JETA E SAHABËVE 2

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

NDJESHMËRIA DHE KUJDESI PËR NAMAZIN TEK I DËRGUARI FISNIK DHE TE SAHABËT E TIJ

1. I DËRGUARI FISNIK I NXIT NJERËZIT PËR TË FALUR NAMAZ

Një hadith prej Osmanit (r.a.) në lidhje me këtë çështje

E tregon skllavi i Osmanit (radijallahu anhu), Harithi: Një ditë, ne ishim ulur dhe po rrinim bashkë me Osmanin (radijallahu anhu). Osmani (radijallahu anhu) më kërkoi që t’i çoja një enë me ujë. Mori abdes, pastaj më tha këto fjalë:

Unë e kam parë vetë Resulullahun, që merrte abdes njësoj siç po marr unë dhe pasi kishte mbaruar së marri abdes, thoshte:

“Kush e merr abdesin si unë dhe fal namazin e drekës, Allahu ia fal atij njeriu të gjitha mëkatet që mund të ketë bërë mes sabahut dhe vaktit të drekës. Pastaj, nëse fal namazin e ikindisë, atij i fshihen të gjitha mëkatet që mund të ketë bërë mes drekës dhe ikindisë. Pastaj, nëse fal namazin e akshamit, atij i fshihen dhe i falen të tëra gabimet e mëkatet që mund të ketë bërë mes ikindisë dhe akshamit. E, nëse fal namazin e jacisë, atij i falen gjithë mëkatet mes akshamit dhe jacisë. Ai njeri mund të bëjë mëkate edhe gjatë natës, por, nëse merr abdes dhe fal namazin e sabahut, Allahu ia fal atij çdo mëkat që mund të ketë bërë mes namazit të jacisë dhe atij të sabahut.”

Ata që gjendeshin aty e pyetën atë:

“Ne e kuptuam se çfarë vjen nga e mira, po punët e tjera të mira, cilat janë, o Osman?”

“Të thuash: ‘La ilahe il’lallah, Subhanallah, Elhamdulil’lah, Allahu Ekber, Ue la haule ue la kuuete il’la bil’lah’,” – u përgjigj ai.”

Resulullahu i thotë dikujt: “Namazi i shlyen mëkatet.”

E tregon Aliu (radijallahu anhu): “Ishim me të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe po prisnim të hynte koha e namazit e ta falnim. Kur, papritur, njëri nga ne u ngrit dhe tha:

“Unë bëra një mëkat.” I Dërguari i Allahut nuk u mor me të. Pas namazit, ai e tha edhe njëherë atë që kishte thënë njëherë më parë, e atëherë i Dërguari i Allahut i tha atij:

“Po ti a nuk more abdes dhe fale namazin pak më parë?”

“Po, e fala!”, – u përgjigj ai njeri. Kësaj here, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Ja pra, namazi që ti fale është shlyerje për mëkatin që ti the pak më parë se e ke kryer.”

Resulullahu, edhe para se të ndahej nga kjo jetë, e pati lënë namazin amanet

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Ja se cili ishte fjalë për fjalë amaneti që la Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pak para se të vdiste:

“Lidhuni fort me namazin! Dhe tregohuni sa më të drejtë me njerëzit, për të cilët jeni përgjegjës (skllevërit, shërbyesit/et dhe ndihmësit tuaj!)” Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) e pati përsëritur këtë fjali deri në çastin që shpirti i ishte afruar daljes e mund t’i fliste gjuha.”

I Dërguari i Allahut ishte shumë i lidhur me namazin

Sipas një transmetimi që vjen prej Enes bin Malikut (radijallahu anhu), Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë: “Më janë bërë të dashura për mua nga kjo botë aroma e mirë dhe gruaja, ndërsa namazin e kam si dritën e syve.”

2. KUR SAHABËT I NXITIN MYSLIMANËT KAH NAMAZI

Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) thotë se: “ Nuk ka asnjë mysliman që ngjitet mbi një copë toke të ngritur, apo që të shkojë në një xhami të ndërtuar me gurët e tij e të falë namazin, e ai vend të mos i thotë: ‘Për Allahun ti fale namaz mbi tokën e Tij; në Ditën e Kiametit, kur të dal përpara Tij, unë do të dëshmoj në të mirën tënde.”

Tarik bin Shihabi tregon se: “Një natë qëndruam te Selman Farisiu (radijallahu anhu); doja të shihja se si e kalonte natën duke adhuruar Allahun e Madhërishëm. Aty drejt fundit të natës u ngrit dhe vetëm fali namaz. Meqenëse, të them të drejtën kjo nuk është se më pëlqeu edhe aq shumë, ia bëra atij të ditur qëllimin se pse kisha qëndruar në shtëpinë e tij. Ai më ktheu këtë përgjigje:

- “Falini me xhemat të pesë kohët e namazit. Nëse dikush nuk përfshihet në hapësirën e ndonjë prej mëkateve vrastare, këto namaze janë shlyerja e tërë mëkateve të vogla. Në kohën që bie muzgu, njerëzit ndahen në tri kategori: ata që e kalojnë natën plotësisht në të mirën e tyre, ata që nata kalon e tëra në të keqen e tyre dhe ata që nuk u kalon as në të mirë, as në dëm të tyre. Ja se si, nëse njeriu përfiton nga rasti i rënies së errësirës, kur të gjithë bien të flenë, dhe çohet të falë namaz gjer në mëngjes, e tërë nata kthehet në natë përfitimesh për të. Por ka edhe njerëz, të cilët përfitojnë nga errësira dhe nga fakti që të gjithë janë në gjumë dhe zhyten në mëkat. Ja, kjo natë është e tëra kohë humbjeje. Por ka edhe ca të tjerë, që, me të falur namazin e jacisë, bien të flenë. Kësisoj, për të tillët, nata nuk është as në dobinë, as në dëmin e tyre.

O Tarik! Qëndro larg ecjeve të lodhshme, zgjidh rrugën e mesme; ec, por ec pa ndërprerje!..”

