsyetimin) duke na e tërhequr vështrimin në rregullin e pashoq që sundon në gjithësi dhe përsosmërinë që shfaqet në të, na e bën të ditur se çdo pjesë e ekzistencës është e krijuar mbi një të vërtetë, gjithashtu, se krijimi dhe ngritja mbi të vërtetën të bën të mendosh e të besosh mbi ekzistencën e një jete të re pas vdekjes. Kjo specifikë mbi të cilën një ajet qëndron me përparësi, shprehet kështu në të:
"Është Allahu që i ngre qiejt pa ndonjë shtyllë që mund ta shihni ju dhe që, pastaj, sundon mbi arshin. Ai që i ka bërë diellin dhe hënën t'i nënshtrohen vullnetit të Tij. Secili prej tyre lëviz gjer në një kohë të caktuar. Ja, kështu i tregon Ai provat e Tij!" (Rad, 13/2)
Ndërkaq, ne shohim se kjo botë nuk është e përsosur. Ajo është e paqëndrueshme, e ndryshueshme dhe kalimtare. Hyjniteti i shkëlqyer dhe i përjetshëm i Allahut të Lartë, Zotit të botëve, sundimi madhështor dhe gjithëpërfshirës i Tij nuk mund të ngrihet e të qëndrojë mbi një botë të tillë. Domethënë se duhet një botë tjetër e përhershme, e qëndrueshme, e pashkatërrueshme, e përsosur dhe e shkëlqyer, që të jetë e denjë për Të! Prandaj themi se Allahu i Lartë ka një vend tjetër të përhershëm dhe për të e vë në punë njeriun!
Dëshira e përjetësisë në shpirtin e njeriut
Dëshira e përjetësisë në shpirtin e njeriut është një argument psikologjik shumë i fuqishëm që tregon ekzistencën e jetës së pasme, ahiretit. Ashtu si prania e një lidhjeje të brendshme dhe krejt të veçantë mes ujit dhe etjes së njeriut për ujë, ndjenja e përjetshmërisë e pranishme në shpirtin e njeriut dhe dëshira e tij për jetën e pasosur përbëjnë, në fakt, një argument të madh të ekzistencës së jetës së pasosur. Kjo dëshirë psikologjike e fuqizon lidhjen e fundit tonë me të vërtetën e jetës së pasme, ahiretit. Historia njerëzore është e mbushur plot shembuj që tregojnë shfaqjet e kësaj ndjenje të natyrshme tek njeriu.
Në të vërtetë, edhe frika nga vdekja që ndjen njeriu me vështrim të parë duke e konceptuar atë si një "asgjësim", buron nga dëshira e thellë që ka njeriu për përjetësinë. Ky zë që del nga natyra krijimore e njeriut tregon se njeriu është krijuar për përjetësinë. Me këtë ndjenjë të natyrshme tek vetja, ndjenjë e cila e kundërshton asgjësimin, çdo njeri e ndjen se është krijuar jo për një jetë të përkoshme kalimtare, por për një jetë të përhershme, të paasgjësueshme. Kjo ndjenjë dhe vetëdije janë tregues të qartë të ekzistencës së një jete të përhershme pas kësaj jete të përkohshme.
Edhe qenia në formën më të keqe është më e mirë se mosqenia. Filozofi M. Unamuno e shpreh kështu faktin që njerëzit janë gati të pranojnë të gjitha llojet e mundimeve dhe torturave vetëm e vetëm për të shpëtuar nga fatkeqësia e asgjësimit dhe për të vazhduar të ekzistojnë: "Jam gati që, më mirë të digjem në ferr përjetësisht, se sa të asgjësohem, sepse asgjë nuk më është dukur më e frikshme dhe e tmerrshme se sa vetë mosqenia!"
Të dëshirosh përhershmërinë e jetës qoftë edhe në një botë tjetër, është një ndjenjë e fuqishme e shpirtit të njeriut, e cila nuk mund të nënvleftësohet. Pa dyshim, kjo ndjenjë e pranishme në thellësitë e shpirtit tonë është reflektim i një ndjenje të natyrshme të pranishme në qenien e njeriut.
Si përfundim, nuk mund të mendohet që kjo botë e cila nuk e kënaq dhe nuk e ngop njeriun as me aspektin e saj material, t'u japë përgjigje kapaciteteve dhe mundësive të tij që e përfshijnë gjithësinë siç është imagjinata dhe dëshira e përjetësisë. Prandaj, njeriu që nuk e gjen përgjigjen e kësaj ndjenje në këtë botë, do ta gjejë në një botë tjetër.
