JETA E SAHABËVE 2

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

FJALIMET E PROFETIT TË PROFETËVE DHE TË SAHABËVE TË TIJ

1. DISA NGA FJALËT DHE FJALIMET E MBAJTURA PREJ TË DËRGUARIT TË ALLAHUT

Fjala e parë që pati mbajtur i Dërguari i Allahut në Medinë

Tregon Ebu Seleme bin Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u ngrit në këmbë dhe pasi lëvdoi e falënderoi Allahun, siç e lëvdon një i Dërguar Zotin, na tha këto fjalë:

- “O njerëz, dërgoni sa më shumë punë të mira për veten në jetën e përtejme. Ju betohem te Zoti, se nëse ndonjëri prej jush vdes duke bërtitur me të madhe, por delet i lë pa bari, pastaj Zoti i thotë atij, pa kurrfarë pengese e pa përkthyes në mes: ‘A nuk erdhi ndonjë prej lajmëtarëve të Mi, që të të lajmëronte për mua? A nuk të dhashë unë ty plaçkë e pasuri? A nuk të dhashë unë ty shumë të mira? Po mirë, po ti çfarë më ke sjellë mua tani?’

Ai burrë sheh njëherë në të majtë, njëherë në të djathtë, por nuk gjen aty asgjë prej gjëje. Pastaj sheh para vetes dhe nuk sheh asgjë tjetër, pos zjarrit të Xhehenemit.

Andaj, o njerëz, kushdo që ka mundësi ta ruajë trupin e tij prej zjarrit, sikur edhe me një gjysmë hurme, të bëjë çmos e ta ruajë atë. Nëse as kaq nuk ka mundësi ta gjejë, atëherë le të thotë një fjalë të ëmbël, sepse çdo e mirë që bëhet ka për t’u shpërblyer me dhjetë, madje edhe deri me shtatëqindfishin e shpërblimit.

Mëshira, begatia dhe paqja e Allahut qofshin mbi ju dhe të Dërguarin e Tij.”

Fjala që pati mbajtur i Dërguari i Allahut në fillim të njërit prej muajve të Ramazanit

Na e tregon Selman Farisiu (radijallahu anhu): “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ditën e fundit të muajit Shaban na pati mbajtur një fjalë të këtillë:

“O njerëz! Na erdhi ky fat e jemi fatlumë që mbi ne po afrohet hija e një muaji shumë të çmuar, i cili brenda vetes ka një natë sa njëmijë muaj. Muaji i Ramazanit është një pjesë kohe, kur Allahu na e ka shpallur detyrim ditët e tij t’i kalojmë duke agjëruar dhe netët t’i kalojmë duke falur namaze nafile. Të gjitha punët e mira dhe të mbara që kryhen gjatë këtij muaji janë si detyrimet e kryera gjatë muajve të tjerë. Ama, një farz i kryer gjatë këtij muaji është i barabartë me shtatëdhjetë farze të përmbushura gjatë muajve të tjerë. Muaji i Ramazanit është muaji i durimit. Dhe fryti i durimit është parajsa. Kush i shtron iftar një agjëruesi gjatë muajit të Ramazanit, atij i falen mëkatet dhe ai shpëton nga zjarri i ferrit. Atij që shtron iftar i shkruhen edhe njëherë sa shpërblimi i atij që ka agjëruar, e agjëruesit nuk i pakësohet asnjë grimcë prej shpërblimit të agjërimit që ka mbajtur.”

“O Resulullah! Po ne jo gjithmonë mund të gjejmë mundësi për të shtruar iftar me agjërues?”, – e patën pyetur të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), – dhe ai u pati thënë:

“Allahu i Madhërishëm, këtë shpërblim ia jep si atij që shtron iftar vetëm me një hurmë, si atij që i mundëson ta çelë iftarin me një gllënjkë ujë, si atij që ia çel iftarin me një gotë me dhallë. Muaji i Ramazanit fillimin e ka mëshirë, mesin e ka falje, kurse fundin shpëtim nga dënimet e Xhehenemit, prandaj, kujdesuni që gjatë muajit të Ramazanit t’i bëni medoemos këto katër gjëra: dy prej tyre e kënaqin shumë Zotin tuaj. Kurse dy të tjerat ju e dini edhe vetë që duhet t’i bëni. Dy punët që e kënaqin shumë Allahun janë dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe të kërkuarit prej Tij sa më shumë falje. Kurse dy gjërat që nuk mund të rrini pa i bërë, janë që vazhdimisht t’i kërkoni Allahut që Ai t’ju gëzojë ju me Xhenet, si dhe që t’i luteni e të strehoheni vetëm tek Ai, që t’ju mbrojë ju nga dënimi i ashpër i Xhehenemit. Kush i jep ujë për të pirë një njeriu që ka agjëruar edhe Allahu ka për t’i dhënë atij të pijë nga uji i burimit tim dhe ai që pi nga ai ujë nuk ndien më kurrë etje, gjersa të vijë çasti e të hyjë në Xhenet.”

Kur i Dërguari i Allahut flet për rëndësinë e veçantë që ka namazi i xhumasë

E tregon Xhabiri (radijallahu anhu): “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na mbajti një hytbe, në të cilën na porositi:

- “O njerëz, pendohuni tek Allahu para se të vdisni. Përpiquni që të bëni sa më shumë vepra e punë të mira, para se të humbisni shëndetin e mirë që keni. Përmendeni sa më shumë Allahun, në mënyrë që të krijoni me Zotin tuaj një lidhje sa më të fortë. Jepni sa më shumë lëmoshë, haptas ose fshehtas, në mënyrë që Allahu t’jua shtojë atë që do t’ju japë; të merrni më shumë prej mirësive të Allahut dhe t’ju plotësohen të tëra mangësitë.

Ta dini mirë, se që në krye të këtij muaji të këtij viti, këtu dhe sot, Allahu jua ka shpallur juve detyrim faljen e namazin të xhumasë. Kushdo që e braktis namazin e xhumasë, duke e nënvlerësuar, apo duke mos i dhënë shumë rëndësi, ende sa jam unë në jetë, apo pasi të kem vdekur unë, qoftë njeri i drejtë, qoftë i padrejtë, për sa kohë që mbi krye të ketë një prijës të vendit, Allahu e bëftë që të mos e shohë me sy rehatinë e mirëqenien; mos i faltë as mbarësi, as begati asnjë prej punëve të tij.

