JETA E SAHABËVE 2
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
DASHURIA E PROFETIT DHE E SAHABËVE PËR DIJEN DHE NXITJA DREJT SAJ
1. SI I NXISTE I DËRGUARI I ALLAHUT NJERËZIT DREJT DIJES
Safuan bin Asali (radijallahu anhu) tregon: “Shkova në xhami për tek i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe e gjeta atë atje të ulur, kishte veshur një rrobë të kuqe. Unë i thashë atij:
“Kam ardhur tek ti, sepse dua të mësoj dhe të di më shumë.” Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më priti mua me fjalët:
“Mirë se erdhe o njeri kureshtar për dijen! Engjëjt, ngase i duan shumë ata që e kërkojnë dijen, mblidhen të gjithë rreth tij dhe i rrahin flatrat aq shpejt, saqë lartësohen deri në qiej, duke krijuar një hallkë të përsosur.”
Ebu Umame el-Bahili (radijallahu anhu) tregon: “Të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) iu fol rreth dy llojeve njerëzish, njëri ishte i ditur, ndërsa tjetri ishte adhurues shumë i mirë i Allahut (xhel’le xhelaluhu). Resulullahu na tha:
“Epërsia e të diturit (atij që i përkushtohet dijes) ndaj adhuruesit është si epërsia ime me ata prej jush që janë në nivelin më të ulët. Allahu, engjëjt, banorët e lartësive më të epërme, madje edhe milingona në tokë e peshqit në det, luten dhe kërkojnë falje për ata që u mësojnë njerëzve mirësinë.”, – dhe në vijim këndoi ajetin kur’anor: “Njerëzit, kafshët dhe bagëtitë janë llojesh të ndryshme gjithashtu. Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët, (që e dinë se) Allahu është vërtet i
Plotfuqishëm dhe Falës.” (Fatir, 35/28)
2.ALIU (r.a.) I NXIT NJERËZIT DREJT DIJES
Tregon Kumejl bin Zijadi: Aliu (radijallahu anhu) më kapi për dore dhe më nxori nëpër shkretëtirë. U ulëm në një vend. Pasi u çlodhëm për pak çaste, Ai më tha mua këto fjalë:
“Shiko, Kumejl! Zemrat u ngjajnë enëve. Kurse zemra më e mirë është ajo që ka aftësinë më të fortë për të kuptuar. Tani dëgjomi me kujdes këto fjalë që po të them: njerëzit janë tre llojesh. Në grupin e parë bëjnë pjesë dijetarët që u janë falur aftësi të veçanta prej hyjnores. Të dytët janë nxënësit e dijes, të cilët bëjnë përpara në rrugën e shpëtimit. Kurse, për sa u përket njerëzve të tretë, janë ata që përbëjnë turmat e paditura. Këto masa vërtiten e vërviten andej nga fryn era, pasi ata nuk janë ndriçuar nga drita e dijes. E ata as nuk kanë ndonjë pikë të fortë mbështetëse referimi.
Dija është më e mirë e më e mbarë sesa pasuria. Dija të mbron; kurse pasurinë duhet ta ruash e ta mbrosh ti. Dija, kur vihet në veprim, shtohet; kurse pasuria pakësohet duke e shpenzuar. Të duash njeriun e ditur është një përgjegjësi, e cila bie mbi të gjithë për ta kryer. Dija e bën njeriun e ditur të dashur, të nderuar e të respektuar përgjatë gjithë jetës; ajo bën të mundur që njeriun e ditur ta kujtojnë për gjatë kohës edhe pasi ai të ketë vdekur. Kurse pozita që të mundëson pasuria humb bashkë me humbjen e saj. Sa e sa njerëz të pasur, të cilët, edhe pse janë ende gjallë, janë si të vdekur. Por dijetarët nuk janë ashtu, ata do të jetojnë për aq sa të ekzistojë edhe bota. Edhe nëse vdesin ata vetë, veprat, emri dhe fama e tyre do të jetojnë si një kujtim i mirë në zemrat e njerëzve.
(Tregoi kraharorin e tij me dorë dhe tha) Ah, ah, sikur të mund të gjeja njerëz të denjë, të cilëve të mund t’u përcillja gjërat që di unë! Kam gjetur disa veta, por ata nuk më japin siguri. Edhe dijen që u është dhënë për të kuptuar fenë e Allahut ata e përdorin për interesa të kësaj bote. Argumentet e shpallura nga Allahu i përdorin kundër librit të Tij; ndërsa mirësitë që u ka falur Allahu ata i përdorin kundër robve të Tij. Disa, edhe pse mbajnë anën e njerëzve të së drejtës dhe të së vërtetës, nuk kanë aspak largpamësi në lidhje me jetësimin e urdhëresës së Atij që është më i Drejti. Bien në dyshime e lëkunden që në hapat e para. Të dy këta grupe nuk bëjnë dobi. Por ka edhe një grup, që vullnetin ua kanë marrë peng dëshirat dhe epshet. Disa të tjerë janë të zënë duke vënë pasuri më shumë. Asnjë nga këta nuk mund të bëhen lajmëtarë që ftojnë njerëzit në fe. Këta njerëz u ngjajnë më tepër gjedhëve që kullotin nëpër kullota.
Me vdekjen e dijetarëve të vërtetë vdes njëfarësoj edhe vetë dija. Jo, o Zot! Nuk dua të ndodhë diçka e tillë! Të mos mbesë pa njerëz të ditur kjo botë, o Zot, e të shkojnë dëm gjithë ato argumente e tërë ato ajete aq të qarta, që provojnë ekzistencën Tënde! Këta janë shumë pak, por vlera e tyre pranë Allahut është shumë e lartë. Me këta e mbron Allahu i Madhërishëm fenë e Tij. Janë pikërisht këta njerëz të ditur, që e përcjellin amanetin e marrë prej Zotit tek ata që janë më të denjët për ta transmetuar. Mes tërë atyre njerëzve të zhytur në kënaqësitë e lezetin e kësaj bote, ata janë aq të butë. Dija për ta është shoku e miku më i mirë e më i sinqertë, atë dije që injorantët nuk e duan. Dija u fal atyre një dashuri, një dëshirë e një pasion të atillë, që, edhe pse trupin mund ta kenë në këtë botë, shpirtrat e tyre jetojnë në botën e domethënies. Ja pra, këta janë trashëgimtarët (kalifët) e Tokës dhe lajmëtarët e ftuesit e mirëfilltë të Islamit në të! Ah sikur të mund të kisha parë unë prej njerëzve të tillë! Unë i përgjërohem Allahut, që të na falë, si mua, ashtu edhe ty. Po deshe mund të ngrihemi tani.”
3.NXITJA E EBU’D-DERDASË PËR DIJEN
Është transmetuar prej Hasan Basriut (radijallahu anhu) se Ebu’dDerdaja (radijallahu anhu) ka thënë:
“Ose bëhu njeri i ditur, ose nxënës, ose njeri që e do dijen, ose njeri që i bindet asaj. Por i pesti i këtyre mos u bëj. Në të kundërt, je i marrë fund.”
4.NXITJA E EBU DHERRIT DHE E EBU HUREJRES PËR DIJEN
Si Ebu Dherri (radijallahu anhu), ashtu edhe Ebu Hurejreja (radijallahu anhu), kanë thënë:
- “Nëse një njeri mëson një çështje diturie (shkencore), kjo është më mirë sesa nëse do të kishte falur njëmijë rekate namaz shtesë; më e dashur, sepse, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë: “Ai njeri që vdes duke mësuar dije është dëshmor.”
5.EBU HUREJREJA REND PAS DITURISË
Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) thotë:
- “Thonë se Ebu Hurejreja ka përcjellë shumë transmetime hadithesh e ndodhish nga jeta e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Nesër unë do të dal përpara Allahut. Nëse unë gënjej, atëherë Allahu ka për të më kërkuar llogari për çdo fjalë të thënë nga goja ime. Po ende thonë se: Muhaxhirët dhe ensarët duhet të transmetojnë më shumë sesa Ebu Hurejreja?! Meqenëse vëllezërit e mi muhaxhirë qëndronin gjatë gjithë ditës në pazar, duke u marrë me tregti; ensarët duke u marrë me kopshtet e bahçet e tyre, e unë isha një njeri i varfër, nuk kisha se ç’të bëja, ndaj e ndoqa të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) me sa të mundja, se unë kam qëndruar shumë me të, nuk jam ndarë kurrë nga ai. Kur të tjerët merreshin me punët e tyre, unë isha gjithmonë me të. Edhe ato që i harronin ata unë i mbaja mend. Një ditë, i Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) foli dhe tha:
“Kushdo prej jush që e shtron veshjen e tij në tokë, derisa unë të mbaroj fjalën, pastaj e vesh shpejt e shpejt, nuk i harron kurrsesi ato që do të them unë.” Unë e hoqa menjëherë jelekun që kisha veshur përsipër dhe e shtrova përdhe. Sapo mbaroi fjalën Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të), e mora menjëherë jelekun dhe e vesha. Unë i betohem Allahut që e dërgoi atë me të vërtetën, se deri sot e kësaj dite unë nuk e kam harruar asnjë fjalë që kam dëgjuar nga ai. Për Zotin, sikur të mos ishin këto dy ajete në Kur’an, unë nuk do të kisha transmetuar e përcjellë as edhe një hadith të vetëm:
“Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Teurat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (engjëj e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë. Mirëpo atyre që pendohen, përmirësohen dhe tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin, sepse Unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.” (Bekare, 2/159-160)
Në një tjetër transmetim ekziston edhe kjo pjesë shtesë: “... nga uria më dukej sikur barku më bashkohej me shpinën. Ka pasur edhe njerëz që u kam mësuar një ajet kur’anor, gjersa ua kam ngulitur në mendje, që të më merrnin në shtëpinë e tyre e të më jepnin diçka për të vënë në bark. Më mirë nga të gjithë me të varfrit sillej Xhafer bin Ebi Talibi (radijallahu anhu). Na çonte në shtëpinë e tij dhe na gostiste me ç’t’i gjendej në shtëpi në atë çast. Madje nganjëherë na sillte edhe një rrjetë lëkure e na e vinte përpara me gjithë ç’kishte mjaltë, gjalpë, e ne lëpinim derisa të qetësonim disi urinë.”
6. CILA ËSHTË VËRTETËSIA E DIJES?
E tregon Ebu Musai (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut
(sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
- “Dija dhe udhëzimi, me të cilin më ka dërguar Allahu mua, është si shiu i dendur dhe i begatë që bie mbi kraharorin e Tokës. Ka ca vende, toka e të cilave është shumë pjellore. E thith ujin përnjëherë dhe barërat mbijnë menjëherë. Por ka edhe toka të atilla, që e mbajnë ujin përsipër dhe nga ai ujë përfitojnë si njerëzit, ashtu edhe bimët. Me të i ujitin arat dhe prej tij u japin kafshëve të tyre të pinë. Por ka edhe disa fusha të atilla, të cilat janë shkretëtirë. As nuk e mbajnë ujin përsipër, as nuk bëjnë të çelë ndonjë bimë. Ja pra, këtij shembulli i ngjajnë ata që e kuptojnë fenë e Allahut, e mësojnë dhe ua mësojnë atë edhe të tjerëve, me ata që janë krejtësisht të çinteresuar ndaj kësaj feje, e nuk e pranojnë udhëzimin që të fal ajo.”