Argumenti i emrave dhe atributeve të Allahut që shfaqen në ekzistencë
Meqë vlerën argumentuese të fuqisë dhe drejtësisë absolute të Zotit mbi realizimin e jetës së pasme, ahiretit, e kemi prekur me rastin e trajtimit të çështjeve përkatëse, këtu do ta trajtojmë çështjen vetëm nga këndvështrimi i vlerës argumentuese të urtësisë, bujarisë dhe mëshirës së Tij.
Nga këndvështrimi i urtësisë hyjnore
Fakti që njeriu është pajisur me njohuri dhe aftësi të gjera tregon se ai është krijuar si një qenie kandidate për një jetë të pasosur. Njeriut, i cili ka vendin më të zgjedhur e më të shquar mes të gjitha gjallesave dhe që ndodhet në epiqendër të qenieve, të gjitha aftësitë dhe mundësitë e larta që zotëron, si mendja (arsyeja), ndjenja, vetëdija, vullneti dhe aftësia zgjedhëse, i janë dhënë për të qenë e për t'u bërë i denjë për dhuntitë që do t'i jepen në botën e përjetshme. Po të mos qe kështu, këto aftësi dhe mundësi të larta të pranishme te njeriu nuk do të kishin kuptim.
Allahu që nuk i ka krijuar njerëzit kot, pa qëllim, gjithsesi s'ka për t'i lënë kot, pa qëllim. Nisur nga kjo, Krijuesi i Lartë, për ta pohuar domosdoshmërinë e ringjalljes për njeriun si dhe karakterin kategorik të saj, thotë kështu:
"A mos pandehni se ju krijuam kot, si lojë dhe dëfrim, dhe se nuk do t'ju kthejmë prapë tek Ne?" (Dharijat, 51/56) "A mos pandeh njeriu se do të lihet i lirë, pa qëllim?" (Kijame, 75/36)
Të mendosh se jeta e njeriut fillon me hapjen e perdes së lindjes dhe përfundon me mbylljen e perdes së vdekjes, do të thotë të përfytyrosh se, me aktin e krijimit të njeriut, Krijuesi i Lartë ka bërë një punë të kotë, kurse nuk mund të mendohet që dikush me mend në kokë ta miratojë këtë pretendim. Në është kështu, do të thotë se vdekja nuk është mbyllje e jetës së njeriut, por është një intermexo me vlerën e startit për t'u hapur perdeja e një jete të dytë.
Argumenti i kujtesës (ruajtjes) hyjnore
Edhe dukuria e ruajtjes që vihet re në këtë botë është një argument tjetër se jeta e pasme, ahireti, do të ndodhë. Siç dihet, njëri nga emrat e Zotit është Hafidh. Emri Hafidh shpreh kuptimet e ruajtjes (në kujtesë dhe me shënim) të të gjitha punëve të bëra, mbrojtjen, vëzhgimin dhe kontrollin e çdo gjëje nga të gjitha rreziqet gjer në një kohë të caktuar. Allahu i ruan pa asnjë të metë të gjitha fjalët e mira apo të këqija të thëna nga njerëzit si dhe zërat e tyre. Kjo specifikë bëhet e qartë kështu në Kur'an:
"Pranë çdo fjale që nxjerr njeriu nga goja ka një vëzhgues të gatshëm!" (Kaf, 50/18)
Krahas fjalëve të thëna, shënohen edhe të gjitha lëvizjet e njeriut. Se sa thellë do të preket njeriu ditën e kiametit kur t'i shpalosen para syve si një shirit filmik të gjitha lëvizjet, sjelljet dhe veprimet që ka bërë në këtë jetë, Kur'ani na e shpreh kështu: "Mjerë për ne! Ç'libër është ky që s'ka lënë gjë të madhe a të vogël pa shënuar?" (Kehf, 18/49)
Shkenca moderne thotë se fjalët e shqiptuara nga njeriu nuk asgjësohen, por shënohen dhe ruhen në thellësitë e kozmosit. Nga shkencëtarët pohohet se teorikisht është e mundur që të kapen (interceptohen) këto zëra dhe se realizimi i këtij interceptimi do të bëhet i mundur në të ardhmen. Kur të shpiket mjeti (teknologjik) për këtë, dëgjimi në të ardhmen i zërave të së kaluarës do të bëhet realitet. Veç kësaj, shumë shkencëtarë pretendojnë se të gjitha lëvizjet që bëjmë si individë apo kolektive qoftë në dritë, qoftë në errësirë, janë të pranishme në kozmos si trajta të fiksuara dhe se do të bëhet e mundur që, në çastin e dëshiruar, lëvizjet e bëra nga njeriu gjatë gjithë jetës të sillen në një të tërë të përbashkët.
