JETA E SAHABËVE 2
Titulli origjinal: Hayat al-Sahaba
Muhamed Jusuf Kandehleui
SAHABËT DHE LUTJA
Si e rregullonin zërin Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe sahabët e tij gjatë lutjes? Çfarë kërkonin ata kur luteshin dhe çfarë kohe zgjidhnin ata kryesisht për t’iu lutur Allahut të Madhërishëm?
1. ÇFARË DUHET KËRKUAR GJATË NJË LUTJEJE DHE ÇFARË JO? “ETIKA E DUASË”
Muadh bin Xhebeli (radijallahu anhu) tregon: “Një person lutej kështu: “O Zot, unë dua prej Teje që të më japësh durim.” I Dërguari i Allahut i shkoi pranë dhe i tha:
“Sapo i kërkove Allahut të të sjellë vështirësi dhe fatkeqësi. Ti kërkoji Atij shëndet e që të jesh mirë!”
Por edhe një ditë tjetër, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) gjeti një njeri, i cili po lutej e gjatë lutjes thoshte: - “O Zot! Të lutem, më jep mua gjithë të mirat!”, – ndaj ai i tha:
“O i biri i Ademit! A e di ti se ç’janë të gjitha të mirat?” Ai burrë i tha:
“O Resulullah! Qëllimi im me mirësitë ishte të kërkoja prej Tij mbarësi materiale dhe shpirtërore.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:
“Edhe hyrja në Xhenet, apo shpëtimi nga dënimi i Xhehenemit janë secila një mirësi shumë e madhe.”
Krenaria e Gjithësisë, Profeti ynë gjeti dikë që po i përgjërohej Allahut duke i thënë: “O Zot i Madhërishëm, o Zoti im që shumë të madhe e ke bujarinë!”, – dhe i tha atij:
“Vazhdo të kërkosh, sepse Allahu do të ta pranojë lutjen.”
Beshir bin Hasasija tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) tha:
“Unë lëvdoj Allahun që të mori ty nga Rabiatu’l-Kash’am dhe të solli para të Dërguarit të Allahut dhe të nderoi duke të bërë mysliman.” Dhe unë i thashë:
“O Resulallah, lutju Allahut e të ma marrë mua shpirtin përpara sesa të ta marrë ty!”, – por i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) ia ktheu:
“Unë nuk e bëj për askënd atë lutje.”
Ngritja dhe hapja e duarve gjatë lutjes dhe fërkimi i fytyrës në përfundim të saj
Omeri (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur lutej i ngrinte duart lart; kur e përfundonte lutjen, me duart fërkonte fytyrën.”
Aishja (radijallahu anha) thotë: “I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), kur lutej, i ngrinte duart lart. Madje, ne na kaplonte një ndjesi e lehtë bezdie kur ai i mbante duart lart dhe nuk i ulte për një kohë të gjatë.”
2. LUTJA ME ZË TË LARTË NË MES TË BASHKËSISË DHE KUR BASHKËSIA I THOTË “AMIN” LUTJES SATE
Xhami bin Shedadi na përcjell nga një i afërm i tiji, që i ka thënë: “Unë dëgjova Omerin (radijallahu anhu), i cili tha:
- “Unë do t’ju them juve tri fjali; sapo të mbaroj secilën syresh, ju thoni “Amin”; O Zot unë jam i dobët, jepmë mua forcë dhe fuqi. O Zot, unë jam i ashpër dhe i egër, zbutmë mua. O Zot unë jam një njeri koprrac, bëmë mua bujar.”
Numan bin Mukarrini (radijallahu anhu) tregon: “Unë do të lutem tani dhe ju do t’i thoni medoemos të gjithë “Amin” kësaj lutjes sime: ‘O Zot, bëje sot Numanin dëshmor, që myslimanët të dalin fitimtarë dhe falu atyre ngadhënjimin!’”
3.T’U KËRKOSH BESIMTARËVE TË MIRË QË TË LUTEN PËR TY
Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Unë i pata kërkuar leje të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që të më lejonte të shkoja në umre. Më dha leje dhe më tha:
“Vëllai im i dashur, mos na harro edhe ne, që të na përfshish në lutjet e tua.” Kjo ishte diçka aq e vyer, aq e çmuar, për mua, saqë sikur gjithë botën të ma jepnin atë ditë, unë nuk do të isha gëzuar aq shumë.”
Burejdeja (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) po shkonte për diku bashkë me sahabët e Tij. Gjatë rrugës, ata gjetën një burrë që përpëlitej mbi rërën e nxehur. Burri thoshte me vete:
“O egoja ime! Ditën e kalon duke ndenjur ulur si dembel, ndërsa natën duke fjetur, pret e shpreson edhe se do të hysh në Xhenet!” Pasi përfundoi atë sjellje, të cilën e bënte përditë, erdhi e na u drejtua neve. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u kthye nga ne dhe na porositi:
“Kërkojini këtij vëllait tuaj të lutet për ju.” Ne e pritëm atë me fjalët:
“Zoti të mëshiroftë, o vëlla, lutju Allahut edhe për ne.” Ja se si u lut ai për ne:
“O Zot, falu atyre udhëzimin e drejtpeshimin në çdo punë që do të bëjnë.” I kërkuam që të vazhdonte të lutej edhe pak më shumë.
“O Zoti im, bëje devotshmërinë ushqimin e tyre më të mirë.”, – u lut ai. – “Nxirre, o Zot, fitimtar të Dërguarin Tënd e bëje Xhenet vendin ku do të shkojnë ata.”
4.LUTJA PËR MËKATARËT QË DEVIJOJNË NGA RRUGA E DREJTË
Jezid bin Esami tregon: “Në Siri ishte një burrë që jetonte në kushte shumë të vështira ekonomike. Herë-herë ai shkonte vetë tek Omeri (radijallahu anhu). Ishte bërë kohë e gjatë që nuk kishte ardhur më dhe Omeri (radijallahu anhu) kishte filluar të shqetësohej për të, ndaj pyeti dikë:
“Në ç’gjendje është filan njeri i biri i filan njeriu?”
“O i Pari ynë, ai njeri e ka lëshuar veten te pija.”, – i thanë. Omeri (radijallahu anhu) thirri shkruesin dhe e urdhëroi:
“Shkruaj! Letër e Omer bin Hatabin për filanin të birin e filanit. Selame për ty. Unë lëvdoj Allahun e Madhërishëm, veç të Cilit nuk ka zot tjetër, që i fal mëkatet, që pranon pendesën dhe që dënimin e ka shumë të ashpër. Nuk ka zot tjetër përveç Tij dhe vendi ku do të kthehemi ne të gjithë është përpara Tij.”
Mandej, Omeri (radijallahu anhu) u kthye nga njerëzit që kishte pranë dhe u tha:
“Lutuni për vëllanë tuaj, që zemra e tij të rikthehet kah Allahu dhe që Allahu t’ia pranojë pendesën.” Ai burrë, një të marrë letrën e ardhur nga vetë Omeri (radijallahu anhu), tha me vete: “Që i fal mëkatet, i pranon pendimet dhe ndëshkon me shumë ashpërsi...”, – pra, Omeri (radijallahu anhu) po më kanoset mua duke më përmendur ndëshkimin e Allahut dhe po më jep shpresë duke më kujtuar premtimin e Allahut, që i fal ata që pendohen.”
Omeri (radijallahu anhu), kur mësoi më vonë se ai burrë ishte ndrequr dhe e kishte lënë pijen, tha:
“Kështu të veproni edhe ju, kur të shikoni se një vëllai juaj mysliman devijon nga rruga e drejtë, lutuni për të. Kërkoni për rrugët që mund ta rikthejnë atë në rrugën e drejtë. Thuajini atij se Allahu do ta falë atë. Lutjuni Allahut për të, që të pendohet. Por, të kundërtën mos e bëni, mos e ndihmoni djallin, që gjendja e vëllait tuaj të përkeqësohet.”
5.SI DUHET NISUR NJË LUTJE?
