JETA E SAHABËVE 2

Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba

Muhamed Jusuf Kandehleui

MORALI DHE PAMJA E JASHTME E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE E SAHABËVE TË TIJ

Cili ishte morali i Profetit tonë të nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe e sahabëve të tij, çfarë jetese kishin ata? Si silleshin sahabët në marrëdhëniet e tyre shoqërore? Si ishin dhe në ç’shkallë arrinin dashuria, respekti, dhembshuria dhe mëshira, thjeshtësia dhe modestia, mirësjellja, të mosmenduarit për veten para të tjerëve dhe bujaria, lidhja e fortë me të drejtën dhe të vërtetën, durimi, dorëzimi i plotë i vetes tek Allahu, shakatë, humori, të qarët dhe të qeshurit, të ngrënët, të pirët, veshja, kujdesi për veten, serioziteti, nervozizmi dhe xhelozia, marrëdhëniet e tyre me gratë, burrat dhe fëmijët; si arrinin ata të kalonin aq mirë me të gjithë?

1. MORALI I TË DËRGUARIT FISNIK

Çfarë thoshte Aishja (r.a.) në lidhje me moralin e të Dërguarit të Allahut

Sa’d bin Hishami (radijallahu anhu) tregon: “E pyeta nënën e mbarë besimtarëve, Aishen (radijallahu anha):

“A do të më flasësh për moralin e Profetit tonë të nderuar?” Ajo m’u përgjigj duke më pyetur:

“Po ti, nuk e lexon Kur’anin?”

“Patjetër që e lexoj!”, – thashë unë.

“Epo, morali i tij ishte vetë Kur’ani.”, – tha ajo.”

Çfarë ka thënë Zejd bin Thabiti lidhur me këtë temë

Tregon Harixhe bin Zejdi: “Te babai im, Zejd bin Thabiti (radijallahu anhu), erdhi një grup prej pesë a dhjetë vetash dhe i thanë:

“Kemi ardhur që të na flasësh rreth moralit të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).” Babai im filloi t’u fliste:

“Unë isha fqinj me të Dërguarin e Allahut. Kur i zbriteshin ajete kur’anore, ai më dërgonte fjalë të shkoja tek ai. Shkoja dhe e shkruaja menjëherë ajetin që i ishte zbritur. Kur ne flisnim për këtë botë, edhe ai na fliste për këtë botë; kur zinim e flisnim për jetën e përtejme, edhe ai fillonte e na fliste neve për jetën e përtejme. Nëse flisnim për ushqimit, edhe ai për ushqimet na fliste. Ja pra, këto sa ju thashë flasin për moralin e tij.”

Vëzhgimet dhe bindja e Enesit (r.a.) lidhur me këtë çështje

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte njeriu më i edukuar dhe më i mirësjellshëm. Një mëngjes të ftohtë tek ai vijnë një shërbyese dhe një fëmijë, që t’i sjellin ujin për të marrë abdes dhe ai nuk i kthente kurrë pas, i pranonte, pasi nuk donte të mërziste askënd. Kur dikush e pyeste për ndonjë gjë, ai e dëgjonte me tërë qenien e tij. Dhe pa u larguar ai që kishte ardhur për ta pyetur, ai nuk ikte kurrë i pari. Nëse dikush do ta mbante të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) përdore, Resulullahu nuk e lëshonte kurrë dorën e tjetrit i pari, pa e lëshuar ai vetë më parë.”

Enesi (radijallahu anhu), tregon: “Unë i kam shërbyer të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për dhjetë vite me radhë. Ai mua nuk më pati qortuar kurrë as kur jam vonuar për ta përfunduar ndonjë gjë, as kur nuk e kisha zbatuar siç duhej ndonjërën prej porosive të tij. Edhe kur më ka qortuar ndonjë nga familja e tij, ai u thoshte atyre:

“Lëreni të qetë. Ajo punë do të ishte bërë, nëse për të do të ishte caktuar që të bëhej.”

E tregon po Enesi (radijallahu anh): “Pasi Profeti ynë u falte besimtarëve namazin e sabahut, aty vinin të gjitha sa shërbenin nëpër shtëpitë e Medinës, sillnin enët të mbushura me ujë dhe i vinin përpara të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ai fuste dorën në enët e sjella, madje këtë e bënte edhe kur mëngjesi dhe uji ishte shumë i ftohtë, nuk bezdisej, sepse nuk donte që njerëzit të mërziteshin.”

Bindja e Ebu Hurejres (r.a.) për këtë gjë

Ebu Hurejreja tregon vetë: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), kur shtrëngonte dorën me ndokënd, Ai nuk e tërhiqte dorën e vet pa e tërhequr tjetri më parë. Kur ulej me të tjerë, ai kujdesej që të ulej në të njëjtën vijë me të tjerët as më para, as më mbrapa. Kur takohej me ndokënd, kthehej me gjithë trupin dhe nuk kthehej, për t’u larguar, pa e mbaruar fjalën personi me të cilin po bisedonte.”

Profeti ynë, sa herë që i propozoheshin dy punë, zgjidhte gjithmonë atë që ishte më e lehtë

Aishja (radijallahu anha) ka thënë: “Profeti ynë, sa herë që i kërkohej të zgjidhte mes dy punësh të ndryshme, për sa kohë që nuk ishin të ndaluara, do të zgjidhte medoemos atë që ishte më e lehtë. Nëse ishte ndonjë punë e gabuar, personi që i qëndronte asaj më larg se çdokush tjetër ishte Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të). Resulullahu nuk është hakmarrë kurrë për veten. Vetëm kur nëpërkëmbeshin ligjet e Zotit, ja, atëherë ai ngrihej dhe hakmerrej për Zotin.”

Aishja (radijallahu anha), në një transmetim tjetër, shprehet: “Përveç rasteve të luftës, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk ka qëlluar kurrë askënd me dorë. Nëse do ta lije të lirë, për të zgjedhur mes dy punësh, ai zgjidhte atë që ishte më e lehtë, për sa kohë që asnjëra prej tyre nuk ishte e ndaluar prej Islamit. Nëse ishte e ndaluar, atëherë ai ishte njeriu që i qëndronte mëkatit më larg se kushdo tjetër.”

Një transmetim tjetër në lidhje me moralin e lartë të Profetit tonë

E transmeton Ebu Abdullah el-Xhedeliu: “E pyeta Aishen (radijallahu anha) për moralin e të Dërguarit të Zotit. Ajo më dha këtë përgjigje:

- “Resulullahu nuk thoshte kurrë asnjë fjalë të keqe. Nuk dilte të fliste me zë të lartë dhe nuk u bërtiste njerëzve në rrugë. Nuk i përgjigjej asnjëherë të keqes me të keqe, e falte të keqen dhe i afrohej me tolerancë keqbërësit.”

2. MORALI I SAHABËVE FISNIKË

Morali i bukur i Omerit (r.a.)

Tregon Ibni Omeri: “Kur Omeri i nderuar (radijallahu anh) nevrikosej, nëse pranë tij ndodhej dikush që do të përmendte Allahun, apo do ta trembte duke i përmendur ndëshkimin e ashpër të Allahut, apo nëse do të këndohej ndonjë ajet i Kur’anit, ai do të hiqte medoemos dorë nga ajo që kishte vënë në mendje të bënte.”

Morali i bukur i Musab bin Umejrit

Këtë e tregon Amir bin Rabia: “Musab bin Umejri, që nga dita që pranoi Islamin dhe u bë mysliman, e deri në ditën që u vra dhe ra dëshmor në Uhud, ishte një nga shokët e miqtë e mi më të mirë.

Ai ka qenë me ne në të dyja mërgimet, si për në Abisini, ashtu edhe në Medinë. Në të dyja këto mërgime ne ishim shokë rruge me njëritjetrin. Në jetën time unë nuk kam parë ndonjëherë njeri me një sjellje aq të mirë dhe që të ketë shkuar aq mirë, pa pasur as problemin më të vogël, me të gjithë.”

Morali i bukur i Abdullah bin Mesudit

E tregon Habe bin Xhuejni: “Një ditë ishim tek Aliu (radijallahu anhu) dhe i përcollëm atij disa fjalë që i kishte thënë Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu). Ata që ishin aty gjatë asaj bisede nisën të lavdëronin Abdullah bin Mesudin, duke i thënë Aliut të nderuar:

“O Prijësi i Besimtarëve! Ne nuk kemi parë ndonjëherë ndonjë njeri që të ketë pasur sjellje më të mirë sesa ajo e Ibni Mesudit, që ishte aq i butë kur u mësonte të tjerëve ndonjë gjë, që sillej aq mirë me shokët e vet dhe që, për më tepër, ishte aq shumë i devotshëm karshi Allahut të Madhërishëm.” Aliu (radijallahu anhu) i dëgjoi njëherë deri në fund, pastaj u tha:

“Pa më thoni, për hir të Allahut, a jeni të sinqertë në këto që po më thoni?”

“Po!”, – u përgjigjën ata.

“O Zot, Ty të kam lënë dëshmitar për të gjitha këto,”, – tha Aliu (radijallahu anhu), – “sepse unë them të njëjtat gjëra, madje edhe më shumë se kaq, për Ibni Mesudin.”

3. BUTËSIA DHE TOLERANCA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE E SAHABËVE TË TIJ

I Dërguari i Allahut ishte shumë mirëkuptues dhe falës karshi njerëzve

Tregon Abdullahu: “Me të përfunduar lufta e Hunejnit, i Dërguari i

Allahut (alejhis’selam) u shpërndau disa vetëve plaçkë lufte më shumë

sesa u takonte. Për shembull, Akra’ bin Habisit i pati dhënë njëqind deve. Po të njëjtën sasi i pati dhënë edhe Ujejnes. Edhe të tjerëve u dha nga aq sa ç’e pa edhe më të arsyeshme. Kur, papritur, u shfaq një burrë dhe tha:

“Kjo ndarje nuk është ndarja me të cilën do të ishte i kënaqur Allahu.”

“Unë do të shkoj menjëherë t’ia përcjell të Dërguarit të Allahut këtë që ti sapo the!”, – i thashë unë atij dhe atë bëra, shkova drejt e te Resulullahu dhe ia tregova të tëra një për një. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:

“Zoti e mëshiroftë Musain. Ai pati pasur më shumë vuajtje e pati hequr edhe më keq se kaq; por, prapëseprapë pati bërë durim.”12

Qëndrimi i të Dërguarit të Allahut ndaj Dhulhuejsires

Tregon Ebu Saidi (radijallahu anhu): “Kur i Dërguari i Allahut po u ndante besimtarëve plaçkën e luftës, ne po qëndronim pranë tij. Në ato çast aty erdhi një person i quajtur Dhulhuejsire, i cili i përkiste fisit të bijve të Temimit, dhe tha:

“Ji i drejtë, o i Dërguari i Zotit!”

“Mjerë për ty, çfarë thua? Po kush do të jetë i drejtë po nuk qeshë unë?! Unë jam i marrë fund, nëse nuk tregohem i drejtë!”, – i tha atij i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).

Omeri (radijallahu anhu) iu hakërrye menjëherë atij burri, duke thënë:

“Më jep leje, o i Dërguari i Allahut, t’ia këpus qafën!” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:

“Lëre atë, sepse si ai ka shumë, të cilëve, nëse do t’ua shihnit namazin që falin dhe agjërimin që mbajnë, namazi dhe agjërimi juaj do t’ju duket shumë pak. Madje ata lexojnë edhe Kur’an, por Kur’ani nuk u kalon poshtë gurmazit. Me një fjalë, ata nuk i vënë në jetë ajetet që lexojnë në Kur’an. Tipat si këta, do të vijë dita dhe njësoj si shigjeta që godet në dërrasën e qitjes, do ta braktisin Islamin, duke u kthyer nga feja e Zotit...”13

12. Buhari, Sahih, 3/1148 (2981).

13 4/362.

Si u tregua i Dërguari i Allahut aq i butë ditën që vdiq Ibni Ubeji

Tregon Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu): “Në kohën që vdiq Abdullah bin Ubej bin Seluli, i biri i tij erdhi tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:

“Ma jep mua këmishën tënde, o i Dërguari i Allahut, që ta varros atë të mbuluar me këmishën tënde. Si edhe, a do të dilnit ju imam për t’ia falur atij namazin e xhenazes dhe t’i luteni Allahut që ta falë. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:

“Më dërgoni fjalë, sepse do të vij t’ia fal unë namazin e xhenazes.” Kur erdhi lajmi i vdekjes së tij, Omeri (radijallahu anhu) u përpoq që ta pengonte Profetin tonë të nderuar, që ai të mos merrte pjesë në varrimin e atij njeriu. Madje, ai arriti gjer aty sa t’i thoshte atij:

“A nuk ta ndaloi ty Zoti faljen e namazit të xhenazes së hipokritëve?” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u përgjigj:

“Unë u lashë i lirë ta bëj vetë zgjedhjen kësaj here.”, – duke i kënduar Omerit të nderuar (radijallahu anhu) dhe ajetin kur’anor:

“U lute për ta apo nuk u lute (o Muhamed), Allahu nuk do t’i falë, edhe sikur ti të kërkosh falje për ta shtatëdhjetë herë! Kjo sepse ata e mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të mbarë njerëzit e pabindur.” (Teube, 9/72) Shkoi, fali namazin e xhenazes dhe menjëherë pas namazit u zbrit ky ajet i sures “Teube”:

“Askujt prej hipokritëve, kur të vdesin, mos ia fal xhenazen, as mos rri afër varrit të hipokritit, sepse ata e kanë mohuar Allahun dhe të

Dërguarin e Tij dhe qëndruan të pabindur deri në vdekje.” (Teube,

9/84)

I Dërguari i Allahut nuk nxehet as me atë që i kishte bërë magji

E tregon Zejd bin Erkami: “Ishte një hebre, që i kishte bërë magji të Dërguarit të Allahut. Për pasojë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u sëmur. Xhibrili (alejhis’selam) erdhi dhe e njoftoi: “Një hebre të ka bërë një magji. Gjërat që i lidhi nyje i ka hedhur në pusin që gjendet në aksh vend. Dërgo dikë, ta nxjerrë atë nyje që atje dhe të ta sjellë ty.” Profeti ynë i nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të) për këtë punë dërgoi Aliun (radijallahu anhu). Aliu (radijallahu anhu) e nxori magjinë nga pusi dhe e solli te Profeti ynë, i cili e zgjidhi nyjën. Kur e zgjidhi nyjën Profeti ynë filloi të shpëtonte nga shqetësimet që ndiente, sikur të ishte duke shpëtuar nga litarë të lidhur pas trupit dhe u qetësua. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk i tha asgjë atij hebreu që i pati bërë magji. Madje, deri ditën që u nda nga kjo jetë ai nuk ia bëri kurrë të ditur që e dinte për atë magji.”

Dërguari i Allahut nuk nxehet me atë grua që i dha të hante mish të helmuar deleje

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “Një grua hebreje nga Hajberi skuqi ca mish për të Dërguarin e Allahut dhe para se t’ia çonte e helmoi, pastaj ia çoi përpara. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) hëngri një copë nga ai mish, madje pati edhe nga sahabët që hëngrën prej tij. Pastaj Resulullahu u tha sahabëve të tij:

“Se mos vazhdoni të hani nga ai ushqim, hiqini duart!” I Dërgoi fjalë asaj gruaje që pati sjellë mishin dhe e pyeti:

“Ti i hodhe helm mishit të deles që na solle për të ngrënë, apo jo?”

“Kush të njoftoi ty se e pata helmuar mishin?”, – e pyeti ajo grua Resulullahun, kur ai i tha:

“Ky mish më njoftoi vetë që ishte i helmuar.”, – pastaj, në vazhdim, i tha asaj gruaje:

“Po pse e bëre diçka të këtillë?”

“E bëra për të kuptuar, nëse je vërtet një profet, apo jo.”, – u përgjigj gruaja.

