BRITMA E NJË TË RIU
Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı
A. Mahir Pekşen
COPË-COPË
Ishte një ditë vere. Ishim në shtëpi si gjithmonë me shërbëtoren gjeorgjiane. Ngase kisha përfunduar klasën e parë me rezultate të shkëlqyera, më kishit blerë një biçikletë nga më modernet. Dielli po i afrohej horizontit. Edhe pak na ndante nga mbrëmja.
Isha larguar paksa nga vila jonë. Duke kaluar para kazinosë, ku babai e kishte bërë zakon të luante para se të vinte në shtëpi, mendova të hyja brenda e të shikoja.
Në fillim të pashë ty nënë, e më pas tim atë.
Babai më vuri re pas një farë kohe. Rrudhi fytyrën. A i rrudhin fytyrat baballarët kur shohin bijtë e tyre? E pashë tepër qartë se nuk ishte gëzuar aspak që më kishte parë. I erdhi turp prej meje! Ashtu siç të vegjlit kur kanë nisur të pinë cigare, skuqen kur i shikon ndonjë i rritur. Edhe im atë ishte në të njëjtën gjendje. Dora që kishte mbështetur tek shpatullat e atij që kishte pranë, i ra.
Pa më dhënë kohë për të folur ndonjë fjalë, ma bëri me shenjë për nga tavolina ku ishe ulur ti.
- Mami po luan me shokët e saj, shko dhe ti atje! – më tha.
Domethënë që e dinit për njëri-tjetrin. Im atë pinte e gëzohej me persona që i konsideroja shokë e shoqe pune dhe sekretaren e tij, ndërsa nëna me persona që nuk ia dija shkallën e afrimitetit.
Dukej ashiqare që e dinit për njëri-tjetrin. Duke qenë se fjala xhelozi ishte një term i dalë jashtë mode, e kishit fshirë nga fjalori juaj.
Kujtoj se për herë të parë i pata dhënë pedales së biçikletës me inat e shpejtësi. Largohesha nga kazinoja për t’u larguar prej jush dhe për të protestuar indiferencën tuaj karshi meje. Nuk e mbaj mend për sa kohë e ngava ashtu biçikletën dhe për ku e ngava. Por ama, çuditem edhe sot, si nuk bëra ndonjë aksident apo nuk përfundova nën rrotat e ndonjë kamioni atë ditë.
Vërtet, ne ishim një familje moderne! Një familje ku burri dhe gruaja nuk i ngatërroheshin njëri-tjetrit dhe fëmija asnjërit prej tyre.
Nuk e di ç’kuptim kishte për ju martesa, veçse ceremonisë para të njohurve të famshëm, celebrimit nga ana e kryetarit të bashkisë dhe shpenzimit të milionave! Dhe këtë bëtë! Pastaj dëshiruat ardhjen time në jetë vetëm që të tjerët të mos thoshin “Nuk lindin fëmijë!”, të më përkëdhelnit kur t’ju vinte mbarë dhe të mburreshit me mua para të tjerëve.
Atë ditë, kur largohesha nga kazinoja, a e di sa i vetmuar ndjehesha nënë, sa i vetmuar?
Teksa haharisjet tuaja më përcillnin deri te pragu i derës, nuk gjej fjalë për të përshkruar ndjenjat që më përsilleshin përbrenda.
Ne ishim një familje moderne, nënë! Ia kishim dalë me sukses të ishim familje moderne, por kurrë një familje e lumtur!
Pasuria që kishim nuk na vlejti për këtë!
***
Mëngjesin tim e përgatiste si gjithmonë shërbëtorja. Zaten, ti kurrë nuk zgjoheshe në orarin ku unë nisesha për shkollë. Zgjimin herët në mëngjes vetëm ata që flenë para mesnate e dinë. Ndërsa ti, nënëz e dashur, kur ngrije kokën nga kumari që e doje aq shumë, dielli ishte në të lindur thuajse.
