BRITMA E NJË TË RIU
Titulli origjinal: Bir Gencin Feryadı
A. Mahir Pekşen
PORTI I DASHURISË
Krijuesi nga njëra anë krijonte një univers të pafund e që zgjerohet vazhdimisht për t’i dhënë mendjes së njeriut mesazhin se “Ti as që mund ta konceptosh madhështinë time”, nga ana tjetër vendosi mbi vetë njeriun pafundësinë e universit. Truri kishte filluar të uturinte. Me llogaritë që bëja vetmevete gjendesha sërish përballë pyetjeve që fatkeqësisht nuk u përgjigjesha dot.
E kush nuk e kishte menduar pafundësinë? E kush nuk ia kishte drejtuar vetes pyetjen: “Ç’ka në fund të pafundësisë?” E kush e kishte gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje? Dikush kishte shkuar deri në boshllëk duke u mbështetur pas saj e duke pandehur sa ka gjetur fundin, e dikush tjetër ishte tërhequr nga frika se kureshtja se ç’kishte pas atij boshllëku mund të lindte një zinxhir të pafund pyetjesh.
“Tani mbështetu kolltuk dhe lidh rripin. Bëhu gati për një udhëtim të pafund në majën e thoit tënd.”
Vazhdoja ta lexoja shkrimin me shumë kujdes. Më dukej vetja sikur isha në një avion reaktiv më të shpejtë se zëri.
“Një qelizë brenda një grimce të thoit tënd që preve dhe e flake tutje këtë javë; kjo qeliza dhe brenda asaj papastërtie të atij thoi që preve dhe e flake tutje, ka me miliarda atome. Le të marrim vetëm një atom mes atyre miliardave. Sigurisht që është e pamundur ta shikojmë me sy. Ja, pra, edhe ngjarjet që rrjedhin brenda këtij atomi, nuk janë kurrsesi më të vogla e të parëndësishme se të gjitha ngjarjet që rrjedhin në univers. Sepse Krijuesi është aq madhështor, saqë edhe brenda gjërave të vogla, krijon ngjarje të mëdha. Po të ndajmë atomin më dysh, përballë do të na shfaqet galaktika.”
“Sa madhështor është Krijuesi që galaktikat i përfshin nën thua dhe brenda papastërtive të thoit që nuk shihen dot me sy”, mendoja vetmevete. Mendoja, por arrija të kuptoja edhe se mendohesha më kot. Unë që s’kisha mundësi të konceptoja dot madhështinë e krijesave, si mund ta imagjinoja madhështinë e Krijuesit. Mendja tund flamurin e dorëzimit dhe truri sa s’më pëlcet. Artikulli vazhdonte:
“Le të themi se e ndamë më dysh këtë atom. Çfarë do të shohim? Elektronet që vërtiten çmendurisht me një shpejtësi afro 10 mijë kilometra në sekondë rreth bërthamës. A është e mundur të imagjinojmë se me ç’mund të përballemi nëse e ndajmë bërthamën në dysh?
Atomin e një papastërtie thoi fillimisht ndajeni në mijëra pjesë, pastaj në miliarda e triliona pjesë. Dhe në atë lëndë që ju përftoni dhe vogëlsia e të cilës është aq e madhe saqë dëmton edhe forcën e imagjinatës suaj, ka sërish stuhi. Ka vullkane, llava që shpërthejnë, gurë që formësohen dhe brenda atyre gurëve sërish ka ndarje, grimca që rrotullohen. Dhe të vjen turp ta quash gurin gur. Sepse pas fjalës gur kuptoni sa gjallëri dhe lëvizshmëri ka brenda asaj që quhet gjallesë. Guri hakërrehet. Brenda meje ka gjallëri, thotë. Unë jam i gjallë, madje qindra mijëra herë më i gjallë se disa mendje të vdekura.”
Megjithëse po më lodhte trutë dhe më dukej sikur do të çmendesha, vazhdoja ta lexoja artikullin:
“Atë sendin aq të vogël sa edhe imagjinata e ka të vështirë ta konceptojë që pak më parë e ndatë në trilionë pjesë, ndajeni sërish në miliarda e pastaj në trilionë pjesë. Dhe nëse ju thuhet se edhe në këtë çikërrimë të çikërrimës ka jetë, aspak mos u habisni. Krijuesi brenda atij sendi ka përfshirë një jetë, mijëra jetë, miliarda jetë.”
