BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

TI GJITHMONË KE NJË JUSTIFIKIM, BABAI GJITHMONË NË PUNË

Gjithmonë kam menduar: Mos vallë do të ishte e nevojshme që të ishim një familje më e varfër që të qëndronim më shumë me njëri-tjetrin?

Kur përgjigja e kësaj pyetje më dukej “Po”, e urreja pasurinë tuaj.

Po të mos ishit kaq të pasur, nuk do më merrnit nga ata ekranet ngjyra-ngjyra, skllav i të cilëve u bëra qysh në fëmijëri. S’do kisha as DVD e as CD. Botën time do ta plotësonte ngrohtësia juaj, e jo pashpirtshmëria e atyre ekraneve.

Po të mos kishit qenë të pasur, s’do të kisha pasur dado në foshnjëri e shërbëtore në vegjëli; ato çaste do t’i kaloja me nënën dhe babanë tim, do të ndjeja atë ngrohtësinë dhe kënaqësinë e papërshkrueshme që vjen nga ndenjja me prindërit.

Ju ishit të qetë, pasi me para kishit gjetur si dado, ashtu edhe shërbëtore. Ndërgjegjen e kishit të pastër. Sa më shumë t’i paguanit shërbëtorët, aq më të lumtur dukeshit dhe mendonit se po në atë masë e kishit kryer detyrën tuaj prindërore.

Fëmijët si unë nuk kishin as të drejtën t’i zgjidhnin vetë shokët e tyre. Një ditë pata guximin të luaja me nipin e shërbëtores që ishte bashkëmoshatar me mua, pa menduar se në ç’gjendje do të përfundonte i shkreti.

- Ti je djalosh nga një familje e pasur dhe fisnike. Shokët e tu s’mund të jenë bij të familjeve punëtore, - më patët qortuar ashpër.

Pastaj më sollët në shtëpi shokë jo nga familje të zakonshme. Ishte koha kur sapo kisha përfunduar filloren. Por edhe kur luaja me ta, nuk ndjeja asnjë lloj gëzimi e lumturie, pasi gjithçka që bëja, më dukej sikur zbatoja ndonjë urdhër.

E kuptoja se kishte diçka që s’shkonte, por s’kisha dikë të m’i tregonte ato gjëra që s’duheshin e të më tregonte ato të duhurat në vend të tyre.

Një ditë, në adresën time të e-mailit erdhi një shkrim që shkreptiu në botën time si rrufe dhe më ngriti në kokë shumë pikëpyetje. Nuk kishte përbri as fotografi e as ndonjë tekst prekës. Por titulli më bëri shumë përshtypje: LOTI I FLUTURËS. Gjithmonë kam dashur të jem flutur në jetë. Do të më pëlqente të kisha flatrat e mia që do të më jepnin lirinë e vërtetë, flatra ngjyra-ngjyra si një kopsht pranveror.

Si qanin fluturat? Përse qanin? Megjithëse shkrimi më vinte i rëndë, e lexova rresht për rresht me vëmendje.

Shkrimi ia niste kështu:

“Nuk do të doje që në prag të fillimvitit të merrje përsipër një mision të ri e të nderoheshe me arritjen e një objektivi si të lësh gjurmë në botë dhe t’i japësh formë epokës tënde?”

Ç’objektiva të mëdha ishin këto: t’i jepje formë epokës, të lësh gjurmë në botë. Shkrimi vazhdonte:

“Bota është zvogëluar. Objektivi është shtuar. Objektivi është i bukur, i këndshëm.

Objektivi është t’i paraqesësh të bukurat gjithë njerëzimit me një zemër të dashur dhe fytyrë të qeshur... Nëse ky ofrim kryhet me dorën e mirëkuptimit, askush s’do ketë fuqi ta refuzojë.

Ke parë ndonjëherë t’i jepet dikujt një trëndafil apo një çokollatë turivarur apo me zemër të mbushur me urrejtje?

E dinim dhe e besonim se në çdo frymëmarrje e në çdo hap që hidhnim ishte “Një” që na shikonte. Tani mijëra sy të padukshëm e veshë kureshtarë të vështrojnë, të ndjekin, të regjistrojnë.

Ndoshta nesër, një fjalë që e ke thënë kushedi sa kohë më parë, një lëvizje, do ta nxjerrin nga mesi i miliarda zërave në thellësitë e universit dhe do të ta dhurojnë brenda një CD-je. Ndoshta do t’ua ofrojnë edhe njerëzve të tu më të afërt.”