-“Mendova se, nëse ti do të ishe vërtet një profet, atëherë ishte e pamundur që ai helm të të bënte dëm. Por, nëse do të ishe një gënjeshtar, unë do t’i kisha shpëtuar njerëzit prej teje.” Kësisoj, Resulullahu i nderuar e fali atë grua dhe nuk e ndëshkoi.”16

Dërguari Fisnik e fal një grup kurejshësh që donin ta sulmonin ditën e Hudejbijes

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Në ditën e Hudejbijes, tetëdhjetë mekas të armatosur deshën t’i bënin pritë Resulullahut në anën e malit të Ten’imit dhe ta sulmonin me t’u afruar myslimanët; i Dërguari i Allahut u lut kundër tyre dhe ata u kapën të gjithë, e i sollën përpara tij. Profeti ynë i nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi të) nuk i ndëshkoi ata, por i fali. Fill pas kësaj u zbrit ky ajet i sures “Fet’h”: “Është Ai që i ka penguar duart e tyre ndaj jush dhe duart tuaja ndaj tyre brenda në Mekë, pasi ju dha fitoren mbi ata. Allahu i sheh të

gjitha çfarë bëni ju.” (Fet’h, 48/24)

4. THELLËSIA E DHEMBSHURISË DHE MËSHIRËS SË TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE E SAHABËVE TË TIJ

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Nis të fal namaz dhe kam qejf që namazin njerëzve t’ua fal sa më gjatë. Nganjëherë dëgjoj ndonjë të qarë foshnje dhe përpiqem të mos e zgjas më shumë, sepse unë e ndiej vetë, në trupin tim, atë vuajtje që ndien nëna kur dëgjon zërin e të qarën e foshnjës së saj.”

Dhembshuria e sahabëve

Tregon Esmaiu: “Disa besimtarë shkuan njëherë tek Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) dhe iu lutën që të shkonte njëherë tek Omeri (radijallahu anhu) dhe t’i kërkonte atij të tregohej pak më i butë me njerëzit. Ata thanë se edhe vajzat pas perdes i zë frika kur dëgjojnë zërin e tij. Kur Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) ia përcolli Omerit (radijallahu anhu) këto shqetësime vetë, Omeri i tha:

- “Për Zotin, sikur ta dinin ata se sa shumë dhembshuri dhe mëshirë ushqej unë ndaj tyre në të vërtetë, ata do të m’i kishin marrë edhe këto rroba që kam në trup.”

5. NDJENJA E TURPIT TEK I DËRGUARI I ALLAHUT

Përshkrimi që i bën Ebu Said el-Hudriu ndjenjës së turpit tek i Dërguari i Allahut

Tregon Ebu Saidi: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte edhe më i turpshëm se sa një vajzë e virgjër në natën e parë të martesës së saj. Aq sa, kur nuk i pëlqente diçka, i dallohej menjëherë në fytyrë.”

Profetit tonë i vinte zor që t’ua përplaste sahabëve në fytyrë bëmat e tyre

Enes bin Maliku (radijallahu anh) tregon: “Një ditë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) pa disa njolla të verdha mbi trupin e një burri dhe kjo nuk i pëlqeu aspak. Kur u bë gati për t’u larguar prej andej, u tha atyre që kishte pranë:

“Sikur t’i thoshit atij njeriu atje tej, e ta lante, ta pastronte, atë njollë të verdhë që ka mbi trup!” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur nuk i pëlqente diçka te dikush, Atij i vinte zor që t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë.”

Si e përshkruan Aishja (r.a.) ndjenjën e zorit që mbizotëronte te Profeti ynë i nderuar

Aishja (radijallahu anha) thotë se: “Kur Profeti ynë dëgjonte dikë që thoshte diçka për dikë tjetër, nuk thoshte: ‘Ç’punë ka aksh njeri që thotë këtë, apo atë!’, por na thoshte: ‘Çfarë kanë disa njerëz që thonë kështu, apo ashtu!’”22

Sipas transmetimit të përcjellë nga Tirmidhiu, Aishja (radijallahu anha) ka thënë:

“Unë nuk i kam parë kurrë pjesët intime të trupit të Profetit tonë.”, ose: “Unë nuk e kam parë kurrë Resulullahun në pjesët intime

të trupit të tij.”

6. NDJENJA E TURPIT TE SAHABËT FISNIKË

Ndjenja e turpit tek Osmani (r.a.)

Tregon Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Një ditë, megjithëse Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte në shtëpi me Aishen (radijallahu anha), ishte në pjesën e pasme, Ebu Bekri (radijallahu anhu) kërkoi leje të hynte dhe u fut brenda. Pas tij hyri brenda edhe Sa’d bin Maliku. Kur hynë këta, Resulullahu e kishte kupën e gjurit të zbuluar dhe po fliste me ta. Pastaj erdhi Osmani (radijallahu anhu), kërkoi leje të hynte pranë Profetit të nderuar. Resulullahu mori rrobën dhe mbuloi pjesën e kupës së gjurit, që kishte mbetur e zbuluar, ndërsa të shoqes i tha:

“Futu brenda!” Pasi folën për njëfarë kohe, ata u larguan të gjithë. Atëherë, Aishja (radijallahu anha) e pyeti të Dërguarin e Allahut:

“O i Dërguari i Allahut! Kur hyri babai me shokët e tij, ti jo vetëm që nuk e mbulove pjesën e zbuluar të kupës së gjurit, por as mua nuk më kërkove që të largohesha, pse e bëre këtë?” Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u përgjigj:

“Po si, të mos më vijë mua turp përpara një njeriu, prej të cilit u vjen zor edhe engjëjve? Betohem tek Allahu, në dorën e fuqisë së të Cilit është edhe fryma ime, se engjëjve u vjen turp nga Allahu, nga i Dërguari i tij, por u vjen turp edhe nga Osmani. Nëse Osmani do të hynte brenda dhe ti do të qëndroje pranë meje, ai, jo vetëm që nuk do të fliste asnjë fjalë, por as kokën nuk do ta ngrinte nga toka.”

Ndjenja e të ardhurit zor e Eshexh bin Abdu’lkajsit

E transmeton Eshexh bin Abdulkajsi (radijallahu anhu): “Një ditë, Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) më tha mua:

“Eshexh, ti ke dy cilësi që Allahu dhe i Dërguari i Tij i duan shumë.” - “Cilat janë ato, o Resulullah?”, – e pyeta unë menjëherë.

“Je shumë i butë dhe ke një ndjenjë shumë të fortë të të ardhurit zor!”

“Po, a i kam ato pjesë të natyrës sime, apo i kam përftuar më vonë?”, – e pyeta unë.

“Ti i ke të natyrshme ato, o Eshexh.”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut.

Atëherë unë nuk kisha se ç’të thosha, veçse: “Lëvduar qoftë Allahu i Madhërishëm, që më ka krijuar mua me dy cilësi kaq të mira.”

7. THJESHTËSIA DHE MODESTIA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE SAHABËVE

Një ngjarje që ka ndodhur mes të Dërguarit të Allahut dhe Xhibrilit (alejhis’selam)

Tregon Ebu Hurejreja: “Xhibrili (alejhis’selam) ishte ulur pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Mesa duket pa një engjëll teksa zbriste nga qielli, sepse i nguli sytë në drejtim të kaltërsisë dhe tha:

“Qëkurse është krijuar ky engjëll nuk ka zbritur asnjëherë më parë mbi Tokë.” Engjëlli i ardhur tha:

“O Muhamed! Mua më ka dërguar Zoti të të pyes. Ti do të jesh një profet mbret, apo një profet rob?” Nga ana tjetër qëndronte Xhibrili (alejhis’selam), që i thoshte:

“O Muhamed! Ji sa më i thjeshtë përpara Zotit tënd.” Andaj, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u përgjigj duke thënë:

“Unë dua të jem një profet rob.”

Aishja (radijallahu anha) thotë se: “Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që nga dita që zbriti ai engjëll dhe ai zgjodhi të ishte më mirë një profet rob, ai nuk hëngri më bukë i mbështetur, madje thoshte:

“Unë ha siç hanë skllevërit e robërit dhe ulem siç ulen skllevërit e robërit.” Fjalët që ka thënë Ebu Umame el-Bahiliu në lidhje me thjeshtësinë e të Dërguarit të Allahut

Tregon Ebu Galibi: “Ne i kërkuam Ebu Umames (radijallahu anhu):

“Na trego ndonjë prej haditheve që i ke dëgjuar vetë nga goja e Profetit tonë.” Ai na tha:

“Fjalët që fliste Profeti ynë nuk ishin veçse fjalët e Kur’anit. Ai e përmendte jashtëzakonisht shumë Allahun (xhel’le xhelaluhu), hutbet i mbante të shkurtra, ndërsa namazin e falte gjatë. Nuk druhej kurrë që të ikte pas një të skamuri a nevojtari, për t’u përmbushur atyre ndonjë nevojë, për të cilën ata i kërkonin ndihmë.”

Resulullahu dhe një grua me natyrë të keqe

E tregon Ebu Umameja (radijallahu anhu): “Ishte një grua që qëndronte me burrat. Përdorte shumë fjalë të pista. Një ditë, ajo erdhi pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i cili po hante therijd dhe tha:

“Shikojeni pak këtë, ulet të hajë siç hanë skllevërit!” I Dërguari i Allahut iu përgjigj duke e pyetur:

“E kush skllav mund t’i bëjë Allahut robëri më mirë se unë?” Ajo grua tha:

“Edhe ha vetëm, nuk më fton edhe mua të ha me të!” Atëherë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha asaj:

“Eja, ulu të hash edhe ti!” Gruaja e pa se i Dërguari i Allahut e pranoi kërkesën e parë, e i tha me këmbëngulje:

“Po unë dua të ha nga dora jote.” I Dërguari i Allahut filloi ta ushqejë vetë me dorën e tij. Gruaja nuk dinte të përmbahej dhe e teproi, duke i thënë:

“Më jep atë kafshatë që ke vënë në gojën tënde, atë dua të ha unë.” I Dërguari i Allahut ia plotësoi edhe këtë kërkesë asaj gruaje. Pasi e hëngri atë kafshatë, ndjenja e nderit të asaj gruaje u bë aq e fortë, saqë askush nuk e pa më të rrinte me meshkuj.”

Fjalët e të Dërguarit Fisnik për atë burrë që dridhej përpara tij

E tregon Xheriri (radijallahu anh): “Atë ditë që u ngadhënjye mbi Mekën, te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) erdhi një burrë. Kur erdhi, atë seç e zunë ca si të dridhura. I Dërguari Fisnik (paqja e Zotit qoftë mbi të) i foli e i tha:

“Rri i qetë, mos u shqetëso! Unë nuk jam sundimtar; unë jam i biri i një gruaje nga fisi i kurejshëve, e cila hante mish të tharë!”

Të Dërguarit të Allahut nuk i pëlqente kur e trajtonin ndryshe nga të tjerët

Tregon Abdullah bin Xhubejr el-Huzaiu (radijallahu anhu): “Një ditë, Profeti ynë ishte duke ecur në rrugë bashkë me një grup prej sahabëve të tij, kur njëri prej tyre deshi që të ngrinte një rrobë dhe ta ruante se mos i binte dielli të Dërguarit të Allahut. Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur ndjeu hijen e asaj mbulese, ngriti kokën dhe pa se ajo hije vinte nga një si çarçaf i ngritur mbi kokën e tij. I tha atij që e mbante atë çarçaf:

“Ule atë çarçaf!” Pastaj e mori atë rrobë, e shtroi në tokë dhe u tha atyre që ishin me të:

“Edhe unë jam një njeri njësoj si ju!”

Çfarë ka thënë Aishja (r.a.) në lidhje me sjelljen e të Dërguarit të Allahut kur ai ishte në shtëpi?

Tregon Urueja (radijallahu anhu): “Një burrë erdhi tek Aishja (radijallahu anha) dhe e pyeti:

“A punonte i Dërguari i Allahut kur qëndronte në shtëpi?” Aishja (radijallahu anha) iu përgjigj:

“Patjetër që po, njësoj siç bëni ju të gjithë nëpër shtëpitë tuaja, edhe ai qepte sandalet e grisura, apo arnonte edhe ndonjë rrobë që ishte e nevojshme të qepej.”

Modestia e të Dërguarit të Allahut teksa hyri si ngadhënjimtar në Mekë

Tregon Enesi (radijallahu anh): “Për të parë të Dërguarin e Allahut teksa futej në Mekën e ngadhënjyer prej tij vetë dhe myslimanëve, populli ishte grumbulluar në grupe të mëdha dhe të gjithë bashkë ishin ngjitur nëpër kodrinat përreth. Kurse ai (paqja e Zotit qoftë mbi të), nga modestia, kryet e kishte ulur zëre se mbi trupin e devesë, në të cilën kishte hipur.”

8. THJESHTËSIA DHE MODESTIA E SAHABËVE FISNIKË

Si i hipte devesë Omeri (r.a.) gjatë rrugëtimit të tij për në Siri

Eslemi (radijallahu anhu) tregon: “Omeri (radijallahu anhu) pati ardhur në Siri i hipur mbi një deve. Populli i Sirisë e gjykoi faktin se Omeri (radijallahu anhu) kishte ardhur i hipur mbi deve, e ai iu pati thënë:

“Këtyre u janë mësuar sytë duke parë kafshët e rrugës gjithë madhështi të fatzinjve që nuk kanë se ç’të presin prej jetës së përtejme!”

Omeri (r.a.) u mëson grave të bëjnë qull

Tregon Hisham bin Halidi (radijallahu anh): “Unë e pata dëgjuar njëherë Omerin e nderuar (radijallahu anhu), teksa i thoshte një gruaje:

“Kush gatuan qull, të mos e hedhë miellin pa e lënë ujin të ngrohet njëherë mirë. Dhe kur të ngrohet uji, të fillojë ta hedhë miellin pak e nga pak, duke e përzierë mirë e mirë me lugë. Po e gatove kështu, bëhet edhe më shumë qull, edhe mielli nuk ngrin të krijojë kokrra.”

Kur Omeri (r.a.) kritikon ashpër veten gjatë hutbes

Ja se si e tregon Muhamed bin Omer el-Mahzumi (radijallahu anhu) këtë ndodhi: “Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) na foli:

“Ejani të falim namazin!” Kur u mblodh bashkësia e besimtarëve, ai shkoi drejt minberit dhe u ngjit mbi të. Lëvdoi dhe lartësoi Allahun, dërgoi salavate mbi të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pastaj iu drejtua besimtarëve, duke u thënë:

“O njerëz, më kujtohet fare mirë, kur dilja për të kullotur dhentë e hallave të mia, të cilat jetojnë në fisin e Mahzumëve. Atë punë e bëja në këmbim të një grushti hurmash dhe rrushi. Nga e nisa dhe shihni se ku kam arritur tani! Ja, sot jam siç më shikoni edhe ju.”, – dhe, sakaq, zbriti nga minberi. U çua Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) dhe e qortoi Omerin (radijallahu anhu) me fjalët:

“Mos e gjyko e mos kritiko kaq ashpër veten tënde, o Prijësi i Besimtarëve!” E dëgjoi Omeri (radijallahu anhu) dhe u përgjigj:

“Më lër, o Abdurrahman! Pata mbetur vetëm, kur egoja filloi të rrekej të më joshte: “Ti je Prijësi i tërë besimtarëve! Hë, ka ndonjë njeri që të jetë më lart se ti?” I thashë këto fjalë që t’i kujtoj vetes se kush jam në të vërtetë!”

Omeri (r.a.) e shoqëron deri në shtëpi një fëmijë, për ta mbrojtur atë nga shokët që i kanoseshin

Sinan bin Mesleme el-Hudheliu (radijallahu anhu) tregon: “Ishim në Medinë dhe një ditë, dolëm bashkë me fëmijët, të mblidhnim prej hurmave të rëna nga pema. Sakaq, aty ia behu papritur Omeri (radijallahu anhu). Fëmijët, një të parë se kush erdhi ia mbathën, kush t’ia kalonte më parë shokut. Unë nuk vrapova, qëndrova në vend. Petkun e pata mbushur me hurma. E prita duke i thënë:

“O Prijësi i Besimtarëve, këto janë nga hurmat që i ka rrëzuar era!” Omeri (radijallahu anhu) pa njëherë nga hurmat që kisha mbledhur, por nuk më rrahu. Unë i thashë:

“O Prijësi i Besimtarëve! Pak më tutje duhet të jenë edhe të tjerët, nëse ikën ti, ata do të vijnë e do të m’i marrin hurmat.” Omeri (radijallahu anhu) më buzëqeshi dhe shtoi:

“Jo, nuk ti marrin dot, andaj vazhdo të ecësh!”, – dhe kështu, më shoqëroi nga pas gjersa mbërrita pranë familjes sime.”