Shikoni, më dëgjoni me kujdes! Atij që e ka braktisur namazin e xhumasë, për sa kohë që nuk pendohet, nuk ka për t’iu pranuar as namazi që fal, as agjërimi që mban, as zekati që jep e as udhëtimi i haxhit. E kushdo që pendohet, Allahu e pranon pendimin e robve të Tij. Shikoni, kurrë asnjë grua të mos dalë imam për burrat. E as beduinët të mos dalin imam për muhaxhirët. E asnjë mëkatar të mos guxojë të dalë imam për besimtarët, përveçse kur atij i kanosen me armë.”

Fjala që mban i Dërguari i Allahut në Haxhin e Lamtumirës

Tregon Xhabiri (radijallahu anhu): “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi deri në Arafat. Ai u fut dhe qëndroi nën tendën e ngritur enkas për të, që të rrinte në hije e jo në diell. Aty kur dielli filloi të bjerë, ai na kërkoi që t’i sillnim aty devenë e tij të quajtur Kasua dhe sakaq hipi mbi deve dhe u nis. Kur mbërritën në mesin e luginës, ai iu drejtua njerëzve me këto fjalë:

- “Ashtu siç ky vend, ky muaj dhe kjo ditë është e shenjtë, po ashtu të shenjta dhe të paprekshme janë edhe gjaku dhe pasuria juaj. Ju duhet të dini se të gjitha zakonet e këqija, të mbetura nga koha e injorancës janë nën këmbët tona, ne i shtypëm ato. Të gjitha çështjet e gjakut dhe të hakmarrjes janë të zhbëra. I pari gjak që unë po e quaj të zhbërë është gjaku i Rabias, të birit të Harithit. Atë ia patën dhënë fisit të bijve të Sa’dit për ta ushqyer me gji, por Hudhejli e pati vrarë. Ndërsa fajdeja e parë që po zhbëj është fajdeja e Abas bin Abdulmutalibit. U zhbënë që të gjitha.

Për sa u përket grave, unë ju kërkoj që t’u bindeni me përpikëri të gjitha urdhëresave dhe ndalesave të Allahut, sepse secilën prej tyre Allahu jua ka lënë amanet. Me urdhrin dhe lejen e Allahut ju ngritët vatra familjare me to. E drejta juaj tek to është që ato të mos shtrojnë në shtrat askënd tjetër përveç jush, çka ju nuk e doni dhe nuk ju pëlqen. Nëse ato bëjnë diçka të këtillë, atëherë ju mund t’i rrihni ato lehtë, pa i lënduar. Kurse e drejta e tyre tek ju është që ju t’u siguroni atyre ushqim dhe veshje si ato me të cilat ushqehet dhe vishet mesi i shoqërisë.

O njerëz! Zoti juaj është Një. Edhe baba një keni. Një arab nuk ka kurrfarë epërsie ndaj joarabit. E as joarabi nuk ka asnjë epërsi ndaj një arabi. Ai që është i zi nuk ka kurrfarë epërsie mbi atë që është i kuq, ashtu siç ai që është i kuq nuk ka kurrfarë epërsie ndaj atij që është i zi. Epërsia matet vetëm me devotshmërinë. Mes jush, më të lartët tek Allahu janë ata që janë më të devotshmit.

Unë do të shkoj te kryet e burimit më përpara dhe do të pres atje që të vini edhe ju. Unë atje do të krenohem me numrin tuaj. Ndaj, mos më lini mua që të turpërohem atje. Disa prej jush unë do t’i shpëtoj, ndërsa disa prej jush nuk do të m’i lënë, do të m’i marrin. Unë atje do të them: ‘O Zot, ai është prej sahabëve të mi.’, por mua do të më thuhet: ‘Po ti nuk e di se çfarë ngatërruan ata kur ike ti.’ Unë ju kam lënë juve një amanet të veçantë, që nëse ju do të përqafoheni fort pas tij, ju kurrë nuk do të devijoni nga e drejta dhe e vërteta: ai është libri i Allahut, Kur’ani. Ju do t’ju pyesin në ahiret, nëse unë e kreva detyrën time, apo jo, çfarë do të thoni ju atje?” Të gjithë sa ishin të pranishëm, u përgjigjën njëzëri:

“Që ti e kumtove fenë e Allahut dhe do të dëshmojmë se ti e kreve pa asnjë të metë detyrën tënde të profetësisë.”

Kur mori këtë përgjigje, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:

“Ji Ti dëshmitar o Zot, ji Dëshmitar, o Zot, ji dëshmitar, o Zot!”

Fjala e mbajtur prej të Dërguarit të Allahut në lidhje me Dexhalin

Këtë na e tregon Sefineja (radijallahu anhu): “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na u drejtua dhe na foli me këto fjalë:

“Nuk ka ardhur para meje asnjë profet, që të mos e ketë paralajmëruar popullin e vet për rrezikun e së keqes së Dexhalit. Syri i tij i majtë është i verbër. Ndërsa në syrin e djathtë ai ka një copë mishi. Mes dy syve ai ka të shkruar se është “Kafir - mohues”. Me vete ai ka dy lugina: njëra është xheneti, ndërsa tjetra është xhehenemi. Në fakt, xheneti i tij është xhehenemi, kurse xhehenemi është xheneti. Bashkë me të janë edhe dy engjëj që u ngjajnë profetëve. Kjo është një sprovë për njerëzit. Dexhali thotë:

“A nuk jam unë zoti juaj? Unë vras dhe ringjall.” Njëri nga engjëjt i drejtohet Dexhalit:

“Gënjeve!”, – e këtë që thotë engjëlli nuk e dëgjon asnjëri nga njerëzit, përveç engjëllit tjetër, i cili i përgjigjet:

“The të vërtetën!”, – e këtë fjalë e dëgjojnë të gjithë njerëzit.

Njerëzit mendojnë se engjëlli e aprovon dhe e pranon Dexhalin. Edhe kjo është një sprovë më vete. Pastaj Dexhali ecën deri në Medinë, por kur të mos i lejohet, ai thotë:

“Ky është qyteti i atij njeriu (duke pasur parasysh Profetin tonë)” – Pastaj ai shkon deri në Siri duke ecur. Atje, Allahu e shkatërron atë në fshatin e quajtur “Efik”.”

Kur i Dërguari i Allahut u flet besimtarëve në lidhje me Jexhuxhin dhe Mexhuxhin

Këtë e përcjell Halid bin Abdullah bin Harmeleja nga tezja e tij, e cila i ka treguar: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte mbështjellë kokën, sepse ishte pickuar nga një akrep, kur na tha:

“Ju thoni që nuk ka armiq. Ju do të vazhdoni të luftoni deri kur të shfaqen Jexhuxhi me Mexhuxhin; me fytyrën e mbushur e topolake, sytë e vegjël dhe flokët bojëgështenje. Ata do të vijnë nga çdo anë e rruzullit tokësor dhe fytyrat i kanë si mburoja; ata i kanë mollëzat të dala.”

