JETA E SAHABËVE 2
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
BESIMI I SAHABËVE TE BOTA E PADUKSHME
Si besonin sahabët te bota e panjohur? Si arrinin ata t’i braktisnin të gjitha, kënaqësitë dhe shijet kalimtare të kësaj bote, dëshirat njerëzore, ndjenjën e tyre për kohën dhe të gjitha kursimet e tyre, kur dëgjonin lajmet e prura prej Profetit tonë të dashur (paqja e Zotit qoftë mbi të)? Ata ishin sikur ta kishin parë vetë, me sytë e tyre, botën e panjohur; ato që kishin përpara syve dukej sikur i mohonin, sikur i cilësonin një hiçmosgjë, tërësej!
1. PËRMASAT E MËDHA TË BESIMIT
I Dërguari i Allahut i përgëzonte me Xhenet të gjithë ata që thoshin ‘La ilahe il’lallah’ me plot zemër
Tregon Rifaatu’l-Xhuheniu: “Ne patëm shkuar në vendin e quajtur Kadid bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Aty, disa i kërkuan leje të Dërguarit të Allahut, që të ktheheshin pranë familjeve të tyre. Atëherë, Profeti ynë u ngrit në këmbë dhe pasi lëvdoi Allahun, tha këto fjalë:
“Ç’është kjo? Mos kemi mes nesh të atillë që duan ta lënë vetëm Profetin e Allahut dhe të kalojnë në anën tjetër?”
Nuk mbeti asnjë pa qarë nga ato fjalë. Doli njëri dhe tha:
“Ai njeri që i kërkon leje të Dërguarit të Allahut, pavarësisht se dëgjoi këto fjalë, duhet të jetë një i çmendur!” Atëherë, Profeti ynë tha kështu:
“Dëshmoj përpara Allahut se, nuk vdes një rob, i cili dëshmon se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij, me sinqeritet nga zemra, dhe pastaj i përmbahet kësaj, veçse futet në Xhenet. Mua Allahu më premtoi se shtatëdhjetëmijë vetë nga umeti im do të hyjnë në Xhenet pa kaluar në llogari dhe pa u dënuar. Unë kam shpresë se mes atyre që do të hyjnë në Xhenet do të jenë edhe baballarët tuaj të mirë, bashkëshortët/et dhe brezat tuaj të ardhshëm. Të jenë ata banorët e atyre viseve të Xhenetit.”
Një sihariq për ata që do të dalin nga Xhehenemi, sepse kanë thënë fjalën e dëshmisë
Tregon Ebu Musai: “I Dërguari i Allahut thotë:
“Kur banorët e përhershëm të Xhehenemit dhe disa nga myslimanët të mblidhen bashkë, mohuesit do t’i pyesin myslimanët: - ‘Po ju, a nuk ishit myslimanë?’ – e myslimanët do t’u përgjigjen: - ‘Po!’ Atëherë, mohuesit do të vazhdojnë t’i pyesin ata: - ‘Po si, a nuk qe e mjaftueshme që ju ishit myslimanë për t’ju shpëtuar ju prej zjarrit, që erdhët këtu, në Xhehenem, bashkë me ne?!’ Myslimanët u përgjigjen: - ‘Ne kemi ca mëkate; këtu kemi ardhur të vuajmë dënimin e gjynaheve që i ngarkuam vetes në atë jetë.’”
Allahu e dëgjon këtë bisedë mes tyre dhe urdhëron që myslimanët e Xhehenemit të nxirren që andej. E, kur mohuesit e atjeshëm ta shohin edhe këtë, do të thonë:
“Ah, të ishim bërë edhe ne myslimanë, e të dilnim edhe ne, siç dolën ata, prej Xhehenemit!”
Mandej, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) këndoi këtë ajet: “Elif Lam Ra. Këto janë vargjet e Librit, të Kur’anit të qartë!
Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin myslimanë.” (Hixhr, 15/1-2)
2.KUVENDET E BESIMIT
Enes bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “Kur takohej me ndonjë prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Abdullah bin Reuahaja (radijallahu anhu) thoshte kështu:
“Eja, eja, ulu pak këtu. Eja t’i besojmë një orë Zotit!”
Një ditë prej ditësh, një burrë ishte nxehur me Ibni Reuahanë, ndaj e mbajti frymën drejt e tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe iu ankua për Ibni Reuahanë, duke i thënë:
“O i Dërguari i Allahut! Ky Ibni Reuahaja i shmanget besimit tënd dhe guxon e u thotë njerëzve ‘ejani t’i besojmë një orë Zotit’.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) e dëgjoi dhe tha:
“Zoti e mëshiroftë ibni Reuahanë. Atij i pëlqejnë shumë kuvendet e besimit, të cilat i kanë zili edhe engjëjt dhe i përmendin gjithmonë me admirim.”
3.RIFRESKIMI I BESIMIT
Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha kështu:
“Rifreskojeni besimin tuaj.” I thanë:
“Po si do ta rifreskojmë ne besimin?” Dhe na u përgjigj:
“Duke e thënë sa më shumë fjalën ‘La ilahe il’lallah’.”
4. BESIMI ËSHTË BURIMI I TRIMËRISË DHE I SHPRESËS
Sehm bin Minxhabi tregon: “Ne patëm marrë pjesë në luftë bashkë me Ala ibnu’l-Hadramiun. Deri në vendin e quajtur Darin (një vend bregdetar në Bahrejn) e bëmë në këmbë. Tanimë, mes nesh dhe armikut ishte vetëm deti. Ala ibnu’l-Hadramiu hapi duart dhe filloi të lutej kështu:
“O i Gjithëditur që di çdo gjë, e Ti që megjithëse je i Gjithëfuqishëm për të ndëshkuar çdokënd, prapëseprapë, nuk ndëshkon, por na lë kohë, o i Butë! O Ti që je më i Larti! O Ti, që je më Madhështori e kapërcen çdo horizont tonin! Ne jemi robërit dhe skllevërit e Tu. Andaj kemi dalë të përleshemi me armiqtë, për Ty. O Zot, tregona ne një rrugë se si të shkojmë tek ata.”
Mandej, Ai na urdhëroi ne që t’u grahnim kuajve në drejtim të detit dhe ashtu bëmë edhe ne. Uji nuk arrinte as deri te jelet e kalit, derisa, më në fund, e gjetëm vendin në tokë, ballë për ballë me armikun.”