Sipas kësaj, po qe se i ballafaqojmë të gjitha këto me të vërtetën e jetës së pasme, ahiretit, na del në shesh një përputhje idesh me përmasa kozmike: po qe se s'do të vlente për gjë, shënimi (fiksimi) dhe ruajtja e zërave dhe lëvizjeve është e kotë. Mirëpo në gjithësi nuk ka absolutisht asgjë të kotë e asnjë shpenzim të kotë apo shpërdorim. Kurse këto zëra ruhen për një llogari shumë të rëndësishme.
Prej këtu duam të vijmë në këtë pikë: në këtë gjithësi ku jetojmë, çdo gjë ruhet pa u prishur e pa u humbur. Një Ruajtës (Hafidh) i tillë që e ruan çdo gjallesë në kromozomet e saj gjer në hollësinë më të imtë të karakterit të saj, sigurisht që nuk do ta çojë dëm duke e braktisur në mosqenie një vlerë si njeriu i cili është epiqendra e ekzistencës dhe zëvendësi i Zotit mbi tokë. Si një fare të hedhur në tokë, do t'i japë njeriut një jetë të posaçme në një botë tjetër!
Argumenti i bujarisë së pakufishme të Allahut
Gjithashtu, Zoti Bujar, i cili i bën mirësi dhe bujari të pafundme njeriut në këtë botë, nuk ka për t'i prerë këto mirësi dhe dhunti dhe nuk do t'i kthejë dhuntitë dhe kënaqësitë në ndëshkim dhe mundim. Po qe se mirësitë dhe bujaritë në fjalë nuk do të jenë të përjetshme, kënaqësia bëhet mundim, afërsia dhe dashuria shndërrohen në armiqësi. Prandaj, si një domosdoshmëri e bujarisë së pasosur të Tij, duhet të ketë një botë të përjetshme ku të gjejnë vazhdimësinë e vet të gjitha këto.
Argumenti i mëshirës së pafundme të Allahut
Dhembshuria dhe kujdesi që tregohet këtu edhe për gjërat më të thjeshta, janë argument i veçantë mbi realizimin e jetës së pasme, ahiretit. A është e mundur që Mëshiruesi i Madh i cili u përgjigjet me dhembshurinë e tij kërkesës për ndihmë edhe të gjallesave që duken si më pa rëndësi, të mos e plotësojë këtë dëshirë të njeriut që digjet nga dëshira e përjetësisë?
Etapat e jetës së ahiretit
Jeta e varrit
Jeta pas vdekjes do të realizohet në dy faza. E shprehur ndryshe, pas vdekjes, njeriu do të kalojë nëpër dy botë. E para, bota e varrit e cila, si kjo botë, do të marrë fund. Tjetra është bota e ahiretit e cila nuk do të marrë fund në asnjë formë. Jeta e varrit emërtohet edhe berzah, jetë e ndërmjetme.
Si fjalë, berzah do të thotë perde, pritë (barrierë) dhe pengesë mes dy gjërave. Kurse si terminologji, përdoret me kuptimin e botës ku do të qëndrojnë shpirtrat pas vdekjes gjer në kiamet, botë e varrit, korridor mes kësaj bote dhe ahiretit, sallon pritjeje. Berzah është një urë mes kësaj bote dhe ahiretit. Në
Kur'an, kjo fjalë është përdorur edhe me kuptimin leksikor, edhe me kuptimin terminologjik.
Në Kur'an ka shumë ajete që tregojnë për ekzistencën e mundimit dhe ndëshkimit të varrit. Nga këta, në një ajet të sures Mumin thuhet kështu:
"... Ata (familja e faraonit) i jepen zjarrit mëngjes e mbrëmje. Edhe ditën kur do të shpërthejë kiameti, do t'u thuhet (engjëjve të ngarkuar me detyrë): "Njerëzit e faraonit futini në mundimin më të rëndë!"212
Në këtë ajet bëhet fjalë në mënyrë mjaft të hapur për një mundim para shpërthimit të kiametit, gjë që s'është tjetër veç mundimit të varrit. Pasi bëhet e ditur se familja e faraonit futet në zjarr, thënia (teksti arabisht jevme tekumu's-saatu) "dhe ditën kur të shpërthejë kiameti" në vijim e mbështet këtë. Kurse në një hadith profetik që bën të ditur se me vdekjen e njeriut fillon jeta e varrit, thuhet kështu: "Varri (berzah) është i pari i vendqëndrimeve të ahiretit. Për atë që shpëton aty, pastaj është më lehtë. Po të mos shpëtojë aty, pastaj do ta ketë më të vështirë!" (Tirmidhi, Zuhd, 5)
Edhe sikur njeriu të varroset në tokë pas një vdekjeje normale, edhe sikur të mbytet e të mbetet në det, edhe sikur të digjet dhe hiri t'i hidhet në ajër, patjetër do ta jetojë jetën e varrit dhe pastaj do të ringjallet. Në këtë botë të ndërmjetme, mohuesit do të kalojnë një jetë të hidhur e me shqetësime, kurse besimtarët do të kalojnë një jetë të lumtur e pa shqetësime në vartësi të punëve të tyre. Në hadithe njoftohet se dy engjëj të quajtur munker dhe nekir do t'u drejtojnë njerëzve pyetje, si "Kush është Zoti yt", "Kush është profeti yt", "Cili është libri yt", etj., dhe do t'i trajtojnë njerëzit sipas përgjigjeve që do të marrin prej tyre.
