JETA E SAHABËVE 2

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

SAHABËT FISNIKË I MPOSHTNIN DËSHIRAT EGOISTE DHE QEJFET E TYRE

Si ia kishin arritur sahabët e të Dërguarit të Allahut të largoheshin nga dëshirat e egos së tyre? Si i lanë ata mënjanë, babanë, nënën, fëmijët, vëllezërit dhe bashkëshortet e tyre dhe u lidhën aq fort pas Allahut (xhel’le she’nuhu) dhe të Dërguarit të Tij (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)? Cilat ishin masat dhe kriteret e tyre në lidhje me marrëdhëniet me njerëzit?

1. SI ARRITËN SAHABËT TË SHKËPUTNIN ÇDO LIDHJE ME KOHËN E INJORANCËS, DUKE FORCUAR BESIMIN DHE LIDHJEN E TYRE ME ISLAMIN?

Në luftën e Bedrit, Ebu Ubejde bin Xherrahu detyrohet të vrasë të atin

Tregon Ibni Sheudhebi: “Gjatë përplasjes së Bedrit, Ebu Ubejde bin Xherrahu (radijallahu anhu) dhe babai i tij ishin kundërshtarë të njëri-tjetrit. Babai e sulmonte me këmbëngulje të birin e tij, tashmë të bërë mysliman, pa reshtur për asnjë çast. Kurse Ebu Ubejdeja në çdo rast rrekej t’i shmangej, të ndërronte drejtim, vetëm e vetëm që të mos mbetej vetëm për vetëm me të atin. Kur i ati filloi të ngulë këmbë edhe më shumë, Ebu Ubejdeja nuk duroi dot por u përlesh me të dhe e vrau. Posaçërisht për këtë ndodhi u zbrit ajeti kuranor:

“Nuk gjen njerëz, që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të ushqejnë dashuri ndaj atyre, të cilët kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe në qofshin ata etërit e tyre ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Allahu ka skalitur besimin në zemrat e tyre dhe i ka fuqizuar ata me shpalljen e Vet. Ai do t’i shpjerë ata në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata, por edhe ata do të jenë të kënaqur me Të. Ata janë Pala e Allahut dhe, vërtet, që Pala e Allahut do të jetë fituese.” (Muxhadele, 58/22)

Djali i Abdullah bin Ubej bin Selulit vjen tek i Dërguari i Allahut dhe i kërkon leje për të vrarë babanë e tij

Asim bin Omer bin Katadeja tregon: “I biri i Abdullah bin Ubej bin Selulit erdhi tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, kam dëgjuar që do të vritet babai im, Abdullah bin Ubej bin Seluli. Nëse e keni marrë ju këtë vendim, atëherë ma jepni mua urdhrin, se do të shkoj ta vras atë me duart e mia. Uallahi, çdo njeri i Hazrexhit e di mjaft mirë, unë jam djali që është sjellë më mirë nga të gjithë me babanë tim. Por frika ime është se, nëse ti ia jep dikujt tjetër detyrën për të vrarë babanë tim dhe ai e vret, sedra mund të mos e durojë dot që vrasësi i Ibni Ubejit të shëtisë i lirë në mesin e njerëzve. Kam frikë se unë vras një mysliman që vrau atë mohues dhe kësisoj marr veten më qafë dhe përfundoj si një nga banorët e Xhehenemit.” I Dërguari i Allahut e dëgjoi, pastaj i tha:

“Nuk bëhet fjalë kurrsesi për ta vrarë atë; përkundrazi, për sa kohë që ai do të jetojë mes nesh, ne duhet të sillemi mirë me të dhe do të përpiqemi të afrohemi e të shkojmë sa më mirë me të.”

Usame bin Zejdi (radijallahu anhu) tregon: “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) sapo u kthye nga udhëtimi që kishte ndërmarrë për tek bijtë e Mustalikut dhe Abdullahu i nxori shpatën babait të tij, Abdullah bin Ubejit, që asokohe ishte më i pari i të gjithë hipokritëve, duke i thënë:

“Shiko, baba! Pa thënë tani, që ‘Muhamedi është më i nderuari, ndërsa unë jam më i poshtri!’, nuk kam për ta futur këtë shpatë në brez.” I ati iu përgjigj:

“Të të vijë turp! Mirë, si të duash ti, Muhamedi është më i nderuari, kurse unë jam më i poshtri!” Unë shkova tek Resulullahu (alejhis’selam) dhe ia tregova një për një të gjitha sa kishin ndodhur. E pëlqeu dhe e lavdëroi këtë veprim të tijin.”

Një dialog i zhvilluar mes Omerit (r.a.) dhe Said bin el-Asit

Ibni Hishami, i mbështetur në transmetimet që kanë bërë Ebu Ubejdeja dhe disa historianë të tjerë, na tregon: “Omeri (radijallahu anhu) i tha Said bin el-Asit:

“Më duket sikur je bezdisur nga unë, sepse mendon se ta kam vrarë unë babanë, Asin. Më dëgjo, nëse do të ta kisha vrarë unë babanë, nuk vija tani tek ti dhe të të kërkoja falje. Unë kam vrarë dajën tim As bin Hishamin dhe Mugiren. Kurse babanë tënd, kur shkova unë atje, ai ishte bërë si një dem i tërbuar dhe kërkonte me çdo çmim të vriste dikë. Unë ndërrova menjëherë rrugë. Aty erdhi nipi i tij, Aliu, që e sulmoi dhe e vrau.”

“Shiko, o Omer, edhe po ta kishe vrarë ti, unë nuk do të thosha asgjë prej gjëje, sepse ti ishe në kërkim të së drejtës, kurse ai në mbrojtje të së rremes!”, – iu përgjigj Said bin el-Asi. Kjo përgjigje nga ana e tij e la shumë të kënaqur Omerin (radijallahu anhu).”

Gjendja e Ebu Hudhejfes kur sheh babanë që po ia tërheqin zvarrë për t’ia hedhur në gropë

Kjo është transmetuar prej Aishes (radijallahu anha): “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në luftën e Bedrit, urdhëroi që trupat e idhujtarëve të vrarë të tërhiqeshin zvarrë dhe të hidheshin në një gropë. Kur sahabët përfunduan së hedhuri në gropë të gjithë trupat, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkoi qëndroi në buzë të asaj grope dhe tha:

“O ju që jeni këtu në këtë gropë! A e gjetët atë që Allahu jua premtoi se ishte e vërteta, sepse për mua fjala e Zotit tim është e vërteta e vetme?” Sahabët fisnikë e pyetën atë:

“O i Dërguari i Allahut! Ti po flet me të vdekurit?” Dhe ai iu përgjigj:

“Ata mësuan se ajo që u kishte premtuar Zoti ishte e vërtetë.”

Ebu Hudhejfeja (radijallahu anhu), kur pa që babanë e tij po e tërhiqnin zvarrë, për ta hedhur në atë gropë, u mërzit shumë dhe Resulullahu (alejhis’selam), i cili e kuptoi këtë menjëherë, i tha atij:

“Ebu Hudhejfe! Më duket sikur nuk po të pëlqen ajo që po sheh!” Ebu Hudhejfeja (radijallahu anhu) iu përgjigj:

“O Resulullah! Babai im ishte njeri me personalitet të fortë. Gjithmonë shpresoja se Zoti ynë një ditë do t’ia bënte edhe atij të mundur që të pranonte fenë islame dhe të bëhej mysliman. U mërzita shumë, kur e pashë kështu, në këtë gjendje.” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u lut për Ebu Hudhejfen që të begatohej me mirësi.”

Një dialog interesant mes Mus’ab bin Umejrit dhe vëllait të tij të zënë peng

Tregon Nebih bin Uehbi: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) robërit e zënë në luftën e Bedrit ua shpërndau sahabëve të tij, duke i porositur:

“Kujdesuni mirë për ta!” Midis atyre robërve ishte edhe vëllai nga të dy prindërit i Mus’ab bin Umejrit, Ebu Azizi.

Ebu Azizi thotë se: “Mua më pati zënë rob një ensar. (Në përcjelljen e transmetimeve të ndryshme thuhet se ky ensar quhej Muhriz bin Nadle.) Vëllai im, Mus’abi po kalonte andejpari, më pa dhe i tha atij që më kishte zënë rob:

“Mbaje fort atë; sepse nënën e ka të pasur dhe mund të të paguajë mirë për ta liruar të birin.” Në kthim e sipër nga Bedri, mua më dorëzuan te një familje shumë e madhe ensarësh. Njerëzit e asaj shtëpie mjaftoheshin, mëngjes-darkë, vetëm me hurma; kurse mua, duke qenë se i Dërguari i Allahut i pati porositur që të silleshin mirë me ne pengjet e luftës, më jepnin të haja bukë. Kujtdo që t’i vinte në dorë ndonjë copë buke, ma jepte atë menjëherë mua. Ndërsa mua më vinte zor, e ua ktheja prapë mbrapsht; por ai që ma kishte dhënë nuk e pranonte dhe ma kthente. Vëllai im, Mus’abi i tha Ebu’l-Jeserit që më kishte zënë rob mua:

“Mbaje mirë atë, se e ka nënën shumë të pasur.”, – e unë ia ktheva:

“O vëlla, kjo ishte këshilla më e mirë që mund të jepje për mua?”, – dhe Mus’abi ma ktheu:

“Ai është vëllai im, jo ti!”

Sipas asaj që është transmetuar, nëna e Ebu Azizit pati pyetur se kush ishte shpagimi më i lartë që ishte paguar për një rob nga të kurejshët dhe i thanë se ishte katërmijë dërhemë. Dhe ajo dërgoi plot katërmijë dërhemë, për ta shpëtuar djalin e saj nga robëria.”

2. DASHURIA E THELLË E SAHABËVE FISNIKË PËR PROFETIN TONË TË DASHUR

Dashuria që ndiente Sa’d bin Muadhi për të Dërguarin e Allahut

Tregon Abdullah bin Ebi Bekri (radijallahu anhu): “Sa’d bin Muadhi (radijallahu anhu) i tha Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“O Resulallah! Na lejo që ne të të ndërtojmë një çardak, e ti të ulesh aty e të na shikosh, teksa ne luftojmë me armikun. Nëse Allahu na nxjerr ne fitimtarë, sa mirë, do të na përmbushet ajo që ne e kemi njëkohësisht dëshirë e qëllim. Në të kundërt, ti mund t’i hipësh kafshës sate të rrugës dhe të kthehesh pranë njerëzve tanë në Medinë, të cilët nuk janë këtu, sepse edhe ata të duan shumë ty, njësoj si ne. Sikur ta dinin ata se do të luftoje edhe ti, Allahu nuk do t’i kishte lënë edhe ata pa ardhur, që të luftonin këtu krah për krah me ty, duke t’u bërë krah, si në numra, ashtu edhe në shpirt.”

I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e përgëzoi Sa’din për këtë mendim kaq të mirë dhe u lut që Zoti t’i falte atij më të mirat. Dhe kështu u bë, më vonë u ndërtua edhe një çardak për të Dërguarin e Allahut.”

Kur një sahab shprehte dashurinë për të Dërguarin e Allahut

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Dikush erdhi te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:

“O Resulallah, unë ty të dua më shumë se jetën dhe se fëmijët e mi. Kur jam në shtëpi, sa më vjen ti në mendje nuk rri dot në shtëpi, dua të vij e të të shoh. Por, një të më ardhur në mendje jeta e përtejme, më kujtohet se ti do të hysh në Xhenet dhe do të jesh bashkë me profetët e tjerë; edhe sikur të hyj unë në Xhenet, s’di si do t’ia bëj pa të parë ty dhe kjo më mërzit për vdekje.”

Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) heshti dhe nuk iu përgjigj. Pak më vonë, erdhi Xhibrili (alejhis’selam), për t’i zbritur ajetin: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh, sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (Nisa, 4/69)

Historia e sahabit, i cili, përgatitje për në ditën e Kiametit, kishte dashurinë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Një burrë i tha Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“O i Dërguari i Allahut, kur do të ndodhë Kiameti?” I Dërguari i Allahut i tha:

“Çfarë ke përgatitur ti për atë ditë?”

“Unë nuk kam asgjë tjetër, kapital kam veç dashurinë që kam për Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”, – i tha ai. Kurse Profeti ynë i dashur ia ktheu:

“Epo, nëse është kështu, ta dish se atje do të jesh me ata që do.”

Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “Ne nuk jemi gëzuar kurrë nga asgjë, sa ç’jemi gëzuar kur Resulullahu më tha:

“Ti do të jesh me ata që do më së shumti.” Andaj, unë më së shumti dua Profetin tonë të nderuar, Ebu Bekrin dhe Omerin (radijallahu anhuma). Shpresoj të jem bashkë me ta edhe në jetën e përtejme, sepse me të vërtetë i dua shumë.”

Uria që ndjen Profeti ynë i nderuar dhe një ngjarje në lidhje me Aliun (r.a.)

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Njëherë Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte rënë në vështirësi dhe në shtëpinë e tij nuk kishte mbetur as edhe një thërrime bukë. Aliu (radijallahu anhu), me të mësuar për gjendjen në të cilën ndodhej ai, doli jashtë dhe shkoi të kërkojë punë, për t’i ardhur në ndihmë të Dërguarit të Allahut. Hyri të punojë në kopshtin e një hebreu. Ai i tha se për çdo kovë ujë që do t’i çonte mund të merrte nga një kokërr hurmë dhe Aliu (radijallahu anhu) nxori plot shtatëmbëdhjetë kova me ujë. Hebreu i tha atij të merrte cilat kokrra të donte nga hurmat. Edhe ai kështu bëri, mori shtatëmbëdhjetë kokrra hurma, ato që ishin më të freskëtat dhe ia solli Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Resulullahu e pyeti:

“O Ebu’l-Hasen, po këto ku i gjete?” Dhe Aliu (radijallahu anhu) i tha:

“O Resulallah, unë dëgjova se ju keni mbetur pa ushqim dhe jeni të uritur, prandaj dola të kërkoja punë, e me paratë e fituara t’ju sillja diçka për të ngrënë. Ja, këto fitova.”

“Po mirë, o Ali, çfarë të shtyu ty të veprosh kështu, dashuria për Allahun dhe për të Dërguarin e Tij?”, – e pyeti ai.

“Po!”, – tha Aliu (radijallahu anhu).

“Nuk ka asnjë rob besimtar, që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, që atë të mos e pllakosë varfëria më shpejt seç vjen uji vërshues i përmbytjeve. Le të jetë i përgatitur e i pajisur me çka është e nevojshme për fatkeqësitë çdokush që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”, – tha i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).”

Dashuria e Talha bin Berasë për Profetin tonë

Husajn bin Uahuah el-Ensari (radijallahu anhu) tregon se: “Talhaja (radijallahu anhu) u takua me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e përqafoi njëherë dhe filloi ta puthë, duke i thënë:

“O i Dërguari i Allahut! Më urdhëro mua ç’të duash ti dhe nuk do të kundërshtoj asnjë fjalë që do të më thuash ti.” Talhaja atëherë ishte ende djalë i ri; fjalët e tij i pëlqyen tej mase Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). (Deshi ta vinte disi në provë)

“Mirë, shko e vrit babanë tënd!”, – i tha. (Sipas një transmetimi tjetër, ai i thotë: “Shko dhe shkëput çdo marrëdhënie me nënën dhe babanë.”) Talhaja doli menjëherë jashtë, për të çuar në vend fjalën e Resulullahut. Nga pas doli edhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i thirri:

“Eja, eja këtu! Mua nuk më kanë dërguar që t’i ndaj njerëzit nga familjet dhe të afërmit e tyre.” Pas kësaj ndodhie Talhaja u sëmur. Ishte ditë e ftohtë dimri, qielli ishte me re, dhe Profeti ynë i dashur shkoi për të parë Talhanë. Kur do të largohej, ai u tha familjarëve të tij:

“Shikoni, Talhaja më duket se e ka shumë pranë vdekjen; më njoftoni kur të ndodhë, sepse do të jem edhe unë në varrimin e tij dhe do t’i fal namazin e xhenazes. Dhe varrimin t’ia bëjmë pa u vonuar shumë.” Resulullahu nuk kishte arritur ende në lagjen e bijve të Salim bin Aufit, kur Talhaja dha shpirt; ra errësira e natës. Talhaja u kishte lënë atyre amanet:

“Kur të vdes, më varrosni shpejt, sepse dua të takohem një çast e më parë me Zotin. Dhe mos e thërrisni Profetin tonë për mua, sepse kam frikë mos i ngrenë ndonjë kurth hebrenjtë.”, – andaj, ata nuk e njoftuan Resulullahun, por e varrosën shpejt e shpejt në errësirën e natës. Në agim, Resulullahun e njoftuan se çfarë kishte ndodhur. Profeti ynë i dashur shkoi te koka e varrit të Talhasë. Pas tij u mblodhën në rresht edhe sahabë të tjerë. Profeti ynë ngriti duart dhe u lut:

“O Zot! Prite me buzëqeshje Talhanë, që t’i qeshë buza edhe atij.”

Dashuria e Abdullah bin Hudhafes për Profetin tonë

Tregon Zuhriu: “Disa sahabë shkuan tek i Dërguari ynë Fisnik dhe iu ankuan për Abdullah bin Hudhafen (radijallahu anhu), pasi ai kishte një tip shumë shakaxhi dhe i pëlqente të merrej me gjëra të kota. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tha atyre:

“Mos e ngacmoni atë, lëreni të qetë, ai ka një cilësi të veçantë që ju nuk e dini: Ai e do shumë Allahun dhe të Dërguarin e Tij!”

Fjalët e të Dërguarit Fisnik për Abdullah bin Dhu’lbixhadejnin, gjatë xhenazes së tij

El-Edre’ tregon: “Një natë unë qëndrova t’i bëja roje të Dërguarit të Allahut. Dëgjova një zë, dikush po lexonte Kur’an me zë të lartë. I Dërguari i Allahut doli jashtë.

“O i Dërguari i Allahut, ky duhet të jetë ndokush që e bën për t’u dukur!”, – i thashë unë.

“Jo,”, - më tha Profeti ynë, – “ky është Abdullah bin Dhu’l-Bixhadejni.”

Kaluan ca kohë dhe ai njeri ndërroi jetë në Medinë. Sahabët e lanë dhe e veshën me qefin, pastaj, kur e morën mbi supe xhenazen e tij, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Tregohuni të butë dhe të ëmbël me të, ashtu siç Allahu u tregua i butë dhe i ëmbël me të, sepse ai e donte shumë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Kur po hapej gropa e varrit, i Dërguari i Allahut tha:

“Hapeni të gjerë varrin, që edhe Allahu t’i falë atij gjerësi.” Paskëtaj, një nga sahabët tha:

“O Resulallah, qenkeni mërzitur shumë për të!”

“Po ai e donte aq shumë Allahun dhe të Dërguarin e Tij!”, – ia ktheu ai.”

3. SAHABËT ZGJIDHNIN ATË QË DONTE MË SHUMË I DËRGUARI I ALLAHUT NË VEND TË ASAJ QË DONIN VETË

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Kur babai i Ebu Bekrit (radijallahu anhu), Ebu Kuhafeja (radijallahu anhu) zgjati dorën për të lidhur besën, Ebu Bekri nisi të qajë. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e pyeti:

“Po pse qan, o Ebu Bekr?”

“O Resulullah! Mendova se sa shumë do të gëzohesha sikur ajo dorë që t’u zgjat të mos ishte dora e babait tim, por të ishte dora e Ebu Talibit dhe me këtë Zoti të ta mbushte zemrën plot gëzim!”, – iu përgjigj Ebu Bekri (radijallahu anhu).

Një bisedë e zhvilluar mes Omerit (r.a.) dhe xhaxhait të Profetit tonë, Abasit

Këtë e tregon Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Në mes të robërve të zënë gjatë luftës së Bedrit ishte edhe xhaxhai i Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Myslimanët ensarë i ishin kanosur atij me vdekje dhe këtë e kishte dëgjuar edhe i Dërguari i Allahut. Ditën tjetër, ai tha:

“Sonte, për shkak të Abasit, nuk kam mundur të vë dot gjumë në sy fare; sepse dëgjova që ensarët donin që ta vrisnin.” Për këtë arsye, babai im, Omeri (radijallahu anhu)i tha atij:

“O Resulullah, të shkoj njëherë unë tek ensarët.”

“Në rregull, o Omer, shko ti njëherë.”, – i tha ai. Omeri (radijallahu anhu) shkoi pranë ensarëve dhe u tha:

“Lëreni të lirë Abasin.”

“Jo, uallahi nuk e lëshojmë.”, – u përgjigjën ata.

“Po mirë, po sikur të jetë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) që do që ju ta lëshoni atë!”, – vazhdoi ai të këmbëngulë.

“Nëse është Resulullahu që e kërkon, atëherë ne nuk ka se ç’të themi, merre me vete.”, – u përgjigjën ata. Omeri (radijallahu anhu) e mori Abasin në dorëzim dhe iu drejtua:

“O Abas, bëhu mysliman! I betohem Allahut, se po u bëre ti mysliman unë do të gëzohem më shumë edhe sesa sikur të bëhej babai im Hatabi mysliman. E di pse, sepse kjo, - nëse ti bëhesh mysliman, - do ta gëzojë shumë të Dërguarin e Allahut!”

Ka edhe një transmetim tjetër në lidhje me këtë çështje, i cili përcillet nga Sha’biu, ku thuhet: “Xhaxhai i Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) filloi të këmbëngulte në një pyetje që po i bënte Omerit (radijallahu anhu):

“O Prijësi i Besimtarëve! Çfarë do të bëje me të, sikur tani të vinte tek ti xhaxhai i Musait (alejhis’selam)?”

“Uallahi, do ta trajtoja mirë dhe do të sillesha shumë mirë me të!”, – u përgjigj Omeri (radijallahu anhu). Atëherë, Abasi ia ktheu duke i thënë:

“Kësodore, edhe unë jam xhaxhai i Resulullahut!”

“Ebu’l-Fadl, çfarë pandeh ti? Uallahi, unë edhe babanë tënd e dua më shumë sesa babanë tim.”, – iu përgjigj aty për aty Omeri (radijallahu anhu).

“Vërtet?”, – e pyeti Abasi (radijallahu anhu).

“Po, ashtu është, sepse unë e di shumë mirë, se i Dërguari i Allahut e donte babanë tënd më shumë sesa donte babanë tim. Dhe ajo që më takon mua është që të dua më shumë atë që donte Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) sesa atë që dua vetë.”, – e mbylli fjalën e tij Omeri (radijallahu anhu).”

Resulullahu dhe ata që vdiqën në Medinë

Ebu Said el-Hudri (radijallahu anhu) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kohët e para, kur erdhi në Medinë, e ndonjëri prej nesh ishte në shtratin e vdekjes, e lajmëronim edhe atë. Ai vinte dhe i qëndronte atij që ishte sëmurë te kryet, i lutej Allahut që ta falte; kur i sëmuri ndërronte jetë, edhe ne ktheheshim pas të gjithë si xhemat. Ndërsa, nganjëherë Resulullahu qëndronte dhe priste derisa të përfundonte varrimi. Ndonjëherë ne mendonim se e mundonim më shumë se ç’duhej dhe me njëri-tjetrin thoshim: “Të mos i themi gjë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) deri kur të ndahet nga jeta. Kësisoj as nuk do të lodhet, as nuk do të humbasë nga koha e tij e vyer.” Dhe kështu filluam të bëjmë. Në çastin kur ndokush që ishte i sëmurë jepte shpirt, dërgonim dikë që ta lajmëronte. Dhe Resulullahu vinte, i falte atij namazin, i lutej Allahut që ta falte, mandej kthehej për në Medinë. Ndonjëherë priste edhe derisa të përfundonte varrimi. Për njëfarë kohe kështu e bëmë. Më vonë, prapë u vumë në mendime: “Uallahi të mos e bëjmë as këtë. I Dërguari i Allahut lodhet shumë nga këto udhëtime. Kur të ketë ndonjë xhenaze, ta marrim xhenazen dhe ta çojmë te dera e shtëpisë së Resulullahut dhe ai t’ia falë atje namazin. Kështu ka për të qenë edhe më e lehtë për të.” Dhe ashtu vazhduam të bëjmë.

Transmetuesi i kësaj ndodhie, Muhamed bin Omeri thotë se: “Prandaj edhe ai vend mori emrin “Vendi i xhenazeve” ~ ‘vend ku falet namazi i xhenazes’. Të gjitha xhenazet çoheshin njëherë atje, para se të dërgoheshin për në varrezë. Kjo vijoi të praktikohej edhe pas ndarjes nga jeta e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).”

Dashuria e Omerit (r.a.) për Fatimen (r.a.)

Eslemi e tregon: “Një ditë, Omer bin Hatabi (radijallahu anhu) shkoi për vizitë te vajza e Profetit tonë, Fatimja dhe i tha:

- “O Fatime! Unë i betohem Allahut, se asnjëherë nuk kam njohur ndonjë njeri që i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ta ketë dashur më shumë sesa ty. Prandaj, pas babait tënd, nuk ka njeri më të dashur për mua sesa ti.”

4. RESPEKTI QË NDIENIN SAHABËT PËR PROFETIN TONË

Sahabët, nga edukata që kishin as sytë nuk i ngrinin kur rrinin me Resulullahun

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, një grup sahabësh nga muhaxhirët dhe ensarët, midis të cilëve ishin edhe Ebu Bekri me Omerin (radijallahu anhuma), ishin ulur dhe po prisnin Resulullahun, kur aty ia behu i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Përveç Ebu Bekrit dhe Omerit (radijallahu anhuma), askush nuk e ngriti shikimin për ta parë në sy, sepse askush nuk e shikonte dot në fytyrë. Vetëm Ebu Bekri dhe Omeri (radijallahu anhuma) e shikonin të Dërguarin e Allahut (alejhis’selam) në sy, madje edhe i buzëqeshnin. Edhe ai i shikonte ata në sy dhe u kthente buzëqeshjen.”

Si uleshin sahabët fisnikë kur ishin në praninë e Profetit tonë?

E rrëfen Usame bin Sheriku (radijallahu anhu): “Kur ishim me Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ne rrinim të ulur, pa lëvizur fare, sikur mbi krye të na kish zbritur ndonjë zog e nuk donim që të trembej dhe nuk pipëtinte asgjë. (Edhe një ditë ishim ulur kështu dhe po dëgjonim të Dërguarin e Allahut) Erdhën disa vetë dhe e pyetën Atë:

“O i Dërguari i Allahut, kush janë robërit më të dashur për

Allahun (xhel’le she’nuhu)?”

“Ata që kanë moralin më të bukur!”, – u përgjigj Profeti ynë.”

I Dërguari i Allahut, me personalitetin e tij, i shtynte njerëzit të tregonin respekt për të

Bera bin Azibi (radijallahu anhu) thotë: “Unë doja që ta pyesja Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në lidhje me një çështje të caktuar. Mirëpo, personaliteti e tij më bëri të druhem dhe m’u deshën thuajse dy vjet për t’ia bërë atë pyetje!”

Sahabët e merrnin ujin që merrte abdes Profetit ynë dhe fërkonin trupin me të

Zuhriu transmeton: “Dikush nga ensarët, për të cilin nuk mund të kishte dyshim se ishte një njeri shumë i drejtë, më pati treguar se: “Kur Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) merrte abdes, sahabët vraponin kush e kush ta kapte i pari ujin që kishte marrë abdes ai dhe me të fërkonin fytyrën dhe trupin. Njëherë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i pyeti ata:

“Pse e bëni këtë?”

“Sepse shpresojmë që ai ujë të bëhet shkas begatie dhe mbarësie për ne.”, – thanë ata. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pasi i dëgjoi, u tha atyre:

“Kushdo që do të gëzojë dashurinë e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, të thotë gjithmonë vetëm të vërtetën, të tregohet besnik i amanetit dhe i fjalës së dhënë dhe të mos i lëndojë fqinjët e vet!”

Respekti i Ebu Ejub el-Ensarit për Profetin tonë

Ebu Ejub el-Ensari tregon: “Në kohën që erdhi në Medinë, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) qëndroi në katin e poshtëm të shtëpisë sime. Unë rrija në katin sipër. Në mbrëmje Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ra të flinte, unë nisa të mendohesha: “Ne qëndrojmë mbi të Dërguarin e Allahut, kurse ai qëndron poshtë. Mos bëhemi pengesë që shpallja hyjnore të zbresë tek i Dërguari i

Allahut! Sa herë që ktheheshim nëpër shtrat, njëherë andej njëherë këtej, shqetësohesha edhe se mos nga tavani binte pluhur tek Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), e nuk më hyri gjumë në sy atë natë.” Me të gdhirë zbrita menjëherë te Resulullahu dhe i thashë:

“O Resulallah, sonte as unë, as Ummu Ejubi nuk mbyllëm dot sy.” - “Po pse, o Eba Ejub?”, – më pyeti Resulullahu.

“Mendimet se ti ishe poshtë nesh dhe duke u kthyer nëpër shtrat mund të bënim që nga tavani mbi ty të binte ndonjë pluhur, por edhe se mos pengonim zbritjen e shpalljes hyjnore, nuk na lanë të flinim!”, – iu përgjigja unë.

“Shiko, o Ebu Ejub, mos e bëj më këtë! Shiko, unë do të të mësoj ty disa fjalë: nëse ti i lexon ato dhjetë herë në mëngjes dhe dhjetë herë në mbrëmje, ti do të fitosh dhjetë shpërblime, do të të fshihen dhjetë mëkate dhe ti do të lartësohesh dhjetë gradë. Veç kësaj, në ditën e Kiametit ti do të shpërblehesh sikur të kesh liruar dhjetë skllevër! Ja fjalët që do të thuash ti: ‘Nuk ka zot tjetër veç Allahut, e Tija është e tërë pasuria dhe i tërë mbretërimi. Vetëm Ai meriton të lëvdohet; Ai nuk ka as shok, as ortak në krijimin e gjithësisë.”, – i tha Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).”

Në një transmetim tjetër, te Taberaniu, thuhet: E tregon Ebu Ejub el-Ensari (radijallahu anhu): “Kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mërgoi në Medinë, ai erdhi të qëndrojë në shtëpinë time. Unë i thashë:

“O Resulallah! T’u bëfshin kurban nëna dhe babai im, mua nuk më duket aspak e hijshme, që unë të qëndroj sipër dhe ti të qëndrosh këtu, poshtë nesh.” Por, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më tha:

“Për ne më e duhura është që të qëndrojmë në katin e poshtëm, sepse të shumtë do të jenë ata që do të ikin e do të vijnë.” Një ditë ne na u thye shtamba që kishim dhe u derdh ujë. Nga frika se mos ai ujë rridhte poshtë dhe bezdiste Resulullahun, unë dhe gruaja ime morëm një jorgan kadifeje që kishim dhe e hodhëm mbi ujë dhe u përpoqëm që ta thithnim ujin në jorgan. Nuk kishim jorgan tjetër veç tij.

Po ashtu, kur i përgatitnim ushqim Resulullahut dhe qëllonte që Resulullahu të na e kthente pas ushqimin që kishte mbetur; ne menjëherë gjurmonim vendet ku kishin prekur gishtat e tij dhe e hanim atë që kishte mbetur, duke shpresuar që Zoti të na falte begati. Një mbrëmje ai na e ktheu ushqimin të paprekur, ashtu siç ia patëm çuar. Në ushqim kishim hedhur a qepë a hudhra. Pashë që nuk e kishte prekur fare ushqimin, kështu që shkova ta pyesja, se pse nuk kishte ngrënë fare. Ja se si më tha:

“Në ushqim dallohej era e asaj zarzavateje. Unë jam një njeri që i përgjërohet vazhdimisht Zotit të tij; nuk doja që ajo aromë të përhapej në gojën time. Por ju mund ta hani.”

Çështja e një ulluku mes Omerit dhe Abasit (r.a.)

E tregon Ibni Abasi (radijallahu anhu): “Në murin e shtëpisë së babait tim, Abasit (radijallahu anhu), ishte një ulluk i gjatë, i cili zgjatej tej rrugës nga kalonte edhe Omeri (radijallahu anhu). Një dite të premte, Omeri (radijallahu anhu) u vesh dhe doli jashtë. Në atë kohë, Abasi kishte therur dy zogj të vegjël. Dhe, ndërsa po kalonte Omeri (radijallahu anhu) andejpari, mbi rroba i pikuan nja dy pika gjak nga gjaku i zogjve. Omeri (radijallahu anhu) urdhëroi menjëherë që të hiqej ai ulluk, ndërsa vetë u kthye në shtëpi, për t’u ndërruar; veshi diçka tjetër dhe erdhi tek ne, të na falte namazin e xhumasë. Pas namazit, babai im, Abasi (radijallahu anhu), erdhi te Prijësi i Besimtarëve dhe i tha:

“Pse e hoqe atë ulluk, uallahi atë e ka vendosur vetë i Dërguari i Allahut!” E dëgjoi Omeri (radijallahu anhu) dhe i tha Abasit:

“Për hir të Zotit, të shkojmë tani dhe hip mbi shpinën time dhe vëre në vend atë ulluk, atje ku ishte!” Dhe kështu bënë, Abasi bëri atë që i tha Omeri (radijallahu anhu).”

Sa shumë e respektonin minberin e Profetit tonë Abdullah bin Omeri dhe disa sahabë të tjerë

Tregon Ibrahim bin Abdurrahman bin Abdulkariu: “Njëherë, e gjeta Ibni Omerin (radijallahu anhu) teksa e vuri dorën në minberin e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pastaj e hoqi dhe fërkoi ballin e tij.”

Kurse Jezid bin Abdullah bin Kusajti tregon: “Unë pashë disa nga sahabët e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pasi u larguan besimtarët nga xhamia, që vendosnin dorën e djathtë në rrethimin në krah të Varrit të Bekuar të Profetit tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe minberit të tij, pastaj ktheheshin kah kibleja dhe luteshin.”

