JETA E SAHABËVE 2

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

KËSHILLA NGA I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ

1. KËSHILLA NGA I DËRGUARI I ALLAHUT

Ebu Dherri (radijallahu anhu) na tregon: “E pyeta njëherë të Dërguarin Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“O Resulullah! Çfarë përmbanin faqet që iu zbritën Ibrahimit (alejhis’selam)?” Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) m’u përgjigj duke më thënë:

“Të gjitha faqet që i erdhën Ibrahimit përmbanin këshilla me shembuj. Për shembull, njëra syresh ka qenë edhe kjo: ‘O sundimtar mendjemadh, që ty t’u ngarkuan përgjegjësitë! Po unë ty nuk të dërgova në atë botë, që ti të mbledhësh e të grumbullosh as plaçkë, as pasuri! Unë ty të kam dërguar që ti të dëgjosh klithmat e vajtimet e të dobëtëve, të cilëve u është hyrë në të drejtë, e t’i qetësosh ata për mallkimet që më së shumti bëjnë, sepse Unë kurrë nuk e kthej pas atë lutje që prej njeriut që i është bërë e padrejtë vjen, edhe nëse ai prej kryengritësve ndaj Meje është. Njerëzit e zgjuar, që nuk bien pre e lojës së egos së tyre, e ndajnë ditën e tyre në copëza kohe të caktuara: Para së gjithash, njeriu duhet të ketë një kohë kur vetëm për vetëm me Zotin e tij të qëndrojë, e veçmas një tjetër kohë që Atij lutje t’i drejtojë. Duhet një orë tjetër, kur ai me veten e vet llogaritë të bëjë. Ai duhet të ketë edhe një orë kur të meditojë për artin e gjithçkaje, që vetëm Allahu e ka krijuar. Po ashtu, ai duhet të ndajë një pjesë të kohës për të siguruar ushqim e gjithçka për të përmbushur nevojat e tij. E veç këtyre, ja se cilat janë edhe disa gjëra të tjera, që, njeriu i zgjuar, duhet t’i bëjë medoemos: Të përgatisë diçka për amshimin, të përpiqet për jetesën e të mjaftohet vetëm me ato kënaqësi që ia kam lejuar Unë. Njeri i zgjuar është ai që e ka kuptuar mjaft mirë kohën, i ka zbuluar dhuntitë e veta dhe di si ta kontrollojë gjuhën, e të flasë pak dhe asgjë tjetër, përveç atyre gjërave që janë të lidhura me të.’” E, kur e pyeta:

“Po në faqet që iu dërguan Musait (radijallahu anhu), çfarë kishte?” Ai më tha:

“Ishin të gjitha mësime.”, – e vazhdoi të më fliste rreth tyre: “Habitem me të gjithë ata që, megjithëse e dinë se shumë shpejt do të vdesin, dhe kjo nuk ka pikë dyshimi, e prapë jetojnë fare të qetë e me mendjen të rritur e të fryrë. Besojnë plotësisht se ka një Xhehenem, e, prapëseprapë, qeshin dhe kjo më bën habi. Besojnë te kaderi, e habitem, ata qajnë dhe i ankohen vetes për veten e tyre. E shohin dhe janë vetë dëshmitarë, se në këtë botë gjithçka është e detyruar të ndryshojë dhe shndërrohet nga njëra kohë në tjetrën, e ata, prapëseprapë, arrijnë të gjejnë qetësi; habitem. Habitem, se megjithëse e dinë shumë mirë, se, nesër, do të vijë ajo ditë e gjykimit të madh, e ata nuk bëjnë kurrfarë përgatitjeje me sjelljet dhe punët e tyre që ta kenë kur të vijë ajo ditë.”

2. KËSHILLA NGA OMERI (r.a.)

Omeri (radijallahu anhu) e pati këshilluar një burrë:

“Qëndrimi me njerëzit mos të të pengojë në kryerjen e detyrave të tua, sepse ti je përgjegjësi i vetëm për ato që duhet të bësh; nuk janë ata. Ditët mos i kalo pa bërë asgjë, sepse çdo gjë që ti bën është duke u regjistruar. Kur ti bën diçka të keqe, pas saj bëj menjëherë diçka të mirë, sepse rruga më e shkurtër dhe më e shpejtë për të bërë që të të falet një mëkat i bërë më parë, është ajo e të bërit një të mirë menjëherë pas saj.”