Sihariqi i Profetit tonë për të ardhmen gjatë hapjes së hendekut
Tregon ibni Abasi: “Teksa ishim duke gërmuar, për të hapur hendekun, në punë e sipër para na doli një shkëmb. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Lëreni të godas unë i pari.”, – dhe e mori kazmën në dorë dhe e goditi tokën duke thënë ‘Bismil’lah’. Një e treta e atij shkëmbi u thye. I Dërguari i Allahut tha:
“Allahu Ekber! Për Zotin, unë i pashë kështjellat dhe pallatet e Bizantit!”, – e kur goditi për herë të dytë, ai shkëmb u thye i tëri në copa. Atëherë, ai tha:
“Allahu Ekber! Për Zotin, i pashë edhe sarajet e Persisë!” Disa që njiheshin se ishin hipokritë thanë:
“Ne jemi këtu, duke gërmuar këtë hendek, si e si të shpëtojmë kokën, ai na flet për ngadhënjim mbi Bizantin dhe Persët!”
5. E VËRTETA DHE PËRSOSJA E BESIMIT
Pyetja e të Dërguarit të Allahut për Harith bin Malikun dhe përgjigjja që mori prej tij
E tregon Enesi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) hyri në xhami dhe e gjeti Harith bin Malikun të shtrirë përdhe. I Dërguari i Allahut e ngacmoi me këmbë dhe i tha:
“Ngrije kokën.” Harithi e ngriti kokën dhe i tha:
“T’u bëfshin kurban ty nëna dhe babai im, o i Dërguari i Allahut.”
“Si e kalove natën sonte, o Harith?”, – e pyeti atë i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të). Harithi iu përgjigj:
“Sot u gdhiva si një besimtar i vërtetë, o Resulallah!”
“Çdo fjalë e ka të vërtetën e vet, po e vërteta e fjalës sate cila është?”, – e pyeti atë i Dërguari i Allahut.
“Nuk më rri më syri pas kësaj bote”, – tha Harithi, – “aq sa mund ta kaloj ditën i etur e netët pa gjumë. Herë-herë më bëhet sikur shoh Fronin e Lartësuar të Zotit tim. Më duket sikur nga njëra anë sytë më shohin të dashuruarit e Xhenetit, ndërsa në anën tjetër vajtuesit e flakëve të Xhehenemit!”
Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) e dëgjoi atë me vëmendje, pastaj i tha:
“Ti me të vërtetë je një njeri, që zemrën ta ka ndriçuar Allahu. Njohjes që ke arritur, përmbaju.”
Një pyetje e të Dërguarit të Allahut për
Muadh bin Xhebelin dhe përgjigjja e ardhur prej tij
Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Njëherë, tek i Dërguari i Allahut hyri Muadh bin Xhebeli dhe i Dërguari i Allahut i tha atij:
“Si u gdhive sot, o Muadh?” Muadhi i tha:
“Sot u gdhiva si një njeri që i ka besuar Allahut plotësisht.”
“Çdo fjalë është e bazuar mbi një të vërtetë; mbi cilën të vërtetë është e bazuar kjo që thua ti?”, – e pyeti atë i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të).
“O Resulullah, nuk ka ndodhur që të zgjohem ndonjë mëngjes përveçse pandehja se nuk do të ngrysesha. Dhe nuk jam ngrysur ndonjëherë përveçse duke pandehur se nuk do të gdhihesha. Dhe nuk kam hedhur asnjë hap përveçse pandehja se nuk do të hidhja një tjetër pas tij. Më duket vetja sikur tani para syve të mi shoh të gjitha popujt që thërriten për te libri i tyre, përkrah kanë edhe profetët e tyre, dhe shoqërohen edhe nga idhujt që adhuronin përveç Allahut; ashtu më duket sikur shoh ndëshkimin e banorëve të zjarrit dhe shpërblimin e banorëve të Xhenetit.” Atëherë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më tha:
“Njohjes që ke arritur, përmbaju.”
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Thanë: ‘O i Dërguari i Allahut! Kur jemi pranë teje, ne ndihemi aq mirë, saqë nuk mund ta përshkruajmë dot me fjalë se sa mirë ndihemi. Por, sapo largohemi prej teje, e kemi shumë të vështirë ta ruajmë atë gjendje dhe ngjan sikur bëhemi njerëz të tjerë.” I Dërguari i Allahut i dëgjoi dhe tha:
“Po lidhja që keni me Zotin si është, çfarë ndieni?”
“Ai është Zoti ynë, si kur veprojmë haptas, si brenda nesh në fshehtësi.”, – thanë ata.
“Epo kjo nuk quhet hipokrizi.”, – foli i Dërguari i Allahut.”
6. BESIMI TEK ENGJËJT
Aliu (radijallahu anhu) thotë: “Veç përmbytjes së Nuhut, çdo pikë shiu që zbret në tokë është zbritur nga një engjëll i vetëm, me një masë të caktuar, sepse gjatë Tufanit të Nuhut, Allahu i Madhërishëm e lëshoi shiun me rrebeshe të mëdha e të pakontrolluar, ku nuk kishte nevojë për kontrollin e engjëjve. Zaten siç përshkruhet edhe në ajetin
Kur’anor: “... Kur vërshoi uji i madh, Ne ju ngarkuam ju në një anije të sigurt...” (Hakka, 69/11). Po në të njëjtën mënyrë, pos stuhisë së popullit të Adit, asnjë vrundull ere nuk ka fryrë kurrë e pakontrolluar nga një engjëll i caktuar. Edhe atëherë, erës iu qe lejuar dhe era ka fryrë jashtë kontrollit të engjëjve. Ja, për këtë ka dëshmuar edhe ajeti: “... kurse fisi Ad u shkatërrua nga një furtunë shungulluese e rreptë,...” (Hakka, 69/6)
7.BESIMI TE KADERI
Aishja (radijallahu anha) tregon: “Të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e patën thirrur në xhenazen e një foshnjeje. Unë i thashë të Dërguarit të Allahut:
“O Resulallah! Sa i lumtur duhet të jetë ai foshnje, apo jo? Ai duhet të jetë bërë një prej zogjve të parajsës. Ai nuk ka rënë kurrë në mëkat. Madje as se ç’është e keqja nuk ka pasur kohë të mësojë.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u përgjigj:
“E ç’kujtove ti, o Aishe! Allahu Xhenetin dhe banorët e Xhenetit i ka krijuar që kur ata kanë qenë në shtyllën kurrizore të të atit.”