Modestia e Osmanit (r.a.)

E tregon Abdullah err-Rrumij (radijallahu anhu): “Osmani (radijallahu anhu), kur merrte abdes gjatë natës, ai e merrte vetë ujin e abdesit. Kur i thoshin:

“Po pse nuk i thua ndonjërës prej shërbyeseve a shërbyesve, e të ta sjellin ata ujin për të marrë abdes!”, – ai u përgjigjej duke u thënë:

“Jo, nata është kohë pushimi e çlodhjeje për ta.”

Hasani Basriu (radijallahu anhu) thotë se: “Pashë njëherë Osmanin (radijallahu anhu). Ishte kalif në atë kohë. I mbështjellë me një mbulojë si çarçaf, ishte mbështetur të flinte në xhami; atje nuk kishte asnjeri tjetër.”

Modestia e Selman Farisiut

Tregon Thabiti (radijallahu anhu): “Selmani (radijallahu anhu) ishte vali i qytetit të Medainit. Atje erdhi një nga fisi i bijve të Tejmit, i cili kishte me vete edhe një barrë fiqsh. Selman Farisiu (radijallahu anhu) kishte veshur një palë shallvare dhe një rrobë. Ai që pati ardhur nga Siria, pa e njohur Selmanin (radijallahu anhu), i tha atij:

“Hajde e ngrije pak këtë thes, se është shumë i rëndë.” Vetëm se, ata që ishin përreth dhe u bënë dëshmitarë të kësaj skene e njihnin mjaft mirë Selmanin, ndaj nuk ndenjën dot pa ndërhyrë:

“Shiko, more njeri, se ky është valiu!” – duke e paralajmëruar. Burri një të dëgjuar fjalët e thëna, u përpoq disa herë t’i shpjegonte Selmanit (radijallahu anhu), se nuk e kish njohur, por, më kot, Selmani (radijallahu anhu) i tha atij:

“Do ta mbaj unë këtë barrë gjersa të arrijmë te shtëpia jote.” Modestia e Hudhejfetu’l-Jemanit

E përshkruan Muhamed bin Sirini, kur tregon: “Omeri (radijallahu anh), në kohën që do të niste ndonjë mëkëmbës në ndonjë vend të caktuar, i niste më parë një letër emërimi popullit të atij vendi, ku u shkruante atyre:

“Ta dëgjoni fjalët e valiut tuaj dhe t’i bindeni çdo fjale të tij, për sa kohë që ai tregohet i drejtë.”

Edhe kur emëroi Hudhejfen (radijallahu anhu) si vali të Medainit, në dekretin e tij pati shkruar kështu:

“T’ia dëgjoni fjalën dhe t’u bindeni urdhrave të tij, duke ua dhënë ato që ai do t’ju kërkojë.” Hudhejfeja u largua nga Medina me një kafshë rruge të shaluar; me vete kishte marrë edhe pak ushqim. Sapo mbërriti në Medain, njerëzit e qytetit dhe paria dolën që ta prisnin. Në dorë Hudhejfeja kishte një copë buke të rrumbullakët dhe një copë mish. Hudhejfeja hodhi këmbën, qëndroi i ulur më një anë të kafshës së tij dhe u lexoi banorëve letrën që i kishte dhënë me vete Omeri (radijallahu anhu). Populli i Medainit e pyeti menjëherë:

“A ke ndonjë kërkesë prej nesh?” E ai u përgjigj:

“Për sa kohë që do të jem me ju, gjithçka që dua nga ju është të më siguroni diçka për të ngrënë dhe tagji për kafshën time të rrugës.”

Hudhejfeja ndenji për njëfarë kohe në Medain, pastaj Omeri (radijallahu anhu) e thirri atë sërish mbrapsht. Omeri, me të marrë vesh se Hudhejfeja edhe pak e do të hynte në Medinë, doli dhe u fsheh diku ndanë rrugës. E pa që Hudhejfeja po kthehej i varfër, njësoj siç ishte larguar nga Medina dhe doli menjëherë nga vendi ku rrinte i fshehur dhe iu hodh në qafë, për ta përqafuar, duke i thënë:

“Ti je vëllai im e unë jam vëllai yt!”

Modestia e Abdullah bin Selamit

Abdullah bin Selami (radijallahu anhu) kishte ngarkuar një barrë dru mbi shpinë dhe po ecte nëpër qytezë. E pyetën:

“Po pse e bën këtë punë, kur ty Zoti nuk të ka lënë në aq vështirësi, sa të bësh një punë të këtillë?” Abdullah bin Selami (radijallahu anhu) u përgjigj:

“Desha të shpëtoja nga mendjemadhësia, sepse unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), i cili ka thënë: “Kush ka qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie brenda vetes, nuk do të hyjë në Xhenet.”

9. ILUSTRIME NGA HUMORI DHE SHAKATË E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE TË SAHABËVE TË TIJ

Botëkuptimi i të Dërguarit të Allahut për shakatë dhe humorin

E tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Njëherë, sahabët e patën pyetur të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“O i Dërguari i Allahut, ti bën edhe shaka me ne!” Resulullahu ua ktheu duke u thënë:

“Edhe nëse bëj shaka me ju, unë nuk ju them vetëm se të vërtetën!”

I Dërguari i Allahut bën shaka me një burrë

Enes bin Maliku (radijallahu anh) rrëfen: “Erdhi një burrë tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe donte që ta hipte atë në devenë e tij. I Dërguari i Allahut i tha atij njeriu:

“Ty të të hipim mbi të voglin e devesë.”

“Po si të hipi unë mbi të voglin e kësaj deveje, o i Dërguari i Allahut?”, – e pyeti ai i habitur dhe Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:

“Po pse të gjitha devetë a nuk lindin nga një deve femër?”

Kur i Dërguari Fisnik i Allahut bën shaka me një grua të moshuar E tregon Hasani (radijallahu anhu): “Te Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një grua e moshuar dhe i tha këto fjalë:

“O i Dërguari i Allahut! Lutju Allahut, që të më pranojë edhe mua të gjorën në parajsën e Tij.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i tha asaj nëne:

“O nëna e filanit, po zonjat e moshuara nuk hyjnë dot në Xhenet.” Ajo grua u kthye në anën tjetër dhe zuri të qajë. I Dërguari i Allahut dërgoi fjalë:

“Njoftojeni atë grua dhe thojini: ‘Ajo nuk do të hyjë dot në Xhenet e moshuar’, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “… dhe i kemi bërë ato virgjëresha, të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta, për njerëzit e së djathtës.” (Uakia, 56/36-38)

10. SHAKATË E SAHABËVE

Kur Auf bin Maliku bënte shaka me Profetin tonë të dashur

Tregon Auf bin Malik el-Eshxhaiu (radijallahu anhu): “Ishim në luftën e Tebukut, kur shkova tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Resulullahu ishte futur të pushonte në një çadër të bërë nga lëkura. I dhashë selam; ma ktheu dhe më lejoi të futesha brenda, duke më thënë:

“Eja brenda!” – Ajo çadër ishte tejet e vogël, ndaj mendova që ta pyes:

“O Resulullah, a të hyj me gjithë trupin tim?”, – ndërsa ai ma ktheu me fjalët:

“Po, po, me gjithë trup të vish!” Dhe unë hyra.”

Kur, për një shaka të vogël, Nuajmani e shet Suejbitin si skllav

Këtë e ritregon Umu Selemeja (radijallahu anha): “Ebu Bekri i nderuar (radijallahu anh) kishte marrë një rrugë, do të shkonte diku për të bërë tregti. Me vete kishte marrë edhe Nuajmanin me Suejbitin. Ishin të dy besimtarë që kishin marrë pjesë edhe në luftën e Bedrit. Ushqimi që do të hahej gjatë rrugës i qe dorëzuar Suejbitit. Një ditë, Nuajmani i tha atij:

“Më jep diçka për të ngrënë.”, – e ky ia ktheu:

“Do të të jap kur të vijë Ebu Bekri (radijallahu anhu).” Nuajmani ishte njeri shakaxhi, që të bënte për të qeshur dhe bënte shumë shaka. Shkoi pranë njërit prej pronarëve të atyre dhenve dhe i tha:

“Unë kam një skllav shumë të bëshëm e të fuqishëm, a do që ta marrësh?” Ai iu përgjigj:

“Po, e marr.”

“Vetëm se ky skllav është shumë i gojës, e mund të të thotë një ditë, që ‘jam i lirë’. Hiqni dorë që tani sa pa e marrë, se kur të vijë ajo ditë ju do t’i besoni atij dhe do të veproni sipas fjalës së tij.”, – i paralajmëroi ai ata. Por të zotët e kopeve i thanë:

“Në rregull, po e marrim; pranojmë, sidoqoftë.” Kështu, Nuajmani e shiti Suejbitin në këmbim të dhjetë deveve të reja femra, i vuri përpara devetë dhe u nis. U tregoi pronarëve të kopeve Suejbitin, duke u thënë:

“Ja tek e keni skllavin; mund ta merrni me vete.”

“Mos i besoni atij, ju gënjen; unë jam i lirë.”, – tha Suejbiti, por të zotët e kopeve e dinin, ndaj ia pritën:

“Ne i dimë ato të tuat; e dinim edhe që do të na thoshe kështu.”, – e sakaq i hodhën një litar në qafë Suejbitit dhe e morën me vete.

Pas njëfarë kohe, kjo ndodhi shkon në vesh të Ebu Bekrit (radijallahu anhu), i cili merr disa nga shokët e tij dhe shkojnë pranë të zotëve të kopeve; çuan devetë dhe morën Suejbitin mbrapsht. U kthyen në Medinë dhe ia treguan edhe të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) gjithë sa kishin ndodhur. Siç ishin bashkë, edhe Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të), edhe sahabët qeshën shumë atë ditë. Madje kjo qe një ndodhi që nuk u harrua për një vit të tërë. Qeshnin me ç’kishte ndodhur, sa herë që u kujtohej.”

11. BUJARIA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT

Tregon Ibni Abasi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte më i miri njeri dhe më bujari ndër njerëz. Gjatë muajit të Ramazanit, kur qëndronte me Xhibrilin (alejhis’selam), ai të gjitha ç’t’i gjendeshin ua jepte të tjerëve. Çdo natë të Ramazanit Xhibrili vinte tek i Dërguari i Allahut dhe të dy bashkë i lexonin Kur’an njëri-tjetrit. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) ishte më bujar edhe se erërat më të begata.”

Kurse Xhabir bin Abdullahu tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk i ka thënë kurrë ‘jo’ ndonjërit që ka ardhur për t’i kërkuar ndonjë gjë.”

Aliu (radijallahu anhu) thotë se: “Po t’i kërkoje diçka Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), nëse ishte diçka që donte që ta bënte, ai të thoshte: “Në rregull, bëhet.”, nëse bëhej fjalë për diçka, të cilën ai nuk ishte në gjendje për ta përmbushur, atëherë ai heshtte. Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) nuk të thoshte kurrë ‘jo’.”

12. DURIMI TEK I DËRGUARI I ALLAHUT DHE TE SAHABËT E TIJ

Si i duronte sëmundjet Profeti ynë

Tregon Ebu Saidi: “Kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u sëmur, unë shkova tek ai. Ishte mbuluar me një mbulojë të kadifenjtë. Vura dorën mbi shtrojën, e i thashë:

“Ç’janë këto ethe kaq të forta, o i Dërguari i Allahut!” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) më tha kështu:

“Ja, siç e sheh, fatkeqësi të tilla i presin njerëzit si ne. E sipas madhësisë së të keqes na është përgatitur edhe shpërblimi që do të marrim.”

“O Resulallah, po kujt i ndodhin fatkeqësitë më të rënda?”, – e pyeta unë.

“Profetëve.”, – m’u përgjigj ai prerazi.

“Po pastaj?”, – vazhdova unë.

“Dijetarëve.”, – më tha ai.

“Po pastaj?”

“Pastaj njerëzve të mirë.”, më tha ai, duke shtuar: – “Kishte prej këtyre që të përmenda, që u mbushej koka me insekte a morra, të cilat shtoheshin aq shumë, saqë kjo mund të bëhej shkak edhe për vdekjen e tyre. Kishte të tjerë që përballeshin me një varfëri të atillë, që vështirë të gjenin edhe ndonjë copë, që ta vishnin. Por ata u gëzoheshin fatkeqësive që u vinin më shumë sesa i gëzoheshin ardhjes së të mirave të Allahut (xhel’le xhelaluhu).”

Aishja (radijallahu anha) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po përpëlitej në shtrat nga dhimbjet. Nuk durova dot e i thashë:

“Po t’i kishim ne ato dhimbje e të vuanim aq shumë, e të të ankoheshim, ti do të mërziteshe me ne!” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) m’u përgjigj:

“Mos e harro çfarë do të të them: Besimtarët sprovohen me fatkeqësi. Kur një besimtari i hyn ndonjë gjemb në këmbë, apo trupin ia mbërthen ndonjë e dhembur,

Allahu i fshin atij një mëkat dhe e ngjit në një shkallë shpirtërore më të epërme.”

Durimi për vdekjen e fëmijëve, të afërmve dhe të miqve

Tregon Enes bin Maliku (radijallahu anhu): “Unë isha aty, kur Ibrahimi po jepte shpirt në sytë e të Dërguarit të Allahut. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk e shikonte dot në atë gjendje, ndaj sytë iu mbushën me lot dhe tha këto fjalë:

“Sytë përloten, zemrën e pushton hidhërimi; megjithatë, ne nuk themi dot asgjë përkundër caktimit e pëlqimit të Allahut të Madhërishëm, o Ibrahim! Jemi shumë të mërzitur që do të të humbasim.”

Në një transmetim tjetër nga Mekhuli, kjo ndodhi përcillet kështu: “Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) hyri i mbështetur tek

Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) ndërkohë që Ibrahimi po lëngonte. Kur ndërroi jetë sytë e Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) lotuan dhe Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu) i tha:

“O Profet i Allahut, kjo është pikërisht ajo nga e cila i ke ndaluar njerëzit. Kur të të shohin myslimanët duke qarë, do të qajnë!” Pasi i ndaluan lotët, Profeti (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Lotët janë tregues i mëshirës së Allahut. E nuk do të ketë mëshirë për atë që nuk tregohet i mëshirshëm. Ne ua ndalojmë njerëzve që ata të qajnë e të ulërijnë, duke bërtitur, e ta përmendin njeriun e ndarë nga jeta me cilësi që nuk i meriton.” Pastaj tha:

“Po të mos ekzistonte premtimi dhe ky rend i përkryer i Allahut, pra po të mos takoheshin pasardhësit me paraardhësit, ndoshta atëherë po, atëherë mund të nxeheshim e të mërziteshim vërtet aq shumë. Ne jemi të mërzitur për Ibrahimin. Përloten sytë, hidhërohet zemra, por nuk mund të themi dot asgjë që nuk do t’i pëlqente Zotit. Ibrahimi, pjesën tjetër të gjirit, që nuk e piu këtu, do ta plotësojë në parajsë.”

Ebu Bekri (r.a.) dhe Aliu (r.a.) këshillojnë njerëzit të bëjnë durim gjatë vdekjes së njerëzve të tyre të afërt

Ebu Ujejneja (radijallahu anhu) thotë se: “Ndërsa shkonte për ngushëllim te ndokush, Ebu Bekr Besniku (radijallahu anhu) thoshte: “Durimi e lehtëson dhimbjen e fatkeqësisë; ankimi nuk përbën kurrfarë dobie. Jeta përpara vdekjes është e thjeshtë, ndërsa më e vështira është jeta që vjen pas vdekjes! A nuk ju kujtohet dita kur u nda Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) prej nesh, nëse do të kujtoni atë ditë, atëherë fatkeqësia që ju ka gjetur sot do të bëhet fare e vogël në sytë tuaj, kurse Allahu do t’jua shtojë e do t’jua shumëfishojë shpërblimin e durimit.”