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) e tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Secili nga profetët, që ka dërguar Allahu përpara meje, ka pasur dishepujt e tij, të cilët e kanë ndjekur atë në çdo gjurmë dhe i kanë ardhur atij në ndihmë. Megjithatë, ka kaluar koha dhe prej tyre kanë ardhur disa breza të atillë, që kanë thënë gjëra që ata nuk i kanë thënë, duke mos thënë gjërat që ata i kanë thënë, dhe kanë bërë ato gjëra, për të cilat nuk ishin urdhëruar e lejuar që t’i bënin. Ai që përballet ashtu siç duhet me të tillët është besimtar i vërtetë; edhe nëse përballet me gjuhë është besimtar; edhe nëse mban qëndrim me zemër, prapë besimtar është.
Kurse ai që nuk bën as kaq, nuk e ka arritur dot besimin as sa një farë sinapi.”
7. TË MJAFTUARIT VETËM ME ATË QË KA SJELLË RESULULLAHU
E tregon Abdullah bin Thabiti: “Një ditë, tek i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi Omeri (radijallahu anhu) dhe e pyeti:
“O Resulullah! Unë pata shkuar te një nga vëllezërit e mi nga Beni Kurejdha. Ai më shkroi mua menjëherë ca fjali nga Teurati. A doni t’i shikoni?” Ngjyra e fytyrës së të Dërguarit të Allahut ndryshoi përnjëherë. Unë i thashë Omerit:
“Nuk e sheh fytyrën e Resulullahut?” Aty Omeri e mblodhi veten sa hap e mbyll sytë dhe tha:
“Ne jemi të kënaqur prej Allahut si Zot, prej Islamit si fe dhe prej Muhamedit si Profeti i Tij!” Vetëm atëherë në fytyrën e të Dërguarit Fisnik u duk sikur nisën të çelnin lule, pasi ai na tha:
“Unë i betohem Allahut, në dorën e fuqisë së të Cilit është jeta ime, se po
të ishte Musai tani këtu, në mesin tuaj, e ju të më linit mua, për të ndjekur atë, ju do të kishit rënë në humbje. Ju jeni umeti im, më takoni mua dhe unë jam një profet, i cili është fati juaj.”
Ndërsa, në një tjetër përcjellje thuhet se është ruajtur edhe kjo e thënë: “Nëse do të ishte Musai gjallë, ai nuk ka dyshim se do të më ndiqte mua.”
8. QËNDRIMI I SAHABËVE KARSHI NJOFTIMEVE TË ALLAHUT DHE TË TË DËRGUARIT TË TIJ
Tregon Shufeje el-Asbahij: “Kur hyra në Medinë, pashë se njerëzit ishin mbledhur të tërë rreth një njeriu, ndaj pyeta menjëherë se kush ishte ai njeri. Ata më thanë mua se ai ishte Ebu Hurejreja. Iu afrova dhe u ula në gjunjë afër tij. Ai diç po u tregonte njerëzve. Sapo mbaroi fjalën, unë i thashë atij:
“Dua të të kërkoj diçka. Si thua, sikur të na flasësh për ndonjë gjë që e ke dëgjuar, mësuar, apo kuptuar, nga vetë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).” Ebu Hurejreja m’u përgjigj:
“Patjetër, më lër të të tregoj një hadith që i Dërguari i Allahut ma ka thënë mua, të cilin unë e kam kuptuar.” Me të thënë këtë fjalë, Ebu Hurejres i ra të fikët; pritëm për pak, derisa erdhi në vete dhe u bë më mirë, e pastaj më tha:
“Më lejo të të tregoj një hadith, të cilin ma ka treguar vetë i Dërguari i Allahut, njëherë, kur ne ishim vetëm për vetëm në këtë shtëpi.”, – e iku sërish, ra pa ndjenja. Kur erdhi në vete, fshiu fytyrën.
“Mirë, pra, do të të tregoj një hadith, të cilin ma ka treguar i Dërguari Fisnik njëherë kur ishim vetëm për vetëm.” Ebu Hurejres i ra të fikët edhe disa herë, aq sa herën e fundit ra përdhe. U detyrova që ta mbaja ashtu për një kohë të gjatë. Pastaj erdhi në vete sërish dhe më përcolli se i Dërguari i Allahut i kishte thënë atij:
“Në ditën e Kiametit, në një çast kur të gjithë popujt bien në gjunjë, Allahu u drejtohet robve të Tij për të shpallur vendimin. Të parët që thirren përpara Allahut janë hafëzët e Kur’anit, dëshmorët dhe të pasurit. E pyet hafëzin Allahu i Madhërishëm:
‘A nuk të dërgova Unë ty profetin, i cili të mësoi Kur’anin?’ Hafëzi i Kur’anit përgjigjet:
‘Po o Zot, ma mësove.’
‘Po mirë, a i zbatove ti ato që mësove?’, – e pyet Allahu.
‘Ditë e natë unë fala namaz.’, – thotë hafëzi. Dhe engjëjt thonë:
‘Gënjeve.’ Allahu thotë:
‘Përkundrazi, ti e mësove dhe e lexoje Kur’anin që njerëzit të thoshin, ‘Sa mirë e lexon Kur’anin filani!’, – dhe njerëzit, vërtet, ashtu thanë.
Mandej para Allahut sjellin një burrë të pasur. Allahu i thotë kështu të kamurit:
‘Unë ty të dhashë pasuri, a nuk të shpëtova Unë ty, që ti të mos kishe nevojë për të tjerët?’ Burri i pasuri i përgjigjet:
‘Po, o Zot.’ Zoti e pyet:
‘Po ti ku e shpenzove pasurinë që të dhashë Unë?’
‘U dhashë lëmoshë të afërmve dhe njerëzve nevojtarë.’, – përgjigjet i pasuri.
‘Po gënjen.’, – ia kthen Allahu; edhe engjëjt thonë të njëjtën gjë. Atëherë, Allahu i Madhërishëm thotë:
‘Përkundrazi, të gjitha ti i bëre që njerëzit të thoshin: ‘Sa bujar që është ai njeri!’, – dhe ashtu ndodhi vërtet, ashtu thanë.
Më në fund, përpara Allahut sjellin dëshmorin. Atë Allahu e pyet:
‘Pse u vrave ti?’
‘Duke luftuar në rrugën Tënde, o Allah; kështu më thanë të bëja dhe unë luftova gjersa më vranë e rashë dëshmor.’ Zoti do t’ia kthejë:
‘Gënjen!’ Edhe engjëjt i thonë:
‘Po gënjen!’ Atëherë, Allahu i thotë atij:
‘Përkundrazi, ti deshe që njerëzit të thoshin: ‘Sa trim është aksh njeri!’, – dhe, vërtet, ashtu thanë.
Pasi tregoi këto tre shembuj, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) rrahu gjunjët dhe tha:
“E shikon, o Ebu Hurejre! Këto tri grupe do të jenë të parat që do të hyjnë në Xhehenem.”
Ebu Seleme bin Abdurrahman bin Aufi tregon: “Abdullah bin Amri u takua me Abdullah bin Omerin (radijallahu anhuma) në Merue dhe filluan të bisedonin me njëri-tjetrin. Abdullah bin Amri (radijallahu anhu) vazhdoi rrugën; kurse Ibni Omeri mbeti në vend duke qarë. Një nga shokët që kishte me vete, e pyeti:
“Po pse po qan, o Ebu Abdurrahman?” Ibni Omeri (radijallahu anhu) iu përgjigj:
“Abdullah bin Amri më përcolli mua një hadith të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që thotë: “Kush bart qoftë edhe një grimë mendjemadhësie në zemrën e tij, Allahu do ta hedhë atë përmbys në
Xhehenem.”
Një amanet i Muadh bin Xhebelit pak para se të ndahej nga kjo botë
E tregon Harith bin Umejre: “Muadh bin Xhebeli (radijallahu anhu) ishte në shtratin e vdekjes, ndërsa të afërmit i rrinin rreth kokës dhe qanin. Muadhi (radijallahu anhu) i pyeti:
“Pse qani kështu?” E ata iu përgjigjën:
“Ne po qajmë për gjithë atë dije që do të vdesë e do të humbasë bashkë me ty.” Atëherë, Muadhi (radijallahu anhu) u tha atyre:
“Dija dhe besimi do të jenë këtu deri në ditën e Kiametit; nuk humbet kurrë. Kush është kureshtar dhe kërkon, mund t’i sigurojë si besimin, ashtu edhe dijen. E ato janë Libri i Allahut, Kur’ani, dhe Suneti i Resulullahut. Nuk ka dije tjetër që nuk buron prej tij. Shikoni Omerin, Osmanin dhe Aliun. Nëse i humbni edhe ata, atëherë keni Ebu Derdanë, Ibni Mesudin, Selman Farisiun dhe Abdullah bin Selamin, i cili ishte hebre, por pranoi Islamin dhe u bë mysliman. Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), i cili ka thënë për Ibni Selamin: “Ai është i dhjeti i atyre që janë nga banorët e Xhenetit.” Ju shqetësohuni për gabimet/lajthitjet e njeriut të ditur. Atë që është e drejtë dhe e vërtetë, pranojeni, kushdo qoftë ai që jua sjell. E të rremen përplasjani në fytyrë, kushdo qoftë ai që e thotë.”
9. TËRËSIA BESIM-DIJE-VEPRIM TE SAHABËT
Tregon Xhundub bin Abdullahu: “Kur ishim të rinj, ne uleshim e rrinim me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). I Dërguari i Allahut, para se të na mësonte Kur’anin, na bindi ne në besim dhe ne mësuam se si duhet të besonim. Mandej mësuam
Kur’anin, i cili na e përforcoi e na e bëri edhe më të fortë besimin.”
Tregon Aliu (radijallahu anhu): “Kur ishte ende në jetë i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Allahu i zbriti atij disa ajete kur’anore, të cilat ua përforcuan edhe më shumë besimin besimtarëve dhe ua shtoi edhe më shumë respektin e devotshmërinë që ata kishin ndaj Allahut, aq sa kur ndonjë ajet e ndalonte një veprim, besimtarët e braktisnin atë menjëherë, një të dëgjuar ajetin e zbritur.”
Sahabët fisnikë nuk ua mësonin të tjerëve një ajet, pa e jetësuar atë njëherë në jetën e tyre
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) tregon: “Ne, qëllonte që të mësonim prej të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhjetë ajete kur’anore njëherësh, por pa i mësuar ata njëherë përmendësh me mendje e me zemër, duke i kthyer ata në ligje të jetës sonë, nuk kalonim kurrë te dhjetë ajetet e tjera.”