3. DISA FJALË DHE DISA VEPRIME TË TË DËRGUARIT TË ALLAHUT PËR TË TREGUAR RËNDËSINË E VEÇANTË TË NAMAZIT

Tregon Ebu Dherri (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) çohej gjatë natës dhe e kalonte të gjithë natën duke falur namaz. Gjatë namazit ai do të këndonte medoemos këtë ajet: “Nëse Ti i dënon ata – nuk ka dyshim, që ata robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Maide, 5/118)

Esuedi (radijallahu anhu) tregon: “Ne ishim pranë Aishes (radijallahu anha). Bisedën e ktheu te namazi i pandërprerë dhe te lidhja e fortë me namazin. Aishja (radijallahu anha) na tregoi: “I Dërguari i Allahut u sëmur për herë të fundit. Erdhi koha e namazit dhe u thirr ezani. I Dërguari i Allahut u ngrit dhe tha:

“Thojini Ebu Bekrit, t’ua falë ai namazin besimtarëve.” Ata që ishin aty të pranishëm thanë:

“Ebu Bekri është shumë i butë e i ndjeshëm, kur të kalojë në vendin tënd, në atë të imamit, për t’u prirë besimtarëve në namaz, nuk do ta përballojë dot e do të qajë.” Por, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) përsëriti të njëjtat fjalë. Edhe ata që qëndronin pranë tij i dhanë të njëjtën përgjigje.

Derisa, herën e tretë i Dërguari i Allahut tha:

“Edhe ju do të ndërhyni në çdo gjë, siç bënin gratë e kohës së Jusufit! Thojini Ebu Bekrit, të dalë ai t’ua falë besimtarëve namazin!”

Ebu Bekri (radijallahu anhu) sapo kishte nisur të falte namazin, kur i Dërguari i Allahut sikur u ndie pak më mirë dhe hyri në krahët e dy vetëve dhe shkoi edhe ai në xhami. Edhe tani më ngjan sikur i kam përpara syve këmbët e tij, të cilat me zor i tërhiqte mbi tokë nga dhimbjet. Kur hyri i Dërguari i Allahut në xhami, Ebu Bekri (radijallahu anhu) deshi të tërhiqej pas. Por i Dërguari i Allahut i bëri me shenjë që të vazhdonte. E çuan pranë Ebu Bekrit (radijallahu anhu) dhe u ul aty.”

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Resulullahu, tre ditë nuk erdhi në xhami. Ditën e tretë, kur u thirr ikameti dhe Ebu Bekri (radijallahu anhu) u bë gati të dilte para besimtarëve, Resulullahu tha:

“Hapeni perden!” E hapën. Neve nuk na kujtohej asnjë ditë tjetër, kur fytyra e Resulullahut të jetë dukur aq e ëmbël sa dukej atë ditë. I bëri me shenjë Ebu Bekrit, që të dilte imam dhe tërhoqi perden. Ne nuk e patëm më fatin që të na e falte ai namazin derisa ia dorëzoi Zotit shpirtin.”

4. RËNDËSIA QË KISHTE NAMAZI PËR SAHABËT FISNIKË

Tregon Misuer bin Mahremeja: “Pas plagosjes me kamë të Omerit (radijallahu anhu), unë shkova tek ai. I pyeta ata që ishin atje:

“Si është?”

“Siç e sheh.”, – mu përgjigjën ata. Unë u thashë atyre:

“Nëse doni që të zgjohet, thirreni për të falur namazin. Atë nuk e zgjoni dot me asgjë tjetër, veç namazit, edhe pse mund të duket më e rëndësishme!” Paskëtaj, ata thanë:

“O Prijësi i Besimtarëve! Erdhi koha për t’u falur.”

“Hë, bëtë mirë që më folët, të çohem”, – tha, – “të falim namazin.” Mesa duket iu kujtua gjendja e atij që braktis namazin në Islam, e u çua dhe e fali namazin duke i rrjedhur gjak nga plaga.”

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Nuk shihja më nga sytë. Më këshilluan:

“Sikur ta lësh namazin për disa ditë, të të mjekojmë e të të shërohen sytë.” Dhe unë iu përgjigja:

“Jo, namazin nuk mund ta le dot, sepse i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na pati thënë:

“Nëse ndokush vdes pasi të ketë braktisur namazin, ai njeri do të përballet me ndëshkimin e rëndë të Allahut.”

5. NDËRTIMI I XHAMIVE

Tregon Mutalib bin Abdullahu (radijallahu anhu): “Në vitin e njëzet e katërt të mërgimit, kur u bë kalif Osmani (radijallahu anhu), njerëzit shkuan tek ai dhe i kërkuan që të zgjeronte xhamitë, duke u ankuar se hapësirat e xhamive ishin tashmë të pamjaftueshme për xhematin, sidomos gjatë ditëve të premte. Prandaj, njerëzit kërkuan ndërtimin e një xhamie më të madhe, ku të mund ta falnin namazin në mënyrë më rehatshme. Osmani (radijallahu anhu) u këshillua edhe me sahabët e tjerë të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Edhe ata, të të njëjtit mendim ishin, që të rrëzohej xhamia ekzistuese dhe mbi të të ndërtohej një e re, më e bollshme. Osmani (radijallahu anhu) u fali atyre namazin e drekës, pastaj u ngjit në minber dhe pasi lëvdoi Allahun, tha:

“O njerëz! Unë vendosa që ta prish xhaminë e të Dërguarit të Allahut dhe ta zgjeroj atë. E kam dëgjuar vetë kur i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë: “Kush ndërton një xhami në Tokë, Allahu ndërton për të një shtëpi në Xhenet.” Paraardhësi im ishte Omer ibnu’l-Hatabi (radijallahu anhu). Edhe Omeri (radijallahu anhu) e pati zgjeruar atë njëherë më parë. Jam këshilluar edhe me parinë e sahabëve. Edhe ata janë të të njëjtit mendim, që ta prishim xhaminë ekzistuese dhe ta zgjerojmë atë.”

