JETA E SAHABËVE 2
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
ARSYET PSE SAHABËT ISHIN TË DENJË PËR NDIHMËN E ALLAHUT
Cilat janë shkaqet që bënin që sahabët fisnikë të përfitonin aq shumë ndihmë shpirtërore? Si e perceptonin dhe si e vlerësonin ata ndihmën që u vinte nga Allahu? Sa rëndësi u jepnin ata shkaqeve materiale dhe si prireshin ata vetëm kah Ai, i Cili është Shkaktari i të gjitha shkakësive?
1.ATA NUK I TREMBESHIN ASNJË VËSHTIRËSIE
Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) na tregon: “Islami ka përballuar shumë peripeci e shumë vështirësi. Ne i bëmë ballë çdo vështirësie, për t’u kujdesur për Islamin, që është më i bukuri ndër bukuri. Bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ne u detyruam të largoheshim nga Meka dhe të migronim në drejtim të Medinës dhe shumë të tjerë drejt shumë vendesh të tjera. Me mërgimin filloi edhe përparimi e arritjet tona. E po ashtu, me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ne u bëmë një trup dhe dolëm të luftonim në luftën e Bedrit. Gjendjen e bashkësisë së myslimanëve të atyre ditëve asgjë nuk e përshkruan më mirë e më saktë sesa ky ajet i Kur’anit Famëlartë:
“(...) Zoti yt të nxori nga shtëpia jote (për të luftuar) për të Vërtetën, edhe pse kjo nuk i pëlqeu një grupi prej besimtarëve. Ata polemizojnë me ty për të vërtetën (luftën), e cila u ishte bërë e qartë, sikur të ishin duke u çuar drejt vdekjes së sigurt. Allahu ju premtoi fitoren mbi njërin prej dy grupeve, që ai të ishte i juaji. Ju dëshironit që grupi i paarmatosur të ishte i juaji, ndërsa Allahu dëshironte të përmbushte premtimin e Tij dhe t’ua zhdukte rrënjët mohuesve, (...)” (Enfal, 8/5-7)
Këtu, me grup të paarmatosur kihet parasysh karvani i kurejshëve. Allahu i Madhërishëm na fali neve fitoren e asaj lufte dhe ne i arritëm të gjitha ato të mira me shumë mund dhe duke kapërcyer vështirësi nga më të mëdhatë.”
2.SAHABËT U BINDEN URDHRAVE TË ALLAHUT NË MËNYRË TË PAKUSHTËZUAR
Utbe bin Abd es-Sulemiu tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu drejtua sahabëve të tij dhe u tha:
“Ejani, ngrihuni të luftoni.” Dhe ata thanë:
“Po, o Resulullah. Ne nuk do të themi siç i thanë hebrenjtë Musait (alejhis’selam): ‘Shkoni ti dhe Zoti të luftoni, ne do të rrimë do të presim këtu!’ Ne themi: ‘Luftoni ti dhe Zoti ynë, o Muhamed, e ne do të jemi atje, në luftë, bashkë me ju.’”
Në një transmetim tjetër thuhet kështu: “Sa’d bin Ubadeja (radijallahu anhu) i thotë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem): - “Unë i betohem Allahut, se nëse ti na urdhëron neve që të vijmë e të luftojmë e gjaku ynë të derdhet lumë e të arrijë gjurin, ne do të vijmë pa as lëkundjen më të vogël! Edhe deri në Berku’l-Gamad të na kërkosh që të shkojmë, ne deri atje kemi për t’u grahur kuajve tanë.”