I Dërguari Fisnik u flet besimtarëve për përgojimin

Beraja (radijallahu anhu) e tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na pati folur njëherë aq kumbueshëm, saqë e dëgjuan deri edhe gratë, të cilat ishin nëpër shtëpi. Ai na tha:

“O ju që keni besuar me gjuhë, por që me zemër nuk keni arritur dot të besoni! Mos i përgojoni myslimanët. Mos kërkoni për turpet e të metat e tyre, sepse kush kërkon të gjejë ndonjë turp të vëllait të vet, Allahu i nxjerr atij në pah turpet e veta. E kujtdo që Allahu ia zbulon turpet që ka bërë, ai poshtërohet dhe merr fund deri edhe mu në shtëpinë e tij.”

I Dërguari Fisnik paralajmëron besimtarët, që ata t’i qëndrojnë larg shoqërimit të Allahut shokë e ortakë

Ebu Musa el-Esh’ari (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na u drejtua neve me këto fjalë:

“O njerëz, qëndroni sa më larg prej shoqërimit të shokëve a ortakëve në krijim dhe në adhurim Allahut, sepse ai (shirku - shoqërimi dhe ortakëria) është shumë i rrezikshëm dhe është më i fshehtë e më i heshtur edhe sesa zhurma që lëshon hapi i një milingone. Përgjërojuni Allahut, që t’ju ruajë prej rënies në mëkatin e shoqërimit shokë a ortakë ndaj Tij, duke thënë: ‘O Zot, veçse te mëshira jote mund të strehohemi ne e të kërkojmë mbrojtje nga rënia në shirk, me dijeni. Të lutemi, na fal ne kur e bëjmë ndonjëherë këtë mëkat pa e ditur e pa qenë të vetëdijshëm.’”

Një fjalë e të Dërguarit Fisnik në lidhje me falënderimin e Zotit

Na e tregon Numan bin Beshiri (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte ngjitur mbi këtë minber dhe filloi të na fliste e të na thoshte:

“Ai që nuk falënderon për pak, nuk falënderon as për atë që është shumë. Ata që nuk falënderojnë njerëzit, nuk e falënderojnë as Allahun. Ashtu siç përmendja e mirësive që të ka falur Allahu me mirësinë e Tij, siç edhe duhet, është një falënderim, të mos e bësh këtë do të thotë të tregohesh mosmirënjohës. Bashkësia është mëshirë, kurse ndarja prej saj është vuajtje.”

I Dërguari Fisnik u flet besimtarëve dhe i këshillon që duhet t’i kërkojnë vetes llogari

Husejn bin Aliu (radijallahu anhu) thotë se e ka parë Profetin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe dëgjuar duke thënë:

“O njerëz! Sikur vdekja të ishte e vërtetë vetëm për të tjerët, por jo për ne; sikur e drejta dhe e vërteta të kishte ardhur vetëm për të tjerët, e jo për ne... ne po hamë ato çfarë lanë pas ata që ikën, sikur edhe pak dhe ata që i dërguam në botën tjetër do të kthehen, e sikur ne vetë do të qëndrojmë përjetësisht në këtë botë. I kemi harruar të gjithë ata që na dhanë këshilla të mira dhe po sillemi sikur dikush të na kish siguruar se ne nuk do të na prekë asnjë e keqe nga ato që kanë për të na ndodhur. Oh sa mirë për ata që nuk gjejnë dot kohë për t’u marrë me të tjerët, ngase janë të zënë duke u marrë me turpet dhe mangësitë e veta! Oh sa mirë e sa të lumtur janë të gjithë ata që e fitojnë jetën e tyre nëpërmjet rrugëve të lejuara! Ata që nuk largohen nga rruga e drejtpeshimit! Oh sa lumturi për të gjithë ata që janë të thjeshtë përpara Allahut dhe nuk bien në poshtërsi, që fitojnë në rrugë të lejuara dhe ndajnë prej saj në rrugën e Allahut, ata që janë bashkë me njerëzit e dijes! Oh sa mirë për të gjithë ata që sillen me dhembshuri me të dobëtit dhe të varfrit, që janë nevojtarë, ata që e japin në rrugën e Allahut atë që u tepron nga pasuria e tyre, ata që nuk e kalojnë cakun në të folur, ata që nuk dalin nga rrethi i sunetit të mirë dhe nuk devijojnë në sajesa të paqena!”

Një fjalë e të Dërguarit të Allahut për rëndësinë e të qenët pjesë e Familjes së Bekuar

Tregon Ebu Saidi: “Unë kam qenë vetë aty dhe e kam dëgjuar, kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) qe ngjitur në minber dhe filloi të na thoshte:

“Çfarë kanë disa, që thonë: ‘Lidhja farefisnore që kemi me Resulullahun nuk ka për të na sjellë kurrfarë dobie në ditën e Kiametit.’ Uallahi, lidhjet farefisnore me mua do të ekzistojnë, si në këtë botë, ashtu edhe në jetën e përtejme. O njerëz! Në ditën e Kiametit unë do të qëndroj te kryet e burimit e do t’ju jap juve të pini prej ujit të tij. Disa do të thonë: ‘O Resulullah! Unë jam filan njeri, i biri i filan njeriu.’ Dhe unë do t’u përgjigjem atij, duke i thënë: ‘Unë e di shumë mirë prejardhjen tuaj. Por, ju, pasi ika unë, u larguat nga rruga ime, u kthyet në rrugën e vjetër.’”

Fjalët e të Dërguarit Fisnik që paralajmëronin nëpunësit e mbledhjes së zekatit

Ja se si na e tregon neve këtë Ebu Humejd es-Saidi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati caktuar dikë si përgjegjës për mbledhjen e zekatit. Ai burrë e kreu detyrën që iu ngarkua dhe kur u kthye pranë Resulullahut, i tha atij:

“O Resulullah! Këto janë për myslimanët, kurse këto të tjerat m’i dhuruan mua.” Atëherë, i Dërguari Fisnik e pyeti atë:

“Po mirë, po të kishe ndenjur në shtëpinë e prindërve të tu, a do të t’i kishte dhënë njeri ndonjërën prej këtyre dhuratave?”