6. MBAJTJA PASTËR E XHAMIVE

Urue bin Zubejri tregon: “I Dërguari i Allahut na ka urdhëruar neve që të caktojmë një vend për t’u falur edhe në shtëpitë tona, të tregojmë kujdes për ato hapësira dhe që t’i mbajmë pastër.”

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Për pastërtinë e xhamisë kujdesej një grua, të cilën e quanin Harkau’s-Seuda. Një ditë ajo grua vdiq, por Profetin tonë nuk e patën lajmëruar se ajo kish vdekur. Kur e mori vesh i Dërguari i Allahut, tha:

“Më lajmëroni gjithmonë, kur të vdesë ndonjëri prej jush.” Fali një namaz në emër të asaj gruaje dhe tha:

“Tani më bëhet sikur po e shoh teksa po fshin xhaminë e Xhenetit.”

7. MIRËSIA E SHKUARJES NË XHAMI DUKE ECUR

Tregon Zejd bin Thabiti (radijallahu anhu): “Ne po shkonim në xhami bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). I Dërguari i Allahut po ecte me hapa shumë të shpeshtë.

“E dini pse jam duke i hedhur hapat kaq të vegjël?”, – na pyeti ai.

“Allahu dhe i Dërguari i Allahut e dinë më mirë arsyen e vërtetë.”, – i thashë unë. I Dërguari i Allahut tha:

“Myslimani pranohet se është në namaz përgjatë gjithë kohës që do të jetë duke falur namaz. Prandaj unë po hedh sa më shumë hapa, për të shkuar te namazi.”

8. URTËSITË DHE FUNKSIONET E XHAMIVE

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Ne ishim ulur në xhami me të Dërguarin e Allahut, kur aty u shfaq papritur një beduin, që filloi të kryente ujët e hollë. Sahabët një ta parë, iu hodhën që t’i thoshin se ç’bënte ashtu. Mirëpo, i Dërguari i Allahut u tha atyre:

“Ndalni, mos e prekni atë njeri; të mbarojë punë.” Sahabët nuk

e ngacmuan atë njeri derisa përfundoi së kryeri nevojat. Mandej, i Dërguari i Allahut e thirri atë njeri pranë vetes dhe i tha:

“Ndotja e xhamive nuk është kurrsesi një sjellje e denjë. Faltoret ndërtohen për të përmendur Allahun, për të falur namaz dhe për të lexuar Kur’anin Famëlartë.” I kërkoi dikujt që të sillte një kovë me ujë dhe e derdhi ujin mbi vendin që kishte ndotur ai beduin.”

Jezid bin Abdullah tregon: “Sahabët e Suffes ishin prej atyre sahabëve të të Dërguarit të Allahut që nuk kishin shtëpi ku të banonin. Këta njerëz, kur ishte gjallë i Dërguari i Allahut, jetonin e flinin në xhami. Edhe gjatë ditës, po t’i kërkoje, atje do t’i gjeje, sepse ata nuk kishin asnjë vend tjetër ku të strehoheshin. Në mbrëmje, i Dërguari i Allahut i thërriste banorët e Sufes. Disa prej tyre ai i dërgonte nëpër shtëpitë e sahabëve të tjerë, që të hanin a të kryenin ndonjë nevojë që mund të kishin; ndërsa një pjesë i mbante aty, me vete. Kështu vazhdoi edhe për ca kohë, derisa Allahu u fali myslimanëve më shumë pasuri e më shumë mundësi për të jetuar më mirë.”

Tregon Esma binti Jezidi: “Ebu Dherr el-Gifari i shërbente të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Kur mbaronte punën, ai kthehej në xhami dhe atje flinte. E kishte si shtëpinë e tij xhaminë. Një ditë, i Dërguari i Allahut e gjeti atë të shtrirë, duke fjetur, në xhami dhe e zgjoi duke e ngacmuar me këmbë. Ebu Dherri drejtoi trupin dhe u ngrit. Ai i tha atij:

“Edhe ti fle këtu, o Ebu Dherr?”

“E ku të fle, o i Dërguari i Allahut; unë nuk kam shtëpi tjetër ku të fle!”, – u përgjigj Ebu Dherri.”

Thirrja e Ebu Hurejres për shitësit në pazar

Një ditë, Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) doli në pazarin e Medinës; u ndal në një vend ku mund ta shihte e ta kishte në kontroll të gjithë tregun dhe thirri:

“O shitës të pazarit! Ju jeni shumë të paaftë!”

“E pse qenkemi të paaftë?”, – e pyetën ata njëzëri.

“Atje është duke u ndarë trashëgimia e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe ju qëndroni akoma këtu. Nuk do të shkoni atje, të merrni edhe ju pjesën që ju takon?”, – u tha ai atyre.

“Ku është duke u shpërndarë?”, – pyetën ata.

“Në xhami.”, – tha Ebu Hurejreja.

Të gjithë sa ishin në pazar ngarendën drejt xhamisë. Ebu Hurejreja i priti atje. Tërë ata burra u kthyen ashtu siç kishin ikur, pa asgjë në duar. Ebu Hurejreja i pyeti:

“Pse u kthyet?”

“Ne shkuam në xhami, hymë brenda, por atje nuk po ndahej asnjë gjë! Ç’është e vërteta as nuk pamë të kishte ndonjë gjë për t’u ndarë!”, – thanë ata.

“Po në xhami nuk gjetët askënd?”, – vazhdoi t’i pyesë Ebu Hurejreja (radijallahu anhu).

“Po, pamë. Kishte ca njerëz që po falnin namaz, ca të tjerë që lexonin Kur’an, kurse disa të tjerë bisedonin me njëri-tjetrin për të lejuarën dhe të ndaluarën.”, – thanë ata dhe Ebu Hurejreja ua ktheu me fjalët:

“T’ju vijë turp! Ja pra, ajo është trashëgimia e Muhamedit; dija!”