Tregon Sufjan bin Ujejneja (radijallahu anh): “Ali bin Ebi Talibi (radijallahu anhu), kur pati shkuar tek Esh’ath bin Kajsi për ngushëllim, meqë i kishte vdekur i biri, ai e pati ngushëlluar atë duke i thënë: “Nëse je mërzitur, kjo është më se normale, sepse ai ishte më i afërti yt; por, nëse bën durim, tek Allahu të pret një shpërblim shumë herë më i madh edhe se djali yt. Ç’të kesh të caktuar si kader, ajo do të vijë një ditë e nuk i shpëton dot. Nëse e duron, fiton shpërblimin dhe të mirat e pamasa të Allahut; nëse ankohesh, ti do t’i shtosh vetes gabimet e mëkatet.”

Fjala e Omerit (r.a.): “Fatkeqësi është çdo gjë që nuk i pëlqen besimtarit.”

Tregon Abdullah bin Halife: “Ishim në një varrim bashkë me Omerin (radijallahu anhu). Në një çast, sandales së Omerit (radijallahu anhu) iu këput rripi dhe u kthye e tha: “In’na lil’lahi ue in’na ilejhi haxhiun.” E pyetën:

“O Omer, a thuhet ky ajet edhe kur të këputet rripi i sandales?” Dhe ai u përgjigj:

“Çdo gjë e pakëndshme që të ndodh është një fatkeqësi për ty.”

Ebu Talhaja dhe Ummu Sulejmi bëjnë durim për vdekjen e fëmijëve të tyre

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Ebu Talhaja kishte një djalë, i cili ishte i sëmurë. Një ditë Ebu Talhaja (radijallahu anhu) kishte dalë jashtë dhe fëmija kishte vdekur. Me t’u kthyer në shtëpi, pyetja e parë që bën është:

“Si e kam djalin?” Nëna e fëmijës, Ummu Sulejmi (radijallahu anha), iu përgjigj:

“Tani është shumë më qetë sesa më parë.”, – dhe i solli për të ngrënë darkë. Ebu Talhaja hëngri ushqimin, pastaj shkoi të flejë me të shoqen. Pastaj, Ummu Sulejmi e lajmëroi të shoqin për atë që i kishte gjetur, duke i thënë:

“Hajde, shkoni ta varrosni fëmijën.” Në të gdhirë, Ebu Talhaja (radijallahu anhu) shkoi drejt e te Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që ta njoftonte për çfarë kishte ndodhur. Resulullahu e pyeti: - “A shkuat me njëri-tjetrin mbrëmë?”

“Po!”, – u përgjigj Ebu Talhaja. Atëherë, i Dërguari i Allahut iu lut Zotit me fjalët:

“O Zot, bekoje këtë natë të tyren.”

Nga ajo natë, Umu Sulejmi solli në jetë një djalë. Ebu Talhaja më tha mua:

“Merre fëmijën dhe çoja Resulullahut.”, – duke më dhënë me vete edhe ca hurma, që t’ia shpija të Dërguarit të Allahut. E çova dhe Profeti (alejhis’selam) më tha:

“A ka fëmija ndonjë gjë me vete?”

“Po, kam sjellë ca hurma.”, – iu përgjigja unë. Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) i mori hurmat, i përtypi dhe të bluara i nxori nga goja e i vuri në gojën e foshnjës, i fërkoi pak qiellzën dhe e quajti djalin Abdullah.”

Ndërsa, në një transmetim tjetër Buhariu na njofton se Sufjan ibni Ujejneja (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Dikush nga ensarët më pati treguar se ‘Umu Sulejmi, nga një natë për të cilën u lut i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) solli në jetë një fëmijë, të cilit Profeti ynë (alejhis’selam) ia vuri emrin Abdullah. Shih ç’begati; kam njohur nëntë djem të Abdullahut dhe secili prej tyre ishte këndues i

Kur’anit.”

13. FALËNDERIMI I ZOTIT NGA I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ

I Dërguari i Allahut: “A të mos jem unë një rob që e falënderon Zotin?”

Mugire bin Shu’beja tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) falte namaz aq sa këmbët nisnin e i ënjteshin. Po t’i thoshte dikush, “O i Dërguari i Allahut, po a nuk t’i ka falur ty Allahu të gjitha mëkatet e shkuara dhe të ardhshme?”, Resulullahu i përgjigjej: - “Pse, a të mos jem unë një rob që e falënderon Zotin?”

I Dërguari i Allahut ulej gjatë-gjatë në sexhde, për të falënderuar Allahun

Tregon Muadh bin Xhebeli (radijallahu anh): “Pata shkuar njëherë tek i Dërguari i Allahut. (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Resulullahu ishte duke falur namaz; deri në agim qëndroi ashtu, sa në kijam, në sexhde. Aq gjatë qëndroi në sexhde, sa që për një çast pandeha se mos mbeti ashtu, i pajetë.

“A e di ti se pse e bëra atë?”, – më pyeti mua i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të).

“Nuk e di, Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më të drejtën e të vërtetën e çdo gjëje.”, – iu përgjigja unë. Ma përsëriti tri a katër herë atë pyetje, derisa, në fund, më tha:

“Unë fala namazin që Allahu ma ka shpallur mua detyrim. Në fund të namazit, erdhi lajmëtari i Allahut (Xhibrili Besnik) dhe më tha: ‘Çfarë do prej meje, që ta bëj për të gjithë umetin tënd?’ ‘Zoti e di më të mirën.’, – i thashë unë. Pastaj edhe ai ma përsëriti mua tri a katër herë pyetjen e tij. E, kur edhe unë i thashë se ‘Zoti e di më të mirën.’, lajmëtari i Allahut, Xhibrili (alejhis’selam), më njoftoi se Zoti i Madhërishëm tha: “Unë Ty nuk do të të mërzis e nuk do të të hidhëroj për bashkësinë e besimtarëve të tu.” Atëherë, unë rashë menjëherë në sexhde, sepse Zoti ua jep shpërblimin atyre që janë falënderues, sepse Ai i do shumë ata që falënderojnë.”

Profeti ynë bie në sexhde falënderimi kur sheh një burrë të paralizuar

Tregon Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i kaloi pranë një burrë që nuk ecte dot. Kur e pa atë njeri në atë gjendje, zbriti nga kafsha e rrugës dhe u ul në sexhde. Ebu Bekri (radijallahu anhu) kaloi pranë atij njeriu, edhe ai u ul në sexhde për ta falënderuar Allahun. Pastaj, më vonë, aty kaloi edhe Omeri (radijallahu anhu) e edhe ai u ul në sexhde që të falënderonte Allahun.”

Omeri (r.a.) bënte gjithmonë krahasime me të këqijat, për të theksuar rëndësinë e falënderimit

Tregon Ikrimeja (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anh) kaloi pranë një burri që as nuk dëgjonte, as nuk fliste dot. Të pranishmëve ai u bëri këtë pyetje:

“A shihni ju ndonjë prej të mirave të Allahut te ky njeri?” Ata që ishin aty iu përgjigjën:

“Jo!” Omeri (radijallahu anhu) e dëgjoi përgjigjen e tyre dhe shtoi:

“A nuk e shikoni se sa lehtë urinon ky njeri. Po sikur ta kishte të vështirë ta bënte edhe këtë? Me pak fjalë, ja, kjo është një prej të mirave që Allahu i ka falur këtij njeriu.”

Një tjetër këshillë e Omerit (r.a.) në lidhje me falënderimin e Zotit

Hasan Basriu (radijallahu anhu) tregon: “Omeri (radijallahu anhu) i pati shkruar një letër Ebu Musa el-Esh’ariut, në të cilën i thoshte kështu: “Mjaftohu me ato të mira që të ka dërguar Allahu, që ti të ushqehesh, sepse Zoti ynë është Mëshirëplotë dhe prandaj i ka bërë robt e Tij të ndryshëm për sa u përket pasurive që u ka falur, që t’i sprovojë ata të gjithë ndryshe nga njëri-tjetri. Robin që i jep pasuri dhe kamje të pamasë Ai e sprovon duke parë se si do ta falënderojë ai. Dhe falënderimi ndaj Allahut bëhet vetëm duke i shpenzuar, si kamjen, ashtu edhe të mirat e tjera, që mund të na ketë dhënë, në atë rrugë që

Ai do që ne t’i shpenzojmë.”

Osmani (r.a.) falënderon Allahun, meqë nuk i ka kapur dot disa fajtorë të zënë në faj e sipër

Tregon Sulejman bin Musai: “Një ditë thanë se Prijësi i Besimtarëve, Osmani (radijallahu anhu) kishte marrë vesh për disa njerëz që bënin një punë të keqe dhe se do t’i kapte ata në faj e sipër. Osmani (radijallahu anhu) u nis të shkonte e t’i gjente ata njerëz. Kur mbërriti në vendin e fajtorëve, pa se ata ishin shpërndarë dhe aty kishin lënë disa shenja të asaj pune të pahijshme që kishin bërë. Osmani (radijallahu anh) lëvdoi Zotin që nuk e përballi me ata fajtorë dhe madje, për këtë liroi edhe një skllav në shenjë falënderimi ndaj Tij.”

14. DËSHIRA E ZJARRTË DHE VENDOSMËRIA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE E SAHABËVE TË TIJ PËR TË FITUAR SHPËRBLIMIN E ALLAHUT

Dëshira e ethshme e të Dërguarit të Allahut për të fituar shpërblimin e Allahut

Tregon Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu): “Në luftën e Bedrit, ne na binte një deve për tre vetë. Me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte Ebu Lubabeja dhe Aliu (radijallahu anhuma). Në kohën që radha për të ecur i binte të Dërguarit të Allahut, ata i thanë:

“O i Dërguari i Zotit, të ecim ne, ti mos zbrit.” Kurse i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u përgjigj:

“Ju nuk jeni as më të fortë, as më të fuqishëm, se unë. Jo vetëm kaq, por as unë nuk është se kam më pak nevojë se ju për të fituar shpërblimin e Zotit.”

Dëshira e sahabëve për të fituar shpërblimet e Zotit

Abdullah bin Amr bin Asi (radijallahu anh) tregon se: “Kur erdhën në Medinë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe sahabët e tij (radijallahu anhum), muhaxhirët e Mekës i zuri malaria dhe asnjëri nuk qe në gjendje të punonte. Profetin e ruajti Allahu i Madhërishëm; Profetin tonë nuk e zuri ajo sëmundje. Sahabët fisnikë nisën ta falnin namazin të ulur. Një ditë, Resulullahu doli nga shtëpia, për të shkuar në xhami. Bashkësia e besimtarëve e falnin ende të ulur namazin. I Dërguari i Allahut u tha atyre këto fjalë:

“Ta dini, se shpërblimi i namazit të falur ulur është sa gjysma e shpërblimit për namazin e falur në këmbë.” Atëherë, sahabët, megjithëse ishin të sëmurë e të pafuqishëm, u çuan në këmbë dhe vetëm e vetëm që të fitonin më shumë prej shpërblimeve të Allahut, u munduan që të mos uleshin më, por ta falnin namazin në këmbë.”

Dëshira e ethshme e Rabia bin Ka’bit për të fituar shpërblimin e Zotit

Tregon vetë Rabia bin Ka’bi (radijallahu anhu): “Unë të gjithë ditën e kaloja duke i shërbyer Profetit tonë të dashur (paqja e Zotit qoftë mbi të). Aq sa, kur i Dërguari i Allahut mbaronte së faluri namazin e jacisë dhe shkonte hynte në banesën e tij, unë qëndroja edhe për ca kohë përpara derës së të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), se ‘mos Resulullahut i del ndonjë punë, ndaj do të ishte më mirë të gjendesha aty, për t’i ardhur në ndihmë në çdo gjë.’ E dëgjoja të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), i cili thoshte vazhdimisht: “Subhanallahi ue bihamdih”. Në fund, ose bezdisesha duke qëndruar në vend dhe kthehesha pas, ose qëllonte që të më zinte gjumi aty ku isha dhe flija atje. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në dijeni të shërbimeve të mia, erdhi një ditë dhe më tha:

“O Rabia bin Ka’bi! Më kërko ç’të duash, sepse do të të jap ç’të më kërkosh.” Unë i thashë:

“O Resulullah, të mendohem njëherë, pastaj ta them.” Thashë me vete, të mirat e kësaj bote janë kalimtare, sot i ke, nesër nuk të nevojiten më, mendova me vete që të mirat që zotëroja më mjaftonin, kështu që thashë me vete, ‘më mirë t’i kërkoj të Dërguarit të Allahut diçka për jetën e përtejme, sepse ai ka një gradë të veçantë përpara Allahut.” Renda për tek i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) dhe kur më pa, më pyeti:

“Çfarë bëre, Rabia; vendose se çfarë do të më kërkosh?”

“Po, o Resulullah. A do të ndërmjetësosh për mua tek Allahu i Madhërishëm, që të më falë mua e të mos më hedhë në Xhehenem?”, – i thashë unë.

“O Rabia, kush ta mësoi ty këtë?”, – më pyeti.

“Unë i betohem Zotit që të dërgoi ty me fenë e së drejtës dhe së vërtetës, o i Dërguari i Tij, se nuk ma mësoi asnjeri këtë që të thashë. Po ti qëndron në një shkallë aq të Lartë për Allahun, e kur më the, ‘kërkomë ç’të duash’, gjykova më mirë se, ‘kjo jetë në këtë botë është kalimtare, e të atilla i ka edhe të mirat’; pastaj unë kam të ardhura të mjaftueshme. Andaj, vendosa që ‘më mirë t’i kërkoj Resulullahut të më ndihmojë për ahiretin’.”

Pasi dëgjoi përgjigjen time, Profeti ynë i nderuar (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) heshti për një kohë të gjatë, pastaj më tha mua:

“Mirë, do ta bëj! Por do ta ndihmosh edhe ti pak veten tënde, duke u ulur sa më shumë në sexhde.”

Çfarë tha Amar bin Jasiri gjatë rrugës për në luftën e Sifinit

Tregon Abdurrahman bin Ebzij (radijallahu anhu): “Amar bin Jasiri (radijallahu anhu) ishte nisur për në luftën e Sifinit dhe po ecte ndanë Eufratit, kur tha:

- “O Zot, sikur ta di se po ta lëshoj veten teposhtë atij mali, kjo do të bëhet shkak që unë të fitoj pëlqimin Tënd, unë do ta bëja këtë menjëherë. Nëse do ta dija se po të hidhesha në zjarr, Ti do të ishe i kënaqur prej meje, unë nuk do të mendohesha dy herë, por do ta bëja sa hap e mbyll sytë. O Zot, sikur të dija se po të hidhesha në ujëra të thella, e mbytja ime të bëhej shkak që unë të merrja pëlqimin Tënd, e bëj që tani, në çast. O Zot, unë nuk dua asgjë tjetër, vetëm se kënaqësinë e pëlqimin Tënd; unë edhe në luftë për hir të kënaqësisë Sate po shkoj. Të lutem që të mos më nxjerrësh mua prej njerëzve të humbur, prej atyre që do të pësojnë disfatën e madhe; o Zot, unë vetëm Ty të dua.”

15. NDËRMJETËSIMI I TË DËRGUARIT TË ALLAHUT

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte më i bukuri, më bujari, më fisniku dhe më trimi ndër mbarë njerëzinë. Një natë, populli i Medinës u kaplua nga paniku dhe u trembën jashtë çdo mase. Tërë njerëzit vraponin andej nga vinte zëri. Kur u kthyen për të parë andej nga vinte zhurma, i Dërguari i Allahut kishte hipur në pelën e Ebu Talhasë, kishte përgatitur edhe shpatën. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të):

“Mos u trembni, mos u trembni.” Ajo pelë e rëndë e Ebu Talhasë (radijallahu anhu), e cila zakonisht ecte me vështirësi, tani që sipër saj kishte të Dërguarin e Allahut dukej sikur vraponte me të katër thundrat njëherësh.”

Aliu (radijallahu anhu) tha: “Kur përleshjet e luftës përndizeshin, ne shkonim të fshiheshim të mbroheshim pas të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe merrnim trimëri nga e tija, sepse ai ishte më trimi e më guximtari ndër të gjithë njerëzit.”