Pas namazit të akshamit, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) lëvdoi dhe falënderoi Allahun dhe tha:

“Si ka mundësi, që një njeri, të cilin ne e ngarkuam me detyrën e grumbullimit të zekatit të besimtarëve, vjen e na thotë: ‘Këto m’i dhuruan mua.’? Po të kishte ndenjur ulur në shtëpinë e nënës së tij dhe të priste, a do të shkonte kush për t’ia çuar ato dhurata, apo nuk do të shkonte askush? Unë i betohem Allahut, se nëse ndonjëri prej jush vepron në të njëjtën mënyrë, atëherë, në ditën e Kiametit ai do të sillet para të gjithëve me të gjitha gjërat e marra në këtë mënyrë të varura në qafë. Nëse fitimi i tij i padrejtë do të jetë një deve, deveja do të vijë aty duke lëshuar hungërima, nëse është lopë, do të vijë duke pëllitur, nëse është dele do të vijë duke blegëritur. Tani, a jua kumtova?”

Ebu Humejdi thotë se: “Pastaj i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i ngriti krahët të hapura, aq sa i dukeshin sqetullat. Këto që dëgjova unë, i dëgjoi edhe Zejd bin Thabiti (radijallahu anhu), sepse ishte bashkë me mua. Po të doni, mund ta pyesni edhe atë.”

Fjalime të Profetit tonë për çështje të ndryshme

“Kujdesuni, që të mërgoni me besim drejt jetës së përtejme”

Abdullah bin Amri (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte mes nesh, kur u ngrit dhe na u drejtua me fjalët:

“Kush dëshiron që të mbahet larg zjarrit të Xhehenemit dhe të futet në Xhenet, le ta presë vdekjen duke besuar tek Allahu dhe te Dita e Gjykimit. Le të sillet me të tjerët, ashtu siç do që të sillen edhe të tjerët me të.”

“Sikur të dinit atë që di unë...”

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), na u drejtua njëherë dhe na foli siç nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë të na fliste, në lidhje me një lajm që kishte ardhur nga sahabët, dhe tha:

“Mua m’u treguan, edhe Xheneti edhe Xhehenemi. Unë kurrë nuk kam përjetuar ndonjë ditë si kjo e sotmja për sa i përket së mirës dhe së keqes. Sikur ju të dinit ato që di unë, do të qanit shumë dhe do të qeshnit pak.” Sahabët nuk kishin kaluar asnjëherë ndonjë ditë më të keqe sesa ajo. Vunë të gjithë duart në kokë dhe qanë me ngashërim.”15

Fjalë profetike në lidhje me shenjat e besimtarit dhe të mynafikut

E tregon Saib bin Mihxhani nga Damasku: “Kur hyri Omeri (radijallahu anhu) në Siri, fillimisht lëvdoi dhe falënderoi Allahun, pastaj na foli e na këshilloi ne duke na thënë:

“I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) qe ngritur po kështu, siç u ngrita unë dhe na pati mbajtur një fjalim. Pasi na e vuri theksin te ruajtja prej rënies në kundërshti me urdhëresat e Allahut, që ne nuk duhet t’i lëmë pas dore të afërmit tanë, por t’i vizitojmë ata rregullisht, si dhe te pajtimi i njerëzve të hidhëruar me njëri-tjetrin, na tha:

“Kurrë mos u ndani prej xhematit. Dëgjojeni atë dhe binduni, sepse mëshira e Allahut është me bashkësinë. Djalli qëndron pranë njeriut të vetëm dhe kur bëhen dy njerëz fillon të largohet. Nuk ndodh që një burrë dhe një grua (të palidhur me njëri-tjetrin me martesë) të jenë vetëm përveçse i treti i tyre është shejtani. Nëse ju ju gëzon e mira që bëni dhe ju hidhëron e gabuara, atëherë kjo është një shenjë se ju jeni besimtarë. Kur dikush as nuk mërzitet nga e keqja që bën, as nuk gëzohet nga e mira që bën, kjo është shenjë e të qenët hipokrit. Mynafiku nuk pret shpërblim prej Allahut për të mirën që bën, e as nuk i frikësohet Allahut kur bën një të keqe. Pasurinë e kësaj bote kërkojeni me rrugë të mira, sepse Allahu është garanti juaj që ka për t’ju dhënë gjithmonë. Çdo punë e gjithsecilit nuk ka dyshim se një ditë do të mbarojë, ndaj ju, në çdo punë tuajën, mos harroni të kërkoni edhe ndihmesën e Allahut. Allahu fshin ç’të dojë dhe lë pa fshirë po ç’të dojë, sepse pranë Tij është Libri Gjithçkapërfshirës.”

Salavatet, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe familjen e tij të bekuar. Es’selamu Alejkum.”16

15. Buhari, Sahih, 4/1689 (4345).

16 16/183 (44188).

Fjalët e fundit të të Dërguarit të Allahut

Tregon Ebu Saidi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u drejtua nga njerëzit dhe tha:

“Allahu i Lartësuar e la të lirë robin e Tij të zgjedhë mes Atij dhe kësaj bote. Ai rob zgjodhi të shkojë pranë Zotit.”

Ebu Bekri (radijallahu anhu), një të dëgjuar këto fjalë, u mbyt në të qara. Ne u habitëm, se ç’kishte këtu që e bëri të qante aq shumë Ebu Bekrin. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kishte folur për zgjedhjen e robit, andaj edhe po qante Ebu Bekri. Vetëm më vonë e mësuam se ai rob kishte qenë vetë i Dërguari i Allahut.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) na tha:

“Njeriu që unë i besoj më së shumti, kur vjen puna për te shoqërimi dhe te pasuria, është Ebu Bekri. Nëse do të më duhej të kisha një tjetër mik zemre, përveç Allahut, unë do të zgjidhja Ebu Bekrin. Por, megjithatë ka një miqësi dhe një dashuri si ajo që na urdhëron Islami. Le të mbyllen portat e xhamisë; vetëm porta e Ebu Bekrit të mos mbyllet, ajo le të qëndrojë e hapur.”

Ebu Hurejreja dhe Ibni Abasi (radijallahu anhuma) na tregojnë: “Në fjalën e fundit që u mbajt prej të Dërguarit të Allahut, ne dëgjuam që na tha:

“Ai që i fal pesë kohët e namazit me xhemat, do të jetë nga të parët që do ta kapërcejë urën e Siratit dhe atë do ta kalojë me shpejtësinë e vetëtimës. Allahu atë ka për ta ngjallur bashkë me rrethin e parë të brezit të parë që do të vijë fill pas sahabëve. Veç kësaj, çdo ditë e çdo natë për të shkruhet shpërblimi i njëmijë dëshmorëve të vrarë në rrugën e Allahut.”