3. MBËSHTETJA E PLOTË E SAHABËVE TEK ALLAHU DHE PËRGËNJESHTRIMI I ATYRE QË ISHIN NË RRUGËN E DEVIJUAR
Abdullah bin Auf bin el-Ahmeri tregon: “Një person i quajtur Musafir, pikërisht në kohën që Aliu (radijallahu anhu) po bëhej gati për të lëvizur nga Enbari në drejtim të Nehreuait, tha:
“O Prijësi i Besimtarëve, mos u nis në asnjë mënyrë në këtë orë. Nisu tri orë pasi të ketë perënduar dielli e të ketë rënë muzgu.” Dhe, kur Aliu (radijallahu anhu) e pyeti se pse duhej të vepronte ashtu, Musafiri i dha këtë përgjigje:
“Nëse nisesh tani, në këtë orë, ju ju pret diçka shumë e keqe. Ama, nëse niseni atëherë kur ju them unë, ju do të dilni fitimtarë dhe do t’ia arrini fare mirë qëllimit tuaj.” Aliu (radijallahu anhu) u përgjigj:
“Profeti ynë nuk pranonte fallxhorë. As ne që do të vijmë pas tij nuk do të përdorim fallxhorë. Ti a e di se ç’ka në barkun e këtij kalit tim?”
“Ma merr mendja.”, – u përgjigj Musafiri. Atëherë, Aliu (radijallahu anhu) tha:
“Pra, ti thua që e di duke e marrë me mend. Ai që i beson fjalës sate i bie të ketë mohuar Kur’anin, sepse Allahu thotë kështu: “Pa dyshim, vetëm Allahu e di Orën e caktuar. Ai e zbret shiun dhe e di ç’ka në barkun e shtatzënës. Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” (Lukman, 31/34) I Dërguari ynë Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk pretendonte si ti, që e dinte të panjohurën. Ti çfarë do të thuash, që ata që do të nisen tani për rrugë, do të përballen me një fatkeqësi?”
“Po!”, – u përgjigj Musafiri. Paskëtaj, Aliu (radijallahu anhu) tha:
“Nëse dikush i beson kësaj fjalës sate, kjo do të thotë se ai nuk ka më nevojë për Allahun për t’u bërë ballë të këqijave që i ndodhin. E ka rënë në idhujtari çdokush që i bindet fjalës sate, sepse ti pretendon se di se kur do të përballen njerëzit me të keqen.
O Zot! Nga Ti është edhe e mira, edhe e keqja. Nuk ka zot tjetër përveç Teje. Shiko, Musafir, ti je gënjeshtar, ne nuk do ta dëgjojmë fjalën tënde, përkundrazi, do të bëjmë pikërisht të kundërtën. Ja, pikërisht tani po nisemi, tani, që ti na thua se për ne do të jetë e rrezikshme!..”
4. SAHABËT, NDERIN E VËRTETË, E KËRKONIN TEK TË QENËT NDJEKËS TË FESË SË ALLAHUT
Na tregon Tarik bin Shihabi (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anhu) u nis për në Siri. Me vete kishte marrë edhe Ebu Ubejde bin Xherrahun (radijallahu anhu). Kur shkuan në një vend që ishte moçalishte dhe me ujë shumë, Omeri (radijallahu anhu) zbriti nga deveja, hoqi këpucët që kishte në këmbë dhe i hodhi në sup. E tërhoqi devenë nga frerët dhe hyri në ujë. Ebu Ubejdeja i foli:
“Çfarë bën, o Prijësi i Besimtarëve! A të ka hije ty një veprim i këtillë? I heq këpucët dhe i hedh në sup dhe hyn në atë batak duke e tërhequr devenë nga frerët! Nuk shkon fare që njerëzit më të nderuar të Damaskut të të shohin ty në këtë gjendje, duke e tërhequr devenë nga frerët zbathur!” Omeri (radijallahu anhu) iu përgjigj duke i thënë:
“I mjeri unë, ta kishte thënë ndonjë tjetër këtë fjalë, do t’i kisha dhënë një dënim të mirë, që t’i bëhej mësim gjithë umetit të Muhamedit! Ne kemi qenë një popull i mjerë. Nderin ne na e dha Allahu duke na bërë myslimanë. E, nëse ne do të presim nderim nga ndonjë gjë tjetër e vogël, përveç Islamit, me të cilin na ka nderuar Allahu, atëherë Ai na e merr mbrapsht nderin që na ka falur e na bën sërish të përbuzur e të ulët në sytë e njerëzve!”