10. MËSIMI I DETYRIMEVE TË FESË ISLAME
I Dërguari Fisnik u mëson fenë beduinëve
Tregon Xheriri (radijallahu anhu): “Tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një beduin dhe i tha:
“Mësomë Islamin!” I Dërguari i Allahut i foli atij njeriu me këto fjalë:
“Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, të falësh namazin ashtu siç duhet, të japësh pjesën e zekatit nga pasuria jote, të mbash agjërimin gjatë muajit të Ramazanit, të shkosh në haxh, të duash edhe për të tjerët atë që do për veten tënde dhe atë që nuk e do për veten të mos e duash as për të tjerët.”
Kur sahabët mësojnë fenë
Hasan Basriu (radijallahu anhu) e tregon: “Erdhi një burrë tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i tha:
“O Prijësi i Besimtarëve! Unë jam një njeri që jetoj në shkretëtirë. Dhe punët e ditës i kam jashtë mase të shumta. Mësomë mua diçka, që do të më mbështesë shpirtërisht, por edhe që mund t’ua këshilloj edhe të tjerëve.”
Omeri (radijallahu anhu) e dëgjoi dhe iu përgjigj:
“Zgjatma dorën dhe mbaji mend mirë ato fjalë që do të të them: Ti do të adhurosh Allahun, do të falësh namazin, do të japësh zekatin nga pasuria jote, do të përmbushësh adhurimet e haxhit dhe të umres, si dhe do t’u bindesh prijësve të tu. Ji i hapur, bujar dhe dashamirës, mos rend pas punëve të fshehta. Bëj ato punë që kur t’i mësojnë njerëzit, ti të mos ndihesh i zënë në turp. E në asnjë mënyrë mos i hyr asnjë pune që do të të bëjë të të vijë turp përpara njerëzve e që do të të rrëzojë në poshtërim!” Ai burrë ia ktheu:
“O Prijësi i Besimtarëve! Unë do t’i bëj të gjitha këto sa më porosite dhe kur të shkoj përpara Zotit në atë ditë, unë do të them: ‘Bëra ato që më tha Omer bin Hatabi që të bëja.’”
“Ti bëji njëherë ato që të thashë unë, pastaj çfarëdo që t’i thuash ti Zotit nuk do t’i bësh dëm as vetes, as mua.”
11. I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT U MËSOJNË NJERËZVE NAMAZIN
Përcjell Ebu Malik el-Eshxheij, nga babai i tij, dhe na tregon: “Kur dikush bëhej mysliman, gjëja e parë që i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i mësonte atij ishte se si falej namazi ose i drejtohej ndonjërit prej sahabëve të tij, duke i thënë:
“Mësoji namazin këtij njeriu.”, – dhe ia caktonte atij këtë si detyrë.”
Ibni Abasi tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na mësonte neve ndonjë sure nga Kur’ani, pastaj na mësonte edhe
lutjen e tehijatit.”
Hudhejfeja i mëson dikujt rukunë dhe sexhden, të cilat ende nuk po i bënte dot mirë
Tregon Zejd bin Uehbi: “Në xhami hyri Hudhejfeja (radijallahu anhu) dhe aty ishte dikush që po falej; mirëpo rukunë dhe sexhden nuk po i bënte ashtu siç duhet. Kur e mbaroi së faluri namazin ai njeri, Hudhejfeja i tha atij:
“Sa vjet ke që e fal namazin kështu?”
“Dyzet vjet.”, – iu përgjigj ai. Atëherë, Hudhejfeja i tha atij:
“Të gjitha ato namaze që ti ke falur për dyzet vjet me radhë nuk janë të plota. Nëse do të vdesësh, duke e falur namazin në këtë mënyrë, atëherë ti nuk do të kesh vdekur me fenë që solli Muhamedi (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)!” I mësoi atij njeriu se si duhet ta falte namazin dhe i tha:
“Njeriu mund ta kryejë lehtë namazin, me pak fjalë, mund ta falë shpejt; por vetëm me kushtin që rukunë dhe sexhden t’i bëjë të plota!”
12. I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT U MËSOJNË NJERËZVE LUTJEN DHE SI TA PËRMENDIN ALLAHUN
Aliu (radijallahu anhu) tregon: I Dërguari i Allahut më pati thënë mua:
“Çfarë do që të të jap: pesëmijë dele, apo të të mësoj pesë fjali, të cilat do të të bëjnë shumë dobi, si për besimin, ashtu edhe për jetën tënde në këtë botë?” Unë i thashë:
“O Resulullah! Edhe pse pesëmijë dele janë një pasuri e madhe, ti mua mësomë më mirë pesë fjali të atilla.” Atëherë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) më pati thënë:
“O Zot, falmi mua mëkatet e mia. Falmë mua një ndërgjegje të gjerë. Bëmë mua të fitoj prej asaj që është e lejuar. Bëmë mua që të di si të mjaftohem me të mirat që Ti më fal. E ruamë zemrën, që ajo të mos më rrëshqasë kah gjërat që Ti m’i ke ndaluar.”
Abdullah bin Xhaferi (radijallahu anhu) tregon: “Aliu (radijallahu anhu) mua më pati treguar:
“Nipi im, unë do të të mësoj ty një lutje që ma ka mësuar vetë i Dërguari i Allahut. Kush e lexon këtë lutje para se të vdesë, ai meriton të hyjë në Xhenet: ‘La ilahe il’lallahu’l-Halimu’l-Kerim’ (tri herë), Elhamdu lil’lahi Rabbi’l-Alemin’ (tri herë), ‘Tebarekel’ledhi bijedihi’l-mulk juhji ue jumit ue hue ala kul’li shejin kadir’.”
Tregon Sa’di: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na pati mësuar një lutje, njësoj siç i mëson mësuesi nxënësve të tij që të shkruajnë: “O Zot! Unë prej Teje kërkoj ndihmë nga koprracia, nga të qenët frikacak, nga plakja gjersa të mos kem fuqi të lëviz duar e këmbë, nga ngatërresat e kësaj bote dhe nga vuajtjet e varrit.”
13. MËSIMI I NJOHURIVE TË FESË PËR MIQTË BUJTËS NË MEDINËN E NDRITUR
Ebu Said Hudriu (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë ne ishim duke ndenjur me Profetin tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Profeti ynë na tha:
“Erdhi delegacioni i Abdulkajsit.” Pamë njëherë përreth, po nuk na zunë sytë askënd. Pritëm njëfarë kohe, kur ai grup erdhi dhe pjesëtarët e tij i dhanë selam të Dërguarit të Allahut. Profeti ynë i pyeti ata:
“A ju ka mbetur ndonjë hurmë nga hurmat e rrugës, që kishit me vete?”
“Po!”, – iu përgjigjën ata. I Dërguari Fisnik na kërkoi neve që të shtronim një mbulesë përdhe. E shtruam dhe miqtë i sollën hurmat, i zbrazën mbi mbulesë. Paskëtaj, Profeti ynë i bëri bashkë sahabët; u tregoi atyre hurmat, duke i ndarë sipas ngjyrës:
“Ju këto hurma i quani ‘berni’, këto të tjerat kështu, ato të tjerat ashtu, apo jo?”
“Po!”, – iu përgjigjën ata.
Pak më vonë, Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të), secilin prej miqve ia caktoi një myslimani vendas. Veç kësaj ai i porositi myslimanët që t’i merrnin miqtë nëpër shtëpitë e tyre, t’i gostitnin, t’u këndonin Kur’an dhe t’ua mësonin, si dhe që të falnin namaz dhe t’ua mësonin edhe atyre namazin. Kështu, të gjithë pjesëtarët e atij grupi qëndruan nëpër shtëpitë e myslimanëve për një javë me radhë. Ata ndenjën bashkë me myslimanët vendës në shtëpitë e tyre. Pas një jave, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i thirri mysafirët dhe i pyeti për ato që kishin mësuar deri në atë ditë. Edhe pse kuptoi se i kishin kuptuar disa gjëra, ai u tha atyre se nuk kishin mësuar mjaftueshëm, ndaj ua ngarkoi ata disa sahabëve të tjerë, duke u kërkuar që të qëndronin edhe një javë tjetër me sahabët. Në fund, bëri të njëjtën gjë, i thirri pranë vetes dhe kontrolloi se çfarë kishin mësuar. Kësaj here pa se ata kishin mësuar të gjithë të lexonin e të kuptonin Kur’anin.
Mysafirët i thanë atij:
“O Resulullah! Na mori malli për tokat tona. Allahu na i mësoi ne të mirën dhe të keqen; na ndihmoi që ta kuptojmë fenë tonë më së miri.” Dhe Resulullahu u tha:
“Tani ju mund të ktheheni pranë familjeve tuaja!”
14.SAHABËT LUFTONIN, POR AS DIJEN NUK E LININ PAS DORE
Ebu Said Hudriu (radijallahu anhu) na tregon: “Ne, sa herë që shkonim për të luftuar, një ose dy vetë i linim me detyrë që të mësonin dhe të ruanin në kujtesë mirë çdo fjalë e çdo hadith të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), e kur ne të ktheheshim nga lufta, të na i mësonin edhe neve. Kësisoj, kishim edhe ne mundësi për t’i përcjellë ato hadithe, duke thënë: ‘I Dërguari i Allahut ka thënë kështu.’”
15.SAHABËT MERRESHIN ME TREGTI, POR AS DIJEN NUK E BRAKTISNIN
Këtë e tregon Thabit el-Bunanij: “Tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një grup njerëzish, të cilët i thanë atij:
- “Sikur të na japësh ndonjë grup me vete, e ata të na mësojnë neve Kur’anin dhe Sunetin tënd.” Dhe i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) dërgoi me ta një grup besimtarësh prej shtatëdhjetë vetash, të cilët u quajtën edhe si ‘kurra’. Mes tyre ishte edhe Harami, daja im. Ata që ishin pjesë e këtij grupi natën e kalonin duke lexuar Kur’an dhe duke mësuar njohuri të reja; kurse dita u shkonte duke transportuar ujë ose dru, ose duke shitur gjëra të ndryshme në avllinë e xhamisë. Ndërsa paratë që fitonin ata i shpenzonin për të skamurit dhe njerëzit pa njeri të Sufes.
I Dërguari i Allahut i nisi ata për rrugë dhe ata ikën. Gjatë rrugës, idhujtarët u ngritën atyre pritë dhe i vranë të gjithë ata myslimanë. Ranë dëshmorë të gjithë. Disa prej tyre, pak para se të jepnin shpirt u lutën me këto fjalë:
“O Zot! Dërgoji Ti Profetit tonë lajmin se ne u kthyem tek Ti dhe ne jemi të kënaqur prej Teje, e edhe Ti je i kënaqur me ne.”