Muhamed bin Shihabi (radijallahu anhu) na ka treguar: “Omeri (radijallahu anhu) ka thënë:

“Mos u merr me ato punë që nuk kanë të bëjnë me ty. Qëndro sa më larg armiqve. Besoju vetëm miqve që janë të sigurt, sepse vendi dhe rëndësia e njeriut të besueshëm nuk matet e nuk zëvendësohet me asgjë e askënd. Mos u bëj shok me atë që është i shthurur; në të kundërt veset e këqija të tij do të të ngjiten edhe ty. Kurrë mos ia trego atij të fshehtat e tua. E kur të kesh nevojë të këshillohesh me ndokënd për ndonjë punë, zgjidh më mirë besimtarët që kanë respekt për Allahut dhe që zemrën e kanë plot ndjesi frike e turpi ndaj Tij.”

Ja se si na tregon Ahnef bin Kajsi (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anhu) më tha:

“Shiko, Ahnef, ata që qeshin shumë në mesin e njerëzve nuk janë shumë të respektuar në shoqëri. Ata që bëjnë shumë shaka e humbin peshën e tyre dhe të gjithë fillojnë t’i nëpërkëmbin. E ai që flet shumë edhe gabimet i ka të shumta. Ai që gabon shumë e humbet ndjenjën e turpit e të ndrojtjes. E kushdo që nuk ka ndrojtje, bëhet i shthurur. Dhe të shthururit nuk kanë botë shpirtërore, sepse atyre u vdes çdo aftësi e ndijimit shpirtëror.”

Omeri (radijallahu anhu) ka thënë:

“Ka disa rob të Allahut, të cilët e braktisin çdo punë të kotë, aq sa duket sikur ato nuk ekzistojnë më për ta. Ata e përmendin jashtëzakonisht shumë të drejtën e të vërtetën, aq sa këto gjallërohen dhe bëhen edhe më të forta. Nëse i fton ata drejt së drejtës dhe të së vërtetës, ata përgjigjen menjëherë; nëse u kërkohet që t’ia mbathin nga e kota dhe e rremja, ata ia mbathin kilometra e kilometra larg. Me dritën e largpamësisë që fitojnë sytë e tyre ata arrijnë të shohin edhe ato të vërteta që nuk i sheh syri. Shpëtimtarja e tyre ka për të qenë frika nga Allahu. Mes së përjetshmes dhe së përkohshmes ata zgjedhin atë që është e përjetshme. Ata edhe jetën e kanë mirësi të Zotit, ashtu siç vdekja e tyre është nderim. Ata do të martohen me huritë e Xhenetit, gjithandej do të kenë djelmosha shërbyes, të cilët do të lëvizin sa nga një vend në një tjetër, për t’u shërbyer atyre sa më mirë në përjetësi.”

3. KËSHILLAT E ALIUT (r.a.)

Tregon Ukbe bin Ebu Sahbaja: “Në kohën që Aliut (radijallahu anhu) iu bë atentati nga ai njeri i quajtur Ibni Mulxhem, djali, Hasani (radijallahu anhu) erdhi tek i ati duke qarë. I ati i tha atij:

“Po pse po qan, o bir?”

“E si të mos qaj, o baba. Ti tanimë je duke jetuar çastet e fundit të kësaj bote dhe çastet e para të jetës së amshuar.”, – u përgjigj Hasani (radijallahu anhu). Aliu (radijallahu anhu) e dëgjoi dhe i foli të birit dhe e këshilloi:

“Shiko, biri im; nëse do t’i ndjekësh me përpikëri të dyja këto katërshe me këshilla që do të të jap, ti çfarëdo që të bësh, nuk do të pësosh asgjë: Nuk ka pasuri dhe trashëgimi më të madhe sesa mendja. Nuk ka varfëri e fukarallëk më të madh sesa budallallëku. Nuk ka tmerr më të madh sesa mendjemadhësia e kur fillon e të pëlqen vetja; me një fjalë, kur njeriu fillon e pëlqen ato që bën vetë dhe i konsideron ato si më se të mjaftueshme. Ashtu siç edhe nuk ka nder e nderim më të epërm sesa morali i mirë.”