Ata që s'e pranojnë mundimin e varrit, kundërshtojnë duke thënë se "vetëm organizma e gjallë mund të mundohet" ose se "mundimin mund ta ndjejë vetëm gjallesa, njeriu i gjallë, kurse i vdekuri ku struktura e gjallë është prishur, nuk ndjen dhimbje e mundim". Meqë njeriu e sheh formën e jetës vetëm me këtë sintezë (organizëm), e pandeh këtë si kusht të pashmangshëm të jetës. E shprehur ndryshe, nuk mendon dot se Allahu mund të krijojë një formë tjetër jete që të mos ketë nevojë për këtë sintezë.
Në fakt, gjëja më e drejtë që duhet të bëjë njeriu në lidhje me çështjen e jetës së varrit e cila shpreh një dimension jete që i kapërcen kufijtë e dijes dhe mundësisë njohëse të njeriut, është që, pa u preokupuar me cilësinë e asaj jete dhe të mundimit në të, t'i miratojë njoftimet e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij dhe të bëjë përgatitje për atje.
b) Ringjallja dhe grumbullimi (hashr dhe neshr): shpërndarja e librave të punëve, hetimi dhe
Llogaridhënia, peshorja, sirati, hauzi Keuther
Fjala hashr, kuptimi leksikor i të cilës është mbledhje, grumbullim në një vend, si term fetar do të thotë menjëherë pas ringjalljes në ditën e kiametit, mbledhje e të gjitha krijesave dhe çuarje e tyre në sheshin e grumbullimit.
Kur'ani tregon se hashri është dita kur të gjithë njerëzit do të mblidhen bashkë dhe do të dalë në shesh se, me të vërtetë, kush ka fituar dhe kush është gënjyer. Gjithashtu, sipas Kur'anit, trajtimi që do t'u bëhet njerëzve që do të grumbullohen në vendgrumbullimin (mahsher), do të jetë sipas mënyrës së jetesës që kanë bërë në këtë botë. Kështu, në Kur'an njoftohet se ata që i kanë larguar sytë nga Allahu, atë ditë do të grumbullohen si të verbër, se fytyra e mohuesve do të jetë e zezë dhe e dëshpëruar, kurse fytyra e besimtarëve, e ndritshme dhe e gëzuar.
Ndërkaq, në hadithet e të Dërguarit të Allahut lidhur me gjendjen e atyre që do të grumbullohen në mahsher, njoftohet se mahsheri është një rrafshinë e bardhë dhe e ndritshme, se njerëzit do të grumbullohen lakuriq, zbathur, të pabërë synet dhe pa të meta organesh.
Pas shpërthimit të kiametit dhe ringjalljes, fillojnë fazat e mahsherit që po i trajtojmë shkurt me radhë.
