JETA E SAHABËVE 2
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
DHIKRI
1. I DËRGUARI I ALLAHUT I NXIT BESIMTARËT QË TA PËRMENDIN ALLAHUN SA MË SHUMË
E tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Një ditë Krenaria e Gjithësisë po shkonte për në Mekë. Kur mbërritën pranë një mali, të cilin e kishin quajtur Xhumdan, ai ndaloi dhe tha:
“Kaloni Xhumdanin, sepse që këtej kanë kaluar edhe përmendësit para jush.” E kur e pyetën: “E kush janë këta përmendësit, çfarë janë ata, o i Dërguari i Allahut?”, – ai u dha atyre përgjigjen:
“Ata që e përmendin shumë Allahun.”
Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet se ai ka thënë: “Janë ata që e kalojnë jetën duke e përmendur Allahun gjithë dashuri e pasion, përmendje që ka për t’ua lehtësuar barrën dhe në Ditën e Gjykimit do të dalin përpara Allahut fare të qetë e të çliruar.”
Muadh bin Enesi (radijallahu anhu) tregon se: “Një burrë i bëri të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) këtë pyetje:
“Kush nga luftëtarët e ka shpërblimin më të madh e më të shumtë?” I Dërguari Fisnik i tha atij:
“Ata që e përmendin më së shumti Allahun.” Kësaj here ai e pyeti sërish:
“Kush nga robërit e mirë të Allahut e ka shpërblimin më të madh e më të shumtë?” I Dërguari i Allahut i dha atij prapë të njëjtën përgjigje:
“Ata që e përmendin më së shumti Allahun.” Ai burrë të njëjtën pyetje e bëri edhe për ata që falin namaz, japin zekat dhe shkojnë në haxh, dhe për secilën nga pyetjet përgjigjja e të Dërguarit Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) ishte po e njëjta:
“Ata që e përmendin më së shumti Allahun.” Atëherë, Ebu Bekri (radijallahu anhu) iu drejtua Omerit (radijallahu anhu):
“O Eba Hafs! Të gjitha shpërblimet i morën ata që përmendin Allahun e për ne nuk mbeti asgjë.”, – dhe i Dërguari i Allahut pohoi:
“Po, ashtu është.”
Tregon edhe Abdullah bin Busri: “Erdhi një burrë tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:
“O Resulullah, unë nuk po i përmbush dot të gjitha detyrimet e fesë islame. Më jep një këshillë, diçka që unë mund ta bëj medoemos.” I Dërguari i Allahut iu përgjigj atij:
“Mos e lër kurrë pa e përmendur Allahun.”
Nuk bëhet fatkeq ai që rri me ata që e përmendin Allahun
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po kalonte pranë Abdullah bin Reuahasë (radijallahu anhu), i cili po u jepte disa këshilla disa prej shokëve të tij dhe i tha atij:
“Ju jeni një bashkësi, për të cilën Allahu mua më urdhëroi që bashkë me ju të bëjmë durim.”, – mandej, vazhdoi të thoshte:
“Më dëgjoni me kujdes! Sa vetë jeni ju këtu, po aq engjëj kanë ardhur e janë ulur dhe po rrinë bashkë me ju. Kur ju përmendni Allahun, e përmendin edhe ata; ju lëvdoni Allahun dhe pas jush Allahun e lëvdojnë edhe ata; ju tregoni respekt dhe e madhëroni Allahun, e po të njëjtën bëjnë edhe engjëjt, e madhërojnë Allahun duke thënë: ‘Allahu Ekber!’ Paskëtaj ata shkojnë pranë Allahut, e megjithëse Ai e di më mirë se engjëjt se çfarë ishin duke bërë robt e Tij, ata i thonë: ‘O Zot! Robt e Tu të përmendën, e bashkë me ta të përmendëm edhe ne. Ata të madhëruan duke thënë ‘Allahu Ekber’, thamë edhe ne të njëjtën gjë. Ata të lëvduan dhe bashkë me ta të lëvduam edhe ne.’ Atëherë, Zoti shpall: ‘Engjëjt e mi! Ja ku jeni ju dëshmitarë, Unë i fala ata.’ Engjëjt thonë: ‘Me ta ishte edhe aksh edhe aksh njeri, të cilët kanë kryer shumë mëkate.’ Allahu u thotë: ‘Po ata janë një bashkësi e atillë, që kushdo që rri me ta nuk është fatkeq!’”
2. SAHABËT FISNIKË I NXITIN BESIMTARËT TA PËRMENDIN SA MË SHUMË ALLAHUN
Omeri (radijallahu anhu) thotë: “Përpiquni që ta përmendni sa më shumë Allahun, sepse përmendja e Tij është ilaç. Dhe shmanguni prej thashethemeve për njerëzit, duke mos i hequr ata nga goja, sepse thashethemet janë një sëmundje.”
Tregon Hubejb bin Ubejdi: “Kishte ardhur një burrë tek Ebu
Derdaja, i cili i tha:
“Më jep një këshillë.” Ebu Derdaja e këshilloi duke i thënë:
“Përmende Zotin shumë kur je mirë dhe i qetë, në mënyrë që edhe Ai të të përmendë ty kur të jesh i zënë ngushtë dhe i shqetësuar në ditë të vështira. E kur të të vijë ndonjë e mirë e kësaj bote, mendo se ajo e mirë është kalimtare dhe do të ketë një fund.’”
