JETA E SAHABËVE 2

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

SAHABËT JAPIN NGA PASURIA E TYRE NË RRUGËN E ALLAHUT

Si e dhanë, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe sahabët e tij pasurinë e tyre në rrugën e Allahut, vetëm e vetëm për të fituar pëlqimin dhe kënaqësinë e Tij (xh.sh)? Si u bë dhënia e gjithë pasurisë së tyre në rrugën e Allahut më e dashur edhe sesa shpenzimi i saj për ndonjë dëshirë të vetën? Megjithëse kishin shumë nevoja edhe vetë, si arritën ata të zgjidhnin dhe parapëlqenin të tjerët përpara vetes?

1. I DËRGUARI I ALLAHUT I NXIT SAHABËT E TIJ TË JAPIN PREJ PASURISË SË TYRE DHE SAHABËT I PËRGJIGJEN GJITHË DËSHIRË

I Dërguari i Allahu i nxit besimtarët të japin prej pasurisë së tyre në rrugën e Allahut

Tregon Xheriri (radijallahu anhu): “Në orët e para të agimit, tek i Dërguari i Allahut erdhi një grup njerëzish nga Mudari, të cilët ishin këmbëzbathur, të veshur me një copë mbi trup dhe me shpata të veshura në mill. I Dërguari i Allahut u prek jashtë mase kur pa se sa të varfër ishin ata njerëz, aq sa i ndryshoi fare edhe ngjyra në fytyrë. Hyri brenda, pastaj doli dhe i urdhëroi Bilalit që të këndonte ezanin.

Dhe Bilali atë bëri, këndoi ezanin dhe thirri ikametin. Profeti ynë u fali namazin besimtarëve dhe u drejtua nga njerëzit dhe filloi të këndojë këto ajete:

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 4/1) “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” (Hashr, 59/18)

Pastaj Profeti ynë tha:

“Kushdo, sipas mundësive që ka; dinarë, dërhemë, tesha, grurë, hurma, madje edhe gjysmë hurmash, të japë nga ato që ka për vete!” Një burrë nga Ensarët erdhi me një rrobë me para, ndërsa në dorën tjetër kishte hurmat, të cilat dukej që me zor i mbante. Pastaj, me radhë, erdhën edhe të tjerët të sillnin diçka nga të tyret. Ushqimet dhe veshjet që sollën ata formuan dy dengje të mëdha. Teksa shikonte se çfarë po bënin në moment sahabët, fytyra e të Dërguarit të Allahut shkëlqente nga gëzimi. Në fund, Profeti ynë i nderuar tha këto fjalë:

“Kushdo që hap një rrugë të re të të bërit mirë në Islam, jo vetëm që do të marrë shpërblimin e asaj që ka bërë e ka punuar vetë, por do të marrë edhe po aq shpërblime sa ç’do të marrin të gjithë ata që do të vazhdojnë ta bëjnë edhe në të ardhmen atë të mirë. Askujt nuk do t’i pakësohet asfare prej shpërblimit të merituar. Dhe, kushdo që hap një rrugë të re të të bërit keq në Islam, ta dijë se ai nuk do të marrë vetëm mëkatet e veta, por bashkë me to atij do t’i ngarkohen edhe të gjitha mëkatet e atyre që do ta përsërisin edhe në të ardhmen atë të keqe. Po ashtu askujt nuk do t’i pakësohet asnjë prej mëkateve që i ka shtyrë të tjerët në mëkatet e tyre.”

Interesimi i skajshëm i të Dërguarit Fisnik dhe i sahabëve të tij për të dhënë nga pasuria e tyre Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Tek i Dërguari i Allahut

(sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një burrë dhe diç i kërkoi që t’i jepte. Profeti ynë i tha atij:

“Nuk kam asgjë me vete se çfarë të të jap; por ti shko dhe kërkoji dikujt në emrin tim dhe unë do t’ia paguaj atij kur të kem.” Omeri (radijallahu anhu) nuk duroi dot dhe u hodh e tha:

“O Resulullah! Ti jep çdo gjë që ke me vete; askush nuk thotë dot të kundërtën për këtë dhe nuk i thua askujt që ‘nuk kam’. Mirëpo, Allahu ty nuk të ka ngarkuar me përgjegjësinë që të japësh edhe atë që nuk e ke!” Profetit tonë nuk i pëlqyen këto fjalë që dolën nga goja e Omerit (radijallahu anhu). Në atë çast njëri prej Ensarëve tha:

“Jep nga plaçka jote, o Resulullah! Mos u shqetëso, se Allahu i Madhërishëm nuk t’i pakëson mirësitë që Ai të ka falur!”

Profetit tonë i pëlqeu dhe e gëzoi shumë kjo fjalë e atij burri, ndaj duke buzëqeshur tha:

“Ja, me këtë më ka urdhëruar mua Allahu i Madhërishëm.”

I Dërguari i Allahut e urdhëron Bilalin (r.a.) që të ndajë nga e tija në rrugën e Allahut

Ibni Mesudi (radijallahu anhu) tregon se: “Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati ardhur te Bilali (radijallahu anhu). Aty, në shtëpinë e Bilalit, sytë i zunë një sasi të madhe hurmash.

“Ç’janë këto kështu, o Bilal?”, – e pyeti ai Bilalin. Bilali iu përgjigj duke i thënë:

“I mbaj gati, që të gostit mysafirët e tu, o i Dërguari i Allahut!” Atëherë, Profeti ynë iu drejtua atij me fjalët:

“Po ti, o Bilal, nuk ke frikë nga të përgatiturit e zjarrit të Xhehenemit për veten? Ndajua këto të tjerëve, o Bilal! Dhe mos ki frikë e mos u shqetëso se mos Allahu t’i pakëson ato!”

Një ngjarje që ka ndodhur mes Omerit (r.a.) dhe Aliut (r.a.), në kohën që mes myslimanëve po ndahej plaçka e luftës

E tregon Talha bin Ubejdullahu (radijallahu anhu): “Plaçkën e luftës e sollën tek Omeri (radijallahu anhu). Dhe ai ua ndau atë myslimanëve mes tyre. Mirëpo, një pjesë teproi, kështu që Omeri (radijallahu anhu) filloi të pyeste se çfarë do të bënte me atë që kishte tepruar. Ndërkaq, bashkësia e njerëzve që ishin të pranishëm i thanë atij:

“Po, përdore sipas nevojave që mund të dalin në vijim.” Aty ishte i pranishëm edhe Aliu (radijallahu anhu), mirëpo ai po qëndronte i heshtur, e nuk po e shprehte mendimin e tij. Omeri (radijallahu anhu) u kthye nga Aliu (radijallahu anhu) dhe i tha:

“O Ebu’l-Hasen! Po ti pse rri i heshtur e nuk flet asnjë fjalë?” Aliu (radijallahu anhu) iu përgjigj:

“Njerëzit e thanë atë që ishte për t’u thënë, ç’të them unë.” Mirëpo, Omeri (radijallahu anhu) e pyeti me këmbëngulje:

“Jo, duhet të flasësh edhe ti!” Sakaq, Aliu (radijallahu anhu) tha njëherë:

“Allahu i Madhërishëm na e ka shprehur fare mirë se si duhet të ndahet kjo plaçkë.”, – pastaj filloi të tregojë historinë e plaçkës dhe pasurisë që myslimanët kishin arritur të fitonin në Bahrejn.

“Nga Bahrejni pati ardhur plaçka e luftës, vetëm se ra muzgu dhe i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk e ndau dot gjithë atë plaçkë. Atë natë e kaloi të tërën në xhami, duke falur namaz. Në fytyrë i dallohej qartë që nuk ishte aspak i qetë, por, përkundrazi, ishte shumë i shqetësuar. Vetëm kur arriti që ta ndante të tërë atë plaçkë sikur i hyri pak qetësi në shpirt.”

Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) u kthye nga Aliu (radijallahu anhu) dhe i tha atij:

“Atëherë, këtë që ka mbetur duhet ta ndash ti medoemos, nuk ke aspak se nga t’ia mbash!”

Talhaja (radijallahu anhu) thotë se: “Aliu (radijallahu anhu) e ndau atë pjesë të mbetur të pandarë nga plaçka e luftës dhe mua më takuan tetëqind dërhemë.”

Një transmetim i Umu Selemes lidhur me dhënien nga ajo që është e jotja

Tregon vetë Umu Selemeja: “Tek unë pati ardhur i Dërguari i Allahut. Fytyrën e kishte tejet të zbehtë. U shqetësova mos i dhimbte ndonjë pjesë e trupit dhe i thashë:

“Çfarë keni, o Resulullah, keni ndonjë gjë, qenkeni shumë i zbehtë!”

“Jam shumë i shqetësuar për ata shtatë dinarët që na sollën mbrëmë. E kaluam natën pranë atyre parave, ndaj jam i brengosur.”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut.

Sipas një transmetimi tjetër, është ruajtur me kujdes se ai thotë:

“Na erdhën këto para, por ende nuk ia kemi dhënë ndokujt që është në nevojë.”

Një ngjarje e ndodhur mes Osmanit (r.a.) dhe dikujt tjetër

Tregon Hasan Basriu: “Dikush erdhi tek Osmani (radijallahu anhu) dhe na tha:

“O ju të pasur, ju po i rrëmbeni të gjitha shpërblimet e Allahut! U jepni lëmoshë njerëzve në nevojë, lironi skllevër, keni mundësi ta vizitoni Qaben sa herë që të dëshironi dhe prapë keni edhe për të dhënë nga pasuria juaj në rrugën e Allahut...” Osmani (radijallahu anhu) tha:

“Pra, ju na lakmoni, apo jo?”

“Po, ne ju shohim me lakmi ju, kjo është e vërtetë.”, – u përgjigj ai njeri. Atëherë, Osmani (radijallahu anhu) tha:

“Uallahi, një dërhem i dhënë nga një njeri i skamur, i cili jeton vetë në kushte të vështira është shumë herë më e mirë se sa dhjetëmijë dërhemë që i jep nga pasuria e vet një njeri shumë i kamur e që jeton në mes të gjithë të mirave!”

Një bisedë e Aliut (r.a.) me një lypës

Transmeton Ubejdullah bin Muhamedi: “Në derën e Prijësit të Besimtarëve, Aliut (radijallahu anhu) trokiti një lypës. Aliu (radijallahu anhu) i thirri menjëherë Hasanit a Husejnit, duke i thënë:

“Shko te mamaja, i pata lënë gjashtë dërhemë, kërkoja njërin prej tyre dhe eja me vrap!” Hasani a Husejni shkoi dhe u kthye menjëherë dhe i tha:

“Mamaja thotë se ato gjashtë dërhemë i ka ndarë veçantë për të blerë miell.” Atëherë, Aliu (radijallahu anhu) i dërgoi asaj fjalë se:

“Nëse një besimtari shpenzimi i diçkaje në rrugën e Allahut nuk i bëhet më e dashur sesa mbajtja e saj në dorën e tij, kjo do të thotë se besimi i tij është ende i mangët!”, – duke i kërkuar që t’ia dërgonte me djalin të gjashtë dërhemët. Një t’i dërguar Fatimja (radijallahu anha) ata gjashtë dërhemë, Aliu (radijallahu anhu) të gjitha sa ishin ia dha menjëherë të gjitha atij lypësi të varfër. Ende pa u larguar mirë që aty ai njeri nevojtar, aty erdhi një burrë që donte të shiste devenë e tij dhe Aliu (radijallahu anhu) e pyeti për çmimin, sa e shiste atë.

“Njëqind e dyzet dërhemë”, - iu përgjigj ai.

“Ma jep mua këtë deve dhe t’i jap më vonë paratë.”, – i tha Aliu (radijallahu anhu) atij. Nuk kaloi shumë dhe aty erdhi dikush tjetër dhe pyeti:

“E kujt është kjo deve?”

“E imja.”, – u përgjigj Aliu (radijallahu anhu).

“A nuk ma shet mua?”, – e pyeti ai.

“Po, ta shes.”, – ia priti Aliu (radijallahu anhu).

“Me sa e shet?”

“Dyqind dërhemë.”

Ai burrë e pranoi çmimin, i pagoi dyqind dërhemët dhe u largua. Aliu (radijallahu anhu) i dha njëqind e dyzet dërhemët njeriut, të cilit ia pati blerë devenë, ndërsa gjashtëdhjetë dërhemët e mbetur ia çoi Fatimes (radijallahu anha). Kur i pa dirhemët, ajo e pyeti Aliun (radijallahu anhu):

“Po këto ç’janë? Aty, Aliu i nderuar (radijallahu anhu) iu përgjigj shoqes së tij të jetës duke i kënduar një ajet nga Kur’ani Famëlartë, në të cilin thuhet: “Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish. Kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie.” (En’am,

6/160)

Bujaria e Aishes (r.a.) dhe motrës së saj Esmasë

Abdullah bin Zubejri (radijallahu anhu) tregon: “Aishja dhe motra e saj Esmaja (radijallahu anhuma) kanë qenë gratë më bujare që kam parë ndonjëherë. Bujaria e tyre ishte e ndryshme. Aishja (radijallahu anha) mblidhte pak e nga pak dhe kur bëheshin shumë, ua ndante ato të varfërve dhe njerëzve në nevojë. Kurse Esmaja nuk mendonte fare për të nesërmen, nuk linte asgjë për të, por e ndante menjëherë gjithçka me të tjerët që kishin nevojë.”

2. DHËNIA NË RRUGËN E ALLAHUT EDHE E GJËRAVE MË TË ÇMUARA E MË TË DASHURA

Një transmetim lidhur me Ibni Omerin, i cili liron shërbëtoren e tij

Tregon ibni Omeri: “Kur dëgjova ajetin: “Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni më së shumti. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë.” (Al ‘Imran, 3/92) - në mendje më erdhën një e nga një gjithë të mirat që më kishte falur Allahu: asgjë nuk m’u duk më e dashur se sa shërbëtorja me origjinë bizantine, Merxhaneja dhe thashë:

“Për hir të Allahut, Merxhaneja këtej e tutje është e lirë.”, – dhe e lirova. Po të ishte e drejtë që më vonë ta merrje prapë mbrapsht atë që e ke dhënë në rrugën e Allahut, do të isha martuar me atë shërbëtore.”

Ndërsa, në përcjelljen që i bën Hakimi kësaj ngjarjeje, gjendet edhe një e dhënë më shumë: “Ibni Omeri e martoi atë robinjë, të cilën e liroi, me Nafiun, madje ajo pati edhe fëmijë me Nafiun.”

Nafiu thotë: “Pashë Ibni Omerin. Kishte marrë fëmijën në krahë dhe po e puthte. ‘Sa shumë që i ngjan së ëmës!’, – thoshte.”

Një transmetim nga Nafiu në lidhje me bamirësinë e Ibni Omerit

Tregon Nafiu: “Ibni Omeri, çdo gjë që niste ta donte me tepri, e jepte menjëherë në rrugën e Allahut dhe për hir të Tij. Madje, njëherë, një prej skllevërve të tij, që e kishte kuptuar mirë gjendjen e Ibni Omerit, përveshi mëngët dhe filloi të falte namazin së bashku me xhematin. Kësisoj, Ibni Omeri, kur vërejti sjelljen e bukur të skllavit të tij, e liroi atë menjëherë. Shokët filluan t’i thoshin:

“Ebu Abdurrahman! Po të mashtrojnë skllevërit.” Mirëpo ai u përgjigjej gjithmonë: - “Ne gënjehemi me dëshirë, mjaft që dikush të na mashtrojë për hir të Allahut.”

Ebu Talhaja jep kopshtin e hurmave që e donte jashtëzakonisht shumë

Enesi (radijallahu anhu) na tregon: “Ebu Talhaja ishte një ndër ensarët që kishte më shumë kopshte hurmash nga të gjithë. Ndër ato kopshte, ai që donte më së shumti ishte ai i quajtur “Bejruha”. Ai kopsht gjendej mu përballë faltores dhe ndonjëherë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkonte atje dhe pinte prej ujit të tij. Kur u zbrit ajeti: “Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni më së shumti. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë.” (Al ‘Imran, 3/92) - Ebu Talhaja shkoi menjëherë pranë Profetit të profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:

“O Resulullah! Allahu i Madhërishëm na tha se ‘për sa kohë që nuk japim prej asaj që duam më së shumti, ne nuk e kemi arritur mirësinë e vërtetë.’ Nga e gjithë pasuria që kam ajo që dua më shumë është ‘Bejruhaja’. Ndaj, dua që ta jap atë për hir të Allahut. Dashtë Zoti e ma pranon këtë vepër e mbetet i kënaqur prej meje. O Resulullah! Merre atë kopsht dhe përdore aty ku do të të urdhërojë Allahu!” I Dërguari i Allahut e përgëzoi atë me fjalët:

“Ç’tregti fitimprurëse! Ç’tregti fitimprurëse!”

Në një transmetim tjetër, i Dërguari i Allahut i thotë kështu Ebu Talhasë:

“I dëgjova të gjitha sa më the. Unë jam i mendimit që ti t’ua ndash të afërmve të tu atë pasuri.” - Ebu Talhaja e dëgjoi dhe iu përgjigj:

“Në rregull, si të thuash ti, ashtu të bëhet.”, – dhe, sakaq, ua ndau atë kopsht hurmash kushërinjve dhe djemve të xhaxhallarëve të tij.

Ebu Dherri (r.a.) jep devenë e tij më të dashur

Këtë ndodhi e tregon vetë Ebu Dherri (radijallahu anhu): “Në një pasuri janë gjithmonë tre ortakë: i pari, është kaderi. Kaderi; nuk i dihet, ti vdes ose ajo shkon dëm, dhe nuk të pyet ty, nëse do të shkojë për mirë apo do të shkojë për keq puna e asaj pasurie. Me një fjalë, ti nuk e di, nëse ajo pasuri do të të sjellë mirë, apo do të të sjellë keq. Ortaku i dytë janë trashëgimtarët e tu. Ai/ata që janë trashëgimtarë të pasurisë sate, mezi presin që ti të vdesësh dhe pasurinë ta gëzojnë ata. Nëse ke mundësi dhe ke ende fuqi, ti mos u bëj i treti, që është më i dobët se dy të parët, sepse Zoti na thotë: “Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni më së shumti.” (Al ‘Imran, 3/92). Shiko, ajo deveja atje ishte gjëja më e dashur që kam, ndaj unë po e jap atë menjëherë në rrugën e

Allahut.”

3. KUR NDAN DHE JEP NGA E VETA EDHE VETË NEVOJTARI

Lidhja e fortë e Abdurrahman bin Aufit me të dhënët në rrugën e Allahut

Tregojnë Ebu Selemeja me Ebu Hurejren: “I Dërguari i Allahut tha: ‘Jepni lëmoshë në rrugën e Allahut, sepse unë do të dërgoj ushtrinë në luftë.’ Abdurrahman bin Aufi, një të dëgjuar fjalët e të Dërguarit të Allahut, erdhi menjëherë dhe i tha:

“O Resulullah, unë kam këto katërmijë dërhemë. Dymijë po i jap për hir të Allahut; kurse dymijtë e tjera po i lë për familjen dhe fëmijët.”

“Zoti u dhëntë begati, si atyre që dhe, si atyre që nuk i dhe dot e i mbajte.”, – u lut Profeti ynë për të.

Në të gdhirë të asaj dite, erdhi një burrë nga ensarët dhe atë natë kishte fituar dy kilogramë hurma. I tha të Dërguarit të Allahut:

“O Resulullah, unë punova dhe në këmbim të punës sime fitova këta dy kilogramë hurma. Një do t’ia jap Zotit, tjetrin po e ndaj për familjen dhe fëmijët.” Hipokritët dëgjuan për të dhe zunë ta vinin në lojë:

“Deshi të dukej edhe ky, duke bërë njësoj si Ibni Aufi.” Ndërsa, sipas një transmetimi tjetër, idhujtarët thanë:

“Sikur kanë nevojë, Allahu dhe i Dërguari i Tij, për atë një kile hurmat e tij!” Fill pas kësaj, Allahu i Madhërishëm foli nëpërmjet ajetit: “Sa për ata (hipokritë) që përqeshin besimtarët që japin lëmoshë me vullnet dhe tallen me ata që nuk janë në gjendje të japin gjë përveç (fryteve të) punës së tyre, Allahu do të tallet me ta. Ata do të kenë dënim të dhembshëm.” (Teube, 9/79)

Ensarët si shembull i sakrificës

Tregon Ebu Hurejreja: “Tek i Dërguari i Allahut erdhi një mysliman dhe i tha:

“O Resulullah, jam i varfër dhe kam mbetur shumë ngushtë.” Profeti ynë u dërgoi fjalë menjëherë grave të tij, që t’i jepnin atij njeriu diçka. Njëra prej tyre i tha:

“I betohem Zotit që të dërgoi ty me fenë e së vërtetës, se përveç ujit nuk kemi asgjë tjetër!” Resulullahu i dërgoi fjalë një tjetre nga gratë e tij, por edhe prej saj erdhi po e njëjta përgjigje.

Kur e pa se si ishte gjendja, Profeti i profetëve tha:

“Kush mund ta presë mik në shtëpinë e tij këtë njeri, që Allahu ta falë atë që e pret?” U ngrit një nga ensarët dhe tha:

“E pres unë, o Resulullah!”, - dhe e mori atë njeri në shtëpinë e tij dhe kur mbërritën në shtëpi, ai i tha së shoqes:

“Çfarë ka për të ngrënë, moj grua?” E shoqja i tha se kishte mbetur ushqim vetëm sa për fëmijët. Atëherë ai i tha asaj:

“Ti merrua fëmijëve mendjen me ndonjë gjë, derisa t’i zërë gjumi. Dhe, kur të ulemi për të ngrënë me mikun, fike kandilin, që ai të pandehë se po hamë edhe ne bashkë me të.”

U ulën dhe miku i hëngri të gjitha çfarë i vunë përpara, mirëpo, atë natë të zotët e shtëpisë e kaluan duke u përpëlitur nga uria. Me të zbardhur dita, ai mikpritës i rrallë shkoi te Profeti ynë. Me ta parë atë, i Dërguari i Allahut e pyeti atë:

- “Allahu mbeti shumë i kënaqur dhe i pëlqeu shumë e mira që ju bëtë duke e pritur atë mik në shtëpinë tuaj.” Madje, për këtë ndodhi, u zbrit edhe ajeti:

“Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndiejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashr, 59/9)

4. DHËNIA BORXH PËR HIR TË KËNAQËSISË SË ALLAHUT

Ebu’d-Dahdahu e jep kopshtin e tij në këmbim të një kopshti në Xhenet

E tregon Enesi (radijallahu anhu): “Njëherë tek i Dërguari i Allahut erdhi një burrë dhe i tha atij:

“O Resulullah! Filani ka një kopsht hurmash. Unë dua që të ndërtoj një shtëpi në atë vend. Sikur t’i thuash të zotit të atij kopshti, që të më lejojë mua të ngre një shtëpi atje.” I Dërguari i Allahut i tha të zotit të kopshtit:

“Jepja këtij njeriu kopshtin tënd të hurmave në këmbim të një kopshti me hurma në Xhenet.” Mirëpo, i zoti i pronës nuk deshi ta jepte atë kopsht. Ebu’d-Dahdahu erdhi dhe i tha atij njeriu:

“Ma shit mua atë tokë, në këmbim të njërës prej shtëpive të mia!” Atëherë ai pranoi. Ebu’d-Dahdahu erdhi te Profeti ynë (paqja qoftë mbi të) dhe i tha:

“O Resulullah, atë tokë e bleva unë duke dhënë njërën nga shtëpitë e mia. Tani unë po ta dorëzoj atë ty, që t’ia japësh atij myslimanit që ta pati kërkuar.” Profeti ynë e dëgjoi atë dhe tha:

“Sa madhështore po më duket ajo shtëpi e Ebu’d-Dahdahut në Xhenet!”

