JETA E SAHABËVE 2
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
NDIHMESAT E MREKULLISHME NDAJ RESULULLAHUT DHE SAHABËVE TË TIJ
1. NDIHMESA NGA ENGJËJT
Na e tregon Ibni Abasi (radijallahu anhu): “Në luftën e Bedrit, engjëjt ishin në shëmbëlltyrën e njerëzve, të veshur të gjithë me çallma të bardha. Kurse cepi i saj u varej mbi shpinë. Ndërsa engjëjt që u erdhën myslimanëve në ndihmë gjatë luftës së Hunejnit çallmat i kishin në ngjyrë jeshile. Engjëjt e zbritur në ndihmë të myslimanëve janë përleshur me armikun vetëm gjatë luftës së Bedrit. Në luftërat e tjera ata kanë shërbyer vetëm sa për t’i shfaqur myslimanët shumë herë më të shumtë në numër, duke u kallur frikë në zemra armiqve; por vetë nuk kanë luftuar.”
Xhubejr bin Mut’imi (radijallahu anhu) tregon: “Gjatë luftës së Hunejnit, myslimanët luftuan shumë dhe ne ishim pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Kur ç’të shoh, nga qielli po zbrisnin krijesa të veshura krejtësisht në të zeza. Ato krijesa që po zbriteshin nga qielli qëndruan mes nesh dhe armikut. Kaloi një kohë jo e gjatë, kur e tërë lugina u mbush plot e përplot me ta. Pak kohë ishte dhe idhujtarët pësuan disfatë. Kurrë nuk e vumë në dyshim se ato krijesa ishin engjëj.”
Abdullah bin Fadli (radijallahu anhu): “Në luftën e Uhudit, i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) flamurin ia pati dhënë që ta valëviste Mus’ab bin Umejri (radijallahu anhu). Me të rënë dëshmor Mus’abi, flamurin e pati marrë në dorë një engjëll i Zotit, i cili ngjante njësh me Mus’abin. Ai engjëll luftoi deri në mbrëmje, derisa i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i foli:
“Eja tani, o Mus’ab.” Ai u përgjigj:
“Unë nuk jam Mus’abi.” I Dërguari Fisnik e kuptoi menjëherë se ai ishte një engjëll i dërguar enkas për t’i ardhur atij në ndihmë.”
Beraja (radijallahu anhu) dhe disa sahabë të tjerë na thonë se: “Një nga ensarët, kishte zënë rob Abasin (radijallahu anhu) dhe e pati sjellë mu përpara të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Abasi tha:
“O Resulullah! Për Zotin, mua nuk më zuri rob ky njeri. Ishte një tjetër, me flokët të krehura anësh, me këto e ato cilësi.” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) atëherë tha:
“Domethënë ty të paska ardhur në ndihmë një engjëll i fisëm.”
Tregon Ibni Abasi (radijallahu anhu): “Ishte një mysliman, që gjatë luftës po vraponte aq shumë pas një idhujtari, për ta kapur, e nuk po e kapte dot. Përnjëherësh u dëgjua një zë kërbaçi dhe një zë që thirri:
“Hajzum, eja!” Kur ç’të shihte, ai idhujtar që ishte duke ndjekur ishte i shtrirë përtokë, me hundën të thyer dhe i mbuluar nga gjaku. Idhujtari ishte bërë i tëri mavi! Ai sahab nga ensarët, që ishte dëshmitar i kësaj ndodhie erdhi me një frymë te Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tregoi një për një gjithë ç’i kishin parë sytë. I Dërguari i Allahut i tha atij:
“Ke të drejtë, ai ishte një engjëll i zbritur nga tri kate qiej, enkas për të të
ardhur ty në ndihmë. Atë ditë ata vranë plot shtatëdhjetë idhujtarë; shtatëdhjetë të tjerë u zunë robër.”
Ebu Umame bin Sehli (radijallahu anhu) na ka përcjellë nga i ati, se ai i ka thënë: “O bir, ti të kishe parë Bedrin! Ishte njëri prej nesh, që, me të treguar kokën ndonjë nga idhujtarët, ende pa u afruar shpata jonë te koka e atij, shihnim që ajo kokë ishte ndarë sakaq nga trupi.”
2.XHIBRILI (a.s.) U TREGON VENDIN ATYRE QË TALLEN ME TË DËRGUARIN E ALLAHUT
Tregon Ibni Abasi (radijallahu anhu): “Në Mekë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po kalonte ndanë një grupi njerëzish. Ata bënë me shenjë nga Profeti ynë dhe filluan të thonë:
“E shikoni atë njeri, thotë se është profet dhe se Xhibrili nuk i ndahet për asnjë çast!”, – përpiqeshin të talleshin duke bërë me sy e me duar. Mu në atë kohë, Xhibrili (alejhis’selam) ua bëri atyre me shenjë dhe në trupin e tyre u krijuan plagë në madhësinë e thoit. Idhujtarët u trembën tmerrësisht shumë nga ato plagë që iu hapën në trup dhe askush nuk u afrohej. Për këtë ndodhi, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “ata me siguri që do të thoshin: ‘Sytë tanë kanë qenë të shushatur, madje na kanë magjepsur!’” (Hixhr, 15/15)
3.SAHABËT ARRIJNË TË SHOHIN ENGJËJT
Aishja (radijallahu anha) tregon: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dëgjoi një zë njeriu. Lëvizi menjëherë vendit dhe doli jashtë për të parë se kush ishte. Atë e ndoqa edhe unë nga pas. Pashë se ai ishte Dihjetu’l-Kelbiu, të cilin e kisha njohur edhe më parë! E kishte vendosur çallmën që i varej pas qafës. Kur i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u fut brenda, unë i thashë:
“Dole ashtu, përnjëherësh. Pas teje dola edhe unë dhe e pashë, ishte Dihjetu’l-Kelbiu.
“A e pe ti atë?!”, – më pyeti ai.
“Po, e pashë!”, – iu përgjigja unë. Atëherë ai më tha:
“Ai ishte Xhibrili (alejhis’selam). Erdhi të më urdhërojë që t’u tregoj vendin bijve të Kurejdhas.”
Xhibrilin (a.s.) e sheh edhe Ibni Abasi
Këtë e tregon vetë ibni Abasi (radijallahu anhu): “Isha bashkë me babanë tek i Dërguari i Allahut. Tek i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte edhe një burrë tjetër, i cili i fliste atij në vesh duke pëshpëritur. Dukej sikur donte ta fshihte fytyrën e të mos ia shihte babai. Pasi dolëm nga i Dërguari i Allahut, i thashë babait:
“Babai im i dashur, tek i Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) ishte një burrë që i fliste fshehtazi në vesh.” Sakaq, u kthyem prapë tek i Dërguari i Allahut dhe babai i tha:
“O Resulullah, unë i thashë kështu e kështu Abdullahut, ndërsa ai më tha se në prezencën tënde ishte dikush tjetër. Vërtet, a kishte njeri që po të fliste në vesh duke pëshpëritur kur ishim këtu?” I Dërguari i Allahut më pyeti mua:
“E pe ti atë o Abdullah?”
“Po,”, – u përgjigja unë, – “e pashë.” Në fund, Ai më tha mua:
“Ai burrë që më pengoi mua të flisja lirshëm me ty ishte Xhibrili (alejhis’selam).”
Engjëjt përshëndetin dhe shtrëngojnë duart me sahabët
Tregon Mutarrif bin Abdullahu (radijallahu anhu): “Imran bin Husajni më tha mua:
“Mutarrif! Mua m’u shfaqën engjëjt fare pranë, ishin afër shtëpisë sime, në portën e Hixhrit në Qabe, dhe po më përshëndesnin. Por, që kur vura atë vulën në trup, ata nuk vijnë më që prej asaj dite.” Pak më vonë, kur Imranit iu shërua plaga, ai më tha mua:
“Mutarrif! Mua më erdhën prapë shokët e mi. Vetëm, por, derisa të vdes, mos i fol kurrë askujt për këto që të kam thënë.”
Sahabët flasin me engjëjt
E tregon Selm bin Atijeja: “Selman Farisiu (radijallahu anhu) pati shkuar për vizitë te një burrë, i cili ishte në prag të vdekjes. Ai tha:
“O engjëll, sillu mirë me të.” Atëherë, burri që ishte duke pritur çastin e fundit, atë të ardhjes së vdekjes, ashtu siç ishte, i shtrirë, iu përgjigj me këto fjalë:
“Engjëlli po më thotë se: ‘Unë mirë sillem me të gjithë besimtarët.’”
4.ZBRITJA E ENGJËJVE PËR SAHABËT QË LEXONIN KUR’AN
Ebu Said el-Hudriu (radijallahu anhu) tregon: “Usejd bin Hudejri (radijallahu anhu) netët i kalonte duke lexuar Kur’an. Kur, në një çast, kali i tij nisi të hingëllinte. Ai nuk e prishi qetësinë, por vazhdoi të lexonte. Kali i ngriti sërish këmbët e përparme dhe u tremb. Ai po prapë vazhdoi leximin. Usejdi, kësaj here i shqetësuar se mos kali shtypte Jahjanë, prandaj shkoi pranë tij. Në atë kohë mbi kryet e tij pa diçka si një re të bardhë. Brenda saj shfaqej një dritë si ajo e kandilit. Hudajri e tregon kështu vazhdimin:
“Reja u ngrit në qiell dhe unë nuk e shihja dot më. Në mëngjes, atë që më kishte ndodhur shkova dhe ia tregova një për një të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). I thashë:
“O Resulallah! Natën, unë isha duke lexuar Kur’an. Dëgjova kalin që u tremb dhe po lëvizte e nuk po gjente qetësi.
“Po të kishe vazhduar leximin, o Hudajr.”, – iu përgjigj atij i Dërguari Fisnik.
“Ashtu bëra, vazhdova të lexoja, por ai u sikletos sërish dhe u ngrit me dy këmbët e parme dhe hingëllinte.”, – thashë unë. Ai m’u përgjigj po njësoj:
“Të kishe vazhduar së lexuari.”
“Kali u largua nga unë dhe andej nga shkoi kali ishte edhe Jahjaja. Kisha frikë se mos e shkelte. Kur shkova atje, ç’të shihja, ishte një si re e bardhë që i bënte hije. Ajo re u ngrit drejt qiellit dhe nuk e dallova dot më tej se ç’u bë me të.”, – shtova unë.
I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Ajo që ke parë dhe ke dëgjuar ti kanë qenë engjëjt. Po të kishe vazhduar me leximin e Kur’anit, njerëzit do t’i kishin parë ata me sy të lirë dhe ata nuk do të kishin mundësi që të fshiheshin.”
5.ENGJËJT LAJNË HANDHALEN E RËNË DËSHMOR
E tregon Mahmud bin Lebidi (radijallahu anhu): “Handhala bin Amiri (radijallahu anhu), i vëllai i Amr bin Aufit, gjatë luftës së Uhudit, qe përballur me Ebu Sufjanin dhe e pati mundur. Ishte gati duke e vrarë atë, por në ndihmë të Ebu Sufjanit pati ardhur Shedad bin Esued, që e pati vrarë Handhalen dhe kësisoj Handhala ra dëshmor në rrugën e Allahut. Për Handhalen i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Shokun tuaj po e lajnë engjëjt. Pyetni familjen dhe përpiquni të mësoni më shumë rreth gjendjes së tij.” E shoqja tha:
“Handhala duhej të merrte gusul, por një të dëgjuar thirrjen e tellallit për në luftë, nuk priti, doli menjëherë.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi Të) tha:
“Prandaj, kjo paska qenë arsyeja që për të larë Handhalen zbritën engjëjt.”
6.NË XHENAZENË E SA’D BIN MUADHIT MARRIN PJESË EDHE ENGJËJT
Tregon Seleme bin Eslemi: “Një të parë të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), dola menjëherë te pragu i derës për ta pritur. Profeti ynë Fisnik hyri në shtëpi, por aty nuk dukej askush tjetër përveç Sa’dit, i cili ishte i mbuluar. Megjithatë ai vazhdonte të hidhte hapat e tij; dukej sikur ish duke kërkuar për një vend se ku të ulej. Kur e pashë, u ndala. Ma bëri me dorë, si për të më thënë: - “Ndal!” U ndala dhe i ndalova edhe ata që po vinin pas meje. Profeti ynë Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ndenji për njëfarë kohe i ulur, pastaj doli jashtë. Pas tij dola edhe unë dhe i thashë:
“O Resulullah! Ti brenda nuk pe askënd, por, prapëseprapë, dukej sikur ishe duke kërkuar për ndonjë vend se ku mund të uleshe.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) m’u përgjigj:
“Unë nuk u ula dot, derisa një engjëll më bëri me shenjë me një nga flatrat e tij, duke më treguar vendin se ku mund të ulesha. Kur m’u dha një vend, vetëm atëherë arrita që të ulem.”
Në atë kohë, Profeti ynë po thoshte:
“Henijen leke, ja Ebu Amr; të përgëzoj, o Ebu Amr! Sa mirë për ty, o
Ebu Amr!”