O Zot i madh! Sa e vërtetë që ishte! Ndarja, shpërbërja, s’kishte të sosur. E po të shohim ç’vend zë Toka në këtë univers të pafund, nuk është aspak ndryshe nga vendi që zë papastërtia e thoit brenda në Tokë. Dhe kush mund të ishte aq injorant dhe arrogant sa ai tokësor i cili krenohet, megjithëse nuk është as sa një majë gjilpëre në këtë pafundësi dhe e koncepton veten jashtë administrimit të një Krijuesi?!
Megjithëse nuk kisha më fuqi ta përballoja shkrimin, nuk mundja as të rrija pa lexuar.
“Dhe nëse do të vendosësh dorën në pulsin e kësaj grimce që megjithëse e ndan në miliarda pjesë, prapëseprapë nuk arrin në gjendje të pandashme, e nëse vendos edhe veshin në gojën e saj, do të dëgjosh një mërmërimë: “Sa i madh që je, o Zot!” dhe pastaj heshtje, heshtje, heshtje. Nuk mbetet as forcë për të folur e as fuqi për ta kuptuar.”
Shkrimi mbaronte këtu. Edhe unë këtu mbaroja. Sakaq më vjen të shkoj në kryqëzimin më të populluar e të bërtas me sa forcë kam:
“Ka një Zot! Ka një Zot! Besoni tek Ai! Besoni tek Ai! Unë besoj! Unë besoj!”
Por pastaj frigohem mos vjen ndonjë ambulancë e më dërgon në ndonjë psikiatri.
Ndej prehje dhe paqe në shpirt. I gjithë llumi i të kaluarës dhe të gjitha shenjat e jetës prej bohemi më shuhen dalëngadalë.
Unë po lind rishtazi. Tashmë nuk bërtas më.
***
Nuk ka gjë më paqtuese shpirtërisht për njeriun sesa kur gjen atë që kërkon. Dhe po të mendojmë të kundërtën e kësaj; nuk ka gjë më shqetësuese për njeriun sesa kur nuk gjen atë që kërkon.
Tregojnë se:
Dikur, një i pasur, teksa kalonte mbi një urë, i bie një monedhë floriri. Fillimisht kishte hequr rrobat dhe ishte zhytur vetë mos e gjente. Kishte kërkuar e kërkuar, por më kot, s’kishte mundur ta gjente. Pastaj kishte nxjerrë një lajmërim ku i ftonte zhytësit dhe notarët e mirë se do të jepte pesë monedha floriri për atë që i nxirrte monedhën që i kishte rënë. Njëri nga zhytësit më të mirë të qytetit s’e kishte lënë t’i ikte nga dorë kjo punë me qar të madh, ishte zhytur e ishte munduar derisa e kishte gjetur monedhën. Sigurisht që e kishte marrë edhe shpërblimin prej pesë monedhash. Njerëzit s’e kishin kuptuar këtë llogari të tregtarit dhe e pyesin: “Ç’kuptim ka kjo që bëre? Ia vlen të harxhosh pesë florinj vetëm për një?” I pasuri kishte qeshur me urtësi dhe ia kishte kthyer: “Unë çdo ditë jam i detyruar të kaloj nga kjo urë. E sa herë të kaloja, do mërzitesha se ‘Në ujë më ka mbetur një flori’. Por tani unë nuk kam ndonjë monedhë aty poshtë. Unë jetoj lumturinë e gjethes së asaj që kërkova.”
Kështu, pra, nënë. Unë jam dikush që e kam gjetur atë që kërkoj dhe ndjehem i lumtur. Dhe këtë lumturi, këtë lumturi që ndjej në shpirt, dua t’jua përcjell edhe juve. Dhe me metodën e pajtimit të shkrirë tashmë në zemrën time, do të provoja t’ju doja edhe juve me të mirat dhe të këqijat që keni.
Fillimisht dhe veçanërisht u mundova të ndreqja marrëdhëniet dhe dialogun me tim atë.
I shkova në punë. Pyeta si i shkonin punët. Mbeti tepër i kënaqur. Filluam të pinim kafe dhe të drekonim e darkonim bashkë. Këtë njeri që dikur e kisha të vështirë të doja, tani më vinte ta fusja thellë në zemër.
