IMANI0%

IMANI

Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I

Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)

Ekipi i Studimeve Akademike

VENDIMI HYJNOR: KADERI

Kuptimi i konceptit kader

a) Kuptimi leksikor

Kuptimi leksikor i fjalës kader është “matje, vlerësim, përcaktim, formësim, trajtësim”, etj. Folja arabishte (kadera) ka-de-ra do të thotë “caktoi, ndau në pjesë dhe secilit i caktoi pjesën e vet, pati fuqi”. Në trajtën (kaddera) kad-de-ra do të thotë “vendosi, e imponoi vendimin dhe e ekzekutoi”. Një fjalë tjetër që ka lidhje me kaderin, është fjala kaza. Fjala kaza do të thotë “urdhër, vendim dhe ekzekutim”.

Maturiditët dhe esh’aritët si dy degë të rëndësishme të drejtimit sunnit, i kanë kuptuar konceptet kader dhe kaza për sa i përket kuptimit, në mënyrë të kundërt. Atë që esh’aritët e kanë konsideruar kaza, maturiditët e kanë trajtuar si kader dhe anasjelltas. Kontradikta mes tyre është një mosmarrëveshje leksikore.

b) Kuptimi terminologjik

Sipas maturiditëve, kaderi është vendimi i Allahut, kurse kazaja, ekzekutimi i këtij vendimi nga ana e Tij, pra, kryerja e gjësë për të cilin ka marrë vendim dhe zbatimi i vendimit. Sipas esh’aritëve, kazaja është vendimi eternal i Allahut, vendimi i Tij i marrë në pafillimshmëri. Kurse kaderi është realizimi i vendimit pasi të jenë formuar (krijuar) kushtet përkatëse.

Kaderin dhe kazanë me këndvështrimin e maturiditëve mund ta parashtrojmë kështu:

Kaderi është planizimi dhe programimi nga Krijuesi i Lartë që zotëron dijen e pasosur, që i sheh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhshmen si një pikë të vetme dhe për të cilin nuk ka të shkuar, të tashme e të ardhshme, i tërë gjithësisë, nga mikrobota në makrobotë e gjer te njeriu me strukturën e tyre informative dhe vlerësimi dhe shënimi i çdo gjëje që ka për të ndodhur, para se të ndodhë, përfshi edhe procesin e marrjes së këtyre nga plani informativ për t’i ekspozuar në botën e ekzistencës me anë të vullnetit dhe fuqisë së Tij, në një Libër me cilësi të panjohur për ne. Kurse kazaja është zbatimi nga Zoti i gjërave të caktuara dhe vendosura prej Tij në pafillimshmëri, kur t’u vijë koha, me anë të vullnetit dhe fuqisë së Tij dhe në përputhje me dijen e tij eternale.

Tema e kaderit si një parim besimi

Mund të themi se domosdoshmëria e besimit te kaderi në Islam buron nga dy argumente. I pari, fakti që në shumë ajete flitet për kaderin dhe prania e haditheve që bëjnë të ditur në mënyrë mjaft të qartë domosdoshmërinë e besimit te kaderi. I dyti, domosdoshmëria e besimit te atributet absolute, të pakushtëzuara e të pakufizuara të dijes, vullnetit dhe fuqisë të Zotit.

Në Kur'an ka shumë ajete që na bëjnë të ditur neve ekzistencën e kaderit lidhur me njeriun. Le t'i marrim dhe analizojnë këtu disa prej tyre.

"Nuk ka as në tokë e as në veten tuaj ndonjë gjë që të dalë në shesh (duke ju bërë të dëshpëroheni ose të gëzoheni) e të mos jetë në një libër para se ta krijojmë Ne. Me të vërtetë, kjo është e lehtë për Allahun. Kjo (ndodh kështu) me qëllim që të mos dëshpëroheni për atë gjë që ju del dore dhe të mos përkëdheleni për të mirat që ju jep Allahu..." (Hadid, 57/22)

"Thuaju: "Neve s'na vjet gjë tjetër veç asaj që ka shkruar Allahu për ne!" (Tevbe, 9/51; En'am, 6/38;

Jasin, 36/12)

"Pa dyshim, vetëm Ne mund t'i ngjallim të vdekurit! Ne e shkruajmë çdo punë që bëjnë dhe çdo gjurmë që lënë ata. Dhe e kemi numëruar çdo gjë në një libër krejt të qartë!" (Jasin, 36/12)

Ajeti i parë flet në një mënyrë mjaft të qartë se të gjitha qeniet, dukuritë dhe ngjarjet, përfshi edhe njeriun dhe çdo situatë lidhur me të, para se të dalin në sheshin e ekzistencës, ndodhen të shkruara në një libër. Po kështu, ajeti i dytë tërheq vëmendjen mjaft qartë mbi këtë të vërtetë për sa i përket njeriut, dhe ajeti i tretë, mbi të cilin sapo u përqëndruam, na e bën të ditur neve çdo shkrim (shënim) lidhur me njeriun.

Me këto ajete, Kur'ani na tregon në një mënyrë që të mos ketë nevojë për asnjë koment ose interpretim se çdo gjë ekziston në dijen hyjnore para se të dalë në sheshin e ekzistencës. Le të ndalemi tani këtu dhe le t'i drejtojmë vetes këtë pyetje: A nuk nënkupton, në fund të fundit, thënia e Allahut për diçka, "kjo është kështu", "besojeni se kjo është kështu"? E shprehur më qartë, a nuk nënkupton thënia e Allahut, "çdo gjë që ka për t'ju ndodhur dihet nga Allahu që më parë", "besojeni se çdo gjë që ka për t'ju ndodhur dihet nga Allahu që më parë"?

Sipas opinionit tonë, meqë besimi te Allahu dhe te atributet e Tij të lartë, si dija, vullneti, fuqia, etj., përfshin edhe besimin te kaderi dhe kazaja, në ajetet që i bëjnë të ditura bazat e besimit së bashku, kjo shtyllë e besimit (ky element përbërës i besimit) nuk është theksuar veç. E thënë ndryshe, meqë besimi te kaderi, në themel, përfshihet në bazën e besimit te Allahu, nuk është përmendur në Kur'an shprehimisht në mënyrë të veçantë. Sepse, "ata që besojnë se Allahu është krijuesi i gjithësisë dhe se dija dhe vullneti i Tij përfshijnë të pjesët dhe të tërën, kanë besuar edhe te kaderi dhe kazaja. Duke u mbështetur mbi rëndësinë e posaçme të çështjes, domosdoshmëria e besimit te kaderi dhe kazaja është sqaruar në mënyrë të veçantë në hadithet profetike."