Tregon Enesi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na tha:
“Të rrish bashkë me ata që e përmendin Allahun në kohën mes namazit të sabahut dhe lindjes së plotë të diellit, për mua është më e virtytshme se sa të liroj katër skllevër nga soji i Ismailit (alejhis’selam) duke paguar nga dymbëdhjetëmijë dërhemë për secilin. Po ashtu, të jesh bashkë me një bashkësi që e përmend Allahun pasi fal namazin e ikindisë e deri në perëndimin e plotë të diellit, për mua është më e hairit sesa të liroj katër skllevër nga soji i Ismailit duke paguar nga dymbëdhjetëmijë dërhemë për secilin.”
Tregon Enes bin Maliku (radijallahu anhu): “Ne ishim duke ecur bashkë me Ebu Musain (radijallahu anhu), po shkonim për diku. Me të dëgjuar që disa njerëz po flisnin me zë të lartë dhe me një ton bindës, Ebu Musai (radijallahu anhu) tha:
“E ç’na duhet neve, o Enes, se çfarë flasin këta njerëz? Eja, ne më mirë të përmendim Allahun. Shikoje pak atë atje, edhe pak edhe do të shqyejë nofullën duke u përpjekur që të flasë sa më qartë!”
3. BASHKËSITË DHE KUVENDET E BASHKËBISEDIMIT KU PËRMENDET EMRI I ALLAHUT
Xhabiri (radijallahu anhu) na tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi tek ne dhe na u drejtua me këto fjalë:
“O njerëz! Mes engjëjve të Zotit ka grupe të atilla, të cilat zbresin në tokë nëpër kuvendet ku mblidhen njerëz dhe përmendin Allahun, për të marrë edhe ata pjesë në përmendjen e Allahut. Andaj, edhe ti atë bëj, shëtit në shpatet magjepsëse të përmendjes së Allahut, njësoj si engjëjt.”
“O Resulullah! Po ku janë këto kopshte të bukura të Xhenetit?”, – e pyetën Resulullahun dhe ai ktheu këtë përgjigje:
“Ato janë në kuvendimet e bashkëbisedimit për Allahut. Nxitoni e përmendeni sa më shumë Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje, mos e lini atë pas dore. Kujtojani Atë sa më shumë vetes. Ai që do të kuptojë se ç’vend zë e ç’vlerë ka për Allahun, të shohë se ç’vend zë e ç’vlerë ka Zoti brenda tij, sepse vlera dhe shkalla që Allahu i jep robit të Tij është në raport të drejtë me qëndrimin që mban robi karshi Allahut.” Frytet e kuvendeve të bashkëbisedimit
Ja se si i tregon Abdullah bin Amri (radijallahu anhu): “E pyeta njëherë të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):
“O Resulullah, çfarë të mire kanë kuvendet ku ne mblidhemi për të bashkëbiseduar rreth Allahut?” I Dërguari Fisnik mu përgjigj duke më thënë:
“Xheneti është fryti dhe pasuria e fituar në kuvendet e bashkëbisedimit.”
Shlyerja e gabimeve gjatë pranisë në kuvendet e bashkëbisedimit
Tregon Ebu Berze el-Eslemi: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), aty drejt fundit të jetës, mbante biseda mësimesh para grupesh të ndryshme me besimtarë dhe në fund thoshte:
“Subhanekellahum’me ue bihamdike Esh’hedu en la ilahe il’la ente. Estagfiruke ue etubu ilejk - O Zot, i pa të meta je Ti, të falënderoj e lavdëroj Ty me cilësitë më të bukura. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Teje. Kërkoj prej Teje falje dhe pendohem tek Ti.” Dikush tha:
“O Resulullah! Ti sapo the diçka që unë nuk të kam dëgjuar asnjëherë ta thuash më parë!” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu përgjigj atij:
“Kjo është për të shlyer gabimet dhe mëkatet e bëra gjatë bisedës në këtë kuvend bashkëbisedimi.” Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet se i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Po, është e vërtetë, këtu erdhi Xhibrili dhe më tha: ‘Muhamed, këto fjalë i shlyejnë të gjitha gabimet e bëra gjatë kuvendimit me njerëzit për Allahun.’”
4. LEXIMI RREGULLISHT I KUR’ANIT FAMËLARTË
Për këtë na tregon Eus bin Hudhejfe eth-Thekafi (radijallahu anhu): “Ne patëm ardhur tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) si përfaqësues të popullit të Thekifit. Ne të Benu Sa’dit patëm bujtur në shtëpinë e Mugire bin Shu’bes; ata të fisit të bijve të Malikut u pritën në çadrën e ngritur në xhaminë e të Dërguarit të Allahut. Gjatë atyre ditëve, Resulullahu vinte tek ne dhe pas namazit të jacisë na fliste për Allahun. Nganjëherë detyrohej të ndryshonte vendin e këmbëve, pasi ato i ënjteshin ngaqë rrinte shumë në këmbë. Një nga temat, për të cilat na fliste më së shumti ishin ankesat e tij për kurejshët:
“Kur ne ishim shumë të dobët në Mekë, ishim krejt të pafuqishëm dhe ishim si një bashkësi e shtypur nga të gjithë. Por, pasi erdhëm në Medinë, ne ua morëm atyre hakun. Herë i mundëm ne, herë na mundën ata.”