5. SAHABËT NISËN TË QANIN, KUR NË UHUD DIKUSH THA “VRANË RESULULLAHUN!”

Enes bin Maliku (radijallahu anhu) rrëfen: “Atë ditë që u zhvillua lufta e Uhudit, medinasit (dëgjuan se ishte vrarë i Dërguari i Allahut) filluan nga përgatitjet për të braktisur qytetin dhe lajmëronin këdo që u dilte përpara:

“Kanë vrarë Muhamedin!” Medina u mbulua nga klithmat e vajtimit. Në atë kohë, një grua nga ensarët, e veshur me një veshje të trashë leshi u nis drejt fushëbetejës, që të mësonte se si qëndronte e vërteta. Atje ajo gjeti edhe trupat e të shoqit dhe të të vëllait, por nuk e mbaj mend se cilin syresh gjeti të parin. Ecte nëpër fushëbetejë dhe pyeste për trupat:

“Po ky kush është?”, – dhe ata i përgjigjeshin:

“Babai yt, vëllai, burri, djali!” Kurse ajo nuk reagonte, por pyeste: - “Po Resulullahu ku është, si është?” Derisa, më në fund dikush i tha:

“Është atje tej!” Ajo grua shkoi tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), e kapi atë nga rroba e tij dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! T’u bëfshin ty kurban nëna dhe babai im! Mjafton që qenke gjallë ti, pa le të ketë vdekur kush të dojë, nuk mërzitem kaq! Tani mua çdo e keqe më duket fare e vogël!” Dashuria që ndiente Ebu Talhaja për Profetin tonë

E tregon Enesi (radijallahu anhu): “Ebu Talhaja (radijallahu anhu), në luftën e Uhudit, qëndronte përpara Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe shigjetonte armikun me hark dhe qëndronte para të Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) për ta mbrojtur. Ebu Talhaja (radijallahu anh) ishte një shigjetar mjaft i mirë. Sa herë që ai lëshonte ndonjë shigjetë, Resulullahu e ndiqte me sy shigjetën, deri në vendin ku binte ajo. Kurse Ebu Talhaja i thoshte:

“Kurban t’u bëfshin ty nëna dhe babai im, o Resulullah, kujdes mos të prek ndonjë shigjetë!”, – dhe, sakaq, e rrekej ta vinte kraharorin e vet përpara kraharorit të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), duke shtuar:

“O Resulullah, unë jam i fortë dhe duroj, më dërgo mua në çdo punë që ke, mjafton që të më urdhërosh ti, se nuk kam punë që nuk do ta bëj!”

6. SI QANIN SAHABËT FISNIKË, KUR KUPTUAN SE PROFETI YNË DO TË NDAHEJ NGA KJO BOTË

Të qarët e Ebu Bekrit (r.a.)

Tregon Ebu Saidi (radijallahu anhu): “Kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte i sëmurë, ai erdhi tek ne me një rrobë të lidhur në kokë; bëri disa hapa përpara dhe u ngjit në minber, e tha:

“I betohem Allahut, se tani më duket sikur po qëndroj mbi një hauz me ujë.” (Kishte një arsye Resulullahu që i tha këto fjalë; në një hadith të tijin të bekuar thuhet: “Minberi im qëndron si mbi një hauz.”, duke dashur që t’u bëjë të ditur të gjithëve se vendi ku qëndronte minberi ishte pikërisht vendi ku shtrihej Burimi i Keutherit.) Pastaj, duke folur për veten, tha:

-“Një rob e lanë të zgjidhte mes kësaj bote dhe jetës së përtejme; megjithatë, ai zgjodhi jetën e përtejme.”

Përpos Ebu Bekrit (radijallahu anhu), askush nuk e kuptoi se çfarë donte të thoshte Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) me ato fjalë.

Nga sytë e Ebu Bekrit filluan të rridhnin lot; qau dhe u ngrit e i tha:

“O i Dërguari i Allahut, kurban t’u bëfshin nëna dhe babai im! Jo, jo, gjithë baballarët, nënat, jetët dhe gjithë ç’kemi ne t’u bëfshin kurban!” Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) zbriti nga minberi dhe pas asaj dite nuk u ngjit më në të.”

Alaja (radijallahu anhu) përcjell se: “Në kohën që te Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) filluan të shfaqeshin shenjat e para që nuk do të jetonte edhe shumë gjatë, vajza e tij Fatimja filloi të qajë.

“Mos qaj, bija ime! Dhe kur të vdes unë, thuaj ‘in’na lil’lahi ue in’na ilejhi raxhiun’, sepse kjo fjalë e qetëson njeriun përballë të gjitha fatkeqësive.”, – e këshilloi Fatimen i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). E dëgjoi Fatimja (radijallahu anha) dhe e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut, ‘In’na lil’lahi ue in’na ilejhi raxhiun’; ‘Ne të Allahut jemi dhe nuk ka dyshim se vetëm tek Ai do të kthehemi’, a e qetëson kjo njeriun edhe për vdekjen tënde?”

“Po!”, – iu përgjigj Resulullahu.”

Të qarët e Muadhit (r.a.)

Tregon Muadh bin Xhebeli (radijallahu anhu): “Në kohën që Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më dërgoi mua si vali në Jemen, ai erdhi të më përcjellë mua deri në të dalë të Medinës. Unë kisha hipur mbi deve, kurse ai ecte në këmbë. Më këshilloi për disa gjëra, pastaj më tha:

“Muadh! Ta dish mirë, se pas një viti mund të mos më shohësh dot më! Me shumë gjasa do të vish të më vizitosh te varri im pranë xhamisë!” Një t’i dëgjuar ato fjalë, më kaploi një hidhërim që nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë, që do të ndahesha nga miku im, nga i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe fillova të qaja.

“Mos qaj, o Muadh,”, – më tha i Dërguari Fisnik, – “njerëzit që janë më të afërt me mua, kushdo dhe ngado qofshin, janë ata që i frikësohen me të vërtetë Allahut.”

7. NDARJA NGA JETA E PROFETIT TONË TË DASHUR

Jezid bin Babenusi tregon: “Bashkë me një mikun tim shkuam për vizitë tek Aishja (radijallahu anha). Kërkuam leje për të hyrë brenda dhe ajo na e dha. Na vuri edhe një jastëk, ku të uleshim në tokë dhe filloi të na tregojë:

“Sa herë që i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkonte te gratë e tjera, kalonte përpara derës sime dhe më thoshte ndonjë këshillë, nga e cila mund të përfitoja shumë. Por, një ditë kaloi pa u kthyer, që të më thoshte ndonjë gjë. Pastaj kaloi prapë, e prapë nuk më tha asnjë fjalë. Kaloi edhe njëherë tjetër, për herë të tretë, e nuk më tha asgjë. Paskëtaj i thashë shërbyeses që kisha në shtëpi:

“Vendos një jastëk te pragu i derës!” Dhe lidha kokën me një rrobë. Kësaj here, kur kaloi sërish, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më pyeti:

“Çfarë ke kështu, moj Aishe?”

“Më dhemb pak koka.”, – iu përgjigja unë.

“Ah, edhe mua po më dhemb shumë koka.”, – tha dhe u largua. Nuk kaloi shumë, kur atë e sollën te dhoma ime, duke e ngritur mbi një copë të madhe rrobe.

“Jam i sëmurë, e nuk mund të vij dot më nëpër ju. Më lejoni, që të qëndroj këtu, pranë Aishes.”, – u tha ai grave të tjera.

Tanimë për të nisa të kujdesesha unë. Megjithëse, më herët nuk isha kujdesur kurrë për një të sëmurë. Një ditë, e kishte kokën mbi supin tim dhe e afroi edhe më shumë drejt kokës sime. Mendova se donte ndonjë gjë, kur në atë çast nga goja i rrodhi një pikë shumë e ftohtë, e cila më ra mu në mes të kraharorit, m’u rrëqeth mishi. Mendova se ra pa ndjenja, ndaj e mbulova me një shtrojë që kisha aty pranë. Bash në atë çast erdhi Omeri (radijallahu anhu) me Mugire bin Shu’ben dhe kërkuan leje për të hyrë. U dhashë leje. Omeri pa nga Resulullahu dhe tha:

“I Dërguari i Allahut paska rënë pa ndjenja! Po paska rënë shumë rëndë!” Pastaj u ngritën, e kur iu afruan derës, gati për të dalë, Mugireja tha:

“O Omer! Resulullahu ka mbaruar!”

“Jo, ai nuk ka vdekur, ti do që të nxitësh ngatërresa! I Dërguari i Allahut nuk ka për të vdekur pa i qëruar mirë hipokritët me rrënjë!”, – tha menjëherë Omeri.

Pasi ikën ata, erdhi babai im, Ebu Bekri. E ngrita shtrojën. Babai pa fytyrën e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe tha:

“In’na lil’lahi ue un’na ilejhi raxhiun, Profeti ynë paska vdekur.” Pastaj iu ul te kryet, u përkul dhe e puthi në ballë.

“Ah, ah, na iku Profeti ynë!”, – tha dhe ngriti kokën. Pastaj u përkul prapë, e puthi në ballë dhe tha:

“Iku miku im!” – dhe e ngriti kokën. U përkul edhe njëherë, e puthi Resulullahun në ballë dhe tha:

“I mjeri unë! Iku miku im, shpirti im, i dashuri im; vdiq i Dërguari i Allahut!” Doli dhe shkoi drejt e në xhami. Në atë kohë Omeri (radijallahu anhu) po u fliste besimtarëve duke u thënë:

“Jo, Profeti nuk vdes pa i qëruar njëherë mirë e mirë Allahu të gjithë hipokritët!”

Aty filloi të flasë babai, lëvdoi dhe përgëzoi emrat e Allahut dhe u këndoi atyre ajetet: “Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht, që edhe ata do të vdesin.” (Zumer, 39/30); ajetin e sures Al ‘Imran, “Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Al ‘Imran, 3/144). Mandej u tha atyre:

“Kushdo që e njeh Allahun si Zot, ta dijë se Allahu është i Gjallë, Ai ua fal jetën tërë gjallesave, nuk vdes kurrë. Por kush ka adhuruar Muhamedin, ta dijë se Muhamedi ka vdekur!” Pas kësaj, Omeri

(radijallahu anhu) tha:

“Këto ajete, janë në librin e zbritur nga Allahu?!”, – dhe, menjëherë, u drejtua nga njerëzit, duke u thënë:

“O njerëz! Ky është Ebu Bekri, myslimani i parë, të lidhni menjëherë besën me të!”

Të larët e Profetit tonë të dashur dhe përgatitja e tij me qefin

Ja se si e tregon Aliu (radijallahu anhu): “Kur filluam të bënim gati Resulullahun, ta lanim dhe ta vishnim me qefin, e mbyllëm derën dhe nuk lejuam askënd të hynte brenda. Ensarët kërkonin:

“Ne jemi dajat e tij! Ju e dini mjaft mirë vendin tonë në Islam!” Ndërsa kurejshët thoshin:

“Ne jemi fisi i tij nga babai! Duhet të na merrni edhe ne brenda!” Atëherë, Ebu Bekri (radijallahu anhu) doli dhe u foli:

“O myslimanë! Mbajtja e xhenazes, më shumë se kujtdo, u takon të afërmve të tij. Largohuni më tutje, nëse e doni Allahun! Nëse hyni brenda, ju do t’i lini larg ata që ishin më të afërt me Resulullahun. Të mos hyjë atje askush, përveç pjesëtarëve të familjes së tij (duke pasur parasysh Aliun dhe Abasin radijallahu anhuma).”

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Në kohën që Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u rëndua, bashkë me të ishin edhe Aishja me Hafsanë (radijallahu anhuma). Aty hyri Aliu (radijallahu anhu) dhe Profeti ynë kur pa Aliun ngriti kokën dhe i tha:

“Afrohu, afrohu këtu pranë meje.” – Aliu (radijallahu anhu) u afrua shumë pranë tij dhe deri sa dha shpirt, Aliu (radijallahu anhu) i qëndroi te koka Resulullahut.

Kur Resulullahut e dorëzoi shpirtin te Zotit, Aliu (radijallahu anhu) u ngrit dhe mbylli derën. Te dera erdhën babai im, Abasi, dhe ata që ishin nga bijtë e Abdulmutalibit, të cilët qëndruan aty, përpara derës. Aliu (radijallahu anhu) i thoshte:

“Kurban t’u bëftë ty babai im! I bukur ishe i gjallë e sa të bukur e ke edhe vdekjen!” Në atë kohë nëpër dhomë u përhap një aromë shumë e mirë, që ç’të thuash. Babai im, Abasi, i tha Aliut:

“Hesht, mjaft qave si gratë dhe eja filloni ta bëni gati e ta vishni me qefin.” Aliu (radijallahu anhu) tha:

“Më thërrisni Fadl bin Abasin!” Ensarët thoshin:

“Në e do Zotin, o Ali, na merr edhe ne brenda!”, – dhe Aliu (radijallahu anhu) mori vetëm Eus bin Haulin (radijallahu anh) prej tyre. Eusi kishte një shtambë në dorë. Bash në atë kohë, në shtëpi dëgjuan një zë që tha:

“Mos ia hiqni Resulullahut këmishën; lajeni ashtu, siç është, pa ia hequr këmishën.” Prandaj, ata nuk ia hoqën rrobat. Ishte Aliu që e fuste dorën poshtë këmishës, kurse Fadli thjesht sa e ngrinte këmishën, ndërsa Eusi hidhte ujë. Aliu (radijallahu anhu) kishte lidhur një copë rrobë rreth dorës, për ta futur atë poshtë këmishës.”

Si u fal namazi për të Dërguarin e Allahut?

Sipas një transmetimi që vjen nga Aliu (radijallahu anhu), Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e vunë mbi një mbështetëse dhe Aliu (radijallahu anhu) tha:

“Në xhenazen e Resulullahut nuk mund të dalë askush imam. Ai ishte imami juaj, si në këtë jetë, ashtu edhe tani që është i vdekur!” Atëherë njerëzit hynë në grumbuj, krijuan radhët dhe thirrën tekbirë, duke e falur namazin pa imam. Aliu (radijallahu anhu) qëndroi mu përpara të Dërguarit të Allahut dhe nisi të lutej:

“Es-Selamu Alejke, o Profet! Qofshin mbi ty mëshira dhe begatia e Allahut! O Zot, ne të dëshmojmë se ai e përcolli më së miri gjithçka që iu zbrit, duke i treguar umetit të tij rrugën e së drejtës dhe të së vërtetës. Dhe ai luftoi në rrugën e Allahut, derisa Allahu e nxori ngadhënjimtare fenë e tij, duke e përplotësuar fjalën e dhënë.

O Zoti im! Bëna ne prej atyre që i binden Kur’anit që iu zbrit atij. Na mbaj ne të palëkundur e të qëndrueshëm në Islam edhe tani që ai nuk është më mes nesh, e na bashko ne me të kur të vdesim.” Ndërsa gjithë besimtarët i thoshin “amin”. Në këtë mënyrë, njëherë burrat, pastaj gratë dhe, në fund, fëmijët, e falën të gjithë namazin për të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).”

8. NDARJA NGA JETA E PROFETIT TONË I BËNTE SAHABËT TË PREKESHIN E TË QANIN EDHE MË PAS

Nga mërzia Osmani (r.a.) u bë si i hutuar për njëfarë kohe

E rrëfen vetë Osmani (radijallahu anhu): “Pasi u nda nga jeta Resulullahu, sahabët e tij u mërzitën aq shumë, saqë shumë syresh filluan të flisnin pa i kontrolluar mirë fjalët që thoshin. Ja, një prej tyre isha edhe unë. Një ditë pasi të gjithë lidhën besën me Ebu Bekrin (radijallahu anhu), unë isha ngjitur në njërën prej ndërtesave më të larta të Medinës, po rrija në hije. Kishte kaluar Omeri dhe më kishte përshëndetur; kurse unë nuk e pata dalluar as atë, që kishte kaluar, as selamin nuk e kisha dëgjuar fare. Omeri (radijallahu anhu) kishte shkuar tek Ebu Bekri (radijallahu anhu) dhe i kishte thënë:

- “O kalifi i të Dërguarit të Allahut! Kam diçka të çuditshme për të të thënë. Teksa po vija, pashë Osmanin dhe i dhashë selam, por ai nuk ma ktheu selamin!”

Të qarat e nënës sonë, Ummu Selemes (r.a.)

Ummu Selemeja (radijallahu anha) tregon vetë: “Atë ditë që u nda nga jeta Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue se’l’lem) ne u mblodhëm të gjitha përreth dhe po qanim. Atë natë nuk vumë gjumë në sy. E kishim ende në shtëpi të Dërguarin e Allahut; shikonim trupin e tij shtrirë dhe kjo ende sikur na qetësonte pak. Mirëpo, në agim, kur dëgjuam zhurmën që lëshonin kazmat lëshuam të gjithë një klithmë. Edhe besimtarët, që ishin mbledhur në xhami lëshuan një klithmë akoma edhe më të madhe! Medina u tund nga klithmat! Sidomos kur Bilali (radijallahu anhu) këndoi ezanin e mëngjesit dhe zuri të qajë me ngashërim sapo arriti te pjesa “Esh’hedu en’ne Muhamede’r-Resulullah”, na tronditi edhe më shumë. Njerëzit u turrën të hynin ata vetë në gropën e varrit, prandaj edhe e mbyllën nga brenda. Çfarë ishte ajo fatkeqësi, që o Zot! Sa herë që na ndodhte ndonjë e keqe, ne na kujtohej ndarja nga jeta e Resulullahut dhe nuk i jepnim shumë rëndësi të keqes që na kishte ndodhur.”

Gjendja e sahabëve në Mekë, kur morën vesh se Profeti ynë i dashur ishte ndarë nga kjo jetë

Tregon Ubejdullah bin Umejri (radijallahu anhu): “Atëherë, kur vdiq Profeti Fisnik, në Mekë vali ishte Atab bin Esidi (radijallahu anhu). Me të ardhur lajmi i kobshëm për të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në Mekë, të gjithë sa ishin në Xhaminë e Shenjtë filluan të vajtonin e të ulërinin. Atabi doli nga Meka dhe u fut në luginë. Nga pas i shkoi edhe Suhejl bin Amri (radijallahu anhu) dhe i tha:

“Hajde, kthehu përpara njerëzve, thuaju diçka, ata kanë nevojë që ti t’u thuash një fjalë.”

“Nuk kam as fuqi, as takat t’i flas kujt.”, – tha Atabi.

“Mirë,”, – ia ktheu Suhejli, – “eja me mua. Do të flas unë në vendin tënd.” Të dy bashkë u kthyen në Xhaminë e Shenjtë. Suhejli u ngrit në këmbë, lëvdoi dhe përgëzoi cilësitë e Allahut (xhel’le xhelaluhu) dhe mbajti një fjalë të ngjashme me atë që kishte mbajtur edhe Ebu Bekri (radijallahu anhu) në Medinë; nuk la asgjë pa thënë.

Ai që e përcjell këtë transmetim thotë se: “Në kohën që Suhejl bin Amri ishte rob lufte ditën e Bedrit, Omeri (radijallahu anhu) kishte tentuar që t’i hiqte dhëmbët një e nga një, mirëpo Resulullahu (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) pati ndërhyrë dhe i pati thënë: “Mos e ngacmo atë! Kushedi, ndoshta Allahu e lartëson atë në një gradë që ty ka për të të pëlqyer.” Ja, kjo ishte grada që kishte paralajmëruar i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të); grada e atij që një ditë do të qetësonte mbarë myslimanët e Mekës!”

9. CILAT ISHIN FJALËT E PARA TË SAHABËVE KUR MORËN VESH PËR VDEKJEN E PROFETIT TONË?

Ebu Bekri (r.a.)

Muhamed bin Is’haku, në ato që transmeton prej të atit, tregon se: “Kur u nda nga kjo jetë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Ebu Bekri (radijallahu anhu) tha:

“Ja, sot, ne humbëm fjalën hyjnore, atë fjalë që na vinte përherë nga lartësitë e Allahut! Ajo nuk do të na vijë më.”

Ummu Ejmeni (r.a.)

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Pak kohë pas ndarjes nga jeta e Resulullahut, Ebu Bekri i tha Omerit (radijallahu anhuma):

“Eja, shkojmë tek e liruara e Profetit, Umu Ejmeni, t’i shkojmë edhe ne për vizitë, siç bënte Resulullahu.” Kur të dy miqtë shkuan tek Umu Ejmeni, ajo filloi të qajë. E pyetën:

“Po pse qan? A nuk e di ti, që shpërblimet e Allahut për Profetin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) janë shumë herë më të mira?”

“Po unë nuk qaj ngaqë nuk e di se pranë Allahut e pret diçka më e mirë Resulullahun, por që këtej e tutje nuk do të na vijë më asnjë fjalë, asnjë shpallje, nga Allahu i Madhërishëm.”, – u përgjigj ajo. Këto fjalë të Ummu Ejmenit i prekën shumë, si Omerin, ashtu edhe Ebu Bekrin (radijallahu anhuma), e filluan edhe ata të qanin.

Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) vdiq dhe Fatimja (radijallahu anhu) i shprehte ndjenjat e saj me këto vargje:

“Zgjohu baba, zgjohu, se erdhi thirrja e Allahut!

Baba, që vendin e ke në Xhenetin Firdeus!

Zgjohu baba, se e njoftuam dhe Xhibrilin që ti na ike!”

Në çastin kur u varros Profeti ynë i nderuar, Fatimja (radijallahu anha) më tha: “Ah, more Enes! Si jua bën zemra dhe hidhni dhè mbi të Dërguarin e Allahut?”

Elegjia e hallës së tij, Safijes, kur mori vesh për vdekjen e Profetit tonë

Tregon Urueja: “Safije binti Abdulmutalibi (radijallahu anha), një të marrë vesh për ndarjen nga jeta të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) filloi të thurte menjëherë një elegji:

“U vrava në shpirt, e si ata që u kanë grabitur tërë pasurinë, nuk m’u mbyllën fare sytë këtë natë. Ah ta kisha shijuar unë atë vdekje!

O i Dërguari i Allahut! Ne ty të kishim shpresë, se ti na bëje më të mirat. Aq shumë na doje, e kurrë nuk na u rëndove.

O Profeti ynë, ku kishte njeri më të dhembshur e plot mëshirë si ti, o Profeti ynë. Të qajë kush të dojë, që sot që ike ti. Ju betohem për jetën time, se unë nuk qaj pse vdiq Profeti! Qaj se e di se ç’rrëmuja e ngatërresa do të lindin pas ikjes së Muhamedit. Unë humba Muhamedin, e zemra më djeg sikur të kisha hedhur në xham të shkrirë.

O Fatime! Zoti i Muhamedit e mëshiroftë atë trup që prehet në tokën e Medinës.

O Resulullah! E le jetim Hasanin. Sot ai qan e qajnë e të tjerët me të, kërkon ku është gjyshi. Kurban iu bëfshin nëna, tezja, halla, shpirti im, gjithë ç’kam të afërt dhe të largët, atij të Dërguari. Durove e durove, gjersa profetësinë tënde përmbushe. Na le ne një fe të pastër, të fortë e të kulluar, pastaj ike në amshim, e na le ne këtu të vetmuar.

Të të kishte lënë ty Zoti mes nesh, të na bënte ne fatlumë. Por ne e dimë, se urdhri i Tij vjen një ditë e do të ndodhë. Mbi ty qoftë paqja e Zotit, e ti i kënaqur të hysh, në shtëpinë tënde të merituar, në

Xhenetin Adn!”

Qëndrimi i sahabëve fisnikë ndaj atyre që shfaqnin mungesë respekti ndaj Profetit tonë

Ka’b bin Alkameja tregon: “Garafe bin Harith el-Kindiu (radijallahu anhu), i cili ishte një prej atyre të nderuarve që kishin pasur nderin të merrnin pjesë në bisedat me Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur mori vesh se një i krishterë kishte sharë Profetin tonë, e kishte kapur atë njeri të mallkuar, e pati rrahur, aq sa i pati thyer edhe hundën. Për këtë ngjarje e mori vesh edhe Amr bin Asi. Amr bin Asi (radijallahu anhu) e pyeti Garafen:

“Po ne u kemi garantuar se do të jenë të sigurt jomyslimanëve. Pse e bëre atë?” Garafeja iu përgjigj:

“Ç’do të thotë kjo! Ne nuk u thamë atyre që nuk do t’i prekim që ata të na shajnë Profetin, apo jo? Ne atyre u thamë se nuk do t’ua preknim kishat, se mund të shkonin kur të dëshironin, të thonë atje çfarë të duan, që nuk do t’u kërkonim asgjë që ata nuk mund ta përballonin, se do t’i mbronim kundër armiqve, se mund ta zbatojnë si të duan fenë e tyre mes veti, dhe, se, për aq kohë sa ata do t’i pranonin vendimet tona, ne do të vendosnim për ta duke u bazuar te Libri i Allahut dhe te Suneti i të Dërguarit të Tij, e, nëse nuk do të vinin për të kërkuar një vendim nga ana jonë, ne nuk do të përziheshim në punët e tyre; nuk ishte kështu?”

10. REALIZIMI I PËRPIKTË I ÇDO URDHRI TË PROFETIT TONË

E tregon Urue bin Zubejri (radijallahu anhu): “Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati dërguar në Nahle një grup prej tetë vetash dhe në krye u kishte zgjedhur si komandant Abdullah bin Xhahshin (radijallahu anhu) dhe, teksa do t’i niste, ai i tha Abdullahut:

“Qëndroni atje derisa të merrni vesh çfarë po ndodh me kurejshët.” Nuk i dha atij asnjë urdhër, që të luftonin, apo të mos luftonin. Këtë ekip i Dërguari i Allahut e pati dërguar gjatë muajit Rexhep, kur është e ndaluar të luftosh. Ende pa u nisur ai ekip dhe pa mësuar se ku do të shkonin, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i dha një letër Abdullah bin Xhahshit dhe i tha:

“Nisuni; mos e lexo këtë letër pa kaluar dy ditë. Pasi të keni udhëtuar për dy ditë rresht, hape letrën, lexoje dhe bëj ato që të kam urdhëruar në të. Dhe mos detyro asnjë prej shokëve të tu!”

Pasi ecën për dy ditë, Abdullahu (radijallahu anhu) e hapi letrën dhe ç’të shihte, në letër shkruhej: “Lëviz menjëherë dhe vendosu në Nahle.

Kontrollo se çfarë janë duke bërë kurejshët dhe na njofto për ato që do të mësosh.” Ibni Xhahshi (radijallahu anhu), një ta lexuar letrën tha:

“Si urdhëron.” Pastaj u drejtua nga shokët dhe u tha:

“Profeti ynë më urdhëron që të shkojmë menjëherë në Nahle dhe të ruajmë kurejshët dhe të mbledhim informata se çfarë janë duke bërë ata. Si edhe më ndalon që të detyroj ndonjërin prej jush. Prandaj, kushdo që dëshiron të bjerë dëshmor të vijë me mua; unë po shkoj të zbatoj urdhrin e Profetit. Kush nuk do mund të kthehet pas!”, – dhe, sakaq, u nis në drejtim të Nahles. Me të shkuan edhe shokët e tij dhe asnjëri nuk u kthye pas. Shkuan në drejtim të Hixhazit. Kur mbërritën në vendin e quajtur “Buhran”, Sa’d bin Ebi Uakasi dhe Utbe bin Gazuani humbën devenë e tyre, të cilës i hipnin me radhë, njëherë njëri e njëherë tjetri. Duke u përpjekur që të gjenin devetë, mbetën mbrapa, kur të tjerët zbritën për në Nahle. Pas pak, aty kalon një karvan i kurejshëve që po sillte ushqime, si rrushi i thatë, nga Taifi. Në karvan ishte Amr bin Hadramiu, Hakem bin Kejsani dhe dy djemtë e Abdullahut, Osmani me Mugiren. Një nga sahabët, Uakid bin Abdullahu (radijallahu anhu) u afrua të ndiqte karvanin me sy; kokën e kishte të rruar. Kur kurejshët e panë Uakidin me kokë të rruar, thanë: “Këta do kenë ardhur për të vizituar Qaben, nga këta nuk vjen ndonjë e keqe.”

Atë ditë ishte dita e fundit e muajit Rexhep. Abdullahu dhe shokët e tij u mblodhën dhe thanë:

“Nëse i vrasim ata, ne do të shkelim një muaj që duhet ta respektojmë. Nëse i lëmë, ata do të hyjnë në Mekë dhe ne nuk i sulmojmë dot, duke i humbur kësisoj nga duart.”, – kështu që vendosën të luftojnë me ta.

Uakid bin Abdullah Temimiu një shigjetë hedh dhe vret Amr bin Hadramiun. Osman bin Abdullahun dhe Hakem bin Kejsanin i zunë robër. Mugireja ia mbathi, atë nuk e kapën dot. Abdullahu me shokë, e morën karvanin dhe dy robërit e zënë dhe i çuan te Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) në Medinë. I Dërguari i Allahut tha:

“Po unë nuk ju pata urdhëruar ju që të luftoni në një muaj, të cilin nuk duhet ta shkelim.”; karvanin dhe dy robërit nuk i preku me dorë dhe nuk mori asgjë. Qortimi i të Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i bëri të pendoheshin shumë, si Abdullahun, si shokët e tij. Mbetën duarlidhur. Pandehën se do të rrënoheshin aty në vend. Veç kësaj, shumë nga myslimanët i gjykuan rëndë.

Kurejshët një të marrë vesh për atë që kishte ndodhur, thanë:

“Muhamedi derdhi gjak në muajin Rexhep; na ka marrë njerëzit peng; e shkeli edhe respektin që duhet të kemi ndaj muajve të ndaluar.” Lajmi mori dhenë. Për këtë, Allahu i Drejtë zbriti ajetin: “Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju: ‘Luftimi në atë kohë është gjynah i madh, por pengimi i njerëzve prej udhës së Allahut, mohimi i Tij, pengimi i njerëzve nga vizita e Xhamisë së Shenjtë dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë gjynah më i madh tek Allahu. Kurse adhurimi i idhujve është gjynah më i madh se vrasja.’ Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj. Ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, – veprat e tyre (të mira) do të humbasin në këtë botë dhe në tjetrën. Ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Bekare, 2/217) Me zbritjen e këtij ajeti, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e mori plaçkën e atij karvani, ndërsa dy robërit i liroi në këmbim të shpagimit të paguar për ta.

Abdullahu dhe myslimanët që kishin qenë me të e pyetën:

“O Resulallah, a do të ketë shpërblim si ai i të luftuarit në rrugën e Allahut edhe për këtë ndodhi?” Kur Allahu zbriti ajetin tjetër: “Vërtet, ata që besuan dhe ata që mërguan e luftuan në rrugë të Allahut, pikërisht ata shpresojnë në mëshirën e Allahut. Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Bekare, 2/218)

Sahabët fisnikë i binden të Dërguarit të Allahut për t’u nisur në betejën kundër hebrenjve të Beni Kurejdhas

Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) ka thënë: “Ditën që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u kthye nga lufta e Hendekut në Medinë, nuk patën lënë mirë armët që kishin mbi trup, kur Xhibrili Besnik i urdhëroi atij: “Të mos e falë askush namazin e ikindisë pa mbërritur në vendin e Beni Kurejdhas!” Koha e ikindisë hyri në një kohë kur një pjesë e sahabëve nuk ishin kthyer ende. Megjithatë, një pjesë e tyre thanë se ‘nuk do ta falnin namazin pa mbërritur te Beni Kurejdha’, ndërsa një pjesë tjetër thoshte se ‘nuk ishte ky qëllimi i fjalëve të të Dërguarit të Allahut. Ai donte që ne të tregoheshim sa më të shpejtë. Prandaj, ne do ta falim namazin e ikindisë në kohën e vet.’ Megjithatë, më vonë, të dyja grupet i treguan Profetit tonë se si ishin sjellë, por Profeti ynë nuk mbajti asnjë qëndrim për asnjërin nga grupet.”

Sahabët në Hunejn u kapën fort pas urdhrave të Profetit të nderuar dhe dolën fitimtarë

Për këtë tregon Xhabiri (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në ditën e Hunejnit, kur pa se myslimanët po pësonin disfatë, e urdhëroi Abasin (radijallahu anhu) që të thërriste: - “O ensarë! O ju që e lidhët besën nën hijen e pemës!”

Në çastet kur zëri i Abasit (radijallahu anhu) filloi të dëgjohej anekënd, qielli u mbush nga zëra që bërtitnin:

“Leb’bejk! Leb’bejk ja Resulallah, këtu jemi, gati si të na urdhërosh ti!” Asisoj, që ende pa e kthyer mirë devenë, çdokush hidhte parzmoren përsipër, nxirrte shpatën dhe mburojën dhe rendte për andej nga vinte zëri. Vetëm përreth të Dërguarit të Allahut u mblodhën, sa hap e mbyll sytë, njëqind vetë, të cilët u vërsulën menjëherë në drejtim të armikut. Thirrja e parë kishte qenë për të gjithë ensarët. Pastaj u bë edhe një thirrje tjetër, e cila i drejtohej vetëm fisit të Hazrexhëve, po nga ensarët, sepse ata luftonin me një mjeshtëri më të veçantë. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u zgjat të shikonte andej nga po luftohej kokë për kokë e shpatë për shpatë dhe tha:

“Ja, tani lufta është nxehur mirë!” I betohem Allahut, se asnjë prej atyre që ia mbathën në fillim të luftës nuk qe kthyer ende, kur ne pamë që robërit ishin sjellë duarlidhur para Resulullahut! Kush ishte për t’u vrarë nga armiqtë ishte vrarë, ndërsa kush kishte mbetur gjallë kish përjetuar në moment disfatën më të rëndë të jetës së vet. Allahu ia fali Profetit të Tij të gjithë fëmijët dhe pasuritë e tyre.”

Dëshira e Abdullah bin Reuahas për t’iu bindur çdo urdhri të Profetit tonë

Tregon Abdurrahman bin Ebi Lejlaja: “Abdullah bin Reuaha (radijallahu anhu), një ditë, ndërsa vinte për në xhami, kaloi nëpër lagjen e Beni Ganmit dhe dëgjoi fjalën e të Dërguarit të Allahut, i cili në atë çast u tha besimtarëve:

“Uluni.” Dhe ai u ul menjëherë aty ku ishte. Aty qëndroi i ulur, gjersa Profeti ynë mbaroi hutben. Kur e mori vesh për sjelljen e Abdullah bin Reuahas, Resulullahu i tha atij:

“Zoti ta shtoftë edhe më shumë dëshirën e zjarrtë për t’iu bindur Atij dhe të

Dërguarit të Tij!”

Dëshira e Abdullah bin Mes’udit për t’iu bindur të Dërguarit të Allahut

Ataja (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte duke mbajtur një fjalë përpara bashkësisë në xhami dhe u tha atyre të uleshin. Abdullahu në atë kohë ishte te porta e xhamisë dhe me të dëgjuar fjalën ‘uluni’ të të Dërguarit të Allahut, u ul në tokë. Profeti ynë i nderuar e pa dhe i foli:

“Eja, Abdullah, hyr brenda!”

Kur një nga sahabët e shemb shtëpinë e sapondërtuar që nuk i pati pëlqyer Resulullahut

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, Profeti ynë i nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të), doli të shëtiste nëpër Medinë bashkë me ne. Rrugës pamë një konak më të lartë se të tjerët.

“I kujt është ky?”, – na pyeti ai ne.