Ubade bin Samit e këshillon të birin të besojë te kaderi
E rrëfen Uelid bin Ubadeja: “Babai im, Ubadeja (radijallahu anhu) ishte i sëmurë; me gjasa ai do të vdiste. Hyra tek ai dhe i thashë:
“Më jep ndonjë këshillë; më thuaj diçka që do të jetë me dobi për mua.”
“Më ngrini, dua të qëndroj drejt.”, – tha ai. Ata që i shërbenin u afruan dhe e ulën të ndenjur, kur ai më tha:
“Shiko o biri im i mirë, po nuk i besove kaderit ashtu siç duhet as Zotin nuk e njeh siç duhet, as besimit nuk mund të thuhet se ia ndien shijen e vërtetë.”
“Babai im i dashur, e nga mund ta di unë se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe në kaderin tim?”, – e pyeta unë dhe babai më tha:
“Do të të them diçka, por mbaje mend mirë: Ty nuk do të të ndodhë kurrë asgjë që nuk e ke pjesë të asaj që të është paracaktuar; ti nuk mund t’i shpëtosh dot kaderit tënd. Biri im, unë e kam dëgjuar vetë Resulullahun (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kur na tha:
“Krijesa e parë e Allahut është pena. Ai i tha asaj: ‘Shkruaj!’ e ajo shkroi gjithçka që ka ndodhur e që do të ndodhë, nga fillimi e deri në Ditën e Kiametit.” Ja pra, nëse vdes pa e besuar këtë ti do të hysh në Xhehenem.” Fjalët e Aliut (r.a.) në lidhje me këtë temë
Tregon Nezal bin Sebreja: “Aliut (radijallahu anhu) iu tha:
“O Prijësi i Besimtarëve! Ka disa që pretendojnë se ‘Allahu nuk e di një gjë para se ajo të ndodhë’.” Aliu (radijallahu anhu) tha:
“Allahu i shkatërroftë e i poshtëroftë ata njerëz! E ku bazohen, që e thonë diçka të këtillë? Ata që ishin të pranishëm thanë:
“Ata bazohen te një interpretim i ajetit, “Ne do t’ju vëmë në provë ju, derisa t’i njohim ata midis jush, që luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë, e derisa të provojmë ato që thuhen për veprat tuaja.” (Muhamed, 47/31) Kësodore, Aliu (radijallahu anhu) u tha atyre:
“Injoranca e ha njeriun, e bën të marrë fund.”, – dhe, duke u ngjitur në minber, lëvdoi dhe përgëzoi emrat dhe cilësitë e Allahut dhe tha këto:
“O njerëz, mësoni e bëhuni të ditur, bëhuni njerëz të ditur me dijet e përftuara dhe mësojuani ato edhe të tjerëve. Kushdo që lexon prej Kur’anit dhe nuk e kupton ndonjë çështje, le të vijë e të më pyesë mua. Dëgjova se disa thonë se ‘Allahu nuk mund t’i dijë gjërat para se të ndodhin’ e këtë e thonë duke u bazuar në ajetin që thotë ‘Ne do t’ju vëmë në provë ju, derisa t’i njohim ata midis jush, që luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë, e derisa të provojmë ato që thuhen për veprat tuaja.’, por, fraza ‘derisa t’i njohim’ që gjendet në këtë ajet është thënë me kuptimin, që ‘ta shohim të gjithë bashkë, derisa ata, të cilëve u është bërë detyrim të luftuarit dhe bërja e durimit, të bëjnë durim ndaj gjërave që u ndodhin dhe të vazhdojnë të luftojnë në rrugën e Allahut’.”
8.BESIMI TE SHENJAT E KIAMETIT
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Kur u zbritën ajetet kur’anore: ‘... se, kur të fryhet në Sur, ajo do të jetë një ditë shumë e rëndë.’ (Mud’deth’thir, 74/8-9), i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“E si të përpiqem unë të luftoj për të marrë gjithçka mundem prej kësaj bote, kur Israfili e ka vënë në gojë surin e tij e është bërë gati, në pritje të urdhrit për t’i fryrë atij?!” Atëherë, sahabët e pyetën Resulullahun (paqja e Zotit qoftë mbi të):
“Çfarë na këshillon që të themi?” I Dërguari Fisnik tha:
“Ju thoni: ‘Allahu ne na mjafton, Ai është Vëzhguesi më i Mirë. Ne i besuam Allahut dhe tek Ai jemi mbështetur’.”
Jahja bin Ebi Reshidi (radijallahu anhu) tregon:
“Omeri (radijallahu anhu) në shtratin e vdekjes i thotë të birit kështu:
“Biri im, kur të jap shpirt, kthema trupin. Mbështetu me të dy gjunjët mbi shpinën time dhe dorën e djathtë vërma në ballë, kurse të majtën në mjekër. E kur ta kem dorëzuar shpirtin, të m’i mbyllësh sytë. Të mos shpenzoni në asnjë mënyrë me tepri për qefinin tim, se unë, nëse kam ndonjë punë të mirë për Allahun, ajo vepër do të më shpjerë mua te diçka më e mirë se çdo qefin. E, nëse nuk kam asnjë vepër të mirë, atëherë Allahu do të ma marrë shumë shpejt edhe atë që kam përsipër. Edhe për varrin të mos bëni shpenzime të tepruara. Nëse unë kam ndonjë punë të mirë për Allahun, ajo do të ma zmadhojë e do të ma stolisë mua varrin. Në të kundërt, Ai do të ma ngushtojë mua gropën e varrit, sa që brinjët të më hyjnë mes njëra-tjetrës. Në varrimin tim të mos marrë pjesë asnjë grua. Dhe se mos guxoni të më përmendni me cilësi që nuk i kam pasur, duke u përpjekur që të më nxirrni sa më të pastër e të patëmetë, sepse Allahu më njeh mua mjaft mirë dhe më mirë se kushdo. Në kohën që do ta nxirrni nga shtëpia trupin tim, nxitoni. Nëse do të kem bërë ndonjë punë të mirë për Allahun, ju do të më bëni sakaq mua një të mirë shumë të madhe, duke më çuar tek e mira e gjithë të mirave. Nëse nuk kam asnjë punë të mirë, për të çuar përpara Allahut, ju do të shpëtoni një çast e më parë nga bartja mbi shpatulla e trupit të një mëkatari.”