Hasani (radijallahu anhu) e pyeti se cilat ishin katër këshillat e tjera, e Aliu (radijallahu anhu) iu përgjigj duke i thënë:

“Kurrë mos bëj shoqëri me budallenjtë, sepse ai që është budalla, edhe kur do që të jetë i dobishëm për ty, të sjell më shumë dëme sesa dobi. Kurrë mos u bëj shok me një gënjeshtar, sepse shoku që është gënjeshtar, jo vetëm që do të largojë prej teje edhe ata që janë afër teje, por edhe do të të afrojë me ata që qëndrojnë larg teje. Kurrë mos u bëj shok me një koprrac, sepse njeriu që është koprrac e dorështrënguar do të largohet prej teje pikërisht atëherë kur ti ke më së shumti nevojë për të. Kurrë mos u bëj shok me ata që e kanë kthyer shthurjen në ves, sepse, ata, mes teje dhe gjërave të pavlera do të zgjedhin gjërat e pavlera.”

4.KËSHILLAT E MUADH BIN XHEBELIT

Muadh bin Xhebeli (radijallahu anhu) thotë:

“Kushdo që i bën këto të tria, ai do të përballet me ndëshkimin e ashpër të Allahut: qesh, kur nuk ka asgjë të çuditshme ose për të qeshur; fle, edhe pse nuk i vjen gjumë e është i fjetur; ha, edhe pse nuk është i uritur.”

Muadh bin Xhebeli (radijallahu anhu) thotë:

“Ju u sprovuat me gjithfarë vështirësish dhe duruat. Në një të ardhme të afërt, ju do të sprovoheni edhe me pasurinë dhe bollëkun. Ajo që më bën të shqetësohem më shumë për ju është se mos ju viheni në provë me gratë. Me ato gra, që, kur i mbushin kyçet e dorës me byzylykë floriri dhe argjendi dhe vishen me veshje mëndafshi të qepura në Damask dhe Jemen, të kamurin e lodhin, kurse atë që është i varfër e detyrojnë që të futet në shpenzime që ata nuk mund t’i përballojnë dot.”

5.KËSHILLAT E ABDULLAH BIN MESUDIT

Ja se çfarë thotë Ibni Mesudi (radijallahu anhu):

“Asnjë nga ju të mos bëhet konformist!” – E kur e pyetën Ibni Mesudin (radijallahu anhu) se kush quhet parazit, ai u përgjigj:

“Konformist është ai që thotë: ‘Unë jam bashkë me njerëzit. Nëse ata janë të udhëzuar, atëherë edhe unë do të ndjek rrugën e drejtë. Por, nëse ata devijojnë e bien në humbje, atëherë edhe mua më duhet që t’i ndjek pas në humbje.’ Shikoni, më dëgjoni me kujdes: ‘Forcojeni besimin tuaj aq shumë, saqë edhe sikur të gjithë njerëzit të mohojnë, ju prapë të qëndroni në këmbë e të palëkundur si besimtarë.’”9

Në një këshillë tjetër, që u ka dhënë besimtarëve, Ibni Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë:

“Allahu, në ahiret, do t’ua tregojë të gjithë njerëzve, një e nga një, të gjithë ata që kanë qenë dyfytyrësh në këtë botë. Ai do t’ua bëjë të ditur të gjithë njerëzve, të gjithë ata që e bënin ndonjë gjë për t’u dukur sa më mirë në sytë e njerëzve dhe që shkonin e i njoftonin të gjithë për veprën e tyre. Allahu i poshtëron të gjithë ata që zgjatin qafën për të treguar se janë të mëdhenj. Kurse ata që, nga respekti që kanë për Allahun, janë të thjeshtë e modestë, Allahu i lartëson drejt gradëve më të larta.”

