IMANI0%

IMANI

Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I

Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)

Ekipi i Studimeve Akademike

Xhehenemi

Fjala xhehenem që do të thotë "gropë e thellë", në terminologjinë fetare emërton vendin e ndëshkimit në jetën e pasme, ahiret, ku mohuesit do të mbeten përgjithmonë, kurse besimtarët mëkatarë do të qëndrojnë sa për t'u ndëshkuar për mëkatet që kanë bërë.

Në Kur'an, për të tërhequr vëmendjen për aspekte të ndryshme të xhehenemit, ky është përmendur me emërtime të ndryshme, si nar (zjarr), xhahim (zjarr me shtresa, një shtresë e xhehenemit), havije (vendi më i frikshëm, shtresa e shtatë e xhehenemit), sair (flakë, shtresa e dytë e xhehenemit), ledha (zjarr, shtresa e gjashtë e xhehenemit), sakar (ferr) dhe hutame (shtresa e pestë e xhehenemit). Ky ndëshkim do t'i rrethojë përjetësisht ata që e kanë mohuar Allahun me vetëdjie. Kurse besimtarët mëkatarë nuk do të qëndrojnë aty përjetësisht, por, pasi ta vuajnë dënimin, do të vendosen në xhenet.

Në këtë mes, në mendje mund të vijë një mendim i tillë: Ndëshkimi me një vuajtje të përjetshme i mohimeve dhe kundërshtimeve të kufizuara në një jetë të kufizuar nuk mund të shpjegohet me drejtësinë dhe mëshirën e Allahut.

Është një e vërtetë e njohur se çdo qenie ose krijesë ka një vlerë të madhe të fituar në sajë të Krijuesit. Çdo gjë, si një vepër arti e pashoqe e Allahut, i shpall pa pushim, me gjuhën e vet të posaçme, ekzistencën, unitetin dhe emrat e bukur të Allahut. Ja, pra, njeriu i cili e ka bërë profesion mohimin, i zbret nga pozita e lartë këto qenie-nëpunës (të ngarkuar me detyrë) të Allahut dhe i rrëzon në një gradë pa detyrë e pa kuptim. Ndërsa çdo qenie ekzistente thotë, me gjuhën e saj, "Allahu ekziston, është një, është Zoti i çdo gjëje, kurse ne jemi nëpunës të ngarkuar me detyrë të Tij që lëvizim e veprojmë me urdhrin, lejen dhe fuqinë e Tij, jemi letra të shkruara që shprehin kuptime të gjera e që bartin mesazhe të gjera", mohuesi (qafiri), duke e mohuar një të vërtetë të tillë, kryen një faj të tmerrshëm.

Edhe pse një fyerje e tillë mund të ndodhë brenda një kohe të kufizuar, meqë rezultati i saj është një krim i madh, edhe dënimin dhe ndëshkimin e ka të këtyre përmasave. Për shembull, dënimi i dikujt që, duke e shkelur këmbëzën e armës vetëm dy sekonda, vret dy njerëz, nuk është një ndëshkim prej vetëm dy sekondash, por që zgjat një jetë të tërë. Kurse faji i mohuesit është një mijë herë më i tmerrshëm se krimi i vrasjes, sepse me mohimin e tij ai kryen krimin e asgjësimit të kuptimeve dhe mesazheve të përfaqësuara dhe të shpallura nga qenie të panumërta. Shkurt, meqë çdo mohim i mohuesit është mohim i një të vërtete të përjetshme, do të rezultojë privimin e tij të përjetshëm nga mëshira e Krijuesit të Lartë.

Një specifikë tjetër që duhet theksuar në lidhje me xhehenemin, është kjo: Siç mund të kuptohet lehtësisht nga tabllotë konkrete të vizatuara si nga Kur'ani, ashtu dhe nga hadithet profetike, ndëshkimin dhe vuajtjen e xhehenemit do ta heqë shpirti bashkë me trupin. Ndërkaq, ne nuk mund ta dimë plotësisht fytyrën e brendshme të ndëshkimit të zjarrit, sepse edhe nëse kjo botë për të cilën na flitet neve, mund të ketë ndonjë ngjasim me botën ku jetojmë, është jashtë çddo diskutimi se nuk është identike me të!