7.PENGIMI I SURAKAS, GJATË MËRGIMIT
Zejd bin Eslemi (radijallahu anhu) dhe shumë të tjerë tregojnë: “Suraka bin Maliku qe nisur për të kapur të Dërguarin Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe ta vriste. Hodhi tri herë shigjetë për të parë fallin, e kur pa që në asnjërën prej tyre nuk i doli ajo që dëshironte, prapë nuk u bind, por i hipi kalit të tij dhe iu vu nga pas. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu lut Zotit, që këmbët e kalit të Surakasë të nguleshin në tokë dhe ai të mos bënte dot asnjë hap përpara. Ashtu ndodhi, kalit iu zhytën këmbët në rërë. Suraka tha:
“O Muhamed! Të lutem, përgjëroju Allahut të ma shpëtojë kalin. Të jap fjalën, nëse më le të lirë, atëherë unë do t’i kthej pas të gjithë ata që do të vihen për të të ndjekur.” Ja se si u lut Profeti i Dhembshurisë Zotit të Madhërishëm:
“O Zot! Shpëtoja këtij njeriu kalin, nëse ai është i sinqertë në atë që thotë!” Kalit iu çliruan këmbët menjëherë.
Ndërsa, në transmetimin që i bën Ebu Ma’bed el-Huzaij kësaj ngjarjeje, do të gjejmë të pranishme edhe një të dhënë tjetër: “Vërtet, Suraka e mbajti fjalën e dhënë dhe të gjithëve që i viheshin të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), për ta ndjekur, ai u thoshte:
“Kthehuni mbrapsht, atje kam kontrolluar unë. Ju e dini shumë mirë, që unë nuk gënjehem lehtë në punë të tilla.” Edhe ata ashtu bënë, u kthyen, duke bërë që të dilte se Suraka kishte qenë i sinqertë në ato që kishte thënë.”
8.MUNDJA E ARMIQVE ME DHE E GURË
Tregon Harith bin Bedeli: “Në luftën e Hunejnit e kam parë vetë me sytë e mi se në çfarë gjendjeje ishte i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Përveç Abas bin Abdulmutalibit dhe Ebu Sufjan bin Harithit, nga sahabët, gjithë të tjerët patën pësuar disfatë. Andaj, i Dërguari i Allahut mori një grusht rërë dhe na e hodhi nga sytë. Ja, aty e pësuam disfatën ne. Nuk shikonim më asgjë. Shikonim vetëm që na ndiqnin nga pas.” Amr bin Sufjan eth-Thekafij thotë se: “Në atë çast, si i hipa kalit, frymën e mbajta drejt e në drejtim të Taifit.”
Hakim bin Hizami (radijallahu anhu) tregon: “Në luftën e Bedrit, të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu dha urdhër që të merrte një grusht gurësh dhe ne ashtu na priti, me një grusht gurësh në njërën dorë. Teksa na hidhte gurët, thoshte:
“Të shëmtuara i paçin fytyrat.” – Paskëtaj ne pësuam disfatë. Andaj edhe Allahu i Madhërishëm zbriti ajetin Kur’anor: “Sigurisht, nuk ishit ju që i vratë ata, por i vrau Allahu! Kur gjuaje, nuk ishe ti (Muhamed) që gjuaje, por ishte Allahu Ai që gjuante, me qëllim që t’u bënte besimtarëve një dhuratë të bukur. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Enfal, 8/17)
9.SHFAQJA E ARMIQVE SI MË TË PAKTË NË NUMËR NË SYRIN E MYSLIMANËVE
Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) tregon: “Në luftën e Bedrit armiqtë na u shfaqën si shumë të paktë në numër. Madje shokut që kisha afër vetes i thashë:
“Janë, apo nuk janë as shtatëdhjetë vetë?” Ai m’u përgjigj:
“Duhet të jenë diku te njëqind vetë.” Pastaj, në kohën që morëm peng një burrë, ne e pyetëm atë edhe për numrin e ushtarëve. Ai na tha:
“Ne ishim njëmijë vetë.”
10. USHTRI TË PADUKSHME PËR MYSLIMANËT DHE NDIHMESA NËPËRMJET ERËS
Said bin Xhubejri (radijallahu anhu), në kohën e luftës së Hendekut, ishte në Medinë. Ai e tregonte kështu atë që kishte ndodhur: Aty erdhën, Ebu Sufjani, bashkë me kurejshët dhe Kinanasit; Ujejne bin Hisni, me Gatafanasit; Tulejhaja në anën e bijve të Esedit dhe Ebu A’ueri, me bijtë e Sulejmit. Bijtë e Kurejdhas e kishin shkelur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen që kishin bërë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe sakaq, hebrenjtë e Kurejdhas kishin kaluar në anën e idhujtarëve. Për ta u zbrit edhe ajeti Kur’anor:
“Ai i nxori nga kështjellat e tyre ithtarët e Librit që ndihmuan ushtrinë e aleatëve dhe mbolli frikë në zemrat e tyre, kështu që një pjesë e tyre i vratë dhe pjesën tjetër i zutë rob.” (Ahzab, 33/26) Menjëherë pas zbritjes së këtij ajeti, Xhibrili (alejhis’selam) solli edhe erën. Profeti ynë, sapo e pa Xhibrilin, u tha besimtarëve:
“Sihariq i madh për ne! Allahu dërgoi erën, për t’i ndëshkuar armiqtë e Tij.” Pa kaluar shumë kohë, era që kish nisur të frynte ishte aq e fortë, saqë rrëzonte deri edhe çatitë e shtëpive, çadrat, hunjtë e ngulur për to, armatimet, duke shkatërruar e bërë njësh me tokën gjithçka që rrihej nga era. Si përfundim, të gjithë ia mbathën kush e kush të ruante kokën e vet, duke u larguar me shpejtësi nga territori i luftës. Edhe në lidhje me këtë ngjarje, Allahu zbriti këtë ajet: “O besimtarë! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh), e Ne dërguam mbi ta erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit; ndërsa Allahu i sheh të gjitha ato që bëni ju.” (Ahzab, 33/9)
Menjëherë pas këtij ajeti u kthye edhe i Dërguari i Allahut (Paqja e Zotit qoftë mbi të) së andejmi.”
Futja e armiqve në dhe
Tregon Burejdeja (radijallahu anhu): “Gjatë luftës së Uhudit, dikush bërtiti:
“O Allah, nëse Muhamedi është vërtet një profet, zhytmë mua në dhe për së gjalli!” Dhe Allahu bëri të mundur që atë njeri ta përpijë toka dhe kështu mori fund ai.”
Fundi i Ibni Kamiasë, që plagosi të Dërguarin e Allahut
E tregon Nafi bin Asimi (radijallahu anhu): “Ai njeri që përgjaku fytyrën e bekuar të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) quhej Abdullah bin Kamie dhe vinte nga fisi i Hudhejlit. Më vonë, Allahu i nxori atij përpara një cjap, i cili e vrau atë duke e përplasur me brirë nga të gjitha anët.”
11. FUNDI I ATYRE QË MALLKOHESHIN NGA NDONJËRI PREJ SAHABËVE
Tregon Zadhani: “Aliu (radijallahu anhu) na tregoi për një hadith të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe një nga të pranishmit iu drejtua Aliut (radijallahu anhu) me fjalët:
“Ti po gënjen!” Aliu (radijallahu anhu) iu kthye dhe i tha:
“A do që të të mallkoj rreth së vërtetës nëse po gënjej, apo jo?”
“Bëj ç’të duash, ti e di.”, – u përgjigj ai burrë. Sakaq, Aliu ynë (radijallahu anhu) e mallkoi atë njeri dhe ai njeri u bë i verbër mu aty në vend.”
12. SYTË E VERBËR QË FILLOJNË TË SHOHIN
E tregon Enesi (radijallahu anhu): “Pasi e pati liruar Ebu Bekri (radijallahu anhu) shërbyesen e tij të quajtur Zinijre, ajo kishte filluar të mos shihte më nga sytë. Kurejshët i thoshin asaj:
“Dritën e syve ta morën Lati dhe Uzza!” Zinijreja u dha atyre një përgjigje shumë të ashpër:
“Gënjeshtër! Unë i betohem Allahut, që është i Zoti i Qabes, se Lati me Uzzan nuk kanë fuqi të bëjnë asgjë, kështu që askujt nuk i hyjnë në punë.” Me të thënë këto fjalë, Allahu ia hapi sytë Zinijres dhe ajo filloi të shikonte si më parë.”
13. KUR OMERI (r.a.) I JEP URDHËR SARIJES NGA HUTBEJA
E tregon Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anhu) pati dërguar një ushtri kundër armikut; në krye komandant kishte caktuar Sarijen. Njëherë, Omeri (radijallahu anhu) ishte duke mbajtur hutben, kur papritur bërtiti tri herë:
“Mali, Sarije, mbrohu pranë malit!” Nuk kaloi shumë dhe aty erdhi kasneci i ushtrisë. Omeri (radijallahu anhu) i kërkoi atij të dhëna në lidhje me ecurinë dhe rezultatin e përleshjes. Kasneci i tha atij:
“O Prijësi i Besimtarëve! Ne ishim duke pësuar disfatë. Por në atë kohë dëgjuam një zë që na thirri:
“O Sarije, mali, mbrohu pranë malit!” Kthyem shpinën nga ana e malit dhe gjithçka u shndërrua në të mirën tonë. Allahu u shkaktoi armiqve humbje shumë të mëdha.”
Ndërsa, sipas një tjetër transmetimi, Omerin (radijallahu anhu) e pyesin se përse thirri ashtu me zë të lartë dhe ai pati dhënë këtë përgjigje:
“Ashtu më erdhi, më erdhi në shpirt sikur armiku i kishte shtrënguar myslimanët drejt malit dhe ishte duke i shpartalluar. Në atë kohë thashë me vete: ‘Ah sikur ta dëgjonte zërin tim njëri prej robërve të Allahut dhe t’ia çonte atë komandantit të ushtrisë së myslimanëve!’”
14.SAHABËT DËGJOJNË ZËRA QË VIJNË NGA E FSHEHTA
Zëri që dëgjon Ibni Abasi pak para se të vdiste
Said bin Xhubejri (radijallahu anhu) tregon: “Ibni Abasi (radijallahu anhu) pati ndërruar jetë në Taif. Në xhenazen e tij kam qenë edhe vetë. Aty erdhi një zog i një lloji që nuk e kishim parë kurrë më parë dhe u fut aty ku qëndronte trupi i pajetë. Pritëm për një kohë të gjatë, për të parë se kur do të dilte. Mirëpo askush nuk e pa që të dilte. E varrosëm trupin dhe, kur mbaruam, nga brenda varrit dëgjuam të këndoheshin disa ajete kur’anore, vetëm se nuk e kuptonim se kush ishte duke i kënduar: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty. Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim.” (Fexhr, 89/27-30)
15.XHINDET LAJMËROJNË ARDHJEN E PROFETIT TONË TË NDERUAR
Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu) tregon: “Lajmi i parë që u dëgjua në Medinë në lidhje me profetësinë e Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka qenë i këtillë: Një grua medinase kishte një xhind, i cili nuk i ndahej kurrë nga pas. Një ditë, xhindi iu shfaq asaj si një zog i bardhë dhe u vendos mbi murin e kopshtit. Ajo grua i kish thënë xhindit:
“Nuk do të vish brenda, eja, të flasim, ta lajmërojmë njëri-tjetrin për çfarë ka ndodhur.” Dhe xhindi i qe përgjigjur duke i thënë:
“Shiko, në Mekë ka ardhur një profet i ri, ai jo vetëm që e ka ndaluar imoralitetin, por edhe ne na ka penguar që të qëndrojmë në Tokë.”
Asim bin Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Osmani (radijallahu anhu) ka thënë:
“Para se t’i zbritej profetësia të Dërguarit Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ne qemë nisur me një karvan për të bërë tregti në Siri. Kur iu afruam Damaskut, para na doli një falltare, e cila na tha:
“Mua më erdhi xhindi dhe më qëndroi te pragu i derës. Unë e pyeta:
“Nuk do të hysh brenda?” E ai m’u përgjigj:
“Kjo nuk është më e mundur; sepse ka ardhur Ahmedi (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kështu kemi urdhër dhe nuk e kundërshtojmë dot.” Mandej, unë u largova nga Siria dhe u ktheva në Mekë. Në Mekë mësova se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte filluar të ftonte njerëzit në fenë e Zotit.”
Na tregon Ubej bin Ka’bi, se: “Një grup myslimanësh u nisën të shkonin në Mekë. Ec e ec, ata ngatërruan rrugën. Nuk po e gjenin dot rrugën dhe i humbën shpresat. E kuptuan se do të vdisnin, kështu që veshën qefinët dhe u shtrinë në tokë, që të prisnin të vinte vdekja. Pikërisht në atë kohë, nga mesi i pemëve u shfaq një xhind, i cili u foli:
“Unë jam individi i fundit i bashkësisë së Profetit, që ka dëgjuar fjalën e tij. Unë kam dëgjuar prej atij Profeti, që thoshte:
“Myslimani është vëlla për myslimanin. Ai bëhet sy e veshë për të vëllanë dhe i tregon rrugën e drejtë, e nuk e lë kurrë të shkojë drejt humbjes.” Ja pra, edhe unë kam ardhur që t’ju them se në këtë anë ka ujë, kurse rruga juaj kalon që këndej.”