9.BESIMI NË JETËN E PËRTEJME
Përshkrimi i të Dërguarit të Allahut për Xhenetin
Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Ne i thamë të Dërguarit të Allahut:
“O Resulallah! Ne, kur të shohim ty, zemrat zënë e na zbuten, na bëhen më të ndjeshme e më delikate. Por, në momentin që largohemi prej teje, bota nis të na duket më tërheqëse; duam të kemi më shumë gra e më shumë fëmijë.” I dëgjoi i Dërguari Fisnik dhe u tha:
“Sikur ju të vazhdonit të ruanit të njëjtën gjendje që ndieni kur jeni pranë meje edhe kur largoheni nga unë, engjëjt do t’ju shtrëngonin duart e nuk do të kishin gjë më të dashur, sesa të vinin për vizitë nëpër shtëpitë tuaja. Nëse ju nuk do të bënit asnjë mëkat, atëherë Allahu do të krijonte një bashkësi njerëzore që bie në mëkat dhe pendohet dhe i kërkon Allahut që ta falë.”
“O i Dërguari i Allahut! A do të na flasësh neve për Xhenetin dhe ç’ka në të?”, – e pyetën dhe i Dërguari i Allahut nisi t’i përshkruajë me fjalët:
“Shtëpitë në Xhenet janë të gjitha të bëra me qerpiç ari dhe argjendi; të erëmuara me aromat më të mira, si ajo e miskut. Rëra dhe gurët janë prej perlash dhe smeraldi. Toka është e gjitha shafran. Kush hyn atje mbulohet nga të mirat dhe nuk mërzitet kurrë. Arrijnë përjetësinë dhe nuk kanë më nevojë për asgjë tjetër, e atje ata nuk do të vdesin më kurrë. As rrobat nuk u vjetrohen. As rinia nuk u humbet. Tre janë njerëzit, lutja e të cilëve nuk kthehet kurrë mbrapsht e pranohet gjithnjë: Prijësi i shtetit që është i drejtë, agjëruesi dhe njeriu, të cilit i është bërë padrejtësi. Aq sa, lutja e atij që i është bërë padrejtësi ngjitet gjer mbi re. Lutja e tij çel portat e qiejve dhe Allahu i Madhërishëm i thotë atij: ‘Të betohem në
Krenarinë dhe Fuqinë Time, nuk ka dyshim se ty do të të vij në ndihmë Unë’.”16
10.BESIMI I SAHABËVE TE NGJARJET QË DO TË NDODHIN NË DITËN E KIAMETIT
Omeri (r.a.): “Në Ditën e Kiametit edhe për këtë do të më kërkohet mua llogari!”
Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) i kërkoi Omerit (radijallahu anhu) katërmijë dirhemë hua. Dhe personin që dërgoi e
16 4/49.
porositi që t’i thoshte se i kërkonte nga thesari dhe se ai do t’i kthente sërish më vonë. Kur ai njeri erdhi tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i tregoi se si qëndronte puna, kalifi Omer u mërzit dhe frymën e mbajti drejt e tek Abdurrahman bin Aufi, të cilit i tha këto fjalë, duke reaguar mjaft ashpër:
“I kishe thënë dikujt që doje që paratë të t’i jepja nga thesari i shtetit. Po sikur ti të vdesësh para se t’i kthesh ato para, atëherë të gjithë do të thoshin: “Paratë i mori Omeri!” Në Ditën e Kiametit edhe për këtë do të më kërkohet mua llogari!”
11. BESIMI I SAHABËVE SE NDËRMJETËSIMI I TË DËRGUARIT ËSHTË I VËRTETË
Tregon Aliu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha kështu:
“Unë do të ndërmjetësoj për umetin tim gjersa Zoti do të më drejtohet mua me fjalët: ‘A u kënaqe, o Muhamed!’ – e unë do t’i përgjigjem: ‘Po, u kënaqa dhe tani jam i lumtur.’” Aty, Aliu (radijallahu anhu) tha:
“O njerëz të Irakut, ju thoni se ajeti më shpresëdhënës është ajeti:
“Thuaj: ‘O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i Madh dhe Mëshirëploti’.” (Zumer, 39/53) – “Po, ne kështu mendojmë, ky është ajeti më shpresëdhënës.”, – u përgjigjën ata. Atëherë, si përgjigje, Aliu (radijallahu anhu) foli e tha:
“Kurse ne të familjes së bekuar themi se ajeti më shpresëplotë është ajeti: “... e, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur.” dhe këtu bëhet fjalë për ndërmjetësimin.”
Jezid el-Fakiri tregon: “Unë pata shkuar për vizitë te Xhabir bin Abdullahu. Teksa na fliste për disa çështje të ndryshme, na tha se një grup njerëzish do të dilte nga Xhehenemi. Kjo më nxehu shumë, sepse deri atë ditë, kurrë nuk e kisha pranuar se do të ndodhte diçka e këtillë. U ngrita e thashë:
“Mua nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit, por ajo që më habit më shumë është se si ju, sahabët e të Dërguarit të Allahut, arrini e thoni se disa njerëz Allahu do t’i nxjerrë prej Xhehenemit! Ju e dini fare mirë, se Allahu ka shpallur se: “Ata do të dëshirojnë të dalin nga zjarri, por s’do të mund të dalin dot. Ata i pret dënimi i përhershëm.” (Maide, 5/37)
Edhe pse shokët e Xhabirit (radijallahu anh) u ngritën për të më kundërshtuar, Xhabiri, pa e prishur qetësinë, tha:
“Mos e ngacmoni; ky ajet është për mohuesit.” – dhe lexoi këtë ajet Kur’anor: “Me të vërtetë, sikur të kenë jobesimtarët tërë pasurinë që gjendet në tokë, madje edhe njëherë aq, e ta sakrifikojnë për të shpëtuar nga dënimi i Ditës së Kiametit, nuk do të pranohet prej tyre dhe për ata do të ketë dënim pikëllues. Ata do të dëshirojnë të dalin nga zjarri, por s’do të mund të dalin dot. Ata i pret dënimi i përhershëm.” (Maide, 5/36-37)
Mandej mu drejtua mua dhe më pyeti:
“Po ti, nuk e lexon fare Kur’anin?”
