IMANI0%

IMANI

Udhërrëfyesi i një myslimani — Ilmihali I

Titulli origjinal: Bir Müslümanın Yol Haritası (İman - İbadet - Ahlâk)

Ekipi i Studimeve Akademike

PSE NUK E SHOHIM DOT ALLAHUN?

Janë shumë shkaqe për të cilat ne nuk mundemi ta shohim Allahun. Këto mund të përmblidhen në katër pika:

Ne jemi krijuar me një kapacitet që s'na jep mundësi ta shohim Allahun

Allahu nuk ka të ngjashëm e të kundërt

Allahu fshihet nga intensiteti i shfaqjes

Kështu e kërkon bota e provës

Le të përpiqemi t'i shtjellojmë shkurt këto katër pika.

Ne jemi krijuar me një kapacitet që s'na jep mundësi ta shohim Allahun

Ne nuk mund ta shohim Allahun sepse krijimi ynë ose, ndryshe, forma në të cilën jemi krijuar, nuk është e përshtatshme për këtë gjë. Edhe një profet i madh si Musai (a.s.) nuk e pati duruar dot shfaqjen e Allahut në mal dhe qe rrëzuar pa ndjenja.

Me kapacitetin tonë të kufizuar, ne, në këtë botë, jo vetëm Allahun, por edhe shumë qenie të krijuara prej Tij nuk mundemi t'i shohim. Numri i qenieve apo gjërave që mundemi t'i shohim në këtë botë fizike, mbetet shumë i vogël ndaj numrit të qenieve apo gjërave që nuk mundemi t'i shohim. Kur me këto shqisa të kufizuara nuk mundemi ta përfshijmë as gjithësinë e krijuar nga Allahu, si mund ta përfshijmë Krijuesin e saj? Megjithëkëtë, në jetën e pasme, besimtarët do ta meritojnë ta shohin Allahun me përjashtim të përmasave cilësore dhe sasiore të Tij.

Allahu nuk ka të ngjashëm e të kundërt

Një shkak tjetër i rëndësishëm që nuk e shohim dhe nuk e njohim dot Allahun, është se Allahu nuk ka të ngjashëm e të kundërt me vetveten. Çfarëdo që të shohim e çfarëdo që të njohim te një qenie, e shohim dhe e njohim sepse ekzistojnë të ngjashmet apo të kundërtat e saj. Për shembull, po të mos ekzistonte të ftohtit, kurrë nuk do ta dinim dhe kuptonim ç'është të nxehtit, po të mos ekzistonte hidhësira, kurrë nuk do ta dinim dhe kuptonim ç'është ëmbëlsira, po të mos ekzistonte drita, kurrë nuk do ta dinim dhe kuptonim ç'është errësira. Kështu, ne njerëzit, kur dikush na tregon për diçka që s'e kemi parë dhe njohur kurrë më parë, atij që na tregon i bëjmë pyetje të tilla, si "si është?", "ç'gjëje i përngjet?", duke u përpjekur të kapim shenja mbi përbërjen e gjësë për të cilën po na flitet.

Të gjitha këto tregojnë se njeriu ka dy rrugë për ta njohur materien. E para, përpjekja për ta njohur një gjë që s'e kemi parë e s'e kemi njohur duke u nisur nga gjërat e tjera të ngjashme me të, të cilat i kemi parë dhe njohur; e dyta, përpjekja për ta njohur një gjë që s'e kemi parë e s'e kemi njohur, duke u nisur nga gjërat e tjera të kundërta me të, të cilat i kemi parë dhe njohur.

Ja, prandaj ne njerëzit e kemi të pamundur ta konceptojmë Allahun, sepse në ekzistencë Ai nuk ka as të ngjashmin, as të kundërtin e vet. Kështu na e njeh veten Allahu në suren Ihlas të Kur'anit. Kurse në një ajet tjetër thuhet kështu: "Lejse ke mithlihi shej'un", "Nuk ka gjë që t'i përngjasë Atij!" (Shura, 42/11)

Allahu fshihet nga intensiteti i shfaqjes

Allahun nuk e shohim dot sepse Ai fshihet ose bëhet i padukshëm për shkak të intensitetit të shfaqjes. Le të përpiqemi ta tregojmë se ç'do të thotë kjo duke marrë si shembull diellin. Le ta supozojmë se dielli do ta mbulonte tërë horizontin, veç tij s'do të shihnim dot mbi krye asgjë tjetër dhe, pra, s'do të kishte as natë, nuk do të dinim ç'është drita dhe nuk do të flisnim dot për dritën. Kështu, edhe dielli, edhe drita e tij, për shkak të pranisë së tyre të vazhdueshme dhe intensive, do të bëheshin të padallueshëm, të shmangshëm nga vëmendja, për pasojë, të fshehur e të padukshëm.

Edhe Allahu, jashtë administrimit të të cilit nuk mund të mendohet as dhe një çast i vetëm, e bën ekzistencën e vet të ndjehet me anë të atributeve si jeta, dituria, mëshira, vullneti dhe fuqia, çdo çast dhe pandërprerë aq intensivisht në gjithësi, saqë për indiferentët bëhet që të mos u shkojë nëpërmend e të mos ta kujtojnë.

Kështu e kërkon bota e provës

Një shkak tjetër i rëndësishëm që nuk e shohim dot Allahun, është se kjo botë është botë prove. Po qe se Allahu do të na kishte krijuar ndryshe nga struktura jonë ekzistente, me një konsistencë që të mund ta shihnim dhe vëzhgonim Atë, atëherë, e fshehta e provës do të prishej. Meqë çdo njeri do ta shihte Allahun me sytë e ballit, çdo njeri pa përjashtim do ta besonte dhe, atëherë, s'do të lindte as qëllimi për provë. Kjo do t'i ngjiste rastit të atij mësuesit që pasi të jepte pyetjet e provimit, të shkruante në dërrasë të zezë përgjigjet e pyetjeve. A nuk ishte qëllimi i kësaj bote që të dilnin në shesh besimtari me mosbesimtarin, e mira me të keqen? Prandaj, ndërsa na e ka fshehur veten nga sytë e ballit sepse kështu e kërkon prova e kësaj bote, Allahu, me veprat që ka krijuar, pra, me veprat e artit që i ka ekspozuar në panairin e gjithësisë dhe me librat dhe profetët që ka dërguar, na e ka treguar ekzistencën për sytë e zemrës. Në këto kushte, ata që, duke parë veprat e ekspozuara para tyre me qëllim për t'i shqyrtuar dhe kuptuar, munden ta shohin krijuesin e tyre artist dhe që u vënë veshin profetëve prijës e udhëzues që shpjegojnë qëllimin e krijimit dhe ekzistencës së këtyre veprave, do ta fitojnë provën, kurse ata që nuk shohin apo nuk duan të shohin gjë, do ta humbin provën!

Allahu (xh.xh.) e tregon veten

Ne mund ta njohim Allahun veçse në atë masë që të na e tregojë Ai veten, sepse është prapë vetë Ai që e njeh më mirë veten dhe që e tregon më mirë veten.

Surja Ihlas (Sinqeriteti) ka një shprehje tejet koncize dhe të mrekullueshme që tregon për ekzistencën, unitetin dhe pangjashmërinë e Allahut. Çdo ajet është rrjedhojë logjike e ajetit paraardhës dhe të gjitha ajetet janë si argumente të njëri-tjetrit.

Kjo sure është quajtur "ihlas", sepse e shpreh në mënyrën më të qartë e më të bukur teuhidin, besimin monoteist islam mbi Allahun, Zotin e gjithësisë, që është parimi themelor i fesë islame. Kjo sure na jep njohuritë më të qarta e më të kulluara mbi çështjen e ekzistencës dhe unitetit të Allahut, larg çdo mendimi të ngatërruar e të gabuar që nuk i përshtatet hyjnitetit të Tij. Kuptimi i sures është kështu:

"Thuaj: Ai, Allahu është Ehad (një i vetëm).