5.QASJA ME DREJTËSI NDAJ PASUESVE TË FEVE TË TJERA, EDHE KUR SAHABËT ISHIN MË TË FUQISHËM
Abdullah bin Handhaleja (radijallahu anhu) tregon: “Në ushtri ne ishim nën komandën e Selman Farisiut (radijallahu anhu). Njëri nga ne këndoi suren ‘Merjem’ dhe një nga besimtarët e fesë së Musait (alejhis’selam), që ishte aty, tha diçka fyese për Merjemin dhe Isain (alejhis’selam). Ne e rrahëm atë derisa goja iu mbush plot me gjak. Ai njeri shkoi dhe iu ankua Selmanit. Ishte hera e parë, kurrë më parë asnjë nga judejtë nuk pati shkuar ndonjëherë që të ankohej. Kushdo që mendonte se i ishte bërë ndonjë padrejtësi, shkonte drejt e te Selmani. Selmani erdhi tek ne dhe na tha:
“Pse e keni rrahur këtë njeri?” Ne iu përgjigjëm:
“Ishim duke lexuar suren ‘Merjem’, kur ky njeri shau Merjemin e nderuar dhe profetin Isa (alejhis’selam).”
“Po mirë, ju pse i lexoni këto ajete që t’ju dëgjojnë edhe këta? A nuk e keni dëgjuar ju fjalën e Allahut (xhele xhelaluhu), që thotë:
“Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos shajnë Allahun armiqësisht nga padija. Kështu, Ne i paraqesim të bukura çdo populli veprat e veta. Pastaj, ata do të kthehen te Zoti i tyre, i Cili do t’i lajmërojë për gjithçka që kanë bërë.” (En’am, 6/108), duke shtuar:
“O arabë! Për sa i përket fesë, a nuk ishit ju më keq sesa të gjithë njerëzit e tjerë? A nuk ishte vendi juaj vendi ku bëheshin edhe të këqijat më të mëdha? Mes njerëzve, a nuk ishit ju ata që bënin jetën më të shpifur nga të gjithë? Ja, ju ishit në një gjendje aq të keqe, por Allahu ju fali juve nder dhe krenari, duke ju nderuar me Islamin? Pas gjithë këtyre, tani, ju pse doni që t’i mundoni njerëzit në emër të Islamit? Uallahi, ose hiqni dorë nga kjo sjellje, ose Allahu jua merr nga duart ato që ju ka dhënë dhe ua jep ato të tjerëve!”
Mandej, Selmani (radijallahu anhu) filloi të na mësonte duke na thënë: “Namazet shtesë falini në kohën mes kohës së akshamit dhe kohës së jacisë, kështu do të mund t’i bëni më lehtë përmendjet që ju i bëni Allahut. Veç kësaj, as nuk do t’ju shkojë mbrëmja dëm, sepse atij që çon dëm pjesën e parë të natës, fundi i saj i shkon akoma edhe më keq.”
6.SAHABËT FISNIKË NXJERRIN MËSIM NGA FATKEQËSITË
Xhubejr bin Nufejri (radijallahu anhu) tregon: “Pengjet e zëna gjatë luftës së Qipros, u ndanë mes luftëtarëve myslimanë dhe disa prej tyre qanin. Pashë njëherë, edhe Ebu Derdaja ishte tërhequr drejt një qosheje dhe qante!