16. XHINDET DHE DJAJTË U BINDEN BESIMTARËVE
Profeti ynë mbërthen djallin
Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) përcjell se i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë:
- “Mbrëmë m’u shfaq një djall prej xhindeve, që u përpoq të më pengonte e të mos më linte të falja namaz. Mirëpo, Zoti më dha mua forcë e fuqi dhe unë e mbërtheva dhe i tregova vendin. Madje, nuk është se nuk më shkoi në mendje që ta lidhja atë pas ndonjë prej trarëve të xhamisë, që të vinit e ta shihnit edhe ju në mëngjes. Por, në atë çast m’u kujtua kjo lutje e vëllait tim, Sulejmanit, i cili ka thënë:
“(...) dhe tha: ‘O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je dhurues i madh!’” (Sad, 38/35) Andaj e përzura, të largohej ashtu, i poshtëruar.”
Në një transmetim ekziston edhe një e dhënë më shumë: “Nëse nuk do të kish qenë lutja që ka bërë vëllai im Sulejmani, ai djall do të kishte ngelur ashtu i lidhur dhe të kthehej në një lodër, me të cilin të luanin gjithë fëmijët e Medinës.”
Omeri (r.a.) ndeshet me djallin dhe fiton ndaj tij
Tregon Ebu Uaili (radijallahu anhu): “Abdullahu më tregoi mua se: “Djalli u përball me një nga sahabët dhe filloi të bënte mundje me të. Myslimani e përplasi atë përtokë dhe e mundi. Madje i vuri edhe gishtin e madh në fyt, për ta mbytur. Ai i tha sahabit:
“Nëse më lëshon, unë do të të mësoj një ajet, që kur e dëgjojnë djajtë ia mbathin me të katra.”, – e vetëm atëherë e lëshoi sahabi djallin. Vetëm se, kur u lëshua, djalli nuk donte që t’ia tregonte ajetin. Sahabi e përplasi edhe njëherë përtokë. Djalli i dha të njëjtën fjalë, por sërish nuk e mbajti. Herën e tretë, sepse kjo u përsërit edhe njëherë tjetër, djalli i tha atij se ai ajet është Ajeti Kursij, i cili ndodhet në suren “Bekare” . Abdullahut i patën thënë:
“A e di ti Abdullah, se kush ishte ai burrë që u mund me shejtanin?” Dhe përgjigjja që dha Abdullahu ishte:
“E kush mund ta bënte diçka të këtillë, përveçse Omeri (radijallahu anhu)?”
17. SAHABËT DËGJOJNË ZËRAT E KRIJESAVE TË NGURTA (JOFRYMORË)
Ibni Mesudi dëgjon përmendjen e Allahut nga ushqimet
Këtë e ka treguar vetë Ibni Mesudi (radijallahu anhu): “Ne, të gjitha ngjarjet e mrekullishme i pranonim si shenja të profetësisë. Kurse ju ato i pandehni ato si qortime dhe paralajmërime të Allahut. Një ditë ne kishim dalë të udhëtonim me të Dërguarin e Allahut. Na kishte mbetur shumë pak ujë për të pirë. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na urdhëroi:
“Silleni këtu të gjithë ujin e mbetur.” Aty sollën një enë në të cilën kishte mbetur shumë pak ujë. I Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) futi njërën dorë në enë dhe pastaj tha: - “Ejani, të merrni abdes, se begatia vjen nga Allahu.” Ibni Mesudi thotë se:
“Vërtet, e kam parë me sytë e mi, se si rridhte ujë nga gishtërinjtë e të Dërguarit të Allahut. Madje, nganjëherë, ne ishim duke ngrënë dhe dëgjonim se si ushqimet që po hanim përmendnin Allahun.”
Kur dëgjohet vajtimi i trungut të hurmës
Na e tregon Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte duke mbajtur hutben e së premtes, kur u mbështet pas një peme hurme. Një nga ensarët i propozoi atij:
“O Resulullah, nuk do të ishte keq sikur të të gdhendnim një minber, apo jo?” Dhe Profeti ynë i nderuar u përgjigj:
“Po bëjeni, po të doni.” Ata përgatitën menjëherë një minber. Erdhi dita e premte dhe i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u ngjit në minberin e ri për të mbajtur hutben. Në atë kohë, ajo pemë e hurmës ku ishte mbështetur një javë më parë filloi të vajtonte, duke lëshuar një zë prekës për të gjithë, që i ngjante më shumë një të qare fëmije. I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) zbriti nga minberi dhe shkoi e përqafoi pemën. Edhe vajtimi i pemës filloi të ndryshojë, ashtu siç ndryshon e qara e fëmijës së qetësuar, që kërkon t’u bëjë pak naze prindërve të tij. Xhabiri thotë se:
“Ajo pemë hurme qante sepse e kishin privuar nga të dëgjuarit e përmendjeve të Allahut që bëheshin rreth saj.”
Teksa, në një transmetim që vjen prej Enesit (radijallahu anhu), thuhet se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë:
“Unë i betohem Allahut, se në dorën e fuqisë së Tij është edhe fryma e Muhamedit; nëse nuk do ta kisha qetësuar unë atë pemë, nga mërzia se e kishin ndarë nga i Dërguari i Allahut ajo do të vazhdonte të klithte e të vajtonte deri në ditën e Kiametit. Derisa, në fund, i
Dërguari i Allahut dha urdhër dhe pema u fut në dhe.”
Selman Farisiu dhe Ebu Derdaja dëgjojnë përmendjet e Allahut nga ena në të cilën po hanin
Tregon Ebu’l-Buhturiu (radijallahu anhu): “Një ditë, Ebu’d-Derdaja me Selmanin (radijallahu anhuma) ishin bashkë. Ebu’d-Derdaja kishte ndezur zjarrin, për ta vënë tenxheren të vlonte, kur nga tenxherja dëgjoi që doli një zë; i ngjante zërit të një fëmije. Me kalimin e kohës zëri sa vinte e rritej. Kur arriti pikën, tenxherja u kthye përmbys dhe ra në tokë. Megjithatë, nga ushqimi që ishte në të nuk u derdh aspak. Më vonë ajo u kthye vetë në gjendjen e saj të mëparshme. Ebu Derdaja tha:
“Shiko, Selman, sa e çuditshme! Ma merr mendja se diçka të këtillë as ti as babai yt nuk e keni parë ndonjëherë gjer më sot.” Selman Farisiu (radijallahu anhu) i tha atij:
“Po të kishe pushuar dhe të mos e kishe nxjerrë zbuluar të fshehtën dhe misterin e asaj që sapo pe, ti do të kishe parë edhe kushedi se sa argumente që do të dëshmonin drejtpërsëdrejti për Allahun e Madhëruar.”
18. SAHABËT DËGJOJNË ZËRAT E BANORËVE TË VARRIT
Jahja bin Ejubi tregon: “Me sa kam dëgjuar, në kohën e Omerit (radijallahu anhu), ishte një djalosh i ri besimtar, i cili ishte shumë i devotshëm e shkonte vazhdimisht në xhami. Omeri (radijallahu anhu) ia pëlqente tej mase këtë veçori. Por ai djalë i ri kishte edhe një baba, që ishte i moshuar. Ai djalosh, me të falur namazin e jacisë, kthehej drejt e pranë të atit. Njëherë, teksa po kthehej për në shtëpi, ia pret rrugën një grua. Ajo grua ishte fiksuar pas atij djali të ri, ishte dashuruar pas tij. Nuk linte ditë pa ia prerë atij rrugën në një mënyrë apo në një tjetër. Të njëjtën gjë bëri edhe asaj nate. Deshi t’i merrte mendjen. Sapo iu afruan shtëpisë së asaj gruaje dhe do të hidhte edhe ai një hap në shtëpinë e saj, djaloshit iu kujtua menjëherë Allahu dhe nga buzët nisën t’i rridhnin fjalët e ajetit kur’anor: “E kur u vjen ndonjë mendim i ligë nga djalli, ata që i frikësohen Allahut kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë.” (A’raf, 7/201)
Buzët i këndonin pandërprerë këtë ajet, kur sa hap e mbyll sytë u rrëzua në tokë. Ajo grua thirri menjëherë shërbyesen, që t’i vinte në ndihmë për ta ngritur në këmbë djalin e rënë pa ndjenja dhe e morën dhe e çuan deri pranë pragut të derës. E ulën atje dhe shkuan e trokitën në derën e shtëpisë ku ishte i ati. Ai burrë, kur e pa të birin të rënë ashtu në atë gjendje, një të thirrur u bëri fqinjëve, e ndihmuan dhe e çuan djalin në shtëpi.
“Çfarë ke, o bir, çfarë të ndodhi ty?” Djali i ri i tha:
“Nuk kam gjë, baba.” Babai këmbënguli dhe e pyeti:
“Cilin ajet pate kënduar ti?” Djaloshi ia këndoi edhe të atit ajetin e mësipërm, por kjo e bëri të binte sërish pa ndjenja. Por, kur e panë, kishte vdekur. E lanë dhe e çuan e varrosën natën.
Në mëngjes, ngjarjen ia treguan edhe Omerit (radijallahu anhu). Omeri (radijallahu anhu) erdhi te babai i djalit, e ngushëlloi dhe e pyeti:
“Po mua pse nuk më lajmëruat?” Ata i thanë:
“O Prijësi i Besimtarëve! Ishte natë, e nuk deshëm të të shqetësonim.”
“Më çoni te varri i tij, atëherë.”, – tha Omeri (radijallahu anhu) dhe bashkë me të tjerët shkuan te varri i djaloshit. Ai i foli djaloshit:
“O ti i rënë në atë varr, për atë që jeton i shqetësuar se një ditë do të dalë përpara Allahut ka dy xhenete.” (Rahman, 55/46) U dëgjua një zë, ishte zëri i djaloshit të varrosur në atë varr, i cili tha:
“O Omer! Zoti mua mi dha ato të dyja në Xhenet dyfish.”
Sahabët dëshmojnë vuajtjet e hequra prej banorëve të Xhehenemit
Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Isha duke shëtitur përreth Bedrit, kur papritur, nga një gropë aty doli një burrë. Ai burrë ishte i lidhur në qafë me një zinxhir. Ai më tha mua:
“Më jep të pi pak ujë, o Abdullah! O Abdullah, më jep të pi pak ujë! Jepmë ujë, Abdullah!” Nuk e di se nga e dinte emrin tim, apo po më thërriste ashtu meqë edhe ishte zakon mes arabëve që t’i thërrisnin njëri-tjetrit ashtu, nuk e kuptova. Nga gropa doli edhe një burrë tjetër, por ai, ndryshe nga i pari, kishte në dorë një kamxhik. Ai më tha mua:
“Mos i jep ujë këtij njeriu, o Abdullah, se ky është mohues!”, – dhe e goditi me kamxhik burrin e parë, duke e futur sakaq edhe njëherë në gropë. Vrapova dhe u ktheva tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e njoftova për atë që kishte ndodhur. Ai më tha: - “Me të vërtetë e pe diçka të tillë?” - “Po!”, – iu përgjigja unë.
“Epo, ai që ke parë ti është Ebu Xhehli. Ashtu ka për të vuajtur deri në ditën e Kiametit.”, – më tha i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të).”
19. ME LUTJEN E SAHABËVE NGJALLEN TË VDEKUR
Enes bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “Në mesin e umetit unë kam qenë dëshmitar i tri ngjarjeve, që sikur ato t’u kishin ndodhur hebrenjve, brezat e ardhshëm do të garonin me njëri-tjetrin, që kush e kush t’i kishte për vete.”
“E cilat janë ato?”, – e pyetëm ne dhe ai filloi të na i tregojë:
“Ne ishim mes sahabëve të Sufes të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Një ditë tek ne ia behu një grua nga mërgimtarët, e cila me vete kishte edhe djalin, i cili kishte hyrë në moshën e adoleshencës. Gruaja kaloi në anën e grave, kurse fëmija u afrua tek ne. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai fëmijë u kap nga kolera që u përhap asokohe në Medinë. Ne dëgjuam se ai fëmijë kishte vdekur në shtrat në gjumë. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shkoi, ia mbylli sytë fëmijës dhe urdhëroi që t’i përgatisnin qefinin. Ne sa u bëmë gati ta lanim xhenazen, kur Profeti ynë i nderuar tha:
“Enes, çohu shko te nëna dhe lajmëroje!” Enesi shkoi dhe njoftoi nënën e fëmijës. Nëna erdhi dhe i qëndroi djalit të saj te këmbët; u përqafua me këmbët e djalit dhe tha:
“O Zot, unë të jam dorëzuar e tëra me zemër. I braktisa të gjithë idhujt, vetëm e vetëm që të isha sa më larg shoqërimit të ndonjë shoku a ortaku në krijim e adhurim Ty, o Zot. Unë mërgova për hir të kënaqësisë Sate. O Zot, mos i bëj idhujtarët që adhurojnë idhujt e tyre të qeshin me mua. E mos më ngarko mua barrë më të rëndë sesa ajo që mund të mbaj me këtë fatkeqësi që më gjeti.”
Enesi (radijallahu anhu) thotë se: “Uallahi, ende sa pa e mbaruar mirë fjalën ajo grua, këmbët e fëmijës filluan të lëviznin. Hoqi mbulesën që kishte në fytyrë dhe pa nga nëna dhe i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të). Ai fëmijë jetoi edhe pas vdekjes së nënës së tij dhe ndërrimit jetë të të Dërguarit të Allahut.”
20. GJENDJE TË MREKULLISHME TE SAHABËT E RËNË DËSHMORË
Tregon Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu): “Muauija (radijallahu anhu) ishte duke ndërtuar një kanalizim të ujit, kur na pati thënë:
“Gjeni një zgjidhje për dëshmorët e Uhudit.” Dyzet vjet më vonë, ne i nxorëm ata nga varret e tyre. Trupin e kishin të butë dhe gjymtyrët krejtësisht të paprishura; nuk ishin tretur fare.”