“Është i aksh njeriu, nga ensarët.”, – i thanë. Resulullahu heshti, nuk tha asnjë fjalë. Por, me ç’duket ai nuk e pati harruar, sepse, një ditë, i zoti i asaj shtëpie e pati përshëndetur dhe Resulullahu nuk ia pati kthyer përshëndetjen, por edhe e pati kthyer fytyrën në anën tjetër. Kjo u përsërit disa herë. I ngrati burrë, e kuptoi menjëherë që Profeti ishte hidhëruar me të, kështu që shkoi dhe iu ankua sahabëve:

“Uallahi, nuk e di ç’ka Resulullahu me mua, pse sillet kështu?” Ata e dëgjuan dhe i thanë:

“Një ditë, Resulullahu doli të shëtiste dhe pa shtëpinë tënde, që ishte më e lartë se të tjerat.” Ky njeri nga ensarët u kthye menjëherë në shtëpi dhe e rrëzoi atë të gjithën, e bëri njësh me tokën.

Pas kësaj ngjarjeje, Profeti ynë (sal’allahu alejhi ue sel’lem) pati dalë sërish të shëtiste nëpër qytet. Nuk ia zunë sytë më atë shtëpi, kështu që pyeti ata që kishte përreth:

“Çfarë i ndodhi asaj shtëpisë që ishte më e lartë se të tjerat?”

“O Resulallah! Ai që e kishte erdhi e na pyeti, na u ankua ç’ka Resulullahu që nuk më kthen sytë. Dhe ne ia treguam kush ishte shkaku. Andaj, ai shkoi dhe e rrëzoi menjëherë të gjithë shtëpinë.”, – iu përgjigjën ata.

“Zoti e faltë!”, – tha Resulullahu për të. – “Allahu e faltë! Allahu e faltë! Nuk ka pikë dyshimi, se çdo ndërtesë më e madhe se nevojat është një barrë shumë e madhe për atë që e ka!”

Një prej sahabëve djeg veshjen e tij

Amr bin Shuajbi na tregon: “Njëherë, bashkë me Profetin tonë (paqja e Zotit qoftë mbi të) shkuam deri në kalimin e Edhahirit, që gjendet mes Mekës dhe Medinës. Unë kisha veshur një veshje të hollë, të butë dhe me ngjyra. I Dërguari i Allahut më pa dhe më pyeti:

“Po këtë që ke veshur çfarë e ke?” E kuptova menjëherë, nuk i kishte pëlqyer ajo që kisha veshur. Sapo u ktheva në shtëpi, pashë, fëmijët kishin ndezur furrën e dheut, kështu që e mora atë veshje dhe e hodha në të, të digjej, pastaj u ktheva te Profeti ynë.

“Ku e çove atë që kishe veshur?”, – më pyeti.

“E hodha në furrën e dheut, o i Dërguari i Allahut.”, – i thashë. Priti pak, pastaj më tha:

“T’ia kishe dhënë dikujt nga familja!”

Sahabi me emrin “Khurejm” që pati shkurtuar flokët dhe rrobat

Sehl bin Handhalije el-Abshemiu (radijallahu anhu) tregon: “Për Khurejmin Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:

“Sikur të mos i rriste ata flokë dhe të mos i tërhiqte zvarrë ato rroba, sa njeri i mirë është Hurejm el-Esediu.” Khurejmi, dëgjoi se çfarë kishte thënë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për të, flokët që i derdheshin deri te supet i preu në mes, kurse rrobat që vishte i preu deri në lartësinë e pulpës së këmbës.”

Dëshira që tregonte Muhamed bin Eslemi për t’iu bindur çdo fjale të të Dërguarit të Allahut

Muhamed bin Eslem bin Buxhre, i cili ishte nga fisi i bijve të Harith bin Hazrexhit, ishte një burrë shumë i moshuar. Edhe shtëpinë e kishte në një zonë goxha larg qytetit të Medinës. Zbriste në Medinë, merrte çfarë kishte për të marrë në pazar, kthehej pranë familjes, hiqte teshat që kishte pasur veshur dhe sapo bëhej gati për t’u mbështetur, që të pushonte, i kujtohej menjëherë që nuk kishte falur namaz në xhaminë e të Dërguarit të Allahut dhe thoshte:

“Uallahi nuk fala dy rekate namaz në xhaminë e Resulullahut; po ai na pati thënë, që: “Kushdo nga ju që zbret në qytet, të mos kthehet pranë familjes pa falur njëherë dy rekate namaz në këtë xhami!”, – vishte rrobat prapë, kthehej në Medinë dhe falte dy rekate namaz në Xhaminë e Profetit.”

Historia e një vajze të re nga ensarët

Mugire bin Shu’beja (radijallahu anh) tregon: “Unë i thashë Resulullahut se doja të martohesha me një vajzë nga ensarët. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) e pyeti:

“E ke parë vajzën?”

“Jo!”, – iu përgjigja unë.

“Shikoje njëherë, sepse kur e shikon, kjo është më e mirë, si për ta bërë më të mundur dashurinë për të, si për t’u mësuar me të.” Ashtu bëra edhe unë, shkova dhe i tregova familjes së vajzës për qëllimin tim. Ata panë njëherë njëri-tjetrin. Unë u ngrita dhe dola jashtë. Sapo do të largohesha prej andej, kur vajza u tha atyre:

“Ku është ai njeri, thërriteni!” Ajo vetë kishte qëndruar në një qoshe të shtëpisë. Mua më tha:

“Nëse ty të ka këshilluar Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) që të vish e të më shohësh, atëherë më shih; përndryshe unë nuk dal përpara teje.” Atëherë unë i thashë se po, i Dërguari i Allahut më kishte këshilluar që të shkoja e ta shihja dhe nuk kaloi shumë kohë dhe ne u martuam me njëri-tjetrin. Kjo martesë ka qenë më e mira e më e mbara që kam bërë deri më tani.”

Ebu Dherri (r.a.) e zbatonte shkronjë për shkronjë urdhrin e të Dërguarit të Allahut që të gjithë duhet të silleshin sa më mirë me shërbyesit e tyre

Tregon Ma’rur bin Suejdi: “Në Rebedhe, pranë Medinës, pashë Ebu Dherr Gifariun (radijallahu anhu) që kishte hedhur supeve një veshje të trashë. Edhe skllavin ashtu e kishte veshur. Disa vetë i thanë:

“O Ebu Dherr, po t’i kishe blerë një veshje më të lirë skllavit dhe vetë të kishe blerë diçka më të shtrenjtë!” Paskëtaj, Ebu Dherri u tregoi atyre një ndodhi:

“Në kohën e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), njëherë unë qeshë përzier në një zënkë shumë të rëndë me dikë dhe e pata sharë nga nëna, i pata thënë:

“O i biri i nënës me ngjyrë!” Pas kësaj, ai njeri shkoi drejt e te Resulullahu për t’u ankuar për mua. I Dërguari i Allahut më priti me fjalët:

“Shiko, Ebu Dherr, ti qenke një njeri që ke ende huqe nga ato të injorancës! Po skllevërit janë vëllezërit tuaj. Përmes tyre Allahu ju ka falur juve shumë të mira. Nëse nuk mësoheni me ndonjërin syresh, shiteni; po të mos i mundoni dhe të mos i torturoni robt e Allahut.”

Ndërsa në transmetimet e ardhura prej Buhariut, Muslimit, Tirmidhiut dhe shumë të tjerëve thuhet se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i ka thënë kështu Ebu Dherrit (radijallahu anhu): “[...] Ata skllevër ju i keni vëllezër. Allahu jua ka dhënë ata në shërbimin tuaj. Kushdo që Allahu i ka dhënë një vëlla për t’i shërbyer, t’i japë atij të hajë nga ajo që ha edhe vetë, ta veshë me atë që vesh edhe vetë dhe të mos e ngarkojë me asnjë punë që nuk do ta bënte dot vetë. Dhe t’i vijë atij në ndihmë, nëse ai i kërkon ndihmë.”

11. QËNDRIMI I SAHABËVE NDAJ ATYRE QË NUK I BINDESHIN FJALËS SË PROFETIT TONË TË NDERUAR

Aliu (r.a.) e kap Said bin Sufjanin për pelerine dhe e tërheq

Tregon Said bin Sufjani vetë: “Kur më vdiq vëllai, ai më porositi që njëqind dinarë nga trashëgimia e tij t’i shpenzoja në rrugën e Allahut. Për këtë arsye shkova te Prijësi i Besimtarëve, Osman bin Afani (radijallahu anhu). Afër tij qëndronte i ulur edhe dikush tjetër. Atë ditë mbi trup kisha të hedhur një pelerinë me jakë dhe anë të thurura me thekë mëndafshi. Ai burrë, vetëm se më pa të veshur ashtu më kapi për pelerine dhe zuri të më tërheqë. Edhe pak edhe do ta griste. Osmani (radijallahu anhu) i tha:

“Lëshoje!”, – dhe ai më lëshoi, duke thënë:

“Sa shpejt që i braktisët këshillat e të Dërguarit të Allahut!” Unë i thashë Osmanit (radijallahu anhu):

“O Prijësi i Besimtarëve! Më ka vdekur vëllai, por para se të ndahej nga kjo botë më la amanet që të jepja nga paratë e tij njëqind dinarë në rrugën e Allahut. Çfarë më këshilloni të bëj? Si t’ia bëj?”

“A pyete ndokënd përpara meje në lidhje me këtë punë?”, – më pyeti Osmani (radijallahu anhu).

“Jo!”, – iu përgjigja unë.

“Nëse ke shkuar më parë te ndokush tjetër, për t’i marrë mendim, dhe ai të ka dhënë një gjykim të ndryshëm nga gjykimi që do të të jap unë, ta dish se do të ta pres kokën! Allahu na urdhëroi ne të pranojmë Islamin dhe ne u bëmë myslimanë. Na urdhëroi të mërgonim nga vendlindja jonë, e ne mërguam pranë popullit të Medinës. Pastaj Ai na urdhëroi ne të luftonim në rrugën e Tij, luftuam. O sirianë, ju jeni luftëtarë. Ato para t’i përdorësh për veten, për familjen tënde dhe të tjerë që ke përreth vetes e mund të kenë shumë nevojë për to. Nëse ti e përdor një dërhem për të blerë mish, që ta çosh në shtëpi, ta hanë fëmija, ajo lëmoshë ty do të të shkruhet sikur të kesh dhënë shtatëqind dërhemë, jo një.”, – më tha ai.

Kur dola nga Osmani (radijallahu anhu), pyeta se kush ishte ai që më kishte tërhequr fort për jake, e më thanë se kish qenë Ali bin Ebi Talibi. Paskëtaj shkova menjëherë në shtëpinë e Aliut (radijallahu anhu), për ta pyetur:

“Pse u solle në atë mënyrë me mua, më vure re ndonjë të metë?

Përgjigjja e tij ishte:

“Unë nga Profeti i dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kam dëgjuar se: ‘Nuk do të kalojë shumë kohë dhe umeti im do ta quajë si diçka të lejuar e të zakonshme qëndrimin pranë grave të huaja, ashtu si edhe veshjen me mëndafsh.’ I pari mysliman që shoh të veshur me mëndafsh je ti.”

Saidi thotë se: “Pas atyre fjalëve, e hoqa menjëherë atë pelerinë dhe shkova e shita.”

12. SHQETËSIMI I MADH I SAHABËVE FISNIKË SE MOS SILLESHIN NDRYSHE NGA AJO QË U KISHTE URDHËRUAR PROFETI YNË

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Atë ditë që u zhvillua lufta e Bedrit, Profeti i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tha sahabëve të tij:

“Në mesin e armiqve tanë unë njoh njerëz të atillë, nga fisi i bijve të Hashimit dhe fiseve të tjera, që i kanë nxjerrë me zor kundër nesh. Ata nuk kanë kurrfarë interesi për t’u përballur me ne. Nëse gjendeni ballë për ballë me ndonjërin prej tyre, të mos i vrisni. Nëse dikush përballet me Ebu’l-Bahteri bin Hishamin, të mos e vrasë atë. Kush përballet me xhaxhain tim, Abasin, të mos e vrasë atë; sepse ata i kanë detyruar që të dalin kundër nesh!” Atëherë Ebu Hudhejfeja (radijallahu anhu) i tha atij:

“Do të vrasim etërit, djemtë dhe vëllezërit tanë, kurse Abasin do ta lëmë, apo jo? I betohem Allahut se po më doli përballë, unë do t’ia pres mishin në copa me shpatë.” Kur dëgjoi fjalët e Ebu Hudhejfes, i Dërguari Fisnik i tha Omerit (radijallahu anhu):

“O Eba Hafs! (Ja, atë ditë më ngeli mua llagapi Ebu Hafs, kur më thirri i Dërguari i Allahut për herë të parë me atë emër) A qëllohet xhaxhai i të Dërguarit të Allahut me shpatë?”

“O Resulallah! Më lejo mua t’ia ndaj kokën nga trupi Ebu Hudhejfes. Ky qenka bërë hipokrit!”

Ebu Hudhejfeja (radijallahu anhu) thoshte gjithmonë: “Thashë atë fjalë atë ditë dhe nuk e di se si do ta kem fundin, jam gjithmonë i shqetësuar; këtë mëkat nuk mund ta laj vetëm se duke rënë dëshmor!” Dhe, vërtet, Ebu Hudhejfeja (radijallahu anhu) ra dëshmor gjatë luftës së Jemames.”

Shqetësimi i Thabit bin Kajsit dhe sihariqi i të Dërguarit të Allahut për të

Enes bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “Profeti i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte kohë që nuk e kishte parë Thabit bin Kajsin (radijallahu anh).

“Çfarë i ka ndodhur Thabitit, nuk është dukur fare?”, – pyeti ai njëherë. U ngrit dikush dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Të shkoj unë dhe të shoh se çfarë ka Thabiti, ta mësoj unë për ju.”, – dhe u nis të shkonte për te Thabiti. Ai e gjeti atë në shtëpi, kishte ulur kokën dhe rrinte i ulur, ndaj e pyeti:

“Ç’është kjo gjendje? Çfarë të ka ndodhur?” Dhe ai iu përgjigj:

“Jam shumë keq! Jam shumë keq, sepse Thabiti e ngre zërin më shumë se zëri i Resulullahut, e i janë shumëzuar me zero të gjitha punët që ka bërë deri më sot. Nuk ka më shpëtim për të, ai është tanimë një prej banorëve të Xhehenemit!” Sahabi që u takua me Thabitin u kthye te Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe i përcolli të tëra fjalët që i kishte thënë Thabiti. Më vonë, ai sahab u kthye për te Thabiti edhe njëherë, por kësaj here shkoi tek ai për t’i dhënë një lajm shumë të mirë. Profeti ynë i kishte thënë atij sahabi të shkonte te Thabiti dhe t’i thoshte:

“Ti nuk je nga banorët e Xhehenemit, përkundrazi, ti je një nga banorët e Xhenetit.”

Ndërkohë që, nga e bija e Thabitit përcillet një tjetër transmetim, ku thuhet: “Babai mua më ka thënë se, kur u zbrit ajeti: “Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburravecët!” (Lukman, 31/18), – unë u mbylla në shtëpi, e mbylla derën me reze nga brenda dhe fillova të qaja. Kur e mori vesh Resulullahu se në ç’gjendje isha, më dërgoi fjalë se më ftonte të shkoja tek ai. Unë i thashë atij:

“O i Dërguari i Allahut! Allahu na thotë se ai nuk i do ata që u pëlqen vetja dhe mburren përpara njerëzve. Por unë jam një njeri që i pëlqen shumë të duket sa më bukur dhe që të jetë i pari në mesin e fisit të vet.” Por Resulullahu ma priti me fjalët:

“Ti nuk je nga ata. Ti bën një jetë për t’u lavdëruar nga të gjithë; ti do të vdesësh mirë dhe Allahu ka për të të futur ty në Xhenetin e Tij.”

13. SAHABËT FISNIKË RREKESHIN QË TA IMITONIN PROFETIN TONË NË ÇDO LËVIZJE TË TIJ

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte një rrogoz dhe gjatë natës atë e përdorte edhe si murperde, e vinte atë në këmbë dhe vetë kalonte pas saj dhe falte namaz. Kurse, gjatë ditës, e shtronte në tokë dhe ulej mbi të. Sahabët vinin te Resulullahu dhe falnin edhe ata aq namaz saç falte edhe ai. Kur numri i sahabëve që vinin për të falur namaz bashkë me të u shtua shumë, një ditë, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u tha:

“O njerëz, kryeni aq adhurime sa mundësi të keni. Nëse ju nuk mërziteni duke e adhuruar Zotin, Ai nuk lodhet që nuk lodhet nga të shkruarit e shpërblimeve për ju. Puna më e dashur tek Allahu është ajo punë që bëhet rregullisht e pa ndërprerje, sado e vogël a e paktë të jetë ajo.”

I Dërguari i Allahut hoqi unazën dhe e hodhi poshtë, ashtu bënë edhe sahabët, i hodhën të gjithë unazat e tyre

Enes bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “Sahabët panë një ditë në gishtin e Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) një unazë argjendi, kështu që morën edhe ata nga një unazë argjendi dhe e vunë në të njëjtin gisht. Dhe, kur i Dërguari i Allahut e hodhi poshtë unazën e tij edhe ata i hodhën menjëherë unazat e tyre.”

Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më përpara përdorte unaza floriri. Por, një ditë, ai e hoqi atë unazë dhe e hodhi, e u kthye nga sahabët duke u thënë:

“Këtej e tutje nuk do ta vë më këtë.” Që pas asaj dite edhe sahabët i hodhën poshtë unazat e tyre.”

Shtimi i fundit të pelerinës nga Osmani (r.a.) dhe pasimi prej tij i Profetit tonë gjatë tavafit të Qabes

Ijas bin Selemeja (radijallahu anhu) na përcjell nga babai i tij, se: “Para Paqes së Hudejbijes, drejtuesit e kurejshëve dërguan për të vlerësuar gjendjen e myslimanëve Harixhe bin Kurzin. Harixheja, kur u kthye në Mekë, filloi të mburrte myslimanët, duke folur aq mirë për ta, saqë kurejshët i thanë:

“Ti je një arab beduin, të kanë treguar armët ata dhe ti je trembur! Ti nuk i kupton ato që të kanë thënë ata!”, – dhe, kësaj here, dërguan Urue bin Mesudin, për të parë se në ç’gjendje ishin myslimanët. Urueja i tha Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“O Muhamed, si është kjo punë? Ti i thërret njerëzit që t’i besojnë Zotit, pastaj mbledh ca njerëz që as nuk i njeh fare dhe lufton me njerëzit e tu! Ti vetë po i shkëput marrëdhëniet me të afërmit e tu, duke tentuar t’u marrësh jetën dhe gjithçka që kanë ata në këtë jetë!” I Dërguari i Allahut ia priti me fjalët:

“Uallahi unë jam dërguar për t’i përforcuar edhe më tej lidhjet farefisnore, t’ua përmirësoj atyre fenë ku besojnë, duke sjellë një fe më të mirë, si dhe që t’u mundësoj atyre të jetojnë një jetë më të mirë.” Kur u kthye Urueja në Mekë, ai u foli mekasve me fjalët dhe lavdërimet më të mira për myslimanët.

Selemeja thotë se: “Që pas asaj dite, idhujtarët e Mekës e shtuan edhe më shumë trysninë dhe ashpërsinë kundër myslimanëve. Profeti i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha Omerit (radijallahu anhu):

“O Omer! A mund t’u dërgosh fjalë myslimanëve që janë zënë rob nga idhujtarët?”

“O Resulullah! Unë nuk kam asnjë njeri të fisit tim në Mekë dhe ti e di që nuk kam të afërm atje. Por ka shumë myslimanë të tjerë që kanë shumë njerëz të afërm në Mekë, sikur të dërgonit njërin prej tyre, a nuk do të ishte më mirë?”, – iu përgjigj Omeri i nderuar (radijallahu anhu). Atëherë, Profeti ynë thirri Osmanin (radijallahu anhu) dhe e dërgoi në Mekë. Ndërsa po ikte drejt Mekës, i hipur mbi devenë e tij, në një pjesë të rrugës Osmani (radijallahu anhu) u përball me ushtrinë e idhujtarëve. Ata ushtarë e fyen rëndë Osmanin (radijallahu anhu), duke mos lënë asnjë fjalë pa thënë. Mirëpo atij i doli në mbrojtje djali i tij i xhaxhait, djali i Said bin Asit, e mori Osmanin (radijallahu anhu) dhe e hipi mbi samarin e kalit të vet, kurse vetë qëndroi në fundin e shpinës së kalit. Eban bin Saidi i tha Osmanit (radijallahu anhu):

“O djali i xhaxhait, pse e ke kaq të vjetër këtë rrobë që ke veshur? Kurse fundin e paske më të gjatë.” Palët e fundit të veshjes së Osmanit të nderuar arrinin deri te pjesa e pasme e kërcirit të këmbës. Kësodore, Osmani (radijallahu anhu) u tha atyre:

“(Duke pasur parasysh të Dërguarin e Allahut). Sepse kështu vishet ai që është më i madhi ynë, prandaj vishem kështu!”

Osmani (radijallahu anhu), me të mbërritur në Mekë, nuk la asnjë rob mysliman pa i dhënë selamet e Resulullahut.

Selemeja thotë se: “Ne po flisnim me njëra-tjetrën, kur dëgjuam një tellall të thërriste:

“O njerëz! Nxitoni të lidhni besën, nxitoni të lidhni besën, është zbritur shpallja hyjnore.” Vrapuam menjëherë drejt e tek i Dërguari i Allahut. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte poshtë pemës së samrasë; shkuam dhe i shpallëm besën tonë.

Ngjarja tregohet në ajetet: “Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt e me një plaçkë të madhe që do ta fitojnë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Fet’h, 48/18-19)

Gjatë betimit ndaj të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të) Osmani (radijallahu anhu) ishte ende në Mekë. Prandaj, ai e goditi njëherë dorën me dorën tjetër, duke thënë:

“Dhe kjo është besëlidhja e Osmanit!”

“Sa mirë për Ebu Abdullahun (kështu e thërrisnin Osmanin radijallahu anhu)! Ai po shëtit Qaben përreth, kurse ne jemi këtu.”, – thoshin besimtarët me njëri-tjetrin. I Dërguari Fisnik tha:

“Sikur edhe kaq vite të rrijë Osmani atje, ai nuk i vjen Qabes përreth pa shkuar edhe unë për t’i ardhur asaj përreth.”

Një bisedë mes Ebu Bekrit (r.a.) dhe Omerit (r.a.) gjatë grumbullimit të Kur’anit Fisnik

Zejd bin Thabiti (radijallahu anhu) tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu), pas luftës së Jemames, më dërgoi mua fjalë që të shkoja tek ai.

Kur mbërrita, tek Ebu Bekri (radijallahu anhu) atje ishte edhe Omer bin Hatabi. Ebu Bekri (radijallahu anhu), duke më treguar Omerin (radijallahu anhu), më tha:

“Ky njeri më thotë se gjatë luftës së Jemames shumë prej hafëzëve ranë dëshmorë dhe hafëzët e tjerë mund të vriten në luftëra të tjera, prandaj është i shqetësuar se mos Kur’ani na del nga duart dhe e humbasim; për këtë arsye, thotë se ne duhet ta bashkojmë e ta lidhim Kur’anin (bërja bashkë e të gjitha ajeteve dhe të gjitha sureve në një lidhje të vetme, në trajtë libri). Unë i thashë (Omerit):

“Si mund të bëjmë ne diçka që nuk e bëri Resulullahu?”, - por ai më tha se kjo që do të bëjmë është diçka shumë e mirë dhe nguli këmbë në të tijën. Më vonë, Allahu ma futi në zemër edhe mua atë që i futi në zemër Omerit; më duket me vend ky mendim i Omerit.” Omeri (radijallahu anhu) heshtte, thjesht rrinte ulur dhe dëgjonte pa thënë asnjë fjalë. Pastaj Ebu Bekri vazhdoi:

“O Zejd! Ti je një djalosh i zgjuar dhe i pjekur. Nuk kemi se me çfarë të të akuzojmë. Ti ishe ai që i shkruaje shpalljet hyjnore që i vinin Resulullahut, ndaj Kur’anin (në trajtë libri) do ta grumbullosh ti.”, – ky ishte propozimi i Ebu Bekrit (radijallahu anhu) për mua.

Zejdi (radijallahu anhu) thotë se: “Uallahi, sikur malin të më kërkonin ta luaja vendit, nuk do të më dukej aq i rëndë sa kjo fjalë e Ebu Bekrit, që unë të mblidhja Kur’anin në një lidhje të vetme. Në atë kohë edhe unë u thashë:

“Po mirë, si ju shkon juve në mendje të bëni diçka që nuk e bëri as vetë i Dërguari i Allahut?” Ebu Bekri (radijallahu anhu) tha:

“Uallahi, kjo është me një qëllim shumë të mbarë.”, – duke këmbëngulur kësodore në propozimin e tij.

Gjersa, më në fund, Allahu bëri që atë çështje ta merrja edhe unë për zemër, njëlloj siç e futi në zemrat e tyre. Mendimi i tyre m’u duk me vend, kështu që fillova të kërkoja nëpër Kur’an. Fillova t’i mbledh ajetet e Kur’anit nga gurët e hollë e të bardhë, nga kockat e legenit, nga degët e hurmave dhe kujtesa e besimtarëve të ndryshëm që i kishin përvetësuar ato ajete në çastin që i ishin zbritur të Dërguarit të Allahut dhe i bashkova, në fillim ajetet, mandej edhe suret. Vetëm dy ajetet e fundit të sures Teube: “Nga mesi juaj juve ju erdhi një Profet i atillë, që e ka të vështirë t’ju ngarkojë me punë të rënda. Atij i drithërohet zemra kur ju sheh dhe ai është shumë i dhembshur dhe i mëshirshëm ndaj besimtarëve. Megjithatë, nëse ata nuk e kuptojnë dhe të shpërfillin ty, ti thuaju atyre: ‘Mua më mjafton Allahu. Ai Allah që nuk ka zot tjetër veç Tij. Unë vetëm tek Ai mbështetem. Sepse Ai është Zotëruesi i Vetëm i Fronit të Lartë e Madhështor.’”, – i dinte vetëm Huzejme bin Thabit el-Ensari (radijallahu anhu); asnjë tjetër nuk i dinte ato ajete. Edhe ato i vendosa duke ua marrë atyre, e ata i kishin ruajtur shumë mirë ato. Derisa, në fund të punës, unë ia dorëzova Kur’anin e grumbulluar Ebu Bekrit (radijallahu anhu), e ai e mbajti përherë pranë vetes atë, deri në ditën që u nda nga kjo jetë. Pastaj, ajo mbeti tek Omeri (radijallahu anhu), derisa u nda edhe ai nga kjo jetë. Kur vdiq Omeri (radijallahu anhu), atë e mbajti vajza e tij Hafsaja.”

Një bisedë e Omerit (r.a.) me vajzën e tij, Hafsanë (r.a.), në lidhje me të ngrënët dhe të veshurit

E tregon Sa’d bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu): “Hafsaja i tha një ditë babait të saj, Omerit:

“O i Pari i Besimtarëve! Sikur ta ndërrosh këtë rrobë e të veshësh diçka më cilësore, e të hash ushqime pak më të shijshme sesa këto ushqime, me të cilat je mësuar të hash? Shiko, Allahu na ka falur ne mundësi më të mëdha dhe ushqimi nuk na mungon.” Omeri

(radijallahu anhu) e dëgjoi të bijën dhe i tha:

“Mendohu mirë, bija ime! I harrove ti vështirësitë që kaloi i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për të mbajtur familjen?, – duke ia përsëritur ato disa herë, gjersa e bëri të bijën për të qarë. Pastaj i tha:

“E kush i thotë këto, i thua ti! I betohem Allahut, se me sa mundësi të kem unë do të jetoj në mes të vështirësive, ashtu siç jetuan Resulullahu dhe Ebu Bekri, që në jetën e përtejme të jetoj më së miri me ta, ashtu siç do të jetojnë ata!”

Omerit (r.a.) i dhurojnë një këmishë të re

Tregon Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Babai, Omeri, njëherë kishte veshur një këmishë të re. Më tha mua:

“O bir, tërhiqma pak këmishën deri te majat e gishtave dhe pjesën që del përtej gishtërinjve prite.” E unë ashtu bëra, ia tërhoqa të dyja mëngët dhe ia preva, siç më kërkoi t’ia prija. Mirëpo nuk i rrinte më aq mirë, si më parë.

“O baba, më lejo që ta rregulloj pak me gërshërë.”, – i thashë.

“Jo, o bir, lëre siç është, se mirë është. Unë kam parë edhe Resulullahun të veshur kështu.”, – m’u përgjigj.

Ibni Omeri (radijallahu anhu) thotë se: “Uallahi, mëngët e asaj këmishe ashtu mbetën, derisa ajo zuri të rripej në pjesën e shpinës. Madje, fijet e shkëputura nga mëngët ka pasur herë që i kam parë t’i zgjateshin babait deri te këmbët.”

Mendimet e sahabëve lidhur me puthjen dhe prekjen me dorë të Gurit të Zi

Omer bin Hatabi (radijallahu anhu), gjatë një haxhi, u afrua te Haxheru’l-Esuedi dhe e puthi duke thënë:

“Unë e di shumë mirë, ti je një gurë që as nuk sjell mirë, as nuk bën dëm. Po të mos kisha parë Resulullahun që të prekte me dorë dhe të puthte, unë as të prekja, as të puthja ndonjëherë!” Pastaj tha:

“Ne pse e bëjmë heruelenë (vrapimin e atyre që shkojnë në haxh me shpatullën dhe krahun e djathtë të hapur mes Safasë dhe Meruesë)? Ne e patëm bërë atë, për t’u treguar idhujtarëve se ishim të fortë e të shëndetshëm, kur bëmë zëvendësimin e haxhit dhe umres që nuk i bëmë dot gjatë atij viti kur u bë Hudejbija. Tani Allahu i shpartalloi ata, por ne nuk duam ta braktisim atë që e ka bërë Resulullahu!”

Një bisedë e zhvilluar mes Abdullah bin Abasit dhe një beduini

Bekr bin Abdullahu (radijallahu anhu) e tregon këtë: “Ishte një arab beduin ai që erdhi tek Abdullah bin Abasi (radijallahu anhu) dhe i tha:

“Fëmijët e Muauijes gostitnin njerëzit me ujë dhe me mjaltë; kurse akshët jepnin qumësht. Kurse ju u jepni atyre shurup (lëng rrushi ose hurmash)! Cila është arsyeja e kësaj, jeni duarshtrënguar, apo me kaq keni mundësi t’i gostitni njerëzit?” Ibni Abasi (radijallahu anh) iu përgjigj:

“Nuk e kam as nga koprracia, as ngase nuk kam. Ja të ta tregoj unë tani. Një ditë, i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati ardhur tek ne, megjithëse nga pas kishte marrë edhe Usamen. Na kërkoi diçka për të pirë dhe ne e gostitëm atë me “shurup”. Pasi piu prej tij, na tha:

“E paskeni bërë shumë të mirë, kështu ta bëni gjithmonë.”

Ndjeshmëria e Abdullah bin Omerit në çështjen e ndjekjes së Sunetit të Profetit tonë me përpikërinë më të madhe

Tregon Muxhahidi: “Njëherë, ne po udhëtonim bashkë me Ibni Omerin. Mbërritëm në një vend dhe rruga ndahej dhe ai vazhdoi në të djathtë a në të majtë.”

“Pse e bëre këtë?”, – e pyeta dhe ai m’u përgjigj:

“Kam parë Resulullahun që ka bërë kështu, ndaj edhe unë kalova këtej!”

Transmeton Nafiu se: “Ibni Omeri ecte rrugës së Mekës dhe e kishte kapur devenë nga frerët dhe e tërhiqte me kujdes, duke ndjekur çdo hap të saj dhe thoshte:

“Ku i dihet, inshallah këmbët e devesë sime prekin pikërisht në ato vende ku ka hedhur këmbët e saj deveja e Resulullahut.”

Nafiu thotë: “Miku im, të kishe parë njëherë përkushtimin dhe kujdesin aq të veçantë të Ibni Omerit për të jetuar Sunetin e Profetit tonë; ‘ky njeri është i çmendur!’ do të thoshe.”

Tregon Uarid bin Ebi Asimi: “Në Mina rastisa Ibni Omerin dhe e pyeta për namazin e udhëtarit.

“Dy rekate është.”, – më tha. Thashë ta pyes:

“Si thua? Ne tani jemi në Mina. Nuk kemi frikë as se na ikën karvani, as ndonjë shqetësim tjetër; prapë dy rekate do ta falim?” Pas kësaj fjale që i thashë Ibni Omerin e zunë ca të dridhura dhe më tha:

“Të të vijë turp! E ke dëgjuar gjë të Dërguarin e Allahut të ketë thënë diçka të këtillë?”

“Po, e kam dëgjuar dhe i kam besuar fjalës së tij!”, – iu përgjigja unë.

“Epo mirë, Resulullahu i falte me nga dy rekate. Tani ti në daç fali, në daç mos i fal!”, – ma preu Ibni Omeri (radijallahu anhu).”

Ja se si e tregon Ebu Munib el-Xhureshiu këtë ndjeshmëri: “Një ditë Ibni Omerit (radijallahu anhu) i kërkuan që t’u interpretonte ajetin kur’anor: “Kur të udhëtoni, nuk është gjynah që ta shkurtoni namazin, nëse druheni që jobesimtarët do t’ju bëjnë ndonjë dëm. Me të vërtetë, jobesimtarët janë armiqtë tuaj të hapur.” (Nisa, 4/101) – dhe ai u përgjigj:

“Ne tani jemi të sigurt, nuk ekziston më rreziku i armikut.”

“Po mirë, a do ta shkurtojmë namazin gjatë udhëtimeve?”, – e pyetën sërish atë dhe Ibni Omeri (radijallahu anhu) dha një përgjigje të tillë:

“I Dërguari i Allahut është shembulli më i mirë për ju!”

14. ÇFARË KISHTE PARASYSH I DËRGUARI FISNIK NË SJELLJEN E TIJ ME SAHABËT, FAMILJEN DHE UMETIN

Abdullah bin Ebi Eufaja tregon: “Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) i ishte ankuar të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të) për Halid bin Uelidin (radijallahu anhu). Për këtë arsye, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha këto fjalë:

“O Halid! Mos e mundo askënd nga ata që kanë marrë pjesë në Bedër, sepse sikur male sa mali i Uhudit me flori të falësh në rrugën e Allahut, prapëseprapë shpërblimin e punës së tyre nuk e arrin dot.”