Këtë e tregon Selem bin Ekua el-Eslemi (radijallahu anhu): “Unë nuk e kam dëgjuar kurrë të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), që të fillojë të lutet pa thënë njëherë: ‘Subhane Rab’bije’l-Alijji’l-
A’la’l-Uehhab’.”
Fedale bin Ubejdi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte ulur, kur aty hyri një burrë që fali namazin. Në përfundim të namazit ai u lut duke thënë: “O Zot! Falmë dhe mëshiromë mua.”
Paskëtaj i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i tha atij burri:
“U ngute pak. Shiko, pasi të falësh namazin, fillimisht lëvdoje njëherë Allahun sa më bukur. Së dyti, duhet të më dërgosh mua salavate. Pastaj mund të vazhdosh t’i lutesh Allahut si të duash.”
Më vonë erdhi edhe një burrë tjetër dhe pas namazit, lëvdoi Allahun, i dërgoi salavate të Dërguarit Fisnik, dhe u bë gati të niste lutjen. I Dërguari i Allahut, i kthyer nga ai burrë, i tha atij:
“O ti që sapo u fale! Tani ti mund t’i kërkosh Allahut ç’të duash, sepse lutja jote pranohet.”
6. LUTJA E UMETIT TË TË DËRGUARIT TË ALLAHUT
Abdullah bin Amri (radijallahu anhu) na tregon: “I Dërguari
Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na lexoi neve fjalën e Ibrahimit
(alejhis’selam): “O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ibrahim, 14/36) – dhe lutjen e Isait (alejhis’selam): “Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Maide, 5/118) – pastaj ngriti duart të hapura dhe u lut me fjalët:
“O Zot, unë dua umetin tim. Dua umetin e Allahut. Umetin e Allahut dua unë!”, – dhe sakaq nisi të qajë. Atëherë, Allahu i Madhërishëm tha:
“O Xhibril! Shko te Muhamedi dhe pyete se pse po qan.” Erdhi Xhibrili i Besueshëm dhe e pyeti Profetin tonë se pse po qante. Kur i Dërguari i Allahut i tregoi arsyen e vërtetë, Allahu i Gjithëfuqishëm i tha Xhibrilit (alejhis’selam):
“Shko te Muhamedi. Thuaji: Ne do ta kënaqim atë me umetin e tij dhe nuk do ta lëmë në vështirësi për këtë gjë.”
7.LUTJET E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT PËR KATËR KALIFËT
Habab bin Ereti (radijallahu anhu) na ka transmetuar se i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë: “O Zot, përforcoje Islamin me atë që është më i dashur për Ty nga këta dy vetë: Omer bin Hatabi dhe Ebu Xhehl bin Hishami.”
Tregon edhe Ebu Saidi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u lut për Osmanin (radijallahu anhu) me fjalët:
“O Zoti im! Unë jam i kënaqur e më pëlqen Osmani; ji edhe Ti i kënaqur me të, duke i falur atij pëlqimin Tënd.”
Ibni Abasi (radijallahu anhu) na transmeton se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) është lutur për Aliun (radijallahu anhu) duke thënë:
“O Zot! Ndihmoje Aliun. Dhe ndihmoje atë edhe nëpërmjet të tjerëve.
Duaji edhe Ti ata që do ai dhe përbuzi të gjithë ata që e përbuzin atë. Ndihmoji Ti dhe bëhu mbështetje për këdo që e ndihmon atë dhe i bëhet mbështetje. Privoji nga ndihma jote të gjithë ata që e lënë atë vetëm.”
8.LUTJA E KRENARISË SË GJITHËSISË PËR PJESËTARËT E FAMILJES SË BEKUAR
Nëna jonë, Umu Selemeja (radijallahu anha) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i tha Fatimes:
“Merri edhe burrin me dy djemtë dhe silli këtu tek unë.” Fatimja shkoi i thirri dhe Profeti ynë mori një copë rrobe, të cilën ma kishte sjellë mua nga plaçka e luftës së Hajberit dhe ua zgjati atyre që të uleshin mbi të. Pastaj Ai tha:
“O Zot, këta janë familja e Muhamedit. Mos i privo ata nga mëshira dhe begatia Jote, ashtu siç nuk privove as Ibrahimin dhe familjen e tij. Ti je i denjë për çdo lavdërim dhe Ti je më i Epërmi i të epërmve.”
Lutja që bëri Resulullahu për Hasanin (r.a.) dhe Husejnin (r.a.)
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) u lut për Hasanin dhe Husejnin duke thënë:
“O Zot, unë i dua ata, andaj dua që t’i duash edhe Ti. Kush do ata më ka dashur mua.”
Lutja e Resulullahut për Abasin (r.a.) dhe fëmijët e tij
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon se i Dërguari Fisnik
(alejhis’salatu ues’selam) është lutur me këto fjalë:
“O Zot! Falua mëkatet e fshehta dhe të hapura Abasit dhe fëmijëve të tij. O Zot, bëji të mirë e të mbarë edhe fëmijët e tij, ashtu siç është vetë ai.”
Kurse lutja që bëri për Abdullah bin Abasin (radijallahu anhu), ishte:
“O Zot mësoja atij librin. Bëje atë një prej njerëzve që e kuptojnë më thellësisht fenë Tënde (fakih).”
9. LUTJET E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT PËR SAHABËT E TJERË
Lutja e të Dërguarit të Allahut për Sa’d bin Ebi Uekasin
Sa’d bin Ebi Uekasi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë:
“O Zot, pranoji lutjet e Sa’dit sa herë që të të lutet ai.”
Lutja e Profetit tonë për ata që ranë dëshmor në Mute
Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), sapo mori lajmin se Zejd bin Haritheja, Xhafer bin Ebi Talibi dhe Abdullah bin Reuaha (radijallahu anhum) kishin rënë dëshmorë në luftën e Mutes, u çua përnjëherësh në këmbë dhe na foli neve për gradët e arritura prej tyre. Fjalën e nisi me një lutje për Zejdin:
“O Zot, fale Zejdin. O Zot, fale Zejdin. O Zot, fali edhe Xhaferin dhe
Abdullah bin Reuahan.”
Lutja e Resulullahut për familjen e Jasirit
Osmani (radijallahu anhu) ka transmetuar lutjen e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) për familjen e Jasirit:
“O Zot, fale familjen e Jasirit, sepse Ti zaten e pate falur atë edhe njëherë më parë.”
Lutja e Resulullahut për Ebu Selemen
Umu Selemeja (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) qe lutur për Ebu Selemen (radijallahu anhu) duke thënë:
“O Zoti im, fale Ti Ebu Selemen. Pranoje edhe atë mes robve të Tu më të afërt. Bëji brezat e ardhshëm të tij të denjë për të. O Zoti i Botëve, na fal ne dhe fali edhe ata. Zgjeroja dhe ndriçoja, o Zot, atij varrin.”
Profeti ynë lutet për Hakim bin Hizamin
Hakijm bin Hizami (radijallahu anhu) e transmeton vetë, se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) është lutur për të me fjalët:
“O Zot! Bëja atij sa më të begatë tregtinë.”
Lutja e të Dërguarit të Allahut për Abdullah bin Busrin dhe familjen e tij
Abdullah bin Busri (radijallahu anhu) tregon: “Bashkë me babain ishim ulur te pragu i derës. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) kaloi aty i hipur mbi një mushkë. Babai im i foli dhe i tha:
“O Resulallah, pse nuk zbret të hamë bashkë, e pastaj të na bësh një lutje, që të jemi mirë?” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) zbriti nga mushka, hëngri bashkë me ne dhe pastaj iu lut Zotit me fjalët:
“O Zot! Mëshiroji këta njerëz dhe falua atyre mëkatet e bëra. Jepu atyre ushqime të mira, të mbara e të begata.”