Një ngjarje e ngjashme na është transmetuar po edhe ajo nga Xhabiri (radijallahu anhu). Në të thuhet: “Në kohën e Muauije bin Ebi Sufjanit, na behu papritur një burrë, i cili thirri:
“Xhabir! Uallahi, punëtorët e Muauijes të kanë gërmuar varrin e babait, iu shfaq trupi. Doli edhe ai, dolën edhe trupat e dëshmorëve të tjerë!” Shkova menjëherë dhe e gjeta babanë njësoj siç e patëm varrosur. Përpos plagëve që kishte marrë në luftim e sipër, në trupin e tij nuk kishte asnjë shenjë e asnjë plagë. Ashtu, siç ishte, e varrosëm prapë.”
21.PËRHAPJA NGA VARRET E NJË AROME SI AJO E MISKUT
Tregon Muhamed bin Shurahbili (radijallahu anhu): “Dikush kishte marrë një grusht dhe nga varri i Sa’d bin Muadhit (radijallahu anhu). E hapi grushtin dhe pa, mbante një aromë të mrekullueshme, si ai i miskut. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
- “Subhanallah, Subhanallah...”, – dhe ia kuptonim nga fytyra që ishte habitur jashtëzakonisht shumë.”
22.RUAJTJA E PAPRISHUR, ME URDHRIN E ALLAHUT, E TRUPAVE TË SAHABËVE TË RËNË DËSHMORË
Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), e pati caktuar Asim bin Thabitin (radijallahu anhu) komandant të një njësie ushtarake. Asimi, teksa nisej për në luftë, pati thënë:
“Unë nuk e duroj dot që të më mbrojnë prej një idhujtari. Edhe më parë kështu ka qenë, i jam betuar dhe i kam dhënë fjalën Allahut: Për sa kohë që ata nuk më prekin mua, as unë nuk kam për të prekur asnjë idhujtar.” Idhujtarët e kurejshëve dërguan njerëzit e tyre që të këputnin një copë mishi nga trupi i tij. (Asimi kishte vrarë disa vetë nga paria e kurejshëve në Bedër) Në atë kohë, Allahu dërgon një tufë të madhe bletësh, e cila i ngjante një reje të zezë të zbritur në Tokë dhe ato nuk lejuan askënd që t’i afrohej e ta prekte trupin e pajetë të Asimit. Andaj edhe Asimin e kanë përmendur shpesh me cilësorin
“hamijju’debr”, pra “i ruajturi nga bletët.”
23.KAFSHËT U BINDESHIN TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE SAHABËVE TË TIJ
Hamza bin Ebi Usejdi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati shkuar deri në varrezën e Përjetshme, do të merrte pjesë në xhenazen e një personi nga ensarët. Në rrugë pamë një ujk të shtrirë me këmbët e përparme të ngritura sipër! I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Ky ujk ka ardhur këtu që të kërkojë atë që i takon dhe ju duhet t’ia jepni.”
“O Resulullah, po çfarë është kjo e drejtë e tij?”, – e pyetën dhe i Dërguari i Allahut u përgjigj:
“E drejta e tij është një dele nga çdo kope njëherë në vit.”
“Po kjo është shumë për një ujk, o Resulullah!”, – i thamë ne të habitur. Atëherë, Profeti ynë i bëri shenjë ujkut që të ngrihej e ta merrte vetë atë që i takonte; ujku u ngrit mbi të katër këmbët dhe u kthye, iku andej nga kishte ardhur.”
Ibnu’l-Munkediri (radijallahu anhu) na e tregon: “Sefineja, që e kishte liruar i Dërguari ynë Fisnik nga skllavëria, pati humbur njëherë rrugën në kufi të Bizantit. I shqetësuar dhe i trembur pak kishte nisur nga përpjekjet për të gjetur ushtrinë, kur përpara atij i shfaqet papritur një luan. Ai i tha luanit:
“O luan, unë jam skllavi i liruar nga vetë i Dërguari i Allahut. Ja, thashë të ta them se kush jam unë.” Luani, një të dëgjuar fjalët e Sefines, tundi bisht e kokë dhe iu afrua Sefines dhe i qëndroi pranë. Sa herë që ndiente ndonjë zë, luani drejtohej andej nga dëgjonte zëra dhe përpiqej që të mos e trembte Sefinen. Kjo sjellje e luanit zgjati derisa e shpuri Sefinen atje ku qëndronte ushtria. Kur e çoi atje, luani u kthye dhe iku.”46
Kur ujku flet me bariun dhe e lajmëron për ardhjen e Profetit tonë të nderuar
Tregon Ebu Said el-Hudriu: “Një ujk sulmoi tufën e dhenve dhe mbërtheu njërën nga delet. Bariu u përpoq që ta shpëtonte delen nga kthetrat e ujkut dhe arriti që ta tërheqë. Ujku u ul në bisht dhe i tha bariut:
“A nuk ke frikë nga Allahu, që ma merr nga duart atë që mua ma ka taksur për ushqim vetë Allahu?” Bariu tha:
“E çuditshme, ç’të jetë ky ujk që më flet sikur të ishte njeri.” Ujku vazhdoi të fliste:
“A do që të të them diçka edhe më interesante? Në Medinë ka ardhur Muhamedi, që po lajmëron gjithçka për të shkuarën dhe për të ardhmen.” Bariu i vuri dhentë përpara dhe mori rrugën e Medinës. E la kopenë në një vend, pastaj shkoi pranë të Dërguarit të Allahut dhe i tregoi ato që i kishin parë sytë dhe i kishin dëgjuar veshët. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u kishte dhënë urdhër njerëzve që të bëheshin gati dhe të falnin namazin. Paskëtaj, Profeti ynë i nderuar doli jashtë dhe i kërkoi bariut që t’ua tregonte edhe besimtarëve ato që kishte parë dhe kishte dëgjuar. I Dërguari i Allahut, në fund, i tha atij njeriu:
“Të vërtetën tha ky njeri. Unë i betohem Allahut; Kiameti nuk ka për të ardhur para se njerëzit të fillojnë të flasin me kafshët e egra. Madje ai nuk ka për të ngjarë as pa ndodhur që me njeriun të flasë edhe lidhësja e këpucës, apo edhe maja e heshtës.”
24.ME URDHRIN E ALLAHUT, EDHE DETET E LUMENJTË U SHËRBEJNË SAHABËVE
Kajs bin Haxhaxhi (radijallahu anhu) ka transmetuar se: “Pas ngadhënjimit të myslimanëve mbi Egjiptin, me një ushtri, në krye të së cilës ishte Amr bin Asi (radijallahu anhu), në muajin qershor, sipas përllogaritjeve kalendarike të koptëve, populli vendës u soll i tëri para Amr bin Asit dhe ata thanë:
“O komandant! Ne kemi një zakon këtu që lidhet drejtpërsëdrejti me lumin Nil. Nëse nuk e kryejmë ritualin e përhershëm, ai nuk mbushet.” Amr bin Asi i pyeti ata se çfarë ishte ai zakon dhe ata iu përgjigjën:
“Në ditën e dymbëdhjetë të këtij muaji, ne, me lejen dhe pëlqimin e nënës dhe babait të saj, marrim një vajzë beqare, e veshim me teshat më të bukura, i hedhim aromat më të mira dhe e hedhim atë në lumë.” Amr bin Asi (radijallahu anhu) u tha atyre:
“Shikoni, ky është një zakon që nuk ka vend në Islam. Islami i ka zhbërë të gjitha zakonet e mëhershme.” Populli i Egjiptit priti, kaloi qershori, korriku, gushti. Dhe me lumin Nil nuk ndodhi asgjë e pazakontë. Atëherë, ata menduan të mërgonin. Amr bin Asi (radijallahu anhu) dërgoi lajm menjëherë tek Omeri (radijallahu anhu) me një letër. Në letër-përgjigjen e tij, Omeri (radijallahu anhu) shkruante këto fjalë:
“Ti ke dhënë vendimin e drejtë, duke ua bërë të ditur atyre njerëzve se Islami i ka hedhur poshtë të gjitha zakonet e mëhershme. Shiko, unë të kam dërguar një copë letër, kur të të vijë kjo letër e imja, merre atë copë letër dhe hidhe në det.”
Me të arritur letra e Omerit (radijallahu anhu), Amri e hapi letrën dhe pa që në atë pusullë ishte shkruar:
“Nga robi i Allahut dhe Prijësi i Besimtarëve, Omeri, për lumin e popullit të Egjiptit, Nilin:
Shiko, o Nil, nëse ti ke ndërmend të mbushesh e të dalësh nga shtrati, mos dil. Por, nëse do të jetë fuqia e pashtershme e Allahut ajo që do të të fryjë e do të të nxjerrë nga shtrati, atëherë unë i përgjërohem Atij që kësaj here mos të të derdhë nga shtrati.”
Amri, një ditë para ditës tradicionale të adhurimit të egjiptianëve e hodhi në lumë atë pusullë. Në atë kohë, populli po përgatitej për ta braktisur Egjiptin, sepse njerëzit nuk shihnin kurrfarë dobie kur lumi nuk fryhej e nuk dilte nga shtrati. Dita e adhurimit erdhi dhe Allahu e ngriti edhe disa metra më lart ujin e lumit Nil, gjersa e lëshoi jashtë shtratit. Kësisoj u zhbë edhe ai zakon i vjetër i egjiptianëve vendës.”
Ala bin el-Hadramiu kalon detin
Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e kishte dërguar Ala bin el-Hadramiun në Bahrejn dhe bashkë me të isha edhe unë. Asokohe unë qeshë përballur me tri mirësi të mrekullishme njëra pas tjetrës: kur arritëm në breg të detit, ai u lut duke thënë:
“O Alij, o Adhim, o Halim, o Kerim” Dhe pastaj na tha:
“Ejani, thoni Bismil’lah dhe ecni përpara.” Thamë ‘Bismil’lah’ dhe ecëm. Kaluam matanë dhe kur shkuam në breg, pamë se as thundrat e deveve nuk na ishin lagur. Rrugën e kthimit e bëmë nga mesi i shkretëtirës. Uji na kishte mbaruar. Shkuam tek ai dhe i treguam se si qëndronte puna. U ngrit, fali dy rekate namaz, pastaj filloi të lutej. Papritur, në qiell u shfaq një re në trajtë mburoje dhe ra aq shumë shi, saqë dukej sikur ishte duke u derdhur me gota. E hoqëm etjen dhe mbajtëm edhe mjaftueshëm ujë për pjesën e mbetur të rrugës. Ndërsa mirësia e tretë e mrekullishme që pashë tek ai ishte kjo: Ai kishte vdekur dhe ne e patëm varrosur në një terren ranor. Mbaruam punë dhe u larguam. Kishim bërë një copë rruge dhe pastaj u kthyem duke thënë: “Se mos e zbulojnë kafshët grabitqare dhe e hanë.” Mirëpo, ne nuk e gjetëm më trupin atje ku e kishim varrosur.”
Kalimi i lumit të Tigrit gjatë ngadhënjimit mbi Medain
Ebu Bekr bin Hafs bin Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Selman Farisiu ishte bashkë me Sa’din, kur po kalonin lumin, për të dalë në bregun tjetër. Ndërkohë që kuajt kishin hyrë pothuajse të tërët në ujë dhe po kalonin, Sadi thoshte: “Ne na mjafton Zoti, Ai është Mbrojtësi më i Mirë. Nëse nuk ndodh ndonjë kryengritje mes ushtrisë, apo nuk fillon që mëkatet t’ua kalojnë të mirave, Allahu medoemos që i ndihmon miqtë e Vet. Medoemos mundëson që të jetë feja e Tij ajo që sundon, duke u shkaktuar disfatë armiqve të Tij.” Selmani iu tha atij:
“Islami është një fe e re dhe e sapozbritur. E njerëzve do t’u binden edhe ujërat, ashtu siç u është bindur toka. Unë i betohem Allahut, që mban në jetë Selmanin, se kur të hyjnë myslimanët në Tigër, ata do të dalin prej andej pa u dëmtuar asnjë grimë.”
Këto ishin fjalët e fundit dhe hynë në ujë. Uji ishte aq i egër, saqë fryrja e ujit e mbulonte krejtësisht pamjen e bregut matanë. Teksa po kalonin nëpër ujë, ata u përballën me më shumë vështirësi seç ishin përballur gjatë kalimit mes përmes tokës. Ushtarët, të zhytur në ujë, e kaluan lumin pa pasur asnjëfarë dëmi, siç e kishte thënë edhe Selmani.”
A’meshi (radijallahu anhu) përcjell nga disa nga shokët e tij, kur tregon: “Në kohën që mbërritëm në breg të lumit, lumi ishte si i tërbuar dhe rrymat i kishte të shumta. Persët ishin në anën tjetër të lumit. Një nga myslimanët tha ‘Bismil’lah’ dhe i grahu kalit përpara. Qëndronte mbi ujë dhe nuk i futeshin fare këmbët e kalit në ujë. Të njëjtën gjë e bënë edhe myslimanët e tjerë, thanë ‘Bismil’lah’ dhe u futën nëpër lumë. Persët, një të parë që myslimanët po e kalonin ujin pa u futur fare në të, filluan të bërtisnin:
“Po vijnë djajtë, po vijnë përbindëshat!”, – dhe ia mbathën të gjithë me të katra.”