Një natë ai erdhi tek ne në një orë më të vonë seç vinte zakonisht, ndaj e pyetëm:
“O Resulullah! Pse erdhët më vonë seç keni ardhur natë për natë?” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na u përgjigj:
“Mu kujtua përnjëherësh se duhej të lexoja një pjesë nga Kur’ani për të përmendur Allahun. Nuk desha të dilja pa lexuar njëherë atë pjesë.” Në agim ne shkuam e pyetëm sahabët më të afërt me të Dërguarin e Allahut, se si i kishin formuar përmendjet e Allahut nga Kur’ani dhe ata na thanë:
“Ne e ndajmë Kur’anin në tri, pesë, shtatë, nëntë, dhjetë, njëmbëdhjetë dhe trembëdhjetë pjesë. Veç kësaj, pjesa pas sures “Huxhurat” është e gjitha një pjesë ku përmendet Allahu.”
Ebu Selemeja tregon se: “Omeri (radijallahu anhu) i thoshte Ebu Musa el-Eshariut:
“Na e kujto pak Zotin!” Dhe ai u lexonte atyre Kur’an. Ebu Musai e lexonte shumë bukur Kur’anin, meqenëse kishte një zë shumë të bukur.”
Tregon edhe Hasan Basriu: “Osmani (radijallahu anhu) ka thënë:
“Nëse ne do t’i kishim zemrat të pastra, ne nuk do të ngopeshim dot së dëgjuari fjalën e Zotit. Unë nuk dua që të më shkojë asnjë ditë pa lexuar Kur’an.” Vërtet, kur gjetën lidhjen e Kur’anit të Osmanit (radijallahu anhu), pasi ai ishte ndarë nga jeta, panë se ai ishte shumë i konsumuar nga përdorimi, aq sa faqet i kishte krejtësisht të vjetruara.” Ukbe bin Amiri (radijallahu anhu) tregon: “Njëherë, kur u takova me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ai më pati thënë:
“Ti ruaji lidhjet, përpiqu të lidhesh me atë që i pret marrëdhëniet me ty, jepi edhe atij që nuk të jep, e tregohu falës edhe ndaj atij që të bën të padrejtë.” Pastaj, kur u takuam njëherë tjetër, ai kësaj here më tha:
“Shiko, Ukbe bin Amir, a do që unë të të mësoj ato sure që Allahu deri më sot nuk i ka zbritur as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur? Do të t’i tregoj, por t’i lexosh medoemos çdo natë. Ja, ato sure janë: ‘Ihlas’, ‘Felek’ dhe ‘Nas’.”
Që nga ajo ditë, kur i Dërguari i Allahut më urdhëroi që t’i lexoja medoemos çdo natë ato sure, unë nuk i kam lënë kurrë pa i lexuar. Zaten as nuk i ka hije një njeriu si unë, që të mos i lexojë.”
Aishja (radijallahu anha) thotë se: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk binte të flinte pa lexuar njëherë suret “Zumer” dhe “Isra”.”
Kurse Aliu (radijallahu anhu) tregon: “Kam qenë aty, kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na foli nga minberi dhe na tha:
“Kushdo që lexon ‘Ajetin Kursij’ pas faljes së çdo namazi, për të nuk mund të ketë asnjë pengesë, që të hyjë në Xhenet. Dhe ai që e lexon ‘Ajetin Kursij’ kur shtrihet për të fjetur, Allahu krijon siguri dhe besim mes familjes, fqinjëve dhe njerëzve të tjerë përreth tij.”
Abdullah bin Busri (radijallahu anhu) tregon: “U nisa nga Humusi dhe natën qeshë i detyruar ta kaloja në Bakia. Një të rrethuar më bënë xhindet dhe unë lexova menjëherë këtë ajet të sures “A’raf”: “Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (që mbisundon gjithësinë). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi.
Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!” (A’raf, 7/54)
Një ta mbaruar së kënduari ajetin, xhindet thanë:
“Ruajeni atë derisa të agojë dita e re!” Unë, një të zbardhur, i hipa devesë dhe u nisa të vazhdoja rrugëtimin.”
Abdullah bin Ubejd bin Umejri tregon: “Abdurrahman bin Aufi
(radijallahu anhu), sapo hynte në shtëpi lëvizte nëpër të dhe këndonte
‘Ajetin Kursij’ në çdo cep të saj.”
5.VIRTYTI I PËRMENDJES VAZHDIMISHT TË FJALËS SË BUKUR “LA ILAHE IL’LALLAH”
E tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Unë i thashë Profetit tonë (paqja e Zotit qoftë mbi të), kush janë ata fatlumë që do të përfitojnë më së shumti prej ndërmjetësimit tënd në Ditën e Gjykimit?” Ai më tha mua:
“Ebu Hurejre, ma merr mendja se këtë pyetje nuk ma ka bërë askush asnjëherë më parë, sepse unë e di shumë mirë dëshirën e zjarrtë dhe varësinë tënde ndaj çdo fjale që them unë. Po, vërtet, ata që do të gëzojnë më shumë prej ndërmjetësimit tim do të jenë ata që thonë ‘La ilahe il’lallah’ me sinqeritet e ngaqë ashtu ua kërkon zemra e shpirti.”
Ebu Dherri (radijallahu anhu) tregon: “Unë i thashë Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):
“O i Dërguari i Allahut, më jep ndonjë këshillë të mirë!” Ai më tha:
“Sa herë që të bësh ndonjë të keqe bëj menjëherë një të mirë, sepse ajo do ta shlyejë gabimin a mëkatin që ke kryer.”
“O Resulullah, po po të them “La ilahe il’lallah”, a quhet kjo një e mirë?”, – e pyeta unë.