Guximi i të Dërguarit të Allahut gjatë luftës së Hunejnit

Sipas përcjelljes së një transmetimi nga ana e Bera bin Azibit (radijallahu anh), tek ai kishte ardhur dikush nga fisi i Kajsit, dhe e kishte pyetur:

“A ia mbathët vërtet e kërkuat të ndiheshit më të sigurt pas Resulullahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) gjatë luftës së Hunejnit?” Dhe ai i qe përgjigjur:

“Po, ne ia mbathëm, por Resulullahu nuk lëvizi asnjëherë nga vendi. Armiqtë tanë kishin ca shigjetarë shumë të zotë nga Heuadini. Ne i sulmuam ata pak më ashpër dhe ata u shpërndanë. Kjo i bëri ata të kaploheshin nga paniku, e kështu ne patëm mundësi të përparonim në drejtim të fitores. Fisi i Heuadinit na u lëshuan me një breshër shigjetash; ne ia mbathëm. Uallahi, pashë të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) qëndronte i palëvizur mbi mushkën e tij të bardheme. Aty ishte edhe Ebu Sufjani që e mbante mushkën nga frerët. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) thoshte:

“Unë jam një profet, kjo nuk është gënjeshtër! Jam unë, nipi i Abdulmutalibit.”

16. DEVOTSHMËRIA E MADHE E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE E SAHABËVE TË TIJ (QËNDRIMI LARG GJËRAVE TË DYSHIMTA)

I Dërguari i Allahut u qëndronte edhe gjërave të dyshimta larg

Ja se si e përcjell Amr bin Shuajbi (radijallahu anhu) këtë cilësi të pashoqe të të Dërguarit të Allahut: “Një natë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) pati gjetur një hurmë dhe e pati ngrënë. Mirëpo, pasi e hëngri atë hurmë, u shtri, por nuk vuri dot gjumë në sy. E pyeti njëra nga bashkëshortet e tij:

“O Resulullah! Sonte nuk fjetët dot fare, cili është shkaku, a urtësia e kësaj?” Dhe ai iu përgjigj duke i thënë:

“Pata ngrënë një hurmë që e gjeta nën vete. Ne në shtëpi kemi edhe ato hurmat që na janë dhënë për t’i shpërndarë si lëmoshë. Jam i shqetësuar, mos edhe ajo hurmë ishte prej tyre, ja, prandaj nuk fjeta dot fare gjatë gjithë natës.”

Si u shmangej Ebu Bekri (r.a.) gjërave të dyshimta

Tregon Muhamed bin Sirini (radijallahu anhu): “Përveç Ebu Bekrit (radijallahu anhu) unë nuk kam parë ndonjëherë njeri tjetër që ta nxjerrë të gjithë ushqimin e ngrënë.

Një ditë, Ebu Bekrit (radijalahu anhu) i sollën për të ngrënë. Pasi hëngri, i thanë:

“Këtë ushqim e solli Numani.” Sapo dëgjoi fjalët që iu thanë Ebu Bekrit (radijallahu anhu), ai tha:

“E çfarë më dhatë ju mua të ha, ushqimin e blerë me paratë që ka fituar Numani gjatë kohës së injorancës, kur punonte si falltar e parashikues i së ardhmes!”, – dhe e nxori jashtë të gjithë sa kishte ngrënë.”

Si u shmangej Omeri (r.a.) gjërave të dyshimta

E tregon Zejd bin Eslemi (radijallahu anhu): “Omeri (radijallahu anhu) kishte pirë qumësht dhe ai qumësht i pati pëlqyer shumë. Ndaj, atij që i solli qumështin i tha:

- “Po ty nga të erdhi ky qumësht kaq i mirë?” Ai i tregoi se kishte shkuar për të marrë ujë dhe ata që ishin atje molën prej kafshëve të zekatit dhe i dhanë edhe atij. Ja, ky qumësht ishte qumësht i kafshëve të zekatit. Atëherë, Omeri (radijallahu anhu) futi gishtat në grykë dhe e nxori të gjithë qumështin që kishte pirë.”

17. MBËSHTETJA E PLOTË TE ZOTI E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE E SAHABËVE TË TIJ

Mbështetja e plotë e të Dërguarit të Allahut

Këtë e tregon Xhabiri (radijallahu anhu), i cili ka qenë bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në luftën e Nexhdit: “Të Dërguarit të Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) iu duk më e arsyeshme, që kur iu afruam një lugine të mbuluar me bimë gjembaçësh, të qëndronim aty për të bërë pak nga gjumi i drekës. Të gjithë ishin shpërndarë dhe ai po qetësohej nën hijen e një peme. Shpatën e kishte varur mbi një degë të pemës dhe e kishte zënë gjumi. Ne sapo na kishte zënë gjumi, kur pamë të Dërguarin e Allahut që po na fliste. U ngritëm dhe vrapuam për te Resulullahu. Tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte ulur edhe një beduin. Ai na tha:

“Ky burrë më kish marrë shpatën kur unë flija; u zgjova dhe e gjeta më kishte drejtuar shpatën dhe më rrinte te koka.” Ai më tha:

“Po tani, kush mund të të shpëtojë ty nga dora ime?” Dhe unë i thashë:

“Allahu!”, – nuk kaloi as një çast, e atij i ra shpata nga dora dhe u ul këtu me mua.

Ai beduin kishte dashur ta vriste të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Megjithatë Resulullahu e fali dhe nuk e dënoi beduinin.”

Kjo histori tregohet edhe në një tjetër transmetim dhe thuhet se emri i atij beduini ishte Gaureth bin Harith. Gaurethin e ka falur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Gaurethi i tha të Dërguarit të Allahut:

“Mysliman nuk bëhem, ama të jap fjalën se nuk do të të luftoj, as nuk do të luftoj krah për krah me kundërshtarët e tu.” Por, kur pati shkuar pranë njerëzve të tij, Gaurethi u pati thënë atyre:

“Unë tani po vij nga njeriu më i mirë dhe më i mbarë i tërë njerëzisë.”

Mbështetja e plotë tek Allahu e Prijësit të Besimtarëve, Aliut (r.a.)

Tregon Ebu Mixhlezi: “Një njeri nga fisi i Muradit, erdhi për tek Aliu (radijallahu anhu), i cili në atë kohë ishte duke falur namazin në xhami. Ai i tha atij:

“Ruaj veten! Një grup njerëzish nga fisi ynë duan të të vrasin!” Aliu (radijallahu anhu) iu përgjigj:

“Çdo njeri ka me vete dy engjëj, të cilët e ruajnë atë prej gjërave që ai nuk i ka të shkruara në paracaktimin e fatit të vet. Dhe, kur të vijë çasti i përplotësimit të asaj që ishte e shkruar në kaderin e tij, ata dy engjëj mbrojtës tërhiqen dhe e lënë njeriun ballë për ballë me fatin e vet. Nuk ka pikë dyshimi, se nuk ka mburojë më të fortë sesa exheli.”

Mbështetja e plotë e Abdullah bin Mesudit te Zoti

Tregon Ebu Dhabjeja: “Osman bin Afani (radijallahu anhu) pati ardhur tek Abdullah bin Mesudi në kohën kur ky ishte sëmurë me atë sëmundje që u bë shkak edhe për vdekjen e tij dhe e pyeti:

“Çfarë të shqetëson? Çfarë ke?” Ibni Mesudi iu përgjigj:

“Mëkatet, ato më shqetësojnë.”

“Çfarë të ka ënda?”, – e pyeti Osmani (radijallahu anhu).

“Dua mëshirën e Zotit.”

“A do që të të caktoj ndonjë mjek, që të kujdeset vetëm për ty?”,

– e pyeti Osmani (radijallahu anhu).

“Jo, doktori më sëmuri mua!”, – u përgjigj ai.

“Atëherë, më lër të të caktoj një pagë.”, – propozoi Osmani (radijallahu anhu).

“Nuk kam nevojë për të.”, – ishte përgjigjja e Abdullah bin Mesudit (radijallahu anhu).

“Po mirë, nuk ke nevojë ti, po të jetë për vajzat e tua, t’u kalojë atyre më vonë.”

“Po ti, çfarë ke frikë, se mos mbeten të varfra vajzat e mia, kjo të shqetëson? Mos ki frikë, unë u kam urdhëruar atyre që çdo natë të lexojnë suren “Uakia”, sepse unë kam dëgjuar Resulullahun (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) të thotë: “Nuk ka për të pasur kurrë vështirësi ekonomike ai që e lexon suren “Uakia” çdo natë.”

18. PRANIMI I RRJEDHAVE TË KADASË-CAKTIMIT TË ALLAHUT

Omeri (radijallahu anhu) thotë se: “Nuk më bën përshtypje, nëse do të dal në mëngjes me ndonjë gjendje të mirë a me ndonjë gjendje jo të mirë, sepse unë nuk e di se ku fshihet ajo që është më e mbarë për mua, tek ato gjëra që unë i dua shumë, apo tek ato që nuk i dua fare.”

Hasani (radijallahu anhu) tregon: “I thanë babait tim, Aliut (radijallahu anhu):

“Ebu Dherri thotë: ‘Mes varfërisë dhe pasurisë zgjedh varfërinë, mes sëmundjes dhe shëndetit zgjedh sëmundjen!’, – ç’mendim ke ti për këtë?” Aliu (radijallahu anhu) u përgjigj:

“Allahu i dhëntë veçse të mira Ebu Dherrit, por unë nuk jam dakord me mendimin e tij. Unë them kështu: “Ai njeri që mbështetet te vullneti i Allahut dhe caktimi aq i mirë i Tij, as nuk e çon nëpër mend, madje as për të imagjinuar nuk e imagjinon, që të ketë një gjendje ndryshe nga ajo që Allahu ka përcaktuar në natyrën e krijuar të gjërave. Ja pra, ky është njëherazi e fshehta dhe kufiri i të pranuarit dhe i të qenët i kënaqur me atë që të është përcaktuar në rrjedhën e fatit!”

19. DEVOTSHMËRIA DHE FRIKA NDAJ ALLAHUT TE PROFETI DHE SAHABËT E TIJ

Gjëja që e plaku të Dërguarin e Allahut

E transmeton Ibni Abasi (radijallahu anhu): “Një ditë, Ebu Bekri (radijallahu anhu) i tha të Dërguarit Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“O i Dërguari i Allahut, të shoh shumë të moshuar.” Dhe, i Dërguari i Allahut iu përgjigj duke i thënë:

“Mua më plakën suret ‘Hud’, ‘Uakia’, ‘Murselat’, ‘Nebe’ dhe ‘Tekuir’.”

Djaloshi të cilit iu ça mëlçia nga frika ndaj Zotit

Tregon Sehl bin Sa’di: “Zemrën e një djaloshi të ri nga ensarët e pati kapluar droja dhe respekti për Allahun (xhel’le xhelaluhu). Sa të kujtonte pak Xhehenemin dhe atij i mbusheshin sytë me lot e zinte e qante me ngashërim. Ishte kjo frikë dhe kjo drojë karshi Allahut që e izoloi në shtëpi atë djalë të ri. I treguan edhe të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për të. Dhe Resulullahu u ngrit menjëherë dhe shkoi ta vizitonte në shtëpinë e tij. Kur e pa atë djalë të ri, i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) e puhshtoi në kraharor, e ledhatoi, por djaloshi ra në tokë i pajetë. Profeti ynë i dashur tha:

“Bëjeni gati shokun tuaj dhe bëni të gjitha përgatitjet e nevojshme për varrimin e tij; frika e Zotit ia ka copëtuar atij fare mëlçinë!”

“Po të dinit edhe ju atë që di unë...”

Ebu Dherri (radijallahu anhu) ka thënë: “Unë i betohem Allahut, se nëse ju do të dinit atë që di unë, as nuk do t’u afroheshit grave tuaja, as nuk do të binit dot në shtrat për të pushuar. Ah sikur Zoti të më kishte krijuar më mirë si një pemë, e cila të mund të pritej a t’i haheshin frutat, e të mos e kisha mbi vete këtë përgjegjësinë e rëndë të të qenët njeri!”

Ebu Derdaja (radijallahu anhu) ka thënë kështu: “Sikur ju të dinit ato që do të shohim pas vdekjes as nuk do të hanit, duke e shijuar atë që hani, as nuk do t’ju shkonte në mendje të pinit gjë prej gjëje. As në shtëpi nuk hynit për të pushuar. Do të dilnit të gjithë në mes të grumbujve me njerëz dhe do të vajtonit duke gjuajtur veten nga hidhërimi. Ah sikur Allahu të më kishte krijuar mua më mirë si një pemë, e cila pritet, apo frutat e saj hahen me shije!”

Fjalët e Aliut (r.a.) në lidhje me devotshmërinë

Tregon Kumejl bin Zijadi: “Një ditë, ne dolëm të shëtitnim me Aliun (radijallahu anhu). Mbërritëm në një vend ku kishte një varrezë dhe Aliu (radijallahu anhu) u drejtua kah varreza dhe tha:

“O ju që jeni në këto varre! O njerëz tashmë të tretur! O njerëz të vetmuar! Ç’lajme keni ju për ne? Lajmet tona janë këto: “Pasuria juaj u nda e u shpërnda, fëmijët tuaj mbetën jetimë, gratë shkuan te burra të tjerë, kurse burrat u martuan me gra të tjera! Këto janë lajmet tona për ju, po ju çfarë lajmesh keni për ne?” Mandej, u kthye nga unë dhe më tha:

“Nëse atyre do t’u jepej leje që të na përgjigjeshin, ata do të na thoshin: “Ushqimi më i mirë për rrugën e jetës është devotshmëria.”, – dhe nuk duroi dot e filloi të qajë. Pastaj na tha:

“O Kumejl! Varri është kutia e veprave të njeriut, kur të vdesësh, do ta shohësh se ç’fshihet brenda në të!”

20. TË DERDHËSH LOT PREJ RESPEKTIT NDAJ ALLAHUT TË MADHËRISHËM

E qara e të Dërguarit të Allahut

Tregon Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu): “Njëherë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u kthye nga unë dhe më tha: - “Lexomë pak Kur’an.” Unë i thashë:

“O i Dërguari i Allahut! E si të të lexoj unë ty Kur’an, kur Kur’ani të është zbritur ty?”, – por ai ma priti me fjalët:

“Mua më pëlqen kur e dëgjoj atë nga goja e të tjerëve.” Nisa të këndoja suren “Nisa”. Kur arrita tek ajeti: “Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por, nëse (dikush) bën të mira, Allahu ia shumëfishon ato dhe i jep shpërblim të madh.” (Nisa, 4/41) – Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) më tha:

“Mjafton.”, – dhe fytyrën e ktheu në anën tjetër. E pashë, nga sytë po i rridhnin lot që ngjanin me perla të bardha.”

Të qarët e sahabëve

Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Kur u zbritën ajetet kur’anore: “Vallë, prej kësaj fjale po çuditeni dhe po qeshni e nuk po qani?”, sahabët e Sufes nisën të qanin; i dalloje lehtë lotët e tyre, teksa u rridhnin nëpër faqet e bardha. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e kuptoi që këto ajete i prekën shumë, u prek edhe vetë dhe qau edhe ai. Kur pamë të Dërguarin Fisnik të qante, qamë edhe ne. Atëherë, Profeti ynë na tha:

“Nuk hyn në zjarr ai që qan nga frika e Allahut. Ashtu siç nuk hyn dot në Xhenet ai që ngul këmbë në mëkatin e vet. Por e vërteta është, se, nëse ju nuk do të bënit asnjë gabim, atëherë Allahu do të dërgonte një bashkësi tjetër; ata do të bënin mëkate dhe Ai do t’i falte.”

E qara e Omerit (r.a.)

Këtë e tregon Abdullah bin Shedad bin Hadi: “Omeri (radijallahu anhu) po u falte besimtarëve namazin e sabahut. Unë isha në rreshtin e fundit fare. Ai po këndonte suren “Jusuf” dhe kuptova që vetë po qante pa zë. Kur arriti në ajetin me kuptim: “(Jakubi) tha: ‘Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut e nga Allahu di atë që nuk e dini ju.’” (Jusuf, 12/86) – të sures “Jusuf”, nuk vazhdoi dot më tutje, kështu që u ul në ruku.”

E qara e Osmanit (r.a.)