Gjendja e të Dërguarit të Allahut kur fliste

Tregon Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur fliste, sytë i skuqeshin, ngrinte zërin dhe mbante një qëndrim aq serioz, sa që dukej sikur po lajmëronte një ushtri për rrezikun që i kanosej në mëngjes dhe në darkë. Pastaj, bashkonte gishtin e mesit me gishtin e dëshmisë (gishtin tregues) dhe thoshte:

- “Unë u dërgova në një kohë kaq të afërt me Kiametin!” Pastaj vijonte të na thoshte: “Më e bukura rrugë është rruga e Muhamedit; dhe më e keqja punë është të sajosh gjëra të reja në fe. Çdo sajesë është humbje. Kush vdes dhe pas vetes lë pasuri, ajo pasuri i përket familjes së tij. E kushdo që vdes e lë pas borxhe dhe jetimë, kontrollin dhe përgjegjësinë për ta e kam unë.”19

2. DISA NGA FJALËT DHE FJALIMET E EBU BEKRIT (r.a.)

Fjalimi i mbajtur prej Ebu Bekrit (r.a.) kur bëhet kalif

E tregon Urueja (radijallahu anhu): “Në kohën që në krye të kalifatit u vu Ebu Bekri (radijallahu anhu), ai doli para besimtarëve dhe mbajti një fjalë. Lëvdoi dhe falënderoi Allahun, pastaj tha:

- “O njerëz, në kryet tuaj u zgjodha unë, megjithëse unë nuk jam as më i miri, as më i mbari ndër ju. Mirëpo, Kur’ani është zbritur dhe i Dërguari i Allahut e ka jetësuar sunetin e tij. Ai na ka mësuar ne, se më i devotshmi është edhe më i zgjuari dhe ai që ngre krye ndaj Zotit është më i marri. Për mua më i fuqishmi nga ju është i dobëti që i është bërë padrejtësi, derisa unë t’i kthej atij të drejtën. E më i dobëti ndër ju është ai i fortë që i ka marrë dikujt të drejtën nga dora, prej të cilit unë duhet të marr hakun e të tjerëve.

O njerëz, unë nuk ndjek vetëm se të Dërguarin e Allahut. Ta dini se unë nuk kam për të zbuluar ndonjë rrugë të re. Nëse bëj të mira, më ndihmoni, e nëse ndodh të devijoj nga ajo që është e drejtë dhe e vërtetë, atëherë kujtomëni mua gjithmonë të drejtën e të vërtetën. Këto ishin gjithë sa desha t’ju thosha. Lus Allahun të na falë, si mua, edhe ju.”20

Fjalimi i Ebu Bekrit (r.a.) rreth devotshmërisë dhe përgatitjes për jetën e përtejme

Abdullah bin Ukejmi (radijallahu anhu) tregon: “Ebu Bekri

(radijallahu anhu) na mbajti një fjalim, në të cilin na tha:

19. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/377.

20 5/839 (14073).

“Unë ju këshilloj që t’i frikësoheni Allahut, ta lëvdoni Atë denjësisht dhe qëndrimi juaj të jetë diku mes shpresës dhe frikës, si dhe mos harroni që t’i luteni sa më shumë Allahut. Kërkojani Atij me këmbëngulje gjithçka që është në të mirën tuaj, sepse kjo është arsyeja, për të cilën Allahu i Madhërishëm e përgëzoi Zekerijan dhe familjen e tij: “Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje). Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh.” (Enbija, 21/90)

Ka edhe diçka tjetër, që duhet ta dini sa më mirë, o rob të Allahut! Allahu jua ka marrë juve peng egot tuaja dhe për këtë ka marrë edhe fjalën tuaj. Dhe, në këmbim të përjetësisë, Ai ju ka kërkuar që t’ju blejë atë që është kalimtare dhe e kufizuar. Kurrë nuk mbaron interpretimi i Kur’anit që ju mbani në duar, e kurrë nuk shuhet drita e tij. Aprovojeni çdo fjalë të tij dhe binduni ndaj urdhëresave të shkruara në të. Përfitoni prej dritës së tij ende sa pa rënë mbi ju errësira e ditëve të errëta. Allahu nuk ju ka krijuar vetëm se për ta adhuruar Atë. E, që të ruajnë çdo bëmë e çdo punë tuajën, Ai ka caktuar edhe dy engjëj shkrues, të cilët shkruajnë gjithçka që ju bëni e veproni.

O robt e Allahut! Ta dini, se ju vazhdimisht jeni nën ndjekjen e pareshtur të exhelit, të cilin ju nuk e dini se kur do t’ju vijë nga mëngjesi deri në mbrëmje...”

Nuajm bin Nemhaja (radijallahu anhu) tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu), gjatë një fjale të mbajtur para besimtarëve, pati thënë:

“Nuk ka mbarësi në atë fjalë që nuk thuhet për hir të kënaqësisë së Allahut dhe nuk ka mbarësi në atë pasuri që nuk shpenzohet në rrugën e Allahut. Kurrfarë e mire dhe mbarësie nuk vjen prej atij që krenohet duke thënë se është i ditur. E kurrfarë hairi nuk vjen as prej atij që ka frikë se mos e gjykojnë njerëzit për ato punë që ai i bën për hir të Allahut.”

Ebu Bekr bin Muhamed bin Amr bin Hazm (radijallahu anhu) tregon: “Ebu Bekri (radijallahu anhu) pati folur njëherë para besimtarëve dhe pati thënë: “Profeti i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë:

“Kërkoni ndihmë prej Allahut nga hipokrizia e shfaqjes me përvujtëri.” Besimtarët, të habitur, e pyetën:

“E ç’është hipokrizia e të shfaqurit me përvujtëri, o Resulullah?” Dhe, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u tha atyre:

“Ai që është i thjeshtë dhe i respektueshëm me trup, por zemrën e ka të mbuluar prej hipokrizisë.”23

3. FJALIMET E PRIJËSIT TË BESIMTARËVE, OMERIT (r.a.)

Neve na tregon Sha’biu, se Omeri (radijallahu anhu), pasi u vu në krye të kalifatit, u ngjit në minber dhe u tha besimtarëve:

“O Zot, zemra ime nuk pranon të rrijë në këtë vend ku deri më tani ka qëndruar Ebu Bekri.” Pastaj zbriti një shkallë më poshtë. Lëvdoi dhe falënderoi Allahun, pastaj tha:

“Lexojeni vazhdimisht Kur’anin, të jeni sa më të sinqertë me të. Binduni ndaj urdhëresave të tij, të jeni sa më të denjë për të. Peshojeni veten, para se t’ju vënë në peshore në atë ditë. Përgatituni mirë për atë ditë të takimit të madh, kur asnjë anë e juaja nuk do të mund të mbahet e fshehtë ndaj Allahut. Nëse bëhet fjalë për të ngritur krye ndaj Allahut, njeriu nuk duhet t’i bindet asnjë mbreti.