“O Ebu Derda, çfarë të ka bërë për të qarë në një ditë si kjo, kur Allahu i ka nxjerrë fitimtarë dhe krenarë Islamin dhe myslimanët?” Ai m’u përgjigj duke më thënë:
“Je shumë i çuditshëm, o Xhubejr! Shiko se sa poshtë bien, sa të përbuzur bëhen, të gjithë ata që nuk u binden urdhrave të Allahut? Njëherë e një kohë edhe këta njerëz ishin të fuqishëm, të fortë dhe me shumë pushtet, por, tani, siç e sheh, ata nuk ua vunë veshin urdhëresave të Allahut dhe Allahu i bëri të jenë robërit tanë. E një popull i rënë rob është i privuar nga ndihmesa dhe mbështetja e Allahut të Madhëruar.”
7.SINQERITETI I SAHABËVE DHE NGARENDJA E TYRE DREJT FITIMIT TË JETËS SË PËRTEJME
Tregon Ebu Abdete’l-Anberi (radijallahu anhu): “Në kohën që myslimanët ngadhënjyen mbi qytetin e Medainit dhe mblodhën plaçkën e luftës, aty ia behu një burrë me një kutizë me aromë misku dhe ia dorëzoi atë personit që ishte përgjegjës për mbledhjen e plaçkës. Ata që ishin përreth nëpunësit, i thanë atij:
“Kurrë s’kemi parë ndonjëherë diçka të tillë. Asnjëherë nuk na ka ardhur ndonjëri e të na japë si plaçkë lufte një kuti si kjo! Apo mos e ndave nga plaçka tjetër dhe e ruajte për vete?” Ai iu përgjigj:
“Uallahi, po të mos i besoja Allahut, unë nuk vija e t’jua dorëzoja juve atë!” Pasi dëgjuan se ç’tha, njerëzit e ndienë se ai duhet të ishte ndonjë njeri i rëndësishëm.
“Po kush je ti?”, – e pyetën ata.
“Jo, unë nuk jua them se kush jam. Nëse jua them, atëherë edhe ju do të më thurni fjalë të mira. Do të dëgjojnë të tjerët, e në syrin e tyre unë do të zmadhohem akoma edhe më shumë. Unë e lëvdoj dhe e madhëroj Allahun dhe jam i kënaqur vetëm me shpërblimin që do të më japë Allahu.” Atij burri i vunë dikë nga pas, që ta ndiqte, ku do të shkonte, çfarë do të bënte. Gjetën disa nga shokët e tij dhe e pyetën për të. Si përfundim, ata mësuan se ai njeri ishte Amir bin Abdi
Kajsi.”
8. SAHABËT I KËRKONIN NDIHMË ALLAHUT VETËM DUKE KËNDUAR KUR’AN DHE DUKE IU LUTUR ATIJ
Zejd bin Eslemi (radijallahu anhu) tregon: “Omeri (radijallahu anhu), kur pa se ngadhënjimi mbi Egjipt po vononte, vendosi që t’i shkruante Amr bin el-Asit (radijallahu anhu) një letër, në të cilën i thoshte:
“Për sa i përket çështjes së ngadhënjimit mbi Egjipt, unë habitem se si e keni marrë me kaq lehtësi dhe ende nuk keni arritur që të ngadhënjeni. U bënë vite që vazhdoni të luftoni në atë front. Shkaku i vetëm i kësaj duhet të jetë ai se shpirtrat duhet t’jua ketë kapluar dashuria për jetën e kësaj bote. Allahu bashkësitë njerëzore i ndihmon duke u parë atyre sinqeritetin që ata kanë në qëllimet e tyre. Të kam dërguar katër burra. Secili prej tyre është sa njëmijë luftëtarë, ta dish. Patjetër, nëse nuk ndryshojnë edhe ata kur të vijnë pranë jush!..
Kur të të mbërrijë kjo letër, mblidhi ushtarët dhe folu atyre. Nxiti ata që të bëjnë durim dhe të luftojnë kundër armikut me sinqeritet në qëllimin e tyre. Në krye të luftëtarëve cakto këta katër komandantë që të kam dërguar dhe urdhëroje ushtrinë që ta sulmojë armikun si një trup i vetëm. Si kohë të zgjedhësh ditën e premte, pikërisht në atë kohë kur dielli do të ngjitet fiks në mes të qiellit, sepse ajo kohë është një prerje e kohës kur zbret mëshira e Allahut dhe janë çaste që Allahu i pranon lutjet e atyre që i luten me sinqeritet. Luftëtarët t’i përgjërohen Allahut dhe t’i kërkojnë që Ai t’i ndihmojë kundër armikut.”