Kush mund ta kishte dërguar vallë këtë në adresën time? Po sa shkrim i bukur që ishte! S’do doja kurrsesi që dikush të më kishte regjistruar me një kamerë sesi humbja veten para ekranit që rridhte fëlliqësi e t’ua tregonte këtë gruas dhe fëmijëve të mi në të ardhmen. Shkrimi më tërhoqi sërish pas vetes dhe vazhdonte:

“Je i detyruar të jetosh një jetë ku fytyra mos të të skuqet kur e di se “Një” të shikon dhe të afërmit e tu ndjekin lëvizjet e tua nëpërmjet CD-së.

Duke qenë se kreatori i kësaj është “i pashoq” dhe i vetëm, më i mrekullueshëm se çdo mrekulli tjetër dhe a e di se edhe zhurma që nxjerr qerpiku i syrit nuk humbet?

Tashmë je i tejdukshëm. Organet e tua kristalizohen me anë të MR (Rezonancës Magnetike), valët e trurit t’i zgjidh EEG, rolin kryesor të fundit në skenën e historisë, interpretoje edhe një herë denjësisht për veten, të parët dhe besimit tënd.

Bëhu si flutur. Zambaku mbi të cilin ulesh, trëndafili që puth, vjollca që merr erë të mos cënohet. Në flatra mbart farëra mirësie, e nëse i tregon se ti je gjendja e jetësuar e këtyre farërave të mirësisë, e zgjidh problemin.

Mos derdh gjak, të askujt e as tëndin. Prej teje pritet djersë dhe lot.

Djersa - sakrificë, sinqeritet dhe çfarëdolloj mundi trupor e mendor për hir të dashurisë që ke dhënë veten.

Ndërsa loti – një zemër e zbutur nga dashuria, mirëkuptimi, mëshira dhe dhembshuria, që kur i thuhet dashuri, e dashur, pa patur nevojën e urdhrit “loto”, nga faqet e tij rrjedh lëngu, një pikë e të cilit është një thesar i çmuar saqë mund të shuajë edhe diellin.

Sa mirë të jesh një person që ndjen përgjegjësi mbi supe edhe për një balenë që vetëvritet në oqean, apo për një zezak që vdes nga uria në Afrikë!

Sa mirë t’i hapësh krahët e të përqafosh një djalosh narkoman pa e mallkuar për gjendjen e tij, të ndjesh dhimbjen që ndjen për të nëna e babai i tij dhe ta vendosësh veten në vend të prindërve të tyre!

Sa mirë të vajtosh për mjerimin tënd ashtu edhe për mjerimin e të tjerëve dhe të gëzohesh me gëzimin e tyre.

FLUTUR;

Gjithë këtë barrë e ke mbi shpatulla, ndërsa jetëgjatësia: as sa një stinë.

Do djersitësh flutur, dhe mbi flatrat e lagura mijëra ngjyra- motive dhe perla.

Do qash flutur;

Dhe lotët e tu do të shkruajnë epopenë e bukurive.

Dhe ti flutur, ato që s’mendojnë e s’besojnë si ti, do t’i mirëkuptosh e do t’u dhurosh trëndafilin e zemrës dhe nga burimi yt i mirëkuptimit, zemrës së tij për të pirë do t’i japësh.

Mos harro flutur! Botën e ke para teje duke pritur mbrujtjen tënde.

Nuk ka asnjë pengesë për të mos u mbrujtur. Sepse:

Zemrën e ke të gjerë, horizontin të hapur, qëllimin të mirë, objektivin të saktë dhe ti FLUTUR, je e fortë po aq sa besimi.”

SHKËNDIJË DHE SHKREPËTIMË

Nuk ishte rastësi ardhja e këtij shkrimi në adresën time. Ishte e mbushur me fraza që s’i kisha dëgjuar në rrethin tim. Por ajo që më shtonte kureshtjen, ishin ndjenjat dhe frazat të cilat besoja se ndodheshin në një cep të botës sime shpirtërore, pa mundur dot t’i zbuloja.

Jepte sihariqin e afrimit të agimit në çastin më të errët të natës. Dhe unë, teksa ndodhesha në majën e fëlliqësirave, ndjeva hapjen e derës së mirësive.

E regjistrova shkrimin në kompjuter. Në fakt, e kisha kopjuar njëkohësisht edhe në kujtesë. Midis qindra mesazheve fëlliqësira. Megjithëse dhjetëra prej tyre i fshija pa i lexuar, si ka mundësi që e lexova me kaq vëmendje një shkrim të tillë që mund të ishte tepër i mërzitshëm për mua? Përse më preku kaq shumë?