“Ata më ngacmojnë dhe unë u kthej atyre përgjigje.”, – tha ai duke u përpjekur që të mbrohej përpara të Dërguarit të Allahut. Kësaj here Resulullahu (paqja qoftë mbi të) u kthye nga sahabët dhe u tha:

“Askush të mos e shqetësojë në asnjë mënyrë Halidin, sepse ai është një shpatë nga shpatat që Allahu ka lëshuar mbi mohuesit.”

Profeti ynë: “Allahu, sahabët e mi i lartësoi mbi botët.”

Xhabir bin Abdullahu, përcjell kështu nga më i Dashuri i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“Allahu, përveç profetëve të tjerë, sahabët e mi i lartësoi mbi gjithë botët. Mes tyre Ai ka përzgjedhur veçanërisht katër prej tyre: Ebu Bekrin, Omerin, Osmanin dhe Aliun (radijallahu anhum). Ata i ka shpallur sahabët e mi më të afërt. Çdonjëri nga sahabët e mi është i mirë dhe i mbarë. Ndërsa umetin tim e ka shpallur më lart se çdo popull tjetër. Ashtu siç pjesën e umetit tim që u përket katër shekujve të parë e ka shpallur si më të virtytshëm nga ata që do të vijnë më vonë.”

Profeti ynë e ndalon që t’i shahet ndonjë prej sahabëve të tij

Këtë e transmeton Aishja (radijallahu anha), nëna e të gjithë besimtarëve:

“Të mos i shani sahabët e mi, të mos thoni asgjë të pahijshme për ta. Allahu e privoftë nga mëshira e tij çdokënd që shan ndonjërin prej tyre!”

I Dërguari i Allahut u jep këshilla pjesëtarëve të familjes së tij

Tregon nëna jonë, Ummu Selemeja (radijallahu anha): “Një ditë, e bija e Prijësit të të gjithë profetëve, erdhi në Shtëpinë e Lumturisë, me një tenxhere me gjellë të ngrohtë dhe Hasanin me Husejnin kalipiç.

Tenxherenë ia vuri përpara në sofër të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Resulullahu e pyeti:

“Ku është babai i Hasanit?” Fatimja iu përgjigj se ai ishte në shtëpi. I Dërguari i Allahut dërgoi dikë që të thërriste Aliun (radijallahu anhu). I Dërguari Fisnik, Aliu, Fatimja, Hasani dhe Husejni (radijallahu anhum) u ulën të gjithë tok për të ngrënë.”

Umu Selemeja thotë se: “Më përpara, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), sa herë që do të hante bukë, po të më kishte mua pranë, do të më ftonte edhe mua për të ngrënë, por kësaj here nuk më thirri. Kur përfunduan së ngrëni, i mbështolli të gjithë brenda rrobës së tij që mbante të veshur dhe u lut:

“O Zot! Bëhu Ti armiku i atyre që sillen me armiqësi ndaj këtyre dhe pranoji si miqtë e Tu të gjithë ata që bëhen miq me ta!”74

Një sihariq i madh i të Dërguarit Fisnik për atë pjesë të umetit që do të vijë kohë pas tij

Ja, kështu e tregon Omeri (radijallahu anhu) këtë ngjarje: “Ishim ulur me Profetin Fisnik, kur ai tha:

“A nuk më thua, kush janë besimtarët që kanë arritur besimin më të lartë nga të gjithë?”

“Engjëjt, o i Dërguari i Allahut.”, – iu përgjigjën besimtarët. Ai u tha që:

“Engjëjt zaten të atillë janë dhe Allahu u ka dhënë atyre një shkallë të përcaktuar mirë; engjëjt e kanë të pamundur të dalin jashtë asaj që u ka përcaktuar Allahu.” Kësaj here ishin sahabët që i thanë:

“Ata që janë të përgëzuar të bien dëshmorë bashkë me profetët.” I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i dëgjoi dhe u tha:

“E kush mund ta mohojë virtytin e tyre, atë që Allahu ua ka falur dhe ata e kanë arritur duke rënë dëshmorë? Jo, jo, unë e kam fjalën për ca të tjerë.” Atëherë, ne e pyetëm të Dërguarin e Allahut:

74 9/262 (14971).

“Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?” Profeti ynë i dashur dha këtë përgjigje:

“Ata janë ende në palcën e kurrizit të njerëzve; ata kanë për të ardhur kohë pas meje dhe do të më besojnë mua, pavarësisht se nuk më kanë parë kurrë. Shpalljen e Allahut ata do ta gjejnë të varur kudo, të shkruar në letër; do të bazohen tek ajo që është shkruar në letër dhe do ta jetojnë jetën e tyre vetëm sipas saj. Ja pra, këta janë besimtarët me virtytet më të mëdha në mesin e njerëzve që besojnë.”

Transmetime të tjera për këtë temë

Siç e transmeton Ebu Umameja (radijallahu anhu): “Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Sa mirë ata që më kanë parë dhe më kanë besuar mua! Dhe sa mirë ata që më besojnë mua pa më parë asnjëherë!”

Ndërsa në transmetimin e Enesit (radijallahu anhu), i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) e ka përshkruar me këto fjalë dëshirën e zjarrtë të atyre që e besojnë atë pa e parë asnjëherë:

“Sa shumë do të doja që t’i shihja vëllezërit e mi, të cilët më besojnë pa më parë asnjëherë!”

Tregon Amar bin Jasiri (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut na tha kështu:

“Umeti im është si shiu; nuk mund ta dish se kush është më i mirë e më i mbarë, ai që vjen në fillim, apo ai që vjen në fund.”

Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) transmeton se Profeti ynë i nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:

“Allahu ka disa engjëj, të cilët vetëm udhëtojnë nga njëri vend në tjetrin; ata më sjellin mua përshëndetjet e besimtarëve të umetit tim.”

15. JETA DHE PASURIA E MYSLIMANËVE ËSHTË E PAPREKSHME

Hadithet që kanosen për ata që vrasin myslimanë

Ebu Saidi (radijallahu anhu) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut, një njeri u gjet i vrarë. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u ngjit në minber dhe u foli njerëzve:

“A nuk e dini ju se kush në mesin tuaj e vrau atë njeri?” (Dhe këtë pyetje e përsëriti tri herë me radhë). Njerëzit u përgjigjën të gjithë:

Jo!” Pas kësaj, i Dërguari Fisnik u tha atyre:

“Unë i betohem Zotit që e ka në dorë frymën time, se sikur gjithë banorët e tokës dhe të qiellit të bëhen bashkë, për të derdhur gjakun e një besimtari, Allahu i çon të gjithë sa janë në Xhehenem. Edhe ata që na përçmojnë ne të Ehli Bejtit, Allahu i lë të poshtëruar dhe pastaj i hedh në zjarrin e Xhehenemit.”80

I Dërguari i Allahut e paralajmëron shumë ashpër Usame bin Zejdin

Usame bin Zejdi (radijallahu anhu) tregon vetë: “I Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) na pati dërguar ne te një nga fiset e Xhuhejnes, që quhej Huraka. Sulmin ndaj tyre ne e ndërmorëm me të zbardhur dita. Në mesin e tyre ishte një burrë, i cili na sulmonte më egër nga gjithë të tjerët. Njerëzit e fisit iknin nga ne, për të shpëtuar dhe ai i merrte ata menjëherë në mbrojtje. Ja, atë njeri unë dhe dikush nga ensarët e zumë ngushtë dhe kur e pa se nuk kishte nga t’ia mbante, tha:

“La ilahe il’lallah”. Shoku im nga ensarët nuk e preku, bëri disa hapa mbrapa; kurse unë e vrava. Për këtë ngjarje e mori vesh menjëherë i Dërguari i Allahut. Ai më tha mua:

“Usame! Çfarë bëre, e vrave atë njeri pasi të tha ‘La ilahe il’lallah’, kështu hë?”

“O i Dërguari i Allahut! Ai njeri e tha atë fjalë ngaqë iu frikësua vdekjes.”, – u justifikova unë. Atëherë i Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) ma përsëriti mua këtë fjali aq shumë herë, saqë, në jetën

80 7/580 (12300).

time, vetëm atë ditë kam dashur që të mos kisha qenë mysliman.”

Po për të njëjtën çështje i Dërguari i Allahut paralajmëron edhe Bekr bin Harithen

Bekr bin Haritheja e tregon vetë: “Unë isha në një ekip që i Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) e pati dërguar diku. Ne luftuam me armikun me mish e me shpirt. Unë iu vura këmba-këmbës njërit prej idhujtarëve dhe sa do ta vrisja, kur ai, për t’i shpëtuar vdekjes, kërkoi mbrojtje tek Islami, me pak fjalë tha fjalën e dëshmisë, ‘Esh’hedu en la ilahe il’lallah ue esh’hedu en’ne Muhammeden abduhu ue resuluhu”, por unë, prapëseprapë, e vrava atë. I Dërguari i Allahut e mori vesh se çfarë kishte ndodhur dhe u nevrikos shumë me mua, sa që më përzuri, të mos i qëndroja më pranë. Nuk kaloi shumë kohë dhe u zbrit ajeti:

“Nuk bën që besimtari të vrasë besimtarin, përveçse gabimisht. Kush vret një besimtar gabimisht, duhet të lirojë një besimtar të robëruar dhe t’u paguajë gjakun trashëgimtarëve të të vrarit, përpos rastit kur familja e të vrarit ia fal gjakun. Nëse i vrari është një popull që e keni armik e njëkohësisht është besimtar, duhet të lirohet një besimtar i robëruar. Nëse i vrari është nga një popull me të cilin ju keni lidhur marrëveshje, i duhet paguar gjaku familjes së tij, duke liruar edhe një besimtar të robëruar. Ai që s’mund të gjejë rob, duhet të agjërojë dy muaj rresht. (Kjo është bërë) në shenjë pendimi para Allahut. Se Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Nisa, 4/92) – atëherë Resulullahu u afrua sërish me mua, duke më pranuar edhe mua pranë vetes.”

I Dërguari i Allahut nuk ia hidhte më sytë atyre që vrisnin besimtarët

Ukbe bin Halid el-Lejthij tregon: “I Dërguari i Allahut zgjodhi një grup luftëtarësh dhe e dërgoi atë kundër një bashkësie. Atje, njëri nga armiqtë u përpoq t’ia mbathte, andaj njëri prej luftëtarëve tanë iu vu pas, me shpatë në dorë, që të mos e linte të arratisej. Kur, bash në atë çast një prej njerëzve në radhët e armiqve filloi të thoshte:

“Unë jam mysliman, jam mysliman.” Por një nga luftëtarët myslimanë nuk ua vuri veshin fjalëve të tij dhe një të goditur me shpatë i bëri dhe e la të vrarë në vend. I Dërguari i Allahut, me ta marrë vesh se çfarë kishte ndodhur, tha për të fjalë shumë të ashpra. Personi që kishte kryer vrasjen i pati dëgjuar fjalët e të Dërguarit të Allahut dhe një ditë, kur i Dërguari i Allahut ishte duke mbajtur hutben e së premtes, i tha atij:

“O i Dërguari i Allahut, unë i betohem Allahut, se ai njeri e pati thënë fjalën e dëshmisë nga frika e vdekjes.” Resulullahu i nderuar e hoqi shikimin nga ana e tij dhe e besimtarëve që rrinin në atë anë dhe vazhdoi të fliste, duke parë besimtarët që qëndronin në anën tjetër. Ai njeri e përsëriti sërish fjalën e tij, duke thënë se ai njeri që kishte vrarë e kishte thënë fjalën e dëshmisë nga frika. Por, i Dërguari Fisnik e largoi sërish shikimin prej tij. Ai nuk duroi dot më dhe e tha edhe njëherë për herë të tretë, kur Krenaria e Gjithësisë u kthye nga ai, por në tërë fytyrën i lexohej pakënaqësia e madhe që kishte ndaj atij njeriu. Dhe i tha kështu i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të): “Allahut nuk i pëlqen që unë të vras një besimtar dhe kurrsesi nuk e aprovon një veprim të tillë.”83

Ajeti që zbriti kur Mikdad bin Esuedi vrau një njeri që kishte thënë fjalën e dëshmisë

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon se: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte dërguar një ekspeditë diku dhe në radhët e asaj ekspedite gjendej edhe Mikdad bin Esuedi. Ata mbërritën tek armiqtë me të cilët do të luftonin dhe i gjetën ata të shpërndarë dhe vendbanimin e tyre të braktisur. Vetëm një burrë, i cili ishte shumë i kamur e kishte jashtëzakonisht shumë pasuri, nuk ishte larguar. Edhe pse ai u tha myslimanëve, “Esh’hedu en la ilahe il’lallah”, Mikdadi një të hedhur bëri mbi atë njeri dhe e la të vrarë në vend. Një nga luftëtarët e tjerë, pjesë e asaj ekspedite, i tha Mikdadit:

“Do t’i tregoj të Dërguarit të Allahut për këtë që bëre.” Andaj, kur u kthyen te Profeti ynë, ai sahab i tha atij:

83 7/573 (12284).

“O i Dërguari i Allahut! Një burrë dëshmoi se nuk ka zot tjetër veç Allahut, mirëpo Mikdadi, megjithëse e dëgjoi mjaft mirë se çfarë tha, e vrau atë njeri.” I Dërguari Fisnik dha urdhër:

“Më thirrni menjëherë Mikdadin, të vijë këtu!” Kur erdhi Mikdadi, ai i tha atij:

“More Mikdad! Çfarë ke bërë ti, ke vrarë një njeri që ka thënë ‘la ilahe il’lallah’, kështu hë? Kushedi se si do të ndihesh nesër, kur ai njeri në Kiamet të thotë ‘la ilahe il’lallah”, a nuk të shkoi fare nëpër mend se si do t’ia dalësh atje?”

Ishte pikërisht kjo ndodhi, pas së cilës Allahu u zbriti besimtarëve ajetin e sures Nisa: “O besimtarë! Kur të shkoni në luftë, në rrugë të Allahut, shqyrtoni gjithçka me kujdes! Mos i thoni atij që ju përshëndet me selam: ‘Nuk je besimtar’, me qëllim që të fitoni kënaqësi të kësaj jete, ndërkohë që tek Allahu ka fitime të shumta. Të tillë keni qenë edhe ju më parë e Allahu ju dha mirësi; prandaj, gjithmonë sqarojini mirë të gjitha punët! Se Allahu është Njohës i veprave tuaja.” (Nisa, 4/94)

Njeriu që nuk e pranonte toka, sepse kishte vrarë një besimtar

Tregon Kabisa bin Zuejbi: “Njëri nga sahabët e të Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) kishte sulmuar një ekspeditë të armiqve të Islamit dhe ekspedita kishte pësuar disfatë. Sahabi e zuri ngushtë njërin nga idhujtarët dhe sa bëri gati të ngrinte shpatën, ai njeri tha ‘la ilahe il’lallah’. Por sahabi nuk hoqi dorë nga vrasja e tij dhe e vrau; mirëpo përbrenda një shqetësim nisi ta bluajë. Ia tregoi të Dërguarit të Allahut se çfarë kishte ndodhur, duke i shprehur se ai njeri e kishte thënë fjalën e dëshmisë vetëm e vetëm që t’i shpëtonte vdekjes. Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e pyeti:

“Po ti ç’bëre, mos vallë i hape zemrën dhe ia pe se çfarë kishte në të? Njeriu shpreh me gojë atë që ndien në zemër.” Nuk kaloi shumë kohë dhe ai që vrau vdiq edhe vetë. E varrosën trupin e tij, por toka nuk e pranonte trupin e tij, e nxirrte jashtë. Të afërmit e atij njeriu shkuan tek i Dërguari i Allahut (alejhis’selam) t’i tregonin për atë që u kishte ndodhur. I Dërguari i Allahut u tha atyre:

“Varroseni prapë!” E varrosën, por toka e nxirrte atë sërish. Familja për këtë e njoftoi prapë Profetin tonë. Atëherë, Profeti Fisnik u tha atyre:

“Toka hoqi dorë, nuk do ta pranojë, prandaj hidheni atë ku të gjeni ndonjë gropë.”

Aventura e Halid bin Uelidit me bijtë e Xhedhijmes

E tregon Ebu Xhafer Muhamed bin Aliu: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në kohën kur u ngadhënjye mbi Mekën, e pati caktuar Halid bin Uelidin (radijallahu anhu) me detyrë vetëm që t’u çonte njoftime popullit të Mekës, e jo për të luftuar me ta. Me të ishin edhe disa fise arabe; njerëz si Sulejm bin Mensuri dhe Mudlexh bin Murreja. Të gjithë bashkë ata sulmuan mbi bijtë e Xhedhijmes. Njerëzit, një të parë Halidin, vrapuan të merrnin armët. Halidi u tha t’i linin armët, sepse njerëzit ishin dorëzuar. I lanë armët dhe Halidi i urdhëroi ata të viheshin të gjithë në rresht. Pastaj i kaloi të gjithë nëpër shpatën e tij dhe vrau sa mundi të vriste. Kur kjo ndodhi shkoi në vesh të të Dërguarit të Allahut, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i ngriti duart në qiell dhe tha kështu:

“O Allah! Unë të kërkoj falje Ty për atë që ka bërë Halid bin Uelidi.” Pastaj, i Dërguari i Allahut thirri Aliun, për t’i thënë:

“Ali! Shko tek ata njerëz dhe shiko me kujdes se çfarë bëjnë. Pastroje këtë punë të injorancës që është bërë.”

Aliu (radijallahu anhu) u nis dhe me vete kishte edhe plaçkën që i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi ta) ia dha për ata njerëz. Ai ua shpërndau atë plaçkë banorëve të atij fisi si shpagim për gjakun dhe e pasurinë e dëmtuar gjatë luftës. Madje ai u kishte siguruar atyre deri edhe mundësitë për enët ku hanin qentë e tyre. Ua shpërndau atyre të gjitha sa u takonin dhe në dorë i mbetën edhe ca gjëra të tjera, prandaj i pyeti ata:

“A ka ndonjë që nuk i është paguar ajo që i takonte?” - “Jo.”, – u përgjigjën ata. Atëherë, Aliu (radijallahu anhu) tha: - “Unë po jua jap edhe këto që më mbetën, le të përdoren nëse ka mbetur pa u vënë re edhe ndonjë dëm tjetër.” Bëri siç e kishte porositur i Dërguari Fisnik dhe u kthye dhe e njoftoi atë se i kishte bërë të gjitha siç ia kishte kërkuar. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ia priti atij me përgëzimin:

“Paske vepruar drejt, duke bërë atë që ishte më e mira për t’u bërë.”, – dhe, më vonë, i Dërguari i Allahut u kthye nga kibleja dhe i ngriti duart aq sa i dukeshin edhe sqetullat dhe u përgjërua:

“O Zot, të kërkoj falje e vetëm Ti mund të më ruash mua nga ajo që bëri

Halid bin Uelidi!”, – duke e përsëritur lutjen e tij plot tri herë.”

Një ngjarje e ndodhur mes të Dërguarit të Allahut dhe Sahr el-Ahmesiut

I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte nisur drejt Thakifit për të luftuar. Sahri, me të dëgjuar për këtë, u nis me një tufë kuajsh, për t’i ardhur në ndihmë Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të). Ai mësoi se i Dërguari i Allahut ishte nisur, por nuk kishte ngadhënjyer ende mbi Taifin. Tha me vete, sikur të donte t’i jepte fjalën vetes për diçka:

“Nuk kam për t’i braktisur bedenat e Taifit, gjersa këta taifasit t’i binden gjykimit të të Dërguarit të Allahut!” Vërtet, Sahri e mbajti fjalën dhe deri në çastin që taifasit ulën kokën përpara autoritetit të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk e braktisi istikamin që kishte zënë, madje i shkroi edhe një letër të këtillë Resulullahut:

“O Resulullah, taifasit u dorëzuan dhe e pranuan gjykimin tënd.

Ndërkaq unë kam shkuar dhe po kontrolloj se ç’bën populli i Thakifit.”

I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u bëri thirrje sahabëve që të mblidheshin për të falur namazin të gjithë bashkë, siç ishin. Ai u lut plot tri herë për Ahmesiun, duke thënë:

“O Zot, falu begati ushtarëve dhe kuajve të Ahmesiut!” Pas njëfarë kohe, erdhën taifasit dhe Mugire bin Shubeja foli: - “O Resulallah! Sahri, megjithëse unë u trajtova ashtu siç trajtohen besimtarët, më mori hallën peng dhe me të është sjellë sikur ta kishte shërbëtoren e tij.”

I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e dëgjoi ankesën e Mugires, kështu që thirri Sahrin dhe i tha atij:

“O Sahr! Kur një bashkësi pranon Islamin dhe bëhen myslimanë, jeta dhe pasuria e tyre nuk preket. Andaj, ti duhet ta kthesh menjëherë hallën e Mugires.” Sahri e dorëzoi hallën e tij, por më vonë shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe i kërkoi që t’ia jepte atij ujërat e braktisura të Beni Sulejmit, duke i thënë:

“O i Dërguari i Allahut! A na jep leje mua dhe të afërmve të mi që të vendosemi atje tek ato ujëra?” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) ua lejoi. Mirëpo, gjatë atyre ditëve Benu Sulejm pranuan Islamin dhe u bënë myslimanë dhe shkuan te Sahri dhe i kërkuan që t’u kthente ujin, sepse ai u kishte përkitur atyre më parë, mirëpo Sahri nuk pranoi t’ua kthente. Kësodore, ata shkuan dhe njoftuan të Dërguarin e Allahut. I Dërguari Fisnik foli me Sahrin:

“Sahr! Kur një bashkësi pranon Islamin dhe hyn nën mbrojtjen e tij, jeta dhe pasuria e tyre është e mbrojtur gjithashtu. Tani ti duhet t’ua kthesh atyre ujërat që i kanë pasur të tyret më parë.”

“Në rregull!”, – tha Sahri.

Sahri vetë ka transmetuar: “Më vinte turp nga shikimi i të Dërguarit të Allahut, më vinte zor, sepse fytyra e tij u skuq ngaqë unë pata marrë ato ujëra, apo që isha sjellë me hallën e Mugires sikur ta kisha robinjë të shtëpisë sime.”

16. NDALIMI I DERDHJES SË GJAKUT TË MYSLIMANËVE DHE SHËMTIA E TË LUFTUARIT PËR TË VËNË PASURI

Ndalohet lufta me atë që pranojnë se Zoti është një dhe që pranojnë të Dërguarin e Allahut

E tregon Eus bin Eus eth-Thekafi: “Isha ulur në një cep të faltores së Medinës, kur aty ia behu i Dërguari i Allahut. Në atë çast tek ai u afrua dikush dhe seç i pëshpëriti në vesh. Askush nga ne nuk e kuptoi se çfarë i tha. I Dërguari i Allahut i tha atij:

“Shko thuaju atyre, ta vrasin.” Pastaj e thirri prapë atë njeri dhe i tha:

“Ndoshta edhe ai e pranon se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe dëshmon se unë jam i Dërguari i Allahut.” Ai burrë tha:

“Po!” Atëherë, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i tha:

“Ik atëherë, thuaju atyre ta lënë të lirë; sepse mua kaq më është urdhëruar, që të përpiqem me njerëzit derisa ata të pranojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe unë jam i Dërguari i Tij. Nëse e thonë këtë fjalë të dëshmisë, atëherë ne e kemi të ndaluar që ta prekim jetën dhe pasurinë e tyre; por, nëse ata i kanë bërë keq ndokujt tjetër, atëherë edhe ata do të ndëshkohen, si gjithë të tjerët; e për këtë do të japin llogari edhe përpara Allahut.”

Një tjetër transmetim, po për këtë çështje

E tregon Abdullah bin Adij el-Ensari: “I Dërguari i Allahut po rrinte i ulur në mes të xhematit, kur aty erdhi një burrë dhe tha se duhej vrarë një hipokrit dhe diç i tha në vesh duke pëshpëritur. Pastaj, i Dërguari i Allahut i vazhdoi fjalët me zë të lartë:

“Po mirë, ai njeri a e pranon se nuk ka zot tjetër veç Allahut?”

“Po, e pranon dhe e dëshmon; por dëshmia e tij nuk pranohet.”, – u përgjigj ai. I Dërguari i Allahut pyeti sërish: - “Po që unë jam Profeti i Allahut, a e dëshmon?”

“Po, e dëshmon, po ne nuk mund t’i besojmë dëshmisë së tij, apo jo?”, – tha ai burrë.

“Ai njeri, a e fal namazin?” – pyeti sërish i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).

“Po, falet po namazi i tij nuk mund të quhet namaz!”, – u përgjigj ai njeri. Sakaq, i Dërguari Fisnik na tha:

“Mua më është ndaluar që t’i ngacmoj pikërisht këta njerëz.”

Osmani (r.a) i shmanget luftës në ditën që i rrethuan shtëpinë

E tregon Aishja (radijallahu anha): “I Dërguari i Allahut tha:

“Më thërrisni disa nga sahabët e mi.” - “Ebu Bekrin?”, – e pyeta unë.

“Jo!”, – m’u përgjigj.

“Omerin?”, - e pyeta.

“Jo!”, – m’u përgjigj.

“Djalin tënd të xhaxhait, Aliun?”, – i thashë.

“Jo!”, – m’u përgjigj prapë.

“Osmanin?”

“Po!”, – m’u përgjigj, dhe, kur erdhi Osmani, mua më tha të largohesha. Filluan të flisnin me njëri-tjetrin në fshehtësi, me zë të ulët. Kur fliste ai, Osmanit i ndryshonte vazhdimisht ngjyra e fytyrës.

Atë ditë kur Osmanit (radijallahu anhu) erdhën e i rrethuan shtëpinë, ne e pyetëm atë:

“O Prijësi i Besimtarëve, nuk do të luftosh me ta?” Dhe ai na ktheu neve këtë përgjigje:

“Jo, sepse i kam dhënë fjalën të Dërguarit të Allahut; më duhet të jem besnik ndaj tij.”

Në ditën e rrethimit të shtëpisë së Osmanit (r.a.), mes Mugire bin Shu’bes dhe Osmanit (r.a.) zhvillohet një bisedë

E tregon vetë Mugire bin Shu’beja: “Unë shkova pranë Osmanit (radijallahu anhu) kur ai gjendej i rrethuar dhe i izoluar në shtëpinë e tij dhe i thashë:

“Nuk ka pikë dyshimi se ti je imami i të gjithë besimtarëve. Ti e sheh edhe vetë se çfarë të ka ndodhur. Unë do të të jap ty tri alternativa dhe të këshilloj që të zgjedhësh njërën prej tyre: Rruga e parë, të dalësh dhe të luftosh; sepse ti ke më shumë ushtarë nën urdhrat e tu. Pastaj je ti ai që ka të drejtë, kurse ata janë në të padrejtë. Alternativa e dytë: Të të hapim një dalje tjetër, e të dalësh prej andej, jo nga porta që po ruajnë ata, të të nxjerrim edhe deve dhe të largohesh menjëherë në drejtim të Mekës, sepse, për sa kohë që ti do të jesh në Mekë, ata nuk e derdhin dot gjakun tënd. Kurse rruga e tretë është që të ikësh në Siri. Edhe ata sirianë janë, pastaj atje është edhe Muauija.” Osmani (radijallahu anhu) e dëgjoi dhe i tha atij:

“Për sa i përket mundësisë për të dalë e për të luftuar, unë nuk bëhem kurrë i pari kalif i umetit të të Dërguarit Fisnik që derdh gjak. Sa i përket alternativës për të shkuar në Mekë, ke të drejtë, atje ata nuk më vrasin dot, sepse unë e kam dëgjuar vetë nga i Dërguari Fisnik të thotë: “Një burrë nga kurejshët do të braktisë Islamin në Mekë, duke u bërë mohues. Gjysma e ndëshkimit që do t’u jepet gjithë njerëzve, do t’i jepet vetëm atij njeriu.”, prandaj, unë nuk dua të bëhem shkak që dikush të marrë një dënim kaq të ashpër. E, për sa i përket ikjes në Siri, ata në të vërtetë sirianë janë dhe ndër ta është Muauija, por unë nuk kam aspak ndërmend që ta braktis vendin e mërgimit, ku jam fqinj me të

Dërguarin e Allahut.”

Çfarë pati thënë Ibni Omeri kur zunë të lindnin ngatërresat mes myslimanëve

Nafiu na e bën të ditur, duke na e përcjellë nga vetë Ibni Omeri, se: “Dy vetë erdhën tek Ibni Omeri dhe i thanë për Abdullah bin Zubejrin, se: “Njerëzit po shkojnë dëm. Ti je djali i Omerit dhe njëri prej sahabëve të Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Çfarë të pengon që të dalësh përpara njerëzve dhe të zësh një rol më aktiv në mesin e tyre?”

“Ajo që më pengon mua është se Allahu ma ka ndaluar që të derdh gjak nga ai i vëllait tim në fe.”, – u përgjigj qartësisht Ibni Omeri. Kësisoj, ata i thanë atij:

“Mirë atëherë, po a nuk na ka urdhëruar ne Allahu, ‘luftoni me ta derisa të mos mbetet më asnjë ngatërresë dhe feja të jetë tërësej e

Allahut’?”

Ibni Omeri (radijallahu anhu) u dha atyre përgjigjen:

“Ne luftuam derisa nuk mbeti më asnjë shpifje dhe ngatërresë, por ju po përpiqeni me çdo kush që të dalin sa më shumë ngatërresa dhe feja t’i përkasë ndokujt tjetër, e jo Allahut!”

Fjalët e Ibni Omerit për mospranimin e tij për të lidhur besën me Ibnu’z-Zubejrin

E tregon Ebu’l-Alije: “Abdullah bin Zubejri me Abdullah bin Safuanin ishin vendosur një ditë në Hixhr. Në atë kohë Ibni Omeri po i bënte tauaf Qabes, duke i ardhur asaj përqark. Aty kaloi dikush, i cili i tha shokut të tij:

“A thua ka mbetur në këtë botë ndonjë njeri më i hairit se ky këtu?” Pastaj i tha dikujt, që kur të mbaronte tavafin e Qabes, t’i thoshte Ibni Omerit të vinte tek ai. Ibni Omeri e përfundoi tavafin e tij përreth Qabes, fali edhe dy rekate namaz, kur tek ai erdhi lajmëtari i dërguar, i cili i tha atij:

“Të kërkojnë Abdullah bin Zubejri dhe Abdullah bin Safuani, që janë ulur atje tej.” Dhe ibni Omeri shkoi pranë tyre. I pari fjalën e mori ibni Safuani, duke i thënë:

“O Ebu Abdurrahman! Çfarë të pengon ty që të lidhësh besën me Prijësin e Besimtarëve, Ibnu’z-Zubejrin?” Atij i janë betuar gjithë populli i Mekës, i Medinës, i Jemenit, i Irakut dhe i Sirisë.” Ibni Omeri ia ktheu atij:

“Unë nuk e lidh besën me ju, për sa kohë që nga duart dhe tehu i shpatave tuaja të pikojë gjaku i myslimanëve.”

Ibni Omeri u shmanget atyre që duan të lidhin besën me të Hasan Basriu tregon: “Disa njerëz, kur në mesin e umetit lindën ngatërresat dhe kudo filloi të mbizotërojë anarkia, erdhën tek Ibni Omeri dhe i thanë:

“Ti je një nga njerëzit më të respektuar ndër njerëz dhe djali i një njeriu akoma edhe më të respektuar i tyre. Njerëzit ty të duan shumë. Dil ti prijës, e ne të të lidhim besën.” Ibni Omeri tha:

“Uallahi, nuk bëhet! Nuk dua kurrsesi që për mua të derdhet gjak apo të humben jetë njerëzish.” Madje ata u përpoqën edhe që ta trembnin Ibni Omerin, duke e kërcënuar:

“Ose do të dalësh në krye të myslimanëve, ose ne do të të vrasim në shtrat!” Por ai u ktheu po të njëjtën përgjigje.

Hasan Basriu thotë se: “Uallahi, askush nuk arriti të vërente ndonjë lëshim sado të vogël të Ibni Omerit (radijallahu anhu) deri në ditën kur ai u nda nga kjo jetë.”

Hasani (r.a.) i ikën luftës për pushtet dhe bën marrëveshje me Muauijen

E tregon Ebu’l-Garifi: “Ne ishim në ushtrinë e Hasanit (radijallahu anhu) dhe po luftonim kundër sirianëve. Aq shumë të nxehur dhe të nevrikosur ishim, saqë shpatat na kullonin gjak. Në krye si komandant kishim Ebu’l-Amratanë. Kur na erdhi lajmi i marrëveshjes së paqes mes Hasanit dhe Muauijes, ne ishim aq të nxehur me armikun, saqë na u duk sikur dikush na theu mesin. Hasani ishte kthyer në Kufe. Atje, u çua një njeri i quajtur Ebu Amir dhe i tha Hasanit (radijallahu anhu):

“O ti që i poshtërove besimtarët!” Hasani (radijallahu anhu) e dëgjoi dhe iu përgjigj me fjalët:

“Mos thuaj ashtu, Ebu Amir! Unë nuk i poshtërova besimtarët. Mua thjesht m’u duk e shëmtuar që t’i vrisja ata për hir të pushtetit, kaq është e gjitha!”

Në mes të Muauijes dhe Hasanit (radijallahu anhu) u vendos paqja, e Muauija i tha Hasanit (radijallahu anhu):

“Çohu tani dhe mbaj një fjalim përpara njerëzve, tregoju atyre se në ç’gjendje je.”

Hasani (radijallahu anhu) u ngrit dhe iu drejtua popullit:

“Lëvdoj Allahun që na çoi drejt paqes dhe na pengoi që të derdhnim gjakun e njëri-tjetrit. Bëni kujdes, nuk ka arsye më të mirë sesa ajo që të mëson devotshmëria. Dhe nuk ka dobësi më të madhe sesa anarkia. Për sa i përket çështjes së drejtimit të myslimanëve, për të cilën kemi rënë ndesh me Muauijen, unë ju bëj juve me dije se ai është më i denjë sesa unë për këtë detyrë, megjithëse ajo ishte e drejta ime. Më lejoni t’ju theksoj, se unë e braktisa atë detyrë me qëllim vetëm e vetëm për hir të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, e që të mos derdhet gjak nga gjaku i umetit të Muhamedit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).”

Abdullah bin Ebi Eufa i shmanget sherrit me Jezidin

E tregon Ebu’l-Esh’ath es-San’aniu: “Jezid bin Muauija më pati dërguar mua tek Abdullah bin Ebi Eufa. Me vete ai kishte edhe disa nga sahabët e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Unë i thashë atij:

“Çfarë u këshillon ti njerëzve të bëjnë?” Ibni Ebi Eufa u përgjigj:

“I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) mua më ka thënë, se nëse përballem me situata si kjo, të shkoj drejt Uhudit, të thyej shpatën dhe të mbyllem në shtëpinë time.”