Ndërsa, në një transmetim tjetër gjendet edhe kjo e dhënë shtesë:
“Që nga ajo kohë Allahu ne na fali të mira të bollshme e të begata.” Resulullahu lutet për Ebu Kataden
Ebu Katadeja (radijallahu anhu) na tregon: “Ishim në një nga ekspeditat e luftës, kur unë isha bashkë me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem). Ishte pa gjumë, e dukej sikur edhe pak e do të rrëzohej nga deveja. Iu mbyllën sytë, ndaj unë u zgjata dhe e mbajta ashtu, me dorë, gjersa iu hapën sytë. E zuri gjumi prapë. Po njësoj, pata frikë se mos rrëzohej, ndaj vazhdova ta mbaja me dorë, që të mos i rrëshqiste trupi e të binte. Kur u zgjua, ai iu lut Zotit për mua me këto fjalë:
“O Allah, ruaje edhe Ti Ebu Kataden, ashtu siç më mbrojti ai mua.” Pastaj më tha:
“Të mundova shumë edhe ty.”
Lutja e Profetit tonë për atë që e thërrisnin Harmele
Këtë e tregon Ebu Derdaja (radijallahu anhu): “Tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një person, të cilin e quanin Harmele. Ai i bëri Profetit tonë me shenjë duke i thënë:
“Ja, këtu është besimi. (duke bërë me shenjë te gjuha). Kurse këtu është hipokrizia (duke treguar zemrën); sepse unë e përmend shumë pak Allahun.” Profeti ynë u lut kështu për atë njeri: “O Zot, fali këtij robi Tëndit një gjuhë që të përmend dhe një zemër që të falënderon Ty sa më shumë. Jepi atij të mira të bollshme dhe bëje që të dojë ata që më duan mua.
Shndërroje, o Zot, në mbarësi çdo punë të tijën.”
Lutja e Resulullahut për sahabët e varfër që kishin mbetur në Mekë dhe për ata sahabë që ishin të dobët e të pafuqishëm
Tregon Ebu Hurejreja (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dha selam në fund të namazit dhe e ngriti kokën lart. I drejtuar nga kibleja, ai filloi të lutej duke thënë:
“O Zoti im! Ndihmoji Seleme bin Hishamin, Ajash bin Ebi Rabian, Uelid bin Uelidin dhe të gjithë myslimanët e tjerë, që janë të dobët dhe kërkojnë një rrugëdalje; shpëtoji ata nga vështirësitë ekonomike dhe bëji ata të ndihen më lirshëm.”
10.LUTJET QË BËNTE I DËRGUARI I ALLAHUT PAS NAMAZIT
I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) e mori një ditë Muadh bin Xhebelin (radijallahu anhu) për dore dhe i tha:
“Shiko, Muadh, unë të dua ty.”
“Kurban t’u bëfshin ty nëna dhe babai im, o Resulullah, uallahi edhe unë të dua ty.”, – ia ktheu atij Muadhi. Atëherë, i Dërguari i Allahut tha:
“Muadh! Mos e lër pa e thënë këtë lutje që do të të mësoj unë pas çdo namazi: ‘O Zot! Ndihmomë mua që të të falënderoj, të të përmend dhe të të robërohem; mos e mpak ndihmesën Tënde mbi mua.’”
Tregon Ebu Bekrete (radijallahu anhu): “Pas namazeve Profeti ynë lutej kështu:
“O Zot, unë vetëm tek Ti e kërkoj mbrojtjen nga e keqja e mohimit, e varfërisë dhe e vuajtjeve të varrit.”
Tregon Aliu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), pasi të jepte selam pas faljes së namazit, lutej gjithmonë duke thënë:
“O Zoti im! Falmi mua të gjitha mëkatet e shkuara dhe mëkatet e ardhme; mëkatet e fshehta dhe mëkatet e bëra hapur; fjalët e pamatura, sjelljet dhe të gjitha gabimet që kam bërë pa e ditur, por që Ti i di të gjitha.”
Aun bin Abdullah bin Utbeja (radijallahu anhu) tregon: “Një ditë, një burrë e kishte falur namazin pranë Abdullah bin Amr bin Asit (radijallahu anhu) dhe e pati dëgjuar teksa lutej duke thënë: “Allahum’me ente’s-Selam ue minke’s-Selam, Tebarekte ja dhe’l-Xhelali ue’lIkram” (O Zoti im! Ti që je vetë paqja, burimi i qetësisë shpirtërore dhe paqes, prej Teje vjen e tërë qetësia dhe paqja e shpirtit. O Zoti im, Zoti i madhështisë dhe mirësisë! Sa i Lartë është Emri Yt!) Pastaj ai burrë pati falur namaz edhe pranë Abdullah bin Omerit (radijallahu anhu). Kur dëgjoi se edhe ai u lut duke thënë të njëjtat gjëra qeshi. Ibni Omeri (radijallahu anhu) e pyeti:
“Pse qeshe?” Ai iu përgjigj:
“Unë kam falur namaz edhe pranë Abdullah bin Amr bin Asit, e të njëjtën lutje e bënte edhe ai.”
“Po, kështu thoshte edhe Resulullahu menjëherë pasi jepte selam në fund të namazit.”, – u përgjigj Ibni Omeri.
11.LUTJA QË BËNTE VAZHDIMISHT I DËRGUARI I ALLAHUT NË MËNGJES DHE NË MBRËMJE
Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), në mëngjes dhe në mbrëmje, do të bënte gjithmonë këtë lutje dhe nuk e braktisi kurrë, deri në ditën që u nda nga jeta:
“O Zot! Unë dua që të jem sa më mirë, si në këtë jetë, ashtu edhe në amshim. O Zot! Unë dua falje dhe të jem sa më mirë në fenë, botën, familjen dhe pasurinë time. O Zot! Mbulomi mua të metat, largomi frikët dhe bëmë mua të ndihem i sigurt. Mbromë mua ndaj çdo rreziku dhe e keqe që mund të më vijë nga para, apo nga pas; nga e djathta, apo nga e majta; apo nga lart. Dhe i mbështetem
Madhështisë tënde për ndihmë ndaj çdo rreziku që mund të më vijë nga poshtë.”
12. LUTJET QË BËNTE I DËRGUARI I ALLAHUT, PARA SE TË BINTE PËR TË FJETUR DHE KUR ZGJOHEJ
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur shtrihej të binte për të fjetur, thoshte gjithmonë:
“Lëvduar qoftë Allahu, që na jep për të ngrënë, për të pirë; që na ruan nga çdo lloj rreziku dhe na mban me më të mirat. Ka sa e sa njerëz që nuk kanë askënd as që të kujdeset për ta, as që t’i strehojë.”
Tregon Aliu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur do të shtrihej, në darkë, lutej gjithmonë duke thënë:
“Unë veç prej Teje mund të kërkoj ndihmë e mbrojtje nga të gjitha krijesat, të cilat janë në zotërimin Tënd. O Zot, Ti je Ai që i lehtëson tërë vështirësitë. O Zot, vetëm ushtritë e Tua nuk dalin kurrë humbëse. E kurrë nuk ndodh që Ti ta shkelësh fjalën e dhënë. Në kohën dhe hapësirën ku sundon fuqia e forca Jote, as që mund të bëhet fjalë për forcë a fuqi tjetër. Unë të madhëroj Ty, sepse Ti nuk mund të kesh asnjë të metë; lëvduar qofsh, o Zoti im.”
Bera bin Azibi (radijallahu anhu) thotë: “Para se të shtrihej, i Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) do të lutej:
“O Zot, unë po ta dorëzoj Ty trupin tim. E nga Ti e kam të kthyer edhe fytyrën. Ty t’i kam lënë të gjitha punët e veprat e mia. I mbështetur jam tek Ti, me shpresën te mëshira Jote e pakufishme dhe i shqetësuar nga frika e ndëshkimit Tënd. Unë nuk di vend tjetër për të kërkuar ndihmë, veç Teje, as vend ku t’ia mbathësh. Unë e besoj librin që Ti më ke zbritur, ashtu siç e besoj edhe profetit Tënd.”