“E lexoj, madje e lexoj të gjithë Kur’anin.”, – iu gjegja unë. Kësaj here, ai më tha:
“Po pse, a nuk thotë Allahu, që: “Kaloje një pjesë të natës, si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.” (Isra, 17/79) E, ja pra, kjo që trajtohet këtu është pikërisht rreth gradës së ndërmjetësimit të të Dërguarit të Allahut. Allahu do t’i mbajë ata në Xhehenem për aq sa të shlyejnë dënimin e mëkateve dhe gabimeve që kanë bërë dhe nuk do të flasë me ta. Dhe, kur të dojë që t’i nxjerrë, do t’i nxjerrë së andejmi.” Që prej asaj dite unë nuk e mohova më kurrë çështjen e ndërmjetësimit të Profeti tonë të dashur (paqja e Zotit qoftë mbi të).”18
2/54.
12. BESIMI I SAHABËVE TEK EKZISTENCA E XHENETIT DHE XHEHENEMIT
Pyetjet që i drejton të Dërguarit të Allahut një burrë nga Abisinia dhe përgjigjet e tij
Tregon ibni Omeri (radijallahu anhu): “Tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati ardhur një burrë nga Abisinia. I Dërguari i Allahut i tha atij që t’i bënte ç’pyetje të donte e të mësonte gjithë ç’donte të mësonte prej tij. Burri nga Abisinia i bëri këtë pyetje në fillim:
“O Profeti i Allahut! Ju u zgjodhët, si për nga ngjyra, si për nga forma, ashtu edhe për nga mirësia e profetësisë. Po sikur t’u besoj edhe unë gjërave që u besoni ju dhe bëj po ato gjëra që bëni edhe ju, a do të mund të hyj edhe unë bashkë me ju në Xhenetin e amshuar?” I Dërguari i Allahut e dëgjoi dhe u përgjigj duke thënë:
“Po, unë i betohem Allahut, se i bardhi dhe i ziu do ta shohin njëri-tjetrin nga njëmijë vite distancë. Kush thotë ‘La ilahe il’lallah’, për të Allahu ka bërë një premtim shumë të madh. E kushdo që thotë: ‘O Zot, unë të shoh Ty të pastër nga çdo e metë, ndaj edhe të lëvdoj.’ – për të do të shkruhen menjëherë njëqind e njëzetekatërmijë sevape.”
Ai burrë pyeti sërish:
“Këtej e tutje, a ka më ndonjë rrezik për ne, o i Dërguari i Allahut?” Dhe i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u përgjigj:
“Në Ditën e Kiametit njerëzit sillen aty bashkë me punët e bëmat e tyre. Nëse i vendosin ato mbi kreshtën e një mali, ato peshojnë aq shumë, saqë kanë fuqi që ta thërrmojnë malin. Mirëpo, është mëshira e Allahut, se po të mos ishte ajo, as e mira më e vogël e Zotit nuk do të mund të shpërblehej dot.” Kur aty u zbritën ajetet kur’anore:
“Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?! Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë. Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës. Pa dyshim, Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zinxhirë, pranga dhe zjarr flakërues. Sigurisht, të ndershmit besimtarë do të pinë (në Xhenet) kupa me pije të përzier me Kafur, nga burimi që vetëm robtë e Allahut pinë dhe të cilin mund ta çojnë nga të duan. Ata e zbatojnë premtimin dhe i frikësohen Ditës (së Kiametit), tmerri i së cilës përhapet gjithkund. Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: ‘Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.’ Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta. Të mbështetur në divane, ata nuk do të kenë as vapë dhe as të ftohtë. Hija e pemëve të tij (Xhenetit) është afër mbi kokat e tyre, ndërsa frutat e tyre do t’i kenë afër sa t’i arrijnë me dorë. Aty do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe kupa kristali, kupa të tejdukshme argjendi, madhësinë e të cilave (do ta zgjedhin) sipas dëshirës. Aty do të pinë gota me pije të përzier me xhenxhefil, prej një burimi të quajtur Selsebil. Atyre do t’u shërbejnë djem përherë të rinj, që, kur i shikon të duken si margaritarë të shpërndarë. Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh lumni dhe një mbretëri të madhe.” (Insan, 76/1-20)
Në fund, pasi i dëgjoi gjithë këto ajete Kur’anore, burri nga Abisinia tha:
“Por, a do t’i shoh edhe unë në Xhenet këto që do të shohësh ti?” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i tha:
“Po!” Burri filloi të qajë, u ngashërye aq shumë, saqë dha shpirt aty, mu në vend, duke ia dorëzuar Zotit shpirtin e tij. Ibni Omeri (radijallahu anhu) thotë se: “Unë e kam parë me sytë e mi, se si i
Dërguari i Allahut e ka zbritur vetë me duart e veta në varr atë njeri.”19
Llogaridhënia me veten e Amr bin Asit pak para se të ndahej nga jeta
Këtë e tregon ibni Shemase el-Mehriu: “Ne shkuam tek Amr bin Asi, pasi ai kishte rënë në shtratin e vdekjes. E ktheu kokën nga muri dhe filloi të qante me ngashërim. I biri e pyeti:
4/457.
“Po pse qan, o baba? A nuk të pati përgëzuar ty i Dërguari i Allahut me sa e sa të mira e shpërblime të veçanta?” Atëherë siç ishte me kokën të kthyer nga muri, drejtoi fytyrën nga ne dhe na tha:
“Jo, unë nuk kam frikë nga vdekja, por nga jeta që do të nisë pas vdekjes. Puna më e mirë që kam bërë në këtë jetë, ka qenë që kam dëshmuar se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Mirëpo, unë kam kaluar tri periudha gjatë jetës sime: Në mendje më vijnë ato ditë kur ndieja urrejtje për të Dërguarin e Allahut dhe ngrija kurthe njëri pas tjetrit, pasi doja që ta vrisja. Po të kisha vdekur në ndonjë prej atyre ditëve, nuk ka dyshim, që unë do të isha një prej banorëve të ferrit. Mandej, u bëra mysliman. Shkova tek i Dërguari i Allahut dhe i thashë:
“Zgjatma dorën, ta lidh edhe unë besën me ty, o Profet i Zotit!” Dhe ai ma zgjati dorën. Ia shtrëngova duart fort.
“Ke ndonjë gjë për të më thënë, o Amr?”, – më pyeti ai.