Allahu është Samed (nuk ia ka nevojën asgjëje).

Nuk ka lindur kënd dhe nuk është i lindur.

Asgjë dhe askush nuk është identik me Të!"

Allahu është Ehad. Cilësimi ehad në këtë ajet na tregon neve se Allahu është një dhe i vetëm. Edhe nëse shumë qenie që e kanë cilësinë e unitetit janë një si numër, që të gjitha janë të krijuara, janë krijesa, u përkasin llojit të qenieve të krijuara. Kurse Allahu i vetmi Një, i pashoqi dhe i pakrahasueshmi Një, i ndryshëm në cilësi nga të gjitha cilësitë që mund të mendohen, që mund të marrin formë në fantazi, që mund të imagjinohen dhe përshkruhen. Është Një-shi që zotëron të gjitha atributet e përsosmërisë. Për rrjedhojë, është dhe Një-shi i denjë për t'iu falur e për ta adhuruar.

Allahu është Samed. Çdokush dhe çdo gjë ka nevojë për Të, ndërsa Ai s'ka nevojë për askënd dhe për asgjë. Në gjithësi ka një rregullsi të mrekullueshme dhe është e pamundur që kjo rregullsi të jetë e vetvetishme. Çdo gjë e gjallë dhe jo e gjallë ka nevojë të pamënjanueshme për Allahun si për të dalë nga e paqena në fushën e qenies dhe ekzistencës, ashtu dhe për ta vazhduar qenien dhe ekzistencën e vet. Allahu e ka krijuar gjithësinë jo se është nevojtar për të, por për ta bërë të njohur veten, për të treguar madhështinë e tij dhe për të bërë mirësi dhe favor. Çdo gjë qëndron në këmbë në sajë të Tij, kurse Ai që nuk është nevojtar për asgjë (Samed), qëndron në këmbë, ekziston në mënyrë të vetvetishme e të vetëmjaftueshme.

Allahu nuk ka lindur kënd. Me këtë ajet është shkulur nga rrënjët dhe fshirë çdo lloj shirku dhe kufri (politeizmi dhe mohimi). Ky ajet është përgjigje për shumë mendime dhe ide të gabuara që kanë të bëjnë me politeizmin. Më së pari, me kuptimin e parë që vjen ndërmend të këtij ajeti, u bëhet e ditur njerëzve se Allahu kurrsesi s'është si njerëzit, që ka grua e fëmijë. Kurse në mënyrë konvencionale tregohet se ekzistenca, gjithësia nuk është një gjë e ndarë prej Tij ose e dalë si produkt ose tepricë prej Tij, siç pretendojnë një pjesë filozofësh. Kështu tërhiqet vëmendja për faktin se qeniet apo gjërat që lindin qenie apo gjëra të tjera, që pjesëtohen, që shtohen e shumohen duke nxjerrë produkte e teprica dhe që pësojnë ndryshime, nuk mund të jenë zot.

Allahu nuk është i lindur. Siç nuk ka lindur kënd, Allahu s'është as i lindur, pra nuk ka dikush apo diçka që ta ketë lindur Atë. E thënë në mënyrë më të përgjithësuar, ashtu siç qenia dhe ekzistenca nuk janë pjesë e individualitetit të Tij, nuk janë gjë e dalë prej Tij, ashtu dhe nuk ka ndonjë qenie, vullnet dhe fuqi tjetër që të jetë shkak për qenien dhe ekzistencën e Tij. Sepse Allahu është Vaxhibul Vuxhud, Qenie e Domosdoshme, i vetëqenë dhe vetekzistent. Ai nuk është një qenie e lindur nga dikush më pas dhe e sjellë në ekzistencë më pas. Ekzistenca e tij është e paraqenë. Nuk ekziston çasti kur Ai të mos ketë qenë.

Askush dhe asgjë nuk është identik me Allahun. Allahu nuk ka të ngjashëm as në individualitet, as në atribute, as në akte. Ai nuk ka shok, nuk ka ndihmës, nuk ka partner, nuk ka as ekuivalent, as antagonist, as analog. Gjërat e pasqena janë që të gjitha vepër e Tij dhe këto vepra, sado të përsosura që të jenë, si Ai nuk mund të jenë!

Ai nuk i ngjan asgjëje. Ai s'ka të bëjë me asgjë që mund të imagjinohet, që mund të marrë formë në mendje, sepse çdo gjë e tillë është e krijuar. Ato i kanë të krijuara edhe cilësitë që zotërojnë. Kurse Allahu është i pafillim e i pafund me individualitetin, atributet dhe aktet e Tij.

Ai që u ngjet krijesave të veta, nuk mund të jetë Zot. Krijesat janë vetëm si pasqyra që tregojnë (pasqyrojnë) emrat dhe atributet e Tij. Ashtu siç tregon një robot i mrekullueshëm diturinë, planin, mjeshtërinë dhe fuqinë e shpikësit ose artistit të vet, ashtu dhe çdo krijesë në këtë gjithësi, me artet e tij të larta e të pashoqe, tregon diturinë, fuqinë, urtësinë dhe vullnetin e pafund të Allahut.

Allahu është pakrahasimisht epror ndaj çdo gjëje. Fuqia e Tij është e pafundme. Ai e krijon një galaktikë po me atë lehtësi që krijon një atom. Ai e krijon pranverën me lehtësinë e krijimit të një luleje. Një punë apo një akt i Tij nuk bëhet pengesë për një punë ose për një akt tjetër të Tij. Ai bën në të njëjtin çast punë të panumërta pa i ngatërruar me njëra-tjetrën. Asgjë nuk mund të mbetet jashtë administrimit dhe rregullimit të Tij. Ndërsa çdo gjë ndodhet pafundësisht larg prej Tij, Ai ndodhet pafundësisht afër çdo gjëje. Sigurisht, një Zot i tillë nuk ka partner, nuk ka të ngjashëm dhe identik të vetes. Asnjë krijesë nuk mund t'i ketë këto cilësi. Kush nuk i ka këto cilësi, pra, kush ka partner, të ngjashëm dhe identik me veten, nuk mund të jetë zot!

Mesazhet që jep surja Ihlas mbi çështjen e hyjnitetit

Surja Ihlas që ka cilësinë të jetë përmbledhje e ajeteve që e tregojnë Allahun (xh.xh.), është përgjigje për çdo lloj botëkuptimi politeist.

Duke bërë të ditur në këtë ajet se Allahu është Ehad (një i vetëm), kundërshtohen dhe hidhen poshtë qysh në krye botëkuptimi zoroastrian, sipas të cilit, në gjithësi ndodhen zota të veçantë që krijojnë të mirën dhe të keqen, të ashtuquajtur, sipas këtij botëkuptimi, Hurmuz dhe Ehriman, si dhe botëkuptimet e ngjashme me këtë.

Duke u thënë në këtë sure se Allahu është Samed (i vetëmjaftueshëm dhe vetekzistent), janë kundërshtuar dhe hedhur poshtë idhujt e vështruar si ndihmës dhe si ndërmjetës mes Allahut dhe njerëzve, robve të Tij. Me këtë, i është dhënë një shuplakë e fortë çdo botëkuptimi që i vjen era politeizëm, i cili, me dashje ose pa dashje, i sheh shkaqet si ortakë ose partnerë për të cilët Allahu ndjen nevojë në veprimtarinë e Tij.

Gjithashtu, në këtë sure, duke u thënë "lem jelid ue lem júled" (nuk ka lindur dhe nuk është i lindur) hebrenjve që e shohin Hz. Uzejrin si bir të Zotit, krishterëve që e pranojnë Profetin Isa si bir të Zotit dhe politeistëve idhujtarë që i mendojnë engjëjt si vajza të Zotit, ua kujton atyre se janë larguar shumë nga besimi monoteist konsekuent.