E tregon Hudhejfetu’l-Jemaniu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur shtrihej në shtrat, thoshte:
“O Zot, unë veç me emrin Tënd jetoj dhe veç me emrin Tënd kam për të vdekur.”; kurse, kur zgjohej, në mëngjes, thoshte:
“Lëvduar qoftë Allahu, i Cili, pasi vdiqëm (rënia në gjumë), na ngjalli sërish; të gjithë tek Ai do ta kemi kthimin.”
Tregon Aishja (radijallahu anha): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur zgjohej nga gjumi i natës, lutej me fjalët:
“Nuk ka zot tjetër veç Teje. Unë të madhëroj Ty, sepse Ti nuk mund të kesh kurrfarë të mete. Lëvduar qofsh, o Zot. Unë të lutem që të m’i falësh mua mëkatet. Për mëshirë të lutem, të përgjërohem. Shtoma mua dijen, o Zot. E mos e lër zemrën time të devijojë pasi ka gjetur udhëzimin dhe falmë mua e jepma mëshirën Tënde. Nuk ka aspak dyshim, se Ti je Falësi më i begatë!”
13.LUTJET E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT KUR HYNTE DHE DILTE NË XHAMI, NË SHTËPI, APO NË MESIN E NJERËZVE
Lutja që bënte Resulullahu kur do të largohej nga ndonjë kuvend me njerëz
Abdullah bin Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Në atë kohë që Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) do të ngrihej, për t’u larguar nga ndonjë kuvend me besimtarë ku ishte i ulur, ai lutej për sahabët e tij me këto fjalë:
“O Zot! Falna ne me mirësinë Tënde respekt dhe drojë, që ato të na pengojnë e ne të mos ngremë dot krye karshi Teje. Falna ne bindje, sepse vetëm ajo mund të na shpjerë ne në Xhenetin Tënd. Na jep ne një besim sa më të fuqishëm, që ne të përballemi denjësisht me të gjitha fatkeqësitë e kësaj bote. Bëna ne, sa të kemi jetë, të përfitojmë sa më shumë nga veshët, sytë dhe fuqia jonë. Na mundëso neve që ndjenjën e hakmarrjes ta përdorim vetëm kundër atyre që u bëjnë njerëzve padrejtësi. Mos na vër ne përballë sprovash të vështira, që duan të na e provojnë besimin, e mos na e bëj kurrë këtë botë shqetësimin dhe çështjen më të madhe të jetës. Kurrë mos qoftë jeta e kësaj bote qëllimi i dijes sonë. Dhe mos na lër ne vetëm për vetëm, o Zot, me asnjë prej atyre që nuk kanë aspak mëshirë për ne!”
E tregon nëna jonë, Umu Selemeja (radijallahu anha): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur do të dilte nga shtëpia, thoshte gjithmonë:
“Bismil’lah, unë u dorëzova krejtësisht tek Allahu. O Allah, vetëm Ti mund të më ndihmosh mua nga rrëshqitja e këmbës dhe largimi prej rrugës së drejtë; nga padrejtësia dhe nga rënia pre e padrejtësisë; nga sjellja e ashpër dhe prej të padituri dhe nga rënia pre e sjelljes së ashpër e të paditurve.”
Lutja që lexonte Resulullahu kur hynte në xhami
Abdullah bin Amr bin el-Asi (radijallahu anhu) tregon: “Profeti i profetëve, kur hynte në xhami, këndonte këtë lutje:
“O Zot, vetëm tek Ti dhe te Fuqia e mbrojtja e kahershme e Jotja mund të kërkoj ndihmë kundër së keqes së djallit të larguar e të përzënë prej Teje.” Kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) bënte këtë lutje, djalli thoshte:
“Ai u ruajt nga e keqja ime për gjithë ditën.”
Në transmetimin e Tirmidhiut, thuhet: “Kur hynte në xhami, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) thoshte kështu:
“O Zot, falmi mua mëkatet dhe mbaji të hapura për mua portat e Mëshirës Sate.” Ndërsa, kur dilte, thoshte:
“Bismil’lah ue’s-selamu ala Resulil’lah.”
Lutja që bënte Profeti ynë para se të nisej në udhëtim
Aliu (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur do të nisej në ndonjë udhëtim, thoshte:
“O Allah, unë po i hip kësaj kafshe me ndihmesën dhe mbështetjen Tënde dhe po me ndihmën Tënde do ta bëj këtë udhëtim.”
Kurse Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur nisej në udhëtim, hipte mbi kafshën e rrugës dhe një t’u bërë gati për t’u nisur, ai lëvdonte dhe madhëronte Allahun që nuk ka asnjë të metë, pastaj thoshte tri herë “Allahu Ekber” dhe bënte këtë lutje:
“Allahu që na i ka dhënë në shërbim të gjitha këto mundësi, është më i Larti i të lartëve dhe Ai është i kulluar e nuk ka asnjë të metë. ‘Qoftë lavdëruar Ai që i nënshtroi këto për ne, se vetë ne këto nuk do të mund t’i kontrollonim dot. Nuk ka dyshim, që, në fund, ne tek Ai do të kthehemi.’ (Zuhruf, 43/13-14). Zoti ynë, ne Ty të lutemi që të na bësh të jemi të mirë e të devotshëm në këtë rrugëtim, e të bëjmë punë që Ti do të na i pëlqesh. O Zot, na lehtëso neve këtë rrugëtim dhe na e bëj sa më të shkurtër rrugën. O Zot, Ti je bashkudhëtari ynë në këtë rrugë, e je po Ti që do t’i shohësh familjet tona, të cilat ne po i lëmë këtu, vetëm. O Zot, ne Ty të kërkojmë ndihmë për mundimet e udhëtimit, për ngjarjet që mund të na mërzitin dhe për ndonjë dëm që mund t’u vijë familjeve, fëmijëve dhe plaçkës sonë.”
Lutja që bënte i Dërguari i Allahut kur ndahej me ndokënd
Tregon Kazea’: “Mua më pati thënë Ibni Omeri (radijallahu anhu): “Do të vish të ndahemi me njëri-tjetrin, ashtu siç përshëndetej i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) para se të ndahej nga dikush:
“Unë po i lë në dorën dhe ndihmesën e Allahut, besimin, sigurinë e rrugës dhe punët e tua të fundme.”
Enesi (radijallahu anhu) tregon: “Te Resulullahu (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një burrë dhe i tha:
“O Resulullah! Unë dua të nisem për rrugë, ndaj kam ardhur që të të kërkoj të më japësh diçka që të më shërbejë si ushqim shpirtëror përgjatë rrugëtimit.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) tha:
“Zoti të dhëntë me vete devotshmëri.” Ai burrë i tha:
“Po sikur të më shtosh edhe diçka tjetër.” Resulullahu i tha:
“Zoti t’i faltë edhe mëkatet.”
“Kurban t’u bëfshin ty nëna dhe babai im! Shtoma edhe pak ushqimin e rrugës.” E, atëherë, Resulullahu u lut:
“Zoti të udhëheqtë ty lehtësisht kah e mbara, kudo që të jesh.”
Lutjet që bënte i Dërguari i Allahut,
kur hante ose pinte diçka dhe kur vishte një veshje të re
Tregon Ebu Umameja: “Kur ngrihej sofra, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) lutej duke thënë këto fjalë:
“Lëvduar qoftë pafundësisht Allahu. Sado që ta lëvdojmë ne Atë, do të jetë gjithsesi e pamjaftueshme për të gjitha këto mirësi që Ai na ka falur.”
Ebu Saidi (radijallahu anhu) na tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), sa herë që do të hante, apo do të pinte diçka, Ai do të thoshte gjithmonë:
“Lëvduar qoftë Allahu që na jep për të ngrënë, na jep për të pirë dhe na ka bërë ne myslimanë.”