Shikoni; në krye të arkës e thesarit të shtetit unë e vë veten në pozitën e kujdestarit të jetimëve. Që andej nuk do të marr kurrë asgjë më shumë sesa nevojat, se, në të vërtetë, kur jam i detyruar, unë ha në masë të kufizuar.”24

Omeri (radijallahu anhu), gjatë një hutbeje iu qe drejtuar besimtarëve me fjalët:

“Kërkojini vetes llogari, para se të dilni të jepni llogari përpara Zotit, sepse, nëse ju e bëni këtë, atëherë do ta keni më të lehtë gjykimin në jetën e përtejme. Matini e peshojini vazhdimisht veprat tuaja, ende

23. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/327 (22525).

24 16/191 (44214).

sa pa ardhur ajo ditë e gjykimit të madh, kur asnjë punë e juaja nuk mund të mbahet e fshehtë prej Allahut.”

Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon për babanë e tij, se ai njëherë u ka folur besimtarëve dhe u ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka qëndruar këtu ku po qëndroj unë tani dhe ka thënë:

“Silluni mirë me sahabët e mi. E të keni sa më shumë respekt e vlerësim për ata që do të vijnë pas tyre e më pas edhe për ata që do të vijnë pas tyre. Do të vijë një ditë dhe do të shtohen shumë ata që gënjejnë; aq shumë do të gënjejnë, saqë do të vijnë për të dëshmuar në të rreme edhe kur nuk i thërret askush për të dëshmuar. Kushdo prej jush që kërkon një gradë të mirë në Xhenet, le të mos largohet kurrë prej bashkësisë, sepse djalli është me ata që rrinë vetëm. Kur ata bëhen dy ai stepet pak më mbrapa. Askush prej jush të mos rrijë vetëm për vetëm me atë femër, me të cilën i lejohet martesa, sepse, i treti i dy vetëve është djalli dhe ai mund t’i shtyjë ata drejt mëkatit. Nëse të mirat që ju bëni ju bëjnë të lumtur dhe të këqijat ju mërzitin, atëherë kjo do të thotë se ju jeni besimtarë të vërtetë.”

Tregon Abdullah bin Adiji: “Omeri (radijallahu anhu) u ngjit në minber dhe na tha:

“Nëse robi është i thjeshtë e modest për hir të Allahut, atëherë Allahu ia lartëson atij shkallët dhe i thotë: ‘Bëj përpara robi im, se Allahu do të të nxjerrë ty fitimtar!’ Edhe pse e sheh veten si të vogël, në sytë e njerëzve ai është shumë i vyer. Nëse një njeriu fillon t’i pëlqejë vetja për gjithë ato të mira që i ka falur Allahu dhe fillon të ndryshojë qëndrim ndaj gjithçkaje, Allahu e rrëzon atë poshtë e më poshtë, duke i thënë: ‘Aty të rrish ti, aty e ke vendin!’ Megjithëse ky njeri e sheh veten me të madh, në sytë e njerëzve ai është shumë i vogël. Madje, në sytë e njerëzve ai është më i poshtër edhe se një derr!”

Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Gjatë një hutbeje Omeri (radijallahu anhu) po na fliste neve në lidhje me dënimin e rexhmit (goditja me gurë), kur na tha:

“Për sa i përket rexhmit, kujdes, mos u mashtroni nga askush.

Ky është një nga dënimet e kalimit të cakut, të cilin e ka vendosur Allahu. Kujdes, këtë dënim e ka zbatuar i Dërguarit i Allahut. Pas tij e kemi zbatuar edhe ne. Nëse sot unë nuk do të isha i shqetësuar se njerëzit do të thonë: ‘Omeri shtoi në Librin e Allahut një dënim që nuk është i shkruar në të.’ do ta kisha shënuar atë diku në një anë të lidhjes së Kur’anit. Do të shkruaja: ‘Omer bin Hatabi, Abdurrahman bin Aufi, filan dhe filan njeri; e kanë parë vetë që i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e ka zbatuar rexhmin. Pas tij atë e vumë edhe ne në zbatim. Dua t’ju bëj me dije, se pas jush do të dalin shumë njerëz, të cilët do t’i mohojnë, rexhmin, Dexhalin, ndërmjetësimin e të Dërguarit të Allahut, dënimin e varrit dhe se disa prej myslimanëve mëkatarë do të nxirren prej Xhehenemit.”

Said bin Musejebi (radijallahu anhu) tregon: “Omeri (radijallahu anhu), pasi zbriti nga Minaja, u ndal në vendin e quajtur Ebtah për të bërë pak pushim. Bëri një si trup me rërë, e uli një pjesë të rrobës mbi rërë dhe pasi u shtri aty me shpinë, i ngriti duart nga qielli dhe u lut:

“O Zot, shumë ka përparuar mosha ime; fuqitë më kanë lënë dhe njerëzit për të cilët jam përgjegjës janë shtuar shumë. Merrma mua shpirtin, o Zot, e merrmë mua pranë Teje, ende sa pa u ndodhur atyre ndonjë e keqe prej meje dhe para se unë të bëj pa dashje ndonjë gabim ndaj ndonjërës prej urdhëresave të Tua.”

4. FJALIMET E OSMANIT (r.a.)

Ebu Suhejl bin Maliku (radijallahu anhu) ka përcjellë nga i ati dhe na tregon se Osmani (radijallahu anhu) ka thënë:

“Mos i detyroni fëmijët e vegjël për të fituar para. Nëse ju i detyroni ata për diçka të tillë, atëherë ata do të vjedhin. Edhe shërbyeset e robinjat që nuk kanë asnjë zanat, mos i detyroni për fitime të mëdha. Nëse ju do t’i detyroni ato, atëherë nuk keni bërë gjë tjetër veçse i keni shtyrë ato drejt imoralitetit. Ruajeni ju nderin dhe ndershmërinë tuaj, që edhe Allahu t’ju shkruajë ju prej të ndershmëve të afërt me Të. Ato që do të hani të jenë të pastra dhe vetëm prej atyre që ju janë lejuar.”30 Bedr bin Osmani (radijallahu anhu) ka përcjellë prej xhaxhait të tij dhe ka treguar se: “Osmani (radijallahu anhu), në hutben e tij të fundit ka thënë:

“Allahu jua ka dhënë këtë botë që ju të fitoni jetën e përtejme, e jo që ju të mbeteni të fiksuar pas saj! Kjo botë është kalimtare dhe e përkohshme, ndërsa ahireti është i përjetshëm. Të mos ju llastojnë e të mos jua rrisin mendjen të mirat kalimtare të kësaj bote dhe t’ju largojnë nga jeta e përtejme. Shikoni që të zgjidhni atë që është e përjetshme, e jo atë që është kalimtare dhe e përkohshme. Jeta e kësaj bote një ditë do të mbarojë dhe të gjithë do të kthehen para Allahut. Përpiquni të hyni nën mbrojtjen e Allahut, sepse, të hysh nën mbrojtjen e Allahut, duke iu frikësuar Atij, është jo vetëm një mburojë shumë e mirë ndaj fatkeqësive që mund t’ju vijnë prej Tij, por edhe një mjet shumë i mirë për të arritur kënaqësinë dhe pëlqimin e Tij. Kurrë mos e harroni Allahun në sjelljet tuaja me të tjerët. Mos u largoni asnjëherë prej xhematit e mos u shndërroni në grupe që i kthejnë shpinën njëri-tjetrit.”

5. DISA LIGJËRIME TË ALIUT (r.a.)

Ali bin Husejni (radijallahu anhu) tregon: “Pak pasi ishte vënë në krye të kalifatit, Aliu (radijallahu anhu) mbajti hutben e parë, në të cilën, pasi lëvdoi dhe falënderoi Allahun dhe emrat e Tij, tha:

“Allahu ka zbritur një libër që shërben si udhërrëfyes dhe e ndan të mirën nga e keqja. Për këtë arsye, ju përpiquni të bëni sa më shumë të mira dhe të hiqni dorë nga e keqja. Përmbushini të tëra detyrimet që ju janë vendosur prej Allahut, që edhe Allahu t’ju fusë ju në parajsën e Tij.

Allahu i ka shpallur të ndaluarat në një mënyrë që t’i kuptojnë të gjithë. Gjakun e myslimanit Ai e ka shpallur si të ndaluar mbi çdo të ndaluar tjetër. Myslimanët janë të lidhur fort pas njëri-tjetrit, me sinqeritet dhe bashkim zemrash dhe shpirtrash. Mysliman do të thotë njeri, nga dora dhe goja e të cilit nuk i vjen askujt asnjë dëm, përpos rasteve kur ai duhet të bëjë drejtësi. Dhe një mysliman nuk mund ta

mundosh e nuk mund t’i shkaktosh vuajtje më shumë sesa mund të meritojë.

Përpiquni për të mirën e të gjithë myslimanëve. Bëhuni gati për vdekjen, sepse ju e shikoni të vërtetën e vdekjes. Pas shpinës suaj rreh pa ndërprerje tik-taku i orës së Kiametit. Bëjeni sa më të lehtë barrën e kësaj bote, të jeni bashkë me shokët tuaj në përjetësi. Ata që kanë kaluar përpara në ahiret rrinë e presin për ata që do të vijnë. Bëni shumë kujdes, që të mos bini ndesh me Allahun në marrëdhëniet tuaja me njerëz të tjerë e që vijnë nga qytete të tjera. Ju jeni përgjegjës deri edhe për kafshët që jetojnë në territorin tuaj. Lutjuni Allahut dhe mos ngrini krye ndaj urdhëresave të Tij. Nëse shikoni që po kryhet një punë e mirë, pranojeni atë; nëse shikoni që po kryhet një punë e keqe, atëherë braktiseni menjëherë atë. Këtë mos e harroni kurrë: ‘Dhe kujtohuni kur ishit pak në numër, ishit të dobët në Tokë...’”

Tregon Alkameja: “Aliu na pati mbajtur neve njëherë një hutbe, në të cilën na pati thënë:

- “Kam dëgjuar se disa më shohin mua më lart sesa Ebu Bekrin dhe Omerin (radijallahu anhuma). Nëse unë do t’jua kisha ndaluar më parë diçka të këtillë, nuk ka dyshim se tani do t’i dënoja shumë ashpër të gjithë ata që e mendojnë diçka të këtillë. Por, duke qenë se unë nuk kam shpallur një ndalesë të këtillë, e kam të pamundur që t’i dënoj. E, nëse ndokush vazhdon ta mendojë e ta shprehë një mendim si ky a të ngjashëm me të, ta dijë se ai do të ketë bërë një shpifje dhe ai do të ndëshkohet me të njëjtin dënim që ndëshkohen edhe shpifësit. Pas të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), më i miri e më i mbari ndër njerëz është Ebu Bekri (radijallahu anhu); pastaj vjen Omeri (radijallahu anhu). Pas tyre ndodhën ca ngjarje të atilla, për të cilat do të vendosë Allahu si të dojë Ai.”

6. NJË FJALIM I MBAJTUR NGA PRIJËSI I BESIMTARËVE, HASANI (r.a.)

Hubejreja (radijallahu anhu) tregon: “Kur vdiq Aliu (radijallahu anhu), Hasani shkoi, u ngjit në minber dhe mbajti këtë fjalë:

“O njerëz! Sonte vdiq një njeri i atillë, që vështirë të vijë më si ai në këtë botë. Sa herë që i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e dërgonte atë në ndonjë vend, atë e shoqëronin, në të majtë Xhibrili i Besuar dhe në të djathtë Mikaili (alejhis’selam), e nuk e linin vetëm për asnjë çast, gjersa ai të dilte fitimtar. Veç shtatëqind dërhemëve, që i kishin tepruar nga paga që merrte, ai nuk la asgjë tjetër si trashëgim. Edhe me to, donte të merrte e të paguante dikë për shërbim. Shpirti i tij i dëlirë shkon tek Allahu sonte, në këtë natë të njëzeteshtatë të muajit Ramazan, e njëjta natë kur u ngjit drejt Zotit edhe shpirti i Isait, të biri të Merjemit.”

7. NJË FJALIM I PRIJËSIT TË BESIMTARËVE, MUAUIJE BIN EBI SUFJANIT

Tregon Muhamed bin Ka’b el-Kuradhij (radijallahu anhu): “Njëherë, teksa po mbante hutben i ngjitur mbi minber, Muauije bin Ebi Sufjani tha:

“O njerëz! Askush nuk mund ta ndalojë diçka që e jep Allahu. E askush nuk ka fuqi që të japë atë që nuk do që ta japë Allahu. Asnjë zotërues fuqie nuk mund të krahasohet dot me forcën dhe fuqinë e Tij. Ai, për të cilin Allahu dëshiron më të mirën e të mbarën, përsoset në fe dhe bëhet njohës shumë i mirë i saj.” Këto fjalë që po ju them, unë i kam dëgjuar vetë nga i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur i ka thënë, ja, i ngjitur mu mbi këtë minber.