Interpretimi i sures Ihlas nga këndvështrimi i kauzalitetit mes ajeteve

Siç e thamë edhe në hyrjen e çështjes, fjala "ihlas", për sa i përket kuptimit leksikologjik, bart kuptimin e qëndrimit të thjeshtë, të kulluar e pa mbishtresime ndaj diçkaje. Kurse sipas përdorimit të posaçëm, "ihlas" do të thotë që njeriu, në adhurimet e tij, të mbyllet ndaj çdo gjëje tjetër veç urdhrave, kërkesave dhe mirësive të Zotit, që t'i kryejë detyrat dhe t'i plotësojë përgjegjësitë që i takojnë, sepse ka urdhëruar Zoti, që, duke i kryer detyrat e duke i plotësuar përgjegjësitë, të ketë për synim pëlqimin dhe miratimin e Zotit. Kjo specifikë është shprehur kështu në Kur'an: "Lutiuni Allahut duke e bërë adhurimin nga zemra dhe vetëm për Të!" (Gafir, 40/14-65; Bejjine, 98/5) Në këtë pikë, robit (njeriut) i ka hije që, duke menduar se Allahu ndodhet i gatshëm dhe vëzhgues në çdo çast dhe pikë të kohës dhe hapësirës, të mos kërkojë pranë Tij interesimin e tjetërkujt veç Tij. Sepse të shohësh nga të tjerët ndërsa ndodhesh para Tij, të kërkosh shpëtim nga të tjerët, është në kundërshtim me etikën e asaj pranie. Ja, kjo është përmbledhja më thelbësore e ihlasit (sinqeritetit, principialitetit).

Po të vështrohet nën dritën e këtyre që u thanë, shihet se e kundërta e ihlasit është shirku. Sepse principialiteti e bën të domosdoshme që atributet hyjnitet dhe zot t'i jepen vetëm Allahut që është zotëruesi vërtetë i tyre. Kurse në politeizëm, atributet hyjnitet dhe zot u jepen disa partnerëve njëkohësisht, besimi i kulluar turbullohet. Ndërsa principialiteti e bën të domosdoshme që të vihet si qëllim vetëm pëlqimi i Allahut, politeizmi shtyn në kërkimin e pëlqimit të të tjerëve nën pamje të tilla si hipokrizia dhe interesi. Principialiteti e bën të domosdoshme dashurinë vetëm për Të, kurse dashurinë për të gjitha gjërat e tjera, në emër të dashurisë për Të. Dashuria për gjërat e përkohshme e të asgjësueshme jo në emër të Tij, por për vetë ato, e turbullon këtë dashuri të shenjtë. Nga ky këndvështrim, njeriu ose është principial ose, ndoshta pa i rënë në të, i ngatërruar në politeizma të fshehta ose të hapura. Politeizmi është situata më e rrezikshme përballë një njeriu që ka besuar. Të gjitha rrugëtimet që zgjaten për në mohim, kundërshtim dhe herezi, nisen nga stacioni i politeizmit. Ja pra, edhe pse surja Ihlas (Principialiteti) në dukje nuk ka asnjë fjalë mbi ihlasin (principialitetin), na ofron neve recetën e principialitetit. Mbështetur mbi rëndësinë e kësaj sureje, profeti Muhamed (s.a.s.) ka thënë se kush e këndon tri herë radhazi këtë sure, arrin mirësinë sikur ta kishte kënduar tërë Kur'anin. (Buhari, Fedailu'l-Kur'an, 13) Në këtë mënyrë, Profeti ka tërhequr vëmendjen se, nga një aspekt, kjo sure ka vlerën e bërthamës së mësimit të përgjithshëm të paraqitur nga Kur'ani.

Dhe tani le të kalojmë në interpretimin e kauzalitetit mes emrave dhe fjalive që përmban kjo sure.

Në suren që fillon me fjalët, "Thuaj: Ai, Allahu, është Ehad...", Allahu i Lartë para së gjithash bëhet i njohur me emrin Ehad (një i vetëm). Në pamje të jashtme, duket sikur emri Ehad (një i vetëm) bart të njëjtin kuptim me emrin Vahid (një). Mirëpo mes të dyve ka një nuancë kuptimore të imtë. Ndërsa emri Vahid shpreh se krijuesi i çdo gjëje është Allahu, emri Ehad shënon se Allahu është krijuesi i çdo gjëje së bashku me të gjitha veçoritë që duken te ajo gjë. Nga ky këndvështrim, emri Ehad ka një rëndësi jetësore. Mendja e njeriut që thotë se "është Allahu që e krijon çdo gjë", nuk mundet t'i përfshijë të gjitha gjërat menjëherë. Mes këtij konkluzioni të përgjithshëm ndodhen gjëra që i shpëtojnë prej syrit dhe vëmendjes. Ja pra, këto gjëra që i shpëtojnë vëmendjes mundet që madje pa i rënë më të, të jenë njeriu vetë, shkaqet, natyra, rastësia. Dhe djalli që e përdor këtë rast ose mundësi, duke bashkëpunuar edhe me nefsin (vetveten, egon) tonë, na hedh ne në politeizmin e nefsit ose të shkaqeve. Kurse emri Ehad kërkon që çdo gjë të shihet drejtpërdrejt në emër të Allahut. Nëse është me vend të shprehemi kështu, nuk mjaftohet vetëm duke shkruar në hyrjen e panairit të gjithësisë "Kjo është prona e Allahut", por mbi çdo gjë që ndodhet brenda panairit, vë veç e veç vulën, etiketën e Tij, bën që çdo gjë të lexohet dhe përdoret në emër të Tij. Në rastin e parë, domethënë, në rastin kur vetëm dihet se krijuesi i ekzistencës është Allahu, mundet që djalli të bëjë vjedhje në emër të nefsit dhe shkaqeve. Duke iu atribuuar pasuria dhe veprimtaria e Allahut shkaqeve ose gjërave të tjera, mund të devijohet nga teuhidi (besimi monoteist konsekuent) pa e kuptuar. Në rastin e dytë kjo është e pamundur.

Prandaj, rruga e vetme e qëndrimit larg shirkut dhe, për rrjedhojë, e afrimit te principialiteti, kalon nëpër shikimin e çdo gjëje me dylbinë e emrit Ehad. Ja pra, Krijuesi i Lartë, në ajetin e parë të kësaj sureje, duke u shprehur për vete "Ai Allahu është Ehad (një i vetëm)", na mëson kushtin e parë të principialitetit. Pra, na e bën të ditur qartë se një pranim i përgjithshëm si "është Allahu që e krijon çdo gjë", është i pamjaftueshëm për t'iu shmangur shirkut, politeizmit. Në këto kushte, përvetësimi i principialitetit është i mundur me arritjen e vetëdijes që e kërkon koncepti Ehad. Pra, është i mundur që krahas njohjes se krijimi i qenies dhe ekzistencës është prej Tij, të pranohet se edhe administrimi, funksionimi dhe edukimi i tyre mund të bëhen vetëm prej Tij pa u përzier në këtë asnjë dorë tjetër!

Në ajetin e dytë të sures, Allahu bëhet i njohur me emrin Samed. Siç dihet, ky emër ka kuptimin "çdo gjë është nevojtare për Të, por Ai s'është nevojtar për asgjë". Në një vështrim, emri Samed është rezultat i pashmangshëm i emrit Ehad. Dikush që sheh nga dritarja e emrit Ehad se të gjitha veçoritë e një diçkaje janë shfaqje e emrave të Allahut, se i përkasin Atij, se e kanë prejardhjen prej Tij dhe se e bëjnë të njohur Atë, dashje pa dashje do të arrijë te emri Samed. Meqë çdo gjë ekziston vetëm me Të, vetëm në sajë të Tij, atëherë, çdo gjë është nevojtare për Të!