“Unë do ta lidh besën me ty, por vetëm me një kusht; që të më falësh ti.”, – iu përgjigja. I Dërguari i Allahut mu përgjigj duke më thënë:
“O Amr! Po a nuk e di ti se Islami e fshin krejt të shkuarën, mërgimi nuk lë më asnjë prej mëkateve e gabimeve të shkuara dhe që haxhi i pastron e i zhbën të tëra mëkatet e rëna përpara tij?” Që prej asaj dite, unë nuk kam dashur kurrë më asnjeri sa ç’kam dashur të Dërguarin e Allahut. Nuk di ta përshkruaj, nëse do të më thoshte ndokush, ‘ma përshkruaj pak Resulullahun’, sepse unë kurrë nuk e pashë dot gjersa të ngopesha me fytyrën e tij të bukur. Po të kisha vdekur atë ditë, do të shpresoja se do të isha një prej banorëve të Xhenetit!
Edhe më vonë, qëlloi që u ngatërruam në disa punë. E ja, që prej asaj dite unë jam i shqetësuar, e nuk e di si do të vejë fundi im. Kur të vdes, askush të mos qajë për mua. As zjarr mos ndizni. Kur të më varrosni, përsipër varrit më hidhni nga pak dhe. Qëndroni te kryet e varrit tim, gjersa të theret një deve e mishi t’u ndahet njerëzve. Që të mos rri vetëm për pak e të di se si t’u përgjigjem lajmëtarëve të Zotit, që do të vijnë për të më pyetur.”
Aishja (r.a.): “Vallë, në Ditën e Kiametit, a do të të kujtohet ty familja jote?”
Aishja (radijallahu anha) tregon: “Një ditë, unë kujtova Xhehenemin dhe nisa të qaja. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më pyeti:
“Çfarë paske kështu, oj Aishe?” E unë iu përgjigja:
“Seç m’u kujtua Xhehenemi, ndaj fillova të qaj. Vallë, në Ditën e Kiametit, a do të të kujtohet ty familja jote?”
Ja se cila ishte përgjigjja që më dha mua i Dërguari i Allahut:
“Tri janë çastet kur askush nuk kujtohet për askënd: I pari, në kohën kur do të shihet se çfarë i peshojnë atij më shumë në peshore, të mirat, apo të këqijat? I dyti, kur t’u thuhet: ‘Merrini tani librat tuaj të jetës e të bëmave!’ dhe të gjithë të jenë të shqetësuar, a do t’u jepet nga e majta, apo do t’u jepet nga e djathta. Kurse i treti, ai fragment i kohës kur personi të kalojë mbi urën e Siratit, që Allahu e ka ngritur mbi Xhehenem dhe e ka mbështjellë me gjithfarë çengelash e gjembash të fortë, e që mund ta rrëzojë robin e Tij kur të dojë, e ai është i shqetësuar, nëse do ta kalojë, apo nuk do ta kalojë dot atë.”
Shedad bin Eusi: “O Zot, frika prej Xhehenemit më prishi gjumin!”
Shedad bin Eusi, gjatë natës, përpëlitej sa në një anë në tjetrën e thoshte:
“O Zot, frika prej xhehenemit më prishi gjumin.”, – pastaj çohej dhe falte namaz gjer në të gdhirë.”
Abdullah bin Reuahaja: “Mua nuk më interesojnë as dashuria për këtë botë, as miqësia me ju!”
Abdullah bin Reuahaja (radijallahu anhu), gjatë luftës së Mu’tes nisi të qajë dhe tha:
“Për Zotin, mua nuk më interesojnë as dashuria për këtë botë, as miqësia me ju. Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, kur ka kënduar ajetin Kur’anor, “Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt.” (Merjem, 19/71). Edhe pasi të hyj atje, nuk e di a do të dal, apo nuk do të dal dot prej andej?”
13. TU BESOSH PREMTIMEVE TË ALLAHUT PËR TË ARDHMEN ME BINDJE TË PLOTË
Ebu Bekri (r.a.) vë bast me idhujtarët
E tregon Nijar bin Mukremi: “Atëherë kur u zbritën ajetet
Kur’anore: “Elif, Lam, Mim. U mundën bizantinët, në afërsi të tokës (arabe), por pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë brenda disa vjetëve. Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën dhe për të dytën. Dhe, atë ditë, do të gëzohen besimtarët...” (Rrum, 30/14), bizantinët patën pësuar një disfatë të rëndë prej persëve. Kurse myslimanët donin që të ishin bizantinët ata që do të dilnin fitimtarë kundër persëve, sepse ata ishin njerëz të librit. Dhe, për ta theksuar edhe këtë çështje, Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) zbriti ajetet: “... brenda disa vjetëve. Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën dhe për të dytën. Dhe, atë ditë, do të gëzohen besimtarët për ndihmën e Allahut; Ai ndihmon kë të dojë dhe është i Plotfuqishëm e Mëshirëplotë.” (Rrum, 30/4-5)
Fisi i kurejshëve u kënaqën shumë që persët dolën fitimtarë me bizantinët, sepse edhe persët ishin njësoj si kurejshët, nuk ishin njerëz të librit, dhe nuk besonin te jeta e përtejme.
Ja pra, me të zbritur këto ajete, Ebu Bekri (radijallahu anhu) doli nëpër rrugicat e Mekës dhe filloi të recitojë me zë të lartë ajetet: “Elif,
Lam, Mim. U mundën bizantinët, në afërsi të tokës (arabe), por pas thyerjes së tyre, me siguri do të fitojnë brenda disa vjetëve...” Kurejshët e dëgjuan dhe i thanë atij:
“Ju jeni me bizantinët, kurse ne mbajmë anën e persëve. I madhi juaj (Muhamedi) pretendon se bizantinët do t’i mundin persët brenda disa vjetëve. A vëmë bast për këtë, që nuk do të ndodhë kështu?” Ebu Bekri (radijallahu anhu) u tha atyre:
“Po!” Në atë kohë vënia e bastit ende nuk ishte e ndaluar. Kësisoj, Ebu Bekri vuri bast me idhujtarët. Idhujtarët i thanë Ebu Bekrit:
“Zgjidh cilin numër vitesh të duash mes tri apo nëntë vjetëve. Atë le të caktojmë si kohë. Atëherë le të përfundojë edhe afati për bastin tonë.” Ai zgjodhi numrin gjashtë. Por, megjithëse kaluan gjashtë vite, bizantinët nuk dolën fitimtarë kundër persëve, idhujtarët shkuan tek Ebu Bekri dhe morën atë që u takonte nga basti i vënë. Mirëpo, në vitin e shtatë bizantinët dolën fitimtarë ndaj persëve dhe myslimanët e gjykuan Ebu Bekrin, pse kishte zgjedhur një afat gjashtëvjeçar. E Ebu Bekri u tha atyre, se ‘Allahu kishte thënë brenda disa vjetëve’.