Gjatë përleshjes, një nga idhujtarët i doli nga pas dajës tim, Haramit, dhe ia kishte ngulur heshtën mu në mes të shpinës. Teksa pinte shurupin e ëmbël të të qenët dëshmor i Allahut, daja im kish thënë:
“Për Zotin e Qabes, shpëtova!” Fill pasi ndodhi kjo ngjarje e kobshme, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u kish thënë sahabëve të tij:
“Vëllezërit tanë ranë dëshmorë. Dhe, teksa ia dorëzonin shpirtrat e tyre Allahut, thanë: ‘O Zot! Dërgoji Ti Profetit tonë lajmin se ne u kthyem tek Ti dhe ne jemi të kënaqur prej Teje, e edhe Ti je i kënaqur me ne.’”
16. I DËRGUARI I ALLAHUT U KËRKON BESIMTARËVE QË T’UA MËSOJNË EDHE FËMIJËVE TË TYRE FENË
Malik bin Huejrithi (radijallahu anh) tregon: “Ne si shokë, ishim një grup të rinjsh asokohe, shkuam tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe qëndruam pranë tij për thuajse njëzet ditë. I Dërguari i Allahut na pyeti se kë kishim lënë pas, për të shkuar tek ai, duke menduar për gratë dhe fëmijët tanë. Dhe ne i treguam se si qëndronte puna. Ai ishte njeri i dhembshurisë dhe mëshirës. Ai na tha:
“Tani kthehuni pas familjeve tuaja. Mësojuani edhe atyre ato që mësuat këtu, e sigurohuni që t’i ndjekin edhe ata me përpikëri këshillat që ju dhashë unë. Me të hyrë koha e namazit, njëri të këndojë ezanin, kurse ai që është më i madhi të dalë e t’ju prijë në namaz.”
17. I DËRGUARI I ALLAHUT U MËSON SAHABËVE TË MËSOJNË GJUHËN E RIVALËVE TË TYRE
Tregon Zejd bin Thabiti: “Kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi në Medinë, më morën dhe më çuan pranë tij. I thanë atij:
“O Resulullah! Ky fëmijë është nga fisi i bijve të Nexharit. Deri më tani ai ka mësuar përmendësh shtatëmbëdhjetë sure të Kur’anit.” Dhe unë i këndova para të Dërguarit të Allahut të gjitha sa kisha mësuar dhe atij i pëlqeu shumë, pasi më tha:
“Shiko, Zejd, tani të mësosh të shkruash dhe të flasësh edhe gjuhën e hebrenjve; kjo është e domosdoshme për ne. Uallahi, unë nuk u kam shumë besë letrave që u kam kërkuar të tjerëve t’ua shkruajnë hebrenjve për mua.”
Dhe unë iu vura punës të mësoja sa më shpejt hebraishten; nuk kaluan as plot pesëmbëdhjetë ditë dhe unë e mësova tërësej atë gjuhë. Që nga ajo ditë letrat e të Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) për hebrenjtë i shkruaja unë dhe i lexoja atij letrat e kthyera nga ta.”
Kurse, sipas një tjetër transmetimi, Resulullahut (sal’lallahu alejhi
ue sel’lem) i vinin letra në gjuhën e asirëve, ndaj ai pati pyetur Zejd bin Thabitin, nëse e njihte mirë gjuhën e asirëve dhe kur Zejdi iu qe përgjigjur se nuk e dinte, ai e pati këshilluar:
“Atëherë ta mësosh ti gjuhën e asirëve.” Zejdi thotë se: “Unë e mësova gjuhën e asirëve për shtatëmbëdhjetë ditë.”
Kur largohet imami, ai cakton dikë që t’i mësojë fenë xhematit
Urueja (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) do të shkonte në luftën e Hunejnit, ndaj caktoi Muadh bin Xhebelin si mëkëmbës, që të qëndronte në Mekë dhe të kujdesej për besimtarët. Ai i kërkoi atij që t’u mësonte njerëzve Kur’anin dhe t’u shpjegonte parimet e fesë. Mandej, edhe kur do të ikte për në
Medinë, ai pati lënë po Muadhin si mëkëmbës në Mekë.”
18. NË RAST NEVOJE, KALIFI DETYROHEJ QË T’I MBANTE NJERËZIT E DITUR PRANË VETES NË QENDËR
Kasimi tregon: “Omeri (radijallahu anhu), sa herë që do të nisej për rrugë, si mëkëmbës të vetin caktonte Zejd bin Thabitin (radijallahu anhu): Disa i dërgonte nëpër vendet fqinje, duke i ngarkuar me detyra të posaçme. Ndonjëherë atij i kërkonin veçanërisht dikë që t’ua caktonte si prijës. Për shembull, njëherë, kur i patën thënë: - “Pse nuk e cakton Zejd bin Thabitin si prijës të ndonjë vendi?”, – ai iu qe përgjigjur:
“Edhe unë e di shumë mirë vlerën e Zejdit. Por edhe këtu ka shumë njerëz, të cilët, për çdo çështje që nuk i gjejnë dot zgjidhje shkojnë t’i kërkojnë ndihmë Zejdit.”
19. SAHABËT SHPËRNDAHEN NËPËR VENDE TË NDRYSHME, QË T’U MËSOJNË NJERËZVE ISLAMIN
Ibni Katadeja (Asim bin Omeri) tregon: “Pas luftës së Uhudit tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhën disa njerëz nga degët e familjes së Udalit dhe Kares, të cilët i thanë:
“Tek ne ka shumë myslimanë. Sikur të na dërgosh ndonjë grup sahabësh, që të na mësojnë si të lexojmë Kur’anin dhe parimet e fesë.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) dërgoi tek ata një grup sahabësh të përbërë prej gjashtë vetash. Mes tyre ishte edhe Merthed bin Ebi Merthedi, garanti i Hamzait (radijallahu anhu), i cili u caktua edhe imam i grupit.”
Tregon Muhamed bin Ka’b el-Kuradhi: “Në kohën që kalif ishte Omeri (radijallahu anhu), Zejd bin Ebi Sufjani i shkroi atij një letër, në të cilën i shkruante:
“O i Pari i Besimtarëve, popullsia e Sirisë është shtuar shumë dhe shoqëria ka filluar të bëhet edhe më kozmopolite. Për këtë arsye, kemi shumë nevojë për mësues, të cilët do të mund t’u mësojnë njerëzve
Kur’anin dhe njohuritë e qenësishme të fesë. Dua që të më ndihmosh.”
Me të marrë letrën, Omeri (radijallahu anhu) thirri Muadh bin Xhebelin, Ubade bin Samitin, Ubej bin Ka’bin, Ebu Ejubin dhe Ebu Derdanë (radijallahu anhum) dhe u tha:
“Vëllezërit tuaj në Siri duan që unë t’u dërgoj atyre mësues, që t’u mësojnë Kur’anin dhe t’i pajisin me njohuritë më të rëndësishme rreth fesë. Kurrë mos reshttë mëshira e Zotit mbi ju, dua që të më ndihmoni ju të tre. Po deshët mund ta bëni edhe me short ose të shkoni të tre njëherësh.” Ata u përgjigjën:
“Nuk kemi pse të hedhim short. Ebu Ejubi është i moshuar, kurse Ubej bin Ka’bin e dimë, është i sëmurë.” Përpara u hodhën tre vetë: Muadh bin Xhebeli, Ubadeja dhe Ebu Derdaja (radijallahu anhum) dolën vullnetarë. Omeri (radijallahu anhu) i porositi ata:
“Shkoni njëherë në Humus. Atje do të takoheni me shumë njerëz.
Pa dyshim, mes tyre ka edhe njerëz të zgjuar. Nëse gjeni njerëz të zgjuar e që i kuptojnë gjërat shpejt, përgatitini ata sa më shpejt dhe një pjesë të njerëzve caktojuani atyre, që t’i mësojnë ata. Nëse ju pëlqejnë njerëzit e Humusit, njëri prej jush le të qëndrojë në Humus. Pastaj një prej tyre të shkojë në Siri, kurse tjetri në Palestinë.”
Këta tre sahabë shkuan në Humus. Për njëfarë kohe qëndruan atje. Kur panë se sjelljet dhe qëndrimet e atij populli u pëlqyen, ata vendosën që aty të qëndronte Ubadeja. Ebu Derdaja shkoi në Siri, kurse Muadhi në Palestinë. Muadhi vdiq gjatë epidemisë së kolerës, që ra në Amuas. Ubadeja shkoi në Palestinë dhe prej atje u rikthye pranë Zotit. Kurse Ebu Derdaja banoi në Siri, gjersa erdhi dita për t’u ndarë nga kjo jetë.”
20. UDHËTIMI PËR HIR TË DIJES
E tregon Mesleme bin Muhal’ledi: “Kur isha në Egjipt, më erdhi një shërbyes e më tha:
“Jashtë është një burrë që pret mbi deve; do të takohet me ty.” Dola jashtë menjëherë dhe e pyeta atë njeri se kush ishte.
“Xhabir bin Abdullah el-Ensari jam.”, – më tha.
“Ejani brenda, apo të vij unë aty pranë jush; pse nuk vini ju sipër?”, – i thashë unë dhe ai ma ktheu:
“As unë nuk po vij, as ti nuk ke pse zbret poshtë. Unë kam ardhur deri këtu me qëllimin që të më tregosh atë hadithin e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në lidhje me mbulimin e të metave të besimtarit.”
“Po, e kam dëgjuar nga i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem); ka thënë: “Për këdo që mbulon një të metë të një besimtari, kjo është si të kish rikthyer në jetë vajzën që ka varrosur për së gjalli.”, – i thashë unë. Pasi e dëgjoi me vëmendje hadithin, ai burrë ktheu devenë dhe u largua për andej nga kishte ardhur.”
21. DIJEN TA MARRËSH NGA NJERËZIT E DUHUR
Ta kërkosh dijen nga njerëzit e paditur është parë si një nga shenjat e fundit të botës
E tregon Enesi (radijallahu anhu): E pyeta të Dërguarin e Allahut:
“O Resulullah! Kur do ta braktisin myslimanët detyrën e urdhërimit për të mirën dhe të ndalimit të së keqes?”
“Kur mes jush të shfaqet i njëjti problem që u shfaq edhe në mesin e hebrenjve.”, – mu përgjigj ai.
“E cili ka qenë ky problem, o Resulullah?”, – pyeta unë i habitur. E ai më tha:
“Kur mes të mirëve tuaj të përhapet gënjeshtra dhe sjellja prej dallkauku dhe mes të këqijve tuaj të përhapet imoraliteti; kur punët e drejtimit të lihen në dorën e më të vegjëlve; kur dija të bjerë në duart e njerëzve pa karakter!”
Të mos ua vini veshin atyre që e interpretojnë Kur’anin sipas dëshirave dhe interesave të veta
Omeri bin Hatabi (radijallahu anhu) ka thënë:
“Unë nuk shqetësohem e nuk kam aspak frikë për besimtarin, të cilin besimi e ruan nga e keqja, apo për të devijuarin që i bën haptazi mëkatet. Ajo që më shqetëson më së shumti janë ata që e lexojnë Kur’anin, por e interpretojnë atë sipas dëshirave të veta, pa i bazuar askund qëndrimet e veta.”