Prandaj, dikush që thotë "Allahu është Ehad (një i vetëm)", detyrimisht do të thotë "Allahu është Samed (i vetëmjaftueshëm, vetekzistent)". Duke thënë kështu, krahas njohjes së Allahut me emrat dhe atributet Absolute të Tij, do të pranojë se ai vetë si dhe e gjithë materia janë në vetvete të dobët dhe nevojtarë. Ja pra, ky është edhe kushti i dytë i pashmangshëm për t'u shmangur dhe ndenjur larg politeizmit të egos dhe shkaqeve dhe për të qenë plotësisht principial në besim.

Ajeti i tretë thotë për Allahun: "Lem jelid ue lem júled", "Nuk ka lindur dhe nuk është i lindur". Me një shprehje më të përgjithshme, as Allahu është një qenie që ka lindur (është shkëputur, është ndarë apo veçuar) nga një qenie tjetër, as kjo ekzistencë që shihet është një gjë e lindur ose e ndarë prej Tij. Pra, ata që janë të lindur vetë dhe që kanë lindur të tjerë, nuk mund të jenë zot. Ashtu siç është ajeti i dytë përfundim i domosdoshëm i ajetit të parë, edhe ky ajet është përfundim i domosdoshëm i ajetit të dytë, sepse veçoria e të qenit i lindur dhe lindës është e posaçme vetëm për ata që janë nevojtarë për dikë apo diçka tjetër.

Qeniet që linden dhe lindin janë edhe pasojë e një gjëje, edhe shkak i një gjëje tjetër. Në këto kushte, pasojat (rezultatet, përfundimet) kurrë nuk mund t'u lihen shkaqeve në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse çdo shkak për të cilin pandehet se ka lindur një pasojë, është vetë pasojë e një shkaku tjetër. Dhe kjo është argument i faktit se veçoritë që kërkohet t'i atribuohen shkakut në fjalë nuk janë element përbërës dhe karakterizues i tij. Pra, çdo qenie që jeton (ekziston) në botën e shkaqeve nuk ka fuqi krijuese në vetvete ose të vetën. Në këto kushte, themi se qenia që edhe lindet, edhe lind nuk mund të jetë zot, sepse Zoti që zotëron veçori absolute dhe posaçërisht individuale (të papërsëritshme te dikush ose diçka tjetër), qëndron mbi të gjitha qeniet dhe gjërat: nuk lindet dhe nuk lind!

Dikush apo diçka që lindet dhe lind, ka të kaluarën e vet kur nuk ka ekzistuar dhe të ardhmen e vet kur nuk do të ekzistojë më, kurse dikush apo diçka që nuk lindet dhe nuk lind, nuk ka as të kaluar kur nuk ka ekzistuar, as të ardhme kur nuk ka për të ekzistuar më. Allahu është pafillimisht i parë dhe pafundësisht i fundit. Prandaj koha dhe hapësira janë në dorë të Tij. E shprehur ndryshe, çdo gjë që zë një fragment kohor të caktuar dhe një vend të caktuar brenda kohës dhe hapësirës dhe që ka të kaluarën kur nuk ka ekzistuar dhe të ardhmen kur nuk do të ekzistojë më, e ka ekzistencën prej Allahut, ekziston në sajë të Tij. Sepse ekzistenca e secilës gjë që ekziston, që të ekzistojë, kërkon një fuqi që "t'i shkojë fjala" në tërë gjithësinë dhe një dituri që të njohë lëvizjet dhe rregullsinë e të gjitha krijesave. Por për gjërat që linden dhe lindin, pra, që janë fragmentare dhe të vdekshme, nuk mund të mendohet që të zotërojnë fuqi dhe dituri absolute. Zotëruesi i këtyre është vetëm Allahu, zotëruesi i atributeve Ehad dhe Samed.

Shkurt, shprehja "lem jelid ue lem júled", "nuk është i lindur dhe nuk ka lindur", i shfuqizon të gjitha shkaqet që linden dhe lindin nga pretendimi i "ndikimit të vërtetë dhe autorësisë" mbi përfundimet, dhe e bën të domosdoshme njohjen e faktit se çdo gjë, së bashku me shkakun dhe përfundimin e saj, është vepër dhe pronë e Allahut.

Allahu urdhëron respektimin e shkaqeve. T'u drejtohesh shkaqeve përkatëse për realizimin e një pune është një lutje për realizimin e rezultatit të kërkuar. Bashkimi i shkaqeve do të thotë që ato t'i bëjnë Allahut një lloj lutjeje dhe kërkese në emër të krijimit të përfundimit. Për shembull, bashkimi i ujit, nxehtësisë, dheut dhe dritës duke respektuar shkaqet, me qëllim që një farë të nxjerrë filiz e të bëhet pemë, është një lutje. Shkaqet luten: "O Krijuesi ynë, bëje pemë këtë farë!" Pema që është një prej mrekullive të fuqisë së Zotit, nuk mund t'u lihet atyre lëndëve të thjeshta, të ngurta e të pavetëdijshme, autorësia e tyre mbi pemën është absurditet. Kjo do të thotë se bashkimi i shkaqeve është një lloj lutjeje. Krijuesi është Allahu. T'u njohësh shkaqeve ndikim të vërtetë, është shirk, politeizëm. E kundërta, të mos u njohësh shkaqeve ndikim të vërtetë, i mbyll dyert e politeizmit. Me mbylljen e dyerve të politeizmit, dera e besimit monoteist (tevhid) dhe e principialitetit (ihlas) hapet fletë më fletë.

Në ajetin e fundit, Allahu (xh.xh.) na e bën të njohur veten me shprehjen "Ue lem jekun lehu kufuven ehad", "Asgjë dhe askush nuk është identik me Të!".

Ashtu siç secili prej tri ajeteve ishte përfundim i domosdoshëm i një ajeti më parë, edhe ajeti i katërt është përfundim i domosdoshëm i ajetit të tretë. Ai që është Ehad, është, domosdoshmërisht Samed. Ai që është Samed, është, domosdoshmërisht i palindur e që s'lind. Ai që s'ka lindur dhe që s'lind, domosdoshmërisht nuk ka identik me vetveten. E shprehur ndryshe, ai që është i krijuar, pra që ka fillim dhe fund (ose një pikë kohore kur s'ka ekzistuar dhe një pikë kohore kur nuk do të ekzistojë më), nuk mund të jetë i tillë si Krijuesi. Ai që është i fundmë nuk mund të bartë të njëjtën cilësi me atë që është i pafundmë. I dobëti nuk mund të jetë ekuivalent me të fuqishmin.

Ky ajeti i fundit na thërret ta ngremë drejt ekuacionin krijim-krijesë, fuqi-dobësi, hyjnitet-adhurim dhe pronësi-pronë. Njeriu që mundet ta ngrejë drejt këtë ekuacion,

nuk sillet ndaj asnjë krijese si të ishte krijues,

nuk i hap duart ndaj asnjë të dobëti si të ishte zotërues i një fuqie në vetvete,

nuk e sheh si Zot askënd që është rob ashtu si dhe vetë,

nuk bie në gabimin për ta parë veten pronar të vërtetë dhe zotëri mbi diçka që është pronë e dikujt tjetër.

Po qe se duhet shprehur shkurt, njeriu që e ngre drejt këtë ekuacion, të gjitha atributet, si krijues, i fuqishëm, zot dhe pronar ia lë vetëm Allahut dhe vetëm Atij i nënshtrohet. A nuk është kjo principialiteti?

Përgjithësisht, kjo sure shumë e shkurtër, si një sure-bërthamë që përmbledh në radhë të parë të vërtetën e teuhidit që kërkon Kur'ani ta shtresojë në mendjet tona, pastaj edhe mesazhet e tjera të tij, na mëson neve bazën e besimit monoteist konsekuent (tevhid) dhe të principialitetit (ihlas) si dhe rrugët për të arritur tek ta.