9. SJELLJET QË JANË TË PAHIJSHME PËR T’U BËRË NË XHAMI

Të shkosh në xhami pasi ke ngrënë hudhra

Tregon Ebu Bekri (radijallahu anhu): “Pasi i Dërguari i Allahut ngadhënjeu në Hajber, njerëzit gjetën atje hudhra me shumicë, ndaj u mësuan shumë me ngrënien e saj. Në këtë situatë ndërhyri i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“Të mos i afrohet xhamisë sonë ai që do të ketë ngrënë nga ajo bimë me erë të shpifur!”

Të kërkosh gjënë e humbur në xhami

Tregon Ibni Sirini (radijallahu anhu): “Ibni Mesudi dëgjoi zërin e dikujt që bërtiste për të lajmëruar se i kishte humbur diçka në xhami. Ibni Mesudi e qortoi atë burrë, duke i thënë:

“Neve na është ndaluar që ta përdorim xhaminë për të lajmëruar për sendet e humbura.”

E folura duke bërtitur në xhami

Saib bin Jezidi tregon: “Një ditë unë isha duke fjetur në xhami. Dikush më hodhi mua një guralec dhe më zgjoi. Kur pashë, ishte Omeri (radijallahu anhu), i cili më tha:

“Ngrihu dhe më sill këtu ata dy persona.” I solla. Omeri (radijallahu anhu) u tha atyre:

“Prej nga jeni ju?”

“Nga Taifi.”, – u përgjigjën ata. Omeri (radijallahu anhu) u foli atyre qortueshëm:

“Po të kishit qenë vendas do t’jua kisha treguar unë qejfin. Ku keni parë ju, punë që bëhet është, të bërtasësh e të ulërish në xhaminë e të Dërguarit të Allahut?”

10. I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ FISNIKË I JEPNIN SHUMË RËNDËSI EZANIT

Abdullah bin Zejdi tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po kërkonte një arsye që si e si t’i ftonte myslimanët në xhami. Me të ardhur koha e faljes së namazit, ai nxirrte dikë në një vend më të ngritur; e ai i lajmëronte besimtarët duke u bërë shenja me duar. Ata që shihnin shenjën vinin në namaz, kurse ata që nuk e shihnin nuk e kuptonin dot që kish ardhur koha për të falur namazin. Kjo ishte një çështje që e fuste në mendime shumë të thella të Dërguarin Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Disa i patën propozuar atij:

“Po sikur të përdorësh një kambanë, o Resulullah!” I Dërguari i Allahut i pyeti:

“Siç bëjnë të krishterët? Jo, nuk bëhet!”, – tha ai. Një grup tjetër nga besimtarët thanë:

“Po sikur të përdorësh një buri?!” I Dërguari i Allahut këtë e kundërshtoi, duke arsyetuar se kjo do të ishte një ngjasim me hebrenjtë.

Pas kësaj bisede unë u ktheva në shtëpi. Fakti që i Dërguari i Allahut po lodhej aq shumë për të gjetur një zgjidhje më futi edhe mua në të thella, se mos gjeja ndonjë zgjidhje, për t’i ardhur në ndihmë Resulullahut. Atë natë, deri kur filloi të binte perdja e errësirës e të zbardhte, atë sikur e mbuloi një mjegull tymi. Sipër pashë një njeri që kishte veshur dy palë tesha të gjelbra njëra mbi tjetrën. Isha në një gjendje mes zgjimit dhe gjumit. Ai njeri u ngjit në majë të xhamisë, vuri gishtat mbi veshët dhe filloi të këndojë ezanin që këndohet edhe sot e kësaj dite.”

Një gjykim dhe interpretim i Aishes (r.a.) rreth rëndësisë së veçantë të ezanit

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Ajeti: “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: ‘Unë, me të vërtetë jam mysliman.’” (Fussilet, 41/33) është zbritur enkas për myezinët. Ata, për të cilët bëhet fjalë në këtë ajet janë myezinët. Kur myezini thotë: ‘haj’jeales’salah - ejani në namaz’, është ai që po i fton myslimanët në rrugën e Allahut. Edhe kur fal namazin ai është duke kryer një punë shumë të mirë e të bekuar. Dhe kur thotë, ‘Esh’hedu en la ilahe il’lallah’ – ai bëhet mysliman edhe njëherë.”

Rëndësia që kishte ezani për Omerin (r.a.)

Tregon Ebu Ma’sheri: “E kam dëgjuar vetë Omerin (radijallahu anhu), kur ka thënë:

- “Nëse do të kisha qenë myezin, nuk do të isha mërzitur edhe sikur të mos kisha bërë asnjë haxh tjetër, veç atij që është detyrim. Nëse engjëjt do të jetonin në Tokë, ata nuk do t’ia kishin lënë tjetërkujt detyrën e veçantë të këndimit të ezanit.”

11. I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ PRISNIN HYRJEN E KOHËS SË NAMAZIT DHE GRUMBULLIMIN E XHEMATIT

Abdullah bin Ebi Eufa (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për sa kohë që dëgjonte zhurma takash të shapkave dhe sandaleve të besimtarëve, nuk e niste faljen e namazit.”

Tregon Abdullah bin Amri: “Resulullahu na fali neve namazin e akshamit. Disa prej besimtarëve u kthyen në shtëpi. Një pjesë tjetër qëndroi në xhami. Pas pak, erdhi i Dërguari i Allahut dhe na tha:

“Zoti na hapi një prej portave të qiejve. Ai po u krenohet engjëjve me ju, ja se si po ua shpreh Ai atyre krenarinë për ju: ‘Robt e mi e falën namazin në kohën e vet, e tani po presin që të hyjë koha e namazit tjetër.’”

Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na tha:

“A doni që t’ju tregoj ato punë e sjellje që do të bëhen shkak që t’ju fshihen mëkatet e t’ju rriten gradët pranë Allahut?”