“Qëllimi im ishte të dilte e vërtetë fjala e të Dërguarit të Allahut.”, – u pati thënë ai. Kësodore, i Dërguari i Allahut foli dhe tha:
“Shko dhe vër sërish bast me ta. Kësaj here rrite edhe më shumë masën e shpërblimit, duke e zgjatur edhe për ca vjet të tjerë afatin.”
Ebu Bekri (radijallahu anhu) shkoi sërish tek ata dhe u tha:
“A jeni edhe për një bast tjetër, kjo do të ishte një mundësi edhe më e mirë!”
“Po, gati jemi,” – u përgjigjën ata. Ende pa u mbushur mirë afati i përcaktuar në bastin e dytë, kur bizantinët u shkaktuan disfatën e radhës persëve, duke u marrë atyre Medainin e duke e bërë atë pjesë të territoreve të Perandorisë Romake. Atëherë, Ebu Bekri (radijallahu anhu) erdhi tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe u tha:
“Pasuria e marrë nga dora e idhujtarëve është e ndaluar.” Mirëpo, i Dërguari i Allahut i tha atij:
“Merre dhe shpërndajua njerëzve si lëmoshë.”
14. TË BESUARIT PLOTËSISHT TE LAJMET E DHËNA PREJ TË DËRGUARIT TË ALLAHUT
Kur Ebu Bekrit i vihet epiteti “Besniku”
Aishja (radijallahu anha) tregon: “Mëngjesin e asaj nate që Resulullahu u mor dhe u çua në Mesxhid’ul Aksa (Xhaminë Aksa), ai erdhi dhe ua tregoi atë njerëzve. Edhe në mesin e atyre që i kishin besuar pati nga ata që nuk e pranonin dot diçka të këtillë. Ndaj, ata ia bënë të ditur edhe Ebu Bekrit çështjen:
“Çfarë mendimi ke ti për ato që po thotë shoku yt, ai pretendon se është çuar brenda natës në Xhaminë Aksa?”
“A e ka thënë ai këtë gjë?”, – pyeti Ebu Bekri dhe ata iu përgjigjën: - “Po!”
“Epo, nëse e ka thënë ai këtë gjë, atëherë kjo është medoemos e vërtetë.”, – u tha atyre Ebu Bekri.
“Si, edhe ti po e pranon e po na thua se ai ka shkuar në mbrëmje në Xhaminë Aksa dhe është kthyer në shtëpi ende pa zbardhur dita?”, – pyetën ata të habitur.
“Po, unë pranoj dhe aprovoj edhe shumë e shumë fjalë të tjera të dyshimta që mund të thotë ai. Unë ia pranoj atij çdo fjalë e lajm që ai sjell në mëngjes dhe në darkë.”
Ja, pikërisht për këtë arsye Ebu Bekrit (radijallahu anhu) iu ngjit epiteti “Besniku”.
15. TË BESOSH PRERAZI, SE ÇDO VEPËR DO TË KETË SHPËRBLIMIN E SAJ
Besimi i plotë e i prerë i Ebu Bekrit (r.a.) tek i Dërguari i Allahut
Tregon Ebu Esmaja: “Një ditë Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte duke ngrënë drekë me Profetin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur u zbritën ajetet: “... kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Zilzal, 99/7-8) Ebu Bekri (radijallahu anhu) u tërhoq menjëherë dhe e la të ngrënët dhe i tha Resulullahut:
“O Resulullah! A do ta shohim ne në ahiret shpërblimin me dënim të çdo vepre të keqe që bëjmë në këtë jetë?”
“Çdo ngjarje që na mërzit në këtë jetë është një përgjigje ndaj të këqijave që kemi bërë. Kurse shpërblimi i të mirave lihet për në amshim.”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi Të).
Ebu Bekri (radijallahu anhu) tregon madje se: “Një ditë, unë isha tek i Dërguari i Allahut. Një t’u zbritur ajeti Kur’anor, “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Shura, 42/30), i Dërguari i Allahut më tha mua:
“Ebu Bekr, a do që të ta këndoj ajetin që m’u zbrit?”
“Këndoma, o i Dërguari i Allahut.”, – ia ktheva unë. Dhe, pasi e këndoi, mua më ra të fikët dhe u rrëzova përtokë. I Dërguari i Allahut më pyeti:
“Çfarë pate, o Ebu Bekr!”
“O i Dërguari i Allahut, po kush nga ne nuk ka bërë asnjë të keqe? Ne medoemos do ta marrim atë që meritojmë për çdo gjë që kemi bërë!”, – i thashë unë.
“O Ebu Bekr! Ti dhe besimtarët do të vuani dënimin sot e deri ditën që do të largoheni nga kjo botë, për t’u kthyer te Zoti juaj. Kësisoj, juve nuk do t’ju mbetet asgjë për të shlyer në jetën e përtejme. Kurse mohuesit po, ata kanë për t’i dhënë llogari Allahut në Ditën e Gjykimit.”, – më tha i Dërguari i Allahut.”
Besimi i plotë i Omerit (r.a.) se do t’i shlyejë një ditë të gjitha çfarë ka bërë
Tregon Muhamed bin Munteshiri: “Erdhi një burrë dhe i tha Omer bin Hatabit: “Unë di ajetin më rrëqethës e frikësues në librin e Allahut.” Omeri (radijallahu anhu) e qëlloi me kamxhik atë burrë dhe i tha:
“Po pse u mendove kaq shumë mbi ajetet e Kur’anit dhe arrite në këtë mendim?”, – dhe u largua së andejmi. Ditën tjetër, Omeri (radijallahu anhu) i tha atij burri:
“Kush është ajeti, për të cilin më fole dje?” Ai burrë u përgjigj duke i kënduar ajetin: “(Shpëtimi në jetën tjetër) nuk do të jetë sipas dëshirës suaj (o myslimanë), as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Por kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as mbështetës tjetër në vend të Allahut.” (Nisa, 4/123), duke thënë: “Me një fjalë, secili prej nesh do ta vuajë një ditë dënimin e merituar për bëmat e veta.”