Ukbe bin Amiri, kur kishte rënë në shtratin e vdekjes dhe po jetonte ditët e fundit të jetës, u pati lënë fëmijëve të tij këtë amanet:
“Bijtë e mi, unë ju këshilloj se tri janë gjërat nga të cilat duhet të ruheni e të bëni shumë kujdes, ndaj kurrë mos i harroni; fjalët e të Dërguarit të Allahut pranojini vetëm nga ata që janë të besueshëm. Edhe sikur të visheni vetëm me arna, përpiquni që të mos hyni në borxh. E mos shkruani poezi, aq sa ato t’ju largojnë juve nga Kur’ani.”
22. PËRGËZIMI DHE NXITJET E SAHABËVE PËR ATA QË KËRKOJNË DIJEN
E tregon Ebu Haruni: Ne shkonim shpesh pranë Ebu Saidit dhe ai na thoshte:
“Mirë se erdhët, o miqtë për të cilët neve na pati lajmëruar vetë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)! I Dërguari Fisnik na thoshte shpesh: “Populli do t’ju ndjekë ju dhe tek ju do të vijnë njerëz nga çdo anë e botës. Ata do t’ju kërkojnë juve që t’u mësoni Islamin. Kur të vijnë ata njerëz, me ta të silleni sa më mirë; jepuni atyre këshillat më të mira.”
Ebu Hurejreja i përgëzon ata që duan të dinë e të mësojnë
Tregon Ismaili: “Ne shkuam për vizitë te Hasan Basriu, i cili ishte i sëmurë e kishte zënë shtratin, nga i cili nuk u çua më. Shtëpinë e kishte plot e përplot. Mblodhi pak këmbët dhe tha:
“Edhe ne patëm shkuar tek Ebu Hurejreja (radijallahu anhu), kur ai ishte i sëmurë; e patëm mbushur shtëpinë plot e përplot, ndaj ai pati mbledhur këmbët dhe na pati transmetuar këto fjalë: “Patëm shkuar tek i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e patëm mbushur të gjithë shtëpinë e tij. Vetë ishte shtrirë brinjas. Kur na pa, i mblodhi këmbët dhe na tha:
“Pas meje do të vijnë ca njerëz, të cilët do të duan të dinë sa më shumë, ndaj do të vijnë tek ju. Thojuni atyre: ‘Mirë se erdhët!’, - përshëndetini ata dhe mësojuani edhe atyre çdo gjë që dini.”
Hasan Basriu thotë se: “Për Zotin, ne shkuam te njerëz të atillë, që as mirëserdhët nuk na thanë, as nuk na përshëndetën, as nuk na mësuan asgjë. Kur shkuam tek ata, ata silleshin me shumë ashpërsi ndaj nesh!”
I Dërguari i Allahut i nxit njerëzit që të marrin pjesë në kuvendimet e njerëzve të ditur
Abdullah bin Amri tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi pranë dy grupeve që ishin në xhami. Një prej atyre grupeve po i luteshin Allahut, pra ishin të zënë duke përmendur Allahun me Emrat e Tij të bukur e po i drejtoheshin Atij me lutjet më të bukura; grupi tjetër, ata po diskutonin për çështje të së drejtës dhe shumë rregulla të tjerë të besimit.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:
“Të dyja grupet janë duke u marrë me diçka shumë të mirë. Vetëm se njëri është më i virtytshëm e qëndron më lart se tjetri. Të parët po i luten Allahut, për t’i kërkuar ndihmë. Allahu, po deshi u jep, po nuk deshi nuk u jep. Kurse të tjerët edhe po mësojnë vetë, edhe po u mësojnë atyre që nuk dinë, sepse, në fund të fundit, edhe unë si mësues u dërgova në këtë botë.” Pastaj iku dhe u ul me ata që po diskutonin çështje të fikh-ut.”
23. RËNDËSIA QË I JEPNIN KUVENDEVE TË DIJES I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ
Resulullahu i shtyn të gjithë të marrin pjesë në ato vende ku kuvendohet për dijen
Abdullah bin Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, ne e pyetëm Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):
“O Resulullah, kush është më i miri prej nesh që jemi ulur këtu?”
“Më i miri i të gjithëve është ai që kur e sheh, të kujton Allahun, kur flet ai, të shtohen dijet dhe sjelljet e qëndrimet e të cilit të bëjnë të mendosh për jetën e përtejme.”, – na u përgjigj Krenaria e Njerëzimit.”
24.RESPEKTI QË DUHET TREGUAR NË KUVENDET E DIJES
Në një transmetim prej Sehlit, Ebu Hazim tregon: “Sehli ishte ulur mes të afërmve dhe fisit të tij; po u fliste atyre për të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Teksa fliste, disa nga ata që ishin të pranishëm në atë hallkë kishin filluar të flisnin me njëri-tjetrin e kjo e nervozoi tej mase Sehlin, e ai nuk duroi dot më dhe tha:
“Shikoji pak ata njerëz. Unë jam ulur këtu dhe po ju flas për ngjarje që kanë ndodhur e që unë i kam dëgjuar me veshët e mi!.. Po ta dini, se këtej e tutje unë nuk vij më të ulem këtu mes jush!” Unë e pyeta se ku do të shkonte.
“Do të shkoj të luftoj në rrugën e Allahut.”, – mu përgjigj ai. E unë i thashë aty për aty:
“Po ti nuk mund të luftosh dot më, tanimë ti as shpatën nuk e mban dot, as heshtë nuk lëshon dot; sepse tanimë je i moshuar. Më pa njëherë, u kthye i tëri nga unë dhe më tha:
“Ebu Hazim! Edhe nëse nuk bëj dot asgjë, marr pjesë bashkë me ushtrinë. Ku i dihet, vjen ndonjë shigjetë qorre a gur a ku di unë dhe unë bie dëshmor.”
25.ETIKA E DIJETARIT DHE E NXËNËSIT
Logjika dhe zgjuarsia e veçantë e të Dërguarit të Allahut kur u përgjigjej pyetjeve të të tjerëve
Ebu Umameja (radijallahu anhu) tregon: “Erdhi një djalosh i kurejshëve dhe i tha të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):
“O Resulullah! A do të më japësh leje që të bëj zina!” Sahabët e dëgjuan dhe iu vërsulën menjëherë atij djaloshi të ri, por i Dërguari Fisnik u bëri atyre me shenjë që të mos e ngacmonin djalin. Atij i tha:
“Eja, afrohu këtu tek unë!” – Pasi u afrua ai djalë, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i tha atij:
“A të pëlqen që dikush të bëjë imoralitet me nënën tënde?”
“Jo, uallahi, nuk dua, o Resulullah!”, – u përgjigj djaloshi.
“Atëherë, as njerëzit e tjerë nuk duan që dikush të bëjë imoralitet me nënat e tyre.”, – i tha atij i Dërguari i Allahut.
“Po me vajzën tënde, a do të doje që dikush ta bënte atë punë?”
“Jo.”, – tha djaloshi, – “kurrën e kurrës.”
“Epo, as të tjerët nuk duan që ajo paturpësi t’u bëhet vajzave të tyre.” Dhe kështu vazhdoi i Dërguari i Allahut ta pyeste me radhë:
“A do të doje që të bëhej me motrën tënde?”; “A do të doje që të bëhej me hallën tënde?”; “A do të doje që të bëhej me tezen tënde?” E, kur pa se mori të njëjtën përgjigje nga ai djalosh, ia vuri dorën mbi sup dhe u lut për atë djalosh me këto fjalë:
“O Zot, falja atij mëkatin, pastroja zemrën dhe bëje të ndershëm.” Që nga ajo ndodhi, ai djalosh u bë një nga njerëzit më të ndershëm, aq sa i vinte turp edhe kur i shikonte njerëzit në sy.”
26. ETIKA E SAHABËVE KUR U PËRÇONIN DIJEN TË TJERËVE
Tregon Shakik bin Selemeja: “Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) erdhi tek ne dhe na tha këto fjalë:
- “E kam marrë vesh se jeni mbledhur e keni ardhur deri këtu. Por, ajo që më pengon për të biseduar më shumë me ju është shqetësimi që kam përbrenda se mos ju bezdis, sepse i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u fliste njerëzve me një plan se sa gjatë do t’ju fliste, në mënyrë që ata të mos bezdiseshin nga kohëzgjatja e bisedës.”
Aliu (radijallahu anhu) ka thënë: “A doni që t’ju tregoj se kush është njeriu vërtet i ditur i fesë? Ai që nuk ua vështirëson fenë besimtarëve aq sa ata ta humbasin shpresën te mëshira e Allahut, që nuk ua lehtëson atyre fenë sa që t’ua bëjë të lehtë kryerjen e mëkateve, ai që i shqetëson njerëzit për dënimin e Allahut që mund t’i presë në Ditën e Gjykimit dhe ai që nuk braktis Kur’anin për t’u prirë nga burime të tjera, sepse, ashtu siç nuk mund të presësh shumë mbarësi nga adhurimi i atij që nuk e njeh mirë dimensionin juridik të fesë, po ashtu nuk mund të presësh ndonjë të mirë a mbarësi nga jurisprudenca e pa kuptuar, apo e kuptuar keq. Prandaj, as leximi i Kur’anit pa medituar mbi të nuk mund të sjellë shumë të mira.”
Ndërsa Omeri (radijallahu anhu) thotë: “Mësoni dije dhe mësojuani ato edhe të tjerëve. Me dijen të bëheni njerëz kryelartë dhe të thjeshtë. Ndaj mësuesve që ju mësojnë dhe ndaj nxënësve që u mësoni të jeni përherë të thjeshtë e modestë. Mos u bëni nga ata dijetarë despotikë, në mënyrë që kjo sjellje të mos ia ulë dijes suaj vlerën.”
Sahabët kishin edhe virtytin sa të thoshin ‘nuk e di’
Këtë e tregon Osman bin Abdullah bin Meuhebi: “Pranë buzës së ujit erdhi Xhubejr bin Mut’imi. Ata që gjendeshin aty e pyetën Xhubejrin në lidhje me një çështje rreth trashëgimisë. Xhubejri u tha atyre:
“Nuk e di; por ju mund të më jepni dikë me vete, të pyes e ta mësoj se si qëndron e vërteta e çështjes që ju më pyetët.” Pastaj, kur u kthye, shkoi drejt e tek Omeri (radijallahu anhu) dhe i bëri të njëjtën pyetje. Omeri (radijallahu anhu) i tha atij:
“Kush do që të bëhet dijetar i vërtetë i fesë, të bëjë siç bëri Xhubejr bin Mut’imi.” Xhubejri i bëri Omerit (radijallahu anhu) të njëjtën pyetje që i patën bërë ata njerëz dhe nga ai mori përgjigje veç fjalët: “Zoti e di.”