E përsëriti disa herë me radhë këtë fjali. Ebu’d-Dahdahu u kthye tek e shoqja dhe i tha:

“O Ummu’d-Dahdah! Dil nga shtëpia, se këtë shtëpi unë e shita në këmbim të një kopshti hurmash në Xhenet.”

“Kjo po që është tregti me fitim.”, – iu përgjigj e shoqja.”

5. DHËNIA NË RRUGËN E ALLAHUT PËR PËRHAPJEN E ISLAMIT

Historia e një burri

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) do të ta jepte, çfarëdo që të ishte që do t’ia kërkoje në emër të lartësimit e të përhapjes së Islamit. Një ditë, tek i Dërguari i Allahut erdhi dikush e i kërkoi që t’i jepte diçka dhe ai na urdhëroi t’i jepnim atij njeriu një prej tufave të dhenve. Ai burrë e mori tufën e tij dhe u kthye pranë pjesëtarëve të fisit dhe u tha:

“O njerëzit e mi, eja bëhuni edhe ju myslimanë; sepse Muhamedi u jep aq shumë atyre që bëhen myslimanë, saqë duket sikur nuk ka fare frikë se mund të varfërohet një ditë!” Madje, në një tjetër transmetim thuhet edhe kjo:

“Edhe nëse dikush bëhej mysliman sa për të fituar ndonjë gjë nga kjo botë, vinte dita që për të feja bëhej më e dashur edhe se e gjithë bota me tërë ç’ka në të.”

Transmetimi i Zejd bin Thabitit

Tregon Zejd bin Thabiti: “Tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një fshatar arab dhe i kërkoi që ai t’i jepte ndonjë tokë në luginë. Profeti ynë i dha atij njeriu pikërisht atë tokë që ai i kërkoi. Ai burrë u bë mysliman dhe kur shkoi pranë fisit të tij, u kishte thënë të gjithëve:

“Bëhuni myslimanë. Unë tani po vij nga një njeri që jep pa u shqetësuar dhe pa pasur frikë se mos varfërohet!”

6. DHËNIA PËR LUFTËN NË RRUGËN E ALLAHUT

Ebu Bekri (r.a.) jep një pjesë të pasurisë gjatë mërgimit të myslimanëve

E tregon vetë e bija e Ebu Bekrit (radijallahu anhu), Esmaja: “Babai im, Ebu Bekri, kur do të mërgonin, bashkë me të Dërguarin Fisnik, nga Meka në Medinë, mori me vete edhe pesë a gjashtëmijë dërhemë që kishte. Pasi iu vunë rrugës së mërgimit, te ne erdhi gjyshi, Ebu Kuhafeja. Ai nuk shihte, ishte i verbër.

“Uallahi, ky Ebu Bekri e mori me vete gjithë pasurinë, ju la në vështirësi edhe ju.”, – tha Ebu Kuhafeja. Unë e kundërshtova:

“Jo, o gjysh, babai neve na la një pasuri shumë të madhe.” Pak më vonë, mora një grusht gurë dhe i mbulova me një copë rrobe dhe mora dorën e gjyshit dhe e vura mbi atë rrobë dhe i thashë:

“Shiko, o gjysh, këto janë paratë që na la babai.” Gjyshi më duket se u bind dhe tha:

“Ah, në rregull, nëse ju paska lënë, atëherë në rregull!” E vërteta është se, kur iku, Ebu Bekri (radijallahu anhu) neve nuk na la asgjë. Atë veprim unë e bëra vetëm si e si ta qetësoja gjyshin, i cili ishte tejet i moshuar.”

Kur jepte Osmani (r.a.)

Abdurrahman bin Habab es-Selemi tregon: “Profeti ynë u foli njerëzve dhe u bëri atyre thirrje që të ndihmonin ‘Xhejshu’l-usren’, që do të nisej drejt Tebukut.

“Unë do të jap njëqind deve me të gjitha pajimet e luftës.”, – u hodh dhe tha Osmani (radijallahu anhu). I Dërguari i Allahut zbriti një shkallë nga minberi dhe u bëri sërish njerëzve thirrje, që të ndihmonin. Osmani (radijallahu anhu) përsëri tha:

Unë do të jap edhe njëqind deve të tjera me të gjitha pajimet e luftës.” E pashë; Profeti ynë i gëzuar tej mase zgjati dorën dhe tha:

“Tani e tutje çfarëdo që të bëjë Osmani, ato nuk e dëmtojnë dot më atë.”

Dhe këto fjalë i përsëriti plot tri herë.”

Kur jepte Abdurrahman bin Aufi

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Aishja (radijallahu anha), gjendej në shtëpinë e saj në Medinë, kur dëgjoi një zhurmë. Pyeti:

“Ç’është kjo zhurmë?” I thanë:

“Është zhurma e karvanit që ka sjellë Abdurrahman bin Aufi nga Siria, e që është i mbushur plot e përplot me gjithë të mirat. Ai karvan përbëhej nga shtatëqind deve. Aq shumë ishte ngarkuar ai karvan, saqë dukej sikur Medinën po e lëkundte tërmeti.”

“Nga i Dërguari i Allahut kam dëgjuar të thotë: “E pashë Abdurrahman bin Aufin teksa hynte në Xhenet duke u zvarritur.” Kur i shkuan në vesh Abdurrahman bin Aufit këto fjalë të Aishes (radijallahu anha), ai tha:

“Po ia dola, unë do të hyj në këmbë në Xhenet.”, – dhe e fali në rrugën e Allahut tërë atë karvan me shtatëqind deve.

Bujaria e Zejneb binti Xhahshit dhe dhënia e saj në rrugën e Allahut

Tregon Aishja (radijallahu anha): “Profeti ynë i nderuar na tha kështu: “Tek unë do të vijë e para ajo që ka dorën më të gjatë.” – Pas ndarjes nga jeta e Profetit tonë, bashkëshortet e tij filluan të matnin krahët me njëra-tjetrën, se cila “i kishte më të gjatë krahët”. Më bujarja nga ne ishte Zejnebi. I kishte duart të arta dhe ç’nuk bënte me to, dhe ato punë artizanale që bënte ajo ua falte menjëherë të tjerëve.”

Ndërsa, sipas një tjetër përcjelljeje, Aishja (radijallahu anha) tregon: “I zgjatnim duart në mur dhe i krahasonim, kush i kishte krahët më të gjatë. Këtë vazhduam ta bëjmë deri kur vdiq Zejnebi. Zejnebi ishte e shkurtër, nuk ishte më e gjata. Në fund e patëm kuptuar; i Dërguari i Allahut me gjatësinë e dorës kishte dashur të thoshte që është më bujarja e që jep më shumë në rrugën e Allahut. Zejnebi ishte shumë e aftë: bënte enë lëkure, i qepte dhe ua falte njerëzve si sadaka në rrugën e Allahut.”

7. DHËNIA TË SKAMURVE, TË VARFËRVE DHE NEVOJTARËVE

Historia e Omerit (r.a) me një grua të ve

Tregon Eslemi: “Unë dola në pazar bashkë me Omerin (radijallahu anhu). Një grua e re na u afrua dhe i tha Omerit (radijallahu anhu):

“O Prijësi i Besimtarëve! Më ka vdekur burri dhe fëmijët m’i ka lënë fare të vegjël. Më duhet mua t’u siguroj për të ngrënë, pasi ata janë ende shumë të vegjël në moshë. Nuk kemi as të mbjella, as gjedhë. Jam shumë e shqetësuar, se mos më vdesin nga uria. Unë jam e bija e Hafaf bin Ejma el-Gifarit. Babai im ka qenë bashkë me Profetin tonë të dashur në Hudejbije.”

Për një çast Omeri (radijallahu anhu) ngeli si i ngrirë para asaj gruaje. Mblodhi njëherë veten, dhe pastaj i tha:

“Përshëndetje, e mirë se ke ardhur; po ne qenkemi kushërinj me njëri-tjetrin.” Pastaj shkoi pranë një deveje që gjendej e lidhur aty pranë. I ngarkoi asaj dy thasë plot me ushqime, veshje, etj., dhe ia dorëzoi frerët e saj asaj gruaje, duke i thënë:

“Merre këtë deve dhe kur të mbarohen këto që të kam ngarkuar mbi të, mos u mërzit, Allahu ka për t’ju dhënë të mira më të mëdha.”

Një nga ata që ishte bashkë me Omerin (radijallahu anhu) e pyeti atë:

“O Prijësi i Besimtarëve, mos nuk i dhatë pak si shumë kësaj gruaje?”, – ndërsa, Omeri (radijallahu anhu) ia priti atij me fjalët:

“Zoti të dhëntë edhe ty të mira. A e di ti se babai i saj ka qenë bashkë me Profetin tonë të Dashur në Hudejbije. I Betohem Allahut, i ati i kësaj gruaje dhe i vëllai e patën rrethuar për një kohë shumë të gjatë një kështjellë, derisa ngadhënjyen mbi të dhe ne patëm ndarë mes nesh plaçkën e shumtë që gjetëm brenda saj.”

Ibni Omeri ishte dhënë pas dhurimit në rrugën e Allahut

E rrëfen Nafiu: “Ibni Omeri (radijallahu anhu) ishte i sëmurë. Bleva një vesh rrush për një dërhem dhe ia vura përpara, që ta hante. Në atë çast aty erdhi një i varfër. Ibni Omeri tha:

“Jepjani këtij njeriu atë rrush.” I varfri e mori rrushin dhe iku. Atij të varfri i doli dikush përpara, i cili ia bleu atë po për një dërhem dhe ia sollën prapë Ibni Omerit. Pasi u përsërit disa herë kjo situatë, unë nuk durova dot më dhe u ktheva nga ai njeri i varfër:

“Nuk të vjen turp, mor njeri!”, – i thashë.

I bleva edhe njëherë për një dërhem dhe ia çova Ibni Omerit; gjersa, më në fund, e mori dhe e hëngri atë vesh rrushi.”

Kur jepte Aishja (r.a.)

Imam Maliku tregon se: “Një ditë, e shoqja e Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ishte duke agjëruar, kur aty erdhi një i varfër që i kërkoi t’i jepte ndonjë gjë. Në shtëpinë e Aishes

(radijallahu anha) nuk kishte asgjë, përveç një copë buke. I thirri

shërbyeses dhe i tha:

“Jepja atë bukën që është aty.”

“Po ju nuk keni asgjë me çfarë të çelni iftarin në darkë pastaj.”, – iu përgjigj ajo, mirëpo Aishja (radijallahu anha) këmbënguli:

“Jepja, jepja këtij njeriu atë bukë.”

Kur e rrëfen shërbyesja këtë histori, ajo tregon:

“Ashtu bëra, siç më kërkoi Aishja (radijallahu anha), dhe ia dhashë atij të varfri atë copë buke. Në të rënë të muzgut, dikush na dërgoi një dele të pjekur dhe një copë buke taze. Aishja (radijallahu anhu) më thirri dhe më tha:

“Eja, ha edhe ti! Me siguri kjo është më e mirë se ajo buka jote (që nuk deshe ta jepje)!”25

T’ua japësh lëmoshën të varfërve vetë në dorë

Amr el-Lejthij tregon: “Ishim tek Uathile bin el-Eska. Atje erdhi një i varfër. Uathileja mori një copë bukë, nxori edhe ca para dhe ia dha atij nevojtari me dorën e vet. I thashë:

“O Ebu’l-Eska! Nuk kishe asnjë njeri në familje, që të shkonte ta ndihmonte atë të varfër, po u ngrite dhe ia çove vetë?” Ja se si m’u përgjigj:

“Kam, po e di si është puna: ai që merr diçka dhe shkon vetë t’ia çojë të varfrit atë që ka për t’i dhënë, për çdo hap që hedh i fshihet nga një mëkat. Dhe kur ia jep atë gjë në dorë, për çdo hap atij i fshihen dhjetë gabime.”26

8. T’U JAPËSH ATYRE QË DALIN PËR TË LYPUR

Historia e të Dërguarit të Allahut me një beduin

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) hyri një ditë në xhami. Të veshur kishte një petk të thurur trashë tek anët, dukej që ishte punim nga ai i Nexhranit. Nga

25. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 3/260 (3482).

26 6/890 (17024).

pas i vinte një beduin, i cili e arriti dhe e kapi Profetin tonë të nderuar nga rroba dhe e tërhoqi drejt vetes. Duhet ta ketë tërhequr shumë fort, sepse Profetit tonë i mbeti shenjë në qafë. Mandej, beduini i tha atij:

“O Muhamed! Na jep edhe neve nga ajo që të ka dhënë Allahu.” Profeti ynë u kthye nga beduini, i buzëqeshi dhe tha:

“Jepini këtij njeriu çfarë të dojë ai.”

Një rrëfim tjetër, po për këtë ndodhi

Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Mëngjeseve, pas namazit, ne rrinim një copë kohë bashkë me të Dërguarin e Allahut. Kur Resulullahu donte të futej në dhomën e tij, ne çoheshim dhe pritnim derisa të hynte ai në dhomë. Një mëngjes ai sapo po bëhej gati të hynte në dhomë, kur aty u shfaq një beduin.

“O Muhamed, më jep mua dy deve, se ato deve nuk janë as të tuat, as të babait tënd!”, – tha ai dhe e tërhoqi Profetin tonë për rrobe. Aq shumë e tërhoqi atë rrobë, saqë në qafën e të Dërguarit të Allahut ngeli një shenjë e kuqe. Profeti ynë, për të na qetësuar edhe ne, që u bëmë si të tërbuar, foli i pari dhe tha:

“Jo, mos e prekni. Lus Allahun të më falë. Pa ta kthyer edhe unë me të njëjtën monedhë këtë tërheqje nuk të jap asnjë deve.” Dhe e përsëriti tri herë këtë fjali dhe pas pak na tha:

“Jepini dy deve këtij njeriu; njërën ngarkojeni me elb, kurse tjetrën me hurma.”

9. LËMOSHA DHE TË DHËNËT VULLNETARISHT

Historitë e Ebu Bekrit dhe Omerit

Hasan Basriu tregon: “Një ditë, Ebu Bekr Besniku (radijallahu anhu) shkoi te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që t’i jepte atij fshehtazi lëmoshën që kishte për të dhënë dhe i tha:

“O Resulullah! Kjo është sadakaja ime; më vonë do të jap prapë.

I kam dhënë fjalën Allahut që do të jap prapë.” Mandej, erdhi Omeri (radijallahu anhu), i cili e dha haptazi sadakanë që kishte për të dhënë, dhe tha:

“O Resulullah! Kjo është sadakaja ime, shpërblimin mua nuk mund të ma japë vetëm se Allahu.”

I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“O Omer! Deshe t’ia kaloje Ebu Bekrit, po nuk ia dole dot. Dalloni në lëmoshën e dhënë, ashtu siç dallojnë edhe fjalët që më thatë!”29

Një hadith nga Asakiri lidhur me këtë ndodhi

Tregon Beshir el-Eslemiu: “Në kohën që në Medinë erdhën myslimanët muhaxhirë, ditët e para ata e patën të vështirë të mësoheshin me ujin e Medinës. Një nga bijtë e Gifarit kishte një burim të vetin të ujit, të cilin e quanin ‘Rume’. Ky njeri e shiste ujin në këmbim të një çmimi të caktuar dhe me të e siguronte jetesën. Një ditë, i Dërguari i Allahut i tha atij:

“Ma shit mua këtë burim në këmbim të një burimi më të madh në Xhenet.” Ndërsa ai iu përgjigj:

“O Resulullah, po unë me këtë burim e mbaj familjen, prandaj e kam të pamundur që të ta shes.” Një të dëgjuar Osmani (radijallahu anhu) se çfarë kishte ndodhur dhe ia bleu atë burim dhe erdhi drejt e te Profeti ynë i nderuar dhe i tha:

“O Resulullah! Po nëse e blej unë atë burim, a do të ma premtosh edhe mua atë burim në Xhenet, të cilin ia premtove edhe atij njeriu?” - “Po, patjetër që po!”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut.

“Epo mirë, se unë e bleva atë, o Resulullah, dhe tani dua ta fal, që nga ai ujë të përfitojnë të tërë vëllezërit e mi myslimanë.”, – tha ai.30

Pasioni i Talha bin Ubejdullahut për të dhënë lëmoshë

E tregon vetë e shoqja e Talhasë (radijallahu anhuma), Su’daja: “Një ditë, Talhaja kishte shpërndarë njëqindmijë dërhemë lëmoshë dhe nuk

29. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/132.

30 13/34 (36183).

pati shkuar dot në xhami, që ta falte namazin bashkë me besimtarët, ngase unë u vonova ca duke i arnuar rrobën që do të vishte.”

Pasioni i Selman Farisiut për të dhënë lëmoshë

Numan bin Humejdi tregon: “Bashkë me dajën tim shkuam për vizitë te Selman Farisiu, i cili, asokohe, ishte vali në Medain. Po thurte shportë me gjethe hurmash. Unë e dëgjova atë të thoshte:

“Gjethet e hurmave i blej për një dërhem, pastaj i shndërroj në shporta dhe i shes me nga tre dërhemë secila. Me një dërhem blej prapë gjethe, një dërhem e shpenzoj për të mbajtur familjen, kurse një tjetër e jap lëmoshë. Sikur të mos ma kish ndaluar Omeri (radijallahu anhu), këtë punë do të kisha vazhduar ta bëja përgjithmonë.”

10. T’U JAPËSH NJERËZVE PËR TË NGRËNË PËR HIR TË ALLAHUT

I Dërguari i Allahut gostit Xhabirin

E tregon vetë Xhabiri (radijallahu anhu): “Isha ulur në shtëpi. Kur aty erdhi Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe më thirri. Më kapi nga dora dhe më çoi në dhomën e njërës prej grave të tij. I pari hyri vetë dhe kur më dha leje edhe mua të hyja, hyra edhe unë dhe u ula në një qoshe që ishte ndarë me një si perde. Profeti ynë i nderuar pyeti:

“Ka ndonjë gjë për të ngrënë?” Nga brenda u përgjigjën:

“Ka.” – dhe na sollën tri bukë të mbushura dhe na i shtruan në një sofër. Njërën prej tyre e vuri përpara vetes, ndërsa tjetrën i Dërguari i Allahut ma vuri mua përpara. Kurse të tretën e ndau në mes dhe njërën ma dha mua, ndërsa tjetrën e vuri përpara vetes. Pastaj ai u foli edhe njëherë atyre që ishin brenda: - “Ka ndonjë gjë për t’ia hedhur sipër?” - “Ka pak uthull.”, – iu përgjigjën.

“Silleni, silleni, uthulla është e mirë për ta shoqëruar ushqimin.”33

Një hadith i përcjellë nga Xhabiri (r.a.) për uthullën

Abduluahid bin Ejmeni na përcjell nga i ati: “Te Xhabiri (radijallahu anhu) kishin ardhur mysafirë. Ai u nxori miqve edhe uthull, që ta shoqëronin ushqimin me të.

“Urdhëroni, hani. Unë e kam dëgjuar vetë të Dërguarin Fisnik kur ka thënë:

“Uthulla është shumë e mirë për të shoqëruar ushqimin! Ashtu siç nuk është aspak e hijshme dhe e mirë që miqtë ta nënvlerësojnë ushqimin e gostitur, po aq e shëmtuar dhe e keqe është që i zoti i shtëpisë të përbuzë ushqimet, me të cilat gostit miqtë e tij!”34

Kur Ebu Bekri u shtronte gosti miqve të tij

E tregon Abdurrahman bin Ebu Bekri: “Ishte mbrëmje dhe te ne kishin ardhur miq. Babai doli jashtë të fliste me të Dërguarin e Allahut dhe u drejtua nga unë dhe më porositi:

“O Ebu Abdurrahman, qerasi miqtë!” Kur erdhi darka, ne shtruam sofrën, mirëpo miqtë nuk hëngrën.

“Ne nuk fusim asnjë kafshatë në gojë pa ardhur i zoti i shtëpisë.”

“Babai është pak nevrik dhe është shumë i kujdesshëm në këto gjëra; do të mërzitet shumë, nëse ju nuk hani.”, – u thashë por ata këmbëngulën, që nuk do të hanin pa ardhur babai.

Më në fund, erdhi babai. Pa që asnjëri nuk kishte nisur të hante.

“A i ngopët miqtë?”, – na pyeti.

“Jo!”, - akoma i thamë ne të shtëpisë.

“Po unë, a nuk e porosita Abdurrahmanin para se të dilja?”, – tha ai.

Kur e dëgjova të thoshte këto fjalë, u largova që aty. Babai filloi të thërriste:

33. Muslim, Sahih, 3/1622 (2052).

34 9/480 (25983).

“Ebu Abdurrahman!” Nuk i shkova pranë.

“More i pagdhendur! Të betohem: nëse më dëgjon, ku je, hajde këtu menjëherë!..”

Në fund, nuk kisha ç’të bëja, kështu që shkova dhe i tregova se si qëndronte puna:

“Uallahi,”, – i thashë, – “unë nuk kam faj. Ja ku janë miqtë, pyeti edhe ata po deshe. Unë ua shtrova ushqimet, mirëpo ata thanë se nuk do të hanin pa ardhur ti.”

Kësaj here, babai iu kthye miqve:

“Po pse nuk pranoni që ta hani ushqimin që ju është gostitur? Uallahi, sonte as unë nuk do të fus asnjë kafshatë në gojë!”

“Uallahi, as ne nuk hamë po nuk hëngre ti.”, – u përgjigjën mysafirët.

“Nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë natë më të keqe se kjo. T’ju vijë turp, pse nuk e hani ushqimin që ju është shtruar përpara?

Abdurrahmani thotë se: “Babai më vonë tha kështu:

“Betimi i parë më shpëtoi nga goja, më shtyu shejtani, kështu që sillmani ushqimin!” Ia çuam ushqimin, babai tha:

“Bismil’lah” dhe filloi të hajë; bashkë me të hëngrën edhe miqtë.

Në të aguar, babai u nis drejt e për tek i Dërguari i Allahut. Ai na tha:

“O Resulullah! Ata e mbajtën fjalën, kurse unë e prisha betimin.”

“Jo, jo, ti je më i mirë dhe më i mbarë se ata.”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut.

Nuk kam dëgjuar nga ndokush që babai të ketë paguar shpagim për atë betim të prishur.”

Ftesa e Omerit (r.a.) për të ngrënë

Eslemi tregon: “Unë i thashë Omerit (radijallahu anhu):

“Në vendin e quajtur Dhahr ka një deve të verbër.”

“Çojuani Familjes së Bekuar, ta përdorin ata.”, – tha Omeri (radijallahu anhu).

“Po ajo deve është e verbër!”, – i thashë unë.

“Atëherë vëreni pranë deveve të tjera, që janë të shëndetshme.”, – tha atëherë Omeri (radijallahu anhu).

“Po po e vumë atje, si do të kullotë ajo?”, – e pyeta unë.

“Kjo deve, për të cilën po flisni, është nga kafshët e ardhura nga xhizja, apo është nga devetë e zekatit?”, – pyeti ai.

“Nga ato që kanë ardhur nga xhizja.”, – i thashë unë.

“Me sa po kuptoj unë, atëherë, ju e doni për vete atë deve të verbër, doni ta therni, ta piqni e ta hani vetë!”

“Sipër ka vulën e deveve të ardhura nga kafshët e mbledhura si xhizje.”, – thashë unë.