Profeti (alejhissalatu vesselam) e ka shpjeguar duke e shqyrtuar në hollësi çështjen e kaderit që trajtohet në ajete. Si një bazë besimi, besimi te kaderi zë vend në hadithe me shprehje mjaft të hapura. Veçanërisht hadithi profetik i cituar nga Muslimi në fillim të veprës së tij "Sahih", bart një rëndësi të madhe për sa i përket formulimit të besimit islam. Nga ky hadith i gjatë që ka për rrëfyes Hz. Omerin (r.a.), do të mjaftohemi këtu me përcjelljen vetëm të pjesës lidhur me temën tonë:

"... besim do të thotë t'u besosh Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij, ditës së ahiretit dhe kaderit, të mirës dhe të keqes..."

Në këtë hadith thuhet "... edhe në të keqen (sherr) prej Tij..."; besimi se ashtu si e mira, edhe e keqja e kanë prejardhjen nga Allahu, do të thotë besim se dalja edhe e të mirës, edhe e të keqes dhe fatkeqësisë në sheshin e ekzistencës bëhet me vullnetin dhe fuqinë e Allahut dhe jo se Allahu dëshiron të keqen për njeriun kundër tij, sepse Allahu nuk është kurrë pro as ndaj mohimit, as ndaj ndonjë akti mohues të robve të Tij.

Shkurt, po ta marrim e ta trajtojmë çështjen e kaderit nga një perspektivë e gjerë pa e shtrënguar brenda kallëpeve të ngushtë, vëmë re se bazat e besimit janë të rrethuar me besimin (parimin) e kaderit dhe kazasë. Sepse, Krijuesi i Lartë, duke nisur me njohjen e ekzistencës së vet, e ka vlerësuar dhe përcaktuar që më parë kuptimin dhe qëllimin përfundimtar të jetës që do të krijonte dhe të botës përtej saj, cilëve profetë do t'u zbriste mësime (libra) për këtë dhe me anë të cilëve engjëj. Të mendosh të kundërtën, do të thotë të pretendosh se Ai vepron spontanisht, si të vijnë ngjarjet, gjë që me të vërtetë është e pamundur.

Pozicioni i vullnetit të njeriut përballë vullnetit hyjnor

Në Kur'an, koncepti kader ka të bëjë jo vetëm me njeriun, por me tërë gjithësinë, nga grimcat e mikrobotës, gjer te makrobota. Pra, çdo qenie, për daljen e së cilës në fushën e ekzistencës brenda linjës shkak-pasojë bëhemi dëshmitarë, formohet brenda një programi hyjnor, kaderit. Po të shqyrtohen me vëmendje ajetet përkatëse, kjo specifikë shihet fare qartë.

Duke e marrë në dorë çështjen e kaderit lidhur me njeriun, Kur'ani, e trajton kaderin herë në aspektin e vullnetit të Allahut dhe herë në aspektin e vullnetit të njeriut. Ndërkaq, po qe se kjo nuk shihet si një e tërë, mund të pandehet se këto ajete të paraqitur vëmendjes nga dy kënde të ndryshme, bien në kontradiktë. Por gjendja nuk është aspak kështu. Le t'i marrim me radhë këto ajete.

a) Ajetet që tregojnë se njeriu është i lirë në aktet dhe veprimet e tij

"Pa dyshim, Ne i treguam atij rrugën e drejtë. Po të dojë, le të jetë falenderues, po të dojë, mosmirënjohës!" (Insan, 76/3)

"Thuaju se e vërteta është prej Zotit tuaj. Tashmë kush të dëshirojë të besojë, të besojë, kush të dëshirojë të mohojë, të mohojë!" (Kehf, 18/29)

"Kushdo që të bëjë një punë të mirë, do ta ketë për të mirë të vet dhe kushdo që të bëjë një punë të keqe, do ta ketë për të keqe të vet. Zoti yt kurrë nuk u bën të keqe robve të vet!" (Fussilet, 41/46)

"Çdo nefs (frymë, vete, njeri) është peng i bëmave të veta!" (Mudeththir, 74/39)

"Thuaju: "O njerëz, ju ka e vërteta (Kur'ani) nga Zoti juaj; kush të bëjë siç thotë ai, e ka bërë për vete dhe kush të largohet prej tij e të bjerë në rrugë të shtrembër, do t'ia bëjë vetes!" (Junus, 10/108)

Këto ajete, disa prej të cilave i morëm si shembull këtu, tregojnë se njeriu është i lirë në punët dhe veprimet e veta dhe prandaj është përgjegjës për punët dhe veprimet e veta.

b) Ajetet që tregojnë se dëshira volitive hyjnore është bazë

"Po s'dëshiroi Allahu, ju s'mund të dëshironi!" (Insan, 76/30)

"Po të donte Allahu, nuk do ta bënin dot atë gjë!" (En'am, 6/37)

"Po të mos donte Allahu, nuk do të besonin!" (En'am, 6/111)

Siç shihet, në ajetet e grupit të parë (a) theksohet se njeriu është një qenie e lirë, kurse në ajetet e grupit të dytë (b) theksohet se bazë dhe përcaktues është vullneti hyjnor. Mes këtyre dy grupe ajetesh nuk ka ndonjë vështirësi konceptuale të pakapërcyeshme. Në ajetet e grupit të parë, çështja është trajtuar në aspektin e saj që ka të bëjë me vullnetin e njeriut, kurse në ajetet e grupit të dytë, çështja është trajtuar në aspektin e saj që ka të bëjë me vullnetin e Krijuesit të Lartë.

Atëherë, këto ajete mund t'i vlerësojmë me këtë shprehje: Duke marrë për bazë vullnetin hyjnor, njeriu është një qenie që mund të bëjë ç'të dëshirojë. Kuptimi i kësaj është ky: Zoti e ka bërë vullnetin tonë kusht elementar për vullnetin e vet të përgjithshëm. Realizimi ose dalja në skenën e ekzistencës e një gjëje çfarëdo materiale apo jomateriale (moralo-shpirtërore) që e dëshiron njeriu në mënyrë të vullnetshme, nëse mund të shprehemi kështu, varet nga viza e vullnetit hyjnor.