“Patjetër që po, të thuash atë fjalë është më e mira e të mirave.”, – më tha i Dërguari i Allahut.”
6.DISA PËRMENDJE TË ALLAHUT DHE VIRTYTET E TYRE
Përmendja e Allahut është një “e mirë e përjetshme” E tregon Said Hudri: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue
sel’lem) tha:
“Bëni sa më shumë punë që janë të mira të përjetshme (ato punë që do të jenë përjetësisht të dobishme për njeriun).”
“E ç’janë të mirat e përjetshme, o Resulullah?”, – e pyetën. Ai u përgjigj duke thënë:
“E mirë e përjetshme është të thuash fjalët ‘Allahu Ekber’, ‘Subhanallah’, ‘Elhamdulil’lah’ dhe ‘La haule ue la kuuete il’la bil’lah’.”
Kopshtet e Xhenetit
Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na tha:
“Kur të hyni në kopshtet e Xhenetit, përpiquni që të përfitoni sa më shumë prej tyre.”
“O Resulullah, ç’janë këto kopshte të Xhenetit?”, – e pyeta unë.
“Xhamitë janë kopshte të Xhenetit.”, – mu përgjigj i Dërguari i Allahut. - “Po si mund të përfitojmë ne nga xhamitë?”
“Përmes përmendjes së Allahut duke thënë sa më shpesh ‘Subhanallahi ue Elhamdulil’lahi ue La ilahe il’lallahu ue Allahu Ekber’.”
Fjala që i pëlqen më së shumti Allahut
E tregon Ebu Dherri (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“A doni që t’ju lajmëroj se cila është fjala që Allahu e do më së shumti?” - “Po, patjetër.”, – thashë unë. Profeti ynë tha:
“Fjala që i pëlqen më së shumti Allahut është fjala ‘Subhanallahi ue bi hamdihi’.”24
Një fjalë sa tërë thesaret e Xhenetit
E tregon po Ebu Dherri (radijallahu anhu): “Unë po ecja pas të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai më tha mua:
“O Ebu Dherr, a do të të tregoj një nga thesaret e parajsës?” - “Tregoma, o Resulallah.”, – thashë unë.
“La haule ue la kuuete il’la bil’lah.”, – tha ai.”
Fidanët e Xhenetit
Ebu Ejub el-Ensari (radijallahu anhu) na tregon: “Në natën e Miraxhit, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati shkuar pranë Ibrahimit (alejhis’selam). Ibrahimi (alejhis’selam) pyeti Xhibrilin (alejhis’selam), se kush ishte ai që kishte prurë me vete. Engjëlli i Zotit iu përgjigj:
“Ky është Muhamedi (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).” Atëherë, Ibrahimi (alejhis’selam) tha këto fjalë:
“O Muhamed! Thuaji umetit tënd, të mbjellin sa më shumë fidanë në Xhenet, sepse toka e parajsës është tejet pjellore dhe pa anë e pa fund.” Dhe, kur i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) e pyeti se çfarë ishin fidanët e Xhenetit, Ibrahimi (alejhis’selam) iu përgjigj duke i thënë:
“Përmendja e Zotit duke thënë: ‘La haule ue la kuuete il’la bil’lah’.”
Interpretimi që i bën Abdullah bin Mesudi (r.a.) ajetit:
“... fjalët e bukura ngjiten tek Ai.”
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë: “Unë, kur ju them ndonjë gjë, do t’ju sjell gjithmonë edhe një argument nga libri i Allahut, që i mbështet fjalët e mia. Kur një rob i Allahut thotë “Subhanallahi ue’lhamdulil’lahi ue la ilahe il’lallahu uallahu ekberu ue tebarekallah”, një engjëll i fut këto fjalë nën flatra dhe fillon të ngjitet lartësive të qiejve. Çdo bashkësi engjëjsh, që has gjatë fluturimit, i kërkon Allahut falje për atë që robi ka thënë. Derisa, më në fund, engjëlli arrin dhe i çon ato fjalë pranë Mëshirëplotit, që është i kulluar e i pastër nga çdo lloj cilësie që bart mangësi.” Dhe, për ta argumentuar vërtetësinë e këtij interpretimi, na lexoi ajetin Kur’anor: “Kush dëshiron lavdi e pushtet, ta dijë se e gjithë lavdia e pushteti i takojnë Allahut. Tek Ai ngjiten
fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë. Sa u përket atyre që kurdisin të këqija, ata do të kenë dënim të rëndë dhe dredhitë e tyre do të dështojnë.” (Fatir, 35/10)27
7. LUTJA DHE PËRMENDJA E ALLAHUT SHKURT E ME FJALË TË THUKËTA
Tregon Xhuejrija (radijallahu anha): “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u largua nga unë dhe u kthye sërish aty para dreke. Në atë kohë unë isha ulur e po rrija. Ai më tha mua:
“Ulur ke ndenjur qëkurse u largova unë?”