“Na i trego, o i Dërguari i Allahut!”, – i thamë ne, kur i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) numëroi:

“Marrja e abdesit plotësisht dhe pa asnjë të metë, hedhja e sa më shumë hapave dhe shpejt gjatë rrugës për në xhami dhe të rrish në pritje të hyrjes së kohës tjetër të namazit, pasi e ke falur namazin e radhës. Ja pra, këto janë pikat, përmes të cilave ju mund të lidheni më së forti me Zotin tuaj.”

12. RËNDËSIA E TË FALURIT ME XHEMAT E TË PESË KOHËVE TË NAMAZIT

Amr bin Ummu Mektumi tregon: “Unë i thashë të Dërguarit të Allahut:

O Profeti i Zotit! Unë jam një njeri që nuk sheh nga asnjë prej syve. E shtëpinë e kam shumë larg prej xhamisë. E, për më tepër, as nuk kam njeri që të më sjellë në xhami e nuk kam kurrfarë mundësie që të mund të vij i vetëm. Jo gjithmonë arrij që të gjej ndokënd që të më shoqërojë gjer këtu. Vallë, a mund të më lejosh mua që ta fal namazin në shtëpinë time?” Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më pyeti:

“A e dëgjon ezanin nga shtëpia?” - “Po!”, - iu përgjigja unë.

“Atëherë, unë nuk mund të të jap leje që të mos vish e ta falësh namazin në xhami.”, – më tha i Dërguari i Allahut.”

Anbese bin Ez’heri e tregon: “Harith bin Hassani sapo qe martuar. (Harithi ishte një nga sahabët e të Dërguarit të Allahut). Asokohe, djemtë e sapomartuar mbylleshin në shtëpi dhe shumë herë e kishin të pamundur që të vinin në xhami, për të falur namazin e sabahut. Harithi, të nesërmen e martesës shkoi në xhami, të falte namazin e sabahut. Shokët iu afruan dhe e pyetën:

“Po ti mbrëmë u martove, pse dole edhe sot për namazin e sabahut?”

“Për Zotin,” – u përgjigj Harithi, – “ajo grua që më privon mua nga falja e namazit me xhemat është grua e keqe.”

13. LIDHJA E RADHËVE FORT DHE TË RREGULLTA GJATË NAMAZIT

Numan bin Beshiri (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut

(sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na i rregullonte neve radhët kur bëheshim gati për të falur namazin, sikur të ishte duke vënë me kujdes shigjetat në trastën e tyre. Derisa edhe ne u mësuam dhe filluam të kujdeseshim vetë, që të radhiteshim ashtu siç na e kishte mësuar i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Një ditë, sapo u bë gati për të thirrur tekbirin, kur pa që kraharori i dikujt doli pak më para se trupat e gjithë të tjerëve. Ndërhyri menjëherë, duke thënë:

“O robt e Zotit, rregullojini mirë radhët tuaja; në të kundërt, ju do t’ju prishet bashkimi, e nuk do të jetoni për njëri-tjetrin.”

Numan bin Beshiri (radijallahu anhu) thotë se: “Unë pashë një njeri, supi i të cilit u bashkua me supin e atij që kishte ndanë; kurse thembrat iu bashkuan me thembrat e tij.”

14.IMAMI KUJDESET PËR NEVOJAT E NDRYSHME TË XHEMATIT

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte njeri shumë i dhembshur. Sa herë që ndokush prej bashkësisë së tij i kërkonte ndonjë gjë, apo kishte nevojë për diçka, ai, po të kishte mundësi, do t’ia përmbushte medoemos. Nëse nuk do të kishte mundësi, ai do t’i jepte fjalën se do t’ia gjente. Një ditë u thirr ikameti për të falur namazin. Erdhi një beduin dhe e kapi atë nga rroba e i tha:

“Unë kisha një nevojë, e kam shumë frikë se mos e harroj.” I Dërguari i Allahut u largua menjëherë, ia përmbushi atij njeriu nevojën, pastaj u fali besimtarëve namazin.”

15.TË BËHESH IMAM DHE NDJEKJA E IMAMIT ME PËRPIKËRI

Abdullah bin Handhale (radijallahu anhu) tregon: “Ne ishim në shtëpinë e Kajs bin Sa’d bin Ubades. Aty ishin edhe një grup nga sahabët e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ne i thamë Kajsit:

“Eja, dil ti imam e na e fal ti këtë namaz!”

“Punë që s’bëhet.”, – u përgjigj ai. Por unë thashë: Ka thënë i Dërguari i Allahut:

“Më e mira është që çdokush të flejë atje ku ka krevatin e vet, t’i hipë kafshës së vet të rrugës dhe të bëhet imam në shtëpinë e tij, sepse kjo është më e përshtatshme.” Atëherë, Kajsi nxori si imam skllavin e tij të liruar dhe ai na e fali neve atë namaz.”

Talha bin Ubejdullahu (radijallahu anhu) tregon: “Unë i pata falur namazin një xhemati. Pasi u priva atyre në namaz, unë u ktheva kah ata për t’u thënë:

“Para se të dilja imam unë harrova që t’ju kërkoja leje juve më parë, që të na printe dikush nga ju në namaz. Vërtet e kam, a jeni të kënaqur me namazin tim?”

“E si të mos na pëlqejë neve dalja jote si imam! A ka njeri që të mos i pëlqejë kur imam i del një nga shokët më të rrallë e më të zgjedhur të të Dërguarit të Allahut!”, – u përgjigjën ata. E unë u thashë atyre:

“Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur ka thënë: ‘Nëse dikush del imam përpara një bashkësie që nuk e do atë si imam, atëherë dalja i tij si imam është e papranuar.’”

16.KUR I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ QANIN GJATË FALJES SË NAMAZIT

Ubejd bin Umejri (radijallahu anhu) e pyeti njëherë Aishen (radijallahu anha):

“A mund të më tregosh se cila ka qenë sjellja më interesante që ke parë ndonjëherë tek i Dërguari i Allahut?” Aishja (radijallahu anha) heshti për një çast, pastaj më tha:

“Një natë, i Dërguari i Allahut më tha mua:

“O Aishe! Sonte dua që të më lësh vetëm. Dua të adhuroj Zotin.”