E tregon skllavi i liruar i Osman bin Afanit (radijallahu anhu), Haniu: “Osmani (radijallahu anhu), kur shkonte te koka e ndonjë varri, qante; aq shumë qante, saqë mjekra i lagej e tëra në lot. E pyesnin:

“Po ti, nuk qan kur kujtohet Xheneti dhe Xhehenemi dhe qan kur të kujtohet varri?” E ai u përgjigjej:

“Unë kam dëgjuar se Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë: “Varri është vendmbërritja e parë e jetës së përtejme. Për atë që kalon nga ky vendbanim i parë dhe shpëton, pjesa tjetër është më e lehtë. Kurse për atë që nuk shpëton dot aty, tërë vendet e tjera janë shumë të vështirë e plot e përplot me mundime.”

E qara e Abdullah bin Omerit

Ja se si e transmeton këtë cilësi të Abdullah bin Omerit (radijallahu anhu) Kasim bin Ebi Bezeja: “Një burrë që e kishte dëgjuar Ibni Omerin (radijallahu anhu) duke kënduar Kur’an, më pati thënë mua:

“Një ditë, Abdullah bin Omeri nisi të lexojë suren “Mutaf’fifin”, lexoi ajetin: “Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!” (Mutaf’fifin, 83/6) – qau dhe u ul në sexhde për një kohë të gjatë e nuk vazhdoi më më tej.”

Nafiu (radijallahu anhu) tregon se: “Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu), çdoherë që do të lexonte ajetin kur’anor me domethënie:

“Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të. Kështu, Ai do të falë kë të dojë dhe do të dënojë kë të dojë. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Bekare, 2/284) – do të fillonte të qante dhe thoshte: “Kjo zbardhja e gjithë

veprave e sjelljeve sheshit nuk ka dyshim që paskësh për të kaluar shumë ashpër.”

21. LLOGARIA ME VETEN

Tregon Thabit bin Haxhaxhi: “Omeri (radijallahu anhu) njëherë ka thënë:

“Peshojini punët tuaja para se ato të peshohen atje, e kërkojini llogari vetes suaj, para se t’ju kërkohet llogari atje. Ta vësh veten përpara llogarisë këtu është shumë më e lehtë sesa llogaridhënia atje. Përgatituni për atë ditë të madhe me devotshmëri e me sa më shumë punë të mira. Po, po, sepse ajo është një ditë e atillë, për të cilën Allahu thotë kështu: “Atë Ditë do të mbeteni të zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur.” (Hak’ka, 69/18)

22. KONTROLLIMI I GJUHËS DHE HESHTJA

Heshtja e të Dërguarit të Allahut

Tregon Ebu Malik el-Eshxheiu: “Kur ishim fëmijë, ne uleshim pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Kurrë nuk kam parë ndonjëherë njeri që të fliste më pak sesa ai. Madje, edhe kur ndodhte që sahabët e tij të flisnin e ta zgjatnin shumë fjalën e tyre,

Resulullahu (paqja e Zotit qoftë mbi të) vetëm buzëqeshte.”

Ose fol për mbarë, ose hesht

Tregon Ubade bin Samiti: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i hipi devesë dhe bashkë me sahabët e tij dolën për rrugë. Asnjë nga sahabët nuk ia lejonte vetes që të kalonte përpara tij. Muadh bin Xhebeli (radijallahu anhu) tha:

- “O i Dërguari i Allahut! Unë lus Zotin që ne të na e marrë jetën përpara teje. Qoftë sa më larg ajo ditë, por ne çfarë adhurimesh do të bëjmë, nëse vdes ti? Bie fjala, çfarë të bëjmë ne, të luftojmë e të përpiqemi në rrugën e Allahut?”

I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:

“Të luftuarit dhe të përpjekurit në rrugën e Allahut është një punë shumë e mirë, mirëpo, ka edhe diçka tjetër, e cila është edhe më e bukur e më e mirë për njerëzit!” Muadh bin Xhebeli (radijallahu anhu) e pyeti:

“Cila është ajo, o i Dërguari i Allahut, agjërimi dhe sadakaja?” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) iu përgjigj:

“Edhe agjërimi me lëmoshën janë punë shumë të mira e të virtytshme; vetëm se ka diçka që është edhe më e virtytshme se këto të dyja.” Muadhi e dëgjoi dhe filloi të numërojë gjithë punët e mira që dinte vetë. I Dërguari i Allahut i përgjigjej duke i thënë se kishte diçka që ishte edhe më e epërme se ajo. Gjersa, më në fund, Muadhi pyeti:

“O i Dërguari i Allahut! E çfarë mund të jetë tjetër, që të jetë më e hairit për njerëzit?” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i bëri me shenjë te goja dhe i foli:

“Të heshtësh dhe kur të flasësh, të mos thuash asgjë veç të mirës.” Muadhi tha:

“O i Dërguari i Allahut, po pse edhe për atë çfarë na flet goja jemi përgjegjës ne?”

Profeti ynë i dashur e rrahu me pëllëmbë te gjuri dhe i tha:

“Të dhëntë Zoti të mira!”, – dhe, ndër të tjera, i tha Muadhit, – “A ka ndonjë gjë që i hedh më së shumti njerëzit buzëehundë në zjarr të Xhehenemit sesa gjuha e tyre. Kushdo që i beson Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ose të flasë për mbarë për të mirën, ose të heshtë. Flisni gjëra të mira e të mbara, që t’ia shihni të mirën gjuhës suaj, e që të mund t’u qëndroni sa më larg e të jeni të sigurt e të mbrojtur prej të këqijave.”

23. SI FLISTE I DËRGUARI I ALLAHUT?

Tregon Aishja (radijallahu anha): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) fliste duke i thënë fjalët një e nga një e me ngadalë. Nëse do të ngrihej ndokush, për t’i numëruar ato që thoshte ai, ai do ta kishte të lehtë të numëronte madje edhe shkronjat e fjalëve të tij. Ai nuk fliste kurrë shpejt dhe duke u ngutur.”

Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, i cili ka thënë:

“Unë u dërgova me Fjalën e thukët. Unë jam i privilegjuar nga e mira e të shkaktuarit frikë që së largu tek armiku im. Dhe, teksa flija, mua m’u dhanë në duart çelësat e gjithë thesareve të mbarë botës.”

I Dërguari i Allahut buzëqeshte gjithnjë

E tregon Aishja (radijallahu anha): “Unë nuk e kam parë kurrë të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) të qeshë me të madhe, sa t’i duken mishrat e dhëmbëve. Ai vetëm buzëqeshte gjithnjë.”

Tregon Amreja (radijallahu anha): “E pyeta Aishen (radijallahu anha), se si sillej i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kur qëndronte vetëm për vetëm me gratë e tij. Aishja (radijallahu anha) më tha:

“Ai sillej njësoj siç sillen edhe burrat tuaj me ju. Vetëm se ai ishte njeriu më i dashur e më bujar në mbarë njerëzimin. Ai rrinte gjithnjë i buzëqeshur dhe kurrë nuk e shihje të mos i qeshte fytyra.”

Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) tregon se: “I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) na tha:

“Unë i njoh ata që do të dalin të fundit fare prej Xhehenemit. Atij që do të dalë i fundit së andejmi duke u zvarritur do t’i thuhet: ‘Eja, hyr në Xhenet!’ dhe ai njeri do të bëjë përpara zvarrë. Kur i sheh banorët e Xhenetit, të gjithë nëpër vendet e veta, kthehet pas dhe thotë: ‘Po njerëzit e paskan mbushur vendin në Xhenet dhe nuk paska fare vend për mua.’ Atë e pyesin: ‘A të kujtohet se si jetoje ti në jetën e asaj bote?’ ‘Po!’, – përgjigjet ai. ‘Atëherë, kërko ç’të duash, sa të duash, kërko.’ Dhe ai fillon të kërkojë ato që do. Në fund atij i thuhet: “Të është dhënë dhjetëfishi i asaj që kërkoje ti.” Por, ai nuk e beson dhe plot dyshim thotë: ‘Ç’bëni, po talleni me mua, po pse tallet me njeriun Ai që është Mbreti i botëve?’ Kur e tregoi këtë i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), qeshi; ishte hera e parë që e shihja teksa qeshte aq sa t’i dukeshin dhëmballët.”

I Dërguari i Allahut qesh me sjelljen e një burri të varfër

Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “Erdhi një burrë te Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, unë mora fund! Unë pata marrëdhënie me gruan time gjatë muajit të Ramazanit.”

“Tani ti duhet të lirosh një skllav.”, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të).

“Po unë nuk kam mundësi të paguaj për një skllav.”, – u përgjigj ai burrë.

“Atëherë do të agjërosh për dy muaj me radhë, pa ndërprerje!”, – foli i Dërguari i Allahut.

“Po unë as për këtë nuk kam fuqi, o i Dërguari i Allahut!” E dëgjoi i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe kësaj here e këshilloi:

“Mirë, atëherë, do t’u japësh gjashtëdhjetë vetëve për të ngrënë.”

“Po unë as kësaj nuk ia dal dot, o Resulullah!”, – u përgjigj ai. Të Dërguarit të Allahut i sollën një shportë me hurma të thata.

“Ku është ai burrë që erdhi për të më pyetur?”, – pyeti i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), – dhe i tha atij:

“Merri këto hurma dhe shpërndaji si lëmoshë për të varfrit.”

“Po a ka në Medinë njeri më të varfër se unë; gjithë ç’ka midis këtyre dy maleve shkëmborë, shtëpi më të varfër se e imja nuk ka!” I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në fund, kur dëgjoi edhe këtë përgjigje nga ai burrë, qeshi, aq sa iu dukën paksa dhëmballët. Në fund fare, Resulullahu atij njeriu it ha:

“Mirë atëherë, t’i hani ju vetë ato hurma.”

24. MADHËSHTIA

Madhështia e të Dërguarit Fisnik të Allahut

E përshkruan Harixhe bin Zejdi (radijallahu anh): “I Dërguari i Allahut ishte njeriu më fisnik mes të gjithë atyre që gjendeshin në ndonjë kuvend me të. Ai ruhej që të mos i shfaqej asnjë pjesë e trupit që nuk duhej të shfaqej. Ai përpiqej që të ishte gjithmonë sa më serioz dhe krenar përpara njerëzve.”

Fisnikëria e Muadh bin Xhebelit

E tregon Ebu Muslim el-Haulanij: “Një ditë hyra në xhaminë e Humusit, kur brenda pashë të ulur rreth tridhjetë burra të moshuar, të cilët ishin nga sahabët e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Në mes tyre ishte edhe një djalë i ri; sytë i kishte të lyer, kurse dhëmbët i shkëlqenin. Nuk fliste, por vetëm qëndronte ashtu i heshtur. Bashkësia, kur kishte ndonjë gjë të dyshimtë, së cilës i druhej, atë pyesnin. Pyeta dikë që ishte pranë meje:

“Po ky djalë i ri, kush është?”

“Ai është Muadh bin Xhebeli.”, – më tha ai. Në atë kohë, aq shumë m’u ngroh zemra ndaj atij njeriu, saqë nuk u ndava prej aty, derisa ata u shpërndanë.”

25. TË QENËT XHELOZ PËR HIR TË ALLAHUT

Ebu Hurejreja (radijallahu anhu) tregon: “Sa’d bin Ubadeja (radijallahu anhu) pati thënë kështu:

“Nëse gjej ndonjë burrë pranë gruas sime, nuk e prek dot unë atë burrë me dorë pa sjellë më parë katër dëshmitarë?”

“Nuk e prek dot!”, – u përgjigj i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem).

“Po unë nuk e duroj dot diçka të atillë. Unë i betohem Allahut, që të ka dërguar ty me fenë e së drejtës dhe të së vërtetës, se unë e vras atë njeri pa pritur që të gjej edhe katër dëshmitarë.” I Dërguari i Allahut, duke pasur parasysh Sa’din, tha:

“Dëgjojeni këtë që ju thotë prijësi juaj. Unë jam më xheloz se Sa’di dhe Allahu është edhe më xheloz se sa unë…”

Aishja (radijallahu anha) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), një natë, u largua nga unë dhe unë u bëra shumë xheloze për të. Kur u kthye sërish, e kuptoi atë që po ndieja unë dhe më tha:

“Ç’të ka gjetur kështu, moj Aishe, u bëre xheloze?”

“Po, natyrisht, o i Dërguari i Allahut! Pse, a nuk bëhet një si unë xheloze për një si ti!”

“Ty të paska ardhur sërish djalli.”

“Çfarë është kjo, pse paskam edhe unë djall, o i Dërguari i Allahut?”

“Po!”, – m’u përgjigj i Dërguari i Allahut.

“Po ti, a ke shejtan?”, – e pyeta dhe ai m’u përgjigj duke më thënë:

“Po, kam pasur, por mua më ndihmoi Allahu dhe më në fund, ai u dorëzua para meje.”

26. TË URDHËROSH PËR MIRË DHE TË BËHESH PENGESË PËR TË KEQEN

Shkalla në Xhenet e atyre që kryejnë detyrën e të urdhëruarit për mirë dhe të të qenët pengesë për të keqen

Enesi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha kështu: “A doni tu flas për ata njerëz, të cilët, megjithëse nuk janë as profetë e as dëshmorë, ditën e Kiametit do të ulen mbi minberë drite dhe për shkallën e tyre tek Allahu do t’i admirojnë edhe profetët dhe dëshmorët?!”

“Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?”, – e pyetën. I Dërguari i Allahut foli:

“Janë ata që ia bëjnë Zotin të dashur njerëzve dhe njerëzit të dashur për Zotin. Ata lëvizin nëpër botë, për t’i këshilluar njerëzit dhe për të bërë mirë për ta.” I thanë të Dërguarit të Allahut:

“O i Dërguar! E kuptuam, që ata ua bëjnë njerëzve Zotin të dashur, por kjo, që t’i bësh Zotit të dashur njerëzit, si ndodh kjo, a mund të na e shpjegosh?” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:

“Ata i urdhërojnë njerëzit që të bëjnë ato gjëra që i do më së shumti Allahu, si dhe u bëhen atyre pengesë dhe ua ndalojnë kryerjen e atyre gjërave që nuk i do Allahu. Dhe, kur ata njerëz u binden dhe i ndjekin me përpikëri gjërat e predikuara prej tyre, Allahu i do ata.”

I Dërguari i Allahut i paralajmëron të gjithë, që të mos tregohen të dobët në urdhërimin e së mirës dhe në pengimin e së keqes

Sipas një transmetimi të Muadh bin Xhebelit (radijallahu anhu), Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë:

“Për sa kohë që në mesin tuaj nuk shfaqen dy dehjet; dehja nga injoranca dhe dehja nga dashuria për jetën e kësaj bote, ju do të vazhdoni të jeni pjesë e fesë që ju vjen prej Zotit tuaj, sepse, për sa kohë që do të jeni të këtillë, ju do t’i urdhëroni njerëzit për mirë, do t’i pengoni ata nga rënie tek e keqja dhe do të luftoni në rrugën e Allahut. Por, nëse ndodh e në mesin tuaj zë të lindë dashuria për jetën e kësaj bote, atëherë, ju as nuk do të urdhëroni më për të mirën, e as nuk do të bëheni më pengesë për të keqen, e aq më pak do të luftoni në rrugën e Allahut. Ja pra, ata që do të përfaqësojnë Kur’anin dhe Sunetin atë ditë do të jenë njësoj si muhaxhirët dhe ensarët e parë, të cilët garonin me njëri-tjetrin se kush do të bënte më shumë të mira.”

Po i njëjti paralajmërim edhe nga ana e Ebu Bekrit (r.a.) Tregon Kajs bin Ebi Hazimi: “Ebu Bekri (radijallahu anhu), atë ditë që mori titullin e të qenët ‘kalifi i të Dërguarit të Allahut’, u ngjit në minber dhe pasi lëvdoi Allahun, tha këto fjalë:

“O njerëz! Ju e lexoni ajetin kur’anor: “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë. Tek Allahu do të ktheheni të gjithë e do t’ju lajmërojë për atë që keni punuar.” (Maide, 5/105); por ju nuk e kuptoni atë duke e përthithur tërë domethënien e qëllimit për të cilin u zbrit, sepse unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), i cili tha:

“Në kohën që njerëzit nuk do të bëhen pengesë e së keqes e do të mbyllin njërin sy ndaj të këqijave, ajo do të thotë se është shumë e afërme koha kur Allahu do t’i ndëshkojë të tërë njerëzit.”