Allahu (xh.xh.) tregon lidhjen e Tij me gjithësinë

Krijuesi i Lartë i cili në shumë ajete na informon për veprimtarinë dhe administrimin e Tij që përfshijnë gjithësinë, në suren Bekare (ajeti 255) na tregon në mënyrë të denjë për hyjnitetin e vet, lidhjen (raportin) e Tij me gjithësinë. Ky ajet është quajtur "Ajeti Kursi". Ky ajet shpreh një parashtrim tejet të hapur e të përmbledhur të sundimit të Allahut. Në një rivajet bëhet e ditur se ajeti më i madh i Kur'anit është ky ajet. (shih. Ibn Hanbel, Musned, V, 142, 178) Kuptimi i shkurtër i këtij ajeti të gjatë është kështu:

"Allahu është Zoti, veç të cilit nuk ka zot tjetër.

Ai është Hajj (i gjallë).

Është Kajjum (vetekzistent).

Allahu nuk dremit e nuk fle.

Çdo gjë në qiej e në tokë është e Tij.

Kush mund të ndërmjetësojë për falje pranë Tij pa lejen e Tij?

Ai di gjithçka që ndodhet para e pas robve që i ka krijuar.

Qeniet e krijuara prej Allahut nuk mund të kuptojnë nga dija e Tij veç asaj që dëshiron Ai.

Katedra (zotërimi dhe administrimi) e Tij i përfshin tërësisht qiejt e tokën.

Ai nuk e ka të vështirë t'i mbrojë e të kujdeset për qiejt dhe tokën. Ai është aq i madh e aq i lartë! (Bekare, 2/255)

Allahu është Hajj (i gjallë)

Allahu, veç të cilit nuk ka zot tjetër, ka një formë jete të posaçme për individualitetin e Tij të lartë. Ai ka një formë jete të tillë që të gjitha qeniet me jetë e marrin jetën prej Tij. Ai s'ka të bëjë me humbjen dhe asgjësimin. Duke qenë zotëruesi i një jete absolute e të pasosur nga pafillimi në pafundësi, për Të nuk ka vdekje.

Allahu është Kajjum (vetekzistent)

Allahu, ekzistenca e të cilit është e vetvetishme, e administron vetë tërë gjithësinë e krijuar prej Tij. Çdo gjë është nevojtare ndaj Tij për qenien dhe ekzistencën e vet dhe për vazhdimin e ekzistencës së vet. Allahu, veç të cilit nuk ka zot tjetër, "çdo çast, me shfaqje të reja (të ekzistencës së vet), ndodhet në krye të punës". (Rahman, 55/29)

Allahu e drejton këtë gjithësi me anë të ligjeve. Ndërkaq, ligjet nuk janë gjëra të veçanta vetekzistuese, të cilave Allahu u ka lënë drejtimin dhe administrimin e qenieve dhe ekzistencës. Ligjet janë vetë veprimtaria dhe akti ekzekutues hyjnor. Gjëja që ne i themi regjimi i rregullt dhe harmonik i gjithësisë ose ligjet e natyrës është pamja që na reflektohet neve e trajtës me të cilën është krijuar dhe merr vazhdimësi materia, jo përcaktuesi i asaj trajte. Pra, ligjet ekzistojnë pse materia është krijuar në një trajtë të caktuar, jo materia ekziston në një trajtë të caktuar pse ekzistojnë ligjet. E shprehur ndryshe, çdo veprimtari e rregullt dhe harmonike që shohim në funksionimin e gjithësisë nga mikrobota në makrobotë, është shfaqje e zakonit të Allahut. Këtë veprimtari të rregullt dhe harmonike të zhvilluar në mënyrë të pandërprerë nga Krijuesi në linjën shkak-përfundim, ne e kuptojmë si "ligje" apo

"ligjshmëri". Në këto kushte, themi se ligjet s'janë gjë tjetër veç pamjes të reflektuar tek ne të nxjerrjes së materies në gjendje zinxhirore në fushën e ekzistencës.

Shkencat ia detyrojnë ekzistencën e vet rregullsisë dhe harmonisë së ligjeve të vëna nga Allahu, rregullsi dhe harmoni e cila quhet zakon i Allahut. Po qe se Krijuesi i Lartë nuk do ta kishte krijuar qenien (ekzistencën) dhe nuk do t'i jepte asaj vazhdimësi në linjën shkak-përfundim dhe brenda një vazhdimësie të rregullt e harmonike, kurrë nuk do të bëhej fjalë për shkencat.

Do të jetë me dobi sikur të qëndrojmë pak mbi këtë specifikë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me besimin monoteist konsekuent (tevhid). Në këtë çështje, si në të kaluarën, ashtu dhe në ditët tona, kanë dalë në shesh kuptime dhe qëndrime të gabuara në kundërshtim me besimin monoteist konsekuent. Me gjithë shprehjet mjaft të hapura e të qarta të Kur'anit dhe haditheve, edhe në botën islame të mendimit, madje, nuk kanë munguar ata që, me dashje a pa dashje, kanë parë tek materia dhe shkaqet aftësi ndikuese të vërtetë. Mirëpo lidhja midis shkaqeve dhe përfundimeve nuk është lidhje shkak-pasojë. Kjo lidhje nuk është horizontale, por vertikale. Në gjithësi ka një rregullsi, por kjo rregullsi nuk mund të reduktohet në lidhjet shkakësore të detyrueshme mes vetë materies.

Si të pretendojmë se mund ta gjejmë me mendjen tonë përfundimin duke parë shkaqet, si të pretendojmë se përfundimi është bërë nga ana e shkakut duke vëzhguar me anë të provave se lidhjet shkak-përfundim ndodhen brenda një rregullsie, në themel, të dyja këto pretendime mbështeten po në të njëjtin vetëmashtrim.

Po ta vështrojmë çështjen nga këndvështrimi i Kur'anit, shohim se ne nuk zotërojmë ndonjë argument dhe arsye serioze që të na vlejë për të menduar ndryshe. Të katër forcat (forca tërheqëseshtytëse, forca elektromagnetike, forcat e dobëta e të fuqishme janë identitet i shfaqjes së vetekzistencës hyjnore të reflektuar tek ne në një vazhdueshmëri të rregullt në linjën shkak-përfundim.

Emërtimi i pandehmës se shkaku dhe përfundimi janë të lidhur me njëri-tjetrin ose varen nga njëritjetri me anë të ligjeve racionale ose ligjeve natyrore të domosdoshme (të detyrueshme, të pamënjanueshme), është determinizëm. Edhe shkaqet, edhe përfundimet janë të krijuara. Shkaqet nuk zotërojnë asnjë cilësi individuale që do t'u jepte mundësi për t'i dhënë vazhdimësi (për ta mbajtur në këmbë dhe për ta vazhduar më tej) rregullsinë dhe harmoninë në gjithësi. Në krijim vepron (është veprues, efektiv) zakoni i Allahut. Po qe se ligjet e vendosura në gjithësi nga Allahu do të ndryshonin vazhdimisht, nuk do të kishte stabilitet, për pasojë, as shkencat do të formoheshin, as jeta do të bëhej e mundur. Krijimi është monoton se kështu e ka dashur në mënyrë volitive Allahu; për më tepër, në krijim, s'ka asgjë që ta bëjë të domosdoshëm (të detyrueshëm) krijimin e Allahut jo në tjetër formë (ose mënyrë), por pikërisht në këtë formë (mënyrë). Allahu mund ta ndryshojë kur të dojë çdo gjë që të dojë. Për shembull, nga kati i sipërm i një apartamenti dhjetëkatësh bie një fëmijë e nuk vdes. Në fatkeqësi të tilla si tërmetet, shihni se shumë fëmijë krejt të paaftë për t'u vetëmbrojtur, pas shumë ditësh dalin shëndoshë e mirë nga poshtë gërmadhave!