Me t’i ardhur në dorë kjo letër, Amri thirri luftëtarët që të grumbulloheshin pranë tij, pastaj thirri katër komandantët që kishin ardhur dhe i caktoi ata në krye të tyre. Ai u tha të gjithëve të merrnin abdes dhe të falnin dy rekate namaz dhe t’i drejtoheshin Allahut me lutje, që t’i ndihmonte e myslimanët të dilnin fitimtarë. Në fund ashtu ndodhi, Allahu me mirësinë e Tij u fali myslimanëve ngadhënjimin.”
9.SAHABËT GAROJNË ME NJËRI-TJETRIN SE KUSH DO TË BËJË MË SHUMË TË MIRA
Shakiku (radijallahu anhu) tregon: “Në orët e para të ditës, përleshja pati filluar. Erdhi koha për të falur namazin e drekës dhe ne u tërhoqëm. Muezini ishte i plagosur. Shumë nga myslimanët nxituan kush e kush të thërriste ezanin. Njerëzit nuk po merreshin vesh se kush do të thërriste ezanin, edhe pak edhe u duk sikur do të nxirrnin shpatat. Në fund, Sa’di hodhi short dhe ezanin e thërriti ai që i ra shorti.”
10.SAHABËT NUK I JEPNIN RËNDËSI DUKJES DHE STOLIVE TË KËSAJ BOTE
Myslimanët patën shkuar që të ngadhënjenin mbi Isfahanin dhe në krye si komandant kishin Numan bin Mukarrinin. Mes Isfahanit dhe myslimanëve ishte edhe një lumë për t’u kaluar. Si përfaqësues, në anën tjetër myslimanët dërguan Mugire bin Shuben. Ja se si e tregon këtë ngjarje Osman en-Nehdiu:
“Teksa Mugireja ishte drejtuar për andej nga ishin vendosur persët, në kalim e sipër të urës ata e ndaluan dhe nuk e lejuan që të kalonte. Për hyrjen e tij, ata i kërkuan njëherë leje Rustemit. Persët, për t’u dukur sa më lart dhe më të zhvilluar, kishin veshur të gjithë rroba të reja dhe të çmuara. Në koka kishin vënë kurora, kurse teshat i kishin të qepura me motive të derdhura në ar. Ndërsa në hyrjen e sarajeve, për miqtë kishin shtruar edhe një tapet në gjatësinë e një hedhjeje të shigjetës. Mugireja, kur shkoi atje, flokët i kishte ndarë në katërsh dhe shkoi dhe u ul drejt e mbi minderin ku ishte edhe Rustemi. Nëpunësit u vërsulën drejt e te Rustemi, madje edhe e vranë pak. Mugireja nuk e prishi fare qetësinë dhe e nisi fjalën e tij duke thënë:
“Kemi dëgjuar shumë për legjendat tuaja, por ma merr mendja se vështirë të ketë pasur popull më të marrë sesa ju. Ne arabët nuk e shohim njëri-tjetrin si skllevër dhe si robër. Unë pandehja se edhe ju, njësoj si ne, u vinit njerëzve në ndihmë dhe ndaj tyre tregoheshit të drejtë. Sikur të më kishit thënë se ju jeni zota të njëri-tjetrit, kjo do të kishte qenë më mirë sesa kjo që po më zënë sytë. Ky qëndrim i juaji nuk është aspak i drejtë dhe ne nuk do të veprojmë kurrë siç vepruat ju. Në fakt, unë nuk erdha këtu se kisha shumë dëshirë të vija, ju më thirrët. Por, sot, unë kuptova se fundi juaj nuk do të jetë aspak i mirë. Me këto mendje që keni ju dhe kështu siç e keni nisur, kjo mbretëri nuk e ka shumë të gjatë.” Rojtarët, kur dëgjuan këto fjalë, thanë me vete:
“Uallahi, ky arab ka të drejtë.” Komandantët e vunë re ndryshimin e sjelljes së tyre e edhe ata thanë me vete:
“Uallahi, ai njeri foli aq drejtë, saqë shiko, edhe rojtarët filluan t’i japin të drejtë në ato që thotë. Zoti i shkatërroftë paraardhësit tanë! Ata paskan bërë gabimin më trashanik duke i nënvlerësuar këta arabë!”