Omeri (radijallahu anhu) e dëgjoi, pastaj foli:
“Kur u zbrit ky ajet ne u mërzitëm jashtëzakonisht shumë, nuk na shijonte më as ushqimi që hanim, as uji që pinim. Por Allahu i Madhërishëm na tregoi ne portën e shpëtimit, duke na zbritur ajetin: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Nisa, 4/110)
16. FORCA E BESIMIT TË SAHABËVE
Qëndrimi i sahabëve ndaj ajetit kur’anor,
“... Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të...”
Tregon Ebu Hurejreja: “Në kohën kur u zbrit ajeti kur’anor: ‘Gjithë ç’ka në Tokë e ç’ka në Qiej është e Allahut. Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të. Kështu, Ai do të falë kë të dojë dhe do të dënojë kë të dojë. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.’ (Bekare, 2/284), sahabët fisnikë qenë prekur shumë nga domethënia e tij. Shkuan drejt e tek i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), u ulën në gjunjë dhe i thanë kështu:
“O i Dërguari i Allahut! Ne u ngarkuam me faljen e namazit, të agjëruarit, luftën në rrugën e Allahut dhe zekatin, për të cilat edhe na mjaftojnë fuqitë. Por ne nuk kemi fuqi e nuk e përballojmë dot atë që na thotë ky ajet që u zbrit.”
“Si, edhe ju doni të thoni ashtu siç thanë ata që erdhën përpara jush: ‘Dëgjuam dhe ngritëm krye!’ Mos thoni ashtu, por thoni, ‘Ne dëgjuam dhe u bindëm; falna ne, o Zot; se ne tek Ti e kemi kthimin’.” – Dhe, kur myslimanët u qetësuan disi dhe e pranuan domethënien e atij ajeti, Allahu i Madhërishëm pati zbritur edhe ajetet: “I Dërguari beson në atë
(Kur’anin) që i është shpallur nga Zoti i Tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): ‘Ne nuk bëjmë dalim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij’. Ata thonë: ‘Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë dhe te Ti do të kthehemi!’” (Bekare, 2/285)
Edhe më vonë, Allahu i Madhërishëm ua shpjegoi ajetin e mëparshëm, i cili myslimanëve iu duk shumë i rëndë, duke thënë:
“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu siç i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” (Bekare, 2/286)
Sahabët shqetësohen nga një prej ajeteve të zbritura
Abdullahu (radijallahu anhu) tregon: “Sahabët u shqetësuan shumë kur u zbrit ajeti: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (En’am, 6/82), ndaj ata shkuan dhe i thanë Resulullahut:
“E kush nuk e ka molepsur besimin e vet me padrejtësi?!” Ai i dëgjoi dhe u tha:
“Përmbajtja e këtij ajeti nuk është ashtu si e mendoni ju! Padrejtësia këtu është padrejtësia që përmendet në këshillën e Lukmanit për të birin, i cili i pati
thënë atij: “(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: ‘O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.’” (Lukman, 31/13)
“Sapo u zbrit ajeti në lidhje me poetët…”
E tregon Ebu’l-Haseni (radijallahu anhu): “Sapo u zbrit ajeti kur’anor, “Poetët ndiqen nga njerëzit e humbur (e harbuar).” (Shuara, 26/224), Hasan bin Thabiti, Abdullah bin Reuahaja dhe Ka’b bin Maliku (radijallahu anhum) shkuan tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) duke qarë dhe i thanë:
“Allahu e di, që kur u zbrit ky ajet edhe ne ishim poetë.” Kësisoj, Resulullahu u tha atyre:
“Në atë sure thuhet edhe ‘përveç atyre që besuan dhe bënë punë të mira, ata përbëjnë përjashtim’, e ky është grupi ku bëni pjesë edhe ju. Në të thuhet edhe, se ‘ata e përmendin shumë herë Allahun’; edhe këtu bëhet fjalë për ju.” I Dërguari i Allahut u këndoi atyre edhe pjesën, që thotë:
‘përjashtim bëjnë ata që arrijnë të vënë në vend atë që është e drejta, kur dikush ngrihet e u bën diçka të padrejtë.’, – e u tha:
“Edhe këta jeni po ju.”
Ebu Bekri (radijallahu anhu) dhe ajeti:
“Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit)…”
E tregon Abdullah bin Amr bin Asi: “Në kohën kur u zbrit sureja që nis me ajetin, “Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit)…” (Zilzal, 99/1), Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte aty bashkë me të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), po qëndronin ulur. Ebu Bekri (radijallahu anhu), një ta dëgjuar atë ajet, zuri të qajë me të madhe. I Dërguari i Allahut e pyeti:
“Çfarë të bëri për të qarë, o Ebu Bekr?”
“Kjo sure, më bëri për të qarë.”, – u përgjigj ai, e i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha:
“Nëse ju nuk do të bënit gabime e mëkate, e të mos bëhet shkak që falja e Allahut të pasqyrohet nëpërmjet jush, Allahu do të kishte krijuar një bashkësi tjetër, që gabon dhe mëkaton, në mënyrë që t’u tregonte atyre faljen e Tij.”
Shënimet
- 451.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/16 (16260).
- 452.. Ibn Kethir, Tefsir, 2/546.
- 453.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/265 (13822).
- 454.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 2/359 (8695).
- 455.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/7.
- 456.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/190 (10140).
- 457.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 1/221.
- 458.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/242.
- 459.. Ibn Kethir, Tefsir, 4/397.
- 460.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/640 (4679).
- 461.. Ibn Kethir, Tefsir, 2/268.
- 462.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/268.
- 463.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/609 (4602).
- 464.. El-Hakim, Mustedrek, 4/603 (8678).
- 465.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/358.
- 466.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 14/715 (39758).
- 467.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/258.
- 468.. El-Hakim, Mustedrek, 4/622 (8722).
- 469.. Ebu Nu’ajmi, Hilje, 1/264.
- 470.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/241.
- 471.. Ibn Kethir, Tefsir, 3/423.
- 472.. Ibn Kethir, Tefsir, 3/423.
- 473.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/656 (4709).
- 474.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/500 (4310).
- 475.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/501 (4315).
- 476.. Muslim, Sahih, 1/115 (199).
- 477.. Buhari, Sahih, 2/2541 (6538).
- 478.. Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 5/277 (26051).
- 479.. Ibn Kethir, Tefsir, 4/540.