Të ndjesh përgjegjësinë e vdekjes së një zezaku në Afrikë nga uria, tingëllonte komike për një person si unë i edukuar me parazitizëm e vegjetim, por prapë unë e pëlqeja dhe e regjistroja.

Ideja e vetme që më patën injektuar ime më dhe im atë, ishte të fitoja. Për të fituar mund të ndiqej çfarëdolloj mënyre. Nëse brenda mënyrës për të fituar mund të më vijë ndonjë mendim për

të zbatuar rregullat morale, më quanin “naiv, i trashë.”

Në televizor po jepej një skeç;

Nëna pyet të birin: “Çfarë ke dëshirë të bëhesh kur të rritesh?”. Djali ia kthen: “Dua të bëhem i poshtër nënë.” Nëna nxehet, por djali ndërhyn menjëherë: para disa ditësh dëgjova teksa flisje me babain dhe thoshit: “I poshtri kishte blerë një kat, i poshtri kishte marrë një jaht, i poshtri kishte marrë një vilë buzë detit, i poshtri kishte marrë një çarter”. Domethënë, të poshtrit marrin gjithçka duan. Çfarë profesioni të jetë ky, unë dua të bëhem i tillë!”

Nëse këtë skeç do ta rishikojmë nga e kundërta, meqë i poshtri paska gjithçka, të ndershmit i bie të mos kenë asgjë. Të pranoje logjikën e skeçit, i bënte të dyshuar të ndershmit. Nga kjo anë ishte e gabuar. Sepse kishte edhe shumë të ndershëm që kishin goxha pasuri.

Nuk mjaftonte të mendoje vetëm për veten. Duhet të mendoje për të gjithë.

Në një pjesë të mesazhit thuhej: “Tani mijëra sy të padukshëm e veshë kureshtarë të vështrojnë, të ndjekin, të regjistrojnë.” U drodha. Njeriut që ndiqnim nga dhoma e tij në Amerikë, kishim mundësi edhe ne t’i përcillnim figurën tonë në të njëjtin çast. Tanimë ishim të detyruar të vepronim sikur në çdo vend kishte ndonjë regjistrues zëri apo figure.

Ç’thoshte shkrimi?

“Je i detyruar të jetosh një jetë ku fytyra të mos të të skuqet kur e di se “Një” të shikon dhe të afërmit e tu ndjekin lëvizjet e tua nëpërmjet CD-së.”

Ky mesazh kishte ndezur një shkëndijë në mendjen time. Përderisa nëna dhe babai tek të cilët kisha patur shpresat se do të më tregonin rrugën më të saktë përkujdesen për të tjera gjëra në vend se me mua, atëherë më duhet ta vizatoj vete rrugën time.

Po më plaste koka. Ndodhesha sërish në prag të një lindjeje dhe kjo ishte po aq e vështirë sa edhe lindja e parë. Do të copëtoja botën prej kristali dhe rubini që më kishin formuar dhe do të kthehesha në botë prej dheu.

Mos ishte e lehtë kjo?

“Bëhu si flutur! Zambaku mbi të cilin ulesh, trëndafili që puth, vjollca që merr erë të mos cenohet. Në flatra mbart farëra mirësie, e nëse tregon se ti je gjendja e jetësuar e këtyre farërave të mirësisë, e zgjidh problemin.”

Kush ishte ky që dinte pasionin tim për fluturën dhe më pëshpëriste “Bëhu flutur!”? Të ulesh mbi zambak, të puthësh trëndafilin, t’i marrësh erë vjollcës. Sa mesazhe të bukura që ishin këto!

Sa mrekulli ishte t’u merrje erë këtyre luleve pas gjithë atyre ndyrësirave që kishin hasur deri tani hundët e mia!

U ktheva sërish pranë kompjuterit.

Kësaj radhe dora nuk shkroi adresën e ndonjë portali të keq. Ua dërgova këtë shkrim të gjithëve me radhë, megjithëse ndoshta shumicën nuk e njihja personalisht.

Pata dëgjuar se kur gjërat e mira ndahen me të tjerët, shtohej dhe këtë e provova.

***

Kuptimi i internetit kishte ndryshuar për mua. Megjithëse ende nuk më ishte prerë lidhja përfundimtare me ato portalet tërheqëse në dukje e të neveritshme në brendi, më ishte shtuar gjithsesi interesi për portalet dhe shkrimet mistike. Vazhdoja traditën time t’u dërgoja miqve shkrime të bukura që mendoja se ishin të vlefshme. Pa kaluar një orë nga dërgimi në adresa të ndryshme të një shkrimi të bukur, dikush që i përgjigjej me urime të ngrohta mesazhit tim, më dërgoi një shkrim të ndryshëm.