Muhamed bin Ka’b el-Kuradhij (radijallahu anhu) tregon: “Erdhi një burrë tek Aliu (radijallahu anhu) dhe i bëri një pyetje. Dhe Aliu (radijallahu anhu) i ktheu atij përgjigje; mirëpo atij nuk i pëlqeu përgjigjja, ndaj i tha Aliut:
“O Prijësi i Besimtarëve, po kjo çështje nuk është kështu, është kështu siç e di unë.” Atëherë, Aliu (radijallahu anhu) iu përgjigj atij:
“Ti ke të drejtë, ndërsa unë gabova”, – duke recituar vargun Kur’anor: “... Ne e ngremë lart atë që duam, e mbi çdo të ditur është një i Gjithëdijshëm.” (Jusuf, 12/76)
Këshillat e Aliut (r.a.) në lidhje me etikën e nxënësit
Aliu (radijallahu anhu) ka thënë: “Disa nga të drejtat e mësuesit, nga dija e të cilit ti përfiton, janë këto: Nuk do t’i drejtosh atij shumë pyetje tejet të vështira. Kur ai nuk do që të të kthejë përgjigje, ti nuk do ta detyrosh të të përgjigjet me zor. Kur ai të shfaqet i ndrojtur, nuk do t’i kapesh pas rrobave, duke këmbëngulur që të të mësojë çdo gjë. Nuk do t’i bësh atij shenja me sy, me duar a fytyrë. Nuk do t’i bësh atij pyetje para një kuvendi me shumë njerëz. Edhe nëse ai gabon, ti nuk do ta dëshirosh të gabuarit e tij; në raste të tilla do të tregohesh i duruar dhe do të presësh që ai të kthejë nga gabimi i bërë. Nuk duhet t’i thuash atij: ‘Po aksh njeri thotë krejt të kundërtën!’ Nuk do t’ia zbulosh para të tjerëve të fshehtat. Nuk duhet të ngacmosh askënd në praninë e tij, duke u përpjekur që t’i provokosh ata me njëri-tjetrin dhe si në praninë e tij, si në distancë, do të jesh ti që do t’i dalësh atij në mbrojtje. Sa herë që të hysh në ndonjë kuvend me njerëz, xhematin do ta përshëndetësh me një përshëndetje të përgjithshme, ndërsa atë veçanërisht. Do të ulesh përpara tij dhe në çdo nevojë të tij të jesh ti që të çohesh e t’i shërbesh. Ti nuk duhet të bezdisesh nga bisedat e tij të gjata, sepse dijetari i ngjan një peme me kokrra frutash të mira; do të presësh me durim, që nga goja e tij të dalë ndonjë fjalë e dobishme, njësoj siç pret që të bjerë ndonjë hurmë e pjekur nga pema e hurmave! Kjo sepse dijetari është porsi një luftëtar që lufton në rrugën e Allahut në agjërim e sipër. Kur vdes një njeri i ditur, në kështjellën e Islamit hapet një e çarë e atillë, riparimi i së cilës është i pamundur deri në ditën e Kiametit. Kur vdes një nxënës i dijes, në xhenazen e tij marrin pjesë prej qiejve edhe shtatëdhjetëmijë engjëj ‘nga më të afërmit’.”
Sahabët i shtonin njohuritë dhe dijen e tyre duke bashkëbiseduar dhe duke e ballafaquar me njëri-tjetrin çdo gjë që dinin
Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Ne ishim ulur bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ishim diku te gjashtëdhjetë vetë. I Dërguari Fisnik na thoshte neve një hadith, e kur çohej për të kryer ndonjë punë në banesën e tij, ne fillonim të bashkëbisedonim me njëri-tjetrin rreth tij, derisa ai ngulitej më së miri në kujtesën e të gjithëve. Vetëm pastaj largoheshim edhe ne.”
Kur Omeri (r.a.) u pyet sahabëve domethënien e një ajeti dhe pëlqen jashtë mase përgjigjen e dhënë prej Ibni Abasit
E tregon vetë Ibni Abasi (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anhu) më merrte mua me vete kur shkonte në kuvendet e sahabëve të mëdhenj që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit. Një ditë, Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) i tha atij:
“Po pse e merr këtë djalë dhe e ul këtu me ne? Ne kemi fëmijët në moshën e tij, por nuk i marrim me vete!” Dhe Omeri (radijallahu anhu) i pati thënë:
“Atë e njihni mjaft mirë edhe ju.”
Po kështu, edhe një ditë tjetër, Omeri (radijallahu anhu) na ftoi mua dhe disa nga sahabët më të rëndësishëm. E pata kuptuar që atë ditë Omeri (radijallahu anhu) mua më pati ftuar që të më vlerësonte përpara të tjerëve. Omeri (radijallahu anhu) tha:
“Çfarë mendimi keni në lidhje me domethënien e ajeteve të Kur’anit Famëlartë, të cilat thonë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës) dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.” (Nasr, 110/1-3) Disa nga sahabët u përgjigjën se ‘ato ajete na urdhërojnë se ne duhet të lëvdojmë Allahun, kur tek ne të vijë ndihma dhe fitorja e Tij, si dhe t’i lutemi Atij që të na falë.’ Një pjesë tjetër thanë, ‘nuk e dimë’. Në fund, Omeri (radijallahu anhu) u kthye nga unë dhe më pyeti:
“Po ti, o i biri i Abasit, edhe ti këtë mendim ke?” E unë iu përgjigja:
“Me këto ajete Allahu e lajmëron të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) se i është afruar fundi i jetës. Ndihma dhe fitorja e Allahut nënkuptojnë ngadhënjimin mbi Mekën, sepse edhe ngadhënjimi mbi Mekën është një nga shenjat e exhelit të të
Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të). Andaj edhe këto
ajete përmbyllen me ajetin, “atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.”
Në përmbyllje të fjalës sime, Omeri (radijallahu anhu) më tha:
“Edhe unë kështu i kuptoj, njësoj si ti.”
Sahabët bënin shumë pak pyetje
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Unë nuk kam parë shoqëri më të mbarë sesa ajo e sahabëve të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Gjatë gjithë jetës, ata nuk e pyetën ndonjëherë të Dërguarin Fisnik përveç këtyre trembëdhjetë pyetjeve: “Na pyesin për muajt e ndaluar”, “Na pyesin për pijen dhe kumarin”, “Na pyesin në lidhje me jetimët”, “Na pyesin në lidhje me pasurinë që të është lënë ty si trashëgimi”, “Na pyesin në lidhje me plaçkën e luftës”, “Na pyesin se çfarë duhet të japin e të ndajnë në rrugën e Allahut”...
Ata pyesnin vetëm për ato gjëra që do të ishin vërtet të vyera e të dobishme për ta.”
Gratë ensare nuk druheshin nga bërja e pyetjeve
E tregon Aishja (radijallahu anha): “Sa njerëz të mirë ishin gratë ensare! Droja dhe ndjesia e zorit nuk i pengonte ato aspak që të bënin çdo lloj pyetjeje në lidhje me fenë, në mënyrë që të thelloheshin sa më shumë në njohjen e saj.”
Nëna e Enesit (radijallahu anhu), Umu Sulejmi (radijallahu anha), tregon se: “Unë isha fqinje me njërën nga bashkëshortet e bekuara të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), Umu Selemen (radijallahu anha). Një ditë shkova tek i Dërguari i Allahut dhe e pyeta:
“O Resulullah! Nëse një grua sheh në ëndërr se po kryen marrëdhënie me burrin e saj, a është e domosdoshme që ajo grua të lahet e të marrë gusul?” Umu Selemeja iu përgjigj kështu pyetjes sime:
“Umu Sulejm, të dhëntë Zoti të mirën! U nxore bojën gjithë grave para Resulullahut!”
“Allahu nuk i druhet asgjëje për ta shfaqur të vërtetën në mënyrën më të hapur. Më mirë ta pyesim Profetin tonë për çdo problem që kemi, sesa të mbetemi të paditura.”, – ia ktheva unë. Resulullahu më kishte dëgjuar dhe m’u përgjigj:
“Të dhëntë Zoti të mirën, o Umu Sulejm! Po, nëse kur të zgjohesh do t’i shohësh teshat të ndotura, atëherë gruaja duhet të lahet.”
Ndërsa, e shoqja, Umu Selemeja (radijallahu anha) e pyeti atë:
“O Resulullah, po pse a ka edhe gruaja lëngje që ia prishin gusulin?”
“Po, po të mos kishte gruaja lëngje, si do të mund të ngjante fëmija me të? Edhe gratë janë një pjesë e burrave, janë të ngjashmet e tyre.”
27. NXËNIA E KUR’ANIT, MËSIMI I TIJ TË TJERËVE DHE LEXIMI PARA BASHKËSISË
Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Ebu Talhaja (radijallahu anhu) pati ardhur një ditë tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e gjeti atë që kishte lidhur një gur fort pas barkut, për të duruar urinë dhe po u mësonte Kur’an sahabëve të Sufes.”
Tregon po Enesi (radijallahu anhu): “Ebu Musa el-Eshari ishte ulur në shtëpi dhe nisi të lexojë Kur’an. Në atë kohë tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi dikush dhe i tha:
“O Resulullah! Ebu Musa është ulur në shtëpi dhe kur i erdhën njerëz, ai filloi t’u lexojë atyre Kur’an.” I Dërguari i Allahut iu përgjigj atij njeriu duke i thënë:
“A mund të më çosh e të më ulësh mua në një vend ku nuk do të mund të më shohë dot asnjë prej xhematit?”
“Po.”, – iu përgjigj ai njeri dhe i Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) shkoi bashkë me të për në shtëpinë e Ebu Musait. Profeti ynë u ul në një vend ku nuk e shihte askush. Sapo dëgjoi zërin e Ebu Musait, i Dërguari Fisnik tha:
“Ai po e lexon Kur’anin njësoj siç u lexonte Daudi i nderuar njerëzve që kishte më afër vetes!”
Kur’ani është “Sofra e Allahut”
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë: “Mësojeni Kur’anin, sepse Kur’ani është “Sofra e Allahut”. Kushdo të shohë se ç’mund të marrë sa më shumë prej atyre që janë të shtruara në atë sofër, sepse një shtëpi e privuar nga e mira është një shtëpi që nuk ka përftuar asgjë prej librit të Allahut. Dhe ajo shtëpi që nuk ka përftuar asgjë prej librit të Allahut, është si një muranë e braktisur nga çdo lloj kujdesi. Djalli nuk qëndron dot në atë shtëpi ku lexohet sureja “Bekare”, ia mbath, ikën.”
Sa duhet të dijë përmendësh prej Kur’anit një mysliman?
Omeri (radijallahu anhu) ka thënë: “Një mysliman duhet të dijë përmendësh të paktën gjashtë sure të Kur’anit Famëlartë. Dy për namazin e mëngjesit, dy për namazin e akshamit dhe dy për namazin e jacisë.”
Omeri (radijallahu anhu) ka thënë: “Mësojini suret ‘Bekare’, ‘Nisa’, ‘Maide’, ‘Haxh’ dhe ‘Nur’, sepse gjykimet e Kur’anit gjenden në këto sure.”