Amaneti i Resulullahut për Abdullah bin Meslemenë lidhur me ngatërresat e lindura mes myslimanëve

Tregon vetë Muhamed bin Meslemeja: “I Dërguari i Allahut pati thënë:

“Nëse vjen një ditë, që shikon se njerëzit do të fillojnë të luftojnë për këtë botë, merre shpatën dhe me të gjuaji shkëmbit të Harres, derisa shpata të thyet. Pastaj kthehu në shtëpi dhe mbyllu brenda dhe prit derisa të të vijë vdekja, apo ndonjë dorë e pistë të të zgjatet për të të bërë keq.”, – dhe, ja, unë jam duke ndjekur këshillën e tij.”

Dhe, vërtet, pasi u vra Osmani (radijallahu anhu) dhe ra dëshmor, e mes myslimanëve nisën të shfaqeshin gjithfarë ngjarjesh ngatërresash të njëpasnjëshme, Muhamed bin Meslemeja shkoi në një vend ku kishte shkëmbinj dhe e theu shpatën duke goditur mbi shkëmbinj.”

17. T’I SHQETËSOSH APO TREMBËSH MYSLIMANËT

Një hadith i transmetuar nga Ebu’l-Haseni lidhur me ndalesën për t’i frikësuar besimtarët

E tregon Ebu’l-Haseni, i cili ka qenë edhe në besëlidhjen e Akabesë edhe në luftën e Bedrit: “Ne ishim ulur me të Dërguarin Fisnik. U çua një burrë, por harroi sandalet. Një tjetër, që e vuri re këtë, i mori sandalet dhe i fshehu nën vete. Kur ai që kishte harruar sandalet u kthye dhe pyeti nëse i kishte parë ndokush ato, ata që ishin ulur aty i thanë se nuk kishin parë asnjë sandale. Në atë çast, ai që i pati fshehur u çua dhe bëri sikur i gjeti dhe tha:

“Ja tek janë!”, – dhe ia ktheu sandalet të zotit. Atëherë, i Dërguari Fisnik tha:

“Si guxon ti ta shqetësosh një besimtar, gjë që bëhet është kjo?”, – duke e qortuar atë që i kishte fshehur sandalet. I përsëriti dy-a tri herë ato që tha.”

Një transmetim tjerë prej Nu’man bin Beshirit për të njëjtën temë

Nu’man bin Beshiri (radijallahu anhu) tregon: “Ishte një beduin, që teksa falte namaz pas të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në trup mbante edhe një trastë shigjetash të qepur me lëkurë. Erdhi dikush, që ia mori dhe e ia fshehu atë trastë diku. Pasi i Dërguari Fisnik mbaroi namazin dhe dha selam, beduini u shqetësua dhe pyeti:

“Po ku është trasta ime e shigjetave?” Në atë çast disa filluan të qeshin me njëri-tjetrin. I Dërguari i Allahut e vërejti këtë dhe u tha:

“Kush beson në Allahun dhe në jetën e përtejme, të mos i shqetësojë dhe të mos u hapë ngatërresa myslimanëve!”

18. PËRÇMIMI OSE NËNVLERËSIMI I MYSLIMANËVE

Transmetimi i një hadithi në lidhje me Usamen

Nëna jonë, Aishja (radijallahu anha), na bën me dije se: “Usames (radijallahu anhu) i ngeci këmba te pragu i portës dhe u rrëzua; u ça te balli. I Dërguari Fisnik më urdhëroi mua:

“Çohu, fshija gjakun dhe ndihmoje të pastrohet!”, – por mua nuk më bëri zemra.

Nëna jonë, Aishja (radijallahu anha), në vazhdim, thotë: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po i pastronte gjakun Usames dhe thoshte:

“Të kishte qenë Usameja ndonjë vajzë e re, do ta kisha veshur, do ta kisha stolisur dhe do e kisha martuar me dikë.”

Kurse, po për Usamen (radijallahu anhu), Ata bin Ebi Jesari transmeton se: “Ditët e para, kur Usame bin Zejdi (radijallahu anhu) erdhi në Medinë, i dolën plagë në trup. Ai ishte ende një djalë i vogël, aq sa qurrat i dilnin nga hunda dhe i vareshin drejt gojës. Aishes (radijallahu anha) iu neverit kjo gjë. Erdhi i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), ia pastroi fytyrën mirë e mirë dhe e puthi. Kur e pa nëna jonë, Aishja (radijallahu anha), atë skenë, ajo tha:

“Për Zotin, këtej e tutje unë do të kujdesem më shumë për të!”

19. TË NEVRIKOSËSH NJË MYSLIMAN

Një debat i Ebu Bekrit (r.a.) dhe i disa sahabëve të tjerë për Ebu Sufjanin

Tregon Aidh bin Amri: “Ebu Sufjani, bashkë me një grup njerëzish, po kalonin përpara Selmanit, Suhejbit dhe Bilalit (radijallahu anhum). Në atë kohë, ata thanë për Ebu Sufjanin: “Nuk e pati që nuk e pati rrësk njërën nga shpatat e Allahut ky armiku i Zotit!” Atëherë, Ebu Bekri (radijallahu anhu) u tha atyre kështu:

“Si guxoni ju të flisni kështu për një nga më të mëdhenjtë dhe njërin prej prijësve të kurejshëve?” Ebu Bekri (radijallahu anhu) u kthye tek i Nderuari i të nderuarve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e informoi për atë që kishte ndodhur teksa vinte për tek ai. Profeti ynë i tha atij:

“Duhet t’i kesh nxehur shokët e tu. Nëse atyre u është thyer zemra nga fjalët e tua, atëherë edhe Zotin e ke mërzitur.” Atëherë, Ebu Bekri (radijallahu anhu) u kthye menjëherë tek shokët e tij, për t’u thënë:

“O vëllezër, mos ju mërzita qëparë?”

“Jo, të faltë Zoti, o vëllai ynë!”, – ia kthyen ata.”

20. TË MALLKOSH MYSLIMANËT

I Dërguari i Allahut e ndalon mallkimin e atyre që pinin verë

E tregon Omeri (radijallahu anhu): “Në kohën e të Dërguarit Fisnik, ishte një njeri që e quanin Abdullah. Të gjithë e thërrisnin me llagapin “gomar”, ndërsa Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) buzëqeshte. I Dërguari i Allahut e pati ndëshkuar njëherë atë, sepse pinte. Por, edhe një ditë tjetër atë e sollën tek ai, ishte i pirë dhe Profeti ynë urdhëroi që të ndëshkohej. Kur, pikërisht në atë çast, nga bashkësia u ngrit dikush dhe tha:

“O Zot, mallkoje këtë njeri! Dënoje sa të duash këtë, ky nuk vë që nuk vë mend!” – I Pari i gjithë profetëve e dëgjoi atë mallkim dhe i këshilloi të gjithë:

“Mos e mallkoni atë. Për Zotin, ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”

Seleme ibnu’l-Ekuaja thotë se: “Ne, kur dëgjonim që ndonjëri kishte mallkuar ndonjë nga vëllezërit tanë myslimanë, e shihnim atë si një person që kishte kryer një mëkat shumë të rëndë.”

21. TË SHASH NJË MYSLIMAN

Transmetimi i një hadithi për një njeri që shante shërbyesit e tij

E tregon Aishja (radijallahu anha): “Erdhi një burrë dhe u ul përballë të Dërguarit Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e pyeti:

“Unë kam dy skllevër. Ata gjithmonë më gënjejnë, përpiqen të ma hedhin dhe ngrenë krye ndaj meje. Andaj unë i shaj edhe i rrah ngandonjëherë. A do të jap llogari unë edhe për këtë?”

“Në ditën e Kiametit ato që u ke bërë ti atyre do të peshohen me ato që të kanë bërë ata ty. Nëse ajo që ti i ke rrahur e i ke sharë do të peshojë njësoj me gabimet e tyre, atëherë nuk do të ketë dënim as për ty, as për ta. Por, nëse të sharat dhe të rrahurat e tua do të jenë më të rënda sesa të këqijat e tyre, atëherë ata do të ta marrin medoemos hakun ty.”, – iu përgjigj atij i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të).

Sahabi e dëgjoi të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tërhoq mënjanë dhe filloi të qajë me ngashërim. I Dërguari Fisnik e pyeti atë:

“Ti nuk e ke lexuar ajetin kur’anor: “Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (Enbija, 21/47) Ai sahab iu përgjigj duke i thënë:

“O Resulullah, atëherë nuk paska asnjë zgjidhje tjetër veç ndarjes nga këta skllevër. Të jesh ti dëshmitar, se, për hir të Allahut, unë po i liroj ata.”

Sjellja e Ebu Bekrit (r.a.) ndaj një burri që e shan dhe përgëzimi i të Dërguarit të Allahut për të

E tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte ulur, kur aty erdhi një burrë dhe shau Ebu Bekrin (radijallahu anhu). Profeti ynë e ndoqi me sy i habitur, por edhe buzëqeshi. Kur të sharat e atij njeriu u shtuan, Ebu Bekri (radijallahu anhu) u detyrua që t’u kthente përgjigje disa prej të sharave të tij. Kurse i Dërguari Fisnik u nevrikos shumë me këtë sjellje të atij njeriu, ndaj u çua prej aty dhe u largua. Ebu Bekri (radijallahu anhu) ngarendi pas Resulullahut, e arriti dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Ti e pe, ishe ulur aty, e ai njeri më shau. Mirëpo, kur unë u ktheva përgjigje disa prej fjalëve të atij njeriu ti u ngrite dhe u largove. Ngaqë u mërzite me mua u çove?” I Dërguari i Allahut iu përgjigj:

“Në të vërtetë, aty kishte një engjëll që i përgjigjej atij njeriu në vendin tënd pas çdo të share. Por, kur ti u ktheve përgjigje disa prej fjalëve të tyre, aty hyri shejtani. Dhe unë thjesht u largova nga një vend ku hyri djalli.” Pastaj, i Dërguari i Allahut i tha atij:

“O Ebu Bekr! Tri janë gjërat që janë të vërteta gjithmonë:

Kur një njeri e duron padrejtësinë që i bëhet; Allahu medoemos e mbështet atë rob me ndihmën e Tij.

Nëse dikush i çel portën dhe i vjen në ndihmë një familjari, për hir të marrëdhënieve të gjakut; Allahu, për hir të kësaj të mire, ia shton atij edhe më shumë pasurinë.

Nëse dikush çohet dhe i lutet dikujt për të fituar më shumë pasuri, Allahu ia zgjeron akoma edhe më shumë varfërinë.”

22. TË FLASËSH PAS KRAHËVE PËR MYSLIMANËT

Dikush ishte pranë të Dërguarit të Nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kur filloi të flasë pas krahëve për dikë. I Dërguari i Allahut i tha atij këto fjalë:

“Çohu ik që këtu, sepse ti nuk mund të jesh dëshmitar.”

“Por, o i Dërguari i Allahut, të kërkoj ndjesë e nuk do ta bëj më!” I Dërguari Fisnik i tha atij:

“A je i vetëdijshëm se me atë që thua je duke u tallur me Kur’anin? Ata që i quajnë të lejuara ato që Kur’ani i ka shpallur si të ndaluara, nuk quhen se i kanë besuar Kur’anit?”

Tarik bin Shihabi tregon: “Halid bin Uelidi me Sa’d bin Ebi Uakasin

(radijallahu anhuma) kishin pasur një diskutim të ashpër me njëritjetrin dhe ishin paksa të hidhëruar me njëri-tjetrin. Te Sa’di shkoi dikush dhe filloi t’i fliste mbarë e prapë për Halidin. Sa’di u shqetësua shumë nga e folura e atij njeriu, ndaj i tha:

“Qepe tani, se çfarë kemi ne me Halidin, nuk është bërë ende çështje sa për të lejuar shkeljen e fesë sonë!”

23. TË PËRGOJOSH MYSLIMANËT

Transmetimi i një hadithi në lidhje me gjykimin e

Resulullahut për dikë që kishte përgojuar një mysliman

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Dikush nga fisi i Eslemit erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe e pranoi katër herë me radhë se kishte rënë në zina me një grua. Dhe, sa herë që e pranonte, i Dërguari i Allahut largonte shikimin prej tij. Si përfundim, dha urdhër dhe ai që e kishte pranuar fajin u ndëshkua me dënimin e rexhmit. Në atë kohë, Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) dëgjoi dy njerëz që flisnin me njëri-tjetrin, duke thënë:

“Shikoje, shikoje atë njeri! Megjithëse Allahu ia mbuloi mëkatin e kryer, ai nuk e mbajti dot veten po shkoi e shpalli faqeza të gjithëve, e tani po e qëllojnë me gurë si qentë!”

I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk bëri zë, nuk u ktheu përgjigje. Pasi bëri një copë rrugë, në rrugë pa një gomar të ngordhur me këmbët e ngritura përpjetë. Kur e pa atë, i Dërguari i Allahut pyeti:

“Ku janë filani dhe filani?”

“Këtu jemi, o i Dërguari i Allahut.”, – thanë ata.

“Uluni pak dhe hajeni mishin e këtij gomari të ngordhur!”, – u tha i Dërguari i Allahut. Ata të dy nuk kuptuan asgjë, ndaj e pyetën Resulullahun:

“E kush mund ta hajë atë mish, o i Dërguari i Allahut?” Dhe i Dërguari i Allahut u tha atyre:

“Në fakt ajo që bëtë ju duke e përgojuar vëllanë tuaj është diçka më e keqe sesa të ngrënët e mishit të kësaj kufome! Unë i betohem Allahut, se ai njeri që u dënua me gurë tani është duke notuar në lumenjtë e Xhenetit.”

Transmetimi i Aishes (r.a.) dhe i Zejd bin Eslemit për Safijen (r.a.) dhe për një grua tjetër

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Safije binti Hujejit i kishte zënë sëmundja devenë. Për këtë arsye, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha Zejnebit:

“Ti ke shumë deve. Do të ishte mirë t’ia jepje një prej tyre Safijes.” Dhe Zejnebi iu përgjigj:

“Kujt, asaj hebrejeje do t’ia jap unë një nga devetë e mia!”

Vetëm për këtë fjalë që tha, i Dërguari Fisnik qëndroi larg nënës sonë, Zejnebit, për një kohë më të gjatë se dy muaj. Aq sa, Zejnebi thotë: - “Fillova thuajse ta humb shpresën se do të kthehej një ditë.”

Një ndodhi të ngjashme e tregon edhe Zejd bin Eslemi: “Gjatë kohës që Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte i sëmurë me atë sëmundje që i mori edhe jetën, gratë e tij u mblodhën përreth trupit të tij, kur Safije binti Hujeji tha kështu:

“Uallahi, o Resulullah! Sa do të doja, të më kishte ndodhur mua kjo që të ka gjetur ty!”

Nënat tona të tjera dëgjuan dhe filluan të shikonin njëra-tjetrën në sy. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kur i pa të shoqet që po ia bënin njëra-tjetrës me sy, tha kështu:

“Shkoni të shpëlani gojën!”

“Po pse, o Resulullah?”, – e pyetën ato.

“Sepse folët dhe bëtë me shenja pas shpinës së shoqes suaj. Për Zotin ajo i tha me sinqeritet ato fjalë.”, – ua ktheu i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të).”

I Dërguari Fisnik i gjykon rëndë disa nga sahabët e tij, vetëm sepse ata përgojojnë njerëzit

E tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Ne ishim me të Dërguarin Fisnik. Aty erdhi një burrë. Disa nga sahabët e panë dhe thanë:

“Sa i dobët dhe pafuqishëm është ky njeri, o i Dërguari i Allahut!”

“A e dini se ju tani përgojuat një shokun tuaj dhe kjo është si t’i keni ngrënë mishin për së gjalli.”, – foli i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).

“O Resulullah,”, – thanë sahanët, – “ne thamë diçka që është e vërtetë.”

“Nëse ai njeri nuk do ta kishte atë që thatë ju, atëherë ju do të kishit shpifur për të.”, – u tha atyre Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).”

24. TË KËRKOSH TË METAT E MYSLIMANËVE NË FSHEHTËSI

Omeri (r.a.), kur shikonte ata që uleshin për të pirë, ndërronte rrugë

Tregon Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu): “Një natë, teksa po shëtitnim nëpër Medinë bashkë me Omerin (radijallahu anhu), dalluam që në një shtëpi kandili vazhdonte të ishte i ndezur. Ne u drejtuam kah ajo shtëpi. Kur u afruam mirë, pamë se derën e kishte të kyçur dhe nga brenda vinin ca zëra që nuk kuptohej fare se çfarë thoshin. Omeri (radijallahu anhu) më kapi për dore dhe më pyeti:

“A e di ti se e kujt është kjo shtëpi?”

“Kjo është shtëpia e Rabia bin Umeje bin Halefit.”, – iu përgjigja unë.

“Tani janë duke pirë. Çfarë të bëjmë?”

“Për mendimin tim.”, – tha Omeri (radijallahu anhu), – “ne kemi bërë diçka që na e ka ndaluar Allahu i Madhërishëm, sepse Allahu i Madhërishëm na ka urdhëruar: “O ju që keni besuar! Mënjanoni

shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Huxhurat, 49/12). Ne erdhëm këtu për t’i gjurmuar në mëkatin e tyre.”, – tha dhe, sakaq, u largua që aty pa thënë më asnjë fjalë.”

Një transmetim tjetër për këtë temë

Theur el-Kindiu tregon: “Një natë, Omeri (radijallahu anhu) kishte dalë të shëtiste nëpër Medinë. Duke kaluar pranë një shtëpie ai dëgjoi zërin e një burri teksa këndonte dhe pasi u ngjit në murin nga mund të shihje se ç’bëhej në atë shtëpi, tha:

“O armiku i Allahut, çfarë pandehe ti, se ti do të vazhdosh të ngresh krye kundër urdhrave të Tij dhe Ai do të t’i mbulojë të metat?” Ai burrë iu përgjigj kështu Omerit (radijallahu anhu):

“Shiko, Omer, mos vendos kaq nxituar për mua! Nëse unë kam ngritur krye ndaj Allahut njëherë, ti i ke ngritur Allahut krye tri herë; Allahu i Lartësuar ka thënë: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Huxhurat, 49/12); ndërsa ti erdhe deri këtu që të më spiunosh. Allahu i Madhërishëm urdhëron: “[...] Nuk është mirësi të hysh në shtëpi nga dera e pasme (siç bënin paganët para Islamit). [...] Hyni në shtëpi nga dyert e tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni!” (Bekare, 2/189), kurse ti u ngjite mbi mur e hyre në shtëpinë time pa ta lejuar unë! Allahu që është më i Madhi na thotë: “O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre. Kjo është më e mira për ju. Ndoshta do t’ia vini veshin!” (Nur, 24/27), por, ti as këtij urdhri nuk iu binde.” - “Po të fala unë ty,”, – i tha Omeri (radijallahu anhu), – “a do të

më falësh edhe ti mua?” Ai burrë e fali Omerin (radijallahu anhu) dhe

Omeri u largua menjëherë prej andej.”

Një ngjarje e Omerit (r.a.) me një burrë të moshuar

Transmetohet nga Ebu’sh-Shejh Sudiu: “Omeri (radijallahu anhu) ishte duke shëtitur një natë, kur dalloi dritën e një zjarri të ndezur. Bashkë me Omerin (radijallahu anhu) ishte edhe Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu). U afruan, u afruan andej nga vinte drita; derisa, më në fund, mbërritën në një shtëpi. Ishte mesnatë kur hyri në shtëpi. Kur ç’të shihte, gjen atje një burrë të moshuar, me enën e verës në dorë dhe aty pranë kishte një robinjë që këndonte për të! Omeri (radijallahu anhu) nuk duroi dot dhe iu vërsul atij burri, duke i thënë:

“Deri sonte kurrë nuk kam parë ndonjë gjë më të shëmtuar sesa kjo pamje e këtij njeriu që pret exhelin!” Ai burrë ngriti kryet dhe tha:

“O Prijësi i Besimtarëve! Ti ke të drejtë, por kjo që po bën ti është të gjurmosh mëkatet e njerëzve dhe kjo është shumë më e keqe sesa gjynahu im! Gjurmimi i mëkateve dhe spiunimi është ndaluar, por ti vazhdon të gjurmosh, madje ke hyrë edhe pa leje në shtëpinë time.”

“Ke të drejtë.”, – ia ktheu Omeri (radijallahu anhu) dhe kafshoi rrobën që kishte veshur e u largua së andejmi me sytë me lot. Teksa largohej, me vete thoshte:

“Nëse nuk ta fal Zoti këtë që bëre, pisk e ke punën, o Omer! Ky njeri, mëkatin që bënte e fshihte deri edhe nga familja e tij. Kurse tani do të thotë ‘mua më ka parë Omeri’ dhe do të zhytet edhe më shumë në mëkat.”

Për njëfarë kohe, ai burrë i moshuar nuk shkoi të falte namazin me xhemat me Omerin (radijallahu anhu). Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) ishte ulur, kur vërejti se aty drejt fundit të xhematit ishte ulur ai burrë, i cili përpiqej të mos dukej.

“Ma thërrisni këtu, atë burrin e moshuar që është atje tej.”, – i tha ai atyre që kishte pranë. Ata shkuan dhe i thanë:

“Omeri të thërret, eja!” Ai burrë u çua. Teksa i hidhte hapat filloi

të ndihej i shqetësuar, se mos Omeri (radijallahu anhu) do ta vinte në pozitë të vështirë dhe do ta poshtëronte në sytë e gjithë xhematit.

“Eja afër meje!”, – i tha atij Omeri (radijallahu anhu). Ai burrë u afrua aq shumë, saqë shkoi deri afër Omerit (radijallahu anhu).

“Afroma veshin, dua të të them diçka.”, – dhe i tha:

“Unë i betohem atij Zoti që na e dërgoi ne Muhamedin si profet të së vërtetës, se as unë, as Ibni Mesudi që ishte me mua atë natë nuk kemi thënë asnjë gjysmë fjale për ty!” Ai njeri i tha Omerit (radijallahu anhu):

“Afroma edhe ti veshin mua.” Dhe i tha kështu Omerit (radijallahu anhu) në vesh:

“Uallahi, edhe unë që prej asaj nate nuk e kam vënë më në buzë gotën e verës!”

Omeri (radijallahu anhu) tha ‘Allahu Ekber’ me zë të lartë. Mirëpo njerëzit nuk e kuptuan se pse ai bërtiti ‘Allahu Ekber’ në sytë e

njerëzve.”

25. TË MBULUARIT E GABIMEVE TË MYSLIMANËVE

Këshilla e Omerit (r.a.) për familjen e një vajze

Tregon Sha’biu: “Një burrë erdhi tek Omeri (radijallahu anhu) dhe tha:

“Unë kisha një vajzë dhe unë e varrosa atë në një gropë për së gjalli, siç bënim në kohën e injorancës. Ende pa vdekur ne shkuam dhe e nxorëm atë nga toka. Edhe ajo, njësoj si ne, kuptoi Islamin dhe u bë myslimane. Pasi u bë myslimane, ajo bëri një gabim, që ne duhet t’i tregonim vendin, por ajo mori një thikë dhe tentoi të vriste veten. Kur e gjetëm ajo kishte prerë disa nga damarët e qafës. E mjekuam dhe, më në fund, ajo u shërua. Edhe u pendua, ashtu siç duhej të bënte. Erdhën krushq dhe unë u tregova atyre atë që kishte bërë ajo në të shkuarën.”

“Me një fjalë, ti u ngrite të hapje ato të meta të saj, të cilat Allahu

i kishte fshehur? Uallahi, po tregove qoftë edhe një gjë të vetme për atë njeri, do të të jap një ndëshkim të atillë që do të të bëj shembull për të tjerët. Tani ik dhe martoje vajzën siç i ka hije një myslimaneje të mirë e të ndershme.”, – ia ktheu Omeri (radijallahu anhu) atij njeriu.”

Një ngjarje mes Omerit (r.a.) dhe Xheririt

Tregon Sha’biu: “Omeri (radijallahu anhu) ishte në shtëpi dhe me të ishte edhe Xheriri. Omeri (radijallahu anhu) ndieu një aromë dhe tha:

“Kush e ka hedhur këtë aromë duhet të marrë abdes edhe njëherë.” Xheriri ia ktheu:

“O Prijësi i Besimtarëve! Po a nuk duhet që i tërë xhemati të marrë abdes?”

“Ti je një zotëri i vërtetë, e kështu ke qenë edhe para se të bëheshe mysliman.”, – i tha Omeri (radijallahu anhu) Xheririt. – “Allahu të faltë mëshirën e Tij, o Xherir!” Xheriri këtë e pati thënë që ai që e kish hedhur aromën të mos ndihej i ofenduar në sytë e të gjithë besimtarëve.

26. TOLERANCA DHE TË QENËT FALËS NDAJ MYSLIMANËVE

Rrëfenja e Hatib bin Ebi Belteas

E tregon Aliu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më pati dërguar mua, Zubejrin dhe Mikdadin në një vend dhe kur na nisi na tha:

“Ju do të përparoni deri në vendin e quajtur ‘Kopshti i Hahut’. Kur të mbërrini atje, do të gjeni një grua në një kosh deveje. Ajo grua ka edhe një letër me vete, do ta gjeni dhe do të ma sillni mua atë letër.”

Ne përparuam me nxitim. Dhe, kur kuajt na prunë në atë kopsht, ç’të shohim përpara syve kishim një kosh deveje! Brenda ishte një grua, së cilës ne i thamë:

“Nxirre letrën, ku e ke?”

“Nuk e kam me vete.”, – na u përgjigj ajo.

“Ose nxirr letrën, e na e jep, ose ne do ta gjejmë atë kudo që të jetë, e do të t’i heqim edhe rrobat fare po të jetë nevoja!”, – i thamë ne. Atëherë, ajo grua futi duart mes flokëve të lidhur dhe nxori letrën e fshehur dhe na e dha neve. Ne ia sollëm letrën të Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të). E dini seç dëgjuam, letra ishte e Hatib bin Ebi Belteas, i cili ua kishte dërguar atë disa idhujtarëve! Në letër kishte disa informata lidhur me ato që do të bënte i Dërguari Fisnik.

“O Hatib, ç’është ajo letër?”, – e pyeti i Dërguari i Allahut. Hatibi tha:

“O i Dërguari i Allahut, do të ishte mirë të mos merrje vendim të nxituar me mua! Unë jam një njeri që jam në marrëveshje me kurejshët. Por kurrsesi nuk jam njëri prej tyre. Shumë nga muhaxhirët që janë këtu me ty kanë marrëveshje me njerëzit që janë këtu dhe falë këtyre mundësive ata mbrojnë pasurinë, familjet dhe marrëdhëniet e tyre me njerëzit. Dhe unë, duke qenë se nuk kam asnjë të afërm timin këtu, u lidha me mekasit, në mënyrë që të mund t’u dal në mbrojtje njerëzve që kam lënë atje. Unë nuk e bëj diçka të këtillë kurrë, pasi unë nuk jam kurrsesi një i kthyer nga feja islame. Dhe, qëkurse jam bërë mysliman, nuk e duroj dot mohimin!”

I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e dëgjoi atë dhe tha:

“Ky njeri na thotë me të vërtetë të drejtën.” Omeri (radijallahu anhu) ndërhyri duke thënë:

“Më lejo mua, o i Dërguari i Allahut, t’ia fluturoj kokën këtij dyfytyrëshi!”

“Jo!”, – tha i Dërguari i Allahut, – “e vërteta është se Hatibi është prej atyre që kanë marrë pjesë në Bedër. Ku e di ti që Allahu nuk ka thënë për ata që kanë marrë pjesë në Bedër, ‘Bëni çfarë të doni, ju kam falur të gjithëve’!” Fill pas kësaj ngjarjeje u zbrit ajeti kur’anor: “O besimtarë, mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe tuajt, duke u shprehur atyre dashuri, ndërkohë që ata kanë mohuar të vërtetën, që ju ka ardhur dhe kanë dëbuar të

Dërguarin dhe ju, vetëm se besonit në Allahun, Zotin tuaj. Nëse keni dalë luftëtarë në rrugën Time dhe për të fituar kënaqësinë e pëlqimin Tim dhe fshehurazi u shfaqni atyre dashuri, atëherë gaboheni. Unë e di çfarë fshihni dhe çfarë bëni haptazi. Secili prej jush që vepron ashtu, është shmangur nga rruga e drejtë.” (Mumtehine, 60/1)

Një ngjarje që ka ndodhur mes Aliut (r.a.) dhe një hajduti

Ebu Matari tregon: “Një ditë, unë pashë se tek Aliu (radijallahu anhu) sollën një njeri. Ata thanë se:

“Ky njeri ka vjedhur një deve.” Aliu (radijallahu anhu) i tha atij njeriu:

“Mua nuk ma merr mendja që ta kesh vjedhur ti.”

“Jo, unë e vodha!”, – iu përgjigj ai njeri. Atëherë, Aliu (radijallahu anhu):

“Jo, ti do t’u kesh ngjarë atyre me hajdutin, hë, nuk mund të jetë kështu?” Por, jo, ai njeri këmbëngulte:

“Jo, vërtet unë e kam vjedhur.”, – thoshte ai. Aliu (radijallahu anhu) e dëgjoi dhe dha urdhër:

“O Kanber! Merre këtë, lidhja gishtat fort, ndiz zjarrin, thirr edhe xhelatin, t’i pritet dora! Më pritni të vij edhe unë, mos ia pritni atij dorën pa ardhur unë.” Erdhi Aliu (radijallahu anhu) dhe e pyeti atë burrë:

“Ti e vodhe?”

“Jo, nuk e vodha unë.”, – u përgjigj ai, kështu që Aliu (radijallahu anhu) e la të lirë. I thanë:

“O Prijësi i Besimtarëve! Ai njeri e pranoi vetë fajin, ti pse e le të lirë?” Dhe Aliu (radijallahu anhu) u përgjigj:

“Sipas deklaratës së tij e lidha dhe po sipas deklaratës së tij e lashë të lirë.”, – duke e vazhduar fjalën e tij, – “Tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) sollën dikë që kishte bërë një vjedhje. Ne e dënuam atë sipas urdhrit që na erdhi nga Resulullahu. Mirëpo, më vonë, i Dërguari i Allahut filloi të qajë. E pyeta:

“Po pse qan, o i Dërguari i Allahut?”

“E si të mos qaj? Po i pritet dora dikujt nga umeti im, po nuk qava unë, kush do të qajë?”, – m’u përgjigj Krenaria e Njerëzimit (paqja e Zotit qoftë mbi të). I thanë:

“Po ta kishe falur, o Resulullah!”, – dhe ai u dha këtë përgjigje:

“Ai drejtues që nuk i zbaton ligjet e fesë dhe që fal një fajtor është një prijës shumë i keq. Megjithatë, ju faleni njëri-tjetrin kur shkelni një rregull dhe bëni ndonjë gabim ndaj shoku shokut, mos e kërkoni gjykimin e vëllezërve tuaj.”

Një transmetim tjetër lidhur me këtë çështje

E tregon Amr bin Shuajbi: “I pari zbatim i ndëshkimit sipas ligjit islam ka qenë ky: Një burrë e sollën te Profeti i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe erdhën edhe dëshmitarët që ai kishte bërë vjedhje. Profeti ynë i nderuar dha urdhër të zbatohej dënimi sipas ligjit. Dënimi u zbatua, mirëpo fytyra e Profetit tonë u bë e bardhë, sikur t’i kishe hedhur hi.

“O i Dërguari i Allahut! Më duket se u mërzitët shumë që iu pre dora atij njeriu.”, – i thanë atij.

“E si të mos mërzitem,” – u përgjigj i Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të), – “kur ju i erdhët djallit në ndihmë kundër njërit prej vëllezërve tuaj!”

“Po mirë, pse nuk na e ndaluat që t’ia pritnim dorën.”, – i thanë ata atëherë. Resulullahu u përgjigj:

“Po ju, pse nuk i menduat të gjitha këto para se ta sillnit tek unë atë njeri? Nuk është e drejtë që një gjykatës të mos e ndëshkojë një fajtor, kur ia kanë sjellë përpara bashkë me provat e fajit të tij.”

27. MËRI NDAJ VETË MËKATIT, JO NDAJ ATIJ QË E KRYEN ATË

Ebu Derdaja dhe Ibni Mesudi ndalojnë fyerjen e atyre që kanë rënë në mëkat

E tregon Ebu Kilabe: “Një ditë, teksa po ecte në rrugë, Ebu’dDerdaja u bë dëshmitar i një ngjarjeje, ku populli po fyente e shante me fjalë dikë që kishte kryer një mëkat. Ebu’d-Derdaja u tha atyre kështu:

“Po ta kishit gjetur këtë njeri të rënë në një pus të thellë, a nuk do të përpiqeshit për t’i ardhur në ndihmë, që ta nxirrnit që andej?”

“Patjetër, do të bënim çdo përpjekje!”, – u përgjigjën njerëzit. Atëherë, Ebu’d-Derdaja iu drejtua atyre me fjalët:

“Atëherë, në vend që ta shani vëllanë tuaj në fe, lutjuni Zotit që nuk ju ka lënë juve të bini në të njëjtën pozitë.”

“Pra, ti nuk e përçmon këtë njeri, apo jo?”, – e pyetën ata Ebu Derdanë (radijallahu anhu). “Jo, unë nuk e përçmoj atë; unë përçmoj mëkatin e kryer prej tij. Ai do të jetë sërish vëllai im mysliman kur ai të heqë dorë nga e keqja që ka bërë.”

Një transmetim i Ibni Mesudit

“Kur të shikoni ndonjë prej vëllezërve tuaj, që të jetë duke bërë ndonjë gjynah, mos e mallkoni atë: ‘O Zot, poshtëroje këtë njeri!’, duke i ardhur në ndihmë djallit kundër vëllait tuaj. Lutjuni Zotit që të mos lejojë që të bini edhe ju në atë mëkat, sepse, ne që jemi sahabë të të Dërguarit Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të), nuk thoshim asnjë fjalë të keqe për askënd, nëse nuk ia dinim se si do të ishte ai njeri në çastet e fundit të jetës. Ne vetëm për ata njerëz që e mbyllnin kapitalin e tyre jetësor me një vepër të mirë thoshim: ‘E fitoi amshimin’. Ashtu siç shqetësoheshim për ndonjë, jeta e të cilit përmbyllej me ndonjë punë të keqe.”