Omeri (radijallahu anhu) urdhëroi t’ia sillnin aty atë deve. E sollën dhe e therëm. Tek Omeri (radijallahu anhu) gjendeshin nëntë enë, të cilat ai i përdorte për t’i mbushur me fruta dhe ushqime të mira e të rralla dhe ua dërgonte grave të të Dërguarit të Allahut. Mirëpo, duke qenë se pjesën e së bijës, Hafsasë, e vinte të fundit, asaj qëllonte që t’i dërgonte gjithmonë më pak. Edhe atë ditë, ai i mbushi enët nga mishi i asaj deveje dhe ua dërgoi bashkëshorteve të Profetit tonë. Ndërkaq, pjesën e mbetur urdhëroi të piqej dhe në gosti ftoi muhaxhirët dhe ensarët.”

Po të mos kishte miq, Abdullah bin Omeri (r.a.) nuk ulej kurrë për të ngrënë

Muhamed bin Kajsi tregon: “Abdullah bin Omeri nuk ulej në sofër, po të mos kishte të varfër e nevojtarë që të uleshin e të hanin bashkë me të. Kur hante drekë ose darkë, ai thërriste edhe jetimët dhe hante bashkë me ta. Një drekë, e kishte marrë uria dhe donte të hante. I dërgoi fjalë një jetimi, mirëpo nuk e gjetën. Kur mbaroi së ngrëni, aty erdhi ai jetim. Abdullah bin Omeri ia dha atij shurupin që kishte në dorë dhe i tha:

“Merre këtë, jam i sigurt që ka për të të pëlqyer shumë.” Ai e mori dhe e piu të gjithin gjithë kënaqësi.

Një transmetim i Mejmun bin Mihranit po për këtë çështje

Mejmun bin Mihrani tregon: “I thanë bashkëshortes së Ibni Omerit:

“Nuk po e mban mirë burrin!”, – sikur donin ta qortonin, duke shtuar:

“Pse nuk kujdesesh më shumë për këtë burrë të moshuar?”

“Po çfarë t’i bëj unë atij, sa herë që ia bëj gati ushqimin dhe ia shtroj sofrën, ai do të ftojë edhe të tjerë!”, – u ankua e shoqja.

Pas kësaj ngjarje, e shoqja e Ibni Omerit, me ta parë të shoqin që dilte nga xhamia, filloi t’ua dërgonte vetë ushqimin të varfërve që qëndronin të ulur rrugëve, duke u ngopur barkun. Ata i porositi:

“Po ju thirri Ibni Omeri, të mos vijë asnjëri.”

Kur Ibni Omeri doli nga xhamia dhe erdhi në shtëpi, u tha:

“Thirrini në shtëpi aksh e aksh njeri!” Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk erdhi, ashtu siç i pati porositur e shoqja e Ibni Omerit. Paskëtaj, Ibni Omeri tha:

“Me sa shoh doni që të mos ha fare sonte.”, – dhe kështu bëri, vërtet, atë natë nuk futi asgjë në gojë.

Gostitë e Abdullah bin Amr bin Asit

Sulejman bin Rabia tregon: “Në kohën që në krye të shtetit islam ishte Muauija, unë pata shkuar në haxh bashkë me Muntesir bin Harithin dhe një grup hafëzësh. Ata më kërkuan mua, që të mos iknim pa u takuar me ndonjë sahab, që të na tregonte ndonjë hadith nga i Dërguari i Allahut. Unë fillova të kërkoja, se cilin nga sahabët mund të gjenim dhe sakaq, më njoftuan se asokohe në një luginë të Mekës banonte Abdullah bin Amr bin el-Asi. U nisëm, që të shkonim e të takoheshim me të. Gjatë rrugës përballë na doli një karvan i madh me treqind deve, dyqind prej të cilave të ngarkuara, kurse njëqind si kafshë rruge. I pyetëm ata që e shoqëronin atë karvan, se i kujt ishte ai karvan. Ata na thanë se ishte i Abdullah bin Amrit.

“Pse, ai i ka të gjitha këto deve?”, – pyetëm ne, sepse ne e patëm njohur atë për thjeshtësinë që e dallonte. Ata na thanë:

“Këto njëqind deve janë për vëllezërit e tij. Kurse dyqind të tjerat janë për mysafirët e tij.” U habitëm shumë.

“Nuk ka përse të habiteni, Abdullah bin Amri është shumë i pasur dhe mendon se gostitja e miqve është një detyrë.”, – na thanë ata.

“Po mirë, a nuk na çoni edhe ne tek ai?”, – pyetëm ne.

“Tani ai është në Xhaminë e Shenjtë.”, – na thanë. E kërkuam, e kërkuam, gjersa e gjetëm të ulur diku pas Qabes. Ishte një trupvogël, me sytë të skleposur; kishte veshur dy veshje dhe në kokë mbante një çallmë. Këmishë nuk kishte veshur. Kurse sandalet i kishte hedhur në supin e majtë.”

Sa’d bin Ubadeja e fton të Dërguarin e Allahut të hanë bashkë

E tregon Enesi (radijallahu anhu): “Sa’d bin Ubadeja e ftoi të Dërguarin Fisnik të hanin bashkë. Për të ngrënë i nxori hurma dhe bukë. Profeti ynë i hëngri ato. Pastaj i solli edhe një gotë me qumësht, e piu dhe qumështin dhe u lut kështu:

“Lus Zotin, që bukën t’jua hanë përherë njerëz të mirë. Ata që agjërojnë, në shtëpinë tuaj e paçin iftarin. E le të luten engjëjt për ju, e t’i përgjërohen Allahut që Ai t’ju falë.”

Pritja e mysafirëve që vinin në Medinën e bukur

E tregon Seleme bin Ekuaja (radijallahu anh): “Pasi u fali namazin xhematit të besimtarëve, i Dërguari i Allahut u kthye dhe na tha:

“Le të marrë secili aq mysafirë sa ka edhe ushqim në shtëpi!” Dhe secili nga sahabët, sipas mundësive, filloi të merrte nga një ose nga dy mysafirë. Nëse mbetej ndonjë që nuk e kishte marrë njeri, ata i mirëpriste vetë

Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).”

I Dërguari i Allahut fton sahabët e Sufes

E tregon Ebu Hurejreja: “I Dërguari i Allahut erdhi një ditë tek unë dhe më foli:

“O Ebu Hurejre!”

“Urdhëroni, o i Dërguari i Allahut!”, – i thashë unë.

“Shko te sahabët e Sufes dhe thirri ata të vijnë këtu.”, – më tha.

Sahabët e Sufes ishin mysafirët e myslimanëve. Ata nuk kishin as familje, as plaçkë e pasuri. I Dërguari i Allahut, kur qëllonte që dikush t’i dorëzonte ndonjë lëmoshë, ai ua dërgonte atë menjëherë atyre pa marrë vetë asgjë. Edhe nëse vinte ndonjë gjë si dhuratë, atyre ua dërgonte; nganjëherë qëllonte edhe që ta mbante një pjesë të dhuratës për vete. Ai edhe dhuratat i ndante gjithmonë me të tjerët.”

Një hadith i lidhur me këtë çështje që e transmeton Ibni Kajsi

Tuhfe bin Kajsi tregon: “Një ditë, i Dërguari ynë Fisnik u tha sahabëve të tij, që të merrnin secili sa të mundte prej sahabëve të Sufes dhe t’i gostitnin në shtëpitë e tyre. Kështu, ata filluan të merrnin secili nga një ose nga dy syresh. Kishin mbetur edhe pesë vetë që nuk i kishte marrë njeri, e njëri prej tyre isha edhe unë. I Dërguari i Allahut na tha neve:

“Ju ejani me mua!”, – dhe na çoi në shtëpinë e Aishes (radijallahu anha). Aishes (radijallahu anha) i tha:

“O Aishe! Na sill ndonjë gjë për të ngrënë.” Nëna jonë Aishja na solli për të ngrënë një ushqim të bërë me mish e me miell, të cilit i thoshin “xheshishe”. Pasi e hëngrëm atë, na solli edhe një ëmbëlsirë hurmash, së cilës i thoshin “hajse”; e hëngrëm edhe atë. Mandej, Profeti ynë i tha asaj:

“O Aishe, na sill edhe ndonjë gjë për të pirë!” Aishja (radijallahu anha) na nxori një enë të vogël me qumësht dhe ne e pimë edhe qumështin.

Profeti ynë tha:

“Po deshët, sot të rrini këtu tek unë; ose, po të doni, mund të shkoni të qëndroni edhe në xhami.”

“Të shkojmë më mirë në xhami.”, – i thamë ne dhe u çuam e shkuam u shtrimë në xhami. Mua më kish zënë gjumi përmbys, kur dikush erdhi e më ngacmoi me këmbë dhe dëgjova që më tha:

“A nuk e di se fjetja me kokë poshtë thërret ndëshkimin e Allahut!” Kur, ç’të shihja, përpara meje ishte në këmbë i Dërguari i Allahut!”

Gosti për ata që do të bëhen rishtazi myslimanë

E tregon Xhehxhah el-Gifari: “Unë erdha në Medinë bashkë me një grup njerëzish që donin të bëheshin myslimanë. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut po u falte besimtarëve namazin e akshamit. Kur mbaroi së faluri namazin, ai u kthye nga sahabët e tij dhe u tha:

“Çdokush të marrë në shtëpi shokun që ka pranë vetes!” Në xhami mbetëm vetëm unë dhe i Dërguari i Allahut. Meqenëse unë isha paksa i mbushur e trupmadh, askush nuk i hodhi sytë nga unë. Derisa, në fund, mua më mori në shtëpinë e tij i Dërguari i Allahut. Moli një dhi për mua dhe e piva atë qumësht. Pastaj më nxorën përpara një enë të vogël me ushqim, e hëngra edhe atë. Atë natë piva qumështin e tërëtërë shtatë dhive. Umu Ejmeni filloi të ankohej:

“Allahu e lëntë të uritur atë që e la të uritur të Dërguarin e Allahut sonte.”

“Po rri, o Umu Ejmen! Ai hëngri atë që i kish caktuar Allahu të hante, e nuk ka dyshim se Allahu do të na e japë edhe neve atë që na takon.”

Në të aguar, të gjithë nisën t’i tregonin shoku-shokut se si e kishin gostitur bujtësit ku kishte qenë në darkë. Unë u tregova atyre se kisha pirë qumështin e shtatë dhive dhe se kisha ngrënë plot një tenxhere me gjellë të mirë.

Ditën tjetër, ishim sërish në namazin e akshamit, të cilin po na e falte i Dërguari i Allahut. Po ashtu si një natë më parë, i Dërguari i Allahut tha që ‘gjithkush të merrte në shtëpi atë që kishte pranë vetes.’ Prapë nuk doli njeri që të më merrte mua. Ndoshta ngase unë isha trupmadh e i mbushur, andaj nuk më pati ftuar askush. Po njësoj, mua më mori në shtëpinë e tij i Dërguari i Allahut dhe moli një dhi e më dha ta pija qumështin. E piva dhe u ngopa. Umu Ejmeni e pyeti të Dërguarin e Allahut:

“Kush është ky, o Resulullah, ai miku i djeshëm është, apo jo?”

“Po!”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut dhe tha: “Ai sonte hëngri si besimtar, kurse dje pati ngrënë si mohues. Ai që është mohues ha derisa t’i mbushen shtatë zorrë; kurse njeriu që beson ha vetëm sa për të mbushur zorrën

e tij.”

Kur shtrohet gosti për sahabët e Sufes gjatë Ramazanit

E tregon Uathile bin en-Eskaja: “Teksa qëndronim mes sahabëve të Sufes, filluam edhe ne të agjëronim gjatë muajit të Ramazanit. Në kohën e iftarit, erdhi një nga ata që kishin lidhur besë me të Dërguarin e Allahut (ishin nga ata që kishin marrë pjesë në besëlidhjen e Akabesë ose të Riduanit), të na çonte në shtëpinë e tij për të na shtruar iftar. Një mbrëmje, edhe pse erdhi koha e iftarit e kaloi madje, tek ne nuk erdhi askush të na çonte ndokund për të ngrënë. Atë natë e zbardhëm pa futur asgjë në gojë. Kur as në mbrëmjen tjetër nuk erdhi askush që të na ftonte, ne shkuam tek i Dërguari i Allahut t’i tregonim se si i kishim kaluar ato ditë. Ai u dërgoi fjalë secilës prej bashkëshorteve të tij, për t’i pyetur nëse kishte për të ngrënë apo jo. Të gjitha iu betuan se në shtëpitë e tyre nuk kishte mbetur asgjë. Pas kësaj, Profeti ynë kërkoi të mblidheshin të gjithë dhe u lut kështu:

“O Zot, të kërkoj prej mirësisë dhe mëshirës Sate. Ti e ke në dorë t’i japësh kujt të duash nga mirësia dhe mëshira Jote, sepse askush tjetër nuk e ka në dorë dhe nuk ka se si ta ketë.”

Nuk kish përfunduar ende së u luturi, kur ia behu dikush që kërkonte leje të hynte, sepse kishte prurë një qengj të pjekur dhe bukë të bardhë. I Dërguari i Allahut kërkoi të na shtrohej përpara ai ushqim dhe ne hëngrëm të gjithë gjersa u ngopëm mirë. Pas ushqimit, Profeti ynë u lut kështu:

“Ne i kërkuam Allahut të na jepte prej mëshirës dhe mirësisë së Tij. Ja; e këtillë është mirësia e Tij. Kurse mëshirën Ai e ka ruajtur për në jetën e përtejme.”

Edhe në kohët më të vështira, Omeri (r.a.) i shtronte gosti kujtdo që vinte nga rrethinat

Eslemi tregon: “Në kohën e kalifatit të Omerit (radijallahu anhu), kur ndodhi që të ishte thatësirë dhe kohë e keqe, njerëzit e rrethinave erdhën në Medinë. Omeri (radijallahu anhu) ngarkoi disa njerëz që të gjenin ushqim dhe ndonjë gjë për ta shoqëruar për mysafirët. Në mbrëmje, të gjithë ata po jepnin llogari përpara Omerit (radijallahu anhu). Një natë, teksa po shtrohej ushqimi, Omeri (radijallahu anhu) u dha urdhër njerëzve të tij, që t’i numëronin ata që po hanin. U numëruan dhe i thanë se bëheshin shtatëmijë vetë. Kësaj here Omeri (radijallahu anhu) u tha atyre:

“Numëroni edhe ato familje që nuk kanë ardhur dot, të sëmurët, jetimët, numërojini edhe ata!” U numëruan edhe ata dhe në fund i thanë se ishin dyzetmijë vetë gjithsej. Për disa net ne i ndoqëm me sy ata që vinin e iknin. Njerëzit sa vinin e shtoheshin. Omeri (radijallahu anhu) kërkoi të numëroheshin sërish. Kësaj here ata që po hanin ishin dhjetëmijë, kurse ata që nuk kishin ardhur dot aty bëheshin pesëdhjetëmijë vetë. Nuk kaloi shumë kohë dhe filluan të binin shira. Kur ra shi, Omeri (radijallahu anhu) e dërgoi secilin prej njerëzve të tij që të shkonin nëpër zona të ndryshme të Medinës. Ai u urdhëroi atyre që të çonin ushqime dhe ç’do gjë që ishte e nevojshme për ata që kishin qenë mysafirët e Medinës në ato ditë të vështira, si dhe që t’i ndihmonin të rivendoseshin në banesat e tyre. Omeri (radijallahu anhu) e ndiqte vetë nga afër këtë çështje. Kishte edhe nga ata që kishin vdekur gjatë kthimit. Ma merr mendja se dy të tretat patën vdekur.

Punëtorët mbanin në krahë kazanë të mëdhenj, në të cilët ziente ushqimi dhe gatuanin nga mëngjesi deri në mbrëmje. Me atë ushqim ushqeheshin të sëmurët. Bënin një ushqim që përgatitej duke përzierë miellin me vaj të trashë. Omeri (radijallahu anhu) u kishte urdhëruar që të hidhej vaj i trashë, si dhe i kishte porositur që ta skuqnin mirë atë vaj, që t’i ikte hidhësira. Nga ana tjetër priteshin bukë njëra pas tjetrës, të cilat mbusheshin me këtë gjellë me miell dhe vaj. Në atë vit të thatësirës së madhe, Omeri (radijallahu anhu) nuk arriti të hante ndonjë ditë në shtëpi apo me ndonjërin nga familjarët e tij. Atë e gjeje gjithmonë në mes të njerëzve dhe bashkë me ta hante.”

Omeri (r.a.) e mbante vetë mbi shpinë ushqimin që do t’u çonte jetimëve

Eslemi tregon: “Omeri (radijallahu anhu), një natë, teksa po shëtiste nëpër qytet, në një shtëpi dëgjoi një grua të rrethuar nga fëmijët që qanin. Pa njëherë, në zjarr ishte vënë një tenxhere, të cilën ajo grua e kishte mbushur me ujë. Omeri (radijallahu anhu) u afrua mirë te dera e shtëpisë dhe e pyeti:

“O robëreshë e Allahut! Çfarë kanë fëmijët që qajnë?” - “Qajnë nga uria!”, – tha ajo.

“Po mirë, po në atë tenxhere që është mbi zjarr çfarë ka?”, – pyeti Omeri (radijallahu anhu).

“Në tenxhere ka vetëm ujë. Orvatem t’u marr mendjen; mbase i zë gjumi duke menduar se po gatuhet diçka dhe do të hanë.”, – u përgjigj ajo.

Kjo gjendje e bëri Omerin (radijallahu anhu) t’i mbusheshin sytë me lot. U çua dhe shkoi menjëherë në hambarin ku mbahej zekati. Mori një thes të madh me miell, vaj, hurma, veshje dhe para. Kur thesi u mbush mirë, ai u kthye nga unë dhe më tha:

“Eslem, ma hidh pak në shpinë këtë thes!”

“Ç’është ajo fjalë, lëre se e mbaj unë, o Prijësi i Besimtarëve!”, – i thashë unë, por ai ma ktheu:

“Jo, Eslem, jo, do ta mbaj unë, sepse, në jetën e përtejme, jam unë ai që do të japë llogari që ata janë në këtë gjendje!”, – dhe, sakaq, e mori thesin në shpinë dhe u nis drejt asaj shtëpie. Mbërriti atje, hodhi pak miell, vaj dhe hurma në tenxhere, e, ndërsa nga njëra anë përziente tenxheren, nga ana tjetër i frynte zjarrit që të mos shuhej. Fytyra iu mbulua krejtësisht nga tymi e hiri, derisa e përgatiti ushqimin. U ul edhe vetë afër fëmijëve. Në atë kohë ngurrova e nuk i thashë dot asgjë Omerit (radijallahu anhu). Fëmijët u ngopën dhe filluan të luajnë e të gëzojnë me njëri-tjetrin, ndërsa ai nuk u çua, por i ndiqte me sy. Pastaj, u çua, u kthye nga unë dhe më pyeti:

“O Eslem, a e di pse u ula edhe unë me ta?” - “Jo!”, – i thashë unë.

“Po unë i gjeta ata duke qarë. Nuk guxoja të largohesha dot pa i parë njëherë edhe duke qeshur e në hare!”, – më tha.

11. KUR I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ SHPËRNDANIN USHQIM

Një transmetim i Enesit (r.a.) lidhur me këtë

E rrëfen Enesi (radijallahu anhu): “Ukejdiri, sundimtari i Dumetu’lXhendelit, i kishte nisur të Dërguarit të Allahut si dhuratë një enë balte të mbushur plot me hallvë. Profeti ynë, në kthim e sipër nga namazi u takua edhe me një grup njerëzish. U dha edhe atyre nga pak hallvë. Xhabirit, megjithëse i kishte dhënë njëherë, i dha edhe njëherë.

“Mua më dhe, o Resulullah!”, – i tha Xhabiri.

“Kjo është për motrat e tua, o Xhabir.”, – ia ktheu ai.”

Profeti ynë i ndante hurmat me sahabët e tij

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u shpërndau sahabëve të tij hurma. I dha secilit nga shtatë hurma. Edhe mua shtatë kokrra më dha. Njëra ishte pa farë dhe ishte e vogël. Mirëpo, ajo më pati pëlqyer më shumë nga të gjitha; se ishte nga ato që përtypen lehtë.”

12. TË VESHURIT E TË VARFËRVE DHE NEVOJTARËVE

Qëndrimi i Omerit (r.a.) kur shpërndanin veshje

Tregon Xhafer bin Muhamedi, transmetuar prej të atit, se: “Omerit (radijallahu anhu) i kishin ardhur veshje nga Jemeni. Ua vishte njerëzve dhe ata gëzoheshin jashtë mase. Omeri (radijallahu anhu) qëndronte i ulur diku midis varrit të bekuar të të Dërguarit të Allahut dhe minberit; njerëzit vinin, i jepnin selam dhe luteshin për të. Në atë kohë, nga shtëpia sapo kishin ardhur edhe Hasani me Husejnin, për të zënë radhët e para në xhami. Omeri (radijallahu anhu) ishte shumë i mërzitur, që nuk u kishte dhënë dot edhe atyre nga ato veshjet që kishin ardhur nga Jemeni.

“Uallahi, jam shumë i mërzitur, që nuk ju dhashë dot edhe juve.”, – u tha atyre.

“O Prijësi i Besimtarëve, ti bëre atë që është më e mira, veshe njerëzit!”, – u përgjigjën ata.

“Po nuk i vesha dot edhe Hasanin me Husejnin, se o u vinin më të mëdha, o u vinin më të vogla.”, – u thoshte të gjithëve.

Më vonë, i shkroi valiut të Jemenit, që të nisnin menjëherë edhe dy palë rroba për Hasanin dhe Husejnin. Dhe ai ia përmbushi menjëherë urdhrin kalifit të të Dërguarit të Allahut. Omeri (radijallahu anhu) i mori dhe ua dha teshat e reja Hasanit dhe Husejnit.”

Shpërblimi për atë që vesh jetimin

Ibni Abasi tregon: “Tek unë erdhi një njeri i varfër dhe më kërkoi që t’i jepja ndonjë gjë. Dhe unë i thashë:

“A dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij?”

“Po!”, – m’u përgjigj ai.

“Po Ramazanin a e agjëron?”, – e pyeta unë sërish.

“Po!”, – m’u përgjigj ai njeri.

“Ti më kërkove të të jap diçka dhe ne e kemi për detyrë që t’u japim njerëzve e t’ua përmbushim atyre nevojat që kanë.”, – dhe sakaq i dhashë një veshje. Mandej, atij njeriu i përcolla edhe një hadith, të cilin e kisha dëgjuar vetë nga i Dërguari i Allahut: “Kushdo që vesh një mysliman është nën ruajtjen dhe mbrojtjen e posaçme të Allahut për sa kohë që ai e mban në trup atë veshje.”

13. SI JEPTE PROFETI YNË NË RRUGËN E ALLAHUT?

Abdullah el-Heuzeni tregon: “Me muezinin e Profetit tonë, Bilalin, u njoha në Halep.

“O Bilal! A nuk më tregon, si u jepte i Dërguari i Allahut njerëzve, si sillej me ta kur u jepte diçka e në ç’mënyrë ua jepte ato që kishte për t’u dhënë?”, – e pyeta.

“Ai (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), qëkurse u shpall profet, e derisa shkoi në jetën e përtejme, detyrën e shpërndarjes së gjërave që u jepte njerëzve ma ka dhënë mua. Sa herë që tek ai do të vinte ndonjë mysliman, Profeti ynë, nëse e kuptonte se ai njeri ishte me të vërtetë i varfër, atëherë më urdhëronte mua që t’i jepja diçka. Unë gjeja borxh te ndokush dhe i blija atij njeriu për të veshur e për të ngrënë. Një ditë, tek unë erdhi një idhujtar dhe më tha:

“O Bilal! Unë jam i pasur; i kam të gjitha të mirat. Këtej e tutje mos shko më tek askush të kërkosh borxh; eja më kërko mua sa të duash dhe do të të jap.”

Kështu, edhe unë fillova të merrja tek ai borxh. Një ditë, sapo kisha marrë abdes dhe po bëhesha gati për të kënduar ezanin, kur ç’të shoh, nga përtej ishte duke ardhur ai idhujtar bashkë me një grup tregtarësh. Më thirri, me të më parë: “O abisinas!”