Krijuesi i Lartë ka dëshiruar në mënyrë volitive krijimin brenda linjës shkak-përfundim me qëllim që ne të kemi mundësi ta kuptojmë gjithësinë, për rrjedhojë, ta njohim Atë. Krijuesi nuk ka nevojë për shkaqet për të krijuar përfundimet, por ne kemi nevojë për një formë (mënyrë) krijimi të vazhdueshme (të pandërprerë) të varur nga shkaqet me qëllim për ta kuptuar se si ka krijuar Ai. Eshtë për këtë arsye që Krijuesi i Lartë, për të treguar emrat e Tij, ka ngritur në gjithësi mes gjërave dhe dukurive një lidhje dhe reciprocitet me kuptim që shihet me sy. E gjithë materia (të gjitha gjërat) dhe shkaqet janë si nga një pasqyrë më vete që na i pasqyrojnë neve emrat dhe atributet e Tij. Çdo krijesë (çdo gjë e krijuar) e madhe dhe e vogël, e tërë dhe pjesë, me gjuhën e qenies së vet janë argumente që njoftojnë lartësinë e Tij sublime, pra, kurrë nuk mund të mendohen si ortakë (partnerë) në veprimtarinë e Tij.

Funksionimi i ekzistencës që vazhdon brenda rregullsisë (brenda një regjimi të rregullt e harmonik) mund të shpjegohet vetëm e vetëm me drejtimin dhe administrimin e drejtpërdrejtë të një Krijuesi që zotëron atribute të tilla, si vullneti (dëshira volitive), dituria, fuqia, urtësia dhe mëshira, sepse të gjitha aktet e përgjithshme (të plota) që evidentohen në ekzistencë tregojnë se janë shfaqje të një fuqie që përfshin gjithçka.

Ekzistenca dhe qëndrueshmëria e të gjithë trupave që ndodhen qoftë në kozmos (qiell), qoftë në tokë, varet nga ky ligj i vetekzistencës hyjnore. Po qe se Allahu që është Kajjum (vetekzistent, në këmbë, çdo çast në krye të punës) do të hiqte për një çast urdhrin (për krijim dhe ekzistencë), miliona trupa qiellorë dhe, në të vërtetë, gjithçka, do të "binin" në asgjësim, sepse gjërat e krijuara nuk zotërojnë asgjë që do t'i ndihmonte ta vazhdonin ekzistencën e tyre më vete. Le t'ia vëmë pikën kësaj specifike me këto ajete të Kur'anit:

"Sa e lartë është fama e Allahut që ka në dorë drejtimin dhe administrimin e çdo gjëje!" (Jasin, 36/83)

"Një tjetër argument i ekzistencës së Tij është se qielli dhe toka janë në këmbë (ekzistojnë) me urdhrin e Tij, se ndodhen në krye të detyrës në vendin e caktuar për ta!" (Rum, 30/25)

"E vërteta është se ai që i mbron qiejt dhe tokën nga asgjësimi, është Allahu. Po qe se ata do të shembeshin, nuk do të mundej t'i mbante dot askush veç Allahut!" (Fatir, 35/41)

Shkurt, as qenia është bërë e qenë dhe ekzistente në vetvete, as dhe, pasi është krijuar, i është thënë, "eja, tani, shih punën", duke e lënë në rrjedhën e saj. Vullneti (dëshira volitive) hyjnor dhe fuqia hyjnore e ekzekutojnë urdhrin e vet në gjithësi për çdo çast. Çdo gjë është në dorën e Tij dhe nën administrimin e Tij. Asgjë s'është jashtë fuqisë së Tij. Vetëm Ai është zotëruesi dhe drejtuesi i çdo gjëje.

Allahu nuk dremit e nuk fle

Allahu është vetekzistent (kajjum) në atë nivel që ekzistenca e çdo gjëje, po ashtu dhe vazhdimi i ekzistencës së vet prej çdo gjëje varen prej Tij. Çdo gjë është në çdo çast nevojtare për Allahun. Kurse ekzistenca e Allahut është e vetvetishme dhe në vetvete. Në këtë çështje, nuk mund të bëhet fjalë që, qoftë edhe për një çast, një dremitje ose indiferentizëm të krijojë një të çarë ose të hedhë hije mbi sundimin e Tij. Ai e njeh çdo gjë dhe ka njohuri për çdo gjë të pronës së Tij.

Çdo gjë në qiej e në tokë është e Tij

Qenia dhe ekzistenca me dimensionet e saj fizike dhe metafizike është tërësisht e Tij. Çdo ekzistencë (gjë ekzistente) pothuaj kryen detyrën e një pasqyre që, me dobësitë e saj, tregon fuqinë e Tij, me natyrën e saj të pavetëdijshme, tregon diturinë e Tij, me nevojat e saj, pasurinë dhe favorin e Tij, me përkohshmërinë e saj, përhershmërinë e Tij, etj.

Çdo gjë që duket apo s'duket lartë e poshtë është vepër e vullnetit (dëshirës volitive) dhe fuqisë së Tij. Në ekzistencë nuk ka gjë për të cilën të thuhet dhe është e pamundur të thuhet se "është e dikujt tjetër". Sepse gjithësia është një e tërë e pandashme. Çdo gjë, brenda së cilës çdo pjesë e saj nuk është më prioritare ndaj të tjerave, varet prej secilës gjë që së bashku formojnë të tërën. Pra, nëse nuk ka çdo gjë, nuk ka as asgjë. Kushdo apo cilido qoftë që është përgjegjës për diçka, duhet të jetë përgjegjës edhe për të gjitha gjërat. E thënë ndryshe, në realitet, të gjitha gjërat që përbëjnë materien janë të lidhura e të varura me njëra-tjetrën në atë mënyrë që një gjë nuk mund të ekzistojë në mënyrë të pavarur nga çdo gjë tjetër në gjithësi; një gjë mund të ekzistojë vetëm brenda tërësisë së gjithësisë. Atëherë, themi se për të bërë diçka, duhet zotërimi i një dijeje dhe fuqie që do ta mbante çdo gjë në gjithësi nën kontroll dhe zotëruesi i kësaj dijeje dhe fuqie është Allahu!

Kush mund të ndërmjetësojë për falje pranë Tij pa lejen e Tij?

Nuk ka asnjë forcë që mund të ndërhyjë verbalisht ose praktikisht në administrimin dhe zotërimin e Tij. Ky ajet tregon, para së gjithash, sundimin, administrimin dhe zotërimin e Allahut në gjithësi. Atëherë, shefaati i Tij këtu do të ishte më e përshtatshme të trajtohej në mënyrë përparësore në pikën e funksionimit të ekzistencës (nga këndvështrimi kozmologjik). Folja she-fe-a ka këto kuptime leksikore: ndërmjetësim, ndërhyrje, etj. Nisur nga kjo, këtë ajet, krahas kuptimit tjetër të njohur, mund ta komentojmë kështu: Pranë Tij - pavarësisht nga Ai - kush mund të ndërhyjë në pronën dhe funksionin e Tij? Nuk mund të ketë ndonjë ortak (partner) dhe kujdestar që mund të përzihet në punën e Tij, që mund të ndërhyjë pa lejen e Tij në urdhërimin dhe administrimin e qenies. Kjo pronë është tërësisht e Tij dhe nën urdhrin e Tij. Çdo ndërhyrje që bën njeriu mbi qenien, realizohet me lejen e Tij. Një sërë suksesesh të arritura sot në fushën shkencore, nuk kanë ndodhur pavarësisht nga Ai, por me lejimin e Tij. Për shembull, le të qëndrojmë mbi dukurinë e klonimit që i lë të mahnitur njerëzit tanë. Thelbi i kësaj dukurie të emërtuar edhe kopjim, është kështu: Për të kryer procesin e kopjimit, përdoret DNA-ja e kafshës që do të kopjohet. DNA-ja që ndodhet në qelizën e kafshës, merret nën mikroskop dhe vendoset në qelizën vezore të një kafshe tjetër të po atij lloji. Menjëherë pas kësaj zbatohet një goditje dhe sigurohet fillimi i ndarjes së qelizës vezore. Embrioni që vazhdon të ndahet, vendoset në mitrën e një kafshe tjetër të të njëjtit lloj dhe pritet të zhvillohet e të lindë. Po të ndiqet me vëmendje, të gjitha materialet biologjike të përdorura gjatë këtij procesi, të gjitha pjesët jetësore të gjallesës, si qelizat, bërthama qelizore, membrana qelizore, mitokondria, DNA-ja, janë marrë të gatshme nga një kafshë për t’u transplantuar te kafsha tjetër. Kjo nuk është shfaqje e gjallesës nga materiale jo të gjalla, por bartja e një qenie të gjallë në një tjetër qenie të gjallë duke përdorur mundësitë teknologjike. Rezultati i marrë pas bartjes krijohet përsëri me anë të aktit krijues të Krijuesit të Lartë. Ajo çka bëjnë këtu shkencëtarët, është kryerja e bartjes dhe pritje e rezultatit. Rezultati nuk krijohet me anë të aftësive të tyre, rezultati krijohet përsëri nga ana e Allahut.