Po ashtu Omeri (radijallahu anhu) thotë edhe: “Mësojeni suren ‘Teube’. Ndërsa grave tuaja mësojuni suren ‘Nur’ dhe vëruni atyre stoli argjendi.”
Çfarë duhet të bëjnë ata që kanë vështirësi në mësimin e Kur’anit përmendësh, apo që i harrojnë shumë shpejt ato që kanë mësuar?
Ja se si tregon Ebu Rejhaneja (radijallahu anhu) në lidhje me këtë: “Shkova tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i thashë se kisha vështirësi në mësimin përmendësh të Kur’anit, pasi i harroja shpejt ato që mësoja.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) mu përgjigj duke më këshilluar:
“Mos e mundo veten sa të kërkosh të kapërcesh fuqitë e tua. Përpiqu të bësh sa më shumë sexhde.”
Të preferosh Kur’anin në vend që të merresh me gjëra të tjera
Karadha bin Ka’bi (radijallahu anhu) na tregon: “Ishim nisur të shkonim për në Irak. Omeri (radijallahu anhu) na shoqëroi deri në vendin e quajtur Sirar, i cili gjendet diku te pesë kilometra larg Medinës. Mori abdes dhe na tha:
“A e dini ju se pse erdha me ju deri këtu duke ecur?” Ata i thanë:
“Po, ti na shoqërove deri këtu ngaqë ne jemi sahabë të Resulullahut.” Omeri (radijallahu anhu) i dëgjoi dhe shtoi:
“Ju do të shkoni pranë një shoqërie që më të shumtën e kohës e kalon duke u marrë me Kur’anin, porsi ato bletët që zukasin përreth koshereve. Mos u flisni atyre shumë për hadithet, në mënyrë që të mos largohen nga Kur’ani. Edhe ju zgjidhni Kur’anin para çdo gjëje tjetër. Transmetoni më pak prej të Dërguarit të Allahut. Vazhdoni rrugën tuaj, e mua shpirtërisht do të më keni përherë në mbështetje.”
Kur mbërritën, vendasit i kërkuan Karadha bin Ka’bit që t’u mësonte e transmetonte sa më shumë hadithe prej të Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), por ai u tha atyre:
“Jo, këtë ma ka ndaluar Omeri (radijallahu anhu).”
28. NË KOHËN KUR PAGESA PËR MËSIMDHËNIEN E KUR’ANIT NUK SHIHET ME SY TË MIRË
Rrëfen Ubej bin Ka’bi (radijallahu anhu): “Unë i pata mësuar dikujt një sure nga Kur’ani. Dhe ai, si shpërblim për atë që i pata mësuar, erdhi e më solli dhuratë një veshje të bukur. Shkova tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tregova se çfarë kishte ndodhur. I Dërguari Fisnik më tha:
“Nëse e pranon, ti do të hedhësh mbi shpinë një rrobë prej zjarri.”
Auf bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “I pata mësuar një burri diçka nga Kur’ani dhe ai më dhuroi mua një hark shumë të mirë. Kur i tregova të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ai më këshilloi duke më thënë:
“Shiko, o Auf, ti do që të takohesh me Allahun duke mbajtur midis dy shpatullave një copë nga zjarri i Xhehenemit?”
29. KËSHILLA E SAHABËVE PËR ATA QË LEXOJNË KUR’AN
Ja se si na e tregon Ebu Kinaneja: “Ebu Musai i mblodhi njëherë të gjithë ata që lexonin Kur’an. Bëheshin diku te treqind vetë. Pasi e puthi Kur’anin dhe tregoi gjithë respektin ndaj Kur’anit Famëlartë, Ebu Musai tha:
“Ky Kur’an është edhe një burim shpërblimi, edhe një shkak për një barrë shumë të rëndë për ju. Ju mos bëni asgjë tjetër, veçse binduni e përshtatuni Kur’anit; mos e identifikoni atë me veten tuaj. Kushdo që ndjek gjurmët e Kur’anit, Kur’ani atë ka për ta çuar në kopshtet e Xhenetit. E ai që identifikon Kur’anin me veten, duke e përshtatur atë sipas vetes, Kur’ani atë e hedh kokëposhtë në humnerat e Xhehenemit.”
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) thotë: “Një njeri që ndjek Kur’anin duhet të jetë i zgjuar, kur të tjerët flenë gjatë natës; kur të tjerët ulen e hanë gjatë ditës, ai duhet të jetë duke agjëruar; ai duhet të jetë kryelartë e serioz, kur të tjerët qeshin e argëtohen me njëri-tjetrin. Njerëzit e Kur’anit duhet të jenë të trishtuar e sytë duhet t’i kenë me lot. Duhet të jenë njerëz të urtë, të ditur e të butë dhe duhet të flasin sa më pak. Ata nuk duhet të jenë kurrsesi njerëz të ashpër, të përhumbur, që ulërijnë e këlthasin dhe nxehen e nevrikosen menjëherë.”
30. CILËSITË QË DUHET TË KENË ATA QË MERREN ME HADITHIN
Eslemi (radijallahu anhu) tregon: “Ne i thoshim Omerit (radijallahu anhu):
“A do të na flasësh për hadithet e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)?” Por ai na përgjigjej gjithmonë duke na thënë:
“Unë kam shumë frikë, se mos jua tregoj dhe gjatë tregimit shtoj apo heq ndonjë shkronjë nga fjalët e tij, sepse i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë kështu: “Kush gënjen në emrin tim, me qëllim, e ka vendin në Xhehenem.”
Amr bin Mejmuni (radijallahu anhu) tregon se: “Po ta pyesje Abdullah bin Mesudin (radijallahu anhu) në lidhje me sunetin e të Dërguarit Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), ai nuk të përcillte asgjë.
Një ditë ai po transmetonte një hadith që e kishte dëgjuar nga vetë i Dërguari i Allahut. Ende pa e nisur mirë fjalën, atë e mbërtheu një siklet; fytyra iu mbulua nga djersët. Por, Ibni Mesudi, kur tregonte për ndonjë gjë që kishte dëgjuar nga i Dërguari i Allahut, do të thoshte gjithmonë: ‘I Dërguari i Allahut tha diçka të ngjashme me këtë, apo ‘pak a shumë’ këtë...’”
31. SAHABËT, MË SHUMË SESA DIJES SË THATË, I JEPNIN RËNDËSI VEPRIMIT
Ja se çfarë thotë Enesi (radijallahu anhu): “Ju mësoni ç’dije të doni. Por ta dini mirë, se, nëse nuk i vini në veprim ato që dini, ju nuk përfitoni dot shpërblim prej saj...”
Aliu (radijallahu anhu) thotë: “O njerëz të ditur, vëreni në praktikë dijen tuaj. Njeri i ditur është ai dija e të cilit reflektohet edhe në jetën e tij dhe që nuk i bien ndesh ato që di me ato që bën. Në një të ardhme të afërt ju do të shihni njerëz, të cilëve dija nuk u kalon poshtë gurmazit.
Ata botën e brendshme e kanë krejt të kundërt nga bota që shfaqin jashtë. Kur mblidhen me njëri-tjetrin, ata nuk kanë qëllim vetëm se t’i mburren njëri-tjetrit. Madje ka disa prej tyre, të cilët mërziten dhe nervozohen që ndonjë nga shokët e tyre t’ia braktisin kuvendin, e t’i bashkohen hallkës së kuvendimit të ndonjë tjetri. Asgjë nga ajo që ata bëjnë nëpër këto kuvende nuk mbërrin tek Allahu; Ai nuk e pranon atë.”
Muadh bin Xhebeli (radijallahu anhu) thotë: “Ju mësoni ç’të doni, por për sa kohë që nuk do të veproni sipas asaj që dini, Allahu nuk ka për t’jua hapur juve portat e thesarit të dijes.”
32. TË NDJEKURIT E SUNETIT TË ÇMUAR, TË ECURIT NË RRUGËN E TË PARËVE TË MIRË DHE BRAKTISJA E STISJES SË GJËRAVE TË PAQENA NË FE
E tregon vetë Ibni Mesudi (radijallahu anhu): “Ditëve të enjte unë dilja përpara bashkësisë dhe u flisja për çështje të ndryshme. Unë u thosha atyre: ‘Në jetë ka dy gjëra, të cilat janë shumë të rëndësishme: njëra është udhëzimi, tjetra është fjala. Fjala më e drejtë është Fjala e Allahut, Kur’ani Famëlartë. E rruga e udhëzimi më i drejtë është rruga nëpër të cilën ka ecur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Nuk ka gjë më të keqe e më të shëmtuar sesa stisja e gjërave të paqena në fe, që përpiqen t’i bëjnë pjesë të fesë. Çdo sajesë është një devijim nga feja. Nëse zhyteni shumë thellë në jetën e kësaj bote, zemra do t’ju ngurtësohet. Si dhe të mos ju gënjejë kurrsesi ndjesia se do të qëndroni përjetësisht në këtë botë...”
Po ashtu Ibni Mesudi (radijallahu anhu), njëherë tjetër, ka thënë kështu: “Ju do të gjeni dikë e do ta merrni si shembull, ndaj, kur ta bëni këtë, si shembull për veten zgjidhni sahabët e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), sepse ata janë më të sinqertët e këtij umeti dhe ata e kanë edhe dijen më të thellë. Ata i kanë qëndruar larg teprimit dhe do të shihni se ata sillen tejet natyrshëm me çdokënd. Ata jo vetëm janë në më të drejtën e rrugëve, që mund të ndjekë një njeri, por janë po ata që kanë arritur gjendjen më të mirë njerëzore. Secili prej tyre është një personalitet i veçantë, që Allahu e ka zgjedhur për të mëkëmbur fenë, si edhe për t’i bërë shoqëri Profetit të Tij. Ja, me këto cilësi të arrira e të epërme t’i njihni ata dhe mos ngurroni që t’i ndiqni me përpikëri, sepse ata janë në më të drejtën rrugë.”
33. SAHABËT RUHEN NGA NDJEKJA E PIKËPAMJEVE TË PABAZA
E transmeton Ibni Shihabi, duke thënë: “Omeri (radijallahu anhu) ishte ngjitur mbi minber dhe po u fliste njerëzve:
“O njerëz! Pikëpamja personale është diçka që vetëm i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mund ta kishte; sepse atij ia mësonte dhe ia tregonte të vërtetat vetë Allahu. Ndërsa pikëpamjet tona nuk janë vetëm se pandehma dhe stisje.”
Tregon Sadaka bin Ebu Abdullahu: “Omeri (radijallahu anhu) gjithmonë na thoshte:
“Ata që shprehin pikëpamjet e tyre të pabaza, që nuk i mbështetin ato në një burim, janë, në fakt, kundërshtarë të sunetit. Ata nuk e kanë kuptuar e nuk e kanë përvetësuar dot Sunetin e Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), duke humbur një mundësi të rrallë. Jo vetëm kaq, por, po t’i pyesësh këta njerëz në lidhje me ndonjë çështje, atyre u vjen turp që të thonë: ‘Jo, nuk e dimë këtë.’ Ata duan të përballen me sunetin me pikëpamjet e tyre personale. Aman, kini kujdes nga të tillë njerëz.”