Tregon po ashtu Ebu Saidi (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), çdoherë që vishte një veshje të re, thoshte kështu:
“Lëvduar qofsh përherë, o Zot. Ti je Ai që po ma vesh mua këtë rrobë. (Ai e përmendte gjithmonë me emër atë që do të vishte; këmishë, çallmë, apo rrobë tjetër). Unë të lutem Ty e të kërkoj që këtë veshje ta vesh vetëm për punë të mira e të mbara dhe që të ketë qenë po i mirë edhe qëllimi i përgatitjes së saj. Dhe vetëm mëshira Jote e thellë mund të më mbrojë mua nga të këqijat që mund të më vijnë prej saj, si dhe nga të këqijat që mund të vijnë prej përgatitjes së saj.”
14.LUTJA QË BËNTE I DËRGUARI I ALLAHUT, SA HERË QË SHIHTE HËNËN E PARË, KUR DËGJONTE BUBULLIMËN, APO KUR KISHTE ERË DHE RE
Tregon Talha bin Ubejdullahu (radjiallahu anh): “I Dërguari Fisnik (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), sa herë që do të shihte hënën e parë, Ai do të lutej duke thënë:
“Zoti im! Na fal begatinë me këtë hënë të re, e na jep qetësi e siguri bashkë me të. Allahun kemi Zot edhe ne, edhe ajo.”
Lutja e të Dërguarit të Allahut kur dëgjonte bubullima
Ibni Omeri (radijallahu anhu) tregon: “Krenaria e Gjithësisë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur dëgjonte zhurmën e bubullimës a të vetëtimës, lutej e thoshte:
“O Zot! Mos na vrit e mos na shkatërro ne me ndëshkimin Tënd. E mbi të gjitha falna ne mirëqenie të trupit e të shpirtit.”
Lutja që bënte Resulullahu kur frynte erë e fortë
Tregon Aishja (radijallahu anha): “Sa herë që kishte furtunë e frynte erë e fortë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) i lutej Zotit:
“O Zot! Të lutem, qoftë e mbarë kjo erë dhe e mira e saj të bëhet shkak veçse për mbarësi. Dhe vetëm Ti mund të na mbrosh ne, o Zot, nga dëmet, të këqijat dhe fatkeqësitë natyrore që mund të sjellë ajo.”
Lutja e Resulullahut kur shihte se qiellin e kishin mbuluar re të dendura
Aishja (radijallahu anha) ka treguar: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), po të shihte se qiellin e mbulonin re të dendura, e linte punën; nëse do të ishte duke falur namaz, përfundonte namazin, pastaj thoshte:
“O Zot, vetëm Ti mund të na mbrosh ne nga dëmet që mund të sjellin këto re.” Dhe, kur binte shi, ai i lutej Zotit, duke thënë:
“O Zot, na dërgo shiun e të mirave dhe begatisë.”
15. LUTJE TË TË DËRGUARIT TË ALLAHUT, TË CILAT NUK LIDHESHIN ME NJË KOHË A NDODHI TË CAKTUAR
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) tregon: “Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ka thënë:
“O Zot unë prej Teje nuk dua veçse udhëzim, devotshmëri, nder dhe pasuri në zemër.”
Nëna jonë, Umu Selemeja (radijallahu anha) na tregon: “Një nga lutjet që bënte më shpesh i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) ishte kjo:
“O Zoti im, që i ke në dorë gjithë zemrat tona dhe u jep atyre drejtim, mos e largo nga feja Jote zemrën time!”
Aishja (radijallahu anha) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) lutej:
“O Zot, zbukuroma mua edhe moralin, ashtu siç më krijove edhe mua, të bukur.”
Busr bin Ebu Erta’ti (radijallahu anhu) tregon: “Të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) unë e kam dëgjuar të lutet:
“O Zot, na e bëj të mirë e të mbarë përfundimin e çdo pune që ne bëjmë. Na ruaj ne, që të mos jemi prej të poshtëruarve as në këtë botë, as në tjetrën.”
Nëna jonë e dashur, Aishja (radijallahu anha), ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) thoshte:
“O Zot, shtoma mua furnizimin Tënd me të mira kur të plakem e të jem duke i shkuar jetës në fund.”
16. LUTJET GJITHËPËRFSHIRËSE TË TË DËRGUARIT TË ALLAHUT
Nëna jonë, Aishja (radijallahu anha) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) mua më pati këshilluar që ta bëja gjithmonë këtë lutje:
“O Zot, prej Teje unë dua që të më japësh gjithë mirësitë e mbarësitë që i di, apo nuk i di unë, që janë tani, apo që do të vijnë në ardhmen. O Zot! Vetëm Ti mund të më mbrosh mua nga tërë të këqijat, që i di, apo nuk i di unë, të tanishme, apo që do të ndodhin në të ardhmen.”
17. PROFETI YNË NUK KËRKONTE MBROJTJE PREJ ASKUJT TJETËR VEÇ ALLAHUT
Na e tregon Enesi (radijallahu anhu): “Ja se si lutej i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem):
“O Zot! Unë veç tek Ti kërkoj mbrojtje prej dobësisë, prej përtacisë, prej burracakërisë, prej koprracisë dhe prej pleqërisë. Nuk ka kush tjetër, veç Teje, që të më ruajë mua prej vuajtjeve të varrit, apo prej sprovave të kësaj jete dhe të vdekjes.”
Aishja (radijallahu anha) tregon: “Profeti i profetëve, kur lutej, gjatë lutjes thoshte:
“O Zot, kërkoj tek Ti strehë nga të këqijat që mund të më sjellin ato gjëra që i di dhe ato gjëra që nuk i di.”
Kutbe bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari Fisnik thoshte:
“O Zot, nuk kam se kujt tjetër t’i kërkoj ndihmë, veç Teje, nga çdo lloj morali dhe vesi i keq, nga çdo sjellje e keqe, ashtu si edhe nga ndjekja e dëshirave të trupit.”
Ukbe bin Amiri (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) lutej:
“O Zot, vetëm tek Ti mund të kërkoj ndihmë nga dita që shkon keq, nga nata që shkon keq, nga ora që shkon keq, nga shoku që më nxit për keq dhe nga fqinji i keq në lagje.”
Strehimi i të Dërguarit të Allahut tek Allahu nga çdo e keqe që mund të vijë prej xhindeve dhe lutja e tij për
një të sëmurë që vuante nga goditja e xhindit
Tregon Ubej bin Ka’bi (radijallahu anhu): “Isha ulur pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur aty erdhi një beduin dhe i tha Profetit tonë:
“O Resulullah! Ky që kam sjellë me vete është vëllai im, ka shumë dhimbje të forta.” I Dërguari Fisnik e pyeti atë burrë:
“Ku i dhemb?”, – dhe ai burrë i tha se atij i janë qepur dhe e kanë goditur xhindet. Profeti ynë i tha:
“Sillma këtu afër.” Ashtu bënë, e morën të sëmurin dhe ia shpunë afër. Ai i këndoi atij njeriu, suren “Fatiha”, katër ajetet e para të sures
“Bekare”: “Elif, Lam, Mim. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne...” (Bekare, 2/14), ajetin 163 të sures “Bekare”: “Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” (Bekare, 2/163), Ajetin Kursij: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursiu (Ndenjësja në këmbët e Fronit të Allahut) i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!” (Bekare, 2/255), tri ajetet e fundit të sures “Bekare”: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të. Kështu, Ai do të falë kë të dojë dhe do të dënojë kë të dojë. Allahu është i fuqishëm për çdo gjë. I Dërguari beson në atë (Kur’anin) që i është shpallur nga Zoti i Tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): ‘Ne nuk bëjmë dalim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.’ Ata thonë: ‘Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë dhe te Ti do të kthehemi!’ Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu siç i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” (Bekare, 2/284-286), ajetin 18 të sures “Al ‘Imran”: “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” (Al ‘Imran, 3/18), ajetin
54 të sures “A’raf”: “Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (që mbisundon gjithësinë). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!” (A’raf, 7/54), ajetin 114 të sures “Muminun”: “Ai do të thotë: ‘Keni qëndruar shumë pak. Eh, sikur ta kishit ditur!’” (Muminun, 23/114), ajetin e dytë të sures “Xhin”: “(Ai) i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të, prandaj kurrsesi më nuk do t’i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!” (Xhin, 72/2), dhjetë ajetet e para të sures “Saf’fat”: “Betohem në ata (engjëj) që janë të radhitur dhe në ata që pengojnë (të keqen) dhe në ata që e lexojnë Kur’anin, se, në të vërtetë, Zoti juaj është Një, Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe çfarë gjendet mes tyre dhe Zoti i lindjeve (të diellit)! Ne e kemi stolisur qiellin e kësaj bote me shkëlqimin e yjeve, mbrojtje nga djajtë kryeneçë. (Kështu që) ata nuk e përgojojnë dot Grupin më të Lartë (engjëjt lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët. Pastaj, ashtu të përzënë do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër). (Djajtë nuk përgojojnë dot), veç atij që grabit diçka e që e ndjek një yll verbues.” (Saffat, 37/1-10), tri ajetet e fundit të sures “Hashr”: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim), Njohësi i së dukshmes dhe i së padukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)! Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë. Atij i përkasin emrat më të bukur; Atë e përlëvdon gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Hashr, 59/22-24); suren “Ihlas”, “Felek” dhe “Nas”. I sëmuri u ngrit në këmbë sikur të mos e kishte shqetësuar asgjë.”