28. PASTRIMI I ZEMRËS NGA SMIRA DHE MLLEFI

Historia e një myslimani, të cilin i Dërguari i Allahut dhe Abdullah bin Amri e përgëzuan me parajsën

Tregon Enes bin Maliku (radijallahu anhu): “Ne ishim ulur e po rrinim me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Resulullahu na tha:

“Tani, këtu tek ne do të vijë një njeri që është njëri prej banorëve të Xhenetit.” Tek ne erdhi një burrë nga ensarët, i cili sapo kishte marrë abdes, kishte këpucë vetëm në këmbën e majtë, ndërsa nga mjekra i pikonin ende pika uji. Kaloi ajo ditë dhe Profeti ynë na tha sërish të njëjtat fjalë. Aty erdhi po i njëjti person. I Dërguari i Allahut i përsëriti fjalët e tij edhe në ditën e tretë dhe aty erdhi po i njëjti person dhe po në të njëjtën gjendje. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u ngrit dhe Abdullah bin Amr bin Asi e ndoqi atë njeri deri te porta e shtëpisë dhe i tha kështu:

“Diskutova me babanë dhe iu betova se tre ditë nuk do të shkoja tek ai. Do të të falënderoja shumë, po të më pranoje në shtëpinë tënde për tri ditë.”

“Patjetër!”, – i tha ai, duke e pranuar atë që i kërkoi Abdullahu.

Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “Abdullahu këtë ngjarje neve na e pati treguar me këto fjalë:

“Unë ndenja tri ditë në shtëpinë e atij njeriu. Gjatë natës nuk e pashë asnjëherë që të çohej për të falur namaz. Mirëpo, gjatë natës, ashtu siç ishte i shtrirë në krevat, edhe kur kthehej sa nga njëra anë në anën tjetër, përmendte vazhdimisht Allahun dhe thoshte ‘Allahu Ekber’. Ajo që më bëri përshtypje ishte se për tri ditë me radhë nga goja e atij njeriu nuk doli asnjë fjalë e keqe, por vetëm fjalë të mira. Kaluan tri ditë dhe unë nuk pashë asgjë të jashtëzakonshme tek ai njeri, derisa më në fund e pyeta:

“O rob i Zotit! Unë nuk pata asnjë zënkë, e as urrejtje, për babanë tim. Por unë dëgjova të Dërguarin e Allahut që më tha për ty plot tri herë: “Tani tek ne do të vijë një njeri që është prej banorëve të Xhenetit.”, – dhe, që të tria herët njeriu që erdhi ishe ti. U bëra shumë kureshtar, ‘vallë ç’jetë bën ky njeri, që është prej banorëve të parajsës, ta shoh, që ta ndjek si shembull e të bëhem edhe unë si ai’, prandaj erdha tek ti, të qëndroja si mysafir. Mirëpo, unë nuk pashë asgjë të jashtëzakonshme tek ti, nuk pashë asgjë nga ato që prisja të shihja. Cila duhet të jetë ajo punë që bën ti, që i Dërguari i Allahut të ka përgëzuar me parajsën?” Ai m’u përgjigj:

“Ajo çfarë ke parë duhet të jetë, sepse unë nuk se bëj ndonjë gjë më shumë.”

U largova prej andej dhe teksa po ikja dëgjova që ai njeri diç thoshte me zë të lartë:

“Po ta përsëris, e gjithë jeta dhe bëmat e mia janë ato që pe. Por, ta dish se unë në zemrën time nuk ushqej smirë dhe urrejtje ndaj askujt. Nuk ka vend e keqja në zemrën time. Nëse i Dërguari ynë Fisnik e i Nderuar i ka thënë për këtë arsye ato fjalë, unë nuk di ç’të them.”

“Kjo mirësi duhet të jetë medoemos ajo që të ka lartësuar drejt asaj grade, o njeri.”, – i thashë unë dhe u largova.”

29. GËZIMI PREJ SJELLJEVE DHE BËMAVE TË MIRA TË MYSLIMANËVE

Abdullah bin Abasi gëzonte kur gëzoheshin myslimanët

E tregon Ibn Burejde el-Eslemiu: “Dikush e pati sharë Ibni Abasin (radijallahu anhu) me fjalë, mirëpo ibni Abasi ia pati pritur duke i thënë:

“Ti po më shan mua, por a e di ti, se unë kam tri cilësi: e para, kur këndoj ndonjë prej ajeteve të Kur’anit Famëlartë, me vete them: ‘Ah sikur njerëzit t’i dinin ajetet e Kur’anit kështu siç i di unë!’ E dyta, kënaqem jashtëzakonisht shumë kur marr vesh se ndonjë prej gjykatësve myslimanë merr një vendim të drejtë. Kur mua as që më lidh fare asnjë punë me atë gjykatës. E treta, sa herë që dëgjoj se në ndonjë prej qyteteve ku jetojnë myslimanë bie shi shumë i madh e i begatë, edhe pse e di që ata nuk kanë kafshë për të ecur nëpër ujë, por toka do të përfitojë shumë prej atij uji, gëzohem tej mase për ta dhe brenda vetes më kaplon një ngazëllim i papërshkrueshëm.”

30. UDHËHEQJA E NJERËZVE DHE KALIMI SA MË MIRË ME TA

Si e drejtonte i Dërguari i Allahut një njeri të keq

Nëna jonë, Aishja (radijallahu anha) tregon: “Erdhi një burrë dhe kërkoi leje për t’u takuar me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Profeti ynë tha:

“Ky është një njeri shumë i keq me fisin e vet!” Megjithatë, kur ai hyri për t’u takuar me të Dërguarin e Allahut, Profeti e priti atë i buzëqeshur, madje edhe e përgëzoi. Pastaj, aty erdhi edhe dikush tjetër, për të takuar të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), mirëpo, këtë, interesante, Profeti ynë nuk e priti ashtu siç kishte pritur atë që ishte përpara tij, madje nuk i bëri as ndonjë kompliment. Por për të tha:

“Në mesin e fisit të vet ky njeri është një njeri shumë i mirë!” Pasi doli edhe burri i dytë, unë e pyeta të Dërguarin e Allahut:

“O i Dërguari i Allahut! Ju për atë që hyri i pari nuk kishit një mendim aspak të mirë, por prapëseprapë e pritët atë me buzëqeshje, madje edhe e përgëzuat me fjalë të bukura. Ndërsa të dytin, megjithëse kishit një mendim shumë pozitiv për të, jo vetëm që nuk i thatë ndonjë përgëzim, por as me buzëqeshje nuk e pritët! Cila është urtësia e kësaj, pse e bëtë këtë?”, – dhe ai m’u përgjigj duke më thënë:

“O Aishe! Në mes njerëzve ka aq shumë njerëz të këqij, saqë duhet të ruhesh gjithmonë nga e keqja e tyre.”

Një transmetim i Safuan bin Asalit po për të njëjtën temë

Safuan bin Asali (radijallahu anhu) tregon: “Gjatë një udhëtimi të Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) bashkë me të ishim edhe ne. Nga përballë na erdhi një burrë, të cilin Profeti ynë e njohu dhe na tha:

“Ky është njeri shumë i keq, nga bijtë më të këqij të fisit të vet!” Kur ai burrë na u afrua më shumë, Profeti ynë i nderuar u përkujdes për të. Kur ai burrë u largua nga ne, e pyetëm:

“O i Dërguari i Allahut, po ju kur e patë atë njeri na thatë se ‘ai është një njeri shumë i keq’, por kur ai erdhi drejt nesh, ju e pritët atë me fjalët më të mira!”

“Ai është një hipokrit, një njeri me dy fytyra. I flas mirë, që të mos i ndërsejë të tjerët kundër meje; të mos ua ndotë edhe atyre mendjen, siç ka ndotur të vetën!”

31. MARRJA ME TË MIRË E MYSLIMANËVE

Një ngjarje që ka ndodhur mes Ebu Bekrit (r.a.) dhe Omerit (r.a.)

Tregon Ebu’d-Derdaja (radijallahu anhu): “Unë isha ulur bashkë me të Dërguarin Fisnik të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ebu Bekri (radijallahu anhu) kishte kapur rrobën e tij me grusht, aq sa kishin filluar t’i dukeshin kupat e gjunjëve dhe po vinte drejt nesh. Profeti ynë, kur e pa atë në atë gjendje, tha:

“Ma merr mendja se do të ketë diskutuar rëndë me ndonjë prej shokëve tuaj.” Ebu Bekri pasi e përshëndeti Profetin tonë me selame, tha:

“Patëm një diskutim të vogël me Omerin dhe më duket se iu rëndova pak, por u pendova më vonë. Iu luta që të më falë, por nguli këmbë, se nuk më falte aspak. Prandaj kam ardhur këtu, tek ju.” I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha tri herë me radhë:

“Zoti të faltë ty, o Ebu Bekr!”

Nuk kaloi shumë kohë dhe aty erdhi edhe Omeri (radijallahu anhu), ishte bërë pishman për atë që kishte ndodhur me Ebu Bekrin (radijallahu anhu), ndaj edhe frymën e mbajti drejt e te porta e tij, ku pyeti:

“Është Ebu Bekri në shtëpi?, – dhe, kur mori përgjigjen, - “Nuk është në shtëpi.”, – rendi drejt e te Profeti ynë dhe e përshëndeti. Kur pa se Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) nuk i dha shumë rëndësi ardhjes së Omerit, edhe Ebu Bekri u mërzit tej mase; i shqetësuar siç ishte, filluan t’i dridheshin gjunjët dhe ra në gjunjë, duke i thënë dy herë të Dërguarit të Allahut:

“O Resulullah, uallahi fajin më të madh e kam unë!”

“Allahu i Lartësuar, kur më ngarkoi mua me detyrën e profetësisë, e të gjithë ju më akuzonit mua si gënjeshtar, mua vetëm Ebu Bekri më pranoi pa më vënë në diskutim, madje edhe më mbështeti me jetë e me pasuri, me ç’të kishte. Ju akoma nuk keni ndërmend të ma lini mua shokun tim?”, – foli i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të).

Që prej asaj dite, askush nuk e ngacmoi apo i bëri ndonjë të padrejtë

Ebu Bekrit (radijallahu anhu).”

Sëmuret Fatimja (r.a.) dhe Ebu Bekri (r.a.) shkon t’i kërkojë që t’ia bëjë hallall për çdo gjë

Tregon Sha’biu: “Kur u sëmur Fatimja (radijallahu anha), Ebu Bekr Besniku shkoi për vizitë tek ajo dhe kërkoi leje për të hyrë brenda. Aliu (radijallahu anhu) i tha asaj:

“Ka ardhur Ebu Bekri, o Fatime, do të hyjë këtu tek ti, a i jep leje?”

“Po!”, – u përgjigj Fatimja (radijallahu anha) dhe Aliu (radijallahu anhu) e futi brenda Ebu Bekrin (radijallahu anhu). Besniku më i madh u afrua te kryet e Fatimes së nderuar (radijallahu anha) dhe i kërkoi që ajo t’ia bënte hallall për çdo gjë, duke i thënë:

“Uallahi, unë gjithë ç’kisha, atdheun, pasurinë, familjen dhe të afërmit e mi i braktisa të gjitha vetëm e vetëm për hir të Allahut, të të Dërguarit të Tij dhe të familjes së tij të bekuar.”

Pastaj ai iu lut asaj që t’ia bënte hallall për çdo gjë që mund të kishte bërë të padrejtë ndaj saj dhe Fatimja i tha se ia kish bërë hallall.”

32. PLOTËSIMI I NEVOJAVE TË NJË MYSLIMANI DHE NDIHMA NDAJ TIJ

Aliu (radijallahu anhu) ka thënë:

“Ekzistojnë dy lloje të mirësisë, por unë nuk e di se cila është më e madhe se tjetra: njëra është t’i plotësosh nevojat një njeriu që ka nevojë vërtet për ndihmën tënde dhe vjen tek unë për të më kërkuar ndihmë. Kurse tjetra, është ajo që Allahu i Lartësuar t’ia përmbushë atij nevojën që ka nëpërmjet meje. Unë i betohem Allahut, se të ndihmosh një besimtar, për t’i hequr atij një vështirësi, për mua është më e dashur edhe sikur të më jepnin tërë rruzullin tokësor me flori dhe argjend.”

33. KUR MERR VESH SE MYSLIMANËT JANË NË NEVOJË

Historia e gruas që ndali Omerin (r.a.) në rrugë

E tregon Ebu Jezidi: “Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) po shëtiste mes një grumbulli shumë të madh njerëzish, kur përpara i doli një grua e moshuar, të cilën e quanin Haule. Ajo grua i tha Omerit (radijallahu anhu):

“Ndalu pak, se kam nja dy fjalë për të të thënë.” Omeri (radijallahu anhu) qëndroi pranë asaj gruaje, duke e ulur kokën kah ajo; i vuri duart te supet dhe filloi ta dëgjonte. Ndërkohë, dikush nga bashkësia e njerëzve i thanë atij:

“Ç’bën kështu, o Omer, ke lënë kaq shumë njerëz në këmbë për të dëgjuar një grua të moshuar.” Por, Omeri (radijallahu anhu) i tha atij që kish folur:

“Si flet kështu ti! A e di ti se kush është kjo grua e moshuar?” - “Jo, nuk e di!”, – u përgjigj ai burrë.

“Allahu, hallin e ankesën e kësaj gruaje e ka dëgjuar nga shtatë kate qiejsh përtej! Ndërkohë që Allahu (xhel’le xhelaluhu) ka zbritur për të ajetin: “Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka.” (Muxhadele, 58/1), kush jam unë që të mos e dëgjoj ç’ka për të më thënë? Këtë grua e quajnë Haule binti Thalebe. Për Zotin, sikur deri në të errur të ditës të më mbante, për të më treguar hallin që kishte, nuk ikja pa ia zgjidhur.”, – ishin fjalët që tha Omeri (radijallahu anhu).”

34. TË PËRPIQESH SI E SI QË TË ZGJIDHËSH ÇDO PUNË TË MYSLIMANËVE

Ibni Abasi ishte mbyllur në adhurim (itikaf) të dhjetë ditëve të fundit të muajit të Ramazanit në Xhaminë e Profetit. Erdhi dikush, i dha selam dhe u ul. Ibni Abasi i tha atij njeriu:

“O filan, po më dukesh shumë i mërzitur dhe i shqetësuar.”

“Ashtu është.”, – iu përgjigj ai. – “Ndaj aksh njeriu unë kam detyrime, sepse e dua shumë; ai pati paguar para për mua, duke më çliruar nga skllavëria. Dhe unë, betohem se për hir të respektit që kam për atë njeri, që është në atë varr atje, se nuk kam me se t’ia paguaj.” - “A do që të flas unë me të për ty?”, – e pyeti Ibni Abasi.

“Po mirë, ti e di.”, – ia ktheu ai. Ibni Abasi veshi sandalet dhe doli nga xhamia. Ai burrë e ndoqi nga pas dhe i tha:

“Mos harrove që je mbyllur në itikaf?”

“Jo, nuk e harrova, por ai që rri shtrirë në atë varr, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), e kam dëgjuar vetë, kur ka thënë se:

“Kushdo që përpiqet për t’i gjetur zgjidhje hallit të një vëllait të tij mysliman dhe ia zgjidh atë, për të ka shpërblime më shumë sesa dhjetë mbyllje në xhami gjatë dhjetë ditëve të fundit të agjërimit të Ramazanit. Dhe Allahu, për atë njeri që mbyllet në xhami gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit të Ramazanit, vetëm e vetëm për të adhuruar Allahun, mes tij dhe Xhehenemit vendos tre hendekë të mëdhenj sa distanca mes pikës ku lind dielli dhe asaj pike ku perëndon.”

35. TË SHKUARIT PËR VIZITË TE MYSLIMANËT

I Dërguari i Allahut shkonte shumë shpesh për vizitë tek ensarët

Tregon Abdullah bin Kajsi (radijallahu anhu): “Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i vizitonte shumë shpesh ensarët, si një e nga një, ashtu edhe në grup. Në vizitat që ishin më të veçanta ai u shkonte vetë atyre në shtëpitë e tyre. Ndërsa kur donte që t’u bënte ndonjë vizitë në grup, ai shkonte në xhami dhe takohej atje me ensarët.”

Kur sahabët fisnikë shkonin te njëri-tjetri për vizitë

Tregon Enes bin Maliku (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i pati caktuar myslimanët vëllezër të njëritjetrit, disa prej të cilëve edhe duke i caktuar vetë dy e nga dy. Ata i merrte malli për njëri-tjetrin, nëse ndonjë ditë apo natë nuk do të ishin takuar me njëri-tjetrin, sepse një ditë-natë e plotë u dukej një kohë goxha e gjatë. Ata e trajtonin vëllai vëllanë gjithmonë me dashuri dhe mirësjellje. Gjithmonë pyeteshin:

“Çfarë bëre që kur u ndamë bashkë?” Por edhe sahabët e tjerë nuk qëndronin dot më shumë se tri ditë pa dëgjuar vëllezërit e tyre myslimanë.”

36. GOSTITJA E ATYRE QË VININ PËR VIZITË

Kur Omeri (r.a.) dhe Selman Farisiu gostitin njëri-tjetrin

E tregon Enes bin Maliku (radijallahu anhu): “Selman Farisiu (radijallahu anhu) kishte shkuar për vizitë tek Omeri (radijallahu anhu). Omeri (radijallahu anhu) mori jastëkun ku ishte mbështetur vetë dhe ia zgjati atij. Selman Farisiu i tha:

“Të vërtetën kanë thënë edhe Allahu dhe i Dërguari i Tij.”

“Çfarë do të thotë kjo, o Ebu Abdullah, tregoma edhe mua?”, – e pyeti Omeri (radijallahu anhu) dhe Selman Farisiu (radijallahu anhu) iu përgjigj:

“Një ditë, pata shkuar tek i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të). I Dërguari i Allahut e mori jastëkun që kishte pas shpinës dhe, duke ma zgjatur mua, më tha:

“Dëgjomë me kujdes, Selman: kur një mysliman shkon për vizitë në shtëpinë e vëllait të tij mysliman, ai që është mikpritësi, nëse i zgjat vëllait të tij jastëkun ku është mbështetur vetë, vetëm për këtë Allahu i Lartësuar ia fal atij të gjitha mëkatet.”

37. NDERIMI DHE DHËNIA VLERË NDAJ TË PARËVE TË NJË POPULLI DUKE I RESPEKTUAR SA MË SHUMË

I Dërguari i Allahut heq jelekun që vishte vetë dhe e shtron në tokë, që të ulet Xheriri

Tregon Xherir bin Abdullah el-Bexheliu: “Erdha njëherë tek i Dërguari i Allahut dhe ata jetonin shumë vetë në një shtëpi. Unë qëndrova në këmbë te dera. I Dërguari Fisnik pa njëherë majtas dhe djathtas, por nuk gjeti asnjë vend ku mund të ulesha unë. Hoqi menjëherë jelekun që kishte veshur, e palosi dhe ma zgjati mua, duke më thënë:

“Merre dhe ulu mbi këtë.” E mora, e vura njëherë pranë zemrës dhe e putha, pastaj i thashë:

“Allahu të prittë Ty me nderim, njësoj siç po më pret ti mua.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) m’u përgjigj:

“Kur vjen ndonjë nga njerëzit më të respektuar të një bashkësie a populli, priteni e gostiteni atë sa më mirë që të mundeni.”

38.KUR RESULULLAHU GOSTIT PJESËTARËT E FAMILJES SË BEKUAR

Çohet Ebu Bekri (r.a.) dhe i liron vendin Abasit (r.a.)

Xhafer bin Muhamedi tregon: “Kur i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ulej, në të djathtë të tij ulej Ebu Bekri (radijallahu anhu), në të majtë Omeri (radijallahu anhu), ndërsa përballë ulej Osmani (radijallahu anhu); Osmani (radijallahu anhu) ishte shkruesi i posaçëm i të Dërguarit të Allahut. Dhe, kur qëllonte që aty të vinte Abas bin Abdulmutalibi (radijallahu anhu), Ebu Bekri (radijallahu anhu) çohej dhe ia lironte vendin atij, kurse vetë ulej diku tjetër.”

Kur Ebu Bekri (r.a.) i liron vendin e tij Aliut (r.a.)

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po rrinte i ulur në xhami. Rreth tij ishin mbledhur edhe sahabët e tij, kur aty u erdhi Aliu (radijallahu anhu), i dhe selam të gjithëve dhe u ndal; po kërkonte për ndonjë vend ku mund të ulej. I Dërguari i Allahut i pyeti ata, duke i parë në fytyrë, se kush mund të hapte pak vend për Aliun. Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte ulur në të djathtë të tij. U largua që aty dhe i tha Aliut:

“Eja, o Ebu’l-Hasen, mund të ulesh këtu.” Kësisoj, Aliu (radijallahu anhu) u ul në mes të Profetit tonë (paqja qoftë mbi të) dhe Ebu Bekrit (radijallahu anhu). Ne e kuptuam menjëherë se sjellja e Ebu Bekrit e kishte kënaqur tej mase të Dërguarin e Allahut. Profeti i profetëve u kthye nga Ebu Bekri (radijallahu anhu) dhe i tha:

“Virtytin e kuptojnë vetëm ata që janë të virtytshëm.”

Profeti ynë i nderuar: “Aliu është i madhi i çdokujt që më sheh mua si të madhin e vet.”

Tregon Burejdeja: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na pati dërguar ne me një ekspeditë luftarake dhe në krye na pati caktuar komandant Aliun (radijallahu anhu). Kur u kthyem, Resulullahu na tha:

“Si e gjetët shokun tuaj?” Të gjetur përpara një pyetjeje të këtillë, unë dhe disa shokë i shprehëm atij pakënaqësinë tonë. Unë sa ngrita kokën, që në fakt unë isha një njeri që shikoja në çdo anë, i Dërguari i Allahut ishte bërë i kuq në fytyrë. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na tha:

“Aliu është prijësi i atij që më sheh mua si prijësin e tij.” Atëherë unë i thashë:

“O i Dërguari i Allahut! Këtej e tutje unë nuk do të të them më asgjë të pahijshme në lidhje me Aliun (radijallahu anhu).”

39.RESPEKTIMI I NJERËZVE TË DITUR DHE TË VIRTYTSHËM DHE GOSTITJA E TYRE HERË PAS HERE

Respekti që kishin Ibni Abasi (r.a.) dhe Zejd bin Thabiti (r.a.) ndaj njëri-tjetrit

Tregon Amar bin Ebi Amari (radijallahu anhu): “Kur Zejd bin Thabiti hipi në kafshën e tij të rrugës, Ibni Abasi (radijallahu anhu) kalin e vet e mbajti nga frerët. Zejdi i tha:

“Po lëshoje atë kafshë, o djalë i xhaxhait i të Dërguarit të Allahut!” Mirëpo, Ibni Abasi vazhdoi ta mbante atë me këmbëngulje dhe tha:

“Ne kështu na është urdhëruar që të sillemi me njerëzit e ditur dhe të mëdhenjtë tanë.” Zejdi i thotë:

“Ma trego pak dorën?” Dhe Ibni Abasi nxori dorën për t’ia parë. Zejdi ia kapi menjëherë dorën Ibni Abasit, ia puthi dhe i tha:

“Ne kështu na është urdhëruar që të sillemi me të afërmit e Profetit të profetëve.”

Vlera që i jepte i Dërguari Fisnik Sa’d bin Muadhit

Tregon Ibni Abasi: “Sad bin Muadhi kishte një plagë në dorë, nga e cila i rridhte gjak, ndaj i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u çua dhe e përqafoi. Në atë kohë, gjaku i Sadit iu përhap në fytyrë dhe në mjekër edhe të Dërguarit të Allahut. Edhe pse u përpoqën që ta ruanin, të mos bëhej me gjak, i Dërguari i Allahut i qëndroi pranë Sadit, deri në momentin që ai dha shpirt.

Sipas një transmetimi që vjen nga njëri prej ensarëve, Sadi ishte gati për të vdekur dhe ishte pranë Beni Kurejdhas, por plaga iu hap prapë. I Dërguari i Allahut, një të dëgjuar, erdhi menjëherë aty; e mbajti Sa’din nga koka dhe ia mbështeti atë në prehër. Trupin e Sa’dit e mbuluam me një çarçaf të bardhë. Kur i mbulonim kokën, këmbët i mbeteshin jashtë. Ishte një njeri me lëkurën të bardhë dëborë dhe i mbushur. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:

“O Zot, Sa’di luftoi në rrugën Tënde. Ai e pranoi të Dërguarin Tënd dhe po me këto mendime e dorëzoi shpirtin. Të lutem, prite sa më mirë shpirtin e tij.”

Sa’di kur i dëgjoi këto fjalë të të Dërguarit të Allahut, hapi sytë dhe i tha:

“Paqja e Zotit qoftë mbi ty, o i Dërguari i Allahut! Unë e dëshmoj, se ti je i Dërguari i Allahut! Pjesëtarët e familjes së Sadit kur panë se i Dërguari i Allahut e vuri mbi prehër kokën e Sa’dit, u shqetësuan. Dhe, kur e shprehën shqetësimin, Profeti ynë u tha atyre:

“Unë e lus Allahun, që në shtëpinë e Sadit, në çastet e fundit të tij, sa ka njerëz të ketë edhe engjëj.”

Nëna e Sadit filloi të qajë për të birin dhe ata që ishin të pranishëm, i thanë:

“Për Sadin po e thua këtë poezi?!” I Dërguari i Allahut tha:

“Lëreni të qetë, ka sa e sa të tjerë që nuk lënë gënjeshtra pa thënë me poezitë e tyre!”

Vlera që i jepte Omeri (r.a.) Amr bin Tufejl ed-Deusit

Tregon Abduluahid ibn Aun: “Tufejl bin Amri kishte ardhur tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem); ishte bërë mysliman. Tufejli qëndroi në Medinë deri në kohën që i Dërguari i Allahut u nda nga kjo jetë dhe kur disa nga arabët filluan të ktheheshin nga feja, ai iu bashkua myslimanëve që morën pjesë në luftën e Jemames. Me vete kishte edhe djalin e tij, Amrin. Tufejli ra dëshmon në Jemame, kurse i biri iu plagos, i këputën krahun me një të goditur të shpatës. Amri ishte pranë Omerit (radijallahu anhu), kur atij i sollën për të ngrënë. Mirëpo, Amri u tërhoq në një qoshe. Omeri (radijallahu anhu) e dalloi veprimin e Amrit, kështu që e pyeti:

“Çfarë të gjeti, apo të shkoi mendja te krahu i këputur?”

“Po!”, - iu përgjigj ai dhe Omeri (radijallahu anhu) ia priti duke i thënë:

“Uallahi, unë nuk kam për ta provuar këtë ushqim, gjersa ti të futësh dorën në pjatë e të hash. Nga të gjithë sa sheh këtu ti, asnjëri nuk e ka dërguar njërin nga krahët në Xhenet.” Më vonë, Amri mori pjesë në luftën e Jermukut, ku edhe ra dëshmor.”

40. QËNDRIMI NDAJ ATYRE QË FLISNIN KEQ PËR TË MËDHENJTË

Qëndrimi i Omerit (r.a.) ndaj atyre që e shihnin atë si më të lartë sesa Ebu Bekri (r.a.)

Tregon Hasan Basriu: “Omeri (radijallahu anhu) kishte informatorët e vet në mesin e njerëzve. Një ditë ata erdhën tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i thanë se kishte shumë njerëz që e shihnin atë si më të lartë sesa Ebu Bekrin (radijallahu anhu). Omeri (radijallahu anhu) u nxeh shumë nga këto fjalë. Dërgoi menjëherë njerëz që t’ia sillnin menjëherë aty të gjithë ata që kishin thënë ato fjalë, të cilëve u tha:

“Mor njerëz të këqij, krijesa të gjora, që nuk lini njerëz të pastër pa ndotur!” Kur ata e pyetën:

“Po pse na flet kështu? Çfarë gabimi kemi bërë kështu?”, – Omeri (radijallahu anhu) i përsëriti edhe tri herë fjalët e rënda që u pati thënë pak më parë dhe u tha:

“Pse keni filluar të bëni dallim mes meje dhe Ebu Bekrit (radijallahu anhu)? I betohem Allahut që e ka në dorë jetën time, se unë asgjë nuk dua më shumë sesa të kem një vend në Xhenet ku të mund të takohem me Ebu Bekrin!”

Omeri (radijallahu anhu) thoshte kështu: “Më i mbari i të gjithë umetit të të Dërguarit të Allahut është Ebu Bekri. Kushdo që thotë të kundërtën e kësaj që them unë, ta dijë se ai do të jetë duke shpifur.” Me pak fjalë unë do ta ndëshkoj atë me të njëjtin ndëshkim që i jepet atij që shpif.

Reagimi i Omerit (r.a.) ndaj dy burrave që fyen Ibni Mesudin

Ebu Uaili tregon: “Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) kishte parë dikë që e tërhiqte rrobën zvarrë dhe i pati thënë që ta shkurtonte atë që mbante të veshur.

“Shkurtoje edhe ti!”, – iu përgjigj ai njeri Ibni Mesudit dhe Ibni Mesudi ia ktheu duke i thënë:

“Po situata ime ndryshon nga ajo e jotja. Unë i kam këmbët të dobëta dhe veç kësaj unë dal edhe imam, për t’u falur namazin njerëzve!” Këtë ndodhi e mori vesh edhe Omeri (radijallahu anhu), ndaj e mori atë burrë dhe filloi ta godasë, duke e qortuar:

“Kush je ti t’i kthesh përgjigje Ibni Mesudit!”

Omeri (radijallahu anhu), një ditë, ishte në Medinë dhe po ndiqte nga larg me sy shtëpinë e Ibni Mesudit. Në atë kohë, dikush nga kurejshët i tha atij:

“O Prijësi i Besimtarëve, ja një shtëpi e këtillë na ka hije neve!” Omeri (radijallahu anhu) mori një gur balte nga toka dhe ia vërviti atij njeriu, duke i thënë:

“Domethënë ty unë të dukem më i mirë se Ibni Mesudi, hë?”

41. TË QARËT DHE MËRZITJA NGA VDEKJA E TË MËDHENJVE

Të qarat e Suhejbit (r.a.) kur sheh Omerin (r.a.) të plagosur

Ibni Sirini tregon: “Kur u plagos Omeri (radijallahu anhu), atij i sollën diçka për të pirë. E piu, por ajo që piu i doli ashtu siç e piu nga vendi i plagës. Suhejbi e pa atë skenë aq të dhimbshme dhe tha:

“Ah Omeri im, ah vëllai im! Kush do të na prijë ne kur të mos jesh më ti!” Dhe filloi të vajtojë me britma. Omeri (radijallahu anhu) i tha:

“Pusho, vëlla, a nuk e di ti se shpirti për të cilin vajtohet pas vdekjes bëhet të vuajë?”

Një tjetër transmetim për këtë ngjarje

Ndërsa Mikdam bin Madikeribi e transmeton kështu këtë ngjarje: “Omeri (radijallahu anhu) ishte plagosur, e bija e tij, Hafsaja, erdhi tek i ati dhe iu drejtua me fjalët:

“O sahabi i të Dërguarit të Allahut, o vjehërri i Resulullahut, o Prijësi i Besimtarëve!”

“Abdullah, më ngri se dua të qëndroj i ulur!”, - tha Omeri (radijallahu anhu).

“Nuk i duroj dot gjithë këto lavdërime kaq të mëdha.” Abdullahu e ngriti dhe ia mbështeti kokën pas kraharorit të tij, kur Omeri (radijallahu anhu) tha:

“Nëse vazhdon të qash, duke më numëruar të mira njëra pas tjetrës, ta dish se nuk ta bëj hallall të drejtën e babait! Unë nuk t’i ndaloj dot lotët. Por nuk ka asnjë të vdekur, që njerëzit e përmendin me cilësi që nuk i ka pasur, që engjëjt të mos ia mbajnë shënim të gjitha cilësitë e rreme që i numërojnë njerëzit e tij.”

42. NDRYSHIMI NË SHPIRT I NJERËZVE PAS VDEKJES SË TË MËDHENJVE

Si e përshkruan Enesi (r.a.) ditën kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut

Në një prej transmetimeve të tij në lidhje me ndodhinë e hixhretit Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Unë Profetin tonë kur erdhi në Medinë e pata parë; nuk kam parë ndonjë ditë më të bukur dhe më të shndritshme sesa ajo ditë. Kam qenë edhe në ditën kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u nda nga kjo jetë; nuk kam parë ndonjëherë ditë më të shëmtuar e më të errët.”

Enesi (radijallahu anhu) gjithashtu thotë se: “Në atë ditë që vdiq Profeti ynë i nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të), Medinën sikur e mbuloi një errësirë totale. Edhe kur varrosëm trupin e bekuar të tij, nuk e kishim shkundur ende dheun që na ishte ngjitur pas teshave, kur ne filluam të ndiejmë se zemrën nuk e kishim më si më parë.”148

Çfarë tha Ebu Talhaja kur u nda nga kjo jetë Omeri (r.a.)

Enes bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “Kur u mblodh kuvendi i këshillimit, për të diskutuar në lidhje me çështjen e kalifatit, Ebu Talhaja (radijallahu anhu) u tha atyre që ishin të pranishëm në kuvend:

“Nëse do të më pyesni mua, veprimi juaj për ta zgjedhur kalifin të lëkundur ka më shumë rreziqe sesa po të garonit me njëri-tjetrin, kush e kush të bëhet kalif. Uallahi, me vdekjen e Omerit, si jeta fetare, si ajo e kësaj bote, kanë nisur të bëjnë hapa mbrapa.”

43. DHËNIA VLERË EDHE ATYRE QË JANË TË VARFËR DHE TË DOBËT

Rëndësia që u jepte i Dërguari i Allahut myslimanëve të varfër Tregon Habab bin Ereti (radijallahu anhu): “Akra bin Habisi dhe Ujejne bin Hisni patën ardhur tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Kur panë se i Dërguari i Allahut po qëndronte i ulur bashkë me Amarin, Suhejbin, Bilalin dhe Habab bin Eretin (radijallahu anhum), u thanë atyre disa fjalë të pakëndshme dhe u larguan së andejmi. Më vonë, kur mbetën vetëm për vetëm me Profetin e nderuar, ata i thanë atij:

“Arabët janë duke ardhur në grupe tek ti. Dhe ne na vjen zor që ti qëndron i ulur me këta skllevër. Kur të vijmë herë tjetër, largoji ata.”