Arafi

Fjala araf, kuptimi leksikor i të cilës është majë, vend i lartë, mur, mal, emërton një vend të lartë që ndodhet mes xhenetit dhe xhehenemit. Lidhur me ata që ndodhen në araf, në Kur'an thuhet kështu:

"Mes të dy palëve (atyre të xhenetit dhe atyre të xhehenemit) ka një perde dhe njerëz që e njohin çdokënd nga fytyra. Këta që s'kanë hyrë ende në xhenet, duke ndenjur me shpresë, u bëjnë zë atyre të xhenetit duke i përshëndetur: "Paqe juve!" Kurse kur i kthejnë sytë nga ata të xhehenemit, thonë: "Zoti ynë, mos na vendos bashkë me grupin e mizorëve!" (Araf, 7/46-47)

Në fakt, Araf do të thotë interval, vend në mes. Me kuptimin që del nga ajeti, ndodhet mes xhenetit dhe xhehenemit, por mbi cilësinë e tij nuk kemi asnjë njohuri.

Kush janë personat që ndodhen këtu? Ka shumë përgjigje që i janë dhënë kësaj pyetjeje. Por të gjitha përgjigjet kanë të bëjnë me konceptimin. Sepse edhe për arafin, edhe për ata që ndodhen në araf, ne nuk dimë ndonjë rivajet (thënie) tjetër veç asaj që thuhet në Kur'an. Në Kur'an paraqiten tre tabllo të veçanta dhe, në këtë mes, bëhet fjalë për njerëzit që ndodhen në arafat.

Në pjesën e parë, zë vend pyetja e banorëve të xhenetit për banorët e xhehenemit. "Banorët e xhenetit pyesin: "Ne e pamë se premtimi i Zotit tonë për ne ishte i vërtetë. Po ju, a patë të vërtetë premtimin e Zotit tuaj për ju?" Kësaj pyetjeje, banorët e xhehenemit i përgjigjen "Po!".

Mu në këtë mes, një thirrës thotë: "Mallkimi i Allahut rëntë mbi mohuesit!" (Araf, 7/44)

Në tabllonë e dytë e marrin fjalën banorët e arafit. Ata shohin nga banorët e xhenetit dhe u thonë: "Paqe juve!" Pastaj i hedhin vështrimet nga banorët e xhehenemit dhe thonë: "Zoti ynë, mos na vendos bashkë me grupin e mizorëve!"

Pastaj ua kujtojnë parësisë që njohin nga banorët e xhehenemit, fjalët që kanë thënë në këtë botë dhe ua përplasin syve faktin se atyre s'u kanë sjellë dobi as pasuria, as fëmijët. Duket sikur kjo skenë ndërron dhe dëgjohen këto fjalë të banorëve të arafit për banorët e xhenetit: "Hyni në xhenet se për ju nuk ka më frikë dhe ju s'keni për t'u dëshpëruar!" (Araf, 7/49)

Kurse në tabllonë e tretë, banorët e xhehenemit u luten banorëve të xhenetit t'u japin edhe atyre nga të mirat që u janë dhënë: "Lëshonani edhe neve nga uji ose të mirat që ju ka dhënë Allahu!" Kurse banorët e xhenetit u japin këtë përgjigje: "Allahu ua ka bërë haram (ua ka ndaluar) këto mohuesve (qafirëve)!" (Araf, 7/50)

Kjo do të thotë se banorët e arafit, nga njëra anë janë në marrëdhënie me banorët e xhenetit, nga ana tjetër, me banorët e xhehenemit. Që të dy palët i njohin e i dinë nga afër.

Në këtë mes, disa nga sahabet kanë thënë se araf janë ballkonet e siratit, kurse banorët e arafit janë njerëz me mirësi dhe mëkate në nivel të barabartë. Kurse disa sahabe të tjerë kanë thënë se banorët e arafit janë profetët, dëshmorët (shehidët), dijetarët dhe njerëzit me shpirt të lartë pothuaj të engjëllorizuar. Ata vështrojnë që larg, shohin çdo gjë që ndodh në të dyja largësitë dhe marrin pjesë në replikat si më lart. Mirëpo rivajetet (thëniet) me konsiderata të tilla nuk janë pranuar nga analistët.

Në bestytnitë dhe përshkrimet supersticioze, banorët e arafit konsiderohen njerëz me po aq mirësi sa mëkate. Disa thonë se këta janë engjëj me trajtë njeriu. Po qe se pranohet kjo e fundit, shprehja e ajetit, "ve hum jatmeun", "ata kanë shpresë të hyjnë në xhenet", u adresohet njerëzve të caktuar për në xhenet të cilët, megjithëse e dinë se janë caktuar për në xhenet, ndodhen në një çast kur ende s'kanë hyrë në xhenet.