Lutja që do të bëjnë ata që tremben në gjumë
Imam Maliku (radijallahu anhu) na transmeton: “Njëherë, Halid bin Uelidi (radijallahu anhu) shkoi tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) dhe i tha:
“Unë trembem e frikësohem shumë gjatë gjumit, o i Dërguari i Allahut.” I Dërguari i Allahut i tha atij që të thoshte këtë lutje:
“Bismil’lah. Unë kërkoj strehë e mbrojtje vetëm tek Allahu, prej dënimit të Tij të ashpër, prej ndëshkimit të Tij, prej së keqes së robërve të Tij dhe prej cytjeve të djajve që prishin qetësinë e shpirtit.”
Lutja që duhet bërë kur je i shqetësuar dhe i mërzitur
Këtë na e tregon Aliu (radijallahu anhu): “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) na mësoi këto tri fjalë, duke na porositur që t’i themi këto sa herë që jemi të shqetësuar, në vështirësi, apo të mërzitur:
“La ilahe il’lallahu’l Halimu’l-Kerim, Subhanallahi ue tebareke Rab’bu’lArshi’l-Adhim ue’l-Hamdu lil’lahi Rab’bi’l-Alemin” (Nuk ka zot tjetër, përveç Allahut, i Cili është më i Buti dhe më Bujari. Ai Zot, Allahu, që është Zoti i Fronit të Madh, është i pastër nga çdo e metë a mangësi dhe Ai është më i Larti. Vetëm Allahu, që është Zoti i botëve është i denjë për t’u përlëvduar.)”
18. LUTJA QË DUHET BËRË NGA FRIKA E UDHËHEQËSIT TË PADREJTË TË SHTETIT
Ibni Mesudi (radijallahu anhu) na tregon: “Nëse ju vihet mbi krye një mbret, nga i cili jeni të shqetësuar se do t’ju bëjë padrejtësi dhe do t’ju ushtrojë trysni, dhe ju thoni: ‘O Allah, Ti je Zotëruesi i Fronit të Lartë dhe i shtatë kateve qiej! Më ruaj mua nga filan njeri dhe nga ndihmësit e tij, xhinde dhe njerëz, që ata të mos më bëjnë mua asnjë të padrejtë; mos më lër mua nën thundrën e tyre. Krenar e kryelartë është kushdo që është në mbrojtjen tënde. Ti meriton lavdërimet më të epërme, sepse nuk ka zot tjetër përveç Teje.’, – ai mbret juve nuk ju bën dot asnjë dëm.”
19. LUTJA QË KËSHILLOHET TË BËJË AI QË KA HYRË NË BORXHE
Ebu Uaili (radijallahu anhu) tregon: “Tek Aliu (radijallahu anhu) vjen një skllav i liruar me kusht (liria e tij varej nga një pagesë që do të bënte skllavi ndaj të zotit sipas një kalendari të caktuar). Ai i thotë atij:
“Tanimë nuk po i bëj dot më pagesat, nuk kam më mundësi, më ndihmo.” Aliu (radijallahu anhu) i tha atij:
“A do që të të mësoj një lutje që mua ma ka mësuar vetë i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem)? Nëse e bën këtë lutje, edhe sikur sa malet t’i kesh borxhet, Allahu ty ka për të të ndihmuar. Lutu kështu:
“O Zot, bëmë mua të mjaftohem me të lejuarën; bëmë mua që as nëpër mend të mos më shkojë hyrja në mëkat. Jepmë mua pasuri prej mirësisë e bujarisë Sate, e mos më lër mua t’i bëhem nevojtar tjetërkujt përveç Teje.”
Ebu Said el-Hudri (radijallahu anhu) tregon: “I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) erdhi një ditë në xhami dhe pa se aty po qëndronte i ulur ensari Ebu Umame! I Dërguari i Allahut i tha atij:
“O Ebu Umame! Më bëri merak kjo, që ti je në xhami në një kohë që nuk është kohë namazi.”
Ebu Umameja iu përgjigj:
“Kam ca probleme e kam edhe ca borxhe, o Resulullah!” I Dërguari i Allahut e këshilloi atë:
“A do që të të mësoj unë disa fjalë, që po t’i thuash, Allahu ka për të të ndihmuar që t’i flakësh tutje problemet e të shpëtosh nga borxhet?”
“Po, m’i mëso, o Resulullah!”, – u përgjigj ai. – I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) shtoi:
“Në agim dhe në mbrëmje do të thuash këtë lutje: ‘O Zot, vetëm Ti mund të më ndihmosh mua me vështirësitë e mërzinë që më ka kapluar. Vetëm Ti je Ai që mund të më ndihmosh mua nga dobësia dhe dembelizmi. Vetëm Ti je Ai që mund të më ndihmosh mua nga koprracia dhe burracakëria. Ndihmomë, o Zot, se vetëm tek Ti mund të kërkoj unë mbrojtje nga rënia në batakun e borxhit dhe nga dyndja e huadhënësve në portën e shtëpisë sime.’”
Ebu Umameja thotë më vonë: “Që atë ditë që nisa ta bëja atë lutje, unë, me ndihmesën e Allahut, shpëtova nga vështirësitë dhe nga borxhet.”
20.LUTJA QË DUHET BËRË PËR T’U BËRË HAFIZ I KUR’ANIT
Ibni Abasi (radijallahu anhu) tregon: “Ishim ulur me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), kur aty ia behu Aliu (radijallahu anhu) dhe tha:
“Kurban t’u bëfshin ty nëna dhe babai im, o i Dërguari i Allahut, më iku nga kujtesa i tërë Kur’ani që pata mësuar përmendësh; e ndiej veten shumë të pafuqishëm në këtë gjë.” I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) i tha atij:
“O Ebu’l-Hasen! A të të mësoj unë disa fjalë, që me lejen dhe ndihmesën e Allahut, do të të bëjnë shumë dobi, si ty vetë, ashtu edhe me ata njerëz, të cilëve përpiqesh që t’u mësosh Kur’anin?”