6. KËSHILLA NGA SELMAN FARISIU

Selmani (radijallahu anhu) thotë se:

“Nëse Allahu dëshiron të keqen për një njeri, Ai e privon atë nga ndjenja e zorit dhe e turpit. E ti do ta dallosh menjëherë, që atë e ka goditur ndëshkimi i Allahut. Nëse dikë e prek ndëshkimi i Allahut, atij i hiqet ndjenja e keqardhjes dhe të gjithë mund të shohin se ai është një njeri i egër, pa mirëkuptim dhe keqardhje. Atij i merret besueshmëria, e amanetit, e ai shëtit lart e poshtë i shndërruar në një tradhtar të hapur. Këtij lloji tradhtari i shkëputet çdo lloj lidhjeje me Islamin, gjersa ai kthehet edhe në një njeri të mallkuar, edhe në një njeri, të cilin e urrejnë të gjithë.”

Tregon Jahja bin Saidi (radijallahu anhu): “Ebu’d-Derdaja (radijallahu anhu) i shkroi një letër Selman Farisiut (radijallahu anhu), për ta ftuar në tokat e shenjta. Selman Farisiu iu përgjigj atij po me një letër, në të cilën i thoshte:

“Nuk është as toka, as hapësira, që e afrojnë njeriun me të shenjtën, apo që e pastrojnë. Njeriun e bëjnë më se të pastër vetëm e vetëm veprat e tij. Me sa kam dëgjuar, ti je zgjedhur kadi aty. Nëse ti je i dobishëm për ata që vijnë tek ti, atëherë kjo po që është më e mira për ty! Në të kundërt, nëse nuk e bën dot siç duhet atë punë dhe bën si ata njerëzit që pretendojnë se janë doktorë, atëherë këshilla ime është që të ruhesh nga vrasja e njerëzve dhe nga rënia në humnerat e Xhehenemit.”

Pas leximit të kësaj letre, Ebu Derdaja, sa herë që kishte ndonjë gjyq me njerëzit, u kërkonte atyre që u jepte vendimin të ecnin pak përpara dhe i shihte nga pas se si ecnin, e thoshte me vete: “Uallahi ky ecën me të madh, njësoj si ata që pretendojnë se janë doktorë.” Sakaq, drejtohej edhe njëherë nga i ankuari dhe i kërkonte që t’ia shprehte edhe njëherë ankesën e tij.”

7. KËSHILLA NGA EBU’D-DERDAJA

“Mos u jepni njerëzve detyra që i kapërcejnë fuqinë dhe aftësitë e tyre. Dhe mos u ngrini e t’u bëni atyre gjyqin para se t’ua bëjë Allahu i Madhërishëm. O i biri i Ademit! Ti shiko veten tënde, sepse mërzia dhe vuajtja e atyre që ankohen e kritikojnë çdo qëndrim e çdo sjellje të njerëzve nuk mbaron kurrë.”

“Adhurimin bëjeni sikur të jeni duke parë Allahun. Asnjëherë mos e hiqni vdekjen nga mendja. Se, që ta dini ju, pak mall e pasuri që do t’ju mjaftonte për këtë botë është shumë herë më e mirë dhe e mbarë sesa pasuria dhe plaçka e madhe që do t’ju nxirrte nga rruga e drejtë. E po ashtu, ta dini mirë, se të mirat e bëra nuk harrohen kurrë, ashtu siç edhe mëkatet nuk mbeten pa një çmim që duhet paguar.”14

“Ti nuk do të bëhesh i hairit meqë ke shumë pasuri e shumë fëmijë. Mirësi e mbarësi e vërtetë është që të jesh sa i butë, aq edhe i ditur; ta adhurosh Allahun, aq shumë, saqë të garosh me njerëzit. Kur të bësh mirë, ta lëvdosh Allahun dhe t’i drejtohesh Atij me pendesë e duke i kërkuar falje, sa herë që bën diçka të keqe.”15

Një ditë, Ebu Derdaja (radijallahu anhu) u drejtua nga besimtarët dhe u foli:

“O popull i Sirisë! Po juve a nuk ju vjen aspak turp? Mblidhni e mblidhni pasuri, sa nuk keni mundësi që t’i hani dhe ndërtoni shtëpi, në të cilat nuk do të banoni kurrë. Kohën e kaloni duke gënjyer veten me uri e plane për të ardhmen tuaj. Edhe ata që erdhën përpara jush mblidhnin pasuri, e ruanin, kalonin kohën duke thurur plane për të ardhmen, e të gjitha ëndrrat iu kthyen në zhgënjime boshe dhe shtëpitë iu bënë si varre. Shikoni pasuritë e popullit të Adit po të doni, pasuritë që stivuan mes Adenit dhe Omanit dhe fëmijët e tyre të shumtë dhe nxirrni mësim. Tani, kush nga ju m’i blen mua të gjitha çfarë la populli i Adit për dy dërhemë?”

“Gjithë çfarë keni tuajën në këtë botë, dikur më parë i ka takuar dikujt tjetër. Edhe pas teje, ajo do t’i takojë dikujt tjetër. Të tuat mbeten vetëm ato që ke bërë dhe ke dërguar në jetën e përtejme. Pasurinë përpiqu që t’ua lësh fëmijëve të tu më të mirë, sepse ti do të shkosh pranë Atij që nuk i pranon justifikimet. Kurse ti pasurinë po e mbledh për ata që nuk do të të sjellin aspak dobi. Në fakt me pasurinë e vënë prej teje ose një fëmijë besimtar do të jetojë i lumtur dhe i bindur ndaj Zotit, ose një djalë kryengritës do të ngrejë edhe më shumë krye ndaj Zotit. I betohem Allahut, se as njëri, as tjetri nuk t’i lehtësojnë dot ty përgjegjësinë dhe mëkatet. Për këtë arsye, mos zgjidh trashëgimtarët e tu përpara vetes. E kurrë mos e humb shpresën, se Allahu do të sillet me mëshirë me ata që vdesin. Lërja Allahut amanet ushqimin e atyre që do të lësh pas.”

8.DISA KËSHILLA NGA EBU DHERRI (r.a.)

Tregon Sufjani Theurij (radijallahu anhu): “Ebu Dherr Gifariu (radijallahu anhu) u ngrit pranë Qabes dhe u tha njerëzve:

“O njerëz! Unë jam Xhundubi nga Gifari. Jam një si ju, që u dua njerëzve të mirën dhe më shumë se çdo gjë dua t’u bëj njerëzve mirë. Ejani pranë meje, kam disa gjëra për t’ju treguar.” Sakaq, njerëzit u mblodhën rreth tij dhe Ebu Dherri filloi që t’u flasë e t’i këshillojë:

“Kur ndonjëri prej jush do të niset për rrugë, a nuk siguron më parë pak ushqim, si për vete, ashtu edhe për ata që do të lërë pas?” Ata që po e dëgjonin, i thanë:

“Patjetër, ashtu bën.” Atëherë Ebu Dherri (radijallahu anhu) vazhdoi fjalën e nisur:

“Atëherë, që ta dini, udhëtimi juaj në amshim është shumë herë më i gjatë se të gjitha udhëtimet që ju ndërmerrni gjatë jetës në këtë botë. Ju përgatitni ushqime e të mira që do t’ju bëjnë dobi atje, në jetën e asaj bote.”

Njerëzit e grumbulluar atje e pyetën sërish:

“E kush janë ato gjëra që do të na vijnë më shumë në ndihmë në atë rrugëtim të amshimit?” Ebu Dherri u tha atyre:

“Që të mos përballeni me gjëra të tmerrshme, vizitojeni sa më shumë Qaben. Agjëroni, që agjërimi juaj të jetë një kalitje dhe një përgatitje për atë ditë të gjykimit, ku do të prisni gjatë e do të jetë shumë nxehtë. Çohuni gjatë natës e falni nga dy rekate namaz, se ai t’ju shpëtojë ju nga vetmia dhe tmerri që të kall bota e varrit. Mendoni për atë ditë të takimit të madh dhe ose flisni gjëra të mira e të hairit, ose heshtni. Jepni nga ajo që keni, me shpresën se do të shpëtoni nga vështirësitë e Kiametit. Kohën ta ndani në dy pjesë: një pjesë të saj harxhojeni me synimin për të fituar amshimin, ndërsa pjesën tjetër harxhojeni për të fituar ushqimin tuaj përmes rrugësh që janë të lejuara. E treta është e dëmshme, mos e kërkoni atë, sepse nuk do t’ju sjellë asnjë dobi. Për shembull, ta zëmë se ju do të fitoni vetëm dy dërhemë: njërin harxhojeni si një të ardhur hallall e të lejuar për fëmijët e familjen tuaj, kurse tjetrin dërgojeni për jetën tuaj në botën tjetër. I treti është i dëmshëm, nuk ju sjell aspak dobi; mos e kërkoni.” Mandej, Ebu Dherri (radijallahu anhu) e ngriti zërin dhe sikur të ishte duke bërtitur, tha:

“O njerëz! Lakmia dhe ëndërrimi i së ardhmes në këtë botë ju kanë shkatërruar fare!”18

9.KËSHILLA E HUDHEJFE BIN EL-JEMANIT

“Ruhuni nga ngatërresat dhe nga anarkia. Askush të mos shfaqet nëpër to. Ai që përfshihet në anarki, ajo e hedh atë tutje, njësoj siç erërat e fuqishme shpërndajnë gjethet e mbeturinat në çdo anë. Ngjarjet me qëllim sajimin e ngatërresave dhe të anarkisë fusin në dyshime deri edhe njerëzit e paditur e injorantë. Dhe, kur mbaron anarkia, pas nuk lë asgjë, veçse rrënojat. Nëse ndieni zhvillimin e ndonjë ngjarjeje që

18 1/165.

do të shkaktojë ngatërresa dhe anarki, futuni në shtëpi, thyejini me shpata e me shigjeta, gjithë ç’të keni, bëjini që nuk mund t’i përdorë më askush.”

A’meshi (radijallahu anhu) na tregon: “Unë kam dëgjuar nga Hudhejfeja, i cili ka thënë:

“Më i miri prej jush nuk është as ai që braktis këtë botë për hir të jetës së amshuar, as ai që braktis jetën e amshuar për këtë botë. Më i miri e më i hairit ndër ju është ai që punon duke e ruajtur më së miri drejtpeshimin mes të dyjave.”

10. KËSHILLA NGA UBEJ BIN KA’BI

Ubej bin Ka’bi (radijallahu anhu) thotë:

“Nëse dikush e braktis diçka vetëm për hir të Allahut, Allahu i fal atij diçka edhe më të mirë sesa ajo që ka braktisur, madje në një kohë që ai as nuk e pret. Nëse ai njeri e nënvlerëson dhe nuk e bën atë sakrificë, Allahu, fare papritur, e përball atë me situata edhe më të vështira.”

Ubej bin Ka’bit i tha dikush:

“O Ebu Mundhir, çfarë më këshillon ti mua?” Ubej bin Ka’bi (radijallahu anhu) e këshilloi atë njeri duke i thënë:

“Mos u merr me punë që nuk të përkasin dhe që nuk kanë lidhje me ty. Qëndro larg nga armiqtë e edhe ndaj miqve kurrë mos u trego i pakujdesshëm dhe i pamatur. Mos i admiro ato gjëra që nuk do t’i admirosh kurrsesi pasi të kesh vdekur dhe kurrë mos ua shpreh problemet dhe nevojat atyre njerëzve që nuk do të shqetësohen për të të ndihmuar.”

11.KËSHILLA NGA ZEJD BIN THABITI

Tregon Abdullah bin Dinar el-Behraniu (radijallahu anhu): “Zejd bin Thabiti (radijallahu anhu) i pati dërguar Ubej bin Ka’bit (radijallahu anhu) një letër në të cilën i shkruante:

“Allahu i Madhëruar gjuhën e ka krijuar që ajo të jetë përkthyese e zemrës. Ndërsa zemrës i ka ngarkuar detyrën që të drejtojë gjuhën drejt perceptimit të urdhërave që vijnë prej saj. Nëse te një njeri është zemra ajo që e komandon gjuhën, ke për të parë se fjala e atij njeriu është e matur dhe e drejtë; atij kurrë nuk i pengohet dhe kurrë nuk i gabon gjuha. Kurse te njeriu, gjuhën e të cilit nuk e komandon zemra, vështirë të gjesh butësi. Në qoftë se njeriu ia lë fjalën vetëm gjuhës dhe gjuha fillon të bjerë ndesh me zemrën, ai e ul dhe e poshtëron veten. Por, në qoftë se njeriu i peshon fjalët me veprat e tij, fjala e tij fiton peshë. Po të shikosh njëherë përreth vetes, do të shohësh se njerëzit dorështrënguar janë bujarë me fjalë dhe jo me vepra, sepse atij i flet gjuha përpara zemrës; është gjuha që i kontrollon zemrën. A nuk më thua: a mund të flitet për nder dhe fatbardhësi të atij njeriu që nuk mban fjalën e dhënë? Dhe ç’është më interesante, kur flasin kësi njerëzish, ata e dinë edhe vetë se ajo që thonë është e vërtetë dhe që edhe vetë duhet të ishin duke i zbatuar fjalët që thonë... Njeriu faqebardhë dhe me personalitet nuk i sheh të metat e të tjerëve, sepse ai që numëron e përhap të metat dhe turpet e të tjerëve, duke bërë sikur nuk i sheh të metat e veta, është po ai që merret me gjërat më të kota e të pavlera. Ues’selam.”23

12.KËSHILLA NGA ABDULLAH BIN ABASI

“Tregohu sa më i kujdesshëm në përmbushjen e detyrimeve dhe në kryerjen e detyrave që të ka ngarkuar Zoti yt. Bëji ato sa më mirë dhe për këtë kërkoji ndihmë Allahut, sepse, nëse një rob e ka qëllimin të pastër dhe ka shumë dëshirë për të fituar shpërblimin e Allahut, Allahu e mban atë larg nga çdo e keqe dhe fatkeqësi. Ai është Sundimtari i vetëm; mund të bëjë ç’të dojë.”24

“Allahu i Madhëruar ka caktuar ushqim nga i lejuari edhe për ata që janë të shthurur, edhe për ata që janë besimtarë. Nëse ai duron derisa

23. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/201 (44239).

24 1/326.

të vijë furnizimi i lejuar, Allahu medoemos që do t’ia japë atij gjithçka që ka caktuar për të. Por, nëse ai ngutet dhe e zgjat dorën kah ajo që është e ndaluar dhe e ha atë, Allahu (xhel’le xhelaluhu) ia pakëson atij atë nga të mirat e lejuara që ka caktuar për të.”

13.KËSHILLA NGA HASANI (r.a.)

“Atë që ngarend pas kësaj bote bota e lidh pas vetes. Ai që nuk lejon që të mbërthehet nga kjo botë, nuk i jep shumë rëndësi përfitimit prej saj. Ata që tregojnë interes të theksuar për kënaqësitë e kësaj bote, që rendin ku e ku ka më shumë prej kënaqësive të kësaj bote, janë të destinuar që të kthehen në skllevërit e zonjës së tyre. Një sasi minimale e të mirave të kësaj bote është e mjaftueshme, sepse, sikur edhe të gjithën tënden ta kesh këtë botë, prapë nuk ndihesh i ngopur me të. Është mashtruar, çdokush që i ka njësoj dy ditë njëra pas tjetrës. Ç’është e vërteta, mjaft i rrezikuar është edhe ai që e ka të sotmen më të hairit se e djeshmja. Njerëzit që nuk kërkojnë për të metat dhe mangësitë e tyre janë përherë në humbje. E për një njeri që është vazhdimisht në humbje, është më e hairit që të jetë nën tokë sesa mbi të.”

“Ta dini mirë, se të jesh i butë dhe paqësor është një stoli për njeriun. Besnikëria dhe mirënjohja janë treguesit më të mirë të personalitetit. Ngutja është tregues i mendjemangësisë. Udhëtimi e dobëson njeriun. Qëndrimi me njerëz me nivel të ulët të moralit është një njollë për njeriun. Kurse qëndrimi bashkë me njerëz që i kryejnë mëkatet haptas bëhet shkak që njerëzit të kenë dyshime e mendime të këqija edhe për ju.”