Shpërndarja e librave të punëve
Pasi njerëzit të grumbullohen në fushën e quajtur mahsher, u shpërndahen "librat e punëve" ku janë shënuar çdo fjalë që kanë thënë dhe çdo punë që kanë bërë sa kanë qenë në këtë botë. Cilësia e këtyre librave nuk dihet. Prandaj përngjasimi i tyre me librat apo fletoret e kësaj bote nuk është një veprim i qëlluar. Për këta libra ose shënime të mbajtur nga engjëjt, në Kur'an thuhet kështu:
"Më në fund, janë hapur librat dhe ti i sheh fajtorët të frikësohen nga gjërat e shënuara aty. Ata thonë: "Mjerë për ne, ç'libër qenka ky ku janë shënuar të gjitha pa lënë gjë të madhe a të vogël!" Kështu, ata kanë gjetur përballë bëmat e tyre. Zoti yt s'i bën askujt padrejtësi!" (Kehf, 18/49)
Kur'ani bën të ditur se librat e punëve do t'u jepen njerëzve të caktuar për në xhenet nga e djathta, njerëzve të caktuar për në xhehenem nga e majta ose nga pas. Ata që u jepet libri nga e djathta, emërtohen as'habi jemin (të djathtët, të vendosurit), kurse ata që u jepet nga e majta ose nga pas, as'habi shimal (të majtët, të shmangurit nga e drejta). Dhënia e librit nga e djathta është lajmërim për një fund të mirë, kurse dhënia nga e majta ose nga pas, lajmërim për një fund të keq.220
Hetimi dhe llogaridhënia
Në vendin e grumbullimit (mahsher), çdo njeri do të presë shkurt apo gjatë sipas vendit dhe gradës që ka pranë Allahut. Aty njerëzit do të hetohen dhe do t'u kërkohet llogari nga Allahu pa ndërmjetës. Në hadithet profetike bëhet e ditur se ndërsa besimtarët do t'u përgjigjen pyetjeve me lehtësi, mohuesit do të kalohen përmes një hetimi dhe llogarimarrjeje të imtë.
Gjatë hetimit dhe llogaridhënies, përveç librit të punëve, po të duhet, për njerëzit do të dëshmojnë edhe organet e trupit të tyre, edhe toka.223 Gjatë hetimit dhe llogaridhënies kur ai që ka bërë të mirë qoftë edhe sa grimca, do ta marrë shpërblimin e të mirës së tij, dhe kur ai që ka bërë të keqe qoftë edhe sa grimca, do ta marrë ndëshkimin e të keqes së tij, njerëzit nuk do të lihen pa u përgjigjur për këto pesë gjëra:
Ku e kanë shpenzuar jetën.
Si e kanë kaluar rininë.
Në ç'rrugë e kanë përdorur diturinë dhe si kanë vepruar me të.
Ku e kanë fituar dhe ku e kanë shpenzuar pasurinë.
Ku e kanë përdorur dhe konsumuar trupin.
Peshorja (mizan)
Si fjalë, mizan do të thotë peshore (terezi, drejtpeshim). Ajo që duhet të kuptojmë ne me peshoren (mizan), është peshimi dhe matja (vlerësimi) e punëve me mënyrën e përcaktuar nga Allahu. Ndërkaq, është e pamundur që ne të japim ndonjë gjykim mbi këtë peshore, cilësinë e të cilës e di vetëm Allahu. Në këtë peshim specifik, fytyrën e brendshme të të cilit nuk mund ta dimë, ata që do t'u rëndojnë më shumë të mirat, do të shpëtojnë, kurse ata, të mirat e të cilëve do të vijnë lehtë, do të shkojnë në xhehenem. Lidhur me peshoren (mizanin), në Kur'an thuhet kështu:
"Ditën e kiametit Ne do të ngremë peshoret. Më në fund, askujt nuk do t'i bëhet padrejtësi në asnjë formë. Edhe sikur puna e bërë të jetë sa një kokërr sinapi, do ta vëmë në peshore. Ne i mjaftojmë çdokujt si llogaritës!" (Enbija, 21/47)
Sirati
Eshtë një urë mbi xhehenem ku do të kalojë gjithkush dhe ata që s'do të munden të kalojnë, do të bien në xhehenem. Edhe mbi cilësinë e vërtetë të siratit është e vështirë të thuhet diçka e saktë. Vetëm se një kalim i tillë sipas një mënyre që e di dhe e përcakton vetëm Allahu, do të ndodhë patjetër. Në hadithet profetike njoftohet se ata që do të kalojnë të parët mbi sirat do të jenë profeti Muhamed (sal'lallahu alejhi vesel'lem) dhe ummeti, bashkësia e tij, dhe gjatë këtij kalimi njerëzit do të kenë vështirësi apo lehtësi sipas punëve të tyre.
Këtë urë mjaft të lehtë për t'u kaluar nga besimtarët dhe ata që kanë bërë punë të mira, kurse mjaft të vështirë për t'u kaluar nga mohuesit, mund ta interpretojmë edhe si "urë të ndërtuar nga njeriu gjatë gjithë jetës së tij në këtë botë me anë të punëve të tij të mira apo të këqija". Punët e këtushme të njeriut i vihen para atij si një urë. Duke u nisur nga kjo konsideratë, ndërsa punët e mira do të kryejnë funksionin e një ure të shëndoshë që ka për ta nxjerrë atë në bregun e shpëtimit (xhenet), punët e këqija do të kryejnë funksionin e një ure të kalbur që do të bëhet shkak për rrëzimin e tij në xhehenem. Të vërtetën Allahu e di!