“Ç’ka ndodhur, pse më thërret?”, – e pyeta unë.

Ai e vrenjti fytyrën, më hodhi një shikim të ashpër dhe më shau:

“A e di se edhe sa ditë kanë mbetur deri në hënën e re?” - “Shumë pak.”, – iu përgjigja unë.

“Vetëm katër net kanë mbetur. Pas katër ditësh do të vij tek ti, që të më kthesh borxhet. Unë ato para nuk t’i dhashë për qejfin tënd apo të atij të madhit tënd (e kishte fjalën për të Dërguarin e Allahut). T’i dhashë, që ti të bëheshe skllavi im. Njësoj si në të shkuarën, që të vazhdosh të m’i kullotësh ti dhentë!”, – më tha ai njeri.

U mërzita shumë kur i dëgjova ato fjalë. Dola të eci, shkova dhe thirra ezanin. Falëm edhe namazin e jacisë, e pastaj u ktheva te familja e të Dërguarit të Allahut. Kërkova leje për t’u takuar me të. Më tha të hyja. Hyra dhe i tregova:

“O Resulullah! T’u bëfshin kurban nëna dhe babai im! Ai njeriu që i kam kërkuar borxh vazhdimisht, erdhi sot e më tha kështu e kështu. Unë e di, tani as ti, as unë nuk kemi mundësi që ta kthejmë atë borxh. Po këtij njeriu i ka hipur në kokë, që të më poshtërojë përpara njerëzve. Më lejo, të iki e të strehohem në ndonjë nga këto fiset që janë bërë rishtazi myslimane. Të qëndroj atje, derisa Allahu t’i dërgojë diçka të Dërguarit të Tij dhe t’ia paguajmë të gjitha sa i detyrohemi atij idhujtari.”

I kërkova Resulullahut leje të largohesha dhe u ktheva në shtëpi. Shpatën, syngjinë, heshtën dhe këpucët i vura te koka. U shtriva dhe kokën e mbajta në anën nga mund të shihja jashtë. Isha i shqetësuar, më kishte kapluar njëfarë sikleti; më doli shumë herë gjumi atë natë dhe vetëm aty pasi kaloi mesnata m’u mbyllën sytë. Dhe, një t’u shfaqur drita e parë e mëngjesit, u zgjova. Sapo u bëra gati të largohesha, nga jashtë dëgjova dikë të më thërriste:

“Bilal! Eja, se të kërkon Resulullahu!” Dola. Kur mbërrita te porta e të Dërguarit të Allahut, ç’të shoh, në këmbë ishin katër deve të ngarkuara plot e përplot! Kërkova leje dhe hyra brenda.

“Bilal! Lajm i mirë për ty! Allahu na dërgoi plaçkë, që ta paguajmë atë borxh!”, – më tha Profeti ynë. Lëvdova Allahun.

“Nuk i pe ato katër deve që ishin përpara shtëpisë?”, – më pyeti ai.

“I pashë!”, – iu gjegja unë.

“Ja, pra, ato katër deve me gjithë ç’kanë përsipër janë të tuat. I ka dërguar sulltani i Fedekut. Merri dhe shpjerja atij njeriu, e mbylli të gjitha borxhet me të.”, – më tha i Dërguari i Allahut.

Dhe unë ashtu bëra, siç më porositi Resulullahu. I zbrita barrët dhe u dhashë deveve për të ngrënë. Më vonë, shkova të thërrisja ezanin e sabahut. Pasi Profeti na fali namazin, unë dola andej nga varreza e Përjetshme, i vura duart në vesh dhe thirra me sa të kisha në kokë:

“Le të vijë këtu, kushdo që i ka hua Resulullahu!”

Atë ditë, herë duke shitur plaçkat kundrejt vlerës në para e herë duke paguar borxhin me to, arrita t’i paguaja të gjitha borxhet që kishte Profeti ynë i nderuar. Më në fund, në rruzullin tokësor nuk mbeti më asnjeri që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) t’i kishte hua. Jo vetëm kaq, por pasi i pagova të gjitha borxhet, mbetën edhe ca para. Pashë njëherë, Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte ulur te hyrja e faltores. E përshëndeta. Ai më tha:

“Hë, si shkoi, çfarë bëre?”

“Allahu i pagoi të tëra borxhet e Profetit të Tij; nuk ka mbetur më asnjë detyrim ndaj askujt.”, – i thashë unë.

“Po mirë, ka tepruar gjë?”, – më pyeti ai.

“Po, kanë tepruar edhe dy dinarë.”

“Mirë, atëherë, më shpëto edhe nga ata dy dinarë. Jepi edhe ata, që të më bjerë koka në paqe, përndryshe nuk do të shkoj tek asnjeri prej familjarëve të mi!”, – më tha i Dërguari i Allahut.

Atë ditë aty nuk gjeta askënd, që t’ia jepja ato dy dinarë dhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e kaloi natën në xhami; edhe ditën e dytë, po në xhami fjeti. Më në fund, aty në të rënë të muzgut të ditës së tretë, aty erdhën dy kalorës. I mora ata dhe i çova në pazar dhe me ata dy dinarë i vesha me rroba të reja dhe u dhashë për të ngrënë.

Pasi na fali namazin e jacisë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më thirri mua, për të më pyetur:

“Çfarë u bë me ato që kishe me vete?”

“Ua dhashë të gjitha atyre që u takonin.”, – i thashë unë.

Me të marrë lajmin, i Dërguari Fisnik tha:

“Allahu Ekber.” Lëvdoi Allahun, që e kishte shpëtuar nga rreziku se mos vdiste duke i pasur ai ata dy dinarë. Mandej u ngrit. Pas tij dola edhe unë dhe e ndoqa nga pas. Shkoi me radhë tek të gjitha gratë e tij dhe u dha selam. Mandej, u kthye tek e shoqja ku do të kalonte atë natë.

Ja, more Abdullah, kështu qëndron ajo punë për të cilën më pyete!”

14. KUJDESI I VEÇANTË NË NDARJEN E ZEKATIT, SADAKASË DHE PLAÇKËS SË LUFTËS

Kujdesi i veçantë që tregonte Profeti ynë kur do të ndante diçka

E tregon vetë nëna jonë Umu Selemeja (radijallahu anha): “Unë i di të gjitha çfarë iu soll të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), deri kur erdhi ora dhe ai iku nga kjo jetë. Njëherë, dikush pati ardhur në mes të natës dhe i pati sjellë një trastë me tetëqind dërhemë. Atë natë i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) do të qëndronte tek unë, kështu që e nisi për tek unë atë trastë me para. Vetë erdhi pasi falën namazin e jacisë dhe u tërhoq në qoshen e dhomës ku edhe falte namaz. Kurse unë isha bërë gati dhe po e prisja. E zgjati shumë namazin. Pastaj, doli jashtë, hyri prapë brenda dhe në këtë gjendje vazhdoi deri në namazin e sabahut. Fali namazin e sabahut dhe u kthye e më pyeti:

“Ku është ajo trastë që erdhi mbrëmë e nuk më la të qetë deri në mëngjes?” E sollën trastën aty. Resulullahu i shpërndau për në vendet e nevojshme të gjitha ato para.

“O Resulullah! Ti bëre diçka që nuk e ke bërë kurrë deri më tani, pse?”, – e pyeta unë.

“Edhe në namaz më vinte në mendje. Kthehesha dhe e shihja, pastaj filloja të falja sërish namaz.”, – m’u përgjigj ai.”

I Dërguari i Allahut shpërndan tetëdhjetëmijë dërhemët që i dërgoi Ala bin el-Hadramiu

Ebu Musa el-Esh’ari tregon: “Ala bin el-Hadrami i dërgoi nga Bahrejni të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) plot tetëdhjetëmijë dërhemë. Asnjëherë më parë nuk kishte dërguar ndokush një shumë kaq të madhe parash. I Dërguari Fisnik urdhëroi që paratë të zbrazeshin të gjitha mbi një rrogoz. Në atë kohë u thirr ezani. Falëm namazin dhe pasi u falëm, ai erdhi dhe u ul përpara parave. Erdhën edhe sahabët. Meqenëse në atë kohë nuk përdorej edhe aq shumë peshorja, i Dërguari i Allahut i shpërndau ato duke i dhënë me grushte. Ndërkaq, aty erdhi edhe Abasi (radijallahu anhu), i cili tha:

“O i Dërguari i Allahut, në luftën e Bedrit, unë pata dhënë edhe shpagimin tim, edhe shpagimin për vëllanë tim, Akilin. Më jep edhe mua tani nga këto para.”

“Merr!”, – iu përgjigj Profeti ynë.

Abasi hoqi këmishën që kishte veshur dhe i hodhi në të paratë që mori. U përpoq ta ngrinte, por ishte e pamundur, nuk po e ngrinte që nuk po e ngrinte dot. Ktheu kokën nga i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:

“O Resulallah, a nuk më ndihmon sa ta hedh mbi shpinë?” Profeti ynë i dashur buzëqeshi sa iu dukën edhe dhëmbët rruazë, duke i thënë:

“Lër pak, o Abas, merr aq sa mund të ngresh.” Dhe Abasi ashtu bëri, i hoqi një pjesë të parave dhe pastaj e ngriti rrobën dhe u largua. Teksa po ikte, Abasi (radijallahu anhu) filloi të thoshte me vete:

“U përmbush edhe një nga premtimet e Allahut. Po tjetri nuk e di a do të ndodhë. Premtimi tjetër ishte ky ajet: “O Profet! Thuaju robërve që gjenden në duart tuaja: ‘Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka edhe më të mirë nga ajo që ju është marrë dhe do t’ju falë.’ Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Enfal, 8/70)

Këto para janë shumë herë më të mira sesa ato që dhashë unë më parë. Të shohim, po faljen dhe mëshirën e Allahut a do ta fitoj dot?” Ndjeshmëria e Ebu Bekrit (r.a.)

Ismail bin Muhamedi tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) kishte ndarë ushqimet dhe paratë që ishin në gjendje në mënyrë të drejtë. Megjithatë, Omeri (radijallahu anhu) e pyeti atë:

“O kalifi i të Dërguarit të Allahut, pse i mban të barabartë me të tjerët sahabët e Bedrit?” Dhe, Ebu Bekri (radijallahu anhu) iu përgjigj kështu:

“Kjo botë është vetëm një mjet, që do të na çojë ne në qëllimin tonë; një shkak. Dhe nuk ka shkak më të mirë sesa ai i rrugës së mesme. Ndërsa, për sa u përket sahabëve të Bedrit, fitimi i vërtetë për ta janë shpërblimet që do të marrin në jetën e amshuar. Domethënë, jo se është gjë e keqe, përkundrazi është mbarësi, që t’i trajtojmë të gjithë të barabartë në sigurimin e jetesës së kësaj bote.”, – u përgjigj

Ebu Bekri (radijallahu anhu).”

Ndjeshmëria e Omerit (r.a.)

Nashize bin Sumej el-Jezeniu tregon: “Omerin (radijallahu anhu) e dëgjova kur mbajti fjalimin e mirënjohur të Xhabijes; ja se çfarë thoshte:

“Allahu i Madhërishëm më ka caktuar mua si roje të kësaj plaçke dhe ma ka lënë mua barrën për ta ndarë atë me drejtësi. Megjithatë, ndarësi i vërtetë i saj është Allahu (duke pasur parasysh se kriteri i ndarjes së plaçkës ishte i përcaktuar në Kur’anin Famëlartë). Këtë punë unë kam menduar t’ia nis nga familja e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe ata që qëndrojnë më lart se të tjerët për nga pozita shoqërore që kanë.”

Omeri (radijallahu anhu), kur i ndau paratë, grave të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem u dha nga dhjetëmijë secilës. Ndërsa Xhuejries, Safijes dhe Mejmunes nuk u dha aq sa u dha të tjerave. Por kur Aishja (radijallahu anha) kundërshtoi, duke thënë: “I Dërguari i Allahut na trajtonte të gjithave njësoj.”, Omeri (radijallahu anhu) u dha edhe atyre të njëjtën shumë. Mandej, Omeri (radijallahu anhu) vazhdoi të thoshte:

“Ndërsa tani do t’u jap atyre që mërguan të parët, sepse ne u përzumë nga atdheu ynë, të vënë përballë padrejtësive dhe armiqësisë më të ashpër që mund të tregohet ndaj një njeriu. Mandej do t’u jap myslimanëve të tjerë, më poshtë, duke pasur parasysh pozitat e tyre në shoqëri.” Ai u dha nga pesëmijë atyre mërgimtarëve që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit, katërmijë Ensarëve dhe nga tremijë atyre që kishin marrë pjesë në luftën e Uhudit. Ai u tha se: “Ata që kanë mërguar të parët do të marrin në fillim, kurse ata që mërguan më vonë, do të marrin më pas. Të mos më gjykojë askush pse po veproj kështu. Ndoshta është më mirë të gjykojnë sadopak veten, që iu bashkuan më vonë se të tjerët karvanit të muhaxhirëve...”

Përgjigjja e Omerit (r.a.) ndaj kundërshtimit të djalit të tij Abdullahut

Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) e pati kundërshtuar kësisoj babanë e tij:

“Baba, Usame bin Zejdit i dhe katërmijë, kurse mua vetëm tremijë. Mirëpo, ai dhe babai i tij nuk qëndrojnë më lart sesa ne në virtyte.” Omeri (radijallahu anhu) i dha këtë përgjigje të birit:

“I Dërguari i Allahut e donte babanë e tij më shumë seç donte babanë tënd. Kurse Usamen e donte më shumë sesa ty.”

Përgjigjja e Omerit (r.a.) ndaj të afërmve të tij, të cilët donin që ai të tregonte përparësi ndaj tyre

E tregon Eslemi: “Bijtë e Adijit erdhën tek Omeri i nderuar (radijallahu anh) dhe i thanë kështu:

“Ti je kalifi i të Dërguarit të Allahut, ashtu siç edhe i Ebu Bekrit, sepse kalifi i të Dërguarit të Allahut ishte Ebu Bekri. Kjo është e vërteta. A nuk bën që t’i shkruash edhe ti të tjerët në radhë, ashtu siç e kanë radhën, sipas postit që kanë?” Omeri (radijallahu anhu) u nervozua dhe tha:

“Më shikoni mua, ju bijtë e Adijit! Çfarë doni ju, t’ia hidhni paq e të jetoni më mirë sesa të tjerët, duke përfituar nga unë, dhe që unë t’i zhbëj tërë të mirat e mia duke përmbushur interesat tuaja? Jo, nuk mund ta bëj kurrsesi atë që më kërkoni ju të bëj. Ju nuk jeni më të mirë në sytë e mi, edhe sikur në fund të radhës t’ju kenë shkruar. Nuk ka dyshim, se kur t’ju vijë radha, edhe ju do të merrni atë që ju takon. Edhe mua më duhet të ndjek të njëjtën rrugë që ndoqën edhe ata të dy që qenë në këtë pozitë përpara meje, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe Ebu Bekri (radijallahu anhu). Nëse unë shkel amanetin e tyre dhe veproj ndryshe nga ata, atëherë edhe mua nuk do të mbetet më asnjë njeri që nuk do të më kundërshtojë. Uallahi, ne në shkallët e tij, të Krenarisë së Njerëzimit, si në këtë botë, ashtu edhe në jetën e përtejme, nuk mund të ngjitemi vetëm se duke e ndjekur me përkushtim sunetin e tij. Më i madhi dhe më i nderuari ndër ne është i Dërguari i Allahut. Kurse familja e tij janë arabët më të nderuar. Nderin për të qenë më afër me të do ta kenë vetëm ata që do t’i afrohen më së shumti virtytshmërisë së tij, sepse arabët të gjitha nderimet nuk i fituan vetëm se në sajë të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ndoshta disa nga ne janë të lidhur me të në farefisni, por para shumë e shumë brezash. Dhe mes nesh dhe familjarëve të tij ka breza të tërë që na ndajnë. Madje, edhe deri tek profeti Adem (alejhis’selam) nuk na ndajnë më shumë sesa disa baballarë. E, megjithatë, uallahi, nëse në ditën e Kiametit, përpara Allahut, ata që nuk janë arabë do të kenë vetëm vepra të mira dhe arabët nuk do të jenë duarbosh, për të Dërguarin e Allahut ata joarabë do të jenë më afër se arabët me të Dërguarit e Allahut. Askush të mos i mbajë shpresat te lidhjet familjare e farefisnore. Ju përpiquni të gjithë që t’u bindeni urdhrave të Allahut, sepse fisi e soji nuk do t’ju hyjnë hiç në punë, nëse atje do t’ju mungojnë punët e mira, apo do t’ju teprojnë ato që i keni plot të meta.”

Kthimi i Omerit (r.a.) në mendimin e Ebu Bekrit (r.a.) për ndarjen e plaçkës

Omer bin Abdullahu tregon: “Një dite të premte, Omeri (radijallahu anhu) doli të mbante një ligjëratë; lëvdoi dhe përmendi fillimisht cilësitë e përkryera të Allahut dhe na tha kështu:

“Në vesh më kanë ardhur disa fjalë të tipit: ‘Nëse vdes Omeri, në vend të tij të vendosim aksh njeri a aksh tjetër, sepse, kur zgjodhëm kalif Ebu Bekrin u ngutëm.’ Po, uallahi, është e vërtetë, ashtu ndodhi dhe të gjithë u ngutën; kjo është e vërtetë. Por, a nuk më thoni ju mua njëherë, ‘nëse ju nuk do ta ulnit kokën e t’i bindeshit Ebu Bekrit, kujt mendoni se do të mund t’i bindeshit tjetër? Ebu Bekri (radijallahu anhu) na mësoi neve se si ndahet plaçka në mënyrë të barabartë, sepse ai përherë ashtu e ndante, me përkujdesjen më të madhe. Kurse unë, në ndarjen e plaçkës kam zgjedhur kriterin se kush ka shërbyer më shumë në rrugën e Allahut dhe atë të virtyteve. Nëse do të më gjejë në jetë viti tjetër, mendoj të kthehem te mendimi i Ebu Bekrit, sepse, tani, edhe unë mendoj se metoda e tij ishte më e mirë dhe më e mbarë se e imja.”

Omeri (r.a.) i gostiste veçanërisht besimtarët që Profeti ynë i dashur i donte më shumë

E tregon Aishja (radijallahu anha): “Omerit (radijallahu anhu) i kishin sjellë dhuratë një pako. Ata që ishin afër Omerit (radijallahu anhu) e kishin hapur, kishin parë se çfarë kishte brenda në të dhe e kishin pyetur:

“E kujt është kjo?”

“A do të më lejoni që këtë t’ia dërgoj Aishes (radijallahu anha), sepse i Dërguari i Allahut atë e donte shumë?”, – pyeti Omeri (radijallahu anhu).

“Patjetër, t’ia çosh!”, – i thanë ata.

Pakon ma sollën mua, duke më thënë se ma kish dërguar Omeri (radijallahu anhu). E hapa menjëherë.

Kur e pa Aishja (radijallahu anhu) se ç’kishte në atë pako, filloi të lutet:

“Pas të Dërguarit të Allahut, Zoti i fali Omerit shumë ngadhënjime njëri pas tjetrit! O Zot, mos më lër të jetoj më deri në vitin tjetër në këtë kohë, që pas kësaj të mos marr më dhuratë tjetër!”

Trajtimi i veçantë i Omerit (r.a.) për një luftëtar të plagosur

Abdullah bin Ubejd bin Umejri tregon: “Çdo mysliman shkonte përpara Omerit (radijallahu anhu) dhe merrte atë që i takonte për pjesë. Njëherë, Omeri (radijallahu anhu) ngriti kokën dhe pa një burrë me një shenjë të madhe të çare në fytyrë. E pyeti, se ç’e kishte atë plagë aq të madhe në fytyrë. Ai burrë i tregoi se i kishte mbetur nga lufta. Omeri (radijallahu anhu) dha urdhër:

“Jepini njëmijë dërhemë këtij burri!” Ai i mori njëmijë dërhemët dhe i vërtiti nëpër duar për pak çaste. Omeri (radijallahu anhu) mendoi se atij burri i ishin dukur pak ato para, ndaj tha:

“Jepini edhe njëmijë dërhemë të tjerë!” Dhe atij njeriu i dhanë edhe njëmijë dërhemë më shumë. Kjo situatë u përsërit për katër herë me radhë dhe në secilën, atij burri iu dhanë nga njëmijë dërhemë. Në fund, atij i erdhi turp, kur pa se sa shumë para kishte marrë, kështu që doli e iku. Omeri (radijallahu anhu) donte që t’i flisnin më shumë rreth atij njeriu dhe kur i thanë:

“I erdhi zor, sepse mori më shumë sesa të tjerët, ndaj edhe iku.” Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) tha:

“Po të kishte pritur, unë do t’i kisha dhënë derisa të mbaronin fare të tëra paratë, sepse në fytyrë ai kishte një të çarë të madhe të zezë sterrë, që e kish marrë duke luftuar për Allahun.”

Omeri (r.a.) shpërndan gjithë pasuritë e thesarit të shtetit islam

Jahja bin Saidi përcjell nga i ati se: “Omeri (radijallahu anhu) i tha Abdullah bin Erkamin:

“Paratë që janë pjesë e pasurisë së myslimanëve shpërndajua myslimanëve një herë në muaj, pastaj çdo të premte, pastaj çdo ditë.” Një nga bashkësia e besimtarëve u ngrit në këmbë dhe tha:

“O Prijësi i Besimtarëve! A nuk do të ishte mirë, sikur të linim ca para në arkë për ndonjë të papritur?”

“Më duket se të shtyn djalli që ta thuash atë fjali.”, – ndërhyri Omeri (radijallahu anhu), i cili e kuptoi menjëherë.

“Megjithatë Allahu na e ka mësuar edhe se si të përballemi me dyshimet që shejtani përpiqet të na fusë në kokë. Masat që kam marrë unë për ndonjë të papritur a ndonjë fatkeqësi janë ajo përgatitje që bënte edhe vetë i Dërguari i Allahut; domethënë, të mos kursehem në bindjen time ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”

Aliu (r.a.) ua shpërndan njerëzve të gjithë thesarin e shtetit

E tregon Antere esh-Shejbani: “Aliu (radijallahu anhu) merrte taksë prej çdo artisti a zanatçiu, por edhe nga puna e tyre. Më vonë, çdo taksë që merrte ai ua ndante njerëzve. Nuk linte asgjë për nesër në arkë, por përpiqej që si e si ta shpërndante një orë e më parë. Mirëpo, kur qëllonte që ishte shumë i ngarkuar me punë e përgjegjësi të tjera, ai nuk arrinte ta shpërndante dot, ndaj edhe thoshte:

“Ah moj botë! Pse nuk më hiqesh e të më lësh të qetë, mos u merr me mua, shko të mashtrosh dikë tjetër!”

Ndërsa, në transmetimin e Ebu Ubejdit, i cili e përcjell atë po nga Antereja, thuhet:

“Pata shkuar të vizitoja Aliun (radijallahu anhu). Erdhi Kanberi dhe i foli:

“O Prijësi i Besimtarëve! Kanë ardhur mallrat e taksat, duhet t’i ndash menjëherë. Mos harro, se në këto që kanë ardhur është edhe e drejta juaj dhe e familjes suaj. Ja, këtë pjesë e ndava veçanërisht për ty.”

“Çfarë qenka ajo që e ke ruajtur veçantë për mua?”, – ia preu Aliu (radijallahu anhu).

“Eja, të shkojmë ta shohim bashkë.”, – iu përgjigj Kanberi.