“Në rregull!”, - u tha Profeti i nderuar, i lëkundur në zemër. Atëherë, idhujtarët thanë:

“Ta hedhim në letër këtë që biseduam.” Dhe, i Dërguari i Allahut thirri Aliun (radijallahu anhu), që ta nënshkruante ai marrëveshjen. Në atë çast ne ishim tërhequr në një qoshe, po rrinim ulur, kur Xhibrili (alejhis’selam) zbriti ajetet: “Mos i dëbo ata që i luten Zotit të vet në mëngjes e mbrëmje, duke e dëshiruar Fytyrën (mirësinë) e Tij! Ti nuk je aspak përgjegjës për ata e as ata nuk janë përgjegjës për ty. Nëse ti i dëbon ata, atëherë do të jesh keqbërës. Kështu, Ne i kemi bërë disa prej tyre si sprovë për të tjerët, që të thonë: ‘Vallë, këta janë ata prej nesh, që Allahu u ka dhuruar mirësi?!’ - A mos vallë, Allahu nuk i njeh më mirë ata që i janë mirënjohës?” (En’am, 6/52-53)

Atëherë i Dërguari i Allahut e prishi tekstin e asaj marrëveshjeje dhe na thirri duke na përshëndetur:

“Paqja e Zotit qoftë mbi ju!” Tanimë, pas zbritjes së këtyre ajeteve, ne qëndruam me të aq pranë, saqë edhe pak edhe gjunjët tanë mund të preknin gjunjët e tij dhe i Dërguari i Allahut qëndronte vetëm me ne. Kur atij i duhej që të ngrihej, ngrihej ai dhe ngriheshim edhe ne. Fill pas kësaj u zbritën edhe këto ajete të Kur’anit Famëlartë: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (Kehf,

18/28)

Pasi u zbritën këto ajete ne qëndronim me të Dërguarin e Allahut, e kur vinte koha që atij i duhej të largohej, çoheshim edhe ne dhe ndaheshim prej tij. Në të kundërt, ai duronte derisa të çoheshim edhe ne.

Kur i Dërguari i Allahut gostit Ibni Umu Mektumin

Tregon Enesi (radijallahu anhu), lidhur me shkakun e zbritjes së sures Abese: “Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte duke folur me Ubej bin Halefin, kur aty erdhi Abdullah bin Umu Mektumi, i cili ishte i verbër. Ubej bin Halefi, një të parë Ibni Umu Mektumin që erdhi, e ktheu fytyrën në anën tjetër, për të mos e parë. Aty u zbrit sureja “Abese”, e cila niste me ajetet: “E mrroli fytyrën, sepse erdhi aty i verbri.” Pas kësaj ndodhie, Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e gostiste sa herë që e shikonte këtë njeri, i cili u përmend prej Allahut në Kur’anin Famëlartë.”

44. DHËNIA VLERË NËNËS DHE BABAIT

Përgjigjja e të Dërguarit të Allahut ndaj një sahabi që e pyeti se si duhet ta falënderonte nënën e tij

E tregon Burejdeja (radijallahu anhu): “Te Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një burrë dhe e pyeti:

“O Resulullah! Në një ditë të nxehtë unë e mbajta nënën mbi shpinë për gati ‘njëmbëdhjetë kilometra’. Ishte aq shumë nxehtë, saqë po të vije një copë mish në tokë, do të piqej. A mund të quhet se e kam paguar të drejtën e nënës tek unë?” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) iu përgjigj:

“Ai shërbim që i ke bërë ti nënës, mund të këmbehet vetëm me një dhimbje të vetme të lindjes!”

I Dërguari Fisnik nuk e lejon Ebu Hurejren të marrë pjesë në luftën e Hajberit vetëm sepse nuk e lejon nëna e tij

Tregon Ebu Umameja: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Bëhuni gati për luftë me këtë rrethinë që e ka popullin kaq zullumqar. Me lejen e Allahut, ju do të dilni ngadhënjimtarë edhe ndaj tyre. Kush e ka kafshën të sertë, apo të dobët të mos niset me ne.” Ishte ky urdhër i të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që e bëri Ebu Hurejren të shkonte menjëherë pranë nënës së tij dhe i tha:

“Nënë më bëj gati, se do të shkoj në luftë. I Dërguari i Allahut na tha përgatitnim armët dhe plaçkat për luftë.” E ëma iu përgjigj:

“O bir, po ti e di që unë nuk kam askënd veç teje dhe unë pa qenë ti as deri në rrugë nuk dal dot.”

“Nuk mund të rri pa shkuar me të Dërguarin e Allahut.”, - nguli këmbë Ebu Hurejreja. Ishte pikërisht kjo këmbëngulje e Ebu Hurejres (radijallahu anhu) që e shtyu nënën e tij t’i thoshte se nuk do t’ia falte të drejtën e qumështit. Mandej, ajo shkoi fshehtazi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha se nuk donte që i biri të merrte pjesë në atë luftë. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i dha përgjigje:

“Mirë, në rregull.” Nuk kaloi gjatë, kur aty erdhi Ebu Hurejreja. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk pa fare nga ana e Ebu Hurejres; madje kokën e ktheu në anën tjetër. Ebu Hurejreja nuk duroi dot dhe e pyeti:

“O Resulullah! Shoh se nuk doni të më shikoni, me siguri diç duhet të keni dëgjuar për mua.”

“Ti je i biri i asaj nëne që nuk ta fal hakun që të ka dhënë gji! Mos ka ndonjë nga ju që pandeh se duke qenë me nënën, apo babanë e tij, nuk është në rrugën e Allahut (xhel’le she’nuhu)? Është krejt e kundërta, kushdo që sillet mirë me nënën dhe babanë e tij dhe kujdeset që të mos lerë mangët asnjë prej të drejtave të tyre është vazhdimisht duke luftuar në rrugën e Allahut.”, - foli i Dërguari i Allahut.

Ebu Hurejreja thotë se: “Pas këtyre fjalëve të Resulullahut unë nuk mora pjesë në asnjë luftë për dy vite me radhë, derisa nëna u nda nga kjo jetë.”

45. DHEMBSHURIA NDAJ FËMIJËVE DHE SJELLJA ME TA ME DREJTËSI

I Dërguari i Allahut ndërpret hutben dhe zbret nga minberi për nipin e tij Husejnin

Abdullah bin Amri (radijallahu anhu) tregon: “Njëherë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte mbi minber dhe po u fliste besimtarëve, kur aty erdhi nipi i tij, Husejni i vogël, me një rrobë gjysmë të veshur e që e tërhiqte zvarrë. Teksa ecte, këmba iu pengua pas saj dhe u rrëzua. Resulullahu zbriti menjëherë nga minberi, për të ngritur Husejnin e rrëzuar. Besimtarët, me ta parë fëmijën, e ngritën dhe e çuan tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). I Dërguari Fisnik e mori Husejnin në krahë dhe tha:

“Zoti e shkatërroftë djallin! Vërtet, fëmija është një shkak shumë i madh sprove. Uallahi, kur më prunë djalin e kuptova që kisha zbritur nga minberi!”

Kur i Dërguari i Allahut falte namazin, dy nipërit e tij, Hasani me Husejnin i hipnin mbi shpinë

E tregon Ebu Saidi (radijallahu anhu): “Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte në sexhde, kur aty erdhi Hasani i vogël (radijallahu anhu) dhe i hipi mbi shpinë. Resulullahu zgjati krahun dhe e mbajti fëmijën, u çua në këmbë dhe ashtu u ul edhe në ruku. Kur u drejtua pas rukusë, e lëshoi fëmijën në tokë dhe ai iku.”

Transmeton Zubejri (radijallahu anhu): “Uallahi e di shumë mirë, një ditë, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte në sexhde dhe aty erdhi Hasani i vogël dhe iu ngjit mbi shpinë. Ai nuk e zbriti atë derisa ai vetë deshi të zbriste. Resulullahu, kur ishte në sexhde, ndonjëherë i mbante këmbët të hapura dhe vinte Hasani, e hynte nga njëra anë e dilte nga ana tjetër.”

Reagimi i Akra bin Habisit kur i Dërguari i Allahut puth Hasanin e vogël dhe përgjigjja që i ktheu Profeti ynë

Tregon Saib bin Jezidi: “I Dërguari Fisnik puthi Hasanin e vogël, kur atë e pa Akra bin Habisi dhe i tha:

“Unë kam dhjetë fëmijë, por nuk kam puthur asnjëherë asnjërin prej tyre.” Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) e dëgjoi dhe i tha:

“As Allahu nuk i mëshiron ata që nuk janë të mëshirshëm ndaj njerëzve.”

Sihariqi i të Dërguarit Fisnik për ata që tregohen të dhembshur e të mëshirshëm ndaj fëmijëve të tyre, si dhe ndaj atyre që veprojnë me drejtësi me ta

E tregon Enesi (radijallahu anhu): “Një grua, bashkë me dy vajzat e saj erdhën tek Aishja (radijallahu anha). Aishja (radijallahu anha) i dha asja gruaje tri kokrra hurma. Ajo grua u dha vajzave nga një kokërr hurmë. Fëmijët, pasi hëngrën hurmat që u dha e ëma, filluan ta shihnin nënën e tyre në sy edhe për hurmën që kishte mbetur. Kësaj here, ajo nënë e ndau edhe hurmën e tretë në gjysmë dhe ua dha fëmijëve. Pastaj ato u larguan nga Aishja (radijallahu anha). Më vonë, kur u kthye në shtëpi Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të), nëna jonë, Aishja (radijallahu anhu) ia tregoi edhe atij atë që kishte ndodhur gjatë ditës. I Dërguari i Allahut e dëgjoi dhe i tha:

“Kjo sjellje e çon në Xhenet atë grua.”

46. VLERËSIMI I FQINJËVE DHE GOSTITJA E TYRE

Të drejtat e fqinjit

Muauije bin Hajde tregon:

“O i Dërguari i Allahut, çfarë të drejtash kanë fqinjët e mi tek unë?”,

– e pyeta njëherë të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).

Profeti ynë m’u përgjigj:

“Kur të sëmuret fqinji, t’i shkosh për vizitë; kur të vdesë, ta shoqërosh trupin e tij deri në varreza. Nëse mbetet ngushtë, t’i shkosh në ndihmë dhe t’i japësh mbështetje. Kur t’i vijë ndonjë mirësi prej Allahut, ta përgëzosh, duke i thënë: ‘Qoftë më e mira.’ Nëse i ndodh ndonjë e keqe, ta qetësosh. Çatinë e shtëpisë mos e bëj më të lartë sesa e tija, që të mos e pengosh atë të përfitojë prej ajrit. Ose mos i thuaj se çfarë je duke gatuar për vete, ose, nëse ia thua, atëherë gostite edhe atë me atë ushqim që je duke gatuar.”

Historia e një burri që i mundonte fqinjët e tij

Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) tregon se: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte bërë gati për t’u nisur për në njërën prej luftërave, kur na tha:

“Kushdo që i prek fqinjët e tij, duke u thënë ndonjë gjë të pahijshme, të mos vijë me ne sot.”

Një prej atyre që ishin të pranishëm u hodh e tha:

“Unë kam urinuar te fundi i murit të fqinjit tim.”

“Atëherë ti të mos vish me ne sot.” – i tha atij njeriu Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të).”

47. GOSTITJA E SHOKUT TË MIRË

I Dërguari i Allahut i këshillon dy prej sahabëve të tij që të nderonin Rebah bin Rabian

Tregon vetë Rebah bin Rabia: “Ne ishim nisur me ushtrinë për diku dhe me ne ishte edhe vetë i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai u pati dhënë çdo tri vetëve nga një deve, ku dy vetë hipnin mbi deve dhe njëri ecte në këmbë e drejtonte devenë. Teksa po zbrisnim malin teposhtë, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) më pa duke ecur dhe më tha:

“O Rebah, po shoh që je duke ecur në këmbë.”

“O i Dërguari i Allahut, unë tani sapo zbrita, se mbi deve isha. Tani erdhi radha e shokëve të hipnin.”, – iu përgjigja unë. Mandej unë shkova pranë shokëve të mi. Ata më thanë mua:

“Eja, hip mbi deve dhe mos zbrit më derisa të zbresim; ne do të të ndjekim nga pas.”

“Po, pse?”, – i pyeta unë dhe ata m’u përgjigjën:

“I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na porositi për ty, ‘Ju keni një shok shumë të mirë, të silleni sa më mirë me të!’”

48. SJELLJA ME NJERËZIT SIPAS POZITËS SË TYRE

Tregon Amr bin Mihraku: “Njëherë, kur Aishja (radijallahu anha) ishte duke ngrënë, pranë i kaloi një burrë i veshur mirë. Aishja e nderuar e ftoi atë njeri të ulej në sofër me të. Në atë kohë aty erdhi edhe dikush tjetër. Aishja (radijallahu anha) i dha edhe atij një copë bukë. Dhe, kur e pyetën Aishen (radijallahu anha) për arsyen e atij ndryshimi në sjelljen me të dy ata njerëz, Aishja (radijallahu anhu) u përgjigj:

“Resulullahu ne na ka urdhëruar, që me njerëzit të sillemi veçanërisht sipas pozitës së tyre në shoqëri.”

49. DHËNIA SELAM MYSLIMANËVE DHE PRANIMI I SELAMIT TË MYSLIMANIT

Rregulli i Ebu Umames

Muhamed bin Zijadi tregon: “Ebu Umameja po kthehej në shtëpi, kur unë futa krahun në krahun e tij dhe e bëmë bashkë atë copë rruge. Ai çdokënd që shihte në rrugë, pa dalluar, mysliman, i krishterë, i madh, i vogël, i përshëndeste të gjithë:

“Selamun alejkum, selamun alejkum.”, – dhe, kur mbërriti përpara shtëpisë, më porositi:

“Nipçe! I Dërguari i Allahut neve na ka urdhëruar që ne ta përhapim sa më shumë përshëndetjen mes njerëzve, duke u uruar atyre paqen.”

Selmani (radijallahu anhu) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe i tha:

“Es’selamu alejkum, o i Dërguari i Allahut!” Dhe i Dërguari i Allahut ia ktheu përshëndetjen duke thënë:

“Ue alejkes’selam ue rahmetullahi ue berekatuh.” Paskëtaj erdhi dikush tjetër dhe tha:

“Es’selamu alejkum ue rahmetullah.” I Dërguari i Allahut e përshëndeti:

“Ue alejkes’selam ue rahmetullahi ue berekatuh.”

Por, kur aty erdhi dikush tjetër dhe e përshëndeti atë:

“Es’selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuh.” I Dërguari i Allahut ia ktheu duke i thënë vetëm:

“Ue alejke (edhe mbi ty)”. Paskëtaj ai njeri tha:

“O Resulallah, po kur tek ti erdhi aksh e aksh njeri dhe të përshëndetën, ti atyre u dhe një përgjigje më të bukur se kjo.”

“Po ti nuk më le mua asgjë për të thënë, sepse Allahu i Madhërishëm na urdhëron, që, “kur dikush t’ju përshëndesë, përgjigjuni atij duke e përshëndetur e uruar diçka edhe më të mirë se urimi i tij.” Prandaj, unë ty nuk kisha se ç’mund të të thosha, veçse ‘edhe ty’.”

50. DËRGIMI I SELAMIT

Historia e Selman Farisiut dhe Esh’ath bin Kajsit me Xherir bin Abdullahun

Ebu’l-Bahteriu tregon: “Esh’ath bin Kajsi me Xherir bin Abdullah el-Bexheliun, dolën përpara Selman Farisiut, i cili qëndronte në një kala në zonën e Medainit dhe pasi i dhanë selam, e pyetën: - “Ti je Selman Farisiu?”

“Po, unë jam!”, – u përgjigj ai.

“Pra, ti je shoku i Profetit tonë?”, – vijuan ta pyesnin. Por përgjigjja e tij qe e pazakontë.

“Nuk e di!” Kjo përgjigje i futi në dyshime ata dy burra. I thanë njëri-tjetrit:

“Më duket se nuk është ky ai që kërkojmë.”

“Shoku juaj që kërkoni unë jam. Po, është e vërtetë, unë e kam parë të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), edhe kam ndenjur me të; por jam, apo nuk jam, shoku i tij, këtë nuk e di, sepse shokët e tij të vërtetë janë ata që do të hyjnë bashkë me të në Xhenetin e amshuar! Sidoqoftë, çfarë ju ka sjellë deri këtu, çfarë kërkoni prej meje?” Ata iu përgjigjën:

“Ne vijmë nga Siria, vendi ku qëndron vëllai juaj.” - “Kush është ky?”, – pyeti Selmani.

“Ebu Derdaja.”, i thanë ata. Në kohën kur Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ue el’lem) i pati lidhur sahabët e tij në vëllazëri mes njëri-tjetrit, Selmanin dhe Ebu Derdanë i pati shpallur vëllezër.

“Po mirë, po ç’dhuratë më ka sjellë me ju?”, – pyeti Selmani. Dy burrat, shtangën dhe i thanë:

“Jo, ai nuk ka dërguar asnjë dhuratë me ne.”

“Kini frikë Allahun dhe më dorëzoni amanetin që ju ka dhënë me vete; sepse nuk ka njeri që të vijë tek unë prej tij dhe ai të mos më ketë dërguar diçka me të.”, - u tha atyre Selman Farisiu.

“Të mos e dëgjojë kush, por ne kemi shumë plaçkë me vete, ndaj eja e merr çfarë të duash!”, - thanë ata.

“Unë nuk kam nevojë për plaçkën e paratë tuaja, unë dua dhuratën që ma ka dërguar im vëlla!”, nguli këmbë Selman Farisiu.

“I betohemi Allahut, se ai nuk na dha asgjë për të ta sjellë ty. Vetëm, se kur na dërgoi, ai na tha:

“Në Medain është një njeri, që i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur ishte me të, nuk kërkonte më askënd tjetër. Kur të shkoni tek ai, çojini atij selamet e mia.”, – i thanë ata.

“Po, ja pra, kjo ishte dhurata që prisja unë prej tij, asgjë tjetër! Pse, ka dhuratë më të mirë e më të bekuar sesa selami?!”, – u përgjigj Selman Farisiu.”

51. SHPREHJA E DASHURISË, SHTRËNGIMI I DORËS DHE PËRQAFIMET

Hadithet e transmetuara nga Xhundubi (r.a.) dhe Ebu Hurejreja (r.a.) në lidhje me këtë temë

Xhundubi (radijallahu anhu) thotë: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur takohej me sahabët e tij, nuk ua jepte atyre dorën pa u dhënë atyre njëherë selam.”

Ebu Hurejreja tregon: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) qe takuar një ditë me Hudhejfen (radijallahu anhu) dhe deshi të shtrëngonte dorën me të. Mirëpo Hudhejfeja iu shmang. Si arsye pse i qe shmangur shtrëngimit të dorës me të Dërguarin e Allahut, Hudhejfeja pati thënë se ai ishte xhunub. Atëherë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Kur një mysliman shtrëngon dorën me një vëlla të fesë së tij, mëkatet e tyre bien e pastrohen njësoj siç bien gjethet nga pemët.”

Profeti ynë e ndalon përshëndetjen duke u përkulur

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Ne e pyetëm të Dërguarin e Allahut:

“O Resulullah, a mund ta përshëndetim ne njëri-tjetrin duke iu përkulur?”

“Jo!”, – u përgjigj Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) prerazi.

“Po mirë, a mund ta përqafojmë njëri-tjetrin?”, – e pyetëm ne.

“Jo!”, – ishte përgjigjja e tij.

“Po dorën a mund t’ia japim njëri-tjetrit?”, – i thamë.

“Po! Këtë mund ta bëni.”, – u përgjigj ai.

Kurse te Tirmidhiu do të gjejmë edhe disa shprehje të tjera: Enesi (radijallahu anhu) thotë se: Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe e pyeti:

“O Resulullah! Kur takohemi ndonjëherë me ndonjë prej vëllezërve tanë, apo me ndonjë mik, a mund t’i përshëndetim ne ata duke iu përkulur?”

“Jo!”, – u përgjigj ai.

“Po dorën a mund t’ua japim?”, – vazhdoi ta pyesë ai. Profeti ynë iu përgjigj se këtë ‘Po’, mund ta bënim. Sipas disa transmetimeve, vërehet edhe kjo: “Vetëm nëse ai vjen nga një rrugë e gjatë, kjo është tjetër gjë; atëherë mund ta përqafoni, madje edhe ta puthni.”

Tregon Aishja (radijallahu anha): “Zejd bin Harithe (radijallahu anhu) pati ardhur në Medinë. Në atë kohë Resulullahu ishte në dhomën time. Erdhi Zejdi dhe trokiti në derë. I Dërguari i Allahut e tërhoqi mbulojën e tij zvarrë dhe u ngrit të hapte derën. Me ta parë Zejdin, e përqafoi dhe e puthi... Uallahi, pos asaj dite unë Resulullahun nuk e kam parë kurrë ashtu të zhveshur, as më parë, as më pas.”

Qëndrimi i përgjithshëm i sahabëve karshi shtrëngimit të dorës dhe përqafimit të njëri-tjetrit

Enesi (radijallahu anhu) thotë kështu: “Sahabët e Profetit tonë të nderuar, kur takoheshin me njëri-tjetrin, shtrëngonin duart, ndërsa kur ndonjëri vinte nga ndonjë vend i largët, përqafoheshin.”

52. PUTHJA E DORËS, E KËMBËS DHE E BALLIT TË NJË MYSLIMANI

Tregon Sha’biu: “Kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u kthye nga Hajberi, atë doli për ta pritur Xhafer bin Ebi Talibi. I Dërguari i Allahut e përqafoi atë dhe pasi e puthi në ballë, i tha:

“Nuk e di se nga se të gëzohem më parë! Që doli pikërisht Xhaferi për të më pritur, apo ngadhënjimi mbi Hajberin?”

Kur sahabët i puthnin duar e këmbë të Dërguarit të Allahut

Seleme bin Ekuja (radijallahu anhu) tregon: “Unë e pata lidhur besën me Profetin tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pikërisht me këtë dorë; i puthëm edhe dorën dhe ai nuk na tha asgjë.”

Umu Ebani tregon: “Gjyshi im, Uazi bin Amiri (radijallahu anhu) ka transmetuar kështu: “Kur shkuam në Medinë, ne na thanë:

“Ja, ky është i Dërguari i Allahut!” Atëherë ne u ulëm dhe filluam menjëherë t’i puthnim kush duart e kush këmbët.”

Omeri (r.a.) e puthte në kokë Ebu Bekrin (r.a.)

Tregon Ebu Rexha el-Utaridiu (radijallahu anhu): “Pata shkuar në Medinë. Vura re që në një vend ishin grumbulluar shumë njerëz. Në mes tyre ishte një burrë që i puthte kokën një tjetri, duke i thënë:

“T’u bëfsha kurban, po të mos ishe ti ne do të kishim marrë fund!” Pyeta njëherë se kush ishte ai që puthte dhe kush ishte ai që u puth?”

“Ai është Omer bin Hatabi, puthi Ebu Bekrin në ballë, pasi ky u shpalli luftë të gjithë atyre që hoqën dorë nga Islami dhe nuk donin të jepnin zekatin!”, – më thanë.”

53. TË PRITURIT NË KËMBË E NJË MYSLIMANI

Kur i Dërguari i Allahut priste të bijën, Fatimen

Tregon nëna jonë, Aishja (radijallahu anha): “Mes njerëzve unë nuk kam parë askënd që të ngjante aq shumë me të Dërguarin e Allahut në të ulur, në të ngritur, apo në të folur, sesa Fatimja. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur e dallonte se po vinte ajo, i thoshte ‘mirë se erdhe’, çohej dhe e puthte. Mandej, e kapte Fatimen për dore dhe e çonte deri te vendi ku ajo do të ulej. Fatimja (radijallahu anha), gjatë asaj sëmundjeje që u bë edhe shkak për largimin e të Dërguarit të Allahut nga kjo jetë, pati ardhur njëherë për ta parë e për ta vizituar. Resulullahu i tha asaj ‘mirë se erdhe’, e puthi dhe seç i foli fshehtazi në vesh. Fatimja nisi të qajë. Pastaj, Resulullahu seç i tha sërish fshehtazi në vesh, e kësaj here Fatimja buzëqeshi.

Unë u thashë grave të tjera:

“Edhe Fatimja është një grua, njësoj si ne, por ajo seç ka ca anë të veçanta, që nuk i ka asnjë grua tjetër, qëndron më lart se të gjitha.” E pyeta Fatimen:

“Çfarë të tha i Dërguari i Allahut në vesh?” Ajo në fillim nuk deshi të flasë, duke më thënë:

“Po e thashë, unë do të kem zbuluar një të fshehtë.” Pas ndarjes nga jeta e të Dërguarit të Allahut, Fatimja e nderuar tha:

“Në fshehtësi Resulullahu më pati thënë se ai do të vdiste, ndaj edhe unë qava. Kurse herën e dytë ai më tha mua:

“Ti do të jesh e para nga familja ime që do të takohet me mua.”, – e, kur e dëgjova këtë nga goja e tij, u gëzova pa masë, ndaj edhe nisa të buzëqesh.”, sakaq, duke na e zbuluar atë të fshehtë.”

Sahabët ngriheshin në këmbë kur vinte i Dërguari i Allahut, por si e priste i Dërguari i Allahut diçka të këtillë?

Ja se si e përcjell Muhamed bin Hilali nga i ati: “Kur Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ngrihej për t’u larguar, ngriheshim edhe ne dhe qëndronim në këmbë, nuk uleshim, derisa ai të hynte në shtëpi.”

Ebu Umameja (radijallahu anhu) tregon se: “I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) erdhi te ne i mbështetur mbi kërrabën e tij; ne u ngritëm vrik në këmbë. Ai na foli:

“Mos u çoni në këmbë, për të respektuar njëri-tjetrin, siç bënin persët!”

I Dërguari i Allahut rregullonte qëndrimin e tij kur në xhami hynte ndonjë mysliman

Uathile ibnu’l-Hatabi tregon: “Në xhami pati hyrë një burrë. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) rregulloi veshjen dhe qëndrimin e tij. E pyetën të Dërguarin e Allahut:

“O Resulullah! Aty kishte gjithë atë vend, ju pse ndryshuat qëndrim, duke u mbledhur kështu?” Ai u përgjigj:

“Kur hyn një mysliman në xhami, besimtarët e tjerë që janë aty duhet të rregullojnë qëndrimin e tyre në shenjë respekti ndaj atij myslimani.”

Një ngjarje që ka ndodhur mes Aliut (r.a.) dhe dy burrave në lidhje me pranimin e nderimit nga një mysliman

Tregon Ebu Xhaferi: “Tek Aliu (radijallahu anhu) erdhën dy burra. Aliu (radijallahu anhu) u shtroi atyre menjëherë minderet për t’u ulur. Njëri u ul në minder, por tjetri, nuk u ul në minder, u ul përdhe. Aliu (radijallahu anhu) iu drejtua atij që nuk u ul mbi minder me fjalët:

“Çohu dhe ulu edhe ti mbi minder; sepse nderimin dhe mirëpritjen vetëm kafshët e udhës ngulin këmbë e nuk e pranojnë!”

54. RUAJTJA E SEKRETIT QË NDAN ME TY NJË MYSLIMAN

Enesi (r.a.) ruan të fshehtën që i tregon Profeti ynë

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Një ditë, pasi i shërbeva Resulullahut me diçka dhe kisha mbaruar punë, thashë me vete: “Tani Resulullahu do të shtrihet për pushimin e drekës.”, - ndaj u largova prej tij. Kur pashë, fëmijët ishin duke luajtur. Isha duke ndjekur lojën e tyre me sy, ç’të shoh, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) erdhi pranë fëmijëve dhe u dha selam. Pastaj më thirri mua dhe më dërgoi që t’i kryeja një punë. Puna që më dha është një e fshehtë e imja, e unë shkova, e kreva dhe u ktheva. Isha bërë vonë për të shkuar te nëna ime.

“Çfarë të bëri të vonoheshe? Ku ishe deri në këtë orë?”, – më pyeti nëna. Dhe unë iu përgjigja asaj, duke i thënë:

“Më dërgoi Resulullahu diku.”

“E ç’punë ishe ajo?”, – vazhdoi nëna të më pyeste.

“Është një e fshehtë e Resulullahut,” – ia ktheva unë.

“Atëherë ruaje të fshehtën e Resulullahut!”, më paralajmëroi prerë nëna.

Thabitit, një prej më të mëdhenjve në radhët e tabiinëve, Enesi, kur ia ka transmetuar këtë hadith, i ka thënë:

“Uallahi, deri më sot atë të fshehtë unë nuk ia kam treguar askujt. Po t’ia kisha thënë ndokujt, o Thabit, nuk ka dyshim që do të ta kisha thënë edhe ty.”

55. T’I BËSH JETIMËT TË GËZOJNË

Këshillat e të Dërguarit të Allahut për jetimët

Ebu Hurejreja tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe iu ankua se ishte ngurtësuar shumë në zemër. I Dërguari i Allahut i tha atij:

“Përkëdheli kokat e jetimëve dhe jepu atyre të hanë, që të të zbutet zemra.”

Tregon Bishr bin Akrebe (radijallahu anhu): “Pas luftës së Uhudit unë shkova te Profeti ynë dhe e pyeta:

“Çfarë i ka ndodhur babait tim? Ku është ai?” Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) m’u përgjigj:

“Babai yt është një dëshmor, mëshira e Zotit qoftë mbi babanë tënd.” Fillova të qaja. Më kapi përdore, më ledhatoi kokën dhe më hipi mbi devenë e tij duke më thënë:

“Eja, si thua, këtej e tutje të bëhem unë babai yt, kurse Aishja nëna jote, hë, nuk të pëlqen?”

56. PËRKUJDESJA PËR MIQTË E BABAIT DHE NDERIMI I TYRE

Interesimi i veçantë i Abdullah bin Omerit për një beduin që ishte mik i babait të tij

Abdullah bin Dinari na tregon këtë histori në lidhje me Ibni Omerin: “Ibni Omeri, kur do të shkonte në Mekë, mori me vete edhe një gomar, që kur të mërzitej nga të ecurit me deve, t’i hipte gomarit, e veç tyre edhe një çallmë, për ta lidhur në kokë. Teksa ishte duke udhëtuar në një nga këto udhëtime, i hipur mbi gomar, në rrugë hasi një beduin. Ibni Omeri e pyeti beduinin:

“Ti, a nuk je i biri i aksh njeriu?”

“Po, djali i tij jam.”, u përgjigj ai beduin. Atëherë Ibni Omeri i dha atij njeriu edhe gomarin edhe çallmën dhe i tha:

“Këtë merre, ta kesh për rrugë, kurse këtë çallmë mbaje në kokë.” Një nga shokët e pyeti Ibni Omerin:

“Zoti të dhëntë të mirën; çfarë bëre, ia dhe atij njeriu edhe gomarin në të cilin hipje vetë, edhe çallmën që mbaje në kokë?”

“Unë e kam dëgjuar vetë të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) të thotë: “Një nga të mirat më të mëdha të njeriut është edhe ajo kur ai kujdeset dhe i respekton miqtë dhe të afërmit e babait edhe pas vdekjes së tij.”

T’u bësh të mira nënës dhe babait, edhe pas vdekjes së tyre

E tregon Ebu Usejd es-Saidi (radijallahu anhu): “Dikush nga fisi i bijve të Selemes i tha të Dërguarit të Zotit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem):

“O Profet i Zotit! A ka ndonjë të mirë që mund t’ua bëj nënës dhe babait tani që ata nuk jetojnë më?” I Dërguari i Allahut iu përgjigj:

“Po, ka. Lutu për ta dhe kërkoji Zotit që t’i falë, përmbushi fjalët dhe amanetet që kanë lënë kur ishin ende në jetë dhe kujdesu për të drejtat e të afërmve të tyre dhe nderoji miqtë e tyre.”

57. PËRGJIGJJA NDAJ FTESËS SË NJË MYSLIMANI

Ebu Ejub el-Ensari pranon ftesën e luftëtarëve gjatë një udhëtimi në det

Zijad bin En’am el-Ifrikij tregon: “Në kohën e kalifatit të Muauijes (radijallahu anhu), ne patëm marrë pjesë në disa luftëra detare. Anija jonë u afrua shumë ndanë anijes në të cilën gjendej edhe Ebu Ejub elEnsari (radijallahu anhu). Kur u bë dreka gati, ne i dërguam fjalë Ebu Ejubit, që të vinte e të hante me ne. Erdhi dhe na tha:

“Ju më thirrët dhe unë erdha, sepse nuk mund të mos e pranoja ftesën tuaj, pavarësisht se sot jam duke agjëruar, sepse Resulullahu ka thënë: “Një mysliman ka gjashtë të drejta mbi çdo vëlla të tij në fe, të cilat duhen përmbushur medoemos. Nëse ai nuk bën qoftë edhe njërën prej tyre, atëherë ai quhet se nuk e ka përmbushur një prej gjashtë të drejtave të vëllazërisë. Ja cilat janë këto të drejta: Kur ta shohë, ta përshëndesë me selam; të pranojë ftesën e tij; kur të teshtijë, t’i thotë “Zoti të mëshiroftë”; kur të sëmuret, t’i shkojë për vizitë; kur të vdesë, t’i shkojë në varrim dhe kur t’i kërkojë ndonjë këshillë, ta këshillojë drejt.”

58. LARGIMI NGA RRUGA I GJËRAVE QË MUND TË MUNDOJNË UDHËTARËT

Tregon Muauije bin Kurreja: “Po ecja bashkë me Ma’kil elMuzeniun (radijallahu anhu); mori diçka nga rruga, që mund të bëhej pengesë nga rruga dhe e hodhi tutje. Pas një copë rruge edhe unë pashë diçka që mund të shqetësonte njerëzit që do të kalonin së andejmi dhe u tregova më i shpejtë se ai dhe e hodha në anë.

“Nipi im, pse e bëre atë gjë?”, – më pyeti.

“Po, ja, të pashë që e bëre ti më parë, ndaj bëra edhe unë të njëjtën gjë,” – iu përgjigja unë. Ai më dëgjoi dhe më foli:

“Të lumtë, nipi im! Unë kam dëgjuar Profetin tonë, kur ka thënë: “Për atë që heq nga rruga ndonjë gjë që mund të shqetësojë myslimanët që do të kalojnë nëpër të shkruhet një e mirë. Dhe njeriu që ka bërë një të mirë, e cila i është pranuar, hyn në parajsë.”

59. T’I THUASH ‘JERHAMUKALLAH’ ATIJ QË TESHTIN

Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, ne ishim ulur me Profetin tonë të nderuar. Në një çast i Dërguari i Allahut teshtiu dhe besimtarët thanë: “Jerhamukallah”, e Profeti ynë u tha atyre:

“Allahu ju ruajttë edhe ju të palëkundur në rrugën e drejtë, duke jua pastruar zemrat.”

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Një burrë teshtiu në praninë e Profetit tonë dhe pyeti:

“O Resulullah, çfarë të them?” I Dërguari i Allahut e mësoi:

“Thuaj ‘Elhamdulil’lah’!” Ata që ishin aty e pyetën:

“Po mirë, o i Dërguari i Allahut, po ne çfarë të themi për atë që teshtin?”