Kur do ta braktisë umeti i Muhamedit detyrën e urdhërimit për të mirën dhe të pengimit të së keqes?

E tregon Hudhejfeja (radijallahu anhu): “Njëherë unë e pyeta Profetin tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):

“O Resulullah! Kur do të braktiset ajo që është detyra më e parë e besimtarëve që janë të devotshëm, urdhërimin e së mirës dhe pengimin e të këqijave? Profeti ynë m’u përgjigj:

“Atëherë kur të ndodhë edhe me ju ajo që u ndodhi hebrenjve.”

“O Resulullah! Po pse, çfarë u ndodhi hebrenjve?”, – e pyeta unë sërish të Dërguarin e Allahut dhe ai m’u përgjigj duke më thënë:

“Kur ata që janë më të mirët ndër ju fillojnë të sillen si dallkaukë me ata që janë të prishur e të këqij; kur dija e fesë të bjerë në duart e njerëzve qëllimkëqij; kur shteti dhe udhëheqja juaj të mbetet në duart e më të vegjëlve, ja, në atë kohë ju do t’ju rrethojnë anekënd ngatërresat dhe mosmarrëveshjet. Ju do të sulmoni anën matanë, e do t’ju kthehet përgjigje po duke ju sulmuar.”

27. RRUGA E NDJEKUR NGA I DËRGUARI I ALLAHUT DHE SAHABËT E TIJ DREJT MARTESËS

Martesa e Profetit tonë të dashur me Hatixhen (r.a.)

E tregon Nefijseja: “Hatixheja, e bija e Huejlidit, jo vetëm ishte shumë e pasur, por ishte edhe një grua serioze, krenare, e bukur dhe fisnike. I përkiste njërës prej familjeve më të fisme e më të pasura të kurejshëve. Gjithë meshkujt e atij populli ëndërronin të martoheshin me të; madje, ata ishin të gatshëm ta falnin tërë pasurinë e tyre, vetëm e vetëm për të lidhur një martesë të tillë. Kurse Muhamedi (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) asokohe merrej me tregti. Edhe Hatixheja kishte dërguar karvanin e saj drejt Sirisë. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u kthye nga Siria dhe Hatixheja më dërgoi mua fshehtazi që ta njoftoja atë për ca lajme të reja. Shkova dhe i thashë: - “O Muhamed, po pse nuk martohesh?”

“Po unë nuk kam asgjë, me çfarë të martohem?”, – u përgjigj ai.

“Po nëse unë do të të thosha se një grua shumë e bukur, me pasuri e plaçkë të shumtë, gjithashtu edhe e fisme dhe e dashur po sa edhe ti, do të donte të martohej me ty, pa të kërkuar gjë prej gjëje, a do të pranoje të martoheshe?”

“E kush qenka kjo grua?”, – m’u përgjigj ai duke më pyetur.

“Hatixheja!”, – iu përgjigja unë.

“Po si do të bëhet kjo punë?”, – pyeti ai dhe unë ia ktheva, duke i thënë:

“Ma lër mua në dorë.”, – çka e bëri të pranojë. Sakaq, unë u shkova e njoftova menjëherë Hatixhen. Edhe Hatixheja i dërgoi fjalë xhaxhait të saj dhe të të Dërguarit të Allahut, Amr bin Esedit, që ‘në filan orë të ishte në filan vend.’ Palët u përgatitën dhe në kohën e vendin e caktuar ishin të gjithë atje. Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të) erdhi bashkë me xhaxhallarët. Si krushk ishte vetëm njëri prej tyre. Xhaxhai i Hatixhes, Amri, tha:

“Ky djalosh është më i përshtatshmi për vajzën tonë; është një djalë që nuk mund të mos e pranosh.” Në kohën që Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u martua me Hatixhen (radijallahu anha), ai ishte njëzet e pesë vjeç, kurse Hatixheja ishte dyzet vjeçe; Hatixheja kishte lindur pesëmbëdhjetë vjet para Ndodhisë së Elefantit.”

Martesa e Profetit tonë me Aishen (r.a.)

Tregon Aishja (radijallahu anha): “Ne erdhëm nga Meka në Medinë. Aty u strehuam në një prej shtëpive të fisit të bijve të Harith bin elHazrexhit në Sunuh. Një ditë në shtëpinë tonë erdhi Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Po në atë kohë, nëna ishte duke më lëkundur mua në një kolovajzë që e kishim sajuar me dy litarë të varur në degët e dy pemëve të hurmave. Kur hyri në shtëpi i Dërguari i Allahut, nëna më zbriti mua nga kolovajza, më rregulloi flokët, të cilat më derdheshin supeve, ma pastroi fytyrën me pak ujë, pastaj më kapi përdore dhe më çoi deri te dera. Ngaqë isha e lodhur me zor merrja frymë. U qetësova pak, pastaj erdhi nëna, më mori dhe më futi brenda. Ç’të shihja! Brenda ishte Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë me të), ishte ulur mbi një nim. Rreth Profetit tonë të dashur qëndronin të ulur burra dhe gra të ensarëve. Nëna më futi mua menjëherë në një dhomë tjetër dhe më tha:

“Këta janë të afërmit dhe kushërinjtë e tu. Zoti ju bëftë të bekuar, ty për ta dhe ata për ty.”

Miqtë nuk qëndruan gjatë, por u ngritën dhe u larguan shpejt. Në dasmën time nuk u ther as deve, as dele. Vetëm një nga të mëdhenjtë e ensarëve, Sa’d bin Ubadeja (radijallahu anhu), pati dërguar një enë të madhe me ushqim. Sa’d bin Ubadeja (radijallahu anhu) e kishte kthyer në zakon, që t’u çonte vazhdimisht ushqim edhe grave të tjera të Profetit (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Atë ditë që u martova me të Dërguarin e Allahut unë isha një vajzë nëntëvjeçare.”

Në transmetimin e Ahmed bin Hanbelit thuhet se dorën e Aishes (radijallahu anha) e kishin kërkuar më parë edhe për djalin e Mut’im bin Adijit, por kur nisi të bëhej fjalë për Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pra, fakti që nëna e saj Umu Rumani e pati prishur fjalën, duke shprehur frikën se djali i Mut’imit ishte një idhujtar tregon se në atë kohë mosha e Aishes (radijallahu anha) nuk ishte më e vogël se nëntë vjeçe, apo që ajo e kishte arritur moshën për t’u martuar. Veç kësaj, duhet të theksojmë se në Gadishullin Arabik, mosha e martesës është shumë më e hershme sesa mund të jetë në vende të tjera, të cilat kanë një klimë më të ftohtë.

Martesa e Xhulejbibit, një prej sahabëve

Ebu Berzete’l-Eslemiu (radijallahu anhu) tregon: “Ishte dikush, të cilin e quanin Xhulejbib; shkonte te gratë dhe bënte shaka me to. I thashë gruas sime:

“Nuk do ta pranosh më Xhulejbibin që t’ju afrohet. Nëse e shoh edhe njëherë afër jush, ta dini se do të bëj njërën.” Asnjë nga ensarët nuk i martonte vajzat që kishin arritur moshën e martesës, pa u këshilluar njëherë me Resulullahun. Një ditë, Profeti ynë i tha njërit prej ensarëve:

“Ma jep mua vajzën tënde.”

“Në rregull, o Resulullah. Ky është një nder shumë i madh për mua!”, – u përgjigj ai menjëherë, por Resulullahu shtoi:

“Po unë nuk e dua atë për vete.”

“Po për kë, o i Dërguari i Allahut?”, – pyeti ai. Resulullahu i tha:

“E dua për Xhulejbibin.”

“Epo, të këshillohem njëherë me nënën e vajzës.”, – tha ai burrë dhe u largua.

E shoqja, kur po dëgjonte fjalët e të Dërguarit të Allahut, që po i transmetonte i shoqi, i tha atij:

“Po, patjetër, e ku ka nder më të madh se ky!”

“Po nuk e do për vete! Do të hyjë si krushk për Xhulejbibin.”, – e sqaroi ai të shoqen.

“Për Xhulejbibin? Për Xhulejbibin? Jo, për Zotin, unë nuk ia jap vajzën atij njeriu.”

Në kohën që ai ensar u ngrit të shkonte tek i Dërguari i Allahut, për t’i bërë të ditur qëndrimin e së shoqes, vajza e tyre u tha:

“Kush ka hyrë krushk tek ju, për të më martuar mua?” Dhe e ëma ia tregoi se si qëndronte puna, por vajza vazhdoi të thoshte:

“E çfarë po bëni ju, nuk po pranoni fjalën e Resulullahut? Ju më lini më mirë në dorë të Resulullahut, ai nuk lejon që unë të poshtërohem.” Atëherë, babai i vajzës shkoi te Resulullahu; i bëri të ditur përgjigjen e vetë vajzës, duke i thënë:

“Vajza ime jua la juve në dorë, që të vendosni për të.” Kësisoj, i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e martoi atë vajzë me Xhulejbibin. Pas njëfarë kohe, Resulullahu u nis në një luftë. Në këtë luftë që u mbyll me fitoren e myslimanëve, Allahu i fali shumë plaçkë e pasuri të luftës Profetit të Tij. Teksa do të ktheheshin, ai i pyeti sahabët:

“A vëreni që ju mungon ndonjë prej shokëve tuaj?” - “Jo!”, – iu përgjigjën ata.

“Mirë, po unë nuk po e shoh Xhulejbibin gjëkundi, dilni e kërkojeni.” Sahabët dolën menjëherë të kërkonin. Xhulejbibin e gjetën, kishte rënë dëshmor në mes të shtatë idhujtarëve të vrarë. Shkuan tek i Dërguari i Allahut dhe i thanë:

“O Resulallah! Ja tek është, ka vrarë shtatë vetë dhe vetë ka rënë dëshmor.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) u afrua dhe tha:

“Ka vrarë shtatë vetë dhe është vrarë edhe vetë prej tyre! Xhulejbibi është i imi dhe unë jam i Xhulejbibit.”, – dhe, pasi e përsëriti dy a tri herë këtë fjalinë e fundit, dha urdhër që të hapnin një varr. Kur u hap gropa e varrit, ai e mori trupin e pajetë të Xhulejbibit dhe e uli vetë në tokë.

Is’hak bin Abdullahu thotë se: “Unë e pyeta Thabit el-Bunaniun:

“A e di ti se si u lut i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për gruan e Xhulejbibit?”

“Po, ‘O Zot! Lëshoje me rrebeshe të mirën dhe begatinë Tënde mbi këtë grua, e mbaji larg vështirësitë prej jetës së saj.’, – ja kështu u lut.”, – tha ai. Dhe vërtet, grua të ve që punët t’i kenë shkuar aq mirë e mbarë sa ç’i shkoi jeta asaj gruaje, askush nuk ka parë në mesin e ensarëve.”

Omeri (r.a.) e ndalon dhënien e mehrit me tepri ndaj grave, por më vonë e anulon sërish urdhrin e tij, kur një grua ankohet

Tregon Mesruku: “Një ditë, Omeri (radijallahu anhu) u ngjit mbi minber dhe tha:

“O njerëz, këtej e tutje të mos dëgjoj më për njeri, që të japë mehr më të madh se katërqind dërhemë, sepse as Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), as sahabët e tij nuk kanë dhënë ndonjëherë mehr më të madh sesa katërqind dërhemë. Po të kishte ndonjë kriter devotshmërie dhe virtyti në dhënien e mehrit para martese, nuk ka dyshim se ju kurrsesi nuk do t’ia arrinit dot atyre.”, – dhe zbriti nga minberi. Një grua nga fisi i kurejshëve e pati dëgjuar fjalën e Omerit (radijallahu anhu) dhe me të parë se Omeri (radijallahu anhu) përfundoi fjalën e tij, u hodh dhe e kundërshtoi:

“O Prijësi i Besimtarëve! Ti ua ndalove burrave që të japin mehr prej katërqind dërhemësh për gratë e tyre, apo jo?” - “Po!”, – tha Omeri (radijallahu anhu).

“Po mirë, ti nuk e ke lexuar që në librin e Tij Allahu thotë: “Në qoftë se dëshironi të ndërroni grua, duke e lëshuar njërën për të marrë një tjetër, asaj që i keni dhënë pasuri, mos i merrni nga ajo (pasuri) asgjë. A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?!”?

(Nisa, 4/20)

“O Zot, më fal.”, – tha menjëherë Omeri (radijallahu anhu), një të dëgjuar kundërshtimin e asaj gruaje, – “Të gjithë e dinë fenë më mirë se Omeri!”, – dhe u kthye pas, për t’u ngjitur edhe njëherë në minber, që t’u thoshte atyre:

“Besimtarë! Unë jua ndalova që të jepni mehr më të madhe se katërqind dërhemë; sapo kuptova se ky vendim nuk është i drejtë. Andaj, kushdo mund të japë mehr sa të dojë.”

28. I DËRGUARI I ALLAHUT DHE BURRAT E FAMILJES SË BEKUAR IA KALONIN SHUMË MIRË ME GRATË DHE FËMIJËT E TYRE

Marrëdhënia shumë e mirë që kishte i Dërguari i Allahut me Aishen (r.a.)

Tregon vetë Aishja (radijallahu anha): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po qëndronte ulur, kur dëgjoi një zhurmë. Pa njëherë se çfarë kishte ndodhur, kur pa abisinasit, të cilët po kërcenin; rreth tyre ishin mbledhur njerëzia, për të ndjekur vallen e tyre. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha Aishes:

“O Aishe, eja edhe ti, të shikosh, po deshe.” Unë vura faqen mbi supin e Resulullahut; nga supet u përpoqa të shihja kokën e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). I Dërguari Fisnik më pyeti:

“Ende nuk u ngope?”, – dhe unë, për të kuptuar se sa vlerë kisha unë për të, i thashë:

“Jo!” Atëherë pashë, që, me sa dukej i ishin lodhur këmbët teksa shikonte njerëzit që po hidhnin valle, sepse ndërroi këmbët. Kur, sa hap e mbyll sytë ia behu Omeri dhe të gjithë u shpërndanë; fëmijët të parët. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:

“Pashë shumë djaj njerëzorë edhe prej xhindeve, që ia mbathën prej Omerit.”

Një ngjarje e Profetit tonë me gratë e tij, në lidhje me ndarjen prej tyre

Xhabiri (radijallahu anh) tregon: “Sahabët po qëndronin të ulur pranë portës së të Dërguarit të Allahut, kur aty erdhi Ebu Bekri (radijallahu anhu). Kërkoi leje për t’u takuar me të Dërguarin Fisnik. Nuk i dhanë leje. Pastaj erdhi Omeri (radijallahu anhu), i cili kërkoi leje, por as atij nuk iu lejua që të hynte. Mandej, kur iu dha leje të dyve dhe u pranuan brenda. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) nuk fliste fare, kurse gratë i qëndronin përreth. Omeri (radijallahu anhu), duke dashur që ta gëzonte pak të Dërguarin e Allahut, e filloi kështu fjalën:

“O Resulullah! (Duke pasur parasysh gruan e tij) Ta kishe parë njëherë vajzën e Zejdit! Më kërkoi para dhe unë një të goditur i dhashë!” I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) qeshi sa iu dukën edhe dhëmbët dhe foli:

“Edhe këto gratë këtu rreth meje duan të njëjtën gjë nga unë.” Atëherë Ebu Bekri me Omerin (radijallahu anhuma) një të vërsulur bënë, që të qëllonin secili vajzën e vet, Aishen dhe Hafsanë (radijallahu anhuma). Të dy thanë të njëjtat fjalë:

“Domethënë ju doni prej Resulullahut ato gjëra që s’i ka, hë?!” I pengoi i Dërguari i Allahut. Pas kësaj, gratë thanë kështu:

“Uallahi, këndej e tutje ne të Dërguarit të Allahut nuk do t’i kërkojmë më asgjë, mundësitë e së cilës ai nuk i ka!”

Më vonë, Allahu zbriti ajetet lidhur me ndarjen dhe qëndrimin e grave të Profetit. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kumtimit të atyre ajeteve ia nisi prej Aishes (radijallahu anha):

“O Aishe! Unë do të të bëj një propozim; por mos vendos pa u këshilluar njëherë me nënën dhe babanë tënd.”

“E ç’është ky propozim?”, – pyeti Aishja (radijallahu anhu). Atëherë, i Dërguari i Allahut i këndoi asaj ajetin: - “O i Dërguar!