Sipas disa të tjerëve, këta njerëz (njerëzit e arafit) që shohin xhenetin dhe mbushen me shpresë, shohin xhehenemin dhe rrëqethen nga frika, janë persona që, për t'u bërë plotësisht të gatshëm për të hyrë në xhenet, duhet të shijojnë për një farë kohe një shqetësim dhe dëshirim të tillë.

Ndërsa disa mëkatarëve u bëhen dëmshpërblim shqetësimet që kanë hequr në këtë botë, disa të tjerëve u bëhet dëmshpërblim mundimi i varrit që i pastron ata nga mëkatet. Kurse ata që s'pastrohen me këto dy mënyra, në jetën e pasme, ahiret, do të kalojnë nëpër një proces të tillë pastrimi.

Një grup prej këtyre do të vazhdojnë të jetojnë në araf me shpresën e xhenetit dhe frikën e xhehenemit. Kjo formë jetese do të jetë për ta dëmshpërblim dhe pastrim nga mëkatet. Pastaj, me mëshirën dhe bujarinë e Allahut, do të hyjnë në xhenet.

Allahu (xh.xh.) e di të vërtetën dhe fytyrën e brendshme të çdo gjëje dhe vetëm Allahu e di se ç'është arafi dhe kush janë banorët e arafit!

Rëndësia dhe vlera praktike e besimit mbi ahiretin për njeriun

Kur'ani e ka përmendur besimin te jeta e pasme, ahireti, që është njëri prej tri bazave që përbëjnë themelin e kumtimit, tevhid (besimi monoteist islam), nubuvvet (profetësi) dhe ahiret (jeta e pasme), së bashku me besimin te Allahu. Fakti që Kur'ani i përmend së bashku këto dy baza besimi në shumë ajete, tregon se besimi te Allahu ngrihet mbi besimin te dita e ahiretit (kiametit, ringjalljes dhe jetës së amshuar) dhe plotësohet me të.

Besimi te ahireti bashkë me besimin te Allahu përbëjnë themelin e sistemit besimor tevhid. Këta dy elementë besimi shprehin vlerë së bashku. Po të lihet mënjanë besimi te ahireti, besimi te Allahu e humb kuptimin. Prandaj, në Kur'an, mohimi i ahiretit është vlerësuar si mohim i Allahut.

Në Kur'an, pothuaj në çdo sure bëhet fjalë për ahiretin dhe me pretekste të ndryshme aludohet mbi këtë jetë.

Shkaku që i jepet kaq rëndësi jetës pas vdekjes, është se kjo jetë është faktori më i fuqishëm për forcimin nga Kur'ani të parimeve themelore dhe synimeve kryesore të tij. Sepse bindja mbi ringjalljen që i përfton një dimension të veçantë jetës së njeriut, i jep kësaj jete një kuptim dhe seriozitet që s'mund t'ia japë asgjë tjetër. Mund të thuhet se ajo që e bën njeriun njeri dhe që e forcon qenien e tij si qenie morale, është ndodhja e tij brenda një tendosjeje të tillë metafizike lidhur me përtejvdekjen.

E vërteta e jetës së amshuar përbën dimensionin më realist e më të thellë të ekzistencës të reflektuar tek të gjitha formimet (gjenezat) në botë. Nuk ka besim tjetër që ta lartësojë shpirtin e njeriut, ta rregullojë jetën, ta lartësojë njeriun në shkallën e merituar sa ky besim.

Kur'ani i cili, me besimin mbi ahiretin që ka sjellë, e ka vlerësuar çdo fushë hallall ose haram, të bukur ose të shëmtuar të jetës të kësaj bote, pas sjelljeve njerëzore pozitive e negative (konstruktive e destruktive) e shtjellon hapur rolin e besimit te ahireti.

Rëndësia që shpreh besimi te ahireti për sa i përket sigurimit të qetësisë dhe lumturisë së njeriut, ka një vlerë përtej çdo shpjegimi. Këtë mund ta përmbledhim kështu në formën e disa pikave:

Shpresa e njeriut që beson te dita e ahiretit, është gjithmonë e freskët, ai s'bie kurrë në pesimizëm. Ky besim e bën të aftë e të fuqishëm atë për të duruar përballë çdo fatkeqësie dhe sëmundjeje që mund ta zërë. Sepse kur një njeri i tillë e beson se të gjitha këto janë prej Allahut dhe i pranon, e di se Allahu do t'ia shpërblejë të gjitha në ahiret dhe qetësohet.