Në këto kushte, kjo dukuri e të ngjashme me këtë, krijohen me anë të lejimit nga Allahu të përpjekjeve të robve të Tij në këtë botë, të cilët i përdorin shkaqet në mënyrë metodike, si dhe të dhënies atyre të shpërblimit të punës së tyre. Sepse Allahu e ka dërguar njeriun si përfaqësues e zëvendës të Tij mbi tokë. (Bekare, 2/30) Veprimtaria përfaqësuese e njeriut të nderuar me pozitën për të qenë zëvendës i Zotit mbi të gjithë qenien, zhvillohet në një kuadër jashtëzakonisht të gjerë, nga besimi te Allahu dhe adhurimi i Tij, te njohja e të fshehtës së materies dhe dukurive, gjer te ndërhyrja dhe veprimi mbi natyrën.

Ndërkaq, fakti që Allahu jep leje për një gjë dhe krijon rezultatin e saj, nuk do të thotë gjithmonë se Ai e miraton atë gjë. Sepse Ai i ka lënë robtë e Tij në këtë botë të lirë të zgjedhin atë që duan vetë me vullnetin e tyre të lirë. Ai e krijon çdo akt të zgjedhur si të mirë apo të keq nga robtë e Tij, të cilët mbajnë përgjegjësi për zgjedhjen që bëjnë me vullnetin e tyre të lirë. Sepse kjo botë është vend prove!

Ai di gjithçka që ndodhet para e pas robve që i ka krijuar

Pasi tërheq vëmendjen se gjithësia dhe ekzistenca me gjithçka janë nën urdhrin dhe administrimin e Tij, Krijuesi i Lartë, duke e sjellë fjalën te njerëzit, na kujton se edhe ata ndodhen krejtësisht nën vëzhgimin dhe kujdesin e Tij. Allahu di çdo gjë për robtë e Tij: ç’dinë e nuk dinë, të kaluarën dhe të ardhmen e tyre si dhe çdo gjë të hapur a të fshehtë të tyre. Fundja, kjo është domosdoshmëri e ekskluzivitetit hyjnor.

Për Të nuk ka të shkuar e të ardhshme. Këto koncepte janë për njeriun, mendja e të cilit është gatuar me konceptin e kohës dhe vartësisë ndaj saj. Ai i sheh e i di të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen si të shihte e të dinte një pikë, një çast.

Qeniet e krijuara prej Allahut nuk mund të kuptojnë nga dija e Tij veç asaj që dëshiron Ai

Njerëzit e kanë të pamundur ta përfshijnë e ta njohin diturinë e pafundme të Allahut si dhe informacionin e emetuar nga dituria e Tij absolute dhe e pakushtëzuar. Por mund të rrokin dhe kuptojnë aq sa dëshiron Ai.

Në fakt, ato që dinë njerëzit, janë ato që i di dhe i bën të ditura Ai. Diturinë që Allahu ua jep ose bën të ditur njerëzve, mund ta vlerësojmë në dy grupe:

E para është dituria që u ka dhënë Allahu robve të tij të zgjedhur mes njerëzve, zbulesa hyjnore që u ka ardhur profetëve. Zbulesa hyjnore (vahji-revelacioni hyjnor) është një komunikim i posaçëm i Zotit për profetët, njerëz te pajisur në mënyrë të posaçme. Dhe është i lartë sa nuk mund të krahasohet me asnjë kapacitet në botë. Kësaj mund t’i shtojmë njohuritë dhe të fshehtat që ua zbulon Allahu me anë të frymëzimit disa robve të Tij në raport me kapacitetin e tyre si dhe afërsinë e tyre ndaj Tij, por, ndërsa zbulesa hyjnore është transparente, e regjistruar me dëshmitar (Xhebrailin), objektive dhe kushtëzuese, frymëzimi (ilham) është vetiak, i hapur ndaj interpretimit, i padëshmuar dhe, prandaj, i pakushtëzuar.

Ashtu si profeti, edhe i urti e merr frymëzimin nga Zoti, vetëm se të urtit nuk i zbret Xhebraili, për rrjedhojë, një mesazh i tillë nuk konsiderohet një komunikim kushtëzues. Frymëzimi është një ngjarje subjektive dhe ndërgjegjeje, prandaj dhe nuk është e detyrueshme për të tjerët. Frymëzimi shihet i denjë për pranim në raport me përshtatshmërinë ndaj shprehjeve me kuptim të drejtpërdrejtë të Kur’anit dhe Sunetit autentik si dhe shpreh një vlerë të caktuar në kuadrin e përshtatshmërisë ndaj bazave të fesë.

E dyta është dituria lidhur me të fshehtat e materies që u zbulon dhe u jep Allahu robve të Tij si shpërblim për përdorimin metodik të shkaqeve nga ana e tyre. Ekzistenca e cila është fusha e shfaqjes së diturisë hyjnore, është pothuajse si një katalog shifrash. Ja, pra, është përsëri Allahu që u favorizon robve të vet, në vartësi të zellit dhe përpjekjeve të tyre, frymëzimin ose mbështetjen që do të ndihmonte për zgjidhjen e këtyre shifrave. Për shembull, në një çast kur një shkencëtar mbetet në gjendje të pashpresë për shkak se nuk di se ç’të bëjë në lidhje me një studim që kurrë nuk do ta përballonte dot me kapacitetin e vet, bëhet i merituar i një frymëzimi që ka të bëjë me zgjidhjen e asaj situate të bllokuar. Gjithashtu, një shkencëtar që bën përpjekje në një fushë të teknologjisë, duke zhvilluar kërkimin e vet, disa herë zbulon diçka krejt të kundërt me synimin e vet. Kjo është një favor i Allahut për njerëzimin në personin e atij shkencëtari, qoftë besimtar apo mohues, i cili i përdor shkaqet në mënyrë metodike. Jemi të mendimit se nuk do të kishte ndonjë pengesë sikur ta mendonim në një perspektivë të tillë të gjerë ajetin në vijim: “Lexo! Zoti yt është bujar i pafund. Eshtë Ai që ia ka mësuar njeriut të shkruajë me kalem. Ia ka mësuar ato që s’i dinte!” (Alak, 96/4-5)

Katedra (zotërimi dhe administrimi) e Tij i përfshin tërësisht qiejt e tokën

Fjala kursi (katedër) që përdoret në këtë fjali në origjinal, është një fjalë që shpreh sundimin e Allahut. Megjithëse Krijuesi i Lartë e ka parashtruar në krye të kësaj shprehjeje marrëdhënien e Tij me gjithësinë, na e paraqet edhe këtu me një shprehje koncize e përfshirëse administrimin e Tij mbi ekzistencën dhe na jep këtë mesazh: Dijeni mirë këtë se në këtë gjithësi ku ndodheni të rrethuar nga të gjitha anët, nuk ka asnjë pikë ku vullneti dhe fuqia e Zotit tuaj të mos ushtrojnë vendimin e Tij!