Thuaju grave tuaja: ‘Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t’ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t’ju lëshoj si është më mirë.’” (Ahzab, 33/28)

Aishja (radijallahu anhu) iu përgjigj me fjalët:

“Me një fjalë unë do të këshillohen me nënën dhe babanë për t’u ndarë prej teje? Jo, kurrën e kurrës, unë zgjedh Allahun dhe të Dërguarin e Tij. E vetmja kërkesë që kam prej teje, është që të mos u flasësh grave të tjera për zgjedhjen që bëra unë.”

I Dërguari i Allahut e dëgjoi Aishen (radijallahu anhu) me vëmendje, pastaj i tha:

“Allahu nuk më dërgoi mua si të ashpër e fyes për njerëzit, por si një njeri që i edukon dhe ua lehtëson njerëzve gjërat. Mos më kërko mua që ta fsheh zgjedhjen tënde. Nëse ato më pyesin mua se çfarë zgjodhe ti, unë patjetër që do t’ua tregoj.” Aishja (radijallahu anhu) thotë se:

“I Dërguari i Allahut, të njëjtin propozim shkoi dhe ua bëri edhe grave të tjera një e nga një. Dhe secila prej tyre i dha po atë përgjigje që i kisha dhënë edhe unë.”

29. QËNDRIMI QË MBANTE I DËRGUARI I ALLAHUT ME FËMIJËT

Tregon Enesi (radijallahu anhu): “Unë nuk kam parë ndonjëherë njeri më të dhembshur me fëmijët se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Në njërën prej lagjeve të sipërme të Medinës banonte një prej mëndeshave të Ibrahimit, djalit të të Dërguarit të Allahut. Shkonte bashkë me të atje, hynte në shtëpinë e saj dhe i ndizte vatrën. Burri i mëndeshës ishte hekurpunues. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) përqafonte Ibrahimin, e puthte, pastaj ktheheshim pas.”

Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Kur i pashë Hasanin dhe Husejnin të hipur mbi supet e të Dërguarit të Allahut, u thashë atyre:

“Mbi ç’shpinë të mirë që paskeni hipur kështu!” Kurse i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) më dha këtë përgjigje:

“Po shumë të bukur janë edhe ata që kanë hipur!”

30.INTERESIMI I PROFETIT NDAJ PROBLEMEVE TË BASHKËSHORTEVE TË SAHABËVE

Tregon Abdullah bin Amri: “Babai më martoi mua me dikë nga kurejshët. Kur hyri nusja në shtëpi, duke qenë se unë isha shumë i dhënë pas adhurimeve dhe agjërimit, nuk gjeja dot shumë mundësi për t’u kujdesur për gruan e re. Amr bin Asi (radijallahu anhu) erdhi te nusja e re dhe e pyeti:

“Si i ke marrëdhëniet me burrin?”

“Është njeri shumë i mirë; po që kur kam ardhur, ai nuk më ka prekur asnjëherë me dorë.”, – iu përgjigj ajo. Atëherë, babai më foli mua rëndë:

“Po babai të martoi ty me një njeri të fisëm. Ti shih se ç’bëre!” Pastaj shkoi tek i Dërguari i Allahut dhe iu ankua për mua. I Dërguari i Allahut dërgoi fjalë të shkoja tek ai. Vajta te Resulullahu dhe ai më tha:

“A agjëron gjatë ditës?”

“Po, agjëroj.”, – iu përgjigja unë.

“Po netët, i kalon duke adhuruar Zotin?”

“Po!”, – iu përgjigja prapë unë. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) më tha mua:

“Unë nganjëherë agjëroj, nganjëherë jo. Fal namaz, por edhe fle; nuk i lë pas dore as gratë. Kushdo që braktis Sunetin tim, nuk është më me mua!” Mandej më tha:

“Lexoje Kur’anin të plotë një herë në muaj.”

“Po unë mund të lexoj më shumë.”, – iu ankova unë.

“Lexoje të plotë një herë në dhjetë ditë.”, – më tha atëherë.

“Po unë mund të lexoj më tepër.”, – përsërita unë.

“Atëherë lexoje një herë në tri ditë Kur’anin të plotë”, – tha ai. – “dhe çdo muaj agjëro vetëm tri ditë.”

“Po unë mund të agjëroj më shumë.”, – i thashë unë. Derisa, në fund fare, më tha:

“Agjëro një ditë po e një ditë jo. Më i miri agjërim është agjërimi i vëllait tim Daudit.”

Muxhahidi (radijallahu anhu) thotë se: “Në pleqëri Abdullah bin Amri (radijallahu anhu) agjëronte disa ditë rresht, pastaj, për të fituar fuqinë e humbur nuk agjëronte për disa ditë të tjera. Edhe Kur’an, herë lexonte shumë, herë lexonte pak; por e lexonte të tërin të paktën një herë në tri a shtatë ditë. Abdullah bin Amri thoshte:

“Ah sikur të mund të bëja atë që na pati lejuar i Dërguari i Allahut!

Ndoshta ajo do të ishte më e mirë për mua. Por unë nuk dua që ta shkel fjalën që i kam dhënë.”

31.EDUKATA NË TË NGRËNË E NË TË PIRË E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE E SAHABËVE TË TIJ

Ebu Hurejreja tregon: “I Dërguari i Allahut nuk shprehte pakënaqësi për asnjë ushqim që i shtrohej në sofër. Nëse kishte uri e hante, nëse nuk kishte, atëherë nuk e hante atë.”118

Omer bin Ebi Selemi tregon: “Një ditë unë hëngra me të Dërguarin e Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të). Sa kisha filluar të haja prej mishit që ishte në anë të enës, kur ai më qortoi:

“Duhet të hash prej asaj që ke përpara.”

Tregon Umeje bin Ebi Mahshaja: “I Dërguari i Allahut pa që një burrë filloi të hante pa thënë ‘Bismil’lah’. Ai njeri vazhdoi të hajë, kur, në fund, kishte mbetur vetëm një kafshatë për t’u ngrënë dhe teksa po e fuste në gojë, tha: ‘Bismil’lahi euuelehu ue ahirehu’. I Dërguari i Allahut qeshi dhe tha:

“Për Zotin, djalli vazhdoi të hante tok me të. Por, kur tha ‘Bismil’lah’-in, gjithë ç’kishte në bark i nxori.”

Këshilla e Aliut (r.a.) ndaj dikujt në lidhje me edukatën në të ngrënë e në të pirë

Ibn A’bedi tregon: “Aliu (radijallahu anhu) më pati thënë:

“O Ibni A’bed, a e di ti se ç’është e drejta e ushqimit?” - “Jo, ç’është kjo e drejtë?”, – e pyeta unë.

“Të thuash ‘Bismil’lah’ dhe t’i lutesh Zotit duke thënë: “O Zot begatoji këto të mira që na ke falur!” Pastaj bëri këtë pyetje: - “Po falënderimi për ushqimin, si bëhet?”

“Si bëhet?”, – e pyeta unë. Do të thuash:

“Falënderimet i takojnë Allahut që na jep ne për të ngrënë e për të pirë.”, – më tha ai.

Fjala e Selmanit (r.a.) në lidhje me rrëskun e Zotit

E tregon Salimi, skllavi i liruar i Zejd bin Sauhanit: “Ne ishim në pazar, bashkë me zotërinë tim, Zejdin. Atje u takuam me Selman Farisiun. Kishte blerë dyqind a treqind kilogramë grurë. Zejdi i tha atij:

“O Ebu Abdullah! Edhe ti e bën këtë? Po ti je nga sahabët e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)?” E Selmani i dha atij këtë përgjigje:

“Njeriu sikur gjen qetësi kur e siguron ushqimin e tij, shkon më me dashuri për ta adhuruar Zotin dhe i largohen gjithë ngacmimet e

djallit.”

32. VESHJA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT DHE E SAHABËVE TË TIJ

Abdurrahman bin Ebi Lejla tregon: “Isha bashkë me Omerin (radijallahu anhu); ai më tha mua:

“E pashë Ebu’l-Kasemin (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kishte veshur një xhube siriane me thekë të ngushtë.”

Tregon Seleme bin Eku’ja: “Osman bin Afani vishte një pelerinë të gjatë deri te fundi i gjunjëve dhe thoshte:

“Ja, të këtillë e kishte pelerinën që vishte edhe më i Dashuri im, Profeti im.”

Xhabiri tregon: “Ditën që u ngadhënjye mbi Mekën, i Dërguari i Allahut doli në qytet me një çallmë të zezë në kokë.”

Tregon Ummu Selemeja: “Veshja më e dashur e të Dërguarit të

Allahut ishte këmisha.”

Fjalët që thoshte i Dërguari i Allahut kur vishte ndonjë rrobë të re

Tregon Omeri (radijallahu anhu): “Kur vishte ndonjë rrobë të re i Dërguari i Allahut, e ajo rrobë i vinte deri te gjoksi, e kam parë vetë, që është lutur:

“Lëvduar qoftë Allahu që ma fali dhe ma veshi mua këtë rrobë, me të cilën unë mbuloj pjesët intime të trupit dhe dukem më i bukur. I betohem Allahut, se myslimanët që veshin diçka të re dhe thonë këto që po them unë, duke ua dhënë të varfërve të vjetruarat, që t’i veshin ata, për sa kohë që të qëndrojë mbi trupin e tyre qoftë edhe një fije e vetme e atyre teshave, jeton akoma, apo nuk jeton, ai njeri do të jetë në mbrojtjen dhe pranë Allahut.”

33. SHTRATI KU FLINTE I DËRGUARI I ALLAHUT

Njëherë e pyetën Aishen (radijallahu anha), se si ishte shtrati në të cilin binte të flinte i Dërguari i Allahut dhe Aishja (radijallahu anha) u përgjigj:

“Ai kishte një shtrat prej lëkure, që ishte mbushur me lëkurë nga ajo e hurmave.”

Kur Hafsanë (radijallahu anha) e kanë pyetur, se si ishte shtrati ku flinte i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), ajo u është përgjigjur duke u thënë:

“Shtratin e kishte të bërë me një pëlhurë të trashë. Ne e palosnim atë më dysh dhe atje flinte ai. Një ditë mendova se po ta palosja më katërsh, ai do të flinte më rehat, ndaj ashtu bëra. Në të gdhirë, i Dërguari i Allahut më pyeti:

“Çfarë më kishe shtruar kështu sonte?”

“Atë që kam shtruar gjithnjë.”, – i thashë unë. – “Por kësaj here e kisha palosur më katërsh.” Një ta dëgjuar, më porositi:

“Palose si herët e tjera këtej e tutje; sepse butësia e shtratit më bëri që të çohesha vonë për të falur tehexhudin (namazin e natës).”

Shënimet

  1. 326.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/91 (24645).
  2. 327.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/42.
  3. 328.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 3/62.
  4. 329.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/37; Ibn Sa’d, Tabakat, 7/11.
  5. 330.. Muslim, Sahih, 4/1812 (2324).
  6. 331.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/858 (35969).
  7. 332.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/36.
  8. 333.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/36.
  9. 334.. Buhari, Sahih, 4/1702 (4366).
  10. 335.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/82.
  11. 336.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/110.
  12. 337.. Buhari, Sahih, 1/427 (1210).
  13. 338.. Nesai, Sunen, 7/112 (4080). 164/230.
  14. 339.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/122 (12249).
  15. 340.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/109 (12086).
  16. 341.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/861 (35979).
  17. 342.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/36.
  18. 343.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/133 (12390).
  19. 344./38.
  20. 345.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 8/193.
  21. 346.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 7/203-204.
  22. 347.. Buhari, Edebu’l-Mufred, 1/205 (584).
  23. 348.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/582 (14209).
  24. 349.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/582 (14210).
  25. 350.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 8/287 (8103).
  26. 351.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 8/200 (7812).
  27. 352.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/294.
  28. 353.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 8/586 (14225).
  29. 354.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/44.
  30. 355.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/249 (10238).
  31. 356.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/865 (35987).
  32. 357.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/865 (35989).
  33. 358.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/866 (35992).
  34. 359.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 7/90.
  35. 360.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 9/355 (25648).
  36. 361.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/60.
  37. 362.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 4/63.
  38. 363.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/277.
  39. 364.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 1/283 (361).
  40. 365.. Tirmidhi, Sunen, 4/357 (1990).
  41. 366.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/46; Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 8/224.
  42. 367.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/776.
  43. 368.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/46.
  44. 369.. Ibn Haxher, el-Isabe, 2/98.
  45. 370.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 2/195.
  46. 371.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/42.
  47. 372.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/268 (17349).
  48. 373.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/370.
  49. 374.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 7/144 (9781).
  50. 375.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/90, 189.
  51. 376.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 15/1149 (42959).
  52. 377.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1293 (8649).
  53. 378.. Buhari, Sahih, 5/2082 (5153).
  54. 379.. Buhari, Sahih, 1/437 (1239).
  55. 380.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/58; Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/284.
  56. 381.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 20/102 (199).
  57. 382.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 2/582 (3723).
  58. 383.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1295 (8654).
  59. 384.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1280 (8614).
  60. 385.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/60.
  61. 386.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/261.
  62. 387.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 3/224.
  63. 388.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 5/335.
  64. 389.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/258; Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/143.
  65. 390.. Muslim, Sahih, 3/1802 (2307).
  66. 391.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/328.
  67. 392.. Buhari, Sahih, 3/1051 (2709).
  68. 393.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/59.
  69. 394.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/31.
  70. 395.. Bejheki, Sunen, 7/14 (12943).
  71. 396.. Buhari, Sahih, 3/1065 (2753).
  72. 397.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 4/84.
  73. 398.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/75.
  74. 399.. Ibn Kethir, Tefsir, 4/281.
  75. 400.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1202 (8537).
  76. 401.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1203 (8538).
  77. 402.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/59.
  78. 403.. El-Hakim, Mustedrek, 2/535 (3828).
  79. 404.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/164.
  80. 405.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/216.
  81. 406.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1234 (8495).
  82. 407.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/59.
  83. 408.. Bejheki, Shuabu’l-Iman, 1/489 (789).
  84. 409.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/797 (35795).
  85. 410.. Ibn Maxhe, Sunen, 2/1426 (4267).
  86. 411.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/305.
  87. 412.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/305.
  88. 413.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/52.
  89. 414.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/372.
  90. 415.. El-Hakim, Mustedrek, 4/319 (7774).
  91. 416.. Buhari, Sahih, 3/1307 (3374).
  92. 417.. Buhari, Sahih, 3/1087 (2815).
  93. 418.. Muslim, Sahih, 2/616 (899).
  94. 419.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/44; Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/91.
  95. 420.. Muslim, Sahih, 1/173 (309).
  96. 421.. Buhari, Sahih, 5/2260 (5737).
  97. 422.. Kadi Ijad, Shifa, 1/110.
  98. 423.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/231.
  99. 424.. Muslim, Sahih, 2/1136 (1499).
  100. 425.. Muslim, Sahih, 4/2168 (2815).
  101. 426.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/155 (5565).
  102. 427.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/533 (12159).
  103. 428.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 3/1215 (8443).
  104. 429.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 7/560 (12238).
  105. 430.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/131.
  106. 431.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/363 (15286).
  107. 432.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/210 (25810).
  108. 433.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/913 (15977).
  109. 434.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 16/761 (45798).
  110. 435.. Tirmidhi, Sunen, 5/621 (3691).
  111. 436.. Ibn Kethir, Tefsir, 3/481.
  112. 437.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/112 (12123).
  113. 438.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/291 (15078).
  114. 439.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/285. 118. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/40.
  115. 440.. Muslim, Sahih, 3/1599 (2022).
  116. 441.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 15/686 (41686).
  117. 442.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/153 (1312).
  118. 443.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/200.
  119. 444.. Muslim, Sahih, 1/228 (274).
  120. 445.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 15/743 (41835).
  121. 446.. Muslim, Sahih, 2/990 (1358).
  122. 447.. Tirmidhi, Sunen, 4/237 (1762).
  123. 448.. Tirmidhi, Sunen, 5/558 (3560).
  124. 449.. Muslim, Sahih, 3/1650 (2082).
  125. 450.. Ibn Kethir, el-Bidaje, 6/53; Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/465.