Kanberi e çoi Aliun (radijallahu anhu) në një vend ku gjendeshin shumë enë të veshura me ar dhe argjend. Një t’i parë ato, Aliu (radijallahu anhu) i tha prerazi:

“Të të vijë turp, çfarë do ti, do që të m’i vësh zjarrin shtëpisë?” Aliu (radijallahu anhu) i peshoi ato sende të çmuara e shumë të kushtueshme dhe ua shpërndau të gjitha sa ishin atyre që ndihmonin duke u mësuar Kur’anin edhe të tjerëve.”

Talha bin Ubejdullahu e shpërndante çdo gjë pa e lënë fare të presë

Tregon Sudaja, gruaja e Talhasë: “Një ditë, Talhaja erdhi tek unë dhe m’u duk shumë i mërzitur.

“Talha, pse je kaq i mërzitur; apo kemi bërë ndonjë gjë që ta ka shqetësuar?”

“Jo, ti je një grua myslimane shumë e mirë! Më është mbledhur ca plaçkë dhe nuk e di se ç’të bëj me të!”, – m’u përgjigj ai. Por unë i thashë:

“Po, nëse është kjo ajo që të mërzit, atëherë thirr të afërmit dhe miqtë e tu; të vijnë dhe ndajua atyre dhe mbaron kjo punë.” Ashtu bëri, siç i thashë, i thirri njërit prej ndihmësve të tij, që të thërriste të afërmit e tij; kishte ç’nuk kishte ua dha atyre. I tha llogaritarit:

“Sa shpërndave?”

“Katërqindmijë dërhemë.”, – u përgjigj ai. Të ardhurat ditore të Talhasë ishin tërë-tërë njëmijë dërhemë. Prandaj edhe atë e thërrisnin

“Talha zemërgjeri”.

Shpirti i bujarisë tek Ebu Ubejde bin Xherrahu, Muadh bin Xhebeli dhe Hudhejfetu’l-Jemani

Na tregon babai i Zejd bin Eslemit: “Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) u tha njerëzve që kishte përreth, “të bëjë secili një lutje a dëshirë.” U çua dikush dhe tha:

“Sikur të kisha një shtëpi plot me argjend, e ta jepja si lëmoshë në rrugën e Allahut!” Omeri (radijallahu anhu) e përsëriti sërish atë pyetje dhe u ngrit në këmbë edhe një tjetër dhe tha:

“Ah sikur ta kisha shtëpinë plot me flori, e ta jepja atë në rrugën e Allahut!” Një tjetër shok i tiji tha:

“Të kisha një shtëpi me xhevahire dhe t’i falja të gjitha në rrugën e Allahut!”

“Thoni, thoni çfarë t’ju vijë në mendje.”, – tha Omeri (radijallahu anhu). Derisa, në fund, ata thanë:

“Nuk na vjen më asgjë tjetër në mendje.” Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) e shprehu kështu dëshirën e tij:

“Edhe unë, do të doja të kisha një shtëpi plot me trima e bij trimash të pashoq si Ebu Ubejde bin Xherrahu, Muadh bin Xhebeli dhe Hudhejfetu’l-Jemani (radijallahu anhum) dhe t’u jepja atyre detyra për Allahun.” Më vonë, ai i dërgoi Hudhejfes një sasi të hollash, duke e porositur shërbyesin:

“Shikoje me kujdes, çfarë do të bëjë me paratë?” Sapo ia çoi paratë shërbyesi i kalifit të të Dërguarit të Allahut, Hudhejfeja ua shpërndau ato të tjerëve, sipas nevojës. Kësaj here, Omeri (radijallahu anhu) i dërgoi të njëjtën sasi parash Muadh bin Xhebelit (radijallahu anhu); edhe ai i shpërndau paratë. I Dërgoi Ebu Ubejde bin Xherrahut (radijallahu anhu), edhe ai i ndau menjëherë. Paskëtaj, Omeri (radijallahu anhu) u tha atyre që kishte pranë: - “A nuk ju thashë.”

Botëkuptimi i Abdullah bin Omerit për të dhënë në rrugën e Allahut

Ejub bin Uail er-Rasibi tregon: “Kisha ardhur në Medinë. Një burrë, i cili ishte fqinj me Ibni Omerin (radijallahu anhu) më tha mua se Muauija i kishte dhënë Ibni Omerit katërmijë dërhemë, katërmijë edhe dikush tjetër, kurse dikush tjetër i kishte sjellë dymijë dërhemë dhe shumë stofra të larmishëm, kur në pazar doli dikush. Kishte dalë për të marrë tagji veresie për kafshën e tij. Unë e kuptova menjëherë, se ky njeri ishte njeri që i vinin shumë të mira e para nga anë të ndryshme. Shkova te shërbyesi i tij dhe e pyeta:

“Dua të të pyes në lidhje me diçka; por më thuaj të vërtetën: A është e vërtetë që Ebu Abdurrahmanit (Ibni Omerit) i kanë ardhur katërmijë dërhemë nga Muauija, katërmijë dërhemë nga dikush tjetër dhe nga dikush tjetër dymijë dërhemë dhe stofra cilësorë?” - “Po, i erdhën!”, – u përgjigj ai.

“Por unë e pashë atë që kishte dalë të kërkonte tagji veresie, për të ushqyer kafshët e tij.”

“Deri në mbrëmje ai i shpërndau të gjitha paratë. Kurse, për sa u përket stofrave, ai ua dha ato me vete atyre që kishin më së shumti nevojë për to, pra i dha të gjitha në rrugën e Allahut.”

Kur i dëgjova këto fjalë, nuk durova dot dhe bërtita:

“O tregtarë! Ibni Omerit jo më vonë se dje i dërguan dhjetëmijë dërhemë, por ai prapëseprapë del prapë për të marrë borxh tagji, që të mund të ushqejë kafshët. Ç’do ta bëni ju gjithë atë pasuri që keni vënë?”

Dëshira e Aishes (r.a.) për të dhënë

Tregon Umu Durreja: “Aishes (radijallahu anha) i sollën njëqindmijë dërhemë. Ajo i shpërndau ato të gjitha dhe atë ditë agjëronte.

“Po sikur të kishe marrë të paktën pak mish për vete me një dërhem të vetëm.”, – i thashë unë.

“Të më kishe kujtuar pak më parë, ndoshta do ta kisha marrë.”,

– m’u përgjigj ajo.”

Dëshira e nënës së besimtarëve, Seude binti Zem’asë, për të dhënë në rrugën e Allahut

Tregon Muhamed bin Sirini: “Omeri (radijallahu anhu) i pati dërguar Seudes (radijallahu anha) një torbë plot me monedha argjendi. Seudeja pyeti:

“Çfarë janë këto?”

“Monedha argjendi!”, – i thanë ata që ia prunë.

“Në një thes hurmash!..”, – tha ajo e çuditur dhe ua ndau të tëra njerëzve nevojtarë.”

Dëshira e nënës së besimtarëve, Zejneb binti Xhahshit, për të dhënë në rrugën e Allahut

Muhamed bin Ka’bi tregon: “Pjesa që i takonte Zejneb binti Xhahshit ishte diku te dymbëdhjetëmijë dërhemët. Zejnebi (radijallahu anha) i mori vetëm njëherë këto para, që i takonin vetë asaj. Kur i mori, hapi duart dhe iu lut Allahut:

“O Zoti im, mos lejo që të më vijnë më këto para, sepse një pasuri kaq e madhe nuk mund të jetë veçse një sprovë shumë e fortë për mua!” Të gjitha ato para ua ndau të afërmve dhe shumë njerëzve të tjerë, që ishin në nevojë. Omerin (radijallahu anhu) e njoftuan se si ishte sjellë nëna jonë, Zejnebi, dhe ai tha:

“Nga ajo grua nuk vjen asgjë, pos të mirave.”, – dhe i dërgoi asaj selamet e tij, duke i thënë se:

“Dëgjova se i ke shpërndarë të gjitha paratë. Këtë herë po të dërgoj edhe njëmijë dërhemë. Por këto t’i mbash për vete, mos ua shpërnda të tjerëve.” Megjithatë, Zejnebi (radijallahu anha) nuk e dëgjoi atë, por i dha edhe ata njëmijë dërhemë.”

Vënia e një page për fëmijët e porsalindur

Tregon Ibni Omeri: “Në Medinë pati ardhur një grup me tregtarë; ata do të qëndronin në xhami. Omeri (radijallahu anhu) i tha Abdurrahman bin Aufit (radijallahu anhu):

“Si thua, sikur t’i ruaje ti sonte këta tregtarë, se mos vjen ndonjë i paudhë e kërkon t’i grabisë?” Atë natë, ata qëndruan të dy, për t’i ruajtur ata tregtarë që bujtën në xhami. Teksa prisnin e bënin roje, falnin edhe namaz. Në një çast, Omeri (radijallahu anhu) dëgjoi një të qarë foshnje dhe doli të shkonte tek ai vend nga vinte ajo e qarë. Atje gjeti nënën e asaj foshnje dhe i tha:

“Kije frikë Allahun, pse nuk kujdesesh mirë për fëmijën!” Pastaj, kur fëmija zuri të qajë sërish, Omeri (radijallahu anhu) shkoi sërish tek ajo grua dhe e qortoi sërish; pastaj u kthye te vendi i tij. Kur e dëgjoi edhe njëherë të qarën e atij fëmije, Omeri (radijallahu anhu) shkoi tek ajo grua dhe i tha:

“Turp të të vijë, paske qenë nënë shumë e keqe! Si nuk pushoi së qari ky fëmijë gjatë gjithë natës, vetëm qau.”

“O robi i Allahut! Sot edhe mua më shkatërroi fare ky fëmijë. Dua ta shkëpus nga gjiri, por nuk do që ta lërë.”, – iu përgjigj nëna e fëmijës.

“E pse?”, – pyeti Omeri.

“Sepse Omeri (radijallahu anhu) vetëm kur të shkëputet fëmija nga qumështi do të fillojë të na e japë ndihmën ditore, prandaj edhe unë dua që ta shkëpus një orë e më parë nga gjiri.”

“Po mirë, sa vjeç është fëmija tani?”

“Kaq muajsh.”

Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) i tha asaj gruaje:

“Ti mos u ngut dhe mos e shkëput menjëherë nga gjiri.”, – dhe, sakaq, shkoi në xhami që t’u falte besimtarëve namazin e sabahut. Duke qenë se gjatë faljes kishte zënë të qante, Omerit (radijallahu anhu) i dilte zëri i mbytur, aq sa vështirë ta kuptoje se çfarë ishte duke thënë. Një të dhënë selam, tha:

“Turp për Omerin! Kushedi se për vdekjen e sa e sa foshnjave myslimane është bërë shkas që ato të vdesin!”, – dhe u drejtua nga njëri prej të pranishmëve dhe e urdhëroi që të lajmëronte popullin, se që nga ai çast çdo fëmije të lindur do t’i lidhej një rrogë e posaçme.”

NDJESHMËRIA E TË PARIT TË VENDIT LIDHUR ME

SHPENZIMET E KRYERA NGA THESARI PËR VETEN DHE TË AFËRMIT E VET

Ndjeshmëria që tregonte Omeri (r.a.) kur përdorte pasurinë e thesarit

Eslemi tregon: “Isha vetë dëshmitar kur Abdullah bin Erkami erdhi tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i tha:

“O Prijësi i Besimtarëve, në shtëpi kemi një veshje të qepur nga copa më e mirë, si edhe ca enë prej argjendi. Sikur të vije kur të jesh ndopak më i lirë dhe të na japësh ndonjë këshillë.” Dhe Omeri (radijallahu anhu) u përgjigj:

“Nëse më sheh që jam i lirë, atëherë eja menjëherë edhe më thirr.” Një ditë, erdhi Abdullah bin Erkami dhe i tha Omerit (radijallahu anhu):

“Më duket se sot qenke pak i lirë.”

“Po, sot nuk jam i zënë, por shtro diçka këtu njëherë.”, – i tha Omeri (radijallahu anhu), duke urdhëruar që sendet e çmuara për të cilat i kishte folur Abdullahu të zbrazeshin mbi atë mbulesë. Vetë qëndroi në këmbë dhe po e ndiqte me sy mbulesën e shtruar dhe me vete thoshte:

“O Zot! Ti, në librin Tënd, na urdhërove kështu për këto mallra: -

“Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” (Al ‘Imran, 3/14), – dhe po ashtu na mësove se: “(Këtë përcaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka

dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë [...]” (Hadid, 57/23) Ne nuk mund të bëjmë ndryshe, përveçse të mjaftohemi me ato gjëra që Ti na i mësove se janë të bukura.

O Zot, mundësona ne, që të mund t’i shpenzojmë atje ku është më e duhura këto pasuri, se vetëm mëshira Jote mund të na shpëtojë ne nga e keqja e kësaj plaçke dhe e këtyre parave.”

Në ato çaste, aty Omerit (radijallahu anhu) i sollën djalin e tij, të cilin e quanin Abdurrahman bin Behije. I biri i kërkoi Omerit (radijallahu anhu) që t’i jepte një unazë:

“Ik, o bir, ik tani, shko te nëna jote të të ushqejë, të të japë ndopak supë.”, – duke e dërguar, kësisoj, pa i dhënë asgjë.”

Historia e Asim bin Omerit

Tregon Asim bin Omeri: “Kur Omeri i nderuar (radijallahu anh) më martoi mua, ai më ndihmoi edhe veçanërisht nga thesari për një muaj me radhë. Pastaj më dërgoi fjalë me Jerfen, që ishte shërbyesi i tij dhe unë shkova menjëherë. Ja se çfarë më tha:

“Shiko, o bir, uallahi, para se të bëhesha kalif unë besoja se pasuria e thesarit ishte e ndaluar për mua, përveç asaj pjese që më takon nga plaçka e fituar në luftë. Por, tani që u bëra kalif, nuk më duket edhe aq gabim po të marr një rrogë sado të vogël për vete, sepse kjo është detyra ime, ta ruaj këtë pasuri me kujdesin më të madh. Nga ajo që është pasuri e përbashkët, unë të dhashë ty pagesë ditore për një muaj rresht. Këtej e tutje nuk të jap dot më. Megjithatë, unë mund të të ndihmoj në njëfarë mënyre. Shko në bahçen e hurmave në Gabe, mblidhi të gjitha ato hurma dhe shiti. Pastaj, merri paratë e atyre hurmave dhe shko te ndonjë prej të afërmve tanë që merren me tregti dhe bëj tregti me të me ato para. Kur ai të blejë ndonjë gjë, merr pjesë edhe ti me paranë tënde, e kësisoj do të përballosh edhe shpenzimet e tua edhe do të mbash familjen.”

Një ndodhi mes Omerit (r.a.) dhe së shoqes

E tregon Malik bin Eus bin Hadethani: “Një korrier i mbretit bizantin i kishte sjellë diçka Omerit (radijallahu anhu). Bashkëshortja e Omerit (radijallahu anhu) kishte gjetur një dinar borxh dhe me të kishte blerë një erëmirë; e hodhi erëmirën në një shishe të vogël dhe ia dërgoi mbretit bizantin me korrierin që kishte ardhur. E shoqja e mbretit bizantin e zbrazi erëmirën e ardhur dhe e mbushi atë me xhevahire të vogla dhe ia ktheu prapë me korrierin. Në kohën që gruaja e Omerit (radijallahu anhu) po e zbrazte shishen mbi një copë beze, aty erdhi Omeri dhe e pyet:

“Çfarë janë këto?” Pasi e dëgjoi me vëmendje të gjithën çfarë kishte ndodhur, Omeri (radijallahu anhu) i dha së shoqes një dinar për të mbyllur borxhin e marrë, ndërsa xhevahiret që kishin ardhur nga bizantinët i vuri në thesarin e myslimanëve.”

Një ngjarje e Ibni Omerit me babanë e tij

E tregon vetë Ibni Omeri: “Unë bleva disa deve dhe që të kullosnin, i lashë të lira në një kullotë që ishte pjesë e pasurisë së përbashkët e të gjithë myslimanëve. Pasi hëngrën për njëfarë kohe, i mora ato dhe i çova drejt e në pazar. Omeri (radijallahu anhu), kur i pa ato deve të ngopura në pazar, pyeti:

-“Të kujt janë kështu këto deve?” Dhe njerëzit iu përgjigjën:

“Janë të Abdullah bin Omerit.”

“Domethënë janë të Abdullah bin Omerit, hë! Pa shikoje pa shikoje të birin e Prijësit të Besimtarëve!”, – kishte thënë nja dy herë me vete me zë të ulët. Bash në atë kohë, aty erdha edhe unë duke rendur dhe e pyeta:

“Çfarë është, çfarë ka ndodhur o Prijësi i Myslimanëve?” - “Ç’janë këto deve? Nga dolën?”, – më pyeti.

“I bleva; siç bëjnë të gjithë dhe i dërgova në kullotë, për të fituar ndonjë gjë.”, – iu përgjigja unë.

Atëherë babai u kthye nga të tjerët që ishin mbledhur përreth dhe u tha:

“Pa hajdeni tani, merrini dhe nxirrini, kullotini e jepuni të pinë ujë deveve të të birit të Prijësit të Besimtarëve!” Dhe u kthye nga unë dhe më tha:

“Merre, o Abdullah, merre që këtu atë që të takon, e pjesën tjetër lërua myslimanëve, se u takon të gjithëve, e nuk është e jotja!”

15. AS I DËRGUARI I ALLAHUT, AS SAHABËT E TIJ NUK I GËZOHESHIN PASURISË SË KËSAJ BOTE

Kur i Dërguari i Allahut, edhe kur i ofrojnë gjithë botën, e refuzon

Ibni Abasi e tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) gjendej në kodrën e Safasë, kur tek ai erdhi Xhibrili (alejhis’selam). Profeti ynë i tha Xhibrilit:

“O Xhibril, unë i betohem Allahut që të ka dërguar ty me të drejtën e të vërtetën, se në shtëpinë e Muhamedit nuk ka as miell, as gjellë në vatër!” Ende pa e përfunduar mirë fjalën i Dërguari i Allahut, nga qielli erdhi një zhurmë sikur do ta çante tokën në mes. I Dërguari i Allahut u tremb dhe e pyeti Xhibrilin:

“Çfarë ndodhi, mos vallë Allahu urdhëroi ardhjen e Kiametit?”

“Jo, nuk është ai urdhër; Ai urdhëroi Israfilin. Israfili e mori fjalën e Zotit dhe zbriti.” Israfili erdhi pranë të Dërguarit Fisnik dhe e pyeti:

“Allahu dëgjoi fjalën tënde, o i Dërguar, e më dërgoi mua me çelësat e tërë thesareve të mbarë botës. Nëse do ti, Ai më urdhërori mua që ta kthej në ar, argjend, diamante dhe smerald tërë këtë mal të Mekës. Çfarë do ti, të jesh një profet mbret, apo një profet rob?” Në atë kohë Profetit tonë Xhibrili (alejhis’selam) i bëri me shenjë që të ishte i thjeshtë. Dhe Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i ktheu përgjigje:

“Jo, unë dua të jem një profet rob i Allahut.” Dhe këtë fjali e përsëriti plot tri herë.

Ndërsa, në një tjetër transmetim, Profeti ynë ka thënë: “Një engjëll i Zotit zbriti nga qiejt dhe më tha:

“O Muhamed! Zoti yt të dërgon selam dhe thotë: ‘Po deshe ti, unë do ta shndërroj në ar gjithë relievin e Mekës.’” Ndërsa unë iu përgjigja:

“Jo, o Zot, nuk dua; më mirë është që unë një ditë të ha sa për t’u ngopur dhe të të falënderoj Ty, e një ditë tjetër të jem i uritur, që të të lutem e të përgjërohem që Ti të më falësh diçka prej mirësisë e bujarisë Sate!”

I Dërguari i Allahut e kthen mbrapsht dhuratën që i dërgojnë idhujtarët

Tregon Urueja: “Hakim bin Hizami, para se të bëhej mysliman kishte shkuar në Jemen dhe atje kishte blerë një petk të sundimtarit të Jemenit Dhi Jezenit. Hakim bin Hizami erdhi në Medinë dhe deshi që atë rrobë t’ia dhuronte Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), të cilin e kishte mik të vjetër qysh nga koha e injorancës. I Dërguari i Allahut nuk e pranoi, duke i thënë:

“Ne nuk i pranojmë dhuratat e idhujtarëve!” – Kësodore, Hakimi nuk kishte ç’të bënte, kështu që doli dhe e shiti atë veshje të shtrenjtë, të cilën e kishte sjellë që nga Jemeni. I Dërguari i Allahut më porositi mua që të shkoja e ta blija unë atë veshje. Dhe unë shkova, e bleva, siç më tha Profeti ynë dhe ia çova. Profeti ynë e veshi dhe shkoi në xhami.”

Hakimi thotë se: “Aq shumë i kishte hije ajo veshje, saqë njeri më të bukur se ai atë ditë nuk kam parë ndonjëherë. Shkëlqente njësoj siç shkëlqen hëna e plotë.”

Qëndrimi i Omerit (r.a.) ndaj dhuratave

Ata bin Jesari tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i dërgoi Omerit (radijallahu anhu) një dhuratë. Mirëpo, Omeri nuk donte ta pranonte atë dhuratë. Andaj, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e pyeti, se pse nuk e pranonte dhuratën që po i bënte i Dërguari i Allahut, ai iu përgjigj:

“O i Dërguari i Allahut, po ti a nuk na ke thënë, se ‘më i miri ndër ju është ai që nuk pranon asgjë nga askush’?”

“Po unë e kam pasur fjalën që t’i kërkosh dikujt të të japë ndonjë gjë. Kurse kjo është diçka që po të vjen pa e kërkuar ti vetë; kjo është diçka që po ta jep e ta ka caktuar Allahu.”, – i tha i Dërguari i Allahut Omerit (radijallahu anhu).

“Unë i betohem Allahut se nuk kam për t’i kërkuar kurrë asgjë njeriu. Por, nëse më vjen pa e kërkuar unë, nuk do ta kthej, do ta pranoj.”

Refuzimi i shpërblimit nga Ebu Ubejde bin Xherrahu

Eslemi tregon se: “Ka qenë një vit kur u përjetua një thatësirë shumë e madhe dhe Omeri (radijallahu anhu) i nisi një letër Amr bin el-Asit që asokohe ishte vali i Egjiptit dhe detyrën e dërgimit të letrës ia caktoi Ebu Ubejdes. Pasi u kthye Ebu Ubejdeja, Omeri (radijallahu anhu) i dërgoi atij njëmijë dinarë, të cilat ai nuk donte që t’i pranonte, ndaj i tha:

“O Omer! Po ne këto shërbime nuk i japim për të fituar para, unë atje shkova në kërkim të pëlqimit dhe të kënaqësisë së Allahut. Për këtë arsye, unë nuk mund t’i pranoj këto para!”

“I Dërguari i Allahut, sa herë që na dërgonte ne në ndonjë vend, ashtu siç të dërgova edhe unë ty, na dërgonte edhe një pagesë. Ne nuk donim ta pranonim, mirëpo, ai ngulte këmbë që duhej ta pranonim. Prandaj, merri këto dhe përdori si të duash, në daç për besimin, në daç për jetën tënde në këtë botë.”, – i tha atij Omeri (radijallahu anhu). Kësisoj, edhe Ebu Ubejdeja i pranoi.”

Refuzimi i shpërblimit nga Said bin Amiri

Zejd bin Eslemi e tregon: “Omeri (radijallahu anhu) i tha Said bin Amirit:

-“Ty populli sirian të do shumë, pse të duan kaq shumë ty ata?” Dhe Saidi (radijallahu anhu) iu përgjigj atij se ai kujdesej shumë për ta dhe përherë rrekej që t’i gjente zgjidhje çdo problemi që ata kishin. Për këtë, Omeri (radijallahu anhu) i dha atij dhjetëmijë dinarë. Kurse ai nuk ia pranoi, duke i thënë:

“Nuk kam nevojë unë për to, unë kam kuaj, kam edhe skllevër e shërbyes. Pastaj, më e rëndësishmja, unë nuk e kam marrë këtë detyrë përsipër për para, por që t’u vij në ndihmë e t’u shërbej myslimanëve.”