Ishte një shkrim që e ktheu shkëndijën në shkreptimë:

Ndërkohë që qindra mijëra nepërka, miliona akrepa, mbajnë në thumbat e tyre helm, një gram i të cilit mund të vrasë mijëra vetë, teksa mijëra luanë ulërijnë;

Dhe miliona bletë, të cilat helmin e thumbave e ruajnë vetëm për ata që i pengojnë të mbledhin nektarin e luleve, duke përgatitur për ne ushqimin më të shijshëm dhe duke u thelluar në vetvete, duke u zhytur në pafundësitë e qiellit, ndjej nevojën të falenderoj Krijuesin që i ka bërë qiejt e pafund.

Truri im mendon se misteri brenda bërthamës së atomit nuk është më i vogël se misteri i sistemit diellor, i Rrugës së Qumështit, i galaktikave, e, duke u endur sa nga flatra e mushkonjës tek gungat e devesë, nga organi tretës i amebës tek feçka e elefantit dhe, më së fundi, ankorohet në portin e paqes dhe hedh spirancën duke e ditur se s’ka rrugëzgjidhje tjetër.

Teksa ndodhin dhjetëra batica-zbatica në gjithë ato dete e oqeane, Hëna shëtit rreth Tokës, Hëna dhe Toka rreth Diellit, Hëna, Toka dhe Dielli rreth yjeve të tjerë, grupi i këtyre yjeve rreth yjeve të tjerë më të mëdhenj, shëtisin brenda caqeve të caktuara pa luajtur milimetrin, e pa menduar këto, sa e vështirë është të kuptosh njeriun që shikon si sukses vërtitjen e tre rrathëve në duar pa prekur njëritjetrin, ashtu si në cirk!

Pa kuptuar pafundësinë s’kuptojmë asgjë, e pa kuptuar grimcën s’mund të kuptojmë pafundësinë.

Çdo ditë do të vazhdojmë të hedhim poshtë teorinë e ditës paraardhëse dhe më së fundi do të gjejmë prehje në derën e mëshirës më të madhe.

Zoti im, që s’më bën të ndjej gjithë këto zjarre, llava, shpërthime, s’më bën të ndjej tymin dhe erën e squfurit, por më bën të ndjej aromën e trëndafilit, që s’më bën të dëgjoj zhurmat e shtresave dhe magmës së nëntokës, zhurmën e Tokës duke u rrotulluar rreth Diellit dhe zhurmën e madhe të këtyre dyve duke u rrotulluar rreth yjeve të tjerë, e më bën të dëgjoj zërin e ëndshëm të bilbilit, Ty, Ty, të dua aq shumë sa s’mundem dot ta shpreh.

Duke notuar mbi magmën që vlon kushedi sa mijëra gradë poshtë këmbëve tona, duke shëtitur nën diellin përvëlues; o Zoti ynë qa na jep freski mes këtyre dy zjarreve, e kemi të pamundur të besojmë se të kemi falenderuar ashtu siç e meriton.

Ne, njerëzit e pafuqishëm, të mangët e të pamundur, e vetmja gjë që besojmë është madhështia e Zotit tonë, e cila njëkohësisht është edhe tregues i faljes së Tij madhështore dhe kjo madhështi, është krejtësisht mbi masën që Ai do t’i mbulojë të gjitha të metat e gabimet dhe do t’i falë të gjitha mëkatet e atyre që e besojnë Atë.

Të mendosh këtë madhështi, ta rikujtosh atë herë pas here, është receta e lumturisë përgjatë gjithë jetës.

Dhe më pas, i lumturisë së përjetshme.

O mik, që mbart në vetvete një boshllëk në shpirt dhe pyet vetmevete: “Me se mund të mbushet një boshllëk i gjerë sa pafundësia?”, dije se, këtë boshllëk e mbush vetëm dashuria për Zotin?

Ishte një pyetje që më erdhi vetëtimshëm në mendje teksa vështroja ujin e kaltër e të freskët: “Me se mund të mbushet një boshllëk i tillë sa pafundësia?”

E pra, dikush që s’i dija as emrin e as fytyrën, më dërgonte një mesazh s’di se nga cili cep i botës dhe më tregonte mënyrën sesi mbushej ajo zbrazëti e thellë në shpirt.

Shkëndija ishte shndërruar në Shkreptimë. Qielli im i sterruar vetëtinte herë pas here nga shkreptimat dhe përbrenda mbushesha me shtëllunga drite të pafundme.

Gjithçka ishte të besoje në Zot. Por ti nënë, s’më pate folur asgjë rreth Zotit!