Si domosdoshmëri e zakonit hyjnor (adetullah), njeriu është i lirë të dëshirojë, vetëm se realizimi i gjësë së dëshiruar prej tij varet nga vullneti dhe fuqia hyjnore; dëshirimi i njeriut nuk shpreh asgjë (nuk ka asnjë vlerë) po qe se Allahu nuk e dëshiron po atë gjë dhe nuk jep leje për realizimin e saj. E thënë ndryshe, po qe se dëshira volitive e njeriut nuk merr miratimin dhe lejen e vullnetit hyjnor, nuk realizohet gjë. Çdo gjë që bëhet (realizohet), bëhet brenda lejes dhe vullnetit të Zotit. Asgjë nuk mund të realizohet pavarësisht nga vullneti i Tij. Kështu, në një hadith profetik thuhet kështu:

"Ajo që dëshiron Allahu bëhet. Kurse ajo që s'e dëshiron Ai, kurrë s'mund të bëhet!" (Ebu Davud, Edeb, 106)

Kurse në një ajet ku Allahu na e parashtron çështjen në të dy aspektet, domethënë, edhe në aspektin e vullnetit hyjnor, edhe në aspektin e vullnetit njerëzor, thotë kështu:

"Ai (Kur'ani) s'është tjetër veçse një këshillë për botët, për ata nga ju që dëshirojnë të orientohen. (Por) Po të mos dëshirojë Allahu, Zoti i botëve, ju s'mund të dëshironi!" (Tekvir, 81/27-29)

Në emër të kuptimit të pozicionit të vullnetit të njeriut përballë vullnetit hyjnor, dëshirojmë të përcjellim këtu interpretimin shumë konciz dhe elegant të F.Gylenit: “Allahu e ka pranuar aktin tonë që është një realitet konvencional, si ftues të dëshirës dhe vullnetit të Tij, i ka dhënë rëndësi atij, ka premtuar se do t’i bëjë realitet projektet më të mëdha duke u mbështetur mbi të dhe e ka krijuar këtë element konvencional si një pretekst për mirësinë dhe mëkatin, e ka bërë bazë atë për shpërblimin dhe ndëshkimin, e ka pranuar si subjekt të cilit i dedikohet e mira dhe e keqja dhe këtij akti relativ i cili nuk shpreh asnjë vlerë në vetvete dhe, sipas rezultateve që kanë lidhje me të, i ka ngarkuar vlera mbi vlera që, po të mos qe kështu, jeta do të ndalonte me të tëra, njeriu do të binte në nivelin e sendeve pa jetë, propozimi do ta humbte kuptimin dhe çdo gjë do të kthehej në kotësi... Prandaj, gjithsesi, do t’u jepte jashtëzakonisht rëndësi atij si dhe kërkesave dhe dëshirave të tij dhe, duke e sjellë atë në gjendjen e një kushti elementar, e një preteksti të respektuar për rregullimin e kësaj bote dhe përjetësisë si dhe në gjendjen e një butoni magjik të një mekanizmi elektrik që do t’i ndriçonte botët, do ta tregonte edhe një dimension tjetër enigmatik të fuqisë së Tij duke krijuar në një pikë uji, detin, në një molekulë, diellin, në një gjë aspak të rrallë, në një gjë që s’ekziston, botët!”

Besimi te kaderi - Liria e njeriut

Nuk është e drejtë ta shohësh bazën besimore të besimit te kaderi në Islam si në kundërshtim me lirinë e njeriut, sepse të thuash se një musliman beson te kaderi, në parim do të thotë se ai beson se çdo gjë ekziston me dijen, dëshirën, fuqinë dhe aktin krijues të Allahut, se nuk ka krijues tjetër veç Allahut.

Besimi te kaderi s’do të thotë mohim i përgjegjësisë tek njeriu, sepse Islami na kërkon edhe të pranojmë një qenie të lartë që zotëron vullnetin e përgjithshëm dhe fuqi dhe që e ka krijuar gjithësinë, edhe se Ai i ka krijuar njerëzit si qenie me vullnet, edhe të pranojmë se mirësia dhe ndëshkimi janë ngritur mbi këtë vullnet. Kështu, besimi te kaderi dhe te parimi i zgjedhjes bëhen bashkë. Pyetjes nëse besimi i muslimanëve te kaderi bie në kundërshtim me mundësinë e tyre për të bërë zgjedhje me vullnetin e tyre të lirë, i ndjeri Ahmed Hamdi Akseki i është përgjigjur kështu në veprën e tij “Mësime morali”:

“Edhe nëse ka që e shohin besimin e muslimanëve te kaderi dhe kazaja në kundërshtim me parimin e zgjedhjes (e lirisë së vullnetit), kjo mendësi është kategorikisht e gabuar. Pasi të kuptohet ashtu siç duhet se ç’është besimi te kaderi në Islam, do të kuptohet lehtësisht se sa të gabuara janë mendime të tilla. Sepse të thuash që një musliman i beson kaderit, në fakt do të thotë që pranon se krijuesi i të mirës dhe të keqes është Allahu. Pra, muslimani i beson edhe Krijuesit të gjithësisë, zotërues të madhështisë dhe fuqisë, dhe vullnetit të përgjithshëm që i përket Atij, edhe ekzistencës së vullnetit të pjesshëm të dhënë atij (muslimanit) si bazë dhe partner të përgjegjësisë së vet. Feja islame na i mëson që të dyja këto. Nisur nga kjo, pranimi nga njerëzit i një vullneti hyjnor absolut dhe të përgjithshëm në gjithësi, nuk e asgjëson vullnetin e tyre të pjesshëm që është elementi esencial i përgjegjësisë së tyre!”255

Shkurt, Zoti, në çdo punë të të cilit ka urtësi dhe drejtësi, i ka dhënë njeriut një vullnet me qëllim që të mos kërkojë pretekste në gabimet dhe të metat e veta dhe që t’i bëhet njeriut burim për mirësi dhe mëkate. Ky vullnet quhet vullnet i pjesshëm ose mundësi zgjedhjeje e pjesshme. Ja, pra, mundësia zgjedhëse e pjesshme që do të thotë të zgjedhësh, të duash të vësh qëllim dhe të tregosh vendosmëri për arritjen e tij, i del përballë njeriut i cili kërkon t’ia ngarkojë gabimin kaderit, dhe i thotë: “Je përgjegjës, sepse ti je që bëre zgjedhjen!”