Vetëm besimi te ringjallja pas vdekjes e ngushëllon njeriun përballë vdekjes një pas një të të afërmve të tij. Gjithashtu vetëm ky besim mund t'i qetësojë të sëmurët dhe pleqtë që e shohin se po shkojnë hap pas hapi drejt vdekjes!

Edhe zhvillimi i vetëdijes së detyrës dhe përgjegjësisë në kuptimin e vërtetë të fjalës te njeriu varet nga besimi i tij te vendbanimi i ahiretit ku do të bëhen të gjitha llogaritë e mëdha e të vogla. Vetëm njerëzve me këtë besim mund t'u thuhet "bëj ç'të duash", sepse është jashtë çdo diskutimi se njeriu me këtë mendësi do të ndjejë nevojën për të bërë punë që nuk do ta linin të turpëruar e nuk do ta fundosnin nën dhé në botën tjetër! Gjithashtu, personi me këtë besim, duke menduar se "po përgatitet një libër i cili ditën e kiametit do të m'i nxjerrë para të gjitha ç'kam bërë", do ta hedhë hapin me llogari dhe kujdes. Bie fjala, kujdesi i një nëpunësi që ka bindjen se fjalët e tij regjistrohen dhe i çohen shefit, nuk është i njëjtë me kujdesin e një nëpunësi tjetër që nuk e ka një informacion apo bindje të tillë. Shkurt, besimi te dita e ahiretit është dorëzanësi më i madh i idesë së detyrës dhe përgjegjësisë!

Një urtësi tjetër e kushtimit rëndësi në Kur'an kësaj shtylle besimi, është fakti që ky besim është

një parim i nevojshëm në përmirësimin e shoqërisë. Edhe Volteri i cili nuk u besonte të vërtetave metafizike, duke mbetur i detyruar ta pohojë këtë, ka thënë: "Si dy baza që përbëjnë parimet morale, ideja e zotit dhe e jetës tjetër me të vërtetë bartin rëndësi të madhe!" Siç shihet, edhe në vështrimin e Volterit, ky besim është forca e vetme që mund ta ngrejë brenda shoqërisë e vetme kornizën morale më të lartë. Po qe se ky besim do të eliminohej, nuk do të gjenim dot ndonjë faktor nxitës dhe inkurajues për punë dhe veprimtari të mira.

Natyra njerëzore është e prirur për kënaqësi epshore dhe dëshira trupore. Këto janë vendosur në përbërjen e njeriut për shumë urtësi: vazhdimi i brezit, zhvillimi i jetës, rregullimi i faqes së tokës, etj. Ndërkaq, rrethi i hallallit (legjitimetit) është i gjerë, i mjaftueshëm për kënaqësitë. Njeriu mund ta plotësojë çdo nevojë e ta kënaqë çdo dëshirë brenda rrethit të legjitimitetit pa pasur nevojë të hyjë në haram, pra, të përdorë rrugë dhe mjete ilegjitime. Por ç'e do se këto ndjenja tek njeriu mund të përdoren në drejtime të gabuara dhe, duke e zvarritur njeriun në rrugë jolegjitime, ta shkatërrojnë edhe në këtë botë, edhe në ahiret. Ja, vetëm frika nga llogaridhënia dhe rreziku i ndëshkimit mund ta pengojnë dhe mënjanojnë njeriun nga një rrezik kaq i madh. Ndërkaq, nuk mund të thuhet se zbatimi i ligjeve dhe frika nga humbja e të mirave janë të mjaftueshme për këtë gjë, sepse, disa herë, ligjet mund të mos zbatohen ose, edhe po të zbatohen nuk bëhen dot një zgjidhje përfundimtare. Veç kësaj, edhe humbja e të mirave nuk mund ta zëvendësojë frikën e llogaridhënies, sepse disa herë, personat e rënë ngushtë e gjejnë shpëtimin në vetëvrasje pa çarë kokën për humbjen e të mirave. Atëherë, është kusht që të jetë një forcë efektive që ta bëjë njeriun të druhet dhe të largohet nga dëmet që e presin. Vetëm parapëlqimi i rrugës së të mirës apo së të keqes nuk është i mjaftueshëm. Në këtë pikë është kusht prania e një elementi detyrues në parapëlqim, i cili të jetë i mjaftueshëm për ta drejtuar njeriun te e mira e për ta larguar nga e keqja. Kjo fuqi detyruese në parapëlqim s'mund të jetë tjetër veç besimit te jeta e pasme, ahireti!