14.KËSHILLA NGA EBU UMAME EL-BAHILIU

Tregon Ebu Sulejm bin Amiri (radijallahu anhu): “Bashkë me Ebu Umamen iu bashkuam një kortezhi që po shoqëronte një xhenaze në hyrje të Damaskut. Falëm xhenazen dhe filluam të përgatiteshim për varrimin, kur Ebu Umameja (radijallahu anhu) mbajti këtë fjalë:

- “O njerëz, ditë dhe netët e jetës suaj po kalojnë në këtë botë, ku ju ndani me njëri-tjetrin të mirat dhe të këqijat. Shumë afër është ajo ditë, kur të gjithë do të mërgojmë nga kjo botë në një tjetër botë. Varri është atdheu i vetmisë dhe errësirës. Atje ka insekte dhe krimba pa fund. Një vend i ngushtë fare është ai. I gjerë bëhet vetëm po e zgjeroi Allahu me mirësinë e Tij. Pas varrit do të ndodhë Kiameti dhe të gjithë do të kaloni në hapësirat e krijuara enkas për atë ditë. Në sheshin e gjykimit, të gjithë do të presin, derisa të vijë urdhri i Allahut. Banorët e Xhenetit do t’i kenë fytyrat të bardha dëborë, kurse ata të Xhehenemit të zeza sterrë. Mandej, ju do të kaloni në një tjetër stacion. Atje njerëzit i mbështjell një errësirë si ajo e mesnatës. Kalon një çast dhe përhapet drita. Dritë për besimtarët, sepse mohuesve dhe dyfytyrëshave nuk u jepet nga ajo dritë.

Ja se si i përshkruan Kur’ani këto sa jam duke ju thënë:

“Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa kur e nxjerr dorën e vet, njeriu pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë.” (Nur, 24/40)

“Atë Ditë, hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë besimtarëve: ‘Na prisni edhe ne që të marrim nga drita juaj!’ Por atyre do t’u thuhet: ‘Kthehuni prapa e kërkoni tjetër dritë!’ Dhe, ndërmjet tyre, do të vendoset një mur me portë: brenda saj ka mëshirë, kurse jashtë saj ka dënim.” (Hadid, 57/13)

“Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” (Nisa, 4/142)

“Ata (hipokritët) dëgjojnë paralajmërimin dhe kthehen andej nga vendi ku është përhapur drita. Por nuk gjejnë gjë as atje. Kthehen prapë, por shohin që mes tyre dhe besimtarëve është ngritur një mur. Brenda murit mëshirë, jashtë tij dënim dhe vuajtje. Atëherë: ‘A nuk kemi qenë me ju?’, – do të thërrasin ata. – ‘Po, - do t’u përgjigjen, - por ju e çuat veten në tundim, pritët, dyshuat dhe u mashtruat nga vetë dëshirat tuaja të kota, derisa arriti urdhri i Allahut, e djalli ju mashtroi për Allahun!’” (Hadid, 57/14)

Derisa të shpërndahet drita, hipokritët marrin shpërblimin me vuajtje e tmerr të kurtheve dhe mashtrimeve që bënë sa ishin në jetë në këtë botë. Ja, kështu ka për t’i ndarë Allahu besimtarët nga hipokritët.”

Shënimet

  1. 786.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/166.
  2. 787.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/187 (44202).
  3. 788.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/55.
  4. 789.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/542 (18173).
  5. 790.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/55.
  6. 791.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/257 (44388).
  7. 792.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/237.
  8. 793.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/236. 91/136.
  9. 794.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/138.
  10. 795.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/204.
  11. 796.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/205.
  12. 797.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/211. 14. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/212. 151/212.
  13. 798.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/217.
  14. 799.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/216.
  15. 800.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/273.
  16. 801.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/278.
  17. 802.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/253.
  18. 803.. Bejheki, Sunen, 10/112 (20112).
  19. 804.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/326.
  20. 805.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/200 (44236).
  21. 806.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/261 (44400).
  22. 807.. Ibn Kethir, Tefsir, 4/308.