25.EDHE ZJARRI U BINDET SAHABËVE
Muauije bin Harmeli (radijallahu anhu) tregon: “Unë pata ardhur në Medinë. Më mori Temijm Ed-Darij (radijallahu anhu) dhe më çoi për të ngrënë. Kisha ngrënë shumë atë natë, sepse kisha tri ditë që rrija në xhami, pa ngrënë dhe pa pirë asgjë. Në atë kohë, në Harre u shfaq një zjarr i papritur. Omeri (radijallahu anhu) erdhi te Temijmi dhe i ngarkoi atij detyrën e përkujdesjes për atë zjarr, duke i thënë:
“Kontrolloje ti se çfarë po ndodh me atë zjarr.” Temijmi u përgjigj:
“Po kush jam unë, o Prijësi i Besimtarëve, ku kam unë fuqi që t’ia dal i vetëm gjithë atij zjarri?” Pak më vonë, ata u nisën të dy për atje ku ishte ndezur zjarri. Omeri (radijallahu anhu) u fut menjëherë dhe filloi ta mblidhte zjarrin me duar dhe i dha drejtim kah një luginë aty pranë. Nga pas zjarrit iu vu edhe Temijmi. Në atë kohë, Omeri (radijallahu anhu) përsëriste:
“Kush nuk sheh, nuk beson.”
26.NDRIÇIMI I RRUGËS SË SAHABËVE NË NJË MËNYRË KREJT TË JASHTËZAKONSHME
Hamza bin Amr El-Eslemij (radijallahu anhu) tregon: “Ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe ajo natë ishte një natë me shumë errësirë. Kur u ndamë nga njëri-tjetri, gishtërinjtë e mi filluan të përhapnin dritë. Madje nga ajo dritë filluan të mblidheshin të gjitha devetë. As nuk humbi, as nuk ngordhi asnjëra, sepse gishtërinjtë e mi përhapnin gjithandej dritë.”
E tregon Abdulhamid bin Ebi Absi: “Ebu Absi namazin e falte vazhdimisht pas të Dërguarit të Allahut; pastaj kthehej në lagjen e Beni Harithes. Në të njëjtën kohë, Ebu Absi ishte edhe një prej atyre që kishin marrë pjesë në Bedër. Një nate të errët dhe me shi, teksa po kthehej për në shtëpi, bastuni që mbante në dorë filloi të përhapte dritë, kësisoj ai arriti edhe më lehtë në shtëpinë e tij.”
27. RETË BËJNË HIJE PËR SAHABËT
Abdurrahman bin Imran bin Harithi na tregon: “Bashkë me Mikdad bin Esuedin, Amr bin Abesenë dhe Shafi bin Habijb el-Hudheliun (radijallahu anhum) u nisëm për rrugë. Amr bin Abeseja u nda prej nesh për një ditë të vetme, sepse donte të shkonte të kontrollonte njëherë kopetë e tij. Aty në të hyrë të drekës unë shkova ta takoja. Kur ç’të shihja, mbi të ishte ndalur një re dhe bënte hije për të! Shkova dhe e njoftova. Ai më tha mua:
“E di, e vura re, por, po dëgjova se i ke treguar njeriu për këtë që ke parë këtu, prishemi bashkë!” I betohem Allahut, se, deri ditën që ai u nda nga kjo jetë unë nuk i tregova askujt për atë që më kishin parë sytë atë ditë.”
28. LUTET PROFETI YNË DHE SAHABËT E TIJ TË ZGJEDHUR DHE NË NDER TË TYRE BIE SHI
Enesi (radijallahu anhu): “Ditën e premte, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte ulur në minber dhe po na ligjëronte, kur nga ana më afër minberit në xhami hyri një burrë, i cili tha:
“O Resulullah! Pasurinë tuaj e mori lumi. Toka është çarë nga thatësira. Lutju Allahut që të na dërgojë shi.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) ngriti duart kah qielli dhe filloi të lutej me fjalët:
“O Zot, jepna neve ujë! O Zot, jepna neve ujë!” Enesi thotë se:
“Uallahi, në atë kohë, në qiell nuk shihje as edhe një re të vetme. Dhe mes majës së Selit në Medinë dhe nesh nuk kishte, jo vendbanim, por as sikur edhe një shtëpi të vetme. Nga pas asaj kodre u shfaq një re në formën e një mburoje. E kur iu afrua vendit ku ishim ne u zgjerua dhe filloi një shi i rrëmbyer. Uallahi, për gjashtë ditë me radhë nuk pamë dot diell me sy. Të premten tjetër, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte duke na mbajtur hutben, kur nga e njëjta portë u fut po i njëjti njeri, i cili foli prapë, por kësaj here për të thënë:
“O Resulullah! U prishën i gjithë malli e tërë të mbjellat, rrugët janë prishur! Lutju Allahut e të na e ndërpresë këtë shi.” I Dërguari i Allahut hapi sërish duart dhe iu lut Zotit me këto fjalë:
“O Zot, mos e lër më shiun të bjerë mbi ne, çoje atë të bjerë në rrethinat e tjera përreth. Bëje atë të bjerë nëpër male e nëpër kodra.”
Pas pak shiu u ndërpre. Ne dolëm nga faltorja duke ecur me njëritjetrin nën rrezet e një dielli plot shkëlqim.”
Lutja e Huxhr bin Adijit
E tregon Ibrahim bin El-Xhunejdi (radijallahu anhu): “Huxhr bin Adijit i nevojitej të merrte gusul. Ai i tha nëpunësit në detyrë:
“Ma sill atë ujin që kam për të pirë dhe të marr gusul me të. Për të pirë po përdor atë që do të marr që nesër.” Nëpunësi i tha:
“Kam frikë se kështu siç e ke nisur do të vdesësh nga etja. Pastaj Muauija do të më vrasë po ta marrë vesh.” Sakaq, Huxhr bin Adiji (radijallahu anhu) filloi t’i lutej Allahut. Zuri të binte pak shi. Huxhr bin Adiji mori ujë aq sa iu desh dhe shokët i thanë Huxhrit:
“Lutju Allahut edhe që të na shpëtojë ne nga kjo gjendje, në të cilën jemi katandisur; të na marrë ne pranë vetes.” Dhe ai i ngriti duart të hapura dhe filloi të lutej:
“O Allah! Falna ne atë që është më e mira e më e mbara për ne.” Nuk se kaloi shumë kohë e gjatë dhe Huxhri bashkë me një grup shokësh të tij u vranë, duke rënë kësisoj dëshmorë.”
Nga qielli zbret një kovë
Këtë e tregon Osman bin El-Kasimi (radijallahu anhu): “Gjatë mërgimit, Umu Ejmenin (radijallahu anha) e zuri darka në një vend të quajtur Munsaraf, diku ende pa mbërritur në Reuha. E kishte marrë etja, por nuk kishte asnjë pikë ujë me vete. Ishte edhe me agjërim. Etja e kishte bërë të ndihej shumë keq. Në siklet e sipër, nga qielli asaj iu zbrit një kovë me ujë e lidhur me një litar të bardhë. E mori ujin dhe piu derisa u ngop. Umu Ejmeni thotë se: “Që pas asaj ngjarjeje unë nuk kam ndierë ndonjëherë më etje. Kam agjëruar edhe gjatë ditëve më të nxehta të verës, por që prej se kam pirë prej atij uji, unë nuk jam ankuar ndonjëherë nga etja për ujë.”
29. BEKIMI I UJIT
Bekimi i ujit me dorën e të Dërguarit Fisnik
Enes bin Maliku (radijallahu anhu) na tregon: “Ishte kohë e namazit të ikindisë. Njerëzit kërkuan për ujë, që të merrnin abdes e të falnin namazin, por nuk arritën dot që të gjenin. Sollën pak ujë tek i Dërguari i Allahut. Profeti ynë i nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të) futi dorën në ujë dhe i urdhëroi të gjithë që të merrnin abdes nga ai ujë. Kam qenë vetë dëshmitar, se si nga ata gishtërinj të bekuar filloi të rridhte ujë sikur të ishte duke rrjedhur nga ndonjë kullesë. Morën abdes të gjithë myslimanët. Kur e pyesnin Enesin (radijallahu anhu) në lidhje me numrin e atyre që kishin marrë abdes atë ditë, ai u ka kthyer përgjigje duke u thënë:
“Mund të kenë qenë diku te tetëdhjetë a mos më shumë.” Teksa, në një transmetim tjetër që përmendet te Buhariu është regjistruar se thuhet që numri i njerëzve që morën abdes atë ditë ishte diku te treqind a mos më shumë.”
Imran bin Husajni (radijallahu anhu) na tregon: “Ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ishim shumë të etur. Po ecnim, kur, gjatë rrugës, përballë na doli një grua që mbante dy enë për të pirë ujë, të cilat i kishte fshehur mes këmbëve. Ne e pyetëm atë grua se ku gjendej uji dhe ajo na u përgjigj duke na thënë:
“Nuk ka ujë.”
“Po mirë,” – iu përgjigjëm ne, – “sa larg, në çfarë distance është uji me shtëpinë tuaj?”
“Një ditë dhe një natë larg,”. – na tha gruaja dhe ne i thamë:
“Ti shko tek i Dërguari i Allahut.”
“E çfarë do të thotë kjo ‘i Dërguari i Allahut’? Ne nuk dimë gjë për të!”, – na u përgjigj neve ajo grua.
Ne e takuam atë grua me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ajo grua i tregoi atij po ato që na kishte treguar edhe neve. Mirëpo, ajo nuk na kishte thënë neve asgjë që ajo ishte nënë jetimësh. Ai kërkoi që ato enë me ujë t’ia binin atij dhe ai e ngacmoi ujin me dorë. Nga ai ujë pimë diku te dyzet vetë, që shuam etjen. Mbushëm edhe enët që kishim me vete dhe vetëm devetë i lamë pa u dhënë ujë. Pastaj i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) na tha neve:
“Sillmini mua ato që keni me vete!” Gjithë çfarë kishim, bukë të thara, thërrime dhe hurma ia sollëm asaj gruaje. Kur ia dha, Profeti ynë i tha asaj gruaje:
“Merri këto dhe çoja familjes sate. Vetëm se dua që të dish diçka, ne nuk e pakësuam aspak ujin që na dhe ti. Ne pimë vetëm atë pjesë që na e fali Allahu.” Ajo grua u kthye te fëmijët e saj me ujë dhe me gjëra për të ngrënë. Ajo u tha atyre:
“Gjatë rrugës u takova me njeriun më prekës dhe më me ndikim mbi tërë njerëzinë. Me ato që thoshin ai ishte një profet.” Më vonë, ajo grua me gjithë familjen e saj pranuan Islamin dhe u bënë myslimanë.”
30. BEKIMI I USHQIMEVE GJATË LUFTËRAVE
E tregon Ebu Amre el-Ensari (radijallahu anhu): “Ka qenë gjatë një lufte, kur ne ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Nga uria, myslimanëve dukej sikur barku do t’u ngjitej me shpinën. Prandaj, ata erdhën te Profeti ynë Fisnik dhe i kërkuan që t’i thernin disa nga devetë.
“Jemi të detyruar, nuk kemi se çfarë të bëjmë tjetër.” Omeri (radijallahu anhu) e kuptoi se Resulullahu do t’u jepte leje, ndaj tha:
“O Resulullah! Kushedi se si do të katandisemi, nëse nesër përballemi me armiqtë të uritur dhe pasi kemi ecur në këmbë përgjatë një rruge shumë të gjatë? Nëse ne u bëjmë thirrje myslimanëve, që të mbledhin gjithë ushqimet që u ka taksur Zoti dhe ti e sheh me vend që t’i lutemi Allahut që t’i falë begati ushqimit tonë, nuk ka dyshim, se Allahu do të na sjellë neve bollëk për hir të lutjes sate për begati.”
Profeti ynë kërkoi që myslimanët të mblidhnin të gjitha ushqimet që kishin marrë me vete për rrugë dhe për luftë. Ushtarët filluan t’i sillnin pak apo shumë, ato që kishin marrë me vete. Ata që kishin sjellë më shumë ishin disa që kishin marrë me vete nga një kilogram hurma. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i mblodhi të gjitha ushqimet, pastaj u ngrit në këmbë dhe u lut për njëfarë kohe. Mandej, ai u bëri thirrje ushtarëve që të sillnin menjëherë enët dhe t’i mbushnin me ushqim. Nuk mbeti asnjë enë pa u mbushur me ushqim të bollshëm. Megjithatë, ushqimet e sjella në fillim mbetën aty, të paprekura fare.
Kur e pa i Dërguari i Allahut se çfarë kishte ndodhur, ai tha:
“Unë dëshmoj se nuk ka asnjë zot tjetër, përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij. Në ditën e Kiametit, mes atyre që rikthehen tek Allahu, duke i besuar këto dy dëshmi, dhe Xhehenemit do të vihet një perde.”