Ndikimet negative të mohimit të ahiretit në jetën e njeriut

Po qe se këtë çështje e parashtrojmë në formë pikash, mund të themi këto gjëra:

Ndikimi negativ i mohimit të jetës së pasme, ahiretit, mbi njeriun është tejet i madh. Në mendjen e njeriut që e pranon vdekjen si një asgjësim, kurrsesi s'mund të formohet siguri dhe qetësi. Njeriut i cili nuk e mendon jetën e amshuar, mendimi i harrimit dhe asgjësimit i formuar çdo ditë me heqjen edhe të një flete tjetër nga kalendari i ngulet në zemër si shigjetë dhe e fut atë në një ankth të papërshkrueshëm.

Për dikë që s'ka besim ahireti, gjëja më e bukur dhe më e drejtë në botë është sigurimi i përfitimeve pavarësisht se me ç'rrugë e me ç'mënyrë, sepse para tij s'ka asnjë gjë tjetër që mund t'i zgjojë mall. Dhe, si përfundim i kësaj mendësie, ai vazhdimisht do të hajë hakun e të tjerëve, do të shkelë të drejtat e të tjerëve dhe do të shkaktojë konflikte. Shkurt, nuk do të druhet të përdorë mashtrimet më të shumëllojshme e më të ndyra.

Është e pamundur që mohuesit e ahiretit ta mbajnë veten larg prej dukjes dhe dyfytyrësisë, sepse

ata janë prej kohësh të gatshëm për të pranuar çdo lloj poshtërsie për të arritur interesa materiale.

Në sy të mohuesve të ahiretit, konceptet faj dhe mëkat nuk kanë ndonjë vlerë. Këto kanë vlerë vetëm kur dëmtohen interesat e tyre. Mirësitë dhe dobitë janë për ta vetë kokëtrashësia; po qe se e keqja nuk lind ndonjë rrezik për ta, është e justifikueshme.

Është si rrjedhojë e të gjitha këtyre shkaqeve që Kur'ani përpiqet para së gjithash të formojë tek njeriu që kërkon ta edukojë, drojën në lidhje me jetën e pasme, ahiretin. Sepse po ta shohim me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve, vëmë re se në themelin e të gjitha teprimeve dhe kundërshtimeve shtrihet ideja e jetesës pa e llogaritur ahiretin. Me të vërtetë, Kur'ani tërheq vëmendjen kështu mbi këtë specifikë:

"Jo, me të vërtetë ata nuk frikësohen nga ahireti!" (Mudeththir, 74/53)

Shënimet

  1. 211.Shih Nisa, 4/169, 4/196; Ahzab, 33/65.
  2. 212.Shih Buhari, Rikak, 51; Tirmidhi, Birr, 61.
  3. 213.Në origjinal: israilijat (israiliyyat).
  4. 214.Fethullah Gylen, Lëkundjet që solli shekulli (përkth. në shqip nga M. Hoxha), vëll. 4, f. 123-125.
  5. 215.Shih Al-i Imran, 3/113-114; Nisa, 4/38; Tevbe, 9/19; Hashr, 58/22.
  6. 216.Shih Rad, 13/5.
  7. 217.Duke aluduar mbi këtë pikë, në Kur'an thuhet kështu: "Më në fund, janë hapur librat dhe ti i sheh fajtorët të frikësohen nga gjërat e shënuara aty. Ata thonë: "Mjerë për ne, ç'libër qenka ky ku janë shënuar të gjitha pa lënë gjë të madhe a të vogël!" Kështu, ata kanë gjetur përballë bëmat e tyre. Zoti yt s'i bën askujt padrejtësi!" (Kehf, 18/49)
  8. 218.Vahiduddin Han, el-Islam Jetehadda, f. 147 (cituar nga Windelbant, History of philosophy, f. 496).
  9. 219.Këtu bëhet fjalë kryesisht për legjitimitetin fetar islam që, gjithashtu, ka shumë gjëra të përbashkëta me legjitimitetin e moralit të përgjithshëm. Përkthyesi.