BRITMA E NJË TË RIU
Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı
A. Mahir Pekşen
PËRSE NDRIÇOJNË MINARET
S’më kujtohet mirë në isha shtatë apo tetë vjeç. Kishim ngrënë qofte pranë Sulltan Ahmetit. Kur dolëm nga restoranti, dielli kishte perënduar. Kudo ishte errësirë, ndërsa në të gjashta minaret e xhamisë Sulltan Ahmet ndriçonin dritat. Më pati pëlqyer aq shumë ajo tablo, sa pata pyetur:
Përse ndriçojnë dritat lart në minare?
Nuk e di, - më pate thënë.
Babai të ndihmoi menjëherë duke ndërhyrë:
Mesa duket duhet të jetë ndonjë ditë e veçantë.
Sigurisht që duhet të ishte ditë e veçantë. Edhe unë e dija që dritat nuk ndriçojnë për çdo natë. Fakti që ju nuk e dinit arsyen e ndriçimit të minareve atë natë, më ndezi një kureshtje përbrenda. Kurrë s’munda ta harroj atë pamje. Minaret që zgjateshin si lapsa drejt qiejve blu sterrë të mbrëmjes, zgjateshin drejt thellësive të mendjes sime duke u vendosur në ballë të listës së gjërave të bukura që kisha parë në jetë. Njeriu mund të përballet përgjatë jetës së tij me gjëra interesante çdo ditë, çdo javë, çdo muaj. Por midis tyre ka nga ato të tilla që, edhe me kalimin e viteve, mbeten të freskëta dhe të qarta në kujtesë. Edhe këto minare, zunë një vend të veçantë si një kujtim fashitës dhe qetësues shpirtëror i zemrës dhe shpirtit tim.
Më pas e mësova. Ato drita ishin ndezur me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së Profetit Muhamed.
Ajo natë kaloi për ne pa lënë asnjë gjurmë, pa u bërë shkak i asnjë ndryshimi. Atë kohë nuk munda t‘ia bëj analizën kësaj çështjeje, por tani po e bëj, nënë;
Festimet e Vitit të Ri tek ne bëheshin madhështore. Përgatitjet fillonin me javë përpara, ftoheshin njerëz të zgjedhur dhe tokeshin gotat e shampanjës. Ndonjëherë shkonim në ambjente të veçanta festash dhe për një natë harxhonim aq sa mund të ishte rroga vjetore e një nëpunësi.
Por fjala vjen, të njëjtin entuziazëm nuk e përjetonim me rastin e Kurban Bajramit. Dashi i madh me brirë i lyer me këna kurrë nuk mbërriti në shtëpinë tonë siç kisha lexuar në disa libra me tregime. Unë nuk pata kuptuar as arsyen e kësaj feste. Sepse ju nuk ma shpjeguat!
Ato ditë, kur lexonit në gazeta shkrime kritike ndaj therjes së kurbaneve, qimet ju ngriheshin përpjetë dhe cilësimet tuaja ndaj këtyre çështjeve ishin:
E neveritshme...
Egërsi...
Kasaphanë...
Dhe në vend që të më shpjegonit se ajo ishte një adhurim, ma qortuat me një gjuhë të ashpër.
Por, sërish, vite me vonë, me aq sa mund të gjykoja me aftësitë e mia gjykuese, arrita në përfundimin se kjo duhet të ishte festa ime e vërtetë. Jo vetëm që nuk më shpjeguat pse ndriçonin minaret, përse therej kurbani, por as gëzimin të varfërve në këtë festë, as pajtimin e të idhnuarve e as vizitat e ndërsjella midis miqve dhe shokëve që bëheshin në këtë ditë nuk m’i treguat.
Ishit totalisht kundër therjes së deleve dhe deshve. Edhe unë hidhërohesha për hir të së vërtetës. Therësit i shikoja me syrin e vrasësit. Ndërkohë që kur ju pyeta si ishin prodhuar proshutat, sallamet, salsiçet dhe burgerat që m’i jepnit për të ngrënë, pa therjen e kafshëve, më patët shikuar me tërsëlli. Sigurisht që nuk shtuat as ndonjë sqarim bindës.
Ndërsa me kalimin e viteve, kur u rrita, pyetjet e mia sa vinin e bëheshin më të çuditshme sipas jush.
Kur ju pyeta se “si i konsideroni vuajtjet e gaforres që zihet e gjallë vetëm për të qenë ushqim për ju”, ma preve shkurt “Nga disa gjëra s’merr erë fare!”, duke treguar edhe një tjetër shembull të pamundësisë tënde për të m’u përgjigjur.
Dhe thelbi i boshllëkut të jetës sime, ai që ju kurrë s’arritët ta kuptonit, flinte tek pamundësia e përgjigjes së pyetjes që ju pata drejtuar: Përse ndriçojnë minaret?
Kur kthej kokën pas e i hedh një sy jetës sime të shkurtër, vërej se muaji Ramazan kurrë nuk e vizitoi shtëpinë tonë.
Unë jetoja veçuar shoqërisë. Në rrethin që më kishit vizatuar, nuk kishte vend për popull të thjeshtë. Për atë popull që ju gjithmonë e poshtëronit dhe e fajësonit se nuk dinte të mendonte, të hante, të argëtohej e të shëtiste.
Sikur të ishim edhe ne pak popull, sikur të bëheshim paksa të tillë! Sikur të merrnim dhe ne një pjesë nga zemra e tyre e mbushur me dashuri, mirëkuptim, njerëzi dhe mëshirë.
Unë kurrë nuk të pashë, nënë, të jepje lëmoshë.
Mendimi se “Këtë pasuri vetë e kemi fituar, vetë do ta harxhojmë” ka qenë kurdoherë mbizotërues në familjen tonë.
Ndërkohë që në vendin tonë kishte shumë veprimtari të lëvdueshme.
Kishte të varfër që ndanin kafshatën e gojës me të varfër të tjerë.
Ata dinin të bashkëndanin edhe kur kishin pak.
Ndërsa ne nuk jepnim as thërrimen e pasurisë sonë të madhe.
Kishim ngritur një fron egoizmi prej qelqi dhe ishim dehur nga vera e krenarisë që e pinim në gota kristali.
Dhe pasurinë tonë ma sqaronit me shumën astronomike të të hollave tona.
Por duke e ditur mirë se nuk do të më kuptoni, po jua them: Pasuria është e mundur vetëm kur jep.
Dhe lumturia është e mundur vetëm kur e ndan me të tjerët.