Çështja nëse njohja paraprake e një gjëje nga Allahu përbën apo jo shtrëngim

Fakti që çdo akt i mirë apo i keq i kryer apo që do të kryhet nga njeriu, është i njohur dhe i caktuar (vlerësuar) nga Allahu në pafillimshmëri, nuk është diçka në kundërshtim me vullnetin e njeriut ose pavarësisht nga vullneti i njeriut. Sepse në caktimin (vlerësimin) e bërë aty ku është i pranishëm vullneti i njeriut, nga Zoti dihet se në ç’anë do të përdoret vullneti i tij dhe sipas kësaj bëhet vlerësimi dhe caktimi përkatës. Sikur, me këtë vlerësim dhe caktim, Zoti i thotë njeriut kështu: Unë e di se në iks kohë ti do ta përdorësh vullnetin tënd në këtë drejtim. Prandaj dhe këtë akt po e vlerësoj dhe caktoj për ty kështu. Një raport i tillë i dukurive do të thotë jo anullim i vullnetit të njeriut, por mbështetje e tij.

Ashtu siç e ka theksuar me përparësi edhe Ali el-Kaariu, Allahu e ka shkruar diçka në lidhje me vullnetin e njeriut, “do të bëhet kështu e ashtu” dhe nuk e ka shkruar “të bëhet kështu e ashtu”. Në këto kushte, ne nuk e bëjmë një gjë pse Allahu e di në pafillim dhe pse e ka shënuar këtë që di, pra, pse i tillë është kaderi ynë, përkundrazi, Allahu i shënon ato që kemi bërë dhe kemi për t’i bërë sepse i di që më parë. Po qe se Allahu (xh.xh.) do të kishte shkruar jo për ta karakterizuar gjendjen, por me një vendim me anë të të cilit do të zbatohej ajo që duhej, atëherë vullnetit të njeriut nuk do t’i mbetej vlerë.

Fakti që Allahu e di që më parë një gjë që ne kemi për ta bërë, në asnjë mënyrë s’duhet menduar si shtrëngim. Le të japim tani dy shembuj që do të ndihmonin për kuptimin e çështjes.

Shembulli i parë. Një mësues, meqë i njeh mirë nxënësit e tij, e di që më parë në masën 80-90 përqind se sa pikë do të marrë secili prej tyre në provimin e fundit të vitit. Tani, ashtu siç kjo njohje që më parë e përfundimeve vjetore nga mësuesi nuk ndikon mbi përfundimet dhe notat që do të marrin nxënësit, edhe njohja që më parë e fundit tonë nga Allahu i cili e di gjithçka dhe nga dija e të cilit s’shmanget asgjë, nuk ndikon mbi aktet tona.

Shembulli i dytë. Dukuritë dhe ngjarjet astronomike si eklipset e diellit dhe hënës përcaktohen që më parë dhe shënohen me ditë, orë dhe minuta në raportet dhe kalendarët shkencorë. Tani, a mos eklipset e diellit dhe hënës realizohen në atë orë dhe minutë pse u njohën e u përcaktuan nga shkencëtarët ose u shënuan në kalendarë, apo shënohen në raportet e shkencëtarëve pse dihet që më parë se do të realizohen në atë orë? E vërteta është se eklipsi i diellit dhe hënës nuk ndodhin pse janë shënuar në kalendarë, përkundrazi, shënohen në kalendarë pse dihet që më parë se do të ndodhin. Ja, pra, edhe ne, njerëzit, nuk i bëjmë veprimet tona pse Allahu i ka shënuar në kaderin tonë, përkundrazi, Allahu i shënon veprimet tona pse e di që më parë se si do ta përdorim ne vullnetin tonë.

A mund të paraqitet kaderi si justifikim?

Në Islam ka kader por nuk ka fatalitet257. Ashtu siç pandehin disa, kaderi nuk kërkon që njeriu ta lëshojë veten në rrjedhën e ngjarjeve dhe t’i shohë si të panevojshëm adhurimin dhe marrjen e masave parandaluese. Besimi te kaderi është një nga kushtet e qenies besimtar, por nuk është e drejtë që, duke e paraqitur atë si justifikim, të lihet pa bërë ajo që duhet bërë. Nisur nga kjo, jo vetëm s’është e drejtë që njeriu të bëjë mëkat dhe pastaj të thotë se ky ka qenë kaderi i tij, por s’është e drejtë as që, duke u mbështetur te ideja e kaderit, të mos vlerësohen shkaqet, sepse njeriu nuk e di se si është kaderi i tij ose, e thënë ndryshe, kaderi i një njeriu është i fshehtë për të.

Eshtë për këtë arsye që njerëzit nuk shpëtojnë dot nga përgjegjësia as duke i mbështetur punët e veta te kaderi para se t’i kryejnë, as pasi t’i kenë kryer.

Në çdo gjë ka një sundim të kaderit dhe kazasë së Allahut, vetëm se duhet ditur edhe kjo se, për realizimin e ecurisë së kaderit dhe kazasë lidhur me aktet e zgjedhura të njerëzve, vetë aktet e tyre janë bërë ndërmjetës (forcë shtytëse). Prandaj, shmangia e vetes nga përgjegjësia duke ia ngarkuar kaderit një punë qe e kemi kryer me kërkesën dhe dëshirën tonë, nuk është mendësi kaderi sipas Islamit dhe një qëndrim dhe trajtim i tillë i çështjes është e pamundur të përputhen me propozimet fetare-juridike të Islamit.

Urtësia e ndalimit të polemikave lidhur me kaderin

Profeti (sal’lallahu alejhi vesel’lem) u tha kështu disa sahabeve, shokëve të vet, kur i pa që po debatonin mbi çështjen e kaderit: “A mos ju jeni urdhëruar për këtë apo mos unë u dërgova tek ju për këtë? Kur ata që qenë para jush nisën të debatonin mbi këtë çështje, u shkatërruan!” Me këto fjalë ai tregonte se ishte i shqetësuar nga vënia në diskutim e çështjes së kaderit.

Urtësia e ndalimit nga ana e Profetit e trajtimit të çështjeve lidhur me kaderin në formën e debatit dhe polemikës mund të vlerësohet nga këto tre këndvështrime:

I pari, para së gjithash, çështja e kaderit është një çështje besimi, ndërkaq që trajtimi i çështjeve besimore në mënyrë debatuese e polemizuese nuk është i drejtë, sepse besimi është trajtuar në hadithet profetike si një e tërë bashkë me gjashtë bazat e besimit. Dhe kjo tregon edhe se besimi nuk pranon copëtim, edhe se besimi është një specifikë që kërkon tregimin e nënshtrimit ndaj çdonjërës prej bazave të tij. Kurse nënshtrimi nuk përputhet me debatin dhe polemikën. Ndërkaq, nuk ka ndonjë të keqe nëse çështja diskutohet, pa u tërhequr në debat dhe polemikë, me qëllim për të marrë njohuri e për të mësuar. Kështu, me këtë mendim dhe qëllim, shumë dijetarë islamë i kanë kushtuar kaderit kapituj të tërë në librat e tyre ose kanë shkruar vepra më vete me këtë temë.