Ai nuk e ka të vështirë t'i mbrojë e të kujdeset për qiejt dhe tokën Ai është aq i madh e aq i lartë

Kjo fjali ka cilësinë t’i shpërndajë të gjitha dyshimet që mund të fusë shejtani, djalli, në mendjen e njeriut në lidhje me çështjen e fuqisë dhe forcës së Allahut. Këtu, Krijuesi i Lartë sikur na thotë neve: “Në asnjë mënyrë mos u kapni pas mendimeve të tilla, që ju shtyjnë të dyshoni se si mund të bëhen kaq punë nga ana e një personi të vetëm!” Sepse për Atë nuk ka gjë të lehtë apo të vështirë. Shprehje të tilla të përdorura herë pas here prej Tij në Librin e Tij, janë si rrjedhojë e kujdesit të Tij për nivelin e neve, robve të Tij.

Fakti që për vullnetin dhe fuqinë hyjnore nuk bëhet fjalë për asnjë pengesë, është një specifikë mbi të cilën Kur’ani është përqëndruar duke e theksuar në mënyrë të veçantë. Pothuaj në çdo sure, si një përmbledhje në fund të shumë ajeteve, Allahu (xh.xh.) na e kujton këtë të vërtetë duke urdhëruar: “Pa dyshim, Ai ka mundësi për çdo gjë!” Kurse ajeti “Po të dëshirojë për diçka që të bëhet, Ai i thotë vetëm

“bëhu!” dhe ajo menjëherë bëhet!” (Jasin, 36/82), që parashtron si shprehje absoluditetin e fuqisë së Allahut (xh.xh.), është, në lidhje me këtë çështje, në nivelin kulmor të shprehjes!

Sipas fuqisë së Zotit, yjet krijohen me lehtësinë e krijimit të një grimce, pranvera, me lehtësinë e krijimit të një luleje, pema, me lehtësinë e krijimit të një fare!

Ai është i tillë i madh e i lartë

Madhështia e tij nuk është një madhështi abstrakte që mbetet në fjalë. Ai është i vetmi i lartë i vetmi i madh. Ai është një Qenie e lartë, i madh sa kurrësesi s’mund ta masin peshoret e mendjes dhe arsyes. I madh, Allahu është! Fakti që gjithë universi, nga mikrokozmosi në makrokozmos, - larg çdo konfuzioni dhe kaosi - drejtohet brenda një rregullsie e harmonie marramendëse, ka cilësinë për të na dhënë neve në këtë pikë një ide të mjaftueshme!

Mesazhet e shprehura nga Ajeti Kursi mbi qetësinë dhe lumturinë e një robi që beson

Më së pari, Allahu i Lartë kërkon që ne të kapemi fort pas ligjeve të vëna prej Tij dhe shkaqeve, dhe t’i respektojmë ato. Por kur të kapemi pas shkaqeve dhe të mos arrijmë një përfundim, me deklaratën e Tij, sipas të cilës, “Ai është Kajjum; gjithësia që e ka krijuar, është çdo çast nën administrimin dhe përdorimin e Tij”, na kujton neve këtë: drejtimi i kësaj prone është në dorën e Tij. Portat që i shihni mbyllur, Ai i hap në çastin kur dëshiron për ju; gjënë që e shihni të pamundur, mund ta sjellë në gjendje të mundshme për ju. Atëherë kur shkaqet të rrëzohen plotësisht e të heshtin, mos bini në pesimizëm duke thënë se, “tashmë çdo gjë ka mbaruar”! Mbështetuni te Zoti juaj sepse Atij i mjafton fuqia për të bërë ç’të dëshirojë!

Kurse me fjalinë “Atë s’e zë as dremitja, as gjumi”, Allahu i Lartë u jep robve të Tij këtë mesazh: Rrini të qetë e të sigurtë, sepse Zoti juaj që e besuat dhe që iu nënshtruat, nuk është i painformuar qoftë edhe për një çast të vetëm për asnjërën nga gjërat e bëra që kanë lidhje me ju. Mos u frikësoni se mos “ndërsa jeni duke fjetur, armiku ju bën ndonjë të keqe”! Jam Unë që kurrë nuk fle, që ju kam nën vëzhgim e kujdes! Ju merrini masat e duhura si njerëz që jeni, tjetrën lërmani mua!

Ibrahim Hakiu e ka shprehur këtë në mënyrë koncize, kështu:

Aty ku i pashpresi mbetet në vend,

Hapet një perde papritmas, menjëherë

Dhe bëhet shpëtim për çdo mjerim;

Të shohim Zoti ç’bën; në bëftë, e bën si më mirë!

Me shprehjen “Ç’të ketë në qiej e në tokë, janë (të gjitha) të Tij”, siguria dhe qetësia të pranishme në zemrën që beson, forcohen edhe më shumë. Allahu i Lartë këtu sikur i thotë robit: Pse ke frikë? A mos për ushqimin që mendon se nuk do ta sigurosh dot nesër, apo për ndonjë punë që mendon se nuk do ta kryesh dot nesër? Mos e nxirr nga mendja këtë që, ç’të ketë në qiej e në tokë, të gjitha janë të miat; kujt të dua ia jap, kujt të dua, ia marr prapë! Ti bëje atë që të bie sipër, pastaj ki besim te Unë, sepse Unë u jap pjesë edhe atyre që s’më besojnë, madje, kurse ti më beson dhe më bindesh!

Me deklaratën se “kush mund të ndërhyjë pranë tij pa lejen e Tij”, Allahu i Lartë (xh.xh.), duke na kujtuar se pranë Tij askush nuk do të mund të ndërhyjë mbi dikë tjetër pa lejen e Tij, thotë kështu: Mos ki frikë nga askush në këtë botë, sado që të jetë i fuqishëm! Askush nuk mund të të bëjë ndonjë të keqe pa lejen time dhe në kundërshtim me dëshirën time! Po qe se je përballur me ndonjë dhimbje dhe vështirësi, dije se ky është vlerësimi im për ty, prandaj ti mendo vetëm detyrën tënde dhe mos dysho për më tej!

Shprehja “Zoti i di të gjitha ç’janë para dhe pas robve (që i ka krijuar), u thotë robve besimtarë: Kurrë të mos pandehni se nuk e di se ç’ndodh dhe se gjëra planifikohen për ju! Unë i di të gjitha gjërat e tyre të hapura ose të fshehura. Të mos frikësoheni se mund të ndodhë diçka që të mos e marr vesh unë! Atëherë, nga se ke frikë ti, o robi im?

Shënimet

  1. 19.Shih. A'raf, 7/143.
  2. 20.Duke u shprehur si në vijim, Kur'ani bën të ditur se sytë nuk munden ta shohin Allahun: "Shikimet nuk mund ta shohin Atë, por Ai i sheh shikimet!" (En'am, 6/3)
  3. 21.Ihlas, 112/1-4.
  4. 22.ezeli.
  5. 23.Euuel, Ahir.
  6. 24.âdetullah. Përkthyesi.
  7. 25.Në origjinal: ‹lahî Kayyumiyet (ilahí kajjumijet), vetekzistencë hyjnore. Përkthyesi.
  8. 26.sunetullah (adetullah). Përkthyesi.
  9. 27.beka, permanencë, qëndrueshmëri. Përkthyesi.
  10. 28.halife: kalif, zëvendës, përfaqësues. Përkthyesi.
  11. 29.Në origjinal: she’n. Përkthyesi.
  12. 30.Në origjinal: veli, shenjtor, i urtë. Përkthyesi.
  13. 31.muhkemat, shprehje me kuptim të drejtpërdrejtë, jo figurativ (kund. muteshabihat, figuracion). Përkthyesi.
  14. 32.Shih. Al-i Imran, 3/29, Maide, 5/40.