Ibni Abasi (radijallahu anhu) ka thënë: “Rruga jonë e mirëfilltë janë Libri i Allahut të Madhërishëm, Kur’ani, dhe Suneti i Profetit tonë (paqja e Zotit qoftë mbi të). Unë nuk e di se çfarë do të fitojnë disa njerëz nga pikëpamjet e tyre personale, shpërblime apo mëkate, kur ne kemi fare mirë Kur’anin dhe Sunetin.”
34.GJYKIMET E SAHABËVE
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë: “Nëse ju pyet ndokush, për t’ju kërkuar që të jepni gjykimin tuaj lidhur me ndonjë çështje, atëherë gjykoni sipas librit të Allahut. Nëse përgjigjja e asaj pyetjeje nuk ju shfaqet në Kur’an, atëherë gjykoni sipas Sunetit të të Dërguarit të Allahut. Nëse ajo është një çështje, përgjigjja e së cilës nuk është as në Kur’an, as në Sunet, atëherë kërkojuni mendim njerëzve të mirë. Por, nëse edhe prej tyre nuk gjeni një përgjigje, atëherë gjykoni vetë; mos u druani ta bëni këtë gjë.”
Abdurrahman bin Ebi Lejla tregon: “Unë jam takuar me thuajse njëqind sahabë të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Secili prej tyre, kur transmetohej ndonjë hadith, u kërkonte mendim edhe sahabëve të tjerë për ta aprovuar; kur kishte nevojë për t’u dhënë ndonjë gjykim, kërkonte mendimin edhe të sahabëve të tjerë, nëse do t’ia pranonin atë gjykim, apo jo.”
35.SHKALLËT E NDRYSHME TË DIJES TE SAHABË TË NDRYSHËM
Tregon Mesruku: “Unë kam ndenjur shumë me sahabët e të
Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem); kam biseduar gjerë e gjatë me ta. E kam parë vetë me sytë e mi dhe e kam dëgjuar me veshët e mi, vërtet, ata ishin të gjithë të thellë porsi oqeanet. Kishte prej tyre që ishin aq të ditur, saqë mund të përmbushnin nevojën e çdokujt për dije. Kishte prej tyre të atillë që mund të jetësonin, njëri dhjetë, njëri njëqind njerëz, madje kishte syresh që do të mjaftonin më vete për t’i dhënë jetë me dije mbarë njerëzimit. Ja pra, një nga këta ishte edhe Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu).”
36.DIJETARËT ME FRYMËZIME PREJ ALLAHUT DHE DIJETARËT E KËQIJ NË SYRIN E SAHABËVE
Tregojnë se Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) u thoshte nxënësve të tij kështu: “Bëhuni burime të dijes; shndërrojeni veten në kandila të udhës e udhëzimit të drejtë; të mbani disa shtëpi; përhapni dritë përreth, njësoj siç bëjnë edhe kandilat e ndezur. Vërtet, teshat mund t’i keni të vjetruara, por kjo nuk ka as më të voglën rëndësi. E rëndësishme është që ju t’i keni zemrat të pastra, të kulluara dhe të qashtra. Edhe nëse nuk do t’ju njohë askush në këtë botë, banorët e qiejve ju njohin mjaft mirë dhe të mos keni dyshim që kanë për t’ju dhënë vlerën që meritoni.”
Sufjan bin Ujejneja thotë: “Ne na u përcoll se Ibni Abasi (radijallahu anhu) kishte thënë kështu: Ne na është treguar se Ibni Abasi (radijallahu anhu) ka thënë:
“Nëse njerëzit do ta përvetësonin dijen në mënyrën e duhur dhe do të vepronin sipas saj; Allahu, engjëjt dhe robërit e mirë të Tij i duan njerëzit e ditur, madje edhe populli i respekton ata. Por, fatkeqësisht, duke qenë se ata e mësojnë dijen për të fituar më shumë të mira prej kësaj bote, meritojnë edhe përbuzjen e Allahut, edhe fyerjet e njerëzve.”
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) ka thënë:
“Kur të vijë koha që njerëzit e vegjël të bëhen mendjemëdhenj e të shiten për të madh dhe të mëdhenjtë të moshohen e të mos kenë më ndikim, gjendja juaj do të jetë për të ardhur keq! Për të ardhur keq do të jeni edhe kur të braktiset Suneti e të dynden sajesat në fe, e sapo të përmendet Suneti i vërtetë të thuhet: ‘Nuk mund të ketë diçka të tillë, është e papranueshme!’...” E pyetën:
“Kur do të ndodhin këto që po na thoni?”, – dhe Ibni Mesudi (radijallahu anhu) dha këtë përgjigje:
“Kur të pakësohen njerëzit e besueshëm, të shtohen drejtuesit, të pakësohen njerëzit e mirëfilltë të fesë, por të shtohet numri i atyre që lexojnë dhe e mësojnë përmendësh Kur’anin dhe feja të mësohet jo me qëllimin për t’i shërbyer asaj, por për gjithfarë qëllimesh të tjera.”
Në një transmetim tjetër do të gjejmë edhe diçka më shumë, ku thuhet edhe: “Kur populli t’i pranojë sajesat e reja në fe si Sunet dhe një të tentuar dikush për t’i zhdukur ato sajesa, njerëzit të ulërijnë e të ankohen: ‘Aman, po na humbet Suneti!’”
Ebu Osman En-Nehdi tregon: “Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) po na fliste nga minberi e po na thoshte:
“Bëni kujdes nga hipokritët e ditur!” Të habitur, besimtarët e pyetën:
“Si mund të jetë i ditur një hipokrit?” Dhe Omeri (radijallahu anhu) u përgjigj:
“Ndodh, thotë të vërtetën, por vetë bën të kundërtën.”
37.ZHDUKJA DHE HARRESA E DIJES
Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) pyeti:
“A e dini ju se si do të dobësohet Islami?”
“Njëlloj siç zbehet ngjyra e stofit të veshjeve, njësoj siç humbet gjurma e devesë, ose njësoj siç fshihen shkrimet e ngulitura mbi para prej kalimit dorë më dorë.”, – u përgjigjën ata. Ibni Mesudi i përgëzoi dhe u tha:
“E drejtë, por e dini cila është më e rëndësishmja: vdekja e dijetarëve.”
Rrëfen Amar bin Ebu Amari (radijallahu anhu): “Në kohën kur vdiq Zejd bin Thabiti (radijallahu anhu) ne shkuam tek Ibni Abasi (radijallahu anhu), i cili ishte ulur në hijen e një ndërtese. Ibni Abasi na foli:
“Ja, kështu humbet dija dhe fillon dalëngadalë të humbasë. Kushedi se sa dije u varros sot bashkë me trupin e tij.”
Nga Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) është përcjellë një transmetim, në të cilin thuhet: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) lutej:
“O Zot, unë vetëm tek Ti mund të kërkoj ndihmë e mbrojtje nga katër gjëra: dija e padobishme, zemra që nuk drithërohet nga respekti për Allahun e Madhërishëm, nga egoja që nuk ka të ngopur dhe nga lutja e papranuar.”
Shënimet
- 537.. Mundhiri, et-Tergib, 1/52 (108).
- 538.. Tirmidhi, Sunen, 5/50 (2685).
- 539.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/79.
- 540.. Ibnu’l-Xheuzi, Sifetu’s-Safue, 1/629.
- 541.. Mundhiri, et-Tergib, 1/54 (115).
- 542.. Buhari, Sahih, 1/55 (118).
- 543.. Buhari, Sahih, 3/1359 (3505).
- 544.. Buhari, Sahih, 1/42 (79).
- 545.. Muslim, Sahih, 1/69 (80).
- 546.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 1/420 (808).
- 547.. Tirmidhi, Sunen, 4/591 (2382).
- 548.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 6/280 (8154).
- 549.. El-Hakim, Mustedrek, 4/513 (8440).
- 550.. Ibn Maxhe, Sunen, 1/23 (61).
- 551.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/466 (4216).
- 552.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/465 (4213).
- 553.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/327.
- 554.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 1/477 (1366).
- 555.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/22 (1618).
- 556.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/257 (22336).
- 557.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 4/174.
- 558.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/332 (3834).
- 559.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/762 (4993).
- 560.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/798 (5095).
- 561.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/756 (13841).
- 562.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 5/240.
- 563.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/514.
- 564.. Buhari, Sahih, 1/226 (605).
- 565.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/186 (21658).
- 566.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/182 (21627).
- 567.. El-Hakim, Mustedrek, 3/303 (5181); Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/164.
- 568.. El-Hakim, Mustedrek, 3/245 (4979).
- 569.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/174.
- 570.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/172.
- 571.. Taberani, Mu’xhemu’l-Eusat, 8/114 (8133).
- 572.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 5/185.
- 573.. Ibn Abdi’l-Berr, Xhamiu Bejani’l-Ilm, 2/194.
- 574.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 1/358 (599).
- 575.. Tirmidhi, Sunen, 5/30 (2650).
- 576.. Ibn Maxhe, Sunen, 1/91 (248).
- 577.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/301 (28873).
- 578.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 7/57 (9446).
- 579.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 6/108 (5656).
- 580.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/256 (22265).
- 581.. Buhari, Sahih, 5/2355 (6048).
- 582.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/77.
- 583.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/463 (29348).
- 584.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/519 (29508).
- 585.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/522 (29517).
- 586.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/523 (29520).
- 587.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 1/397 (734).
- 588.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/317.
- 589.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 1/393 (723).
- 590.. Muslim, Sahih, 1/260 (332).
- 591.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 1/404 (754).
- 592.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 25/114 (284).
- 593.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/581 (37561).
- 594.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/130.
- 595.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/397 (4016).
- 596.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/426 (4096).
- 597.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/156.
- 598.. El-Hakim, Mustedrek, 1/183 (347).
- 599.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/459 (4194).
- 600.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/466 (4214).
- 601.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/257.
- 602.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/130.
- 603.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/510 (29481).
- 604.. El-Hakim, Mustedrek, 3/355 (5374).
- 605.. Munaui, Fejdu’l-kadijr, 3/253 (3323).
- 606.. Darimi, Sunen, 1/118 (382).
- 607.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/214.
- 608.. Ibnu’l-Xheuzi, Sifetu’s-Safue, 1/409.
- 609.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/305.
- 610.. Ebu Daud, Sunen, 2/326 (3586).
- 611.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/482 (29406).
- 612.. Ibn Abdi’l-Berr, el-Istiab, 2/136.
- 613.. Nesai, Sunen, 8/230 (5398).
- 614.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 6/110.
- 615.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/159.
- 616.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/77.
- 617.. Ibn Maxhe, Sunen, 1/95 (257).
- 618.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 5/361 (6951).
- 619.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 10/479 (29395).
- 620.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 1/473 (990).
- 621.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/177.
- 622.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/283 (14055).