I dyti, njeriu ka kaderin e vet të lidhur me vullnetin e vet, si dhe kaderin e vet që vepron jashtë vullnetit të vet. Ndërkaq, shkaqet e kaderit që zhvillohet jashtë vullnetit të njeriut, nuk njihen nga njerëzit. Duke u nisur nga parimi se “mendja (arsyeja) është krijesë, prandaj nuk mund ta konceptojë (nuk mund ta rrokë, nuk mund ta përfshijë) krijuesin”, mendja (arsyeja) e njeriut mund të mos i njohë të fshehtat dhe urtësitë e kaderit që zhvillohet jashtë vullnetit të vet. Si shfaqje të këtij kaderi mund të jepen ngjarje të tilla si koha dhe vendi i lindjes së njeriut, prindërit, seksi, raca fatkeqësitë dhe sëmundjet, të cilat përcaktohen tërësisht nga faktorë jashtë vullnetit të njeriut. Të ngrihesh për të bërë debat dhe polemikë për këto gjëra, të sforcohesh për ta kuptuar të fshehtën e kaderit, mund të çojë në përfundime nga të cilat njeriu të mos dalë dot. Nisur nga kjo, mund të thuhet se është pikërisht ky dimension i kaderit që na e ka ndaluar Profeti të merremi me të.

I treti, tentativa e njeriut për ta zgjidhur në mënyrë të prerë çdo specifikë lidhur me kaderin, do të thotë kërkesë për një gjë që e kapërcen kapacitetin e tij. Sepse kaderi nuk është një temë të cilën njerëzit me mendjen të gatuar me konceptet e kohës dhe hapësirës, të mund ta konceptojnë (rrokin, përfshijnë) në mënyrë tërësore nga pikëpamja diturore dhe teorike. Prandaj, besimtari duhet të mjaftohet me ato gjëra që mundet të kuptojë lidhur me çështjen e kaderit, specifikat që nuk mundet t’i kuptojë, t’ia lërë Zotit dhe të mos hyjë në debate e polemika të panevojshme.

Ndikimet e besimit te kaderi mbi jetën e njeriut

Ka nga ata që thonë me të madhe se besimi mbi kaderin ndikon negativisht mbi muslimanët. Vallë, sa janë të vërteta këto konsiderata dhe pretendime?

Nëse ka diçka që shkon mbrapsht në botën e muslimanëve në kohën aktuale që po jetojmë, do të ishte mirë që këtë ta lidhnim jo me kaderin, por me “teorizimet” mbi fatin dhe fatalitetin të njerëzve që u kërkojnë këllëf dembelizmit dhe indiferentizmit të tyre.

Gjendja e rëndë ku ndodhet sot bota islame, nuk është pasojë e besimit islam mbi kaderin, por e jetesës jo në përshtatje me frymën e Islamit, e përfaqësimit të dobët e të mangët të Islamit, si dhe e faktit që muslimanët nuk e japin atë që pritet prej tyre në punë, përpjekje dhe sakrifica.

Po qe se besimi mbi kaderin dhe kazanë do të kishte qenë pengesë për veprimtarinë e muslimanëve, si mund të realizohej gjithë ai përparim kolosal i arritur në periudhat kulmore të Islamit? Pra, në periudhat kur kjo fe shfaqi një vitalitet të lartë me përfundime të mëdha në përmasa botërore, ky besim kurrë s’u bë pengesë për muslimanët që të përparonin dhe të bëheshin pararendës të qytetërimit. Po të bëjmë një shqyrtim të çështjes nga aspekti praktik i saj, do të shohim se muslimanët e mëparshëm, në zemrat e të cilëve ndikimi i mendimit fetar ishte më i madh, nuk ishin dembelë dhe nuk u mundën nga popujt e besimeve të tjera. Dhe askush nuk mund të pretendojë se ata nuk i besonin kaderit dhe kazasë.

Meqë nga këndvështrimi kozmologjik, besimi mbi kaderin do të thotë “besim se çdo gjë është e

lidhur nga Allahu me një rregullim dhe masë të caktuar”, besimi mbi kaderin, duke shtresuar në mendjen e njeriut vetëdijen se në gjithësi nuk ka vend për rastësi, si dhe idenë e rregullit dhe rregullsisë, është bërë për njeriun një parim shtytës për të punuar në mënyrë të vazhdueshme, të programuar e sistematike.

Pas një hyrjeje të tillë, tani do ta marrim dhe trajtojmë nga dy këndvështrime vendin e besimit të shëndoshë mbi kaderin në jetën e njeriut.

a) Për sa i përket programit hyjnor që sundon në gjithësi

Para së gjithash, besimi te kaderi e eliminon idenë e rastësisë. Idetë e rrymave filozofike, si materializmi, bashkohen në pikën se gjithësia ku sundon një rregull dhe harmoni tejet e përsosur, ka ardhur në gjendjen e sotme si rezultat i një zinxhiri rastësish. Muslimanët mund t’i shpëtojë nga këto lloj idesh të gabuara vetëm besimi mbi kaderin, sepse të thuash se i beson kaderit, do të thotë të besosh se në gjithësi nuk ka vend për rastësi. Kështu, është një e vërtetë e shprehur hapur në Kur’an, se në gjithësi asgjë nuk varet nga rastësitë, përkundrazi, çdo gjë vepron sipas një plani dhe programi të caktuar:

“Te Allahu, çdo gjë është sipas një mase të caktuar!” (Rad, 13/8)

“Pa dyshim, Ne e kemi krijuar çdo gjë me një kader!” (Kamer, 54/49)

Në çdo gjë në gjithësi, nga më e vogla te më e madhja, vëzhgojmë një rregull dhe harmoni. Ligjet e vëna në natyrë nga Krijuesi janë pjesë e kaderit hyjnor (e planit hyjnor), të gjitha ligjet veprojnë brenda kuadrit të kaderit dhe, siç shprehet Kur’ani, në kaderin e tyre nuk shihet ndonjë ndryshim: “Në krijimin e Allahut ti nuk mund të gjesh ndonjë ndryshim!” (Rum, 30/30)