“Mos u ngut kur vendos. Shikomë mua, se do të të tregoj një fjalë që ma ka thënë vetë i Dërguari i Allahut, pastaj bëj si të duash, në daç merri, në daç mos i merr, e di vetë ti.”, – i tha Omeri (radijallahu anhu).

I dërguari i Allahut më pati dhënë diçka dhe unë nuk desha ta pranoja. Atëherë, ai më pati thënë:

“Merre kur dikush ta jep diçka që nuk e ke dashur e nuk e ke kërkuar vetë, sepse ajo është diçka që ta ka dhënë e ta ka caktuar Allahu.”

“Vërtet, nga ai e ke dëgjuar ti këtë?”, – pyeti Said bin Amiri (radijallahu anhu)” Omeri i nderuar tha:

“Po!” Dhe ai pranoi menjëherë t’i merrte paratë që i kish dhënë kalifi i të Dërguarit të Allahut.”

Abdullah bin Sa’di donte që t’u shërbente njerëzve pa u paguar për atë që bënte

Abdullah bin Sa’di erdhi tek Omeri (radijallahu anhu) dhe Omeri (radijallahu anhu) i tha:

“Me sa kam marrë vesh, ti do që t’i ndihmosh njerëzit e t’u shërbesh atyre në punët që mund të kenë, por jo vetëm kaq, por edhe ke refuzuar që të paguhesh për këtë, hë, kështu është e vërteta?”

“Po, e vërtetë është.”, – u përgjigj ai.

“Po pse do që ta bësh këtë?”, – vazhdoi ta pyeste Omeri (radijallahu anhu).

“Unë kam kuaj, kam edhe skllevër. Jam shumë mirë nga gjendja ekonomike. Prandaj dua dhe shpresoj që shërbimi në rrugën e Allahut të jetë një sadaka në rrugën e Allahut.”

“Shiko, mos bëj kështu. Njëherë e një kohë edhe unë kam qenë kështu, si ti. Kur i Dërguari i Allahut donte të më paguante për një punë që kisha bërë, unë i thosha: ‘Po t’ia kishit dhënë më mirë ndonjë nevojtari...’ Megjithatë, ai këmbëngulte e m’i jepte prapë; unë i thosha: ‘Po t’ia kishit dhënë ndonjë nevojtari më mirë...’, e nuk doja që t’i merrja. Gjersa, në fund, një ditë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më porositi duke më thënë kështu:

“Merri këto, pastaj në daç mbaji për vete e përdori si të duash, në daç shpërndajua të varfërve si lëmoshë. Dhe paranë merre gjithmonë, për sa kohë që nuk e ke dashur e nuk ia ke kërkuar vetë njerëzve. Kurrë mos rend ti pas pasurisë.”

Refuzimi i shpërblimit nga Hakim bin Hizami

Hakim bin Hizami tregon vetë: “Unë i kërkova diçka të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe ai ma dha. I kërkova edhe njëherë tjetër, për herë të dytë, e prapë më dha. Më dha edhe kur i kërkova për herë të tretë, derisa, më në fund, më tha:

“Shiko, o Hakim, gjërat e kësaj bote janë të dashura dhe fillojnë e të duken të ëmbla e të mira. Kush i merr dhe i shijon ato me zemrën të mbështjellë prej bujarisë dhe i përdor ato më së miri, edhe begatia e tyre shtohet edhe më shumë. E, kushdo që ngarend pas saj, gjithë lakmi, e siguron dhe e përdor atë në mënyrë të keqe, atëherë ikën edhe begatia e asaj pasurie. Këta lloj njerëzish i ngjajnë një tamahqari e lakmitari që ha e ha, por nuk ka të ngopur. Dora që jep qëndron përherë më lart se dora që merr.”

Në vijim ai që e transmeton këtë thotë kështu: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) e thërriste Hakim bin Hizamin për t’i dhuruar diçka, mirëpo Hakimi nuk e pranonte dhuratën. Kur u zgjodh kalif, edhe Omeri (radijallahu anhu) deshi që t’i dhuronte diçka dhe ai nuk e pati pranuar. Hakimi (radijallahu anhu) nuk e pati pranuar as dhuratën e tij. Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) pati dalë përpara njerëzve, për t’u thënë:

“O njerëz, ja ku jeni edhe ju dëshmitarë: dua t’i jap edhe Hakimit një pjesë nga plaçka e luftës; ai nuk pranon që ta marrë!”

Vërtet, Hakimi, pas ndarjes nga jeta të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), jo vetëm që nuk pranoi asgjë nga askush, por ai nuk pranonte as ato gjëra që ia dërgonin si dhuratë.”

Refuzimi i shpërblimit nga Amir bin Rabia

Tek Amir bin Rabia kish ardhur për mysafir një beduin. Amiri qe përkujdesur shumë mirë për të. Prandaj, ky beduin kishte shkuar tek i Dërguari i Allahut, që t’i kërkonte ndonjë gjë për t’ia dhënë Amirit dhe qe kthyer tek ai dhe i pati thënë:

“Unë i kërkova të Dërguarit të Allahut, që të ma jepte mua një ngastër toke, e cila është shumë e mirë. Dhe ai ma dha mua atë vend; vetëm se një pjesë të saj unë dua të ta dhuroj ty. Të përfitoni edhe ti me djemtë e tu prej saj.” Amiri iu kthye beduinit:

“Më shiko mua, unë nuk kam nevojë për atë tokë që do të më japësh ti, sepse sot u zbrit një sure e Kur’anit, e cila na e tërhoqi vëmendjen larg kësaj bote: “Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta).” (Enbija, 21/1)

Refuzimi i shpërblimit nga Ebu Dherri

Tregon Ebu Bekr bin Munkediri: “Valiu i Sirisë, Hubejb bin Meslemeja i pati dërguar Ebu Dherrit treqind dinarë, me porosinë:

“T’i përdorësh për ndonjë nevojë që mund të kesh.” Megjithatë, Ebu Dherri e pati pritur atë që i shpuri paratë me fjalët:

“Ktheji andej nga i more ato. Ata që të dërguan, nuk gjetën ndokënd më të hutuar e më të devijuar nga Allahu? Shyqyr Zotit, unë kam edhe shtëpi, edhe një kopsht ku mund të kaloj të nxehtët e diellit. Nëpër fusha ne kemi kushedi sa e sa skllevër të liruar e robinja, të cilët kullotin delet tona me dëshirën e tyre. Më shumë se kaq, unë kam frikë, nuk ia jap dot llogarinë Allahut!”

Ndërkohë, sipas një përcjelljeje tjetër që i bëhet kësaj ndodhie, Ebu

Dherri kishte dyzet dërhemë, dyzet dele dhe dy shërbyes.”

Refuzimi i shpërblimit nga Abdurrahman bin Ebu Bekri

Ibrahim bin Muhamed bin Abdulaziz bin Omer bin Abdurrahman bin Aufi tregon: “Muauija i dërgoi Abdurrahmanit, i cili nuk pranonte t’i lidhte besë djalit të tij Jezidit, njëqindmijë dërhemë. Abdurrahmani nuk pranoi t’i merrte dhe i tha:

“Nuk e shes dot fenë time unë për këtë botë që nuk vlen qindarkën!”

Shkoi në Mekë dhe jetoi atje gjer në ditën kur u nda nga kjo jetë.”

Refuzimi i shpërblimit nga Abdullah bin Omeri

Mejmun bin Imrani tregon se: “Muauija dërgon dikë tek Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu). Njeriu që i dërgoi ishte Amr bin Asi dhe ky i propozoi:

“A do t’i betohesh edhe ti atij që e kanë parapëlqyer të gjithë në një mendje si kalif? Nëse lidh besën me të, atëherë do të të jepen pasuri dhe ara pa fund, që të të mjaftojnë ty e fëmijëve të tu.”

Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) e dëgjoi dhe ja se ç’përgjigje i ktheu Amr bin Asit:

“Turp të të vijë, ik tani e mos u kthe më! Feja ime nuk blihet dot nga floriri dhe argjendi juaj. Ik, se unë dua të shkoj më se i pastër në jetën e përtejme.”

Refuzimi i shpërblimit nga Abdullah bin Erkami

Amr bin Dinari tregon: “Osmani (radijallahu anhu) e emëroi Abdullah bin el-Erkamin si kujdestar të thesarit, pasurisë së përbashkët të mbarë myslimanëve. Si pagesë, ai i caktoi atij shumën prej treqindmijë dërhemësh, vetëm se Abdullahu nuk pranoi që të paguhej për punën e bërë, ndaj i tha:

“Unë nuk kam ardhur këtu për asgjë tjetër, veçse për të punuar për hir të Allahut.”

Refuzimi i shpërblimit nga Amr bin Numan bin Mukarrinit

E tregon Muauije bin Kurreja: “Njëherë unë shkova si mik tek Amr bin Nu’man bin Mukarrini (radijallahu anhu). Në të hyrë të Ramazanit, aty erdhi dikush që kish sjellë një trastë me para dhe i tha Amrit:

“Kam ardhur të të sjell përshëndetjet e valiut tonë, Mus’ab bin Zubejrit. Ai më tha që t’ju them se: “Ne nuk lëmë pa mbështetje, asnjë nga lexuesit më të mirë të Kur’anit. T’i pranojë këto para dhe të përmbushë ndonjë nevojë që mund të ketë.” Amri i dha përgjigjen:

“Thuaji atij, që unë i them se, ‘uallahi, ne nuk e lexojmë Kur’anin për të fituar para!’”, – dhe, sakaq ia ktheu mbrapsht paratë.”

Qëndrimi i Aishes (r.a.) dhe i motrës së saj Esmasë (r.a.) kur dikush u dhuronte ndonjë gjë

Abdullah bin Zubejri tregon: “Kutejleja, e shoqja e Ebu Bekrit (radijallahu anhu), që nuk ishte bërë ende myslimane kishte përgatitur diçka për të ngrënë për të bijën, Esmanë, dhe ia pati sjellë si dhuratë. Esmaja (radijallahu anha) nuk deshi t’i pranonte, madje nuk deshi as që t’i fuste në shtëpi. Aishja (radijallahu anha) pyeti Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe, enkas për këtë çështje u zbrit pastaj ky ajet:

“Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre

që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” (Mumtehine, 60/8)

Nisur nga ky ajet i Dërguari i Allahut i urdhëroi Esmasë që ta pranonte dhuratën që i kishte sjellë dhe ta fuste nënën brenda.”

Aishja (r.a.) dhe një grua e varfër

Aishja (radijallahu anha) rrëfen: “Tek unë erdhi një grua shumë e varfër. Në dorë kishte ca gjëra që m’i kish sjellë mua si dhuratë. Më erdhi keq, kur e pashë në atë gjendje dhe nuk m’u duk aspak e drejtë që ta pranoja dhuratën që më kishte sjellë. Por, Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më tha:

“Aishe! Pse nuk ia pranon dhuratën, e ti t’i japësh diçka me të njëjtën vlerë në këmbim? Në mos, do ta mërzitësh, sepse do të mendojë se e ke nënvlerësuar. O Aishe, ji e thjeshtë, sepse Allahu i do ata që janë të thjeshtë, kurse ata që janë mendjemëdhenj, Allahu i privon nga dashuria e Tij.”

Ruajtja nga zgjatja e dorës të tjerëve

Ebu Said Hudriu tregon: “Ne ishim në një gjendje shumë të vështirë ekonomike. Familja më ngarkoi mua, që të shkoja tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe t’i kërkoja të më jepte gjëkafshë. Kur dola përpara të Dërguarit të Allahut, fjalia e parë që dëgjova ishte kjo:

“Kushdo që e ka zemrën plot, të ngopur, dhe nuk e lakmon këtë botë, Allahu e pasuron atë. Njësoj siç e përnderon këdo që përpiqet që ta ruajë të pastër nderin e vet. Ne nuk i mbajmë asgjë, po të kemi ia japim, kujtdo që na kërkon diçka.” Një të dëgjuar këtë fjali, u ktheva menjëherë pa i thënë e pa i kërkuar asgjë. Nuk kaloi shumë kohë dhe gjendja jonë u përmirësua, ishim më mirë. Aq më mirë ishim, saqë mund të them se ishim ndër më të pasurit në mesin e ensarëve.”

Shqetësimi për ahiretin nga pasuria shumë e madhe e kësaj bote

Ukbe bin Amiri tregon: “I Dërguari i Allahut, afro tetë vjet pasi kishte ndodhur Uhudi, u lut për të rënët në atë luftë; teksa lutej ai dukej sikur u thoshte ‘përshëndetjet e Zotit’ të gjithë, me të gjallë e me të vdekur. Pastaj, ngjiti shkallët e minberit dhe iu drejtua njerëzve:

“Unë jam këtu, përpara jush; edhe pak ka mbetur dhe do të vij të takohem me ju. Do të shoh se çfarë bëni, si keni qenë. Do të takohemi te Burimi i Keutherit. Ja, tani jam, këtu ku jam, e shoh mjaft mirë Keutherin.

O njerëz! Unë nuk shqetësohem më se ju mund të bini në idhujtari. I vetmi shqetësim që unë kam për ju, është se mos ju filloni të garoni me njëri-tjetrin se kush e kush të bëhet më i pasur dhe filloni ta doni të fituarin e parave më shumë se ç’duhet dhe në mes jush hyn përçarja.”

Çfarë i tha i Dërguari i Allahut Ebu Ubejdes teksa ky kthehej nga Bahrejni

E tregon Amr bin Auf el-Ensari: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e pati dërguar Ebu Ubejden në Bahrejn për të mbledhur taksat. Ebu Ubejdeja i kishte mbledhur të gjitha dhe u kthye në Medinë. Ensarët, një të dëgjuar se ishte kthyer Ebu Ubejdeja (radijallahu anhu), pasi falën namazin e sabahut me të Dërguarin Fisnik, u ndalën aty ku do të kalonte Ebu Ubejdeja kur të kthehej, por edhe që i Dërguari i Allahut t’i shihte e t’u jepte edhe atyre ndonjë gjë. I Dërguari i Allahut e kuptoi mesazhin e kësaj sjelljeje, buzëqeshi dhe u tha:

“Ma merr mendja, se keni dalë ngaqë keni marrë lajmin se po vjen Ebu Ubejdeja bashkë me plaçkën që ka marrë në Bahrejn.”

“Po, o i Dërguari i Allahut.”, – i thanë ata. Atëherë, i Dërguari i Allahut iu drejtua atyre me këto fjalë:

“Po, sihariq për ju. Ashtu është, ju mund të prisni, se do të merrni shumë gjëra që do t’jua gëzojnë zemrën. Ç’është e vërteta, unë nuk jam i shqetësuar se ju mund të mbeteni të varfër, por se mos bota ju buzëqesh edhe juve, ashtu siç u pati buzëqeshur edhe atyre që erdhën përpara jush, duke ju bërë që të filloni e të garoni e të shtyni njëri-tjetrin, që kush e kush të fitojë më shumë dhe t’ju shpjerë edhe ju drejt shkatërrimit pa kthim, siç tërhoqi ata që ishin përpara jush dhe i rrokullisi në gropën e rrënimit!”

Frika e Omerit (r.a.) nga pasuria e kësaj bote dhe lotët e tij

Hasan Basriu tregon: “Pas luftës së Kadisijes, Omerit (radijallahu anhu) i sollën dhe i vunë përpara byzylykët dhe qyrkun e Kisras. Në mesin e atyre që ishin të pranishëm në ato çaste ishte edhe Suraka bin Malik bin Xhu’shumi. Omeri (radijallahu anhu) ia dha atij të dy byzylykët e Kisras. Ai i vuri ato në kyçet e dorës, por duke qenë se ishin shumë të gjerë, iu zgjatën deri drejt bërrylit. Omeri (radijallahu anhu) e pa njëherë Surakan dhe tha:

“Lëvduar qoftë Allahu, që dy byzylykët e Kisras tani i ka në dorë Suraka bin Maliku, beduin nga bijtë e Mudlixhit.” Mandej vazhdoi të thoshte:

“O Zot, unë e di, i Dërguari Yt Fisnik donte shumë që të fitonte nga pasuria e kësaj bote dhe ta shpenzonte atë në rrugën Tënde. Mirëpo, Ti deshe më shumë se kaq, nuk i dhe atij mundësi që ai të pasurohej me plaçkën e kësaj bote.

O Zot, po ashtu unë e di, se edhe Ebu Bekrit i pëlqente shumë që, çfarë t’i binte në dorë ta jepte për robt e Tu. Por, Ti prapë mendove atë që ishte më e mirë dhe më e mbarë për të dhe nuk e bëre shumë të pasur.

O Zot! Kam shumë frikë, se kjo pasuri dhe plaçkë lufte kaq e madhe duhet të jetë ndonjë sprovë për Omerin e ngratë. Çfarë është kjo, mos vallë është ndonjë qortim hyjnor për mua, e nuk kam se kujt t’i kërkoj të më ndihmojë veç Teje.”

Mandej, Omeri (radijallahu anhu) këndoi ajetin: “A mos mendojnë ata që Ne, duke u ardhur në ndihmë me pasuri dhe djem, po nxitojmë drejt tyre me të mira?! Kurrsesi, por ata nuk janë të vetëdijshëm (për këtë).” (Mu’minun, 23/55-56)

Abdurrahman bin Aufi qante karshi pasurisë së kësaj bote

Abdurrahman bin Aufi tregon vetë: “Omeri (radijallahu anhu) dërgoi dikë për të më thirrur. Vrapova menjëherë të shkoja për tek ai. Kur arrita te porta, nga brenda dëgjova një të qarë me ngashërim.

“In’na lil’lahi ue in’na ilejhi raxhiun, Prijësit të Besimtarëve do t’i ketë ndodhur ndonjë gjë e keqe!”, – thashë me vete dhe hyra brenda menjëherë. E kapa nga supet dhe e pyeta:

“Çfarë ka bërë vaki, o Prijësi i Besimtarëve?”

“Ç’të ndodhë më shumë, më ka rënë gjëma mbi kokë!”, – tha dhe më mori me vete për në dhomën e tij. Në dhomën e tij kishte thasë të tërë plot e përplot njëri mbi tjetrin.

“Familjen e Omer bin Hatabit tani e mori lumi! Po të donte Allahu, gjithë këtë pasuri mund t’ia kishte dhënë edhe Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në fillim, ose Ebu Bekrit më vonë, sepse mua rrugën që duhet të ndjek ata ma mësuan, duke më lënë shembull vetë jetën e tyre.”, – më tha.

“Po mirë, eja të ulemi, të mendohemi dhe të vendosim, ç’do të bëjmë me to.”, – i thashë unë. Vendosëm, që t’u jepnim nga katërmijë dërhemë nënave të mbarë besimtarëve, nga katërmijë t’u jepnim edhe muhaxhirëve dhe ensarëve, kurse të tjerëve t’u jepnim nga dymijë dërhemë. Kësisoj arritëm t’i ndanim gjithë ato para.”

Ballafaqimi i Abdurrahman bin Aufit me egon e vet për pasurinë e tij

Sa’d bin Ibrahimi na përcjell nga i ati: “Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) agjëronte atë ditë. Pak para akshamit i sollën ushqime, që të çelte iftarin. E pa njëherë ushqimin dhe tha kështu:

“Mus’ab bin Umejri (radijallahu anhu) ishte më i mirë se unë, prandaj ra dëshmor; edhe qefin nuk kishte për të, e mbuluan me një copë. Kur përpiqeshin t’i mbulonin këmbët, i zbulohej koka; kur i mbulonin kokën i zbuloheshin këmbët. Kështu ndodhi edhe me Hamzanë (radijallahu anhu), ra dëshmor, sepse ishte më i mirë se unë. Tani që bota na buzëqeshi dhe u bëmë të pasur... Kam frikë se mos ky është shpërblimi i të mirave që kemi bërë dhe po na jepet që në këtë botë.”, pastaj filloi të qajë dhe nuk hëngri gjë prej gjëje nga ato që i kishin shtruar përpara.”

Pyetja që i bën Abdurrahman bin Aufi Ummu Selemes dhe përgjigjja e saj

Umu Selemeja (radijallahu anha) tregon: “Abdurrahman bin Aufi shkoi për vizitë tek Umu Selemeja dhe i tha:

“Nënokja ime, kam shumë frikë se kjo pasuri që kam do të më rrënojë të tërin, sepse unë jam më i pasuri në të gjithë kurejshët.” Nëna jonë, Umu Selemeja e këshilloi duke i thënë këto fjalë:

“Shiko, o bir, shpërndajua pasurinë tënde edhe të tjerëve, sepse mua i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më ka thënë: ‘Nga sahabët e mi ka të atillë, që kur të iki unë e të mos jem më mes tyre, ata nuk do të më shohin dot më kurrë.’ Abdurrahman bin Aufi doli me një frymë jashtë i tmerruar dhe në rrugë u takua me Omerin (radijallahu anhu). Ia përcolli edhe atij hadithin që i kishte treguar Umu Selemeja. Omeri (radijallahu anhu) vrapoi fill e për tek Umu Selemeja dhe e pyeti:

“Vërtet, ashtu ka thënë i Dërguari i Allahut? Vallë mos jam edhe unë një prej atyre që nuk do ta takojnë më kurrë të Dërguarin e Allahut?”

“Jo, ti nuk je, por për ata që do të vijnë pas teje nuk di ç’të them!”,

– i tha Umu Selemeja (radijallahu anha) për ta qetësuar.”

Ballafaqimi i Habab bin Eretit me egon e vet për pasurinë e vënë në këtë botë

Habab bin Ereti tregon vetë: “Njëherë, ne u nisëm bashkë me të Dërguarin e Allahut në një udhëtim. Dhe vetëm Allahu ka për të na e dhënë shpërblimin e atij mërgimi. Por ç’e do, që shumë nga shokët tanë ikën e mërguan nga kjo botë shumë herët, pa parë e pa ngrënë asgjë prej shpërblimit të atij mërgimi. Për shembull, Mus’ab bin Umejri. Ai, kur ra dëshmor në luftën e Uhudit, me vete nuk kish asgjë, përveç asaj këmishe të hedhur mbi trup. Kur do ta varrosnim, ne e mbuluam me atë këmishë si qefin, mirëpo, kur i mbulonim kokën, atij i zbuloheshin këmbët dhe kur i mbulonim këmbët, i zbulohej koka. Derisa, në fund, i Dërguari i Allahut na tha:

“T’i mbulojmë kokën, kurse këmbët t’ia mbulojmë me gjethe idhkhiri.” Kurse, sot, ne po mbledhim frutat e shërbimit të tyre të pashembullt.”

Ballafaqimi i Selman Farisiut me egon e vet për pasurinë e tij

Ja se si e tregon Amir bin Abdullahu: “Në çastet e fundit të jetës, pak para se të ndahej nga kjo jetë, ne e pamë Selman Farisiun shumë të shqetësuar dhe të tensionuar, ndaj edhe e pyetëm:

“Çfarë të shqetëson kaq shumë, o Ebu Abdullah, pse po qan? Ti ke një të shkuar të lavdishme me kushedi sa e sa shërbime të mira e të hairit për të gjithë besimtarët. Ke luftuar bashkë me të Dërguarin e Allahut në sa e sa luftëra dhe keni dalë sa e sa herë ngadhënjimtarë.”

“Unë nuk po qaj as se jam shumë i lidhur me këtë botë, as se nuk dua që të shkoj në atë botë. Ajo që më shqetëson dhe më bën të qaj është se i Dërguari i Fisnik na paralajmëroi kushedi se sa herë prerazi, madje ne i dhamë edhe fjalën; Ai na pati thënë: “Ju mjafton aq ushqim sa ç’i duhet edhe një udhëtari gjatë rrugës.”