“Po.”, – i thashë unë. Atëherë, ai më tha mua:
“Qëkur u largova prej teje, unë kam thënë katër lutje nga tri herë secila. Nëse do të krahasoheshin ato me të gjitha sa e ke përmendur ti Allahun gjer më sot, ato peshojnë prapëseprapë më shumë. Ato fjalë janë: ‘Subhanallahi ue bi hamdihi, adede halkihi ue rida nefsihi ue zinete arshihi ue midade kelimatihi’. (I pa të meta është Allahu, ndaj edhe e madhëroj Atë. Lëvduar qoftë Ai aq herë sa numri i krijesave të Tij, lavdërim që kënaq Atë, sa tërë boja e gjithë fjalëve dhe sa pesha e Fronit të Tij Hyjnor.)”28
Dhikri të cilin engjëjt e kishin të pamundur ta regjistronin
Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Një ditë, ne ishim ulur rreth Profetit tonë, kur aty ia behu një burrë. Ai na përshëndeti, Profetin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe gjithë sa ishim aty, duke na thënë “Es’selamu alejkum ue rahmetullah”. Edhe ne i kthyem përshëndetjen, kurse i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) ia ktheu përshëndetjen duke i thënë:
“Ue alejkumus’selam ue rahmetullahi ue berekatuhu”. Ai burrë u ul dhe tha:
“Elhamdulil’lah! Hamden kethiren tajjiben mubareken fihi kema juhib’bu Rab’buna en juhmede ue jenbegij lehu”. (Allahut i takojnë gjithë lëvdimet e madhërimet më të bekuara, më të shumta e më të bukura, ashtu siç ka dëshirë Ai të falënderohet dhe siç i kanë hije Lartësisë së Tij).
27. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/105 (13858).
28 4/2090 (2726).
Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) e pyeti:
“Si e the?”, – dhe ai burrë i përsëriti edhe njëherë ato që sapo tha. Atëherë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) foli dhe na tregoi:
“Unë i betohem Allahut, se për t’i shkruar këto fjalë, rendën plot dhjetë engjëj, por duke qenë se nuk dinin si ta shkruanin, i morën ato dhe i çuan drejt e tek Allahu, Zotëruesi i Vetëm i Shenjtërisë dhe Madhërimit. Dhe Allahu i Madhërishëm tha: ‘Shkruajini ato njësoj siç i tha robi im!’”
8. LUTJET QË DUHEN THËNË PARA SE TË FLESH
Përmendja e Allahut që u mëson Profeti ynë sahabëve më të varfër
E tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Muhaxhirët që ishin më dobët ekonomikisht, erdhën tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i thanë:
“Të pasurit i morën të gjitha shpërblimet e Allahut dhe janë duke fituar gradët më të larta në Xhenet.” I Dërguari i Allahut i pyeti ata:
“Çfarë do të thotë kjo?” Muhaxhirët thanë:
“Edhe ata falin namaz dhe agjërojnë njësoj si ne. Por, kur vjen puna te lëmosha dhe zekati, ne nuk kemi të japim siç japin ata. Ata lirojnë skllevër, e ne nuk kemi mundësi që ta bëjmë diçka të këtillë!” I Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) u tha atyre:
“A doni që unë t’ju mësoj juve diçka që ka për t’ju afruar menjëherë me ata të pasur për sa u përket shpërblimeve të Allahut? Nëse e bëni, atëherë ju do të kaloni këdo që nuk e bën atë. Vetëm se ata që mund ta bëjnë, atëherë po, ata mund të hahen e të krahasohen me ju!”
“Na e mëso, o Resulullah!”, – thanë ata menjëherë dhe Krenaria e Njerëzimit u mësoi atyre:
“Pas çdo namazi thoni 33 herë ‘Subhanallah’, 33 herë ‘Elhamdulil’lah’ dhe 33 herë ‘Allahu Ekber’.”
Paskëtaj, muhaxhirët erdhën edhe njëherë tjetër tek i Dërguari Fisnik dhe i thanë:
“O i Dërguari i Allahut, atë që na mësove ti e mësuan edhe vëllezërit tanë të pasur, edhe ata po e thonë njësoj si ne, në fund të çdo namazi.” Sakaq, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:
“Pasuria është një mirësi e Allahut, Ai ia jep atë atij që Ai do.”30
Përmendja që Profeti ynë u mëson Aliut dhe Fatimes, për ta thënë çdo natë para se të binin të flinin
E tregon Aliu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur po e martonte vajzën e tij, Fatimen, me Aliun, ai i pati përgatitur asaj si pajë, një copë stof të kadifenjtë, një mulli dore, një enë uji, një jastëk të mbushur me kashtë hurme dhe një enë me çomlek. Një ditë unë i thashë Fatimes:
“Nxora ca ujë nga pusi e po më dhemb kraharori. Allahu i ka falur shumë skllevër babait tënd. Sikur të shkosh e t’i thuash njëherë, se mos na jep edhe neve ndonjë shërbyes.” Fatimja iu përgjigj:
“Ke të drejtë, edhe unë, bluaj e bluaj me mullirin e dorës, më kanë zënë duart kallo.”, – ndaj shkoi drejt e tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai e pyeti se çfarë e kishte çuar tek i ati. Fatimes i erdhi rëndë, ndaj e nisi fjalën duke i thënë:
“Erdha të të shoh e të të pyes, a je mirë, o baba.”, – dhe u kthye pas pa i thënë asgjë. E pyeta Fatimen, kur erdhi:
“Çfarë bëre?”
“Më erdhi zor t’i kërkoja të më jepte një shërbyese.”, – u përgjigj Fatimja. Sakaq, vendosëm të shkonim të dy bashkë te Krenaria e Gjithësisë dhe shkuam. I pari fola unë, duke i thënë të Dërguarit të Allahut:
“O Resulullah! Ka filluar të më dhembë kraharori nga uji që tërheq nga pusi.” Aty ndërhyri edhe Fatimja:
“Edhe mua më kanë zënë kallo duart duke bluar me mullirin e dorës. Sikur të më jepje ndonjë prej robërve të luftës si shërbyes, që ta kemi të na ndihmojë në shtëpinë tonë.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) na kishte dëgjuar dhe na tha:
“Si thoni ju, të lë të uritur sahabët e Suffes dhe t’ju jap juve një shërbyes?
