BRITMA E NJË TË RIU

Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı

A. Mahir Pekşen

NJË MBRETËRESHË PËR ZEMRËN TIME

Sigurisht që s’mund të pritej të isha student i suksesshëm me këtë ndrydhje shpirtërore që përjetoja. Pasi përfundova me vështirësi kolegjin, sërish, me fuqinë e paimagjinueshme të pasurisë suaj, mora diplomën e juristit në një universitet privat.

Ndjeheshit të kënaqur. Megjithëse kisha shkuar jashtë shtetit për shëtitje, kurrë nuk u lodhët duke u thënë të tjerëve se kisha shkuar në Amerikë për studime pasuniversitare.

Dhe radha i përkiste asaj që do të krenoheshit më tepër: martesës. Një fëmijë i një familjeje të pasur dhe zotërues i një holldingu të fuqishëm si ju, sado që kishte përfunduar studimet pasuniversitare (!) në Amerikë, ishte i ndaluar të zgjidhte një bashkëshorte me vullnetin e tij të lirë. Kjo çështje duhet të ishte e menduar mirë dhe të ishte punë martese.

Ç’vajza i përkisnin jetës mondane e shtresave të pasura, që mbushnin faqet e gazetave e me trupin si topmodele, m’i listuat para. Duke patur parasysh një shembull “familjeje” si ju, të keq, por të pranishëm, e kisha të pamundur të thosha “po” për ndonjërën prej tyre. Ndërgjegjja e refuzonte kategorikisht diçka të tillë. Lista juaj, detyrimi juaj për martesë dhe ndërgjegjja, të tria së bashku më sollën ndërmend një anekdotë:

Një biznesmen do të udhëtonte me avion për në Paris. Një zë i brendshëm i thotë:

Mos udhëto sot me këtë avion!

Personi i bindet zërit që e dëgjoi qartë dhe anullon biletën. Avioni me të cilin do të udhëtonte pëson defekt, rrëzohet dhe nuk shpëton asnjë udhëtar.

Pas njëfarë kohe, porosit mish pule në një restorant dhe zëri i brendshëm i thotë:

Mos e ha!

Nuk e hëngri. Të nesërmen, mëson se ata që kishin ngrënë mish pule në atë restorant, ishin helmuar.

Një ditë tjetër, teksa përgatitej t’i dërgonte një firme tjetër një sasi të konsiderueshme malli, zëri i brendshëm i foli qortueshëm:

Mos e dërgo mallin!

Pas disa ditësh, informohet nga gazetat se firma të cilës do t’i dërgonte mallin, kishte falimentuar.

Teksa zëri po i fliste një ditë tjetër, e ndal dhe e pyet:

Kush je ti?

Ndërgjegjja jote, - i përgjigjet zëri.

Dëgjo motër ndërgjegje. Më duhet të të falenderoj. Deri tani më ke shpëtuar nga aksidenti ajror, nga helmimi dhe nga dërgimi i mallit firmës që po falimentonte.

Ëhë?

Çfarë ëhë, po kur u martova, ku dreqin ishe?

***

Isha i detyruar të tregohesha i kujdesshëm në përzgjedhje për të mos i thënë edhe unë ndërgjegjes: “Ku ishe kur u martova?”. Ndaj dhe nuk tentova të zgjidhja dikë që të ishte objekt mburrjeje nga ana juaj, t’i përkiste s’di se kujt shtrese të lartë, të ishte vajza e s’di se kujt biznesmeni të fuqishëm, etj.

Babai, gjithmonë i nevrikosur dhe i sigurt në vetvete, fliste me zë paksa të lartë, duke pandehur se unë s’dëgjoja, ose duke qenë i sigurt se unë do ta dëgjoja, dhe thoshte:

- Ky djalë është budalla. Sinqerisht është budalla. Makinën akull nga fabrika e ka, jahtin po, vilën po. E ka kapur truri, s’martohet që s’martohet. Duhet ta dërgojmë në ndonjë psikolog këtë. Kush mund të bëjë dasmë të përsosur si ky në këto kohë krize? Dasma në Hilton. Por zotëria s’denjon. Kur të martohet s’do t’i mungojë asgjë. S’ka as ndonjë problem sesi do të sigurojë mjetet e jetesës. Kandidatet për nuse i ka me qindra. Ç’dreqin do më ky?

Teksa vështroja ujin e kaltër e të freskët, kërkoja mbretëreshën e zemrës sime. Kjo mbretëreshë s’bënte pjesë në listën tuaj nënë.

Më shumë do të preferoja të isha një çift që edhe perdet e shtëpisë i blen me këste, sesa të martohesha me dikë që më ofronit ju e të bëja një dasmë madhështore me dikë që ju do të krenoheshit, por që unë s’do ta ndjeja kurrë në zemër.

Ndoshta sipas jush, kjo ishte një mënyrë zvarritjeje, por nuk duhet mospërfillur dashuria që ndjen kur rri me dikë që e dashuron.

Frekuencat tona nuk përputheshin nënë. Rrobat e dhëndërrisë që më kishit qepur, ishin tepër të ngushta për mua.