“Për Zotin”, – iu përgjigja, – “vërtet dua që të të kem pranë, por unë e dua shumë edhe atë që do ti më së shumti.” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u ngrit, mori abdes dhe filloi të falë namaz. Ishte i ulur, kur filloi të qajë, aq sa mjekra iu bë e tëra qull në lot. Madje, aq shumë qau, saqë edhe vendi u lag nga lotët e derdhur. Bilali, kur e pa se si po qante Resulullahu, tha:

“O Resulullah! Po Zoti ty t’i ka falur të tëra mëkatet e shkuara dhe ato të ardhme, pse vazhdon ti të qash kështu akoma?” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) iu përgjigj atij e i tha:

“Po pse, të mos jem unë një rob që e falënderon Zotin? Sonte mua m’u zbrit një ajet kur’anor. Më vjen keq dhe turp për ata që e lexojnë atë ajet, pa e kuptuar e pa medituar për të! Ajeti ishte ky: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja dhe mësim për mendarët.” (Al ‘Imran, 3/190)

17. PËRULJA NË NAMAZ

Tregon Ummu Rumani: “Njëherë, kur Ebu Bekri (radijallahu anhu) më kishte parë mua në namaz duke parë njëherë majtas e njëherë djathtas, më pati qortuar aq ashpër, saqë për një çast mu duk sikur do të më prishej namazi. Pasi përfundova namazin, u kthye nga unë dhe më tha kështu:

“Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që ka thënë: ‘Kur të bëheni gati për të falur namazin, shkëputini tërësisht marrëdhënien me ato çfarë keni përreth; mos u ktheni sa majtas djathtas siç bëjnë hebrenjtë, sepse edhe shkëputja e marrëdhënies me ambientin përreth është një pjesë e namazit.’”

18. KUJDESI I VEÇANTË QË TREGONTE I DËRGUARI I ALLAHUT PËR SUNETET

Aishja (radijallahu anha) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u jepte më shumë rëndësi dhe tregonte një kujdes më të veçantë për sunetet e namazit të sabahut më shumë sesa të çdo namazi tjetër.”

Abdullah bin es-Saibi (radijallahu anhu) tregon: “Pasi dielli kalonte kulmin e qiellit, para se të falte namazin e drekës, i Dërguari i Allahut falte katër rekate sunet dhe thoshte: ‘Dua që punët e mia të mira të shkojnë tek Allahu në këto orë kur dyert e qiejve hapen e gjithçka çohet përpara Allahut.’”

Aliu (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) falte katër rekate namaz sunet para farzit të namazit të drekës, ndërsa pas farzit falte edhe dy rekate të tjera sunet.”

Aishja (radijallahu anha) tregon: “I Dërguari i Allahut, kur nuk i falte dot katër rekatet e sunetit të namazit të drekës, ai i falte ato pas farzit.”

Aliu (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut, para se të falte detyrimin e namazit të ikindisë, falte njëherë katër rekate namaz sunet; këto katër rekate ai i falte dy e nga dy, duke përshëndetur engjëjt më të afërt me Allahun dhe mbarë besimtarët që i ndjekin ata.”

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pas detyrimit të namazit të akshamit falte edhe dy rekate namaz sunet. Gjatë këtyre dy rekateve ai këndonte pjesë të gjata të Kur’anit, aq sa kur jepte selam, ishte shpërndarë pothuajse i tërë xhemati.”

Aliu (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më pati këshilluar mua që tri gjëra të vazhdoja t’i bëja e të mos i braktisja asnjëherë për sa të kisha jetë. Njëra prej tyre ishte edhe falja e katër rekateve namaz të sunetit të ikindisë para farzit. Dhe unë, sa të kem jetë, nuk do ta braktis asnjëherë faljen e tyre.”

Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Ai njeri që fal katër rekate të tjera pas namazit të akshamit, është sikur të marrë pjesë edhe në një luftë tjetër në rrugën e Allahut kur sapo është kthyer nga lufta në rrugën e Allahut.”

19. RËNDËSIA E NAMAZIT TË NATËS PËR TË DËRGUARIN E ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ

Abdullah bin Kajsi (radijallahu anhu) tregon: “Aishja (radijallahu anha) ka thënë: “Mos e braktis kurrë namazin e natës, sepse i Dërguari i Allahut nuk rrinte asnjë natë pa falur namaz. Edhe kur ishte i sëmurë, apo ishte shumë i lodhur, ai do të falte namaz gjatë natës, qoftë edhe i ulur.”

Xhabiri (radijallahu anhu) tregon: “Në kohën kur u zbritën ajetet:

“O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kur’anin ngadalë dhe qartë...” (Muzzemmil, 73/1-4), falja e namazit të natës qe bërë detyrim edhe për ne sahabët. Erdhi kjo urdhëresë nga ana e Zotit dhe ne nisëm të faleshim derisa këmbët zinin të na ënjteshin. Por, më vonë, u zbrit edhe ajeti:

“Natyrisht, Zoti yt e di se ti (o Muhamed) falesh më pak se dy të tretat e natës, ndonjëherë gjysmën ose një të tretën e saj, si edhe disa prej atyre që janë me ty. Allahu e përcakton gjatësinë e ditës dhe të natës dhe e di se ju nuk mund ta llogarisni atë saktësisht, prandaj kthehet tek ju me mëshirë. Kështu që lexoni Kur’an aq sa mundeni! Ai e di se disa prej jush do të jenë të sëmurë, disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë) dhe disa të tjerë do të jenë duke luftuar në rrugën e Tij, prandaj lexoni sa keni mundësi nga Kur’ani! Faleni namazin, jepeni zekatin dhe jepini Allahut një hua të mirë (që Ai t’jua kthejë shumëfish). Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Muzzemil, 73/20)

Omeri (r.a.) dhe namazi i natës

Eslemi tregon: “Omeri (radijallahu anhu) sa të kishte mundësi natën do ta kalonte duke falur tehexhud (namaz nate); mandej gjysmën tjetër të natës ai i zgjonte edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, duke u thënë:

“Namazi!..” Veç kësaj, ai u këndonte atyre edhe ajetin: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.” (Taha, 20/132)

Ibni Omeri dhe namazi i natës

Tregon Nafiu: “Ibni Omeri i jepte jetë natës duke falur namaz, pastaj thërriste:

“O Nafi, a ka hyrë koha për namazin e sabahut?” Dhe, kur unë i thosha:

“Jo, ende nuk ka hyrë.”, – ai vazhdonte të falte namaz. Pas njëfarë kohe, ai pyeste sërish:

“Nafi, a ka hyrë koha për namazin e sabahut?” E, kur unë i thosha:

“Po!”, – ai ulej derisa të zbardhte mirë dhe i lutej Allahut e i kërkonte që ta falte.”