Kur vdiq Selmani, u mblodh pasuria e tij dhe të gjithë e panë se vlera e saj ishte pesëmbëdhjetë dërhemë gjithsej.”

Ebu Ubejde bin Xherrahu i kërkon llogari vetes për pasurinë e vënë

Kur u sëmur Ebu Ubejdeja, dikush erdhi për vizitë dhe e gjeti duke qarë, andaj e pyeti:

“Pse qan, o Ebu Ubejde?” Ebu Ubejdeja (radijallahu anhu) i përgjigjet:

“Ja përse qaj: Një ditë, i Dërguari i Allahut na dha sihariqin se Allahu i Madhërishëm do të na falte ne fitore e ngadhënjime të shumta dhe prej tyre myslimanët do të fitonin shumë plaçkë e pasuri. Ndërkohë, tha që ne do të ngadhënjenim edhe mbi Sirinë dhe u kthye nga unë e më foli:

“Shiko, o Ebu Ubejde! Nëse do të kesh jetë dhe do t’i shohësh edhe ti ato ditë, ta dish: tre shërbyes dhe tri kafshë rruge të mjaftojnë. Njëri të të shërbejë ty, njëri të të shoqërojë kur të nisesh për rrugë, kurse tjetri t’ju ndihmojë me punët e familjes. Njëra nga kafshët që t’i hipësh ti, tjetra për të mbajtur barrët, kurse tjetra le të jetë për shërbyesin.” Mirëpo, tani unë po shoh se shtëpia më është mbushur plot me shërbëtorë, kurse hauri përplot me kafshë. Si të dal unë kështu përpara Resulullahut tim të dashur? Ai na pati dhënë edhe një porosi si amanet, e cila ishte: “Nga ju, më i dashur dhe më i afërt për mua është ai që kur unë të largohem prej jush, tek unë do të vijë i njëjtë, ashtu siç e kam lënë unë.”

16. QËNDRIMI ASKETIK NDAJ KËSAJ BOTE I PROFETIT TONË DHE I SAHABËVE TË TIJ

Jeta e Resulullahut në boshtin e veçimit nga jeta e kësaj bote

Ibni Abasi tregon: “Omeri (radijallahu anhu) erdhi njëherë te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e gjeti atë duke fjetur mbi një shtrojë kashte. Ajo shtrojë i kishte lënë shenja në trupin e tij të bekuar. Kur e pa Omeri (radijallahu anhu), i tha:

“O i Dërguari i Allahut, a nuk bën të përgatitësh një shtrat pak më të butë për veten?” Resulullahu e dëgjoi dhe iu përgjigj, duke i thënë këto fjalë:

“Unë nuk kam kurrfarë lidhjeje me këtë botë! As nuk do të jem i përjetshëm në këtë botë. Unë jam porsi një udhëtar, i cili është nisur për rrugë në një ditë shumë të nxehtë vere dhe ndalet nën hijen e ndonjë peme, për t’u çlodhur dhe pastaj ngrihet e vazhdon rrugën për ku është nisur.”

Ibni Omeri tregon: “Ne po ecnim bashkë me të Dërguarin e Allahut. Gjatë rrugës ne patëm hyrë nëpër kopshtet me hurma të njërit prej ensarëve dhe Profeti ynë filloi të hante ndonjë hurmë nga ato që binin nga pemët. Ai më tha mua:

“O Ibni Omer, po ti pse nuk ha?” Ndërkohë, unë iu përgjigja:

“Nuk kam oreks, o i Dërguari i Allahut!”

“Kurse unë jam i uritur, sepse kam katër ditë që nuk kam vënë asgjë prej gjëje në gojë. Po të doja, i lutesha Allahut dhe Ai më jepte gjithë salltanetin e Kajserit dhe të Kisrës. O Ibni Omer, imagjino se në ç’gjendje katandisesh kur jeton në një shoqëri, ku njerëzit heqim mënjanë ushqimin e një viti të tërë dhe besimi u është dobësuar fare!”

Ibni Omeri thotë se: “Uallahi, shumë pak kohë pati kaluar nga ajo ndodhi, kur nga Allahu u zbrit ajeti: “Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka.” (Ankebut, 29/60) Fill pas shpalljes së këtij ajeti, i Dërguari i Allahut tha:

“Allahu nuk më ka urdhëruar mua të grumbulloj pasuri, apo që t’u bindem dëshirave të mia. Ai që grumbullon pasuri, sikur të ishte i sigurt se do të jetojë përjetësisht në këtë botë, ta dijë mirë se kjo jetë është vetëm në dorën e Allahut. Unë dua t’jua bëj me dije: Unë nuk grumbulloj kurrë as dinarë, as dërhemë dhe as nuk lë ushqim për nesër.”

Një transmetim i Aishes (r.a.) për këtë çështje

Aishja (radijallahu anha) tha: “Të Dërguarit të Allahut i sollën diçka për të pirë, ishte një përzierje me qumësht dhe me mjaltë. I Dërguari i Allahut tha:

“Këtu ka dy pije dhe dy përbërës, nuk e dua. Mos më keqkuptoni, nuk po ju them që kjo është e ndaluar. Por jam i shqetësuar, se, në ditën e Kiametit, mund të më duhet të jap llogari për të. Unë duhet të sillem sa më thjesht përpara Allahut. Allahu e lartëson këdo që tregohet i thjeshtë për hir të Tij, ashtu siç edhe e poshtëron atë që tregohet me të madh. Kushdo që zgjedh për veten rrugën e mesme, atë të ekonomisë, Allahu atij ka për t’i dhënë një pasuri shumë të madhe, si materiale, ashtu edhe shpirtërore. Allahu i do shumë ata që e përmendin shpesh vdekjen.”

Asketizmi i Ebu Bekrit (r.a.) dhe qëndrimi i tij karshi jetës së kësaj bote

Zejd bin Erkami tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) pati kërkuar pak ujë. Në vend të ujit atij i sollën sherbet të përgatitur me mjaltë. Sapo e çoi te buzët dhe do të pinte, ai filloi të qajë. Ne menduam se kushedi se ç’kish ndodhur dhe e kishim të vështirë që ta pyesnim. Kur u qetësua, ne e pyetëm:

“O kalifi i Resulullahut! Çfarë ndodhi, që të bëri për të qarë?” Sakaq, Ebu Bekri (radijallahu anhu) filloi të na tregojë:

“Një ditë ishim bashkë me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ç’të shihja, pashë Resulullahun që bënte sikur të ishte duke përzënë diçka! Mirëpo unë nuk shihja asgjë prej gjëje aty, veç nesh. E pyeta:

“O Resulullah, më duket sikur diç do që të përzësh; por unë nuk pashë asgjë!”

“Ishte bota, u përpoq të më bindte, që unë ta pranoja; e unë i thashë: ‘M’u hiq sysh, larg prej meje!’, atë po përzija. Kur po e përzija, bota më tha: ‘Ti nuk ke për të më kuptuar fare mua.’”

Ebu Bekri thotë se: “Kjo botë më la një mbresë shumë të fortë. Përherë kam pasur shumë frikë se mos shkel ndonjë nga këshillat e tij dhe kjo botë ia del të më mashtrojë.”

Asketizmi i Omerit (r.a.) dhe qëndrimi i tij karshi kësaj jete

Salim bin Abdullahu tregon: “Kur në krye të kalifatit u zgjodh Omeri (radijallahu anhu), filloi të më paguhej edhe mua e njëjta rrogë që i ishte paguar edhe Ebu Bekrit gjer në atë kohë. Njëherë, Omeri (radijallahu anhu) pati ngelur shumë ngushtë, madje një grup muhaxhirësh, Osmani, Aliu dhe Zubejr bin Auami (radijallahu anhum), u mblodhën dhe biseduan me njëri-tjetrin për të gjetur ndonjë zgjidhje. Zubejri u propozoi atyre:

“Sikur t’i themi Omerit dhe t’ia rritim pak rrogën.” Kurse Aliu (radijallahu anhu) tha:

“Kam shumë shpresë, se Omeri do ta pranojë këtë vlerësim.” Aty, u ngritën të tre dhe u nisën për tek Omeri (radijallahu anhu). Ndërkohë, Osmani (radijallahu anhu) u tha atyre:

“Sikur nuk e njihni ju Omerin! Ne këtë propozim më mirë t’ia bëjmë dikujt, të cilit Omeri (radijallahu anhu) nuk ia kthen fjalën. Të shkojmë te Hafsaja, t’i themi asaj dhe ajo ta mbajë të fshehtë, të mos i thotë gjë Omerit se nga erdhi ky mendim.” Ashtu bënë, shkuan te Hafsaja dhe i kërkuan që të fliste ajo me Omerin (radijallahu anhu); e paralajmëruan disa herë, që Hafsaja të mos thoshte gjë se kush ia kishte futur në kokë këtë mendim dhe u larguan prej andej

Hafsaja (radijallahu anha) shkoi tek i ati, Omeri (radijallahu anhu) dhe i foli se si qëndronte puna. E kuptoi nga fytyra e të atit, u nxeh. Omeri (radijallahu anhu) e pyeti atë se kush kishte shkuar tek ajo. Mirëpo Hafsaja nuk i tregoi, i tha:

“Nuk të them asgjë pa më thënë ti njëherë se ç’mendim ke për këtë që sapo të thashë.”

“Po ta dija se kush të ka folur, do t’u kisha dhënë një mësim të mirë! Po t’i luten Zotit, që në mes të kësaj je edhe ti. Më thuaj Hafsa, kur rrinte në shtëpinë tënde, çfarë mbante të veshur i Dërguari i Allahut?”

“Resulullahu dy palë tesha kishte gjithsej: një palë i mbante për miqtë e rëndësishëm; kurse të tjerat ishin ato që vishte kur dilte përpara myslimanëve.”, – i tha Hafsaja.

“Po ushqimi më i mirë që hante kush ishte, a nuk ma thua edhe atë?”

“Ne hanim bukë elbi. Kur buka ishte ende e ngrohtë i hidhnim edhe vaj përsipër dhe ajo na shijonte shumë, andaj u jepnim edhe mysafirëve të hanin prej saj.”

“Po mirë, o Hafsa, pa nuk më thua cila ishte shtroja më e mirë që përdorte Profeti ynë i nderuar kur rrinte tek ti?”

“Ne kishim një mbulojë të bërë nga një stof i trashë. Kur ishte kohë vere, ndodhte edhe që ta palosnim në katërsh dhe të uleshim mbi të. Dhe, kur vinte dimri, gjysmën e asaj shtroje e shtronim poshtë, ndërsa gjysmën tjetër e hidhnim sipër.” Omeri (radijallahu anhu) tha:

“Shiko, o Hafsa, unë dua që këto fjalë t’ia transmetosh edhe atyre fjalë për fjalë: I Dërguari i Allahut përcaktonte një masë që do t’i mjaftonte atij vetë, kurse çdo gjë tjetër që ishte më shumë se ç’i duhej, ai ua ndante atë menjëherë atyre që mund të kishin nevojë. Uallahi, edhe unë përcaktova një masë që do të mjaftonte për mua. Pjesën që tepron do t’ua jap njerëzve në nevojë dhe unë do të mjaftohem me atë që më gjendet. Unë dhe dy shokët e mi përpara meje, Profeti ynë dhe Ebu Bekri, jemi si tre vetë që ecin në të njëjtën rrugë. I pari mori me vete ushqimin shpirtëror dhe iku. Pas tij iku edhe i dyti dhe u takua më në fund me të. Kurse i treti (duke pasur parasysh veten), do të ndjekë rrugën e tyre dhe vetëm nëse do të mjaftohet vetëm me masën e nevojshme të kësaj bote, do të mund t’u bashkohet dy shokëve të tij dhe të rrijë bashkë me ta. Nëse ndjek rrugë tjetër, ai nuk do të takohet dot me ta.”

Omeri (r.a.) këshillon djalin e tij, Abdullahun, në lidhje me llojet e ushqimeve

Tregon Ibni Omeri: “Ishim në sofër, kur në shtëpi erdhi Omeri (radijallahu anhu). I hapa menjëherë vend, që të ulej. Ai u ul, tha ‘Bismil’lah’ dhe mori një kafshatë dhe e futi në gojë, mori edhe një kafshatë tjetër dhe pastaj tha:

“Kjo yndyrë nuk ngjan fare me dhjamin e mishit.”

“O Prijësi i Besimtarëve, sot dola në pazar për të blerë ndonjë kafshë të majme dhe me dhjamë. Çmimi i gjedhëve m’u duk pak i shtrenjtë, ndaj bleva një dërhem vaj dhe një dërhem gjalpë. Dhe kjo u bë më mirë, se hëngrën edhe fëmija.”

“I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), nëse do të kishte dy lloj gjërash për të shoqëruar bukën, njërën do t’ia jepte ndonjë tjetri, e vetë do të hante vetëm njërën.”, – i tha Omeri (radijallahu anhu).

“Mirë, haje të paktën kësaj here.”, – i thashë unë, – “dhe, këtej e tutje, do të bëj siç më thua ti.”, dhe që prej asaj dite nuk shtrova më tryezë ku buka të shoqërohej me më shumë se një shoqërues tjetër.”

Omeri (r.a.) ua kujtonte njerëzve vazhdimisht ajetin:

“Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to...”

Salim bin Abdullahu tregon: “Omeri (radijallahu anhu) thoshte kështu:

“Uallahi, ne nuk kemi kurrfarë lidhjeje me kënaqësitë e kësaj jete. Po të duam, ne i therim tërë dhitë e qumështit dhe na shtrohen sa hap e mbyll sytë përpara të pjekura. Dhe prapë, po të duam ne mund të gatuajmë edhe bukët më të mira me miell të bardhë gruri. Mund të ziejmë rrush të thatë; të hamë rrushin dhe t’i pimë shurupin. Mirëpo, ne nuk duam këtë, ne duam që ta marrim në amshim shpërblimin e të mirave tona në këtë jetë. Dhe këtë ne e kuptuam kur Allahu na tha:

“Ditën, kur ata që kanë mohuar do të vihen para Zjarrit (do t’u thuhet): ‘Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to, ndërsa sot do të ndëshkoheni me dënim poshtërues, sepse keni qenë arrogantë në Tokë pa kurrfarë të drejte dhe nuk i jeni bindur Allahut.’” (Ahkaf, 46/20)

Kalifi Omer mban hutbe me një veshje me dymbëdhjetë arna në shpinë

Transmetohet nga Hasan Basriu: “Kur ishte kalif Omeri (radijallahu anhu), ai na e mbajti neve hutben i veshur me një rrobë, e cila kishte plot dymbëdhjetë arna në shpinë.”

Ibni Omeri tregon: “Omeri (radijallahu anhu) gjatë kohës që ishte kalif, nevojat e veta dhe ato të mbajtjes së familjes i përballonte të gjitha vetë. Çdo verë ai merrte një rrobë dhe e vishte. E qepte atë sërish

me arna, derisa të vjetrohej fare e të bëhej që nuk mund të vishej më; nuk e hidhte dhe nuk e ndërronte duke marrë ndonjë të re.

Ai ishte një vit shumë pjellor për thesarin e shtetit të myslimanëve. Pavarësisht kësaj, unë e kam parë atë që të veshë një veshje më të vjetër se ajo që kish mbajtur një vit më parë. Kur Hafsaja (radijallahu anha) shkoi ta pyesë se pse e kishte veshur atë rrobë të arnuar, Omeri (radijallahu anhu) iu përgjigj:

- “Unë vishem nga plaçka në thesarin e myslimanëve dhe kaq është më se e mjaftueshme për mua.”110

Qëndrimi i Osmanit (r.a.) karshi kësaj bote

Abdulmelik bin Shedadi tregon: “Ishte ditë e premte dhe Osmani (radijallahu anhu) ishte ngjitur në minber; atë ditë kishte veshur një veshje shumë të thjeshtë që kushtonte a nuk kushtonte katër a pesë dërhemë gjithsej, e cila dukej që ishte punim i stofit të Adenit, kurse punimin e kishte me vija, si ato që punonin artizanët e Kufes.”

Shurahbil bin Muslimi na transmeton se Osmani (radijallahu anhu) u jepte njerëzve të hanin ushqimet më të mira e më të shijshme, kurse vetë, në shtëpinë e tij, hante vetëm uthull dhe vaj.”111

Qëndrimi i Aliut (r.a.) karshi kësaj bote

Një burrë nga fisi i Thakifit tregon: “Aliu (radijallahu anhu) më pati emëruar mua vali të qytezës së Ukberas. Kur më ngarkoi detyrën, ai më tha:

“Iraku nuk është një vend ku falet shumica e njerëzve.” Pastaj më tha:

“Në drekë, eja tek unë!”

Unë shkova tek ai në orarin që më pati thënë të vija dhe hyra menjëherë drejt e tek ai, sepse nuk kishte asnjë roje me vete. Po rrinte ulur dhe përpara kishte një enë dhe një gotë të mbushur plot me ujë. Ai

110. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/308.

111 1/60.

tha që t’i sillnin një torbë. Ndërkohë unë fillova të thosha me vete:

“Nuk e di se çfarë ka brenda, por më duket se më besoi; më duket se do të nxjerrë diçka nga ajo trastë e do të ma japë mua.” Kur, Aliu (radijallahu anhu) hapi grykën e asaj traste dhe ç’të shihja! Ajo ishte plot me një ushqim (përzierje e miellit me sheqer)! Mori një masë prej atij ushqimi dhe e hodhi në enën që kishte përpara dhe përsipër i hodhi pak ujë. E përzjeu mirë e mirë, piu njëherë, pastaj më dha që të pija edhe unë. Nuk u përmbajta dot dhe thashë:

“O Prijësi i Besimtarëve, po pse këtë ha ti, në Irak ka shumë ushqime që janë tejet të shijshme?”, – i thashë unë.

Aliu (radijallahu anhu) u përgjigj:

“Më lejo të të them diçka, që ta kuptosh. Mos shiko se unë hapa grykën e trastës, sepse unë nuk e bëra atë nga koprracia. Unë blej mjaftueshëm. Kam frikë se mos derdhet ndonjë gjë nga ato që janë brenda dhe përzihet me ato që njerëzit do të gatuajnë për mua. Ja pra, kjo është arsyeja pse unë e lidh grykën e trastës. Nuk dua që në bark të më hyjë ndonjë gjë tjetër, pos asaj që është e lejuar për mua.”

A’meshi na transmeton se Aliu (radijallahu anhu), si në drekë, ashtu edhe në mbrëmje, hante vetëm ato gjëra që i kishte sjellë me vete nga

Medina.”

Reagimi i Aliut (r.a.) për një ëmbëlsirë Falluxhi që i kishte sjellë dikush

Abdullah bin Sheriku na përcjell nga gjyshi i tij, se: “Aliut (radijallahu anhu) i prunë dhe i vunë përpara një lloj ëmbëlsire, të cilën vendasit e quanin “falluxh”. Aliu (radijallahu anhu) gjithë ndrojë pa njëherë ëmbëlsirën dhe tha:

“Aromën dhe ngjyrat i paske shumë të bukura dhe nuk kam dyshim që shumë të mirë e ke edhe shijen. Por unë nuk dua që ta mësoj veten me ushqime të reja, që nuk jam mësuar të ha.”113

Masa që i takon kalifit nga pasuria e thesarit, sipas Aliut (r.a.)

Abdullah bin Rezini tregon: “Pata shkuar të vizitoja Aliun (radijallahu anhu) për Kurban Bajramin. Ai na gostiti ne me një paçe shumë të mirë. Ne i thamë:

“Të sheh Zoti, o Ali, nuk e therje dot atë patë e të na gostitje me diçka më të mirë, sepse ty Allahu të ka falur shumë të mira e pasuri?” Aliu (radijallahu anhu) na dëgjoi dhe u përgjigj:

“Më dëgjo mua, o Ibni Rezin, Resulullahu ka thënë: “Kalifit nga pasuria e përbashkët i takojnë vetëm dy enë me ushqim. Njëra për veten dhe familjen e tij, kurse tjetra për miqtë që vijnë e vizitojnë.”114

Qëndrimi i Ebu Ubejde bin Xherrahut karshi kësaj bote

Urueja na tregon: “Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) pati shkuar të vizitonte Ebu Ubejden. Ebu Ubejdeja e kishte shtruar në tokë samarin e kalit të tij dhe ishte shtrirë mbi të. Omeri (radijallahu anhu) i tha atij:

“Po pse nuk ke marrë edhe ti një dyshek, siç kanë bërë të gjithë shokët e tu!” Ebu Ubejdeja u përgjigj:

“O Prijësi i Besimtarëve, kaq më mjafton për të fjetur nga pak gjatë drekës.”

Ndërsa, transmetimi i Ma’merit lidhur me këtë ngjarje thotë: “Kur erdhi Omeri (radijallahu anhu) në Siri, atë doli dhe e priti e tërë paria dhe populli sirian. Omeri (radijallahu anhu) pyeti:

“Ku është vëllai im?”

“Kush është vëllai yt?”, – e pyetën dhe Omeri (radijallahu anhu) tha:

“Ebu Ubejdeja.”

“Tani vjen.”, – ia kthyen ata. Me të ardhur Ebu Ubejdeja (radijallahu anhu), Omeri (radijallahu anhu) zbriti nga kali, u përqafuan me njëritjetrin dhe të dy bashkë shkuan në shtëpinë e Ebu Ubejdes. Omeri (radijallahu anhu), në shtëpinë e Ebu Ubejdes nuk pa asgjë tjetër veç shpatës, parzmores dhe kafshës së tij të rrugës.”115

114. Ibn Kethir, el-Bidaje, 8/3.

115 1/101.

Qëndrimi që mbante Mus’ab bin Umejri karshi kësaj bote

Tregon Aliu (radijallahu anhu): “Një ditë, Mus’abi erdhi i veshur me një rrobë të trashë e të arnuar. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur e pa në atë gjendje, solli ndërmend jetën e tij të mëparshme, mes bollëkut dhe pasurisë së pamasë. Resulullahut iu mbushën sytë me lot dhe filloi të qajë. Pastaj tha:

“Kur të pasuroheni dhe të keni bollëk e të vishni rroba nga më të ndryshmet e ngjyra-ngjyra, vallë si do të jetë gjendja juaj?” Ne iu përgjigjëm:

“Atëherë do të jetë më mirë për ne, me të mirat që do të na ketë dërguar Allahu (xhel’le xhelaluhu) do ta sigurojmë më lehtë jetesën, kështu që të gjithë pjesën tjetër të kohës do ta kalojmë duke adhuruar Zotin.”

“Jo,”, – ndërhyri i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem),

– “kjo gjendje e juaja sot është shumë herë më e mirë e më e hairit për ju.”116

Gjendja ekonomike e Mus’abit pasi u bë mysliman

Tregon Omeri (radijallahu anhu): “Një ditë, i Dërguari i Allahut pa Mus’abin tek po vinte me një lëkurë dashi të lidhur për beli dhe u drejtua nga ne e na tha:

- “E shikoni atë njeri, të cilit Zoti ia ka ndriçuar zemrën me besim, para ca kohësh e kam parë të veshur me një rrobë dyqind dërhemëshe. Nëna dhe babai i jepnin atij ushqimet më të mira e më të shijshme për të ngrënë. Mirëpo, shihni se si e shndërroi atë dashuria që ka për

Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”117

Si ishte Selman Farisiu përballë jetës në këtë botë

Hasan Basriu tregon: “Selman Farisiu ishte komandant i gati tridhjetëmijë luftëtarëve myslimanë dhe paguhej me një pagesë prej pesëmijë dërhemësh. Kur dilte përpara popullit, për t’u folur, ai hidhte supeve një jelek të gjatë shajaku. Kur binte të flinte atë e përdorte edhe si dyshek që të mos ia vriste trupin toka; gjysmën e shtronte

116. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/921 (17110).