Hauzi Keuther
Sipas njoftimit të haditheve, në ditën e kiametit, çdo profeti do t'i dhurohet një hauz. Ndërkaq, uji i hauzit që do t'i jepet profetit Muhamed (sal'lallahu alejhi vesel'lem), do ta ketë ngjyrën më të bardhë se qumështi dhe aromën, më të këndshme se parfumi. Kush do të pijë prej tij, nuk do të ketë më etje kurrë. Profeti Muhamed (sal'lallahu alejhi vesel'lem) do të jetë i pari që në ditën e kiametit do të pijë ujë në këtë hauz, pastaj, me radhë, besimtarët që janë përpjekur në rrugën e Allahut dhe që i kanë shërbyer Islamit. Në hadithe përmbahen njoftime mbi ngjarjet që do të ndodhin pranë këtij hauzi. Ndërsa Profeti (sal'lallahu alejhi vesel'lem) do të jetë duke e pritur ummetin, bashkësinë e tij, kur të shohë se disa persona që i ka parë dhe njohur në këtë jetë do të jenë duke i çuar në xhehenem, do të ndjejë dhimbje dhe do të thotë: "Po ata janë shokët e mi, o Zot!" Atëherë atij do t'i thuhet: "Ata, duke mos e ruajtur dot drejtimin, u kthyen prapë dhe dolën jashtë vije!"
Fjala keuther që përmendet në Kur'an në ajetin e parë të sures Keuther ku thuhet, "Pa dyshim, Ne të dhamë ty Keutherin" (Keuther, 108/108/1), në tefsiret është komentuar, përgjithësisht, si hauz. Prandaj, për hauzin e Profetit (sal'lallahu alejhi vesel'lem) në kiamet është thënë "Hauzi Keuther".
Çështja e shefaatit ose ndërmjetësimit për falje
Fjala shefaat që do të thotë ndërmjetësim, në terminologjinë fetare shpreh shfaqjen e mëshirës së Allahut në një dimension tjetër përmes përdorimit prej Tij si pretekst të profetëve, dijetarëve, dëshmorëve dhe besimtarëve sipas gradës së tyre për faljen në jetën e pasme, ahiret, të mëkateve të besimtarëve mëkatarë dhe për lartësimin në gradë të besimtarëve jomëkatarë.
"Atë ditë nuk bën dobi shefaati (ndërmjetësimi) i të tjerëve veç atyre nga të cilët Allahu është i kënaqur dhe veç atyre që u jep leje Ai!" Ky ajet tregon se shefaati përmbahet në Kur'an.
Ajetet e Kur'anit të cilët, lidhur me shefaatin, thonë se "nga askush s'do të pranohet ndërmjetësim", nuk mund të paraqiten si argumente se nuk do të ketë ndërmjetësim për falje, sepse këto ajete sillen në ato vende të Kur'anit ku bëhet fjalë për fundin e mohuesve. Me këtë theksohet se mohuesit (qafir), politeistët (mushrik) dhe hipokritët (munafik) mbeten jashtë shefaatit, ndërmjetësimit për falje.232
Kurse në hadithet profetike ka njoftime të hapura lidhur me shefaatin. Kështu, në një hadith, Profeti (sal'lallahu alejhi vesel'lem) ka thënë se do të ndërmjetësojë për faljen e atyre personave nga ummeti, bashkësia e tij, që kanë bërë mëkate, kurse një një hadith tjetër ka bërë të ditur se për çdo profet ka një lutje të posaçme që i pranohet, kurse lutjen e vet ai do ta bëjë në ahiret për të ndërhyrë për falje për ummetin e vet. Gjithashtu, në një hadith tjetër, Profeti (sal'lallahu alejhi vesel'lem) ka thënë se, ndërsa në mahsher njerëzit do të jenë duke pritur të vuajtur e të emocionuar që të merren në pyetje, do t'i lutet
Allahut që hetimi dhe llogaridhënia të mbarojnë një çast e më parë.235
Le të mendojmë se në një vend ku sundon një mbret i drejtë dhe i mëshirshëm, dikush ka bërë një faj. Por ky person që i është vërtetuar faji, nuk e ka bërë zakon një gjë të tillë. Ai e ka kryer fajin i shtyrë nga disa motive egoiste, prandaj është penduar. Ai druhet nga ligjet e mbretit, veten e sheh fajtor dhe ndëshkimin që do t'i jepet, të drejtë. Ja dhe mbreti i mëshirshëm e sheh fajtorin të penduar dhe të frikësuar dhe i dhimbset. Mirëpo mbreti nuk mundet ta falë fajtorin pa arsye, sepse atëherë do t'i shkelte vetë ligjet që kishte vënë, populli do të fillonte t'i nënvleftësonte ligjet dhe njerëzit nuk do të kishin frikë më prej tij. Me këto shqetësime, mbreti ia hedh fjalën një funksionari të lartë apo kryeministrit se mund ta falë fajtorin. Atëherë, kryeministri, duke ndërhyrë dhe ndërmjetësuar pranë mbretit, bëhet pretekst për faljen e fajtorit. Ndërkaq, duke ia dhënë këtë mundësi kryeministrit, mbreti ia rrit autoritetin atij para popullit. Ja, pra, të këtij lloji janë të gjitha rastet e shefaatit për të cilat flitet në Kur'an dhe në hadithet profetike. Nisur nga kjo, ajo që i bie si detyrë njeriut për të merituar një shefaat të tillë, është të jetë i vëmendshëm në kryerjen e detyrimeve të kërkuara prej tij nga Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe, duke pasur frikë nga ndëshkimi i Allahut, t'i kërkojë ndihmë Atij!