11. SAHABËVE NUK U BËNTE SHUMË PËRSHTYPJE, QË ARMIQTË ISHIN MË TË SHUMTË NË NUMËR DHE MË TË FUQISHËM
Abdullah bin Amri (radijallahu anhu) tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) i kishte shkruar Amr bin el-Asit (radijallahu anhu) një letër, në të cilën i thoshte:
“Mbi ty qoftë paqja e Allahut. E mora letrën tënde. Në të më kishe shkruar se bizantinët kanë grumbulluar shumë ushtarë nga çdo anë. Kur ne luftonim bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Allahu nuk na ndihmoi ne duke na parë se sa ishim në numër, apo se sa të fuqishëm ishim. Njëherë, ne kishim vetëm dy kuaj. Edhe deveve iu hipnim me radhë, njëherë një e njëherë një tjetër. Po në Uhud, atje kishim vetëm një kalë. Edhe atij i hipte Profeti ynë i nderuar, duke na u bërë neve mbështetje shpirtërore kundër armikut.
Amr! Ta dish mirë se ai që i bindet Allahut më së shumti është ai që ndien neveri dhe i rrëqethet mishi nga mëkatet. Prandaj, edhe ti, bindju
Allahut dhe urdhëroju luftëtarëve, që edhe ata t’i binden Allahut.”
12. ÇFARË THOSHIN ARMIQTË E TYRE PËR SAHABËT?
Ebu’z-Zehra el-Kushejriu na tregon se: “Herakliu ishte nisur për luftë në drejtim të Kostandinopojës. Një bizantini, i cili kishte qenë rob i myslimanëve dhe kishte shpëtuar, ai i tha:
“Më thuaj, çfarë mund të më tregosh mua për myslimanët.” Ai burrë iu përgjigj:
“Unë do të të tregoj për ta ato çfarë kam parë me sytë e mi. Ditën ata i ke të gjithë të hipur mbi kuaj e të zënë duke luftuar për Zotin, kurse gjithë natën e kalojnë duke kryer adhurime për Zotin. Po deshën të hanë ndonjë gjë gjatë rrugës, do të paguajnë medoemos për atë që marrin dhe kur hyjnë në ndonjë vend, nuk hyjnë kurrë pa i përshëndetur ata që gjejnë aty. Janë të duruar derisa ta mundin armikun e tyre përfundimisht.” Herakliu e dëgjoi atë njeri dhe i tha:
“Nëse këto që ti thua janë të vërteta, atëherë edhe kjo tokë ku shkelim ne tani ka për t’u bërë e tyrja një ditë.”