117 1/108.

poshtë, ndërsa tjetrën sipër, për t’u mbuluar. Kur merrte pagën, ai ua shpërndante atë të varfërve, kurse vetë jetonte me ndonjë punë tjetër që u bënte njerëzve.”

Selman Farisiu (radijallahu anhu) nuk kishte shtëpi, prandaj shkonte shtrihej në hije dhe ndërronte vend kur fillonte t’i binte dielli. Një ditë, Hudhejfeja e pyet:

“A do që të të ndërtoj një shtëpi?” Selman Farisiu nuk e priti aspak mirë këtë mendim. Hudhejfeja i tha:

“Po prit njëherë, mos u ngut të vendosësh menjëherë; të ta tregoj njëherë si do ta ndërtoj, pastaj vendos.”, dhe vazhdoi t’i shpjegonte:

“Unë do të të bëj ty një shtëpi të atillë, që madhësia e shtëpisë nuk do të jetë më e madhe se trupi yt. Kur të shtrihesh, kryet do të të prekin njërën anë të murit, kurse këmbët në anën tjetër; ndërsa, kur të ngrihesh në këmbë, koka do të të prekë në tavan.”

“Ja, kjo është shtëpia që dua unë.”, – tha menjëherë Selmani dhe e pranoi propozimin e Hudhejfes.”

Qëndrimi i Ebu Dherr Gifariut karshi kësaj bote

Ebu Esmaja e tregon: “Unë pata shkuar njëherë tek Ebu Dherri (radijallahu anhu), atëherë kur ai qëndronte në Rebedhe. Tek ai ishte edhe një grua me ngjyrë, po shumë e shëmtuar, sikur t’i kishte kokë e këmbë një. Ebu Dherri (radijallahu anhu) bëri me shenjë nga gruaja me ngjyrë dhe tha:

“Hë, e shikoni se çfarë më këshillon mua kjo grua? Më thotë të iki në Irak. Po, se po të ikkam unë në Irak, atje do të më japin shumë të mira të kësaj jete. Po mua miku im i vetëm, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), më ka thënë se: ‘Ura e Siratit është një rrugë shumë e ngushtë, e rrëshqitshme dhe plot pengesa.’, – dhe unë mendoj se do të jetë më e lehtë dhe shumë herë më mirë e më e hairit, nëse e kaloj atë me sa më pak barrë nga kjo e kësaj bote, sesa të kaloj mbi të me një barrë shumë të rëndë prej saj.”120

Ushqimi që hante Ebu Dherri

Ibrahim et-Tejmiu transmeton nga i ati, se: “E pyetën Ebu Dherrin (radijallahu anhu):

“A nuk do edhe ti, që të bëhesh i pasur e të kesh plaçkë e toka njësoj si ata?” Ebu Dherri dëgjoi njëherë, pastaj u përgjigj:

“Unë nuk dua të bëhem mbret. Mjaft e kam edhe pak ujë ose qumësht përditë dhe ndonjë masë grurë njëherë në javë. Kaq kam marrë unë edhe në kohën kur ishte gjallë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem); gjersa të më vijë vdekja, nuk dua të kem asnjë fije gjë më tepër.”121

Qëndrimi që mbante Ebu Derdaja përballë jetës në këtë botë

Muhamed bin Ka’bi tregon: “Në shtëpinë e Ebu Derdasë kishin ardhur si mysafirë për të fjetur një grup myslimanësh. Ebu Derdaja u nxori atyre një ushqim të ngrohtë, vetëm se, për të fjetur, ai nuk u shtroi atyre asgjë. Një nga miqtë u ngrit dhe tha:

“Na dërgoi ushqim për të ngrënë, po nuk e kuptuam, ç’do të thotë të hash e të rrish në këtë të ftohtë? Unë do të shkoj tek ai, t’i flas.” Mirëpo, një nga shokët i tha:

“Lëre, mos shko t’i thuash gjë.”, – por nuk e dëgjoi, këmbënguli dhe shkoi e u ngul te dera e Ebu Derdasë. Mbërriti, por qëndroi pak dhe pa Ebu Derdanë që rrinte ulur dhe e shoqja nuk quhej se e kishte mbuluar kokën. Ai u kthye drejt tij dhe i tha:

“Po edhe ti e paske kaluar natën pa u shtruar mbi asgjë, njësoj si ne.” Atëherë, Ebu Derdaja ia ktheu atij burri:

“Pas kësaj bote ku jetojmë tani ne do të shkojmë në një vend tjetër. Ne shtretërit dhe jorganët i kemi dërguar për atje. Po të na gjendeshin këtu, patjetër që do t’ju kisha sjellë edhe dyshek, edhe jorganë për t’u mbuluar. Përpara ne kemi një mal shumë të thepisur. Ata që kanë më pak barrë kur ta kalojnë atë mal do ta kenë shumë më mirë dhe më lehtë, sesa ata që do t’i nisen të ngarkuar me barrë shumë të rënda. Po

121 1/162.

tani, a më kuptove se çfarë dua të të them?”

“Po, e kuptova.”, – iu përgjigj ai burrë.”

Qëndrimi i Muadh bin Afrasë përballë të mirave të kësaj bote

Skllavi i liruar i Ebu Ejubit (radijallahu anhu), Eflahu, tregon: “Omeri (radijallahu anhu) kishte kërkuar që për familjet që kishin marrë pjesë në Bedër të qepeshin veshje të veçanta dhe një nga këto veshje ia pati dërguar edhe Muadh bin Afrasë (radijallahu anhu). Muadhi më tha mua:

“Eflah, merre këtë rrobë dhe çoje ta shesësh.” E mora dhe shkova e shita për njëmijë e pesëqind dërhemë. Kur u ktheva që t’ia jepja paratë Muadhit, ai më tha:

“Tani shko dhe bli ndonjë skllav me këto para.” Ashtu bëra dhe me ato para arrita të blej plot pesë skllevër dhe ia çova Muadhit. Kësaj here Muadhi më priti me fjalët:

“Unë kam vërtet shumë dyshime për mendjen e atij njeriu që vesh një veshje të tillë, të bërë nga dy copa leckë, që kushton sa për të çliruar nga skllavëria pesë skllevër!”, – dhe pastaj u drejtua nga skllevërit, duke u thënë:

“Hajde, ikni tani, që sot jeni të lirë të gjithë.”, dhe i liroi.

Omeri (radijallahu anhu), një të dëgjuar se Muadhi nuk e kishte veshur atë që ai e kishte qepur enkas edhe për të, i qepi atij një veshje tjetër, jo aq të mirë, e cila nuk kushtonte më shumë se njëqind dërhemë dhe ia dërgoi. Muadhi (radijallahu anhu) i tha atij që ia pruri veshjen:

“Nuk ma merr mendja që këtë të ma ketë dërguar Omeri

(radijallahu anhu).”

“Po, vërtet Omeri jua ka dërguar.”, – i tha atij ai që ia solli. Atëherë Muadhi e merr atë rrobë dhe vjen vetë drejt e tek Omeri (radijallahu anhu).

“O Prijësi i Besimtarëve, ti ma ke dërguar mua këtë veshje?”, – e pyeti.

“Dëgjova që nuk e ke veshur atë veshje që unë e qepa veçanërisht për ty dhe vëllezërit e tu. Prandaj edhe të dërgova këtë.”

“O Prijësi i Besimtarëve, unë nuk e vesha atë që ti më dërgove në fillim, sepse unë desha që ti të më dërgoje diçka nga ajo që është e jotja.”, – i tha Muadh bin Afraja (radijallahu anhu) Omerit (radijallahu anhu) dhe ia ktheu pas veshjen e dërguar.”123

Po Abdullah bin Omeri,

çfarë qëndrimi mbante ndaj të mirave të kësaj bote?

Skllavi i liruar i Ibni Omerit (radijallahu anhu), Ubejdullah bin Adiji (radijallahu anhu), pasi u kthye nga Iraku, shkoi për vizitë tek Ibni Omeri. I dha selam dhe i tha:

“Të kam sjellë një dhuratë nga Iraku.” Ibni Omeri e pyeti se çfarë ishte ajo dhuratë që i kishte sjellë prej andej. Ubejdullah bin Adiji iu përgjigj:

“Xhuarish ~ karamele erëmira.”

“E ç’na qenka ky xhuarishi?”

“Janë karamele erëmira, që janë ilaç për ta bërë më të lehtë tretjen.”, – iu përgjigj ai.

“Po unë u bënë dyzet vjet që nuk ha sa të ngopem, ç’ta dua atë ilaç!”, – tha Abdullah Ibni Omeri (radijallahu anhu).”124

Qëndrimi që mbante Hudhejfe bin el-Jemani karshi të mirave të kësaj bote

Tregon Saide bin Sa’d bin Hudhejfeja: “Hudhejfeja vazhdimisht thoshte:

“Dita që më pëlqen më shumë është dita kur vij në shtëpi dhe mësoj se nuk ka asgjë për të ngrënë dhe njerëzit e shtëpisë më thonë: ‘Nuk kishim asgjë për të gatuar!’, sepse unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që na ka thënë:

123. Ibnu’l-Xheuzi, Sifetu’s-Safue, 1/473.

124 1/300.

- “Allahu e ruan besimtarin e vërtetë nga varësia e plaçkës e pasurisë në këtë botë ashtu siç një familjar ruan nga ushqimet e dëmshme njerëzit e familjes së tij, sepse Allahu e do të mirën e robve të Tij, që i besojnë, më shumë sesa i do të mirën fëmijës së tij një baba i mirë.”

17. GJYKIMI I ATYRE NJERËZVE QË NUK I VININ FRE VETES NDAJ TË MIRAVE DHE KËNAQËSIVE TË KËSAJ BOTE

Kur njerëzit gjykojnë ata që hanë dy vakte me ushqim

E tregon Aishja (radijallahu anha): “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kur dalloi se unë haja dy herë në ditë, më tha:

“O Aishe! Çfarë do t’i, që mos të të shqetësojë asgjë tjetër veç barkut? Çfarë do të bësh, do që ta fusësh të tërë botën në stomakun tënd? Të hash dy herë në ditë është shpërdorim dhe Allahu i Madhërishëm nuk i do ata që shpërdorojnë.”

Një këshillë e të Dërguarit Fisnik për Aishen (r.a.)

Aishja (radijallahu anha) u ul pranë Krenarisë së Njerëzimit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe filloi të qajë. I Dërguari i Allahut e pyeti:

“Po pse qan, moj Aishe? Nëse do që të jesh pranë meje në jetën e përtejme, atëherë pranë vetes mbaj aq ushqim sa ç’i duhet edhe një udhëtari kur niset për rrugë. Në asnjë mënyrë mos u përfshi në mesin e të kamurve! Dhe kurrsesi të mos të shkojë në mendje që të thuash për veshjet ‘u vjetruan’ dhe t’i hedhësh pa i arnuar dhe pa i qepur nëse është e nevojshme!”

Një këshillë nga i Dërguari Fisnik për Ebu Xhuhajfen

Tregon Ebu Xhuhajfeja: “Pata ngrënë therijde të bërë me mish e me vaj dhe pata shkuar pastaj tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Pata ngrënë pak si shumë, ndaj pa ndërprerë gromësija. I Dërguari i Allahut më tha:

“O Ebu Xhuhajfe, po largohu dhe gromësi pak më tutje! Ata që e mbushin barkun sa nuk mban më në këtë botë, në jetën e përtejme do të qëndrojnë të uritur për një kohë të gjatë.” Vërtet, që nga ajo ditë e deri sa vdiq, Ebu Xhuhajfeja nuk hëngri më kurrë gjer në ngopje. Nëse i qëllonte të hante në mëngjes, nuk hante më në mbrëmje dhe nëse hante në darkë, në mëngjes nuk hante më.”

Kur Omeri (r.a.) gjykon Xhabir bin Abdullahun

E tregon Jahja bin Saidi: “Omeri (radijallahu anhu) takoi Xhabir bin Abdullahun dhe kur pa që në dorë kishte ca para, e pyeti:

“Çfarë ke ndërmend të bësh me këto para?” Ai iu përgjigj:

“U kishte shkuar mendja për mish atyre të shtëpisë, ndaj po shkoj t’u blej pak mish.”

“Po ti, ua blen çdo gjë që u shkon mendja atyre njerëzve të shtëpisë? Çfarë bëni, mendoni vetëm për të ngopur barkun tuaj, kur duhet t’u jepni të hanë edhe fqinjëve dhe të afërmve tuaj? Ju e keni harruar më duket ajetin kur’anor: “Ditën, kur ata që kanë mohuar do të vihen para Zjarrit (do t’u thuhet): ‘Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to, ndërsa sot do të ndëshkoheni me dënim poshtërues, sepse keni qenë arrogantë në Tokë pa kurrfarë të drejte dhe nuk i jeni bindur Allahut.’” (Ahkaf, 46/20)!”, – e qortoi Omeri (radijallahu anhu) Xhabir bin Abdullahun.”

Letra e Omerit (r.a.) për Ebu Derdanë

Këtë na e tregojnë, si Seleme bin Gulthumi, ashtu edhe Rashid bin Sa’di: “Omeri i nderuar (radijallahu anhu) dëgjoi se Ebu Derdaja (radijallahu anhu), i cili asokohe jetonte në qytetin e Humusit, kishte ndërtuar një shtëpi pak më të lartë se të tjerat, i shkroi atij një letër ku i thoshte:

“Ebu Derda! A nuk të mjaftojnë ty shtëpitë e ndërtuara prej persëve dhe të bizantinëve si bukuri të jetës në këtë botë, që ndërton shtëpi tjetër për veten? Kur e drejta është që ju, sahabët e Muhamedit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), jeni njerëz që duhet të jeni shembull për të gjithë umetin e tij. Me ta marrë këtë letër, eja menjëherë tek unë në Sham.”

Thuhet se vetëm për këtë arsye Omeri (radijallahu anh) e ndëshkoi

Ebu Derdanë duke e emëruar në Sham.”

Këshilla e Omerit (r.a.) për të gjithë drejtuesit

Tregon Abdullah Err-Rrumij: “Shkova në shtëpinë e Umu Talkut dhe vura re se ajo shtëpi e kishte shumë të ulët tavanin.

“O Umu Talk! Po shumë të ulët e paskeni këtë tavan!”, – i thashë.

“O bir, Omeri (radijallahu anhu) u ka dhënë urdhër të gjithë drejtuesve që ka emëruar:

“Mos i ndërtoni shumë të larta ndërtesat; koha më e keqe e jona do të jetë kur ju t’i ndërtoni ato të larta.”

Kur Ebu Ejubit nuk i pëlqen diçka prej Ibni Omerit

Salim bin Abdullahu (radijallahu anhu) tregon se: “Babai ishte ende gjallë kur u martova unë. Ai i pati ftuar që të gjithë në dasmën time. Mes të ftuarve ishte edhe Ebu Ejubi (radijallahu anhu). Ne kishim varur perde të gjelbra nëpër muret e shtëpisë. Kur Ebu Ejubi erdhi dhe pa që dhoma ime ishte stolisur me perde të gjelbra, më pyeti:

“More Abdullah, po pse edhe mureve u vini perde ju?” Dhe, babai, Ibni Omeri, i vënë paksa në siklet, iu përgjigj:

“O Ebu Ejub, kështu kishin qejf gratë.”

“E besoja që të gjithë dëgjojnë fjalën e gruas; po që do të ishe edhe ti kështu, këtë nuk do ta kisha besuar kurrë. Kjo është hera e fundit, këtej e tutje as nuk ju vi më në shtëpi, as nuk ha nga buka që do të shtroni ju!”, – i tha Ebu Ejubi (radijallahu anhu) babait.”

Fjalët që i tha Ebu Bekri (r.a.) Abdurrahman bin Aufit pak çaste para se të ndahej nga jeta

Tregon vetë Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu): “Unë shkova për vizitë tek Ebu Bekri (radijallahu anhu), pasi ishte i sëmurë. Pasi i dhashë selam Ebu Bekri më tha:

“Unë e shoh që tani, se, shumë shpejt, ju do të pasuroheni shumë e do të fitoni shumë prej të mirave të kësaj bote. Do të vijë ajo ditë e mirëqenies dhe njerëzit do të qepin perde prej mëndafshi dhe jastëkë atllasi; nuk do t’ju pëlqejnë më krevatet e punuara me lesh nga ai i Azerbajxhanit. E vërteta është se për ju do të ishte më mirë sikur dikush t’ju vriste, sesa të prireni sadopak kësisoj kah të mirat e kësaj bote.”

Këshillat e Abdullah bin Omerit për të birin që vesh rroba të reja

Mejmuni (radijallahu anhu) na tregon se: “Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) i kishte qepur një palë rroba njërit prej fëmijëve të tij dhe ia veshi për t’ia parë se si i rrinin. Fëmija i veshi ato rroba dhe pas pak erdhi tek ai dhe i tha se veshja e re i ishte grisur në një vend. Ibni Omeri (radijallahu anhu) i tha atij:

“Prije atë pjesë ku është grisur dhe vazhdo ta veshësh” Por, fëmijës nuk i pëlqeu aspak kjo këshillë. Kur e pa se fëmija u mërzit shumë, Ibni Omeri i tha:

“Duhet të të vij turp, ta kesh frikë Allahun! Kurrë mos u bëj nga ata që Allahu u fal ndonjë të mirë dhe ata vrapojnë ta hedhin menjëherë në bark, apo mbi shpinë!”

Çfarë i tha Ebu Bekri (r.a.) vajzës së tij, Aishes, kur pa se ajo kishte veshur një veshje të re

Tregon Aishja (radijallahu anha): “Një ditë, unë kisha veshur një veshje të re. E doja shumë, ndaj rrija rrija dhe e shikoja. Babai, Ebu Bekri (radijallahu anhu), më tha:

“Ç’bën që e shikon ashtu atë veshje? Allahu nuk të sheh, në këtë gjendje që je ti.”

“E pse nuk më sheh?”, – e pyeta unë dhe ai m’u përgjigj:

“Ta dish se nëse robi jepet pas stolive dhe madhështisë së gënjeshtërt të kësaj bote, Allahu nuk e sheh me mëshirë atë rob, derisa ai të heqë dorë nga ajo stoli.” E hoqa menjëherë atë veshje dhe ia dhashë dikujt si sadaka.”

Shënimet

  1. 1.. Muslim, Sahih, 2/704 (1017).
  2. 2.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/56.
  3. 3.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/149.
  4. 4.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/414 (17754).
  5. 5.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/414 (17752).
  6. 6.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 3/251 (3456).
  7. 7.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/887 (16976).
  8. 8.. Buhari, Ebedu’l-Mufred, 1/106 (280).
  9. 9.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/889 (17022).
  10. 10.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/167.
  11. 11.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/294.
  12. 12.. Buhari, Sahih, 2/530 (1392).
  13. 13.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/163.
  14. 14.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/108 (11048).
  15. 15.. Muslim, Sahih, 3/1642 (2054).
  16. 16.. Ibn Hibban, Sahih, 16/113 (7159).
  17. 17.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/107 (12070).
  18. 18.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 5/138 (4877).
  19. 19.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/179.
  20. 20.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/4; Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/59.
  21. 21.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/98; Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/164.
  22. 22.. Muslim, Sahih, 4/1907 (2452).
  23. 23.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/912 (17085).
  24. 24.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/27.
  25. 25.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/38; El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/357 (18651).
  26. 26.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/38.
  27. 27.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/88.
  28. 28.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 6/241 (6110).
  29. 29.. Muslim, Sahih, 3/1627 (2057).
  30. 30.. Imam Malik, Muuatta, 1/279 (618).
  31. 31.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/298.
  32. 32.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/298.
  33. 33.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/291.
  34. 34.. Ebu Daud, Sunen, 2/395.
  35. 35.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 9/476 (25973).
  36. 36.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/338.
  37. 37.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/374.
  38. 38.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 2/274 (2152).
  39. 39.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/120.
  40. 40.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/316.
  41. 41.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/136.
  42. 42.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/122 (12246).
  43. 43.. Buhari, Sahih, 5/2065 (5095).
  44. 44.. Ibn Haxher, el-Isabe, 8/10 (11446).
  45. 45.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/556 (16073).
  46. 46.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/55.
  47. 47.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 23/414 (999).
  48. 48.. El-Hakim, Mustedrek, 3/372 (5423).
  49. 49.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1255 (8543).
  50. 50.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/898 (11696).
  51. 51.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/260 (9772).
  52. 52.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/885 (11658).
  53. 53.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/620 (9772).
  54. 54.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/624 (9774).
  55. 55.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 3/355.
  56. 56.. Bejheki, Sunen, 6/357 (12811).
  57. 57.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/82.
  58. 58.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 1/112.
  59. 59.. El-Hakim, Mustedrek, 3/252 (5005).
  60. 60.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/296.
  61. 61.. Ibn Haxher, el-Isabe, 8/20.
  62. 62.. Ibn Haxher, el-Isabe, 7/721.
  63. 63.. Ibn Haxher, el-Isabe, 7/669.
  64. 64.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/301.
  65. 65.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/191 (44214).
  66. 66.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/869 (35998).
  67. 67.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/875 (36015).
  68. 68.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/872 (36006).
  69. 69.. Bejheki, Sunen, 7/49 (13105).
  70. 70.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/344 (18616).
  71. 71.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/988 (14479). Me sa duket, i Dërguari i Allahut nuk i pranonte dhuratat e idhujtarëve, pasi nuk donte që të kishte asnjë detyrim ndaj tyre, si dhe nuk donte që të ishte i detyruar të pranonte ndonjë prej kërkesave të tyre për të bërë ndonjë lëshim.
  72. 72.. Imam Malik, Muuatta, 2/998 (1814).
  73. 73.. Bejheki, Sunen, 6/354 (12795).
  74. 74.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/938 (17155).
  75. 75.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/938 (17154).
  76. 76.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/924 (17116).
  77. 77.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/179.
  78. 78.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/161.
  79. 79.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/551 (15826).
  80. 80.. El-Hakim, Mustedrek, 3/542 (6015).
  81. 81.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/164.
  82. 82.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/4.
  83. 83.. Darimi, Sunen, 1/153 (585).
  84. 84.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/4 (16156).
  85. 85.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 4/204.
  86. 86.. Ebu Ja’la, Musned, 2/367 (1129).
  87. 87.. Buhari, Sahih, 4/1486 (3816).
  88. 88.. Buhari, Sahih, 4/1473 (3791).
  89. 89.. Bejheki, Sunen, 6/358 (12813).
  90. 90.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/894 (11684).
  91. 91.. Buhari, Sahih, 1/428 (1216).
  92. 92.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/73 (14449).
  93. 93.. Buhari, Sahih, 3/1415 (3684).
  94. 94.. Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 7/76 (34312); Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/197.
  95. 95.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/195 (1696).
  96. 96.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/587 (18299).
  97. 97.. Ibn Kethir, Tefsir, 3/420.
  98. 98.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/585 (18294).
  99. 99.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/30.
  100. 100.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/853 (35958).
  101. 101.. Ibn Maxhe, Sunen, 2/1115 (3361).
  102. 102.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/49.
  103. 103.. Mubarekfuri, Tuhfetu’l-Ahuedhi, 5/388.
  104. 104.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/82. 1131/81.
  105. 105.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/197.
  106. 106.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/202. 1201/161.
  107. 107.. Ibnu’l-Xheuzi, Sifetu’s-Safue, 1/263.
  108. 108.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/277.
  109. 109.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 5/26 (5640).
  110. 110.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/150.
  111. 111.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 7/256.
  112. 112.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 5/34 (5673).
  113. 113.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 7/305.
  114. 114.. Buhari, Ebedu’l-Mufred, 1/161 (452).
  115. 115.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 15/786 (41950).
  116. 116.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/34.
  117. 117.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/301.
  118. 118.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/37.