30 1/416 (595).
Nuk e bëj dot. Unë as mundësi për t’u plotësuar atyre nevojat nuk kam. Kështu që robërit më duhet t’i shes, që të mund t’u përmbush nevojat sahabëve të Suffes.” Kësisoj, ne u kthyem duarbosh në shtëpi. Më vonë, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) erdhi në shtëpi. Në atë kohë ne ishim shtrirë dhe ishim mbuluar me copën e stofit të kadifenjtë, që babai na e kishte dhuruar si pajë për Fatimen. Kishim mbuluar kokën dhe kur mbulonim kokën, ne na zbuloheshin këmbët dhe kur mbulonim këmbët, na zbulohej koka. U çuam në këmbë, me të parë të Dërguarin Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai na e preu duke na thënë:
“Mos u ngrini, unë kam ardhur t’ju jap diçka më të mirë e më të mbarë sesa ajo që më kërkuat ju, e doni?”
“Na e thuaj, o Resulullah, ç’është ajo?”, – i thamë ne. Atëherë, Profeti ynë na tha:
“Këto që do t’ju them mua m’i ka mësuar Xhibrili: Pas çdo namazi të thoni dhjetë herë ‘Subhanallah’, dhjetë herë ‘Elhamdulil’lah’, dhjetë herë ‘Allahu Ekber’. Edhe kur të hyni në shtrat, të thoni tridhjetë e tri herë ‘Subhanallah’, tridhjetë e tri herë ‘Elhamdulil’lah’ dhe tridhjetë e katër herë ‘Allahu Ekber’.” Që nga ajo ditë, unë nuk i kam lënë kurrë pa i thënë ato që na mësoi të thoshim i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).
Ibnu’l-Keuaja e pyeti Aliun (radijallahu anhu):
“As gjatë Siffinit nuk i ke braktisur, o Ali?”
“Jo, as atëherë nuk i kam lënë pa i thënë.”, – u përgjigj Aliu
(radijallahu anhu).”
Përmendje për t’u lexuar në mëngjes dhe në mbrëmje
E tregon Ebu’d-Derdaja (radijallahu anhu): “Kushdo që arrin agimin dhe mbrëmjen, dhe thotë shtatë herë, duke e ndierë, apo pa e ndierë që duhet ta thotë: “Hasbijallahu la ilahe il’la hu. Alejhi teuek’keltu ue hue Rab’bu’l-Arshi’l-Adhim” (Mua më mjafton Allahu, nuk ka zot tjetër përveç Tij. Unë i jam dorëzuar Atij plotësisht, Ai është Zotëruesi i Fronit të Madh) Allahu ia heq atij të gjitha vështirësitë.”
9. TË PËRMENDËSH ALLAHUN NË KOHËT KUR TË GJITHË BIEN NË PËRHUMBJE
Tregon Ebu Idris el-Haulani: “Unë e kam dëgjuar nga Muadhi se ka thënë:
“Kur të ulesh me ndonjë grup njerëzish, ata do të zhyten në bisedë. Kur të bëhesh dëshmitar, që ata e harruan Allahut, ti drejtoju Atij duke e përmendur.”
Uelidi thotë: “Sa herë që ia përmendte ndokush Abdurrahman bin Jezid bin Xhabirit (radijallahu anhu) këto fjalë të Muadhit, ai thoshte:
“Vërtet, të njëjtën gjë më kanë treguar edhe Ebu Talhaja me Hakim bin Dinarin. Kur të shohësh që ndonjëri prej tyre zhytet në përhumbje, ti drejtoju Zotit duke e përmendur, sepse kjo është një shenjë që të pranohet lutja.”
10. PËRMENDJA E ALLAHUT GJATË UDHËTIMIT
Ebu’l-Melih bin Usameja (radijallahu anhu) përcjell nga babai i tij: “Ne ishim në një udhëtim bashkë me të Dërguarin Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe unë po ecja pas vetë të Dërguarit të Allahut. Papritur, deveja u pengua.
“U qorrofsh shejtan!”, – më doli mua nga goja. I Dërguari i Allahut tha:
“Mos i thuaj asaj u qorrofsh shejtan, sepse atëherë djallit i rritet mendja, fryhet, bëhet sa një shtëpi e madhe dhe thotë: ‘Kjo është fryt i forcës sime!’ Por, nëse ti thua ‘Bismil’lah’, ai fillon ta ndiejë veten më të vogël edhe se një mizë e vetja i duket i poshtër.”
Aufi (radijallahu anhu) tregon se: “Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu), kur dilte nga shtëpia, thoshte:
“Bismil’lahi teuek’keltu alallah. La haule ue la kuuete il’la bil’lah” (Me emrin e Allahut, u mbështeta tek Allahu. Vetëm e Allahut është e gjithë forca dhe fuqia).”