Sipas këtij parimi, Zoti e administron çdo gjë sipas planit hyjnor dhe rregullsisë së lartë të përcaktuar prej Tij në pafillimshmëri. Atëherë, themi se çdo lloj dukurie dhe ndodhie materiale e jomateriale që ngjan në gjithësi, nuk ngjan rastësisht, pa qëllim e pa synim. Çdo gjë krijohet me anë të dijes eternale (të pafillim), vullnetit absolut dhe fuqisë së pafundme të Allahut që përfshin çdo gjë, dhe në përputhje me rregullin dhe planin hyjnor. Kazaja e Allahut shfaqet gjithmonë në përputhje me kaderin e Tij. Me këtë aspekt, vërtetimi i kaderit është vërtetim i tevhidit, besimit monoteist islam mbi Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë. Kështu, në një hadith profetik, duke u shprehur se “besimi te kaderi është rregull i tevhidit”, është tërhequr vëmendja mbi faktin se baza besimore mbi kaderin është e lidhur drejtpërdrejt me besimin monoteist (tevhid).

Shkurt, besimi te kaderi na pengon ne t’i shohim të gjitha dukuritë dhe ngjarjet që ndodhin në gjithësi, si “pasoja të shkaqeve”, siç ndodh në determinizëm, dhe, duke na shmangur nga mendimi determinist, na tregon se pas çdo gjëje është një dorë urtësie dhe fuqie vazhdimisht në veprim.

b) Për sa i përket vendimit hyjnor lidhur me njeriun

Le ta paraqesim këtë çështje në formë pikash me radhë.

Kaderi, i cili, me përfshirjen e tij në bazat e besimit, përmban urtësi të rëndësishme, është si një pritë ose barrierë që e mbyll rrugën që mund ta çojë njeriun në mohim, sepse, ndër të tjera, njeriu, me aspektin e tij egoistik262, kërkon të lavdërohet dhe krenohet me vetitë dhe bukuritë që i janë dhuruar atij në krijim, kurse të metave, gabimeve, fajeve dhe krimeve të veta kërkon t’u gjejë pretekste justifikuese ose t’ua ngarkojë të tjerëve.

Po qe se njeriu nuk i njeh kapacitetet dhe bukuritë me të cilat është i pajisur, si dhuratë dhe mirësi të Zotit, i hapet rruga e krenarisë dhe mendjemadhësisë. Ky damar krenarie, ndërsa e shtyn një shumicë njerëzish të mbahen më të madh para njerëzve të tjerë, një pjesë tjetër njerëzish, duke e çuar gjer në idenë fikse të vështrimit të çdo gjëje si meritë dhe përkatësi të vetën, si përfundim, e bën të dënuarin e mendimit për të mos njohur asnjë vullnet dhe fuqi mbi veten.

Në fakt, në natyrën e njeriut ekziston ndjenja e përvetësimit të çdo aftësie dhe bukurie vetiake, e lavdërimit dhe e krenimit me to dhe, përtej kësaj, e kalimit në një egoizëm të pamasë. Ja, në këtë moment, për të mos rënë në krenari për punët e mira të kryera, futet në veprim kaderi i cili, duke i sugjeruar njeriut të mos bëhet krenar se nuk është ai që i ka bërë ato punë, e mbron nga rënia në mendjemadhësi dhe krenari. Sepse, jo vetëm që është vullneti hyjnor që dëshiron kryerjen e atyre punëve, por është përsëri po ajo Fuqi që jep mundësinë dhe forcën e duhur për realizimin e tyre. Në këtë pikë futet në veprim edhe parimi islam i zgjedhjes (vullnetit) të lirë me qëllim që të mos eliminohen propozimi dhe përgjegjësia, parim i cili i thotë njeriut se ai është përgjegjës sepse ai e bëri zgjedhjen, duke ia kujtuar, kështu, atij, përgjegjësinë.

Nisur nga kjo, Kur’ani, me ajetin “çdo e mirë që të vjen është nga Allahu, kurse çdo e keqe, nga vetja jote”, tërheq vëmendjen mbi faktin se Allahu është zotëruesi i vërtetë i të gjitha mirësive, bukurive dhe dobive, kurse të gjitha të këqijat dhe mëkatet burojnë nga vetja (egoja) e njeriut.

Te njeriu që i beson kaderit nuk ndodh as më i vogli pesimizëm dhe lëshim. Pastaj, njeriu që i beson kaderit, kur arrin sukses, nuk heq dorë nga thjeshtësia dhe modestia dhe nuk e humbet veten me dehjen e fitores. Në ajetin e mëposhtëm shprehet në mënyrë koncize se besimi te kaderi jo vetëm që përbën burim force për njeriun përballë fatkeqësive, por edhe e shpëton atë nga krenaria:

“As në tokë e as në veten tuaj nuk ka gjë që t’ju ndodhë (si për t’u gëzuar, ashtu dhe për t’u dëshpëruar), që të mos jetë shkruar në një libër para se ta krijojmë Ne. Pa dyshim, kjo është e lehtë për Allahun. Kjo, me qëllim që të mos dëshpëroheni për humbjet dhe që të mos përkëdheleni e të mos mbaheni më të madh për ato që ju jep Allahu. Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë që lavdërohen shumë!” (Hadid, 57/22-23)

Këtu Allahu (xh.xh.) u ka bërë thirrje njerëzve të besojnë te kaderi për ta lehtësuar hidhërimin dhe dëshpërimin në çastet e fatkeqësive. Sepse, kur kaderi mendohet për sa u përket shqetësimeve dhe fatkeqësive të papërballueshme nga vullneti i njeriut, bëhet ilaçi shërues pesimizmit, dëshpërimit dhe i stresit të shkaktuar prej këtyre. njeriu i cili e di se çdo gjë vjen nga Allahu dhe e beson këtë, e pranon me pëlqim çdo gjë të hidhur a të ëmbël të ardhur prej Tij, i nënshtrohet mëshirës dhe urtësisë së Tij, duke bërë durim, shpëton nga hidhërimi i shkaktuar prej shqetësimit dhe fatkeqësisë. Përballë fatkeqësisë, thotë: “Unë jam rob i Allahut dhe, në fund, te Ai do të kthehem. Në dëshirimin e Allahut ka mirësi dhe dobi; në dashtë Allahu, edhe në këtë gjë për mua ka mirësi e dobi. Allahu im, bëmë mua durimtar dhe mbromë nga fatkeqësi më të mëdha!” Dhe gjen qetësi!

