IMANI0%

IMANI

Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I

Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)

Ekipi i Studimeve Akademike

Xheneti

Fjala xhenet, kuptimi leksikor i të cilës është "vend (kopësht) i mbuluar me drurë dhe gjelbërim", në terminologjinë fetare emërton vendin e jetës tjetër, ahiretit, të pajisur me të mira e dhunti të papritura, ku besimtarët do të mbeten përjetësisht.

Xheneti dhe jeta në të janë të pafund. Pafundshmëria e jetës së xhenetit kurrsesi nuk do t'i velë dhe mërzitë njerëzit, sepse xheneti është vend i të papriturave. Ata që do ta meritojnë këtë jetë, do të zhvishen nga ndjenjat negative, si urrejtja, neveria dhe mërzitja, të ngulitura në krijimin e tyre tokësor mbështetur mbi disa urtësi të caktuara.

Kur'ani bën të ditur se në jetën e pasme, ahiret, njeriu do të pastrohet nga këto ndjenja të vendosura në këtë botë në natyrën e tij për një sërë urtësish. Për shembull, specifika e pastrimit të zemrës nga urrejtja shprehet kështu në Kur'an: "Në xhenet, ndërsa nën ta do të rrjedhin lumenj, Ne do t'ua hedhim prej zemre tërë urrejtjen!" (Araf, 7/43) Kështu, ata do ta jetojnë çdo çast në lumturi dhe hare.

Krahas përshkrimeve të ajeteve të Kur'anit që na e tërheq vëmendjen me shumë veçori të xhenetit, edhe kjo shprehje e Profetit (sal'lallahu alejhi vesel'lem) lidhur me xhenetin është një sihariq mjaft emocionues për ata që e besojnë: "Allahu urdhëron: "Për robtë e mi të mirë, Unë kam përgatitur gjëra që nuk i kanë parë sytë, që nuk i kanë dëgjuar veshët dhe që e kapërcejnë përfytyrimin e njeriut!"237

Po qe se do ta shprehnim me një fjali të shkurtër, xheneti është vendi i të papriturave dhe shfaqje e mëshirës dhe favorit të pakufishëm të Allahut për robtë e vet. Nisur nga kjo, asnjë njeri nuk mundet ta fitojë të drejtën për aty me punën e vet. Pra, punët e bëra nga njeriu kurrë nuk mjaftojnë për ta fituar xhenetin. Për më tepër, adhurimet e një njeriu jo vetëm s'mjaftojnë për xhenetin që do t'i jepet atij në të ardhmen, por s'mjaftojnë as për t'iu përgjigjur një të mijtës së mirësive dhe dhuntive që ia jep Allahu në këtë botë! Me të vërtetë, në një hadith profetik tërhiqet vëmendja mbi këtë specifikë në këtë mënyrë: "Kur i Dërguari i Allahut tha se "asnjë punë e një njeriu nuk mund ta bëjë atë që të hyjë në xhenet", sahabet e pyetën: "A edhe puna jote s'të fut dot ty në xhenet, o i Dërguari i Allahut?" Atëherë, i Dërguari i Allahut iu përgjigj: "Po të mos ishte mëshira dhe falja gjithëpërfshirëse e Allahut, as puna ime mua!"

Dhuntia e shikimit të Allahut (rujetullah)

Dhuntia dhe lumturia më e madhe që mund të meritojnë ata që ndodhen në xhenet, do të jetë kur Allahu t'ua tregojë veten atyre. Këtë situatë Allahu (xh.xh.) e lajmëron personalisht vetë: "Ka fytyra që atë ditë do të vezullojnë plot dritë dhe do ta shikojnë Zotin e tyre!" (Kijame, 75/22-23) Kurse në një rivajet (hadith profetik) autentik që e mbështet domosdoshmërinë e kuptimit në këtë mënyrë të këtij ajeti, thuhet: "Pa dyshim, siç e shihni këtë hënë, do ta shihni edhe Zotin tuaj si dhe nuk do ta dëmtoni njëritjetrin për shkak të grumbullimit të madh aty!"

Në hadithin e mësipërm bëhet e ditur se Allahu do të shihet nga besimtarët siç shihet hëna. Në fakt, kjo shprehje ka për qëllim të mënjanojë, me anë të një përgjigjeje të prerë, ndonjë dyshim mbi çështjen e shikimit të Allahut, pra, është një shprehje që thekson se Allahu do të shihet patjetër, por nuk ka kuptimin se njerëzit do ta shohin (do ta përceptojnë dhe njohin) Individualitetin Hyjnor të Allahut siç është. Një mendim të tillë nuk e lejon as ajeti që thotë se "shikimet nuk mund ta perceptojnë Atë, kurse Ai i percepton shikimet". (En'am, 6/103) Sepse krijesa kurrë nuk mund ta përfshijë Krijuesin. Në këto kushte, çdo besimtar në xhenet do ta shohë Allahun - në një mënyrë të panjohur për ne - në atë masë sa ç'e ka zhvilluar besimin dhe afrimin ndaj Allahuit në këtë botë. Sipas kësaj, shikimi i Allahut nga një besimtar kushdo do të jetë i ndryshëm nga shikimi i Allahut prej profetëve.

Shënimet

  1. 208.Shih Al-i Imran, 3/133; Kehf, 18/21; Jasin, 36/56; Saffat, 37/47; Insan, 76/13; Muhamed, 47/15; Vakia, 56/28-29; Nebe, 78/32; Mutaffifin, 83/25. 237 Buhari, Tefsir, 32; Muslim, Xhenet, 1.
  2. 209.Buhari, Rikak, 18; Muslim, Munafikun, 71-76.
  3. 210.Buhari, Mevakif, 16; Muslim, Iman, 81.