11. SALAVATET PËR TË DËRGUARIN FISNIK
Tregon Ubej bin Ka’bi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pasi kalonte dy e treta e natës, ngrihej dhe thoshte:
“O njerëz, përmendeni Allahun, përmendeni Allahun; iu fry surit të parë, e fill pas tij do t’i fryhet edhe surit të dytë. Do të vijë edhe çasti i vdekjes bashkë me çastin kur do të bëhet gjykimi e juve do t’ju dorëzohet libri.” Unë i thashë:
“O Resulullah! Unë them shumë salavate e përshëndetje për ty; sa më shumë të them, aq më mirë është, apo jo?” - “Thuaj sa të duash.”, – mu përgjigj ai.
“Po nëse unë një të katërtën e lutjeve të mia ta veçoj vetëm për të të dërguar ty salavate, o i Dërguari i Allahut?”, – vazhdova unë ta pyesja.
“Ti e di, por nëse bën më shumë, akoma edhe më mirë ka për të qenë për ty.”, – më tha ai.
“Unë dua që të gjithë kohën e lutjeve ta ndaj vetëm për të të dërguar ty salavate dhe përshëndetje.”, – thashë unë. Atëherë i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) më tha mua:
“Atëherë të gjitha vështirësitë e tua do të marrin fund dhe do të të falet çdo mëkat.”
Njeriu më dorështrënguar
Tregon Ebu Dherri (radijallahu anhu): “Një ditë, dola nga shtëpia dhe shkova pranë grupit të besimtarëve që ishin me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai na pyeti neve:
“A doni që t’ju tregoj se kush është njeriu më dorështrënguar?”
“Na e thoni, o i Dërguari i Allahut!”, – thanë besimtarët njëzëri.
“Njeriu më koprrac është ai njeri që përmendet emri im dhe ai nuk më dërgon mua salavat.”, – tha i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të).”
Ka’b bin Uxhreja (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Ejani, afrohuni pranë minberit.” Dhe ne u afruam. U ngjit një shkallë dhe tha “Amin”. Edhe kur ngjiti shkallën e dytë, tha “Amin”. Të njëjtën bëri edhe kur u ngjit në shkallën e tretë, tha “Amin”. Kur zbriti nga minberi, ne i thamë:
“O Resulullah! Sot ne dëgjuam nga goja jote diçka që nuk e kemi dëgjuar kurrë më parë!” Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) u përgjigj:
“Erdhi Xhibrili i Besueshëm dhe më tha: ‘Larg Xhenetit kushdo që e arrin muajin e Ramazanit dhe kalon pa iu falur mëkatet!’ - dhe unë i thashë ‘Amin’, kur u ngjita në shkallën e dytë Xhibrili më tha: ‘Larg prej Xhenetit kushdo, që përmendet emri yt dhe ai nuk të dërgon ty salavate!’ Dhe unë thashë prapë ‘Amin’. Në shkallën e tretë Xhibrili më tha: ‘Larg Xhenetit kushdo që nëna dhe babai të dy, ose njëri syresh, plaken dhe nuk arrin të fitojë kënaqësinë e tij/tyre!’ Andaj unë përsëri thashë ‘Amin’.”
Nga se varet pranimi i lutjeve?
Omeri (radijallahu anhu) thotë: “Asnjë lutje që bëhet pa iu dërguar njëherë salavate të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk arrin tek Allahu i Madhërishëm; ajo lutje arrin tek Allahu vetëm pasi t’i jetë dërguar salavat të Dërguarit të Tij.”
12. NJË TJETËR DIMENSION I PËRMENDJES SË ALLAHUT: KËRKIMI I FALJES ME PENDESË
Ibni Omeri (radijallahu anhu) thotë: “Ne rrinim me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e dëgjonim të thoshte njëqind herë: “O Zot, falmë mua, pranoma pendesën; nuk ka dyshim, që Ti e pranon pendimin dhe përveç mëshirës Sate, nuk ka tjetër mëshirë që mund të na mëshirojë.”
I Dërguari i Allahut na mësonte se si të pendoheshim e t’i kërkonim Allahut falje
Xhabir bin Abdullahu (radijallahu anhu): “Tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një burrë dhe iu ankua se kishte bërë shumë mëkate, duke i thënë dy a tri herë:
“Mjerë unë për mëkatet e mia!..” I Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) i tha atij:
“Thuaj: O Zot, mëshira dhe falja Jote është shumë më e madhe sesa gabimet e mëkatet e mia dhe kur mendoj për mëshirën Tënde kur më kujtohen mëkatet e mia, kuptoj se ajo është shumë herë më e madhe dhe kjo më fal shpresë.”
Ai burrë e përsëriti atë fjalë për fjalë. Profeti ynë i tha atij që atë fjali ta përsëriste edhe njëherë dhe ai e përsëriti. Profeti ynë i kërkoi atij që ta përsëriste sërish dhe ai burrë e përsëriti. Pastaj Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha atij:
“Çohu, se Allahu t’i fali të gjitha mëkatet.”
Gjendja e atij që kreu një mëkat dhe thoshte:
“Allahu nuk më fal mua!”
Tregon Bera bin Azibi (radijallahu anhu): “Një burrë më tha:
“Ebu Umare, çfarë ka parasysh ajeti: “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” (Bekare, 2/195) – a ka parasysh edhe atë që përleshet me armikun derisa vritet?” Unë i thashë:
“Jo, në të flitet për atë që kryen një mëkat dhe thotë: ‘Allahu nuk ma fal mua atë mëkat!’”