Kështu, në Kur’an thuhet: “Kur atyre u vjen në kokë një fatkeqësi, thonë: “Ne jemi të Allahut dhe te Ai do të kthehemi!” (Bekare, 2/156) Dhe: “Mundet që në diçka që nuk ju pëlqen, Allahu të ketë caktuar shumë dobi për ju!” (Nisa, 4/19)

Në një aspekt, për njeriun i cili nuk i sheh dot fatkeqësitë sipas kaderit, bëhet e pashmangshme që të mbetet i mpirë para çdo ngjarjeje shpresëthyese e persekutuese, që të ankohet vazhdimisht për gjendjen e vet, që ta përplasë kokën andej-këtej, madje, si përfundim, të bjerë në llumin e mëkatit dhe mjerimit. Një njeri i tillë shtypet edhe para fatkeqësisë më të vogël dhe, me ah-e e me oh-e e kthen botën në burg për vete. Sa për besimtarin që i beson kaderit, ai, siç thuhet në Kur’an, as gëzohet sa për të rënë në krenari me gjërat e fituara e të arritura nga punët e kësaj bote, as dëshpërohet për gjënë e humbur. Sepse ai e di që çdo gjë s’përbëhet nga dimensioni i kësaj bote, nga kjo botë, por që më e mira dhe më e bukura e çdo gjëje është në jetën tjetër pas kësaj.

Një urtësi tjetër e përfshirjes së kaderit në bazat e besimit është se, duke e shpëtuar njeriun nga barra e rëndë e jetës, kaderi ia lehtëson dhe qetëson shpirtin.

Njeriu është një qenie që ka të bëjë me gjithësinë. Ai ka synime dhe dëshira të pafundme. Kurse fuqia dhe vullneti i njeriut nuk mjafton as për një të miliontën e nevojave të tij. Veç kësaj, shpesh herë njeriu nuk e shpëton dot veten nga ndikimi i disa ngjarjeve që i sheh përreth pa ua kuptuar dot urtësinë dhe shqetësohet. Për shembull, po të shohë një skenë të dhimbshme, për një kohë nuk shpëton dot nga efekti i saj dhe jeta i bëhet e hidhur.

Në këtë moment, e vetmja gjë që i shkon në ndihmë njeriut, është besimi te kaderi. Personi që beson në kuptimin e vërtetë të fjalës te kaderi, e shkarkon te kaderi barrën e krijuar prej nevojave dhe frikërave dhe, kështu, zemra dhe shpirti i lehtësohen. Personi që beson se të gjitha ngjarjet shfaqen në gjithësi, zhvillohen sipas rregullit të një ligji hyjnor dhe se çdo gjë ecën mjaft lehtë me anë të një programi hyjnor, ia lë mundimet dhe vështirësitë që i përjeton të kësaj bote, të Zotit të saj dhe sheh të përfitojë nga të gjitha bukuritë dhe kënaqësitë parajsore të saj. E shprehur ndryshe, mbështetur në mëshirën e Zotit dhe në bukuritë e punëve dhe ligjeve të Tij, çdo gjë e sheh nga ana e mirë e saj dhe, në vartësi të kësaj, e kalon jetën me një kënaqësi pa dhimbje dhe me lumturi. Edhe nga ky këndvështrim, besimi te kaderi është aq kënaqësindjellës sa nuk përshkruhet. Kush i beson kaderit në këtë kuptim, nuk hidhërohet e nuk dëshpërohet. Me të vërtetë, në një hadith profetik, Profeti (sal’lallahu alejhi vesel’lem), duke tërhequr vëmendjen mbi këtë të vërtetë, ka thënë: “Besimi te kaderi e heq shqetësimin dhe dëshpërimin!”

Nisur nga kjo, besimi te kaderi ka një vend të pazëvendësueshëm për sa i përket ndikimit pozitiv në jetën e njerëzve të kapur nga sëmundje të rënda. Besimtari i rënë në një vuajtje të pashpresë, i cili nuk ka asgjë në dorë, i lutet kështu Zotit duke e ndjerë veten në siguri: “Allahu im i lartë! I bindem pa kushte vullnetit tënd! Urtësitë e tua janë të pafundme. Po të duash, ti edhe më shëron mua. Edhe dëshirimi apo mosdëshirimi yt është një urtësi që të përket ty! Ne e bëmë ç’kishim në dorë, edhe pasardhësit tanë do ta bëjnë. Kurse vdekja është ligji yt; edhe po të vdesim, ç’rëndësi ka! Sepse ne kthehemi tek Ti!” Si përfundim, njeriu i cili, duke e kuptuar se “çdo gjë e vlerësimit hyjnor (kaderit) është e bukur”, i nënshtrohet vlerësimit hyjnor (kaderit), në çdo gjë sheh urtësinë dhe drejtësinë e kaderit hyjnor.

Një ndikim tjetër i besimit te kaderi mbi njeriun është forcimi i vullnetit të njeriut, sepse njeriu i cili beson te kaderi, siç shprehet edhe hadithi profetik, është i guximshëm sepse beson se fatkeqësia që ka për t’i rënë në kokë, do t’i bjerë patjetër, dhe ajo që s’ka për t’i rënë, kurrsesi s’do t’i bjerë!266

Meqë ky besim e shtyn njeriun të mbetet i gjallë, energjik dhe në veprim, personi me një besim të tillë nuk prapset para vështirësive, nuk tregon dembelizëm dhe mefshtësi. Fakti që njerëzit që në të kaluarën kanë hedhur nënshkrimin në suksese të mëdha, kanë qenë përfaqësues të këtij besimi, është argumenti më i hapur i kësaj. H. Zija Ylken i cili e trajton karakterin e kaderit në Islam si “dalje mbi ngjarjet materiale e mbi shkaqet materiale, ngjitje drejt horizonteve”, bën këtë vlerësim lidhur me çështjen:

Në kaderin islam ka vullnet dhe qëllim. Vlerësimi i ndriçimit na jep shpresë dhe qetësi, ne nuk biem në boshllëk dhe pesimizëm. Besimi te kaderi për atë që e ka këtë besim, është shprehje e vetëdijes se nuk ka mbetur vetëm edhe kur çdo gjë t’i jetë konsumuar, kur çdo gjë që mund t’i vinte dore, t’i jetë mbaruar, se nuk është braktisur në shurdhërinë dhe pandjeshmërinë e materies dhe se mbështetja më e lartë ndodhet bashkë me të. Lidhja pas Allahut nuk do të thotë zbritje e vullnetit në zero, përkundrazi, vënie e vullnetit në veprim edhe para situatave të papritura, madje, pamundësive!