d) Xheneti, xhehenemi dhe arafi
Shënimet
- 160.Shih Lejl, 92/13: Ve inna lená lel áhirete vel úlá (Dhe, pa dyshim, tonat janë edhe e pasmja, edhe e tashmja!). Duha, 93/4: Ve lel áhiretu hajrul leke minel úlá (Dhe e pasmja është, për ty, më e mirë se e tashmja!). Përkthyesi. 179 Katastrofës së përgjithshme. Përkthyesi.
- 161.Shih Bakara, 2/179, 197, 269; Al-i Imran, 3/7, 190; Maide, 5/100; Jusuf, 12/111; Rad, 13/19; Ibrahim, 14/52; Sad, 38/29, 43; Zumer, 39/9, 18, 21; Gafir (Mumin), 40/54; Talak, 65/10.
- 162.Këtë specifikë Kur'ani e prek me këtë ajet: "Dëshira dhe pasioni për grua, fëmijë, ar dhe argjend me shumicë, kuaj të mësuar, kafshë dhe të mbjella u janë bërë njerëzve të stolisura (tërheqëse)!" (Al-i Imran, 3/14)
- 163.Korniza e hallallit: korniza ku futen gjërat legjitime, të lejuara, të miratuara e të bekuara. 183 Shih. Said Nursi, Sözler, f. 862.
- 164.En'am, 6/130. Veç kësaj, shih A'raf, 7/51; Lukman, 31/33; Fatir, 35/5; Al-i Imran, 3/185; Hadid, 57/20. 185 Shih. A'raf, 7/51.
- 165.Shih Al-i Imran, 3/185; Isra, 17/99; Enbija, 21/34; Muminun, 23/15; Ankebut, 29/57; Rahman, 55/26.
- 166.Shih Bakara, 2/243; Al-i Imran, 3/145, 154; Nisa, 4/78; Kaf, 50/19.
- 167.Shih Bakara, 2/28; Al-i Imran, 3/27, 156; En'am, 6/2; Araf, 7/158; Tevbe, 9/116; Junus, 10/31, 56; Hixhr, 15/23; Nahl, 16/70; Haxh, 22/66; Rum, 30/19, 27, 40; Mumin, 40/68; Duhan, 44/8; Kaf, 50/43; Nexhm, 53/44; Vakia, 56/60; Hadid, 57/2.
- 168.Maide, 57/18, 105; En'am, 6/61, 62; Araf, 7/29; Junus, 10/4; Hud, 11/4; Merjem, 19/40; Nur, 24/42; Kasas, 28/70, 88; Ankebut, 29/17, 21, 57; Jasin, 36/83; Nexhm, 53/42.
- 169.Dharijat, 51/5-6. Po k€shtu, shih Nahl, 16/38; Junus, 10/4.
- 170.Jasin, 36/80. Kurse një ajet tjetër ku ka shprehje të ngjashme lidhur me këtë çështje, është kështu: "Thoni tani, a ju e keni krijuar drurin me të cilin zini zjarrin, apo jemi Ne krijuesit e tij? Ne e bëmë atë një shembull që të tregojë për fuqinë tonë dhe pretekst përfitimi për kalimtarët. Atëherë, madhëroje emrin e Zotit tënd të Lartë!" (Vakia, 56/71-74) 192 Arabët i quanin këto dy lloje drurësh të njomë, merh dhe afar.