Ebu Galibi (radijallahu anhu) tregon: “Ibni Omeri pati ardhur në Mekë dhe mysafir pati qëndruar tek ne. Çohej natën dhe falte namaz tehexhudi. Një natë, aty gati në të ardhur të agimit, tha:

“O Ebu Galib, po ti nuk do të çohesh për të falur namaz? Të paktën deri tani do të kishe kënduar një të tretën e Kur’anit!” Unë i thashë:

“Por edhe pak e do të agojë, e si ta lexoj unë një të tretën e Kur’anit në kaq pak kohë sa ka mbetur?” Ai më tha mua:

“Sureja e “Ihlasit”, ajo më vete është sa një e treta e Kur’anit

Famëlartë.”

20.RËNDËSIA QË I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ I JEPNIN NAMAZIT NAFILE

E tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati dërguar diku një ekspeditë. Ushtarët u kthyen pas shumë shpejt dhe për më tepër, patën marrë edhe shumë plaçkë. Ishte kjo arritje, që dikush erdhi e tha:

“O Resulullah! Deri më sot ne nuk kemi parë ndonjëherë trupë luftarake që të shkojë e të kthehet kaq shpejt e me kaq shumë plaçkë nga lufta.” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tha atyre:

“A doni që t’ju tregoj unë dikë, i cili ka shkuar në luftë dhe jo vetëm që është shkruar më shpejt, por edhe me më shumë plaçkë të fituar? Ai është ai që merr abdes siç duhet, shkon në xhami dhe pasi fal namazin e sabahut me besimtarët, pret dhe fal edhe namazin e Duhasë.”

Aishe binti Sa’di (radijallahu anha) tregon: “Sa’d bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu) namazin e Duhasë e falte me tetë rekate.”

Muhamed bin Amar bin Jasiri (radijallahu anhu) tregon se: “Unë kam parë Amar bin Jasirin (radijallahu anhu), që, pasi falte namazin e akshamit, falte edhe gjashtë rekate namaz të tjera. Ai më ka thënë mua:

“Fort i Dashuri im, i Dërguari Fisnik, pasi falte namazin e akshamit, falte edhe gjashtë rekate namaz nafile shtesë. Kam qenë vetë aty, kur ka thënë: “Atij që fal namazin e akshamit, pastaj fal edhe gjashtë rekate namaz të tjera, i falen të gjitha mëkatet, edhe sikur t’i ketë sa shkuma e detit.”

21.NAMAZI I TERAUISË DHE SAHABËT

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “Ishte gjatë muajit të Ramazanit, kur, një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i pa myslimanët teksa faleshin në njërën anë të xhamisë. Ai pyeti se çfarë po bënin ata ashtu. Myslimanët që gjendeshin aty iu përgjigjën:

“Këta, duke qenë se nuk dinë shumë pjesë përmendësh nga Kur’ani, vënë Ubej bin Ka’bin që t’u prijë për të falur namazin.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i përgëzoi ata të gjithë duke thënë:

“Sa mirë po bëjnë, kjo është diçka shumë me vend!”

Tregon Urueja (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anhu) i mblodhi myslimanët, që të organizoheshin dhe t’i jepnin më shumë jetë muajit të Ramazanit dhe u tha:

“Burrat ta falin namazin me imam Ubej bin Ka’bin, kurse gratë me Sulejman bin Ebu Hathmen.”

Ja se si tregon Omer bin Abdullah el-Ansiu: “Ubej bin Ka’bi dhe Temim Dariu kalonin në vendin e të Dërguarit të Allahut dhe u falnin besimtarëve burra namazin e terauisë. Kurse, në një pjesë tjetër të xhamisë imam dilte Sulejman bin Ebu Hathmeja, i cili u falte namazin e terauisë grave. Kur në krye të kalifatit u vendos Osmani (radijallahu anhu), ai kërkoi që në namaz të printe vetëm Sulejman bin Ebu Hathmeja, për të gjithë, burra e gra. Ai u kërkoi grave që të mos largoheshin, por të prisnin gjersa nga xhamia të largoheshin burrat.”

22. NAMAZI I NEVOJËS

E tregon Aliu (radijallahu anhu): “Seç kisha një dhimbje të fortë në trup, që vështirë t’jua përshkruaj. Shkova tek i Dërguari i Allahut. I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më uli mua në vendin e tij dhe u ngrit për të falur namaz. Një pjesë të veshjes së tij ma hodhi mua në trup. Pasi mbaroi së faluri namazin, u kthye nga unë e më tha:

“Nuk ke asgjë, o i biri i Ebu Talibit! Unë i kërkova Zotit për ty atë që i kërkova edhe për veten time. Dhe Allahu më ka falur mua çdo të mirë që unë i kam kërkuar; por mua më është thënë se, ‘pas teje nuk do të vijë më profet tjetër’.” Aliu (radijallahu anhu) thotë:

“Kur u çova, nuk e kisha më atë dhimbje që më kishte çuar të ankohesha tek i Dërguari i Allahut!”