Meqë kush i beson kaderit, është mbështetur te Allahu, ia hyn çdo pune në jetë dhe gjatë gjithë jetës ecën nga suksesi në sukses pa e humbur forcën dhe guximin. Edhe sikur të ndodhë që të mos ketë sukses, duke menduar se në atë mungesë suksesi apo dështimi do të ketë një urtësi, përpiqet ta provojë të njëjtën gjë edhe në rrugë të tjera; edhe po s’e bëri këtë, mendon se i tillë ka qenë kaderi dhe vazhdon në udhën e vet pa e humbur vendosmërinë dhe vullnetin.

Meqë besimtari që i ka besuar kaderit, e di se pjesën e vet të të mirave e ka të caktuar, për rrjedhojë, nuk do të mund ta fusë në dorë pjesën e të tjerëve çfarëdo që të bëjë, nuk e dhunon të drejtën e tjetrit, nuk tregon ambicje dhe nuk bën zili.

Prandaj, njeriu që i beson kaderit, duke pasur parasysh edhe tërheqjen e vëmendjes që bën Kur’ani duke thënë, “mos kërkoni gjërat që Allahu ua ka dhënë disave prej jush më tepër se disa të tjerëve” (Nisa, 4/32), nuk i vë syrin gjësë së tjetrit. Sepse ai e di se një veprim i tillë është zemërim ndaj kaderit dhe kazasë së Allahut, shikim me sy të keq i dhuntisë së Tij të përpjesëtuar mes robve të Tij, konsideratë e pakëndshme për drejtësinë e vendosur me urtësi prej Tij, për pasojë, faj të kryer ndaj thelbit të tevhidit, besimit monoteist islam, prandaj shmanget nga ai veprim.

Personi që beson se çdo gjë del në shesh me anë të kaderit, kazasë, vendimit dhe vullnetit të Allahut, edhe nëse e bën përgjegjës dikë që ka kryer faj kundër tij, tregohet më tolerant ndaj fajtorit. Besimtari i cili e vlerëson këtë ngjarje edhe nga këndvështrimi i kaderit, e ka më të lehtë ta falë tjetrin.

Në dëmin ose dhimbjen që i ka shkaktuar dikush tjetër, besimtari merr parasysh se është edhe pjesa e mëkateve të veta, pra, duke menduar se gjendja e krijuar mund të jetë edhe ndëshkim për të për një mëkat të kryer prej tij më parë, bën dhe duhet të bëjë një vetëllogari. Me të vërtetë, Kur’ani thotë: “Çdo fatkeqësi që ju bie mbi kokë, është për shkak të bëmave tuaja. (Megjithëkëtë) Allahu (jua) fal (disa nga) mëkatet (dhe nuk jep fatkeqësi si rrjedhojë e tyre).” (Shura, 42/30) Kështu, shpëton më lehtë nga neveria dhe urrejtja që do të ndjente ndaj tjetrit.

Le ta mbyllim temën e kaderit me këto shprehje të njeriut numër një të mendimit dhe aksionit të shekullit tonë, Bediuzzaman:

“Besimi te kaderi është aq i shijshëm, aq lumturindjellës, sa nuk përshkruhet!”

“... në jetën time, në mijëra raste të përvojës sime, unë pashë dhe mësova se po të mos jetë besimi te kaderi, lumturia e jetës së kësaj bote shkatërrohet. Sa herë që t’i kem parë fatkeqësitë e dhimbshme me aspektin e besimit te kaderi, kam vërejtur se fatkeqësia lehtësohej. Dhe habitesha se si mund të jetonte ai që s’i besonte kaderit..”

Shënimet

  1. 220.Shih Bakara, 2/177, 285; Nisa, 4/136.
  2. 221.Muslim, Iman; Ebu Davud, Sunet, 16.
  3. 222.Shih Zumer, 39/7.
  4. 223.Shih Kamer, 54/49; Rad, 13/8; Junus, 10/44; Neml, 27/75.
  5. 224.Fethullah Gülen, Ruhumuzun Heykelini Dikerken, f. 23.
  6. 225.Eshtë njeriu që e zgjedh, e parapëlqen aktin, kurse është Allahu që e realizon atë, domethënë, që e nxjerr aktin në skenën e ekzistencës. E shprehur ndryshe, njeriu është ai që e përcaktor ngjyrën e aktit të tij, si të mirë apo të keq, me zgjedhjen e vet të lirë, kurse Allahu është ai që e krijon atë. Në këtë pranim që është pikëpamja e drejtimit sunnit, s’kemi të bëjmë me asnjë lloj kufizimi të vullnetit të njeriut. 255 Akseki, Ahmed Hamdi, Ahlak Dersleri, Nur Yay. Ankara, 1991, f. 77.
  7. 226.Shih el-Kaari, Ali, Sherhu Fikhi’l-Ekber, Bejrut, 1997, f. 74. 257 Në origjinal: kadercilik (turq.).
  8. 227.Tirmidhi, Kader 3.
  9. 228.Kazaja është realiteti imediat i kaderit. Përkthyesi.
  10. 229.Ali el-Muttaki, Kenzu’l-Ummal, Muessesetu’r-Risale, Bejrut, 1994, 1/106.
  11. 230.Edhe në Islam pranohet se dukuritë dhe ngjarjet që ndodhin në gjithësi janë pasoja (rezultate ose përfundime) të shkaqeve të caktuara, por ndryshe nga materializmi dhe determinizmi që i shohin shkaqet si rastësore dhe determinuese, Islami i sheh shkaqet të drejtuara nga urtësia hyjnore dhe më tepër si pretekste, sepse është Zoti, Shkaku i shkaqeve, ai që i drejton shkaqet. Përkthyesi. 262 Në origjinal: nefs-i emmaresi cihetiyle. Përkthyesi.
  12. 231.Nisa, 4/79.
  13. 232.Shih Hadid, 57/22.
  14. 233.Munavi, Fejzu’l-Kadir, 3/187. 266 Tirmidhi, Kaderi, 10.
  15. 234.Në origjinal: rizk, pjesë e të mirave e caktuar për çdo gjallesë; në kuptimin më të ngushtë të fjalës, racion ushqimor. Një nga emrat e Allahut është Rezzak (furnizues dhe ushqyes). Përkthyesi.