13. PËRMBAJTJA E DHIKRIT DHE KORNIZA E TIJ
Ebu’d-Derdaja (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) thotë:
“Në ditën e Kiametit Allahu i Madhërishëm disa bashkësi do t’i ringjallë të ngjitur mbi minbere të stolisura me gurë perle dhe me fytyrën plot shkëlqim drite. Të gjithë do t’i shohin ata me admirim. Dhe ata nuk kanë qenë as profetë, as dëshmorë.” Kur e dëgjoi një beduin këtë hadith, u ngrit në gjunjë dhe tha:
“O Resulullah! Na i trego se kush janë dhe cilat cilësi bartin, që t’i njohim më mirë edhe ne.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:
“Ata janë njerëzit që e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut. Megjithëse vijnë nga fise e shtete të ndryshme, ata i bashkon përmendja e Allahut, sepse ata përmendin Allahun.”
Shenjat treguese të dhikrit dhe e vërteta e tij
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Dikush e pyeti të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):
“O Resulullah! Kush janë miqtë (evliatë) e Allahut?” I Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) iu përgjigj:
“Janë ata, që kur i sheh, të kujtojnë menjëherë Allahun.”
Përmendja e Allahut në fshehtësi është më e virtytshme
Këtë e tregon Aishja (radijallahu anha): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e lartësonte namazin e falur pas përdorimit të misvakut shtatëdhjetë herë më shumë sesa namazin e falur pa e përdorur atë. Edhe për dhikrin ai thoshte:
“Përmendja e Allahut në fshehtësi është shtatëdhjetë herë më e virtytshme.” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha përsëri:
“Në ditën e Kiametit, kur Allahu t’i mbledhë të gjitha krijesat, që ato të japin llogari për ato që kanë bërë në këtë botë, engjëjt do të sjellin punët që kanë regjistruar e shkruar. Allahu i Lartësuar do t’u thotë atyre engjëjve: ‘Shikoni njëherë, a i ka ngelur ndonjë punë e paregjistruar?’ – Engjëjt i thonë: ‘Jo, o Zot, këtu janë të gjitha ato që ne dimë e që kemi shkruar; nuk kemi lënë asgjë pa shkruar.’ Allahu i Madhërishëm, atëherë, i thotë atij robi: ‘Ti ke disa punë, të cilat nuk i di as ti vetë, dhe Unë do të ta jap ty edhe shpërblimin e tyre. Janë punët e tua që i ke bërë në fshehtësi, kur ti më ke përmendur mua në fshehtësi.”
14. KUR KA FILLUAR BËRJA E TESBIHUT?
Na e tregon Nëna jonë, Safija (radijallahu anha): “Një ditë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati ardhur në dhomën time. Në atë çast përpara meje ishin katërmijë bërthama hurme, të cilat unë po i përdorja për të bërë tesbih Allahut. Ai më pati thënë mua:
“A do që të të mësoj unë një mënyrë të të bërit tesbih, që është më e virtytshme se kjo që po përdor ti?”
“Mësoma!”, – iu përgjigja unë.
“Thuaj: Unë të bëj Ty tesbih sa tërë numri i krijesave të Tua, o Allah!”, – më qe përgjigjur ai.”
Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “Unë kisha një litar me dymijë nyje. Nuk më zinte gjumi pa e kaluar njëherë të gjithin, nga fillimi në fund, duke i bërë tesbih Allahut.”
Shënimet
- 623.. Muslim, Sahih, 4/2062 (2676).* Dhikr (arab.), përmendja e Allahut të Madhërishëm. (shën. red.)
- 624.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/71 (16748).
- 625.. Tirmidhi, Sunen, 5/458 (3375).
- 626.. Ibn Hibban, Sahih, 3/139 (857).
- 627.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/362 (3922).
- 628.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/259.
- 629.. Ebu Daud, Sunen, 2/347 (3667).
- 630.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/259.
- 631.. El-Hakim, Mustedrek, 1/671 (1820).
- 632.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 2/177 (6651).
- 633.. Ebu Daud, Sunen, 2/681 (4859).
- 634.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/467 (4217).
- 635.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/258; Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/109.
- 636.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 2/409 (2223).
- 637.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/148 (17372).
- 638.. Tirmidhi, Sunen, 4/475 (3405).
- 639.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 2/458 (2395).
- 640.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/94 (11015).
- 641.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/179 (17076).
- 642.. Buhari, Sahih, 1/49 (99).
- 643.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/86 (16797).
- 644.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 2/75 (11731).
- 645.. Tirmidhi, Sunen, 5/532 (3509).
- 646./2093 (2731).
- 647.. Muslim, Sahih, 4/2076 (2704).
- 648.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/418 (23598).
- 649.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/117 (16894).
- 650.. Buhari, Sahih, 5/2051 (5047).
- 651.. Ebu Daud, Sunen, 2/742 (5081).
- 652.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/236.
- 653.. El-Hakim, Mustedrek, 4/325 (7793).
- 654.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 9/180 (8889).
- 655.. Tirmidhi, Sunen, 4/636 (2457).
- 656.. Mundhiri, et-Tergib, 2/332 (2601).
- 657.. El-Hakim, Mustedrek, 4/170 (7256).
- 658.. Tirmidhi, Sunen, 2/356 (486).
- 659.. Ebu Daud, Sunen, 1/475 (1516).
- 660.. El-Hakim, Mustedrek, 1/728 (1994).
- 661.. Mundhiri, et-Tergib, 2/311 (2513).
- 662.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/77 (16770).
- 663.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/175 (13138).
- 664.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/86 (16796).
- 665.. Mundhiri, et-Tergib, 2/286 (2425).
- 666.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/383.