BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

TRE TË HUAJ

Ti, im atë dhe unë. Tre të huaj që rrallëherë ndodheshim bashkë në një tryezë në orar ngrënieje. Nëse babai ndodhej në shtëpi dhe ti nuk kishe shkuar gjetiu, kishim mundësi të përjetonim lumturinë e të ngrënurit së bashku gatimet e kuzhinieres sonë.

Por edhe kjo lumturi kalonte pa ngjyra, ndarja e përbashkët e një ambienti kalonte pa gëzim dhe shumë ftohtë. Nëse takimet tona rreth një tryeze ndodhnin me një javë diferencë, gëzohesha jashtë mase. Edhe pse pa ngjyra e pa hare, fakti që si familje ndodheshim në të njëjtën tryezë, më lumturonte.

E ndjeja se ato momente përjetonit një thatësirë temash bisede. Babai shpjegonte gjithë qejf se me çfarë metode kishte zhvatur ndonjë tender, si kishte shpëtuar nga ndonjë taksë, gjendjen e fundit të bursës dhe rritjen e të ardhurave të letrave me vlerë.

Ndërsa ti nuk para kishe ndonjë gjë për të treguar nënë. Sepse zakonisht ti humbje vazhdimisht nëpër kazino dhe nuk të leverdiste t’ia tregoje babait.

Duke qenë se mua më kishit dorëzuar në persona që do të më edukonin mirë, nuk para bisedonit rreth meje.

Ndërsa unë, vërtet që jetoja i vetmuar edhe kur ndodhesha mes jush.

Jetoja një jetë prej burgu në një shtëpi me kushte që nuk i zotëronte as një përqind e bashkëkombësve të mi.

Një shtëpi shumë luksoze dhe me hapësirë të konsiderueshme, një kolltuk i rehatshëm dhe unë i lidhur me fije të padukshme në këtë kolltuk të rehatshëm me një kompjuter me kapacitet tepër të madh.

Ja, kjo ishte jeta ime.

Nuk pashë ndonjëherë t’i bënit komplimente njëri-tjetrit. Në shtëpinë tonë kishte hyrë paraja, fama, posti, luksi; por të gjitha këto që kishin hyrë, e kishin përzënë diçka: dhe ajo që ishte përzënë quhej sinqeritet!

Lajmet në lidhje me ecurinë e holldingut tonë i ndiqnit me vëmendje dhe deheshit kur mësonit për rritjen e grafikut. Pale kur merrnit pjesë në mbrëmjet festive dhe kur pozat tuaja të buzëqeshura në rolin e një familjeje të lumtur zbukuronin këndet e gazetave, atë ditë, lumturia juaj kapte majat dhe mendonit ta varnit në mur atë portret. Ngazëllimi i shtirur që e vërtetonte edhe ajo pozë, nuk mundte kurrsesi t’jua bënte të vërtetë atë lumturi.

A isha në të vërtetë unë djali juaj? Kaq i huaj mund të jetë një fëmijë ndaj nënës dhe babait? Kaq të huaj mund të jenë prindërit ndaj fëmijës së tyre? Ja që, edhe paska mundësi.

U përpoqa në shumë mënyra ta largoja atë ftohje mes nesh. Madje bleva edhe një libër të një autori të huaj që fliste rreth jetës në familje. U rreka për ditë të tëra ta ngrija në qiell atë libër. Doja me çdo kusht që ju ta lexonit, pasi ky autor i huaj theksonte rëndësinë e lumturisë për familjen dhe theksonte gjithashtu se edhe në martesë ishte e mundur vazhdimësia e entuziazmit të flirtit. Por jepte edhe recetën e kësaj: besnikëri ndaj partnerit.

Megjithë mundin, nuk arrita dot të mënjanoja ftohtësinë mes teje dhe babait.

Kërkova rrugët e shpëtimit nga ky tëhuajësim i imi. Kishte ditë që bija në pesimizëm. Në çdo zhytje në pesimizëm, vija me makinën time luksoze në Bosfor dhe, duke bërë sikur makina kishte defekt, me një gjendje shpirtërore i gatshëm për t’u hedhur çdo çast, vështroja ujin e kaltër e të freskët.

Vërtitem përreth parqeve në ajër të pastër mos më bën mirë. Dëshiroj të ndjej lumturinë e djaloshit nga i cili bleva një simite, nuk ia dal dot. Kërkoj harenë e fishkëllimës së djaloshit që më lyeu këpucët, s’mundem ta gjej dot.