Ijas bin Selemeja (radijallahu anhu) përcjell nga i ati: “Ne ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në luftën e Hajberit. Ai na urdhëroi të gjithëve që të sillnim aty të gjitha ushqimet që kishim marrë me vete. I vuri ato të gjitha mbi një shtrojë që kishte shtruar në tokë. Zgjata kokën të shihja dhe pashë se të gjitha ato ushqime ishin a s’ishin në madhësinë e një deleje shtrirë. Si numër ne ishim njëmijë e katërqind vetë. Hëngrëm të gjithë mirë e mirë, derisa u ngopëm, por, prapëseprapë, unë pashë se ushqimet ishin ende aty, sikur ne të mos kishim ngrënë asgjë. Mandej nga ato ushqime ne mbushëm edhe çantat e lëkurës që kishim me vete.”
31. BEGATIA E USHQIMEVE QË ISHIN PËR T’U NGRËNË NË KOHË TË ZAKONSHME
Semure bin Xhundubi (radijallahu anhu) na tregon: “Të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i sollën një enë ushqimi të mbushur me therijd. Profeti ynë i nderuar dhe një grup myslimanësh hëngrën prej tij. Ata vinin grupe-grupe, hanin nga ai ushqim dhe çoheshin e iknin. Kështu vazhdoi deri në drekë, derisa erdhi një burrë dhe pyeti nëse kishte mbetur më ushqim. I Dërguari Fisnik tha:
“Nëse burimi i atij ushqimi do të kishte qenë kjo tokë e këtij rruzulli, që është vendi i shkakësive, përgjigjja ime për ty do të kish qenë ‘Jo.’, por, burimi i begatisë në këtë ushqim janë qiejt (mirësia dhe bujaria e Allahut).”
Uathile bin el-Eskaja (radijallahu anhu) na ka treguar: “Unë isha njëri prej sahabëve të Suffes. Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kërkoi t’i sillnim një copë buke. E mori copën e bukës dhe e futi brenda një ene, e shtypi dhe brenda në të hodhi edhe ujë të nxehtë. Pastaj shtoi edhe pak vaj dhe e përzjeu, derisa ajo mori trajtë uniforme. Pastaj tha:
“Ik tani, gjej dhe sill këtu dhjetë vetë; por i dhjeti i tyre të jesh ti!” Shkova, i gjeta dhe i solla.
“Hani tani, por jo nga sipër, hani secili nga anët; sepse begatia rrjedh nga lart poshtë.”, – tha ai. Ata që kishin ardhur hëngrën sa u ngopën.”
32. BEGATIA TE DRITHËRAT DHE TE FRUTAT
Bekimi i hurmave me lutjen profetike
Këtë e tregon Xhabiri (radijallahu anhu): “Tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një burrë që ishte i uritur dhe kërkonte diçka për të ngrënë. Andaj, Profeti ynë i nderuar mori dhe i dha atij gjysmë barre deveje me elb. Ai burrë, e shoqja dhe shërbëtori i tyre hëngrën për një kohë të gjatë nga ai elb. Derisa, më në fund, u tha mendja që ta peshonin, për të parë se ‘vallë edhe sa u kishte mbetur’. Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) u tha atyre:
“Po të mos e kishit peshuar, ju do të hanit edhe nga ai elb dhe ai do t’ju kishte mjaftuar juve për sa të kishit jetë.”
Hurmat e mbetura trashëgim Xhabirit (r.a.) shtohen prej begatisë së lutjes së të Dërguarit të Allahut për to
Tregon vetë Xhabiri (radijallahu anhu): “Babai im pati ndërruar jetë duke lënë borxhe pas. Unë shkova tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i thashë:
“Babai im vdiq dhe ka lënë ca borxhe pas. E unë sot nuk kam asgjë përveç hurmave, që mund të paguaj për të shlyer borxhet e babait. Dhe me ato hurma që dalin nga kopshti, do të më duhen disa vjet për ta paguar borxhin. Të lutem, eja edhe ti me mua, të më ndihmosh, që ata që kam për t’i paguar të mos më vënë shumë në vështirësi.” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) eci pak përreth hurmave të mbledhura dhe u lut mbi to. Pastaj kaloi dhe shëtiti pak edhe në anën tjetër të hurmave dhe pasi u ul në një vend aty, më tha mua që t’ua shpërndaja hurmat atyre që u kisha borxhe. Edhe pse unë ua shpërndava borxhet të gjithëve me hurma, aty kish mbetur po e njëjta sasi hurmash, sikur të mos kishte vënë dorë njeri.”
Enes bin Maliku (radijallahu anhu) na tregon: “Nëna më pati çuar mua tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe më pati prezantuar duke thënë:
“Ja, o Profeti ynë, ky është shërbëtori juaj i vogël, lutuni për të mirën e tij.” Dhe Profeti ynë u lut me fjalët:
“O Zot, fali atij shumë pasuri dhe shumë fëmijë; e bëja atij jetën sa më të gjatë, e falja mëkatet.” Në të vërtetë, unë kam marrë pjesë në varrimin e plot nëntëdhjetë e tetë vetë nga brezi im (sipas një transmetimi njëqind e dy, ndërsa në një tjetër theksohet numri njëqind e pesë). Çdo vit merrja dy herë prodhim. Kam jetuar gjersa m’u bezdis të jetuarit. E tani, tani shpresoj që të pranohet edhe pjesa e katërt e asaj lutjeje dhe të më falen mëkatet.”
33. BEGATIA E SHFAQUR NË VAJ DHE QUMËSHT
Ja se si na e tregon Hamza bin Amri (radijallahu anhu) këtë begati: “Ushqimin e sahabëve të Suffes, të cilët nuk ndaheshin për as edhe një çast nga i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), e kishin marrë përsipër disa nga sahabët. Një mbrëmje hanin te një sahab, ndërsa mbrëmjen tjetër shkonin pranë një tjetër sahabi. Një natë, radha ishte në shtëpinë time. Ua bëra gati ushqimet sahabëve të të Dërguarit Fisnik, vetëm se, në atë kohë, nuk ia kisha lidhur mirë grykën e calikut të vajit. E vura ushqimin pranë vendit ku ishte vaji. Pastaj bëra një lëvizje të nxituar dhe vaji u derdh, prandaj edhe ushqimi u bë që të vinte vështirë ta shihje me sy. Thashë me vete: “Ç’më gjeti! E çova dëm me dorën time ushqimin e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).” U mërzita tej mase. Profeti ynë më tha:
“Sillma mua atë ushqim!”
“Nuk e sjell dot, o Resulullah.”, – thashë unë. Pashë njëherë pas vetes dhe ç’të shihja! Nga ena e vajit po vinte një si zhurmë sikur pikonte diçka. Thashë me vete: “Ç’e vret mendjen, o njeri, zëre se është derdhur ajo që ishte tepër.”, dhe kur shkova të shihja enën e vajit, ç’të shihja, gjysma e enës ishte plot. E mora dhe u ktheva tek i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe ia tregova se ç’më kishte ngjarë. Profeti ynë m’u përgjigj:
“Nëse do ta kishe lënë ashtu të paprekur atë enë, ajo do të mbushej plot dhe gryka e saj do të lidhej.”
Ndërsa, në një tjetër transmetim, thuhet se ai ka thënë kështu:
“Po ta kishe lënë ashtu, të ndodhte ç’të donte me të, nëpër të gjithë luginën do të rridhte veç vaj.”
34. TË MIRA MATERIALE QË VIJNË NË FORMË MREKULLIE
Tregon Ibni Mesudi (radijallahu anhu): “Unë punoja si çoban me kopetë e dhenve të Ukbe bin Ebi Muajtit. Një ditë tek unë erdhën i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) bashkë me Ebu Bekrin. I Dërguari i Allahut më foli mua dhe më pyeti:
“A ka ndopak qumësht, o djalosh?”
“Ka, por nuk të jap dot, sepse nuk është imi, është i tjetërkujt, tek unë është amanet.”
“Shumë mirë, po në mes deleve nuk ka ndonjë që është shterpë?”, – më pyeti ai mua.
“Ka!”, – iu përgjigja unë dhe i çova atij një nga delet shterpa. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) preku pak gjinjtë e deles, i moli dhe filloi të pinte nga qumështi që doli prej asaj deleje. I dha edhe Ebu Bekrit e piu edhe ai. Pastaj iu drejtua gjirit të deles dhe i tha:
“Kthehu në gjendjen e mëparshme.”, – dhe gjiri i deles u mblodh dhe ajo u pre sërish nga qumështi. Më vonë unë shkova sërish pranë tij dhe i thashë:
“Mësomë edhe mua Kur’an.” Më ledhatoi kokën dhe më tha:
“Të faltë Zoti. Po ti zaten i di shumë gjëra dhe një ditë patjetër që do ta mësosh edhe atë.”
Ushqimi që u vjen të Dërguarit të Allahut, Ebu Bekrit (r.a.) dhe disa të tjerëve
E tregon vetë Ebu Bekri (radijallahu anhu): “Ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur, teksa ecnim, sytë na zunë një tribu arabe. Profeti ynë pa edhe një shtëpi, e cila ishte vetme mes një vendi rrafsh, ku nuk kishte asgjë tjetër dhe mori drejtim për andej. Në shtëpi ishte vetëm një grua. Ajo grua, një të na parë ne, tha:
- “O robi i Allahut! Unë jetoj këtu vetëm dhe nuk kam askënd tjetër. Nëse doni gosti, do të shkoni tek i pari i fisit.”
I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) nuk iu përgjigj asaj gruaje. Edhe pak dhe do të binte muzgu. Nuk kaloi shumë dhe aty u kthye edhe i biri i asaj gruaje që kishte nja tri-a katër dhi, që dilte dhe i kulloste. Ja si iu drejtua të birit ajo grua:
“O bir, merre një dhi e atë thikën që është aty jashtë dhe çojua atyre njerëzve atje tej dhe thuaju nga ana ime: ta therin dhe ta hanë këtë dhi, por të na ndajnë edhe neve një pjesë.” Kur fëmija shkoi dhe ia tregoi Profetit tonë ato që e kishte porositur nëna, Profeti ynë i tha atij:
“Hiqe thikën dhe më sill një enë.” Fëmija tha:
“Po u bë natë, e kjo dhi nuk ka qumësht!”
“Ti bëj si të them unë.”, – e këshilloi i Dërguari i Allahut fëmijën. Atëherë, fëmija shkoi dhe solli një enë. I Dërguari i Allahut kontrolloi pak gjinjtë e dhisë me dorë dhe e moli atë derisa u mbush plot ajo enë. Pastaj i tha fëmijës:
“Këtë merre dhe çoja nënës.” Nëna e fëmijës piu prej atij qumështi derisa u ngop. Kur u kthye fëmija, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha atij:
“Tani merre këtë dhe sill një tjetër.” E moli edhe atë si të parën dhe i dha të pinte Ebu Bekrit, pastaj moli edhe një tjetër dhe nga qumështi i saj piu vetë.
Ebu Bekri (radijallahu anhu) thotë kështu: “Natën e kaluam aty, pastaj vazhduam rrugën. Ajo grua i pati vënë emrin “i Bekuari” Profetit tonë të nderuar. Me kalimin e kohës, asaj gruaje filloi t’i shtohej kopeja. Aq sa, njëherë, patën ardhur në Medinë për të shitur. Dhe i biri i tregoi së ëmës Ebu Bekrin, duke i thënë:
“Shiko, nënë, ky ishte njeriu tjetër që ishte atëherë me atë burrin e bekuar.” Ajo grua m’u drejtua mua:
“O robi i Zotit, kush ishte ai njeri që pati ardhur atëherë me ty në shtëpinë tonë?”
“A nuk e di ti se kush është ai?”, – e pyeta unë.
“Jo, nuk e di!”, – më tha ajo.”
“Ai ishte Profeti.”, – ia ktheva unë. Një të dëgjuar përgjigjen time, gruaja tha:
“Atëherë do të më çosh tek ai.” E mora atë grua dhe e çova pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Profeti ynë e gostiti gruan me gjëra shumë të mira dhe i bëri edhe shumë dhurata të ndryshme. Edhe ajo grua i solli Profetit tonë të nderuar djathë dhe disa gjëra të veçanta që përgatisnin beduinët. Atëherë, Profeti ynë e veshi atë grua me tesha të reja dhe i dha edhe disa dhurata me vete.
Ajo grua, atë ditë, u bë myslimane.”
Ardhja e rrëskut të sahabëve me një produkt të madh nga deti
Tregon Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu): “Një ditë, ne shkuam tek i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe iu ankuam se ishim shumë të uritur. Ai na tha:
“Shumë shpejt Allahu ka për t’ju falur juve ushqime shumë të mira dhe me bollëk madje.” Nuk kaloi shumë kohë dhe i Dërguari i Allahut na dërgoi ne që të ndiqnim Ebu Ubejden (radijallahu anhu) si komandant dhe të viheshim në ndjekje të një karvani të kurejshëve. Me vete, për të ngrënë, na dha vetëm disa hurma; sepse nuk pati arritur të gjente dot ndonjë gjë tjetër më shumë. Ebu Ubejdeja na ndante neve nga një hurmë në ditë.
“Si ia dilnit me një hurmë të vetme?”, – na pyesnin dhe Xhabiri u tregonte atyre:
“Ne e mbajmë hurmën nëpër gojë dhe e thithim, njësoj siç foshnjat thithin qumështin, e pas saj pimë edhe shumë ujë. Deri në mbrëmje ashtu ia dilnim. Godisnim degët e pemëve me copa druri që gjenim dhe gjethet e rëna i regjnim dhe i hanim.”