“Mësomi, o Resulullah!”, – u përgjigj me një frymë Aliu (radijallahu anhu). Atëherë, i Dërguari i Allahut e porositi atë:
“Natën e së premtes, nëse do të kesh fuqi ta bësh, një të tretën e fundit të natës do të ngrihesh, sepse kjo pjesë kohe është koha kur engjëjt janë dëshmitarë të çdo gjëje dhe lutjet që bëhen në atë pjesë kohe pranohen. Edhe vëllai im Jakubi, kur thoshte: “Ai u përgjigj: ‘Do ta lus Zotin tim që t’ju falë. Pa dyshim që Ai është Falësi dhe Mëshirëploti.’” (Jusuf, 12/98), natën e së premtes kishte parasysh. Nëse nuk ngrihesh dot në këtë pjesë të natës, atëherë ngrihu në një të tretën e dytë të natës. E nëse as kësaj nuk ia del dot, atëherë ngrihu gjatë një të tretës së parë të saj. Fal katër rekate namaz. Në rekatin e parë të lexosh suren “Fatiha” me suren “Jasin”, në rekatin e dytë suren “Fatiha” me suren “Duhan”, në rekatin e tretë suren “Fatiha” me suren “Sexhde”, ndërsa, në rekatin e fundit të lexosh suren “Fatiha” me suren “Mulk”. Kur ta përfundosh lutjen e “etTehijjatu”, lëvdoje dhe përgëzoje Allahun dhe na dërgo salavate e përshëndetje mua dhe profetëve të tjerë. Lutju Allahut, që Ai t’i falë të gjithë besimtarët që jetojnë, por edhe ata që kanë mërguar në botën tjetër me besim. Dhe, në fund, bëj këtë lutje:
“O Zot, sa të kem jetë mëshiromë mua duke më mbajtur larg nga çdo lloj ngritjeje krye. O Zot, të të vijë keq për mua, e mbamë larg nga çdo gjë e çdo punë e kotë dhe e padobishme. Drejtomë mua për në ato punë që të kënaqin Ty.
O Zoti im, që i ke krijuar rruzullin tokësor dhe qiejt në një formë të pashembullt, Ti je Ai fuqia e të Cilit është e paarritshme dhe e pafundme është bujaria Jote! O Zot, o i Gjithëmëshirshëm! Thurma mua në mendjen dhe kujtesën time atë Kur’an që ne nuk e dinim e Ti na e mësove. Të lutem, jepmë mua mundësinë që të mund ta lexoj atë ashtu siç do të të pëlqente Ty ta lexonim.
O Zoti im, që i ke krijuar rruzullin tokësor dhe qiejt në një formë të pashembullt, Ti je Ai fuqia e të Cilit është e paarritshme dhe e pafundme është bujaria Jote, o Allah, o Rahman! Për hir të asaj forcës e bukurisë Sate, ndriçoji sytë e mi me librin Tënd dhe pastroje trupin tim nëpërmjet tij. Askush tjetër, pos Teje, nuk më ndihmon dot mua. Askush tjetër nuk mund të ma japë mua një aftësi të tillë. Asgjë nuk ndodh pa qenë e pranishme forca dhe fuqia jote.”
O Ebu’l-Hasen! Nëse e thua këtë që sapo të mësova për tri, pesë, apo shtatë të premte, me lejen e Allahut ajo lutje do të të pranohet. Unë i betohem Zotit që më dërgoi mua me të Drejtën dhe të Vërtetën, se Ai kurrsesi nuk e braktis besimtarin në gjysmë të rrugës.”, – e mbylli këshillën e tij Profeti ynë.”
21.LUTJET E SAHABËVE FISNIKË
Lutja e Ebu Bekrit (r.a.)
Tregon Ebu Jezid el-Medaini (radijallahu anhu): “Një nga lutjet që bënte shpesh Ebu Bekri (radijallahu anhu) ishte edhe kjo:
“O Zot! Falmë mua një besim të palëkundur, bindje në besim, shëndet e mirëqenie të shpirtit dhe një qëllim të kulluar e të sinqertë.”
Lutja e Omerit (r.a.)
Hasan Basriu (radijallahu anhu) na ka përcjellë se Omeri (radijallahu anhu) thoshte:
“O Zot, bëje të mirë veprën time dhe bëmë mua që të veproj me aq sinqeritet, sa që në punën time të mos ketë pjesë askush tjetër përveç Teje.”
Ebu’l-Alijeja tregon: “Lutja që e kam dëgjuar Omerin (radijallahu anhu) të bëjë më së shumti ka qenë kjo:
“O Zot! Jepna ne mirëqenie në trup e në shpirt, gjallëri në besim dhe rregull në jetë; na fal ne, o Zot.”
Zejd bin Eslemi (radijallahu anhu) ka përcjellë nga i ati, se: “Omeri (radijallahu anhu) lutej kështu:
“O Allah! Mos ia mundëso vdekjen time asnjë njeriu që ka falur qoftë edhe një rekat namaz, apo që ka bërë qoftë edhe njëherë sexhde përpara teje gjatë jetës, në mënyrë që Ai të mos kacafytet me mua përpara Teje në ditën e Kiametit, duke u fshehur pas asaj sexhdeje apo pas atij rekati namaz.”
Lutja e Aliut (r.a.)
Tregon Sufjan bin Theurij (radijallahu anhu): “Unë pata dëgjuar njëherë Aliun (radijallahu anhu), i cili u lut duke thënë:
“O Allah, mëkatet e mia nuk të bëjnë dot Ty asnjë dëm. Por edhe po u tregove i Mëshirshëm ndaj meje, aspak nuk pakësohet prej mëshirës Sate.”
Lutja e Abdurrahman bin Aufit (r.a.)
Tregon Ebu’l-Hejaxh el-Esedi: “Isha duke i ardhur Qabes përqark, kur syri më zuri një burrë. Ai burrë lutej vazhdimisht duke thënë:
“O Allah, më ruaj mua nga koprracia e egos.” Shkova dhe e pyeta se pse e bënte përherë këtë lutje dhe ai m’u përgjigj duke më thënë:
“Sepse, po të jem i mbrojtur nga koprracia dhe babëzia e egos, atëherë mua as do të më duhet të vjedh, as të kryej imoralitet, apo ndonjë të keqe tjetër; hë, nuk është kështu?” Më vonë mësova se ai burrë kish qenë Abdurrahman bin Aufi (radijallahu anhu)!”
Lutja e Abdullah bin Mesudit (r.a.)
Tregon Ebu Ubejdeja (radijallahu anhu) (i biri i Ibni Mesudit): “Kur e kanë pyetur Ibni Mesudin (radijallahu anhu):
“Do të na tregosh, si ka qenë ajo lutje që pate bërë atë natë, kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) të pati thënë: ‘Kërko, se gjithçka që të kërkosh Allahu do të ta japë.’?” Ai është përgjigjur:
“O Allah, unë prej Teje kërkoj që të më japësh një besim sa më të shëndoshë, që unë të mos i qasem kurrë territorit të kthimit nga feja jote, si dhe që të jem edhe unë një nga fqinjët e Krenarisë së Gjithësisë, atje, në shkallën më të lartë të Xhenetit, ku të mirat e bukuritë nuk kanë kurrë fund.”
Lutja e Muadh bin Xhebelit (r.a.)
Na tregon Theur bin Jezidi: “Muadhi (radijallahu anhu), kur zgjohej gjatë natës që të falte namazin e tehexhudit, ai do të lutej gjithmonë:
“O Allah, gjithë sytë u mbyllën të flenë e yjet nuk shihen. Por Ti je Jetëdhënës, i Gjallë dhe i Patundur. O Allah, nga njëra anë të kërkoj që të më gëzosh me parajsën, e nga ana tjetër veprat e mia nuk janë të mira. Harroj e më duket sikur do të mund t’i shpëtoj dënimit të ashpër të zjarrit. O Allah, unë besoj se pranë Teje Ti mban një dhuratë shumë të madhe, që në Kiamet do t’ua japësh robërve të Tu më të dashur, sepse Ti nuk kthen kurrë nga fjala e dhënë.”
Lutja e Bilalit (r.a.)
Tregon gruaja e Bilalit, Hindi: “Kur Bilali (radijallahu anhu) binte në shtrat për të fjetur, lutej kështu:
“O Allah! Falmi mua mëkatet dhe pranomi sëmundjet e trupit si justifikim.”
Lutja e Zejd bin Thabitit (r.a.)