8. FJALIMET E SAHABËVE TË TJERË

Fjala e Abdullah bin Mesudit

Tregon Ebu Uaili (radijallahu anhu): “Kur kalif, në krye të të gjithë besimtarëve u vendos Osmani (radijallahu anhu), Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) erdhi nga Medina në Kufe brenda tetë ditëve. Atje ai u mbajti njerëzve një fjalim, në të cilin, pasi lëvdoi dhe falënderoi Allahun, tha:

“Unë dua që ta dini: Omeri (radijallahu anhu) ka vdekur. Deri më sot unë nuk kam parë ndonjëherë njerëz që të qajnë siç qanin atë ditë. Ne u mblodhëm të gjithë, si sahabë të Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe nuk gabuam në zgjedhjen e atij që është më i virtytshmi dhe më i vyeri ndër të gjithë ne si të Parë të të gjithë Besimtarëve të Osmanit (radijallahu anhu). Ne lidhëm besën me të, ndaj dua që edhe ju të lidhni besën me të.”

Fjala e Utbe bin Gazuanit

Halid bin Umejr el-Adeuija (radijallahu anhu) tregon: “Utbeja, në kohën që ishte vali i Basrës, na pati mbajtur një fjalim, në të cilin na pati thënë:

“Ju po largoheni nga kjo botë dhe po mërgoni drejt botës së amshimit, ku ju pret përjetësia... Bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ne ishim shtatë vetë. Nuk kishim se ç’të hanim, ndaj hanim gjethe nga të pemëve. Siç duket, ato gjethe po na i bënin gojët plagë. Ishin ditë të vështira, por unë gjeta një rrobë. Gjysmën ia dhashë Sa’d bin Malikut, ndërsa gjysmën tjetër e mbajta për vete. Pjesën time e ktheva në izar (mbulesë në mes e poshtë), ndërsa tjetrën e përdori Sa’di për vete, duke e bërë izar. Kurse sot, sot jemi që të dy vali në vende të ndryshme. Nuk kam se ku të kërkoj mbrojtje, prej të parit të vetes me të madh, duke u bërë i vogël dhe i pavlerë në sytë e Allahut, përveçse te mëshira e Allahut.”

Një fjalim i Hudhejfe bin el-Jemanit

Këtë e tregon Ebu Daud el-Ahmedi: “Në Medain, Hudhejfeja

(radijallahu anhu), njëherë, na qe drejtuar me fjalët:

“O njerëz, bëni kujdes se me çfarë punësh merren skllevërit tuaj. Mësojini mirë se nga i nxjerrin ato fitime, prej të cilave vijnë dhe ju paguajnë juve tagra, sepse një trup që ushqehet me të ndaluarën nuk mund të hyjë në Xhenet. Edhe këtë ta dini mirë, ai që shet, që blen, apo që e mban verën në dorë është po aq përgjegjës sa ç’është edhe ai që e pi atë.”

Një fjalë e Ebu Musa el-Esh’arit

Na e tregon Kasame bin Zuhejri (radijallahu anhu): “Ebu Musa elEsh’ari (radijallahu anhu) doli përpara njerëzve në Basra dhe iu drejtua atyre me këto fjalë:

“O njerëz, qani, edhe nëse nuk qani dot, atëherë detyrojeni e bëjeni veten të qajë. Se banorët e Xhehenemit kanë për të qarë derisa do t’u thahen kanalet e lotit. Pastaj do të fillojnë të lotojnë gjak. Aq shumë do të lotojnë, saqë gjaku i pikuar do të bëhet aq shumë, sa mbi të do të mund të lundronte anija.”

Një fjalë e mbajtur nga Umejr bin Sa’d

Said bin Suejdi (radijallahu anhu) tregon: “Njëri prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Umejr bin Sa’di (radijallahu anhu), gjatë kohës që ishte vali i Humusit, qe ngjitur njëherë mbi minber dhe i qe drejtuar besimtarëve vendas me fjalët:

“Shikoni, Islami është një mur i fortë dhe i qëndrueshëm, porta e të cilit është e pamundur që të rrëzohet. Ky mur i fortë dhe i qëndrueshëm i Islamit është drejtësia, kurse porta është e drejta dhe e vërteta. Nëse plasaritet ky mur dhe dikush shpërthen portën e tij, atëherë Islami bie nën kularin dhe urdhrat e të tjerëve. Për sa kohë që i Pari i shtetit është i fortë dhe i drejtë, askush nuk mund ta rrëzojë Islamin dhe ai do të jetë aty, i palëkundur. Forca e sulltanit dhe të parit të shtetit nuk qëndron te shpata dhe te kërbaçi, por te zbatimi i së drejtës dhe sjellja me drejtësi karshi të gjithëve.”

Shënimet

  1. 751.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 6/566 (16101).
  2. 752.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 3/305 (3608).
  3. 753.. Ibn Maxhe, Sunen, 1/343 (1081).
  4. 754.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/148.
  5. 755.. E vërteta e kësaj thënie është ajo se engjëlli i dytë miraton përgënjeshtrimin e engjëllit të parë, ndërsa sprova qëndron në atë se njerëzit dëgjojnë vetëm miratimin e engjëllit të dytë dhe e keqinterpretojnë si miratim ndaj pretendimit të Dexhalit. Ky është thelbi i vërtetë i sprovës, Allahu na ruajttë me mëshirën e Tij. (shën. red.)
  6. 756.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/654 (12517).
  7. 757.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/13 (12570).
  8. 758.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/176 (13141).
  9. 759.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1375 (8849).
  10. 760.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/278 (18472).
  11. 761.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 3/202.
  12. 762.. Ibn Kethir, Tefsir, 3/256.
  13. 763.. Buhari, Sahih, 2/917 (2457).
  14. 764.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 4/122.
  15. 765.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/229.
  16. 766.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/163 (2143).
  17. 767.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/35.
  18. 768.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/36.
  19. 769.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/188 (44203).
  20. 770.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/18 (114).
  21. 771.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 6/275 (8139).
  22. 772.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/23 (156).
  23. 773.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/334.
  24. 774./355 (25647).
  25. 775.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/216.
  26. 776.. Enfal, 8/26.
  27. 777.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/228.
  28. 778.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/127 (1051).
  29. 779.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/38.
  30. 780.. Ibn Haxher, Fet’hu’l-Bari, 2/332.
  31. 781.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/63.
  32. 782.. Muslim, Sahih, 4/2278 (2967).
  33. 783.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 4/244 (9862).
  34. 784.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/110; Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/261.
  35. 785.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/375.