Derisa, në fund, arritëm pranë bregut të detit dhe përpara na u shfaq një pjesë toke me rërë, e cila u fry dhe doli diçka. Kur u afruam dhe e pamë, mësuam se ai ishte një lloj peshku, të cilin e quanin “anber”. Edhe pse Ebu Ubejdeja na tha se ai ishte i pistë, më vonë ai na tha:
“Ne jemi mëkëmbës të të Dërguarit të Allahut dhe jemi në rrugën e Allahut. Hajeni, meqë kemi mbetur në vështirësi.” Ne ishim treqind vetë dhe atje qëndruam për gati një muaj. Aty fituam shumë në peshë. Vajin që dilte nga syri i peshkut e mbushnim në enë dhe nga ai peshk këputnim copa sa një ka. Ebu Ubejdeja, një ditë, qe ulur me shokët e tij te syri i peshkut. Dhe një nga halat e peshkut nuk e pati larguar dot, ndaj e pati tërhequr me deve. Kur erdhi koha për t’u kthyer, ne poqëm edhe ca nga mishi i mbetur, që ta kishim me vete. Sa u kthyem në Medinë, ne i treguam të Dërguarit të Allahut se çfarë na kishte ndodhur dhe ai na tha:
“Ai peshk ishte ushqimi që Allahu jua fali juve si mirësi. Nëse ju ka mbetur ndopak prej mishit të tij, na jepni të hamë edhe ne.” Dhe ne ua dhamë atyre mishin që kishim me vete dhe ata e hëngrën.”
35.SAHABËVE U JEPET TË PINË UJË TEKSA JANË NË GJUMË
Abdullah bin Selami (radijallahu anhu) na tregon: “Në kohën që Osmanin (radijallahu anhu) e patën rrethuar kryengritësit, unë shkova tek ai që ta pyesja si ishte. Mbërrita dhe ai më priti duke më thënë:
“Mirë se erdhe, vëllai im.”, – duke më treguar:
“Sonte pashë të Dërguarin e Allahut, ja, ishte mu këtu te dera. Më tha mua:
“Të kanë rrethuar?”
“Po!”, – i thashë unë.
“Të kanë lënë pa ujë, apo jo, o Osman?”
“Po!”, – i thashë unë sërish dhe ai më zgjati një kovë me ujë. Piva gjithë qejf, derisa u ngopa, nga ai ujë. Madje, ja, edhe tani e ndiej në kraharor dhe në shpinë freskinë e atij uji. Pastaj ai më tha mua:
“Po të duash, ti mund të kesh ndihmën e Allahut kundër tyre. Ose, po deshe, iftarin mund të vish ta çelësh këtu, me ne, hë, kë do të zgjedhësh?” Unë zgjodha që të shkoj dhe ta çel atje, pranë tij, iftarin.
Atë ditë Osmanin (radijallahu anhu) e vranë dhe ai ra dëshmor.”
36.SAHABËT DHE BEGATIA E TË DHËNIT NË RRUGËN E ALLAHUT
Abdurrahman bin Jezid bin Xhabiri (radijallahu anhu) tregon: “Mua më ka treguar robinja e liruar nga Ebu Umameja, se: “Ebu Umames i pëlqente tej mase që të jepte në rrugën e Allahut, madje ai mblidhte pasuri enkas për t’i dhënë në rrugën e Allahut. Ai nuk kthente asnjë lypës duarbosh, jepte gjithçka, qoftë edhe një kokërr qepë, apo një kokërr hurmë, gjithë ç’t’i gjendej në atë kohë. Një ditë, tek ai erdhi një lypës, por ai nuk kishte asgjë për të ngrënë, që t’ia jepte. Kishte vetëm tre dinarë. Ai i dha lypësit një dinar. Pastaj erdhi edhe një lypës tjetër, i dha edhe atij një dinar. Erdhi një lypës i tretë dhe ai i dha atij dinarin e vetëm që i kishte mbetur.
Robinja e tij thotë: “U nxeha me të dhe i thashë:
“Po nuk na ke lënë neve asgjë!” Ebu Umameja vuri kokën në jastëk për të bërë pak nga gjumi i drekës. Kur dëgjova që po këndohej ezani i drekës, shkova dhe e zgjova. Mori abdes dhe u nis për në xhami. Atë ditë ishte me agjërim. Më erdhi keq dhe gjeta ca gjëra hua dhe thashë t’i përgatisja diçka për iftar. Ndeza edhe një kandil në shtëpi. Kur hyra në dhomë, që t’i rregulloja shtratin, kur ç’të shihja, atje ishin ca florinj! I numërova, ishin plot treqind dinarë. Thashë me vete:
“Epo, ky njeri i paskësh marrë masat, derisa jep aq shumë lëmoshë.”
Ebu Umameja fali edhe namazin e jacisë, pastaj u kthye në shtëpi dhe kur e gjeti sofrën të shtruar dhe kandilin të ndezur, fillimisht buzëqeshi, pastaj tha:
“Faleminderit kësaj gruaje.” Ebu Umameja hëngri iftarin dhe unë prita në këmbë derisa të mbaronte. Pasi mbaroi ushqimin, i thashë:
“Zoti të faltë! Paratë që i duheshin shtëpisë i kishe lënë në shesh në shtrat, pa më thënë mua asgjë! I mora dhe i fsheha.” Ebu Umameja (radijallahu anhu) m’u kthye:
“Për çfarë parash e ke fjalën, unë nuk kam lënë askund asnjë para!” Ngrita shtratin dhe ia tregova; u gëzua pa masë dhe dukej që ishte i çuditur. Zaten, që nga ajo ditë edhe unë e preva dhe e hodha tutje brezin e zjarrit që mbaja gjithmonë dhe u bëra myslimane.
Ibni Xhabiri (radijallahu anhu) thotë: “Ishte po kjo robinjë, që pati liruar Ebu Umameja, e kam parë vetë se si rrinte në xhaminë e Humusit dhe u mësonte grave Kur’an, Sunetin e Profetit tonë të nderuar dhe ligjësitë e Islamit, duke dhënë një kontribut shumë të veçantë që gratë ta njihnin më së miri fenë e tyre.”
37. BOLLËKU I ARDHUR ME NJË LUTJE TË TË DËRGUARIT TË ALLAHUT
E tregon Uruetu’l-Barikiu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u përball me një shitës ambulant. I dha atij një dinar dhe e porositi që me ato para të blinte një dele. Shitësi ambulant doli në Pazar dhe me atë dinar bleu jo një, por dy dele. Gjatë rrugës ai takoi një blerës dhe ia shiti njërën nga delet për një dinar. Ai u kthye te Profeti ynë me një dele dhe një dinar në dorë. Atëherë, Profeti ynë Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) i tha atij duke u lutur:
“Zoti të faltë ty begati në tregti.” Na është transmetuar, se ai burrë, falë begatisë së kësaj lutjeje nga ana e Profetit tonë, sikur dhe të merrte e të dilte për ta shitur, ai prapë do të arrinte të nxirrte fitim.”
Tregon Ebu Ukajli (radijallahu anhu): “Gjyshi im, Abdullah bin Hishami (radijallahu anhu) më dërgonte mua të dilja në pazar, që të blija ushqim. Atje takohesha me Ibnu’z-Zubejrin dhe Ibni Omerin dhe ata më thoshin:
“Na lejo të bëhemi edhe ne ortakë me ty në tregtinë tënde, sepse Krenaria e Gjithësisë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) është lutur enkas për ty, që tregtia dhe shit-blerjet e tua të jenë të begata.” Dhe gjyshi im ua plotësonte atyre këtë kërkesë. Shumë herë arrinin të nxirrnin fitime sa një barrë deveje, të cilin e dërgonte pastaj në shtëpi.”
38. TË SËMURËT GJEJNË SHËRIM ME LUTJEN E PROFETIT TONË TË NDERUAR
Këtë e tregon Aliu (radijallahu anhu): “Isha i sëmurë, kur aty ia behu i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe nga goja ime ishin duke dalë këto fjalë:
“O Zot! Nëse më ka ardhur exheli, merrmë mua një çast e më parë pranë vetes. Por, nëse exheli nuk do të vijë tani, por më vonë, atëherë shpëtomë mua duke i dhënë shërim sëmundjes sime. E, nëse kjo është vetëm një sprovë, atëherë më bëj mua që të duroj.” Profeti ynë më pyeti mua:
“Si e the atë lutje, ma trego edhe mua njëherë?” Dhe unë ia përsërita ato që kisha thënë teksa lutesha. Më preku lehtë me këmbë dhe u lut duke thënë:
“O Allah, jepi atij shërim.” Që prej asaj kohe unë nuk kam pasur më asnjëherë as edhe një dhimbje të vetme.”
39. MOSPREKJA E SAHABËVE NGA HELMI, NJË MIRËSI E ALLAHUT
Tregon Muhamed bin Ebi’s-Seferi: “Një prej të parëve të Hires, Ibni Bukajla (Amr bin Abdulmesihu) kishte një shërbyes. Kudo që do të lidhte brezin ai shërbyes, aty do të gjendej një torbë. Në atë kohë atje kishte shkuar si mysafir edhe Halidi. Njërën nga herët Halid bin Uelidi (radijallahu anhu) e mori atë torbë dhe futi dorën në të, për të parë se çfarë kishte, pastaj u drejtua nga Amri dhe e pyeti:
“Ç’është kjo kështu, o Amr?” Amri ia ktheu duke i thënë:
“Unë betohem tek amaneti i Allahut, se ky është një helm shumë i fuqishëm, i cili do ta vriste menjëherë një njeri.”
“Po pse e ruan këtë helm?”, – e pyeti Halidi i habitur dhe Amri i tregoi se si qëndronte puna, duke i thënë:
“Kisha frikë se mos ju mbanit qëndrim ndryshe ndaj nesh dhe e ruajta këtë helm, që në një rast të atillë ta pija e të vrisja veten. Më mirë të vdes, sesa popullit dhe banorëve të kësaj rrethine t’u vijë ndonjë e keqe nga unë.” Halid bin Uelidi i tha atij:
“Asnjë gjallesë nuk vdes pa i ardhur exheli i caktuar nga Allahu. Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Atij që është Zoti i Tokës dhe i Qiejve dhe që ka emrat më të Bukur. Me emrin e Tij asnjë sëmundje nuk i bën dot dëm njeriut.”, – dhe e mori helmin për ta futur në gojë. Edhe pse ata që gjendeshin aty bënë ç’të mundnin për ta penguar, madje iu vërsulën edhe sipër, por ai u tregua më i shpejtë dhe e kapërdiu helmin. Amri, kur pa që ai helm nuk i bëri Halidit asnjë efekt, tha:
“O arabë! Unë i betohem Allahut, se për sa kohë që të ketë nga sahabët e të Dërguarit të Allahut, ju do të arrini të përmbushni çdo dëshirë që të keni.”, – pastaj u kthye nga banorët e Hires dhe u tha këto fjalë:
“Unë kurrë nuk kam qenë dëshmitar i një ngjarjeje kaq të hapur e kaq premtuese për të ardhmen e besimtarëve.”
40. ME LUTJEN E PROFETIT TË ALLAHUT NUK NDIHEN AS VAPA E AS I FTOHTI
Tregon Xhabiri (radijallahu anhu): “Bilali Habeshiu më pati treguar mua: “Në fund të një nate të ftohtë, unë dola të këndoja ezanin e sabahut. Në xhami nuk erdhi asnjë njeri. Pak më vonë unë dola dhe e këndova ezanin edhe njëherë tjetër. Sërish nuk erdhi asnjë njeri. Pas ezanit të dytë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më pyeti mua:
“Pse nuk po vjen asnjë nga xhemati, o Bilal?” Dhe unë iu përgjigja duke i thënë:
“Kurban t’u bëfshin ty nëna dhe babai im, o Resulullah, ndoshta myslimanët nuk po dalin dot nga shtëpia ngase është shumë ftohtë.” Atëherë, Profeti ynë i nderuar filloi të lutej:
“O Zot, bëji, të lutem, myslimanët që të mos e ndiejnë të ftohtin.”
Më kujtohet fare mirë, se si, paraditen e asaj dite, myslimanët dolën nëpër rrugë dhe përpiqeshin të freskoheshin me erashka nëpër duar.”
41. LUTJA E PROFETIT BËN TË MUNDUR
QË MYSLIMANËT TË MOS E NDIEJNË URINË
Imran bin Husajni (radijallahu anhu) na tregon: “Ishim ulur pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur aty erdhi e bija, Fatimja, e cila u ul mu përballë të atit. Profeti ynë i tha asaj:
“Eja, afrohu, oj Fatime!” Fatimja u afrua edhe pak. Ai i kërkoi që të afrohej edhe pak më shumë dhe Fatimja u afrua sërish. Ai i kërkoi që të afrohej edhe pak. Në fund, Fatimja ishte ulur mu përpara Profetit tonë. Fatimja ishte zverdhur dhe dukej sikur nuk kishte asnjë pikë gjaku nën lëkurën e fytyrës. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) hapi gishtat dhe dorën e vuri mes kockave të shpatullave të Fatimes. Ngriti kokën dhe u lut me këto fjalë:
“O Zoti im, që i ngop të uriturit, u përmbush nevojat gjithë nevojtarëve dhe të dobëtit i ngre në këmbë! Mos i jep uri Fatimes, bijës së Muhamedit!” Menjëherë pas kësaj lutjeje, zbehja e fytyrës së Fatimes iku sikur ta kish hequr dikush me dorë dhe unë e pashë me sytë e mi se si në fytyrën e saj erdhi gjak. Më vonë, kur e pyeta Fatimen në lidhje me atë çfarë pati ndodhur asaj dite, ajo më tha mua:
“Shiko, Imran! Që prej asaj dite unë nuk e kam pasur më ndjesinë e urisë.”