Zejd bin Thabiti (radijallahu anhu), kur shtrihej në shtrat, thoshte këto fjalë:
“O Allah! Të lutem e të përgjërohem, mos më bëj mua të jem nevojtar te njerëzit e mi të afërt. Dhe te mëshira Jote e thellë e kam shpresën, që të më ndihmosh nga mallkimi i ndonjë prej të afërmve të mi, që i kam shkëputur lidhjet.”
Lutja e Ebu Derdasë (r.a.)
Tregon Bilal bin Sa’di (radijallahu anhu): “Ja se si lutej Ebu Derdaja (radijallahu anhu):
“O Zot, vetëm Ti mund të më ndihmosh mua nga hallakatja e zemrës dhe shpirtit.” E patën pyetur Ebu Derdanë, se çfarë ishte “hallakatja e zemrës”? Ebu Derdaja u përgjigj duke thënë:
“Hallakatja e zemrës është që të ketë kudo diçka që të përket ty.”
Lutja e Abdullah bin Omerit (r.a.)
Nafiu tregon, se kur ishin në Safa, Ibni Omeri (radijallahu anhu) ishte lutur me këto fjalë:
“O Allah, ruajmë mua në fenë Tënde. Bëmë mua nga ata që të binden, Ty dhe të Dërguarit Tënd; pajismë edhe mua me këtë të mirë të madhe. Jepmë mua forcë, që t’u qëndroj larg gjërave të ndaluara. Bëmë mua një prej atyre që të duan Ty dhe prej atyre që i duan engjëjt, profetët dhe robt e Tu të dashur. O Zot, bëmë mua të dashur për Ty, për engjëjt, për profetët dhe për robt e Tu të dashur. O Zot, lehtësoma mua rrugën që shkon drejt Xhenetit e mbyllma mua çdo rrugë që shkon kah Xhehenemi. Falmë mua, si në amshim, ashtu edhe në këtë jetë. Bëmë mua prej më të devotshmëve. O Zot, Ti neve na thua:
“Lutmuni Mua, që Unë t’i përgjigjem lutjes suaj.” (Muminun, 40/60) dhe unë e di se Ti kurrë nuk kthen nga premtimi i dhënë. O Zot, mos ma merr më mbrapsht këtë bukuri kaq të madhe, siç është Islami, që më ke dhënë. E më jep mua mundësinë që të mbetem mysliman deri në ditën që do të më kthesh tek Ti.”
Lutja e Abdullah bin Abasit (r.a.)
Tregon Said bin Xhubejri (radijallahu anhu): “Ibni Abasi (radijallahu anhu) lutej me këto fjalë:
“O Zot, të lutem e të përgjërohem, për hir të dritës Sate, që ndriçon këtë rruzull e ata qiej, merrmë mua nën mbrojtjen Tënde të veçantë dhe bëmë mua njërin prej atyre që për Ty janë më të afërtit.”
Lutja e Fedale bin Ubejdit (r.a.)
Tregon Ummu’d-Derdaja (radijallahu anhu): “Fedale bin Ubejdi (radijallahu anhu) thoshte kështu:
“O Zot! Unë dua që Ti të më bësh mua të jem i kënaqur me kaderin dhe caktimin Tënd dhe të kem një jetë sa më të rehatshme pas vdekjes. Unë dua që ta ndiej sa më thellë bukurinë dhe dëshirën e takimit me Ty. Nuk kam ku të kërkoj mbështetje përveç se te ndihmesa Jote, ndaj vështirësive që mund të më shtyjnë kah kthimi i rrugës dhe ndaj sprovave që mund të më nxjerrin prej besimit tek Ti.”
Shënimet
- 667.. Ibn Ebi Shejbe, Musan’nef, 6/46 (29356).
- 668.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/282 (36868).
- 669.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/724 (4892).
- 670.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/225 (25925).
- 671.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/275.
- 672.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 6/318 (10379).
- 673.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 1/290.
- 674.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/297 (17440).
- 675.. Ibn Kethir, Tefsir, 4/70.
- 676.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/54 (19596).
- 677.. Tirmidhi, Sunen, 5/516 (3476).
- 678.. Ibn Kethir, Tefsir, 2/540.
- 679.. Tirmidhi, Sunen, 5/617 (3681).
- 680.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/45 (36217).
- 681.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/118 (950).
- 682.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/323 (26789).
- 683.. Buhari, Sahih, 3/1369 (3537).
- 684.. Tirmidhi, Sunen, 5/653 (3762).
- 685.. Buhari, Sahih, 1/66 (143).
- 686.. Tirmidhi, Sunen, 5/649 (3751).
- 687.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/46.
- 688.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/62 (439).
- 689.. Muslim, Sahih, 2/634 (920).
- 690.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 3/259 (4531).
- 691.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 13/458 (37275).
- 692.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 3/239 (3272).
- 693.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 9/669 (16108).
- 694.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/233 (17237).
- 695.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/244 (22172).
- 696.. Nesai, Sunen, 8/262 (5465).
- 697.. Ebu Daud, Sunen, 1/260 (760).
- 698.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/127 (16920).
- 699.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir 12/343, (13296).
- 700.. Muslim, Sahih, 4/2085 (2715).
- 701.. Ebu Daud, Sunen, 2/732 (5052).
- 702.. Buhari, Sahih, 5/2326 (5954).
- 703.. Nesai, Sunen, 6/187 (10584).
- 704.. Ebu Daud, Sunen, 2/735 (5061).
- 705.. Tirmidhi, Sunen, 5/528 (3502).
- 706.. Tirmidhi, Sunen, 5/490 (3427).
- 707.. Ebu Daud, Sunen, 1/180 (466).
- 708.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/283 (26460).
- 709.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/183 (17088).
- 710.. Muslim, Sahih, 2/978 (1342).
- 711.. Ebu Daud, Sunen, 2/39 (2600).
- 712.. Tirmidhi, Sunen, 5/500 (3444).
- 713.. Buhari, Sahih, 5/2078 (5142).
- 714.. Ebu Daud, Sunen, 2/394 (3850).
- 715.. Ibn Hibban, Sahih, 12/239 (5420).
- 716.. Tirmidhi, Sunen, 5/504 (3451).
- 717.. Tirmidhi, Sunen, 5/503 (3450).
- 718.. Muslim, Sahih, 2/616 (899).
- 719.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 8/696 (23541).
- 720.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/796 (5089).
- 721.. Tirmidhi, Sunen, 5/538 (3522).
- 722.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/403 (3823).
- 723.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/181 (17665).
- 724.. El-Hakim, Mustedrek, 1/726 (1987).
- 725.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/733 (4919).
- 726.. Muslim, Sahih, 4/2079 (2706).
- 727.. Muslim, Sahih, 4/2085 (2716).
- 728.. Tirmidhi, Sunen, 5/575 (3591).
- 729.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 17/294 (810).
- 730.. Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/128 (21212).
- 731.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/176 (17067).
- 732.. Nesai, Sunen, 6/162 (10466).
- 733.. Buhari, el-Edeb, 1/247 (707).
- 734.. Tirmidhi, Sunen, 5/560 (3563).
- 735.. Ebu Daud, Sunen, 1/484 (1555).
- 736.. El-Hakim, Mustedrek, 1/461 (1190).
- 737.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/776 (5031).
- 738.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/779 (5041).
- 739.. Ibn Ebi Shejbe, Musan’nef, 6/65 (29515).
- 740.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 12/856 (35964).
- 741.. El-Hindi, Kenzu’l-Ummal, 2/787 (5064).
- 742.. Ibn Kethiri, Tefsir, 4/339.
- 743.. El-Hakim, Mustedrek, 1/707 (1928).
- 744.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/233.
- 745.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/173 (17058).
- 746.. Taberani, Mu’xhemu’l-Kebir, 5/131 (4849).
- 747.. Ibn Sa’d, Tabakatu’l-Kubra, 3/614.
- 748.. Ebu Nu’ajm, Hilje, 1/308.
- 749.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/294 (17432).
- 750.. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, 10/280 (17386).