Bisedova me të rreth pafundësisë së universit dhe ngjashmërisë së atomit me universin. I dëgjoi mendimet e mia me kujdes e me pak habi. Pastaj nga frika se mos dilja mendsh, më tha: “Mos u zhyt fort në këto tema, bir. Asnjë s’ka parë deri më sot as pafundësinë e universit e as atomin deri sa herë ndahet”.
Im atë ishte tepër inteligjent. Gjithmonë e thoshte me mburrje se i kishte mbaruar të gjitha vitet e shkollës me mesatare të lartë dhe se ishte diplomuar i pari në universitet. Madje kur studioja në gjimnaz, e pata pyetur për disa pyetje fizike dhe kimie. M’i pati zgjidhur me shumë lehtësi dhe pati qeshur me shpoti duke u mburrur:
Edhe sot sikur të hyj në provimet e universitetit, nuk lë pyetje kimie e fizike pa zgjidhur.
Një ditë po pinim bashkë çaj. I hodha gotës së çajit sheqer dhe e përzjeva.
Baba, - iu drejtova, - dua të të bëj disa pyetje. Por ta them që në fillim se nuk pres që këto pyetje t’i zgjidhësh as ti e as dikush tjetër.
Pa më pyet njëherë, - ma ktheu me një zë vetëbesimi, megjithë sfidën që i bëra.
Gjatë kohës që hedhim çajin në gotë, a është e mundur të matim tek e tek sasinë e nxehtësisë që merr gota në çdo milimetër për një të miliardat e sekondës?
Im atë shqeu sytë nga kureshtja dhe dëgjonte vazhdimin e pyetjes së çuditshme:
Sërish, kur hedhim sheqerin në gotë, a mund të llogaritet ndikimi i nxehtësisë së çajit mbi të në çdo centimetër katror të gotës në çdo një të miliardtën e sekondës?
Babai vazhdonte të më shikonte me sy të shqyer drejt e në sy pa më bërë asnjë pyetje.
Kur vendosim lugën në gotën e çajit, - vazhdova unë, - a mund të përcaktohet tkurrja që pëson sipërfaqja e qelqit të gotës nga përzierja e nxehtësisë së çajit me ftohtësinë e pjesshme të lugës dhe a mund të përcaktohet ndryshimi i nxehtësisë midis fundit dhe sipërfaqes së gotës me lëvizjen e lugës në gotë?
Pas kësaj pyetjeje, nga sytë e babait kishte humbur kureshtja dhe në vend të saj kishte zënë rrënjë frika mos isha budallallepsur. Unë vazhdova sërish nga pyetjet e mia:
Në fakt, dhe ç’është më e rëndësishmja, a mund të gjendet ndikimi i lëshimit të nxehtësisë së gotës së çajit në ajër me përzierjen e lugës tek bymimi i xhamit të një anijeje që përshkon ujërat e Oqeanit Atlantik?
Im atë kishte shtangur dhe ishte skuqur i tëri.
Në fakt, - vazhdova unë...
Hesht, për hir të Perëndisë! - ndërhyri. - Ti qenke çmendur, mos po mundohesh të më çmendësh edhe mua?
Pyetjet i kisha planifikuar më komplekse dhe më acaruese, por babait i sosi durimi shumë kohë më parë.
Mendova se kishte mbërritur çasti për të thënë fjalinë e duhur:
Gjithsesi, baba. Po heq dorë. Ajo çka dua të them, është kjo: Njeriu që e ka të pamundur të zgjidhë edhe ngjarjet që kanë të bëjnë me nxehtësinë në një gotë çaji, a nuk ka nevojë të lidhet pas një Krijuesi? A nuk është e natyrshme që Krijuesi i Cili vëzhgon dhe administron gjithçka në tërë universin për çdo çast, të kërkojë adhurim prej nesh?
Ia plasi të qeshurës.
Sigurisht që është e natyrshme bir, ndaj dhe ne lidhemi pas Perëndisë.