A je menduar ndonjëherë nënë në tryezën e kazinosë, kush e mbulon birin tënd kur zbulohet natën? Nuk e shikoj si paturpësi këtë gjuhë me të cilën po të drejtohem nënë, përderisa ti e ke konsideruar më të vlefshëm kumarin sesa mbulimin natën me jorgan të tët biri.
Rregullat e përgjithshme të etikës këshillojnë respekt ndaj nënës dhe babait. Dhe është e drejtë! Por, edhe nënat dhe etërit duhet të jetojnë me principet e pritura që ta meritojnë këtë respekt.
Ajo nënë që nuk e gjeja pranë kur flija dhe zgjohesha, sa nënë mund të jetë vallë?
***
Vështroj ujin e kaltër e të freskët të Bosforit, nënë. Mendoj me zë të lartë. Herë-herë, hesht mos era merr fjalët e mia dhe i dërgon në familje të lumtura ku jetojnë fëmijë të lumtur. Nga era ndjej turp.
Grindjet e tua me babain ishin bërë normale.
Çdo mëngjes të diele, nëse babai nuk ndodhej në ndonjë shëtitje pune, dhe ti, nëse s’ishe nxehur e të mblidhje valixhet e të ikje në hotel, grindjet e tua në shtëpi ishin bërë të pashmangshme. Nuk mendoj të ketë tjetër burrë a grua që të ketë suksesin tuaj në gjetjen e yçklave e kleçkave për t’u grindur si ju të dy.
Duke nisur që nga mosvendosja e kravatës që ti kishe zgjedhur nga ana e babait s’di në ç’datë apo në ç’ballo të cilit biznesmen ku shkonit, e deri tek mosvajtja në muajin e dytë të martesës për shëtitje në Majami, të gjitha këto ishin materiale për t’u grindur, ose ca kacafytje gjelash. (Asnjëherë nuk më patët treguar gjel prej vërteti në jetë që të mos ishte ulje për mua, por thjesht ç’kisha parë nga dokumentarët.)
Babait të shkretë s’i pipëtinte zëri në atë zallamahi të thatë që krijoje. Dukej sikur nga çasti në çasti do t’i hidheshe përsipër të gjorit. Ti ishe nismëtarja e të gjitha potereve. Gjithmonë kam menduar me vete: “Mos vallë mami ka një fletore të fshehtë ku ka shkruar sebepet e nxjerrjes së zënkave dhe i hedh një sy çdo të shtunë në darkë?”
A e keni menduar vallë gjendjen time, vuajtjen dhe ndjenjat e mia në çastet kur grindeshit? Urrejtja jua kishte mbuluar aq shumë sytë, saqë nuk shikonit as sesi më ikte e më vinte çehrja ato çaste.
Sa herë e patët shqiptuar ndarjen, divorcin! Në sytë e mi bënit llogaritë e ndarjes së pasurisë. Më binte pika ato çaste. Po babai s’pranonte dot të të jepte gjithë ato miliona dollarë. Ndërsa unë gëzohesha vetmevete.
Por gjithmonë kam patur një kureshtje: Kur do të këputej kjo lidhje e stërholluar kaq shumë...
Dhe mbrëmja e të njëjtës ditë ishte gjithmonë e qetë, sikur të mos kish ndodhur asgjë, të veshur e të krekosur hipnit në makinë dhe shkonit në ndonjë festë apo ballo. Dhe fytyrat tuaja të vërteta i linit në shtëpi.
Duke harruar të gjitha fjalët plot mllef e urrejtje që ia kishit thënë njëri-tjetrit dy-tri orë më parë, i buzëqeshnit sho-shoqit dhe i thurnit komplimente.
Ndërsa grindjet e tmerrshme ndodhnin menjëherë pasi njëri prej jush dilte nëpër faqet e gazetave në një gjendje të padëshiruar prej jush. Atëbotë, njëri nga ju e braktiste shtëpinë për të paktën një javë.
Më parë merakosesha gjithmonë, dhe përtej merakut, edhe frikohesha: “Po sikur të mos kthehet më...!”
Dhe braktisjet e shtëpisë ishte bërë pjesë e jetës për ju, ishte normale që të ndodhte.
Ç’familje ishim ne, nënë!