Çfarë pati thënë mbreti i kinezëve për sahabët
Sundimtari i Persisë, Jezduxherdi, i shkroi një letër mbretit të kinezëve, që ai t’i vinte në ndihmë. Mbreti i Kinës i tha kasnecit që kishte çuar letrën:
“Unë jam i mendimit, se kur mbretërit i kërkojnë ndihmë njëritjetrit për të luftuar me armiqtë, ata duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Vetëm se unë dua që të më flasësh njëherë për këtë popull që do t’ju nxjerrë ju nga territoret tuaja. Ti më the se ata ishin të paktë në numër dhe ju jeni shumë; për mua, nëse ata njerëz që kanë shumë më pak fuqi sesa ju arrijnë që të dalin fitimtarë ndaj jush, që keni një ushtri shumë herë më të fuqishme dhe shumë herë më të madhe në numër, kjo nuk është shenjë treguese e asgjëje tjetër veçse e faktit se ata janë më të mirë e më të mbarë se ju dhe se ju jeni në rrugën e gabuar.” Kasneci i tha mbretit:
“Më pyesni për ç’të dëshironi.”, – dhe sundimtari i Kinës e pyeti atë:
“A e mbajnë ata njerëz fjalën e dhënë?” - “Po!”, – u përgjigj menjëherë kasneci.
“Po, para se të luftojnë, çfarë ju sugjerojnë ata që të bëni në këmbim, që të mos luftojnë me ju?”
“Ata na thonë që të zgjedhim një nga tri këto alternativa: ne duhet të pranojmë fenë e tyre. Kësisoj ne do të kemi të njëjtat të drejta me ta. Ose, nëse ne nuk e pranojmë fenë e tyre, të paguajmë një taksë të xhizjes, që ata të na mbrojnë ne kundër armiqve tanë. E nëse ne nuk pranojmë asnjërën nga këto të dyja, ata thonë se do të luftojnë me ne.”
“Si janë ata në bindje? A u binden ata me përpikëri komandantëve të tyre?”
“Ata u binden komandantëve të tyre, ashtu siç popujt u binden mendarëve më të nderuar të tyre.”, – u përgjigj përfaqësuesi i persëve.
“Çfarë konsiderojnë ata të lejuar dhe çfarë konsiderojnë të ndaluar?”
Kasneci ia tregoi mbretit edhe se çfarë konsideronin myslimanët të lejuar dhe çfarë konsideronin si të ndaluar.
“A e konsiderojnë ata të lejuar atë që u është urdhëruar si e ndaluar dhe të ndaluar atë që u është caktuar si e lejuar?”, – pyeti sundimtari i kinezëve.
“Jo!”, – ishte përgjigjja e persit.
Pasi mori këto përgjigje, mbreti i kinezëve tha:
“Asnjë popull nuk mund ta mundësh, për sa kohë që ata nuk e bëjnë të lejuarën të ndaluar dhe të ndaluarën të lejuar.”
(...) Si përfundim, sundimtari i Kinës kërkoi të shkruhej një letër, të cilën ia dha lajmëtarit dhe në të shkruhej:
“Unë mund të të ndihmoj ty duke të mbështetur me një ushtri,
që fillon këtu në Kinë dhe mbaron në Antioki; dhe unë besoj se duhet ta bëj diçka të këtillë. Por unë e pyeta mëkëmbësin tuaj për atë bashkësi me të cilën do të luftoni, por ata kanë një fuqi, që sikur të duan t’i shkulin malet nga vendi, ata ia dalin mbanë. Nëse ata e ruajnë të paprishur këtë gjendje të tyren dhe dikush i urdhëron që të më sulmojnë edhe mua, ata edhe mua mund të më rrëzojnë nga froni. Prandaj, këshilla ime për ty është që ti të merresh vesh me ta dhe t’u japësh atyre atë që të kërkojnë. Për sa kohë që ata nuk të prekin ty, as ti mos u ngatërro me ta.”
Shënimet
- 893.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/99 (11022).
- 894.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/494 (29439).
- 895.. Mundhiri, et-Tergib, 3/351 (4393).
- 896.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/201.
- 897.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/216.
- 898.. Ibnu’l-Xheuzi, Sifetu’s-Safue, 3/211.
- 899.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/894 (14220).
- 900.. Taberi, Tarih, 2/425.
- 901.. El-Hakim, Mustedrek, 3/332 (5279).
- 902.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 8/164 (8284).
- 903.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/15.
- 904.. Taberi, Tarih, 2/549.