Po, unë përjetoja prehjen e jashtëzakonshme që më jepte lidhja me Krijuesin e doja që këtë prehje ta përjetonin dhe të tjerët, e, për këtë, përzgjidhja metoda të këtilla me njerëzit. Ndoshta metoda s’ishte ajo e duhura, por isha i mendimit se qëllimi ishte i ndershëm e fisnik.
Jo, ujë i kaltër, i thellë e i freskët. Mos më prit më kot. Unë s’do të zbres në krahët e tu rrënqethës. Unë tashmë kam gjetur krahë shumë të ngrohtë, shumë të dhimbsur e të mëshirshëm. Dhe tashmë ndihem tepër i lumtur.
***
Domethënë, një shkrim mund ta ndryshojë deri në këtë pikë jetën e një njeriu. Zemra ime që deri para disa kohësh nuk përfshinte as një grimcë dashurie në të, tashmë ishte zgjeruar aq shumë, sa mund të përpinte edhe botën ku jetojmë.
Sikur e kisha gjetur vendin ku do mbështetesha e do të besoja.
Kisha gjetur Krijuesin për të mos e humbur më kurrë.
Përderisa njeriu është një krijesë kaq e rëndësishme dhe përballet në këtë botë me sprovat e Krijuesit, atëherë i takon të bëjë një jetë të denjë për këtë madhështi.
Duhet ta dojë aq shumë Atë dhe të bëhet aq i dashur tek Ai, saqë në gjithçka që të sheh syri, që të dëgjon veshi e që të ndjen zemra, të mos të ngjasë asnjë rrezik.
***
Pasi të të ketë dashur Ai, ç’nuk ndodh: edhe nëse të hedhin në mes të zjarrit, a nuk bëhet flaka dhe prushi për ty si petale trëndafili?
Helmi në thumbin e akrepit a s’kthehet në melhem e forca në putrën e tigrit në mirëkuptim?
A nuk ndjen diellin në zemër?
Kur yjet lart në qiell të shkelin syrin, a nuk thua që kjo është krijesa e Krijuesit që më ka krijuar edhe mua; më shkel syrin dhe më përshëndet me urdhrin e Tij?
***
Jo, nënë, jo. Ju hyra edhe juve në hak. Ju kërkoj ndjesë për ato çka mendova rreth jush teksa shikoja ujin e kaltër e të freskët.
Ju jeni nëna dhe babai im. Ju dua, madje ju dua shumë. Sepse Ai që ju ka krijuar ju, është edhe Krijuesi im i dashur.
***
Asnjë lumturi që pata përjetuar deri më tani, nuk më pati dehur kaq shumë. Kurrë s’kam qenë kaq i gëzuar e i ngazëllyer.
Nënë, kjo lumturi nuk po më shijon pa ju. Dëshiroj që edhe ju të pini nga ky burim lumturie.
Ndaj dhe dua t’ju bëj ta ndjeni shijen dhe bukurinë e këtij uji. Ju jeni më të afërmit e mi. Duke filluar nga ju, do të mundohem t’u ofroj ujë nga ai burim të gjithë njerëzve, deri eskimezëve në Pol. E pastaj, edhe bota e eskimezëve do të ngrohet.
***
Uji i kaltër e i freskët tashmë murmurit këngën e dashurisë.
***
Nga shtrati tanimë ngrihem me Bismilah. Zbuloj magjinë e duasë, lutjes. Përmend shumë Atë, Krijuesin e vetëm, domethënë Allahun dhe e ndjej se edhe Ai më përmend.
Kur hap duart dhe i lutem Atij gjithë sinqeritet, ndjehem i lumtur. Ndjej se zemra ime është plotësisht e paqtuar vetëm kur përmend Atë.
***
Lutjet nuk i kam në bllok e shabllon, por të lira dhe ashtu si më vijnë në zemër dhe ndjej se Ai është më afër meje se vetë vetja ime.
***
Të dua, Zoti im!
***
I dua edhe ata që të duan Ty, Zoti im!
Madje i dua edhe ata që duan ata që të duan Ty!
***
Dëshiroj të të dua më shumë, Zoti im!
***
Dua të më duan ata që të duan Ty!
***
Të dua shumë, Zoti im!
***
Përderisa Ti ekziston, unë nuk bërtas më.
***
Një djalosh nuk bërtiste më. Sepse:
Ky djalosh e kishte ankoruar anijen e jetës në portin e dashurisë.