- 171.Në të vërtetë, edhe njeriu e praktikon këtë në jetën e vet me ndihmën dhe favorin e Allahut. Bie fjala, njeriu, sipas dëshirës, siç mund të përftojë nga energjia elektrike zjarr dhe ngrohtësi, mund të përftojë edhe akull dhe freski.
- 172.Në origjinal: ba'thu ba'de'l-mevt.
- 173.A'raf, 7/25; Rum, 30/19; Xhathije, 45/35.
- 174.Kaf, 50/11.
- 175.En'am, 6/60.
- 176.Elmal›l› Hamdi Vaz›r, Hak Dini Kur'an Dili, 3/1949-1950.
- 177.Në origjinal: As'habi Kehf.
- 178.Shih Kehf, 18/9-19.
- 179.Shih Bakara, 2/72-73.
- 180.Shih Bakara, 2/55-56.
- 181.Shih Al-i Imran, 3/49; Maide, 5/110.
- 182.Shih Bakara, 2/260. 205 Në origjinal: salih.
- 183.Në origjinal: ihsan.
- 184.E shprehur më qartë, ashtu siç argumenton etja për ujë ekzistencën e ujit, edhe etja për përjetshmëri argumenton ekzistencën e përjetshmërisë. Përkthyesi.
- 185.Miguel de Unamuno, Yaflam›n Trajik Duygusu, përkth. Osman Demirsu, Stamboll, 1986, f. 20.
- 186.Shih Han, Vahiduddin, el-Islam Jetehadda, f. 130-133.
- 187.Varri i cili për një njeri pa besim shihet si një vend i frikshëm ku njeriu kalbet, po të vështrohet me syrin e besimit, shihet si një korridor i këndshëm i hapur për në vendin e përjetësisë.
- 188.Për kuptimin leksikor, shih Rahman, 55/20. Për kuptimin terminologjik, shih Muminun, 23/100. 212 Mumin, 40/46. Po kështu, shih Mumin, 40/11; Bakara, 2/28.
- 189.Shih Tirmidhi, Xhenaiz, 70.
- 190.Shih Tirmidhi, Xhenaiz, 70; Musned, 3/126.
- 191.Hud, 11/103.
- 192.Shih Tegabun, 64/9.
- 193.Taha, 20/124-126.
- 194.Shih Al-i Imran, 3/106-107; Abese, 80/38-43.
- 195.Shih Buhari, Rikak, 44, 45; Muslim, Xhenet, 14; Tirmidhi, Tefsir, 18. Ndërsa nuk ka kontradikta mbi çështjen e grumbullimit të krijesave që u është paraqitur propozim, mes sunnitëve dhe mutezilitëve ka pasur kontradikta mbi grumbullimin e kafshëve dhe insekteve (të cilave nuk u është paraqitur propozim). Sunnitët kanë thënë se "edhe kafshët do të grumbullohen, por grumbullimi i tyre nuk do të bëhet për ndonjë shpërblim; pasi t'u përgjigjen pyetjeve të Allahut, ato do të bëhen dhé". Kurse pikëpamja e mutezilitëve është kështu: "Siç do të grumbullohen qeniet bashkëbiseduese të propozimit (hyjnor), edhe kafshët do të grumbullohen për të mbetur përgjithmonë." (Shih Bagdatí, Usulu'd-din, f. 236; Pezdeví, Ehl-i Sunet Akaidi, f. 226) 220 Shih Inshikak, 84/7-11.
- 196.Shih Buhari, Rikak, 49; Muslim, Zekat, 20.
- 197.Shih Fussilet, 41/21. 223 Shih Zilzal, 99/4.
- 198.Shih Tirmidhi, Sifatu'l-Kijame, 1.
- 199.Në esencë, mizan do të thotë "peshore farmacie" si simbol i peshores së pagabueshme. Përkthyesi.
- 200.Shih Karia, 101/6-9.
- 201.Shih Buhari, Ezan, 129; Muslim, Iman, 81.
- 202.Shih Buhari, Fitn, 1, Xhenaiz, 73, Rikak, 45; Muslim, Salat, 53.
- 203.Për ata që do të ndërmjetësojnë për falje, shih Ibni Maxhe, Zuhd, 37.
- 204.Taha, 20/109. Po kështu, shih Enbija, 21/28.
- 205.Për shembull, shih Bakara, 2/123, 255. 232 Shih Araf, 7/53; Gafir (Mumin), 40/18.
- 206.Shih Ebu Davud, Sunet, 21; Tirmidhi, Kijamet, 11.
- 207.Buhari, Davaat, 21; Muslim, Iman, 86. 235 Buhari, Zekat, 52.