BRITMA E NJË TË RIU
Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı
A. Mahir Pekşen
UJË I KALTËR DHE I FRESKËT
Po vështroj ujin e kaltër dhe të freskët të Bosforit, nënë. Kur të hidhem prej këtu -megjithëse e dija- harrova se pasi të kisha fluturuar disa metra në hapësirë, do të ngulesha në ujin që kishte humbur butësinë dhe ishte shndërruar në beton. Por kujtoj vetëm këtë: kjo lartësi, për ata persona që nuk kanë një parashutë apo diçka që kryen funksionin e parashutës, ishte e mjaftueshme për t’u takuar me vdekjen.
Nuk kam ndonjë ide se kur dhe në ç’gjendje do ta gjejnë trupin tim të pajetë. Në një vend ku ka miliona të uritur dhe në një botë që ka miliarda të uritur, më gëzon fakti se vdekja ime do të përbëjë një lajm interesant. Më duket sikur tani po shoh titujt e gazetave apo lajmet kryesore në televizion.
“Në dorë kishte një orë me vlerë dy mijë dollarë.”
“Tipi i makinës së tij ishte X dhe me vlerën e saj mund të bliheshin katër apartamente.”
“Nuk kishte asnjë problem nga ana ekonomike.”
“Nuk u zbulua ende misteri.”
“Ishte nga fytyrat e njohura të klubeve të natës.”
***
Ndoshta për mua do të shkruhen seri trillimesh. Jeta ime do të jetë material skenari për xhamin me ngjyrë.
A thonë se njeriu jeton në botë për sa kohë fantazon, edhe unë do të fantazoj derisa të vdes.
Tani imagjinoj titujt e gazetave. Dikush, pa ndjerë nevojën e të bërit kërkime, do të mjaftohet me ndonjë thashethem, dikush do të pyesë gruan apo ndonjë mik timin, ndonjë nga të dashurat që kisha pranë ato momente apo ndonjë nga të dashurat e shumta që nuk i mbaj mend as numrin sa kanë qenë, unazat e shkuara dëm pas fejesës ose bashkëshortet e mia skllave pas famës dhe parasë me të cilat u divorcova një jave pas martese. Dhe ato, vetëm e vetëm për të parë edhe njëherë pozat e veta në faqet plot ngjyra të gazetave, do të cicërojnë pa pushim. Ndërsa për mua do të botohen shkrime me gënjeshtra e sajesa aq sa mund të shkruhet një libër voluminoz.
“Fundi i mistershëm i donzhuanit që ndryshonte çdo muaj nga një makinë...”
Po vështroj ujin e kaltër dhe të freskët të Bosforit, nënë. Dua të hidhem, por as këtë nuk e bëj dot. Sepse nuk më keni lënë asgjë që të mund ta bëja. Çdo gjë e keni bërë ju për mua. Ishit ju ata që drejtuat jetën time.
Kam mësuar shumë gjëra, nënë. Kam mësuar shumë gjëra, që s’i mësova prej teje, që s’munda dot t’i mësoja prej teje. Dhe njëra syresh është se, fëmijët, deri në njëfarë moshe, e shikojnë botën me syzet e prindërve të tyre. Pastaj, janë të pakët, shumë të pakët, ata fëmijë që i lënë në një cep syzet e prindërve dhe marrin syze miopi apo hipermetropi për veten e tyre. Megjithëse vonë, mendoj se unë jam ndër ata që i kanë marrë syzet e veta.
Po vështroj ujin e kaltër dhe të freskët të Bosforit, nënë.
Nëse duhet të varrosem diku, duhet të jetë ky vend, kjo kaltërsi.
Nëse duhet të varrosem diku, ai vend duhet të jetë i kulluar si uji, i butë si uji. Domethënë, me pak fjalë, duhet të jetë uji.
Amanetin e shenjtë që quhet “Shpirt”, të cilin besoj se e kam marrë nga uji, duhet t’ia kthej sërish “Ujit”.
Ashtu si lulja. Ashtu si dheu.
Teksa vështroj ujin e kaltër, mendoj për një lule të kaltër. Për një lule të kaltër, jeta e së cilës nuk zgjat as edhe një stinë.