42. BEGATIA E LUTJES SË TË DËRGUARIT TË ALLAHUT PAKËSON SHENJAT E PLEQËRISË
Ebu Zejd el-Ensari thotë se: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më tha mua që t’i shkoja pranë. Kur u afrova, ai më ledhatoi kokën dhe u lut për mua me fjalët:
“O Zoti im, zbukuroje këtë njeri dhe bëje bukurinë e tij të mos prishet.”
Edhe pse i kaloi të njëqindat, Ebu Zejd el-Ensari (radijallahu anhu) në mjekër nuk kishte më shumë sesa disa fije të bardha. Ai ishte një njeri që përherë e shihje të buzëqeshur. Dhe ashtu vazhdoi deri në çastin që dorëzoi shpirtin, askush nuk e pa ndonjëherë me fytyrë të vrenjtur.”
Një tjetër transmetim lidhur po me këtë temë
Përcillet nga Hajan bin Umejri: “Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e pati ledhatuar Katade bin Milhanin (radijallahu anhu) në fytyrë. Katades, edhe pse ishte moshuar dhe trupi i ishte vjetruar dhe i kishte rënë, fytyra e tij nuk ndryshoi kurrë. Hajani thotë se: “Kur vdiq Katadeja, unë isha aty te kryet e tij. Fytyra i shkëlqente si të ishte një pasqyrë.”
43. NJË NGA SAHABËT SHPËTON NGA IZOLIMI KU MBAHEJ PENG DUKE PËRDORUR LUTJEN QË I KISHTE MËSUAR I DËRGUARI I ALLAHUT
Adem bin Ebi Ijasi na ka përcjellë nga Muhamed bin Is’haku dhe na ka treguar se: “Malik el-Eshxhaiu shkoi te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e njoftoi se djali i tij, Aufi, kishte rënë peng në duart e armikut. Profeti ynë i tha atij:
“Dërgoji fjalë djalit dhe thuaji: Resulullahu të urdhëron ta bësh sa më shumë lutjen: ‘La haule ue la kuvete il’la bil’lah’” Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet se Profeti ynë e këshillon babanë e Aufit që të bëjë durim, sepse Allahu ka për të dërguar medoemos një rrugëzgjidhje. Aufit iu dërgua fjalë dhe iu transmetua edhe lutja që i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i kishte thënë se duhet të bënte vazhdimisht.
Aufi, një të marrë lajmin e Profetit tonë, u ul me kokën poshtë dhe filloi të thoshte vetëm ‘La haule ue la kuuete il’la bil’lah’. E kishin lidhur shumë fort, por të gjitha lidhjet u zgjidhën vetvetiu si t’i kish zgjidhur dikush me dorë. Doli menjëherë jashtë dhe aty pa një deve që u përkiste atyre që e kishin zënë peng. I hipi devesë dhe u largua së andejmi me të shpejtë. Gjatë rrugës gjeti edhe kopetë e deveve të atyre që e kishin marrë peng. U bëri ca zëra kopesë dhe devetë e ndoqën nga pas. Thirrja e Aufit se ishte kthyer ishte e papritur për nënën dhe babanë e tij. Babai doli dhe tha:
“Lëvduar qoftë Zoti i Qabes, ky është Aufi ynë!” Edhe nëna bërtiste nga gëzimi:
“Zemra ime, shpirti im!” – ashtu e pritën djalin e tyre, përqafo njëri e përqafo tjetri. Shqetësimi i vetëm që i kishte mbetur Aufit ishin shenjat dhe dhimbja që kishin lënë zinxhirët në trup. Babai dhe shërbyesja e shtëpisë vrapoi për te dera. E ç’të shihnin! Aufi e kishte mbushur avllinë e shtëpisë plot e përplot me deve! Ai i tregoi babait se si qëndronte puna e deveve. Dhe ai shkoi menjëherë për te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), për ta njoftuar, si për kthimin e Aufit, ashtu edhe për devetë. Profeti ynë tha kështu:
“T’i përdorni si të doni ato deve, i ke njësoj si devetë e tua.” – Në atë kohë u zbrit ky ajet: “(...) dhe do t’i japë rrësk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Talak, 65/3)
44. NGJARJE TË HIDHURA QË U NDODHIN ATYRE QË NUK DËGJOJNË FJALËN E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT
Abas bin Sehl bin Sa’d es-Saidi (radijallahu anhu) tregon: “Në kohën që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi dhe u vendos në Hixhr (vendi ku ka jetuar populli i Themudit, që u shkatërrua nga Allahu), myslimanët u përpoqën të nxirrnin ujë nga pusi i atjeshëm. Myslimanët sa po largoheshin nga gryka e pusit, kur i Dërguari i Allahut u tha atyre:
- “Se mos pini nga uji i atij pusi; në asnjë mënyrë! As abdes mos merrni me ujin e atij pusi. Nëse keni zënë brumë me atë ujë, jepuani deveve ta hanë ato dhe mos hani nga buka e zënë duke përdorur atë ujë. Dhe sonte askush të mos dalë nga shtëpia pa pasur edhe një shok me vete.”
Të gjithë sahabët iu bindën atij urdhri të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), përveç dy prej tyre. Njëri syresh ishte dikush nga Beni Saideja, i cili pati dalë jashtë për të kryer nevojat. Kurse tjetri kishte dalë për të kërkuar devenë e larguar. Ai që doli për të kryer nevojat, e sulmuan xhindet. Kurse ai që doli të kërkonte për devenë, një furtunë e tmerrshme e mori dhe e çoi deri përtej maleve Taj.
E njoftuan të Dërguarin e Allahut, i thanë se çfarë kishte ndodhur dhe i Dërguari i Allahut tha:
- “Unë ju pata lajmëruar, që të mos dilni nga shtëpia pa pasur një shok me vete, ju pata thënë, apo nuk ju pata thënë?” Ai u lut për atë që e kishin goditur xhindet. Me lejen e Allahut ai njeri u shërua. Kurse tjetri arriti të gjente rrugën e të bashkohej me myslimanët gjatë ekspeditës së të Dërguarit të Allahut në Tebuk.”
45.XHINDET QAJNË PËR SAHABËT E RËNË DËSHMORË
Tregon Sulejman bin Jesari (radijallahu anhu): Xhindet, rënien dëshmor të Omerit (radijallahu anhu) e vajtuan me këto fjalë: “Përshëndetje ty, o Prijësi i Besimtarëve! Allahu i faltë bashkim këtij vendi, që është në prag të copëtimit! Ti nise zhvillime aq të mëdha dhe shpirtin dorëzove ende pa ua parë frytet. Daç të vrapojnë daç të hipin mbi të rejat deve; ata që duan të arrijnë punët që bëre ti dje, sot e kanë të vështirë që ndonjërën syresh ta bëjnë. Pse nxiu kështu ky qiell i Medinës, po pemëve pse po u lëkunden dhe trungjet, apo vallë marrin pjesë edhe kanë edhe ato zi, ngase ai ra dëshmor?”
46.SHFAQJA NË ËNDRRA E DISA SAHABËVE TASHMË TË VDEKUR
Pas vdekjes së babait të tij, Ibni Omeri e sheh atë në ëndërr Tregon Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Për mua, në këtë botë nuk ka gjë më të gëzueshme sesa të marr vesh se në ç’gjendje është Omeri (radijallahu anhu) në jetën e përtejme. Në ëndërr pashë një shtëpi të madhe. Pyeta se kujt i takonte ajo shtëpi aq e madhe.
“Kjo shtëpi e madhe është e Omer bin Hatabit.”, – më thanë. Prej saj doli vërtet Omeri (radijallahu anhu). Ishte sikur sapo ishte larë dhe ishte veshur me tesha të pastra dëborë.
“Si je aty?”, – e pyeta.
“Mirë jam, do të isha krejtësisht i mbaruar, po të mos kish qenë falja, dhembshuria dhe mëshira e Allahut.”
“Sa vjet janë bërë qëkur jam larguar prej jush?”, – më pyeti.
“Janë bërë plot dymbëdhjetë vjet.”, – i thashë unë.
“Të pyeta, se tani shpëtova nga dhënia e llogarisë.”, – më tha ai.”
Abdullah bin Selami sheh në ëndërr Selman Farisiun
E ka treguar Abdullah bin Selami (radijallahu anhu): “Selmani (radijallahu anhu) më pati thënë:
“Shiko, vëlla, ai që do të vdesë i pari nga ne, të përpiqet e të bëjë çmos që t’i shfaqet atij që do të jetë gjallë në ëndërr.” Unë i thashë:
“A thua të jetë e mundur diçka e këtillë?”
“Po, shpirti i besimtarit është i lirë. Ai mund të shkojë ku të dojë në Tokë; vetëm mohuesi është i burgosur dhe i izoluar.”, – mu përgjigj.
Kaloi kohë. Selmani shkoi pranë mëshirës së Atij që është më i Drejti dhe më i Vërteti. Një ditë, ishte kohë dreke dhe unë isha shtrirë për të fjetur pak në drekë dhe po shikoja ëndërr. Mu afrua Selmani dhe më përshëndeti duke më thënë:
“Es’selamu alejke ue rahmetullahi ue berekatuh”. Dhe unë i thashë:
“Ue alejkes’selam ue rahmetullah, o Ebu Abdullah! Si është vendi yt aty, a je i kënaqur?”
“Vendin të mirë e kam, mos e lër për asnjë çast mbështetjen e plotë tek Allahu. S’paskësh pasur gjë më të mirë sesa mbështetja e plotë tek Allahu i Madhëruar! Kurrë mos e braktis, qoftë edhe për një moment të vetëm, mbështetjen tek Ai! Veç ta dish, sa e bukur paskësh qenë mbështetja e plotë tek Allahu! Unë e pashë vetë me këta sy se ç’vepër e virtytshme është mbështetja e plotë tek Allahu i Madhëruar, aq sa e bën njeriun të çuditet për veten e tij.”
Shënimet
- 808.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/109 (9985).
- 809.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/334.
- 810.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/121.
- 811.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/283 (18522).
- 812.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/279; Ebu Nu’ajm, Delail, 2/170.
- 813.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/281.
- 814.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/133 (11112).
- 815.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/250.
- 816.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/293 (2679).
- 817.. El-Hakim, Mustedrek, 3/536 (5994).
- 818.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/204.
- 819.. Muslim, Sahih, 1/548 (796).
- 820.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/357; Ibn Haxher, el-Isabe, 1/361.
- 821.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/428.
- 822.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/232.
- 823.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/775 (30212).
- 824.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/332.
- 825.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 11/285 (11750).
- 826.. Ibn Kethir, Tefsir, 2/315.
- 827.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 2/71.
- 828.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/178 (10115).
- 829.. Ebu Nu’ajm, Delail, 2/9.
- 830.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/153 (14684).
- 831.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/312.
- 832.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/794 (35788).
- 833.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/794 (35788).
- 834.. El-Hakim, Mustedrek, 3/626 (6312).
- 835.. “qëndrojmë në Tokë”, me kuptimin që të stabilizohemi në një vend. (shën. red.)
- 836.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/190.
- 837.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 2/339.
- 838.. Ebu Nu’ajm, Delail, 1/299.
- 839.. Ibn Hibban, Sahih, 14/329 (6418).
- 840.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/71.
- 841.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/97.
- 842.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/127.
- 843.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/126.
- 844.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/224.
- 845.. Ibn Kethir, Tefsir, 2/279.
- 846.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/289.
- 847.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/154.
- 848.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/563.
- 849.. Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 7/372 (36790).
- 850.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/341.
- 851.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/245.
- 852.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/146. 46el-Bidaje, 7/147.
- 853.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/143.
- 854.Tefsir, 3/464.
- 855.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 18/95 (167).
- 856.. Taberi, Tarih, 2/460.
- 857.el-Bidaje, 6/155.
- 858.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/153.
- 859.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 8/213.
- 860.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/152.
- 861.. Ibn Haxher, el-Isabe, 3/6.
- 862.. Buhari, Sahih, 1/345 (973).
- 863.. Ibn Haxher, el-Isabe, 1/315.
- 864.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 8/224.
- 865.. Buhari, Sahih, 3/1310 (3380).
- 866.. Buhari, Sahih, 3/1308 (3378).
- 867.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/119; Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/180.
- 868.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/115.
- 869.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/12 (20147).
- 870.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/490 (16049).
- 871.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/104.
- 872.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/116.
- 873.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 7/19.
- 874.. Ibn Haxher, el-Isabe, 4/431.
- 875.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/102.
- 876.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/944 (46287).
- 877.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/276.
- 878.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/182.
- 879.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 10/129.
- 880.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/476.
- 881.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/166.
- 882.. Tirmidhi, Sunen, 5/560 (3564).
- 883.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/582 (15884).
- 884.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/166.
- 885.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/328 (15205).
- 886.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/166; Ibn Haxher, el-Isabe, 4/78.
- 887.. Ibn Haxher, el-Isabe, 3/225.
- 888.. Ibn Kethir, Tefsir, 4/380; Taberi, Tefsir, 28/98.
- 889.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/11.
- 890.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/374.
- 891.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/54.
- 892.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/93.