“Ju thoni ‘Zoti të mëshiroftë’.”, – u tha atyre Profeti ynë. Kësaj here, ai që pati teshtirë e pyeti:

“Po unë, si duhet t’u përgjigjem atyre?”

“Ti t’u thuash ‘Jehdijkumullah ue juslihu balekum’ (Allahu ju ruajttë të palëkundur në rrugën e drejtë, e u faltë përkryerje çdo punës suaj)!”, – e mësoi atë i Dërguari i Zotit (paqja e Zotit qoftë mbi të).”

60. VIZITAT E MYSLIMANËVE TE NJERËZIT E TYRE TË SËMURË

Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na pyeti:

“Kush nga ju po agjëron sot?”

“Unë.”, – tha Ebu Bekri (radijallahu anhu).

“Po kush nga ju ka shkuar për vizitë te ndonjë i sëmurë sot?”, – pyeti ai. Prapë ishte Ebu Bekri i nderuar (radijallahu anh) që tha ‘Unë’.

“Kush nga ju ka marrë pjesë në ndonjë varrim?”, vazhdoi të pyesë Profeti ynë i nderuar, dhe po Ebu Bekri (radijallahu anhu) i dha përgjigjen se kishte qenë ai. Atëherë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Nëse një njeri bën kaq shumë punë të mira brenda një dite, nuk ka dyshim se ai hyn në parajsë.”

Ebu Musai shkon për vizitë te Hasani (r.a.) që ishte sëmurë

Tregon Abdullah ibn Nafiu: “Hasani (radijallahu anhu) ishte i sëmurë, ndaj tek ai erdhi për vizitë Ebu Musai. Në atë kohë aty ishte edhe Aliu (radijallahu anhu), i cili tha:

-“Këtë ta dini mirë, myslimanin që shkon për vizitë te dikush që është i sëmurë e shoqërojnë shtatëdhjetëmijë engjëj. Engjëjt përreth tij i luten Zotit që ta falë atë që është i sëmurë. Nëse vizita bëhet në mëngjes, engjëjt vazhdojnë të luten deri në darkë. Për të ka një gostitje me fruta të mbledhura në kopshtet e parajsës. Nëse tek i sëmuri shkohet për vizitë në mbrëmje, atëherë engjëjt luten deri në agim për atë njeri.”

Fjalët e Selmanit (r.a.) për një të sëmurë në Kinde

Në atë që përcjell nga babai i tij, Abdurrahman bin Saidi (radijallahu anhu) tregon: “Unë isha bashkë me Selmanin. Ne shkuam bashkë me të për të vizituar një të sëmurë që banonte në lagjen e quajtur Kinde, e cila i përkiste Kufes. Kur shkoi tek ai njeri që ishte i sëmurë, Selmani i tha atij:

- “Lajme të mira për ty. Kur sëmuret një besimtar, Allahu e kthen sëmundjen e tij në një shkak për pastrimin e mëkateve të tij, ajo sëmundje e bën Atë të jetë i kënaqur me të. Por, nëse ai që është i sëmurë është një mohues, atëherë gjendja e tij është si ajo gjendja e devesë që të zotët i kanë lidhur këmbët dhe e kanë braktisur, por ai nuk e di as se pse e kanë lidhur, as se pse e braktisën.”

Si ishin vizitat e të Dërguarit të Allahut tek të sëmurët?

Tregon Abdullah bin Abasi (radijallahu anhu): “Kur Profeti

(sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkonte te ndonjë i sëmurë, ai i ulej atij te kryet dhe për shtatë herë me radhë thoshte lutjen: “I lutem Allahut, që është Zoti i Fronit të Madhërishëm, të të falë shërimin.” Nëse ai njeri i sëmurë kishte ende jetë për të jetuar, ai do të shërohej medoemos.

Tregon Aliu (radijallahu anhu): “Kur i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkonte pranë ndonjë njeriu që ishte i sëmurë, ai lutej me fjalët: “O Zot, o Zoti i njerëzve! Hiqja këtij njeriu çdo vuajtje e fali atij shërim. Vetëm Ti mund të shërosh, sepse nuk ka tjetër që të ketë në dorë shërimin.”

Aishja (radijallahu anha) tregon: “Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur shkonte për vizitë te ndokush që ishte i sëmurë, apo kur të sëmurin e binin tek ai, thoshte kështu: “O Zoti i njerëzve! Mos e lër të vuajë këtë njeri e jepi atij shërim. Ti je Ai që e fal shërimin, pasi veç shërimit që jep Ti nuk ka shërim tjetër. Asisoj që shërimi yt nuk lë asnjë sëmundje tjetër në trup.”

Kurse në transmetimin që i bën Ibni Sa’di këtij hadithi do të vërejmë edhe këto fjalë:

Tregon Aishja (radijallahu anha): “Në kohën që sëmundja që u bë shkak për ndarjen nga jeta të të Dërguarit Fisnik u rëndua, e kapa për dore dhe me dorën e tij nisa të ledhatoja trupin tim. Për një çast e tërhoqi dorën dhe nisi të lutej: “O Zot, falmë mua, e çomë mua te më i Lartësuari i Dashur për mua.” Fjalët e kësaj lutjeje ishin të fundmet fjalë që dëgjova nga goja e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).”

61. TË KËRKUARIT E LEJES DHE EDUKATA E TË TROKITURIT NË DERË

Historia e një burri që deshi të hynte tek i Dërguari i Allahut pa e përshëndetur më parë

Rib’i bin Hirashi tregon: “Dikush nga fisi i të bijve të Amirit më pati treguar njëherë këtë ngjarje: “Shkova në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut dhe pyeta:

“A mund të hyj?” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha shërbyeses që kishte në shtëpi:

“Dil te dera dhe thuaji atij njeriu të dalë jashtë dhe para se të kërkojë leje për të hyrë duhet të përshëndesë me selam njerëzit që janë aty, sepse ky njeri duket që nuk e ka edukatën e të kërkuarit leje për të hyrë diku.” Unë i dëgjova të gjitha fjalët që i tha shërbyeses dhe, ende pa dalë mirë ajo grua, unë thashë:

“Es’selamu alejkum, a mund të hyj?” Dhe i Dërguari i Allahut m’u përgjigj:

“Ue alejkum selam, hyr.”

I Dërguari i Allahut ia ndalon një prej sahabëve të tij që të trokasin në derë me kokën të kthyer nga dera

Tregon Sa’d bin Ubadeja: “Një ditë, isha kthyer me fytyrë nga dera dhe kërkova leje për të hyrë pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai më pa dhe më tha:

“Kurrë më mos trokit e mos kërko leje kështu, duke e mbajtur fytyrën të kthyer nga dera!” Ndërsa, në një tjetër transmetim thuhet se diçka të këtillë e ka thënë që ai që troket të mos shohë gjëra që nuk duhet t’i shohë brenda shtëpisë së dikujt tjetër.”

Një ndodhi mes Ebu Musa el-Esh’ariut dhe Omerit (r.a.)

Tregon Ebu Said el-Hudriu (radijallahu anhu): “Njëherë, unë isha ulur në një kuvend me burra të ensarëve dhe aty ia behu edhe Ebu Musa el-Esh’ariu (radijallahu anhu); dukej i trembur. Papritur nisi të flasë, duke thënë:

“I kërkova Omerit tri herë leje për të hyrë tek ai, por askush nuk m’u përgjigj, që të më lejonte të hyja, ndaj u ktheva pas. Pastaj Omeri më thirri dhe më tha:

“Pse u largove?”

“Unë kërkova tri herë leje dhe kur pashë që askush nuk m’u përgjigj, u ktheva të ikja, sepse Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë, që ‘Kur ndonjëri prej jush të kërkojë leje për të hyrë diku, ta kërkojë atë tri herë; nëse i jepet leje të hyjë, nëse nuk i jepet të largohet.”

“Për Zotin, ti tani duhet të më sjellësh mua një provë që e ke dëgjuar me të vërtetë këtë hadith. Në mesin tuaj, a ka ndonjë njeri që e ka dëgjuar këtë nga vetë Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të)?”, – pyeti Omeri (radijallahu anhu).

“Për një çështje të tillë nuk ka nevojë domosdoshmërish për dëshminë e të mëdhenjve, edhe dëshmia e atyre që janë më të vegjël është e mjaftueshme.”, – u hodh e foli Ubej bin Ka’bi.”

Ebu Said el-Hudri thotë se: “Më i vogli në dhomë isha unë. Shkova bashkë me Ebu Musain drejt e tek Omeri (radijallahu anhu). I thashë se hadithi për të cilin bëhej fjalë ishte i vërtetë, ashtu kishte thënë Profeti ynë. Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) tha:

“Domethënë ky urdhër i Resulullahut, që nëse nuk të jepet leje për tri herë me radhë, të mos hysh e të kthehesh mbrapa qenka kështu dhe pjesën e fundit unë nuk e paskam ditur. Dhe ashtu është, duke qenë se unë shkoja përherë nëpër tregje të ndryshme për të bërë tregti, kjo më ka penguar jashtëzakonisht shumë që të kaloja kohë me të Dërguarin e Allahut, e ta dëgjoja më me kujdes çdo fjalë që dilte nga

goja e tij.”

62. TA DUASH MYSLIMANIN PËR HIR TË ALLAHUT

Tregon Ebu Dherri (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi tek ne dhe na pyeti:

“A e dini ju se kush është puna më e dashur për Allahun e Madhërishëm?” Dikush u çua dhe tha:

“Namazi dhe zekati, o Resulullah.” Një tjetër u përgjigj:

“Lufta në rrugën e Allahut.” Ndërsa, në fund, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha se:

“Cilësia që do më së shumti Allahu është të duash për hir të Allahut dhe të përçmosh për hir të Allahut.”

Dashuria e të Dërguarit të Allahut për Aishen dhe Ebu Bekrin e nderuar

Amr bin Asi (radijallahu anh) tregon: “Profetin tonë e patën pyetur:

“O Resulullah, kush është njeriu më i dashur për ju?” Dhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u përgjigj duke thënë:

“Aishja.”

“Po nga meshkujt?”, – e pyetën. Ai tha:

“Është Ebu Bekri.” I thanë:

“Po pas tij, kush vjen?” Ai u përgjigj:

“Ebu Ubejde bin Xherrahu!”

Kush e do dikë t’ia bëjë atij të ditur që e do

Tregon Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Unë isha ulur pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Aty ia behu një burrë, i cili na dha selam; pastaj u largua, iku. Unë thashë:

“Unë e dua këtë njeri o Resulullah.” I Dërguari i Allahut më pyeti: - “A i the ti atij që e doje?”

“Jo, nuk ia thashë!”, – thashë unë.

“Atëherë bëja atij të ditur që e do.”, – më tha i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të.) Dhe unë dola menjëherë, që ta kërkoja atë njeri, derisa e arrita. I dhashë selam dhe ia vura dorën mbi sup dhe i thashë:

“Uallahi, unë të dua ty për hir të Allahut.”

“Edhe unë të dua ty për hir të Allahut.”, – m’u përgjigj ai mua dhe unë ia ktheva:

“Uallahi, më urdhëroi i Dërguari i Allahut që të vija e të ta thosha hapur këtë gjë, përndryshe nuk do të kisha ardhur deri këtu, për të të prerë rrugën.”

Muxhahidi thotë se: “Ibni Omeri më ka thënë mua:

“Njerëzit t’i duash për hir të Allahut dhe t’i urresh po për hir të Allahut. Bëhu mik për hir të Allahut dhe po për hir të Allahut të bëhesh armik me dikë. Kjo është rruga e vetme, nëse do që të bëhesh një nga miqtë e Allahut. Një njeri atëherë e kupton shijen e vërtetë të besimit, sa më shumë që të falë namaz dhe sa më shumë që të agjërojë. Vëllazëria e tij me njerëzit nuk mund t’i kapërcejë kufijtë e jetës së kësaj bote.”

63. MËRZITJA DHE HIDHËRIMI I MYSLIMANËVE ME NJËRI-TJETRIN

Hidhërimi i Aishes (r.a.) me Ibnu’z-Zubejrin

Tregon Urue bin Zubejri: “Pas Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe babait të saj, Ebu Bekrit (radijallahu anhu), njeriu që donte më së shumti Aishja (radijallahu anha) ishte nipi i saj, Abdullah bin Zubejri. Edhe Abdullahu tregonte një respekt të jashtëzakonshëm për Aishen (radijallahu anha). Aishja (radijallahu anha) ishte shumë bujare. Çfarë t’i falte Allahu i Madhërishëm ajo e jepte si lëmoshë për të tjerët, nuk mbante asgjë për veten e saj. Andaj, një ditë, nipi i saj, Abdullahu tha për të:

“Asaj duhet t’ia lidhësh duart.” - E, Aishja (radijallahu anha), kur i dëgjoi ato fjalë, se ç’kishte thënë i nipi, tha e habitur:

“Cilat, duart e mia u dashkan lidhur? Po i fola më këtej e tutje atij njeriu, premtimi im!”, – dhe dha fjalën që nuk do t’i fliste, e ashtu bëri vërtet, filloi të mos i fliste më me gojë.

Edhe pse Ibnu’z-Zubejri dërgoi te tezja e tij, Aishja (radijallahu anhu), shumë nga paria e kurejshëve, veçanërisht nga fisi i të bijve të Zuhres, që ishin edhe dajat e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që t’i luteshin e ajo ta falte, ajo nuk pranoi të pajtoheshin. Derisa, në fund, Abdurrahman bin Esuedi dhe Misuer bin Mahremeja nga fisi i bijve të Zuhres, nga dajët e Resulullahut, i thanë Abdullahut:

“Kur ne të kërkojmë leje për të hyrë brenda, ti kalo menjëherë pas perdes dhe hidhju tezes në qafë dhe përqafoje.” Dhe ai kështu bëri. Më vonë ai i nisi tezes së tij edhe dhjetë skllevër. Aishja (radijallahu anha) i liroi ata të dhjetë. Numri i skllevërve të liruar, që ajo të prishte premtimin e saj, shkoi në dyzet. Në lidhje me këtë, Aishja (radijallahu anha) tha:

“Kur u betova, do të dëshiroja sikur të isha betuar të bëja ndonjë punë të caktuar dhe ta bëja atë punë e të shpëtoja nga barra e shlyerjes

së atij betimi!”

64. ZGJIDHJA E KONFLIKTEVE MES NJERËZVE DHE PAJTIMI I TYRE

I Dërguari Fisnik pajton popullin e Kubasë

Tregon Sehl bin Sa’di (radijallahu anhu): “Një ditë, populli i Kubasë kishin pasur një sherr mes veti dhe patën qëlluar kundër njëri-tjetrit me gurë. Kur Resulullahu mori vesh se çfarë kishte ndodhur, u tha sahabëve të tij:

“Ejani të shkojmë atje dhe t’i pajtojmë ata njerëz.”

I Dërguari i Allahut pajton fiset e Eusit dhe Hazrexhit

E tregon Enes bin Maliku (radijallahu anhu): “Në kohën e injorancës, mes dy fiseve të ensarëve, Eusëve dhe Hazrexhëve, kishte një armiqësi që nuk njihte të reshtur. Kur erdhi në Medinë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ajo armiqësi mori fund; Allahu ua ngrohu atyre zemrën karshi njëri-tjetrit. Një ditë, teksa myslimanët ensarë ishin ulur e po kuvendonin me shoku shokun, dikush nga fisi i Eusëve filloi të këndonte një poezi që shante fisin e Hazrexhit. Atëherë u çua edhe dikush nga fisi i Hazrexhit dhe këndoi një poezi që fliste keq për fisin e Eusit. Filluan të hidhnin e të pritnin poezi kundër njëri-tjetrit, derisa u arrit pika e vlimit dhe ata nisën të kacafyten. Morën armët dhe u shkaktua një zënkë shumë e madhe. Këtë e mori vesh edhe i Dërguari Fisnik. Në atë kohë, të Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) iu zbrit nga qiejt shpallja hyjnore. Resulullahu vrapoi për te njerëzit dhe teksa vraponte iu zbuluan këmbët e tij. Me t’i parë, ai u këndoi atyre këtë ajetet kur’anore: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun, ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë! Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në sajë të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” (Al ‘Imran, 3/102-103)

Një të dëgjuar qortimin e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), palët lëshuan armët dhe u përqafuan me njëri-tjetrin duke qarë.”

65. SHMANGIA NGA TË MENDUARIT KEQ PËR TË TJERËT

Një rrëfim

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Në kohën e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), një burrë po kalonte pranë një grupi njerëzish dhe u dha selam atyre. Ata që ishin atje ia kthyen selamin dhe kur ai burrë u largua, njëri syresh tha:

“Unë e urrej atë njeri!” Shokët ia pritën duke i thënë:

“Hesht! Uallahi do t’i themi që ti mendon kështu për të!” Madje, njëri prej tyre i tha:

“Po ti shko e thuaja vetë në sy atij njeriu, që nuk e do.” Ai njeri, për të cilin kishin folur, me të mësuar se ç’kishin thënë për të, shkoi drejt e te Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe i tregoi, që ata njerëz kishin menduar keq për të, duke i shtuar:

“O Resulullah! Po deshe, dërgoi atij njeriu fjalë, ta pyesësh njëherë, pse më urren ai mua?” Kur erdhi ai që urrente, Resulullahu e pyeti:

“Pse nuk e do ti këtë njeri?” Ai burrë u përgjigj:

“O Resulullah! Unë jam fqinji i tij, e di çdo gjë për të; unë nuk e kam parë kurrë që të falë ndonjë namaz përveç pesë kohëve të namazit që falin të gjithë!” Personi që kishte ardhur të ankohej e pyeti të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“Pyeteni njëherë, o Resulullah: vallë kam ndonjë të metë në abdesin tim kur e fal namazin? A e kam lënë ndonjëherë namazin për më vonë?” Ai burrë tha:

“Jo, o Resulullah.” Mandej, ai tha përsëri:

“O Resulullah, unë jam fqinji i tij; e njoh atë shumë mirë. Përveç zekatit që japin të gjithë, të mirë a të këqij, unë nuk e kam parë atë kurrë që të ngopë barkun e një njeriu në nevojë!” Aty ndërhyri menjëherë tjetri:

“O i Dërguari i Allahut, pyeteni atë: “A e ka parë ndonjëri që unë të kem përzënë ndokënd që ka qenë në nevojë për zekatin tim?”, – dhe Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) e pyeti.

“Jo!”, – u përgjigj ai. Fjalën e mori sërish personi për të cilin kishte folur keq:

“O i Dërguari i Allahut! Unë jam fqinji i tij dhe e njoh mjaft mirë; ai nuk agjëron asnjë ditë më shumë se ditëve të detyruara të muajit Ramazan, unë nuk e kam parë kurrë!” Atëherë tjetri ia pati:

“O Resulullah, pyete njëherë këtë njeri, përveç rasteve kur kam qenë në udhëtim, a më ka parë ndonjëherë duke ngrënë gjatë muajit të Ramazanit?” Dhe Profeti ynë e pyeti.

“Jo, nuk e kam parë.”, – u përgjigj tjetri. Pasi i dëgjoi mirë, i Dërguari Fisnik u kthye nga ai që kishte folur keq për tjetrin dhe i tha:

“Nuk e di, por më duket se njeriu, për të cilin ti ke folur keq, është më i mirë se ti.”

66. LAVDËRIMET E PRANUARA DHE JO TË PRANUARA PËR MYSLIMANËT

Tregon Ebu Bekreh (radijallahu anhu): “Një njeri kishte lavdëruar dikë tjetër në sytë e të Dërguarit të Allahut. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i pati thënë atij njeriu:

“Ki kujdes, ti i këpute qafën shokut tënd!”, – duke vazhduar të thotë, – “Cilitdo që i duhet të lavdërojë, me doemos, njërin prej vëllezërve të tij në fe, le të thotë për të: ‘Mua më duket se filan person është...’, sepse vetëm Allahu e njeh se çfarë fsheh brenda vetes çdo njeri. Askush nuk mund të shfajësohet, apo të nxirret i larë para Allahut nga të metat e tij. Edhe nëse ju besoni vërtet se personi i lavdëruar është vërtet i atillë, siç ju e pandehni, thoni: ‘Më duket se filan person është kështu apo ashtu...’”

Tregon Nafiu: “Dikush iu drejtua Ibni Omerit (radijallahu anhu) me fjalët:

“O i biri i atij njeriu, që ishte njeriu më i virtytshëm!” Ibni Omeri e dëgjoi dhe i tha:

“Unë nuk jam as njeriu më i mirë, as i biri i njeriut më të mbarë. Unë nuk jam veçse një rob i dobët i Allahut të Madhërishëm. Unë jam në kërkim të pëlqimit dhe kënaqësisë së Tij, pasi më shqetëson pa masë ndëshkimi i ashpër i Tij. Për Zotin, kështu si bëni ju, edhe pak edhe e largoni njeriun nga feja. Nëse ju çoheni dhe i thoni dikujt: ‘Ti je kaq i mirë, aq i mirë...’, - ta dini, se nuk jeni duke i bërë atij asnjë të mirë, por jeni duke e shkatërruar atë.”

Nëse dikush e mburrte, Mikdadi (r.a.) merrte një grusht dhè dhe e qëllonte

Tregon Heman bin Harithi: “Një burrë e mburri Osmanin

(radijallahu anhu) në sytë e tij, kur Mikdadi (radijallahu anhu) ra në gjunjë dhe filloi t’i hidhte dhe në fytyrë atij personi. Osmani (radijallahu anhu) reagoi menjëherë:

“Çfarë bën kështu?”, – i tha. Mikdadi (radijallahu anhu) iu përgjigj:

“Profeti ynë i Nderuar dhe Fisnik ka thënë: ‘Kur të shihni ndokënd që mburr e lavdëron, merrni një grusht dhè dhe hidhjani në fytyrë.’”

67. PRERJA E MARRËDHËNIEVE ME NJERËZ TË FAMILJES DHE TË AFËRM

Çfarë i thotë Profeti ynë dikujt që i ankohet se të afërmit e tij nuk sillen aspak mirë me të

Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) se: “Një burrë erdhi te Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:

“O Resulullah, unë kam ca të afërm; u shkoj atyre për vizitë, por ata nuk vijnë asnjëherë tek unë! Unë u bëj mirë, kurse ata përpiqen si e si të më bëjnë keq! Unë sillem ndaj tyre me butësi, kurse ata sillen duke shfaqur një mungesë të theksuar respekti ndaj meje.” I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Nëse ti je vërtet ashtu siç më thua, ti ke bërë atë që të takon të bësh. Madje, për sa kohë që ti vazhdon të sillesh kështu, ndihmesa e Allahut do të jetë gjithmonë me ty kundër çdo të keqeje që mund të të vijë prej tyre.”

Paralajmërimi i Ebu Hurejres për ata që nuk i ruajnë lidhjet e tyre me njerëzit e familjes

Këtë e përcjell Ebu Ejub Sulejmani: “Ishte nata e së premtes, kur, në mëngjes, te ne erdhi Ebu Hurejreja dhe na tha:

“Ja ku po i paralajmëroj të gjithë ata që nuk u shkojnë të afërmve të tyre për vizitë. Nëse ka ndonjë në mesin tonë, që nuk u shkon të afërmve për vizitë, të largohet, të mos qëndrojë më në mesin tonë.”

Ebu Hurejreja i përsëriti fjalët e tij plot tri herë, kur pa që nuk u ngrit asnjëri në këmbë, për t’u larguar. Një djalosh tregoi se kishte pothuajse dy vjet që nuk kishte shkuar për vizitë te halla e tij, ndaj shkoi menjëherë për te halla e tij. Kur mbërriti atje ku banonte halla, ajo e priti me fjalët:

“Çfarë të solli deri këtu, o nipi im?” Djaloshi i ri iu përgjigj:

“Me të dëgjuar Ebu Hurejren, i cili na tha kështu-kështu, erdha drejt e këtu.” Halla i tha:

“Shko tek ai njeri dhe pyete, se pse jua ka thënë ato fjalë.” Djaloshi erdhi tek Ebu Hurejreja dhe i tregoi se si qëndronte puna, Ebu Hurejreja i dha atij këtë përgjigje:

“Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, i cili ka thënë:

“Të gjitha punët e bijve të Ademit i tregohen Allahut të Madhërishëm çdo natë të së premtes. Nëse ndonjëri prej jush nuk i ruan marrëdhëniet me familjarët e vet, Allahu nuk pranon asnjë nga punët e mira të atij njeriu.”

Gjatë lutjes, Ibni Mesudi kërkon të dalin jashtë të gjithë ata që presin lidhjen me familjen

Tregon A’meshi: “Pas namazit të sabahut, Ibni Mesudi e kishte kthyer në zakon që dilte dhe u fliste njerëzve për ndonjë çështje të caktuar, kur, një ditë, u tha atyre:

“Për hir të Allahut, nëse ka ndonjë nga ju, që nuk i ruan lidhjet me familjarët e të afërmit e tij, të largohet, të dalë jashtë. Ne sa jemi këtu duam t’i lutemi Zotit, sepse, ju e dini, portat e qiejve janë të mbyllura për ata që i shkëpusin lidhjet me familjarët dhe të afërmit e tyre, e lutjet e tyre nuk janë të pranuara!”

Shënimet

  1. 119.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/101.
  2. 120.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/158.
  3. 121.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/527 (15759).
  4. 122.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/290.
  5. 123.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/694 (29976).
  6. 124.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/307.
  7. 125.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/368.
  8. 126.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 4/240.
  9. 127.. Bejheki, Sunen, 6/119 (11429).
  10. 128.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/414 (37160).
  11. 129.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/461 (37282).
  12. 130.. Ibn Maxhe, Sunen, 1/497 (1559).
  13. 131.. Ibn Haxher, el-Isabe, 7/238.
  14. 132.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/298.
  15. 133.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/30.
  16. 134.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/257.
  17. 135.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/652 (37727).
  18. 136.. Kadi Ijad, Shifa, 2/33.
  19. 137.. El-Hakim, Mustedrek, 4/443 (8214).
  20. 138.. Kadi Ijad, Shifa, 2/33.
  21. 139.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/220 (44293).
  22. 140.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/749 (4959).
  23. 141.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 4/119 (3855).
  24. 142.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/210 (1790).
  25. 143.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/254.
  26. 144.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 7/280 (7499).
  27. 145.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/27.
  28. 146.. Ahmed bin Hanbel, Musned ,3/91 (11881).
  29. 147.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 2/312.
  30. 148.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 3/103 (4036).
  31. 149.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/24.
  32. 150.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 2/61.
  33. 151.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/612 (14266).
  34. 152.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/70.
  35. 153.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 2/84.
  36. 154.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/121.
  37. 155.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/401 (37136).
  38. 156.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 7/395 (18760).
  39. 157.. Bejheki, Sunen, 7/93 (13314).
  40. 158.. Buhari, Sahih, 4/1619 (4193).
  41. 159.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 2/325.
  42. 160.. Bejheki, Sunen, 9/58 (17768).
  43. 161.. Buhari, Sahih, 1/321 (904); Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/117.
  44. 162.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/329.
  45. 163.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/419 (37172).
  46. 164.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/433.
  47. 165.. Ebu Daud, Sunen, 2/781 (5237).
  48. 166.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/179 (17659).
  49. 167.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/179 (17659).
  50. 168.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/1115 (17620).
  51. 169.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/798 (45619).
  52. 170.. Ebu Daud, Sunen, 2/761 (5157).
  53. 171.. Buhari, Sahih, 5/2248 (5703).
  54. 172.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 15/752 (41860).
  55. 173.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/284.
  56. 174.. Buhari, Sahih, 3/1322 (3417).
  57. 175.. El-Hakim, Mustedrek, 3/261 (5036).
  58. 176.. Buhari, Sahih, 5/2201 (5523).
  59. 177.. Buhari, Sahih, 5/2203 (5530).
  60. 178.. Buhari, Sahih, 5/2203 (5529).
  61. 179.. Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 7/386 (36852).
  62. 180.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/676 (4751).
  63. 181.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/48.
  64. 182.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/4.
  65. 183.. Buhari, Sahih, 2/582.
  66. 184.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/372 (3528).
  67. 185.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 2/32 (4870).
  68. 186.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/310.
  69. 187.. El-Hakim, Mustedrek, 3/647 (6376).
  70. 188.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/407 (22747).
  71. 189.. Taberani, Mu’xhemu’s-Sagir, 1/348 (580).
  72. 190.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/736 (16383).
  73. 191.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/747 (16429).
  74. 192.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/50 (16689).
  75. 193.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/71 (11691).
  76. 194.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/53 (16697).
  77. 195.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/130 (12349).
  78. 196.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/441 (4210).
  79. 197.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/200 (21793).
  80. 198.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 15/234 (40451).
  81. 199.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/66 (10943).
  82. 200.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 15/235 (40454).
  83. 201.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/313.
  84. 202.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/351.
  85. 203.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/351.
  86. 204.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/348.
  87. 205.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/509 (1458).
  88. 206.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/181.
  89. 207.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/1641 (4243).
  90. 208.. Buhari, Sahih, 4/1641 (4243).
  91. 209.. Bejheki, Sunen, 8/192 (16585).
  92. 210.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/293.
  93. 211.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 8/19.
  94. 212.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/587 (12326).
  95. 213.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/587 (12327).
  96. 214.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/20.
  97. 215.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/385 (10526).
  98. 216.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/386 (10529).
  99. 217.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/62.
  100. 218.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/249 (36800).
  101. 219.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/346.
  102. 220.. Buhari, Sahih, 6/2489 (6398).
  103. 221.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/139 (13009).
  104. 222.. Tirmidhi, Sunen, 5/320 (3165).
  105. 223.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/346 (13698).
  106. 224.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/460 (4197).
  107. 225.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/94.
  108. 226.. Ebu Daud, Sunen, 2/553 (4428).
  109. 227.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 7/127.
  110. 228.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/348; Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 2/313.
  111. 229.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 1/145 (458).
  112. 230.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1364 (8824).
  113. 231.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1365 (8827).
  114. 232.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1229 (8485).
  115. 233.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1229 (8485).
  116. 234.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1277 (8608).
  117. 235.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/284.
  118. 236.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/397 (10567).
  119. 237.. Abdu’rr-Rrezzak, Musannef, 7/313 (13318).
  120. 238.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/125.
  121. 239.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 4/205.
  122. 240.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/150 (13048).
  123. 241.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/334; Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/332.
  124. 242.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/38 (12631).
  125. 243.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 4/191.
  126. 244.. Bejheki, Sunen, 10/236 (20884).
  127. 245.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 8/27.
  128. 246.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/899 (17049).
  129. 247.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/628 (4649).
  130. 248.. Mundhiri, et-Tergib, 2/96 (1650).
  131. 249.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/316 (13590).
  132. 250.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/318 (13595).
  133. 251.. El-Hakim, Mustedrek, 3/692 (6542).
  134. 252.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/35 (12619).
  135. 253.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/487 (37352).
  136. 254.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/359.
  137. 255.. Tirmidhi, Sunen, 5/633 (3713).
  138. 256.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/370 (37061).
  139. 257.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/426.
  140. 258.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/519 (37440).
  141. 259.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/235.
  142. 260.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/362.
  143. 261.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/362.
  144. 262.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/234. 148. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/274.
  145. 263.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/374.
  146. 264.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/146.
  147. 265.. Ebu Ja’la, Musned, 5/431 (3132).
  148. 266.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/254 (13394).
  149. 267.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 5/582 (9650).
  150. 268.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/284 (13481).
  151. 269.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/279 (15033).
  152. 270.. Hejthemi, Mexhmau’z-Zeuadi, 9/279 (15034).
  153. 271.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 2/228 (7121).
  154. 272.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 2/231.
  155. 273.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 9/92 (24897).
  156. 274.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 9/104 (24933).
  157. 275.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 9/332 (25582).
  158. 276.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1237 (8503).
  159. 277.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 6/112.
  160. 278.. Taberani, Muxhemu’l-Kebir, 6/246 (6114).
  161. 279.. Ebu Nu’ajm, Mu’xhemu’l-Kebir, 2/176 (1721).
  162. 280.. Taberani, Muxhemu’l-Kebir, 2/176 (1721).
  163. 281.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/76 (12768).
  164. 282.. Ibn Maxhe, Sunen, 2/1220 (3702).
  165. 283.. Tirmidhi, Sunen, 5/76 (2732).
  166. 284.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 1/37 (97).
  167. 285.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/34.
  168. 286.. Taberani, Muxhemu’l-Eusat, 1/205 (657).
  169. 287.. Buhari, Edeb, 1/339 (975).
  170. 288.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/737 (35625).
  171. 289.. Ibn Hibban, Sahih, 15/403 (6953).
  172. 290.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/81 (12786).
  173. 291.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 9/399 (25767).
  174. 292.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 9/395 (25756).
  175. 293.. Buhari, Edebu’l-Mufred, 1/395 (1154).
  176. 294.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/293 (13509).
  177. 295.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/295 (13517).
  178. 296.. Muslim, Sahih, 4/1979 (2552).
  179. 297.. Ebu Daud, Sunen, 2/758 (5142).
  180. 298.. Buhari, Edebu’l-Mufred, 1/317 (922).
  181. 299.. Buhari, Edebu’l-Mufred, 1/208 (593).
  182. 300.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 12/411 (13516).
  183. 301.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/79 (24540).
  184. 302.. Muslim, Sahih, 2/713 (1028).
  185. 303.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/121 (976).
  186. 304.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/206.
  187. 305.. Ibn Hibbani, Sahih, 7/243 (2978).
  188. 306.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 9/372 (25694).
  189. 307.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 3/24 (3780).
  190. 308.. Ibn Sa’d, Tabakat, 2/14.
  191. 309.. Buhari, Edebu’l-Mufred, 1/372 (1084).
  192. 310.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/87 (12808).
  193. 311.. Buhari, Sahih, 5/2305 (5891).
  194. 312.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 1/268 (307).
  195. 313.. El-Hakim, Mustedrek, 4/13 (6740).
  196. 314.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/501 (18035).
  197. 315.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/486 (17986).
  198. 316.. Buhari, Sahih, 5/2255 (5725).
  199. 317.. Buhari, Sahih, 2/958 (2547).
  200. 318.. Taberani, Mu’xhemu’l-Sagir, 1/359 (602); Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/153 (13054).
  201. 319.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/18 (1601).
  202. 320.. Buhari, Sahih, 2/946 (2519).
  203. 321.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/307.
  204. 322.. Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 5/297 (26260).
  205. 323.. Muslim, Sahih, 4/1982 (2558).
  206. 324.. Buhari, Edebu’l-Mufred, 1/35 (61).
  207. 325.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 9/158 (8793).