Këtë nuk duhet ta shpjegojmë sipas logjikës “Jeto me vrull, vdis i ri, trupin të bukur ta kesh”, sepse lulet nuk jetojnë me vrull, jetojnë me urtësi.
Dhe lulet, duke i paguar mirënjohjen e një stine jete rrënjës që mblidhte ngjyrë duke ngrënë baltë në thellësitë e tokës, rrëzoheshin përtokë të verdha, për t’u dhënë ngjyrë të tjera luleve.
Edhe gjethet e gjelbra ashtu janë. Mosha e tyre shkon deri në tre stinë, pa e mbushur dot vitin. Çdo gjendje e saj, nga fara e deri kur bien gjethet, është e bukur. Pret frymën e maleve, erën. Era e tund nja dy herë, gjethi i zverdhur tashmë puth për herë të fundit degën, e dorëzon veten në krahët e erës, pastaj, nis udhëtimi që na duket i pikëlluar, drejt tokës.
Ashtu si udhëtimi im mes urës dhe ujit. Ashtu siç kthehet gjethi në origjinë në tokë, edhe unë do të kthehem në origjinën time, drejt “ujit”.
Por, sa herë vij e shikoj nga kjo urë, një zë gjallon, më prek, më lutet e më përgjërohet dhe megjithëse nuk e shoh, më pengon fuqishëm të mos hidhem.
Nuk mundem dot të hidhem, nënë.
Ndoshta është e kaltra, të cilës nuk i pëlqej, apo mos vallë është uji, por as veten time nuk mundem ta vras dot.
E vetmja gjë që nuk mund të bënit për mua ishte vetëvrasja, edhe atë nuk mundem ta realizoj dot vetë.
E sata herë është kjo që vij, e sata herë që kthehem kokulur?
Brenda meje ndjej një zbrazëti të madhe.
Sërish një zë që ma fëshfërit era;
“Kush e plotëson këtë zbrazëti?”
Ti dhe babai, pothuajse kudo dhe kurdoherë, edhe nëse thoni duke rrahur gjoksin: “I kemi siguruar fëmijës tonë një jetë që s’e ka patur kush. Nuk i mungon asgjë. Edhe nëse nuk punon dhe rri shtrirë përmbys gjithë jetën, i kemi lënë aq pasuri të patundshme, apartamente me qira dhe përqindje në banka, sa t’i mjaftojnë atij dhe nipërve të tij”, nuk mjafton për të treguar shkakun e zbrazëtisë time.
Po, ndoshta mendoj keq për ju. Ndoshta kjo kaltërsi më bën të mendoj për keq. Por keni një veçori, që më duhet ta cilësoj.
Përgatitët për mua një botë të mrekullueshme, pa asnjë mangësi nga aspekti financiar. Mund edhe të krenoheni me këtë. Xhepat e mi asnjëherë nuk patën mbetur pa të holla. Nuk mbeti as edhe një rrobë apo makinë që pëlqeva e të mos e merrja. Vetëm që unë të mos ndaja të njëjtin ambient me njerëzit e thjeshtë, porositët të ndërtonin pishinë para shtëpisë sonë. Edhe shokët me të cilët do të notoja, ishit ju që m’i gjetët. Pasi i kaluat nga një test pasurie, fëmijët që vinin nga familje me të ardhura të afërta me ne, i pranuat si shokët e mi të pishinës.
Edhe shokët e mi, ju i caktuat.
Edhe ata ishin të rinj që nuk kishin probleme financiare, ashtu si unë.
Pandehnit se bëja pjesë në një grup mjaft të mirë, madje këtë e përdornit shpeshherë si objekt krenarie e mburrjeje.
Sepse ju ishit të zgjedhur dhe rrethi i fëmijës tuaj duhej domosdo të ishte i zgjedhur. Unë duhej të isha pjesë e një rrethi të tillë, për të përkëdhelur krenarinë tuaj, megjithëse disa pjesëtarë të këtij rrethi ishin përdorues kokaine.
Kush e mbush këtë zbrazëti?
Një zë më thotë: “Nëse e mbush këtë zbrazëti, shpëton”.
Zbrazëtia brenda meje shtrihet e gjerë sa pafundësia...
Një zbrazëti e gjerë sa pafundësia, me se mund të mbushet?