Historia e Ebu Mual’lekut

E tregon Enes bin Maliku (radijallahu anh): “Mes sahabëve të

të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte edhe një besimtar me emrin Ebu Mual’lek. Ebu Mual’leku (radijallahu anhu) ishte një tregtar i zoti për të realizuar marrëveshje të mira, i drejtë dhe shumë i devotshëm karshi Zotit. Një ditë ai kishte dalë për rrugë, kur përpara i kishte dalë një hajdut, që i kishte prerë rrugën. Hajduti i kishte thënë atij:

“Nxirri të gjitha ç’ke me vete, se do të të vras!” Ebu Mual’leku i tha atij:

“Merri të gjitha ç’të duhen, mall e plaçkë e para!” Kësaj here hajduti i tha:

“Jo, unë nuk dua asgjë veç jetës tënde!” Atëherë Ebu Mual’leku i tha atij:

“Epo mirë, më jep të paktën pak kohë sa të fal namaz.”

“Po,”, – iu përgjigj hajduti, – “namaz mund të falësh sa të duash!” Ebu Mual’leku, pasi fali namazin, iu drejtua Allahut në lutje, duke iu përgjëruar me fjalët:

“O Ti që je më i Dashuri dhe i Dashuruari i zemrave, Zotëruesi i Fronit më Madhështor, Zoti im që nuk ka gjë që të mos e realizojë dot! Unë të përgjërohem, për hir të atij Nurit Tënd që ka mbështjellë tërë gjithësinë, për hir të atij Sulltanati të pashoq dhe të Krenarisë e Shenjtërisë Sate, shpëtomë mua prej së keqes së këtij hajduti e keqbërësi. O Zoti im që i shkon në ndihmë kujtdo që mbetet ngushtë e në nevojë për ndihmesën Tënde, ndihmomë edhe mua, o Zot!”

Sapo e mbaroi lutjen Ebu Mual’leku, aty ia behu fare papritur, e s’u pa se nga erdhi, një kalorës me një heshtë të mprehtë në dorë, të cilën e mbante në lartësinë e veshit. Kalorësi e kapi atë hajdut dhe e vrau, pastaj u kthye nga Ebu Mual’leku.

“Po ti kush je, kush je ti?”, – e pyeti atë Ebu Mual’laku. “Apo, vallë, mos je ti që të dërgoi Zoti për të më shpëtuar mua nga e keqja e këtij hajduti?” Kalorësi iu përgjigj atij me fjalët:

“Unë vij nga qielli i katërt. Kur ti bëre lutjen e parë, unë dëgjova se si kërcitën portat e qiejve. Kur bëre lutjen e dytë, dëgjova gumëzhimën e banorëve të qiellit. Ndërsa, kur bëre lutjen e tretë, në qiej u tha: ‘Po lutet dikush që ka nevojë për ndihmë.’ Paskëtaj iu luta edhe unë Zotit, që të më dërgonte mua për ta vrarë atë njeri. Dhe Allahu i Lartësuar ma pranoi kërkesën, duke më thënë: “Ta dish, Unë i vij në ndihmë atij që merr abdes dhe fal katër rekate namaz, duke bërë edhe këtë lutje, nëse ai është zënë ngushtë e ka nevojë për ndihmën Time.”

Shënimet

  1. 480.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/30 (1649).
  2. 481.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 7/301 (7560).
  3. 482.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 6/369 (8552).
  4. 483.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/128 (12315).
  5. 484.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/10 (21638).
  6. 485.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/10 (21636).
  7. 486.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/58.
  8. 487.. Buhari, Sahih, 2/236 (633).
  9. 488.. Buhari, Sahih, 1/240 (648).
  10. 489.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/27 (1636).
  11. 490.. El-Hakim, Mustedrek, 3/629 (6319).
  12. 491.. Muhamed Rida, Uthman bin Affan, 1/30.
  13. 492.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/117 (1963).
  14. 493.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/115 (1957).
  15. 494.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/151 (2092).
  16. 495.. Muslim, Sahih, 1/236 (285).
  17. 496.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 2/20.
  18. 497.. Ahmed bin Hanbel, Sunen, 6/457 (27629).
  19. 498.. Taberani, Muxhemu’l-Eusat, 2/114 (1429).
  20. 499.. Ebu Daud, Sunen, 2/388 (3824).
  21. 500.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/139 (2045).
  22. 501.. Buhari, Sahih, 1/179 (458).
  23. 502.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/551 (23143).
  24. 503.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/557 (23158).
  25. 504.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/556 (23157).
  26. 505.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/444 (22851).
  27. 506.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/434 (22824).
  28. 507.. Muslim, Sahih, 1/219 (251).
  29. 508.. Mundhiri, et-Tergib, 1/167 (623).
  30. 509.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/167 (2158).
  31. 510.. Muslim, Sahih, 1/324 (436).
  32. 511.. Ebu Daud, Sunen, 1/234 (662).
  33. 512.. Buhari, Edebu’l-Mufred, 1/105 (278).
  34. 513.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/208 (2332).
  35. 514.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/212 (2344).
  36. 515.. Ibn Hibban, Sahih, 2/386 (620).
  37. 516.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 9/304.
  38. 517.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 3/276.
  39. 518.. Tirmidhi, Sunen, 2/342 (478).
  40. 519.. Tirmidhi, Sunen, 2/291 (426).
  41. 520.. Tirmidhi, Sunen, 2/293 (429).
  42. 521.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/483 (3381).
  43. 522.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/70 (21801).
  44. 523.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/82 (21837).
  45. 524.. Ebu Daud, Sunen, 1/417 (1307).
  46. 525.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/519 (3517).
  47. 526.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 3/127 (3086).
  48. 527.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/303; Ibn Haxher, el-Isabe, 1/349.
  49. 528.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/304.
  50. 529.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/491 (3406).
  51. 530.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/667 (23462).
  52. 531.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 7/191 (7245).
  53. 532.. Bejheki, Sunen, 2/495 (4388).
  54. 533.. Bejheki, Sunen, 2/493 (4380).
  55. 534.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 5/26.
  56. 535.. Bejheki, Sunen, 5/151 (8533).
  57. 536.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/182.